Java e Krenarisë është hapur zyrtarisht sot në ndërtesën e qeverisë nën patronatin e Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Kundër Diskriminimit – Zyra e Kryeministrit, përcjell KultPlus.
Përkrahjen e saj në hapje të Javës së Krenarisë e dha edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.
Osmani ka thënë se ta përqafosh diversitetin në një shoqëri duhet që përfundimisht të konsiderohet si një vlerë e shtuar, sepse sipas saj, ai sjell edhe diversitet në të menduar dhe si i tillë ai kontribuon në zhvillimin e mendimit kritik.
“Një gjë është e qartë, dashuria është dashur dhe këtë nuk do duhej ta mohonte, kundërshtonte apo ta sfidonte askush, sepse ajo është e pastër dhe nuk bëhet në baza selektive. Prandaj si të tillë do duhej ta respektonim pa asnjë kusht”, është shprehur Osmani.
Tutje, e para e shtetit tha se ““Java e Krenarisë” është një rikujtim për të festuar çdo anëtar i shoqërisë sonë mendimet tona dhe përkatësitë tona. Kohërat po ndryshojnë e shoqëria jonë duhet të shënojë progres”.
Pjesëmarrës ishin edhe Zëvëndës Shef i Zyrës së BE-së për Politikë dhe Ekonomi në Kosovë, Riccardo Serri, Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, Carin Lobbezoo, Kryetari i Zyrës së Kryeministrit për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Barazi dhe Liri./ KultPlus.com
Në internet tash e sa kohë qarkullon historia e Hanry Cavill, i cili supozohet se ka shkuar në shkollën e nipit të tij 7 vjeçar sepse këtë të fundit nuk e besonin që xhaxhai i tij ishte Supermeni. Madje kjo histori shoqërohet çdo herë nga një fotografi të Henry Cavill duke ecur nipin e tij në shkollë, shkruan KultPlus.
Mirëpo, një histori e tillë nuk është e vërtetë sepse Henry Cavill nuk e ndihmoi nipin e tij që të vërtetonte që Supermeni është xhaxhai i tij.
Sado e dashur të jetë kjo histori, ajo ishte trilluar me të vërtetë nga një histori e vjetër nga viti 2013.
Henry Cavill në fakt tregoi për këtë incident në qershor të 2013 në një intervistë me Jay Leno në The Tonight Show.
Ky incident që përfshinte nipin e tij, Thomas, në të vërtetë ndodhi në 2011 kur ai për herë të parë mësoi se do të luante Supermenin në filmin e Zack Snyder.
“Nipi im Thomas ishte shumë i ngazëllyer… ai vrapoi në shkollë”, tha Cavill.
“Tani mbani në mend Thomas ka një reputacion për sajimin e gjërave”, shtoi ai.
Ndonëse Henry Cavill nuk shkoi në shkollën e nipit të tij, ishte kunata e Henrit ajo që i shpjegoj mësuesit që në fakt Cavill është ‘një lloj’ Supermeni.
Madje ajo nuk i kërkoi Henrit që të shkonte në shkollën e nipit të tij, ashtu siç shkruhet tash e sa vite.
Ndërkaq fotografia e cila qarkullon në internet dhe nëpërmjet të cilës përshkruhet kjo histori, ka një rrëfim krejtësisht ndryshe. Në atë fotografi Henry, po shëtiste në Londër me vëllain e tij Nikn dhe familjen e tij në 7 Shtator 2013. Pra, ata nuk ishin nisur për në shkollë për të shpëtuar nipin e Henrit.
Madje në këtë histori të treguar e të trilluar tash e sa kohë ka dhe një detaj tjetër që nuk është aspak i vërtetë. Thomas nipi i Henryt, nuk ishte 7 vjeç kur ndodhi e gjithë historia me supermenin.
“Kështu që ne e dimë që Thomas ishte 6 vjeç në 2013, dhe jo 7 vjeç në 2021 siç pretendojnë shumë faqe interneti”, ka thënë Henry./ KultPlus.com
Sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me UP “Hasan Prishtina” Fakultetin e Ndërtimtarisë.
Qëllimi është zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Mbrojtja, promovimi dhe avancimi i sistemit të përgjithshëm të menaxhimit të trashëgimisë kulturore përveç qëllimit themelor pra si vlerë e rëndësisë së veçantë kulturore, historike, shoqërore e shpirtërore, duhet të shërbejë edhe si mjet për promovim e mobilizim të të gjitha resurseve që ka kjo fushë në funksion të ngritjes së prosperitetit ekonomik.
Mënjanimi i degradimit të aseteve të trashëgimisë kulturore, restaurimi dhe ri jetësimi i tyre duhet të bëhet në përputhje me dispozitat ligjore dhe duke u bazuar në principet dhe parimet e konventave ndërkombëtare. Për të arritur drejt avancimit të këtyre synimeve është i nevojshëm bashkëpunim e bashkërendim i aktiviteteve ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Krahas masave tjera të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, ngritja e kapaciteteve profesionale me theks të veçantë mbështetja e gjeneratave të reja për zhvillim të aftësive dhe kapacitetit profesional është objektivë e cila mbështetë gjithë mozaikun e procesit të integruar të mbrojtjes së trashëgimisë sonë kulturore./ KultPlus.com
Qytetarët e Gjakovës kanë kundërshtuar fuqishëm kthimin e shtetases serbe Dragica Gashiq, në këtë qytet. Familjarët e të zhdukurve janë të pakënaqur me vendimin e pushtetit komunal, i cili ka ofruar strehimin asaj. Nysrete Kumanova nga “Thirrjet e Nënave”, tha në Frontal në T7 se do t’i refuzojnë të gjithë serbët.
Ajo tha se serbët kanë kryer krime ndaj popullatës së pafajshme dhe i kanë rrëmbyer, kështu që familjarët e të zhdukurve i presin ata që 22 vite.
“Kriminelët serbë kanë bërë krime në qytetin e Gjakovës ndaj popullatës së pafajshme, i kanë rrëmby edhe sot pas 22 viteve ende na mungojnë njerëzit tanë. Në mesin e tyre edhe djali im i hasretit”, tha Kumanova në Frontal.
“Secili që është serb, Gjakovën e kanë humb të drejtën me vizitu e le me jetu. Serbet e Komunës së Gjakovës kanë qenë të organizuar të armatosur, s’kanë kursyer as pleqë e as fëmijë”, u shpreh ajo.
Ajo tha se asnjë nga serbët nuk e ka vendin në Gjakovë.
