Besa shqiptare, rregulli i artë dhe shpëtimi i hebrenjve

Saimir Lolja

Shqiptarët shpëtuan të paktën 3280 hebrenj gjatë holokaustit. Gjatë viteve 1933-1944, Shqipëria shpëtoi jo vetëm hebrenjtë vendas, por edhe të gjithë ata që mundën ta arrinin Shqipërinë nga vendet e tjera të Europës. Fakti është se në Shqipëri u shpëtuan të gjithë hebrenjtë dhe ata nuk u cenuan, nuk u dorëzuan, nuk u penguan të hynin; nuk pati ligj që kufizonte si numër futjen e tyre në Shqipëri.

Shpëtimi qe i plotë dhe vërtetohet edhe nga një fakt paralel: pas kapitullimit të ushtrisë italiane në shtator 1943, dhjetëra mijëra ushtarë italianë u fshehën në familjet shqiptare dhe u shpëtuan. Tërë popullata shqiptare, pavarësisht nga besimet fetare veproi drejtpërsëdrejti (shpëtuesi) dhe tërthorazi (p.sh. familjet fqinje) si një kulturë e bashkuar duke e kundërshtuar Holokaustin dhe shpëtuar tërë hebrenjtë ku ajo arrinte. As edhe një hebre ekziston i humbur për shkak të Holokaustit në Shqipëri. Njëkohësisht, ishin 14 hebrenj që ranë dëshmorë si pjesëtarë të njësive luftarake kundra-fashiste shqiptare ose u vranë nën zjarrin e luftës. Shqipëria ishte një arkë shpëtimi për hebrenjtë e përndjekur.

Gjurmët e shpëtimit gjenden në qytetet e fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Krujës, Tiranës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit, Gjinokastrës, etj.. Hebrenjtë drejtoheshin drejt Shqipërisë e tokave shqiptare, sepse e dinin se aty si nga populli ashtu edhe nga qeveria nuk kishte përndjekje të tyre, nuk kishte përbuzje fetare apo kombëtare, nuk kishte gjenocid ndaj kombeve të tjerë, se Shqipëria ishte strehë e sigurt. Ata e dinin se shqiptarët kishin besë, zbatonin këtë Rregull të Artë, se i hapnin derën mikut dhe kujtdo që ishte në nevojë dhe se hebrenjtë vendas jetonin si gjithë të tjerët. Sipas regjistrimit të popullatës në vitin 1931, Shqipëria qendrore kishte 204 hebrenj. Sipas dokumenteve, rajoni i Kosovës kishte 409 hebrenj vendas deri në pushtimin e ish-Jugosllavisë në prill 1941.

Ata hebrenj, bashkë me të tjerët që vinin nga ish-Jugosllavia dhe vendet e tjera dhe që u futën në Kosovë, shpëtuan duke u zhvendosur në Shqipërinë e brendshme me ndihmën e qeverisë dhe popullit shqiptar. Një listë prej të paktën 3280 hebrenjsh të shpëtuar nga shqiptarët deri në fund të Luftës II Botërore është dorëzuar në Yad Vashem. Në këtë numër nuk përfshihen hebrenjtë që hynë në Shqipëri me pasaporta jo të vërteta apo me emra të tjerë, ata që hynë fshehtas (p.sh. u fshehën në fshatrat pranë kufirit shtetëror), ata që nuk janë zbuluar akoma në dokumente të tjera, si dhe ata që nuk njihen me emër. Kjo e fundit është për t’u theksuar sepse është e zakonshme të shohësh lista në arkiva, të cilat kanë për një emër përbri numrin e njerëzve që e shoqëroi atë kryetar grupi ose familje, nën titullin “bashkë me familjen e tyre”. Institucioni Yad Vashem në Jeruzalem, deri më tani ka njohur zyrtarisht 69 shqiptarë si “Fisnikë të Kombeve” në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Këta hebrenj të shpëtuar janë ata që i mbijetuan Holokaustit nëpërmjet ndihmës shqiptare, që u martuan, lindën e vazhduan rrjedhën e tyre të jetës në Shqipëri e vendet e tjera. Hebrenjtë që mbetën në Shqipëri pas mbarimit të Luftës II Botërore lanë gjurmë në fusha të ndryshme të jetës shqiptare dhe kujtohen me respekt./KultPlus.com

Luan Durmishi: Filharmonia e Kosovës pretendoi se realizoi një prezantim të suksesshëm, në të vërtetë realizoi një prezantim të dobët

Te premtën e kaluar u interepretua vepra madhore e kompozitorit Joseph Haydn “Missa in Tempore Belli” – Meshë në kohën e luftës, nga institucioni më i lartë në vend – Filharmoina Opera e Kosovës.

Kjo vepër sic dihet është shkruar për kor profesional, orkestër dhe solist. U pretendua si realizim i suksesshëm, por në fakt ishte një realizim tejet i dobët në cdo aspekt. Me këtë dua të them se për të realizuar një vepër kaq komplekse në cdo aspekt profesional, ne na duhet së pari një edukim shumë cilësor, të cilin ende nuk e kemi dhe nuk do ta kemi edhe për një kohë shumë të gjatë, thënë më shkurt edhe pak shekuj.

Nëse nisemi nga fakti se ne po e mbajmë gjallë kulturën sic po pretendojnë disa përgjegjës të këtij institucioni, atëherë e kemi shumë gabim, sepse vec sa e dëmtojmë shumë institucionin dhe performuesit e këtij institucioni, duke i arritur koncertet komplet me një dhunë sistematike, psiqike, gjë që arti nuk e duron në asnjë moment këtë sistem.

