Shitja e shtëpive për një çmim simbolik po bëhet modë në disa zona të Italisë. Qëllimi i autoriteteve lokale është rijetësimi i komuniteteve dhe ruajtja e banesave të vjetra.
Interesant është fakti që për 1 euro kanë dalë në shitje edhe shtëpi në zona bregdetare, si në Sardenjë, Pulja apo Kalabri.
Autoritetet po kontaktojnë me pronarët e shtëpive të braktisura në bregdet dhe po u kërkojnë atyre që t’i restaurojnë ato. Nëse nuk pranojnë, këto banesa do të ofrohen për 1 euro te blerësit që do të pranojnë të investojnë në to për rehabilitim dhe t’i mirëmbajnë minimalisht për një periudhë 3-vjeçare.
Iniciativa të ngjashme po ndërmerren edhe në vende të tjera si Kroaci dhe Spanjë. / KultPlus.com
Programin kryesor garues i PriFest, kategoria e filmave Ballkanik të metrazhit të gjatë, e quajtur në të kaluarën edhe ‘Filmat e Mjaltës dhe Gjakut’, përbëhet nga 7 filma nga 5 shtete.
Njëri nga ta do ta ketë Premierën Ndërkombëtare, 2 filma do të kenë Premierën Regjionale dhe të gjithë filmat do të jenë Premierë në Kosovë në edicionin e 13 të PriFest-it.
Në mes 7 filmave, do të jetë edhe filmi i paralajmëruar ca ditë më parë, filmi që hap festivalin – fituesi i trefishtë i Sundance IFF – ZGJOI nga Blerta Basholli.
Poashtu, filmi që para pak kohe pati premierën në Cannes – seksionin Director’s Fortnight, LUANESHAT E KODRËS, filmi debutant i Luana Bajramit.
Në listë është edhe PAS DIMRIT nga Ivan Bakrac, që do të ketë Premierën Ndërkombëtare në PriFest, pas Premierës Botërore në Karlovy Varu IFF. Filmi i regjisorit Bakrac ishte pjesmarrës në PriFORUM, platformën e industrisë filmike të PriFest, në vitin 2016.
DRURI I HESHTUR nga Faysal Soysal, film nga Turqia që poashtu ishte pjesmarrës dhe fitues në garën Best Pitch në PriFORUM 2019.
Filmi boshnjak HËNA E PLOTË, film debutues nga Nermin Hamzagic vjen pas premierës së suksesshme në Cottbus Film Festival në Gjermani.
Një tjetër film i Kosovës në listën e filmave garues, film ky që kishte një rrugëtim të sukesshëm ndërkombëtar që filloi në festivalin San Sebastian 2019, është ANDROMEDA GALAXY nga More Raca.
Dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në garë, filmi BOLERO NË SHTËPINË E PLEQVE nga regjisori me përvojë Spartak Pecani, do të ketë Premirën Regjionale në PriFest.
“Jemi shumë të lumtur për programin garues të këtij edicioni. Është një moment unik për festivalin tonë, sepse do të kemi 3 filma kosovarë në programin kryesor garues. Natyrisht, ata janë aty jo sepse janë të Kosovës, por sepse janë kualitativ. Jam poashtu i lumtur që do të kemi shumë regjisorë e regjisore të reja në garë. Nga 7 filmat garues, 5 janë regjisorë debutantë. Dhe mbi gjitha, jemi të lumtur që janë 3 regjisore femra në garë” tha Fatos Berisha, drejtor artistik dhe personi përgjegjës për programet e festivalit.
Lista e plotë e Programit Garues të filmave Ballkanik:
1. LUANESHAT E KODRËS (THE HILL WHERE LIONESSES ROAR) nga Luana Bajrami, Kosovë/Francë, 83m. Premierë. Diku në Kosovë, në një fshat të vogël, tri vajza të reja shohin se ëndrrat dhe ambicjet e tyre ngulfaten. Asgjë s’mund t’i ndal në kërkimin e tyre për pavarësi: është koha që t’i lëmë luaneshat të ulërijnë.
2. HËNA E PLOTË (FULL MOON) nga Nermin Hamzagic, Bosnja dhe Hercegovina, 85 min. Premierë.
Nata me hënë të plotë. Hamza, inspektor i policisë, dërgon gruan e tij në spital për të lindur. Ujërat e saja shpërthyen dhe doktori urdhëron lindje të menjëhershme. Hamza është i brengosur sepse duhet ta lë – nuk kishte mundësi të merr pushim. Në stacionin e policisë duket se tregimet popullore mbi hënën e plotë bëhen të vërteta. Në korridor, Hamza takon Tarikun, një person mes lajmëtarit të kijametit dhe engjullit mbrojtës, që do ta vë në sfidë. Një nga një, hijet mbërrijnë në stacionin policor.
3. DRURI I HESHTUR (SILENCED TREE) nga Faysal Soysal, Turqi/Iran, 118 min. Premierë Regjionale. Hayati është shkrimtar, i pafat në karrierë dhe në martesë, mban peng veten nga e kaluara. Në ndërkohë, casja e tij pasive e pikturon si njeri të dobët që nuk di të veprojë sipas pritjeve të shoqërisë, lidhur me pabesinë e gruas.
4. PAS DIMRIT (AFTER THE WINTER) nga Ivan Bakrac, Mali i Zi, 101 min. Premierë Ndërkombëtare. Pesë shokë të vjetër nga Mali i Zi ende mbajnë të gjallë miqësinë, përkundër që janë të shpërndarë nëpër ish-Jugosllavinë.Gjatë vitit dhe pas një mori ngjarjesh kërcënuese, ata janë të detyruar të transformojnë rininë e tyre te lumtur në pjekuri. Kur dimri të mbarojë, cdo njëri nga ta do të duhet të fillojë një botë të re.
5. BOLERO NË SHTËPINË E PLEQVE nga Spartak Pecani, Shqipëri/Kosovë, 108 min. Premierë Regjionale. Irena, një motër medicinale, jeton në një qytezë. Marrëdhëniet e saja intime me shoqën e saj Ana e detyrojnë të largohet në panik drejt Tiranës ku punon si kujdestare tek një cift i moshuar. E vetmuar dhe pa ndihmë të askujt, Irena gjen ngrohtësinë në vilën e pleqve. Tingujt e Boleros dhe Irena janë dëshmitarë të shkëmbimit të letrave mes pleqve. Ndeshja mes dy botëve – botës së ciftit të moshuar në dashuri me njëri tjetrin deri në fund, dhe botës së fëmijëve të tyre që nuk dijnë se c’duan, e bëjnë Irenën të kuptojë vlerën e dashurisë.