“Ai që ja ka mundësi të jetojë, le ta çojë në shtëpinë e vetë. S’ka të drejtë asnjë serbi ta lëjojë ta fut këmbën në Komunën e Gjakovës…Nuk e di kënd e ka mas që ja ka dhënë atë liri…”, u shpreh tutje ajo.
“Nuk po muj me kuptu, as Dragicë as kerkush hiç nuk e ka vendin në Gjakovë”, përfundoi ajo./ KultPlus.com
I riu shqiptar Kristjan Leskaj, jeton prej vitit 2018 në Savona, Itali. Leskaj ju dedikua mësimeve në “Institutin Boselli” dhe për shkak të impenjimit dhe rezultateve të larta, profesorët i propozuan të zhvillojë vitin e katërt dhe të pestë në një të vetëm.
Në provimet e maturës edhe pse ai punonte, Leskaj u vlerësua me pikët maksimale. “Kur shkova të shikoja kartelat, një nga punonjëset më priti në lot, duke më thënë që 100 pikët e tua janë një sinjal i rëndësishëm për të gjithë”, – tregon ai.
“Kam ëndrra dhe objektiva, dua të arrij sa më larg të jetë e mundur”, kështu shprehet i riu shqiptar Kristjan Leskaj i cili ka mahnitur komisionin e provimeve të maturës.
Mediat vendase i kanë kushtuar një artikull shqiptarit Kristjan Leskaj.
Artikulli i plotë
Ndihet dëshira dhe pasioni për të ecur përpara, sakrifica dhe dëshira për të arritur sa më lart.
Por në mes të kësaj arritje ekziston edhe një histori që shkon përtej ccdo gjëje. Kristjani ka mbërritur në Itali në vitin 2018, vetëm, pasi prindërit jetojnë në Shqipëri. Në Itali jetonte vëllai i tij i madh. Sipas moshës Kristjani duhej të regjistrohej në vitin e dytë më Boslli, por duke mos e njohur shumë mirë gjuhën italiane, ju sugjerua të filloi nga viti i parë. “U angazhova menjëherë, sepse nuk më vinte mirë që të humbisja një vit. I kalova provimet shumë shpejt dhe në dhjetor profesorët më kaluan në vit të dytë, sepse isha në të njëtin nivel me të tjerët”, tregon Kristjani. Ai vazhdon të jetë një studnet me rezultate të larta. Është aq i zgjuar sa profesorët i kanë sugjeruar që të kapërcej një vit shkollor dhe të kalojë menjëherë në vit të katërt. “Isha i lumtur, por edhe i frikësuar në të njëjtën kohë. Profesorët më qëndruan shumë pranë dhe gjithashtu shokët e vitit të katërt më përkrahën, punoja shumë që të isha në një nivel me të tjerët. Ndiqja njëkohësisht edhe mësimin e vitit të pestë”, shprehet Kristjan Leskaj. Vjen dita e maturës, drejtimi “Marrëdhënie ndërkombëtare dhe marketing”. Provimi i të riut shqiptar la pa fjalë të gjithë komisionin.
“Kur shkova të shoh fletën e provimit, një nga mësueset më priti me lot në sy, duke me thënë se 100 pikët që unë kisha marrë ishin një sinjal për të gjithë. Sigurisht që personat që u gëzuan më shumë ishin prindërit e mi që jetojnë në Shqipëri, të cilët nuk i kam takuar prej një viti”. Kristiani ka punuar edhe gjatë kohës së studimeve, duke ndihmuar veten dhe vëllain e tij. Në shtator do të vazhdojë studimet për Menaxhim Biznesi në Torino dhe tregon se mësuesja e tij e ka ndihmuar që të sigurojë edhe një punë atje, në mënyrë që të përballojë shpenzimet./ KultPlus.com
Drejtuesit e “Shoqatës Humanitare Kërçova” me qendër në Vjenë ka nisur një projekt për vendosjen e bustit të heroit kombëtarë në Vjenë.
Drejtuesit e kësaj shoqate realizuan një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Vjenë, Roland Bimo dhe Ministri fuqiplotë Tonin Beci.
“Shoqata Humanitare Kërçova” në këtë takim parashtroi projektin e inicuar prej tyre për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Vjenë dhe përshkroi hapat e ndjekur deri tani me autoritetet e Vjenës si dhe kërkuan ndihmën e bashkërendimin e punës edhe me Ambasadën e Shqipërisë.
Ambasadori Bimo vlerësoi punën e shoqatës në përgjithësi, dhe posaçërisht iniciativën domethënëse për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Vjenë. Më tej, zoti Bimo premtoi ndihmën dhe angazhimin e Ambasadës, në koordinimin e punës me shoqatën për të organizuar përpjekjet dhe lobimin e nevojshëm për të ndikuar tek institucionet vendimarrëse austriake për të realizuar projektin për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Vjenë.
Në takim u ra dakord për takime dhe hapa konkretë të mëtejshëm të drejtuesve të shoqatës “Kërçova” dhe ambasadës për realizimin e projektit në fjalë./ KultPlus.com
Fillimi i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.
Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.
Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.
Mirëpo, sonte KultPlus ju sjell një këngë të Nexhmije Pagarushës, që edhe pse nuk është ndër të njohurat e saj, është një këngë e fuqishme që i flet me një dashuri të madhe qytetit të Prishtinës.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
Tash kur natyra ka lulëzu Qyteti im asht zbukuru Jeta e amël me plot dëfrim Te ti po ngjallet Prishtinë.
Të du të du qyteti im Të du unë si nana fmin’ Të du të du qyteti im Të adhuroj o Prishtinë.
Qyteti im je plot gjallni Me vasha t’bukra djem te ri Gjithçka te ti është plot hijeshi Se ti po rrit nji brez t’ri. / KultPlus.com
“Ishte kaq prekëse për mua. Ai ra në dashuri me mua dy herë. Ndihem e nderuar. Ndihem si një princeshë, si Hirushja. Unë jam vajza më me fat në botë”, tha Lisa për CNN, përcjell KultPlus.
Çifti, të cilët janë të martuar prej 12 vjetësh, u takuan në Pensilvani. Të dy ishin të martuar me partnerë të tjerë asokohe, por lidhën një miqësi dhe qëndruan afër derisa familja e Peter u transferua në Connecticut.
Pas gati një viti të dy u rilidhën kur zbuluan se secili po kalonte divorc. Pas vetëm një takimi në Harrisburg, u bënë të pandashëm dhe qëndruan në një lidhje tetëvjeçare, në distancë të largët, derisa fëmijët e tyre hynë në kolegj. Në vitin 2009, Lisa u transferua në Connecticut dhe u martuan.
