Wanderlust: Pesë arsye se përse duhet ta vizitoni Kosovën (FOTO)

‘Wanderlust’ është revistë e themeluar në dhomë të fjetjes gjatë vitit 1993 nga dy entuziastë të udhëtimeve. Kjo është ndër revistat më të mira ndonjëherë sa i përket fushës së udhëtimeve, ndërsa gjithashtu është edhe fituese e shumë çmimeve prestigjioze.

Po kjo revistë ka vendosur që në ueb sajtin e saj ta publikojë një shkrim për Kosovën, ku përmenden pesë arsye se përse duhet vizituar vendi jonë, përcjell telegrafi.

Më poshtë janë pesë arsyet e listuara nga ‘Wanderlust’:

1: Kishat dhe manastiret
E gjendur në një udhëkryq të historisë dhe religjionit, Kosova është shtëpi e disa prej manastireve dhe kishave më të rëndësishme në Evropën Qendrore.
Manastiri i Graçanicës, në juglindje të Prishtinës, është një nga shembujt më të mirë të arkitekturës Bizantine në botë.
Manastiri i Deçanit, i gjendur në një pyll në kanionin e Deçanit, u ka mbijetuar konflikteve të shumëta historike dhe është shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës ortodokse.
Nga më të mirët në Kosovë mbetet Patriarku i Pejës, i cili daton nga shekulli i 13’të. Ky patriark mbrohet nga policia e Kosovës.

2: Malet
Kosova është shtëpi e maleve të largëta e të thyera, dhe shtëpi e bukurive ende të paprekura. Lugina e Rugovës është në perëndim, ndërsa shtrihet deri në kufirin me Malin e Zi. Në këto male ju gjeni komunitete të ndryshme, ujëvara, si dhe mure të pjerrëta kanioni deri në 300 metra të larta.
Dragashi, në lindje të Kosovës, është një nga zonat më të rëndësishme të këtij vendi. Brodi është një nga fshatrat më të mirë në Kosovë, e që gjendet në Dragash, ndërsa shërben si vend për të bërë hiking-un më të mirë në Ballkan.

Nëse jeni adhurues i hiking-ut dhe e vizitoni Kosovën, assesi mos harroni ta pushtoni majën e Gjeravicës – e cila është edhe maja më e lartë në Kosovë.

3: Qytetet
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është qytet i gjallëruar me kafene, muze dhe galeri. Është përzierje e të lashtës me modernen, e që vjen nga popullsia më e re e Evropës. Jeta e natës dhe kultura e kafesë është e jashtëzakonshme – gjithmonë ka një galeri të hapur, një performancë teatri ose një koncert live për të marrë pjesë. Pyetni një vendas për rekomandime, ndërsa gjithqysh lini kohë për ta vizituar muzeun e shkëlqyeshëm Etnografik.
Pothuajse një orë larg Prishtinës e gjeni Prizrenin – perla e vërtetë e Kosovës! Me kalanë që gjendet mbi qytet dhe xhamitë e kishat që mbizotërojnë në qendër, si dhe me lumin Bistrika që e përshkon qytetin, Prizreni mbetet një qytet i vjetër fotogjenik.


4: Kultura
Mikpritja është gur themeli i jetës në Kosovë. Jashtë qyteteve – në veçanti në regjionet malore – jeni të mirëseardhur në shtëpitë e njerëzve dhe do të trajtoheni si mbret. Mikpritja është pjesë tradicionale e kanunit shqiptar.
Shembujt më të mirë gjenden në fshatrat e Junikut dhe Dranocit – ku mund ta përjetoni mënyrën më të përsosur autentike të mikpritjes, ushqimit dhe kulturës së Kosovës.

5: Ushqimi
Ushqimi në Kosovë është po aq i mirë dhe mikpritës sa vetë njerëzit. E preferuara tradicionale shqiptare është tava, një pjatë e mbushur me mish, domate dhe patëllxhan. Kjo tavë ju garanton energji për ta pushtuar edhe majën më të lartë të çdo mali.
Në anën tjetër, flia është super-ylli i Kosovës dhe nuk duhet të largoheni pa e provuar.

Nezir Kraki: Kosova s’guxon të kënaqet me ecje, duhet vrapim

Në Universitetin e Gjenevës, sot duke filluar nga ora 18:30 do të mbahet një konferencë kushtuar Kosovës dhe sfidave te saj në 10 vjetorin e pavarësisë. Ligjërues do të jetë profesori shqiptar në Paris, Nezir Kraki.

Nezir Kraki në një prononcim për KultPlus, ka treguar se do të diskutohet dekada e parë e Kosovës si shteti i pavarur dhe demokratik.

“Në dekadën e parë si shtet i pavarur, Kosova ka arritur ta dëshmojë ekzistencën e saj si në rajon ashtu edhe në botë. Megjithatë, për arsye politike kryesisht të brendshme, ekzistenca e Kosovës si shtet serioz nuk ka shkuar deri në pikën e shpresuar. Ngecjet në bisedimet e pamenduara mirë me Serbinë kanë bërë që shumë shtete ta shohin çështjen e Kosovës si të pambyllur. Kjo na ka kushtuar pastaj me vonesa në rrugën e integrimeve sepse sikur u rihapen tema për të cilat ishte rënë dakord më herët”, është shprehur Kraki, për KultPlus.
Tutje ai thotë se ngërçet politike dhe qeveritë pa programe konkrete zhvillimore kanë bërë që shpresa për rimëkëmbje të zbehet, sidomos tek rinia.

