Publicisti dhe gazetari, Fahri Musliu, e ka botuar të plotësuar monografinë për aktorin shqiptar, Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës. Në botimin e dytë, Musliu ka përfshirë edhe 20 tekste të reja të publikuara nga shtypi Italian.
Zoti Musliu, i cili për një kohë të gjatë ka raportuar nga Beogradi edhe për Zërin e Amerikës thotë se e ka ndjerë detyrim profesional e moral që të botojë monografinë për aktorin Bekim Fehmiu.
“Një vlerë e tillë fare ka qenë Bekimi me përmasa ndërkombëtare do të ishte keq të mos ishte i pranishëm dhe me te të mos njihen sidomos gjeneratat e reja sepse gjeneratat e vjetra e njohin Bekimin mirë. Bekimi në Kosovë, tek të rinjtë dhe hapësirën shqiptare nuk është shumë i njohur për arsye se është injoruar nga të gjitha pushtetet e mëhershme dhe institucionet kulturore por edhe pas vdekjes, fatkeqësisht vazhdon një injorim të tillë në nivel lokal, këtë rast po flas për Prizrenin”, tha ai.
Bekim Fehmiu i dha fund lojës në skenën jugosllave në vitin 1987, në shenjë proteste ndaj qasjes së pushtetit të atëhershëm ndaj shqiptarëve.
“Rreth Kosovës, ai ka vuajtur jashtëzakonisht prej viteve 80-ta kur edhe braktisi teatrin dhe profesionin e vet në moshën më të re, më kulmore për punë, shkaku i Kosovës, shkaku i dhunës serbe mbi shqiptarët viteve 1988-1989 dhe pastaj e ka përjetuar keq edhe shkatërrimin e Jugosllavisë sepse ai në atë hapësirë ka jetuar, vepruar dhe ka arrit kulmin, por për Kosovën ka vuajtur shkaku i vuajtjeve të shqiptarëve dhe represionit serb mbi Kosovën”, tha zoti Musliu.
Zoti Musliu thotë se Bekim Fehmiu gjatë viteve 90-ta ka lobuar në Shtetet e Bashkuara për Kosovën duke përdorur lidhjet e tij kulturore. Ai thotë se kur është shkatërruar Jugosllavia, Bekim Fehmiu është angazhuar për pavarësinë e Kosovës por sipas tij, ka qenë i pakënaqur me mënyrën e drejtimit të institucioneve të saj.
”Dhe shpesh në këtë aspekt kemi biseduar se për keqpërdorimet e mëdha dhe ai është habitur vet, ka pasur një pasqyrim tjetër një mendim tjerët për shqiptarët, për kosovarët që kanë vuajtur se do të silleshin më ndryshe, do të silleshin me një vetëdije dhe ndërgjegje më të lartë, do ta ndërtonin shtetin, do të investonin në shtet dhe jo ta shkatërronin dhe kjo ka qenë elementarja. Bie fjala shpallja e pavarësisë së Kosovës ai e ka pritur me një entuziazëm të veçantë por prapë një frikë e tij se gjërat nuk po shkojnë si duhet”, tha ai.
Aktori shqiptar, Bekim Fehmiu ka ndërruar jetë më 16 qershor të vitit 2010 ndërsa ai u bë i njohur me filmat “Edukimi i Posaçëm”, “Skuadra Partizane”, ndërsa famën më të madhe në ish Jugosllavi e arriti me filmin “Mbledhësit e Puplave”./VOA /KultPlus.com
Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka vendosur që të nderojë Nuhi Vincën me çmimin letrar “Esad Mekuli”, shkruan KultPlus.
Ky çmim jepet për krijmtari të përgjithshme letrare të shkrimit, derisa dorëzimi i çmimit do të bëhet më 17 dhjetor në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Këtë vit është mbajtur një tryezë shkencore për 90-të vjetorin e Nuhi Vincës, veprat e të cilit patën ndikim të madh në zhvillimin e poezisë.
Nuhi Vinca ka lindur në Veleshtë të Strugës, Maqedoni, ku më së shumti njihet për rolin e tij si pedagog, poet e përkthyes letrar. Vinca njihet si poet i parë me vepër të botuar lirike për të rritur në gjithë trevën e Strugës me librin “Dallge Jugu” e cila konsiderohet një nga veprat e para shqipe për të rritur në Maqedoni.
Disa prej veprave të tij më të njohura janë: “Këngë pune e pushimi (poezi), Dallgë jugu, Vrulle lirike, Një ylber pa ty, Te guri i kufirit. /KultPlus.com
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës ka mbyllur maratonën e tij 4 ditore në Pallatin e Kongreseve me një seri eventesh kulturore, të cilat mblodhën nën masat mbrojtëse të pandemisë dhjetëra vizitorë, përfshirë këtu personalitete të artit, kulturës e politikës.
Eventi kulturor që kulmoi panairin e “Klik Ekspo Group” ishte ceremonia e shpalljes së fituesve të konkursit kombëtar “Dritëro”, i iniciuar dhe financuar nga fondacioni “Dritëro Agolli”, në kuadër të 90-vjetorit të poetit dhe shkrimtarit të dashur, Dritëro Agolli.
Në edicionin e tij të parë, konkursi virtual-artistik, iu kushtua kryesisht krijuesve të rinj dhe atyre ende në ngjitje, me mëtimin që në vitet e tjera të marrë të tjera forma për të inkurajuar artistët e rinj në të gjitha zhanret dhe performancat.
Gjatë muajve tetor-nëntor, mbi 150 krijues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, diaspora e re dhe e vjetër, kudo ku shqipja zotëron, iu bashkuan nismës së Fondacionit me poezitë, tregimet, esetë dhe artin alternativë.
Në praninë e presidentit të “Klik Ekspo Group”, Luan Muhametaj dhe CEO, Elona Agolli, njëkohësisht dhe Presidente e Fondacionit Kulturor “Dritëro Agolli”, si dhe të jurisë profesioniste të përbërë nga filantropja/gazetarja Suela Bala, gazetari/redaktori Ben Andoni dhe gazetari/analisti Aleksandër Çipa u vlerësuan 3 vendet e para.