Arti është kulturë, edukim, realizim dhe profesionalizëm i mirëfillt. Kjo që e thashë më lart, po i ndodhë tash e sa vite, sidomos korit të këtj institucioni. Nëse nisemi nga interesi personal, atëherë lë për të besuar shumë se e gjithë kjo ambicie për të realizuar vepra të këtij formati, shumë kompleks sic është kjo meshë, bëhet kryekput për interesa personale.

Kjo u vërtetua shumë qartë të premtën e kaluar, se për të realizuar një vepër të tillë, të paktën duhet të udhëhiqet nga dirigjent super profesional , në të kundërtën vepra nuk duron dirigjent total amator, sic e kishte kjo vepër të premtën e kaluar, duhet të paktën të ketë solistë shumë të mirë, gjë që rezultoi me solistë shumë të dobët, pervec basit tashmë të dëshmuar Frano Lufi ( në këtë rast u sigmatizuan solistët shumë të mire që i ka ky institucion i yni ). Dhe krejt në fund, vepra u realizua si u realizua falë atyre pak muzicientëve të rinjë shumë të mirë dhe me përvoja edukimi dhe ekperiencë jashtë vendit./KultPlus.com

Dua Lipa: Këngët e mia janë këngë me të cilat mund të vallëzosh, por mund edhe të qash

Këngëtarja Dua Lipa që po konsiderohet si ylli i vitit 2017 ka folur për Billboard për suksesin e saj në muzikë dhe për stilin e këngëve të saj, përcjellë KultPlus.

Ajo ka thënë se shumë nga këngët e saj janë këngë që mund të vallëzosh me to,mirëpo, sipas saj, nëse dëgjohet lirika e këngëve të saj, po me të njëjtat këngë mund edhe të qash. Billboard e ka quajtur Dua Lipën si një senzacion global./KultPlus.com

E shumëpritur, lansohet traileri i pjesës së dytë të filmit “Mamma Mia” (VIDEO)

Traileri i filmit “Mamma Mia” tashmë është lansuar dhe adhuruesit e grupit ABBA kanë mundësi që të dëgjojnë edhe hite të tjera në këtë film, që është bazuar pikërisht në muzikën e këtij bendi suedez, shkruan KultPlus.

Filmi pritet të prezantohet gjatë verës së vitit 2018. Filmi është xhiruar një pjesë edhe në bregdetin e Kroacisë.

Filmi është punuar me regji të Ol Parker kurse rolet në këtë film i luajnë: Meryl Streep, Cher, Jeremy Irvine, Lily James. Filmi ka premierën më 20 korrik të vitit të ardhshëm./KultPlus.com


Nga Hashim Thaçi e te Shpend Ahmeti thumbon Shuki me Stand-Up komedinë “Urime Viti i VJETËR” (VIDEO)

Para më shumë se 350 mysafirëve ka shpërthyer Mentor Shuki në stand-up komedinë e tij ‘Urime Viti i VJETËR’.

Me një tregim spekakular që ka elaboruar rëndësinë e bukës në kulturën tonë, pastaj traditën e pritjes së vitit të ri si dhe ngjarjet e mëdha politike te vitit 2017, Shuki ka shfrenuar të pranishmit përgjatë një ore.

Nga thumbimet urbane te Shukit s’ka shpëtuar as i pari i Kosovës, presidenti Thaçi e as ai i Prishtinës, Shpend Ahmeti.


Kurse të pranishëm ishin yjet e muzikës Hip-Hop Kresha dhe P.I.N.T, DJ Jungle dhe Agon Amiga si dhe DJ Gamble, tashmë deputet në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Nuk munguan as artistët Erzen Shkololli, Alban Muja dhe dizajnerja Venera Mustafa.

Nga të pranishmit, kjo performancë është konsideruar si performanca më e mirë e komedianit dhe autorit të emisionit ME SHUKIN, i cili është nga të vetmit në kulturën e komedisë stand-up.

Kjo ngjarje është mbështetur nga Propper Pizza, Urban FM dhe American School of Kosova./ KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë, tashmë zyrtarisht Festival Kualifikues për Oscars

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë ndryshe i njohur si TIFF, tashmë është festival zyrtar i Akademisë për Çmimin e filmit të shkurtër.

Lajmin për KultPlus, e ka konfirmuar drejtori i këtij festivali Agron Domi, i cili është shprehur shumë i lumtur për këtë lajm që ka ardhur nga Akademia.

“Janë vetëm 84 festivale të rëndësishme ndërkombëtare që fituesi i tyre në short category nominohet për Oscar animation, fiction ose documentary. Kjo i jep TIFF, si i vetmi në Ballkan që mund të sugjerojë film të shkurtër për Oscars, një reputacion të lartë për të shfaqur premiera të filmave Europian dhe jo vetëm”, ka thënë për KultPlus, Domi.

Pra fituesi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, që do ta marrë çmimin për Filmin më të Mirë, do të, kualifikohet për shqyrtim në kategorinë e filmit të shkurtër për Oscars./ KultPlus.com

Ndue Ukaj: Rreshtimi kundër hebrenjëve është nonsens, shqiptarët kanë një lidhje të veçantë me hebrenjtë

Vota e sotme e Shqipërisë kundër Amerikës dhe Izraelit, është e frikshme; është votë e turpit kombëtar, dhe si e tillë, ajo mund ta rrezikojë seriozisht të ardhmen e gjithë shqiptarëve. Kjo votë, tregon politikën kryeneçe dhe të marrë shqiptare. Për mua, kjo votë është poshtër dhe tregon sa bukëshkalë jemi, dhe, sa të pasinqertë jemi me vetveten dhe me të tjerët. Ky veprim politik, rrezikon ta hapë një gropë të zezë, ku mund të fundosemi të gjithë.

