Biblioteka Kombëtare e Kosovës vazhdon të jetë një nga institucionet më tërheqëse në vend. Qindra vizitorë çdo ditë frekuentojnë këtë objekt, duke e vlerësuar si një qendër me rëndësi të madhe kulturore dhe arsimore.
Gjatë këtij viti, Biblioteka ka regjistruar një numër rekord vizitorësh, duke u kthyer në një destinacion shumë atraktiv dhe turistik.
Përmes vizitave të shumta, dëshmohet se Biblioteka Kombëtare e Kosovës luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kulturor./KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka vijuar nismën për mbështetjen e bibliotekave në nivel vendi, duke shpërndarë kontingjente librash për disa komuna të Kosovës.
Këtë herë, dhuratat me libra kanë mbërritur në bibliotekat e Gjilanit, Mitrovicës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Drenasit, Kamenicës, Skenderajt, Obiliqit dhe Artanës.
Ndër botimet me vlerë të veçantë që janë bërë pjesë e dhurimit spikasin:
Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës
Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe
Në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Rilindja”, librat janë përzgjedhur kryesisht për nxënësit e nivelit parauniversitar dhe do të shpërndahen nga bibliotekat komunale në bibliotekat e shkollave, duke pasuruar koleksionet ekzistuese dhe duke nxitur kulturën e leximit te gjeneratat e reja./KultPlus.com
Në një postim në rrjetet sociale, faqja zyrtare e Bibliotekës Kombëtare ka njoftuar se është pasuruar së fundmi me një nga veprat më të rëndësishme dhe voluminoze të historiografisë evropiane të shekullit XIX: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa” (Historia e Perandorisë Osmane në Evropë), një koleksion prej 11 vëllimesh që tashmë është pjesë e fondit të saj të çmuar.
“Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka pasuruar fondin e saj me një nga veprat më të rëndësishme shumëvëllimëshe të historiografisë evropiane të shekullit XIX: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa” (Historia e Perandorisë Osmane në Evropë), një koleksion 11-vëllimesh, pjesë e serisë prestigjioze Geschichte der europäischen Staaten (Historia e shteteve evropiane) të botuar nga A.H.L. Heeren dhe F.A. Ukert, midis viteve 1840 dhe 1863.
Nëntë vëllimet e para, të botuara nga 1840 deri në 1859, janë të historianit të njohur gjerman Johann Wilhelm Zinkeisen dhe mbulojnë historinë e Perandorisë Osmane nga rritja e saj e hershme deri në fillim të shekullit XIX, duke përfshirë periudha kyçe si kulmi i zhvillimit dhe i zgjerimit të fuqisë osmane, fillimi i rënies së brendshme, luftërat me Venedikun, ndikimin e Rusisë, ndryshimet politike të shekullit XVIII, reformat dhe rivalitetet e Fuqive të Mëdha.
Vëllimi i 10-të dhe i 11-të, të botuar në 1812 dhe 1815, përfshijnë vepra të tjera historike të rëndësishme mbi Perandorinë Osmane dhe rajonin e Ballkanit, duke përfshirë punimet e Joseph von Hammer dhe Mustafa Ben Abdalla Hadschi Chalfa. Këto vëllime ofrojnë kontekste të gjera mbi organizimin shtetëror, administrimin dhe zhvillimet gjeografike në Rumeli dhe Bosnjë, duke i shtuar koleksionit një dimension të gjerë historiografik dhe rajonal.
Veçanërisht e rëndësishme është vlera e këtij koleksioni për historinë e Ballkanit, përfshirë edhe të shqiptarëve. Ai ofron informacion të detajuar mbi marrëdhëniet ndërkufitare, strukturën e shoqërisë dhe ndikimet osmane në territorin e sotëm shqiptar, duke e bërë këtë koleksion një burim të pazëvendësueshëm për studiuesit që studiojnë historinë kombëtare dhe rajonale në kontekst evropian.
Përveç rëndësisë shkencore, koleksioni ka një vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe historike, duke e bërë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës një pikë referimi të rëndësishme për studiuesit e historisë osmane, ballkanike dhe evropiane.” – shkruhet në postimin e publikuar./KultPlus.com
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, u zhvillua një ngjarje e veçantë kulturore që vuri në qendër krijimtarinë e autorëve shqiptarë nga mërgata. Aktiviteti, i organizuar në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, synoi të forcojë urat e bashkëpunimit mes krijuesve që jetojnë jashtë atdheut dhe institucioneve kulturore të Kosovës.
