I mbrami peshkatar me ditën e bjerrun n’rrjeta Po kthehet. Unë eci duke prekur nëpër mur Pas zërit të heshtjes zvarem ngadalë përpjetë Hapin gur e kam. Edhe zemrën, gur.
Ja, tani kështjellës i kam hypë përmi Vonë është terr. Nata, disi lëmekur Merr frymë n’për vrimat që mezi shihen zi Dhe ankthëm m’kundrojnë si sytë e prindit t’vdekur.
Mejtuar si fëmija i shkruaj do emra n’rrasë E m’duket dashurisë sonë ia fala një grimë amshim Por gjerbë e rigës s’motit gurin do ta plasë T’parën pranverë duke tallë mashtrimin tim.
Prandaj me dorë, drithtueshëm, pak’ nga pak’ Faqen e shkëmbit fërkoj si vashën. Dua të fshi At marri t’vogël. Vesë? jo, por gjak I vokët kullon gishtat t’mij.
Harroj përse, e si, e nga kam ardhë. Harroj të flas, të lëviz. Harroj pa parë E ndër gërmadha bëhem një copë gërmadhë, Një gur mbi gur që gurit s’don të ndarë. /KultPlus.com
Dinko Kreho është pjesë e programit të rezidencave për autorë implementuar në bashkëpunim me dhe mbështetur nga Traduki. Përgjatë qëndrimit të tij një mujor në Prishtinë, Kreho ka punuar në përmbledhjen e tij me poezi „Dobri objekti“e cila pritet të botohet këtë vjeshtë.
Më 29 korrik, nga ora 18:00 në Project Space (Fondacioni 17) do të mbahet një bashkëbisedim ndërmjet përkthyesit Qerim Ondozi dhe shkrimtarit Dinko Kreho, ku do të diskutohet më shumë për punën e Dinkos si dhe do të lexohet edhe një pjesë nga libri i tij më i ri.
Dinko Kreho është shkrimtar si dhe me raste edhe gazetar, përkthyes e performues teatri. I lindur në Sarajevë më 1986, ai ka jetuar në Sarajevë, Bihaq, Zagreb, Paris dhe Rene. Ka mbaruar studimet për letërsi krahasuese në Universitetin e Sarajevës në vitin 2010. Tashmë jeton në Zagreb dhe është i angazhuar si shkrimtar. Kreho ka botuar tri përmbledhje me poezi, dy libra publicistikë, një përmbledhje me tregime të shkurtëra dhe një radio dramë të metrazhit të gjatë (kjo e fundit në bashkëautorsi me dramaturgun Dario Bevanda). Ai gjithashtu punon për së afërmi me kolektivin Qendra për Teatrin e të Shtypurve (POKAZ) në Zagreb, ku eksperimentojnë me shkrim kreativ në një ambient bashkëpunues. Përmbledhja e tij e katërt me poezi me titull Dobri objekti [Objektet e mira) do të botohet këtë vjeshtë.
„Objekte të mira“ merr titullin nga nocioni i ‘objekteve të përbrendësuara’ i zhvilluar nga psikoanaliztja Melanie Klein. Objekte të tilla, sipas Klein, janë përshtypje psikologjike dhe emocionale tonat dhe të të tjerëve, imazhe mentale të cilat i bartim në vete dhe drejt të cilave ndërtojmë raporte të caktuara.
Duke u nisur nga ky koncept, Dobri objekti synon të bëjë një hartëzim poetik të frikërave dhe anktheve tona bashkëkohore, por gjithashtu ndjenjave tona të shpresës dhe mallit. Si koncept, ndërtohet mbi teknikat surrealiste të shkrimit, në një përpjekje për të artikuluar përvojën e një bote tejet të rrjetëzu. Bashkëbisedim ndërmjet shkrimtarit Dinko Kreho dhe përkthyesit Qerim Ondozi. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta me bashkëpunëtorë.
Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën dhe për faktin që ka zgjedhur Kosovën për të përmbyllur mandatin e tij si president.
Ai e çmoi bashkëpunimin e deritashëm dhe kontributin e Presidentit Meta për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, kryeministri vuri theksin te rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë, te rëndësia e bashkëpunimit në fushën e energjisë, investimeve në bujqësi, e sidomos te rëndësia e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka kërkoi bashkëpunim të të dyja vendeve në këtë drejtim.
Kryeministri rikujtoi se vizita e Presidentit Meta koincidon me përvjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, ku u bë e qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar.
Presidenti Meta e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe theksoi se Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon, që është vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare.
Ai i vlerësoi përpjekjet e mëdha të kryeministrit Kurti dhe të Qeverisë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe ofroi mbështetje edhe më të fuqishme e të vazhdueshme edhe në kapacitete të tjera që do të ketë pas largimit nga detyra.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Presidenti Meta tha se duhet përkrahur vetëm nismat gjithëpërfshirëse, me trajtim të barabartë dhe lidership të qartë, sikurse Procesi i Berlinit.
Duke ritheksuar marrëdhëniet e mira bilaterale, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme dhe në atë rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike. /KultPlus.com
40 të rinj nga mosha dhjetë deri në 17 vjeç, nxënës të shkollës së Baletit në Tiranë kërcyen ne sheshin “Garibaldi në Parma” në një koncert dedikuar paqes dhe vëllazërisë nën moton: Kërcyen për të ardhmen tonë.
“Habi dhe magjepsje dje në “Piazza Garibaldi” për një ndalesë të rëndësishme të Festivalit Ndërkombëtar të Rinisë, me qendër në Seminarin e Berceto-s, konceptuar nga mësuesi i sportit Carlo Devoti i cili që nga viti 1988 ka promovuar takimin mes të rinjve nga të gjitha kulturat e botës ku përfshihen 40 kombe me qëllimin për të lehtësuar mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë në një atmosferë argëtimi dhe miqësie”, shkruan media lokale.
Një hap i rëndësishëm pjesëmarrja në këtë aktivitet për forcimin e bashkëpunimit ngushtë mes administratës lokale dhe komunitetit shqiptar, i cili mes Qytetit të Parmës dhe rrethinave numëron rreth 8 mijë shqiptarë.
“Një komb shumë i pasur në kulturë, folklor, disiplinë dhe përkushtim të treguar nga talentet në skenë: shkruan gazetarja italiane Mariachristina Maggi.
“Është nder të jem këtu me ju: sepse me angazhimin dhe artin tuaj përfaqësoni gjithçka që ju nevojitet për të krijuar një botë paqeje”, deklaroi me mirënjohje Daria Jacopozzi, në daljen e saj të parë publike si këshilltare (në mesin e shumë prokurave edhe Bashkëpunimi ndërkombëtar), duke theksuar se sa të rëndësishme janë arti dhe sporti për paqen.
