Besiana Kadare, ambasadore e Shqipërisë në OKB, priti në takim të përbashkët ekipin e shfaqjës “Refuge”, shfaqje e teatrit ODA dhe e cila trajton fatin e hebrenjve në të kaluarën dhe vendstrehimin e tyre masiv në Shqipëri.
E nderuar për këtë është ndjerë edhe vetë ambasadorja
Kadare, e cila e ka shprehur entuziazmin e vetë përmes një postimi në rrjetin
social Facebook.
Postimi:
E entuziazmuar për të pritur në Misionin e Shqipërisë në OKB aktorët e mrekullueshëm të shfaqjes “Refuge” (Refugjatët), të realizuar nga Baruch Arts Center, së bashku me kompaninë teatrore të Bekuar të Papës dhe Teatrin ODA të Kosovës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, mijëra refugjatë hebrenj u
strehuan nga familjet në Shqipëri, shumica prej të cilëve praktikonin fenë
islame. Megjithë okupimin nazist, asnjë
hebre nuk u dërgua në kampet e përqendrimit nga Shqipëria dhe ishte i vetmi
vend në Evropë me më shumë hebrenj në fund të luftës sesa në fillim.
“Refuge”
ndriçon dritën mbi këtë histori pak të njohur, me sfondin e tanishëm të sulmeve
antisemite dhe krizës së refugjatëve në Evropë.
Çfarë ndjenje e madhe të rrethohet nga shumë artistë të talentuar
shqiptarë dhe amerikan. Pika kulmore e
mbrëmjes ishte performanca e improvizuar e këngëve të vjetra shqiptare.
Faleminderit të gjithë atyre që e bënë mbrëmjen aq të ngrohtë dhe miqësorë. Falënderime të veçanta për Fadil Berishën të cilët bashkë e organizuan ngjarjen!
Përndryshe Besiana Kadare është vajza e shkrimtarit të nderuar Ismail Kadare. /KultPlus.com
Gjatë muajve prill dhe maj në Nju Jork, aktorët: Ilire Vinca, Eshref Durmishi, Daniela Markaj dhe regjisori Florent Mehmeti do t’i bashkëngjiten pjesës amerikane të ekipës për të finalizuar shfaqjen që për rrëfim ka historinë, shumë pak të njohur, të shpëtimit e strehimit të hebrenjve nga shqiptaret “Strehim” (“Refuge”), gjatë Luftës II Botërore.
“Strehim” (“Refuge”) është shfaqja e tretë origjinale e krijuar nga Teatri ODA dhe Blessed Unrest që nga viti 2005.
Gjashtë turne janë organizuar gjithsej deri tash në Ballkan, Evropë dhe në Nju Jork, përfshirë edhe projektin “Doruntine” që ka pasur dy turne të suksesshme në Amerikë dhe ka fituar Çmimin e Festivalit “Secondo” në Cyrih, Zvicër.
Premiera e “Strehim (“Refuge”) do të jetë më 25 prill në Baruch Performing Arts Centre në Manhattan në Nju Jork, për të vazhduar me shfaqjet deri më 11 maj 2019. / KultPlus.com
Gjashtëmbëdhjetë vite më parë në Prishtinë është krijuar Teatri i pavarur ODA, e menduar si një nismë për t’i hapur rrugën Skenës së Pavarur Kulturore në vend.
Mbrëmë gjithë kjo punë u shënua përmes
premierës së shfaqjes “Graviteti”, shkruan KultPlus. Shfaqja e parë e realizuar
në teatrin ODA – “Monologët e Vaginës”, premiera e të cilës u dha me 1 mars të
vitit 2003 i’u hapi rrugë shfaqjeve të shumta të cilat erdhën në kuadër të
këtij teatri i cili përmes punës së tij vendosi shumë shpesh emrin e Kosovës në
hartën kulturore së bashku me vendet e tjera ndërkombëtare.
Themeluesit e këtij teatri, aktori Lirak
Çelaj dhe regjisori Florent Mehmeti, atëherë besonin se në të ardhmen mundësitë
që Skena e Pavarur Kulturore të lulëzonte në Kosovë do të ishin shumë të mëdha.
Si themelues, ata mendonin se do t’u mbetej që të realizonin shfaqje të cilat
denjësisht do ta përfaqësonin Teatrin ODA në atë skenë, mirëpo 16 vite pas, ata
akoma luftojnë për t’iu bërë ballë shpenzimeve elementare.
