Ministria e Kulturës, vitin tjetër me buxhet prej 34 milion eurosh

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në takimin me Komisionin parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ku diskutoi për buxhetin e MKRS-së për vitin 2018.

Ministri Gashi para komisionit në fjalë prezantoi planifikimin buxhetor të ministrisë për vitin e ardhshëm i cili për dallim nga viti paraprak shënon rritje prej 17.4% duke arritur vlerën e mbi 34 milion eurove.

Në shpenzime kapitale do të ketë rritje të buxhetit për 17% nga viti që po lëmë pas, në një vlerë prej rreth 19.8 milion euro ose 58% e buxhetit të përgjithshëm të ministrisë, paga dhe mëditje 4.3 milionë ose 13%, mallra dhe shërbime rreth 1.3 milionë apo 4%, subvencione dhe transfere rreth 8 milionë ose 24% të buxhetit dhe shpenzime komunale rreth 400 mijë euro apo shprehur në përqindje në 1% të buxhetit.

Ministri, ndër të tjera, foli edhe për prioritetet strategjike të ministrisë, ndër kryesoret: mbështetjen, masivizimin, zhvillimin e sportit cilësor dhe ngritjen e infrastrukturës sportive sipas standardeve ndërkombëtare; përkrahjen dhe ngritjen e kulturës së pavarur si dhe avancimin e diplomacisë kulturore; fuqizimin e rinisë në proceset zhvillimore, kujdesin dhe sigurinë për shëndetin e rinisë, krijimin e mundësive për punësimin e tyre; qasjen e integruar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mbrojtjen dhe parandalimin e dëmtimit të saj, planifikimin, projektimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e komplekseve memoriale me rëndësi të veçantë dhe themelimin e Inspektoratit të Trashëgimisë së Kosovës, hap të cilin Kosova po e bën për herë të parë.

Po ashtu ministri i përgjigj në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ministri i informoi anëtarët e këtij komisioni i cili kontrollon punën e ministrisë, për planin legjislativ që ka ministria për vitin e ardhshëm, ku ndër to pritet të hartohen akte që përmirësojnë dhe plotësojnë infrastrukturën ligjore për fushat që ka në përgjegjësi ministria. / KultPlus.com

Vdes shkrimtari Isa Behrami

Sot, ka ndërruar jetë profesori dhe shkrimtari, Isa Behrami, nga fshati Vinarc i Epërm, komuna e Mitrovicës.

Ai tërë jetën ia përkushtoi arsimit, duke punuar si profesor, inspektor i arsimit dhe drejtor i shkollës.

Isa Behrami për një kohë ka punuar edhe në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP).

Pas vetes, ka lënë vepra të çmuara për kulturën në përgjithësi dhe për folklorin në veçanti.

Në vitin 2012, ai botoi monografinë “Lugina e Ibrit të Epërm”.

Në mënyrë të vazhdueshme, Behrami është marrë me mbledhjen e folklorit tonë që nga fundi i viteve ’60, e që si rezultat i kësaj pune doli libri me “Anekdota popullore”, publikuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Ndërsa, para një viti ai ka publikuar librin e tretë dhe kryesorin: “Tinguj çiftelie – rapsodi”, me njëzet e dy këngë, me mbi treqind faqe. / KultPlus.com

Dekorimet e Krishtlindjeve kanë mbërritur edhe në Pallatin e Buckinghamit (FOTO/VIDEO)

Është zbukuruar edhe salla e Pallatit Buckingha. Familja mbretërore dje ka ndarë pamje të zbukurimeve festive në rezidencën e Mbretëreshës në Londër, përcjellë KultPlus.

“Krishtlindjet kanë mbërritur në Pallatin e Buckinghamit!”,shkruhet në njoftimin e një postimi zyrtar të pallatit mbretëror, i cili me anë të një videoje, ndërkohë duke zbuluar edhe një fakt që Pema e Krishtlindjeve ishte paraqitur në Britani në shekullin e 18-të nga mbretëresha Charlotte, bashkëshortja e mbretit Xhorxh III.

Në video shihen pemët mahnitëse, të cilat përmbajnë një minikurorë dhe me drita të ndritshme, ndërsa përmbajnë dhe dekoratat vezulluese. / KultPlus.com

Rita Ora: Kam qenë e viktimizuar për shkak të famës time

Rita Ora, është ankuar se ajo është përfolur vazhdimisht për shkak të famës së saj, ndërsa ka shtuar se është krenare që është një “femër në këtë industri” e cila ka “aftësinë për të pasur një zë”, përcjellë KultPlus.

Këngëtarja shqiptare, e cila ka realizuar e hitin e saj të fundit “Anywhere”, shpesh gjatë karrierës së saj muzikore është përfolur në media edhe për romancat e saj me burra të famshëm, si Calvin Harris, Rob Kardashian dhe Ricky Hil. Lidhur me këtë Rita është shprehur se është e padrejtë që ajo është gjykuar më shumë krahasuar me gra të tjera në botën e argëtimit.

Ajo është cituar nga gazeta Daily Star ku kishte thënë se: “Kam qenë viktimë e thashethemeve dhe ende jam, kjo është bota ku unë jetoj, e tillë është por mund të mbijetosh edhe përmes saj, unë kam dashur ta bëj pikërisht këtë dhe të jem femër në këtë industri duke e pasur aftësinë e të pasurit një zë “, kishte thënë Rita.

