Imami që fyen festivalin muzikor në Prizren

Besim Berisha, imami i një xhamie në Prizren e ka quajtur “lopë” një performues të festivalit muzikor “Ngom Fest” që për tre ditë organizohet në Kalanë e Prizrenit.

Në dy postime në Facebook, Imami Berisha ka thënë se “është tu pallë një lopë në Kala” dhe se “po terrorizon 70 për qind të qytetit” të Prizrenit.

“Prizreni qytet i festivaleve degjeneruese, jam kundër të gjithë atyre që përmes ‘kulturës’ na mbushin rininë me drogë dhe prostitucion!” ka shkruar ai në postimin e parë të cilit ia ka bashkëngjitur edhe një video në të cilën dëgjohet muzika nga Kalaja, transmeton Koha.net.

Në postimin e dytë, imami thotë se shkaku i zhurmës mund të ketë edhe ndonjë sulm terrorist dhe se performuesi është duke bërë ftesë që një gjë e tillë të ndodhë.

“Shkoni more ndaleni zhurmën se po çohet naj kush po ban akt terrorist! Se veç qajo na mungon. Se kjo lopa është duke bërë ftesë për një gjë të tillë”, ka shkruar Berisha.

Ndaj këtyre thirrjeve, ka reaguar drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu që ka thënë se qëndrimet e imamit Berisha që është edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, nuk janë komfor detyrës së një predikuesi fetar, i cili duhet të promovojë paqen dhe tolerancën.

“Hoxha i Bashkësisë Islame t‘Prizrenit, ofendon dhe kërcënon me akt terrorist NGOM Fest, edhe fëmijët tanë që ishin pjesëmarrës në koncert. Prej sot, e derisa të qëndrojë në pozitën e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha, do ta ndërpres kontributin vjetor të familjes sime për BIK-un, në shenjë revolte ndaj diskursit urrejtës të tij të shpërfaqur në profilin e tij në Facebook”, ka thënë Kryeziu që ka shtuar se komunikimi i Berishës ka marrë karakter të fushatës nxitëse dhe kërcënuese.

“Një klerik që me deklarimet e tij që kërcënon me akte terroriste, fyen e nxitë urrejtje ndërnjerëzore nuk duhet të jetë në krye të një bashkësie religjioze. Prandaj, të gjithë prizrenasit e besimit islam duhet të refuzojmë pagesën e taksave ndaj BIK-ut, deri në shkarkimin e imamit Besim Berisha”, ka shkruar ai.

Ashtu siç është traditë e këtij festivali, në natën e parë kishte muzikë hip-hop. Nata e dytë u karakterizua me muzikë rok, ndërsa natën e fundit skenat do të elektrizohen me muzikë elektronike.

Për tri ditë me radhë bende të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë qenë pjesë e festivalit që është mbajtur 6 deri më 9 korrik.

Era Istrefi në fokus të mediave në Moskë

KultPlus ju sjellë fotografi të Era Istrefit nga Moska. Këngëtarja shqiptare është pjesë e këngës zyrtare të Kampionatit Botëror për këtë vit.

Kampionati Botëror njihet për mbulimin e madh që merr nga mediat dhe sidomos për rëndësinë që u kushtohet këngëtareve të këngës zyrtarë të këtij kampionati.

Nga vëmendja e mediave nuk ka pasur sesi të ikë as këngëtarja shqiptare Era Istrefi, prandaj KultPlus ju sjellë disa fotografi.

Era Istrefi është duke qëndruar në Moskë ku edhe do të perfomojë këngën e saj “Live it up”, në finalen e Kampionatit.

Era Istrefi së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam para disa minutave kanë mbajtur edhe konferencën për media.
Era Istrefi është pjesë e këngëtarëve të këngës zyrtare të këtij kampionati – ‘Live it up’, bashkë me Will Smith dhe Nicky Jam./ KultPlus.com

Elina Duni prezantoi albumin e saj “Partir” në festivalin Suoni Mobili

Këngëtarja Elina Duni ka sjellë para të pranishmëve në festivalin “Suoni Mobil”, këngët nga albumi i saj i ri “Partir”, shkruan KultPlus.

Festivali shtegtues i njohur si “Suoni Mobili” ka mirëpritur tre këngëtarë të njohur në Zvicër, Colin Vallon, Ericka Stucky dhe shqiptaren Elina Duni.

Në Suoni Mobili, Elina Duniu u paraqit me albumin e saj të ri “Partir”, një album që përfshinë muzikën tradicionale të Zvicrës duke e ndërthurur atë me atë të Shqipërisë, Kosovës, Armenisë dhe Andaluzisë.

Festivali Suoni Mobili vazhdon deri më 4 gusht duke sjellë artistë nga 20 vende nga bota me 44 koncerte dhe do të kthehet në Milano më 23, 24 dhe 25 korrik për tre koncerte në Castello Sforzesco në Milano me Huntertones (USA), Naughty Professor (USA) and Giovanni Falzone./KultPlus.com

Era Istrefi në Moskë flet edhe për golat që shënuan Xhaka dhe Shaqiri

Era Istrefi së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam kanë mbajtur konferencën për media para performancës së tyre, në finalen e Kampionatit Botëror, shkruan KultPlus.

“Ndjehem e privilegjuar të jem në kampionat, në një ngjarje që ndodh një herë në katër vite. Për të ndarë kaq shumë emocione së bashku dhe për të bashkuar vendet përmes lojës por edh epërmes muzikës”, është shprehur aj duke theksuar se kjo është hera e parë e saj në Rusi.

Po ashtu e pyetur se cili ka qene momenti më i rëndësishëm gjatë kampionatit ajo është përgjigjur se loja e Zvicrës kundër Serbisë, ku edhe kanë shënuar dy shqiptarë. Tutje ajo ka biseduar edhe për lojtarin e saj të preferuar.

“Momenti më i rëndësishëm është kur ka luajtur Zvicra. Dy lojtarë kanë shënuar dhe që të dy ishin shqiptarë”, është shprehu ajo.

“Më pëlqen Cristiano Ronaldo dhe mënyra sesi ai shënoi dy gola gjatë lojës me Spanjën më pëlqen pasioni i tij dhe përkushtimi që ka ndaj futbollit”, është përgjigjur Era Istrefi kur është pyetur se cili është lojtari i saj i preferuar.

Tutje ajo ka vazhduar” Mirëpo mendoj që puna që bënë Lionel Messi së bashku me Cristiano Ronaldo, është mbresëlënëse pasi që të dy luajnë më shumë pasion”.

Era Istrefi është pjesë e këngëtarëve të këngës zyrtare të këtij kampionati – ‘Live it up’, bashkë me Will Smith dhe Nicky Jam./ KultPlus.com

Era Istrefi flet nga Rusia

Era Istrefi së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam janë duke mbajtur konferencën për media para performancës së tyre, në finalen e Kampionatit Botëror, shkruan KultPlus.