Madje Mehmeti thotë për KultPlus se
ndihen edhe të vetmuar, pasi që Skena e Pavarur Kulturore akoma mbetet e
zbehtë.
“Ne ndihemi goxha të vetmuar në këtë
anën e teatrit të pavarur. Nëse dikush do të më kishte thënë në vitin 2003 që
do të jetë kështu skena, nuk do e kisha besuar. Nëse dikush do të më kishte
thënë që do jetë kështu e vështirë edhe pas 16 viteve, duke harxhuar shumë
energji për mbijetesë, ndoshta ish ulë shumë kjo kurajo dhe ky motivim. E them
me keqardhje që një pjesë e madhe e energjisë harxhohet në mbijetesë, e kisha
dashtë me e pa këtë energji të kanalizume në produktivitet për me kriju dhe me
prodhu më shumë në atë që edhe jemi të thirrur, për krijime artistike”, theksoi
ai.
Mirëpo me shumë kokëfortësi për të bërë
ballë ndaj sfidave dhe me shumë dashuri për punën që bën, ky teatër iu ka
rezistuar viteve. Rrethuar nga shumë artistë të rinj dhe nga miq të vjetër të
cilët hapat e parë i morrën në këtë teatër, dyert e Odës akoma mbesin të
hapura. Gjenerata të ndryshme të aktorëve akoma kalojnë kohë në këtë hapësirë
duke punuar dhe duke ndikuar në diversifikimin e kulturës në vend. Oda gjatë
këtyre viteve ka shërbyer si një pikë gravitacioni për të sjellë risi në skenën
teatrore, duke qenë e hapur për ide dhe eksperienca teatrore të cilat ndoshta
nuk do të kishin gjetur rehati në skenat që janë institucionale. Fuqinë e gravitacionit
e gjejmë edhe te shfaqja “Graviteti” shkruar nga Lirak Çelaj dhe me regji të
Florent Mehmetit e cila erdhi përmes lojës së aktorëve Daniela Markaj, Flamur
Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.
Tërësia e shfaqjes u krijua përmes
kronikave të shkurta të cilat u shfaqën brenda kornizave të varura në skenë,
duke krijuar kështu një mozaik të ngjarjeve dhe periudhave të ndryshme nëpër të
cilat kanë kaluar shqiptarët. Filloi nga Skënderbeu, të emigrantët e parë të
Shqipërisë, lufta në Kosovë, familja Jashari e deri te ata që kanë migruar, ata
që janë kthyer e ata që dëshirojnë të largohen nga vendlindja. “Fillimi i
shtjellimit të idesë për këtë shfaqje ka qenë me u marrë me lidhjen që ka
shqiptari me vendlindjen. Në këtë mënyrë, përmes shfaqjes u krijua edhe një
rrugëtim artistik që sillet rreth lidhjes gravitacionale me vendlindjen, prej
problemeve shumë të vogla e deri të lidhjet që janë edhe me të mëdha, sublime,
ku njerëzit edhe janë flijuar për këtë vend”, theksoi Mehmeti.
“Jemi duke jetuar në një kohë kur
atdhedashuria është duke u bërë pak bajat prej politikanëve të skenës politike
dhe po mendoj që arti ka ndoshta mision që me e ushqye këtë punë për ata që iu
pëlqen me pa tema të tilla por në një mënyrë më origjinale. Ne si Odë tregojmë
histori për të treguar një pozicion tonin karshi kësaj shoqërie ose fenomeneve
që ndodhin”, theksoi ai.
Aktorja Daniela Markaj e cila ishte
pjesë e kastës së aktorëve tha për KultPlus se sjellja e disa karaktereve ka
qenë mjaft sfiduese në fillim, mirëpo falë punës regjisoriale, karakteret kanë
krijuar një lidhshmëri dhe e kanë nxjerrë më të bukurën e kësaj shfaqjeje. “Me
Teatrin ODA për herë të parë kam punuar para dy viteve në kuadër të festivalit
Hapu. Vitin e kaluar pikërisht me 1 mars, për 15-të vjetorin e teatrit kam
luajtur në shfaqjen ‘Lufta e Tretë Botërore’ pas saj filluam projektin e ri e
që kishte si temë lidhjen e shqiptarëve me vendin e tyre, një proces shumë i
lezetshëm dhe me shumë diskutime, se qysh me i lidh skenat dhe pastaj edhe një
muaj prova. E bukura e këtij teatri si skenë e pavarur është që ODA iu jep
shumë mundësi aktorëve të rinj që me e prezantu veten dhe kjo është shumë e
rëndësishme për aktorët e rinj dhe për artistët. Kemi goxha shumë aktorë dhe
duhet me u kriju hapësirë dhe me iu jep mundësi dhe teatri ODA e bën këtë”,
theksoi ajo.
