Nisë edicioni i 26-të i manifestimit tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës Valmir Azri dje në Likovë e hapi edicionin e 26-të të manifestimit tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”.

Ky manifestim tashmë i kthyer në traditë për poetët dhe dashamirët e poezisë mbahet në kujtim dhe në nder të sakrificës të gjithë rinisë studentore shqiptare të viteve të 81-ta që dhanë shumë mund, djersë e gjak, deri në brezin e viteve 2001, për një ditë më të mirë për të gjithëve, theksoi në manifestim, Aziri.

Në orën letrare të mbajtur në Likovë, Aziri përgëzoi organizatorët dhe tregoi para të pranishmëve që Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, duke marrë parasysh traditën e gjatë, punën dhe veprimtarinë serioze të këtij klubi, sivjet i ka përkrahur katër projekte me të cilët është konkurruar, në mesin e të cilëve edhe ky manifestim.

“Arti dhe poezia gjithherë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë impakt të jashtëzakonshëm në zhvillimet e përgjithshme shoqërore. Fjala e bukur artistike shpeshherë ka depërtuar aty ku asnjë forcë tjetër nuk ka mundur të depërtojë. Nëpërmjet poezisë dhe këngës, shumë herë populli ynë ka marrë guxim e krenari për sfida dhe beteja të reja”, theksoi në fjalim Aziri.

Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, shtoi më tej Aziri, duke marrë parasysh traditën e gjatë, punën dhe veprimtarinë serioze të këtij klubi, sivjet i ka përkrahur katër projekte me të cilët është konkurruar, në mesin e të cilëve edhe ky manifestim. Shpresojmë dhe besojmë që në të ardhmen edhe më tepër të kontribuojmë bashkë për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare.

Aziri, Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, i uroi shumë suksese në punën e tyre, sipas tij sa artistike, po aq edhe fisnike që po e bëjnë, për ta gjallëruar jetën kulturore e artistike në këto anë, kurse, poetëve u dëshiroi paraqitje sa më të suksesshme dhe qëndrim të këndshëm në Kumanovë e Likovë, shkruan zhurnal.mk./ KultPlus.com

Uta Ibrahimi mbledhë rreth 9 mijë euro, për nisjen e pushtimit të 14 Majave të Himalajave

Kampanja për mbledhje të fondeve për pushtimin e 14 majave të Himalayave nga alpinistja Uta Ibrahimi përmes platformës Kosova Ideas, ka arritur fundin.

Me një rekord të mbështetësve, nga e gjithë bota, shuma e arritur nga kjo iniciativë është rreth 9 mijë euro, dhe do të mbulojë një pjesë të shpenzimeve të ekspeditës për pushtimin e majës Locte dhe Kanchenjunga që fillojnë në Prill të këtij viti dhe mbarojnë në Qershor.

Gruaja e parë Shqiptare që e ngjiti Everestin Uta Ibrahimi po vazhdon përgatitjet fizike dhe psikike edhe për tri javë të mbetura, duke u ndjerë më shumë se asnjëherë e motivuar për realizimin e ëndrrave, pikërisht falë përkrahjes që ka gjetur nga shumë njerëz që besojnë në këtë projekt.

Bota ka nevojë të njihet me malet tona, me dashurinë tonë për natyrën, kjo është arsyeja pse unë dua të ngjisë me sukses edhe 12 majat e mbetura në Himalaye, shprehet Uta.

“Gjithashtu, si alpiniste grua dua të ngre vetëdijen edhe për çështjet gjinore në shoqërinë tonë. Po, është e mundshme që një grua shqiptare të ngjitet në Mont Everest, majën më të lartë të botës. Dua të motivoj sa më shumë vajza që të arrijnë të ngjiten në male dhe maja. Dua të sjell shpresë, t’i frymëzoj njerëzit për t’i pushtuar majat e tyre, pavarësisht se çfarë sfidash personale mund të kenë”, ka thënë Uta.

Me moton “Për popullin tim, malet e mia” Uta falënderon të gjithë 103 donatorët si dhe platformën Kosova Ideas e cila ia dha mundësinë me e lancu projektin për mbledhjen e donacioneve si dhe përkrahjen e vazhdueshme gjatë gjithë projektit, dhe njerëz e bashkëpunëtorë të tjerë që në forma të ndryshme e kanë ndihmuar kampanjën, duke u shprehur përjetësisht mirënjohëse për këtë përkrahje, pa të cilët do të ishte shumë e vështirë realizimi i krejt kësaj pune.