Lisa tha se demenca nisi papritur. Gjithçka filloi kur ai harronte çelësat, pastaj portofolin. Më pas Peter nisi të harronte fjalët dhe çfarë kuptimi kishin ato. Por gjithçka ia lanë plakjes, derisa miqtë kuptuan që diçka nuk shkonte. Pas analizave të detajuara, Peter u diagnostikua me sëmundjen Alzheimer më 30 prill 2018.
Sëmundja ndikoi shpejt mbi jetën e çiftit. Por, herën e parë që ai harroi kush ishte gruaja e tij, ata ishin në një udhëtim në Rhode Island.
“Kur ishim duke shkuar në shtëpi, Peter po më jepte udhëzime dhe më pas vazhdonte të thoshte gjëra të tilla: Kjo është rruga për në shtëpinë time. Kthehuni djathtas për të arritur në shtëpinë time. Sikur të isha shofere dhe nuk e dija se ku jetonim. Kur u kthyem në shtëpi, ai vrapoi pranë meje dhe më hapi derën dhe më futi në shtëpinë tonë dhe ishte aq nervoz duke më treguar përreth. Ai nuk u kthye më në realitet”, tha Lisa
Pavarsisht të gjithave më 26 prill, Peter dhe Lisa u gjendën sërish në altar.
“Unë jam personi i tij i preferuar. Unë nuk kam nevojë për një etiketë, si gruaja, ose pseudonime që më vendoste. Ne do të jemi së bashku deri në fund. Asgjë nuk mund të na ndajë. Asgjë”, thotë ajo./ KultPlus.com
Gëzohu dhe shërohu, bija ime, me dritën e diellit dhe rrezet e hënës. Me tingujt e lumit dhe të ujëvarës. Me valët e detit dhe fërfëllimën e krahëve të zogjve.
Gëzohu dhe shërohu, bija ime, me gjethet e mentës dhe të mendrës, të mëllagës dhe të blirit. Freskohu me aromë livande, rozmarine dhe kamomili. Përqafohu me frutën e kakaos dhe me një degëz kanelle. Duaje çajin në vend të sheqerit dhe pije atë duke parë yjet. Gëzohu dhe shërohu, bija ime, me përqafimet e erës dhe me puthjet e shiut. Forcohu me këmbët zbathur në tokë dhe me gjithçka që ka lindur prej tokës. Bëhu më e shkathët çdo ditë, duke mprehur intuitën dhe duke parë botën me sytë e ballit.
Kërce, vallëzo, këndo, që të jetosh më e lumtur. Gëzohu dhe shërohu, bija ime, me dashuri të shëndetshme dhe mos harro se je grua./ KultPlus.com
Vajzës nga Kosova, Hana Arapit i është besuar puna nga gazeta prestigjioze britanike, “The Guardian” për dizajnin grafik të projektit të 200-vjetorit të kësaj gazete me famë botërore.
Hana Arapi e ka themeluar dhe e udhëheq në Prishtinë kompaninë e dizajnit, “Amam Studio”. Ajo është shembull se si të jesh kreativi sot i kalon kufijtë dhe arrin bashkëpunime të tilla ndërkombëtare.
Arapi është shprehur e lumtur për këtë bashkëpunim dhe ndihet e privilegjuar që puna e saj është vlerësuar nga Gardian.
Ndryshe, “Amam Studio”, kompania që e udhëheq Hana Arapi, deri më tani ka implementuar projekte të ndryshme edhe për UNDP, UNICEF, Caritas, FES – Friedrich Ebert Stiftung, Anibar – Animation Festival, ICK – Innovation Centre Kosovo, INDEP – Institute for Development Policy, Social Lab, sBunker, Coder Gals, Pomilio Blumm (Itali), Millions (Norvegji), Ornio (Norvegji), Afta Eats (Britani e Madhe), Koperativa (Kosovë), Kutia Digital Agency (Kosovë), Prosperify (Zvicër), Prince Coffee House (Kosovë), Dukagjini Publishing (Kosovë), etj.
Këtu mund ta gjeni videoprojektin e 200-vjetorit të “The Guardian”, dizajnin grafik të të cilit e ka realizuar Hana Arapi dhe kompania e saj, “Amam Studio“. / KultPlus.com
Intepretueset si: Elsa Gashi, Lisa Sahatqiu dhe Melisa Ibrahimi, sot performuan para një jurie profesioniste që përfshiu pianisten Ardita Statovci dhe Zoya Shuhatovich, me ç’rast ato konkurruan për çmimin special të festivalit pianistik Chopin Piano Fest Prishtina, një çmim ky tradicional që i ndahet një pianisti apo pianisteje të re, shkruan KultPlus.
Fillimisht, ajo që doli e para për të performuar ishte Elsa Gashi, e cila kishte përzgjedhur vepra të kompozitorëve botërorë dhe shqiptar si: J.B.Cramer, L.V.Beethoven, J.S.Bach, F.Chopin, Feim Ibrahimi, F.Mendelssohn dhe R.Schumann. Pastaj, kompozitorët e përzgjedhur nga Lisa Sahatqiu ishin: J.Brahms, R.Schumann, L.V.Beethoven, F.Chopin, C.Debussy dhe Liszt, dhe në fund kompozitorët e zgjedhur nga Melisa Ibrahimi, ishin: Chopin, Scriabin, Beethoven dhe Liszt.
Të trija këto pianiste që dolën në skenë me një qëndrim të jashtëzakonshëm e tejet inspirues për gjeneratat edhe më të reja, dëshmuan dhe shpalosën talentin e tyre në performimin pianistik përmendësh ku secila nga to solli elemente tejet unike, përmes së cilave dallohej edhe dashuria e përkushtimi i madh ndaj melodive, tingujve dhe instrumentit bardh e zi që vazhdimisht pushtohej nga butësia e vrazhdësia e prekjeve nga gishtërinjtë e këtyre vajzave, të cilat para jurisë profesionale sollën vepra fantastike duke filluar nga tingujt më të butë e deri tek ato që dilnin jashtë kontrollit.
Ky çmim special pritet të ndahet në natën e fundit të Chopin Piano Fest, pra me datë 30 qershor në amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare me mbështetjen e Herbert Groeger nga Bad Honnef-Salzburg, në bashkëpunim me pianisten Ardita Statovci, e cila ishte iniciatore për organizimin e këtij çmimi special në vitin 2017.