“Në njëfarë formë, tranzicioni u tejzgjat nëse e marrim edhe periudhën e UNMIK-ut plus 10 vite pavarësi. Tash e tutje Kosova s’guxon të kënaqet me ecje, duhet vrapim, vrapim sprint madje për t’i zënë hapat e pabëre. Duhet që urgjentisht t’i ofrohet shpresë dhe dritë në fund të tunelit gjeneratës së parë të pasluftës. Nëse edhe ata zhgënjehen, atëherë ndërtimi i shtetit konsiderohet dështim total. Pavarësinë e kemi, duhet ta bëjmë shtetin”, përfundoi ai për KultPlus./ KultPlus.com

Prishtina ndriçohet me fishekzjarrë (FOTO)

Këngëtarja Rita Ora, është ajo që ka mbyllur koncertin e madh për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Derisa ajo ka numëruar nga numri dhjetë deri tek njëshi, me zërin e saj Prishtina u ndriçua me fishekzjarrë që simbolizonin frymën festive të një dekade shtetësi, shkruan KultPlus.

Mijëra qytetarë derisa u shpërndan, kthyen kokën drejt qiellit për të shijuar këtë atmosferë festive që mbretëroi sonte në kryeqytetin e Kosovës.

KultPlus ju sjellë disa pamje nga ndriçimi i qiellit të Prishtinës, sonte në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës./KultPlus.com


Kosova

Poezi e shkruar nga regjisori Bekim Lumi. Poezia ështëshkruar gjatë ditëve të luftës, në vitin 1999, në Mynih (Gjermani).

Kur atdheut i rrxohen kështjellat
I shemben pirgjet urat kullat
I zihet fryma
I mpikset gjaku
Themelet kur i luejnë vendit
Rozafë ajo bahet
Sall gjinin e djathtë e len përjashta
Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza
Pijnë tambël
Forcadë marrin
Për lufta t’rrebta
Tevona
Si rr’fe prej qielle
Veç nji za ndihet
“Oj Kosovë, mos thuej mbarova,
Se djemtë tu ende janë gjallë…”

Ismail Kadare shkruan për terrorin në Kosovë

TERRORI NË KOSOVË

ISMAIL KADARE (Botoi Dielli, 16 prill 1982)

E hidhur Vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zes mbi të ia mbërritën
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg,me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku
Kështu mes jush shekullin ndani
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e Mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartholomeu.

Por koha kurrë s’vjen përgjysëm,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit Car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur iu griu,
Por retë e globit veç ju panë,
Ndërgjegje e Botës te ju mbërriu.

Kështu në vorbull të epokës
U ngritët Ju si monument;
Ju që e prekët historinë
Dhe në Histori u kthyet vetë.

Ismail Kadare, Dhjetor 1981

“Time” e quan obsesion marrëdhënien e Kosovës me Amerikën

Nëse në gjithë botën ka rënë entuziazmi për SHBA-në pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit, asgjë nuk ka lëkundur besimin e madh të Kosovës për këtë shtet.

Kjo është hyrja e tekstit të revistës prestigjioze “Time” që e quan Obsesion marrëdhënien e Kosovës me Amerikën. Dashuria e madhe e kosovarëve për këtë shtet është ilustruar nëpërmjet fotografive të fotoreporterit spanjoll, Cesar Dezfuli.

Në këto fotografi zë vend, natyrisht, statuja dhe sheshi “Bill Clinton” e butiku me emrin e gruas së tij. “E ky në mes është Klinton Bajgora, nga fshati Dobratin i Podujevës. Ai ishte fëmija i parë i familjes pas luftës dhe babai nuk kishte dilemë për emrin”.

Në shkrim paraqitet edhe një nga villat e deputetit Ramiz Kelmendi, për të cilat thuhet se janë kopje të ndërtesave qeveritare amerikane. E gjithë shtëpia e Qamil Brahimit në komunën e Ferizajt duket e dekoruar këtu në nderim të Ditës kombëtare të Amerikës, 4 korrikut.

Po në Ferizaj, Ruzhdi Kuçi i njohur si amerikani, e ka gjithë shtëpinë të dekoruar, madje me fotografi të shumë ish-presidentëve amerikanë. Sipas “Time” kosovarët edhe armët i dekorojnë me simbole amerikane, e edhe stërvitin me simbole amerikane.

“Kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Kisha dëgjuar për statujën e Bill Clintonit, dhe më pas kur e dëgjova për Amerikanin, u intrigova më shumë dhe mendoja se do të ketë akoma më shumë. Edhe kishte”, ka thënë Dezfuli. Mediat kryesore ndërkombëtare janë në Kosovë këto ditë për shkrime speciale për Kosovën në përvjetorin e pavarësisë.

Pulla postare “10 Vjetori i Pavarësisë”

Për nderë të shënimit të 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2018 në qarkullim postar do të vihet emisioni i pullës postare me titull “10 Vjetori i Pavarësisë”.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, është ngjarja më kulmore e historisë tonë kombëtare, e cila u kurorëzua pas një rrugëtimi të gjatë, me plot sakrifica e lavdi të popullit shqiptar përgjatë gjithë shekullit XX. Kjo pullë i dedikohet rrugëtimit të Republikës së Kosovës përgjatë këtij dhjetëvjeçari, zhvillimit të shtetit tonë të njohur nga 116 shtete botërore.

Kjo pullë postare në imazhin e saj mbartë kopjen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës me simbolet e tjera shtetërore. Ndërsa në aspektin moral, përmes saj pasqyron sukseset e Shtetit, posaçërisht talentin e të rinjve kosovarë në gara të ndryshme nga fusha e kulturës dhe sportit, të cilët i bënë nderë Kosovës dhe qytetarëve të saj me lartësimin e flamurit shtetëror në rangun e parë botëror.

Filatelia e Postës së Kosovës nuk do të ndalet vetëm me kaq, por do të veprojë në vazhdimësi në afirmimin e të arriturave të Shtetit tonë!./ KultPlus.com

Rita Ora pas gjashtë vitesh sërish në Kosovë, kthen vëmendjen e botës në vendlindjen e saj

Erdhi në Kosovë, në vitin 2012-të dhe ardhja e saj në vendlindje krijoi një lloj fuqie të shtetit më të ri në botë që ishte Kosova., shkruan KultPlus.