Fillimisht, jashtë 3-shes u vlerësua Lorna Çekixhi, me çmimin “Alternativ”, e cila realizoi një punim artistik në miniaturë të veprës “Pleshti”, një videorealizim i audiobookut me të njëjtin titull.
Në vendin e tretë u rendit Lira Bojku, shqiptare e Maqedonisë së Veriut, për prozën “Sofrabezi”.
Ndërkohë në vend të dytë u rendit Llesh Murrani me poezinë “Trashëgimia”.
Me çmimin e parë u vlerësua Rei Hodo për prozën më të mirë, me përshkrimin filozofik e artistik më të mirë.
Ceremonia u shoqëruar nga artistët e rinj, Margret Radovani dhe Gjergj Kaçinari, të cilët luajtën këngë si “Dashuri e vështirë”, “Kur të jesh mërzitur shumë” e të tjera duke e bërë ceremoninë e “Dritëro” një event për t’u mbajtur mend.
E gjitha ceremonia u përshëndet më pas nga presidenti i Panairit të Tiranës, Luan Muhametaj, i cili falenderoi të gjithë pjesëmarrësit në konkurs dhe të ftuarit të event, dhe zgjedhjen që një mbrëmje e tillë të realizohej gjatë këtij manifestimi ndërkombëtar.
Premtimi i fondacionit “Dritëro Agolli” mbetet i njëjtë: dhënia e mundësive dhe kontributi në mbështetjen e të rinjve në rrugën e artit dhe kulturës – duke kultivuar ndër breza vlera artistike dhe kulturore për një shoqëri më të mirë.
Elona Agolli, presidente e Fondacionit u shpreh se, “ajo çka ne e quajmë trashëgimi shpirtërore, ajo çfarë formëzon traditën tonë dhe historinë tonë, nis përkatësinë që në nipërit e mbesat, të afërm e familjarë, për t’u shpërndarë më pas, si ata rrathët koncentrikë duke bërë që më pas, përkatësia e veprës, trashëgimia është e të gjithëve”.
“Edhe zhvillimi i këtyre nismave, veprimtarive, konkurseve këtë vlerë ka, pasi emri dhe vepra e Dritëroit i përket të gjithëve. Një Çmim me emrin “Dritëro” ka fuqinë e zhvillimit të rrezeve drithëruese, ka vlerën e nxitjes për të kapur letrare”, tha ajo. /a.a/ /KultPlus.com
Dëshmitë tona para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Senatit amerikan, kishin pasur rëndësi të dyfishtë për ne. Sepse, ato na i kishin haur dyert që të priteshim në institucionin më të njohur dhe më të fuqishëm të sistemit demokratik amerikan, dhe njëherësh, si subjekt politik ishim barazuar me atë serb, me çka për herë të parë do t’i jepet drita e gjelbër ngritjes së çështjes së Kosovës në nivelin e një preokupimi ndërkombëtar, pra që ajo nxirrej nga “kompetenca” e brendshme serbe ku rëndom shihej. Edhe pse do të kalojë bukur kohë që kjo kthesë të zyrtarizohej, mund të thuhet se praktikisht efektet e saj janë hetuar prej nesh, por edhe nga vetë Beogradi, i cili e ka pasur më se të qartë se në njërën anë nuk do t’i kenë duart e hapura që problematikën e Kosovës ta mbajnë jashtë ndërkombëtarizimit të saj, dhe në tjetrën anë, do ta kuptojnë se epilogun e saj do ta ndikojnë amerikanët. Mesazhet e këtij përcaktimi do të kenë rast t’i marrin menjëherë si gjatë dëshmive para Këshillit të Senatit nga demonstrimi i administratës amerikane që Rugovës, edhe gjatë shfaqjes në rolin e dëshmitarit t’i jepej tretmani i liderit të shtetit, e edhe pas mbarimit të saj, kur senatori Robert Dol, në kabinetin e tij, do të kërkojë që të bisedonte për së afërmi me Rugovën dhe mua si dhe Qosiqin dhe peshkopin serb, që e kishte me vete. Edhe pse me senatorin Robert Dol, kishim pasur rastin të bisedonim para dite, kur na kishte pritur bashkërisht në Senat dhe na kishte uruar qëndrim të këndshëm në SHBA, dhe me këtë rast kishte lavdëruar përcaktimin tonë për demokraci, duke theksuar rolin prijës të LDK-së që duhej ta kishte në këtë lëvizje, ftesa e paparaparë për një bisedë të përbashkët me serbët në kabinetin e tij ishte më shumë se një gjest falënderimi për dëshmitë e bëra, që edhe është i kuptueshëm në raste të tilla. Dhe, përnjëmend doli se senatori Robert Dol, pasi që paraprakisht me vëmendje kishte dëgjuar ato që do të thuhen nga të dy anët, kishte shqetësimin rreth thellimit dhe të ashpërsimit të krizës, ngaqë, si tha, fjala ishte për përcaktime diametralisht të kundërta, ku në njërën anë shfaqej opsioni paqësor i shqiptarëve me kërkesat për barazi, demokraci dhe kthim kah Perëndimi, që i theksoi si të drejta dhe të pranueshme dhe në përputhje me frymën e ndryshimeve demokratike që kishte filluar të përfshinte vendet e lindjes, dhe në tjetrën anë shfaqej qëndrimi serb, si e quajti antidemokratik, meqë refuzon demokracinë si vlerë universale dhe mbështetej mbi të drejtën historike, e cila ishte e papranueshme. Fjalët e Robert Dolit nuk do t’i pëlqejnë Qosiqit. Mezi do të presë t’i jepej fjala. Do të thotë se Serbia ishte e ballafaquar me rrezikun e separatizmit shqiptar, që tha se ishte i vjetër dhe synonte shkatërrimin e integritetit të saj. Shtoi se Kosova për Serbinë paraqet djep, shenjtëri dhe rrënjët e qenies së saj dhe fjalë të ngjashme nga ato që tashmë kishte thënë dhe pasqyruar edhe në Memorandumin më të ri të akademikëve serbë, ku ai mbante autorësinë. Senatori Dol, do t’ia ndërpresë fjalën me ato që do t’i