Megjithëse Rita kohëve të fundit, ka të zgjeruar horizontin e saj duke u bërë edhe një zë për njerëzit e rëndomtë. Filantropia e saj u nxit nga një udhëtim në Afrikë për të ndihmuar fëmijët në nevojë. Pas këtij udhëtimi ajo ishte shprehur, “Gjatë udhëtimit në Afrikë, unë takova fëmijë që jetonin në fshatra që nuk kanë asnjë ide se çfarë po ndodh rreth botës, ata mendonin vetëm për mbijetesën brenda familjeve të tyre dhe unë pas kësaj fillova ta shikoj jetën shumë më ndryshe, dhe desha të bëhem një zë për ata njerëz”, ishte shprehur tutje Rita Ora.

Këngëtarja 27-vjeçare po punon gjithashtu me Absolut në një fushatë të quajtur “The Open Mic Project”. Ajo do të ndaj tregimet e fansave të saj në këngën e cila do të titullohet “Proud” dhe do të dalë në javën e Grammys./ KultPlus.com

Biblioteka “Musine Kokalari”, mrekullia midis Tiranës (FOTO)

Në 100 vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit, gruas së parë të letrave shqipe, e cila luftoi për demokratizimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare, Bashkia e Tiranës, vendosi që njërën ndër Bibliotekat e Qytetit, ta emëroj pikërisht me emrin “Musine Kokalari”.

E kjo gjë edhe ndodhi e poashtu biblioteka e re “Musinë Kokalari”, tashmë pothuajse është gati, shkruan KultPlus.

Këtë gjë e ka bërë të ditur i pari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka publikuar disa fotografi me pamje magjike të kësaj biblioteke.

“Jo jo shoku, nuk është për kafe, po për libra. Thuajse gati biblioteka e re “Musine Kokalari” e Nj. 7! Është lajm i mirë për një qytet kur bibliotekat bëhen më të mira se kafenetë luksoze”, ka shkruar Veliaj./ KultPlus.com

‘Feminizmi’ është fjala e vitit në fjalorin Merriam-Webster

Fjalori Merriam-Webster ka shpallur fjalën “feminizmin” si fjalën e tij të vitit. Në vitin 2017, kërkimet për feminizmin në fjalorin online Merriam-Webster.com janë rritur për 70 për qind që nga viti 2016, përcjellë KultPlus.

Duke qenë se në rreth një viti është mbajtur edhe fushata presidenciale e demokratëve të Hillary Clinton që lidhet edhe me mbrojtjen e vazhdueshëm te të drejtave të grave. Po ashtu pasi që po këtë vit, Clinton u përball dhe humbjen e kundër presidentit Donald Trump, i cili dikur mburrej për grabitje të grave.

Ngjarje të tjera që tërhoqën interesin për feminizmin si fjalw ishin seritë e njohura televizive si “The Handmaid’s Tale” dhe filmi “Wonder Woman”, i drejtuar nga një grua Patty Jenkins”, ka thënë leksikografi Peter Sokolowski.

Po ashtu edhe fushata #MeToo bëri një jehonë pas akuzave për manjatin e filmit, Harvey Weinstein, dhe vendosja e një grupi të grave “The silence breakers” në ballinën e revistës Time si personat e vitit 2017. Ishte pikërisht kjo fushatë që largoi nga postet e tyre shumë personalitet të famshme të mediave, politikës dhe botës se artit.

Feminizmi ka qenë në top 10-en e fjalëve më të kërkuara në fjalor gjatë viteve të fundit ndërsa fjala “Surreal” ishte fjala e vitit të kaluar./ KultPlus.com

Minatorët e grevës së vitit 1989 do të sjellin rrëfimet e tyre

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 18 dhjetor do të prezantohet një rrëfim më i vecantë se sa ato të zakonshmet, pasi që, para audiencës do të prezantohen rrëfimet e minatorëve, të cilët më vitin 1989 u patën ngujuar në Trepcë, shkruan KultPlus.

Puna, Kujtesa dhe Reprezentimi: Greva e Urisë së Minatorëve të Trepçës në vitin 1989
Masterklasë nga Dr. Vjollca Krasniqi, është pjesë e një serie aktivitetesh, dhe e katërta me radhë, që organizohet në kornizën e “Shikimi nga brenda dhe shikimi nga jashtë”, projekt ky që fokusohet në shqyrtimin e kujtesës kolektive dhe historike të viteve të 1990 në Kosovë, me theks në lëvizjet shoqërore, rezistencën civile, politikën, kulturën, aktivizmin etj.

Masterklasa do të shoqërohet me rrëfime nga minatorët pjesëmarrës në grevë të eksperiencave të jetuara gjatë grevës së vitin 1989, dhe prezantime të gjetjeve nga arkivat e gjurmuara dhe raportimet që janë bërë asokohe për grevën.