Era Istrefi është pjesë e këngëtarëve të këngës zyrtare të këtij kampionati – ‘Live it up’, bashkë me Will Smith dhe Nicky Jam.

“Është hera e parë në Rusi njerëzit po shihen shumë miqësor dhe jam e lumtur që jam këtu për të parë bukuritë e Rusisë”, është shprehur Era Istrefi.

Po ashtu e pyetur se cili ka qene momenti më i rëndësishëm gjatë kampionatit ajo është përgjigjur se loja e Zvicrës kundër Serbisë, ku edhe kanë shënuar dy shqiptarë.

“Më pëlqen Cristiano Ronaldo dhe mënyra sesi ai shënoi dy gola gjatë lojës me Spanjën më pëlqen pasioni i tij dhe përkushtimi që ka ndaj futbollit”, është përgjigjur Era Istrefi kur është pyetur se cili është lojtari i saj i preferuar.

Tutje ajo ka vazhduar” Mirëpo mendoj që puna që bënë Lionel Messi së bashku me Cristiano Ronaldo, është mbresëlënëse pasi që të dy luajnë më shumë pasion”./KultPlus.com

Era Istrefi me konferencë në Moskë, përcilleni live (LIVE)

Këngëtarja Era Istrefi është duke qënndruar në Moskë ku do të këndojë nesër në ceremoninë e finales së Kampionatit Botëror, shkruan KultPlus.

Këngëtarja nga Kosova, Era Istrefi është zëri që ka shoqëruar gjithë kampionatin botëror me këngën “Live it Up”, që ka qenë himn i këtij kampionati që po zhvillohet në Rusi , shkruan KultPlus.Këtu mund ta ndiqni live konferencën ku po merr pjesë Era Istrefi./KultPlus.com

Shpend Ahmeti premton zgjidhje për përmendoren e Anton Çettës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka paralajmëruar se shumë shpejtë Komuna do të dalë me propozime për lokacionet për shtatoren e Anton Çettës, pajtues i gjaqeve, shkruan KultPlus.

Instituti Albanologjik nuk e ka lejuar shtatoren në oborr me arsyetimin se hapësira e këtij institucioni nuk është vend adekuat për shtatoren e Anton Çettës.

“Anton Çetta është një prej figurave më frymëzuese dhe emancipuese në Kosovë e më gjerë. Si i tillë, diskutimi për shtatoren duhet të jetë i kufizuar vetëm në gjetjen e vendit më të dinjitetshëm, jo vetëm si respekt për veprën, por edhe si shpërndarje e frymës së emancipimit, mobilizimit dhe ballafaqimit me problemet shoqërore në Kosovë që ka frymëzuar Çetta”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Shpend Ahmeti po ashtu përmes këtij postimi ka lajmëruar se gjatë javëve në vijim do të shkurtojnë dhe propozojnë lokacionet për shtatoren./KultPlus.com

“Dashurinë ku e kam” e Armend Rexhepagiqit rikthehet fuqishëm nga Yll Limani

Yll Limani është një ndër këngëtaret më të pëlqyer të publikut shqiptar. Pos, këngëve të shumta që po publikon dhe koncerteve që po mban, ai ka sjell edhe këngë të ripërpunuar të këngëtarëve tanë.

Së fundi, ai ka publikuar në llogarinë personale në Instagram një performancë të veçantë prej një studio muzikore.

Në fakt, këngëtari shihet teksa këndon këngën e famshme të kantautorit Armend Rexhepagiqit, “Dashurinë ku e kam”./KultPlus.com

Afërdita Zonja (Laçi)-Kanarina e këngës

Shumëkush e kanë quajtur kanarina e këngës shqiptare, zë bilbili dhe Afërdita Laçi, vazhdon të mbetet ashtu, një artist e merituar.

Që kur filloi të këndonte për herë të parë në aktivitetet e rëndësishme kombëtare të këngës, atëherë në moshën e saj 16 vjeçare e deri tani edhe pse është një periudhë e gjatë kohe zëri i saj i veçantë dhe tepër melodioz vazhdon të mbetet i njëjtë.

E papritura që na solli këngëtarja me zërin e saj të veçantë në mesin e viteve 70-të bëri që të besonim se një Tefta Tashko Koço e re kishte lindur në skenën shqiptare.

Në fundvitet 1975-1976 Radiotelevizioni Shqiptar do të organizonte konkurset e zërave të bukur. Një vit më vonë, më 1976 një tjetër këngëtare e re dhe tepër simpatike, Afërdita Laçi, nga qyteti i Korçës morri pjesë në atë konkurs dhe u shpall fituese e atij konkursi, e cila interpretoi këngën fituese të çmimit të tretë në Festivalin e 14-të të Këngës në RTV

Pasi u shpall fituese e atij konkursi hyri automatikisht si këngëtare pjesëmarrëse në Festivalin e 15-të të Këngës në RTV 1976 me këngën “Shokë jete”, kompozuar nga Aleksandër Lalo.

Në ato vitet e saj të para, përveç se këngëtare në festivale, ajo do të këndonte edhe këngë në anketat muzikore të radios. Përmend këtu këngën fituese të një ankete muzikore në ato vite “Shiko Mëmëdhenë”, kompozuar nga Limoz Dizdari me tekst Robert Shvarc.

https://www.youtube.com/watch?v=ICnW4jQYTmo

Kulmin e saj të suksesit këngëtarja korçare do ta arrinte në Fetivalin e 18-të të Këngës në RTV, Dhjetor 1989, ku së bashku me këngëtaret Zeliha Sina dhe Liliana Kondakçi do të fitonin çmimin e parë me këngën “Festë ka sot Shqipëria”, muzika A. Prodani me tekst të Zh. Jorganxhiut.

/ Sa bukur ngrihet një lagje e re / dhe sheshi ngjan si det me valë / o mbledhur sot të gjithë ne/ me ballin lart faqebardhë…/

Gjatë atyre viteve Afërdita nuk mund t’i mungonte aktiviteteve të shumta artistike që zhvilloheshin edhe në qytetin e saj, Korçë. Kënga “Ky liqeni i malit” kënduar në një nga festivalet e këngës në Korçë u bë shumë shpejt e njohur, jo vetëm në qytetin e Korçës.