Dhe midis valleve nën shenjën e integrimit, flamuri shqiptar kapërceu sheshin; mes të pranishmëve të shumtë ishte edhe kryebashkiaku i ri Michele Guerra i cili kujtoi vlerën e dialogut mes vendeve dhe pjesëmarrjen e të rinjve
Më pas Devoti kujtoi rëndësinë e transferimit të vlerave të sportit edhe në jetën e përditshme. Fëmijët e komunitetit shqiptar ishin të shoqërua në këtë aktivitet nga Drejtoresha e Shkollës së BALETOT NË Tiranë Blerina Arbana dhe përfaqësuesja e shoqatave të komunitetit lokal shqiptar Elvira Lashi. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Nxehtësia, pluhuri dhe tymi nga zjarret franceze ia kanë dëmtuar kordat vokale, frontmentit të grupit “Pearl Jam”, Eddie Vedder me ç’rast është anuluar edhe koncerti në Vjenë, përcjell KultPlus.
Vedder ka pësuar dëmtime në fytin e tij dhe ia atribuon atë kushteve ekstreme të motit në Francë këtë javë.
Pearl Jam performoi në festivalin Lollapalooza Paris të dielën, ku temperaturat arritën një maksimum prej mesditës prej 36 gradë Celsius.
Ata anuluan një koncert në Vjenë të mërkurën, duke deklaruar: “Për shkak të rrethanave ekstreme në vendin e fundit në natyrë, jashtë Parisit (nxehtësia, pluhuri dhe tymi nga zjarret) fyti i këngëtarit tonë Ed Vedder u la i dëmtuar. Ai ka vizituar mjekët dhe ka pasur trajtim, por deri më tani, kordat e tij vokale nuk janë rikuperuar. Ky është një lajm brutal dhe një kohë e tmerrshme… për të gjithë të përfshirë.”
Ata shtuan se u vjen shumë keq dhe se fansave do të ofrohen rimbursime.
Zjarret në pyje shpërthyen në rajonin jugperëndimor Gironde të Francës javën e kaluar. Gati 40 mijë njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, me mbi 20 mijë hektarë tokë të djegur.
Data e ardhshme e planifikuar e Pearl Jam është në Pragë, në një turne të përshkruar si “një vizion i ri i ndjeshëm, subversiv për rock klasik”. /KultPlus.com
Organizata jo-qeveritare PEN (Peer Educators Network) është duke realizuar kampanjën #CleanWaterCrisis (#KrizaPërUjëTëPastër). Kjo kampanjë ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për pasojat e ujit të ndotur në ekosistem. Javën që shkoi janë marrë nga dy mostra të ujit në katër lumenjtë e Kosovës: Sitnicë, Llap, Lepenc, dhe në lumin Drenica.
Më detajisht, janë marrë shtatë mostra të ujit në katër lumenj të Kosovës:
Sitnicë – 1 mostër;
Llap – 2 mostra;
Lepenc – 2 mostra;
Drenica – 2 mostra.
Këto mostra janë marrë në këtë formë në mënyrë që të bëjmë krahasimin e rezultateve të nivelit të ndotjes përgjatë shtrirjes së lumit.
Mostrat e marra në teren janë realizuar në bashkëpunim me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës. Më pas, ekspertët e fushës kanë analizuar më thellësisht përbërjet fizike dhe kimike të ujit. Të dhënat e gjeneruara nga analiza e mostrave do të publikohen gjatë kësaj jave në rrjetet sociale të PEN.
Këto janë rezultatet laboratorike të cilësisë së ujit të lumit Drenica, të nxjerra në kuadër të kampanjës #CleanËaterCrisis. Në bazë të direktivës Evropiane për ujëra sipërfaqësore, lumi Drenica i takon statusit të moderuar (i ndotur). Përderisa në burim të lumit cilësia e ujit është e statusit të mirë, kjo cilësi bie drastikisht përgjatë shtratit të lumit – duke u ndotur kryesisht nga ujërat e zeza.
Poashtu, ju sjellim edhe rezultatet laboratorike të cilësisë së ujit të lumit Sitnica. Në bazë të direktivës Evropiane për ujëra sipërfaqësorë, lumi Sitnica i takon statusit të moderuar (i ndotur). Në këtë lum është marrë vetëm një mostër duke marrë parasysh që ky lum nuk ka burim por është formuar nga rrjedha të lumenjve tjerë.
Në tabelë vëreni parametrat kimikë dhe fizikë. Vlerat me ngjyrë portokalli🟠 dhe të kuqe🔴 tregojnë për vlerat e larta të ndotjes tek parametrat e ndryshëm – e kuqja tregon ndotje më të lartë. Këto të dhëna janë përpunuar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Kjo kampanjë zhvillohet në kuadër të projektit #HumanRightivism, ku donator është Qeveria Suedeze, si dhe projekti menaxhohet nga CDF. / KultPlus.com
Një mbrëmje mbresëlënëse e mbushur plot me melodi shqipe rezultoi nga koncerti i Adhurim Grezdës dhe bendit “Don’t listen to your neighbors”, të cilët mbrëmë promovuan albumin e tyre të emërtuar “Udhëtim në kohë”, pikërisht në natën e parë të hapjes së edicionit të dytë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”. Një udhëtim në kohë nëpër këngë të vjetra shqiptare që vinë të aranzhuar në një stil perfekt, e përjetuan të gjithë të pranishmit që u pushtuan ëmbëlsisht me prekjen madhështore të secilit tingull, shkruan KultPlus.
Edicioni i dytë i këtij festivali nisi mbrëmë me një stil mjaft unik të elementeve të xhazit të përcjellura përmes aranzhimeve të sofistikuara. Ky koncert dukshëm pati pranë një numër të madh të artdashësve të cilët me padurim prisnin daljen në skenë të artistëve që do të performonin në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Me një ndriçim të ngrohtë në dy qoshet e skenës si dhe ato në distancë përbri skenës, reflektorët e kaltër të vendosura përreth sallës si dhe dritat në prapaskenë që ndërronin sa herë që publiku bëhej pjesë e koncertit, ishin ato që vinin në pah akoma më shumë interpretimin e veçantë të instrumentistëve në skenë. Me një logo të dizajnit në prapavijë dhe dritën natyrale që bie pingul në mes të hapësirës, të pranishmit mbushën sallën qosh më qosh, teksa disa nga ta edhe qëndruan në këmbë nga fillimi e deri në fund.
Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se ndjehet mjaft e nderuar që salla ishte e mbushur plot.
“Jemi vërtetë të nderuar që sot po e nisim edicionin e dytë të ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’. Sa mirë të shohësh këtë sallë kaq të mbushur me të rinj, me artistë, me diplomatë dhe të gjithë ata që përfaqësojnë të gjitha kategoritë dhe që mbi të gjitha, vlerësojnë artin, e për këtë ju jemi shumë mirënjohës. Edicionin e dytë e nisim sot me një mbrëmje specifike dedikuar dhe kushtuar muzikës shqipe, një gjerdan shumë i vlefshëm për kulturën, artin dhe traditën tonë”, thotë Aliaj.
Për të pranishmit të cilët janë adhurues të muzikës unike të bendit “Don’t listen to your neighbors”, në hyrje të hapësirës ishin të vendosura rishtazi edhe një numër i madh i CD-ve, brenda të cilave gjendej edhe albumi më i ri i tyre. Ndërkaq, para se koncerti të gjente nisjen e tij, skena ishte ajo që ishte e mbushur plot në secilin cep. Instrumentet diversive pas pak do të gjallëroheshin nga një formacion i zgjeruar, pak më ndryshe sesa treshja tashmë e njohur e këtij bendi. Njëri pas tjetrit, dalja e tyre në skenë u shoqërua me një duartrokitje të paparë nga ana e publikut.