6. ANDROMEDA GALAXY nga More Raca, Kosovë/Spanjë/Itali/Maqedoni e Veriut, 80 min. Premierë. Lidhja mes babait dhe vajzës eksplorohet. Ai është vejan 52 vjec, mekanik i papunë që jep me qera makinën për mbijetesë. Ajo ka qenë në jetimore. A mund të gjejnë një jetë më të mirë së bashku?
7. ZGJOI nga Blerta Basholli, Kosovë/Zvicërr/Shqipëri/Maqedoni e Veriut, 84 min. Premierë. Burri i Fahrijes është i zhdukur që nga lufta e Kosovës, dhe bashkë me dhimbjen, familja e tij ka edhe probleme financiare. Për të mundësuar mbijetesën për familjen, ajo nis një biznes të vogël bujqësor, por në traditën patriarkale fshatare ku ajo jeton, ambicja e saj dhe tentimet për të fuqizuar veten dhe gratë tjera nuk shihet si gjë pozitive. Ajo lufton jo vetëm për të mbajtur familjen, por edhe kundër komunitetit armiqësor që pret që ajo të dështon.
Edicioni i 13-të i PriFest mbahet nga 24-29 Gusht 2021 në Prishtinë. / KultPlus.com
Mbrëmë në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës u hap ekspozita personale e artistit Milot Gusia. Qëllimi ishte t’i kthehemi trashëgimisë sonë kulturore, më sakt të heqim pluhurin e harresës dhe të merremi më shumë me figurat ilire.
Ilir Muharremi, kritik i artit
Hëna shumë shpejt po ja zë vendin diellit. Vapa përvëluese në këtë mbrëmje korriku shpeshton djersët në trup dhe rritë monotoninë ndaj ndonjë aktiviteti. Mirëpo, shpesh veçantia bëhet edhe më përvëluese, më tërheqëse, më gazmore, më estetike, kur bëhet fluturimi në kohë përmes mendimit të kthimit, ose vullnetit për një inspirim drejt thesarit arkeologjik antik, drejt parajsës së trashëgimisë sonë kulturore pra te anijet e Ilirëve. Bëhet fjalë për një performancë artistike të organizuar nga artisti Milot Gusia i cili hapi ekspozitë personale me titull “Unë jam Ilir” brenda Lapidariumit të Muzeut Kombëtar të Kosovës në Prishtinë. Aty u ekspozua edhe një video art me këtë tem.
Agroni, Artemisa, Glauku lotojnë
Teksa zbresë shkallëve të Lapidariumit, sytë e tyre më vështrojnë me habi, zëri i tyre i trashë që del nga shtresat e thella të shpirtit sikur kërkon më shumë vëmendje nga të gjithë ne. Ata janë të harruar në këtë mbrëmje të qetë, ata ndjejnë ftohtësi në shpirt, ata janë stërgjyshërit tonë nga të cilët i marrim vetëm emrat, e nuk vuajmë për eshtrat dhe tulin e tyre. Fytyra e Artemisës, Dionisit, Apollonit, Gentit, Glaukut, Agronit, Kleitianit…, mezi marrin frymë, sepse ne jemi vetem një vorbull njerëzish mosmirënjohës për këto statuja. Bebzat e syve të tyre kullojnë gjak, është ky gjak i harresës dhe vuajtja gjithmonë ja zë vendin gëzimit, këto bebëza ishin shkrirë në një zbrazëtirë të bardhë, të llahtarshme. E shikoj Artemisën se si e zunë drithmat. Ajo ndjen vetëm lodhje, trullojse të pakuptimtë sikur tenton të ulërijë si një ujk nën dritën e zbehtë të hënës “ dallga e turbullt e lodhjes mosmirënjohëse po na merr secilin me vete, poshtë greminës dhe Hadit”. Vërtetë kemi humbur në gjumë sikur ariu dimëror.
Këto skulptura, portrete, ilire dhe greke të punuar nga mjeshtër Ilir, te gjetura në Kosovë dhe Shqipëri, sikur përshpërijnë nëpër dhëmbë “Ne ende jemi të gjallë edhe pse po dergjemi në pluhurin e harresës?”, të gjallë vetëm nëse na nevojiteni si armë dhe shigjetë triumfuese e lashtësisë dhe ngacmimit historik, kurse pas rahatisë nëpër kolltuqe prej lëkure dhe sigurimit të fortë ekonomik, jeni vetëm bimë të heshtura dhe fantazma formale. Kështu po trajtohen figurat Ilire.
Zbritja e mbretit Agron në tokë
Perëndia Agronin e përcolli deri te dera. Vet Zoti ishte i shqetësuar nga shprehja e fytyrës së tij të hutuar dhe të trembur. Pasi Zoti dhe Agroni ju afruan derës, Agroni belbëzoi sepse ai e dinte se skulpturën e tij nuk do ta gjente në asnjë shesh në Kosovë. E hapi derën, zbriti nga bota e përtejme drejt Kosovës dhe u mishërua u bë njeri. Pas disa ore pasi kishte vizituar të gjitha qytete e Kosovës, edhe rrugicat më të ngushta, duke mos lënë anash edhe periferit
malore. U ul në një reataurant në Prishtinë dhe sapo kishte mbaruar së ngrëni drekë, përballë një grua në moshë të shtyer e veshur thjeshtë po e vëzhgonte. Mirëpo mbreti Agron po vështronte gjthëandej njerzit, pak e kush e shikonte, disa vetëm zbrazët ngulin shikimin monoton. Agroni u ngritë nga karriga, ju afrua asaj. “Më dukeni si i njofshem”, pëshpëriti gruaja. Mbreti donte ta gëlltiste veten përbrenda nga inati që e kishte kapluar. “Ju kam parë dikund por nuk më kujtohet”, vazhdonte gruaja. Frymëmarja e tij shpeshtohej dhe nuk foli asgjë. Gruaja u skuq në fytyrë dhe u hutua, mirëpo asaj i vinte rëndë. Agroni e mposhti në çast tronditjen dhe përpiqej të fliste, fytyra edhe atij i bëhej flakë e kuqe dhe trazonte me dorë kopsat e këmishës. Më në fund filloi të fliste dhe në çdo fjalë i merrej goja dhe hutohej edhe më tepër: “Jam mbreti Agron i mbretërisë Ilire, djali i Pleuratit II që kam shtrirë sundimin mbi shumë fise, popuj dhe qytete në rajonin e Adriatikut.” Tash më kujtoheni, ju përgjigj gruaja, e cila vetëm kishte dëgjuar në libra për të, kurse fytyrën as që ja mbante në mend. “Po të ishit ndonjëri ose ndonjëra nga këto këngëtaret e estradës sonë tallava, të gjithë do ju shikonin dhe do kërkonin të fotografoheshit me ta”, ja ktheu ajo e skuqur. Agroni, u ndje i zemëruar, doli nga restauranti, pasi pagoi drekën, u kthye prapë në mbretërne e tij të përtejme.