Në këtë takim të ngrohtë e kuptimplotë morën pjesë autorë si Shqipe Bytyqi dhe Musa Jupolli, ky i fundit edhe kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Ata ndanë me publikun pjesë nga veprat e tyre, përvoja jetësore dhe krijuese, si dhe reflektuan mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit përmes letërsisë, përcjellë KultPlus.
Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova-Gaxha, theksoi vlerësimin që institucioni që ajo drejton ka për diasporën letrare shqiptare, duke deklaruar:
“Dyert e Bibliotekës do të jenë përherë të hapura për mërgatën tonë të jashtëzakonshme!”
Në shenjë mirënjohjeje dhe ndërlidhjeje kulturore, ajo ndau me autorët pjesëmarrës dy nga botimet më domethënëse të Bibliotekës: “Kujtesa e Kosovës – rrëfime të 100 pleqve dhe plakave të Kosovës” dhe “Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, dy vepra që ruajnë zërin e dëshmisë dhe historisë kolektive.
Ky promovim është më shumë se një ngjarje letrare, është një përqafim simbolik mes Kosovës dhe krijuesve të saj të shpërndarë nëpër botë, një dëshmi se letërsia dhe kultura nuk kanë kufij, por rrënjë të thella dhe degë që prekin zemrat e shqiptarëve kudo që ndodhen./KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur programin e këmbimit të materialeve bibliotekare me Bibliotekën e Kongresit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky program përfaqëson më shumë se një shkëmbim librash. Ai nënkupton njohje ndërkombëtare për autorët, studiuesit dhe botuesit tanë, si dhe mundësi të reja për hulumtim, qarkullim dhe bashkëpunim në nivel global.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi të ri dhe me rëndësi të veçantë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka pranuar titujt e parë nga Biblioteka e Kongresit disa ditë më parë, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin e saj.
Aktualisht, Biblioteka është duke përzgjedhur dhe përgatitur dërgesën e saj të parë me botime nga Kosova, të cilat do të bëhen pjesë e fondit të Bibliotekës së Kongresit në Shtetet e Bashkuara. Këta tituj përfaqësojnë me dinjitet pasurinë tonë letrare, shkencore dhe kulturore.
Të qenët pjesë e koleksioneve të një biblioteke me reputacion botëror është një dëshmi e vlerës së botimeve tona dhe një kontribut i çmuar në ndërlidhjen kulturore mes vendeve./KultPlus.com
Një dritë e re po bie mbi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, përmes objektivit të ekipit të Koordinacija.hr, një grup i njohur kroat, që prej vitesh dokumenton arkitekturën moderne në hapësirën ballkanike.
Këtë herë, vëmendja e tyre është përqendruar tek një nga ndërtimet më ikonike dhe të diskutueshme të rajonit: biblioteka kombëtare, e ndërtuar mbi vizionin e arkitektit kroat Andrija Mutnjaković.
Gjatë qëndrimit të tyre në Prishtinë, ekipi realizoi xhirime të detajuara brenda dhe jashtë ambientit të bibliotekës, duke u fokusuar në formën e saj unike, strukturat kubike të mbuluara me kupola dhe rrjetën metalike që e bën këtë ndërtesë të pazakontë në çdo këndvështrim. Ky dokumentar do të transmetohet në HRT2, kanalin e dytë të televizionit publik kroat, dhe synon të sjellë për publikun më të gjerë një rrëfim mbi arkitekturën si pasqyrë e kohës, vizionit dhe shpirtit të një kombi, përcjellë KultPlus.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, më shumë se një strukturë fizike, është simbol i dijes, qëndresës dhe identitetit kulturor. Që prej kur u ndërtua, ajo vazhdon të ngjallë debate për stilin e saj arkitektonik, por pa dyshim mbetet një pikë referimi në peizazhin urban dhe shpirtëror të Prishtinës.