Të drejtë pjesëmarrjeje në këtë audicion kanë pasur studentët e pianos së Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe nxënësit e pianos së shkollave të muzikës të Kosovës, fitues të çmimeve në gara paraprake, të cilët në repertorin e tyre kanë të përgatitur një program në kohëzgjatje prej 60 minutash, nga e cila kohë 45min janë performuar në këtë audicion me vepra të Beethoven (Sonata, Variacione, Bagatella) ose një vepër nga R. Schuman.
Në këtë edicion, çmimi special i Chopin Piano Fest përfshin: Një koncert recital në vendet gjermanofolëse Gjermani ose Austri; Masterklasë; Vizitë në vendet historike me rëndësi muzikore historike në një prej qyteteve në vendet gjermanofolës; Njohje me kulturën e regjionit të përcaktuar gjermanofolës. Të gjitha shpenzimet janë të mbuluara nga sponsori i Çmimit Special. / KultPlus.com
Autostrada Biennale, në edicionin e saj të tretë, bashkë me edicionin e 5-të të Javës së Krenarisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Manifesta 14 Prishtina, do të sjellin për publikun kosovar ekspozitën e famshme “Lule Mosmëharro 2020 – 2021” nga Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano.
Sot, përmes një postimi në faqen zyrtare të Autostradës Biennale, janë publikuar fotografitë e përgatitjeve të instalacionit të Petrit Halilajt, ”Lule Mosmëharro”.
Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në hapjen zyrtare të kësaj ekspozite. Ekspozitë kjo e cila do të hapet më 30 qershor, kurse për publikun e gjerë do të jetë e hapur prej 1 korrikut deri më 11 shtator të këtij viti. / KultPlus.com
“Liqeni i Zi” në Lenie të Gramshit është një pasuri natyrore që josh turistë nga i gjithë vendi dhe kryesisht të huaj.
I gjendur në një lartësi të madhe nga niveli i deti me origjinë akullnajore, rri në mes të një pllaje të rrethuar me kurorë pishash, livadhe dhe zambak të egër si një dëshmi e bukurive të jashtëzakonshme që ka treva e Gramshit.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bën të ditur se, “Monumenti i Natyrës “Liqeni i Zi” Lenie gjendet në lartësinë 1634 m, në afërsi të fshatit Lenie Gramsh. Përfaqëson një liqen me orgjinë akullnanjore. I rrethuar nga peizazhe malore ku liqeni dhe natyra e bukur krijojnë një destinacion të mrekullueshëm për një fundjavë në malet e bukura të Lenies”.
Vendosja e Liqenit të Zi në mes të një pllaje të gjerë, rrethuar me pisha dhe livadh krijon kushte të jashtëzakonshme për kamping, ecje në këmbë apo organizimin e festave për vizitorët. / atsh / KultPlus.com
Një pikturë e cila ndodhej në një famlije franceze, u zbulua se është një nga kryeveprat më të rëndësishme të artit francez dhe u shit të dielën për një shifër marramendëse.
Bëhet fjalë për pikturën e quajtur “Filozofi lexues” nga mjeshtri francez, Jean-Honoré Fragonard, e pikturuar rreth vitit 1768, e cila u shit për 7 milionë euro, transmeton KultPlus.
Piktura u zbulua rastësisht nga një ekspert ankandesh që duhet të vlerësonte sendet e një apartamenti në qytetin e Eparnay dhe familja as nuk e kishte renditur të sendet me vlerë. Por dyshimet e profesionistit rezultuan fatlume dhe analiza specifike zyrtarizoi zbulimin e madh.
Fragonard cilësohet si nga mjeshtrit e stilit Rococo dhe veprat e tij më të njohura, ndodhen në muzetë më të njohur të botës.
Kjo vepër është nga veprat e fundit të piktorit, dhe tregon periudhën më meditative edhe pse “energjia e penelit të tij është njëjta”, sipas kritikëve. / KultPlus.com
E dashuron profesionin e saj dhe e krahason me motorin që e bën të eci përpara. Eridan Këllici ka mbaruar studimet për psikologji në Itali, vend ku tashmë ushtron profesionin e saj. E fokusuar në punën me nxënësit Eridan Këllici në një intervistë për “Diaspora Shqiptare” tregon se si ka ndikuar pandemia tek nxënësit dhe pasojat që do të lerë tek ta.
Jeni diplomuar për psikologji dhe prej vitesh ushtroni profesionin tuaj në Itali. Në eksperiencat tuaj si psikologe do donim të ndaleshim tek eksperienca juaj me nxënësit dhe konkretisht tek problemet që hasin fëmijët gjatë periudhës së shkollës. Nisur nga përvoja e dy viteve të fundit, si ka ndikuar pandamia për fëmijët në shkollë?
Pandemia në këto dy vitet e fundit ka vënë në pah shumë aspekte të rëndësishme që deri pak kohë më përpara ishin parë si të natyrshme, të paimagjinueshme dhe që asgjë nuk mund ti prekte. Një nga këto aspekte ishte prania fisike. Kjo nevojë e rrënjëzuar si në psiqiken si në biologjinë njerzore që asnjë teknologji nuk mund ta zëvëndësonte, po mungonte. Vështirësia për të mbajtur largësinë e duhur krijoi tek fëmijë një lloj frustrimi dhe nje lloj vëshirësie për të krijuar lidhje të reja e mbajtur ato të vjetrat. Kur fëmijët janë të vegjël kanë një nevojë fiziologjike për një përqafim e kur ky mungon mund të krijojë një boshtllik që nuk është e lehtë ta mbushësh, pasi përqafimi është mbrojte e përmbajtje psikologjike. Nga ana tjetër mund të krijohen fobi ndaj faktit që personi nuk po mban largësinë e duhur. Frika se mos semurem, se mund të më ndodhë dicka,dhe nëse përqafimi apo puthjet janë jetësore për fëmijet mund të kthehen në objekt frike. Nga ana tjetër pandemia na dha mundesinë të zhvillohen disa aftësi që nuk paten hapsiren e duhur deri në atë moment, sic është gjuha dixhitale
A do të ketë pasoja kjo periudhë e mësimdhënies me shkëputje tek brezat që u prekën nga kjo periudhë?
Besoj që po, madje jam shumë e bindur që do të ketë. Dhe për të plotësuar këto boshllëqe kush vjen mbas në vitet shkollore ka detyrën të plotësojë këto boshtllëqe si nga ana e njohurive shkollore, si nga ana e të sjellurit ashtu dhe nga ana psikologjike. Figurat që kujdesen për fëmijët kanë një sfide akoma më të madhe pasi duhet të plotesoj jo vetëm kërkesat e moshës ku gjendet fëmija por dhe ato që pandemia bllokoi e i la pezzull.