Projekti për pushtimin e 14 Majave në Himalaye ka filluar muaj me parë dhe do të përfundojë në vitin 2023 atëherë kur alpinistja Ibrahimi do të tentojë majën e 14-të./ KultPlus.com

“Çifti hapur” këtë të enjte në Dodona, Për Bekimin

“Çifti hapur”, me tekst të Dario Fo dhe France Rame dhe me regji të Kushtrim Koliqit do të shfaqet këtë të enjte në Teatrin “Dodona”, në mënyrë që të kontribuohet në shërimin e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Një vepër gjithmonë aktuale dhe fantastike mbi raportin burrë-grua, me situata sa qesharake aq edhe të prekshme. Kjo shfaqje ngrit një dilemë kryesore se a është “Besnikëria bashkëshortore gjë e vjetruar apo nuk ekziston me?”

Kjo shfaqje jetësohet nga aktorët: Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku.

“Me u kënaqe, me u argëtu dhe njëkohësisht me kontribu për diçka madhore, është gjeja më e lehtë qe mundeni me bo”, ka shkruar aktori Besart Sllamniku.

Kjo shfaqje prezantohet në kuadër te Kampanjës humanitare #PërBekimin, në kuadër të se cilën do të prezantohet “Muaji Artistik” në Teatrin Dodona, ku çdo javë shikuesit do të kenë mundësinë të shkojnë dhe ta shohin nga një shfaqje me përzgjedhje të mrekullueshme./ KultPlus.com

Drekë malësore

Poezi nga Martin Camaj.

Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.

Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)

Sot ashtë marrë një gjak.

Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë

Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.

Rita Ora e Bebe Rexha japin bashkë çmimin e parë në “iHeartRadio” (VIDEO)

Janë dy prej artisteve shqiptare që po korrin suksese në botë.

Rita Ora dhe Bebe Rexha tanimë nuk mungojnë në eventet më prestigjioze që mbahen në botë, shkruan lajmi.net.

Mbrëmë u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve “iHeartRadio Awards”, ku ishin të pranishme edhe Bebe Rexha dhe Rita Ora.

Që të dyja dukeshin për mrekulli në paraqitjen e tyre, derisa Rita kishte zhgjedhur pantallona e këmishë për këtë event.

Momenti më i bukur ishte kur Rita dhe Bebe dalin në skenë për ta ndarë një çmim së bashku./ KultPlus.com

iHeart wasssuppppp!! @iheartradio @beberexha

A post shared by RITA ORA (@ritaora) on

26 vjet nga vdekja e shkrimtarit Martin Camajt

Sot bëhen 26 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar, Martin Camaj në Munih. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas së cilës mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë te proza. Martini u lind në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë.

Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.

Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nisi të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atëbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u futë në kolegj.

Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Ai themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapiten Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetuar në ilegalitet derisa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me At Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetash.

Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”.

Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2 korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviq.

Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë. Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956. Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56s) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.

Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoratës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nëntor të vitit 1987. Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor.

Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i merituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Munih. Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.

Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer. Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij u përkthye në gjuhën angleze nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991./ KultPlus.com

“Black Panther”, filmi më i shikuar i javës

Filmi “Black Panther”, filmi i parë që sjell si hero një njeri me ngjyrë, vazhdon të kryesojë si më i shikuari.

Për 4 ditë, filmi ka arritur të fitojë 41.1 milionë dollarë. Gjithsej nga data e lansimit, nga 16 shkurti, filmi ka fituar 562 milionë dollarë.

E dyta në renditjen e Box Officit është filmi me Oprah Winfrey “A Wrinkle in Time”, i cili ka arritur të fitojë këtë vikend 33.3 milionë dollarë, transmeton TV Arta.

Për herë të parë në vendin e tretë është filmi horror “The Strangers: Prey at Night”. Ky film ka mbyllur vikendin me një shumë fitimi prej 10.4 milionë dollarësh.

Filmi që e sjell aktorja e njohur Jennifer Lawrence si spiune në “Red Sparrow”, është renditur i katërti me 8.1 milionë dollarë.

Komedia “Game Night” është e fundit në top-pesëshen e filmave më të shikuar, duke grumbulluar 7.9 milionë dollarë në vikend.