Ky dokumentar vjen si një homazh jo vetëm për veprën e Mutnjakovićit, por edhe për vetë bibliotekën, që përmes arkitekturës së saj përçon një ndjesi të fortë të ndërthurjes midis së shkuarës dhe së ardhmes, një monument i gjallë që ruan zërin e librave, por edhe zërin e kohës./KultPlus.com
Me rastin e 79-Vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” organizohet ceremonia festive Dita e Bibliotekës.
Ceremonia e hapjes do të mbahet në Hollin e Bibliotekës, më 24 nëntor 2023 në orën 11:00.
Gjithashtu do të hapet edhe një ekspozitë e cila do të prezantojë nga themelet deri te hapja publike e godinës madhështore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (artikuj të gazetës Rilindja 1973 – 1983). / KultPlus.com
Artistët si: Antika Veseli, Arbreshë Qerimi, Arjeta Bislimi, Azra Ibrahimi, Besarta Hoxha, Djellza Berisha, Djellza Hyseni, Doresa Zulfaj, Emine Dajaku, Erblina Mahaj, Erion Kllokoqi, Erleta Krasniqi, Era Goga, Fitim Haziri, Flamur Bilalli, Jon Rexhaj, Krenare Sylejmani, Leonita Muja, Reita Rrecaj dhe Rinor Daut, kanë ekspozuar sot punën e tyre unike nëpërmjet ekspozitës nën emërtimin “rETurN” apo “Kthim” me kuratore Majlinda Kelmendin, një ekspozitë kjo që synon t’u japë mundësi artistëve të rinj për t’u promovuar në skenën e artit, shkruan KultPlus.
Sot duke filluar nga ora 18:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur një numër të madh të artdashësve, të cilët kanë mbushur katin e dytë qosh më qosh. Një atmosferë e ngrohtë dhe në të njëjtën kohë diversive, është krijuar nëpërmjet gjithsej 20 pikturave të cilat kishin zënë vend në një formë të gjysmë hënës.
“rETurN” apo “Kthim”, ka shpalosur një punë intensive nëpërmjet përçimit të botës intensive e të brendshme të këtyre studentëve që ëndërrojnë vazhdimisht, me ç’rast ngjyrat tejet ekspresive e kanë pikturuar atë ndjesi më së miri. Bota në shpirtin e tyre ka dalë përtej në pikturë dhe ka lëvizur nëpërmjet figurave abstrakte, këndshëm të krijuara. Tema me motive të ndryshme kanë prekur çdo cep, dhe kjo lehtazi admirohej nga gjithsecili i pranishëm.
Impulsi krijues i tyre është shfaqur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ndonëse, në dimensione e teknika të ndryshme si në akrilik, vaj në pëlhurë, akuarel në letër, mix media e shumë të tjera, secila pikturë dëshmon një seriozitet të pakrahasueshëm. Me këtë projekt artistik, është synuar krijimi i një atmosfere miqësore që ka bërë bashkë artin dhe të pranishmit, dhe kësisoj ka rindërtuar një vetëbesim të nevojshëm. Interesi është zgjuar, dhe dialogët veçse kishin filluar në mesin e audiencës.
Ekspozita përbëhet nga vepra të artistëve të rinj të realizuara në vitin 2022 dhe të pa ekspozuara më parë. Po ashtu, ekspozita shërben si një shprehje e artit konceptual në vend si dhe mund të shihet si një kontribut në diskutimin e vazhdueshëm të rëndësisë së artit konceptual në vazhdimësi.
Kuratore dhe ideatore e këtij projekti është Majlinda Kelmendi e cila sot bëri hapjen e kësaj ekspozite që sipas saj, me heshtjen e vetë, flet shumë.
“Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në ekspozitën e përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në mesin e artdashësve, kolegëve, studentëve, familjarëve po e hapim këtë ekspozitë. Kjo është një ekspozitë që në dukje duket në heshtje me këto punimet e vendosura por të cilat flasin me heshtjen e tyre. Në fakt, prapa tyre është një punë e madhe e studentëve dhe këtu shfaqet vetëm dyzet për qind e punës së tyre për shkak se ata kanë punuar një kohë të gjatë dhe në bashkëpunim, kemi nxjerr më të mirën tonë”, thotë Kelmendi.
Sipas saj, vetë titulli “Kthimi” është diçka që është e rëndësishme për artistët por edhe për gjithë të tjerët.