“Shine ya light”, i dha shkëlqim Kosovës, më saktësisht Prishtinës, aty ku shqiptarja Rita Ora bashkë me vendasit e saj realizuan videoklipin e kësaj kënge e cila u bë zë i Kosovës për botën.

“I SAPOLINDURI/E SAPOLINDURA” apo “New Born”, ishte vendi që tregon çdo emocion të kosovarëve që kishin pak më shumë se një dekadë që kishin dalë nga lufta. Rita mbi këto shkronja përballë të së cilave ishin me mijëra njerëz që dolën ta dëgjonin e shihnin yllin shqiptar që ka mahnitur botën, u bënë pjesë e kësaj videoje duke ngritur duart lart bashkë me Ritën, e duke krijuar shqiponjën-simbolin e tokës së shqiponjave që në të përfshihen të gjitha trojet shqiptare.

Tash, pas plotë gjashtë viteve Rita Ora vjen përsëri në vendlindje.

Aty ky gjaku i dëshmorëve u shpërblye më datën 17 shkurt të vitit 2008-të, e pikërisht në këtë datë historike, jubile të Pavarësisë së Kosovës, Rita Ora vjen me një koncert në qendër të kryeqytetit kosovar. Për këtë koncert, Rita nuk pranoi të paguhet. Ajo bëri edhe njëherë një vepër të madhe për shtetin në të cilin ka lindur, për datëlindjen e tij e për të gjithë këta qytetarë që po presin nga çasti në çast ardhjen e saj.

Rita, ambasadorja më e mirë e Kosovës në botë, më 17 shkurt ngjitet në skenën e përgatitur te sheshi Skënderbeu. Një skenë që në çdo cep të saj ka simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës është përgatitur të pres me mijëra njerëz të shtunën mbrëma.

Ora 22:00 do të shënojë ngjitjen në skenë të Ritës. Ora 22:00 është caktuar, sepse Kosova po bënë 10 vite. E Rita, përveç të tjerash, mbrëmë edhe konfirmoi ardhjen e saj në Kosovë. Rita shkroi shqip, dhe tregoi edhe njëherë sa e lumtur është që po vjen në Kosovën që edhe tash, pas 10 viteve pavarësi vazhdon të ketë sfidat e saj.

Mediet shqiptare nuk u kursyen që siç thotë populli ‘të gjejnë të metat’ për ardhjen e Ritës. U morën me bluzat që ajo krijoi për këtë jubile e që do të jenë në shitje. Poashtu që nga fillimi i muajit u morën edhe me atë se ‘po vjen Rita apo jo’. Me tituj nga më të ndryshmit që bënë konfuz qytetarët e Republikës së Kosovës, duket se dështuan. RITA ORA po vjen në KOSOVË. RITA ORA po këndon falas për 10 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS dhe RITA ORA edhe njëherë me zërin e saj po e bënë KOSOVËN kryelajm në TITUJT E GAZETAVE BOTËRORE./ KultPlus.com

Për dhjetëvjetorin e Pavarësisë, BKK prezantohet me “Kosova – nga historia në shtetësi”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të mbajë me rastin e përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës organizimin “Kosova – nga historia në shtetësi”, shkruan KultPlus.

Në kuadër të këtij organizmi do të shfaqen tituj të zgjedhur të koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Libri për historinë e Kosovës 1912 – 2018”. Për të vazhduar me lajme dhe ngjarje të prezantuara në gazetat e Kosovës, “Kosova e 10-të Vjet Pavarësi”.

Gjithashtu do të jetë një ekspozitë e artikujve të gazetave të koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë nën sloganin “Eksodi 1999”.

Pjesë e këtij aktivitet do të jetë edhe ekspozita “Shkruajmë e vizatojmë për Pavarësinë e Kosovës” e nxënësve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Pavarësia”. Ndërsa do të bëhet edhe ndarja e shpërblimeve për fituesit e Konkursit për Esenë për 10-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në Hollin e Bibliotekës, më 17 shkurt në orën 16:00./ KultPlus.com

Pamje nga skena ku do të performojë Rita Ora për 17 Shkurt (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora do të këndojë në një koncert të organizuar nga Shteti, për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Faqja zyrtare e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës #Kosova10, mbrëmë ka publikuar pamje nga skena ku do të ngjitet ylli i muzikës, Rita Ora.

Vendndodhja e kësaj skene është tek sheshi “Skënderbeu”, ndërsa Rita do të performojë para publikut kosovarë, duke filluar nga ora 22:00./ KultPlus.com

Më 17 shkurt, kosovarët mund të vizitojnë Parisin

Ambasada e Republikës së Kosovës në Francë dhe Ambasada e Francës në Kosovë, e organizojnë ngjarjen me qëllimin për t’i afruar banorët e dy kryeqyteteve në një ditë kaq të shënuar për kosovarët, në shenjë mirënjohjeje po ashtu për Francën, vend i cili ka kontribuar bujarisht në çlirimin dhe rindërtimin e Kosovës dhe që e njohu shtetin e ri të nesërmen e shpalljes së pavarësisë.

Nëse keni kureshtje për Parisin, më 17 shkurt është dita për një «vizitë virtuale» !
Dy pano LED të përmasave të mëdha, do t’ju ofrojnë mundësinë të shihni e përshëndesni kalimtarët e rastit, apo të lini takim virtual me miq e familjarë, të cilët jetojnë në Francë.

Kjo ngjarje do të zhvillohet më 17 shkurt, nga ora 11:00 deri më 16:30, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve./KultPlus.com

Fëmijët shqiptarë dhe të komuniteteve tjera në Kosovë sjellin ekspozitën “Të rinjtë për trashëgiminë”

Gili Hoxhaj

Puna e 29 nxënësve të katër shkollave fillore erdhi sot në ekspozitën “Të rinjtë për Trashëgiminë”, e cila u hap në Qendrën Kulturore Informative të BE-së (EUICC), shkruan KultPlus.