Serenatat e pavdekshme korçare me të cilat ajo ishte rritur do interpretoheshin me mjeshtëri nga zëri i saj i bukur dhe i hollë. Qytetarët korçarë edhe sot u kujtohet këngëtarja me zërin e saj të hollë e të ëmbël si kanarinë nën interpretimin e serenatave të shumta korçare si: “Perëndeshë e bukurisë”, O ky bilbili i malit, …

https://www.youtube.com/watch?v=moGW8aoF3MY&list=PLtw4tTRrHprEe40LpJkIq9jKD5L4jHJwB

Vite më vonë edhe pse studente në Akademinë e Arteve të bukura në Tiranë, “streha” e saj e të kënduarit do mbetej skena e festivaleve të këngës në RTV. Për zërin e saj të bukur dhe melodioz, Afërdita Zonja është nderuar me çmimin: “Artiste e Merituar”, shkruan Pierre-Pandeli SIMSIA./KultPlus.com

“Thesari i diktatorit” që gjendet te ish- Kinostudio është afër zbulimit

Më shumë se 350 objekte të cilat i takojnë Enver Hoxhës qëndrojnë të pa ekspozuara për më shumë se 3 vite, në një dhomë të vogël e të errët, në studio e “AlbaFilm”, ku qëndron arkiva e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”. Mirëpo këto gjësende së shpejti priten që të ekspozohen.

Vite më parë këto sende personale, nga shtëpia dhe zyra e Enver Hoxhës, i janë dhuruar “Albafilm” nga Muzeu Historik Kombëtar pasi nuk kishte vend e hapësirë të mjaftueshme për t’i ruajtur ato.

Rreth 350 artikuj, kryesisht janë dhurata të ardhura nga jashtë posaçërisht për diktatorin, por një pjesë janë edhe artikuj e sende të zyrës së tij, shkruan panorama.al

Fotografi, stilograf, dhurata personale, mes tyre kravata apo blloqe që kanë shërbyer për vite me radhë si ditarë.
Pjesë e pandarë e kësaj arkive janë edhe automjetet e Hoxhës, me vlerë të jashtëzakonshme sot. Njëra prej makinave është dhuratë e kryetarit të Partisë Komuniste të Kinës Mao Ce Dun, në kohën e miqësisë së Kinës dhe Shqipërisë në vitet ’60-70.

Por tani automjetet do të riparohen dhe do të jenë sërish në gjendje pune., ndërsa sendet do të pastrohen, inventarizohen nga e para dhe më pas do të jenë gati për t’u ekspozuar në një mini-muze në ambientet e parkut të ish-Kinostudios./KultPlus.com

A ma mirë këtu a atje?

Diaspora e Kosovës ka luajtur një rol të rëndësishëm për të mbështetur mirëqenien e atyre në atdhe. Nga mbledhja e fondeve dhe lobimi ndërkombëtar për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës që jetonin nën regjimin shtypës gjatë viteve ’90, në subvencionimin e anëtarëve të familjes dhe investimin në shtetin e pasluftës dhe pas pavarësisë.

Sot, me remitencat e diasporës që përbëjnë 16 përqind të PBB-së së Kosovës, roli i diasporës në mendjet e shumë njerëzve duket se ka evoluar duke u konsideruar pothuajse ekskluzivisht si një burim financiar. Ndërkohë, me qëllim të organizimit të diasporës së saj dhe për të pasur kontakt të vazhdueshëm me të, Kosova ka themeluar Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Por profili i diasporës ka ndryshuar me kalimin e kohës. Pas ‘Gastarbeiters’ të viteve ’60 dhe ’70 dhe atyre që kërkonin azil në vitet e ’90, një fytyrë e re e diasporës është duke u zhvilluar, pasi një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës po ndjekin zhvillimin e tyre akademik dhe profesional jashtë vendit. Ashtu si qytetarët kosovarë në shtëpi, shumë nga ata që janë larguar, po bëhen gjithnjë e më të frustruar me mungesën e përparimit në zhvillimin e një shteti plotësisht funksional.

Është koha për të parë përtej pyetjes “A është më mirë këtu apo atje?” dhe të njohim realitetet komplekse dhe shumë-shtresore të kosovarëve që jetojnë jashtë shtetit, shpesh referuar si një kolektiv i thjeshtë dhe i përkufizuar posaçërisht me termin pezhorativ ‘Schatzi’, si dhe të kuptojmë marrëdhëniet e tyre me Kosovën.

A do të njihen ndonjëherë anëtarët e diasporës më shumë se si thjesht një burim financiar? Çfarë mund të kontribuojnë studentët që studiojnë jashtë shtetit në kapitalin intelektual të Kosovës për zhvillim? Cili është saktësisht roli i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike? Cilat janë përvojat e anëtarëve të diasporës me institucionet kosovare? A janë adresuar siç duhet të drejtat dhe shqetësimet politike të pjesëtarëve të diasporës? Çfarë kanë bërë institucionet e Kosovës për të shfrytëzuar potencialin e diasporës?

Të enjten, më 19 korrik, në orën 18:00 do të diskutohet për të gjitha këto çështje dhe më shumë në Innovation Centre Kosovo, (rr. Rexhep Mala 28A. Prishtinë, Kosovë).

Për të diskutimin është ftuar Afrim Bekteshi – Zëvendës Ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Liza Gashi – Drejtore Ekzekutive e Germin (OJQ e cila përdorë teknologji dhe kanale virtuale për të lidhur dhe angazhuar anëtarët e Ballkanit Perëndimor të diasporës në avancimin e zhvillimit dhe demokratizimit të vendeve të tyre të origjinës).
Pastaj edhe Osman Osmani – Kryetari i shoqatës profesionale “Prointegra.ch” të Zvicrës (shoqatë e cila është ndërtuar nga profesionistë me prejardhje nga Kosova për çështje migracioni) dhe Adem Ferizaj – MA në Marrëdhëniet ndërkombëtare, Instituti i Studimeve Politike të Parisit (Sciences Po Paris), i rritur në Gjermani. Diskutimi do të moderohet nga Eraldin Fazliu./KultPlus.com

Për ty artist i vetmuar…

Poezi nga Rita Petro.

Mos e vrit veten as këtë natë
Ti
Që çdo mesnatë e gjen shtëpinë
Zhytur në errësirë…
Ku e zeza dhe drita pikturojnë
Imazhet e tua surreale,
Lindur prej një truri të eksituar
Nikotine-alkoole-drogash…
Mos e vrit veten as këtë natë
Duaje vetminë tënde
Madhështore, të shurdhët,
Zhurmë-tingujsh dhe aromë-masturbimesh
delirante.
Mos
Mos e vrit veten as këtë natë!
Vetmia jote boheme është më e mirë
Se gënjeshtra që mban në një krevat
burrin dhe gruan,
Se pagjumësia e liderit pervers
Që ëndërron të shembë çdo ditë
nga një ëndërr tonën,
Se makthi i atij që fle
Mbi dyshek parash erëndyrë,
Spërkatur me Pure White Cologne.
Prit!
Para se ta pish dhe pikën e fundit të helmit,
Dëgjoje qarjen e saksit që vjen nga lokali poshtë
Klithmën e mbytur të seksit
Pas murit në të majtë,
Drithmën e celularit dritëmekur,
Kur vizatohet një zemër në ekran.
Asnjëherë s’je vetëm o Ti mik,
Që kërkon të shpëtosh veten nga errësira!
Jam dhe Unë këtu.
Jemi të Tjerë aty-këtu
Që vrasim natën me një gotë kokteji,
Ku pikëllimi përzihet
Me pak ëndërr
Pak shpresë
Dhe pak gjak cherry.
Prite!
Prite edhe këtë natë dritën e mëngjesit,
Që si shpatë çan mes për mes
Grilave të vjetra
Dhe vizaton nëpër mure
Jetë të pastra bohemësh./KultPlus.com

ANDRRA së shpejti sjellë “Moj nano”

Këngëtarja Fatime Kosumi e njohur si ANDRRA, së shpejti do të sjellë këngën “Moj nano”.

