Përmes një komunikate për media të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se qeni i tij i racës “German Shepherd” ka ngordhur.
Qeni me nofkën “Champ” ka qenë për 13 vjet në pronësinë e presidentit Joe Biden.
Në komunikatën për media Biden ka deklaruar se qeni paqësisht ka ngordhur sot në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.
Biden e ka përshkruar qenin e tij si shumë të dashur që ju ka qëndruar gjithmonë pranë dhe që do të ju mungojë gjithmonë./ KultPlus.com
Trupa Artistike Regjionale në Ferizaj do të organizoj një koncert kushtuar personalitetit të papërsëritshëm, artistit Qazim Dushku, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një njoftimi në Facebook, nga organizatorët e këtij festivali, ku ndër të tjera është theksuar se Dukshu kishte një jetë sa tragjike, po aq edhe artistike.
“Qazim Dushku ishte një artist shumëdimensional me një jetë sa tragjike aq edhe artistike. Trupa Artistike Regjionale- Ferizaj, organizon gala koncert kushtuar këtij kolosi”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Koncerti do të mbahet këtë të diele me datën 20 qershor, me fillim nga ora 20:00, në Palestren e Sporteve ‘Bill Clinton’ në Ferizaj.
Në këtë gala koncert do të këndojnë artistë të njohur, që kanë sjellë këngë që ende dëgjohen e mbahen mend nga adhuruesit e muzikës së tyre.
Veli Sahiti, Osman Shehu, Elizabeta Krasniqi, Visar Peja, Fadil Keca, Visar Çarkaxhiu, Adhurim Grezda, Vjollca Selimi, Valon Bytyqi, Mentor Haziri, Liridon Sadriu, Naim Bunjaku -Xuxi dhe Bardhyl Abazi. Kurse dirigjent i këtij koncerti do të jetë Valton Beqiri./ KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat vijon punën për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat kanë nisur punën për restaurimin e banesës së familjeve Nova dhe Bilali në lagjen “Kala”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se “ka nisur rregullimi i çatisë për të vijuar me fasadën, dritaret, ambientet e jashtme e elemente të tjera, që e bëjnë këtë ndërtesë monument kulture”.
Banesa Nova është monument kulture kategori e II dhe ndodhet përgjatë rrugicës që të çon tek çanaku. Ndërhyrja restauruese konsiston në ndërhyrje në çati me zëvendësimin e elementëve drusorë të degraduar, mbulim me letër katrama, restaurim fasade, suvatim çatmaje në ambientet e jashtme, restaurim dritareve, vendosje kolona qoshe dhe fashature horizontale.
Projekti i ndërhyrjes është hartuar nga specialistët e DRTK-Berat.
Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.
Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.
Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4-t. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatreja, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të kohës. /atsh/ KultPlus.com
Ata u përkasin fiseve pa asnjë kontakt me pjesën tjetër të njerëzimit, të ashtuquajturat fise të pakontaktuara. Vlerësohet se këto grupe janë ende rreth njëqind; rreth 40 në Brazil, 15 në Peru dhe të tjerët në ato vende ku shtrihet pylli i Amazonës, si Bolivia, Kolumbia, Ekuadori dhe Paraguai. Por ka edhe disa në Guinenë e Re dhe Ishujt Andaman, në Oqeanin Indian.
Në vitin 2011, Survival International, një organizatë për mbrojtjen e popujve autoktonë, publikoi një video që portretizon një fis nga Amazona brazilian, në kufirin me Perunë.
Është fotoja e parë ajrore e një “grupi të izoluarish” dhe na lejon të mësojmë detaje rreth zakoneve të tyre. Anëtarët e tij ngjyrosin trupat e tyre të kuq me ekstrakte të bimëve të egra, hanë banane, papaja dhe tapiokë, kanë kasolle dhe fruta banane dhe kanë disa objekte metalike, si tenxhere dhe hanxharë, të marra nga tregtia midis fiseve.
Studimet mbi indianët e izoluar janë relativisht të fundit. Në Brazil ata drejtohen nga “sertanistët”, antropologë aventurierë. I pari prej tyre ishte Marshalli Candido Mariano da Silva Rondon, i cili kontaktoi fise të ndryshme në fillim të shekullit të kaluar. Motoja e tij, “Vdis nëse është e nevojshme, kurrë mos vrit”, është bërë manifesti i sertanistëve të vërtetë.
Në Papua Guinea e Re, kërkimi u iniciua nga antropologë dhe gjuhëtarë, të tërhequr nga fakti që rreth 800 gjuhë nga 5,000 të folura në planet janë përqendruar në ishull.
Holandezi Johannes Velduizen ishte i pari që kontaktoi, në vitet 1970, “Koroëai”, një nga popujt e fundit në tokë që ndërtonte shtëpi mbi pemë.
Fshehja është një zgjedhje e detyrueshme për shumë prej këtyre popujve, për t’i mbijetuar pushtimeve të pronarëve të paskrupullt të tokave, gjuetarëve pa leje dhe gërmuesve të arit, të cilët shpesh i sulmojnë, i vrasin, i dehin me alkool dhe përdhunojnë gratë e tyre.
Ne dimë pak për ta. Ata janë kryesisht nomadë dhe e mbështesin jetesën e tyre në gjuetinë dhe peshkimin dhe në mbledhjen e perimeve, të përdorura për t’u ushqyer, shëruar, por edhe për të ndërtuar shtëpi, endje shportash, prodhojnë armë, pikturojnë trupat e tyre dhe festojnë ritualet, për të distiluar helmet, sapunët, deodorantët, kontraceptivët dhe parfumet.
“Shoqëria e tyre nuk bazohet në ndonjë hierarki zyrtare, por në një strukturë barazitare: vendimet merren me pëlqimin e të gjithëve. Por askush nuk ka vëzhgime të drejtpërdrejta mbi mënyrën e tyre të jetës. E vetmja gjë që dimë është se ata duan të na mbajnë larg”, shpjegon David Hill, një antropolog në Peru./ a2/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka përmbyllur Samitin e Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen në Koncertin e Filharmonisë së Vjenës në Schönbrunn, shkruan KultPlus.
Në një postim në Instagram Kurti, ka thënë se në koncertin e mbrëmshëm u ekzekutuan në një mënyrë të mrekullueshme veprat nga Verdi, Sebussy, Holst e shumë të tjerë.
“Samitin e Ballkanit Perëndimor e përmbyllëm mbrëmë si mysafir të Kancelarit Kurz në Koncertin e Filharmonisë së Vjenës të natës verore në Schönbrunn. Nën dirigjimin e Daniel Hardig dhe me pianistin Igor Levit u ekzekutua mrekullueshëm programi me vepra nga Verdi, Debussy dhe Holst, e me encore nga Beethoven dhe Sratub II”, ka shkruar ai./ KultPlus.com
Marie Logoreci ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit, pioniere e kinematografisë shqiptare.
Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër ‘Fëmijët e saj’, dhe me pas në filmin e parë shqiptar ‘Tana dhe Toka jonë’ etj. Ajo luajti në filmin televiziv, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare, shkruan KultPlus.
Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë Tartufi të Molierit. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar Skënderbeu.
Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj… atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria.
Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te Çështja ruse, Alisa Lengton te Rrënjë të thella, Kristina Padera tek Komploti i të dënuarve, Fatimja te Halili dhe Hajrija, Aljona Patrovna te Gjashtë dashnorët, Lokja te Toka jonë, Ledi Milford te Intrigë e dashuri, Tringa te Shtatë shaljanët, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te Shtëpia e Bernarda Albës, Tadrahova te Morali i zonjës Dulska, nëna Xhun te Muri i madh pakapërcyeshëm’, Mara te Përkolgjinajt, plaka te Çatia e të gjithëve, nëna te Cuca e maleve, Gjela te Përmbytja e madhe.
Marie Logoreci vdiq në Tiranë në vilën e saj nga një atak kardiak më 19 qershor 1988.