Po për prindërit sa e vështirë ka qenë të përballojnë këtë periudhë?
Duhet kuptuar se në ç’moment të jetës po gjendej ai prind, si ishin situatat e parametrat shoqërore e jetësore të tij. Në shumicën e rasteve prindrit e përjetuan si një periudhë shumë të vështirë. Por pati dhe raste kur prindërve iu dha mundesia të krijonin raporte të reja e të njihnin më nga afer fëmijët e tyre.
Keni rënë në kontakt me nxënës shqiptar dhe nëse po cilat janë problematikat që ata hasin më së shumti dhe që i rëndojnë psikologjikisht?
Për fat të keq nuk kam patur kontakt direkt me nxënës shqiptar.
Nga përvoja juaj në konsultat familjare, cilat janë problemet më të shpeshta që kalon një familje që jeton në një shtet që nuk është vendlindja?
Si çdo familie emigrantesh ashtu dhe ajo shqiptare duhet të përballet e ballafaqohet me një nga proceset sociale më të ashpra që është imigrimi. Procesi i integrimit kërkon një sakrifice domethënëse që ndërvepron në cdo moment të jetës e cila të kërkon të mbijetosh. Këto probleme lidhet me gjuhen, kulturen, mentalitetin, pikat e referimit se sa ato janë në gjëndje të ndihmojnë të sapoaerdhurit.
Kthehemi pas në kohë dhe flasim për momentin kur vendosët të largoheshit nga Shqipëria dhe pse zgjodhët Italinë?
Pasi Italia ishte i vetmi shtet ku unë mund të përballoja ekonomikisht studimet dhe jetesën.
Shpreheni se e dashuroni profesionin tuaj, sa ndikon pasioni për të atë që zgjedhim të bëjmë në produktivitetin tonë?
Unë jam tmerrësisht e dashuruar me profesionin tim i cili kërkon tejet sakrifica e shumë mundime, por ky është dhe motorri që më ben mua të eci përpara. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Në fillim të këtij sezoni turistik në Tiranë po organizohen një sërë aktivitetesh kulturore, transmeton KultPlus.
E tillë ka qenë edhe shfaqja e veçantë e organizuar mbrëmjen e djeshme në amfiteatrin e Liqenit Artificial me numra koreografik të baletit klasik, e cila solli për publikun një atmosferë festive mes kostumeve shumëngjyrëshe dhe tingujve të magjishëm klasik.
Kanë qenë numra të përzgjedhur nga disa koreografe të ndryshme të cilat kanë përzgjedhur gjithashtu emra balerinash ndër më të mirat dhe të grupmoshave të ndryshme.
Disa ditë më parë vetë kryetari i bashkisë së Tiranës në ceremoninë e hapjes së sezonit turistik në qytetin e Tiranës, ka premtuar se, “gjatë periudhës së verës në kryeqytet do të organizohen shumë evente artistike të cilat i kanë munguar Tiranës për një kohë kaq të gjatë. Këtë gjë do ta rekuperojmë në këtë sezon veror ku Tirana ka shumë për të ofruar”. /atsh/ KultPlus.com
Fëmijëve të Kosovës ju dha mundësia që t’i drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, përmes një konkursi të hapur nga KultPlus.
Pas mbylljes së aplikimeve ku kanë arritur mbi 100 letra në adresën e KultPlus, juria profesionale e përbërë nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, aktorja Adriana Matoshi dhe përfaqësuesja e KultPlus, redaktorja Jeta Zymberi, janë zgjedhur edhe dhjetë letrat më të mira drejtuar presidentes përmes sëcilave fëmijët e moshave prej 10 deri 15 vjet i drejtohen presidentes duke shprehur kërkesat dhe dëshirat e tyre.
Për të shënuar këtë organizim përmes një ceremonie, KultPlus ka organizuar eventin “Letër Presidentes” ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku me këtë rast fëmijët e përzgjedhur nga kjo garë do të jenë të pranishëm e do ti lexojnë letrat e tyre para presidentes.
Krejt në fund fëmijët do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.
Eventi mbahet ditën e mërkurë, më datë 30 qershor, në ora 13:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com
Aktiviteti më i ri socio-kulturor, ”Akull n’Verë për herë të parë vjen në kryeqytet.
Aktivitet ky i organizuar nga Komuna e Prishtinës që ka për synim t’i kthejë ditët e nxehta të verës në një freski të shpirtit për qytetarët, përcjell KultPlus.
Aktiviteti vjen si rezultat i gjashtë edicioneve të suksesshme të Verë n’Dimër. Ndërkaq, shtëpizat e drurit të cilat do ë vendosen në sheshin ”Zahir Pajaziti” do të ofrojnë laramani të përzgjedhjes së pijeve e gjërave të tjera freskuese.
Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook, njoftoi se ky aktivitet përveç të tjerash, ka për synim që të mbështesë edhe bizneset e vogla në kryeqytet të cilët kanë qenë të prekur nga pandemia.
”Shoqëri, muzikë të mirë e pije freskuese janë krejt çka na duhen për me i kalu disa ditë të mira vere”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Berishës.
Bashkangjitur gjeni linkun për aplikim. / KultPlus.com
Edicioni i 21-të i çmimeve vjetore “BET” u mbajt të dielën me temën “Viti i Grave me Ngjyrë”.
Aktorja Taraji P. Henson drejtoi ceremoninë në teatrin Microsoft në Los Angeles, ku pati edhe audiencë për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, shkruan Demokracia.com.
Reperja dhe aktorja Queen Latifah mori çmimin e këtij viti për arritjet e jetës për “suksesin e saj të mahnitshëm” gjatë karrierës së saj dekadëshe.
Reperët Lil Kim, Rapsody, MC Lyte dhe Monie Love nderuan artisten me një performancë të këngëve të saj “Ladies First” dhe “U.N.I.T.Y..”.
Reperja Megan Thee Stallion ishte më e nominuara, ndërsa fitoi çmimet si “Artistja më e mirë Hip Hop Femër”, “Bashkëpunimi më i mirë”, “Zgjedhja e shikuesit” dhe “Video e Vitit”
Legjenda e repit DMX, i cili vdiq nga një sulm në zemër në fillim të këtij viti, u nderua në ceremoni me një performancë të veçantë nga Busta Rhymes, Method Man, Swizz Beatz dhe Michael K. Williams.