Rreshtimi i Shqipërisë kundër politikës amerikane, është nonsens, është rreshtim kundër interesave shqiptare- dhe pro Rusisë dhe Turqisë. Është rreshtim kundër popullit hebre, me të cilin kemi një lidhje të veçantë. Nuk guxojmë asesi të përbuzim rolin e pazëvendësueshëm të lobeve hebre pro shqiptarëve.

Popujt e mençur, mësojnë nga gabimet e popujve të tjerë, ndërsa ne, nuk mësojmë as nga gabimet tona.
Sepse, përgjatë historisë, kemi gabuar shpeshherë:

Duke u rreshtuar keq.
Duke krijuar aleanca të rreme.
Duke ulur flamurin tonë si “sorrë” dhe në vend të tij duke lartësuar flamuj tjerë.
Duke iu gëzuar fitoreve të tjerëve e duke luftuar për kauza të rreme.
Duke u shtirë se i duam tjerët, pa e dashur vetveten.
Duke u mësuar t’iu duartrokasim tjerëve, pa i duartrokitur vetvetes./KultPlus.com

Arilena Ara publikon “Borë në dhjetor”

Këngëtarja e njohur shqiptare, Arilena Ara, sapo ka publikuar këngën e saj më të re.

Pas hitit “Nëntori” që ishte një ndër këngët më të pëlqyera për audiencën shqipfolëse dhe jo vetëm, ajo sonte ka sjellë këngën “Borë në dhjetor”, shkruan KultPlus.
Për muzikën e kësaj kënge është kujdesur Darko Dimitrov, ndërsa për tekstin Kirill Lupinos./ KultPlus.com

Këtu mund ta shihni LIVE Festivalin e Këngës në TVSH

Mbrëmja e sotme në ekranin e RTSH do të sjelli për të gjithë shikuesit, edicionin e 56 të Festivalit të Këngës, i cili këtë vit pritet me një interes mjaft të lartë nga publiku.

Në linkun më poshtë do të mund të ndiçni LIVE, këtë festival, dhe këngët që do të prezantohen në natën e parë.

Ata ishin ngjarje! Vdekja e tyne vepër arti

Poezia fituese e çmimit të dytë të edicionit të parë të KultStrofa. Poezi e shkruar nga Halil Matoshi.

Për marsin dhe Jasharajt

Nëse liria e ka dimensionin e vet etik. Duhet me e mbrojtë me jetë.
Dhe nëse liria e ka edhe dimensionin e vet estetik. Duhet me e mbrojtë me vdekje!

“Shihni sa thmitë i kemi ktu. S’kemi ku i qojmë as kah shkojmë s’kemi
e s’luejm veni…”
Thotë Hamzë Jashar shqiptari

Atij i kërkohej ta lë shtëpinë e katandinë
E të humbet nga sytë e botës
Sepse kështu donte një tiran ballkanas…

Dhe ushtarët e tiranit demonët e shekullit 20
Nji ditë shkuen n’Prekaz dhe i mbuluen me terr arën, livadhet, shtëpitë
Dhe jetët e fëmijëve morren një nga një
Dhe Hamzës e Ademit ua vranë kangën

Në Europë u shue nji familje
Që kishte msue nder breza në tokë t’veten me jetue
Tuj lypë liri e truell me e bâ deken…

Me i përflakë andrrat në ‘i rreze mali
Kur njaj diell qe rrezon e nuk nxe nxjerr synin permi’ Kosovë
Ni dasmë me e bâ, tokën me trashigue

N’mars ata shikuen qiellin e vrant’ e i buzëqeshen vdekjes
“vdekjen këtu kemi me e bâ!”
po liria thanë erdhi dhe sërish dikush tha:
“shihni sa thmitë i kemi këtu…”

Shqiptarët nder breza jetën e qojnë posht, n’zore e skamje
E vdekjen e bâjnë si ni valle me ngé!
E bâjnë!
E masanej presin me ardhë si brumi n’magje

Kjo mjeshtri asht e ngjajshme si nji vepër arti me e bâ!

Një rrëfim ndryshe për luftën në Kosovë, vjen përmes filmit “Drita”

Sarandë Selimi

Në janar të vitit 1999 në njërin nga qytet e Kosovës ne shohim Dritën, një grua të izoluar. Ajo nuhatë që lufta që po zhvillohet nëpër fshatra po vije edhe në qytet. Fillimi është një memorie historike, një perspektivë e atyre që kanë jetuar nëpër banesat kolektive të kohës.

Më skenar të Armend Smajlit e regji të Rita Krasniqit, “Drita”, filmi i metrazhit të shkurtër i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, tashmë është në përfundim të procesit. Me një ekip me emra të njohur në kinematografinë shqiptare, ky është skenari i parë për film i aktorit Armend Smajli, i cili në një intervistë për KultPlus, shpalosi disa detaje interesante që kanë të bëjnë me filmin, dhe me jetësimin e tij, në ndonjërin ekran të festivaleve ndërkombëtare.

“Më gëzon fakti që në këtë periudhë jam sfiduar edhe me një fushë të re artistike.
Inspirimi, rrugëtimi dhe tregimi për skenarin është shumë më i gjatë sesa filmi por ne besojmë se të gjitha ato copëza të menduara e të imagjinuara do të shfaqen në ekran”, thotë Smajli, i cili vazhdon të tregojë për KultPus, se “Drita”, në fund të janarit të viti 2018-të do të jetë i përfunduar.

“Fundi janarit 2018 filmi do të jetë i përfunduar. Dhe do të shohim edhe në biseda me QKK, do të aplikojmë nëpër festivale dhe të shohim se ku do të kemi fatin ta japim premierën botërore”, u shpreh për KultPlus, Smajli.