Marie Logoreci përveç urdhrave dhe medaljeve te ndryshme mban edhe titullin e larte Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit. /KultPlus.com
Pas fitores në konkursin e këngës ‘Eurovision’, bendi Måneskin ka hyrë për herë të parë në dhjetëshen e top listës në Mbretërinë e Bashkuar. Të premten kënga e tyre e titulluar ‘I Wanna Be Your Slave’, është renditur në vendin e shtatë, shkuran BBC News, transmeton KultPlus.
Ata fituan konkursin e muajit të kaluar me këngën ‘Zitti e Buoni’ dhe pasimi tani është bërë hiti më i madh nga një akt fitues i Eurovision e sukseset e tyre ende po vazhdojnë.
Pjesa e luajtur nga kitara e 18-vjeçarit duket se po nis një valë të hiteve të frymëzuara nga rock-u, sipas Official Charts Company.
“Eshtë parashikuar prej kohësh që rock-u do të kthehej një ditë në ‘Official Singles Chart’, por pak do të kishin pritur që ajo të drejtohej nga një ish-aktore e Disney Channel dhe një akt fitues i Eurovision,” tha shefi i Chart, Martin Talbot në një deklaratë.
“Por kjo është ajo që duket se po ndodh, falë Olivia Rodrigo dhe fituesit italian të Eurovision ‘Måneskin’.”
Kur ata mblodhën trofeun e tyre në Eurovision në Roterdam, frontmani i Måneskin, Damiano David deklaroi: “Rock and roll nuk vdes kurrë”.
Zitti e Buoni arriti kulmin në numrin 17 në Mbretërinë e Bashkuar pas fitores së tyre. Fituesi i fundit i Eurovision që hyri në 10 të parat ishte Loreen i Suedisë, melodia fituese e së cilës arriti numrin tre në vitin 2012.
Ndërsa, kënga e këngëtares amerikane Olivia Rodrigo, ‘Good 4 U’, qëndroi në vendin e parë për të katërtën javë me radhë.
Në tabelën e albumeve të kësaj jave, ish-këngëtari dhe kompozitori i ‘Oasis’, Noel Gallagher grumbulloi numrin e 12-të të karrierës së tij në total, me koleksionin e tij të ri më të mirë solo ”Back The Way We Came”. / KultPlus.com
Këto gra të forta nuk rrijnë pa thënë atë që mendojnë dhe ndiejnë, nga frika se mos lëndojnë, ato janë të vërteta. Ato e vendosin veten të parën, respektojnë dëshirat dhe nevojat e tyre. Ata nuk kanë nevojë që askush të njohë vlerën e tyre, potencialin e tyre, sepse e njohin dhe vlerësojnë veten.
Gratë që njohin dhe vlerësojnë veten e tyre kërkojnë përvoja më të lumtura, marrëdhënie më të shëndetshme, janë në gjendje të njohin marrëdhëniet toksike që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre emocional dhe mendor, të distancohen nga njerëzit që nuk i vlerësojnë ato ose përpiqen të minojnë emocionet e tyre.
Do të jetë shumë e lehtë të njohësh një grua si kjo, do ta njohësh kur të jesh në praninë e njërës prej tyre. Këto gra nuk kërkojnë leje për të qenë ato që janë, ose për t’u shprehur siç dëshirojnë.
Ato kanë dritën dhe madhështinë e tyre të brendshme. Dinë të vlerësojnë miqësitë dhe dashuritë që i vlerësojnë, dinë të heqin nga jeta njerëzit e gabuar. Ato nuk kanë durim me njerëzit që dinë vetëm të zhvlerësojnë, shkatërrojnë.
Gratë që vlerësojnë vërtet veten e tyre inkurajojnë gratë e tjera, nuk garojnë me të tjerat, e dinë që secila ka vlerën e vet, se secila është unike, janë të përkushtuara për të bashkëpunuar me gratë e tjera dhe janë simpatiyuese të historive të grave të tjera, që nuk e kanë njohur ende potencialin që kanë.
Gratë që kanë kontroll mbi veten e tyre kanë një shkëlqim të veçantë, një shkëlqim të brendshëm që buron nga ato që kanë mundësinë të jenë afër tyre. Ato përdorin solidaritetin në marrëdhëniet e tyre, por dinë të vendosin kufij në të gjitha marrëdhëniet.
Eshtë e vështirë të kalosh një grua si kjo pa ndjerë një ndikim pozitiv ose negativ, kjo varet nga lloji i qasjes që vendos me to, sepse do të jetë e lehtë ta njohësh, ato do të reagojnë sipas sjelljes tuaj, në një mënyrë të sigurt dhe të vendosur, pa hezitim. Ato nuk kanë frikë të vendosin kufij dhe të dëbojnë të huajt nga jeta e tyre.
Ato janë aty duke treguar historinë e tyre, duke parakaluar me besim dhe vetëvlerësim; nëse bien ose ngrihen, qëllimi i tyre është të jenë të lumtura, të kërkojnë përvoja; nëse nuk funksionoi, ato fillojnë gjëra të tjera, investojnë në situata të tjera, besojnë përsëri në gjithçka, sepse i besojnë vetes sa duhet. Ato mbështesin njëra-tjetrën, besojnë në procesin e jetës. /bota.al/ KultPlus.com
Nesër, me 20 qershor duke filluar nga ora 12:00, në skenën e Teatrit Kombëtar do të shfaqet premiera e ”Zanat e Luleve” nga balerinët e studios ”Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit.
Kjo shfaqje do të paraqet secilin balerinë si një lule që rritet, zhvillohet dhe freskinë e saj tenton t’ia falë botës. E veçanta e kësaj shfaqjeje qëndron në faktin se pjesë e kësaj trupe balerinësh do të jenë edhe disa fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përçuar kështu direkt mesazhin se dallimet duhet të evitohen në secilën fushë, shkruan KultPlus.
”Zanat e Luleve” do të manifestohet me koreografi nga baleti klasik dhe poashtu edhe disa pjesë të baletit modern, ndërkaq kostumet e balerinave të vogla do të jenë me ngjyra, duke përçuar kështu shumë gjallëri. Për sa i përket skenës, Llugiqi ka treguar se do të realizohet nga ”Anea”.
Ndërkaq, fëmijët pjesëmarrës të kësaj shfaqjeje, do të jenë të moshave të ndryshme, duke filluar nga 4 deri në 14 vjeçarë. / KultPlus.com
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Hiqmet Pollos me origjinë nga Lazarati i Gjirokastrës, një prej familjeve të njohura të asaj krahine, ku gjatë periudhës së Luftës Antifashiste, i pari i saj, Hysni Pollo, ishte një prej eksponentëve kryesor të organizatës nacionaliste, Balli Kombëtar, gjë e cila u bë shkak që menjëherë pas vitit 1944, kur komunistët erdhën në pushtet, pjestarët e asaj familje të përfundonin burgjeve dhe internimeve, ku vetë Hysniu u dënua me 101 vjet burg nga Gjykata e Qarkut të Gjirokastrës, kurse i biri i tij, Xhemali, mbeti i gjymtuar përjetë nga torturat që i bënë oficerët e Sigurimit të Shtetit.
Arratisja nga Shqipëria e Hiqmet Pollos në vitin 1950, ku ai së bashku me shokun e tij, Hysen Mati, nga Gjirokastra, kaluan kufirin shtetëror në zonën e fshatit Radat dhe pasi qëndruan disa vjet në kampin e emigrantëve politikë, Llavrios, fituan azilin politik dhe emigruan në Brazilin e largët. Kthimi i Hiqmet Pollos në Shqipëri në vitin 1994, ku qeveria shqiptare e kryesuar nga kryeministri Aleksandër Meksi, e emëroi atë si Konsull Nderi të Shqipërisë në Brazil dhe ardhja përsëri në vitin 1998 në Shqipëri, pasi kishte mbledhur 104 tonë ndihma humanitare, për refugjatët kosovarë që u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre etnike, prej regjimit të Millosheviçit.