Dizajne moderne me kontraste
Artisti Gusia, përmes 24 kompozicioneve që përfshijnë trajtimin në sferën e dizajnit ka ringjallur figurat e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe të Shqipërisë. Ka përdorur sfond të zi që i jep një sensibilitet akoma më të theksuar. Figurat janë stoike, të përmbushura me një energji dhe lëvizje të brendshme që i bëjnë ballë rrebesheve të ndryshme kohore historike. Në të gjitha kompozicionet shkallëzon një eksplodim, një shpërthim vullkanik duke liruar tërë atë energji dhe shpërndarë forma-grimca në tërë sfondin dhe planin e parë të figurave. Ngjyrat janë të dizajnuara me begati, sidomos ngjyra rozë e përsëritur në të gjitha kompozcionet, poashtu edhe e kaltra, shkallëzohen dhe qëndrojnë përballë kontrastit estetik të prapavijës, dhe figurës. Poashtu , autori përdor edhe dizajne abtraskte me forma gjeometrike me një organizim struktural të kompozimit. Format marrin trajtesë poetiko-figurative dhe shtjellohen mbi gjuhën universale të artit dhe objektit. Duken si poster të mëdha.
E kur Zoti kërkoi prapë nga mbreti Agron që ta vizitoj Kosovën, Agroni ju përgjigj. “Unë kamë mallë të madh për popullin tim dhe nuk kërkoi shumë nga ta, vetëm të ma ngritin bile një shtatotre modeste në ndonjë qytet në Kosovë…”
Mos i harroni stërgjyshërit tonë, ata vdiqën për ne… / KultPlus.com
Peshkimi, arkeologjia, turizmi dhe natyra do të jenë pjesë e edicionit të tetë të “Mercati della terra e del mare” (Tregjet e Tokës dhe Detit), në Pulia ku flitet për brigjet e adriatikut mes Pulias dhe Shqipërisë.
Ky edicion përfshin tregje, gatim, workshope, konferenca e forume si dhe udhëtime. Aktiviteti do të mbahet për tri ditë, 9-11 gusht 2021.
Në këtë event përfshihet edhe arkeologjia, ku do të diskutohet mbi vendet me ujë të ëmbël që për mijëvjeçarë kanë qenë vendi ideal për jetën njerëzore. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare më famë botërore, Dua Lipa, është duke shijuar pushimet në bregdetin shqiptar së bashku me familje, përcjellë KultPlus.
Dua është mjaftë aktive në rrjete sociale, ku vazhdimisht publikon fotografi e video nga jeta e saj e përditshme. Së fundmi, ajo ka treguar se në Shqipëri po qëndron në hotelin ‘Kep Merli’.
Ajo në InstaStory ka publikuar disa fotografi me mbishkrimin: “Vendi më i ëndërruar në botë, kalova çdo ditë këtu në bregdetin e Shqipërisë dhe unë kurrë nuk dua të largohem”. / KultPlus.com
Sot shënohet një ngjarje e rëndësishme për historinë e shtypit arbëresh, pikërisht dalja në dritë e revistës “Mondo Albanese”.
Numri i parë i kësaj reviste u botua 46 vjet më parë, pikërisht me 1 gusht të vitit 1975.
Giuseppe Schirò di Maggio njihet si bashkëthemeluesi i revistës “Mondo Albanese”, revistë që e drejtoi në vitet 1975–1989.
Kjo revistë, e shkruar në arbërisht, ka luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm për ruajtjen e këtij dialekti historik të shqipes, por edhe për promovimin dhe propagandimin e kësaj gjuhe si të domosdoshme për t’u përfshirë në programet shkollore të trevave arbëreshe në Itali. / KultPlus.com
Në një ceremoni të organizuar nga Presidenca e Kosovës që sapo ka përfunduar, është ndarë Medalja Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Beau Biden, të birin e Presidentit amerikan Joe Biden për kontributin e tij në këtë fushë gjatë shërbimit të tij në Kosovë, transmeton KultPlus.
Sot ambasadori amerikan në Kosovë ka pranuar medaljen në një ceremoni të organizuar nga Presidenca e Kosovës.
Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti janë drejtuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip S. Kosnett.
“Unë besoj se nuk ka asnjë arsye më fisnike sesa të shërbesh dhe nuk ka asnjë si Biden që e bëri më mirë se ai. Prandaj jam e nderuar dhe e kënaqur që njoh zyrtarisht kontributin e tij. Ajo që filloi Boe Biden sot formon një shtyllë kryesore të institucioneve më të rëndësishme të Kosovës. Është kaq unike, lidhja dhe dashuria e vërtetë që vendet tona kanë për njërën dhe tjetrën. Kosova është shtëpia juaj gjithashtu; ne gjithmonë do t’ju shohim si një nga tonat. Kjo është mënyra jonë për të treguar mirënjohje për çdo veprim të vetëm të Boe sepse puna e Boe ende vazhdon të frymëzojë babanë e tij sot. Kosova është një vend i vogël por ka një zemër të madhe, prandaj ashtu si Kosova mban një vend të veçantë për familjen e Presidentit Biden, e njëjta gjë vlen edhe për ta. Kur Kosova u përball me sfidën më të madhe, SHBA vazhdoi të tregonte dashuri të thellë ndaj njerëzve tanë. Unë besoj se masa e vërtetë e një personi të mirë është ndikimi që ata lënë pas kur vdesin. Boe është qiri përvëlues që i ka dhënë dritë popullit tonë. Ne do ta bëjmë Kosovën vendin që meriton populli ynë. I përjetshëm qoftë kujtimi për Boe Biden”, ka thënë Osmani në fjalimin e saj.