Teksti për kënga “Moj Nano” është marrë nga një këngë nga Mali i Zi. “Moj Nano” është po ashtu një tekst i këngëve që këndohen për kanagjegj siç kanë qenë edhe dy këngët e mëparshme të këngëtares “Palinë” dhe “Kalle Llamen”.

Videoklipi i këngës tashmë është realizuar kurse kënga pritet që të publikohet në vjeshtë./KultPlus.com

Publikohet lista e plotë e nominimeve për Emmy 2018

Janë bërë të ditur emrat e projekteve kinematografike të nominuar në kategoritë e festivalit të njohur “Primetime Emmy”, përcjellë KultPlus.

Kjo mbrëmje e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 17 shator 2018 në “Microsoft Theatre” të Los Anxhelosit ku nikoqirë të festivalit do të jenë Colin Jost dhe Michael Che.

Për shkak se çmimet Emmys jepen në sektorë të ndryshëm të industrisë televizive amerikane, ato paraqiten në ceremoni të ndryshme vjetore të mbajtura gjatë gjithë vitit. Dy ngjarjet që marrin më së shumti mbulim nga mediat janë çmimi Emmy Primetime dhe Emmy Awards.

Shikoni më poshtë nominimet e plota për “Primetime Emmy 2018”.

Aktori më i mirë në rol kryesor në një seri drame:
Jason Bateman, Ozark
Sterling K. Brown, This Is Us
Ed Harris, Westworld
Matthew Rhys, The Americans
Milo Ventimiglia, This Is Us
Jeffrey Wright, Westworld

Aktorja më e mirë në rol kryesor në një seri drame:
Claire Foy, The Crown
Tatiana Maslany, Orphan Black
Elisabeth Moss, The Handmaid’s Tale
Sandra Oh, Killing Eve
Keri Russell, The Americans
Evan Rachel Wood, Westworld

Aktorja më e mirë në rol dytësor në seritë dramatike:
Alexis Bledel, The Handmaid’s Tale
Millie Bobby Brown, Stranger Things
Ann Down, The Handmaid’s Tale
Lena Headey, Game of Thrones
Vanessa Kirby, The Crowd
Thandie Newton, Westworld
Yvonne Strahovski, The Handmaid’s Tale

Aktori më i mirë në rol dytësor në seritë dramatike:
Nikolaj Coster-Waldau, Game of Thrones
Peter Dinklage, Game of Thrones
Joseph Fiennes, The Handmaid’s Tale
David Harbour, Stranger Things
Mandy Patinkin, Homeland
Matt Smith, The Crown

Seriali më i mirë dramë:
The Americans
The Crown
Game of Thrones
The Handmaid’s Tale
Stranger Things
This Is Us
Westworld

Aktori më i mirë në rol kryesor në një seri komedi:
Anthony Anderson, Black-ish
Ted Danson, The Good Place
Larry David, Curb Your Enthusiasm
Donald Glover, Atlanta
Bill Hader, Barry
William H. Macey, Shameless

Aktorja më e mirë në rol kryesor në një seri komedi:
Pamela Adlon, Better Things
Rachel Brosnahan, The Marvelous Mrs. Maisel
Allison Janney, Mom
Issa Rae, Insecure
Tracee Ellis Ross, Black-ish
Lily Tomlin, Grace and Frankie

Aktorja më i mirë në rol dytësor në një seri komedi:
Zazie Beetz, Atlanta
Alex Borstein, The Marvelous Mrs. Maisel
Aidy Bryant, Saturday Night Live
Betty Gilpin, GLOW
Leslie Jones, Saturday Night Live
Kate McKinnon, Saturday Night Live
Laurie Metcalf, Roseanne
Megan Mullally, Will & Grace

Aktori më i mirë në rol dytësor në një seri komedi:
Louie Anderson, Baskets
Alec Baldwin, Saturday Night Live
Tituss Burgess, Unbreakable Kimmy Schmidt
Brian Tyree Henry, Atlanta
Tony Shalhoub, The Marvelous Mrs. Maisel
Kenan Thompson, Saturday Night Live
Henry Winkler, Barry

Seriali komik më i mirë:
Atlanta
Barry
Black-ish
Curb Your Enthusiasm
Glow
The Marvelous Mrs. Maisel
Silicon Valley
Unbreakable Kimmy Schmidt

Aktori kryesor i pazbuluar në një seri ose film të kufizuar
Antonio Banderas, Genius: Picasso
Darren Criss, The Assassination of Gianni Versace: American Crime Story
Benedict Cumberbatch, Patrick Melrose
Jeff Daniels, The Looming Tower
John Legend, Jesus Christ Superstar
Jesse Plemons, U.S.S. Callister

Aktorja kryesore e pazbuluar në një seri ose film të kufizuar
Jessica Biel, The Sinner
Laura Dern, The Tale
Michelle Dockery, Godless
Edie Falco, Law & Order SVU True Crime: The Menendez Murders
Regina King, Seven Seconds
Sarah Paulson, American Horror Story: Cult

Aktorja më e mirë në rol dytësor në një seri ose film të kufizuar:
Sara Bareilles, Jesus Christ Superstar Live in Concert
Penélope Cruz, The Assassination of Gianni Versace: American Crime Story
Judith Light, The Assassination of Gianni Versace: American Crime Story
Meritt Wever, Godless
Letitia Wright, Black Mirror: “Black Museum”

Aktori më i mirë në rol dytësor në një seri ose film të kufizuar:
Jeff Daniels, Godless
Brandon Victor Dixon, Jesus Christ Superstar Live in Concert
John Leguizamo, Waco
Ricky Martin, The Assassination of Gianni Versace: American Crime Story
Edgar Ramirez, The Assassination of Gianni Versace: American Crime Story
Michael Stuhlbarg, The Looming Tower
Finn Wittrock, The Assassination of Gianni Versace: American Crime Story

Seriali më i mirë:
The Alienist
The Assassination of Gianni Versace: American Crime Story
Genius: Picasso
Godless
Patrick Melrose
Reallity show më i mirë
Antiques Roadshow
Fixer Upper
Lip Sync Battle
Queer Eye
Shark Tank
Who Do You Think You Are?. /KultPlus.com

Sot fillon java e filmit dhe muzikës në Parkun Kulturor në Gjakovë

Iniciativa qytetare me projektin Parku Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë, e cila ka nisur këtë vit edicionin e dytë të aktiviteteve kulturore, me synim edukimin dhe inspirimin e komunitetit përmes shfaqjeve filmike, muzikore dhe arteve tjera, ka të planifikuar një vikend mjaft intensiv programatik, shkruan KultPlus.