Rreth tridhjetë nxënës ishin mbledhur sot në këtë ekspozitë duke ngritur gishtat drejt punimeve të tyre. Krejt kjo ekspozitë është rezultat i punëtorisë dy ditore të fotografisë, me trajner fotografin Arben Llapashticën e që ishte organizuar në Novobërdë dhe Graçanicë më 16 dhe 17 dhjetor të vitit 2017.

Gjatë aftësimit në aspektin e marrjes së fotografisë, nxënësit e komuniteteve të ndryshme veçse ndajnë tashmë një përvojë të përbashkët lidhur me fotografinë. Veç kësaj ata kanë vizituar edhe dy lokalitete të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë: Kalanë e Novobërdës dhe Parkun Arkeologjik Ulpiana, prej nga edhe kanë nxjerrë fotografitë e tyre. Shkollat fillore pjesëmarrëse në këtë aktivitet ishin: “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, “Kralj Milutin” në Graçanicë, “Dositej Obradovic” në Prekovc dhe “Minatori” në Novobërdë.

Dardan Selimaj nga Instituti Columbus tha se përtej njohjes me fotografinë dhe një pjese të trashëgimisë kulturore të Kosovës, fëmijët e komuniteteve të ndryshme kanë pasur mundësi të njihen mes tyre duke investuar në të ardhmen pa paragjykime pavarësisht të kaluarës në konflikt.

Përfaqësuesja e Ambasadës Britanike Chablise Stoner tha se për ambasadën britanike është një kënaqësi e veçantë të bashkëpunojnë në këtë projekt të rëndësishme. Ajo tha se Ambasada Britanike konsideron ndërlidhjen sociale si një pjesë kyçe për pajtimin në Kosovë.

“Këto aktivitete sjellin dy mundësi shumë të rëndësishme, e para sepse lidhin të gjitha aktivitetet bashkë dhe e dyta sepse u mundëson gjeneratave të reja të mësojnë aftësitë e reja për të pasur një të ardhme më të mirë”, tha ambasadorja Stoner.

Përfaqësuesja e Iomit, Svetlana Rakic i falënderoi bashkëpunëtorët e këtij projekti duke thënë se shpreson që të gjithë janë kënaqur gjatë këtij aktivitet, duke shtuar se shpreson që aktivitete të tilla të vazhdojnë tutje.

Po ashtu në fund të këtij aktiviteti, këtyre katër shkollave iu dhuruan fotoaparate me të cilat kanë punuar gjatë kohës së punëtorisë, në mënyrë që ata të zhvillojnë edhe më tutje aftësitë e tyre lidhur me fotografinë.

Bledar Ajeti, një nxënës, pjesëmarrës në këtë ekspozitë tregoi për KultPlus se ndihet i kënaqur nga përvoja e tij në këtë aktivitet dhe thotë se kanë kaluar shumë mirë edhe më fëmijët e komunitetit serb ndërsa ky trajnim u ka dhënë mundësi t’i vizitojnë edhe dy lokalitete mjaft të bukura dhe të fitojnë aftësi kreative.

“Kemi kaluar shumë mirë gjatë atyre ditëve dhe fotografi na ka treguar vazhdimisht se si t’i përdorim aparatet, efektet dhe opsionet e ndryshme në mënyrë që fotografitë të dalin sa më të mirë dhe kreative”, tha nxënësi Ajeti.

Ky projekt është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë si pjesë e programit “Promovimi i integrimit social dhe pajtimit në Kosovë” dhe është implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim – IOM në bashkëpunim me Institutin Columbus në Prishtinë./ KultPlus.com

Mjuzikli për Millosheviqin, shfaqja që do të ndajë sërish Ballkanin

Gjatë jetës së tij, Sllobodan Millosheviqi, ndau popujt në Ballkan. E tani, 12 vjet pas vdekjes gjatë gjykimit të tij për krime lufte, i fuqishmi i dikurshëm i Serbisë pritet të ndajë sërish ata – kësaj here si karakter i një shfaqjeje.

Millosheviqi nisi një valë të nacionalizmit popullist për t’u ngritur në pushtet në Beograd më 1989 teksa komunizmi po binte në mbarë Evropën lindore, e më pas e udhëhoqi Serbinë në një dekadë luftërash në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.

I quajtur nga nacionalistët serbë si mbrojtës i tyre kundër kroatëve katolikë dhe boshnjakëve e shqiptarëve të Kosovës myslimanë, Millosheviqi u ofendua si diktator brutal nga Perëndimi dhe përfundimisht, pas një fushate bombarduese të NATO-s më 1999, humbi pushtetin dhe përfundoi në gjykim për krime lufte në Hagë.

Një shkrimtare me bazë në Beograd, Jelena Bogavac, tani ka shkruar një shfaqje e cila do të luhet nga serbë të Kosovës në Graçanicë që përpiqet të portretizojë kompleksitetin e plotë të një njeriu që ende fajësohet në Ballkan për vdekjet dhe vuajtjet e dhjetëra mijëra njerëzve.

“Fillimisht kemi dashur të bëjmë një shfaqje për të treguar tregime personale të serbëve të Kosovës në të ’90-at, por derisa po i bënim intervistat e kuptuam se gjithçka ishte e ndërlidhur me një emërtues të përbashkët – Millosheviqin”, tha për Reuters Bogavac, që e shkroi shfaqjen, transmeton Koha.net.

“Në shfaqje po prezantojmë kronologjinë e ngjarjeve që përfundojnë në Hagë”, thotë ajo gjatë ushtrimeve për shfaqjen e saj në Beograd.

Njeri familjar
I quajtur “Ngritja – Shou i Slllobodanit”, shfaqja është një mjuzikël që përqendrohet më shumë në marrëdhënien e tij personale me bashkëshorten e tij të fuqishme Mirjana, vajzën e tij Marija dhe djalin e tij Marko sesa në politikë, sipas skenarit të papërfunduar që e ka parë Reuters.

Në një skenë ai ngushëllon të bijën e tij për shkak të gjendjes së dobët financiare të radio-stacionit të saj, dhe në një tjetër ai i thotë Markos që e mos tejngroh ujin në pishinën familjare.

