25 vjet nga vdekja e Anton Pashkut

Anton Pashku i cili sot shënon 25 vjetorin e vdekjes, konsiderohet ndër stilistët më të mirë të letërsisë shqipe.

Bënte pjesë në brezin që hodhi themelet e prozës shqiptare në letërsinë shqipe në Kosovë, së bashku me Adem Demaçin dhe Ramadan Rexhepin.

Anton Pashku është autor pa paramodel në letërsinë shqipe, por njëkohësisht është vetë model specifik, thyes e konsolidues i traditës letrare shqipe. Anton Pashku, specifikisht, është ndër të parët shkrimtarë të letrave bashkëkohore shqipe, i cili veçohet për trajtimin e temave të vogla, rrëfimin prej perspektivave të ndryshme, observimet psikonarrative, shpërfilljen e normave të zakonshme të shkrimit letrar.

Pashku eci kundër rrymës së realizmit socialist duke ngritur një kullë letrare avangarde.[10] Duke qenë mënyrë krejt e re e shkrimit letrar në shqip, nuk u pranua lehtësisht, për shkak se ishte shkrim pak si tepër labirinthik për praktikën letrare shqiptare dhe shijet letrare të kohës. Mungesa e lumturisë në letërsinë e Pashkut shihej me dyshim dhe mohim nga kritika ideologjike komuniste e kohës.

Vdiq më 31 tetor të vitit 1995, ndërsa la pas vetës shumë tregime, drama e romane të cilat i mbetën lexuesit shqiptarë më shumë se një kujtim nga shkrimtari i madh. / KultPlus.com

Si u bënë kungujt simbol i festës së Halloweenit

Nata e Shtrigave më 31 tetor, në shumicën e vendeve, festohet si Halloween. Ndërsa kisha e ka karakterizuar këtë praktikë si pagane, të rinjtë në mbarë botën po shijojnë shumë kunguj dhe maskat.

Halloween është një nga festat më të preferuara të fëmijëve dhe të rinjve, kryesisht për shkak të veshjeve dhe ëmbëlsirat që ndahen atë natë. Megjithatë, shumë veta nuk e dinë se si filloi kjo festë dhe pse është kaq popullore sot.

Fillimi i festës së Halloweenit daton që nga shekulli i pestë, kur keltët e lashtë festuan zotin e Diellit dhe zotin e Vdekjes. Më 1 nëntor, ata shënuan fillimin e vitit të ri.

Keltët besonin se atë natë të vdekurit lanë varret e tyre dhe ecnin mbi tokë, dhe për të shmangur ndeshjen me ta, krijuan një zhurmë të madhe dhe u mbuluan me maska të frikshme.

Besohet gjithashtu se të vdekurit po vinin pas ushqimit, kështu që ata mbetën në shtëpitë e tyre, duke lënë fasule ose patate dhe një qiri të ndezur.

Si u bënë kungujt simbol i festës?

Zakoni i hedhjes së kungullit për Halloween daton nga shekulli i 16-të, dhe bazohet në legjendën irlandeze të imagjinatës dhe farkëtarit me emrin Jack.

Jacku ishte një pijanec, i cili pëlqente të bënte shaka të hidhura me njerëzit, dhe pastaj e mashtroi edhe vetë djallin, transmeton ksp. Ai e tërhoqi djallin në majë të pemës dhe ngriti shpejt kryqe rreth pemës pas të cilës nuk mund të zbriste.

Ai e bëri atë të premtonte se nuk do të merrte shpirtin e tij kur të vdiste dhe vetëm atëherë e la të zbriste nga pema. Kur Jacku vdiq, djalli e mbajti premtimin dhe nuk e lejoi të shkonte në ferr. Për shkak të kësaj, Jacku u gjykua në përjetësi për t’u endur në errësirën mes qiellit dhe ferrit ndërsa mbante një bisht, pasi ishte ushqimi i tij i preferuar në jetë.

Meqenëse ishte errët dhe Jacku nuk e dinte se ku po shkonte, ai iu ankua djallit, i cili i dha atij zjarrin e ferrit. Jacku mori gacat dhe i vendosi në bisht për të ndriçuar shtegun në errësirën e përjetshme.

Në fakt, irlandezët nuk kishin kunguj dhe zakonet e gdhendjes së tyre shfaqen vetëm kur ata emigruan në Amerikë.

Në atë kohë, ata hanin patate dhe perime të tjera të ngjashme për të mbrojtur veten nga Jacku, i cili mund të endej në botën e njerëzve të zakonshëm në natën e Halloweenit.

Nata e Shtrigave u përhap nga Amerika në pjesë të tjera të botës, dhe kjo festë shënohet viteve të fundit edhe në Kosovë.

Gjithkush që dëshiron të ketë një maskë origjinale të një makthi duhet t’i kushtojë vëmendje sa vijon: Maska më e popullarizuar për gratë është një magjistare dhe burrat janë më së shumti vampirë. Ata janë të ndjekur nga një pirat, një kloun, një grua mace dhe një djall, ndërsa fëmijët maskohen si princeshë, magjistare, Spider-Man dhe pirat. / KultPlus.com

‘Të quaj grua, pse skllave je’

KIKI DHIMULA – MOMENT PREZANTIMI

(Statujë gruaje me duar të lidhura)

Përktheu Arqile Garo

Të tërë përnjëherë të quajnë statujë,
e unë të prezantoj si grua vetëvetiu.
Ti zbukuron një park.
E për së largu të ngatërron.
Të mendon sejcili të mbështetur lehtë
si për të risjellë në mend një ëndërr që ke parë,
thuaj se vrull po merr e do ta rijetosh.
Por për së afërmi qartësohet ëndrra:
duart e tua mprapa të lidhura janë
me një litar prej mermeri,
dhe pozicioni yt rrëfen dëshirën
që dikush të të ndihë për t’ i shpëtuar
agonisë së robërisë.
Kështu të porositën te skulptori:
robinjë.
E nuk mundesh një vesë shiu ta peshosh në dorën tënde,
as të ledhatosh një margaritë.
Të lidhura janë duart e tua.
E nuk qënka mermeri, a vetëm Argosi.
Në qoftë se diçka do të ndryshonte,
në marshimin e mermerëve,
në qoftë se statujat do ngrinin krye,
për të drejta e liri
si skllevërit,
të vdekurit
dhe ndjenja jonë,
ti do të çapiteshe
në mes kaosit të mermertë,
përsëri duarlidhur, robinjë.
Të gjithë vetëvetiu të quajnë statujë,
e unë të thërras përnjëherësh grua.
Jo sepse grua të dorëzoi
në mermer skulptori
dhe premtojnë ijet e tua
mbarështrim statujash,
bollëk monumentesh të ngrirë.
Për duart e tua që të lidhura i ke
në kaq shumë shekuj që të njoh,
të quaj grua.
Të quaj grua
pse skllave je. / KultPlus.com

‘Duke të pritur humba veten, sonte më trazove jetën, si më parë’ (VIDEO)

KultPlus ju sjell një këngë nga dy ikona të muzikës shqipe, që kësaj radhe i kënduan dashurisë me një delikatesë të pashoqe.

Eli Fara, këngëtarja nga Korça që njihet për zërin e saj të ëmbël dhe të fuqishëm, poashtu edhe me këngët e saj që vazhdimisht dëgjohen me shumë dashuri, ka lënë gjurmë të mëdha, e do të vazhdoj të lë në historinë e muzikës shqipe.

Në anën, tjetër Kastriot Tusha, edhe ky një artist i cili i ka dhënë mjaft shumë muzikës shqipe, duke qenë i njohur edhe ndërkombëtarisht me zërin e tij të fuqishëm prej tenori.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Nga dashuria

Rri dhe pak mos ik
Të të them një fjalë
Zemra më ka ngrirë
Që kur s’të kam parë.