Filmi më producent vetë skenaristin Armend Smajli, ka sjellë një kastë aktorësh si: : Irena Cahani, Alban Ukaj, Bislim Muçaj, Florieta Bajraktari. “DOP” e filmit është Sevdije Kastrati ndërsa produkcioni “EVA Film”./ KultPlus.com

Promovohet “Shoqëri në Alarm” nga Sibel Halimi, u dedikohet grave dhe vajzave në Kosovë

“Shoqëri në Alarm”, kështu e ka titulluar librin e saj të ri autorja Sibel Halimi, i cili u promovua sonte në kafe-librarinë Dit’ e Nat’, në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Libri i saj sjellë një reflektim i cili përfshin zhvillime të gjithëmbarshme në shoqërinë kosovare, në gati pothuajse dy dekadat e fundit.

Arbër Selmani, gazetar dhe redaktor në gazetën për kulturë KultPlus, moderoi këtë promovim libri ku edhe tregoi se brenda këtij libri është e përfshirë një punë e gjatë kërkimore e autores dhe përmban disa figura kontradiktore brenda tekstit. Selmani tregoi se në këtë libër përfshihen citate të Kantit, Simone de Beauvoir. Ai po ashtu tregoi se ky libër përmban edhe emra kontradiktor që lidhen me fusha të ndryshme andaj në këtë libër kanë zënë vend edhe emri i Shefqet Krasniqit, Rexhepi Qosjes, Atifete Jahjaga e deri tek Era Istrefi, ndërsa depërton edhe tek Akademia e Shkencave. Që nga kjo përmbajtje tregon se autorja i ka dhënë një trajtim të veçantë çështjeve të ndryshme të shoqërisë kosovare.

Antropologia Nita Luci, sot gjatë promovimit shpalosi disa nga pjesët më interesante të librit, ajo tha se ky libër nxjerrë në pah disa vështrime dhe mendime që mund të jenë të ndryshme varësisht nga konteksti i leximit. Luci tha se e veçanta e këtij libri vjen në faktin se ndonjëherë e bën lexuesin të qesh edhe në momentet më të dhimbshme. Ajo theksoi pjesën e cila flet për historinë, kombin dhe mustaqet, derisa lexoi dhe një pasazh.

“Burrat janë baballarët e kombit, ata që formuan, zhvilluan dhe drejtuan shtetin. Ata para të cilëve shteti përkulët, njerëz me mustaqe, lavdia e të cilëve në histori nganjëherë rri e varur pikërisht në atë grumbull qimesh”, ishte pjesa të cilën e lexoi antropologia Luci, e cila shtoi se kritika dhe intervenimi feminist mbi kombin vazhdon të jetë gjithnjë temë e rëndësishme për diskutim.

Antropologia Nita Luci poashtu tregoi se veçantia e këtij teksti është se primare e ka dashurinë, pavarësisht çështjeve që trajton.

“Ajo çfarë nxjerrë në pah Sibeli është dashuria, ky tekst nuk flet për Millosheviqin, nuk flet për pronën, për universitetin, ai flet të gjitha ato po primare është dashuria dhe a mundet dashuria të jetë një lloj projekti politik që i mobilizon grupet e ndryshme për interesa të përbashkëta” tha tutje Luci sonte.

Po ashtu dhe sociologia Linda Gusia, kishte lexuar këtë libër ende pa ardhur në duart e lexuesve ndërsa tregoi për të pranishmit dhe tha se punën e autores Halimi e sheh si shumë të rëndësishme lokalizimin e dijes dhe veçmas për lidhjen që bën mes akademisë dhe aktivizimit.

“Viteve të fundit jemi duke u përpjekur që ta tejkalojmë atë hendekun e madh mes akademisë dhe aktivizimit dhe lokalizimit të dijes. Mendoj se është e rëndësishme që ta lokalizojmë dijen dhe angazhimin feminist, poashtu të flasësh për subjektin e gruas prej një konteksti shumë të vështirë”, tha sonte Linda Gusia, e cila po ashtu shtoi se sociologen Sibel Halimn e cilëson si një shembull i një intelektualeje që ka guxim të reagoi mbi fenomenet për të cilat janë shumë të rëndësishme për shoqërinë.

Ky libër në të cilin autorja ka vënë edhe një qasje shkencore, nxjerrë në pah reflektimin e autores për zhvillimet që ndodhin në Kosovë, ndërsa ajo nuk mund t’i ndahet as natyrës së saj poetike, ku brenda librit ka vendosur edhe poezinë e saj.

Vet autorja Sibel Halimi, pohoi se këtë libër ua dedikon vajzave dhe grave që shpesh janë përballur në situata jo të mirë për shkak se për fatin e tyre kanë vendosur grupet e tjera, duke u nisur edhe nga sistemi ynë patriarkal.

“Reagimi im i përditshëm vjen si pasojë e ndryshimeve që kanë ndodhur dy dekadat e fundit dhe që shumë grupe i kanë kanalizuar këto ndryshime në bazë të ideologjive të tyre”, u shpreh Halimi. Ajo më pas tregoi se trupi është pjesë qendrore në pothuajse katër kapituj, për shkak se trupi është i pranishëm kudo por që historia e filozofisë, ajo e psikologjisë dhe feministe ka trajtuar vetëm mendjen.

“Vetëm epoka e fundit e feminizmit përpiqet që trupin ta kthej në figurë qendrore për shkak se trupi është bërë vend i shtypjes, i kontrollit dhe disiplinimit”, ka treguar autorja Halimi.

Arsyeja përse autorja këtë libër ua dedikon vajzave dhe grave të Kosovës, është sepse ky libër është alarmi i fundit që ato t’i kthehen vetvetes, jo duke u përfshirë në ndonjë ideologji por duke reflektuar dhe duke u shndërruar në subjekt.