Ndërsa, fjalimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden:
“Ne tani duam të themi se kjo është e pabesueshme, dhe unë dua ta falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh, është një nder i madh ta vlerësosh trashëgiminë e djalit tonë Beau dhe babait të tij. Punën në Kosovë, Beau e kishte të përziera, ai u dashurua me vendin. Unë angazhohem për ju, dhe njeriu i Bashkuar do të mbetet në partneri i palëkundur i Kosovës në këtë kërkesë. Kështu, së bashku, ne mund të krijojmë demokracitë, demokracitë që janë në një gjendje të ofrojnë nevojë për një nevojë të vërtetë. Isha vërtet i lumtur që mund të ndaj vaksinave të sigurta dhe efektive, vaksinën Pfizer, për popullin e Kosovës, për të pandeminë pandeminë COVID-19, dhe pres që vaksina të dorëzohet nga COVAX, organizoi këtë aktivitet; dozat do të përfshijnë brenda pak javësh. Pres që të vazhdojnë dhe të thellojnë miqësinë dhe partneritetin tonë në shfaqje, midis dy kombeve tona, si president i Shteteve të Bashkuara. Kjo për ne ka më shumë rëndësi se mund ta imagjinoni. Kombi i Kosovës nuk është në zemër dhe në të gjithë familjen Biden. Siç do të thoshte nëna ime, Zoti ju nderoftë, Zoti ju nderoftë!”, ka thënë Biden.
Po ashtu, fjalimi i Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip S. Kosnett:
“Është vërtet një nder të jesh në këtë mbrëmje dhe të pres këtë çmim në vendin e Presidentit, Joe Biden. Boe Biden përfaqësoi mënyrat më të mira të Amerikës të cilat janë ofruar. Amerikanët respektojnë dhe vlerësojnë rrugëtimin e Kosovës sepse ne jemi në të njëjtën rrugë. Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm, më të vetë-mjaftueshëm për vendin e tyre në botë. Amerikanët janë krenarë për rolin që kemi luajtur për të mbështetur këtë vend. Unë jam gjithashtu i bindur se miqësia dhe besimi do të vazhdojnë të forcohen në shumë aspekte. Mënyra më e mirë për të nderuar trashëgiminë e Boe Biden, është që Kosova të vazhdoj përpjekjet për të krijuar një bashkim më të përsosur dhe Amerika do të jetë pranë jush në çdo hap të rrugës”, ka thënë Kosnett. / KultPlus.com
Qyteza e Ulzës vetëm 1 orë e 10 minuta larg Tiranës, është një nga destinacionet më interesante për të kaluar fundjavën, mes qetësisë dhe bukurive që kjo qytezë ofron.
Tashmë atë e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj nga Italia, Franca, Gjermania, Çekia e Polonia.
E pozicionuar midis bashkive Mat dhe Mirditë, Parku Rajonal i liqenit të Ulzës ka një sipërfaqe prej 4,206 hektarësh dhe shtrihet nëpër të gjithë kurorën e liqenit të Ulëzës dhe Shkopetit, në një lartësi 400 m mbi nivelin e detit.
Kjo është zona turistike më e afërt për banorët e këtyre bashkive, të cilët e frekuentojnë edhe për plazh gjatë verës. Pas shpalljes Park Natyror Rajonal rreth pesë vite më parë, tashmë Ulzën e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj.
Në këtë qytezë, turistët vendas dhe të huaj shijojnë bukuritë natyrore si dhe pyjet e shumta duke bërë hiking dhe eksploruar shtigjet. Gjithashtu turistët e aventurës mund të shijojnë lundrimin me kanoe në liqen. Për të apasionuarit pas turizmit të kulturës mund të vizitojnë kullat e vjetra plot histori nga e kaluara dhe kishat.
Mikpritja dhe kulinaria e shumëllojshme nuk mungojnë në këtë qytezë ku vizitorët shijojnë ushqimi tradicional me bazë peshku dhe prodhimet bujqësore të zonës.
Ulëza ka shumë për t’i ofruar turistëve përgjatë gjithë vitit. / KultPlus.com
Zhvillimet e organeve të shtypit shqiptar në Rumani u zhvilluan duke kaluar në disa faza, sipas viteve përkatëse, kur u botuan. Faza e parë përfshin vitet 1887-1912, që i përket periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare.
Kjo fazë përfshin edhe gazetën “Atdheu” (1912-1914). Faza e dytë (1901-1912) përfshin periudhën, kur në kolonitë e tjera shqiptare, në Egjipt, Bullgari, Turqi, po ashtu edh enë ngulimet përtej oqeanit, gazetaria shqiptare njeh hove, baticat janë të dukshme e të ndjeshme.
Në verën e vitit 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë, më 1 gusht të atij viti filloi të botohej gazeta “Atdheu”, organ i shoqërisë “Bashkimi’, që asokohe kryesohej nga Jani Mihal Lehova, i cili ishte njëherësh edhe kryeredaktori i saj, ndërsa drejtor përgjegjës qe Aleksandru Naum Çërrava. Ishte e përdyjavshme politike, shoqërore, kulturore letrare, folklorike në gjuhën shqipe.
Zhvillimi i gazetës mund të ndahet në dy kohë: Koha e parë qe periudha kur gazeta pasqyroi ngjarjet që çuan në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më tej zhvillimet në Shqipëri nën qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit.
Programin e vet gazeta e shpaloste që në numrin e parë: “Do të punojë për të drejtat kombiare të Shqipërisë, pas Kostitucionit; do të predikojë bashkimin e shqiptarëve me ndjenjën kombtare; do përpiqet t’u shtjerë dhe ndërmend shqiptarëve të mërgimit, mos të harrojnë mëmëdhenë dhe të ndihin për përparim të kombit, ndër udhë politike, kulturore dhe ekonomike.”