Të përkrahur nga Culture for Change (EU) dhe në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, sot me 13 korrik, shfaqet për herë të parë në qytetin e origjinës dokumentari “Ferdonija”, me në qendër historinë e nënave të Gjakovës, që tash e shumë vite kanë mbetur pa njohuri për të afërmit e tyre.

Të nesërmen, me 14 korrik, duo e përbërë nga Shpat Deda dhe Armend Xhaferi performojnë në po të njëjtin vend, me kantautorin dhe kitaristin që premtojnë një natë magjike muzikore.

Java mbyllet me shfaqjen e filmit “The Divine Order”, të dielen me 15 korrik, në bashkëpunim me Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Një komedi dramatike që trajton të drejtat e grave në Zvicër në vitet e 70’. Të gjitha këto ngjarje fillojnë prej orës 21:00.

“Jemi shumë të lumtur që Parku Kulturor po kthehet në një traditë për qytetin e Gjakovës dhe adhuruesit e filmit dhe kulturës, të cilët edhe këtë vit po na ndjekin në numra impresionues. Pas më shumë se 30 ngjarjeve të organizuara vitin e kaluar, edhe këtë vit kemi nisur me shumë dinamizëm nga muaji qershor. Këto nuk do të jenë aktivitetet e vetme normalisht, pasi planifikojmë të kemi shumë tjera deri në fund të shtatorit, me shpresën që shpejtë tentimet tona të kemi një qendër të mbyllur që funksionon tërë vitin do të jetësohen”, është shprehur drejtori i projektit, Arbër Lleshi.

Ky projekt organizohet nga OJQ “DU ART”, i përkrahur nga Komuna e Gjakovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Dokufest./KultPlus.com

Fotografi Roland Tasho sjellë ndryshimet e qendrës së Tiranës ndër vite

Fotografi Roland Tasho në ekspozitën e tij të hapur së fundi, ka paraqitur një kolazh fotografish ku shihet qendra e Tiranës. Aty vërehen ndryshimet që ka pësuar kjo qendër ndër vite.

Fotografi Roland Tasho ka kaluar shumë kohë në qendër të qytetit ku edhe ka realizuar me qindra fotografi. Mirëpo fotografitë që ai i ka realizuar pikërisht në qendër të qytetit të Tiranës zbulojnë edhe ndryshimet në këtë qytet që kanë ndodhur ndër vite.

“Kam vendosur që të paraqitem me këto fotografi sepse nuk më ka pëlqyer asnjëherë ndryshimi i vazhdueshëm i qendrës së Tiranës”, është shprehu ai për përzgjedhjen e tij në kuadër të ekspozitës e cila ishte kolektive.

Dëshmitari vizual i ndryshimeve në qendër të Tiranës e ëndërron atë, me shatërvanin, Kafe Kursalin dhe me ndërtesën e bashkisë, shkruan panorama.

Ai fillimisht ka filluar që ta fotografojë qendrën në vitin 1985 kur edhe ka filluar që të punon si fotograf./KultPlus.com

Shkëmbi i Princeshës Argjiro

Kalaja e Gjirokastrës dhe legjenda e princeshës Argjiro që e kujtojmë të gjithë përmes Ismail Kadares.

Princesha Argjiro është sundimtarja e qytetit të Gjirokastrës gjatë shekullit XIV. Pas vdekjes së burrit, Princesha Argjiro lufton me turqit kur ata e rrethojnë kalanë e Gjirokastrës, mirëpo njeri truprojë e tradhton ndaj ata futen në kala. Për të mos rënë e gjallë në duart e turqve, u hodh nga kulla më e lartë e kalasë bashke me djalin e saj foshnje dhe u copëtua mbi një shkëmb. Mirëpo foshnja sipas legjendës mbeti gjallë.

Princesha me djep në krahë
U vërvit nga kulla poshtë…
Dallëndyshet i ke parë
Kur mësojnë vjeshtës zogjtë?
Rrugën e parë në jetë
Me foshnjën bënte princesha.
Në qiell t’atdheut përpjetë
Ajo mbeti, e varur peshë.
Ajo bije e nuk po bije,
Një shami në hapësirë.
Pezull mbi shekujt me hije
Si ëndërr e bardhë ka ngrirë.

(Fragment nga libri Princesha Argjiro-Ismail Kadare)./KultPlus.com

The Sun: Braktiseni Greqinë për Shqipërinë, është më lirë dhe po ashtu e mrekullueshme

Mund të kurseni para duke këmbyer pushimet në buzë të detit në Greqi me bregdetin Shqiptar, shkruan e përditshmja britanike “The Sun”.

“Bregdeti jonian i Shqipërisë është shumë pranë atij të Korfuzit dhe mund të arrihet lehtësisht që nga ishulli grek dhe plazhet e saj janë njësoj të mrekullueshme. Nëse dëshiron të krijosh varietet përse të mos vizitosh Shqipërinë?”, thekson gazeta në një artikull që i dedikohet destinacioneve alternativë, ndaj atyre popullore, për të kaluar pushime të mrekullueshme.

“Një avantazh i madh është fakti se është shumë më e lirë se sa fqinji, shumë i pëlqyer por i mbytur me turistë”, thuhet në këtë artikull.

“Një kriko kushton vetë 0,58 paund në Shqipëri kundrejt 1,8 paund në Korfuz, nuk po bëjmë shaka!”, përfundon “The Sun”./ ata

Apostolova: Kosova është e pasur me trashëgimi kulturore

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim lansuan sonte në Prizren projektin e financuar nga BE “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes mbrojtjes përfshirëse të trashëgimisë kulturore”, i cili përkon me vitin e trashëgimisë kulturore evropiane 2018.

Me këtë rast, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se projekti do të fillojë së shpejti dhe do të ketë aktivitete të shumta për të dëshmuar vlerat e trashëgimisë evropiane. Ajo theksoi se ruajtja e trashëgimisë kulturore është një ndër vlerat e çmuara të Bashkimit Evropian, i cili ka dhënë një ndihmë të rëndësishme në këtë fushë në Kosovë, përmes së cilës promovohet vendi në botë.