“Momentalisht kemi disa dilema në lidhje me njerëzoren dhe digjitalen. Pikërisht kjo temë i ka provokuar ata për t’i sjell këto punime ku herë-herë do shihni nudo të cilat janë të trajtuara në mënyrë abstrakte dhe moderne e herë të tjera do të shihni elemente digjitale nëpër punën e tyre. Pjesa hulumtuese që ata kanë bërë, për mua është shumë gjë e vyer dhe kjo ka qenë arsyeja dhe motivi për të ndërmarrë këtë punë. Tanimë fjalët nuk janë shumë të rëndësishme sa puna e tyre. Që kur e kanë nisur në fillim këtë projekt me kërkesë të studentëve, qëllimi ka qenë gjithmonë mbështetja e të rinjve për shkak të situatës që është pak më e vakët në shoqërinë tonë dhe e kam parë me sytë e mi se sa entuziazëm kishte në sytë e tyre. Faleminderit që jeni këtu dhe ju sugjeroj t’i shijoni këto piktura”, përfundon Kelmendi.
Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës – Drejtoria për Kulturë. / KultPlus.com
Doracaku “Mësimi i historisë me perspektivë gjinore: GRATË DHE GJINIA” NË DY DEKADAT E FUNDIT TË SHEKULLIT XX NË KOSOVË”, shpaloset këtë të mërkurë, duke filluar nga ora 14:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, përcjell KultPlus.
Ky doracak, ka në fokus perspektivën gjinore në historinë e re të Kosovës, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe njohjen e gjinisë si kategori analitike në mësimin e historisë dhe pjesëmarrjen e grave në procese dhe ngjarje të rëndësishme historike në fund të viteve ’80 dhe ‘90-të shekullit XX.
Doracaku përbëhet prej pesë kapitujve, duke përfshirë prezantimin, materialin bazë, si dhe udhëzime metodologjike për përdorimin e materialit:
Kapitulli I. Gjinia, gratë dhe konflikti në Kosovë 1989-1999
Kapitulli II. Institucionet paralele/ të pavarura: Mobilizimi qytetar dhe jeta e përditshme
Kapitulli III. Aktivizmi i grave në vitet e 1990-ta
Kapitulli IV. Zhvendosja e paradigmës së rezistencës
Kapitulli V. Mësimi i historisë me perspektivë gjinore
Ky projekt realizohet nga forumZFD – Programi në Kosovë dhe Shoqata e Mësimdhënësve të Historisë së Kosovës, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). / KultPlus.com
Me rastin e 78 vjetorit të themelimit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka organizuar një ceremoni festive me rastin e Ditës së Bibliotekës.
Ceremonia e hapjes do të mbahet në Hollin e Bibliotekës, më 25 nëntor 2022 në orën 11:00.
Gjatë kësaj ceremonie do të hapet edhe një ekspozitë me temën: Perceptimi për shqiptarët në artin e karikaturës. / KultPlus.com
Për të nëntëdhjetën herë me radhë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” organizoi veprimtarinë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë”, shkruan KultPlus.
Aktivitete të shumta të natyrës kulturore e bibliotekare dhe sesione shkencore që trajtojnë tema të rëndësishme nga bibliotekaria, komunikimi, historia, teknologjia informative, referencat, digjitalizimi janë disa nga ngjarjet që do të ndodhin gjatë kësaj jave, duke filluar nga sot e deri më 11 shtator.
Tashmë tradicional, eventi më i madh kushtuar bibliotekarisë temë bosht në këtë edicion ka ‘Dokumentimi i kulturës së emigracionit: koleksionet e shtypura dhe digjitale’.
Më poshtë mund ta ndiqni LIVE ceremoninë e hapjes në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com
Në shënim të 25 vjetorit të shkuarjes në amshim të Shën Nënë Terezës, si pjesë e agjendës shtetërore të “Ditëve të Nënë Terezës”, ftoheni të përcillni hapjen e ekspozitës kushtuar Shën Nënë Terezës.
Ekspozita hapet sot (5 shator), duke filluar nga ora 17:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Ndërkaq, më poshtë gjeni agjendën e plotë të ditës së sotme, kushtuar Shën Nënë Terezës. / KultPlus.com
Më 23 qershor 1977, gazeta më e madhe e kohës “Rilindja”, raportoi se në objektin e Bibliotekës Universitare dhe Krahinore, sot Bilbioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, u vendos kupola e parë ikonike.