Andra Day, the City Girls, DJ Khaled, Jazmine Sullivan, Lil Nas X, Kirk Franklin dhe Migos ishin ndër yjet që performuan në ceremoninë vjetore të ndarjes së çmimeve.
Lista e plotë e fituesve:
Albumi i vitit
“Heaux Tales” Jazmine Sullivan
Artistja më e mirë R&B / Pop
H.E.R.
Artisti më i mirë R&B / Pop
Chris Brown
Grupi më i mirë
Bruno Mars, Anderson .Pak dhe Silk Sonic
Bashkëpunimi më i mirë
“WAP” Cardi B ft. Megan Thee Stallion – Fitues
Artisti më i mirë hip-hop
Lil Baby
Artistja më e mirë në hip-hop
Megan Thee Stallion – Fituese
Video e Vitit
“WAP” Cardi B ft. Megan Thee Stallion – Fitues
Artisti i ri më i mirë
Giveon
Dr. Bobby Jones Best Gospel / Çmimi frymëzues
“Strong God” – Kirk Franklin
BET Çmimi i saj
“Good Days” Sza
Akti më i mirë ndërkombëtar
Burna Boy, Nigeri
Çmimi i Zgjedhjes së Shikuesit
“Savage (Remix)” Megan Thee Stallion ft. Beyoncé
Filmi më i mirë
“Judas and the Black Messiah”
Aktorja më e mirë
Andra Day
Aktori më i mirë
Chadwick Boseman
Çmimi Youngstars:
Marsai Martin
Çmimi Sportistja e Vitit:
Naomi Osaka
Çmimi Sportist i Vitit:
Lebron James
Zgjedhja e shikuesit: Akti më i mirë i ri ndërkombëtar
Quentin Tarantino do të nderohet me çmim special për arritje jetësore, në edicionin e sivjetmë të Festivalit të filmit në Romë.
Regjisori i njohur hollywoodian do të jetë i pranishëm në festivalin i cili mbahet nga 14-24 tetor, dhe pritet të marrë pjesë në një takim për së afërmi me publikun lokal, ku do të kenë mundësi t’i parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje nga Tarantino, transmeton KultPlus.
“Në një periudhë të jetës sime e shikoja secilin film Italian. Dhe një pjesë të madhe të karrierës sime e kam kaluar duke i realizuar versionet e mia të këtyre filmave. Prandaj, ta pranoj një shpërblim për arritje jetësore nga Festival i filmit në Romë, është një ndjenjë fantastike për mua”, ka deklaruar Tarantino përmes një komunikate për “The Hollywood Reporter”.
Edicioni i 16-të i Festivalit të Filmi në Romë po ashtu do ta nderojë regjisorin, Tim Burton, me shpërblim për arritje jetësore. Regjisori më së miri njihet për filma të tillë si “Edward Scissorhands” dhe “Batman”.
Në një deklaratë për media të lëshuar nga organizatorët e festivalit, Burton u vlerësua si një prej regjisorëve më origjinal në industrinë e filmit në Amerikë, puna e së cilit mund të identifikohet qysh në shikim të parë.
Burton po ashtu do të jetë i pranishëm në ceremoni për ta pranuar çmimin e tij, transmeton tutje KultPlus.
“Ta pranosh këtë nderim nga Festivali i filmit në Romë është diçka shumë e veçantë për mua. Fellini, Mario Bava, Dario Argento, që t gjithë këta kanë qenë inspirues të mëdhenj në jetën time, dhe të nderohem me çmim në Romë, vendi të cilin e dua shumë dhe një qytet ku ndihesh sikur je protagonist i filmit tënd personal, është mjaft emocionale për mua”, ka deklaruar regjisori.
Programi i plotë i Festivalit të filmit në Romë do të bëhet publik më 6 tetor. / KultPlus.com
Për filmin me metrazh të gjatë të regjisores Luana Bajrami, i titulluar ‘’Bota jonë’’, është hapur një thirrje për audicion për gjithsej shtatë role kryesore, përcjellë KultPlus.
Kriteri për pjesëmarrjen në këtë film, përfshin katër ferma dhe tre meshkuj, duke filluar nga mosha 18 vjeçare deri në 30 vjeç.
Për të interesuarit, fotot mund t’i dërgoni fotot dhe videon e prezantimit në këtë email: [email protected] / KultPlus.com
”Mëshira” e Mikelanxhelos, e njohur ndryshe Mëshira Vatikan, është një nga veprat më të bukura të krijuara nga gjeniu i Rilindjes Italiane. Një kryevepër e përjetshme, e cila, edhe pas pesëqind vjetësh, vazhdon të na mahnitë.
“Mëshira” e Mikelanxhelos gjithnjë e ka vënë qenien njerëzore para pikëpyetjesh.
E shikon në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vaikan dhe ajo nuk të lë në qetësinë tënde. Pse? Mundohuni ta shikoni me kujdes. Është hijerëndë? Jo. Është tmerruese? Jo. Është e qetë? Jo. Është përçmuese? Jo. Është ëndërrimtare? Jo. Është realiste? Jo. Mund të vazhdosh gjatë, duke thënë se çfarë nuk është, por duhet të rrekesh shumë për të qartësuar se çfarë është. Sa herë që përpiqesh ta përcaktosh, misteri i saj – misteri i bukurisë – largohet tutje, nuk kapet. Bukuria zbulohet, por largohet edhe një herë. Sa më shumë ta mbuloni me shpjegime dhe njohuri, aq më shumë ndiheni se ekziston një hendek, një shpërpjesëtim i nxehtës mes asaj që shihni fuqishëm para syve tuaj dhe asaj që fjalët arrijnë të thonë.
A close-up side view of the marble Pieta sculpture by Michelangelo, created circa 1498, depicting Mary holding the dead body of Jesus Christ, and located at St Peter’s Basilica in the Vatican. (Photo by Arnold Newman Properties/Getty Images)
Udhëzuesit dhe librat turistikë rregullohen mbi nocionet dhe stilin: skalitur nga Mikelanxhelo në mermer të bardhë Carrara, në 1498-1499, në një formë të përsosur piramidale, skulptura shfaq Madonën që ka të njëjtën moshë me të Birin dhe që e mban atë në krah, pasi është hequr nga kryqi. Tërësia tregon pastërti dhe ndershmëri. Në të vërtetë, kjo është prova më sipërfaqësore. Në realitet, ne jemi tërhequr dhe turbulluar nga “Dhembshuria”, sepse zemra jonë është bërë për të dëshiruar gjëra të mëdha dhe bukuria e ndez këtë dëshirë për të na sjellë në territore, marramendës, të frikshëm për ne të pamësuarit. Prandaj ndjejmë shqetësim, sepse, në fund të fundit, “Dhembshuria” – bukuria – nuk e dimë se ku na çon.