Gjithsej trembëdhjetë këngë pushtuan atmosferën që nga fillimi e gjerë në mbarim. Fiks në orën 20:15 u lëshua tingulli i parë dhe zëri i mrekullueshëm i baritonit Adhurim Grezda nuk u ndal për asnjë çast. Me një veshje elegante, secila notë muzikore i shkrihej natyrshëm zërit të tij të butë dhe njëkohësisht të fuqishëm, që në ndërlidhje me audion aq të pastër të instrumenteve, ky koncert dëshmoi për një çiltërsi të jashtëzakonshme autentike.
Kënga arbëreshe “Ishte një ditë e muajit t’majit”, “Valle arbëreshe”, kënga qytetare përmetare “A kanë uj’ ato burime”, poezia “Kroi i fshatit tonë”, kënga popullore e Shqipërisë së mesme “Jam bandill, trim i fortë”, kënga popullore korçare “25 gërsheta”, kënga popullore elbasanase “Malenake”, “Hala s’të ra ndërmend”, kënga qytetare shkodrane “Tash sa ditë e mot”, këngë qytetare beratase “Asaman, trëndafili i çelës”, kënga popullore durrsake “E vika Deti”, “Valle e Shqipërisë së mesme” si dhe “Mallëngjimi”, jehuan edhe përtej mureve të çdo shpirti të pranishëm. Kjo më së miri dallohej edhe atëherë kur secili person arriti që të krijojë ritme herë pas here në publik të cilat krijonin një gërshetim të mrekullueshëm mes artistëve dhe artdashësve.
Ndërkohë, anëtarët e tjerë që janë pjesë e këtij albumi si: Dalvin Mamusha në violinë, Endrit Xërxa në kitarë, Visar Kuçi në bas kitarë dhe mandolinë, Ervis Çaushi në fizarmonikë, Fatjon Miftari në piano, Ardian Bakalli në daulle si dhe Tanju Sulejman në perkusion, kanë sjellë copëza magjie përbrenda secilës këngë. Çdo herë ndryshe në stilin e tyre, ata arritën që këtë mbrëmje ta ndezin flakë e publikun ta bëjnë për vete lehtazi. Njëlloj si emërtimi i albumit, “Udhëtim në kohë”, ky koncert ishte me të vërtetë i tillë. Këngët e vjetra shqiptare dhe popullore janë ringjallur për të lënë gjurmë të dukshme moderne.
Edhe pse teksti këndohej pothuajse nga gjithsecili i pranishëm, ishte vija melodike ajo që kishte ndërruar formë dhe kjo veçse është mirëpritur nga audienca që me duartrokitje të shumta ka mirëpritur secilën këngë. Me buzëqeshje në fytyrat e secilit dhe lëvizjet e tyre në vend, ritmi i tyre trupor ishte i të njëjtit nivel me atë në skenë. Këngë pas kënge, duartrokitje pas duartrokitje e instrument pas instrumenti, kjo mbrëmje dëshmoi për një nevojë të pashtershme që ka skena kulturore në Kosovë.
Është vetëm edicioni i dytë i këtij festivali, por tashmë netët e radhës po priten me padurim që të vinë sa më shpejt në kryeqytet. Krejt kjo dëshirë e dalluar erdhi nga kjo mbrëmje që dëshmoi për kapacitetin e lartë të profesionistëve shqiptarë të cilët me muzikën e tyre krijuan një mbrëmje magjike.
Baritoni Adhurim Grezda për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.
“Ideja e albumit ka ardhur gjatë periudhës pandemike dhe atëherë kohën e gjallëruam shpirtërisht me muzikë dhe njëkohësisht arritëm të përzgjedhim trembëdhjetë këngë për këtë album. Kryesisht këngët që i zgjedh janë këngë që i përshtaten vokalit tim dhe janë këngë që të gjithë i njohin. Shumica nga këngët janë nga Berati, Shkodra, Durrësi, Korça, një është valle arbëreshe dhe normalisht kënga ‘Mallëngjimi’ nga Muharrem Qena”, thotë ai.
Sipas tij, emërtimi i albumit “Udhëtim në kohë” ka ardhur nga ideja se nëpërmjet muzikës së dikurshme të vjen muzika bashkëkohore.
“’Asaman, trëndafili i çelës’ është një këngë që e kam dëgjuar qysh fëmijë dhe kam nostalgji sa herë e dëgjoj andaj dhe këtyre këngëve i ka ardhur momenti që t’i punojmë në mënyrë profesionale”, thotë Grezda.
Po ashtu, kitaristi Endrit Xërxa tregoi pak për procesin e krijimit të një albumi si dhe përshtypjeve të tij për këtë mbrëmje.
“Normalisht ka qenë një emocion i madh për të qenë në skenë duke marrë parasysh që nuk jemi marrë vetëm me aranzhimin e këngëve por jemi marrë edhe me incizimin e tyre, dizajnimin e kopertinës, me ftesën për instrumentistë të tjerë ngase nuk kemi qenë vetëm ne si trio dhe pas krejt kësaj pune është shpërblyer mundi jonë. Në secilën këngë, ne kemi ndërhyrë me aranzhimet tona më moderne, por ka edhe këngë që ne ia kemi ndërruar komplet formën vetëm teksti ka mbetur siç ka qenë, p.sh poezinë “Kroi i fshatit tonë” e kemi shndërruar në këngë dhe llogaritet si me qenë një këngë e re”, thotë ai.
Gjithashtu, violinisti Dalvin Mamushaj e vlerësoi kohën pandemike si një kohë që ka rezultuar mirë për diçka, e në këtë rast, në krijimin e albumit të tyre.
“Ishte një kënaqësi me të vërtetë e veçantë që sonte ishim pjesë e festivalit të Ramë Lahajt dhe patëm rastin të prezantojmë punën tonë dy vjeçare. Ka qenë një periudhë e vështirë në fillim pasi që patëm edhe pandeminë por në këtë rast ka pasur edhe të mirat e veta ngaqë kemi pasur mundësinë të sjellim punën tonë. Në këtë rast kemi ardhur me një formacion më të zgjeruar dhe ka qenë një ndjenjë tjetër për neve e po ashtu edhe për publikun sepse kanë mundur të dëgjojnë shumëllojshmërinë e ngjyrave”, shpalos Mamushaj.
“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 4 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 24 korrik nën emërtimin “Opera Night” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.
Komuna e Ferizajit ka njoftuar se këshilli Drejtues i Teatrit “Adriana” në Ferizaj, nga sot ka përbërje të re, shkruan KultPlus.
Përbërja e re erdhi si rezultat i mandatit 4-vjeçar të këtij mekanizmi, të paraparë me Ligjin për Teatro si dhe Statutin e Teatrit “Adriana” në Ferizaj.
Anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Teatrit “Adriana” të caktuar me vendimin nr. 183/22 të Kryetarit të Komunës, Agim Aliu janë: Nexhat Xhokli, Mevlan Saraçi, Leonora Hasani, Albion Sherifi – Përfaqësues nga Komuna dhe Uratë Shabani.