thotë se as në programin e LDK-së as në çfarëdo prononcimi të shqiptarëve nuk i kishte rënë të shihte tjetër pos kërkesave për barazi, demokraci dhe Perëndim. “Shqiptarët, madje shfaqen edhe si mbrojtës të Jugosllavisë, por si të barabartë. Andaj, prej nga i merrni, zotëri, këto kërcënime?”, do t’i drejtohet Qosiqit. “Nga sjelljet e tyre… Nga ato që ata bëjnë çdo ditë kundër nesh atje, kundër varreve tona, kundër shenjtërve tanë… Nga të gjitha….”Teatralisht do të thotë se në Kosovë rrezikohet qenia serbe, rrezikohej krishterimi perëndimor dhe vlerat e tij…“Nëse, vazhdon kështu, mbetemi pakicë …” Rugova deshi të ndërhyjë, por ishte senatori Dol, i cili iu drejtua Qosiqit me pyetjen si e shihte zgjidhjen e problemit shqiptar atëherë? Me mjete demokratike, kur këtë e kërkojnë shqiptarët haptas, apo ndryshe? Qosiqi sikur u zu ngushtë nga pyetja. Deshi të vazhdonte aty ku kishte mbetur dhe bëri me dorë nga dosja që kishte me vete, pjesë të së cilës kishte lexuar edhe pak më parë, e ku shqiptarët akuzoheshin në mënyrën më të vrazhdët dhe me gjithfarë të pavërtetash që kishte sajuar propaganda serbe prej vitesh, por senatori nuk e la të kthehej andej. “Pyetja është e drejtpërdrejt dhe fare e thjeshtë: do ta pranoni demokracinë apo jo?” “Populli serb nuk mund të pranojë kurrfarë ndryshimesh qofshin ato edhe demokratike, që mund t’ia ndryshojnë pozitën nga ai shtetformues në atë të pakicës. Kemi derdhur si shumë gjak gjatë këtyre pesëqind vjetëve të fundit që ta pranojmë një rrënim të tillë…” “Pra, nuk pranoni demokracinë?” “Nuk pranojmë asgjë që do të thotë vetëshkatërrim… Kjo është e drejtë e secilit popull… Kjo është në përputhje edhe me ligjet e natyrës…” “Kjo më mjafton, zotëri…Për ju nuk vlejnë ligjet e civilizimit por ato të natyrës?!… “ Qosiqi bëri që të thoshte edhe diçka por nuk iu lejua nga Doli. “Nëse vazhdoni kështu do ta rrezikonin Jugosllavinë dhe vetë Serbinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pranojnë dhunën si alternativë të demokracisë, e aq më pak si mjet mbrojtjeje për qëllime shtetmëdha…” Pastaj na u drejtua neve. “Do të mbeteni në kursin e filluar edhe pas gjithë kësaj që dëgjuat?” Rugova, pa një pa dy tha: “Kërkojmë barazi, demokraci dhe botën perëndimore, zotëri…” “Amerika është në anën e atyre që kërkojnë demokraci, liri dhe barazi…” Robert Doli nuk foli më. U ngrit në këmbë dhe me këtë dha shenjë se takimi kishte marrë fund. Qosiqi sikur dëshironte të fliste edhe diçka, por ishte sekretaresha e senatorit, një kroate-amerikane e cila hapi derën dhe po na priste që të na përcillte më tutje. Senatori me çehre të prishur mezi sajoi fjalinë me të cilat na dëshirohej qëndrim i këndshëm në Amerikë dhe u kthye në kabinet. Sekretaresha e senatorit na foli diçka në një kroatishte tepër artificiale të përzier me anglishte dhe na përcolli deri te pjesa ku tashmë demonstrativisht prisnin përcjellësit e Rugovës të gatshëm ta merrnin. Qosiqi na dha dorën ftohtas, ndërkohë që Rugova me atë buzëqeshjen e varur që kurrë nuk dihej se a paraqet kënaqësi apo hidhërim, i tha se do të dëshironim të shiheshim në rrethana kur që të dytë do të jenë njësoj të kënaqur.“Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, ia ktheu Qosiqi dhe bashkë me peshkopin që i shkonte pas si hije u larguan në pjesën e majtë të korridorit, ku i priste një zyrtar përcjellës. Dhe duke i shikuar si po largoheshin se si m’ u duk se korridoreve të Senatit amerikan ata kishin lënë atë thirrjen për luftë, që para dy vitesh na e kishte bërë të ditur për herë të parë poeti Millan Komneniq me rastin e takimeve të shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd. Heshtja na mbërtheu edhe neve. Të ndodhur para një gjendjeje që para pak kohe as në ëndërr nuk do ta kishim parë, u morëm ngryk dhe ashtu mbetëm një copë herë. Nën përshtypjen e takimit me njeriun e dytë të SHBA-ve, që në kokat tona do të mbetej të vazhdonte të krijonte një lëvizje të papërmbajtshme të atyre që krijojnë vendosjet dhe zhvendosjet ndër më të ndryshmet, po ku megjithatë, kishim marrë një porosi, një këshillë, që mund të kuptohej edhe si urdhër madje dhe, kjo mund të rrudhej tek përqendrimi te barazia dhe demokracia, i kaluam edhe tri-katër ditët që na kishin mbetur para se të largoheshim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të nesërmen kur bashkë me të tjerët do të fillojmë vizitat Muzeut Kombëtar në Uashington si dhe varreve të veteranëve të luftës së parë dhe të dytë botërore dhe të atyreve të Vietnamit, Rugova kishte pranuar se nuk kishte fjetur gjithë natën nga përshtypja e atyre që kishte dëgjuar të thuhen nga senatori Dol. Më tha se ai takim dhe ajo bisedë, njëherë për njëherë, duhej mbajtur midis nesh. “Janë disa gjëra që nuk ka nevojë të kthehen në çallme rrugësh… ” Sikur fjalët e senatorit Dol ta kishin liruar përfundimisht edhe nga iluzionet që i hante pazari i takimeve thuajse populiste, siç ishte ai me komunitetin