Kjo shfaqje i solli ndërmend regjisores
Zana Krasniqi- Hoxha se sa shumë artistë gjatë këtyre viteve ka zbuluar teatri
“ODA”. Kjo mbrëmje për të ishte një rizbulim i faktit që ky teatër mbanë akoma
gjallë frymën e pavarur artistike. “Shfaqja sonte ishte një tragjikomedi, do të
thoja, për faktin se trajton një pjesë të dhimbshme të historisë sonë, por
meqenëse është 20 vjetori i çlirimit të Kosovës mua më duket që është bërë me
qëllim një trajtim i tillë, pikërisht për historinë e këtij 20 vjeçari dhe ka
copëza te historisë sonë që të prekin emocionalisht por nganjëherë të bëjnë për
të qeshur me disa situata me të cilat ne identifikohemi shumë lehtë “, tha ajo.
Shfaqja “Graviteti” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Eda Zari feat. Rhani Krija, Gert Kapo, Visar Kuçi, Ilir Bajri, Hayden Chisholm sjellin “Udhëtim dimëror – Spiritual Jazz – kanellë dhe verë”, në Teatrin Oda, aty ku do të lexojë Sokol Çunga.
“Një program i pazakontë përmbush dëshira të vogla nostalgjike muzikale dhe kyçet me përmasën shpirtërore në muzikë. Përmes aranzhimeve të larmishme xhaz gërshetohen melodi aq të njohura, që tingëllojnë familjare, dhe përgatisin shpirtin për sezonin e festave të fundvitit.
Dimensioni shpirtëror në muzikë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndaj shkojmë muzikalisht pas në histori, për të njohur vlerën e ritualeve, festave, simbolikave.
Ritualet që ngrohin zemrën janë gjithmonë të mira. Nuk janë domosdo vetëm pikëpamjet e tradicionale fetare. Janë, bashkë me to, dhe ato rituale laike që japin shembuj, na tregojnë, së pari, si të paqtohemi dhe të festojmë të gjithë së bashku, në emër të dashurisë dhe paqes.
“Ja na erdhi viti i ri”, “Silent Night” janë këngë të njohura për çdo moshë. Pothuajse kushdo mund të këndojë nën zë e me zë duke bërë të pranishme ndjesinë e bredhave plot borë, të nuhasim biskotat e sheqerit që vijnë nga furra, të shohim dritaret e kuzhinës me avull. Dëshirojmë t’ju kënaqim, ndonëse sezoni i festave ende nuk ka filluar, duke ju sjellë përjetimin e një nate dimri me tinguj nga muzikantë të përkushtuar, dhe “Përralla nga e shkuara“!”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Qendra Multimedia do të sjellë edicionin e parë showcase, dhe poashtu ky është showcase i parë i organizuar ndonjëherë në Kosovë. Qendra. Multimedia.Showcase.2018 do të mbahet në Prishtinë, nga data 19 – 21 tetor 2018 dhe sivjet në të do të shfaqen katër shfaqjet e fundit të prodhuara nga Qendra Multimedia, duke përfshi edhe premierën e shfaqjes së re “Hipokritët ose pacienti anglez”. Po poashtu, në këtë edicion, janë përfshirë edhe shfaqjen “Le Pont”, e cila është realizuar në Paris dhe e cila do të hapë festivalin teatror që organizohet nga teatri “Adriana Abdullahu” në Ferizaj.
Premiera e shfaqjes “Hipokritët ose pacienti anglez”, prodhuar nga Qendra Multimedia, vjen me tekst të Jeton Nezirajt e nën regjinë e Agon Myftarit dhe Blerta Nezirajt.
Kasta e aktorëve të shfaqjes përbëhet nga: Ilire Vinca, Bajrush Mjaku, Dukagjin Podrimja, Shpetim Selmani, Ernest Malazogu, Daniela Markaj, Suasa Abazi (muzikante).