E mbylle derën, më le vetëm
Ndoshta ti s’më doje tepër, por të fal
Duke të pritur humba veten
Sonte më trazove jetën, si më parë.

Asnjëherë s’ia fala vetes
Asnjëherë jo nuk guxova
Asnjëherë atë që ndieja të ta them.

Nëse ka mbetur zemra ime brenda teje
si dikur nga dashurija
Unë do të pres të të takoj
dhe një herë në këtë jetë, nga rastesia.

E nëse fryma po më ndahet,
më beso se unë gjithë jetën të kam dashur
Je marrëzia e buzës sime
Je trishtimi më i bukur që kam pasur.

Dua të të them
Por është tepër vonë
Falja është e shenjtë
dhe pse më lëndon

E mbylle derën, më le vetëm
Ndoshta ti s’më doje tepër, por të fal
Duke të pritur humba veten
Sonte më trazove jetën, si më parë.
Asnjëherë s’ia fala vetes
Asnjëherë jo nuk guxova
Asnjëherë atë që ndieja të ta them. /KultPlus.com

Malësori që me zë krijon tinguj lahute (VIDEO)

Lahuta, ndër instrumentet më të njohura shqiptare që ka përcjellur gjenerata e gjenerata me tingujt e saj sa melankolik aq edhe madhështor, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus ju sjell një video të rrallë të një malësori që vetëm përmes zërit krijon tinguj lahute. Videoja i përket vitit 1959 dhe është bërë publike nga Arkiva Shqiptare. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=cT0yZgCPwDA&feature=youtu.be&fbclid=IwAR2I2fS3O46uNn5K19XH7uao5_MDUwpyPKXcGKXUrekcqbWSbEWB3-9HMnk&ab_channel=ArkivaShqiptare

Vdes kitaristi i madh shqiptar, Mehdi Prodani

Këngëtari Kujtim Prodani ka ndarë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të xhaxhait të tij, kitaristit Mehdi Prodani.

“Lamtumirë Mehdi Prodani!” – ka shkruar ai. – “Lamtumirë o njeri i rrallë! PAQE!”.

Medi Prodani, vëllai i Agimit, në fillimet e karrierës së tij vlerësohej si një ndër kitaristët më të mëdhenj të Shqipërisë.

Në Lushnje ai i ka dhënë mësim në kitarë edhe këngëtares së madhe, Vaçe Zela.

Por, ndërkohë që të gjithë njerëzit ishin të magjepsur pas tingujve brilantë të kitarës së tij, dhe kur të gjithë mendonin që ai do të ishte kitaristi kryesor në të gjitha Festivalet dhe aktivitetet kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare, fati u tregua i pamëshirshëm me të.

Nuk i’u krijua asnjë mundësi për të shprehuar talentin e jashtëzakonshëm të tij, në skenën e festivaleve, apo të aktiviteteve të tjera, që organizoheshin, në kohën kur ai ishte në kulmin e moshës e të krijimtarisë muzikore. Përkundrazi, provoi përjashtimin nga Radio-Tirana dhe për gjashtë vite rresht, edhe qelitë e lagështa dhe të ftohta të burgut, vetëm pse dashuroi dhe lidhi jetën me vajzën e një të arratisuri.

Ai nuk u lejua më pas të shprehte talentin e rrallë. Pas ‘ 90 nuk është ndarë nga kitara e tij e dashur, që i largonte trishtimin dhe dhimbjen në çastet më të këqija.

Edhe në vitet e fundit të jetës, Mehdi Prodani kompozoi dhe interpretoi, madje pas viteve të demokracisë, ka interpretuar në spektakle të mëdha, ku ndër ta është spektakli “12 vallëzime pa një të shtunë”.

Para se të ndahej nga jeta, gjatë viteve të fundit Mehdi Prodani po bënte përgatitje, që të gjitha krijimet e tij t’i përmblidhte në një album dhe në një koncert recital. /medialmk/ KultPlus.com

Feja jonë jemi vet ne

Nga Nezir Kraki

Si Shqiptarë, shekujt i kemi kaluar n’luftë për mbijetesë. N’vuajtje gjithmonë kemi qenë të një feje sepse mbijetesën e kemi pasë sfidë të përbashkët. Edhe armiku gjithmonë na ka parë si të tillë, si një tërësi, prandaj na ka pasë frikën. Zotin e kemi ditë për Zot edhe pse kurrë s’jemi pajtuar me fatin që na kishte rezervuar si populli më i vuajtur i këtyre trevave. E kemi lutur me dhe pa libra fetarë, i jemi drejtuar sinqerisht në gjuhën tonë të bukur e të thjeshtë, shpesh edhe pa fjalë, pa udhëzime e predikime. Pavarësisht rrethanave, asnjëherë s’e kemi harruar gjestin e natyrshëm e njerëzor të shikimit nga qielli, nga ajo forcë e pashpjegueshme por e plotfuqishme. Kurrë s’jemi tallur me të.

Por…jetën mbi Tokë e kemi pasë jo të qetë, asnjëherë të rehatshme. Historisë kemi udhëtuar me barrën e traditës, kulturës, zakoneve e parimeve tona të mbledhura kujdesshëm ndër shekuj, herë duke i përmirësuar e përshtatur ato, herë duke i braktisur disa nga to kur i kemi parë si pengesë në rrugën e përparimit tonë. I jemi gjetë njëri-tjetrit aq sa e mundur ka qenë.

Kemi ardhë në shekullin e XX-të me kujtesën kolektive të mbushur me festa e me rite sa pagane aq edhe fetare. Kemi ndarë çdo gëzim e hidhërim bashkë, qoftë n’Bajram, n’Krishtlindje, n’Ditën e Verës apo n’Darkën e lamës. Çdo datë të shenuar e kemi pritë me haré dhe e kemi përdorë si energji bashkimi pikërisht në luftën tonë për mbijetesë dhe në rrugëtimin tonë të përmotshëm drejt lirisë.

Me fjalë tjera, armiq kurrë s’i kemi pasë fetë, as kultet, as paganizmin. Kurrë luftë fetare s’kemi bërë. Prej që jemi këndejpari armiq i kemi pasë pushtuesit e të gjitha feve.

Hoxha e prifti kanë qenë pjesë e odave dhe e pleqnive tana, kanë qenë pjesë e luftës sonë të përbashkët. Kanë qenë pjesë e frymës kolektive të mosnënshtrimit ndaj pushtuesve.

Nuk dua të keqkuptohem as kur shkruaj sinqerisht rreth disa problematikave me doza fetare. Në ASNJE rast nuk ka te unë urrejtje apo dashakeqësi ndaj cilësdo fe, apo cilitdo person që praktikon fetë. Halli im i parë është fati ynë si vend, si shtet, si komb. Prandaj mendoj se feja jonë e përbashkët jemi vet ne, dhe fati ynë duhet të na udhëzojë në sjelljet tona. Përparimi ynë drejt një jete më të mirë dhe me dinjitet duhet të jetë projekti ynë i përbashkët.

Ju garantoj që e di çka thonë Kurani e Bibla, s’ka nevojë t’ma kujton askush. E di që praktikat tona dhe festimet tona kurrë s’janë përputhë 100% me udhëzimet fetare. A e dini pse s’janë përputhë? Se asnjë libër, sado i shenjtë të ketë qenë ai, asnjë udhëzim fetar, nuk mund të na sqarojë neve rrugëtimin tonë historik me aq shumë tradita e rituale, me aq shumë vuajtje, me aq shumë kombinime dhe me aq shumë harmoni. Feja jone e vërtetë jemi vet ne, të gjithë së bashku, me krejt çka kemi n’zemer dhe n’kujtesë.

Prandaj edhe Bajramat dhe Krishtlindjet i kemi parë gati si festa jofetare sepse vetëm ashtu i kemi perceptuar si festa të të gjithëve, si festa bashkuese, pa dallime kulti. Dhe pikërisht kjo ka bërë që festat e tilla t’i rezistojnë kohës e të jenë momente gëzimi edhe n’familjet pa asnjë praktikë fetare strikte.