“Këshilli Drejtues i Teatrit “Adriana” në mandatin që la pas, arriti të krijoj infrastrukturën e nevojshme ligjore për funksionimin e Teatrit “Adriana”, si miratimin e Statutit të Teatrit “Adriana”, rregulloren e brendshme të punës, repertorin e rregullt të shfaqjeve teatrore, miratimin e projekteve artistike e politikave afatgjata teatrore, rezultate këto dhe të tjera që bëjnë Teatrin “Adriana”, një nga institucionet kulturore më aktivet në vend si dhe padyshim lidere në skenën teatrore vendore”, thuhet në postimin e Komunës së Ferizajit. /KultPlus.com
Gjithmonë ju kemi informuar dhe vazhdimisht lexojmë mbi qytetet më të bukura në botë, të cilat duhet t’i vizitoni të paktën një herë në jetë. Por ndryshe nga herët e tjera kësaj here sugjerimet tona drejtohen nga Shqipëria jonë e bukur, e më saktë Berati.
Agjencia japoneze për turizmin “JATA” ka publikuar se fundmi listën e qyteteve më të bukur në botë ku është edhe qyteti i Beratit në vend të dytë, dhe thuhet se është futur në këtë klasifikim për vlerat arkitekturore e kulturore që posedon.
Duke bërë një përshkrim të Beratit, agjencia japoneze JATA shkruan: “Mangalemi, qyteti i vjetër i Beratit, shtrihet në brigjet e Osumit dhe është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Në periudhën e mesjetës ishte qytet kufitar i Perandorisë Bizantine, fakt që e dëshmon edhe kalaja e qytetit”. Shtëpitë e ndërtuara njëra mbi tjetrën, që asnjë piktor s’do t’i vendoste dot aq bukur, i kanë dhënë emrin Beratit: “Qytet i një mbi një dritareve”.
Rrugicat e shtruara me kalldrëm, ku mjeshtrit beratas punimin e gurit ua kanë lënë trashëgim brezave më të rinj. Muret e shtëpive janë të ndërtuara me gurë të skalitur dhe shkëlqejnë nga bardhësia e gëlqeres.
Ajri i pastër i pishave përreth, gjelbërimi i tyre i përhershëm, kodrat e veshura me fiq e ullinj, xhamitë e bukura dhe të lashta në qendër të qytetit, ku ndër më të njohurat janë, Xhamia Mbret (1512), Xhamia e Plumbit (1555), Xhamia e Beqareve (1827), si dhe Xhamia e Celebi Hysen Pashes (nipi i Kara Mahmud Pasha) në lagjen Murat Celepias, janë dëshmia që qytetarët beratas si gjithë qytetarët e tjerë të Shqipërisë jetojnë në harmoni me njeri-tjetrin pa dallim feje.” / atsh / KultPlus.com
BBC raportoi se ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, kishte mbërritur në Stamboll për të rënë dakord për marrëveshjen e grurit.
Tani, delegacioni nga Ukraina ka mbërritur në Stamboll, thotë ministria e infrastrukturës e Ukrainës.
Kievi dhe Moska pritet të nënshkruajnë më vonë marrëveshje që do të lejojnë rifillimin e eksporteve të grurit nga Deti i Zi, i cili është bllokuar kryesisht që nga pushtimi rus.
Bllokada detare e Rusisë ka ndërprerë efektivisht portet kryesore të Ukrainës, duke e detyruar vendin të mbështetet në portet më të vogla për të nxjerrë mallrat jashtë, thonë analistët detarë, transmeton KultPlus.
Ukraina është mbështetur në portet e saj të Danubit për të ndihmuar në mbajtjen e rrjedhës së tregtisë. Portet kanë rritur kapacitetin në nivele rekord, duke çuar në bllokime të rënda jashtë Kanalit të Sulinës.
Megjithatë, nuk është e mjaftueshme për të kompensuar mungesën e grurit në vend, thotë reporterja e të dhënave Bridget Diakun. “Rihapja e porteve si Odesa do të ishte mënyra më efektive për të rritur eksportet e grurit dhe ka potencialin për të lehtësuar presionin mbi portet e Danubit”, thotë ajo.
“Delegacioni i vendit i kryesuar nga Ministri i Infrastrukturës së Ukrainës, Oleksandr Kubrakov, mbërriti në Stamboll për negociata mbi zgjidhjen e çështjes së grurit”, tha ministria në Telegram.
Ai shton se delegatët takuan gjithashtu shefin e OKB-së Antonio Guterres. /KultPlus.com
Ekspozita “On reading” e fotografit me famë botërore Steve McCurry e hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri do të mund të vizitohet deri më 31 korrik.
“Kjo ekspozitë sjell për herë të parë në Shqipëri, shkrepjet më shprehëse të fotografit me famë botërore Steve McCurry dhe këto janë ditët e fundit kur mund të shohim, ndjejmë magjinë dhe kolorin e fotove të tij”, thotë pedagogu I fotografisë Albes Fusha.
Në hyrjen e albumit “On reading” fotografi Steve McCurry përmend faktin që inspirimi i erdhi nga vepra e fotografit të madh hungarez André Kertész duke pohuar që disa nga fotot më intriguese të mjeshtrit hungarez ishin pikërisht imazhet e njerëzve që lexonin.
Nga një punë kolosale anembanë botës McCurry arriti që për gjatë 40 viteve të fundit, t’i japë jetë një koleksioni imazhesh, që tregojnë njerëz të zhytur në magjinë e leximit.
Kjo ekspozitë ka ardhur në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, që së bashku me sponsorë të tjerë, mbështetën ardhjen e saj në Shqipëri, në kuadër të Tirana European Youth Capital./ atsh / KultPlus.com
Komunitetet përbëjnë një nga pjesët më integrale të shoqërisë dhe romët kanë vazhduar ta bëjnë këtë për shekuj me radhë në Evropë. Edhe pse ka pasur përpjekje të vazhdueshme, si në nivel vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar, për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore dhe veçanërisht avancimin e grave rome në shoqëri, ato vazhdojnë të përballen me paragjykime, intolerancë dhe diskriminim të vazhdueshëm nga shoqëria në përgjithësi. Ndërkohë kushtet e banimit dhe shëndetit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të kufizuara. Barra e tyre është shtuar me kalimin e viteve dhe përkundër diskriminimit dhe vështirësive me të cilat ballafaqohen në jetë, ata ende kanë arritur të bëjnë gjëra të mëdha, siç është hyrja në histori të Bienales “Manifesta”, shkruan KultPlus.
Artistja Fahrija Mehmeti, ka arritur që për herë të parë të paraqes kulturën rome në një ekspozitë në Manifesta “14” në Prishtinë. Duke filluar nga Rotterdami i Holandës në vitin 1996 (edicioni i parë), e deri te Franca para dy viteve, Manifesta ndër vite nuk e ka pasur asnjëherë të përfshirë në planin e saj kulturën rome, e për herë të parë një gjë e tillë ndodhi pikërisht në kryeqytetin më të ri në kontinentin e vjetër, në Prishtinë.