Pjesa e fundit e shfaqjes – gjykimi i tij në Hagë, ku ai vdiq nga një sulm në zemër më 2006 – pritet të përfundohet.

Shfaqja nuk pritet të kënaq shqiptarët që përbëjnë shumicën në Kosovë, që shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 2008 në një hap që ende nuk është njohur nga Serbia apo nga 40,000 serbë që ende jetojnë në Kosovë, transmeton Koha.net.

Rreth 800,000 shqiptarë u dëbuan dhe rreth 10 mijë të tjerë u vranë nga forcat e Millosheviqit në vitet e ’90-ta.

“Askush nuk do ta ndryshojë historinë me një shfaqje”, thotë Naser Shatrolli, regjisor e skenarist.
“Nuk ka rëndësi se çfarë thotë shfaqja. Millosheviqi është kriminel, tiran, që shkatërroi rajonin e Ballkanit, jo vetëm shqiptarët, dhe kështu do të mbetet dhe askush nuk do ta ndryshojë këtë”./ KultPlus.com

Dhimbja e shqiptarëve nëpërmjet fotografive (FOTO)

Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur për shënimin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Dhe për të shënuar këtë festë, padyshim këtij populli i kujtohen vuatjet e mëdha që ka kaluar nga regjimi i Millosheviqit, ku si pasojë e atij regjimi janë vrarë, masakruar e përnedjekur shumë shqiptarë.

Deportimi i popullit të Kosovës në disa pika kufitare pat bërë jehonë ndërkombëtare, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër regjimit serb, mirëpo, sikurse që pat bërë jehonë deportimi i këtij populli, po të njëjtën jehonë pat shënuar kthimi i tyre pas clirimit të vendit, pasi që, një përqindje e lartë e popullit u pat kthyer brenda disa ditëve. Kujtojmë ato ditë të vështira nëpërmjet këtyre fotografive./KultPlus.com

Mentor Zymberaj përfaqësoi Kosovën në “Çmimet e Evropës për Teatër” 2017-të

Me rastin e “Çmimit të Evropës për Teatër” edicioni XVI, i mbajtur në Romë nga 12 deri me 17 dhjetor 2017, për herë të parë ishte përfaqësimi zyrtar nga Kosova, gjegjësisht përfaqësim i artit skenik shqiptarë.

Ftesa për përfaqësimin nga Kosova, i ishte dërguar Mentor Zymberaj themelues i ITI-Qendra në Kosovë (Instituti Teatror), shkruan KultPlus.

Ky event ndërkombëtar për teatër ndër kryesorit në Evropë, u realizua në shumë aktivitete teatrore si: Hulumtimet dhe zhvillimet teatrore në Evropë dhe Qendrat e ITI; pjesëmarrja e gazetarëve dhe kritikës teatrore në ndarjen e Çmimeve Speciale nga Asociacioni i tyre; pjesëmarrja e autoreve, aktorëve, regjisoreve fitues në “Çmimet e Evropës për Teatër” dhe takimi i tyre me gazetarë e kritikë teatror; prezantimet e shfaqjeve fituese në “Çmimet e Evropës për Teatër”; si dhe Solemniteti i Ndarjes së Çmimeve si akti final i “Çmimet e Evropës për Teatër” 2017, edicioni XVI.

Pos çmimeve të ndryshme teatrore që u ndanë, çmimi kryesor “Çmimi i Evropës për Teatër” u takoi dy artistëve: Jeremy Irons dhe Isabelle Hubert. Ky event përfundoi me pjesëmarrjen e komunitetit artistik nga Evropa por edhe më gjerë, si dhe nga Institucionet shtetërore italiane dhe evropiane.

Pjesëmarrja e parë zyrtare i përfaqësimit të Kosovës ishte e një rëndësie të veçantë në zhvillimet teatrore në Kosovë por edhe më për artin skenik shqiptarë./ KultPlus.com

Teatri apo Kinemaja, të rinjtë e Kosovës tregojnë se kë e preferojnë më shumë (VIDEO)

Në Tetarin Kombëtar të Kosovës janë vënë në skenë tekste të shumta nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore. Shfaqjet në këtë teatër trajtojnë tematikë të ndryshme.

Por, me gjithë përpjekjet për ta bërë teatrin më atraktiv për shikuesin, numri i vizitorëve vazhdon të mbetet jo i kënaqshëm me rreth 15 mijë shikues në vit.

Kinemaja, ndërkaq, vazhdon të jetë më e preferuar nga të rinjtë në Kosovë. Në vitin 2016, numri i vizitorëve në Kinemanë ABC në Prishtinë ishte më shumë se 38 mijë shikues, shkruan REL./ KultPlus.com

Franca në Kosovë e Kosova në Francë, një program i përbashkët në 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në kuadër të 10-të vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Francës në Kosovë dhe Ambasada e Kosovës në Francë po bashkëpunojnë për të promovuar një program të përbashkët të ngjarjeve kulturore që tregojnë lidhjen dhe miqësinë mes dy vende, shkruan KultPlus.

Ky program përfshinë komplet vitin 2018-të, ku janë të përfshira ngjarjet të cilat Ambasada e Francës në Kosovë i përkrah. Ndërsa në Francë në shumicën e muajve të vitit 2018-të, do të ketë nga një ngjarje nga Kosova.

Po shpalosim këtu ngjarjet që nga Kosova shkojnë në Francë:

Kësisoj më 17 shkurt në Paris të Francës të ketë një “Teleportim-Prishtina në Paris” ku do të instalohen dy ekrane të mëdha publike. Në mars do të prezantohet ekspozita e Jakup Ferrit dhe do të mbahet “Pranvera e Poetëve”. Në maj do të prezantohet Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës me një shfaqje ndërsa Kosova do të jetë edhe në Festivalin e Kanës. Në Qershor në Annecy do të mbahet Festivali i Filmit të Animuar. Shtatori në Paris do ta dërgoj Mini-Dokufest-in, ku do të shfaqen filma të përzgjedhur të metrazhit të shkurtër. Tetori nga Kosova në Francë do të dërgoj festivalin e shijes ndërsa krejt në fund muaji nëntor do të ketë një koncert nga Blerta Kosova, BiCalko dhe Tandem.