Prej 99 kupolave, e para e vendosur më 22 qershor, u bë lajm, pasi ishte vendosur në një prej objekteve më të rëndësishme të kohës.
Kupola ishte prodhim i kompanisë “Kopershmit” nga Hamburgu i Gjermanisë. Aty ndër të tjera thuhej se kupolat tjera do të vendoseshin deri në fund të korrikut të ’77-s, dhe se i gjithë objekti do të inaugurohej më 29 nëntor 1977. Por, objekti u lëshua në përdorim më 1982.
Arkitekt i këtij objekti ishte kroati i njohur Andrija Mutnjakoviq./Na ishte një herë/ KultPlus.com
Së shpejti do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore në fushën e arteve pamore, përcjellë KultPlus.
Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ngjarja do të mbahet më 15 qershor 2022 (e mërkurë) në orën 14:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com
Mbrëmë në Bibiliotekën Kombëtare të Kosovës është shënuar Dita e Evropës, me ç’rast Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës i ka ndarë edhe çmimin tradicional “Evropiania e Vitit”, Fahrije Hotit, ku fillimisht ishte bërë një thirrje që të votohet një individ apo instuticion që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë gjatë vitit të fundit, andaj dhe Fahrije Hoti është votuar më së shumti për këtë emërtim, shkruan KultPlus.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e hapi këtë mbrëmje me një fjalim shumë të veçantë kushtuar Ditën së Evropës dhe rëndësisë që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për BE-në.
“9 maji është dita e kremtimit të unitetit dhe fatit të përbashkët të Unionit tonë dhe partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë frymë, këtë vit duam të shprehim mirënjohjen ndaj evropianëve të shumtë që na ndihmuan ta kapërcejmë krizën e koronavirusit dhe që çdo ditë punojnë për ruajtjen e paqes dhe prosperitetit në Evropë. Siç ka thënë Robert Schuman: Evropës i duhet një shpirt, një ideal, dhe vullenti politik për t’i shërbyer këtij ideali. BE-ja i ka vënë në jetë këto fjalë, duke u përballur e bashkuar me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe agresionin aktual rus kundër Ukrainës”.
Szunyog e falënderoi Qeverinë e Kosovës për rrështimin e kësaj të fundit me BE-në, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe gatishmërisë së tyre për të mirëpritur e strehuar efugjatë dhe gazetarë nga Ukraina.
“Dua të theksoj se kjo ditë na përket të gjithëve. Kjo ditë u përket kosovarëve po aq sa u përket qytetarëve të BE-së dhe përfaqëson kremtimin e vlerave tona të përbashkëta, duke përfshirë unitetin, solidaritetin, paqen, demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Këto nuk janë fjalë të zbrazëta, por vlera themelore të përbashkëta për të gjithë popujt e Evropës, që i kanë sjellë kontinentit tonë prosperitet të padëgjuar më parë në historinë tonë.
Ambasadori theksoi se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe nuk ka alternativë tjetër.
“Pa Ballkanin Perëndimor BE-ja nuk do të jetë e plotë, ndërkohë që agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet tona të përbbashkëta për avancim në rrugën evropiane të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”.
Ai u shpreh krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera anëtare.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë e mbylli këtë fjalim duke uruar Ditën e Evropës.
Pas tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ftua për një fjalim rasti, ku edhe bëri thirrje të vazhdueshme që tani është momenti më i përshtatshëm që Kosova të bashkohet në familjen e madhe evropiane.
“Pikërisht sot në këtë përvjetor po ballafaqohemi poashtu me një realitet të ri i cili është shumë ndryshe prej asaj që jemi mësuar, së paku qe dy dekada ta kemi në Evropë. Që nga 24 shkurti i këtij viti kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë e tij ta pushtojë Ukrainën, jemi duke jetuar një realitet të ri shumë të rrezikshëm dhe me plotë dhimbje nga ajo se çka po shohim dhe ajo që po e përjeton populli ukrainas sot”, deklaroi Konjufca.