Kjo na dallon nga popujt e tjerë që praktikojnë fetë tona. Kështu duhet të mbesim. T’i perngjajmë vetës tonë, askujt tjetër. Para se t’i flasim Zotit le t’i flasim më mirë njëri-tjetrit pastaj edhe Zoti na sheh ndryshe.


Ps. Shkruar para një viti. Ripostim me disa ndryshime minimale. / KultPlus.com

DJ nga Kosova nominohet për çmimin ‘DJ i vitit 2020’ në ‘NRJ Music Award’

NRJ Music Awards është një ngjarje e cila zhvillohet në Francë, tash e 20 vjet, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje marrin pjesë artistë nga e gjithë bota, mirëpo, këtë vit në listën për Dj më të mirë të vitit është i nominuar edhe DJ nga Ferizaji, DJ Regard.

‘Regard’ që vjen nga Ferizaji, ku përmes projekteve te tij numëron jo më pak se dy bilion klikime vetëm për një vit.

Ne ceremoninë e NRJ Music Award marrin pjesë të gjithë artistët më të njohur botërorë, duke cituar emra si Beyonce, Eminem, Rihanna, Lady Gaga, Justin Bieber, Shakira, Dua Lipa, Rita Ora. / KultPlus.com

Edhe këtë vit flamuri kombëtar do të valvitet në Kalgari të Kanadasë

Pas kërkesës së shoqatës “Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Kalgari” (Albanian Canadian Association of Calgary) për ngritjen e flamurit pranë bashkisë së qytetit të Kalgarit në Kanada, përgjigja nga ana e autoriteteve përkatëse ka qenë pozitive.

Flamuri kombëtar kuq e zi do valëvitet krenar në anën veriore të sheshit të bashkisë më 28 Nëntor 2020, ora 12:00.

“Të dashur bashkëatdhetarë nga të gjitha trojet shqipfolëse, ju ftojmë të merrni pjesë në këtë ngjarje e cila do të lerë gjurmë të pashlyeshme te secili prej nesh. Kemi ardhur nga një kontinent tjetër, i largët dhe pavarësisht se ndodhemi në një vend të huaj, ndjejmë që mund të shfaqim vlerat, traditat e kulturën tonë edhe në këtë vend mikpritës. Merrni fëmijët, bashkëshortërt, motrat, vëllezërit, pse jo dhe miqtë tuaj dhe përjetoni momente të cilat do i ruani si të shenjta. Është momenti i duhur për t’i treguar fëmijëve tanë se sa e rëndësishme është për shqiptarët kjo datë, ku në Vlorë, në vitin 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Dhe në ditët e sotme moderne ky flamur mund të ngrihet plot me dinjitet në çdo vend ky jetojnë bashkëkombasit tanë” shkruhet në njoftimin e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Kalgari.

Kjo ngjarje e veçantë do zhvillohet duke respektuar protokollin e rregullave anti-covid. / KultPlus.com

Përfundon edicioni i sivjetëm i Akademisë për Lidership, iu dedikua fuqizimit të vajzave dhe grave

Ky projekt i është dedikuar fuqizimit të vajzave dhe grave, për t’i përgatitur ato me sa më shumë njohuri për vendimmarrje, si dhe pjesëmarrje në jetën publike.

Drejtorja Ekzekutive e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, znj. Njomza Emini, në prezencë të Ambasadorit gjerman, z. Joern Rohde, kryetarit të Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovëz, z. Skender Krasniqi, Ambasadores findlandeze, znj.Pia Stjernval, Ambasadores kroate, Danijela Barisiq, si dhe ministrit të Infrastrukturës, z. Arban Abrashi, përshëndeti pjesëmarrësit dhe i falënderoi ata për prezencën e tyre në këtë ngjarje shumë domethënëse për vajzat e Akademisë, duke dëshmuar përkrahje për këtë kategori.

Ndër të tjera, znj. Emini tha: “A ka përfunduar misioni jonë me përfundimin e projektit?- Jo. Sepse, ne vetëm sa kemi filluar një rrugëtim të gjatë drejt arritjes së barazisë gjinore, rrugë në të cilën kemi shumë punë dhe duhet përkushtim i veçantë. Se a do të arrijmë të përmbushim objektivat tona, kjo varet shumë nga puna dhe mundi jonë i vazhdueshëm, dedikim të cilin duhet të vazhdojmë si në ditën e parë që kemi filluar”.

Ajo theksoi se krahas përgatitjes për lidership dhe tema të ngjashme, me rëndësi thelbësore ka qenë edhe mundësia për zhvillim profesional dhe punë praktike në institucione, organizata e biznese tjera, të cilat u kanë ofruar mundësi vajzave që kanë qenë pjesë e projektit, të kryejnë punë praktike administrative.

Andaj, me këtë rast falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Grupin e Grave Deputete, Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Komunën e Kamenicës, Kosovapressin, Komitetin Olimpik të Kosovës, Bankën TEB, Rektoratin e Universitetit të Prishtinës dhe Klan Kosovën, për mundësinë që u kanë ofruar vajzave për kryerjen e praktikës profesionale në këto struktura”, është shprehur znj.Emini.

Ndërsa, Ambasadorin gjerman dhe kryetari i Bordit të Odës së Afaristëve të Kosovës, falënderuan znj. Emini për organizimin, duke deklaruar mbështetje të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të vajzave dhe grave në Kosovë, drejt përmirësimit të nivelit të pjesëmarrjes së tyre në jetën publike. / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës nënshkruan marrëveshjen për Parkun e Aventurave në Gërmi

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se sot së bashku me Swiss Contact dhe SportMarketing, kanë nënshkruar kontratën për bashkëfinancimin e Parkut të Aventurave në Gërmi, shkruan KultPlus.

Ky Park, pritet t’i ketë gjithsej 67 elemente në total të kategorizuara për moshat 4+ vjec, me kapacitet 110 vizitorë dhe padyshim se do të e vendos Prishtinën në hartën e vendeve atraktive për të vizituar.

Projekti i parkut do të zbatohet nga kompania Slovene KoreenSports me metodë joinvazive në natyrën ekzistuese sikurse që janë instaluar edhe në zona të mbrojtura në Bled, Bohinj, Belgjike, Austri e Norvegji.

‘Falënderojmë bashkëpuntorët dhe e gëzofshim së bashku!’, ka shkruar ndër të tjera Ahmeti në njoftimin e dhënë. / KultPlus.com

‘The Economist’ i kushton një artikull familjes mbretërore shqiptare

Revista “The Economist” i ka kushtuar një artikull familjes mbretërore shqiptare. Më 22 tetor Princ Leka dhe Princeshë Elia Zaharia u bënë prindër për herë të parë me bekimin e një vogëlusheje, të cilën e pagëzuan me emrin Geraldinë, si mamaja e Princit.

Por, “The Economist” artikullin e saj e ka titulluar “Një mbretëreshë e ardhshme e Shqipërisë?” duke e shpjeguar më të thelluar historinë e mbretërve dhe princërve shqiptarë.

Artikulli i plotë i shkruar nga revista “The Economist”:

“Më 22 TETOR Familja mbretërore e Shqipërisë ishte “e kënaqur të njoftonte” lindjen e Princeshës Geraldine. Prindërit e lumtur janë Leka Anwar Zog Reza Baudouin Msiziwe Zogu, ose më thjesht Princi Leka II, i cili pretendon fronin dhe gruaja e tij Princesha Elia, një aktore. A mund të jetë foshnja një ditë mbretëreshë?

Në vitin 1997, Shqipëria ishte i vetmi shtet ish-komunist që mbajti një referendum mbi rivendosjen e një monarkie. Një e treta e votuesve ishin pro. Babai i Princit Leka, i vetëshpalluri Leka I , i cili u kthye në atdheun e tij në 1993, marshoi në komisionin zgjedhor në Tiranë, kryeqytet, për t’u ankuar për mashtrim. Një burrë u vra në një shkëmbim zjarri që pasoi.

