Përkujtesë historike: Demonstratat e 27 Nëntorit 1968 në Prishtinë

Nga Jusuf Buxhovi

Shtetndërtimi i Kosovës, i mbështetur mbi formulën e barazisë në federatën e atëhershme jugosllave, që praktikisht do të thoshte çlirim nga zgjedha serbe, fillon me demonstratat e nëntorit të vitit 1968, të nisura në Prizren më 5 nëntor dhe të vazhduara në disa qytete, për t’u kurorëzuar me ato në Prishtinë, më 27 nëntor. Këto demonstrata, ku për herë të parë doli në pah kërkesa për Republikën e Kosovës, ua hapën rrugën ndryshimeve të mëdha që u pasqyruan me themelimin e Universitetit të Kosovës në Prishtinë në vitin 1970 si dhe institucioneve të tjera kombëtare, prej nga u ngrit brezi i një inteligjencie arsimore, kulturore dhe politike që mori përsipër proceset e mëtutjeshme të avancimit të pozitës kushtetuese të Kosovës në federatën jugosllave, që do të sanksionohen me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974.

Organizatorët e këtyre demonstratave do të mbesin në histori si pjesë e një mekanizmi, që vuri në lëvizje ndryshimet historike, që vazhduan në vitin 1981, në vitin 1989, 1997, 1999 për t’u kurorëzuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. / KultPlus.com

Shtatë drama të rëndësishme shqipe erdhën mbrëmë mjeshtërisht përmes leximit skenik

Jeta Zymberi

Në një situatë të pazakontë për shkak të pandemisë, festivali dy ditorë që këtë vit shënoi edicionin e tij të dytë, “Leximi skenik i dramës kombëtare” u përmblodh në një mbrëmje të vetme.

Përmes një gërshetimi mes autorëve dhe gjeneratave, drama të inskenuara dhe ende të painskenuara, mbrëmë u bashkuan me tentativën që publiku të njihet më shumë me shkrimin dramatik kombëtar, shkruan KultPlus.

Fadil Hysaj, Haqif Mulliqi, Besim Rexhaj, Jeton Neziraj, Naser Shatroli, Arian Krasniqi dhe Arta Arifi janë ndër dramaturgët më të rëndësishëm në letërsinë e sotme shqipe që shkruhet dhe botohet në Kosovë. Kjo për faktin se dramat e tyre kanë zënë një vend të rëndësishëm në jetën teatrore dhe mjeshtëria e tyre vazhdon të mahnitë publikun, kjo ishte edhe arsyeja pse mbrëmë puna e tyre po shpalosej para publikut.

Të veçanta secila në temën e vet, drama të rëndësishme si: “Molla e Adamit”- Fadil Hysaj, “Përralla klaustrofobike”- Haqif Mulliqi, “Vorbulla”- Besim Rexhaj, “Poetika e turpit”- Jeton Neziraj, “Ifgjenia kukull”- Arian Krasniqi, “N’dry”- Arta Arifi dhe “Shkumësi”- Naser Shatrolli, ishin përzgjedhur për t’u lexuar në ambientin e ngrohtë të KultPlus Caffe Gallery, e që publikut qysh në fillim i lanë një shijë të jashtëzakonshme.

Ndërkaq, leximi artistik dhe skenik u bë nga aktorët mjeshtërorë të skenës sonë teatrore, siç janë: Melihate Qena, Aurita Agushi, Afrim Muçaj dhe Artan Geca.

Qysh në fillim, aktorët arritën të tërheqin vëmendjen e publikut. Secili nën magjinë e tij interpretuese bën që publiku të emocionohet, të shpërthente në të qeshura e të duartrokiste për gjetjet e mahnitshme që këto drama ngërthenin në vete.

Ideatorja e këtij eventi, Ilirijana Arifi, me syrin e saj regjisorial, gjatë gjithë kohës po i përcillte me vëmendje të theksuar aktorët, por që buzëqeshja e saj e shpeshtë dhe një pohimi me kokë, ndoshta pa vetëdije, tregonte se ajo ishte e kënaqur me artikulimin që po e bënin aktorët e këtë e dëshmoj edhe vetë pas përfundimit të leximit skenik. Ajo për KultPlus u shpreh se nata e mbrëmshme ishte e mrekullueshme në çdo aspekt.

“Këtë vit organizimi mori një rrjedhë tjetër për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Në fillim, ideja ishte që të shkonim online me lexime, vetëm me pranin e aktorëve, mirëpo gjatë bisedave vendosëm që të gjenim një ambient të përshtatshëm për këto lexime dhe nikoqir na u bë KultPlus Caffe Gallery. Mbrëmja e natës së kaluar ishe e veçantë, them në kuptimin artistik dhe organizativ”, u shpreh regjisorja Arifi e cila tutje tregoi se po planifikojnë që vitin e ardhshëm, një nga këto drama të përzgjedhura të inskenohet dhe të jepet premiera e saj në skenën e njëmend teatrore.