Konjufca bashkëndjeu me Ukrainën, duke kujtuar edhe luftën e fundit në Kosovës.
“Siç e dini, populli dhe Republika e Kosovës ende i kanë të hapura plagët, e të freskëta dhimbjet dhe të paharrueshme traumat e përjetuara nga agresioni i Serbisë, si dhe nga pushtimi që u manifestua me gjenocid, prandaj mund të them se ne për së afërmi mund të bashkëndjejmë me përjetimet nëpër të cilat po kalon në këtë kohë të vështirë populli i Ukrainës. Unë dua të ritheksoj dhe t’iu bëjë thirrje përfaqësuesve evropianë se jemi në një moment përcaktues të integrimit evropian për Republikën e Kosovës, andaj pikërisht në këtë ditë duhet të zotohemi bashkë për ta mbrojtur e për ta përshpejtuar konsolidimin e projektit të Bashkimit Evropian duke e integruar edhe Kosovën, por së bashku edhe me 6 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian”.
I pari i Kuvendit përmendi edhe pjesën e orientimit të Kosovës përkrah vendeve të BE-së sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe adresimin e institucioneve të Kosovës me veprime konkrete në këtë drejtim.
“Ju ftoj që së bashku të kontribuojmë të gjithë që qytetarët e Kosovës sa më shpejt të gëzojnë liberalizimin e vizave, për të cilën të drejtë aq shumë kemi punuar së bashku dhe jemi angazhuar për reforma sipas standarteve të nivelit evropian. Pa Kosovën, mozaiku i familjes së bashkuar të Evropës nuk mund të quhet i plotësuar, si dhe vetë ideja mbi të cilën qëndrojnë të fuqishme themelet e BE-së’, përfundoi ai.
Në anën tjetër, pas dy fjalimeve erdhi edhe te momenti për të cilin ishin mbledhur të gjithë njerëzit në sallë, e që kishte të bënte me ndarjen e çmimit “Evropiania e Vitit” për Fahrije Hotin. Fillimisht u bë prezantimi i të nominuarve të tjerë dhe më pas u bë edhe dorëzimi i çmimit.
Hoti këtë çmim ia kushtoi gjithë grave të Kosovës, e sidomos ato që humbën më të dashurit e vetë, humbën burrat, humbën fëmijët dhe janë bërë model për të tjerët.
“Unë ndjehem shumë e privilegjuar sot këtë çmim. Ky çmim i dedikohet të gjitha grave të Kosovës. Të gjitha ato që humbën më të dashurit e vetë, humbën burrat, humbën fëmijët dhe janë bërë model për të tjerët. Sakrifica e grave të Krushës, bashkë me mua, ka qenë një rrugëtim i suksesit, nuk e kemi mendu dhimbjen për të kaluarën por të ardhmën e fëmijëve tanë. Faleminderit të gjithëve, ata që iu bashkuan këtij rrugëtimi, më votuan dhe më përkrahën, e unë sot jam e ndershme që jam pranë juve këtu”, përfundoi ajo duke falënderuar edhe një herë të pranishmit dhe mbështetësit.
Të izoluar në zemër të Evropës, qytetarët e Kosovës duhet të mbledhin dokumente për të cilat nuk kanë dëgjuar kurrë më parë, në mënyrë që të rrisin shpresën e tyre për të aplikuar për vizë. Përkundër faktit se shteti më i ri në Evropë mund të udhëtojë pa viza vetëm në katër shtete, më pak se çdo shtet tjetër në botë, megjithatë kjo nuk e pengon Kosovën që ta festojë vit pas viti 9 majin, Ditën e Evropës
Rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave filloi në vitin 2012 kur Komisioni Evropian dorëzoi Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave për Kosovën. Por edhe pse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë arritur që të marrin mbështeteje për liberalizimin e Kosovës, një premtim i tillë nuk i është plotësuar edhe Kosovës. /KultPlus.com
Mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është mbajtur ceremonia e hapjes së “Javës së Frankofonisë” organizuar nga Ambasada Franceze në bashkëpunim me ambasadorët e shteteve frankofone.
Edicioni i 22-të i kësaj ngjarje do të sjell një program të pasur kulturor artistik që përfshin aktivitete të shumta në fushën e artit, kulturës, sportit, trashëgimisë, inxhinierisë, njohurive mbi BE-në, dhe tema të tjera mbi aktualitetin.