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Daniel Baker dhe Farija Mehmeti kanë shkruar histori, duke u bërë njerëzit e parë që paraqesin një kulturë rome në “Manifesta”.
E përbërë nga 150 libra artistike dhe kulturore mbi trashëgiminë letrare bashkëkohore rome, rritja e koleksionit të bibliotekës e pasqyron këtë trashëgimi të pasur rome, ndërkohë merr në pyetje kritike dhunën dhe shtypjen ndaj romëve në Evropë.
Qëndrimi i kësaj biblioteke, RomaMoMa, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shoqërohet nga Farije Mehmeti, e cila është munduar që përmes porterteve shumëngjyrëshe të përfshijë gratë rome me veshjet e stilit të tyre, me shamia me ngjyra dhe disa prej tyre që bartin edhe stoli të çmuara në qafë. Të gjitha këto gra janë të krijuara nga imagjinata e artistes dhe qëndrimi i tyre tregon një vendosshmëri të thellë në brendësi, duke dëshmuar se janë të afta për të bërë gjithçka.
Kultura rome shkruan histori në Manifesta
Avni Mustafa nga organizata ERIAC ka bërë hapjen e këtij eventi, duke prezantuar në pikë të shkurtëra për çfarë ishin mbledhur gjithë të pranishmit aty.
“Unë jam këtu për të prezantuar të gjithë folësit në këtë event dhe gjithashtu është një kënaqësi e madhe që e kemi këtu edhe ambasadrorin gjerman, Jan-Axel Voss, i cili do t’iu urojë mirëseardhjen gjithë juve këtu”, tha Mustafa.
“Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e këtij prezantimi të Bibliotekës RomaMoMA këtu në Prishtinë, me Farija Mehmetin dhe Daniel Baker, përpara hapjes zyrtare të Manifesta 14 në Prishtinë nesër. Ky event i “Manifestës” është i veçantë, pasi ka një sërë lidhjesh me Gjermaninë, duke përfshirë kuratorin që jeton në Berlin dhe artistë nga Berlini të përfshirë fuqishëm në disa nga ngjarjet këtu. Ngjarja jonë këtu ka gjithashtu një lidhje gjermane sepse një nga dy zyrat e ERIAC është edhe në Berlin. Me përpjekjet e ERIAC, kultura rome, për herë të parë në historinë e Manifestit, do të marrë pjesë në mënyrë eksplicite me ekspozitën e saj.
Sipas tij, ky hap është i mirëpritur: kultura rome është pjesë integrale e kulturës evropiane, e kulturës së Ballkanit Perëndimor dhe e kulturës së Kosovës.
“Sot do të mund të shohim, po ashtu për herë të parë në Kosovë, Bibliotekën RomaMoMA, këtu në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ai përmban libra në anglisht, me fokus historinë e artit rom dhe historinë kulturore rome.Mezi pres të shoh edhe punën e artistes kosovare, Farija Mehmeti. Veprat e saj shumëngjyrëshe të artit po na ofrojnë një qasje të fortë vizuale në jetën e grave rome në Kosovë, diçka që ne si qytet rrallë e shohim dhe vlerësojmë”, tha ambasadori gjerman, duke falënderuar institutin ERIAC gjithë të pranishmit dhe duke i uruar atyre shikim e qëndrim të këndshëm.
Fjalimet emocionale, të veçanta për Gazmen Salijevic
Pas tij e mori fjalën Zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, Gazmen Salijevic, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit aty dhe tregoi mënyrën se si përgatitet për fjalime emocionale.
“Zakonisht ekipi im më përgatit një fjalim përpara një ngjarjeje, por kësaj radhe unë i thash atyre që mos ta bëjnë një gjë të tillë pasi është një ditë historike për kulturën rome. Për mua, si një rom dhe pjesë e Kosovës, e mbështeti këtë hap të madh të promovimit dhe mbrojtjes së kulturës rome. Unë pres që të vazdhojmë këtë promovim dhe të japim kontributin tonë për aktivitetet e ardhshme. Kjo ngjarje do të jetë vetëm një hap i yni për hapat e tjerë që do t’i bëjmë në të ardhmen”, u shpreh ai mes tjerash.
100 ditë Manifesta, 100 ditë mundësi e njohjes me njëri-tjetrin
Edhe Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani, pati disa fjalë për këtë ngjarje të madhe, për të cilën Avni Mustafa përktheu.
“Ndihem i privilegjuar dhe i lumtur që e shoh organizimin e këtij eventi në Kosovë. Ky është një event unik ku mund të shihni piktura të ndryshme të artistëve të ndryshëm. Çdo kornizë në këtë event po tregon një histori të Farijes. Shpresojmë që të mësojmë nga njëri tjetri në këto 100 ditë të Manifestës”, u shpreh Elshani.
Platformë bashkëpunimi ndër-rajonal, nga Sarajeva në Sofje dhe Podgorica në Shkup
Në vrazhdën e disa fjalimeve, edhe Emilia van Lynden nga zyra e Marketingut, Komunikimit dhe Publikimeve të Manifesta 14, tha se Biblioteka RomaMoMA është një projekt i jashtëzakonshëm, derisa falënderoi disa partnerë që e bënë të mundur realizimin e kësaj.
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, një nga ndërtesat më të veçanta dhe depot më të rëndësishme të librave në Ballkan, Manifesta 14 prezanton me krenari Bibliotekën RomaMoMA, si pjesë e Projektit Manifesta 14 Prishtinë – Ballkani Perëndimor. Projekti i Ballkanit Perëndimor është iniciuar nga Manifesta e Fondacionit Ndërkombëtar me 11 partnerë në të gjithë rajonin e Ballkanit. Si pjesë integrale e Manifesta 14, Projekti i Ballkanit Perëndimor synon të zgjerojë shtrirjen e kohëzgjatjes së Bienales Evropiane Nomade duke zhvilluar një platformë bashkëpunimi ndër-rajonal, nga Sarajeva në Sofje dhe Podgorica në Shkup.
Sipas saj, si një bibliotekë dinamike dhe nomade, e përfshirë me kontekste lokale kudo që udhëton, Biblioteka RomaMoMA është një projekt i jashtëzakonshëm për Maniestën, Bienalen Evropiane Nomade. I përbërë nga rreth 150 libra mbi trashëgiminë letrare, artistike dhe kulturore bashkëkohore rome, koleksioni në rritje i bibliotekës tregon trashëgiminë e pasur rome, ndërsa merr në pyetje në mënyrë kritike dhunën dhe shtypjen ndaj romëve në Evropë, RomaMoMA është një projekt arti bashkëkohor që nis një forum për reflektim bashkëpunues mbi një Muze të ardhshëm të artit rom bashkëkohor.
“Dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian dhe Ambasadën Gjermane për mbështetjen e tyre për Libarinë RomaMoMA. Shumë faleminderit për artistët dhe ekspertët romë që e kanë bërë këtë të ndodhë. Kjo është shtëpia e artit dhe artistëve romë”, përfundon fjalimin e saj van Lynden, duke thënë se kjo është shtëpia e artit dhe artistëve romë.