“Kosova është e pasur me trashëgimi kulturore që kanë jetuar këtu në të kaluarën në diversitetit duke bërë Kosovën unike. Projekti është testament e vlerave të mëdha për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe komuniteteve. Përmes këtij projekti të rehabilitimit, promovohet trashëgimia kulturore e vendit. Kinema Lumbardhi ku ne jemi sot është zgjedhur për këtë ngjarje pasi përfaqëson një erë të rëndësishme për qytetin dhe jetën e tij kulturore. Projekti tregon diversitetin e komuniteteve për t’i afruar së bashku, në veçanti të rinisë, komunitetet e të cilave ndajnë trashëgiminë për të punuar së bashku”, tha ajo.

Ulrika Richardson, koordinatore e OKB-së për zhvillim dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, tha se faza e dytë e projektit që implementohet nga kjo organizatë, promovon ndërtimin e mirëbesimit përmes restaurimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore. “Në fazën e parë kemi punuar me intensitet të madh me komunën, me komunitetet, shoqërisë civile, policinë dhe institucionet nacionale dhe kemi vënë një bazë solide për të vazhduar me frymë të njëjtë. Në fazën e dytë do të rritim angazhimin e të rinjve, pasi Kosova ka një popullsi kryesisht të re dhe ndajnë përgjegjësinë për ruajtjen e asaj që është më e vlefshme, trashëgimisë kulturore”, tha Richardson.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukaj, ka thënë se ruajtja e trashëgimisë kulturore është investim në ruajtjen e bashkëjetesës dhe se do të ketë mbështetjen e komunës që ai drejton. “Si prizrenas kudo që kam shkuar në botë kam qenë krenar me Prizrenin. Krenaria për qytetin tim ka buruar nga dashuria për të, por edhe nga lavdatat e njerëzve që kanë vizituar Prizrenin. Ndër lëvdatat që kam dëgjuar janë për njerëzit e saj, mikpritjen dhe gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët. Kjo mirësi që hetohet në Prizren, bazohet në trashëgiminë kulturore të saj, në xhaminë, katedrale, sheshe e rrugicave, sahat kullë e kalldrëmin e Prizrenit bazohet në trashëgiminë e Prizrenit, por edhe artizanale”, tha ai.

Një mesazh të para-incizuar përmes video-linkut për të pranishmit ka mbajtur Tibor Navracscis, komisionar evropian për arsim, kulturë, rini dhe sport, ndërsa Ares Shporta ka prezantuar një histori të shkurtër të kinemasë Lumëbardhi- vendet kulturore si qendra të kohezionit shoqëror. /KultPlus.com

Historia e unazës që u shpëtua nga Shtjefën Gjeçovi

Në përvjetorin e lindjes së fratit Shtjefën Gjeçovi ia vlen të kujtosh sesi ky misionar i dijes mblidhte jo vetëm Kanunin e maleve tona, apo shkruante drama historike për mesjetën shqiptare, por gjurmonte dhe shpëtonte pasuritë arkeologjike të nëntokës sonë.

Ja rrëfimi I At Shtjefën Gjeçovit në vitin 1900 sesi e shpëtoi këtë unazë ari për t’ia kaluar brezave të tjerë të shqiptarëve. Ky rrëfim është shkëputur nga një shkrim i studiuesit Jaho Brahaj i titulluar “At Shtjefë Gjeçovi. Si shpëtoi kambana e Skënderbeut”, Suplementi Rilindësi, 18 gusht 2013.

“Ishe n’Laç – Sebaste të Kurbinit, si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kërkim të vjetërsinave –përmi t’cillat tash flas, – m’u beh në qelë Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf­it t’Berlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh(!) xuna me ju lëvdue për do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun “Kodër Bogëz” në katund të Laçit – Sebaste.

Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap­çap me me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetërsiena.

Ndër kto sende kishe edhe nji unazë­arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të përmendun, dhe e pveta Dr. Traeger­in, qi t’më diftote kohën e vjetërsienës s’sajë, e ky mu përgjegj: “Kohën e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetërsievet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana për atë unazë”!!

Të falem nderës i thaçë Dr. Traeger­it, me më dhanë 400 napolana s’e shes, por veç deshta me ditë kohën e çmimin e vjetërsies…”.

Unaza nuk u shit. Arkeologu italian L. Ugolini në vitin 1927 e vlerësoi këtë unazë duke e përshkruar e perfshirë në vëllimin “Shqiperia Arkeologjike” nga ku i kemi të ruajtura përshkrimin dhe foton e sajë. Pas vdekjes së Gjeçovit unaza e “famshme” ruhej në Muzeumin Françeskan në Shkoder deri në vitin 1945, pastaj erdhi në Tiranë. / KultPlus.com

Bergman, tash si në kohën e tij, shkëlqen fuqishëm dhe integrues me dramën e individit

Nga Fitore Rubovci

Më 14 korrik të këtij viti mbushen 100 vjet nga lindja e regjisorit suedez me famë botërore Ingmar Bergman. Veprimtaria e tij kinematografike është mjaft e bujshme, me 60 filma. Ai ishte edhe një regjisor i famshëm teatri, i cili realizoi 170 produksione teatrore. Një shkrimtar po ashtu i mirënjohur, me 100 vepra e artikuj të ndryshëm.

Veprat e mëdha zakonisht lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën ku ato bëhen. Kështu është edhe me Ingmar Bergmanin. Veçantia e tij regjisoriale është edhe sot e kësaj dite tepër kreative, si edhe qasja e tij ndaj tematikave, të cilat asokohe ishin pak të njohura, janë realisht tema të mëdha ndonëse duken të vogla. E tërë veprimtaria e tij artistike e shpreh këtë, por veçanërisht disa prej filmave të tij sikurse është filmi i shquar Ëild Straëberries (1957), The Silence (1963), si dhe filmi që shkëlqeu Persona (1966). Të gjithë këta filma kanë sjellë risi regjisoriale, për çka edhe janë me shumë vlera.

Po çka është ajo që e shquan qasjen regjisoriale të Bergman?

Në fokusin e tij regjisorial Bergman e ka individin, zakonisht dy individë. Nëse ka ndonjë tjetër, ai/ajo më tepër është në rolin pasiv, disi si sfond apo si prezencë e heshtur (p.sh. fëmija Johan luajtur nga Jörgen Lindström te The Silence). Pikërisht në këtë tematikë Bergman bën kthesën e madhe regjisoriale: individi e përjetimi i tij i brendshëm dominojnë në filmat e mësipërm. Individi, në të vërtetë, nuk trajtohet thjesht si një individ i vetëm, ai është më shumë, ai pasqyron në veten e tij dhe përmes vetes së tij një shumicë individësh të panumërt ku secili gjen diçka të tijën, të veten nga ajo nëpër të cilën kalon personazhi në film.