Programi i përbashkët vjetor i Ambasadave është gjithashtu një mundësi për të promovuar, për publikun e të dy vendeve, aktivitete të cilësisë të lartë, të hapura për të gjithë dhe të theksohen pikat e kontaktit mes qarqeve kulturore dhe qytetarëve të të dy vendeve./ KultPlus.com

“Një ditë” shkriu rrëfimet e 30 grave në lëvizjet e mahnitshme të Trupës së Baletit të Kosovës

Tregimet e grave kosovare mbrëmë erdhën të shkrira në vallëzimin e tetë balerinëve të cilët sollën premierën “Një ditë”, duke shënuar kështu edhe Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo shfaqje mbrëmë erdhi nën koreografinë e amerikanes Christie Coleman, ndërsa në skenë e jetësuan në mënyrë të përsosur balerinët: Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Fatmir Smani, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli dhe Donmir Biblali.

Në një kënd të hollit të Teatrit të Kosovës një grua e re tërheq vëmendjen e të pranishmëve me vallëzimin e saj të lehtë cili përkufizon lirinë që ajo ka deri në momentin kur kapet nga një dorë burri, e që përfaqëson autoritetin e vëllait të saj i madh.

Pas kësaj, e gjithë ngjarja zhvillohet në skenën e Teatrit të Kosovës, ku pjesa e tjetër e shfaqjes fokusohet në ndërveprimin e një familje tradicionale ku balerinët përfaqësojnë dy prindër, një djalë dhe dy vajza. Lëvizjet e balerinëve japin mesazhin e qartë për çështjet me të cilat përballën gratë dhe me rolin e burrave në krijimin e këtij realiteti. Një grua duhet të bëjë gjashtë lëvizje për të arritur në një vend të caktuar, kurse burri arrin në atë vend me një lëvizje të vetme. Punët e shumëfishta të grave vijnë përmes lëvizjeve të shpeshta të balerinave, e të cilat në shumë raste kufizohen brenda një hapësire të një dore të burrit, e që shpesh gjatë vallëzimit kjo dorë drejton edhe lëvizjet e tyre.

Janë burrat ata që zotërojnë pushtetin në punë dhe familje dhe kjo shfaqje paraqet të katërt burrat të ulur në karriget e kuqe brenda skenës. Janë gratë ato që në këtë skenë shpesh ulen për tokë e ngrehen zvarrë madje edhe nga vet gratë, dhe janë po ato që ngrihen përsëri së bashku.

Koreografja Christie Coleman për KultPlus tregoi në mënyrë të detajuar lidhur me zanafillën e këtij projekti, i cili për të reflektuar në mënyrë kaq të saktë realitetin e familjes tradicionale, kishte kaluar në biseda të thella me rreth tridhjetë gra të kryeqytetit.

“Unë kam intervistuar tridhjetë gra në Prishtinë me të cilat diskutuam shtatë çështjet me të cilat ato përballen në baza ditore dhe po ashtu këtu dua patjetër të tregoi se shumica e probleme me të cilat ato përballen janë probleme ndërkombëtare, të njëjta probleme mi kanë treguar edhe miqtë e mijë që jetojnë në Nju Jork. Çështja e parë që nxirret në pah nga bisedat e mija janë e drejta pronësore, e dyta është se një grua humb vendin e punës edhe pse ajo është më e kualifikuar se një burrë, pastaj rrëfime tjera lidhen me punët e shumëfishta që ato duhet të bëjnë gratë si të kujdesen për shtëpinë, fëmijët, për burrin dhe të shkojnë në punë. Një vajzë tjetër paraqitet nën mbikëqyrjen e familjes lidhur me atë se ku shkon, çfarë bën dhe me kë takohet. Vajza tjetër flet për imazhin e trupit dhe problemet e portretizimit të femrave në media ku ka për qëllim të tregoi se standardet e bukurisë nuk janë ato se çfarë ne vërtetë jemi. Dhe çështja e fundit që trajton kjo shfaqje është se 61 për qind e grave në botë përjetojnë dhunë në forma të ndryshme dhe 40 për qind e grave në Kosovë vuajnë nga dhuna në familje dhe kjo është diçka për të cilën ne nuk flasim dhe kjo ishte pikërisht arsyeja përse e kemi ndërthurur në shfaqjen tonë sepse nëse gratë e tjera e shohin atëherë ato e kuptojnë se nuk janë të vetmet që përballën me këtë probleme dhe kështu mund të tregojnë edhe ato përjetimet e tyre”, shpjegoi për KultPlus, koreografja Christe Coleman.

Ajo po ashtu përmes KultPlus përcolli edhe një porosi duke thënë që trajtimi i barabartë gjinor vjen vetëm atëherë kur përpjekjet e shoqërisë arrijnë të jenë të barabarta.

“Shoqëria mund të ec përpara vetëm nëse edhe gratë i shtyjnë të ecin përpara. Nëse duam ta bëjmë ndryshimin, duhet ta bëjmë të gjithë së bashku. Të gjitha këto pabarazi që unë i përmenda, janë pabarazi të cilat ne jemi rritur duke i parë si të natyrshme dhe unë mendoj që është koha që të ndalemi dhe të reflektojmë se çfarë mund të bëjmë lidhur me këto probleme”, përfundoi Coleman.

Balerina Jeta Musolli erdhi mjaft dinamike përmes rolit të saj të një ylli të popit, e cila në të njëjtën kohë përjeton dhunë sistematike nga familja dhe i dashuri. Gjatë shfaqjes vallëzimi i saj që nënkupton lirinë dhe synimet e vërteta të saj shpesh ndërpriten nga personazhet që e rrethojnë. Shpesh duke dënesur dhe në luftë me realitetin, ajo arrin deri në fund për të jetësuar qëllimet e saj.