Sundimtari më jetëgjatë i shtetit që u shfaq pas shekujsh të sundimit Osman Osman ishte një komunist jashtëzakonisht i egër, Enver Hoxha, i cili drejtoi shqiptarët nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij në 1985. Por në mes të luftërave, ishte Ahmed Zogu, një kryetar  fisesh, i cili drejtoi shfaqjen. Nga ministri i brendshëm, presidenten deri sa u shpall mbret në 1928. Por italianët e Musolinit e pushtuan Shqipërinë më 1939 dhe e ai u largua nga vendi. Vdiq në Francë në 1961.

Mbreti Zog ishte një modernizues elementar. Disa shqiptarë i rikthehen kohës së qeverisjes së tij me një sentimentalizëm nostalgjik. Kryeqyteti, Tirana ka një statujë të Zogut dhe një Bulevard Zog. Por djali i Zogut, Leka edhe pse i gjatë si basketbollist, ishte më pak mbresëlënës. I lindur nga një aristokrate gjysmë hungareze, gjysmë amerikane (e quajtur ndryshe Geraldinë) disa ditë para largimit të Zogut nga Shqipëria, ai u rrit në Angli, Egjipt dhe Zvicër. Ai banoi, midis vendeve të tjera, në Spanjë, pastaj në Rodezi dhe Afrikën e Jugut dhe u martua me një Australiane të divorcuar. I magjepsur nga armët e zjarrit, ai padurimisht dëshironte një restaurim mbretëror. Në vitin 1979, ai u dëbua nga Spanja për shkelje të rregullave të armëve. Djali i tij vetëm lindi në Afrikën e Jugut. Në 2002, parlamenti post-komunist i Shqipërisë ftoi familjen në shtëpi,

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, thotë se Leka është “shumë i mirë” për politikën e trazuar të Shqipërisë. Kur u pyet nëse ai do të donte të ishte mbret, princi i trembur thotë me një theks të Afrikës së Jugut se “do të donte të shërbente në çdo mënyrë që të mundte”. Në rastin “teorik” të një restaurimi, do të ishte “shumë e mundur”, thotë ai, të imagjinojmë mbretëreshën e fundit të kurorëzuar Geraldine të shqiptarëve.”- ka shkruar revista “The Economist”. / KultPlus.com

PEN Qendra përkujton Hasan Mekulin, Gashi: Ai ishte një shpirt i madh

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u përkujtua figura e Hasan Mekulit, një intelektual i shquar që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë shqipe. Kjo mbrëmje që i dedikohej këtij kritiku të madh, për publikun erdhi në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës.

Për të nderuar Mekulin, në panel të ftuar ishin Sali Bashota e Osman Gashi, nën moderimin e Ibrahim Berishës, të cilët diskutuan e shpalosën para publikut me një nostalgji të madhe se çfarë vlerash të mëdha kishte dhe vazhdon t’i ketë Mekuli dhe vepra e tij, shkruan KultPlus.

Mbrëmjen e hapi Ibrahim Berisha, i cili Mekulin e konsideronte një intelektual të jashtëzakonshëm. ‘Ishte një intelektual i tejguximshëm, i panënshtrueshëm. Këtë e ka treguar edhe në vitet e 80-ta kur fillon fushata shtetërore e Serbisë, po në fakt e Jugosllavisë, kundër shqiptarëve’, potencoi Berisha para se t’iu ipte fjalën dy panelistëve.

Sali Bashota e kujtonte me shumë emocion e nostalgji Mekulin, pasi ky i fundit kishte qenë edhe profesor i tij. Ai tregoi para të pranishmëve se profesorin, për të cilin edhe ishin mbledhur, e kujtonte gjithmonë me çantën e zezë në dorë e me plot libra, duke potencuar se kishte mësuar shumë nga Mekuli, pasi sipas Bashotës, ai ishte një enciklopedi.

Veprimtaria e Hasan Mekulit fokusohet kryesisht në kritikën letrare, për të cilën vlerësohet shumë lart nga pasuesit e tij. Bashota e kosnideron largëpamës gjykimin e tij, të drejtë, parimor e të formësuar estetikisht. Ndër të tjera, potencon se gjykimi i Mekulit ishte i veçantë dhe i pajisur me kulturë të gjerë teorike e shkencore.

”Pa dyshim, Hasan Mekuli është njëri ndër mjeshtrit e rrallë të mendimit kritik shqiptar. Ai gjithnjë prej tekstit poetik nxirrte nuanca të imëta kuptimore duke i shkokëluar veçoritë esencuale të vëprave në dritën e fakteve dhe argumenteve të qëndrueshme letrare. Gjithnjë, Mekuli dallohej për përgatitjen e gjerë e të thellë, në radhë të parë, teorike, letrare, metodologjike, me stilin e veçantë, shprehjen e guximshme, vlerësim-gjykimin e pavarur, origjinalitetin e theksuar. Kritik i qartë. Me ide të forta. Me dije të pashtershme kreative”, përfundoi Sali Bashota.

Osman Gashi, i cili kishte qenë edhe asistent i Mekulit e kujtonte atë me një respekt të pashoq, duke u shprehur se të gjithë ata që kanë pasur rastin ta kenë profesor kanë qenë shumë me fat, ndërsa pjesa tjetër që nuk ka pasur rastin ta njohë Mekulin apo së paku të ketë pasur një herë kontakt me të, sipas Gashit, atyre ju mungon diçka në jetën e tyre.

‘Ka qenë një shpirt i madh edhe pse shpesh thojnë që ka qenë i ashpër. E vërtetë, ka qenë shumë i ashpër, deri në pikën ku studenti e shihte se çfarë dëshironte të bënte me jetën e tij’, theksoi Gashi.

‘Pa dyshim se sot tek ne ekzistojnë përgjithësisht botëkuptime të tjera mbi letërsinë, qasje të tjera, konepte e preferenca të tjera leximesh, por vendi i kritikut letrar Hasan Meuli, mbetet krejtësisht i veçantë. Bota e tij e ideve, gjerësia dhe thelësia e këndvështrimeve nuk është e largët as sot’, përfundoi Gashi.

Përkujtimi për Hasan Mekulin ishte mbrëmja e pestë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një mbrëmje që ngërtheu shumë emocion e nostalgji.

PEN Qendra ka paraparë edhe pesë mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim. / KultPlus.com

Ndahen çmimet e Festivalit Letrar ‘Tirana Gate 2020’

 U zhvillua edicioni i gjashtë i sesionit të dytë për krijuesit e rinj, “Tirana Gate 2020” ku u ndanë dhe çmimet për fituesit në prozë, poezi dhe ese.

Aktiviteti i zhvilluar sot u mundësua nga Ministria e Kulturës në Shqipëri, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit.

Ky festival tashme ka një traditë pasi zhvillohet në Shqipëri që nga viti 2015 dhe në te kanë marrë pjesë rreth 600 krijues të rinj ndër vite në prozë, poezi dhe ese. Pjesëmarrja në këtë festival ka qenë mjaftë e gjerë si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Ky festival pasi ka mbajtur seksionin e tij të parë në qershor ku arriti të organizojë edhe këtë seksion të dytë për krijues nga moshat 19 deri 35-vjeç me temë “Të jetosh në pandemi”.

Për fituesit e këtij edicioni u ndanë çmime dhe gjithashtu nga një antologji ku aty do jenë të përfshirë krijuesit më të mirë të këtij edicioni dhe fituesit më të mirë të festivaleve nga 2015 deri në 2020.

Juri e këtij festivali përbëhej nga shkrimtar, publicist, gazetarë  si Ana Kove, Ylljet Alicka, Arben Andoni etj.