Mikelanxhelo ishte 23 vjeç kur e skaliti këtë punë. Oskar Uajld thoshte: “nga guximi pjesa më e mirë është paturpshmëria”. Skulptori i ri mund të ndiqte shumë mirë praktikën e figuracionit të shenjtë: nëna e moshuar që mirëpret me dhimbje djalin e munduar lakuriq. Përkundrazi, kokëkrisuri, i etur për të përfaqësuar Nënën më të re dhe më të re në krahasim me Birin e saj, i cili mund të paraqitet si një ofendim ose një blasfemi e rinisë pa respekt, e shndërroi “Dhembshurinë” në një unicum shprehës të pakrahasueshëm: “Gjithmonë është një mjeshtëri, një shfrytëzim i mjeshtërisë dhe për më tepër ndjenja e dobësisë së mjeshtërisë”, – shprehet Giuseppe Ungaretti.
Zanati nuk ishte i mjaftueshëm për Mikelanxhelon.
Zemra e tij, krijuar për të dëshiruar gjëra të mëdha, e kishte çuar tashmë në moshë të re për të matur veten me nevojën e mjeshtërisë, teknikës, aftësive në skulpturë, pikturë, arkitekturë, planifikim urban, por edhe për të kuptuar zbrazëtinë e tij, kur e njëjta zemër gjendet për të zbuluar hapësirat e jashtëzakonshme të të gjallit, për të cilin është e vështirë – madje edhe për një gjeni të padëgjuar si Mikelanxhelo – të japë formë, gjuhë dhe substancë njerëzore. / Konica.al / KultPlus.com
Filarmonia Klasike e Bonn-it në Gjermani ka zgjedhur violinisten e famshme me origjinë shqiptare, Ervis Gega-Dodi si Drejtuese të Përgjithshme të saj. Bordi drejtues i Filarmonisë votoi unanimisht. Lajmi u publikua zyrtarisht dhe në mediat gjermane.
Violinistja Gega-Dodi zgjidhet në këtë mënyrë pasardhëse në post e dirigjentit të njohur gjerman, Heribert Beissel, i cili e themeloi Filarmoninë Klasike të Bonn-it dhe e drejtoi atë vetë, mbi 50 vjet me radhë, transmeton KultPlus.
Ishte porosia e fundit e dirigjentit Beissel, para së të ndërronte jetë pak javë më parë, që Gega-Dodi të marrë përsipër drejtimin e Filarmonisë Klasike të Bonit. “Sepse ajo ka aftësitë muzikore dhe përvojën…Përveç kësaj, emri i saj është shumë i njohur në qarqet artistike, me të cilat ajo është e lidhur shumë mirë ”, shkruhej ndër të tjera në amanetin e prof. Beissel, transmeton tutje KultPlus.
Filarmonia Klasike e Bonit performon në sallat më të famshme muzikore të Gjermanisë, midis të tjerash me shumë sukses me serinë e repertorit të Klasikës Vjeneze (Wiener Klassik).
“Ne do ta vazhdojmë serinë e Klasikës Vjeneze. Dhe do ta përdorim skenën për artistë me famë ndërkombëtare, si dhe si trampolinë për dirigjentë të rinj, të talentuar”, u shpreh Ervis Gega-Dodi pas marrjes së drejtimit të Filarmonisë Klasike të Bonn-it. / KultPlus.com
Interpretimi i Orkestrës Harkore të Fakultetit të Arteve, Orkestrës Simfonike të Filharmonisë së Kosovës dhe debutimi i kitaristës Tringa Sadiku, mbrëmë përmes veprave të larmishme të kompozitorëve botërorë erdhi me inkuadrimin e melodive që flakëruan skenën si një ndezje qiriri që ngjasonte me perëndimin e diellit, tingujve që i dhanë frymë të pranishmëve me energjinë e pakrahasueshme dhe harmoninë e krijuar përmes përkëdheljeve të instrumenteve, nën qiellin e hapur, mbizotëruan atmosferën me një përkulje ekstravagante të kaplimit shpirtëror dhe lojën mjeshtërore e marrëzore të performuesve, shkruan KultPlus.
Ky koncert portretizoi një literaturë muzikore që fillimisht mbrëmë Orkestra Harkore e Fakultetit të Arteve shënoi nisjen e këtij koncerti fantastik me veprën e kompozitorit botëror Bela Bartok, ‘Valle Folklorike Rumune’, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, për të vazhduar me interpretimin e Orkestrës Simfonike të Filharmonisë së Kosovës, duke filluar nga veprat e kompozitorëve romantik si: Johannes Brams, Antonio Vivaldi dhe Robert Schumann, nën dirigjimin e bullgarit Svilen Simeonov, ku krahas tyre në rolin e solistes ka debutuar kitaristja Tringa Sadiku, duke sjell kështu vepra premierë të cilat ndezën atmosferën si një raketë ndriçuese që digjej nën ajrin e qytetit të Prishtinës.
Sheshi ‘Zahir Pajaziti’, mbrëmë kishte një pamje krejtësisht ndryshe ku në fundin e Amfiteatrit ishte vendosur skena gjigande e cila ishte mbështjellë tërësisht në të zezë, ndërsa përballë saj në një kontrast ngjyrash, qëndronin karriget e bardha që rëndom përshtateshin me gjelbërimin e veçantë të pemëve prapa tyre, e që mbrëmë u mbushën komplet duke kaluar edhe numrin e paramenduar.
Në skenë, të veshur me të zeza e me një qëndrim preciz filluan të dilnin instrumentistët e Orkestrës Harkore të Fakultetit të Arteve ku së bashku me instrumentet e tyre diversive me ngjyrë kafe e të kuqe të errët, filloi interpretimi i tyre dhe pasuan meloditë e qeta e të buta që lëviznin nëpër shkallë të ndryshme të harmonive, me ç’rast krijuan një ndjesi pothuajse të frikshme për arsye se ofruan tinguj të një natyre vetjake ku së bashku me dirigjentin dhe krahët e tij që ngjasonin me krahët e zogjve që po interpretonin një fluturim në qiell dhe manovrimi i instrumenteve harkore që dukeshin si trupa të dytë në skenë krahas studentëve, ata shënuan nisjen e koncertit me një frymë që përthithi atmosferën në një puthje muzikore unike.