e shqiptarëve të Nju Jorkut dhe të rrethinës, ku tashmë kishin zënë të shpalleshin urime dhe përshëndetje të ndërsjella të shumtën me çirrje patetike-folkloriste dhe çmos tjetër, Rugova gjatë fjalës përshëndetëse në një hotel të madh të Nju Jorkut, ku ishin të pranishëm qindra veta dhe kremtohej e festohej me të madhe në të gjitha anët dhe me të gjitha dajret sikur Kosova atë ditë të kishte fituar ato që kërkonte, do të flasë vetëm për barazinë dhe demokracinë, si përcaktime strategjike. Madje edhe atëherë kur masa ndizej me parullat që hidheshin manash për Kosovën e lirë, për Shqipërinë etnike dhe për bashkimin kombëtar dhe të ngjashme, ai do të vazhdojë të ligjërojë për këto të dyja, duke theksuar se me anën e tyre kërkohej që bota shqiptare të shkëpuste lidhjet e dhunshme me ideologjinë komuniste dhe dhunë totalitare që ishte ushtruar prej saj. Edhe pse do të marrë duartrokitje të shumta, ishte një pjesë e mirë e atyre që fjala e Rugovës jo vetëm që nuk i kishte nxehur, siç pritnin, por i kishte ftohur fare, pikërisht pse nuk kishte zënë në gojë ato të tjerat, që kërkonte masa. Por, që të mos dëshpëroheshin gjithaq me Rugovën dhe fjalët e tij “shumë të thata”, ishin përkujdesur amerikanët, me orgjinë e sirenave policore dhe të bllokimit të rrugëve të Nju Jorkut gjatë kohës sa bartej nga njëra pjesë në tjetrën të qytetit dhe kjo si dukej gjatë atyre dy ditëve të fundit bëhej demonstrativisht edhe në pjesët e banuara me shqiptarë dhe të frekuentuara prej tyre. Shou amerikan me përcjelljen e Rugovës, që edhe disave nga grupi ynë do t’u dukej jo i zakonshëm dhe i panevojshëm fare, do të arrijë kulmin ditën e parafundit kur nga Ist Rivëri nëpër mes detit, do të organizohej vizita Monumentit të Lirisë. Edhe këtu amerikanët do të demonstrojnë gjithë aftësitë e tyre të përcjelljeve speciale me anën e forcave të sigurisë. Ania luksoze në të cilën Rugovës i bënin shoqëri senatori Larry Pressler dhe kongresmeni Tom Lentos, ku gjendeshim edhe ne dhe e gjithë paria e komunitetit shqiptaro-amerikan e drejtuar nga Diogardi, nga para e nga prapa, nga e majta dhe nga e djathta do të përcillej me anije policore që demonstronin praninë e tyre herë duke u larguar e herë duke u afruar, pa lejuar që të tjerat të na afroheshin…Kështu, pra, Amerika e kishte promovuar lider Rugovën, atëherë kur ai ishte në krye të një partie që brenda një kohe kishte arritur shumë, por askujt nuk i shkonte mendja se nga oreoli i asaj ngritjeje që dukej e pazakontë Rugova nuk do të shkëputej kurrë, për deri sa pas dhjetë vjetësh këtë edhe do ta arrijë. Atëherë e edhe më vonë, kur Rugova përnjëmend do të zgjedhet president i Kosovës, jashtë atyre mandateve kur edhe nga brenda e edhe nga jashtë quhej i vetëshpallur, vazhdimisht më kanë përcjellë fjalët e përgjegjësit të sigurimit, nga ato që do të m’i thotë ditën që do t’ia kthej bexhin dhe aparaturën e veçantë që m’i kishte lënë në dispozicion, që të mbaja kontaktet me Rugovën, se “ata që kishte përcjellë në atë mënyrë, herëdo kurdo kishin arritur postin e presidentit…”(Shkëputuje nga libri “Kthesa historike” 1,botoi “Faik Konica”, 2008). /KultPlus.com
Në shumë vende të botës po luftohet çdo ditë e më shumë që përmes kauzave dhe thirrjeve të vazhdueshme të mos bëhet ndotja e ujit, shkruan KultPlus.
Aktivitetet njerëzore janë përgjegjëse kryesore për ndotjen e ujit, e ndotja e ujit prek rëndë peshqit dhe rezulton vdekjeprurëse për ta.
Si rezultat i ngordhjes së peshqve në ujë, një liqen ose përrua mund të marrë vite për t’u rikuperuar.
Fotografisti Arian Mavriqi ka ndarë një fotografi të ngjashme me këtë rast, ku ka zënë një peshk i cili ka futë kokën në një qesë të hedhur nga ndokush, me ç ‘rast ka ngordhë nga pamundësia për ta nxerrë kokën jashtë qesës. /KultPlus.com
Federata Evropiane e Xhudos (EJU) në një mbrëmje të mbajtur mbrëmë në Stamboll të Turqisë ka shpërblyer sportistët më të mirë për këtë vit, shkruan KultPlus.
EJU ka shpërblyer me dekoratë kampionet olimpike nga Kosova, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, për arritjet e tyre gjatë vitit 2021.
Me dekoratë u shperblye edhe Federata e xhudos e Kosovës për medaljet e fituara në Lojërat Olimpike.
Nora dhe Distria fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike Tokio 2020 që u zhvilluan në verën e këtij viti. /KultPlus.com
Këngëtarja Vjollca Robelli-Mripa, e njohur me emrin artistik si ‘AJO’, ka performuar më 3 dhjetor në njërën ndër skenat më të njohura në të gjithë botën “Royal Albert Hall” në Londër, shkruan KultPlus.
“Një ëndërr që u realizua” ishin fjalët e para të këngëtares në llogarinë zyrtare në “Facebook”, ku ka thënë se ky event ishte një kënaqësi e papërshkrueshme.
“Kënaqësi e papërshkrueshme me qenë ndër artistet e para shqiptare të prezantoj punën time 5 vjeçare me këngët të cilat i kam shkruar dhe komponuar, në një nga venuet më prestigjioze në botë “Royal Albert Mall”, shkroi ajo në Facebook.