Autorja Halimi krejt në fund pati një mesazh me të cilin godet edhe në fund të librit, se ky libër shliron edhe gratë edhe burrat që të dy palët janë viktima të sistemit patriarkal./ KultPlus.com

Vlora Hajrullahu sjellë ekspozitën “arts&crafts”

Të shtunën me fillim nga ora 19:00 në Traffic Gallery, hapet ekspozita e artistes Vlora Hajrullahu me art&crafts për festa të fundvitit, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë do të paraqiten punimet e artistes, e poashtu aty do të mund të përzgjidhni dhe të blini punimin që u pëlqen.

Ekspozita hapet më 23 dhjetor me fillim nga ora 19:00 në Traffic Gallery./ KultPlus.com

Këshilli Drejtues i TKK-së, miraton repertorin e skenës së vogël për vitin 2018-të

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, sot ka aprovuar repertorin për skenën e vogël të vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Nga tetë projekte të propozuara nga udhëheqësi artistik në koordinim me drejtorin e përgjithshëm të TKK, KD, ka aprovuar katër projekte për të u realizuar përgjatë vitit 2018-të.

Në vijim ju sjellim projektet që do të jetësohën në skenën e vogël të vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në vitin 2018-të.

“Bardh” Dubravko Mihanovic, regjia Fatos Berisha, “Ana dhe Zefi” nga Ad de Bont, regjia Erson Zymberi, “Hamleti im” nga Ag Apolloni, regjia Ilirjan Himaj dhe “Si ta vrasim presidentin” Miro Gavran, regjia Marigona Bekteshi./ KultPlus.com

“Albanian Recruit” tashmë pjesë e kompanisë amerikane Indieflix

Filmi “Albanian Recruit”, me regj të Sunaj Racës, tashmë mund të shikohet në platformën amerikane Indieflix, shkruan KultPlus.

Producentët e këtij filmi kanë nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane Indieflix e cila është kompani e specializuar në promovimin e filmit të pavarur, duke ofruar platforma online. Është në dispozicion në Fire TV, Roku, Xbox, dhe të gjitha pajisjet e lidhura me internet, duke përfshirë, Smart TV . Indeflix është i quajtur nga revista Variety si “Netflix i filmit të pavarur”.

Në këtë link mund ta shihni filmi:
https://indieflix.vhx.tv/the-albanian-recruit

“Dodona” nesër sjellë premierën për fëmijë “Përgjithmonë Ujku”

Nesër më 22 dhjetor në teatrin Dodona, vjen premiera e shfaqjes për fëmijë “Përgjithmonë Ujku”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje vjen bazuar ne tekstin e përrallës së autores Matter, ndërsa është përpunuar dhe përshtatur për skenë nga G.Pigor dhe I.Dragovoja.

Shfaqja vjen me regji të Ilir Dragovoja, skenografia dhe kostumet nga Theranda Sertollaj dhe I.Dragovoja ndërsa luajnë: Avni Hoti, Roza Berisha dhe Advi Azemi.

Shfaqja vjen nesër në teatrin Dodona me fillim nga ora 12:00 në sallën TQP Dodona./ KultPlus.com

“Zambaku i Prizrenit” feston 30 vjetorin e themelimit me promovimin e dy kompakt-disqeve

Festivali i muzikës së vjetër qytetare, “Zambaku i Prizrenit”, më 27 dhjetor të këtij viti shënon 30-vjetorin e themelimit. Ky përvjetor do të festohet me promovimin e dy kompakt-disqeve, të cilat përmbajnë 30 këngët më të suksesshme të “Zambakut të Prizrenit” ndër vite.

Themeluesi i këtij festivali, kompozitori Reshat Randobrava, thotë se qëllimi i “Zambakut të Prizrenit” ishte kultivimi i këngës së kompozuar në frymën e këngës së vjetër qytetare, shansonës, romancës dhe formave të tjera të lira muzikore.

Shumica e këngëve të kompozuara për “Zambakun e Prizrenit” u janë kushtuar bukurive natyrore të qytetit të Prizrenit dhe jetës së banorëve të tij ndër shekuj, shkruan KL. Ky festival, prej vitit 1986 deri në vitin 1990 ishte mbajtur nën patronatin e Radio Televizionit të Prishtinës dhe Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit të Prizrenit.

Nga viti 1990 deri në vitin 2003, shumicën e herëve, “Zambaku i Prizrenit” u mbajt nën patronatin e Shoqërisë Kulturore-Artistike “Agimi” të Prizrenit, ndërsa prej vitit 2003 deri në vitin 2016, nën patronatin e Drejtorisë për Kulturë të Prizrenit./ KultPlus.com

Nisin hetimet për rrënimin e shtëpisë-monument në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisin hetimet për mbledhjen e provave lidhur me rrënimin e shtëpisë-monument të familjes Myftiu në Qendrën Historike të Prizrenit.

Sipas njoftimit nga prokuroria, kjo bëhet pas reagimit dhe njoftimit publik nga Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit.

Po ashtu, në njoftim theksohet se prokuroria në Prizren ka kërkuar nga kryetari i Prizrenti, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Policisë së Kosovës që të ndërmerren urgjentisht të gjitha masat kundër atyre që po bëjnë ndërtime të kundërligjshme dhe kundër dëmtuesve të Trashëgimisë Kulturore./ KultPlus.com

QRTK reagon rreth rrënimit të shtëpisë së familjes Myftiu në Prizren

Tani kur po afrohemi fundit të vitit kalendarik 2017 dhe të gjithë jemi duke bërë vlerësimin e arritjeve dhe sfidave që na përcollën gjatë këtij viti, rrënimi i shtëpisë së familjes Myftiu në Prizren shkaktoi një dis-balans duke e njollosur rezultatet e punimeve të kryera sivjet, e që nuk janë të pakta.