Flladi i butë si një dhuratë që shoqëronte të nxehtin e atmosferës, reflektorët e bardhë që binin horizontalisht para shikimit të publikut dhe reflektorët me ngjyrë portokalli që po vinin në pah lojën mjeshtërore e serioze të instrumentistëve, kishin kapluar ambientin në një përqafim të kënaqshëm. Po ashtu, mbrëmë një shkrirje absolute e seriozitetit, energjisë dhe saktësisë në një ndjesi të vetme, Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës, pushtoi skenën me një madhështi dhe precizitet që solli një heshtje të melodive të kthjellura e të këndshme për tu dëgjuar e përhumbur tërësisht në brendësinë e papërsëritshme të tingujve.
Ndërsa, dirigjenti Svilen Simeonov ishte ai që solli çmendurinë e lëvizjeve të kokës dhe trupore të tij para publikut kosovar që me një adhurim në sy po e vështronin lojën e tij dhe së bashku me fletat e repertorit muzikor që nuk po rrinin dot në një vend për shkak të erës, dëshmoi se mprehtësia e tingujve therr vrazhdë zemrën e njeriut të pranishëm, meloditë hyjnore thumbojnë shpirtin e të pranishmëve dhe talenti i tij gëlltit tërësisht ajrin në qytetin e Prishtinës në një guaskë simfonike.
Të gjitha elementet e veçanta të skenografisë tani nuk kishin më asnjë efekt për shkak se ishte radha e debutimit të kitaristes Tringa Sadiku, e cila në rolin e solistes solli një interpretim premierë të kompozitorit Antonio Vivaldi, duke prezantuar talentin e saj që lehtësisht rrjedhte në skenë e që vezullonte me një shkëlqim engjëllor që dhuroi iluzionin se i vetmi yll prezent në qiell që vërehej ishte ai që po pasqyronte kitaristen në skenë, një yll që dhuroi një shpërthim melodish me një përmbajtje tejet të ëmbël e jashtëzakonisht të freskët.
Ky koncerti i parë i Filharmonisë që erdhi pas dy vjetësh në ambient të hapur, u përmbyll me veprën e famshme të kompozitorit Wolfgang Mozart, të titulluar ‘’Rondo Alla Turca’’, një vepër kjo që u interpretua në bashkëpunim me publikun i cili me duartrokitjet, brohoritjet dhe fishkëllimat e tyre, iu bashkëngjitën interpretimit qysh nga sekondat e parë e deri në çastin e fundit, duke krijuar një situatë që përthekoi vetminë totale të gjuhës simfonike duke lënë gjurmë perandorake në kujtesën e të pranishmëve.
Ndërsa, për të treguar rreth pjesëmarrjes së Orkestrës Harkore të Fakultetit të Arteve dhe dirigjimin e veprave të performuara, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani.
“Jemi ftuar nga menaxhmenti i Filharmonisë për të ardhur mysafirë në këtë koncert edhe pse kjo në fakt ka qenë vetëm një pjesë e shkurtër nga koncerti jonë paraprak, sepse këtu ishte vetëm Orkestra harkore e Fakultetit të Arteve. Procesi i provave ka qenë i pazakontë sepse vetëm tri javë para koncertit kemi filluar me prova fizike e që në kushte normale do të duhej dy herë prova në javë gjatë gjithë vitit universitar”, thotë Ramadani.
Sipas tij, shtatë pikat e performuara të valleve rumune folklorike të Bartokut ishin mjaft dinamike e dallonin shumë me njëra-tjetrën duke dëshmuar talentin e tyre për një ardhmëri të ndritur. Andaj, koncerti për të ishte tejet i mirë e Filharmonia e Kosovës tingëlloi mjaft bukur sonte sidomos pas një kohe shumë të gjatë të performancave në ambient të mbyllur.
“Ne e shijuam këtë skenë gjigande me ndriçim dhe me zërim kurse natyrisht ka kaluar kohë e gjatë kur kemi pasur një numër të madh të publikut si kjo natë dhe më në fund po i kthehemi normalitetit”, ka thënë Ramadani.
Kurse, për të treguar përshtypjet e tij të performimit në Prishtinë, për KultPlus foli dirigjenti Svilen Simeonov.
“Unë po ndjehem shumë i lumtur që më në fund kemi gjetur një mënyrë për të krijuar një proces të provave të jashtëzakonshme sepse veprat që i performuam janë shumë të vështira për shkak të dinamikës dhe energjisë së tyre. Po ashtu, ishte shumë nxehtë, gjatë gjithë kohës por reagimi i publiku më bëri mjaft të lumtur”, thotë Simeonov.
Sipas tij, i gjithë programi ka ardhur për herë të parë në Prishtinë me vetëm një javë prova për një publik që nuk ka pasur rastin ti dëgjoj më parë këto vepra specifike.
Gjithashtu, kitaristja Tringa Sadiku e cila mbrëmë debutoi në rolin e solistes, për KultPlus foli rreth përshtypjeve të saj për koncertin.
“Koncerti ka qenë një ndjenjë përtej asaj që e përjetojmë në përditësi. Puna me Filharmoninë dhe dirigjentin bullgar kanë qenë të mrekullueshme dhe ndihem shumë me fat që kisha mundësinë të jem pjesë e këtij eventi madhështor”, ka thënë Sadiku.
Po ashtu, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari është shprehur mjaft i lumtur që më në fund i janë kthyer normalitetit duke e cilësuar koncertin si koncerti i parë postpandemik.
“Përshtypja është e veçantë sepse ky koncert ka ndodhur ende në një fazë të pasigurtë të lirimit të masave ku kemi shfrytëzuar rastin e parë të mundshëm, gati ta quajmë edhe koncerti i parë postpandemik, por pjesëmarrja e madhe e qytetarëve dhe reagimi i tyre na ka bërë të ndihemi mirë”, thotë Jashari.
Sipas tij, koncerti ka qenë një impakt shumë domethënës në relacion me një muzikë jo të masave por një muzikë e zgjedhur klasike që në botë ka një publik të limituar në krahasim me zhanret e tjera të muzikës.
“Ishte një rikthim, një moment ku e ndjeva në publik një harresë të pandemisë sikur të gjithë dëshironin ti iknin asaj, duke iu rikthyer ndjenjave të tyre në botën reale me duartrokitje e brohoritje dhe jo ajo botë e izolimit që na përcolli për më shumë se një vit”, përfundon Jashari për KultPlus.
Filharmonia e Kosovës e solli këtë koncert përmbyllës të sezonit 2020/2021 në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com