Arbëreshët i këndojnë Skënderbeut (VIDEO)

Arbëreshët shihen duke i kënduar Gjergj Kastriot Skënderbeut, të cilët me këngët e tyre e nderojnë heroin kombëtar, shkruan KultPlus.

Arbëreshët këtë përvjetor janë duke e shënuar me shumë aktivitete të ndryshme nëpër sheshe të Italisë, komunitet ky që i rezistoi periudhës 500 vjecare për të ruajtur kulturën dhe traditën shqiptare. Shikojeni për të ndjerë emocionet e këtij intepretimi./KultPlus.com


Tallja e regjisorëve kosovarë me figurat e mëdha kombëtare

Shkruan Sarandë Selimi.

Produksionet e mëdha botërore bëjnë gara se cili nga ta do ta prodhojë një film që flet për figurat e mëdha botërore e kombëtare. Ata, bashkë me regjisorët mundohen të gjejnë një nga aktorët më adekuat për të nxjerrë, nëse jo 100%, të paktën 90% të figurës për të cilën bëhet fjalë. Kjo gjë së fundmi po diskutohet edhe në Kosovë.

Një tentativë interesante ishte kjo e fundit që prodhoi një debat kulturor, ku rëndësi iu dha edhe nga mediet e tjera që kulturën e kanë të fundit në kronikat e tyre ose hiq.

Film për Adem Jasharin, tha që do të bëjë regjisori kosovar Luan Kryeziu. Ky nuk ishte lajmi. Lajmi ishte se kinse aktori kroat Rade Serbedzija, ka pranuar ta jetësojë përmes filmit, figurën e madhe historike të Kosovës, Adem Jasharin.

Në këtë mes, regjisori Kryeziu kishte thënë se ai nuk e pranon Serbedzijan për ta luajtur rolin e Adem Jasharit, dhe se ky i fundit , sipas Luan Kryeziut ka kërkuar nëpërmjet Enver Petrovcit, që të luaj në këtë film. Por, edhe pse pat zhurmë në mediet kosovare dhe në ato serbe, vet Enver Petrovci nuk ka dalë me një deklaratë që të qartësonte, se ku ka ngelë e vërteta.

I pari, doli Rade Serbedzija me një reagim ku e quajti Kryeziun një gënjeshtar. Pas kësaj i menjëhershëm ishte reagimi i Kryeziut, duke e porositur aktorin që të bëhej njëherë njeri, sepse, sipas tij qenka mbet edhe më tutje serb, edhe përkundër karrierës së tij ndërkombëtare.

Më tha e të thash. Projektet filmike me figura të mëdha të vendit janë kthyer në debate të mëdha, duke përdorë më shumë emrat për marketingun e filmave të tyre, se sa koncentrimin në vet bërjen e filmit.

Në anën tjetër, kultura në Kosovë vazhdon të mbetet në birën e fundit të kavallit, dhe ende nuk ka një buxhet të kënaqshëm për ta bërë një film të mirë, e aq më pak, një film për Adem Jasharin – një figurë e madhe jo vetëm për kosovarët, po për gjithë kombin shqiptarë.

Nuk vonoi shumë dhe pas Adem Jasharit, nisën fjalët edhe për një film të radhës për shkrimtarin e letrave shqipe, i cili është shkrimtari i vetëm shqiptar që i lakohet emri edhe për çmimin Nobel, Ismail Kadarenë. U tha se do të bëhet film për rininë e Kadaresë, përmes një fotografie të publikuar nga regjisori Ben Apolloni. Apolloni tha se aktorin e ka tashmë. Ibër Deari është aktori që do të duhej ta luante këtë rol, por sa mjafton ta gjesh një aktor që vetëm i ngjason Ismail Kadaresë, apo do të duhet të merren parasysh se janë edhe shumë faktorë, deri në realizimin e filmave me figura të mëdha.

Është e dhimbshme që në secilin cep të Kosovës ka një rrëfim për tu treguar për botën, e kjo nuk po bëhet. Po ashtu është edhe më shumë e dhimbshme që ende nuk kemi një projekt filmik me të cilin do të mburreshim e t’i tregojmë botës për vlerat tona.

Them lirshëm që me dhjetëra projekte kanë kaluar për tu subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, dhe ende rezultojnë në letër. Filmi nuk bëhet nëpër kafeteritë e Prishtinës, Tiranës e Shkupit. Filmi bëhet në sheshxhirim. Është e vërtetë që nuk ka mjete të mjaftueshme të ndara nga Qeveria e Kosovës, por, ato që i keni shfrytëzoni që të paktën një film i mirë në vit të del nga kjo Kosovë e cila ka shumë për të thënë.