Nga Dashnor Kaloçi
Kanë qenë ditët e para të muajit qershor të vitit 1998, kur në një nga zyrat e komisionit qeveritar për administrimin e ndihmave humanitare për kosovarët e ardhur në Shqipëri, mbërriti një faks nga Brazili, që njoftonte për një sasi të madhe ndihmash që ishin nisur nga ky shtet i largët i kontinentit amerikano – jugor, të mbledhura dhe nën kujdesin e një shqiptari me banim të përhershëm në Brazil! Kush ishte ky shqiptar, si kishte mundur ai të emigronte në atë shtet të largët e në çfarë rrethanash ai ndodhej atje?!
Familja Pollo nën persekucionin e egër komunist!
Ai quhet Hiqmet Pollo dhe ka lindur në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, në vitin 1932. I ati i Hiqmetit, Hysni Pollo, në vitet e Luftës, kishte qenë pjesmarrës i çetave nacionaliste të organizatës “Ballit Kombëtar” dhe si një ndër eksponentët kryesorë të saj, ishte zgjedhur si komisar i “Ballit” për Qarkun e Gjirokastrës. Pak ditë pas mbarimit të Luftës në vitin 1944, Hysni Pollo u arrestua nga komunistët e porsa ardhur në fuqi dhe u dënua nga Gjykata e Gjirokastrës, me 101 vite burgim, pasi më pare, në kohën e Luftës pas vrasjes së Hysni Lepenicës, shokut më të afërm të tij, partizanët e kishin dënuar atë në mungesë, me vdekje. Pas arrestimit të Hysniut, familja e tij u internua në fshatrat e Lushnjes dhe asaj i’u konfiskua e gjithë pasuria që ata kishin, e cila ishte mjaft e konsiderueshme. Njëri nga djemtë e Hysniut, Xhemali, pas internimit të familjes, u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe nga torturat që i’u bënë, ai mbeti i gjymtuar përjetë. Pasi familja Pollo mori damkën “armiq të popullit”, për të mundësitë e jetesës ishin tepër të vështira, madje në kufijtë e të pamundurës për të mbajtur shpirtin gjallë! Nisur nga kjo situatë ku ndodhej ajo, djali tjetër i familjes kërkonte punë, për të mbajtur vëllezërit e motrat, por askush nuk i ndihmonte. “Shkoni hani florinjtë që ju ka lënë Hysniu”, ishte përgjigja për fëmijët e familjes Pollo.
Arratisja e Hysniut nga Shqipëria në vitin 1950
Në këto kushte tepër të vështira dhe në pamundësi për të siguruar mbi jetesën, Hiqmeti së bashku me një shokun e tij, gjirokastrit të quajtur, Hysen Mati, vendosën të largohen përfundimisht nga Shqipëria, duke bërë plane që të arratiseshin për në Greqi. Kështu në fillim të vitit 1950, sipas planit të bërë, largohen për në krahinën e Dropullit dhe nga mali i Buretos, dalin në Radat dhe kalojnë kufirin shtetëror duke mbërritur shëndoshë e mirë në tokën greke. Pas shumë peripecishë duke u endur nëpër male, nga frika se mos kapeshin nga komunistët grekë të “EAM”-it, ata më në fund, me ndihmën e një bariu grek, mundën të shkonin dhe të dorzoheshin në kampin e refugjatëve të Llavrosit, në të cilin asokohe ndodheshin edhe shumë shqiptarë të tjerë antikomunistë, si dhe nga shtete të ndryshme të Evropës Lindore. Në atë kamp, Hiqmeti së bashku me shokun e tij Hysenin, qëndruan për një vit, derisa një ditë në aty erdhi një urdhër nga Komisariati i Lartë i Refugjatëve të OKB-së, i cili njoftonte se do të bënte shpërndarjen e tyre nëpër shtete të ndryshme të Perëndimit, të cilët kishin pranuar marrjen e këtyre refugjatëve. Pas shpërndarjes së një numri të madh refugjatësh për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atë kamp mbetën rreth 75 shqiptarë, të cilët nuk kishin plotësuar parametrat fizikë trupore, për të shkuar në SHBA.
Nga Llavrosi i Greqisë, në Brazilin e largët!
Të 75 shqiptarëve, të cilët nuk mund që të emigronin për në SHBA-ve, po atë ditë, i’u komunikua urdhëri, që streha e tyre do të ishte tashmë Brazili. Me një vapor të madh, më 4 dhjetor të vitit 1951, të 75 shqiptarët e kampit të Llavrosit, do të nisnin një udhëtim të gjatë dhe do të shkonin në Brazil. Por për shqiptarët e porsa mbriturr në Brazil, nuk ishte e thënë se vuajtjet e tyre tashmë kishin mbaruar. “Punonim ku të mundnim, flinim poshtë urave dhe nëpër metro, kishte dhe ditë të tëra që nuk kishim se ku të punonim, ngeleshim dhe pa ngrënë…”, kujton Hiqmeti, ditët e para kur mbërriti në Brazil. Pas një viti nëpër punë të ndryshme, Hiqmeti mundi me vështirësi të mëdha të hapte një biznes privat, me disa kamionë transporti dhe taksi. Ky biznes i hapur prej tij, ishte ndër të vetmit që mund të hapnin shqiptarët, me të cilët ai kishte mbërritur aty nga Greqia.
Shkollimi për noter dhe ngritja e Agjencisë Imobilare
Me biznesin e ngritur, Hiqmeti mundi të rregullonte ndjeshëm jetesën e tij dhe në vitin 1976, ai filloi një shkollë tre vjeçare, për noter, duke e ndjekur atë pa u shkëputur për asnjë ditë nga puna në biznesin e tij. Pas përfundimit të kësaj shkolle, Hiqmeti u pajis me liçencën e noterit dhe e shtriu më tej biznesin, duke hapur edhe një Agjenci Imobilare. Me rritjen e aktivitetit, Hiqmeti mundi të blejë një zonë të madhe me troje ndërtimi, të cilat ai i administronte vetë. Pasi me të gjitha këto ai mundi të sigurojë në mënyrë të kënaqshme jetesën e tij, në vitin 1972, Hiqmeti vendosi të krijonte familje dhe u martua me një vajzë me origjinë italiane, të quajtur, Irene Boneset. Nga ajo martesë atyre u lindën dy vajza, për të cilat Hyseni thotë se, po t’i pyesësh, të përgjigjen me shumë krenari se janë shqiptare dhe kanë trashëguar pothuajse gjithçka nga babai i tyre, që nga gjuha, traditat, zakonet e krahinës së Gjirokastrës, etj. Po shqiptarët e tjerë që mbërritën në Brazil në një kohë me Hiqmetin, ku ndodhen dhe a janë ingranuar ata ndopak në jetën e atij shteti stërmadh? Lidhur me këtë, Hiqmeti tregon: “Tashmë pas kaq shumë vitesh nga mbërritja jonë në Brazil, nga 75 shqiptarët, kanë mbetur vetëm rreth 10 vetë. Të tjerët kanë vdekur një e nga një në kohë të ndryshme dhe familjet e tyre po e humbasin origjinën e tyre”, shprehet me keqardhje Hiqmeti.
3 korrik 1990, vëllai i Hiqmetit nga Shqipëria në Brazil!