Përveç tjerash ky vit ishte edhe viti jubilar i institucionit tonë ku kohë më parë kemi shënuar 50 vjetorin e themelimit, me disa aktivitete modeste për shkak të angazhimit të madh që ka pasur institucioni ynë në përmbushjen e planifikimeve dhe objektivave programore. Vetëm sektori i arkitekturës gjatë vitit 2017 ka bërë ndërhyrje restauruese – konservuese në 20 objekte të ndryshme krahas punëve tjera si rivlerësimi, inventarizim dhe propozimi i objekteve të tjera për mbrojtje të përkohshme, hartimi i projekteve për ndërhyrje, shqyrtimi i lëndëve investive nga palët dhe institucionet, mbikëqyrje, konsultime me palë të ndryshme, etj.

Ky vit jubilar u përmbyll me aktivitete rekorde në krahasim me 18 vitet e kaluara. Shkatërrimi i shtëpisë së familjes Myftiu, këtij aseti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore dha një goditje të rëndë bindjes sonë se jemi duke përparuar në vetëdijesimin e opinionit dhe institucioneve në ruajtjen e trashëgimisë kulturore si vlerë universale e njerëzimit. Shtëpia e familes Myftiu është vlerësuar si monument kulture me numrin unik 507 dhe gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme 2017-2018. Ndërtesa është inventarizuar, janë evidentuar vlerat e saj arkitektonike – estetike, historike, shoqërore dhe shkencore. Është bërë edhe rilevimi i gjendjes ekzistuese dhe ka qenë e propozuar për ndërhyrje restauruese gjatë këtij viti. Fatkeqësisht pronarët nuk kanë pranuar të bëhet ndërhyrja, duke u arsyetuar se ndërtesa është pronë e disa trashëgimtarëve, dhe nuk po arrijnë një marrëveshje të brendshme për të lejuar restaurimin e ndërtesës. Përkundër faktit që janë njoftuar rreth obligimeve dhe detyrimeve të pronarëve të aseteve të Trashëgimisë Kulturore, në bazë të Ligjit (Nr.02/L-88) të Trashëgimisë Kulturore, nuk kemi arritur t’i bindim për të lejuar ndërhyrjen.

Kjo situatë e palakmueshme është paraqitur në departamentin e Trashëgimisë Kulturore, me ç’rast kemi kërkuar që të ndërmerren hapat konkrete ndaj pronarëve për pengimin e ndërhyrjeve restauruese, bazuar në dispozitat ligjore. Duke menduar që ndërmarrja e veprimeve ligjore do të parandalojë rrënimin e qëllimshëm të këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore, dhe do të kontribuojë në vetëdijesimin e pronarëve tjerë. Po ashtu është kërkuar të ndërmerren masa ligjore ndaj shkatërruesve të këtij aseti shumë të rëndësishëm kulturo-historik që përveç humbjes së monumentit kanë krijuar një imazh të shëmtuar për qytetin, respektivisht për Kosovën që nuk mund të kujdesej për trashëgiminë e vet kulturore.

Ne si Qendër Rajonale e Trashëgimisë Kulturore vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar në përmbushjen e përgjegjësive tona për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë të përbashkët kulturore./ KultPlus.com

10 qytetet më të mira për të jetuar

Fatmirësisht, ka shumë ekipe ekspertësh të cilët e studiojnë kualitetin e të jetuarit në qytete të mëdha të botës.

Një nga këto grupe të ekspertëve është edhe ‘Mercer’, i cili për 19 vitet e fundit e ka kryer anketimin vjetor për Kualitetin e jetës në qytete të ndryshme.

Në këtë anketim janë përfshirë faktorë të ndryshëm, përfshirë infrastrukturën, transportin, elektricitetin dhe kualitetin e ujit.

Për të tetin vit me radhë, siç transmeton Lexo, kryeqyteti i Austrisë, Vjena, është renditur e para, ndjekur pas nga Zurichu dhe Aucklandi.

Kjo është lista e plotë e 10 qyteteve më të mira në botë për të jetuar:

1. Vjena, Austri
2. Zurichu, Zvicër
3. Auckland, Zelandë e Re
4. Munih, Gjermani
5. Vancouver, Kanada
6. Dusseldorf, Gjermani
7. Frankfurt, Gjermani
8. Gjenevë, Zvicër
9. Kopenhagë, Danimarkë
10. Bazeli i Zvicrës dhe Sydney i Australisë kanë pikë të njëjta!

Siç mund ta shihni, lista me 10 qytet më të mira për të jetuar dominohet kryesisht nga qytetet e Evropës Qendrore, Kanadasë, Zelandës së Re dhe Australisë./ KultPlus.com

10 fotografitë më të pëlqyera të Instagramit për këtë vit përfshijnë vetëm tre emra (FOTO)

Postimi më i pëlqyer në Instagram-it gjatë vitit 2017 ishte konfirmimi i Beyoncé-it për shtatzëninë e saj, i cili mblodhi 11.2 milionë pëlqime dhe u dha miliona njerëzve frymëzim për kostumet e tyre të Halloween, shkruan Vogue, përcjellë KultPlus.

Duket befasuese pasi që 10 fotot më të pëlqyeshme të vitit 2017 lidhen me tre emra të njohur: Beyoncé, Cristiano Ronaldo dhe Selena Gomez (e cila në vitin 2016 pati fotografinë më të pëlqyer në këtë rrjet social). Katër postime të Ronaldos dhe Gomez, përfshihen në këtë listë, secila fotografi e tyre ka grumbulluar nga 7.3 milion pëlqime deri në 11.1 milion pëlqime.