Këtij orinetimi e përkohshmja iu përmbajt si në muajt e fundit të periudhës së Rilindjes (deri në shpalljen e Pavarësisë dolën 7 numra), ashtu edhe gjatë jetës në Pavarësi, sidomos deri në numrine 35-të të saj. Më tej, që nga numri 36, gazeta u transferua në Shqipëri dhe numri 37 doli në qarkullim në qytetin e Durrësit, por botimi bëhej në shtypshkronjën “Nikaj” të Shkodrës. Koha e dytë e të përkohshmes “Atdheu” nis me shpalljen e Pavarësisë deri në fundin e janarit 1914, kur në Shqipëri bëheshin përgatitjet për ardhjen e Vilhelm Vid në fronin e sovranit të Shqipërisë.
Gazeta “Atdheu” pasqyroi probelmet me të cilat u ndesh qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit. Në rrethnata e reja vëmendje e madhe iu kushtua bashkimkit politik të shqiptarëve.
Gazeta “Atdheu” qarkulloi për një periudhë 2-vjeçare deri më 23 janar 1914. / KultPlus.com
Nga Thethi, në edicionin e Pestë, ZA Fest, zbriti më poshtë duke i dhënë “ZA” Shkodrës, qytet i cili përherë ka qenë vendtakim i kulturave europiane. Për 3 netë me radhë, në Shirokë, Gjuhadol dhe në kalanë e Rozafatit u bënë bashke artistë shqiptarë të famshëm edhe ne skenat botërore.
Kalaja madhështore e Shkodrës ishte edhe me e bukur në natën finale të festivalit ku u bë mikpritëse e artit të vërtetë.
Jehona e Za Fest tashmë ka kaluar kufijtë e Shkodrës dhe Shqipërisë.
“Vij nga Australia. Jo nuk është hera e parë, e katërta. Është shumë bukur, atmosferë e këndshme, njerëz të mrekullueshëm, mbrëmje e veçantë. Do të jem këtu 2 muaj për të shijuar vendin tuaj, kam miq dhe më pëlqen ta vizitoj Shkodrën”, thotë për Top Channel një shikues.
Za Fest” nisi si një sensibilizim për ruajtjen e Alpeve të Veriut dhe promovon dialogun ndërkufitar, kulturën që bashkon njerëzit, mbrojtjen e natyrës, të drejtat e grave dhe fuqizimin e të rinjve.
Za Fest solli një numër të madh artistësh si Shpat Deda, Josif Gjipani, Ekland Hasa, Gjon`s Tears, Gentian Doda, Vlashent Sata, Gipsy Barcelona Balkan Orchestra etj.
“Zâ-Fest” bëri bashkë artistë shqiptarë në Diasporë dhe trojet shqiptare. Ndaj ky aktivitet realizohet edhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Diasporës. Drejtoresha Ekzekutive e AKD, Sonila Hysi dhe Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ishin prezent në hapjen e edicionit të pestë të “Zâ-Fest”, në mbështetje dhe promovimit të vlerave kulturore. / KultPlus.com
Ndre Mjeda, ishte njëri ndër poetët, veprimtarët dhe atdhetarët më të shquar të kohës. Ai krahas Fishtës, Gurakuqit, Nolit, Mosit, veproi në drejtim të zgjimit dhe kalitjes së ideve përparimtare, pavarësisht petkut të tij fetar. I pajisur me dije filozofike, gjuhësore, fetare, shoqërore, Mjeda me tërë qenien iu kishte përkushtuar arsimimit dhe përparimit të bashkëkombësve, të cilët në kohën e tij, të paarsimuar kombëtarisht, analfabetë e të nëpërkëmbur nga fuqitë e mëdha dhe nga Perandoria Osmane, po përpëliteshin mes Lindjes e Perëndimit.
I orientuar drejt vlerave demokratike dhe botës së qytetëruar, Ndre Mejda përfaqësonte intelektualin model të kohës, me një kulturë të shëndoshë kombëtare e shoqërore, me një modesti karakteristike të njerëzve të rangut të tij dhe me një botë të pasur krijuese, të cilën e vuri në shërbim të arsimimit dhe emancipimit të shqiptarëve pa dallin krahine, feje e bajraku. Veprimtaria poetike, gjuhësore, filozofike e fetare e Mjedjes është mjaft e thellë si nga përmbajtja ashtu edhe nga qasja që iu ka bërë problemeve të caktuara. Ai ka shkruar poezi antologjike, të cilat me të drejtë janë prezantuar në abetaret shqipe dhe në librat shkollorë. Janë të mirënjohura poemat e tij si: “Endrra e jetës”, Vaji i Bylbylit, Liria, Lissus, Scodra e të tjera.
Ndre Mjedja u lind në Shkodër nga i ati Jakë Zefi dhe ëma Luçije Thaçi. I ati ishte me origjinë nga Mirdita ndërsa e ëma nga Malësia e Pukës. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo de Martino (1830-1923). Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi.
Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci.
Në këto vite Ndre Mjedja filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar “Vaji i bylbylit”, botuar më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë L’Arpa di un italo-albanese (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike.
Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko Xhirolamo Vida (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje, dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888 Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij, Jeta e Shën Gjon Berhmansit, për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892 Përngjasim i Zojës së Bekueme përkthyer nga spanishtja. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, Historia e shejtë, dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591).
Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedjes Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjedja interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689).
Më 1893 poetin e gjejmë në Goricia buzë kufirit italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Thuhet se më 1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me sa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë konflikt dhe menjëherë u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit.
Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjedja, peshkop i Sapës që më 1896 e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me ndihmën e Prenk Doçit (1846-1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta.
Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet (alfabet ky i nji komisioni t’Ministrisë s’punëve të jashtme t’Austro-Hungarisë, me bazë alfabetin kroat) dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Me këtë alfabet Ndre Mjedja dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjedja. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, ku alfabeti i tij Agimi humbi para atij Bashkimi të Gjergj Fishtës. Më 1908 në Kongresin e Manastirit bashkë me At Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin si përfaqsues i Shkodrës dhe variantit të karaktereve latine, u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisia Letrare Shqipe.
Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël.
Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937.
Poema romantike e njohur Vaji i bylbylit u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martinin, N. Bytyçin etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia, Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike I tretuni, në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, vjersha Shtegtari, Malli për atdhe, Gjuha shqype, Bashkoniu !etj. Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si Liria (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.
Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar në këtë kohë traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjedja shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin reaksionar që sundonte vendin.
Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë. La edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi, etj. Romantik në thelb, Ndre Mjedja bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.
Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjedja është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).
Ndre Mjedja është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të parë romantik e djaloshar ai ka krijuar poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i bylbylit). Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare ai ka krijuar poemën e botës shqiptare (“Andrra e jetës”). Me kërkime në njohjen e rrënjëve kulturore e historike ai ka krijuar tufat e tingëllimeve (Lissus, Scodra). Me rebelimin e tij personal e rebelimin nacional ai ka krijuar poemën e revoltit dhe himnin e lirisë (Lirija).
Mjedja mbetet mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip dhe mjeshtri më i madh i tingëllimit në shqip deri më sot. / KultPlus.com
Gjatë muajit gusht Komuna San Paolo Albanese, në bashkpunim me Museo Della Cultura Arbëreshe organizojnë festën e gushtit “Estate Sanpaulese 2021” (Verja Shënpaljote).
Ditët e festës do të zgjasin deri në fund të muajit gusht. Ditët e para do të nisin me aktivitete sportive, për të vijuar më pas me programe artistike. / KultPlus.com
Kohët moderne kanë ndryshuar edhe stilin e jetesës, ku njerëzit kërkojnë të kërkojnë të përmirësojnë jetën e tyre edhe nëpërmjet shërbimeve të ndryshme mbi pasuritë imobiliare po ashtu edhe mbi veten e tyre, shkruan vanityfair.it.
Por, cilat janë 10 shërbimet më të kërkuara?
Nga rinovimi i shtëpisë deri tek instalimi i një pishine të brendshme, mund të zbuloni 10 ndërhyrjet dhe profesionistët më të kërkuar gjatë verës së vitit 2021:
1) Rinovimi i shtëpisë 2) Instalimi i ajrit të kondicionuar 3) Lyerja e shtëpisë 4) Psikologu 5) Trajneri personal 6) Kujdesi për kopshtin 7) Instalimi i rrjetave kundër mushkonjave 8) Instalime hidraulike 9) Instalime elektrike 10) Ndërtimi i pishinave nëntokësore. / KultPlus.com
Jeff Bezos nuk është më personi më i pasur në planet.
Aksionet e Amazonit ranë për 13.9 miliardë dolllarë për një ditë, kur kompania raportoi fitimet e tremujorit të dytë të vitit, andaj Bezos doli prapa francezit, Bernard Arnault.
Aksionet e kompanisë të mallrave luksoze LVMH, ku Bernard Arnauld është shef ekzekutiv, gjithashtu patën rënie prej 2.9 miliardë dollarë, megjithatë, ai e përfundoi javën me një vlerë neto të vlerësuar prej 192.9 miliardë dollarë, 500 milionë dollarë para Bezos.
Bezos kishte kaluar 50 ditët e fundit si personi më i pasur në botë, pavarësisht ekskursionit të tij të shkurtër ndër yjor më 20 korrik, raporton Forbes, transmeton KultPlus.
Pasi Arnault u pasurua më shumë se 100 miliardë dollarë gjatë vitit të parë të pandemisë, përfitmi i LVMH-së ka vazhduar për pjesën më të madhe të verës.
Arnault zotëron 47% të aksioneve në kompani, e cila ka një kapital tregu prej më shumë se 400 miliardë dollarë.
Filalet e saj përfshijnë Louis Vuitton, Moët & Chandon, Christian Dior dhe Tiffany & Co. / KultPlus.com
Frontmeni i grupit të famshëm “Nirvana”, Kurt Cobain i cili ishte vetëvrarë në moshën 27-vjeçare në vitin 1994, ishte rritur në një shtëpi modeste në Aberdeen të Washingtonit. Cobain kishte jetuar aty mes viteve 1968-1984.
Departamenti i Arkeologjisë dhe Ruajtjes Historike në Washington e ka shtuar shtëpinë e tij në regjistrin e trashëgimisë, transmeton KultPlus.
Pronari i shtëpisë, Lee Bacon e ka ristauruar shtëpinë duke e kthyer atë në kushtet e saj origjinale. Pritet që duke filluar nga viti i ardhshëm, shtëpia t’i hapë dyert për vizitorë.
Ai gjithashtu ka njoftuar planet për një Tribute Lounge dhe Gallery Cafe në qytet, ku tifozët e krijuesit të hitit “Come As You Are” do të gjejnë pjesë të ndryshme kujtimesh rreth tij.
Allyson Brooks, drejtor ekzekutiv në Departamentin e Arkeologjisë, ka thënë për Rolling Stone se kanë dashur t’ua bëjnë me dije të gjithëve se në atë shtëpi ka ndodhur diçka që më vonë u bë e madhe.
“Në këtë rast, është Kurt Cobain, i cili ka zhvilluar pasionet dhe aftësitë e tij muzikore në shtëpinë e tij në Aberdeen. Secili në Këshill e ka pranuar rëndësinë e shtëpisë”, ka thënë Brooks. / KultPlus.com
Krimet e nazizmit nuk harrohen nga drejtësia dhe këtë e tregon dhe ngjarja e fundit që ka ndodhur në Gjermani.
Një ish-gardian i kampit famëkeq të përqendrimit të “Sachsenhausen” pranë Berlinit, do të dalë përpara gjykatës ndonëse është 100 vjeç dhe se ngjarjet për të cilat ai do të gjykohet kanë ndodhur përpara 76 vitesh, transmeton KultPlus.
Gjyqi pritet të nisë në tetor dhe gjykata rajonale e Neuruppin do të shqyrtojë akuzat e ngritura ndaj 100-vjeçarit për pjesëmarrjen në vrasjen e më shumë se 3500 personave.
I pandehuri, për shkak të moshës, është i detyruar të qëndrojë përballë trupit gjykues 2 deri në 2 orë e gjysmë në ditë, deri në përfundimin e procesit.
Ish-roja, emri i të cilit nuk bëhet me dije, raportohet të ketë punuar në kampin e Sachsenhausen nga viti 1942 deri në 1945, ku më shumë se 200 mijë persona u mbajtën në burg dhe 20 mijë prej tyre u ekzekutuan. / KultPlus.com
Ekipi olimpik i xhudos së Kosovës është nisur nga Tokyo për në Kosovë.