Bergman ka zgjedhur të vërë në fokus gjendjen psikologjike. Këtë e motivon fuqishëm. Te filmi Persona, aktorja Elisabet (luajtur nga Liv Ullman) ndal së foluri në skenë derisa po luante rolin e Elektrës, ndoshta si metaforë për një mëkat që individi e bart në vetvete ani se të tjerët mund të mos e dinë atë. Ose te Ëild Straëberries, kryepersonazhi profesori Isak Borg (luajtur nga Victor Sjöström) ndjehet sikur është në një gjendje të pakohë që e shprehë ora pa akrepa, si për të treguar se ai jeton me kujtimet e së kaluarës, me një dashuri që ai nuk e realizoi dhe me sa duket ka vuajtur tërë kohën për të, aq më tepër duke e mbajtur në vetvete si një barrë.

Si e këtillë, ndonëse përjetimi psikologjik është individual, ai mund të jetë i shkaktuar por edhe reflektim i gjendjes së shoqërisë, shoqëri e cila shfaqet vetëm si sfond. Indiferenca e mospërfillja e shoqërisë përjetohet si ngulfatje për individin, e bën të ndjehet i vetmuar, i huaj, i mbetur jashtë, i papërfillshëm, thuajse inekzistent. Te filmi The Silence ambienti është një herë kupeja e mbyllur e trenit e pastaj dhoma e hotelit; te Ëild Straëberries shtëpia dhe vetura; te filmi Persona është shtëpia në periferi etj. Kupeja, dhoma e hotelit, vetura, shtëpia në periferi paraqesin gjendje vetmie, izolimi dhe qetësie, do me thënë të shkëputur nga shoqëria. Duket sikur regjisori ka krijuar kushte laboratorike në të cilat protagonistët janë detyrimisht të lidhur njëri me tjetrin. Kështu, identiteti regjisorial i Bergman shkëlqen pikërisht me sjelljen në epiqendër të audiencës jo dramën kolektive, po dramën individuale, të njeriut të veçantë, si përjetim i rëndë dhe me pasoja për tërë jetën.

Dramës së brendshme të individit Bergman i dha fuqi dhe e bëri të vëmendshme për audiencën, po si e bëri ai këtë?
Temat e vëna në fokus, në dukje, janë tema thuajse të papërfillshme (p.sh. tre filmat e apostrofuar më sipër), tepër specifike brenda veprimeve të filmit. E megjithatë, gjenialiteti regjisorial i Bergman i shndërron ato në shumë të fuqishme emocionalisht, duke zbuluar një botë të brendshme dhe të thuaja krejt të panjohur gjë që i bën edhe sot e kësaj dite, në një farë mënyre, të na përcjellin mesazh të qartë.

Ajo që i bënë mbresëlënës filmat e Bergmanit është, po ashtu, refuzimi i individit për të qenë e i hapur me shoqërinë, ikja nga rrethi dhe mbyllja në vetvete, në gëzhojën e vetmisë e cila konsiderohet kjo si dënim (prof Isak Borg e po ashtu edhe më fuqishëm aktorja Elisabet).

Shpesh ajo që të bie në sy është loja me personazhin kryesor (The Silence, Persona). Intriga regjisoriale duket se krijon perceptimin se filmi i dedikohet një personazhi (p.sh. shkrimtares Ester te The Silence, apo aktores Elisabet te Persona), kurse në të vërtetë gradualisht personazhi tjetër, në shikim të parë me rol dytësor, shndërrohet në rol kryesor (Ana e luajtur nga Gunnel Lindholm te The Silence, motra medicinale Alma a luajtur nga Bibi Andersson te Persona). Del se personazhet e menduara kryesore janë më tepër në rolin statik, kurse personazhet në dukje të roleve dytësore janë, në të vërtetë, në rolin aktivë, janë dinamikë.

Në filmat e apostrofuar që i kanë bërë famë Bergmanit zakonisht janë, sikurse u tha, dy personazhe. Nga aspekti i veprimit e tërë ngjarja zhvillohet rreth tyre dhe me ta. Kjo është një sfidë, për shkak se është shumë e zorshme që përmes dy personazheve të mbahet gjallë interesimi dhe vëmendja e audiencës, por kësaj ia arrin shkëlqyeshëm Bergman. Për më tepër, ia del t’ia përçojë shikuesve edhe emocionet, gjë që tregon një mjeshtri të jashtëzakonshme regjisoriale.
Si risi shumë impresionuese regjisoriale, p.sh. te filmi Persona, është kalimi i personazheve në rolet e ndërsjella, konkretisht motra medicinale Alma vepron si aktorja Elisabet, madje sikur të ishte ajo. Pikërisht kjo gjetje e bënë filmin edhe sot e kësaj dite të jetë atraktiv dhe intrigues për ta përcjell me vëmendje deri në fund, duke na bërë të kuptojmë veten tonë: a nuk i japim ne vetes të drejtë (natyrisht pa të drejtë) që të identifikohemi e të ndërhyjmë në fatet e të tjerëve, të flasim e të gjykojmë? A nuk na bënë kjo një katarzë të ndërgjegjes, për të mos paragjykuar dhe për të qenë më të përmbajtur?

Filmat e Bergmanit është lehtë për t´u kuptuar se nuk e kanë të veçantë ngjarjen, por kreativitetin si qasje regjisoriale, gjë që e shpërfaqin edhe filmat më të njohur të tij, si Ëild Straëberries, The Silence, dhe Persona. Kjo ka bërë të mundur që të vihen në plan të parë ndjenjat, përjetimet dhe efektet psikologjike në kushtet e izolimit shoqëror të personazheve, duke u dhënë karakteristikën filmave si depërtim në brendinë njerëzore, gjë që e ruan fuqinë artistike edhe sot e kësaj dite.

Pikërisht ky dimension njerëzor, brendia e tensioni psikologjik, është ajo që do t’i bënte këta filma të Bergman të përjetohen te audienca gjithandej si vlera të krijuara jashtë, dhe të pa infektuara, nga shkëlqimi i shoqërisë; na tërheqin fokusin tonë, si një kthim pas, tek vetvetja, te individi, i mbetur jashtë vëmendjes së shoqërisë. Gjithandej është zhurma e luftës për pushtet dhe rreth pushtetit ajo që ka bërë individi të mbetet në periferi, i harruar, i braktisur, i lënë në fatin e mëshirës, dhe i cili është metamorfozuar në një makineri për prodhim vote dhe asgjë më tepër. Ai ka vlerë vetëm si një konsumator. Në një gjendje të këtillë, individi (në shumësinë e tij më të madhe në shoqëri) ndjen se është kaq i pafuqi, i abuzuar politikisht, i mëkatuar për krimin e pa bërë, i rraskapitur dhe i vetmuar në fatin e tij. Në këtë aspekt, filmat e Bergmanit e tërheqin vëmendjen duke e vënë në epiqendër pikërisht individin dhe fatin e tij. Edhe pse në procese globalizimi, duket sikur Bergman bënë thirrje njerëzore, shihni – individi është ende gjallë, jeton, mos e harroni, jepini vëmendjen e nevojshme!