Jeta Musolli e përshkruan si shumë sfidues rolin e saj në këtë shfaqje ndërsa tregoi për KultPlus se bashkëpunimin e dytë me koreografen Christie Coleman e vlerësoi si shumë të suksesshëm.

“Për mua personalisht ka qenë shumë e vështirë sepse nuk ishte aspak e lehtë ta përjetosh një skenë të tillë por duke qenë se këto gjëra ndodhin edhe në jetën reale mendoj se mesazhi që e transmetuam sonte ka qenë mjaft i qartë që një herë e përgjithmonë duhet të ndalet kjo dhunë. Ky bashkëpunimi ashtu si bashkëpunimi i parë me Christie ka qenë shumë i mirë, unë jam munduar që të jap atë çfarë ajo ka kërkuar nga roli dhe besoj që e kemi gjetur gjuhën e përbashkët”, është shprehur Musolli për KultPlus.

Në dorën e balerinëve një letër që simbolizon pasurinë e familjes kalon sa në një dorë sa në tjetrën mes pëshpëritjeve “E imja”, dhe po ajo letër më pas shqyhet nga vajza dhe djali për të treguar që nëse pasuria nuk ndahet në mënyrë të barabartë atëherë ajo nuk i takon askujt.

Po ashtu një lloj abuzimi vije edhe fshehur në njërin nga këndet e teatrit i cili shfaqet vetëm në periudha të shkurtra, duke reflektuar kështu natyrën e fshehur të dhunës, e cila shpesh ndodh prapa dyerve dhe syve të mbyllur të shoqërisë.

Vjollca Llugiqi në këtë shfaqje erdhi në rolin e nënës e cila përmes djalit të saj shpesh bën edhe trysni ndaj vajzës së saj deri në momentin kur edhe ajo përballet me vështirësi në gjetjen e një punë.

Vjollca Llugiqi tregoi për KultPlus se puna një mujore për këtë shfaqje është përcjell më shumë emocione dhe entuziazëm duke qenë se brenda saj trajton një temë të ndjeshme.

“Duke qenë se ky është bashkëpunimi i dytë me koreografen Christie normalisht që ka qenë pak më lehtë pasi tashmë e njohim stilin e saj, dhe mënyrën e punës se saj e cila mundohet që çdo ngjarje të tregohet në detaje me anë te lëvizjeve. Ka qenë vërtetë një punë me shumë entuziazëm për një muaj pa pushim, po ashtu me shumë emocione të ndryshme duke pasur parasysh se çfarë teme e ndjeshme ishte sidomos për neve femrat, ka pas shume emocione edhe gjatë ushtrimeve duke dëgjuar gjithmonë nga një histori te një gruaje e cila në një apo tjetrën mënyrë ishin të dhunuara psiqikisht dhe fizikisht nga gjinia e kundërt. Shpresoj qe kjo shfaqje te jetë një nga mënyrat më të mira që zëri i femrës të dëgjohet me fuqishëm”, është shprehur Vjollca Llugiqi për KultPlus.

Kjo shfaqje ishte rezultat i bashkëpunimit i Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Un Women ndërsa është aktivitetit qëndron në kuadër të fushatës gjashtëmbëdhjetë ditore për sensibilizimin e shoqërisë lidhur me dhunën ndaj gruas./ KultPlus.com

“Home” dhe “Shpat Deda Band” mahnitën mbrëmë Parisin (FOTO)

Mbrëmë në Paris, në kuadër të Organizimeve Kulturore “Parantezë kosovare”, u shfaq filmi “Home” dhe u mbajt koncerti “Shpat Deda Band”, shkruan KultPlus.

Ky organizim erdhi nga Ambasada e Kosovës në Francë në bashkëpunim me Bashkinë e Parisit 4, me mbështetjen dhe nën përkujdesjen e kryetarit të Bashkisë, Christophe Girard.

“Krenar me arritjet e fundit të kinematografisë kosovare dhe të artit kosovar në përgjithësi. Filmi « Home » është ko-produksion anglez dhe kosovar, dhe fitues i çmimit BAFTA 2017 për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Qëndrim Gashi ambasadori i Kosovës në Francë.

Në koncertin pas filmit, Shpat Deda me anëtarët e grupit Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari dhe Art Lokaj interpretoi këngë origjinale nga dy albumet e tij, “Molla e Parë” (2010) et “Shkëndijë” (2014)./ KultPlus.com

Kosova e Italia së shpejti me marrëveshje bashkëpunimi në kulturë

Ministri Kujtim Gashi priti sot në një takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, dhe drejtoreshën e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandra Bertini Malgarini.

Në takim u diskutua për konkretizim të bashkëpunimit në fushën e kulturës mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë përmes nënshkrimit të marrëveshjes shtetërore mes dy vendeve për bashkëpunim dhe për akreditimin e përfaqësisë së Institutit Italian të Kulturës edhe në Kosovë i cili do të mundësojë përkrahjen dhe realizimin e projekteve konkrete në kulturë.

Ministri Gashi u pajtua për vazhdimin dhe përshpejtimin e procedurave që këto nisma konkrete të finalizohen sa më shpejtë. Ai tha se ky konkretizim i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Italisë do të nxisin shkëmbimin kulturor në përvoja të ndryshme mes institucioneve kombëtare dhe profesionistëve të fushës.

Nga ana e tij, ambasadori Sardi e falënderoi ministrin Gashi për gatishmërinë e treguar dhe u shpreh se marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës pas përfundimit të procesit të negocimit në të cilin ndodhet momentalisht, kur të nënshkruhet si marrëveshje mes dy vendeve, do të hapë një kapitull të ri në bashkëpunimin kulturor mes Italisë dhe Kosovës

Ndërsa drejtoresha e Institutit e njoftoi ministrin për punën e institucionit që drejton dhe u shpreh se me akreditimin e tij edhe në Kosovë, hapet mundësia për realizimin e shumë projekteve të përbashkëta./ KultPlus.com

Kosova pranohet në SEE Cinema Network

Kosova sapo iu bashkëngjit rrjetit më të madh të fondeve të filmit në Ballkan, SEE Cinema Network.