Ndërsa Hiqmet Pollo jetonte që prej afër 20 vitesh në Mato Grosso të Brazilit, ai nuk kishte asnjë dijeni për familjen e tij që ndodhej në Shqipëri, të cilët ai i kishte lënë baltrave të fushave të Myzeqesë e kampeve të internimeve, që kur ai ishte larguar në vitin 1950. Edhe pse Hiqmeti shkruante rregullisht, për 20 vite me rradhë ai nuk mundi të marrë asnjë përgjigje se çfarë bëhej me familjarët e tij. Ngaqë familja nuk kishte marrë asnjë lajm për Hiqmetin, e mendonte të vdekur atë dhe nuk bëri më asnjë tentativë për të pyetur mbi fatin e tij. Por, në vitin 1971, kur regjimi komunist në Shqipëri lejoi një farë liberalizmi që u ndie disi edhe në “luftën e klasave”, familjes Pollo, i’u lejua t’ju vinë letrat që dërgonte djali i tyre nga Brazili. 20 vite më pas, më 2 korrik të vitit 1990, me hapjen e ambasadave në Tiranë, njëri nga vëllezërit e Hiqmetit, Fitimi, duke mos duruar dot jetesën e vështirë në të cilën ndodhej, u fut në ambasadën italiane dhe mundi të largohet bashkë me refugjatët e tjerë për në Itali, ku qëndroi për 22 ditë, në një nga ambientet e brendshme të ambasadës braziliane në Vatikan. Gjatë gjithë kësaj kohe, Fitimi mundi të lidhet me vëllain e tij, Hiqmetin, i cili nuk e pati të vështirë që t’i bënte atij dokumentet që duheshin. Këshu, pas disa ditësh, Fitim Pollo mbërriti në aeroportin e Matogrosos, ku e priste vëllai i tij që nuk e kishte parë prej 40 vitesh. Të dy vëllezërit, Hiqmeti dhe Fitimi, përloten kur kujtojnë atë takim dhe sidomos kur Hiqmeti mësoi prej vëllait, se të dy prindërit e tyre, tashmë nuk jetonin më…., pasi kishin ndërruar jetë, nga vështirësitë e jetës në barakat e internimit fushave të Myzeqesë. Fitimi qëndroi rreth tetë muaj si turist pranë vëllait të tij, Hiqmetit, duke shijuar të gjitha bukuritë e Brazilit dhe më pas u kthye në Shqipëri, ku kishte lënë familjen e tij dhe ku regjimi komunist tashmë ishte në grahmat e fundit
Viti 1994, Hiqmeti, konsull nderi i Shqipërisë në Brazil
Pas 44 vitesh emigrimi, në vitin 1994, Hiqmet Pollo, së bashku me familjen e tij, bashkëshorten italiane dhe dy vajzat e tyre, mundi të vijë për herë të parë në atdheun tij, nga ku ishte larguar vite më parë për shkak të rrethanave politike të familjes dhe gjendjes së mjeruar ekonomike ku ndodhej ajo. Pas shumë takimesh dhe ç’malljes me të afërmit, miqtë dhe vendin e tij, sin ë Gjirokastër etj.,ai u prit në një takim nga autoritetet zyrtare shqiptare të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, të cilët i komunikuan atij, se qeveria shqiptare e kryesuar nga kryeministri, Aleksandër Meksi, e kishte emëruar atë, Konsull Nderi në Brazil. Atë gjë, qeveria shqiptare e bëri pasi ajo nëpërmjet kanaleve zyrtare kishte marrë informacionet e nevojshme për punën tepër korrekte të Hiqmet Pollos dhe vlersimeve tepër positive të qeverisë federale të shtetit brazilian. Kështu në atë kohë, Hiqmeti ishte i vetmi përfaqësues zyrtar i qeverisë shqiptare në Brazilin e largët, ku jetonte një numër shumë i kufizuar shqiptarësh, të cilët ashtu si dhe emigrantët e tjerë nga shtete të ndryshme të botës, kishin edhe ata hallet, problemet dhe shqetësimet e tyre që I lidhte me vënin e origjinës.
Dy muaj në Brazil, për mbledhjen e ndihmave për Kosovën!
Me fillimin e bombardimeve të forcave aleate të paktit të NATO-s në Jugosllavi në marsin e vitit 1998, Hiqmeti thotë se ishte ndër të parët shqiptarë që jetonin në Brazil, që ishte I mirë informuar për ato çfarë po ndodhnin në gjysmën tjetër të atdheut të tij. Lidhur me këtë periudhë kohe, ai kujton” Sapo pashë në rrjete të ndryshme televizive avionët e parë që shkelnin në Shqipëri me ndihma humanitare për vëllezërit tanë kosovarë, menjëherë më vajti mëndja që edhe ne shqiptarët e Brazilit, të bënim diçka, sat ë mundnim, në ndihmë të tyre”. Kështu, pasi “bluan në kokë” planin e tij për fillimin e një fushate sensibilizuese në disa shtete të Brazilit, Hiqmeti njoftoi vëllain e tij në Gjirokastër, Fitimin, që të nisej menjëherë për në Brazil, (sipas garancisë që ai i kishte dërguar më parë), në mënyrë që ai ta ndihmonte në fushatën për mbledhjen e ndihmave dhe dërgimin e tyre në Shqipëri. Dy-tre ditë pas këtij njoftimi, Fitimi mbërriti përsëri në aeroportin e Mato Grosso, ku vëllai i tij, Hiqmeti, tashmë kishte filluar nga puna. Lidhur me këtë, ai tregon: “Puna e parë që bëra, ishte njoftimi q ëi bëra zyrtarisht Parlamentit të Shtetit të Mato Grosso, i cili menjëherë na ofroi një ndihmë të pakursyer. Pas kësaj, komunikova dhe u lidhe menjëherë me dy shoqata bamirse islamike që vepronin dhe kishin aktivitetin e tyre në Mato Grosso dhe San Paulo. Të dyja këto shoqata punuan me një përkushtim të madh për dy muaj me rradhë, duke mbledhur ndihma në veshmbathje dhe ushqime për Kosovën”. Kështu pas një pune sensibilizuese që bëri Hiqmeti në drejtim të fushatës së mbledhjes së ndihmave, ai tregon se pati një mbështetje jashtëzakonisht të madhe edhe nga ana e autoriteteve zyrtare braziliane, gjë të cilën as që e kishte menduar. Po kështu ai tregon se një ndihmë të madhe në këtë drejtim, dha edhe shtypi i shkruar dhe media elektronike vendase, e cila në çdo pesë minuta, në të gjitha trasmetimet 24 orëshe, jepte me titra siglën “SOS KOSOVO”.
Për 45 ditë, në Mato Grosso dhe San Paulo, mblidhen 104 ton ndihma për Kosovën
Pas kësaj, nga autoritetet zyrtare u muarr leja e veçante për vendosej e afisheve, posterave dhe banderolave sensibilizuese, të cilat u vendosën në qendrat e shteteve të Mato Grosso e San Paulos, ku banorët e tyre shkonin dhe dhuronin pako të ndryshme në ndihmë të refugjatëve kosovarë. Lidhur me këtë, Hiqtemi kujton: “Pas një pune jo më shumë se një muaj e gjysëm, ne mundëm të mblidhnin një sasi ndihmash prej 104 tonësh. Kur u nisëm me dy kamion të mëdhej nga Matogroso (shtet me një popullsi prej 1 milon banorë), për në San Paulo, ku do të merrnim ndihmat e tjera, në krye të kamionit të parë vumë një banderolë të madhe ku ishte shkruar: “FALEMINDERIT POPULLIT TË Mato Grosso” Maunet tona me ndihma shoqëronte Policia Rrugore me disa motoçikleta, deri sa ato mbërritën në destinacion, në San Paulo, ku ato u ngarkuan më një vapor të madh që do të udhëtonte në drejtim të portit helen të Selanikut. Për të gjithë këtë udhëtim, shpenzimet i morri përsipër Shoqata Bamirëse Kuvajtiane me qendër në Shqipëri. Pas kësaj, më datën 2 qershor 1998, anija me ndihmat u nis nga San Paulo dhe mbërriti në portin grek të Selanikut më datën 2 korrik”, kujton Hiqmeti lidhur me ndihmat humanitare që ai mundi të dërgonte nga Brazili I largët, për vëllezërit kosovarë. Pas njoftimit të mbërritrjes në portin e selanikut të vaporrit, Hiqmeti s ëbashku me vëllanë e tij, Fitimin, bënë të mundur sistemimin e tyre në katër kamionë të mëdhej, të cilat ata vetë i shoqëruan në drejtim të Shqipërisë, deri sa i sollën në Tiranë, pranë Shoqatës Bamirëse Kuvajtiane, e cila bëri shperndarjen e tyre në Kosovë, pas kthimit të refugjatëve kosovarë për në shtëpitë e tyre.