Këmbëngulja e familjes, shkas për sukses të madh
Në anën tjetër, artistja Farija Mehmeti në hapjen e fjalimit të saj pati një falënderim të veçantë për familjen e saj, veçanarisht vëllaun që e ka mbështetur që nga fillimi i rrugëtimit të saj.
“Unë jam Fahrije Mehmeti, jam një rome nga Kosova dhe artiste nga familja Mehmeti. Unë kam filluar që të vizatojë në 2001-tën dhe jam inspiruar nga vëllau im, Bajrami, dhe ai është gjithashtu një artist i madh sa jam unë. Unë dua që të promovojë sa më shumë kulturën dhe historinë rome të Kosovës. Jam falënderuese ndaj Zotit për këtë talent që më ka dhënë. Vizatimet e mia përfshijnë gratë rome. Me talentin tim unë dua që të kujtoj historinë dhe kostumet e bukura që janë të veshura nga gratë rome në kohët e kaluara. Me vizatimet e mia gjithashtu dua që të ngrisë vetëdijën për të drejtat e grave dhe t’i promovojë ato. Dua gjithashtu që të shpreh edhe vështirësitë që përballen gratë rome në Kosovë, të gjejnë një punë, problemet me shkollim etj. Gratë rome janë shumë të forta dhe janë sot këtu me ne, e kjo është mënyra se si ato duhet të jenë, të kenë mbështetje nga shoqëria”, përfundoi Mehmeti, duke vazhduar që të falënderojë edhe një herë të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e kësaj ekspozite.
Pas gjithë fjalimeve dhe shikimit nga afër të portreteve dhe librarisë RomaMoMA, ishte edhe një “befasi” e përgatitur për fund, ku grupi Gipsy Groove, në përbërje prej: Arsim Baftiu – bass, Grant Pacarada – drums, Faruk Banjska – guitar, Ivan Ivanov – sax, Igor Ivanov – klarinet, Kafu – vocal, patën një performancë në hyrjen e Bibiliotekës Kombëtare të Kosovës. /KultPlus.com
Një homazh për regjisoren “e fëmijëve”, Xhanfize Keko dhe skenaristin e shkrimtarin Kiço Blushi, ka bërë sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke sjellë në vëmendje filmin “Beni ecën vetë”.
Filmi, prodhim i vitit 1975, është “një nga filmat që kanë shenjuar fëmijërinë tonë”, shkruan Margariti.
Përveç emrave të Xhanfize Kekos e Kiço Blushit, një tjetër figurë e rëndësishme që ka lënë gjurmën e tij tek “Beni”, është kompozitori i filmit, Limos Dizdari, i cili shkroi një muzikë që është ngulitur në kujtesën e kujtdo që e ka parë filmin.
Në rolet kryesore interpretojnë Herion Mustafaraj (Beni), Pandi Raidhi (Xha Thomai), Dhorkë Orgocka (Teta Ollga), Yllka Mujo (nëna e Benit) etj.
Filmi rrëfen për një fëmijë qyteti, të rritur me kujdesin e tepruar të prindërve, të cilët hezitojnë ta lënë të lirë, të eksplorojë jashtë mureve të shtëpisë. Vizita në fshat, tek xhaxha Thomai, e përball me jetën në fshat, e bën të kapërcejë frikën e të jetë më i lidhur me bashkëmoshatarët./ atsh /KultPlus.com
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është shpallur person non grata edhe nga Britania e Madhe.
Berisha ka njoftuar se lajmi i ka ardhur nga autoritetet britanike të cilat kanë marrë vendim për moslejimin e hyrjes së tij në Mbretërinë e Bashkuar për disa arsye.
Sipas asaj që iu tha Berisha gazetarëve në Shqipëri, Britania ka thënë se ai ka lidhje me grupe të krimit të organizuar, se paraqet rrezik për sigurinë në Shqipëri dhe Britani e për korrupsion.
“Një, se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, dhe dy, për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur, kundër tij kanë dalë prova inkriminuese”, ka lexuar Berisha nga fleta që iu është dorëzuar.
Berisha ka thënë se vendimi është shpifje për interesa “të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e sekretarit Blinken, të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros”.
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë një vit më parë u shpall non grata edhe nga SHBA-ja. / TCH / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga Kepi i Rodonit.
“Kepi i Rodonit një bukuri tërheqëse që ofron plazhe me rërë të bardhë dhe vende historike që kombinohen perfekt”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kepi i Rodonit është monument natyre. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug.
Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin.
Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse: të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.
Bregu i Rodonit për turistët që e zgjedhin si destinacion, ofron aventurën, hiking, kanoe…etj.
Për të apasionuarit e historisë është kalaja. Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452.
Po ashtu për turizmin fetar, në Kepin e Rodonit janë katër manastire katolike, ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout. /ATSH / KultPlus.com
Aktorja e Elvisit, Shonka Dukureh, është gjetur e vdekur në shtëpi.
Shonka Dukureh, e cila luajti Big Mama Thornton në filmin e këtij viti për Elvis Presley, është gjetur e vdekur në një dhomë gjumi në shtëpinë e saj në Nashville, tha policia.
Policia tha se nuk kishte shenja të dhunës pasi ajo u gjet nga një prej fëmijëve të saj. Rezultatet pas vdekjes janë në pritje nga eksperti mjekësor.
Dukureh, një këngëtare 44-vjeçare e Nashville, ndau apartamentin me dy fëmijët e saj të vegjël, tha policia.
Njëri prej fëmijëve e gjeti atë të pavetëdijshme dhe shkoi në banesën e një fqinji, i cili thirri shërbimet e urgjencës.
Dukureh portretizoi këngëtaren Big Mama Thornton në filmin biografik të Elvis Presleyt, i cili u lëshua në mbarë botën në qershor.
Performanca e Dukureh në këngën Hound Dog, të cilën Thornton e regjistroi në vitin 1952, katër vjet para Presleyt, u bë virale në internet pas publikimit të filmit. / The Irish News / KultPlus.com
Dhimitër Shuteriqi është një nga prozatorët, poetët dhe studiuesit më produktiv të letërsisë shqipe. Lindi në Elbasan më 1915 dhe ka vdekur më 22 korrik të vitit 2003.
Shuteriqi lindi dhe vdiq ditën e hënë. Jetoi në tri periudha: mbretërinë, socializmin dhe demokracinë. Ai mbi të gjitha i ka dhënë letërsisë kombëtare duke shkruar dhe historinë e saj. Por, edhe më mbresëlënëse janë momentet e fundit të jetës së vetë.
Bashkëshortja e tij, Myneveri, tregon se në një moment kur po i rrinin tek koka e gjithë familja, ai u shpreh se “ç’bukuri ish, që aty ishin të gjithë”. Por, edhe më kuptimplotë se kjo, ishte ajo që tha shumë më gjerë dhe me brengë. “Ti, Mynever, e di si e kam shkruar historinë e letërsisë, me një brengë për tërë jetën”, një fjali që nënkupton se shumë poetë dhe shkrimtarë që nuk iu lejuan t’i përmendte në atë libër, do të mbetet një brengë që do ta merrte me vete në varr.