Tutje, Mripa falënderojë të gjithë njerëzit që e bënë të mundur performimin e saj në këtë skenë.
“Ndjenja më e fuqishme ishte aty kush pashë fotografinë time në dy ekrane të mëdha nga hyrja kryesore në ndërtesë”, përfundoi ajo duke thënë se ka krijuar histori për vendin e saj.
Vjollca Robelli-Mripa për më shumë se një dekadë është larguar nga Kosova për në Londër, por zëri i saj është mishëruar me gjithë publikun këtu përmes këngës “Ajo”, me të cilën vazhdon të identifikohet personaliteti i saj artistik. / KultPlus.com
Senatori Bob Dole, i cili kishte vizituar Kosovën për herë të parë, ka vdekur pas kancerit që u paraqit në mushkërit e tij, përcjellë KultPlus.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar mbi vdekjen e senatorit, ku është shprehur gjithmonë mirënjohëse për kontributin e tij.
“Shumë e mërzitur të dëgjoj se senatori Bob Dole ka ndërruar jetë. Një hero i luftës, politikan shumë i respektuar dhe një mbështetës i lirisë në të gjithë botën”, shkroi Osmani.
Presidentja tutje shtoi se është mirënjohëse më së shumti për pjesën që Dole ka bërë për Kosovën, i cili ishte afër Kosovës gjithmonë në rrugëtimin për pavarësi. “Prehu në paqe mik”, përfundoi ajo.
Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole. /KultPlus.com
Senatori Bob Dole, i cili kishte vizituar Kosovën për herë të parë, ka vdekur pas kancerit që u paraqit në mushkërit e tij, përcjellë KultPlus.
Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole në një deklaratë gjatë ditës së sotme.
Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole.
Mendja e tij gjeniale dhe aftësitë njohëse në ligjvënie, e kanë karakterizuar Dolen, i cili ka pasur një karrierë të gjatë në Kongresin amerikan.
Dole ka dhënë kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së vendit të Kosovës.
Kosova kishte përuruar një pllakë përkujtimore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për nderë të senatorit. /KultPlus.com
Skulptori Eroll Murati do të prezantojë ekspozitën e tij të radhës në qytetin e madh të Tiranës, kur edhe do ta shfaq skulpturën e tij në hapësirë, shkruan KultPlus.
Murati, i cili këtë vit mori vëmendje të madhe ndërkombëtare me skulpturën e tij për të pagjeturit e luftës që e shfaqi në Prishtinës, do të vazhdojë ekspeditën e tij në Tiranë, sigurisht me skulpturën e radhës.
Në një prononcim për KultPlus, Murati ka njoftuar se do të bëjë një ekspozitë në Tiranë me titull “Skulptura në hapësirë”.
“Kjo ekspozitë ka qenë edhe në Prishtinë para dy viteve, por tani po e dërgoj edhe në Tiranë që të përcjelli më shumë mesazhin e kësaj skulpture”, tha ai.
Tutje, Murati na njoftoi edhe me detajet e kësaj skulpture, duke thënë se do të paraqes artin modern në hapësirë publike.
“Në këtë ekspozitë dua që njerëzit të shohin artin në hapësirë publike, hapësira të hapura. Jam munduar që përmes artit në formë moderne dhe me materiale të ndryshme të paraqes esencën dhe kuptimin e kësaj skulpture që do ta paraqes nëser në Tiranë”, ka thënë Murati.
Ekspozita e tij do të hapet më 6 dhjetor në Tiranë, derisa do të jetë e hapur deri më 12 dhjetor. /KultPlus.com
Më 5 dhjetor shënohet Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit, e derisa në Kosovë kjo ditë është shënuar me disa aktivitete, shkruan KultPlus.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një njoftimi në “Facebook” ka shkruar se dita e sotme ka qenë me shumë pozitivitet.
“Sot së bashku me UNICEF, UNVolunteers dhe shumë të rinj shënuam Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. Puna vullnetare sjell shumë dobi për çdo shoqëri dhe komunitet, por edhe për personat që angazhohen”, shkroi Çeku.
Tutje, ministri gjithashtu shtoi se rëndësia e qytetarisë aktive dhe vullentarizmi kanë qenë shumë të pranishëm gjatë periudhës kur vendi po përballej me shumë sfida nga pandemia COVID-19.
“Prandaj ne si Ministri e Rinisë po bëjmë më të mirën të krijojmë një mjedis mbështetës për ta, me politikat dhe programet tona për vullnetarizmin dhe njohen e punës vullnetare. Në aktivitetin e sotëm u ndamë mirënjohje vullnetarëve Sara Sadiku, Erona Osmani, Arida Spahija, Hana Ahmeti dhe Gazzali Makasqi, të cilët i përgëzoj për angazhimin e tyre”, shkroi ai.
Për ta bërë bërë më të lehtë njohjen mes vullnetarëve dhe organizatave, Kosova me UNICEF kemi krijuar platformën e parë të takimit mes këtyre dy palëve kosovovolunteers.org, platformë kjo e cila tashmë po funksionon shumë mirë. /KultPlus.com
“Zgjoi” po konsiderohet të jetë njëri ndër filmat më të suksesshëm i kinematografisë së Kosovës, dhe kjo gjë po vërtetohet çdo ditë e më shumë, shkruan KultPlus.
Së fundmi, filmi me regji të Blerta Bashollit ka arritur që të përcjellë mesazhin e tij deri te Quincy Jones, një muzikant dhe producent i madh filmash.
Quincy Jones është një producent, muzikant dhe producent filmash, i cili u bind që në moshë të re të eksploronte muzikën nga miku i tij adoleshent Ray Charles.
Ai është njëri ndër artistët me më së shumti nominime për Grammy në histori, me 79 nominime dhe 27 çmime.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Instagram”, Quincy Jones Productions ka shpërndarë filmin “Zgjoi”, i cili është duke u shfaqur nëpër shtete të ndryshme të botës.
Filmi pëcjellë Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të. /KultPlus.com
Për 12 vite me radhë një festival drame i organizuar nga Administrata Kombëtare e Burgjeve të Rumanisë u ka dhënë të burgosurve mundësinë të shfaqen në produksione teatrale të mbikëqyrura nga regjisorë profesionistë.