Fituesit e këtij edicioni janë:

Poezi-Benjamin Krasniqi me “Dashuri në kohë Covid-i”

Prozë-Fatime Kalaja me “Të jetosh në pandemi”

Ese-Alban Tufa me “Dhuratë botës një vëllim me Tregime. / KultPlus.com

Rita Ora: Lutjet e mia janë me viktimat në Nice dhe familjet e tyre

Ditët e fundit kanë qenë të tmerrshme për Francën. Ditën e djeshme, në Katedralen e Nices të Francës një person ka sulmuar me thikë disa të tjerë, tre prej të cilëve kanë përfunduar me fatalitet ndërsa disa të tjerë të plagosur, përcjellë KultPlus.

Kjo tragjedi ka marrë vëmendjen e gjithë botës, duke u konsideruar një ndodhi e tmerrshme e duke bërë kështu që shumë fytyra publike të shfaqin edhe ngushëllimet e tyre drejt familjarëve të viktimave të këtij sulmi.

Në reagim ndaj kësaj çështjeje, nuk ka munguar as këngëtarja shqiptare Rita Ora, e cila në një shkrim të shkurtër në InstaStory, shprehi mbështetjen e saj për familjarët e viktimave të kësaj tragjedie.

“Mendimet dhe lutjet e mia janë me viktimat në Nice dhe familjet e tyre”, ka shkruar Rita Ora. / KultPlus.com

Avni Mula përcillet në banesën e fundit, Basha: Krenari që kombi ynë pati në gjirin e tij një artist si ai

Kompozitori i shquar Avni Mula, i cili u nda dje nga jeta në moshën 92-vjeçare, u përcoll sot me duartrokitje në banesën e fundit.

Homazhet për nder të kompozitorit të madh, Avni Mula u zhvilluan paraditen e sotme pranë Akademisë së Arteve, ku personalitete të larta të artit, kulturës, politikës, miq e dashamirës nderuan kujtimin e tij.

Duke folur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, vajza e tij, sopranoja e njohur, Inva Mula tha se “këtu filloi arti i lirisë”. “Rroftë arti, rroftë Avni Mula, rroftë arti shqiptar”, u shpreh Inva Mula.

Margariti: Vepra që ka lënë pas Avni Mula u flet të gjithë brezave

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kolosit të muzikës shqiptare, Anvi Mula, teksa shtoi se është e trishtuar që në këtë periudhë artistët nuk po mund të përcillen në banesën e fundit siç meritojnë.

“Kjo periudhë nuk e di nëse është pandemia që na ka bërë më sensibël por i është shtuar dozës së trishtimit dhe mospasja e mundësisë që ta përcillnim ashtu siç do kishim dëshirë. Kam besim që vepra që kanë lënë pas është një vepër që u flet të gjithë brezave, por edhe tek të rinj. Homazhet te Universiteti i Arteve janë një simbolikë që flet dhe dialogon edhe më mirë dhe për të zgjuar ndërgjegjësimin e tyre që nuk i kemi fizikisht, janë për ne nder i kombit. Jo thjesht fjalë që duhet thënë, por një realitet që edhe të rinjtë do e përcjellin gjithnjë e më tepër në veprat e tyre”, tha Margariti.

Basha: Krenari që kombi ynë pati në gjirin e tij një artist si ai

I pranishëm në homazhet e mbajtur në hollin e Akademisë së Arteve ishte edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Basha tha se është një dhimbje e madhe, por edhe një ditë krenarie që kombi ynë pati në gjirin e tij një artist si Avni Mula.

“Një dhimbje e madhe, por është një ditë krenarie që kombi ynë pati në gjirin e tij një artist si Anvi Mula dhe kjo është ndër të paktat raste kur ceremonia shoqërohet me muzikë, artin e tij dhe t’i lutemi Zotit që t’i prehet shpirti në paqe”, tha Basha.

Kompozitori Radoja: Avni Mula për mua ka qenë prind, mësues, shok e koleg

Kompozitori Robert Radoja mes lotësh, vuri theksin në faktin se në jetën e tij, Mula ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

“Shumë e vështirë për të gjetur fjalën e duhur sepse e kam pasur mësues, prind, shok, koleg, këshilltar dhe ndihmë gjithë jetën time. Është shumë e vështirë të flasësh, të gjesh fjalën e duhur”, tha kompozitori Robert Radoja./atsh/ KultPlus.com

Përzgjidhen 5 aktorët/aktoret e Kosovës për Spotlight

Në bashkëpunimin e sivjetëm me Spotlight, PriFest ka mundësuar anëtarësimin për pesë aktorët Kosovarë, për 1 vit falas, në njërën nga kompanitë më të njohura për shërbime kastingu në Evropë, përcjellë KultPlus.

Aktorët e përzgjedhur janë: May Linda Kosumovic, Rozafa Çelaj, Shkumbin Istrefi, Kushtrim Hoxha dhe Shpëtim Selmani.

Spotlight është shërbim kastingu që lidh aktorët me role në teatër, televizion dhe projekte filmike. Profesionistēt e kastingut përmes Spotlight bëjnë përzgjedhjen e aktorëve për projektet e veta pasi Spotlight njihet si kompania më e mirë në këtë industry. Me studiot e veta në West End të Londrës si dhe ekipet e stafit në çdo kënd të Evropës, Spotlight ndodhet mu në qendër të industrisë së arteve skenike.

Përkrah partnerëve në Evropë, Amerikë e Australi, moto e Spotlight në të cilën besojnë fuqishëm është se casting është një punë me të vërtetë globale dhe një aktor që mund të përshtatet për një rol apo punë mund të vijë nga kudo në botë.

Aktorët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen një workshopi (punëtorie) parapregatitor me datën 5 nëntor, për të mësuar se si mund të perdoret platforma Spotlight në mënyrë më efektive për aplikim në projekte filmike apo të teatrit jashtë Kosovës.

Të pesë aktorët kanë fituar anëtarësimin falas në këtë platformë falë bashkëpunimit të PriFest me Spotlight, bashkëpunim ky që do të zhvillohet edhe më shumë në vitet në vazhdim.

Poashtu, javën e kaluar, PriFest kishte organizuar një masterclass me Spotlight për të gjithë aktorët dhe filmbërësit e Kosovës brenda javës së edicionit të 12-të të festivalit.

Edicioni i ardhshëm i PriFest, i 13-ti me rradhë, do të mbahet nga 13-18 korrik 2021. / KultPlus.com

Fushata “Bëhu Mik i Prishtinës” fillon ta gjelbëroj kryeqytetin

Në kohën kur kryeqytetin pa lum e ka pushtuar ajri i papastër dhe mungesa e gjelbërimit, Komuna e Prishtinës ka nisur fushatën “Bëhu Mik i Prishtinës” dhe lokacioni i parë për mbjelljen e fidanëve, u bë hapësira e konvikteve, shkruan KultPlus.

Fushata “Bëhu Mik i Prishtinës” ka për qëllim rikthimin e gjelbërimit, pastrimin e ajrit dhe zbukurimin e qytetit nëpërmjet mbjelljes së drunjëve. Kësisoj, 15 fidanë u mbollën nga iniciatorët e këtij organizimi në afërsi të konvikteve studentore.

Kjo nismë do të vazhdoj edhe në ditët e tjera, ndërkaq Komuna e Prishtinës pati bërë thirrje për donacione materiale dhe për bashkim të qytetarëve në këtë nismë. Bllogu Sbunker së fundmi i’u bashkua iniciativës me 60 fidanë.

Të interesuarit për t’u bërë “mik i Prishtinës’’ nëpërmjet gjelbërimit, mund të kontaktojnë në emailin: [email protected] ./KultPlus.com

‘por – no Prishtina’ promovon albumin ‘Dyftyrëshi’, shpalosin temën e refugjatëve që vijnë nga zonat e luftës

Suada Qorraj

Një punë që filloi katër vite më parë, me një numër të madh muzikantësh që janë pjesë e saj, jetësoj “Dyftyrëshi”, albumin që do të promovohet sot nga grupi “por – no Prishtina”, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për KultPlus, pjesëtari i grupit “por-no Prishtina”, Dritëro Nikqi ka thënë se punën për incizimin e këtij albumi e kanë filluar që në vitin 2016, me një ekip të vogël, por që ndryshoi gradualisht dhe bëri që “Dyftyrëshi” të jetësohet në disa lokacione e me numër të madh të bashkëpunëtorëve.