Kujtesa kolektive në Kosovë përbëhet nga mungesa e vëmendjes së marrëdhënieve klasore. Modelet ekzistuese të kujtesës institucionale në masë të madhe kanë shpërfillë bazat materiale të punës dhe marrëdhëniet e punës. Si një qasje kritike ndaj kujtesës kolektive, kjo masterklasë përqendrohet në Grevën e Urisë së Minatorëve të Trepçës që filloi me 20 shkurt 1989 dhe vazhdoi për tetë ditë me radhë. Dhjetë kërkesat e minatorëve ishin kryesisht për të drejtat kushtetuese. Minatorët protestuan kundër heqjes së autonomisë së Kosovës si pjesë e Kushtetutës së vitit 1974 të Jugosllavisë Socialiste. Prandaj, lidhja e identitetit të minatorëve dhe vendit me momentin në kohë – Greva e Minatorëve të vitit 1989 – është e rëndësishme për të nxjerrë një kuptim më të mirë të kujtesës kolektive dhe memorializimit. Minatorët ishin figurë qendrore në ideologjinë e socializmit Jugosllav. Megjithatë, minatorët ishin subjekt i margjinalizuar shoqëror e politik. Çfarë e bën grevën të rëndësishme është konteksti i shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste dhe ngritja e nacionalizmit në Serbi. Masterklasa shqyrton mënyrën se si greva është reprezentuar, interpretuar dhe kujtuar. Leximi bazohet në të dhënat e shkruara dhe kujtimet personale që rrjedhin nga arkiva, raportimet në media dhe dëshmitë e pjesëmarrësve. Ndërtekstualiteti i vendosur këtu si strategji për ndërtim-kuptim, do të gjurmojë jo vetëm atë që ka mbetur më pak e njohur dhe e pa treguar, por edhe ambiguitetin e vetë grevës. Për më tepër, leximi i Grevës së Urisë së Minatorëve të Trepçës në vitin 1989 do të zbulojë gjithashtu kufizimet e së kaluarës historike dhe historinë e punëtorëve.

Kjo ngjarje dhe ky projekt organizohet nga forumZFD – programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës, dhe mbështet nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e qeverisë Gjermane (BMZ)./KultPlus.com

Teshavesha sjellë “Javën e Dizajnerëve”

Teshavesha, duke nis nga sot fillon “Javën e Dizajnerëve”, me shtatë emrat të njohur të kreatorëve në vend, shkruan KultPlus.

Kjo u bë publike përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, nga vet Teshavesha, të cilët kanë treguar se kjo javë vjen në bashkëpunim me Albi Mall, aty edhe ku do të ekspozohen veshjet e kreatorëve kosovarë.

“Duke filluar nga dita e nesërme, falë partnerit tonë besnik Albi Mall si dhe mbështetjes së kreatorëve vendas, ne do të fillojmë ‘Javën e Dizajnerëve’ me ekspozimin e veshjeve të kreatoreve në Albi Mall, ku më pas do t’i sjellim në #Teshavesha për shitje. Ju ftojmë të na vizitoni në katin e dytë të Albit, meqenëse çdo ditë do të promovojmë nga një kreatore të veçantë!”, thuhet në njoftim.
Agnesa Vuthaj, Besë, Enkelejda Shatri, Krenare Rugova, Teuta Matoshi Duriqi, Vesa Gruda dhe Yllka Brada janë kreatorët të cilët do të ekspozojnë veshjet e tyre në “Javën e Dizajnerëve”./ KultPlus.com

Mark Krasniqi e Pajazit Nushi në pullën postare të Kosovës

Posta e Kosovës në kuadër të tematikës “Personalitete të shquara” sot ka emetuar dy pulla postare me imazhet e akademikëve, Mark Krasniqi dhe Pajazit Nushi.

Mark Krasniqi u lind në fshatin Gllaviçicë (Shën Gjon) afër Pejës më 19 tetor 1920. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, shkollimin e mesëm në Prizren, ndërkaq studimet për letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), si dhe për gjeografi e etnografi në Universitetin e Beogradit. Karrierën e filloi si gazetar dhe pastaj redaktor i gazetës “Rilindja”.

Ka qenë prodekan dhe dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ishte nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (që nga viti 1993). Ka botuar libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbo-kroatishtja, sllovenishtja e maqedonishtja në gjuhën shqipe. Vdiq në Prishtinë, në vitin 2015.

Pajazit Nushi u lind më 8 janar të vitit 1933 në Gjakovë. Në vendlindje kreu shkollën fillore dhe shkollën normale, ndërkaq studimet i kreu në Fakultetin Filozofik, Katedra e Psikologjisë Eksperimentale të Universitetit të Beogradit. Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Aktiviteti profesional dhe shkencor i Pajazit Nushit shtrihej në fushat studimore të psikologjisë së përgjithshme, terminologjisë së psikologjisë, psikologjisë pedagogjike, etnopsikologjisë dhe metodologjisë hulumtuese të psikolo¬gjisë. Ka botuar trajtesa të veçanta shkencore dhe artikuj nga fusha e psikologjisë sociale, e sociologjisë, leksikologjisë shqipe, të psikologjisë së religjionit. Ai vdiq në Prishtinë, në vitin 2015./ KultPlus.com

Ëndrra e Agim Sulaj: ‘Valixhen e refugjatëve’ ta derdh në bronz te Porti i Vlorës! (FOTO)

Artisti i njohur ekspozon “Rrënjët 2” në Tiranë. Në 27 tablo trajton një mozaik tematikash, që në thelb janë sa shqiptare, aq dhe globale. Dëshira e tij është që njërën nga tablotë, “Artisti me valixhe” ose “Valixhja e refugjatëve” të derdhet në bronz te moli i Portit të Vlorës, në vendin ku ka ndodhur hemorragjia më e madhe drejt ikjes për shqiptarët!