Regjisorja Arifi një falënderim të veçantë e kishte për aktorët që interpretuan mbrëmë pjesët e zgjedhura, e që  sipas saj erdhën me shumë mjeshtëri.

“I falënderoj aktorët: Meli Qena, Aurita Agushi, Artan Geca dhe Afrim Muçaj për mjeshtërinë e interpretimit artistik dhe sharmin që i dhuruan këtij eventi, stafin e gazetës online për kulturë “KultPlus”, Blerdi Malushin dhe Valbon Tishukajn”, tha Arifi.

Ishin shtatë drama që u lexuan mbrëmë, por i pranishëm ishte vetëm njëri prej autorëve të këtyre dramave. Dramaturgu Naser Shatrolli me prezencën e tij sikur ju dha edhe një përgjegjësi edhe më të madhe aktorëve për interpretim. Duke vlerësuar secilin nga aktorët, Shatrolli veçoi njërin prej tyre që lexoi dramën “Shkumësi”.

“Ishte ambienti i ngrohtë parasëgjithash, u provokova për të mirë në kuptimin e aranzhimit, konfiguracioni i 7-të dramave në nja panel aktorial ishte zgjedhje e bukur dhe intriguese! Aktorët u paraqitën mirë, spontaniteti rrodhi, regjisorja kishte bërë një punë të vyeshme, andaj e falënderoj. Ndërsa tek pjesa e dramës sime më pëlqeu Artan Geca, e falënderoj publikisht, mendoj se ka qenë brenda natyrës së dramës! Secili ishte në nivel, edhe audienca e mirë”, tha Shatrolli për KultPlus.

Ky aktivitet u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Ekspozita e Gazmend Lekës në FAB, reflektim për jetën

Në këto ditë të vështira që po kalon bota për shkak të pandemisë, artisti Gazmend Leka ka çelur ekspozitën “NOE” e cila vjen për publikun në këto momente delikate si shkëputje ndaj realitetit drejt artit.

Në ambientet e galerisë FAB pranë Universitetit të Arteve, kjo ekspozitë vjen për publikun si pjesë e trilogjisë pasi më parë janë hapur nga artisti edhe dy ekspozita te tjera me titujt “ Lutja” dhe “ Dhoma e Hapave të Humbur”.

Kjo ishte edhe vetë ideja e artistit, që kjo ekspozitë të mbyllte ciklin e trilogjisë ku të 24 veprat e paraqitura këtë herë për publikun kishin në fokus aleancën e prishur tashmë mes njerëzve dhe krijuesit hyjnor.

Vetë artisti shprehet se kjo ekspozitë gjithashtu bërtet me zë të lartë dhe i bënë jehonë dramave të shqiptarëve dhe pse jo edhe qytetarëve të gjithë globit të cilët së fundmi kanë përjetuar shumë mallkime. Ai shprehet gjithashtu se të gjithë ne në mënyrën tonë duhet të reflektojmë dhe të veprojmë sa nuk është vonë.

Vetëm duke u kthyer tek krijuesi dhe vlerave njerëzore të cilat gjithsecili nga ne ka, atëherë do të kemi mundësinë të rifillojmë nga e para dhe të respektojmë mbi të gjitha hapësirën e çdo specie që meriton vendin e vet në këtë botë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 nëntor në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve. /atsh/ KultPlus.com

S’kalon Rezoluta për të pagjeturit

Në mungesë të vendimmarrjes, ka dështuar të miratohet Rezoluta nga interpelanca me kryeministrit, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, raporton “KOHA”.

Kjo pikë mori 41 vota, që nuk mjaftuan për ta kaluar atë.

Përpos deputetëve të Vetëvendosjes, pro kësaj rezolute ishin edhe ata të PDK-së, derisa LDK-ja e bojkotoi pjesëmarrjen në votim.

Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, parashtroi 2 pikat që përfshihen në këtë rezolutë, si dhe kërkoi votën e deputetëve për këtë pikë. “Këto janë pikat e dy rezolutës: Kuvendi i Kosovës thekson se çështja e personave të pagjetur nuk mund të ndërlidhet, kushtëzohet apo të ndërvaret nga asnjë çështje tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të ndërmjetësoj në adresimin e çështjes së të pagjeturve në harmoni me standardet dhe mekanizmat ndërkombëtar. Pika 2: Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës të mos pranoj të bisedoj me cilindo zyrtar nga Serbia pa ofrimin e menjëhershëm të informacioneve për vendndodhjen e gjithë personave të cilët nuk janë gjetur gjatë luftës së fundit. Kërkoj përkrahjen e gjithë deputetëve për këtë rezolutë”, pati thënë ajo.