Ronaldo mori shumë vëmendje dhe pëlqime me postimet që ishin të lidhura me familjen dhe foshnjat e tij, me përjashtim të një fotoje futbolli . Nga ana tjetër, postimrt më të pëlqyera nga Gomez përfshinin paraqitjen e saj me The Weeknd, dhe një fotografi kur ajo u shfaq me flokët e saj bionde. Posti i saj më i pëlqyeri, numër tre në listë, ishte shpjegimi i saj i gjatë për mungesën e saj në mediat sociale. Në këtë fotografi ajo paraqitet pasi kishte bërë transplantin e veshkës./KutPlus.com


Kosova gjatë vitit 2017 ishte e pranishme në 5 festivale të kategorisë ‘A’

Filmat e mbështetur nga QKK, ndër vite kanë pasur suksese të shumta në festivale ndërkombëtare, duke qenë të pranishme edhe në shumë festivale të kategorisë ‘A’.

Vetëm brenda këtij viti filmat kosovar kanë pasur premierë në 5 festivale të kategorisë ‘A’, gjë që shënon suksesin më të madh deri më tani.

Duke filluar me filmin ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli i cili u dha premierë në Karlovy Vary International Film Festival dhe në International Film Festival në Indi Goa, pastaj filmi ‘Rooftop Story’ nga Gazmend Nela i cili pati premierën në Montreal World Film Festival, filmi shkurtër ‘Një Muaj’ nga Zgjim Terziqi që u shfaq premierë në Cairo International Film Festival si dhe filmi i metrazhit të gjatë ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri që pati premierën në Tallinn Black Nights Film Festival, gjithashtu festival i kategorisë ‘A’, nga ku triumfoi me dy çmime, çmimi i kritikës ‘Fipresci Award’ si dhe çmimi special për ansamblin më të mirë të aktorëve.


Këta filma përveç premierës u shfaqen edhe në festivale tjera ndërkombëtare, pa lënë anash edhe filmat e vitit 2016, të cilët vazhduan shfaqjen në festivale të ndryshme si: filmi ‘Home Sweet Home’ nga Faton Bajraktari, ‘Eho’ nga Dren Zherka, ‘Home’ nga More Raça etj./KultPlus.com

Helena Kadare: Kuptova që vlente letërsia e Ismail Kadaresë, e imja do ishte letërsi mesatare

Helena Kadare ka ardhur dje, në Tiranë në një rrëfim ndryshe, për letërsinë e familjen, për përkthimin e jetën mes Parisit e Tiranës. Si çdoherë, bisedat e saj nuk mundën të lënë jashtë vëmendjes as Ismail Kadarenë, për të cilin tha se nuk është penduar që i është kushtuar, sepse letërsinë e tij e adhuronte.

TAKIMI

Ka qenë një takim i realizuar nga “Hemingway Tirana” në kuadër të ditëve letrare. Aida Baro, në kuadër të maratonës për librin kishte ftuar Helena Kadarenë e Ylljet Aliçkën, por e pranishme ishte edhe Diana Çuli. Si grua, si shkrimtare dhe si njeri, edhe pse pak e tërhequr nga jeta publike, Helena Kadare ka ditur të jetë një grua e mençur dhe e jashtëzakonshme që lë skenën për të shoqin dhe shpesh zgjedh të jetë përkrah tij. Biseda mbase e shtyrë dhe nga zakoni i të shkruarit pranë një gote nisi me një pyetje për pijen e preferuar.
Helena Kadare nuk është pijedashëse e madhe, por tha se ndonjëherë i pëlqen “dolçino”, një pije që ia sjell një mik nga Italia. Mandej sa i takon marrëdhënies me Parisin e Tiranën, kujtoi një rrëfim të një miku në Paris. “Ai vinte nga jugu i Francës dhe e adhuronte për 15 vjet Parisin. Një ditë më tha, më zuri mërzia me të. Unë nuk e besoja në fillim se mund të më vinte mërzia me Parisin. Por tani, them se ka ardhur ky moment. Ndihem shumë mirë këtu. Do doja që jeta ime të përfundonte këtu, jo atje. Jo se më është mërzitur, por ndihem këtu më mirë”. Në këtë rrëfim, ajo gjeti mbështetjen e Ylljet Aliçkës. Edhe ai pohoi se, pas magjisë së viteve të para në Paris tashmë preferon të jetojë këtu.

Helena Kadare, pa harruar magjinë e sharmin parisien, e duke pasur parasysh se atje çdo gjë është më mirë u shpreh se ka nevojë për Tiranën, dhe jo vetëm për qytetin, por edhe për miqtë. “Është një shprehje që, “Zër miq të rinj, por mos harro të vjetrit”. Unë mendoj se të vjetrit janë diamante. Kemi pasur një mik, Gim Myftiun. Na jepte libra fshehurazi. Vinte rrinte te ne. Edhe ai si Ismali, kishte frikë. Por, Ismaili gjithë temat që ka shkruar ia tregonte Gimit. Na zinte mëngjesi duke biseduar e më pas niseshim për më punë. Vinte për çdo natë. Një miqësi të tillë nuk e përfytyron në Paris. Mbase ka, por nuk e ndjej. Stili i jetës qe anormal këtu. Në Francë më dukej se më kuptonin në fillim, pastaj nga pyetjet që bënin kuptoja që nuk kishin marrë vesh asgjë. Askush se kuptonte anormalen tonë. Ndaj Kadare, thotë s’kam qenë disident, kam bërë letërsi normale në një vend anormal”.