Pas përfaqësimit dinjitoz në Lojërat Olimpike të Tokyos, ekipi i xhudos ateron në Kosovë nesër rreth orës 20:00 dhe me vete do të sjellë dy medalje të arta olimpike.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar edhe agjendën e ekipit të xhudos pas arritjes në Kosovë, të cilën KultPlus e sjell më poshtë
Të nderuar/a përfaqësues/e të mediave
Nesër (02 gusht 2021), ora 19:50, bëhet pritja e Kampionëve Olimpikë.
Ceremonia shtetërore e pritjes së Kampionëve Olimpikë është e ndarë në dy pjesë:
1. Pritja ceremoniale shtetërore në Aeroportin “Adem Jashari” në orën 19:50, me ç’ rast mbahet konferencë për media.
2. Ardhja e Kampionëve Olimpikë në sheshin “Zahir Pajaziti” në orën 21:00.
Agjenda:
Pritja ceremoniale në Aeroport
Itenerari i fluturimit
Aterimi në Aeroportin “Adem Jashari: – 02.08.2021 – 19:50, dalja në terminalin VIP
Vendi i shqiponjave, me pamje nga Adriatiku dhe Joni, është një destinacion i ri për turizmin veror. Arsyet? Ndodhet afër Italisë, është i pasur me bukuri natyrore dhe ka disa nga plazhet më të bukura në Ballkan, shkruan Francesca Masotti për gazetën më të njohur italiane ”Il corriere della sera”, transmeton KultPlus.
Vitet e fundit Shqipëria ka rilindur. Ajo është e re, dinamike, me qytete plot gjallëri, dete të kristalta dhe peizazhe të pacënuara.
Ja plazhet më të bukura për t’u vizituar e frekuentuar në Shqipëri:
Velipoja
Plazhi i Velipojës është një rrip i gjatë me rërë të artë me veti të forta shëruese, falë përqendrimit të lartë të jodit në ujërat e tij, jo shumë larg Shkodrës dhe liqenit me të njëjtin emër.
Në veri të plazhit ndodhet Rezervati Natyror i Velipojës, një mbretëri fazanësh, dhelprash, çakejsh dhe derrash të egër, në fund të të cilit është e dukshme pika ku derdhet lumi Buna në Adriatik.
Kepi i Rodonit
Kepi i Rodonit është një kep shkëmbor, që shtrihet në Adriatik rreth një orë larg kryeqytetit Tiranë.
Plazhet përgjatë kepit janë të rrethuar me pyje mesdhetare.
Këtu mund të vizitoni kishën e Shën Antonit dhe mbetjet e kalasë së ndërtuar në kohën e Gjergj Kastriotit, Skënderbeu, heroi kombëtar i Shqipërisë, në vitet 1400.
Narta
Në veri të Vlorës, qyteti i tretë më i madh në vend dhe porti i dytë pas Durrësit, Laguna e Nartës karakterizohet nga plazhe të gjera ranore me ujëra të cekëta, ideale për ata që udhëtojnë me fëmijë shumë të vegjël.
Në fund të lagunës, ndodhet manastiri ortodoks i Zvernecit, i ndërtuar midis shekujve XIII-XIV.
Karaburuni dhe Sazani
Ish-zona ushtarake me qasje të kufizuar deri para disa vitesh, gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit kanë hapur dyert për vizitorët dhe mund të arrihen vetëm më këmbë, makina 4×4 ose me anijet që nisen çdo ditë nga porti i Vlorës.
Karaburuni, në veçanti, është i famshëm për shpellat e tij, si ajo e Piratëve, për ujërat e tij të kristaltë dhe për limanet e izoluar me plazhe me guralecë të bardhë.
Palasa
I ndodhur nën qafën malore të Llogarasë, Palasa është plazhi i parë që hasni përgjatë rivierës së famshme shqiptare.
Pikërisht në këtë gji, në formë gjysmëhëne, zbarkoi Cezari me legjionarët e tij në shekullin II para Krishtit.
Guralecë të bardhë, një det për t’u patur zili dhe një peizazh shkëmbor i mbuluar me bimësi.
Dhërmiu
Guralecë të bardhë, gjire të fshehura, ullinj shekullorë, por edhe shumë klube plazhi dhe turistë në muajt e verës.
Dhërmiu, një plazh i bukur menjëherë pas Palasës, është një nga destinacionet më të famshme bregdetare në Shqipëri.
Gjithashtu, vlen të vizitohet fshati që i jep plazhit emrin e tij: shtëpi të ulëta, kisha të bardha me kupola blu dhe pamje të pakrahasueshme të gjirit më poshtë.
Drimadha
Drimadha është vazhdimi i plazhit të Dhërmiut, një gji i fshehur mes dy plazheve, njëri me rërë dhe guralecë të vegjël, tjetri me guralecë të bardhë, i ndarë nga një formacion shkëmbor.
Një mrekulli e natyrës, që mund të arrihet më këmbë përmes një shtegu të shkurtër, një nga plazhet më romantike në Shqipëri.
Gjipeja
Ata me këmbë të stërvitura mirë mund të vizitojnë Gjipen, një perlë e fshehur në fund të një kanioni, që zhytet në detin e bruztë. Një nga gjiret më të bukura në Ballkan.
Jala
Poshtë fshatit Vuno, një nga më karakteristikët e rivierës shqiptare, është Jala, një plazh i vogël i lagur nga ujëra të bruzta, i vendosur midis formacioneve shkëmbore.
Himara
Perla e Rivierës, qyteti i Himarës ka një det të mrekullueshëm, të pastër dhe blu.
Plazhi i Livadhit , rreth tre kilometra larg qendrës, wshtw njw nga mw tw frekuentuarit, për shkak të bukurisë së tij.
Nuk duhet humbur as gjiri i Filikurit.
Llamani
Midis Himarës dhe Porto Palermos, Llamani është një nga plazhet më pak të frekuentuar të Rivierës shqiptare, një gji me ujëra të kristalta, i rrethuar nga kodra që zhyten në det.
Porti i Palermos
Gadishulli i vogël i Porto Palermos është një nga destinacionet më evokuese në Shqipëri.
Borshi
Ai është plazhi më i gjatë në bregdetin e Jonit, ideal për ata që duan ta kalojnë ditën duke notuar ose duke shëtitur përgjatë bregut.
Plazhi magjepsës rrethohet nga natyra e harlisur, kryesisht nga pemë ulliri, që e mbushin ajrin me aroma të freskëta dhe verore.