Edhe më të rënda janë plagët e mëdha të dhunës. Problemet e sigurisë, terrorizmi, luftërat e armatosura shkaktojnë tragjeditë të panumërta. Shoqëria njerëzore në shumë vende të globit lëngon dhe mbetet nën trysninë e pasigurisë, frikës, tragjedisë, zhdukjes e humbjes pa gjurmë. Përdhunimet seksuale janë një dramë e rëndë. Si pasojë, sa e gruaja po të hynin në rolin e Elektrës do të mbeteshin si aktorja Elisabet e Persona, të pa fjala!? Nuk ka gjuhë që do të mund të shprehte përjetimin individual të tyre, një ngarkesë psikologjike që vetëm ato mund ta ndjejnë e ta dinë. Heshtja e tyre nuk është heshtje, është një tension i lartë shokues, që i bënë ato të vuajnë dhe vetëm të vuajnë. Sigurisht shohin ëndrra të këqija dhe tmerrohen prej tyre.

Ka, gjithsesi, shumë për të thënë për Bergmanin. Unë do të ndalem këtu. Krejt në fund, dua të nënvizoj se ai është piktor i fateve, i dramave njerëzore, me një kompozicion të jashtëzakonshëm, ndonëse në epiqendër ka fatin individual, e secili njeri është një individ. Pikërisht në këtë kontekst, filmat e Bergmanit edhe sot e kësaj dite mund të luajnë një rol emancipues për shoqërinë dhe për vetë individët, si në aspektin moral ashtu edhe në atë psikologjik, jo duke ikur nga njëri-tjetri, por duke bërë të kuptueshme kalvarin nëpër të cilin kalon secili individ, dhe mbase edhe nevojën për solidaritet me njëri-tjetrin. Prandaj, në këtë 100-vjetor të lindjes, Bergman vjen me jehonë madhështore edhe në kohën tonë.

(Autorja është dramaturge, skenariste filmi dhe regjisore teatri)

UBT nesër sjellë ekspozitën ndërkombëtarë të Arkitekturës në Muzeun e Kosovës

Fakultetit i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, nesër do të sjellë ekspozitën ndërkombëtare të Arkitekturës duke filluar në ora 19:00, shkruan KultPlus.

Kjo është hera e pare që organizohet një ekspozitë e këtij formati në Kosovë dhe rajon. Ekspozita ndërkombëtare nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor ne UBT do të shpalosë punime të studentëve të arkitekturës me disa shkolla partnere. Ekspozita ka për qëllim që t’i pasqyroj qasjet që kanë shkollat e ndryshme në fushën e Arkitekturës dhe që të ofroj studentëve, stafit akademik dhe komuniteti të arkitektëve një ekspozitë mjaft atraktive dhe krahasuese.

Ekspozita ka edhe karakter te promovimit të shkollave të ndryshme të Arkitekturës jashtë Kosovës dhe gjithashtu një njohje e vlerave që gjeneron Kosova dhe sistemi i saj i edukimit.

UBT përmes kësaj ekspozite synon ta pozicionoj Fakultetin e Arkitekturës, programin studimor dhe vet shtetin e Kosovës në një fazë të njohjes së vlerave dhe integrimit në shoqëritë e zhvilluara dhe me përvojë akademike.
Ekspozita do të hapet nesër nga ora 19:00 në Muzeun e Kosovës./ KultPlus.com

Fisnikët argëtojnë diasporën në Drenas

Komuna e Drenasit ka nisur aktivitetet për muajin e Mërgatës 2018, dhe sonte në sheshin “Fehmi Lladrovci” duke filluar nga ora 22:00 do të përformojë drejtpërdrejt grupi muzikor Fisnikët.

Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve në këtë event.

Ndryshe, ky event mbahet nën patronatin e kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovci dhe do të zgjasë plot 28 ditë me aktivitete të ndryshme në sheshin “Fehmi Lladrovci” për nder të bashkatdhetarëve tanë që do të vijnë gjatë muajve të verës ne vendlindjet e tyre.

Aktivitetet përfshijnë vendosjen e shtëpizave të Drurit në Shesh me pije freskuese gjatë tërë muajit, aktivitete artistike, si: muzikë live, DJ, ekspozita e pikturës dhe fotografisë nga artistë vendor, të diasporës dhe vendeve të ndryshme si Shqipëria, Maqedonia etj.

Eventi Muaji i Mërgatës organizohet nga Komuna e Drenasit në bashkëpunim me OJQ “Panajot Kanaçi”./ kallxo.com

Artisti Agim Salihu ekspozon në ‘Tokyo International Graphic Triennial 2018’ në Japoni

Tokyo Tama Art Museum, organizon për të gjashtën herë “Trienalen Ndërkombëtare të Grafikes Bashkëkohore”.

Ekspozita mbahet çdo tri vite duke synuar prezantimin e artit të grafikes kontemporane në trendet më bashkëkohore që ndodhin në botë si dhe përmbledhjen e të dhënave artistike, teknologjike për materialet dhe teknikat e grafikes artistike, përcjellë KultPlus.

Në edicionin e gjashtë kanë konkurruar rreth 2000 artistë nga 92 shtete. Juria e përbërë nga tri juri profesionale, ka punuar në tri faza të veçanta, nga muaji shkurt deri në fund të muajit qershor. Për të ekspozuar në këtë Trienale janë përzgjedhur 347 artist, në mesin e të cilëve është edhe artisti nga Kosova, Agim Salihu.

Kryetar i jurisë për 3 fazat e përzgjedhjes së artistëve ishte kritiku i artit, Tatehata Akira – Tama Art University President (i njohur për disa libra të cilat i ka shkruar për artisten me famë Botërore, Yayoi Kusama).

Vepra e Salihut pas ekspozitës do të mbetet në koleksion si thesar i vlerave kulminante në, ”Tokyo Tama Art Museum ”.
Kjo është vepra e dytë e Salihut në këtë Muze, pas koleksionit të vitit 2015.

Agim Salihu, gjithashtu ka hapë ekspozitë të pavarur në Galerinë, Enter Into Art, në Kelln – Gjermani në periudhën mars – maj 2018. Në vitin 2017, artisti Agim Salihu fitoi çmimin e jurisë në ekspozitën, “International Enter Into Art” në Kelln – Gjermani. /KultPlus.com

Artisti Agim Salihu