E ju regjisorë të dashur që pretendoni filma me këto figura të mëdha, do të duhej që të kishit punuar në sigurimin e produksioneve të mëdha, në sigurimin e fondeve të mëdha, në thirrjen për një konkurs të pranimit të dhjetëra skenarëve po për temat që do të donit t’i trajtoni, e krejt në fund të fillonit të bëni promocionin, edhe atë me një modesti të thellë, në mënyrë që krejt këto projekte mos të tingëllojnë si promovim i vetvetes, por si një qëllim i juaji që njëmend po dëshironi të lëni gjurmë të kinematografisë kosovare.

Tash e shumë vite, jemi dëshmitarë të një fenomeni shumë të çuditshëm të kinematografisë kosovare, më shumë bëhet zhurmë para fillimit të bërjes së filmit, se sa kur fillon, dhe aq më pak kur përfundon filmi.

Sikur kam përshtypjen, se kur filmi fillon të qarkullojë nëpër festivale, e ndjej se mbylleni në guaskën tuaj, që nuk ngjan fare me krekosjen e fillimit.

Natyrisht, në këtë gjykim ka përjashtime, por të gjithë e dimë, se zhurma të mëdha rreth një projekti, vetëm sa e dëmtojnë projektin.

Andaj, nëse njëmend e keni për të bërë film me figura të mëdha, do të besojmë vetëm kur të na vërtetoni që keni një produksioni gjigant pas vetës, një organizim super të mirë, dhe e fundit fare, po më e rëndësishmja, kur e argumentoni se keni pas vetës dhjetëra filma të suksesshëm që i kanë qarë festivalet botërore, mirëpo festivalet e mirëfillta, e jo ato që ndajnë çmime pa asnjë kriter./ KultPlus.com

Poezia e Paolo Giovios për Gjergj Kastriotin

Francesco Tajani, në veprën e tij “Le Istorie Albanesi”, botuar në Salerno në 1886, ka përkthyer nga latinishtja në italisht, në faqen n° 124, poezinë e Paolo Giovio-s për Gjergj Kastriotin, të cilën e gjejmë në faqen n° 147 të veprës me titull “Elogia virorum bellica virtute illustrium”, botuar në 1575 nga Pietro Perna.

Aurenc Bebja, ka përshtatur këtë poezi në shqip dhe e ka sjellë për lexuesin, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Gjergj, brenda varrit tënd mbyllet
Rrënimi i turqve dhe mbrojtja e Epirit;
Kockat e tua pa kundërshtim,
Në shumë vende u shpërndanë dhe përhapën.

Pjesët e trupit që duhet të qëndronin të mbyllura,
Për të mos u ndjerë më të fyera nga armiku,
Ashtu nga emri yt u lind lavdia e zjarrtë,
Sa në një mijë pjesë u thyen dhe shkëmbyen.

Sepse duke u larguar nga kjo botë,
Trupi yt u copëtua nga armiqtë e tu,
sikur për tu ndjerë të rëndësishëm.

Dhe virtyti për tu dhënë jetë të tjerëve,
vjen nga ti, ashtu i njëjti,
të dha famë dhe nder.

Giovio – Jeta e njerëzve të shquar

Qytetarët nga Gjermania, Turqia dhe Shqipëria vizitorët më të shpeshtë në Kosovë

Në tre muajt e fundit të vitit 2017 Kosovën më së shumti e vizituan njerëz nga Shqipëria, Gjermania e Turqia.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Statistikat e Hotelerisë për tre muajt e fundit të 2017-ës.

Sipas ASK-së gjatë kësaj periudhe Kosovën më së shumti e vizituan shtetas të Shqipërisë, Gjermanisë e Turqisë.

“Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania, Turqia etj”, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Statistikave.

Statistikat agjencia i formuloi duke anketuar përfaqësues të 137 hoteleve, ndërsa kapaciteti i shfrytëzuar hotelier në periudhën tetor- dhjetor 2017 ishte 11,54 për qind.

Agjencia tregoi edhe numrin e bujtjeve në këta tre muaj dhe dallimin në përqindje nëpër ambientet hoteliere mes vizitorëve të huaj dhe atyre vendas.