Piktori dhe karikaturisti i njohur Agim Sulaj çel në Tiranë ekspozitën personale “Rrënjët 2”. “Ëndërrimtari”, “Luftëtari”, “Emigrantë”, “Plaku”, “Labi”, “Malësori”, “Fëmija” etj., janë vetëm disa nga 27 tablotë, që artisti i njohur prezanton në këtë ekspozitë të çelur në Tiranë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Agim Sulaj rrëfen arsyen se përse ka vendosur që çdo vit të ekspozojë krijimtarinë e tij artistike në Shqipëri, duke ndalur edhe te problematikat aktuale me të cilat është njohur gjatë qëndrimit të tij gjatë këtyre ditëve në Tiranë, jo vetëm në art. Vizatimi origjinal i “Valixhja e refugjatëve” organizuar nga “The Derwent Art Prize” dhe vlerësuar me çmim të parë në Londër prezantohet për herë të parë në Shqipëri. Ëndrra e Sulajt është që këtë tablo, ose tablonë “Artisti me valixhe” ta derdhë në bronz për ta ekspozuar në vendlindjen e tij, në shëtitoren e Vlorës, në “Lungomare”.

Zoti Sulaj, riktheheni pas një viti me ekspozitën personale “Rrënjët 2” në Tiranë. Kësaj here ekspozoni 27 tablo, në të cilat trajtoni tema të ndryshme?


Ekspozita “Rrënjët 2” është tentativa ime për të prezantuar sërish në vendin tim tek dashamirësit e artit zhvillimet e mia artistike gjatë këtij viti. Besoj se do të jetë një praktikë, të cilën unë e ndiej të nevojshme ta bëj çdo vit. Në këtë ekspozitë sjell një mozaik temash; kam ndalur te portreti i shqiptarit, që ndoshta nuk e shikojmë më në ditët tona, një malësor dhe një jugor; kam ndalur te fustanellat dhe te xhamadanët e kohës, duke kërkuar portrete pa makijazhe, por që janë ekspresivë. Sa herë që kam shfletuar fotografi, kam vënë re se si kemi qenë dhe se si kemi ndryshuar në ditët tona për shkak të pudrosjes moderne, aq sa kemi filluar që t’i humbim këto tipare. Janë tablotë “Ëndërrimtari”, “Malet”, “Portreti i Skënderbeut”, “Emigrantë”, “Refugjatë” etj.

Nga tematika e fëmijërisë dhe valixhes nuk hiqni dorë asnjëherë…

Tematika e fëmijërisë vjen përherë në ekspozitat e mia, sepse kërkoj t’u rikthehem kujtimeve të brishta, ashtu siç i kam lënë në qytetin tim. Ndërsa, valixhja ka të bëjë gjithmonë me emigrimin. E brenda asaj valixheje është dhe fëmijëria ime, që në këtë ekspozitë e sjell të konkretizuar në gurë, në trung peme, por dhe në detaje të tjera.

Si ndryshon nga viti në vit koncepti i kësaj valixheje tek ju si individ?

Valixhja tek unë nga viti në vit? Unë kam blerë shtëpi në Itali këtë vit (qesh). Madje një ditë pyeta veten: “A do të vazhdoj të merrem më me valixhen tani, që kam shtëpinë time? Derisa isha me qira, deri diku isha gjithmonë në ecje. Po tani që bleva shtëpinë time ç’do të ndodh?” Por, mendoj se kjo nuk ka të bëjë fare me blerjen e shtëpisë apo me stabilizimin në vendim ku jetoj, por ka të bëjë me krijimtarinë e Agimit artist. Prandaj kësaj teme i rikthehem gjithmonë.

Një vëmendje të veçantë përpos portreteve të malësorit dhe labit i keni kushtuar dhe veshjeve folklorike shqiptare. A ndodh kjo për shkak të nostalgjisë që keni për vendlindjen?

Natyrisht pasuria koloristike në folklorin shqiptar është e madhe; pantallonat me riga të zeza dhe fustanellat të ngacmojnë që t’i nxjerrësh nga pluhurat, duke krijuar fizionomi të qartë për këta personazhe. Kur vjen në vendin tënd dhe prezanton këto personazhe sheh se publiku bashkërisht me ty mëson për këto vlera që ne kemi. Por edhe unë mendoj se kjo ndodh, sepse duke qenë jashtë nostalgjia për atdheun edhe vendin tënd rritet nga viti në vit. Italia mbahet një nga vendet më të bukura për dritë-hijet që ka, por unë i rikthehem vendit tim. Nëse do të jetoja këtu mund të ndodhte e kundërta. Largësia më bën t’u rikthehem këtyre temave.

Për çfarë keni më tepër mall?

Një ditë përtej godinave arrita të shikoj Dajtin. Pas kësaj thashë: Kam ardhur në vendin tim, sepse kështu e ndjeva. Çdo shqiptar që jeton jashtë ka nevojë të ndiejë këtë lidhje me vendin, po ashtu dhe fëmijët e mi kërkojnë të rikthehen këtu, sepse ndihen mirë. Djali im i madh ka dëshirë t’i referohet Shqipërisë, sepse do të kthehet dhe të ndërtojë diçka në vendin e tij. Është arkitekt dhe bëri diçka edhe për në Bienalen e Venecias, për mënyrën se si e sheh Shqipërinë, se si betoni këtu po prish bukuritë natyrore./Shekulli

Eliza Hoxha sonte sjellë ekspozitën personale

Sonte më 13 dhjetor tek Hani i 2 Robertëve, hapet ekspozita personale e artistët Eliza Hoxha, shkruan KultPlus.

“Give peace a chance-Jepi mundësi paqes”, titullohet ekspozita e Elizës, e cila hapet me fillim nga ora 17:00.