TË SHKRUARIT

A qe e lumtur që shkroi? Helena Kadare u shpreh se sa janë ndjerë të lumtur që kanë bërë punën që donin. “Për shoferët, Ismaili thotë se, sa punë të mërzitshme kanë. Sidomos ata të metrove. Ndërsa unë e doja punën që bëja. ‘Kohë e pamjaftueshme’, më shkoi 15 vjet për ta shkruar”, – tha ajo. E pyetur nga Aida Baro, Helena pohoi se rritja e fëmijëve i ka marrë kohë. “Sigurisht, nëse do kisha qenë burrë do kisha shkruar më shumë patjetër. Por, puna e Kadaresë vlente më shumë. E adhuroja atë që bënte. Nuk e ekzagjeroj dhe nuk kam qenë e detyruar. Por, kuptova që vlente letërsia e tij. Imja do ishte letërsi mesatare, ndonjëherë pak më e mirë se mesatarja. Ismaili s’ka bërë punë tjetër, veç letërsisë. Unë zgjohesha në 2 të natës, kur lindi vajza për të zënë radhën për qumështin, por nuk dua të kujtoj këtë, sepse ia ka vlejtur e gjitha”. E pyetur nëse do donte të kishte jetuar me dikë tjetër më mirë që ta kishte krah, Helena u mendua një hop. “S’e kam menduar.
Kryesorja është ta adhurosh atë me të cilin je dhe unë e kam bërë”. E pyetur për kureshtjen tha se është promotor. “Dua të di gjithçka. Nëse nuk e ke kureshtjen është si vdekje. Nëse s’ke më aftësinë për t’u habitur ke humbur. Habia tregon se diçka më shumë kërkon nga jeta”. Aliçka kujtoi bisedat me Aznavour që thoshte se kureshtja të mban gjallë. Sa i takon fëmijërisë si dhe asaj se çfarë e shtyu te letërsia Helena Kadare kujtoi se ka një korrespondencë mbi leximet me një shoqe. “Babai dhe drejtori i shkollës sime në Elbasan ishin kuriozë. Im atë më mbante në kontroll për letra dashurie. Lexoja “Kontin e Monte Kristos”, e jo vetëm, lexoja ato që përkthente Vedat Kokona, një burrë i pashëm. Jetonim me këto ëndrra, sepse vetëm librat ishin atëherë”, – tha ajo.

Helena Kadare zbuloi se nuk ka qenë njeri konfliktesh. “Ka qenë një jetë e realizuar, por nuk ka qenë e thjeshtë. Mbase kjo ka qenë sharmi i jetës. Si është ajo shprehja, kur desha të kuptoja si ishte jeta, e kuptova se kishte kaluar shumë”.
Sa i takon përkthimeve Helena Kadare vërejti se ka përkthyer ata burra që ka dashur t’i lexojë e ka ëndërruar t’i takojë. Më pas e pyetur për librin “Tri gratë” e Jasushi Inoes, Helena Kadare u përgjigj përmes Henri Marsh dhe librit të tij “Mos bëj dëm”. Ai shkruan: “Në zemrën e çdo kirurgu ka një varrezë të vogël. Sa më shumë punoja, aq më shumë besoja se ka shumë rol fati. Ai ka thënë se e kish zili nënën që besonte”.
Më vonë, e pyetur për njeriun, Helena Kadare kujtoi diçka nga periudha e shkollës: “Kur kemi qenë në shkollë mësonim nga teoria marksiste se individi s’ka vlerë. Por, unë mendoj ndryshe. Një njeri, një individ bën hatanë, si Hitleri a diktatori ynë”. Sa i takon letërsisë sot, Helena Kadare vlerësoi ambicien e të rinjve, por tha se njerëzit paguajnë shumë për të botuar. “I thashë një mikut tim që donte t’i botonte një libër djalit 20 vjeç, se është si ta martosh para kohe. Nuk duhet mësuar t’i ketë gati. Duhet të provojë ndjesinë e aprovimit të botuesit. Tha se prindërit nuk duhet ta shtyjnë fëmijën, as ta detyrojnë”.
Helena mohoi të jetë feministe. Tha se e bukura është te të parit e gjërave në një drejtim dhe zbuloi se e bën me dashuri përzgjedhjen e personazheve femra, por jo për të mundur burrat./gazeta shqiptare

Sonte fillon Festivali i TVSH-së, zbulohen detajet e votimit

Mbrëmja e sotme në ekranin e RTSH do të sjelli për të gjithë shikuesit, edicionin e 56 të Festivalit të Këngës, i cili këtë vit pritet me një interes mjaft të lartë nga publiku.

Duke kujtuar eksperiencën e edicionit të kaluar, ku votimi i publikut dështoi, lajm të cilin IMA e denoncoi që në fillim të tij, ishim tepër kuriozë se si do të funksiononte këtë edicion përzgjedhja e fituesit.

Kozeta Kurti zëdhënësja e Fest 56, e pyetur nga IMAlbania.com ka bërë të ditur detajet: “Nuk do të ketë votim natën e parë. Në fund të natës së dytë do të tregohen për publikun këngët që do të shkojnë në natën finale. Këtë edicion publiku nuk do të votojë. Transmetimi nëpër radio dhe internet ka pasur si qëllim vetëm që publiku t’i njohë këngët dhe ti mbështesë artistët që do të performojnë në skenë. U mendua që gjithçka të ishte e hapur për publikun, jo vetëm këngët por edhe të ftuarit, skenografia etj. Çmimin e parë juria do t’a japë në skenë duke mbajtur përgjegjësi deri në fund për vendimarrjen e secilit prej tyre.”

E pyetur për emrat e jurisë së këtij edicioni të Festivalit të Këngës, Kozeta mendon të na lëri në suspansë për të na e bërë suprizë mbrëmjen e sotme dhe të parën të eventit tradicional të RadioTelevizionit, i cili do të vijojë edhe në datat 22 dhe 23 Dhjetor me finalen e madhe. / KultPlus.com