“Në TM 4 2017, numri i vizitorëve ishte 29 736 vizitorë, ku 30.95 % ishin vizitorë vendorë dhe 69.05% ishin vizitorë të huaj. Kurse, numri i bujtjeve në TM4 2017 ishte 51 614, ku 27.79 % e bujtjeve ishin nga vendorët dhe 72.21 % ishin nga të huajt”, sqaron komunikata.

ASK-ja bëri të ditur se më së shumti vizita nëpër hotele kishte në rajonin e Prishtinës.

“Numrin më të madh të vizitorëve dhe netqëndrimet e tyre e ka Rajoni i Prishtinës me 17 253 vizitorë dhe 29 838 netqëndrime” tregohet në komunikatë./ KultPlus.com

“Karnavalet Ilire” ngjyrosën Malësinë e Sharrit të Tetovës (FOTO)

Sot në Bozovcë të Tetovës, është mbajtur 10-vjetori i Karnavaleve Ilire. Me këngë, valle, veshje e ushqim tradicional shqiptar, Bozovca sot është vërshuar nga shumë njerëz që e duan kulturën shqiptare dhe përveç që e duan edhe vazhdojnë ta ruajnë atë me fanatizëm, shkruan KultPlus.

Të pranishëm në këtë ngjarje kulturore, ishin edhe studentët e disa universiteteve shqiptare, ku edhe ata kishin veshje tradicionale dhe u bënë pjesë e ecjes deri tek vendi kryesor aty ku do të kishte performanca të ndryshme.

Mezzo sopranoja, Besiana Mehmeti ishte ajo që këndoi disa këngë, Erodita Qorkadiu Haxhiu shpalosi ekspozitën e saj me veshje tradicionale ndërsa të pranishëm ishin edhe ansamble të ndryshme që madhështuan edhe më shumë këto karnavale.

Sofra me fli, pite e gjëra të tjera nuk kishte se si të mungonte në këtë ngjarje. Ndërkaq vallja e Opojes ishte ajo që emocionoi edhe më shumë të pranishmit./ KultPlus.com

“Baresha”, një këngë që s’përsëritet (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha, me interpretimet e saj, ka marrë epitetin e “Bilbilit të Kosovës”. Ajo muzikës shqiptare, i ka sjellë një kryevepër që dëgjohet me emocionet e njëjta edhe pas gati një gjysmë dekade që kur është interpretuar për herë të parë, shkruan KultPlus.

Kënga ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj. Këngë shekullore dhe vështirë e përsëritshme është konsideruar kjo kryevepër e këngëtares.

“Baresha” cilësohet si kënga më e mirë e artistes Pagarusha dhe në të njëjtën kohë kënga më e mirë e realizuar në kulturën e muzikës në Kosovë. Ndërsa edhe më pranë publikut e ka sjellë videoklipi i realizuar në vitin 2012. Fillimisht ideja për realizimin e klipit të kësaj kënge ka ardhur nga Muzeu Kombëtar si pjesë e prezantimit të trashëgimisë shpirtërore të Kosovës. Videoklipi i kësaj kënge është realizuar në bashkëpunim me Kooperativa dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Zëri hyjnor i këngëtares së madhe, përcillet me pamjet e disa vendeve më të bukura të Kosovës. I gjithë ky bashkë dyzim ia shton edhe më tepër rëndësinë e kësaj këngë për kulturën kosovare. Ndërsa lëvizjet e mahnitshme të balerinave të Baletit Kombëtar të Kosovës, vetëm se e sjellin më afër tregimin e tekstit të kësaj kënge. Me veshje të anës së Rugovës, e me pamje nga atje kjo këngë del më autentike se çdo këngë tjetër.

Duke qenë një këngë që gëzon vlera të larta artistike, atëherë këtij kompozimi artistik mund t’i përgjigjen vetëm artist të mirëfilltë. Këtë e arrin Shkëlzen Doli me violinën e tij. KultPlus ju sjellë interpretimin e mahnitshëm të violinistit të njohur, i cili këtë këngë e ka shoqëruar edhe me videoklip.

Kjo vepër ishte interpretuar edhe nga solistja Joana Kaimi, së bashku me Orkestrën Popullore. Ky version është përpunuar për Violinë, orkestër popullore nga Gerti Druga. KultPlus ju sjellë pamje nga ky interpretim.