“Me incizimin e “Dyftyrëshi” kemi filluar herët, qysh në vitin 2016, pasi i kemi përfunduar koncertet promovuese për albumin e vitit 2014 – “Zhurmuesi”. Fillimisht kemi nisë punën si një ekip më i vogël në mënyrë që si në albumin paraprak me qenë të shpejtë në studio, por natyra e këngëve edhe fakti që kemi filluar me gati 30 këngë na bëri me kohë me ndrru planin dhe me e marrë procesin më të shtruar në përgjithësi. Kështu kemi përfunduar me incizimin e albumit në disa studio e lokacione dhe me numër më të madh të bashkëpunëtorëve”, ka pohuar Nikqi.

Sipas tij, albumi përmban dhjetë këngë që kanë një lidhje konceptuale mes vete. Ai ka shtuar se në këtë album, për dallim nga albumet paraprake, mungon violina dhe muzika ka një sens më orkestral.

“Në album janë 10 këngë të cilat i kemi zgjedhë si përfundimtaret e që e kanë një lidhje konceptuale mes vete. Për dallim me albumet ose EP tjera vërehet se mungon solo violina, sikur ajo e Krenar Ismailit në Zhurmues, dhe në përgjithësi muzika ka një sens më orkestral edhe më pak homogjen në kuptim të tingullit të por-no. Kjo duhet me qenë edhe si kontribut i shumë muzikantëve në këtë album, ku secili shton ngjyrën e personalitetin e vet aty. Edhe pse solo violina në këtë rast zëvendësohet me më shumë piano (Liburn Jupolli), ritëm seksioni prej Nesim Maxhunit e Michael Haves mbetet i njëjtë, e si zakonisht gjithçka ndërtohet prej kësaj”, ka shtuar tutje Nikqi.

Dritëro Nikqi ka thënë se ndonëse këngët si frymëzim fillestar e kanë temën e refugjatëve që vijnë nga zonat e luftës, ato janë këngë më intime e njëkohësisht më të drejtpërdrejta.

Tutje ai ka deklaruar se arsyeja se pse albumi quhet “Dyftyrëshi” është sepse përgjatë punës ka ekzistuar ideja e një minialbumi të dyfishtë me dy tituj. Ai ka shtuar se emrat mbesin çdo herë të hapura për interpretim, mirëpo këtë herë i përgjigjet më shumë shoqërisë së politizuar kosovare.

“Më së shumti për arsyen se gjatë punës ka qenë prezente një ide që mundet me qenë album ose minialbum i dyfishtë e me dy tituj – diçka që është qartësuar me kohë, por mbetet koncepti i dyzimit. Zakonisht në rastet e emrave edhe të emërimit, gjërat mbeten krejtësisht të hapura për interpretim, në këtë rast mendoj që më së shumti i flenë përshkrimit a qasjes së shoqërisë së politizuar kosovare”, ka thënë pjesëtari i grupit por-no Prishtina.

“Dyftyrëshi” do të vie për publikun edhe në formën e librit, me përmbajtjen e poezive të papublikuara më parë të poetëve e poeteshave si Eli Krasniqi, Arbër Selmani e Arbër Zaimi. Nikqi ka treguar se poezitë shoqërohen në faqe me një fotografi analog bardh e zi të zhvilluara në vitet e 80-ta.

“Dimensionit fizik të bartësit të albumit i kemi dhënë formën e librit, por për dallim prej artwork, librave të zakonshëm ku shfaqen tekstet e këngëve, këtu kemi poezi (kryesisht) të papublikuara prej poetëve/poeteshave si: Eli Krasniqi, Shpëtim Selmani, Ervina Halili, Arbër Zaimi, Jana Sotzko, Alban Fejza, Arbër Selmani e Genc Kadriu. Secila poezi shëqërohet në faqe me një fotografi analog bardh e zi të cilat janë të gjyshit të Dritëros, Jusuf Venharit, të shkrepura e të zhvilluara prej tij në vitet 50-60. Në fund të librit gjëndet QR code me anë të cilit shkarkohen këngët e albumit në rezolucionin më të lartë dhe si mp3. Kjo sipas nesh, i jep kuptim dy fytyrave të konceptit të albumit dhe bashkëpunimit me komunitetin artistik, diçka që ka qenë gjithmonë pjesë e por-no”, ka përfunduar kështu intervistën anëtari i “por-no Prishtina”, Dritëro Nikqi.

“Dyftyrëshi” ka në vete artistë të shumtë instrumentalist, e bashkëkompozitor duke filluar nga Dritëro Nikqi, Nesim Maxhuni, Liburn Jupolli e Michael Haves, Benjamin Ëeidekamp, Edona Vatoci, Mimoza Hajdini, Rron Qena, Fatos Derguti, Blerta Kosova, Armend Xhaferi, Krenar Ismaili, Jeton Shala, Edmond Krasniqi, Toton Pllana, Albin Abazi, Mardit Lleshi, Eduard Hallulli, Labinot Krasniqi, Dukagjin Muhaxheriheri, Gur Mal Nikqi, Ivica Jankulovski, Fatjon Miftari, Vladimir Krstev, Maja Efremova, Dubravka Zajkova dhe Marija Mihajlovska./ KultPlus.com

Këngëtari shqiptar, pjesë e albumit të Ariana Grandes

   

Albert Stanaj,  shqiptar nga Mali i Zika kohë që i mungon tregut muzikor me prurje të reja por këngëtari na kishte premtuar se shumë shpejt do të rikthehet super fuqishëm.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ai ka treguar se ka bashkëpunuar me Ariana Granden për albumin e saj të ri “Positions” që ka dalë në treg vetëm disa orë më parë. Ai ka shkruar tekstin e njërës prej këngëve të albumit dhe ky është një hap jo i vogël për të.

Ju thashë që kam qëndruar në qetësi. Jam me të vërtetë shumë mirënjohës për shoqërinë që kam me Ariana Granden. Thellësisht mirënjohës që jam pjesë e këtij regjistrimi. Për të gjithë ata që janë pranë meje, faleminderit. Tani kemi shumë këngë rrugës. Koha për t’ia dalë.

Ariana Grande e ka shprehur edhe më parë mbështetjen e saj ndaj Stanaj. Kur ai solli një cover të “No Tears Left to Cry” ajo e ka mbështetur e para në rrjetet sociale dhe me të drejtë pasi është një super talent që e meriton suksesin ndërkombëtar.

Mbetemi në pritje që në të ardhmen ta shohim në bashkëpunime me emra të njohur të muzikës ndërkombëtare. Stanaj është një këngëtar dhe kompozitor i lindur dhe i rritur në New York.

Si një interpretues i ri, duke kënduar që kur ishte 6 vjeç, Stanaj ka performuar në shumë vende në të gjithë Amerikën dhe në Europë. Atij iu dha mundësia në moshën 14 vjeçare për të kënduar për Papa Benediktin e XVI. Ai ka tërhequr vëmendjen e shumë personazheve të njohura, si për shembull Kim Kardashian e cila ka shpërndarë në rrjetet sociale coverat e tij.

Po ashtu, Stanaj ka qenë edhe në “Sunny hill festival” teksa 3 vite më parë vizitoi vendin tonë, kur ishte i ftuar në “The Voice of Albania”. / KultPlus.com

Këtë Halloween, Cineplexx sjell event të veçantë me çmim biletash vetëm 3€

Edhe këtë vit, për festën e Halloween më 31 Tetor, Cineplexx organizon event të veçantë, ku do të shfaqen 3 super-filma horror me çmim special prej 3 EUR.