Të pranishëm në hapje ishin personalitete të shumta ndërkombëtare dhe vendore përfshirë këtu, Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly, Ambasadori i Kanadasë për Kosovë dhe Kroaci, Alan Bowman, shefi i ri Zyrës Diplomatike të Belgjikës në Kosovë, Julien Sassel, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e të tjerë.
Ceremonia u mbyll me një recital nga sopranoja, Besa Llugiqi, me përcjellje të pianistit dhe pedagogut të muzikës, Mizbah Kaçamaku. / KultPlus.com
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot u promovua libri “Dijetarë Shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880 – 1912) nga autorët Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi, Ramadan Shkodra, botim i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës.
Kjo është vepra e parë me karakter enciklopedik e botuar nga BIRK, por është e para edhe në Kosovë dhe në trojet shqiptare, në të cilën përfshihen dhe ndriçohen, – biografitë e 195 personaliteteve shqiptare që kanë dhënë kontribut në jetën arsimore, kulturore dhe fetare gjithandej ku vepruan, pra edhe në viset shqiptare në fundin e shekullit XIX dhe në fillim të shek. XX.
Në këtë ngjarje morën pjesë Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kryetari i BIRK-ut, Myftiu Naim Tërnava, Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, profesorë të Universitetit të Prishtinës, dhe personalitete tjera.
Ministri Çeku në fjalimin e tij foli për rëndësinë që kanë hulumtimet e tilla për kulturën, trashëgiminë, arsimin dhe historinë e vendit tonë, ndërsa përgëzoi autorët për punën dhe përkushtimin rreth pasqyrimit të biografive të personaliteteve të shquara të dijes nga të gjitha trojet shqiptare.
Ndërsa, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha që kjo monografi është një projekt i cili ka ndriçuar veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare të panjohura deri më tani që kanë vepruar në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare./KultPlus.com
Grupi 403, të cilët me këngët e tyre janë kthyer në vulë të muzikës shqiptare bashkë me shumë grupe të tjera muzikore, po gëzojnë frutet e rikthimit, shkruan KultPlus.
Hektor Gjurgjiali, tekstshkruesi dhe solisti i këtij grupi na shfaqet në forma të ndryshme në këtë këngë.
Varësisht sipas tingullit që del nga një instrument i caktuar, edhe pamja e videoklipit ndërron. Sinti, kitara klasike e ajo elektronike, fizharmonika si dhe bateritë, janë ato të cilat sjellin magjishëm këngën “Akoma po të pres”, teksa zërin e dytë e performon Arta Selimi.
Kjo këngë është komponuar nga Hektor Gjurgjiali dhe është incizuar në vitin 1995 në Tiranë. / KultPlus.com
Bibloteka Kombëtare e Kosovës ka marrë ngjyrë rozë në shenjë solidarizimi me ato që luftuan me sëmundjen e kancerit të gjirit, ato që fituan betejën dhe si kujtim për ato që humbën jetën nga kjo sëmundje, përcjell KultPls.
Njoftimin e ka bërë ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga përmes një postimi në Facebook.
“Bibloteka Kombëtare e Kosovës në rozë për të gjitha ato që po luftojnë sëmundjen e kancerit të gjirit, për ato që fituan betejen e si kujtim për ato që i humbëm!”-ka shkruar ajo./KultPlus.com
Nesër fillon edicioni i dytë i festivalit të vizatimeve komike dhe romanit grafik “GranFest”, i cili do të zgjasë tre ditë, shkruan KultPlus.
Më 8 deri më 10 tetor në Prishtinë do të mbahet Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik ‘GRAN Fest’.
Ceremonia hapëse e këtij festivali do të mbahet në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, nesër nga ora 19:00.
Edicioni i këtij viti të ‘GRAN Fest’ ka të ftuar artistë të ndryshëm si: Judith Vanistendael, Edith, Lilie Sohn, Aude Mermilliaud, Salome Joly, David Prudhomme, Stefano Casini, Sonia Dechamps, Shpend Kada dhe Dardan Luta./ KultPlus.com
Shtatori shënon muajin e ndërgjegjësimit të fëmijëve të prekur nga sëmundja e kancerit. Ndërkaq, sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, pikërisht për të shënuar këtë muaj janë ndezur dritat në kupolat e Bibliotekës, përcjell KultPlus.