Deri më tash një varg projektligjesh kanë dështuar të votohen në mungesë të vendimmarrjes. / KultPlus.com

Nesrete Kumnova i bashkohet protestës së Rogovës për shkarkimin e Driton Selmanajt

Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, edhe sot do të vazhdojë protestën për të kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pas deklaratës së tij lidhur me çështjen e të pagjeturve.

Rogova, për të pestën ditë me radhë, duke filluar nga ora 12:00 do të qëndrojë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në sheshin “Skëndërbeu” të Prishtinës.

Mirëpo, kësaj radhe pankartën “Selmanaj ik” do ta mbajë në duar edhe Nesrete Kumnova, Kyetare e Organizatës “Thirrjet e Nënave”.

Në fillim ato do të mbajnë 30 minuta heshtje, pastaj në ora 12:30 do të prononcohen për media.

Kumnova, e cila tashmë për dy dekada thërret për drejtësi për të pagjeturit, do të bashkëngjitet si përkrahje për thirrjen e RrGK-së dhe të qytetarëve që tashmë kanë nënshkruar peticionin online, në thirrjen për shkarkimin e menjëhershëm të Selmanajt.

“Në letrën që RrGK i ka dërguar kryeministrit Avdullah Hoti më 23 nëntor, kemi përmendur gjerësisht çdo arsye pse deklarimi i Selmanajt është fyerje për qytetarët dhe interesin e tyre”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

“Sot, prania e Kumnovës bart simbolikën e zërit të çdo familjeje të mbi një mijë e 600 personave që ende janë të pagjetur që nga lufta në Kosovë. Ashtu si çdo ditë tjetër, edhe sot kjo protestë do të zhvillohet në përputhje të plotë me rregullat për luftimin e pandemisë COVID-19″, thuhet në fund të komunikatës. / KultPlus.com

Përkthehet në shqip libri “I madhi Kastriot me llagap Skënderbeu”

Libri “I madhi Kastriot me llagap Skënderbeu” i autorit Stefan Zanoviç është përkthyer në gjuhën shqipe. Përkthimi i këtij libri që njihet si një nga librat më të debatueshëm mbi vërtetësinë e fakteve historike nga historiografia jonë është realizuar nga gazetari Sokol Demaku.

Zanoviçët e mbanin veten për pasardhës të Skënderbeut dhe ishin nga Dalmacia, por studiues të ndryshëm, mes tyre edhe shqiptarë, i kanë hedhur poshtë këto pretendime, si dhe shumë fakte të librit. Pavarësisht kësaj, libri ka pasur jehonë të madhe në shumë vende evropiane dhe është botuar në disa gjuhë të botës si gjermanisht, frëngjisht, italisht, rusisht, etj.

Kjo vepër ishte botuar në gjuhën frënge në vitin 1779, në Paris me titullin “Le grand Castriotto d’Albanie” dhe në Frankfurt, po atë vit, nga shtëpia botuese Cmez Kesler. Në gjuhën gjermane vepra është botuar më 1784 në Vjenë. Pjesë të librit të Zanovichit janë botuar në gjuhën shqipe, pjesa e fjalës lumtumirëse të Skënderbeut para princave të arbërit dhe birit tij Gjonit, pjesë kjo që u quajt “Testamenti i Skënderbeut.

Rrëfimi i Zanoviç-it fillon nga Mbretëria e Gjon Kastriotit dhe vazhdon me të birin Gjergj Kastrioti. / Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Studiuesja franceze për figurën historike të Jashar Erebares

Studiuesja franceze Evelyne Noygues ka botuar një shkrim për figurën historike të Jashar Erebares në revistën shkencore dhe universitare në Paris “Cahiers Balkaniques”.

Jashar Erebara, me prejardhje nga Podujeva, i lindur në Mostar dhe i rritur në Dibër, ku ishte adoptuar në familjen Erebara. Më tej, Noygues theksoi se Erebara nga pushteti osman u internua në Kumanovë në vitin 1908, ku punoi si nëpunës statistike. Në Kumanovë ai bëri punë të mëdha, duke vënë themelet e arsimit shqip në këto treva. Më tej tregoi rrjedhën e ngjarjeve në vijim dhe kontributin e madh të Jashar Erebarës si pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, si deputet i Dibrës, etj..

Një post-Rilindas që sakrifikoi jetën e tij për zhvillimin e arsimin e popullit të vet. Jashar Erebara hyri në skenën politike shqiptare në fund të shekullit XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX, pra i takon periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Erebara ka qene një personalitet i gjithanshëm që nuk kurseu asgjë për të mirën e kombit. Ai ishte një patriot i rrallë dhe demokrat-revolucionar përmasash të gjera. Shumë herë u angazhua në lëvizjen kombëtare për liri e pavarësi.