Saranda
Qyteti më i famshëm bregdetar në Shqipëri, mbretëresha e padiskutueshme e jetës së natës dhe plazheve të bukura, si ai i Krorezit, Kakomesë ose Pulëbardhës.
Ksamili
Shumë e konsiderojnë atë plazhin më të bukur në Shqipëri.
Ai është një liman me rërë të artë dhe guralecë të imët të larë nga ujëra të kristalta.
Veçantia e këtij plazhi qëndron në faktin se në gjirin e tij ka tre ishuj idilikë, të mbuluar me bimësi të harlisur, të arritshme me not ose një udhëtim të shkurtër me varkë.
Pas tij, Parku Arkeologjik i Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO -s, një mikrokozmos mesdhetar me relike që variojnë nga epoka ilire deri në atë osmane. / KultPlus.com
Fotografi nga Ferizaji, Hazir Reka, i cili tashmë njihet për fotografitë e tij të realizuara gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, ka publikuar një fotografi të një kamioni me refugjatë shqiptarë, njëherit duke kërkuar edhe fëmiun protagonist në atë fotografi, përcjell KultPlus.
Fotografia është realizuar më 9 mars të vitit 1999 dhe shfaqë një kamion të ushtrisë jugosllave me ushtarë serb tek kalon pranë një kamioni të policisë serbe me refugjatë shqiptarë.
Në kamionin me refugjatë shqiptarë, vërehet një djalë, të cilin fotografi Reka përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se është i interesuar të bie në kontakt me të.
”Një kamion i ushtrisë jugosllave me ushtarë serb kalon pranë një kamioni te policis serbe me refugjatë shqiptarë. Kaçanik, 9 Mars 1999. Nëse dikushe e njef këtë fëmijë tefugjat, më lajmëroni, Faleminderit’‘, ka shkruar Reka në postimin e tij. / KultPlus.com
Atletja Luiza Gega nga Shqipëria ka bërë historinë, duke u bërë shqiptarja e parë që kualifikohet në finalen e atletikes në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020”, përcjell KultPlus.
Gega përfundoi garën e 3000 metrave me pengesa në kohën 9,23,85 duke u kualifikuar kështu automatikisht në finalen e madhe e cila pritet të mbahet me 4 gusht. / KultPlus.com
Një person nga Filadelfia e SHBA-së është liruar nga burgu pasi kishte kaluar më shumë se tri dekada prapa grilave, për një vrasje që nuk e kishte kryer.
“Ndihem tej mase i lumtur, që pas 30 e më shumë vjetësh, pasi vazhdimisht trokita në derë që dikush të më dëgjonte, kjo ditë erdhi më në fund”, ka thënë 60-vjeçari Curtis Crosland për CNN, transmeton KultPlus.
Ai është kthyer në shtëpinë e tij, tek pesë fëmijët e tij, e fejuara dhe 32 nipat e mbesat.
“Është një ndjenjë e mahnitshme të jesh baba, të jesh i kërkuar dhe i dëshiruar, me krahë të hapur për të të pritur, është ndjenjë e mahnitshme që jam kthyer te familja e cila më do dhe ka nevojë për mua”, është shprehur Crosland.
Dënimi i Croslandit, i bazuar në dëshminë e dy dëshmitarëve të cilët më vonë hoqën dorë nga deklaratat që kishin bërë duke e implikuar atë në këtë çështje, u rrëzua në qershor.
Shfajësimi i tij ndodhi disa muaj pas punës së vazhdueshme të Njësisë së Integritetit të Bindjes në Filadelfia, që është themeluar në vitin 2018 nga zyra e Prokurorit të Qarkut në Filadelfia, Larry Krasner.
Njësia i ka vënë mision vetes që të hetojë deklaratat e personave të pafajshëm dhe të dënuar gabimisht.
Croslandi ishte shpallur fajtor në vitin 1991 për vrasje të shkallës së dytë, grabitje dhe posedimi të një instrumenti krimi, në vrasjen e pronarit të një dyqani në Filadelfia në 1984. / KultPlus.com
Jolanda Kodra (1910 – 1963) ishte një shkrimtare dhe përkthyese shqiptare, një nga gratë e para shkrimtare të gjuhën shqipe, si dhe një përkthyese në gjuhën italiane të veprave të shkrimtarëve shqiptarë, të tillë si Ndre Mjeda, Migjeni, Petro Marko, dhe Sterjo Spasse.
Jolanda u lind si italiane, me emrin Iolanda Guazzoni, në vitin 1910, në Romë, Itali, dhe është mbesa e Enrico Guazzoni, një skenarist dhe regjisor filmi Italian. Ajo po ndiqte studimet në një lice klasik, kur u takua me Malo Kodrën, me origjinë nga Gjirokastra, i cili ishte student në Romë. Ai ishte një mësues i palestrës, e solli atë në Shqipëri në vitin 1931.
Ajo së shpejti mësoi gjuhën shqipe dhe filloi jo vetëm të komunikonte mirë, por edhe të publikonte poezi në shqip, si dhe artikuj kritikë letrar në revistat e njohura si Hylli i Dritës, Përpjekja shqiptare, Fryma, Njeriu dhe Tomori për shkrimtarët si Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Migjeni, Ndre Mjeda. Kodra ka punuar veçanërisht për Migjenin dhe Mjedën, të cilën më vonë e përkthente në italisht. Ajo ishte një nga gratë e para që publikoi në Shqipëri, në shoqëri të Selfixhe Ciu dhe Musine Kokalari.
Pas Luftës së dytë Botërore punoi si përkthyese nga dhe në italisht, si dhe rusisht, e ndër të tjera, shkrimtarë të tillë si Petro Marko dhe Sterjo Spasse. Ajo nuk ishte e lejuar as të japë mësim në regjimin komunist, as të kthehet përsëri në vendin e saj deri në vitin 1962, një vit para vdekjes./ KultPlus.com
Sot do të mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden, përcjell KultPlus.
Me anë të një njoftimi të Presidencës thuhet se se kjo ceremoni do të fillojë nga ora 18:30.
Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti do t’iu drejtohet Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip S. Kosnett. / KultPlus.com
U.S. President Joe Biden meets with Cuban American leaders in the State Dining Room at the White House in Washington, U.S., July 30, 2021. REUTERS/Evelyn Hockstein