Vlersimi Hiqmet Pollos nga universitetet e Mato Grosso, San Paulos dhe Rio de Zhaneiro
E gjithë ajo punë kolosale që bëri Hiqmet Pollo në ndihmë të vëllezërve kosovarë, gjë e cila u pasqyrua gjerësisht nga media vendase, tërhoqi edhe vëmendjen e disa universiteteve e kolegjeve të ndryshme në Mato Grosso, San Paulo dhe deri në Rio de Zhaneiro, që e ftuan atë për të folur dhe për të dhënë leksione të ndryshme mbi histronë e Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat aty njiheshin shumë pak, për të mos thënë fare. “Studentët brazilianë dhe njerëz të ndryshëm nuk arrin të kuptonin dot dramën e madhe të kosovarëve dhe pyesnin se si ishte e mundur, që: emigrantët kosovarë që ishte shqiptarë, përziheshin me dhunë nga trojet e tyre etnike…”, kujtonte Hqmet Pollo, lidhur me mungesën totale të informacionit e njohjes që kishin për Shqipërinë dhe Kosovën në Brazilin e largët.
Të ngremë “urat” mes Brazilit dhe Shqipërisë
Në ditët e fundit të tij në Shqipëri, në ditët e para të korrikut 1989, kur Hiqmetit i kishin mbetur edhe pak orë qëndrimi në Shqipëri, pasi do të kthehej përsëri në Brazil, ai na tregonte se: ajon që kishte bërë, nuk ishte ndonjë gjë e madhe, para planeve dhe projekteve që ai kishte në të ardhmen në drejtim të “ngritjes së urave” në mes Shqipërisë dhe Brazilit. Kështu në këtë kuadër, Hiqmeti tregonte se kishte marrë kontakte me ambasadën shqiptare në Argjentinë (e cila mbulonte dhe Brazilin), duke takuar ambasadorin e asaj kohe, zotin Edmond Trako, nga i cili kishte gjetur një gatishmëri të plotë për planet e tij në të ardhmen. Po kështu, diku nga viti 1997, Hiqmeti kishte formuar në Brazil Shoqërinë Kulturore Brazil-Shqipëri, ku në ceremoninë e inagurimit të saj, kishin marrë pjesë plot 33 ambasador dhe diplomat të vendeve të ndryshme të botës të akredituar në Brazilin e largët. “Qëllimi im, është që kjo shoqatë kulturore të shërbejë si fillim për njohjen e vlerave kulturore të dy vendeve, deri në shkëmbime të ndryshme të artistëve e grupeve kulturore në mes tyre” shprehej Hiqmeti për shoqatën e porsakrijuar. Përveç kësaj, Hiqmeti tregonte se ai kishte nisur punën për të kontaktuar me biznesmenë dhe afaristë të ndryshëm të shtetit të Mato Grosso, me qëllim për t’I sjellë ata në një të ardhme në Shqipëri, ku ata të shikojnë mundësinë e investimit të kapitaleve të tyre. “Mos e shihni të pamundur këtë gjë”, shprehej Hiqmet Pollo, gjirokastriti me origjinë nga fshati Lazart, i cili, edhe pse plot 70 vite më parë, ishte cilësuar si “armik i popullit”, shprehej se për atdheun e tij, nuk do rreshte së punuari sa ta kishte frymën gjallë. /memorie.al/ KultPlus.com
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe forumZFD programi në Kosovë, në shënimin e 19 qershorit – Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt do të promovojë librin “Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë”.
Libri është përpjekje për të dokumentuar dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe jehonën traumatike që këto përvoja kanë në organizimin familjar, komunitar dhe shoqëror.
Përgjatë vitit 2020, QKRMT dhe forumZFD programi në Kosovë janë përfshirë në një proces hulumtues duke intervistuar dhjetë familjarë të të mbijetuarave të dhunës seksuale në luftë dhe dy burra të mbijetuar të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.
I përpiluar në formë rrëfimtarie të historive gojore, libri shqyrton implikimet e dhunës seksuale në luftë dhe drejtësinë sociale përmes tregimeve të burrave dhe grave, vajzave dhe motrave, që (bashkë)jetojnë dhe ballafaqohen me traumën, turpërimin dhe stigmën kolektive.
Dokumentimi i këtyre historive po ashtu synon të kontribuojë në diversifikimin e rrëfimit për luftën në Kosovë.
Një panel i përbërë nga njohës të kësaj çështjeje do të diskutojnë për mënyrat se si ekspozimi i tërthortë ndaj kësaj traume ndikon shoqërinë, të afërmit dhe familjarët. Diskutimi po ashtu shqyrton diskursin mbi dhunën seksuale si pjesë e një narracioni më të gjerë historik dhe politikave publike, etikën dhe rëndësinë e dokumetimit të përvojave të tilla.
Libri është i përgatitur në tri gjuhë dhe në fund te promovimit do të shpërndahen ekzemplarë falas!
Përgatitja dhe publikimi i librit mbështetet nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. /rtklive.com/ KultPlus.com
Shtëpia e elitës së Hollivudit, mikpritës i udhëheqësve të panumërt të botës dhe vendi i ngjarjeve të famshme kulturore dhe galave, ‘’Waldorf’’, ka qenë një fener i magjepsjes së përjetshme të New York-ut, për gati një shekull.
Për të festuar vitin e saj të 90-të të ndërtimeve, pika referuese e ‘’art deco’’, përfunduar fillimisht nga firma e arkitekturës ‘’Schultze’’ më 1931, tani u ofron blerësve potencialë mundësinë e parë për të pasur një vendbanim brenda kullave të ‘’Waldorf Astoria’’.
Kur “Waldorf” u hap në rrugën e parkut më 1931, ishte hoteli më i madh dhe më i gjatë në botë. Të famshëm nga Sinatra e deri tek Ella Fitzgerald, u dyndën në “pallatin jozyrtar”, të New York-ut në vendin ku organizuan ngjarje të tilla si Princi Rainier III i Monakos dhe fejesa e Grace Kelly, e deri te Barack Obama.
Duke zënë një bllok të plotë të qytetit, ndërtesa prej guri gëlqeror dhe tulla karakterizohet nga masivizimi, emblematike e arkitekturës ‘’art deco’’ dhe kurorëzohet me një palë kullash dalluese.
Më 1993, komisioni i ruajtjes së monumenteve të qytetit të New York-ut, përcaktoi pjesën e jashtme si një pikë referimi të qytetit. Dy dekada më vonë, një seri e hapësirave të saj të brendshme publike, nga holli kryesor dhe korridoret përreth në shumë nga hapësirat sipër, u shënuan gjithashtu si të tilla.
Aktualisht, prona është në mes të një restaurimi të paparë me 1 miliard dollarë, të ndërmarrë nga firma e arkitekturës ‘’SOM’’.
Projekti përfshin shndërrimin e 1,400 dhomave të mysafirëve në 375 shtëpi rezidenciale (duke filluar me 1,8 milion dollarë) dhe 375 apartamente hoteli luksoz me 100,000 metra katrorë, komoditetet e hotelit dhe 50,000 metra.
Kompania ‘’SOM’’, kishte për detyrë të orkestronte restaurimin kompleks, duke punuar së bashku me projektuesit dhe ruajtësit për të respektuar qëllimin origjinal të dizajnit, ndërsa modernizonte sistemet e ndërtimit.