Studiuesja franceze Evelyne Noygues shkruan: “Pas fqinjëve të tyre në Ballkan, shqiptarët ranë dakord gjithashtu të angazhohen në luftën për njohjen e kombit të tyre, ku për herë të parë pati një vetëdije kombëtare shqiptare e një zgjim kombëtar. Intelektualët shqiptarë të shpërndarë në vende të ndryshme investojnë energjinë e tyre në ndërtimin e një identiteti qëllimi i të cilit është që të njihnin ekzistencën e një kombi të denjë për të fituar lirinë dhe të largohej nga sundimi Osman. Për ta bërë këtë, komunitetet shqiptarë në mërgim luajtën një rol kyç në mbështetjen e lëvizjes kombëtare. Botimet e ndryshme gjithashtu kanë kontribuar në masë të madhe për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare.

Gjatë studimeve tona në Inalco, ne jemi të interesuar në pohimin kombëtar shqiptar duke u mbështetur në studimin e një gazete origjinale shtypur në Beograd në disa gjuhë që nga viti 1902 deri në vitin 1906: Albanija, Shkipnija e Shqiptarevet (L’Albanie, L’Albanie aux Albanais).”

Studiuesja Evelyne Noygues merret me albanologjinë që prej vitit 1990 kohë kur ka jetuar në Shqipëri per tre vite. Është diplomuar nga Inalco-ja  (Instituti kombëtar universitar i Langues et Civilizimeve – Paris – Francë) në fushën e historisë me specializim: “Studime Evropiane”. Pas një kualifikimi të dyfishtë në gjuhën dhe historinë shqiptare, ajo vazhdoi aktivitetet e saj në fushën e albanologjisë si dhe në përkthim letrar përveç karrierës së saj në administratën e lartë publike të shtetit francez. Gjithashtu ajo shkruan për kulturën shqiptare në mediat franceze./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Tre nëntorët shqiptarë: 1443, 1912 dhe 2008

Nga Jusuf Buxhovi

Historia njeh vetëm realitetet, që i vendos logjika e saj, që rëndom përcaktohen nga fitimtarët dhe interesat e tyre.

Të tilla sot janë dy shtete shqiptare në Evropë: Shqipëria dhe Kosova.

Rrënja e tyre e përbashkët etnike shpirtërore dhe kulturore nuk përjashton mundësinë që ato të bashkohen në kuadër të një unioni shtetëror në përputhje me vullnetin demokratik dhe assesi me formulat romantike dhe ideologjike të shekullit të kaluar, që mohojnë apo përjashtojnë këto realitete politike…/ KultPlus.com

E përhitura

Poezi nga Vlora Konushevci

Sa dëshira të heshtuna i ke? Sa të shtypuna a të shkëmbyeme si salvetat dikur në kuti bonbonjerash!  Sa prej tyne as vetes s’guxon me ja tregu,
ato që i sheh në andërr e çohesh tue u përfalë, zotin lutë me t’ruejt!

Sa herë e ke sabotu lumturinë tande, je rrudhë si livore lisi
e ke mashtru fëmijën se ajo lodër s’asht në shitje
burrin se je e dërmume për seks
veten se dëshirat tua presin si deka!

Në zanin tand ndigjoj dyert që mbyllen e dashtun, peshimin milimetrik
të dëshirave por ashtu peshohen veç shpenzimet në fund të janarit.
Dinjiteti copëtohet edhe tue ja ndal zanin lumturisë*.

Nuk je perëndi, je veç njeri prej mishi e gjaku
Olimpi asht i rezervuem për legjenda
të çmenduna edhe ato, veç mite kot.

Nuk çohet jeta teheve, e dashtun, asht ditë e bukur me u çmend sot!
Me i vu cak qiellit e me çjerrë në dysh currik përpjetë
prej gazit, jo prej vajit,
atdheu jonë asht gjuha e dashtun, idenë e pritjes me nda 
n’midis si bukën, e të përhiturën sundimtare
me ba! 

*Mos qesh shumë se të del idhnim, urtësi popullore , në mjekësi 
nihet si fobi prej lumturisë, tregues i çrregullimit mendor – ankthit. / KultPlus.com

Ngacmonte seksualisht fëmijët përmes rrjeteve sociale, arrestohet prishtinasi

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Prishtinë, meqenëse i njëjti përmes rrjeteve sociale ka ngacmuar seksualisht disa fëmijë.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se lidhur me këtë rast është kontrolluar një lokacion dhe se në cilësi të provave janë sekuestruar një llaptop dhe një telefon mobil.