Cineplexx do të jetë një destinacion fantatstik për ditën e Halloween. Me një çmim special të biletave (3,00 Eur) dhe dekorime të frikshme në korridor, kinemaja do të jetë vend perfekt për fansat e filmave horror dhe festës së Halloween në përgjithësi.

Këtë event, Cineplexx ka vendosur të risjellë në shfaqje 3 filma horror, 2 prej të cilëve u shfaqën më herët gjatë vitit, ndërsa super-horrori spanjoll, 32 Malasana Street, do ta ketë premierën këtë javë.

Këta janë 3 filmat të cilët do të mund ti shihni në Cineplexx këtë Halloween:

1. 32 Malasana Street

Filmi flet për një familje e cila shpërngulet në një shtëpi të re për të jetuar ëndrrën e një qyteti të madh. Por asgjë nuk është si ata mendojnë, sepse në atë shtëpi, ëndërrat shëndërrohen në ankthe.

2. The Invisible Man

Kur ish i dashuri abuzues i Cecilias vetëvritet dhe i lë asaj të gjithë pasurinë e tij, ajo nis të dyshojë se vdekja e tij është një rreng. Ndodhi të rastësishme e vdekjeprurëse bëjnë që Cecilia të përpiqet të provojë se ajo po përndiqet nga një person që askush nuk mund ta shikojë. The Invisible Man mbetet një nga filmat më të mirë dhe më të suksesshëm horror të vitit 2020.

3.Fantasy Island

Një përshtatje e serialit të famshëm horror të viteve 70, rreth një resorti magjik në ishull. Filmi flet për një grup të rinjsh të cilët shkojnë për pushim në një resort në ishull, por pushimi i tyre shëndërrohet në një makth.

Ky event do të fillojë të shtunën, më 31 Tetor nga ora 18:00, ndërsa biletat për këtë event mund ti bleni çdo ditë prej orës 15:00 në kinema, ose përmes aplikacionit që tashmë është i lansuar dhe gjindet për shkarkim në të dy platformat, IOS dhe Android. Listën e plotë të orareve të filmave për këtë event por edhe për ditën në vijim, mund ta gjeni në faqen e Cineplexx (fjalën Cineplexx e lidhni me këtë linkun këtu: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/ )

Diskutohet për gjendjen e teatrove, alarm për gjendjen e teatrove lokale

Medina Pasoma

Gjendja e teatrove qendrore e lokale në mbarë Kosovën dhe e atyre të skenës së pavarur u diskutua në edicionin e 3-të të Kosovo Theatre Showcase të Qendrës Multimedia, nga zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Engelbert Zefaj, drejtori i teatrit të qytetit të Gjilanit Erson Zymberi dhe drejtori i teatrit Oda, Florent Mehmeti, shkruan KultPlus.

Përderisa diskutimi u moderua nga Shaban Maxharraj,  në Teatrin Oda e pranishme nuk ishte ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, pjesëmarrje që ishte paralajmëruar, dhe në vend të Dumoshit, fjalën e mori zëvendësministri Engelbert Zefaj për të shpalosur politikat e tyre si Ministri për jetën kulturore, specifikisht gjendjes së teatrit.

Zefaj, përgjatë fjalimit të tij theksoi se Teatri Kombëtar i Kosovës është mbështetur nga një shumë prej 370.000 eurove dhe teatrot e qyteteve në bashkëpunim me Komunat kanë mbushur vijat buxhetore të cilat do të mjaftonin për to për stafin artistik dhe menaxherial. Mirëpo, pandemia ka bërë që të dy këto grupe të mos i marrin paratë në tërësi.

“Ministria është e përkushtuar që ta mbështet Teatrin Kombëtar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi, poashtu është e përkushtuar që t’i mbështes teatrot profesioniste në përputhje me ligjin, që do të thotë të ndahet buxhet i mjaftueshëm që ato të kenë jetë normale artistike”, është shprehur Zefaj.

Tutje ai ka shtuar se brenda Kosovës ka qytete të cilat ende nuk kanë teatro profesioniste, sikurse është Vushtrria, Suhareka, Istogu…, për shkak të moskompletimit të numrit të duhur të stafit. Ai tha se janë në bashkëpunim me këto komuna në rrugëtim të themelimit të teatrove.

Një temë tejet e përfolur për disa muaj rresht ka qenë edhe shuma prej 5 milionë eurove, të cilat janë në kuadër të pakos emergjente për ndihmë ndaj komunitetit artistiko-kulturor. Përderisa gjatë ditës së sotme janë votuar kriteret dhe standardet për mënyrën e shpërndarjes së kësaj shume, Zefaj tregoi se ky është një proces me dy faza. Në fazën e parë do të shpërndahen 2.5 milion euro, ndërkaq faza e dytë e shumës do të nis nga dhjetori e janari.

“Nga java e ardhshme mund të themi se do të filloj shpërndarja e këtyre mjeteve te komuniteti sportiv, artistik e kulturor. Këto mjete janë planifikuar të ndahen në 3 masa, masa e parë ka të bëj me punësimin e të rinjve në sektorin publik e privat, masa e dytë ka të bëj me sportin që do t’i shkoj klubeve sportive në bashkëpunim me federatat, kurse masa e tretë prej 2 milionë eurosh do të shkoj në kulturë, ku do të përkrahen shoqatat dhe organizatat kulturore dhe krijuesit individualë”, vazhdoi tutje Engelbert Zefaj.

Zefaj njoftoj se 170 mijë euro janë ndarë për 42 projekte teatrore, ku 122 mijë euro kanë shkuar në 23 organizata teatrore, kurse 43 mijë euro kanë shkuar për individ që merren me teatër nëpërmjet konkurseve.

Në anën tjetër diskutimi vazhdoi edhe me drejtorin e Teatrit Oda, Florent Mehmeti, i cili që në fillim kritikoi politikat institucionale për mos krijimin e hapësirave të pavarura teatrore.

“Teatri Oda është e vetmja hapësirë e pavarur teatrore në krejt territorin e Kosovës . Kjo tregon se sa e vështirë dhe sa politika jostimuluese kanë ekzistuar në Kosovë qe një 20 vite, për të mos e zhvilluar këtë veprimtari”, tha Mehmeti.

Në anën tjetër ai kundërshtoi idenë e përpilimit të ligjeve për kulturën, sepse sipas tij ligjet krijohen për të ndaluar, ndërkaq kultura është fushë e krijimit të lirë. Mehmeti theksoi se ato duhet të përpilohen vetëm në rastet e kundërshtimit të diskriminimit, fyerjes apo çdo gjëje negative.

“Mendoj që ligjet nuk i ndihmojnë kulturës, pikërisht kemi ardhur në ditën kur pa e ndërruar fare ligjin janë financuar dhe krijuar ansamble rezidente në teatrot e qyteteve, vetëm pse ligji e ka lënë këtë të hapur dhe gjithmonë çështja është te vullneti politik ”, shtoi Memeti.

Përqendrimin e parasë publike në masë të madhe te teatrot publike, ai e quan si pasojë e politikave jostimuluese, të cilat krijojnë menaxhmente joefikase.

Sa i përket gjendjes së institucioneve të ndikuara nga pandemia, ai theksoi se përderisa ishte vullnet i qeverisë t’i mbyll ato, po të njëjtin vullnet duhet ta kenë që t’i dëmshpërblej.

“Fjala emergjencë është shumë qesharake” theksoi drejtori i Teatrit Oda, teksa kishte fjalën për paratë e fondit emergjent për ndihmë ndaj komunitetit kulturor.

Në anën tjetër ai e komentoi edhe “garën e teatrove profesioniste dhe atyre jo profesioniste”, që nënkuptonte mos themelimin e tyre në disa qytete të Kosovës. Kështu, ai u shpreh se ky tentim i centralizimit të institucioneve bën diskriminim për jetën kulturore të vendit, nëpërmjet neglizhimit të teatrove jashtë kryeqytetit.