Duke iu afruar këtij transformimi historik, ekipi ishte i vetëdijshëm për rolin e tyre si ruajtës të trashëgimisë së saj, si i tillë, fotografitë historike dhe planet e dyshemesë drejtuan restaurimin, duke zbuluar detaje nga modeli origjinal që kishin humbur me kalimin e kohës.
Gjatë gjithë kohës, një kujdes i jashtëzakonshëm iu dha për të rivendosur artefaktet unike të hotelit, duke përfshirë shpirtin e statujës së arritjeve që zbukuron hyrjen e rrugës së parkut.
Puna e ‘’SOM’’ më në fund sjell në jetë vizionin origjinal të arkitektëve, një tipar i cili më vonë u shtua për të siguruar ndriçim shtesë, në zbulimin e medaljonit qendror të tavanit nga 1931.
Të gjitha këto hapësira do të unifikohen nga ndriçimi i lehtë, i ambientit, dikur një nga shenjat dalluese të brendshme.
Kur të përfundojë, rinovimi dhe restaurimi, ndërtesa do të rimarrë madhështinë mitike të Waldorf. Kjo ndërtesë, është besnike ndaj trashëgimisë dhe shpirtit të njërit prej shembujve më të mirë të arkitekturës ‘’art deco’’, të New York-ut, e cila është planifikuar të përfundojë më 2023. / Konica.al / KultPlus.com
Shumë njerëz e njohin historinë e Pied Piper of Hamelin, megjithatë, pak e kuptojnë se historia bazohet në ngjarje të vërteta, të cilat u shndërruan në vite në një përrallë për të trembur fëmijët.
Për ata që nuk e njohin këtë përrallë, Pied Piper of Hamelin interpretohet në qytetin Hamelin më 1284, Gjermani. Ky qytet, po përballej me një infektim me minj dhe u shfaq Piperi, i cili premtoi të hiqte qafe minjtë në këmbim të një pagese, për të cilën banorët e qytetit ranë dakord.
Megjithëse, Pied Piper i shpëtoi nga minjtë duke i larguar me muzikën e tij, por njerëzit e Hamelinit u tërhoqën pas premtimit të tyre. Gazsjellësi i tërbuar u largua, duke u zotuar për hakmarrje. Më 26 korrik të po atij viti, Piperi u kthye dhe i drejtoi fëmijët larg, për të mos u parë më kurrë, ashtu si bënë minjtë.
Sidoqoftë, një ose tre fëmijë u lanë pas, varësisht se për cilin version thuhet. Njëri nga këta fëmijë çalonte dhe nuk mund të vazhdonte, një tjetër ishte i shurdhër dhe nuk mund të dëgjonte muzikë, ndërsa i treti ishte i verbër dhe nuk mund të shihte se ku po shkonin fëmijët e tjerë.
Regjistrimi nuk tregon minj
Regjistrimi më i hershëm i njohur i kësaj historie është nga vetë qyteti Hamelin. Është përshkruar në një dritare me njolla të krijuara për kishën e Hamelin, e cila daton rreth vitit 1300 pas Krishtit. Edhe pse u shkatërrua në vitin 1660, disa llogari të shkruara kanë mbijetuar. Më e vjetra vjen nga dorëshkrimi i Lueneburgut (c 1440 – 50), i cili thoshte:
“Në vitin 1284, në ditën e Shenjt Gjonit dhe Palit më 26 qershor, nga një njeri misterioz, i veshur me shumë lloje ngjyrash, 130 fëmijë të lindur në Hamelin u joshën dhe humbën në vendin e ekzekutimit”.
Një fillim të vitit 1384 në regjistrat e qytetit Hamelin gjithashtu thotë me zymtësi, “Janë 100 vjet që kur fëmijët tanë u larguan”.
Rruga e supozuar ku fëmijët janë parë për herë të fundit sot quhet Bungelosenstrasse (rrugë pa daulle), pasi askush nuk lejohet të luajë muzikë ose të kërcejë atje. Rastësisht, thuhet se minjtë mungonin në llogaritë e mëparshme, dhe vetëm i shtuan historisë rreth mesit të shekullit të XVI-të. Për më tepër, dritarja e qelqit me njolla dhe burimet e tjera kryesore të shkruara nuk flasin për murtajën e minjve.
Çfarë ndodhi realisht në Hamelin?
Nëse zhdukja e fëmijëve nuk ishte një akt hakmarrjeje, atëherë cili ishte shkaku i tij për veprimet e Pied Piper? Ka pasur teori të shumta që përpiqen të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me fëmijët e Hamelin.
Një teori sugjeron që fëmijët vdiqën për disa shkaqe natyrore, dhe se Pied Piper ishte në të vërtetë një personifikim i vdekjes. Është sugjeruar që fëmijët ishin viktima të asaj murtaje. Megjithatë, Vdekja e Zezë ishte më e ashpër në Evropë midis viteve 1348 dhe 1350, më shumë se gjysmë shekulli pas ngjarjes në Hamelin.
Një teori tjetër sugjeron që fëmijët në të vërtetë ishin dërguar nga prindërit e tyre, për shkak të varfërisë ekstreme në të cilën po jetonin. Megjithatë, një tjetër teori spekulon se fëmijët ishin pjesëmarrës të një “Kryqëzate Fëmijësh”, të dënuar dhe mund të kishin përfunduar në Rumaninë e ditëve moderne.
Ekziston gjithashtu sugjerimi që largimi i fëmijëve të Hamelin të lidhet me Ostsiedlung, në të cilin një numër gjermanësh lanë shtëpitë e tyre për të kolonizuar Evropën Lindore. /ancient/ KultPlus.com
Baritoni shqiptar me famë ndërkombëtare Gëzim Myshketa ishte i ftuari i emisionit të pasdites “Rudina” në Tv Klan. Baritoni i mirënjohur sapo ka realizuar një album antologjik me disa nga këngët më të bukura shqiptare, të lidhura së bashku në një libër me 70 faqe, ideja fillestare e të cilit ishte një libret, përcjell KultPlus.
“Ta dish” titullohet vepra që shënon një moment të rëndësishëm të baritonit me famë ndërkombëtare që përveç këngëve, përmban edhe historinë e secilës prej tyre. Eventi prezantues i organizuar ditën e djeshme mblodhi emra të rëndësishëm të artit dhe njerëz të afërt të tij.Gëzim Myshketa tregon edhe filozofinë që qëndron pas këtij projekti, i cili nuk lidhet aspak me tregun komercial muzikor dhe është art i pastër, i pa ndikuar të cilin e ka realizuar me shumë dëshirë e pasion për të kontribuar në art. Albumi libër përmban një përzierje të këngëve të ndryshme të disa prej trevave shqiptare.
Gëzim Myshketa:Fjala “treg, komerciale” nuk ekziston fare dhe nuk e kam menduar në asnjë moment. Kjo ëhstë thjesht një dëshirë, një pasion i imi, një kontribut i imi. CD-ja mbase do të riprodhohet, nuk është fare çështje shitjesh, unë dua ta prodhoj me ndihmën e financuesve që do të kenë mundësi të na ndihmojnë siç kanë bërë, por dua thjesht që të arrijë kënga jonë, e shpluhurosur, e pastër, me një kostum të ri dhe pse jo të mbetet një incizim i shumë e shumë pjesëve shqiptare me zërin tim. Kënaqësia më e madhe kur bën një disk të tillë është se nuk je fare i kufizuar, e bën ashtu siç e ndien, sepse për asnjë moment nuk ke idenë “obobo po të rinjtë a do e pëlqejnë?, po tregu sot?”, normalisht mundohesh të sjellësh një prodhim artisitk që të pëlqehet sa më shumë, patjetër, por duke mos patur problemin e shitjeve, ti bën atë çfarë ndien dhe kjo duket, shihet dhe dëgjohet në album.