“Prishtinë 26.11.2020-17:40.Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti përmes rrjeteve sociale ka ngacmuar seksualisht disa fëmijë. Lidhur me rastin është kontrolluar një lokacion dhe ne cilësi të provave janë sekuestruar një kompjuter llaptop si dhe një telefon mobil. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, ka njoftuar Policia./Express/ KultPlus.com

Vepra e artistit të rrugës, Banksy, shitet në ankand për 170.000 euro

Piktura “Zog me Granatë” nga artisti misterioz i rrugës, Banksy, u shit të enjten në një ankand në Holandë për 170.000 euro.

“Vepra e artit, e krijuar në 2002, i shkoi një koleksionisti holandez”, njoftoi shtëpia e ankandit “Hessink’s” në Zwolle.

Imazhi, i vënë në dispozicion nga “Hessink’s”, tregon një zog me një granatë dore të varur në sqep.

Identiteti i Banksy-t vazhdon të mbetet një mister.

Dihet që ai vjen nga Bristoli, në jugperëndim të Anglisë dhe u vendos në Londër në fund të viteve 1990.

Ai bëri emër me imazhet kritike shoqërore dhe kryesisht të diskutueshme, që shpesh shfaqen pa paralajmërim. /ATA / KultPlus.com

Euro, monedha më e përdorur në botë

Deri në 37.82 përqind të transaksioneve ndërkombëtare të parave tashmë bëhen me monedhën europiane (euron), njoftoi Bloomberg, duke cituar të dhëna nga Shoqata Botërore e Telekomunikacioneve Financiare Ndërbankare (SWIFT).

Shoqata përfshin 200 shtete dhe 11,000 institucione financiare.

Euro pasohet nga dollari amerikan, paundi britanik, jeni japonez dhe dollari kanadez, i cili e shtyu juanin kinez nga pozicioni i pestë.

Përdorimi i dollarit nga dhjetori i kaluar deri në tetor të këtij viti u ul me 4.6 përqind, kështu që tani ai zë 37.64 përqind të aksionit.

Në të njëjtën kohë, euro u rrit me 6 për qind.

Dollari amerikan mbeti në vendin e parë kur bëhet fjalë për kreditë. Ekspertët e shohin krizën ekonomike për shkak të pandemisë së koronavirusit, zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe luftës tregtare me Kinën si arsyet e kësaj rënie të dollarit në listën e monedhave më të rëndësishme.

Që nga kulmi i tij në mars, dollari ndërkohë është dobësuar me 11 përqind dhe ekspertët thonë se ai pasohet nga një rënie e mëtejshme. /gazetaexpress/ KultPlus.com

28 Nëntori në Prizren do të shënohet nëpërmjet koncertit “Wind Ensemble”

Pavarësia e Shqipërisë do të sjell tinguj muzike në qytetin e bukur të Prizrenit, shkruan KultPlus.

Koncerti “Wind Ensemble” do të bëj që të hapen dyert e Kino Lumbardhit për audiencën duke filluar nga ora 14:00.

Këtë ditë të madhe kombëtare nëpërmjet performancave të tyre artistike do ta shënojnë Nita Krajku, Malbonë Krajku, Rabije Krasniqi, Zana Xhuli, Meriton Zajmi.

Flauta, klarineta, saksafoni, fagoti dhe perkusioni do të jenë shoqërues të publikut artdashës. / KultPlus.com

‘Koha është të duhemi’

Poezia “Dashuria” e poetit të madh, Ali Podrimja:

Koha është të duhemi,

të kesh besim në mua kur të them: Trime,

të kem besim në ty kur më thua: Trim.

Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,

shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,

një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.

E nën një kulm banonim,

nga frëngjia me ditë më peshove,

me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,

se mos do të takoj te kroni i shpresave.

Ma ruaj syrin, dashuria ime,

ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!

Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,

kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.

Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh,

i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.

Në fund të livadhit të kositur a po sheh:

ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë.

Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.

Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës,

do ta ndez llambën në kullë,

do ta hedh farën në tokën e re.

Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve

e të rënat të forta i kishe.

Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë

e mëhalla jehonte nga shpifjet.

Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete.

Koha është të duhemi. / KultPlus.com

Ministrja serbe refuzon propozimin që Gent Cakaj të shpallet“Qytetar Nderi” i Bujanocit

Propozimin e Kuvendit Komunal të Bujanocit për shpalljen e Gent Cakajt “Qytetar Nderi” e ka kundërshtuar Ministrja e Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëadministrimit Lokal në Qeverinë e Serbisë, Marija Obradoviq, shkruan KultPlus.

Derisa mori fjalën në seancën e sotme të Kuvendit serb, Obradoviq tha se sot ka nënshkruar vendimin me të cilin refuzohet ky propozim.