Kjo ekspozitë që hapet sonte vjen tek Hani te Fakulteti i Arteve./ KultPlus.com

Maradona, ylli i futbollit botëror pranë bustit të Nënës Terezë (FOTO)

Ylli i futbollit botëror Maradona së fundi është fotografuar pranë bustit të Nënës Terezë, shkruan KultPlus.

Shihet të jetë një hapësirë e mbyllur ku është fotografuar ylli i futbollit Maradona, i cili ka shkruar “Përgjithmonë me Nënën Terezë”.
Kjo fotografi është bërë në Hotelin Novotel, në Kalkuta të Indisë./KultPlus.com

Dalin në shitje biletat për Festivalin e 56-të në RTSH

Festivalin e 56 në RTSH me befasitë, elitën e muzikës shqiptare që merr pjesë këtë vit dhe të ftuarit eminente do të mund ta ndiqni në datat 21/22 dhe 23 dhjetor.

Organizatorët e festivalit bëjnë me dije se tashmë biletat janë të disponueshme në Pallatin e Kongreseve si dhe pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe ka nisur shitja e tyre.

Festivali i 56-të i Këngës në RTSH, që këtë vit është në drejtimin e Adi Krastes që në natën e parë do të jetë një spektakël i garantuar me pjesëmarrjen e kantautorit të shquar Riccardo Cocciante. Krijuesi i dhjetëra melodive dhe refreneve me të cilat ne jemi rritur nga Margherita e deri te muzikali “Notre Dame de Paris, prania e tij do të jetë një gur i çmuar në dorë për të shijuar muzikën me të cilën shumë shqiptarë janë formuar dhe dashuruar.

Provat e orkestrës me secilin këngëtar pjesëmarrës këtë vit në Festival që nga emrat e mëdhenj e deri tek më të rinjtë janë në proces intensiv për të qenë në nivelin e duhur vokal dhe interpretativ absolutisht live. Ashtu siç ishte premtuar nga organizatorët ky edicion do të jetë një spektakël i garantuar që nis me një personalitet të muzikës italiane dhe botërore si Riccardo Cocciante që në natën e parë ndërkohë që do të vijoje me të ftuar të tjerë të famshëm të cilët për momentin mbahen sekret nga organizatorët./ KultPlus.com

Trumpetisti i njohur Otto Sauter, solli magji tingujsh në Kosova Brass Festival

“Kosova Brass Festival” i cili po e sjellë edicionin e dytë, mbrëmë shënoi edhe mbrëmjen më të rëndësishme koncertale, me trumpetistin gjerman me renome botërore, Otto Sauter si dhe trombonistin gjerman, Peter Körner, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Publiku prishtinas rrallë ekspozohet ndaj tingujve të një instrumenti siç është trumpeti, dhe aspak i rëndomtë ishte edhe rasti që të dëgjoje një instrumentist si gjermani Otto Sauter, i cili kishte shkelur skenat më të njohura në botë, e kishte interpretuar me solistët më të spikatur. Ky koncert mbrëmë erdhi për publikun prishtinas, nën organizimin e Kosova Brass Festival në bashkëpunim me Asociacionin Botëror të Tunxhit.

Instrumentistët mysafirë, u shoqëruan me lojë bindëse e harmoni, nga kuarteti i harqeve i cili mbrëmë erdhi në përbërje nga: Visar Kuci dhe Erlinda Gashi në violinë, Arianit Shehu në Violë dhe Antonio Gashi në violonçelo.

Kuarteti qëndroi gjatë gjithë koncertit pa lëvizur nga ulëset, mirëpo instrumentet e tyre ishin ato që lëviznin tingujt në sallë, e bashkëdyzoheshin me lojën e instrumentistëve gjerman. Në mes tyre, vëmendja u përqendrua tek Otto Sauter, i cili përveç lojës plot muzikalitet, e tinguj që depërtonin, ai shpërfaqte edhe emocionet teksa lëvizte, mes buzëqeshjeve e lëvizjeve të lehta të trupit.

Trumpetisti gjerman Otto Sauter, numëron rreth pesë dekada të rrugëtimit të tij me këtë instrument, pasioni për të cilin nuk i është ndarë që nga fëmijëria. Ai mbrëmë solli për herë të parë në Kosovë, lojën në piccolo trumpetë ndërsa theksoi se kënaqësia që i dhuroi qëndrimi këtu, do ta kthej atë përsëri vitin tjetër në Prishtinë.

“Unë luaj në piccolo trumpet qysh kur isha fëmijë i vogël. Është krejt çka dua dhe bëjë, prandaj edhe dua që këtë dashuri ta ndaj me të tjetër, me fëmijët. Jam shumë i lumtur që erdha këtu dhe pata rastin të luaj për juve në këtë festival. Kam luajtur në shtetet e Evropës Jugore dhe e di ndjenjën se si është të luash këtu. Më kanë thënë se është vend i varfër por unë i pash rrugët e mbushura plotë me njerëz, atmosferë dhe jetë të bukur. Prandaj edhe më pëlqeu që luajta këtu. Do të rikthehem edhe vitin tjetër. Zakonisht në repertorin tim zgjedhë vepra barokene por edhe të tilla që janë kompozuar tani, ose për mua”, ka treguar trumpetisti Otto Sauter për KultPlus.

Trumpetisti Sauter, për të disatën herë më radhë u largua në prapaskenë për t’i lënë vendin bashkëkombësit të tij, trombonistit Peter Körner. Ai i rrethuar nga loja bindëse e harkorëve kosovarë filloi interpretimin e veprës së Lepaldd Mozart.