Por, në të njëjtën kohë edhe një thirrje për letrarët shkrimtarët e historianët për të shkruar një vepër të plotë dhe të saktë të letërsisë.
Për të gjitha këto, Dhimitër Shuteriqi punoi tërë jetën. Por, nuk arriti që të plotësonte atë që mbante thellë në vete. Megjithatë, ato fjalë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë mbeten si një këshillë e thënë me zë të ulët në vesh. / KultPlus.com
Lumi i Rinit, një nga lumenjtë kryesorë evropianë dhe një nga rrugët ujore më të mëdha dhe më të përdorura në Bashkimin Evropian, është në nivelet më të ulëta të ujit, siç raporton “Bloomberg”.
Mungesa e ujit ka filluar të shkaktojë probleme në furnizimin me naftë në Zvicër dhe të termocentraleve gjermane. Niveli i ujit në një nga pikat kyçe të lumit për transportin e lëndëve të para dhe furnizimeve, siç është Kaub, ishte rreth 71 centimetra, niveli më i ulët në verë që nga viti 2007.
Autoritetet kanë paralajmëruar pasojat e një rënie të re të rrjedhës së Rinit. Sipas përfaqësuesit të Institutit Federal Gjerman të Hidrologjisë, Joerg Belz, nëse niveli i ujit bie edhe 37 centimetra të tjera, nuk do të jetë më e leverdisshme për anijet për të transportuar produkte nga lumi. Një situatë që do të rrezikonte transportin e miliona produkteve dhe lëndëve të para nga vende si Zvicra në Detin e Veriut, ku derdhet lumi.
Pas Danubit, Rini është lumi i dytë më i gjatë në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, me një gjatësi prej rreth 1230 kilometrash dhe një shkarkim mesatar prej rreth 2900 metra kub ujë.
“Niveli i ulët i ujit në Rin do të thotë që anijet nuk mund të ngarkojnë qymyr me kapacitet të plotë”, shpjegoi për “Bloomberg” Guillaume Perret, nga firma konsulente Perret Associates. Rini është një nga rrugët lumore më të rëndësishme në të gjithë Evropën, pasi përveç transportit të furnizimit me energji, përdoret për transportin e mallrave nga portet e Amsterdamit, Roterdamit dhe Antwerpenit në pika të ndryshme në brendësi të Evropës. Për Gjermaninë, për shembull, është jetike që rrjedha e lumit të mbetet në nivele mesatare, pasi kjo do t’i lejonte asaj të garantonte furnizimin me material energjetik, në një periudhë në të cilën Evropa duhet të kërkojë një alternativë ndaj gazit rus./A2CNN / KultPlus.com
Hardh Fest 2022 i dedikohet poetit të madh Xhevdet Bajraj i cili vdiq më 22 qershor të këtij viti.
Inspiruar nga vargjet e poezisë “Ca kokrra rrushi te Rahovecit”, është edhe slogani i edicionit të sivjetshëm, i cili mbahet me 2, 3 dhe 4 Shtator në Rahovec, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Smajl Latifi, me përkrahjen tradicionale të MKRS, MBPZHR, Komuna Rahovec.
Me “Ca kokrra rrushi…”, organizatorët ju mirëpresim n’Rahovec më 2, 3 dhe 4 Shtator! / KultPlus.com
Senatori Bob Dole, pati miqësi shumë të mirë me shqiptarët dhe shtetin e Kosovës, shkruan KultPlus.
Sot shënohet 99 vjetori i lindjes së tij, derisa më 17 janar 1997, presidenti amerikan Bill Klinton paraqiti Medaljen e Lirisë Dole (“Medalja presidenciale e Lirisë”), nderi më i lartë civil në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 1999 ai u dërgua nga Sekretari amerikan i atëhershëm i Shtetit Madeleine Albright në negociatat e Rambujesë, por intervenimi i NATO-s nuk mund të parandalojë në konfliktin e Kosovës.
Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole.
Mendja e tij gjeniale dhe aftësitë njohëse në ligjvënie, e kanë karakterizuar Dolen, i cili ka pasur një karrierë të gjatë në Kongresin amerikan.
Dole ka dhënë kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së vendit të Kosovës.
Kosova kishte përuruar një pllakë përkujtimore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për nderë të senatorit. /KultPlus.com
2000-6500 vetë rezultojnë si të pastrehë në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin. Duke mos pasur një çati mbi kokë, ata janë kategoria më vulnerabël gjatë këtyre ditëve me temperatura ekstreme.
Gjatë së mërkurës (20.07), temperatura në Berlin arriti rekordin prej 39 gradë Celsius. Teksa shumë berlinezë ndezën ventilatorët dhe qëndruan në hije, ata pa një strehë mbi kokë patën shumë pak mundësi për gjetjen e ambienteve të freskëta, me qëllim shmangien e rreziqeve shëndetësore që vijnë nga vapa ekstreme. Për shembull, Liljana dhe miku i saj, Elias. “Dukem si turiste” – thotë Liljana, teksa rregullon kapelen e saj prej kashte.
“Dukem si turiste” – thotë Liljana, teksa rregullon kapelen e saj prej kashte.
Dy miqtë, me origjinë bullgare, ishin ulur nën një hije, duke pritur të shkonte ora 10 e paradites, aty ku ka marrë formë një projekt i ri, në zonën Schöneberg të Berlinit. Qendra “Hitzehilfe” (Ndihma për të përballuar të nxehtit ekstrem) është e hapur deri në orën 8 të mbrëmjes dhe u ofron njerëzve që janë në kërkim të një vendi të freskët, mundësinë e një dushi dhe një “sy gjumë”, në një nga 30 shtretërit e vënë në dispozicion.
Për Liljanën, një dush i ftohtë është shërbimi më i mirë që ofron kjo strehëz ditore. “Kur jeton rrugëve, mund të sajohesh disi me ushqim dhe pije. Por pa një dush dhe vend për të fjetur, jeta duket shumë e vështirë për t’u përballuar” – thotë ajo.
Gjatë pandemisë, 31-vjeçarja humbi punën dhe apartamentin. “Jam e pastrehë prej më shumë se një viti” – shpjegon Liljana. “Fillimisht punoja në rrugë, si prostitutë, por më pas hoqa dorë”.
Elias thotë se s’mund të punojë, për shkak se ka humbur të gjithë dokumentet identifikuese. “Gjithsesi kam bërë ca hapa para me dokumentacionin që më duhet” – shpjegon ai, para se të drejtohet nga dhoma ku mund të flejë për ca kohë.
Në strehëzën “Hitzehilfe”, pjata me shalqi të sapoprerë janë gati për t’u konsumuar ndërsa në një qoshe muri gjen arka të tëra me shishe uji. Në anën tjetër të dhomës, në një tavolinë të gjatë, janë reshtuar shishe që mund të rimbushen gjatë ditës, krem mbrojtës kundra diellit, kapele, shtroje gjumi në formë çante, produkte higjienike, maska për t’u mbrojtur nga Covid-19 dhe rroba të lara. Aty nuk mungojnë as detergjentë lavanderie.