“26 këshilltarë, nga 41 sa ka Kuvendi i Bujanocit kanë propozuar që Gent Cakaj të shpallet Qytetar Nderi i Bujanocit. Po, ata e kanë dërguar propozimin më 20 nëntor, dhe në mënyrë legale kanë vepruar, ku unë si ministre është dashur të nënshkruaj propozimin. Por, unë sot kam nënshkruar vendimin me të cilin refuzohet, propozimi i Kuvendit Komunal të Bujanocit, që ministri shqiptar Gent Cakaj të shpallet qytetar nderi i Bujanocit”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, nuk mund të shpallet qytetar nderi një person i cili ka akuzuar Serbinë për krime të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Ministri Gent Cakaj, ka deklaruar se gjatë luftës në Kosovë, se Serbia është përgjegjëse për vrasjen e mijëra shqiptarëve, për depërtimin e miliona shqiptarëve dhe djegien e mijëra shtëpive që në esencë në vlerë prej miliona dollarëve”, ka deklaruar ministrja Obradoviq.

Kuvendi Komunal i Bujanocit në seancën e fundit të mbajtur para dy javëve, me shumicë votash ka propozuar që ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, të shpallet qytetar nderi i Komunës së Bujanocit. / KultPlus.com

Nominimet për ‘Grammy 2021’ ngjallën kritikat e Drake dhe artistëve të tjerë

Drake dhe artistë të tjerë kanë kontestuar rëndësinë e ngjarjes së madhe muzikore “Grammy” nëpërmjet postimeve në instagram, shkruan KultPlus.

Nominimet për Grammy 2021 paraqitën disa pretendentë të rëndësishëm të këtij çmimi, së bashku me disa mungesa të cilat ngjallën kritika. Billie Eilish, Taylor Swift, Beyoncé dhe Dua Lipa kryesojnë listat e të nominuarve.

Mirëpo, këto nominime ngjallën kritika te disa artistë, e një ndër ta Drake.

“Ne duhet mos ta lejojmë veten të tronditemi çdo vit nga shkëputja midis muzikës me ndikim dhe këtyre çmimeve”, ka shkruar artisti i njohur botërisht, Drake.

Drake pastaj etiketoi artistë të tjerë të cilët nuk janë nominuar në Grammy, duke përfshirë Lil Baby, Pop Smoke dhe Popcaan, duke shtuar, “shumë emra të zhdukur për t’u përmendur madje”.

Në anën tjetër, kritika pati edhe The Weeknd, i cili poashtu nëpërmjet një storje në instagram ndau mendimet e tij.

“The Grammy mbetet e korruptuar. Më keni borxh mua, fansave dhe transparencës së industrisë”, ka shkruar The Weeknd.

Një ndër emrat që u përsërit më së shumëti në nominimet e sivjetme të Grammy ishte këngëtarja shqiptare, Dua Lipa. / KultPlus.com

Ma gjeni një gru që s’di ç’asht dhuna

Poezi nga Valbonë Bajrami

Ma gjeni një gru n’vendin tem që nuk i ka jetu

një nga njëzet e tetë strofat e Sylvia Plath

njëzet e tetë ditë t’përsërituna

derisa jeta t’i sprovon nandë shpirta e ndalon ciklin

me marr guxim me lëshu za

krejt n’liri

ma gjeni një të vetme pa zemërim

që e ka pa jetën në dritë syni

e s’di se ç’asht’ dhuna

-fizike, mendore, materiale-

një ma gjeni, që ka thye mite

s’përputhet me traditat

se ç’asht’ gru e mirë, e ndershme

sipas hireve që tjetër kush i ka thurë për mu e ty

ma gjeni një të vetme për lapidar

me kujtu, me i frymëzu

të nandë shpirtat buzë vdekjes

ma gjeni një

një të vetme

një për be që nuk asht’ zonja Lazarus. / KultPlus.com

Shaip Kamberi për Serbinë: I vetmi shtet që e ndalon simbolin kombëtar për pakicën e vet

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi pas ndalimit të vendosjes së flamurit kuq e zi në këtë parlament, ka reaguar nëpërmjet një postimi në facebook, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet shpërndarjes së videos së fjalimit të tij, ai ka shkruar një mbishkrim duke kërkuar barazi në të drejta.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Kamberit:

BARAZI NË TË DREJTA, PARAKUSHT PËR PAQEN NË RAJON

Serbia mbetet i vetmi shtet në rajon që e ndalon përdorimin e simbolit kombëtar për pakicën e vet, përmes ligjit për minoritete.

Përderisa pakica kombëtare serbe përdor ligjshëm flamurin në Graçanicë, Kumanovë e Kotor; flamuri shqiptar ndalohet në Luginën e Preshevës. / KultPlus.com

Ndihma e madhe e diasporës pas tërmetit në Shqipëri

Një vit më parë një tërmet prej 6.4 ballësh goditi Shqipërinë qendrore duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë. 51 humbje jete, rreth 3 mijë të plagosur dhe mjaft ndërtesa të shembura apo dëmtuara ishte bilanci tragjik i atyre pak sekondave lëkundje.