Krahas instrumenteve të tjera, kjo këngë është interpretuar edhe me anë të kitarës. Një interpretim të tillë e kanë sjellë dy kitaristët Arben Hoxha dhe Vendim Thaqi. KultPlus ju sjellë këtë version nga interpretimi i kitaristëve në Tirana International Guitar Festvali.

Krejt në fund po ju sjellim interpretimin e të madhes Nexhmije Pagarusha. Po ashtu KultPlus ju përcjellë edhe videoklipin dhe tekstin e kësaj kënge.


Heej kam rrit shtatin
nder këto male
bashk’ me qingja e me dele
dhe bylbyla nder zabele
mbas kumonës lojë e gëzime
si shqiponja ime

refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m ‘veshët o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali cka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…

2.
Heej po tingëllojnë
shumë kumona
gurgllon prroi malore
nalt ne qiell bjeshka me bore
n’bjeshk’ dashnija vjen me malle
sot nji fyell u kalle.

refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba?
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba?
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…

“Be the one” e Dua Lipës, nën interpretimin e grupit të vajzave kroate (VIDEO)

“Lumnize” është një grup i njohur kroat, i cili është bërë i njohur përmes performancave live dhe tejet origjinale, shkruan KultPlus.

Kohë më parë ky grup kishte sjellë një version të këngës “Be the one”, të Dua Lipës. Në kuadër të këtyre falënderimeve grupi, kishte shkruar: Faleminderit Dua Lipa për muzikën e mrekullueshme.

Me këtë video ky grup kishte marrë një vëmendje të madhe, ndërsa po ashtu këtë këngë e kishin kënduar edhe në njërën nga skenat e koncerteve të tyre. KultPlus ju sjellë videoklipin e coverit të këngës dhe pamje nga koncerti i grupit Lumnize.

Soliste e këtij grupi është Marcela Orosi, Matilda Oroši interpreton në kitarë, Tea Mišković në bas dhe Irena Rogović në tambur./ Kultplus.com

Ardhjet

Poezi e shkruar nga Azem Shkreli.

Më deshën ardhjet, tani një shkuarje më do
Oshëtimë e trishtë mungese mos më kërko

Më lër ndaj natës largësia le të ndodhi pahir
M’i duhet rrugëtimit pendesë e hidhur, e mirë

Nëse nuk piqemi, nëse pikëllimi ka mall
Më harro bukur, thuaj u pamë në një përrallë

Bari i harrimit përherë tek ndonjë breg tjetër
Mëkon ofkamave pushin e dhimbjes së vjetër.

Erza Muqolli bën shqiponjën në sallën e madhe të Parisit (VIDEO)

Erza Muqolli po vazhdon ta dëshmoj veten në çdo interpretim dhe paraqitje në skenë. Ajo në dhjetor të vitit të kaluar solli një interpretim të mahnitshme të një prej këngëve më të njohura të Beyonce, shkruan KultPlus.

Erza Muqolli vjen nga Kosova dhe është vetëm 13 vjeçare por sukseset e saj në interpretim dhe skenë e tejkalojnë moshën e saj. Para një numri të madh të publikut, ajo është ngjitur në skenën AccorHotels Arena, ku ka sjellë këngën “Listen” të Beyonce. E veçanta e këtij interpretimi është se pasi që zëri i saj i fuqishëm arrin të prek çdo pjesë të sallës, ajo ngrit dy duart lart për të krijuar simbolin kombëtar, shqiponjën.
KultPlus ju sjellë videon e këtij interpretimi nga AccorHotels Arena, në Paris.

Po ashtu kujtojmë se në këtë skenë, ajo në fund të vitit të kaluar kishte performuar më këngëtaren e njohur franceze Zaz./KultPlus.com

Kujtohet në 19-vjetorin e vrasjes nga forcat serbe, piktori Kadri Kadriu

Familjarë, poetë, artistë të profileve të ndryshme, si dhe qytetarë, kanë marrë pjesë sot në 19 vjetorin e vrasjes të artistit dhe poetit të mirënjohur mitrovicas Kadri Kadriu, i cili u ekzekutua nga forcat serbe më 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Ata bënë homazhe tek varri i piktorit, ndërsa kanë vizituar edhe familjarët e tij në kullat e familjes Kadriu te ‘Kroi i Vitakut’ në veri të Mitrovicës. Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, Tafil Peci, bëri të ditur para familjarëve të të ndjerit se është aprovuar kërkesa e tij e drejtuar para një viti e gjysmë Ministrisë përkatëse, për shndërrimin e katit të tretë të shtëpisë së të ndjerit në një galeri, ku do të ekspozohen veprat e piktorit të ndjerë Kadri Kadriut.