Komedia “Hipokritët dhe pacienti anglez” merret me sistemin shëndetësor i cili i zënë në kurthin e kapitalizmit e të politikave neoliberale, është shndërruar në njërën prej gangrenave kryesore të shoqërive bashkëkohore në Ballkan, dhe jo vetëm. Shëndetësia s’është krijuar jo për t’iu shërbyer qytetarëve, por për t’i shërbyer industrisë farmaceutike, asaj të sigurimeve shëndetësore e spitaleve private, të cilat shëndetin e pacentit e shohin si produkt prej të cilit duhet të ftohet dhe prej të cilit mund të akumulohet kapitali. Kujdesi shëndetësor është marketizuar e komercializuar, kurse institucionet shëndetësore publike funksionojnë në kushte të mjerueshme, me mjek të korruptuar ne mizantrop. Por sistemi shëndetësor natyrisht nuk vepron i vetëm dhe i shkëputur, ai është pjesë e një hallke më të gjerë të keqpërdoruesve që vijnë nga politika, nga biznesi farmaceutik, nga kompanitë e sigurimeve, nga kompanitë e prodhimit të aparaturave mjekësore e nga nëntoka e krimit të organizuar.
Të pasurit marrin trajtim në klinikat e shtrenjta private në vend apo gjetiu në Evropë. Të varfëritë vdesin, duke pritur në radhë në spitalet publike, ose vdesin në përpjekjet për t’grumbulluar financa për t’u trajtuar në spitalet private. Kjo situatë ka thelluar pabarazinë mes shtresave sociale dhe shtetet në regjion, të udhëhequra nga elita politike të korruptuara, janë duke i kontribuar kësaj pabarazie.
Në Kosovë rreth 50 mjek e ish-zyrtarë qeveritar janë duke u akuzuar për skandalin e quajtur “rasti stenta”, për mashtrim, keqpërdorim të pozitës zyrtare e marrje ryshfeti. Mjekë të tjerë, ndërkohë, janë dënuar për rastin tjetër të klinikës private “Medikus”, për trafikim ilegal të organeve. Një grup tjetër ndërsa akuzohet se ka qenë duke bashkëpunuar me kompanitë farmaceutike, duke u përshkruar pacientëve barna sipas emrit të kompanisë që i prodhon.
Në komedinë “The Hypocrites or The English Patient”, 6 personazhët, na tregojnë me shumë humor, për qendrat e masazheve në Ballkan, ku praktikohet “happy-end”-i (eufemizëm për masturbimin), për transplantin ilegal të veshkave e për operacionet mashtruese të stentave të zemrës – krejt këto, nën hijen e punimeve intensive për ndërtimin e ‘autoudhës së paqes ballkanase”. Në “Hipokritët…” publiku do të shoh anën ‘pornografike’ të një shoqërie e cila është duke praktikuar një happy-end kolektiv…
Premiera e shfaqjes vjen më datë 19 tetor në ora 20:00, në Teatrin Oda në Prishtinë./KultPlus.com
Me fillim nga ora 20:30, në Teatrin Oda në Prishtinë shfaqet opera e famshme italiane ‘Katër i Radës’, shkruan KultPlus.
E prodhuar nga Cantieri Teatrali Koreja – Lecce, opera ka qenë e komisionuar nga ‘Biennale di Vennecia’. Nga koha kur është prodhuar, kjo operë është dhënë në dhjetëra festivale të rëndësishme evropiane, përfshi edhe në festivalin e mirënjohur MESS të Sarajevës.
‘Katër i Radës’ nuk është veç një operë e kujtesës. Është një përpjekje, që përmes muzikës, të shkarkohet universi i njeriut i cili shkoi për të takuar një nga shumë tragjeditë e Mesdheut: atë të një anijeje të vogël të stërmbushur me burra, gra dhe fëmijë, që u fundos, në mars të vitit 1997 në bregdet të Italisë. Në turmën e një akti të vetëm, të Fundosurit dhe të Shpëtuarit, ata që u shpëtuan dhe ata që vdiqën, zërat e tyre, mendimet e tyre, e posaçërisht udhëtimi i tyre drejt errësirës, plot me ankthe dhe dëshira të vogla, ëndrra dhe frikë, devijime, ndarje, kujtime të rastësishme…
Muzika: Admir Shkurtaj, Libreto: Alessandro Leogrande, Regjia: Salvatore Tramacere, Skena dhe dritat: Michelangelo Campanale dhe Kostumet: Stefania Miscuglio./ KultPlus.com