Shqiptarët në Diasporë u solidarizuan menjëherë me bashkëkombasit e tyre duke kontribuar në ndihma materiale, ekspertiza mbledhje fondesh etj.

Të shumta ishin organizatat dhe shoqatat që u angazhuan për të ndihmuar vendlindjen, si Shoqata kulturore RBK në Gjermani, Komuniteti shqiptar i Selanikut, Shoqata “Nënë Tereza” në Modena të Italisë e shumë organizata e shoqata të tjera. 

Ndrësa u organizuan koncerte humanitare në vende të ndryshme si “Music for Albania” në Asutrali, “Arbëria për Shqipërinë” në Kalabri, koncerti i organizuar nga “The Albanian American Women of Washington DC” në SHBA dhe shumë të tjera.

Ndër të parët që i erdhën në ndihmë vendlindjes ishte Anëtari i i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe këshilltar në Bashkinë e New York-ut, Mark Gjonaj i cili bëri të mundur ardhjen e një grupi inxhinierësh shqiptaro – amerikanë të rinj e të talentuar, pjesëtarë të shoqatës së arkitektëve, që iu bashkuan punës së gjithanshme për vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit he kthimin e qyteteve më të dëmtuara në jetën normale.

Edhe filantropi dhe anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës ishte ndër të parët shqiptarë të Diasporës që ofroi ndihmën e tij për të prekurit nga tërmeti dëmtues. Ai solli kamionë me ndihma në atë kohë, duke i dorëzuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit dhe vizitoi disa nga zonat e prekura.

Organizata “Albania Roots-Rrënjët shqiptare” në SHBA arriti të mbledhë një fond prej 1.6 milionë dollarësh duke financuar ndërtimin e një lagjeje në Lalz në ndihmë të banorëve të Durrësit. Marko Kepi ka bërë të ditur se vetëm 1 milionë dollarë u mblodhën për 24 orë matanë oqeanit. “Bashkë me shtetin shqiptar, qeveria shqiptare po na jep një tokë në Durrës ku mund të ndërtojmë 44 shtëpi për të prekurit nga tërmeti”, ishte shprehur Kepi.

Por ndihma dhe iniciativa të vetë shqiptarëve jashtë vendit në ndihmë të të prekurve nga tërmeti vazhdoi edhe përgjatë vitit të të vështire të pandemisë. Dy shqiptarë të SHBA-së dhuruan 58 lap top për Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Durrës. Filger dhe Eda Prifti janë dy shqiptarët që jetojnë në Boston që bashkë me kompaninë Vestmark kanë mundur të sigurojnë sasinë e lap topëve që do të jenë ndihmë për studentët e universitetit që janë ekselentë por vijnë nga familje në nevojë e që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar. /dp/ KultPlus.com

Ankandi artistik që është bërë viral, mbështet familjet e grave të zeza të vrara nga policia

Cardi B është në mesin e 100 artistëve që kanë kontribuar për një ankand të ri në internet të quajtur “Show Me the Signs”.

Reperi përdori një copë kartoni për të shkruar emrat e 34 burrave dhe grave të zeza të vrara nga policia, të tilla si Sandra Bland, Eric Garner dhe Breonna Taylor, bashkë me frazën “Thuaji Emrat e tyre”, shkruan The Guardian, përcjell KultPlus.

“Ne duam të dërgojmë një mesazh që jeta e gjithësecilit ka rëndësi, ju nuk mund ta thoni atë mesazh kur po lini jashtë gratë e zeza”, tha Shermena M Nelson,  drejtore e programeve në Forumin e  Politikave Afrikano-Amerikane, i cili është organizator i ankandit.

Fondet e mbledhura nga ankandi online në Artfizz, i cili mbyllet më 30 nëntor, do të shkojnë në Rrjetin e Nënave #SayHerName të AAPF, i cili ndihmon në sigurimin e strehimit, tarifave ligjore dhe kostove të tjera për nënat e grave që janë vrarë nga policia.

“Ka një kosto për vdekjen, ajo shkon përtej shpenzimeve të varrimit dhe përfshijnë ato financiare, shëndetsore e mendore. Humbja tragjike e dikujt ua ndryshon strukturën familjare. Ne po përpiqemi t’i mbushim boshllëqet aq sa kemi mundësi” , tha Nelson.

Shumë prej veprave të artit janë në formë protestuese, si ajo e Billie Eillish që thotë “Stop Vrasjes së njerëzve të zinj”.

 Artistë të tjerë që janë pjesë e ankandit janë Jim Carrey, David Hockney, Rashid Johnson, George Condo dhe Marilyn Minter.

Artistja nga Los Angeles, Delia Brown ka paraqitur një vepër arti që përmban emrat e grave të zeza të vrara nga policia,  shoqëruar me moshat e tyre, të cilat variojnë nga 26 deri në 72 vjeç. Në fund të veprës artistike shkruhet: “Unë nuk duhet t’i di emrat e tyre”.