Duke qenë se ky festival fokus kryesor ka në afirmimin e studentëve dhe nxënësve të tunxhit në vend andaj edhe ka organizuar vazhdimisht masterklase për studentët me pjesëmarrës të festivalit. Për trombonistin Korner, puna me studentët dhe interpretimi para tyre kishte një rëndësi të veçantë.

“Në çdo festival ne i mësojmë fillimisht studentet dhe pastaj luajmë në koncert të shohim nëse ajo çfarë ne kemi mësuar ka qenë e duhura, është e rëndësishme që studentët me të cilët kemi punuar këto ditë, na dëgjuan sonte, kjo është shumë interesante dhe e vështirë në të njëjtën kohë. Nuk ka shumë vepra për trombon, unë sonte luajta me trombonin e vogël dhe është gjithnjë e vështirë për shkak të madhësisë së tij dhe për shkak se duhet ta ndryshosh pozitën gjatë gjithë kohës por kjo lojë sonte ”, shpjegoi trombonisti gjerman për KultPlus.
Çelisti nga Kosova, Antonio Gashi tha se ishte kënaqësi e jashtëzakonshme interpretimi me instrumentistët gjermanë, dhe interpretimi i këtyre veprave nga një kuartet i vogël solli një miniversion të suksesshëm sonte.

“Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe bashkëpunimi me dy instrumentistët me famë botërore dhe me kuartetin tonë, edhe pse nuk kemi pasur shumë kohë për prova, sonte u pa që nuk kemi pasur as problem në komunikim me njëri-tjetrin dhe kjo është çfarë na lidh të gjithëve, një gjuhë universale, e cila kuptohet në secilin vend njësoj. Veprat janë përzgjedhur nga solistët dhe sollëm një variant vetëm për një kuartet të vogël, këto normalisht luhen nga një orkestër e madhe por në këto kushte krize është e vështirë angazhim i një orkestre të plotë kështu që e kanë bërë një miniversion i cili ka dalë i lezetshëm”, tha çelesti Gashi.

Festivali ndërkombëtar i tunxhit në Kosovë do të përmbyll edicionin e dytë, më 14 Dhjetor me koncertin e pestë i cili do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës

Universitare, kjo mbrëmje do t’u kushtohet studentëve dhe instrumentistëve të tunxhit në vend./ KultPlus.com

Kërkesat e shumta për koncertin recital të Dren Abazit dhe Zig Zag Orchestrës, e shtyjnë këngëtarin të sjellë një të dytë (FOTO)

“Mes Yjesh”, titullohet albumi i Zig Zag Orchestra që do të prezantohet në Tiranë, shkruan KultPlus.

Vetë Dren Abazi ka njoftuar se ky koncert është koncert recital dhe do të përcillet me orkestër të madhe. Deri më sot është menduar që të jetë vetëm një koncert më 28 dhjetor, por, jo.

Për shkak të kërkesave të shumta dhe dëshirën e madhe të këngëtarit për të mos zhgënjyer asnjë fans të tij, ai dhe Zig Zag Orchestra, do të performojnë në një koncert të dytë në Tiranë.
“Më 29 Dhjetor, vetëm një ditë pas koncertit të parë, do të ngjitemi sërish në skenën e Katedrales Ortodokse, për të përjetuar një tjetër natë magjike pranë jush, mes yjesh!”, ka njoftuar vetë Dren Abazi.

Të dy koncertet do të mbahen në sallën e Kishës Ortodokse, njëri më 28 dhe tjetri më 29 dhjetor me fillim nga ora 20:00.
Biletat e natës së dytë do të mund t’i gjeni shumë shpejt vetëm te Radio Bar, në Tiranë./ KultPlus.com

Kjo ishte një ndër këngët më të dashura të Ibrahim Rugovës (VIDEO)

Presidenti Historik i Kosovës Ibrahim Rugova, kujtohet gjithmonë nga të gjithë qytetarët e Kosovës e poashtu edhe nga familja e tij.

Kësisoj, Blerta Kllokoqi Rugova, gruaja e djalit të presidentit Rugova, mbrëmë ka publikua një ndër këngët më të dashura të presidentit historik, shkruan KultPlus.

“Rrallë kam pa kso bukurie”, është kënga që ish-presidenti Ibrahim Rugova, thuhet ta ketë dashur më së shumti dhe ta ketë dëgjuar me ëndje.

“Për një natë të qetë dhe të këndshme, larg viber-it dhe përgjimeve, ju ftoj të dëgjoni një nga këngët më të dashura të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova “Rrallë kam pa kso bukurie”, ka shkruar Blerta Kllokoqi Rugova, në rrjetin e saj social Facebook./ KultPlus.com

Fëmijët e Charlie Chaplin, kërkojnë ruajtjen e Muzeut të Kinemasë në Londër

Familja e Charlie Chaplin ka shkuar një letër të hapur përmes së cilës kërkojnë ruajtjen e Muzeut të Kinemasë në Londër.

Muzeu, i cili gjendet në shtëpinë Lambeth ku dikur kishte jetuar Chaplin, rrezikohet kur i skadon qiraja në mars të viti të ardhshëm.

Në letrën e nënshkruar nga pesë fëmijët e Chaplin, thuhet që janë të shqetësuar për mundësinë e mbylljes.