Sot është mbajtur Asambleja e Përgjithshme e South Eastern Europe CINEMA NETWORK, ku tani e tutje përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës, edhe Kosovës iu hapën dyert që të jetë pjesë e këtij rrjeti.

SEE Cinema Network e themeluar në vitin 2000, është rrjet i shteteve të Evropës Juglindore që synon zhvillimin e bashkëpunimit mes profesionistëve të filmit dhe shteteve anëtare të saj duke mbështetur zhvillimin e koproduksioneve ndërkombëtare dhe prodhimin e filmave të shkurtër.

Qëllimi kryesor i SEE është promovimi dhe zhvillimi i industrisë filmike kombëtare të secilit vend pjesëmarrës për të forcuar bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh me anëtarët e rrjetit.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku, i cili ishte i pranishëm në Asamble dhe e mbrojti aplikimin e Kosovës në këtë rrjet u shpreh: “Anëtarësimi në SEE përveç që krijon mundësi të barabarta të projektet filmike kosovare me projektet e rajonit, gjithashtu krijon lidhje të fuqishme mes filmbërësve tanë dhe atyre nga rajoni. Ky anëtarësim shumë i rëndësishëm për kinematografinë tonë është pikënisje e anëtarësimeve me shpresën që Kosova t’i bashkëngjitet fondit evropian më të madh të bashkëprodhimit – Eurimages. Gjithashtu falënderojmë të gjitha vendet e rajonit për përkrahjen dhe krijimin e mundësive të reja për filmbërësit kosovar”.
Me pranimin në SEE, projektet filmike kosovare do të kenë mundësinë të aplikojnë për zhvillim të filmit të metrazhit të gjatë artistik dhe për subvencionim të filmave të metrazhit të shkurtër, ndërsa në të ardhmen pritet që SEE të përkrah edhe projekte filmike të metrazhit të gjatë.

Shtetet anëtare në SEE janë: Greqia, Serbia, Qipro, Rumania, Shqipëria, Maqedonia, Bulgaria, Sllovenia, Kroacia dhe sot bashkë me Kosovën u anëtarësua edhe Mali i Zi./ KultPlus.com

Risitë e ‘PISA 2018’ për Kosovën, nuk ka më test me shkrim

Pas Debaklit Botëror në nivelin e njohurive të nxënësve, Kosova ka filluar përgatitjet për një raund të dytë me një qasje të re teknike që nga Ministria e Arsimit kërkon improvizim.

Kanë mbetur edhe pak muaj nga koha kur Kosova do të ‘vë në test’ sistemin e saj arsimor përmes Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA), që teston zbatimin praktik të njohurive në tri fushat kyçe që janë leximi, matematika dhe shkenca.

Testi PISA do të organizohet për herë të dytë në prill të vitit të ardhshëm, me më rreth 6000 mijë nxënës që do ta arrijnë moshën 15 vjeçe në atë kohë.

Megjithatë, për herë të parë, kësaj radhe testimi do të bëhet në kompjuterë, dhe jo me laps e letër si në testimin PISA 2015.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Mustafë Kadriu, menaxher për projektin PISA 2018.

Ai tha se në fazën e pilotimit ka pasur vështirësi në sigurimin e kompjuterëve ndërsa sipas tij për testimin final do të improvizohet në mënyrë që secili nxënës t’i nënshtrohet testit në kompjuter.

“Pavarësisht se cila shkollë përzgjidhet, nëse shkolla që është përzgjedh ka kompjuter atëherë vlerësohet në shkollën e vet, nëse nuk ka kompjuter gjendet një shkollë tjetër që ka kompjuter, më pastaj DVSM/MASHT ka 80 laptopë dhe administruesi i merr ata dhe realizohet testimi”, tha Kadriu.

Ai po ashtu theksoi se kanë vërejtur se nxënësit nuk kanë pasur probleme me pyetjet gjatë fazës së pilotimit në prill të këtij viti.

“Kodimi i pyetjeve të Testit pilot është realizuar (pilotimi ka për qëllimi rrjedhjen e procesit – nuk ka publikim të rezultatit , por vetëm se si kanë funksionuar pyetjet dhe se si nxënësit i kanë plotësuar pyetësorin)”, tha ai.

Historia e Kosovës me PISA-n

Vitin e kaluar Kosova u bë vendi i 72-të i përfshirë në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), në kuadër të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD
Rezultatet e këtij testi të shpallura vitin e kaluar e radhitën Kosovën të tretën nga fundi sipas rezultateve të nxënësve në lexim, shkencë dhe matematikë.

Rezultatet e dobëta kishin nxitur reagime të shumta nga analistë, politikanë e të tjerë që fajësonin Ministritë e Arsimit ndër vite, për mospunë.

Megjithatë, ministri paraprak, Arsim Bajrami nuk kishte marrë përsipër përgjegjësinë e rezultateve duke thënë se testi reflektonte punën e ministrave të kaluar.

“Kjo situatë reflekton gjendjen 2010, 2014, periudhën para ardhjes time si ministër dhe jam i sigurt se vlerësimi PISA 2018 do ta rangojë Kosovën jo vetëm në nivelin e njëjtë me rajonin por edhe në nivel të Bashkimit Europian”, kishte thënë Bajrami.

Tani, Kosova ka një ministër tjetër të arsimit, Shyqeri Bytyqi i sapo zgjedhur i cili që nga marrja e mandatit në shtator të këtij viti nuk ka folur lidhur me PISA-n.

Kadriu po ashtu nuk deshi të komentojë lidhur me rezultatet e mundshme të vitit 2018 duke thënë se pritet të shohin nëse do të ketë ngritje të rezultateve. / KultPlus.com