“Sot pikërisht jemi këtu për me ju kumtuar lajmin se është aprovuar në Kuvend dhe janë ndarë mjetet, ndërsa shumë shpejtë do të fillojnë investimet në rregullimin e galerisë. Besoj se kjo galeri përpos që do t’i ruan veprat e piktorit, do të jap mundësinë që edhe komuniteti dhe piktorët tjerë të ekspozojnë e të mbajnë aktivitete”, tha Peci.

Duke kujtuar jetën dhe veprën e të ndjerit, miku i tij, piktori Ali Bejta, veç tjerash ka potencuar edhe aftësitë e shkëlqyeshme prej organizatorit të piktor Kadriut, të cilat mundësuan mbajtjen gjallë të kulturës dhe artit në ato kohëra të vështira.

“Ai e gjente rrugën dhe mënyrën e vërtetë të organizimit të grumbullimit të njerëzve, të ardhjes së tyre, dhe kësisoj kultura në atë periudhë është organizuar në frymën më të mirë të mundshme të asaj kohe”, theksoi Bejta.

Edhe profesori i artit Sejdi Zeka, ka evokuar kujtime për jetën dhe veprën e piktor Kadriut, duke thënë se kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm. Sipas tij, Kadriu mbetet pano prijëse për gjeneratat e reja. “Nuk po e lavdërojmë Kadriun se është njeriu i parë shqiptar, por Kadriu është një pano prijëse që secili i ri i asaj moshe mund të mësojë. Ai e ka pasur atëherë më vështirë sesa ju sot, mirëpo tash ju e keni më vështirë sesa ai atëherë”, tha mes tjerash Zeka.

Në anën tjetër, Ali Kadriu, vëllai i të ndjerit, ka falënderuar në emër të familjes qeverinë, për mundësinë e krijimit të një galerie në shtëpinë e tyre, që siç u shpreh ai, do të shërbejë për ruajtjen e veprave të të ndjerit, por edhe ekspozimin e veprave të ndryshme të komunitetit artistik. Ai kërkoi nga institucionet që të bëjnë më shumë për ata të cilët dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit.

“Institucionet të bëjnë më shumë për gjakun e dëshmorëve, për njerëzit që kanë rënë për këtë tokë. Ne të gjallët kemi obligim moral që të bëjmë më shumë për ta” tha Kadriu./ KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha ishte e re, një bukuri që të magjepsë (FOTO)

Nexhmije Pagarusha është këngëtare e njohur shqiptare apo siç njihet ndryshe si bilbili i Kosovës. Veç kësaj, ajo ka qenë edhe një aktore e suksesshme, si në film ashtu dhe në teatër, shkruan KultPlus.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu. “Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Krahas karrierës së suksesshme, Nexhmije Pagarusha shquhet edhe për bukurinë e saj. KultPlus sot ju sjellë një fotografi ku këngëtarja shihet në një moshë të re./ KultPlus.com

Rita Ora e mahnitshme edhe në Dubai (FOTO)

Këngëtarja shqiptare, Rita Ora çdo ditë e më shumë po prekë skenat e mëdha të botës. Ajo këtë fundjavë ka dhënë një performancë të mahnitshme në Dubai, shkruan KultPlus.

Këngëtarja e ‘Hot Right Now’ ka kënduar në Dubai, në Base Dubai, një klub i ri që është hapur këtë fundjavë. Në këtë koncert hyrja ka qenë falas për femrat.

Rita për herë të fundit kishte performuar në Dubai gjatë vitit 2016. Ajo mbrëmë ka shkëlqyer në të bardha, së bashku me ekipin e valltareve që ishin veshur po ashtu në të bardha. Ajo atje ka performuar këngën e saj “Anywhere”, “Hot right now” e këngë të tjera.

Po ashtu kujtojmë se muajin e kaluar këngëtarja ka mbajtur një koncert madhështor në Prishtinë, ku ka kënduar për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës./ KultPlus.com

Shqipëria pjesë e “Association of Balkan National Theatres”

Ndërsa pritet që më datë 12 mars të përfundojë dorëzimi i platformave për kandidatë për drejtorin e ri të Teatrit Kombëtar në Ministrinë e Kulturës, drejtori aktual vazhdon punën si kreu i institucionit më të rëndësishëm të teatrit në vend.