Festivali i cili zhvillohet në Teatrin e famshëm “Nottara” të Bukureshtit, synon të luftojë paragjykimet dhe të lejojë të burgosurit të kenë kontakt me publikun.
Rreth 700 të burgosur kanë marrë pjesë në shfaqjet në këtë aktivitet gjatë 12 viteve.
Këtë vit, të burgosurit nga burgjet e Jilavës dhe Rahovës performuan për një audiencë shumë të vogël për shkak të pandemisë.
Provat bëhen në burg, ndërkaq performanca realizohet skenën reale të teatrit, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.
“Mendoj se të gjithë ne kalojmë momente shumë të vështira në jetë, sidomos tani për shkak të pandemisë. Kjo shfaqje teatrore na dha një ndryshim,” tha Marin Florin, i burgosur në burgun e Jilavës.
Eksperienca teatrale është një lloj terapie për aktorët e burgosur, e krijuar për t’i ndihmuar atyre që të rizbulojnë veten dhe të kuptojnë më shumë për njëri-tjetrin./KultPlus.com
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi prezantoi sot masat e reja Anti-COVID.
Latifi me këtë rast bëri të ditur se qytetarët duhet të paraqesin dëshminë se janë të vaksinuar, apo testin negativ të COVID-19 nëse duan të shfrytëzojnë transportin publik dhe privat.
Këto dëshmi, do të vazhdojnë të kërkohen edhe në gastronomi e qendra tregtare.
“Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave dhe të ekonomisë, punonjësve të institucionet publike dhe private, udhëtarët që shërbehen me transport publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe gastronomisë, do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë dhe i pjesshëm, bashkë me të rezultatin negativ të PCR”, ka thënë ai.
Mbajtja e maskës do të vazhdojë të mbetet obligative, ndërsa kufizimi i qarkullimit vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në ora 5 të mëngjesit. Me përjashtim të rasteve të caktuara./KultPlus.com
Në kohën e Gjergj Kastriotit trojet arbërore mbanin vulën e trojeve iliro-arbëore, prandaj edhe kuvendi i Lezhës i 2 Marsit të vitit 1444 u quajt Kuvend i fisnikëve iliro-arbëror.
Pokështu edhe qytetet tjera të lashta ,më saktësisht kryeqyteti i asaj kohe Kruja mbante emrin e një nga qytetet apo vendbanimet e Ilirëve. Këtë e përforcojnë edhe shumë dokumente historike se në atë epokë të ndritur të arbërorëve ,pra epokën e Gjergj Kastriotit Arbëria kishte nxjerrë më shumë se kurrë imazhin e asaj Arbërie të lashtë që mbante vulën e paraardhësve të vetë pellazgo-ilirë. Ndërkaq Gjergj Kastrioti ishte i vetmi që donte më çdo kusht rikthimin e kufijëve të lashtë e të natyrshëm të gadishullit Ilirik, respektivisht kufijëve iliro-arbëror europian.
Për të parë se kjo vërtetë ishte ashtu ,kështu tregojnë edhe dokumentet si nga udhërpërshkuesit e studiuesit e ndryshë europian sikur që shkruante një udhëpërshkues e studiues në vitin 1826 si vijon:“Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbeu ,i cili në fakt është më i famshmi nga të gjithë, jo vetëm riktheu të gjitha krahinat ilire, të cilat më parë përbënin prefekturën Prevalitane…së bashku me tokën e Dardanëve, që ishin atëherë në atë që është sot deri në rrethet e Prizrenit,por ai bashkoi gjithashtu pjesën më të madhe të Epirit të lashtë me shtetet e tij.“ Madje për ta bërë edhe më të bindshme këtë ,edhe vetë historiani bizantin ,Leonik Chalkokondili si një bashkëkohës i Gjergj Kastriotit në një dokument historik të botuar në vitet 1514/30 e quante Krujën e Gjergj Kastriotit si një vend e qytet të Ilirëve./KultPlus.com
Me moton “Boll Ma – Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”, organizata joqeveritare Artpolis, mbajti të dielën, më 5 dhjetor, një protestë në Prishtinë, kundër dhunës ndaj grave.
Protestueset, të veshura me rroba të bardha dhe me shenja dhune të improvizuara në fytyrë, marshuan në sheshet kryesore të Prishtinës, për t’u ndalur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku vendosën në tokë një pano me moton e kësaj proteste.
Organizatorët e kësaj proteste thanë se po kërkojnë drejtësi për vajzat dhe gratë e abuzuara në familje dhe shoqëri si dhe drejtësi për ato që humbën jetën si pasojë e dhunës në familje.
Udhëheqësja e organizatës Artpolis, Zana Hoxha tha se abuzimi sistematik i vajzave dhe grave dhe vdekjeve të tyre si pasojë dhunës po ndodh edhe për shkak të mungesës së përgjigjes së duhur institucionale në parandalimin dhe “ndarjen e dënimeve të merituara për kryerësit e këtyre veprave”.
Në Kosovë, gratë përbëjnë shumicën e viktimave të dhunës në familje.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, deri në shtator të vitit 2021, viktima të dhunës në familje janë raportuar se kanë qenë 1,437 gra dhe 408 burra.
Çdo vit, që nga 2018-ta, së paku 1,000 gra janë raportuar si viktima të dhunës në familje.
Më 25 nëntor u shënua Dita Ndërkombëtare për Ndalimin e Dhunës ndaj Grave dhe që nga kjo datë, për 16 ditë, organizohen aktivitete të ndryshme kundër dhunës ndaj grave./KultPlus.com
Steve Liddiard është shpallur fituesi i konkursit të fotografisë historike për vitin 2021 dhe bëhet fjalë për foton e tij të Whiteford Point Lighthouse në Gadishullin Gower, Uells, shkruan BBC.
“Fari u ndërtua në 1865 sipas një projekti nga John Bowen, nga Llanelli, duke zëvendësuar një strukturë të mëparshme të 1854, nga e cila nuk ka mbetur asgjë,” tha Liddiard.
“Është e vetmja kullë prej gize e përmasave të kësaj madhësie në Britani”.