Senati i Berlinit është financuesi i këtij projekti-pilot, që kap vlerën e 106 mijë Eurove. Nisma e shoqatës “IB Berlin Brandenburg”, ka si qëllim të mbajë larg vapës ekstreme të pastrehët, të paktën për disa orë gjatë ditës.
E njëjta godinë, e vënë në dispozicion nga zona e Schöneberg, zakonisht përdoret gjatë muajve të dimrit për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve nga i ftohti ekstrem. Nisma “Kältehilfe” (Ndihmë për të përballuar të ftohtin ekstrem), ofron një strehë të ngrohtë, veçanërisht gjatë natës. Por në vapën ekstreme, orët e ditës janë më të nevojshme.
Katja Kipping, politikane e së Majtës dhe senatore për Integrimin, Punën dhe Çështjet Sociale, tha të mërkurën (20.07) se e gjithë shoqëria duhet të ndërgjegjësohet për rreziqet që vijnë nga temperaturat ekstreme.
“Shumë banorë të Berlinit kanë në telefonat e tyre kontaktin e ‘Kältehilfe’, në rastin se gjatë dimrit shohin njerëz në nevojë. Por ata nuk janë të vetëdijshëm për seriozitetin e ekstremit tjetër të motit” – theksoi ajo.
“Deri tani, projekti është pritur shumë mirë” – i tha DW-së punonjësi social, Artur Keil. Sipas tij, shumica e njerëzve që kanë ardhur në qendër janë po ata që kanë nevojë për të edhe gjatë dimrit.
Sfida e temperaturave ekstreme
“Ajo çka kemi mundur të vërejmë në ditët e para është se shumica kërkojnë thjesht një vend për të fjetur rehat, gjë që është thuajse e pamundur jashtë, në ato temperatura” – thotë Janette Werner, drejtuese rajonale e shoqatës “IB”.
Në bisedë me DW, ajo thekson se përdorimi i tepruar i alkoolit dhe drogërave nga këta njerëz, e shton rrezikun e vapës. “Pasi dehen ose drogohen, për shembull, njerëzit nuk janë në gjendje të kuptojnë sa vapë bën jashtë. Ata digjen nga dielli, dehidratohen dhe në rastin më të keq, humbin jetën”.
Përveç ndihmave të nevojshme, punonjësit socialë ofrojnë edhe këshillim dhe mbështetje. “Kur këta njerëz vijnë këtu rregullisht, ata nisin të kenë besim dhe fillojnë e rrëfehen” – thotë Werner.
Diku tjetër në Berlin, 23 punonjës të nismës “Karuna”, janë në terren duke shpërndarë ujë, krem mbrojtës, syze dielli dhe produkte higjienike për të pastrehët. Ekipi ndihmon që nga viti 2020 dhe ofron për këtë kategori edhe “autobusë freskues”, ku njerëzit mund të qëndrojnë përkohësisht e të marrin veten nga vapa e tepërt.
“Nëse sheh një të pastrehë, sidomos gjatë këtyre ditëve të nxehta, gjëja më e mirë që mund të bëhet është ta pyesësh nëse ndihet mirë” – sqaron Werner. “Nëse nuk ndihet mirë, telefono shërbimet e urgjencës. Dhe mbani parasysh se kushdo do të ishte i lumtur t’i ofrohej një shishe me ujë në këto kohë”.
Projekti pilot veror “Hitzehilfe” do të vijojë deri në fund të muajit shtator, kur shoqata do të vlerësojë se çfarë shërbimesh nevojiten më së shumti. /DW / KultPlus.com
Dhimitër Shuteriqi është një nga prozatorët, poetët dhe studiuesit më produktiv të letërsisë shqipe. Vdiq nga jeta 19 vite më parë , më 22 korrik të vitit 2003, shkruan KultPlus.
Ai konsiderohet si një ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (tetor 1945), kryetar i saj në vitet 1954–1973. Pati një veprimtari tepër të gjerë e aktive si shkrimtar, profesor dhe studiues i letërsisë.
Fusha kryesore e punës së Shuteriqit si shkencëtar ka qenë historia e letërsisë, tradita e hershme e shkrimit të shqipes, folklori dhe studimet mbi disa figura historike.
Kërkimi në këto fusha është kurorëzuar me botimin e një korpusi veprash e studimesh që hedhin dritë jo vetëm në fillimet e shkrimit shqip (“Shkrimet shqipe”, 1965, 1976, dhe “Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879–1800, 2005), por dhe në rrënjët e traditave letrare-kulturore, në procese e figura të shquara të letërsisë së humanizmit, të Mesjetës dhe të Rilindjes Shqiptare, duke vënë në qarkullim tekste të panjohura dhe ide të reja shkencore. Një rol të madh, vepra e Shuteriqit pati për njohjen e figurës së Skënderbeut, si dhe të autorëve të ndryshëm arbëreshë. / KultPlus.com
Presidenti në largim i Shqipërisë, Ilir Meta, është pritur në një pritje të veçantë në Kosovë, ku homologja e tij, Vjosa Osmani, e priti me nderime të larta shtetërore, shkruan KultPlus.
Osmani dhe Meta fillimisht do të takohen në zyrën e Presidentit të Kosovës, për të mbajtur më pas një konferencë të përbashkët për media.
Pas Osmanit, një takim me Metën do ta zhvillojë edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca.
Ndërsa, në orën 11:50 presidenti Meta iu adresohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në orën 12:15 pret në takim pesidentin Ilir Meta.
Presidentja Osmani dhe presidenti Meta do të marrin pjesë në hapjen solemne të Manifesta-s, në Platon e Pallatit të Rinisë, Prishtinë, në ora 19:50.
Shqipëria veçse ka gjetur pasuesin e Metës dhe ai do të jetë, Bajram Begaj. /KultPlus.com
Kosova ka hyrë në një periudhë shumë pozitive dhe konstruktive të historisë kulturore dhe artistike.
Ne sot jemi dëshmitarë të një manifestimi të paparë të shpirtit kulturor të popullit të Kosovës, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim e (UNDP) dhe Fondacioni i “Manifesta 14 Prishtina” me rastin e hapjes së bienales “Manifesta 14 Prishtina”.
Kryeministri Kurti tha se këtë javë me Manifestën, do të jemi dëshmitarë të lidhjeve tona të jashtëzakonshme me Evropën nëpërmjet kulturës, teksa fillojmë një udhëtim kulturor epik prej 100 ditësh me bienalen nomade të Manifestës.
Për ta bërë të mundshme Manifestën, Qeveria e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, qeverisja lokale janë bërë bashkë me të gjithë akterët diplomatikë, përfshirë edhe bashkëpunimin mahnitës me Dukatin e Madh të Luksemburgut.
Kryeministri e falënderoi Dukatin e Madh të Luksemburgut për ndihmën rreth “Manifesta 14 Prishtina” dhe për kontributin e vazhdueshëm financiar për arsimin, shëndetësinë dhe demokratizimin e shoqërisë.
Ai i përgëzoi të gjithë të gjithë organizatorët e “Manifesta14 Prishtina” për punën e madhe dhe përkushtimin, si dhe uroi për një bienale të shkëlqyeshme dhe 100 ditë të frytshme të jetës artistike. /KultPlus.com