Ata kanë shtuar se eksperienca e trishtë aty kishte bërë shumë në formësimin e karakterit kreativ të Charlie Chaplin./ KultPlus.com

Ylljet Aliçka, shpallet shkrimtari i vitit nga PEN Albania 2017

Qendra PEN e Shqipërisë dhe PEN International gjatë ceremonisë vjetore të Çmimeve për letërsinë Albanologjinë dhe përkthimin në Bibliotekën e Librit Akademik, të mbajtur më 8 dhjetor, shpalli shkrimtarin e vitit, pedagogun e UET, shkrimtarin Ylljet Aliçka, poetin e vitit, Ilirjan Zhupa, dhe përkthyesin Romeo Çollaku.

Këto vite të fundit, po shënojnë një rast të rrallë për letrat shqipe, që në një anë flitet për krizë leximi, autorësh shqiptarë…por skena letrare tregon të kundërtën. Atmosfera lidhet me çmimet letrare, që tashmë nuk mund të konsiderohen vetëm një alternativë shtetërore, apo politike ku komprometimi e lidh autorin me veprën. Bashkë me vlerësimet e Ministrisë që ndan çdo fund viti, tani shtrirja e tyre liston të tjerë “mecenatë” që vlerësojnë letërsinë si vendëse dhe të huaj. Kështu pas çmimit Kadare, ndarë nga Instituti Pashko, renditen çmimet e Shoqatës së Botuesve në rastin e panairit të librit në Tiranë, si dhe, së fundi organizata ndërkombëtare për shkrimtarë “PEN”, mban aktivitetin vjetor dhe shpall çmimet e saj “PEN Albania”. Këtë vit “PEN”, organizoi para pak ditësh aktivitetin e saj vjetor, ku shpalli çmimet e shkrimtarit të vitit, në poezi, përkthim dhe autorin e ri.

Çmimi i PEN International Albania “Shkrimtari i vitit 2017” iu dha shkrimtarit Ylljet Aliçkaj, pedagog në UET, me motivacionin: Rrezatim dhe promovim i vlerave të letërsisë shqipe jashtë vendit- përkthyer dhe botuar së fundi në tri gjuhë: çekisht (Kur Hrushovi kaloi pranë fshatit tonë), italisht (Valsi i lumturisë-Një ëndërr italiane) dhe norvegjisht (Një rrëfenjë me ndërkombëtarë).

Entela Kasi, Presidente e Qendrës “PEN” në Shqipëri, dhuroi çmimin: “Mirënjohje për Vepër Jetësore dhe Kontribute të Çmuara në Kulturën Kombëtare”, për autorin dhe studiuesin Zef Mark Zeka. Qendra “PEN” dhuroi dy çmime: “Mirënjohje për Promovimin e Urave Kulturore përmes Gjuhës dhe Letërsisë në Botë”, për shkrimtarin Safet Hadroviç; si dhe “Mirënjohje në Fushën e Kulturës dhe Promovimin e Gjuhës Shqipe në Hapësirat mbarëshqiptare dhe Diasporë”, për z. Ali Daci. E ndërsa Kryetari i Bordit të “Pen Albania” z. Çerçiz Loloci, ndau çmimet: “Shkrimtari i vitit 2017”, Ylljet Aliçka; “Poeti i vitit 2017”, Ilirjan Zhupa; “Autori më i ri i viti 2017”, Akri Çipa; “Përkthyesi i vitit 2017”, përkthyesi Romeo Çollaku, shkruan Mapo. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Kejdi Mehmetaj, e cila mbajti edhe një fjalim të shkurtër në këtë ceremoni. Ndër të tjera, deputetja Mehmetaj tha: “Unë do të jap angazhimin tim por besoj edhe të kolegëve të mi, qoftë si pjesë e Komisionit të Edukimit në Parlament. Për të mbështetur çdo iniciativë të “Qendrës PEN” për të afruar të rinjtë te librat, qoftë si lexues por edhe si shkrues./ KultPlus.com

“Dosja B” e Jusuf Buxhovit tashmë edhe në anglisht

“Dosja B” e autorit kosovar Jusuf Buxhovi, tashmë ka dalë nga shtypi në gjuhën angleze shkruan KultPlus.

Një njoftim të tillë, e bëri përmes rrjetit social Facebook, vetë Buxhovi, i cili tregoi se shtëpia botuese “Jalifat Publishing” nga Houstoni (SHBA) nxori nga shtypi romanin “Dosja B” të përkthyer në anglisht nga Avni Spahiu.

“Romani në anglisht mban titullin “Dossier B – Kosovo’ s Untold Story” (Dosja B – një rrëfim i panjohur i Kosovës”). Botuesit amerikan njofton se promovimi i ” Dosjes B” në anglisht do të bëhet në janar në disa qendra të rëndësishme amerikanë (Uashington, Çikago, Nju Jork dhe Houston), ndërsa në Kosovë do të Promovohet në Prishtinë dhe Gjakovë”, ka shkruar Buxhovi./ KultPlus.com

Riccardo Cocciante vjen në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar

Këngëtari i njohur italian Riccardo Cocciante do të jetë i pranishëm në festivalin e 56-të të Këngës që do të mbahet në Radio Televizionin Shqiptar.

Ndërsa na ndajnë vetëm 10 ditë nga çelja e këtij festivali, organizatorët konfirmojnë se kantautori i njohur italian do të vijë në natën e parë të Festivalit si i ftuari i nderit.