Fotot u vlerësuan për origjinalitetin, përbërjen dhe aftësitë teknike krahas historisë dhe ndikimit historik. Dan Korn, nënkryetar i Sky History në Mbretërinë e Bashkuar dhe një nga gjyqtarët e konkursit, vuri në dukje se pavarësisht gjithçkaje, kreativiteti lulëzoi gjatë pandemisë.
Fotografitë më të mira ishin nga vende si Uells, Brazil dhe Turqi.
Mali Nemrut, Turqi: Këto rrënoja janë të vetmet nga ish-Mbretëria e Kommagene, e kryesuar nga mbreti Antiochus I Theos. Mehmet Masum Suer ka kapur këtë foto të disa prej statujave atje.
Tower Bridge, Angli: Një nga vendet më të njohura të Londrës shihet rrallë nga ky këndvështrim. Fotografi Robert James bëri foton në momentin kur filloi batica duke përdorur një ekspozim të gjatë.
Fari Scarborough Pier, Angli: Fari pothuajse duket sikur është në zjarr në këtë pamje dramatike të perëndimit të diellit nga fotografi me bazë në Leeds, Andrew McCaren.
Kulla e Shën Michael, Angli: Në qarkun e Somerset, kjo kullë është gjithçka që ka mbetur nga një kishë e ndërtuar në shekullin e 14-të. Adam Burton fotografoi këtë imazh fantastik.
Disa historianë besojnë se Bamburgu ishte modeli për kështjellën e Sir Lancelot, Joyous Garde.
Mbetjet e një Douglas C-117D të rrëzuar të marinës amerikane janë bërë një sfond popullor për videot muzikore./KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim artisten Anna Stratigò. Meta e cilësoi atë një ambasadore e vërtetë e kulturës arbëreshe në botë.
“I lumtur të takoja artisten e shquar Anna Stratigò, ambasadore e vërtetë e kulturës arbëreshe në botë, këngët e së cilës janë duartrokitur në shumë skena prestigjioze ndërkombëtare, duke prezantuar denjësisht jo vetëm muzikën, por edhe kostumet dhe traditat e mrekullueshme arbëreshe”, tha Meta.
Artisja do të jetë e ftuar në një program televiziv në vend për festat e fundvitit, dhe kreu i shtetit thekson se Anna vjen nga një familje e shquar arbëreshe, në Lungro të Kalabrisë, që prej 15 brezash trashëgon me dashuri gjuhën, kulturën, traditat dhe kostumet tradicionale arbëreshe.
“Anna vjen nga një familje e shquar arbëreshe, në Lungro të Kalabrisë, që prej 15 brezash trashëgon me dashuri gjuhën, kulturën, traditat dhe kostumet tradicionale arbëreshe. Gjyshi i saj, Vincenzo Stratigò ishte poet revolucionar arbëresh i lidhur me Rilindjen tonë Kombëtare dhe mik i Garibaldit. Poezitë e tij me tema atdhetare, shoqërore e dashurie dëshmojnë, jo vetëm për një vetëdije të mprehtë sociale por edhe dashurinë e madhe dhe krenarinë e të qenit Arbëresh, siç e dëshmojnë disa nga vargjet e poemës së tij ”Sono Albanese” (“Jam shqiptar”) shkruar në vitin 1857″, u shpreh Meta./atsh/KultPlus.com
Historiani Vjençeslav Çençiç ka shkruar një libër për atë që konsiderohet si testmanent i Tito’s.
Çençiç, librin e tij, e ka shkruar bazuar në bisedat me Josip Kopinic që konsiderohet si spiuni më i madh jugosllav i të gjitha kohërave, njoftojnë mediat kroate.
Historiani Vjenceslav Çençiç librin e tij “Rrëfimi i fundit i Titos e ka publikuar 20 vjet pas vdekjes së Josip Broz Tito’s, që është një lloj testamenti politik i diktatorit jugosllav e që jep një pamje të re për figurën edhe veprat e tij.
Libri, sipas mediave kroate, bazohet në stenogramet e fjalimit të tij më Karagjorgjevë më 1979, dhe bisedave të tij me Josip Kopiniç, që për shumëkënd është spiuni më i madh jugosllav i të gjitha kohërave.Libri, sa i përket besueshmërisë e ndanë fatin e Titos, i cili dikur lavdërohej ndërsa më vonë kontestohej.
Sipas librit, Kosova do të jetë ‘sherri’ kryesor për rrënimin e Jugosllavisë.“Kam qenë kundër Kushtetutës të vitit 1974!Kam qenë kundër dhënies së shtetësisë për krahinat dhe pjesëve që republikave u mundësojë shkëputje nga federata pa marrëveshje me republikat, pa referendum në krejt vendin.
Edhe sot, edhe atëherë e përsëris se kjo “e keqe” nga këto të drejta kushtetuese të krahinave do ta rrënojnë Jugosllavinë.E kam ditur se gjendja e sigurisë në Kosovë është e keqe, por nuk e kam ditur që raportet ndërmjet republikave tona kanë rënë kaq poshtë.
Shokë, më duhet të them se kur është në pyetje Kosova, të gjithë ata që kanë votuar për Kushtetutën e vitit 1974 do të jenë fajtorë për fatin e Jugosllavisë” ka thënë Tito, bazuar në këtë libër, raporton a-news24.
Më pas, Tito ka folur edhe për pasardhësin e tij duke thënë se ai e kishte bërë këtë, por më pas kishin filluar edhe rivalitetet të thella të cilat kanë përfunduar edhe me vrasje./KultPlus.com
Teksa qytetet po bëhen më të mëdha, njerëzit fillojnë të humbasin rrënjët e tyre dhe nisin ta duan natyrën dhe qetësinë.
Persona të talentuar nga e gjithë bota nuk e humbasin mundësinë për të ndarë idetë e tyre me ndihmën e diçkaje për të cilën të gjithë kemi nevojë.