“Politikat kulturore duhet t’iu përgjigjen gjendjes në terren, mundet me qenë një teatër në një fshat i cili arrin të njihet botërisht nga Kosova. Nuk do të duhej ndarja administrative të na tregonin se kush mund të krijoj teatro dhe në çfarë mënyre”, tha Florenti.

Pika që u pajtua edhe drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi me parafolësin e tij ishte në centralizimin buxhetor të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndaj Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe harresës ndaj institucioneve teatrore lokale. Zymberi beson se shuma më e madhe buxhetore iu dhurohet Teatrit Kombëtar, duke i bërë të tjerat të jenë në telashe financiare.

“Po bëj thirrje që ky buxhet të rishikohet, sepse nuk është e drejtë që ti kemi 6000 mijë euro për prodhim të 4 -5 shfaqjeve vjetore, i cili është i pamjaftueshëm”, tha drejtori i Teatrit të Gjilanit.

Ai theksoj se Teatri i Gjilanit ka totalisht 67 mijë euro për shfaqje, shërbime dhe mallra dhe si subvencione. Kështu, ai kërkoi që teatrot e qyteteve të kenë një hapësirë më të madhe të zhvillimit, pa i diskriminuar teatrot e pavarura. Për këtë ai shtoi se duhet të bëhet ripërpilimi i ligjit për teatrot nga një ekip profesional.

“Unë si drejtor i këtij institucioni kam filluar t’i shoh sfidat se si burokracia apo ballafaqimi me politikën, udhëheqësin komunale dhe ligjet e krijuara, që shpesh janë të mbyllura, nuk e lejojnë zhvillimin normal të një teatri të qytetit’’, u shpreh Erson Zymberi.

Këtyre kritikave për teatrot komunale, zëvendësministri Zefaj iu përgjigj duke thënë se disa nga komunat kanë vendosur që teatrot e tyre profesionale të jenë pronë dhe nën menaxhimin e Komunës dhe kësisoj Ministria vetëm i ndihmon.

Ai shtoj tutje për çështjen e mos themelimit të teatrove profesioniste nëpër qytete të ndryshme të Kosovës se njëherë duhet të ekzistojnë disa matje se si janë kushtet, e pastaj të vendoset.

“Nuk ia vlen të krijosh teatër e të mos kesh objekt, trupë artistike dhe kapacitete njerëzore”, theksoi Engelbert Zefaj.

Diskutimi në fund vazhdoi me pyetjet e publikut, të cilët të interesuar për gjendjen dhe të ardhmen e institucioneve ku buron arti dhe kultura kishin marrë vendet e tyre në ulëset e Teatrit Oda.  Ky panel diskutimi u organizua në kuadër të Kosova Showcase Theatre nga Qendra Multimedia./KultPlus.com

Rreziku nga vala e dytë e Covid-19, por prindërit kërkojnë që fëmijët të kthehen në shkollë

Nuk po iu pëlqen që fëmijët e tyre t’i ndjekin mësimet në sistemin online.

Prindërit e  Shkollës Fillore ‘Fak Konica’ të Prishtinës janë duke kërkuar nga Drejtoria e Arsimit e kësaj komune që nxënësit t’i kthejnë në shkollë. Kjo pasi sipas tyre  mësimi online nuk po jep rezultate të mira tek fëmijët e tyre që i kanë në shtëpi.

E Rekomandimet e Insitutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë si dhe të Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë Covid-19, e kanë parë të arsyeshme që në shkollat ku ka të paraqitura raste me Cvid 19 dhe aty ku rreziku i përhapjes së infeksionit është më i madh, mësimi të vazhdohet në distancë. Pra nga shtëpia.

Në vazhdim gjeni letrën e plotë pa ndërhyrje të këtyre prindërve:

Duke qenë se kjo mënyrë e të mbajturit të mësimit nuk po funksionon ose po ec me shumë vështirësi për çka po pësojnë më së shumti nxënësit për të cilët është ndërtuar edhe platforma, por edhe vetë shkolla kërkojmë nga drejtoria e shkollës që të merret parasysh që nxënësit të kthehen në klasë për të ndjekur mësimet.

Deri më tani si për nga mbarëvatja e procesit mësimor, si për nga ofrimi i pajisjeve të domosdoshme për mesimin online si dhe për nga ngarkesa dhe përgjegjësitë për ushtrimin e detyrave të klasës e në këtë rast edhe ato të shtëpisë, po u bie prindërve e tërë barra për mësimin si dhe edukimin e tyre, në këtë kohë të vështirë si për nga aspketi psikologjik ashtu edhe në aspketin financiar dhe shëndetësor.

Mungesa e interesimit maksimal nga ana e arsimtarëve është pjesë e problemit dhe një ndër arsyet e rënies së cilësisë së mësimit, prandaj kthimi i nxënësve në klasë dhe kthimi i përgjegjëisë tek mësimdhënësit ndihmon fëmijët tanë, shkollën tonë por edhe tërë procesin mësmimorë për çfarë edhe janë angazhuar ata profesionalisht.

Gjithashtu fëmijët tanë, klasa e gjashtë ballafaqohen për herë të parë me procesin arsimor të nivelit të ciklit të lartë, me shumë lëndë e me shumë karaktere arsimtarësh, këto si ndërprejja e mësimit, izolimi, pandemia dhe më kryesorja kalimi nga një mësues te shumë mësimdhënës ka dyfishuar vështirësinë e ndjekjës së mëësimit tek fëmijët.

Preokupimet tona si prindër kanë të bëjnë ekskluzivisht me fëmijët tanë pasi duke parë gjendjen e tyre të vështirësuar në aspektin psikologjik dhe emocional krahasur me rëninen e interesimit të mësidhënësve  për këtë gjendje  ka sjellur deri te marrja e vendimit tonë për kthimin e nxënësve në klasë, sa më shpejt që është e mundur.

Ne prindërit e klasës e 6/5 kërkojmë ta takojmë drejtoreshen e shkollës  znj. Oruqi dhe të bisedojmë fillimisht vetëm për menyren e kthimit të nxënësve  në klasë.

Ju falenderojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim!

Prindërit e klasës 6/5

Prishtinë

Tetor 2020 / Gazeta Express/ KultPlus.com

Trashëgimtarët kërkojnë kthimin e pikturës së Kandinskyt

Avokatët që përfaqësojnë një familje hebreje kërkuan kthimin e një pikture nga artisti rus, Wassily Kandinsky, 80 vjet pasi ajo i ishte shitur një muzeu holandez.

Avokatët që veprojnë në emër të familjes Lewenstein i thanë një gjykate në Amsterdam se vepra e Kandinskyt e 1909 ”Painting with Houses” iu shit muzeut lokal ”Stedelijk” nën detyrimin e regjimit nazist.

“Piktura duhet të kthehet”, theksoi avokati Axel Hagedorn, duke shtuar se ishte një rast i qartë i artit të plaçkitur.

Muzeu i Artit në Amsterdam bleu ”Painting with Houses” në 1940 me një çmim që ishte shumë më i ulët se sa vlera e pikturës.

Trashëgimtarët gjithashtu duan ta marrin këtë pikturë që aktualisht ndodhet në Lenbachhaus në Mynih.

Një komision gjerman për kthimin e veprave të artit duhet të vendosë për këtë.

Trashëgimtarët po kërkojnë që gjykata të rrëzojë një vendim nga Komisioni Shtetëror i Kthimit që refuzoi aplikimin e trashëgimtarëve në 2018, duke thënë se interesi i muzeut tejkalon atë të trashëgimtarëve.

Sipas paditësve, vendimi shkel të ashtuquajturat Parime të Uashingtonit për t’u marrë me artin e plaçkitur nga nazistët. /atsh/ KultPlus.com