Rudina Magjistari:Në lidhje me përzgjedhjen e këngëve, sa kohë të është dashur dhe a ka diçka për të na rrëfyer lidhur me to?
Gëzim Myshketa:Ka lindur shumë natyrshëm, disa nga këto këngë janë më domethënëse, përfaqësuese si “Luleborë”, “O moj korçare” etj. Nuk kam bërë ndonjë përzgjedhje specifike, ishte një listë të cilën kisha dëshirë ta këndoja dhe pak a shumë duke patur dëshirën të preknim treva të ndryshme pasi kemi nga Veriu, Jugu e Shqipëria e Mesme, por që të bësh të gjithë këngët shqiptare është e vështirë sepse mungon Kosova, arvanitasit e treva të tjera dhe qëllimi në volumin e dytë është të fusim pjesë të tjera të këtij lloji. /tvklan.al/ KultPlus.com
Diskutimi mbi ndërlidhjen e pasurisë me lumturinë, ndër më të zakonshmit në historinë e njerëzimit. “Paratë, nuk të bëjnë të lumtur”, thonë disa. “Po, por nuk mund të jesh i lumtur, as pa to”, përgjigjen të tjerë.
Por, tanimë një universitet amerikan ka vendosur të saktësojë shifrën ideale, sipas tyre, me të cilën një person mund të ndihet i lumtur, kudo në botë, nga Japonia në Francë, nga Italia në Australi.
Sipas universitetit “Purdue” në SHBA, kjo shifër është ajo e 95 mijë dollarëve në vit ose rreth 80 mijë euro. Shifra mendohet normalisht neto, si dhe pa taksa, transmeton KultPlus.
Për të arritur në këtë rezultat, studiuesit kanë marrë parasysh të dhënat e mbledhura nga shoqëria prestigjioze “Gallup”, që ka pyetur rreth 1.7 milionë persona nga 15 vjeç e lart, në 164 vende të ndryshme të botës.
95 mijë dollarët mjaftojnë për të plotësuar nevojat bazike kudo në botë, si një shtëpi të mirë, përballimi i qetë i shpenzimeve dhe një jetë dinjitoze.
Studiuesit evidentuan se, shifra më të larta sjellin problematika të ndryshme, me dëshira artificiale që nuk përbëjnë lumturinë vërtetë. Pra, do të ishte më e arsyeshme të mos tejkalohej kjo shifër, nëse dëshironi një jetë e lumtur…
Sipas studimit, gjinia nuk përbën ndryshim të madh në këtë rezultat, më domethënës është niveli i edukimit, pasi personat me edukim më të lartë kanë një kënaqësi më të madhe, kur arrijnë një standard ekonomik të tillë, duke u ballafaquar me një shtresë sociale me të ardhura të përafërta. / KultPlus.com
Kosova është radhitur në top 10 vendet e para në botë sa i përket bamirësisë, përcjell KultPlus.
Sipas raportit të WGI, Kosova kësaj radhe ka zënë vendin e 9’të për nga vendet më bamirëse në botë.
Shumica e vendeve perëndimore të cilat zakonisht zinin 10 vendet e para kanë rënë në renditje, ka të ngjarë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kosova radhitet pas Indonezisë, Kenisë, Nigerisë, Miamarit, Australisë, Ganës, Zelandës së Re dhe Ugandës, duke lënë mbrapa vendet më të pasura të perëndimit.
Kosova në anën tjetër, është radhitur në vendin e 5’të sa i përket dhurimit të parave për nga shtetet, duke lënë kështu mbrapa vetës vende si Britania e Madhe, Holanda e Zelanda e Re. / KultPlus.com
Ata janë po kaq të ngjashme sa dhe unike në veçantinë e tyre. Janë dy gra të ndryshme që piktori i ka derdhur në një përsosmëri të idealizuar alegorike të melankolisë, e cila në një vështrim të imët, të lejon të kuptosh se njëra plotëson tjetrën dhe të dyja ravijëzojnë atë tension shtypës që yshti shpirti i lënduar, për ti zhveshur këto personazhe nga pamja e zakontë, dhe për t’i veshur ato me një melankoli të trishtë dhe drithëruese.
Ne nuk mund ta kuptojmë nëse ishte shpirti i tyre që vuante, gruaja tek këto dy pozuese është i tillë që nuk mund ta fshehi trazimin, aq sa në pikëllon edhe sot pas kaq vitesh… apo është piktori, i cili ka “viktimizuar” këto dy gra të gjora, për ti treguar botës dhe përjetësisë, se diçka e lëndonte, anija e tij e derhur përjetimit, puskonte në një det të trazuar dhimbjeje.
Hayez Francesco është një artist i suksesshëm i njohur në të gjithë Italinë në gjysmën e parë të shekullit XIX. Ai u tregoi të gjithëve aftësinë e tij të spikatur si piktor, e cila i lejoi atij të marrte detyra edhe nga klientë shumë të pasur. Punët e tij janë të tematikës historike dhe mitologjike, në to dallon fryma realiste dhe shprehshmëria e idealizuar e ngjarjeve dhe legjendave, të cilat ai solli në jetë për t’i bërë “të vërteta” dhe të pavdekshme. Por ato që arrijnë të nxjerrin në pah gjithëçfarë fshihet brenda atij trupi të ndjeshëm dhe peneli të ngopur ngjyrash dhe drite, veçanërisht janë tablotë e grave.
Hayez Francesco ishte i vetëdijshëm sakaq për rritjen e popullaritetit të tij. Ai vendos për të realizuar pikturat, të cilat kanë brenda tyre elementeve romantike dhe vartësinë njerëzore të ofruar me kaq brishtësi dhe ndijim si në një marrëdhënie. Është pikërisht kjo qasje përjetuese që i solli atij frymëzimin për krijimin e tablove nën një emër dhe në dy shtjellime estetike me të përbashkëta dhe të veçanta e “Melankolisë”.
Francesco Hayez
“Melankolia” është një krimin alegorike. Duhet ta dini se në vitet, në të cilat lindi kjo vepër, Hayez ka punuar me ngulm në shumë kanavaca me protagoniste femra. Pikërisht kjo pozitë mund t’i ketë krijuar gradualisht ose në një moment shkrepëtitës idenë e melankolisë, e vizualizimit dhe realizimit estetik të kësaj gjendjeje.
Gratë janë vetëm në këtë spovë shprehjeje përballë piktorit, të dyja janë të mbështetura në anën e djathtë, ndërkohë që pozicioni i duarve ka në secilën nga pikturat një veçanti specifike. Në njërën prej grave, njëra dorë kap tjetrën, ndërkohë që tek tjetra ku melankolia është më e trishtë dhe reflekton një gjendje më të mbingarkuar emocionale, duart janë të shkrehura në një pamundësi për tu përfshirë në asnjë tendosje dhe veprim. Është kjo tablo që në ndryshimet themelore të saj të shprehisë melankolike që artistikisht sjell edhe nëpërmjet fytyrës, të cilën mjeshtri e tonalizon me kolorit të fortë dhe e kompozon kaq pikëllueshëm në atë kumtim.
Sfondi ka ngjashmëri ashtu si dhe personazhet, pozicioni i grave në të dy tablotë, gjithashtu ka të njëjtën qasje. Të dyja mbajnë në qafë kryqe që zgjatojnë deri në qendër të gjoksit si një element jo vetëm i besimit, por edhe i dëlirësisë, pastërtisë dhe devocionit, që secila nga ata ka në detyrën e saj si grua, si nënë, si bashkëshorte. Pavarësisht se veshja e tyre është joshëse dhe deri diku ngasëse në feminilitetin që qëndron varur në këtë gjendje të platitur nga melankolia, piktori nuk harron se ato janë gra, ato janë ai kompleksitet shpirtëror i gjendjes, që del prej tyre për t’u bërë shprehje estetike, të cilën mjeshtri është kujdesur ta përcjellë me shumë finesë dhe klas.