Nga skulpturat e shelgut që duken si vetë nëna natyrë e deri te skulpturat si trollet gjigante të fshehura në pyjet e Danimarkës, këto vepra me siguri mund t’ju surprizojnë./KultPlus.com
“The New York Herald” ka botuar, të dielën e 11 nëntorit 1928, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me ndriçimin elektrik historik të kryeqytetit shqiptar, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Tirana tashmë e ndriçuar nga dritat elektrike
Tiranë, Shqipëri, e shtunë. — Rrugët e ngushta të kryeqytetit piktoresk të Shqipërisë u ndriçuan këtë javë për herë të parë në historinë e tyre nga llambat elektrike dhe grupe të vogla qytetarësh shiheshin të mbledhur rreth shtyllave duke admiruar rrezet e shndritshme që bienin mbi to.
Punimet që furnizojnë rrymën janë ndërtuar tërësisht me kapital shqiptar dhe janë ndër më modernet në Europën Lindore.
Gazeta e parë e përditshme e botuar në Shqipëri doli të hënën. Quhet “Gazetaere” dhe botohet nga një kompani e cila u krijua për të zhvilluar kulturën shqiptare nëpërmjet botimit të gazetave, literaturës së lehtë (argëtuese) dhe revistave.
Përgjatë gjithë jetës keni për të dëgjuar këshillën dashamirëse të atyre që kujdesen për ty, të të afërmëve, apo të atyre që ta duan të mirën se duhet të mësosh të dëgjosh, dhe të dëgjosh nuk do të thotë të bluash në mendje gjënë e radhës që do thuash ndërkohë që tjetri po flet, POR dëgjimi është një formë e thellë vëmendjeje ndaj tjetrit pikërisht në kuptimin që e shpreh Stephen Covey tek 7 Zakonet e Njerëzve të Suksesshëm.
Por sot do të kapërcejmë në një nivel krejt tjetër të mjeshtrisë së të dëgjuarit, dhe rregulli i artë është ky:
Të mësosh të dëgjosh do të thotë të jesh i fundit që flet.
Merr një lasp dhe një copë letër dhe shënoje këtë, (ose tek Notes në smartphone) pasi vështirë se ke për të lexuar gjë tjetër më të rëndësishme për sot:
Të mësosh të dëgjosh do të thotë të jesh i fundit që flet.
Nuk ka rëndësi sesa njerëzve të tjerë ua tregon këtë ide nëse ti nuk e shkruan diku që ta ngulitësh mirë në mendje për veten tënde.
Nelson Mandela është rasti tipik i personit që merret në studim kur flitet për lidershipin, artin e prijësit, pasi ai është botërisht i njohur si një prijës i madh.
Çdo vend e çdo komb kanë personalitetet e tyre që i frymëzojnë u prijnë dhe u japin guxim por Nelson Mandela në mbarë botën njihet si etaloni i asaj me të cilën një prijës i madh duhet të matet.
Ai në fakt ishte djali i një prej burrave më të rëndësishëm të një grupi tribal, dhe një ditë atë e patën pyetur: si mësove të bëhesh një prijës i madh?
Dhe Mandela u përgjigj:
Kur isha një fëmijë i vogël, shkoja me babain tim në mbledhje të grupeve tribale, dhe unë kujtoj dy gjëra kur babai im takohej me të urtët e tjerë të grupit…
E para: ata uleshin gjithmonë në rreth, dhe e dyta: babai im ishte gjithmonë i fundit që fliste.
Kanë për t’ju thënë gjithë jetën se duhet të mësoni të dëgjoni, por sot ne ju themi se duhet të mësoni të jeni i fundit që flisni, pasi kjo e përfshin rregullin e parë dhe shkon përtej tij.
Ne e vërejmë këtë gjë çdo ditë në takimet e bordeve apo të bizneseve apo të punës apo kudo tjetër, edhe nga njerëz që e konsiderojnë veten prijës të mirë, të cilët në fakt mund të jenë prijës të zotë, të cilët futen në mbledhje shprehin problemin për të cilin do flasin dhe pastaj thonë opinioni im është ky, tani le të dëgjojmë çfarë ka për të thënë secili prej jush, merreni fjalën me radhë.
Aftësia për ta mbajtuar brenda vetes opinionin tënd derisa edhe më i fundit të ketë folur bën dy gjëra për ju:
1. U jep të gjithëve ndjesinë se ata po dëgjohen, dhe u jep të gjithëve ndjesinë e përplotshme brenda vetes se ata kanë kontribuuar.
2. Ju merrni benefitin e njohjes me të gjitha këndvështrimet që secili shpalos dhe kështu i hapni rrugën mendjes që të përftojnë versionin më të drejtpeshuar të çështjes.
Aftësia këtu është një dhe vetëm një: mbajtja e opinionit tënd për vete derisa gjithë të tjerët të kenë përfunduar.
Nëse gjatë kohës që tjetri po flet kurrsesi mos ia jepni atë miratimin me lëvizjen e kokës që do të thotë “Po”, e nëse nuk jeni dakord me dikë ndërsa ai po flet kurrsesi mos e tund kokën me lëvizjen që do të thotë “Jo”.
Qëndro aty, dëgjo me kujdes dhe e vetmja gjë që të lejohet të bësh përpara se të gjithë të kenë përfunduar është që të bëni pyetje, në mënyrë që të kuptoni në rrënjë atë çfarë të tjetri po thotë, dhe cila trajektore e të menduarit i ka çuar ata deri në atë konkluzion.
Dhe në fund, do të vijë radha jote për të folur. Kini parasysh se kjo nuk është aspak diçka e thjeshtë, po flasim këtu për zbutjen e bishës më të egër në trupin e njeriut: gjuhës.
Praktikoni artin e të qënit i fundit që flisni, kjo është ajo që Nelson Mandela bënte. / KultPlus.com
Më 5 dhjetor shënohet Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit.
Në Kosovë, kjo ditë do të shënohet me aktivitete të ndryshme.
Duke filluar nga ora 11:30, në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të organizohet ngjarja për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit në Kosovë, me moton “Volunteer Noë For Our Common Future”.
Ngjarja do të organizohet në bashkëpunim mes MKRS-së dhe Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
Në ngjarje do të marrin pjesë Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim.
Në kuadër të ngjarjes do të shpallen edhe vullnetarët e vitit./KultPlus.com