Kantautori i njohur italian Riccardo Cocciante ka qenë në Tiranë për një vizitë zyrtare në vitin 2013. Ai erdhi së bashku me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, pas triumfit të saj në “The Voice of Italy”. Cocciante i ka bërë një promovim të jashtëzakonshëm në atë kohë këngëtares shqiptare që triumfoi në spektaklin italian si zëri më i mirë.

https://www.youtube.com/watch?v=4ngZv1jVFq0

Ndërkohë grupi i organizatorëve dhe krijuesve festivalit të janë në momentet e fundit të përgatitjes. Përveç provave në skenë po mendohet edhe për detajet e spektaklit të çdo nate të festivalit, i cili do të mbahet nga data 21 deri me 23 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Festivali do të moderohet nga Adi Krasta dhe organizimi vjen me regjinë e Pali Kukes. / KultPlus.com

Thethi shënon rekord të vizitorëve këtë vit

Sipas statistikave të nxjerra nga Administrata e Zonave të Mbrojtura (AdZM) Shkodër, që mbulon Parkun Kombëtar të Thethit, vlerësojnë se Parku Kombëtar i Thethit, ka qenë tepër i vizitueshëm këtë vit turistik.

Në park janë futur rreth 80 mijë turistë. Nga këta, 39000 janë vendas dhe rreth 41000 janë turist të huaj.

Ka një diferencë midis vizitorëve të huaj dhe atyre vendas. Kjo për arsye se Thethi, nëpërmjetë mediave është prezantuar si një destinacion i rrallë turistik ku ndërthuret natyra e bukur me reliev malor, me burimet ujore, me historinë dhe etnokulturën epike të zonës.

Vizitorët kanë qenë vendas, të ardhur nga Kosova, por edhe nga mbarë Europa kryesisht ajo Lindore.

Turistë të shumtë kanë ardhur dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Në bukuritë e rralla të vendit tonë, Thethi pa dyshim zë vend kryesor.

Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre male Radohima, Sheniku dhe Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. / KultPlus.com

Zoran Zaev thotë se Maqedonia do ta ndihmojë Kosovën në UNESCO

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka thënë se Maqedonia do të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

I pyetur nëse Maqedonia do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Zaev nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

“Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Maqedonisë për anëtarësim në UNESCO. Ne do të ndihmojmë edhe në normalizimin e raporteve me Serbinë pasi edhe atë e kemi shtet fqinj”, ka përfunduar Zaev.

Kosova pati një tentim të dështuar që të antarësohet në UNESCO, ndërsa këtë vit ka vendosur që të mos aplikojë fare. Dokumentimi i herës së kaluar dështoi pasi Serbia pati prova se kosovarët kanë shkatërruar një pjesë të trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë, në trazirat e marsit të vitit 2004. / KultPlus.com

Esad Mekuli i shkruan femrës, në vitin 1949

PERDJA E ROBNISË –
Poezi e shkruar nga Esad Mekuli

Ti nuk je krijesë e përbuzun, e mbrapsht.
Jo, as rob, as djall nuk je!
Ti nuk je mallkim për njerëzimin.
Je pjesë e pandashme pa të cilën nuk mund të mendohet jeta e njeriut – pa të cilën ajo nuk mundet me qenë…
Femën, ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i gëzimit njerëzor, i vet jetës!
Ti bashkëluftare në rrugët për qëllimet e nalta njerëzore,
për mbërrijtjen e lumnisë së të gjithë njerëzve,
mbarë njerëzimit!

Esad Mekuli
Prishtinë
1949

Mjekët e parë të Prishtinës, shpresa e shëndetësisë në mjerim

Në fillimvitet 50 të shekullit XX, ekzistonte një spital i përgjithshëm me 80 shtretër, objekt i trashëguar nga koha e Turqisë, dhe një poliklinikë me dy mjekë të kohës – Dr Panteliqi, që shkonte nëpër shtëpi për kontrollim të të sëmurëve, ndonëse mjek ushtarak, dhe Dr Tefik Rashiti (të dy nga koha e Mbretërisë serbe), si dhe një stomatolog, dr. Baruhi. Domethënë, këta kanë qenë mjekët e parë të Prishtinës.


Daut Mustafa

Të vjetrit e mbajnë mend edhe Dr.Tottin, i cili shkonte shtëpi më shtëpi. Sipas Dr. Daut Mustafës, në Prishtinë po punonin edhe Dr. Spiro Lito, një grek nga Gjirokastra, si dhe kirurgu italian Xhani Marketo. Në vonë, në vend të Spiro Litos vjen mjeku nga Kavaja, Dr. Mustafa Cara.

Në Prishtinë njihen që herët edhe Dr. Xheladin Deda – oftalmolog, Dr. Daut Mustafa – pneumolog, Dr. Izedin Osmani, Dr. Sehadete Mekuli, Dr. Ali Sokoli, shkruan KultPlus.


Xheladin Deda me gruan, Ballkize Bakiun

Kushtet në shëndetësinë kosovare ishin të mjerueshme, ndërsa i vetmi mjek shqiptar që punonte në ato vite në Prishtinë ishte oftalmologu Xheladin Deda, rreth viteve 1952. Në vitin 1958 sëmundjet ngjitëse po bënin hata mbi popullatën kosovare, vdekshmëria ishte e lartë, sidomos te fëmijët e moshës deri 1 vjeç. Në atë kohë ishte përhapur edhe sëmundja e tuberkulozit.

Ardhja në Prishtinë e Sehadete Mekulit me 1954 dhe Talat Pallaskës më 1958 paraqet mundësinë e parë për ecje drejt qëllimit.

Burimi: Libri “Prishtina e fëmijërisë sime” – Sanije Gashi.