Këto ditë Culi ndodhet në Sofie në një event ndërkombëtar për teatrin ku ishin ftuar gjithë drejtorët e Teatrove Kombëtare të Ballkanit.

Në faqen e tij në Facebook Culi ka publikuar një foto krah drejtorit të Teatrit Kombëtar të Sofies Marius Donkin. Sipas Culit gjatë këtij takimi është krijuar “Association of Balkan National Theatres”. Gjatë katër viteve në krye të Teatrit Culi është treguar i kujdesshëm për përzgjedhjen e repertorit duke vendosur në skenë vepra të rëndësishme. Zëra brenda teatrit konfirmojnë që Culi pritet të rikandidojë për një mandat të dytë, shkruan gazeta shqip.

Ndër kandidaturat e shpallura publikisht deri tani për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar janë Ema Andrea, Laert Vasili dhe Genc Fuga. Me përfundimin e afatit të dorëzimit të projekteve në Ministri, pritet të mësojmë se cilët janë kandidatët e vërtetë zyrtarë për postin e teatrit në një moment të rëndësishëm të tij, siç është zhvendosja në një tjetër hapësirë dhe debatet për ngritjen e një teatri të ri.

Sot bëhen 37 vjet nga demonstrata studentore e 11 marsit

Sot bëhen 37 vjet nga organizimi i demonstratës studentore, e cila është protesta e parë që u shtyp me dhunë nga policia dhe ushtria jugosllave.

Me datën 4 mars të vitit 1981 studentët e Kosovës organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981.

Si pasojë e demonstratave të studentëve erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur.

Por përsëri, organet shtetërore ndërhyjnë me tërë brutalitetin e tyre gjatë tubimeve, dhe ish-armata jugosllave pushtoi rrugët e Kosovës, duke u vendos në tërë territorin u vendos gjendja e jashtëzakonshme, e më vonë edhe shtetrrethimi.

Demonstratat gjithëpopullore të marsit dhe prillit të vitit, shënuan fillin e kthesës vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-Jugosllavia./ KultPlus.com

“S’harrohet kjo ngrohtësi e parë, kur pranvera ishte në Prishtinë” (VIDEO)

Përmes fuqisë së tij interpretuese, e teksteve të kompozitorëve më të njohur të vendit, Sabri Fejzullahu ka arritur të ngjallë emocione përmes këngëve të tij.

Sytë e tij të mbyllur, e duart në lëvizje janë karakteristikë e përjetimit të veçantë artistik të këngëtarit, shkruan KultPlus.

Këngët e vjetra të Sabri Fejzullahut depërtojnë edhe sot me të njëjtën fuqi artistike tek publiku, madje ato dëgjohen më shumë nostalgji.

Kësisoj sot po sjellim këngën “Pranvera në Prishtinë”, këngë kjo e cila vazhdon të dëgjohet me ëndje nga fansat e Fejzullahut, edhe pse ka shumë kohë nga publikimi i saj.

A t’kujtohet natë e parë,
shi kur binte në Prishtinë?
Unë e ti si dy këng’tarë
pëshpëritnim për dashurinë!

Unë të doja, ti më doje
lugut t’gjelbër të Gërmisë;
Yj’t ne qiell na bënin roje
e lisat gjelb’ronin prej lakmisë!

S’harrohet kjo ngrohtesi e parë
kur pranvera ishte në Prishtinë!
Unë e ti si dy këngëtarë
thurnim vargje për ardhmërinë!

S’harrove dot ngrohtesin e parë
Kur pranvera ishte ne Prishtinë.
Un e ti si dy kengetar
thurrnim vargje per ardhmerine.

A t’kujtohet natë e parë,
Shi kur binte ne Prishtine.
Un e ti si dy kengetar,
pershperisnim per dashurin.

Un te doja ti me doje,
lugut t’gjelber te germise,
yjet n’qiell na benin roje,
e lisa gjelbronin prej lakmise.

s’harrohet dot ngrohtesia e parë,
kur pranvera ishte ne Prishtinë,
Un e ti si dy kengetar
thurrnim vargje per ardhmerine.

s’harrohet kjo ngrohtesi e parë
kur pranvera ishte ne prishtine
un e ti si dy kengetar
thurrnim vargje per ardhmerin.
2x.
Ne Prishtin