Kjo nismë u organizua nga Komuna e Prishtinës, ndërkaq me një mesazh tejet prekës, erdhi drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ndau me ndjekësit e tij historinë e tij personale si një fëmijë i prekur nga kanceri.
Berisha, ndër të tjera bëri thirrje që këta fëmijë të mos dorëzohen asnjëherë.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Berishës.
Kam qene vetem 16 vjec, kur u diagnostifikova me kancer. Atekohe, semundja kishte shu andrren time femijerore duke me detyru ne nderpre futbollin.
E di shume mire se si mund te ndihen femijet, te cileve u kumtohet lajmi se vuajne prej nje prej semundjeve me te renda qe njeh njerezimi. E di shume mire se si eshte me u friku, me humb shpresen dhe me pa njerezit ma te dashur rreth teje me lutje e merzi per ty.
Une isha nje prej qindra e mijera femijeve te botes qe luftojne me kancerin cdo vit. Por ia dola. Me ndihmen e familjareve, profesionisteve mjekesor dhe me deshiren e madhe per me vazhdu jeten.
Po, andrra per futboll u shua. Por jo edhe vullneti per jeten. Dhe dhimbja u shendrru ne motiv per me punu, edhe per Adrianin si femije por edhe per femijet e tjere si Adriani.
Sonte ndezem dritat e Bibliotekes Kombetare, duke iu bashkuar si Komune thirrjes per solidarizim me femijet e prekur nga kanceri. Muaji shtator eshte edhe muji i ndergjegjesimit per kancerin tek femijet.
Ajo qe dua te ju them krejt femijeve te cilet po perballen me kete semundje, eshte kjo:
Nuk jeni vetem. Dhe semundja, jo domosdo eshte fundi.
Sot, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, është promovuar libri-fotoalbum “Histori shkodrane në fotografi” nga Pjetër Logoreci.
Ky libër sjell fotografi të panjohura të Shkodrës që janë nxjerrë nga arkivat austriake 1908/ 1917, shkruan KultPlus.
Duke dhënë një përshkrim të shkurtër për librin, autori thotë se kapitulli i parë është kapitulli i Shkodrës, ku janë të paraqitura fotografi të vjetra të qytetit, ndërkaq në kapitullin e dytë janë të paraqitura masakrat e Malit të Zi në Shkodër, në të cilin janë të paraqitura fotografitë e shkodranëve të vrarë, të vdekur nga uria, malazezët duke plaçkitur pazarin e Shkodrës të nxjerra nga arkivat austriake.
Në kapitullin e tretë, Logoreci ka paraqitur fotografi të personalitete shqiptare që kanë studiuar dhe kanë lënë gjurmë në Vjenë.
Pothuajse të gjitha fotografitë në këtë libër-fotoalbum janë bardh e zi, përveç fotografive në kapitullin e fundit në të cilat janë të paraqitura kartolina që austriakët kanë bërë për Shkodrën, për ushtarët austriakë me rastin e kërshëndellave dhe pashkëve, që ua dërgonin familjeve të tyre në Austri.
Logoreci shton se në këtë libër kanë qenë të pasqyruara edhe disa fotografi të Ahmet Zogut, të pa shpërndara më herët, mirëpo, këtë kapitull autori është detyruar ta largojë nga libri për shkak të numrit të faqeve./ KultPlus.com
Autostrada Biennale, në edicionin e saj të tretë, bashkë me edicionin e 5-të të Javës së Krenarisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Manifesta 14 Prishtina, do të sjellin për publikun kosovar ekspozitën e famshme “Lule Mosmëharro 2020 – 2021” nga Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano.
Sot, përmes një postimi në faqen zyrtare të Autostradës Biennale, janë publikuar fotografitë e përgatitjeve të instalacionit të Petrit Halilajt, ”Lule Mosmëharro”.
Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në hapjen zyrtare të kësaj ekspozite. Ekspozitë kjo e cila do të hapet më 30 qershor, kurse për publikun e gjerë do të jetë e hapur prej 1 korrikut deri më 11 shtator të këtij viti. / KultPlus.com