“Është e vështirë të bësh një vepër arti për mungesën e drejtësisë, të cilën e përjetuan familjet e këtyre vajzave dhe grave. Unë i lashë shifrat të flasin vet, në një periudhë 5 vjeçare, vetëm dy oficerë u akuzuan për vrasjen e 48 grave dhe vajzave të pafajshme, të cilat ata duhej t’i mbronin”, u shpreh Brown.

Shitjet nga ky ankand do të ndihmojnë për financimet e tafiave shëndetësore, ligjore dhe anëtarësimin e më shumë grave në Rrjetin e Nënave. / The Guardian/ KultPlus.com

Biblioteka e Aleancës Franceze do të hap dyert për shkëmbim librash

Aleanca Franceze në Prishtinë në bashkëpunim me ETEA do të nisin fushatën për shpërndarjen e librave në gjuhën franceze, shkruan KultPlus.

“Allo Bouquin? Librat për t’u huazuar!” do të jetë emri i fushatës, përgjatë së cilës lexuesit e gjuhës frenge do të kenë rastin të afrohen me librat e kësaj kulture nga biblioteka e Aleancës Franceze.

Nëpërmjet kësaj iniciative, lexuesit do të shprehin preferencat e tyre të leximeve, e që pastaj do ta kenë librin për lexim.

“Mjafton të na tregoni moshën, zhanrin tuaj të preferuar si dhe nivelin e frëngjishtes, ne do të zgjedhim një libër surprizë për ju. Kemi libra për të gjitha moshat dhe interesat, nga 3 deri në 100 vjeç!”, thuhet në njoftimin e kësaj fushate.

Të interesuarit do të kontaktohen për orën dhe vendtakimin se ku mund ta marrim librin, të cilin kanë të drejtë mbajtjeje deri në 3 javë.

Poashtu, për të qartësuar tutje këtë nismë do të mbahet edhe një takim. Takimi i parë për shkëmbimin e librave do të mbahet më 4 dhjetor, në orën 11:00, në objektin e Aleancës Franceze dhe do të shoqërohet me një atmosferë këngësh dhe librash francezë.

Për t’u bërë pjesë, ju lutemi plotësoni këtë formular: https://forms.gle/9QmAxcMktjNwA9gN7 / KultPlus.com

40 figurat e Pavarësisë së Shqipërisë do të shfaqen artistikisht nëpërmjet një ekspozite

Në vigjilje të Pavarësisë së Shqipërisë, Muzeu Historik Kombëtar ka vendosur t’i nderoj figurat e këtij akti nëpërmjet një ekspozite, shkruan KultPlus.

Nesër më 27 nëntor duke filluar nga ora 11:00, dyert e Muzeut Historik Kombëtar do të hapen për sytë e audiencës.

40 portrete të nënshkruesve të Pavarësisë do të shfaqen nëpërmjet artit të piktorit Arben Morina nën titullin “Etërit e Pavarësisë”.

Poashtu do të shfaqen edhe artifakte të Muzeut Historik Kombëtar.

Kjo ekspozitë do të jetë një vlerësim artistik i punës së këtyre figurave të shquara shqipe. / KultPlus.com

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi diskutim për botimet historike, premtoi se do ta mbështes këtë kategori

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit gjatë ditës së sotme mbajti takim me Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe Departamentin e Historisë në mjediset e Muzeut Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus.

Zyrtarë institucional dhe historianë e studiues të shumtë u takuan për të diskutuar për librat historik, nevojat dhe kërkesat e kësaj fushe, përkthimet, autorët dhe lexuesit.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli u shpreh se po tentojnë t’i japin zë fushave që kanë qenë më pak në fokus, e siç është edhe çështja e botimeve historike.

“QKLL-ja do të krijojë një fond të posaçëm mbështetjeje për albanologjinë, por dhe do t’i japë më shumë hapësirë, përmes kooperimeve ndërkombëtare, që libri historik e albanologjik shqiptar të jetë pjesë e panaireve, apo aktiviteteve ndërkombëtare te Librit, ku merr pjesë Ministria e Kulturës”, premtoi Bardhyli.

Pos të tjerash ajo theksoi se është e domosdoshme ndihma ndaj kësaj kategorie, e veçanërisht autorëve të historisë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të rrisim kulturën e leximit në përhapjen e vlerave identitare që mbartin botimet historike, sidomos te brezi i ri”, përfundoi drejtoresha e QKLL-së.

Të pranishëm ishin edhe Prof. Dr. Hamit Kaba, Prof. Dr. Mariglen Verli, Prof. Ass. Sonila Boçi, Prof. Ass. Ledia Dushku, Dr. Dorian Koçi. / KultPlus.com