Gjendjen e këtyre grave piktori e përcjellë edhe nëpërmjet luleve, të cilat kanë pak dallim nga njëra-tjetra, por që kanë si të përbashkët një gjendje dorëzimi të freskisë së tyre. Trëndafilat dhe karajfilat janë kokulur, gati ti jepen një lveshkjeje, si dëshmi e kuadrit pikëllues. As ato nuk gëzojnë siç nuk munden që edhe këto gra të jenë më shumë se melankolike dhe dhembshurisht të ndjeshme. /albertvataj/ KultPlus.com
Në shikim të parë, punimet e Emanuele Dascanios duken sikur të ishin fotografi. Mirëpo, ky mendim ndërron sapo sheh artistin italian që merr lapsin në dorë dhe nis të vizatojë, duke shfaqur kështu aftësitë e tij të jashtëzakonshme artistike.
Portretet që ai realizon, disa prej të cilave i kanë marrë kohë deri në 780 orë për t’i përfunduar, përmbajnë një kombinim të grafitit dhe qymyrit, për të sjellë kështu kompozime hiperrealiste, përcjell KultPlus.
Dascanios shquhet për portretizim aq të detajuar sa që nuk harron të paraqesë çdo fije të flokut e çdo rrudhë, duke të dhënë përshtypjen se pamja është shkrepur nga aparati fotografik, shkruan My Modern Met.
Edhe pse puna e Dascanios është bashkëkohore, ajo përmban edhe elemente klasike. Subjektet që portretizohen nga dora e tij, ngjajnë me pikturat e Caravaggio, artistit të njohur të shekullit të 16-të.
Piktori italian Gianluca Corona, i ka mësuar atij teknikat e vajit të mjeshtrave të vjetër që punonin gjatë Rilindjes. Që atëherë Dascanio i ka përkthyer këto aftësi në vepra monokromatike që padyshim mashtrojnë syrin me saktësinë e tyre ekstreme. / KultPlus.com
Animacioni “Clara me mustaqe” me skenar dhe regji të Ilir Blakçorit ka triumfuar në festivalin francez “Annecy International Animation Film Festival”, që njihet si njëri prej festivaleve më të mëdha të animacionit në botë. Ka marrë “Çmimin e qyteti Annecy” (City of Annecy Award”.
“Annecy International Animation Film Festival” është themeluar në vitin 1960 dhe mbahet në Annecy të Francës. Fillimisht mbahej çdo dy vjet e prej 1998-s u bë i përvitshëm në qytetin që njihet si “Perla e Alpeve Franceze”, është një nga ngjarjet kryesore.
Në Festivalin e kategorisë A, “Clara me mustaqe” ishte pjesë e kategorisë “Perspectives Short Films in Competition” në kuadër të këtij edicioni të 60-të që mendohet të mbahet në formatin hibrid.
Në fokus të animacionit është kartëmonedha 100 marka gjermane, ku vërehet portreti i bukur i Clara Schumanit. Kompozitorja dhe mësuesja e pianos është një ndër pianistet më të njohura gjermane të periudhës së romantizmit. Gjatë animacionit, era e lehtë që fryn e dërgon kartëmonedhën gjetkë nëpër vende të ndryshme. /koha/ KultPlus.com
Ti s’më do? S’të dhimbsem sado pak? … Nuk ta mbushkam syrin, apo si? Prapseprapë, ndizesh e merr flakë, Tek shtërngohesh supeve të mi.
Mike epsh e tëra , lajka s’dua, As i vrazhdë nuk të sillem dot. Veç me thuaj, sa kështu si mua, Puthur e shtërnguar ke gjer sot!
Unë e di, të gjithë hije u bënë Dhe s’ta shuan zjarrin pa mbarim. Prehër pa u ulur ti s’ke lënë, Siç po rri tani në prehërin tim.
Dhe në këto çaste, ndonjë tjetër, Sjell ndërmend ti, syçkat tek pulit. Mos pandeh se po mërzitem tepër. Tjeterkënd e kam dhe unë në shpirt.
S’eshtë fat kjo lidhje mëndjelehtë, Po një flakë çasti. Veç ta dish, Siç të njoha rastësisht i qetë, “- Mirëmbetsh!”, – do të të them sërish.
Edhe ti do marrësh udhën tënde, Do bësh pluhur ditën plot mërzi, Veçse, mos lakmo t’i prishësh mendjen, Kujt s’ka njohur puthje e dashuri.
Krah për krah me ndonjë tjetër djalë, Udhës kur të shkosh ti, ku ta dish, Ndoshta, edhe unë do të kem dalë Për shëtitje, e shihemi sërish!
Ti më fort pas tjetrit do të ngjeshesh Dhe me kryet ulur, ftohtësisht, “- Mirëmbrëma!” – do më pëshëndesësh, Ndërsa unë: “- Mirëmbrëma Miss!”.
Dhe asgjë nuk do më turbullojë, S’do më dridhet shpirti për asgjë! Kush ka dashur, s’mund të dashurojë! Kush është djegur, s ‘mund të digjet më!/ KultPlus.com
Kanë kaluar 533 vjet nga themelimi i komunitetit Arbëresh në Horën e Arbëreshëve. Data e raportuar nga Kapitujt e Fondacionit është ajo e 30 gushtit 1488.
Vetë Pieropaolo Pasolini, gjatë një konference të mbajtur në Leçe në tetor 1975 mbi marrëdhëniet midis shkollave dhe pakicave gjuhësore, përcaktoi atë të arbëreshës një mrekulli antropologjike që duhet ruajtur, për më shumë se gjysmë mijëvjeçari, identiteti i tyre specifik, gjuha dhe riti grek në primis.
Të mërguarit shqiptarë të larguar nga Ballkani për shkak të përparimit të Perandorisë Osmane, arritën në Siçili në territoret që i përkisnin Kryepeshkopit të Monreale. Prandaj arbëreshët duhej të negocionte me Mons. Nicolao Trulenchi, Guvernator i Kryepeshkopatës dhe Prokurori i Përgjithshëm i Card D. Giovanni Borgia, për të marrë koncesionin e feudomave, akti përfundimtar i të cilit, gjithashtu përfshin Kapitujt Themelues të Komunës së re, dhe është përcaktuar nga noteri Nicolò Altavilla dhe është aprovuar nga palët më 30 gusht 1488 në Monreale.
Historia
Arbëreshët që morën pjesë në atë akt ishin: Giovanni Barbato, Pietro Bua, Giorgio Golemi, Giovanni Schirò, Giovanni Macaluso, Tommaso Jani, Antonio Troja, Matteo Mazza, Teodoro Dragotta, Giorgio Burlesci, Giovanni Parrino, Giorgio Ipsari, Giovanni Br Canniti .
Shqiptarëve të Siçilisë iu besuan çifligje të mëdha sipas koncesioneve të veçanta dhe private dhe, vetëm më vonë, kur ndonjë parashikim i kthimit u bë i pamundur, u mendua të stabilizonte praninë e tyre në ishull duke nënshkruar 16 Kapituj të Fondacionit.
Si përmbledhje, shqiptarëve iu dha privilegji për të jetuar sipas ligjeve dhe zakoneve në fuqi në qytetin Monreale: Kryepeshkopi dha 15 pjesë toke për mbjellje dhe 800 të tjera në mënyrë që arbëreshët të mund të ndërtonin shtëpitë e tyre; të ishin në gjendje të lëviznin lirshëm me armë dhe të largohet nga vendi i dhënë atyre pa asnjë dënim. Ata ishin gjithashtu në gjendje të ruanin kultin e tyre i cili bazohej në ritin grek; bluaj grurin në mullinj (Jato dhe Malvello) të Dioqezës së Monreale, pasi ata nuk mund të ndërtonin një pa lejen e Kryepeshkopit.
Por, në fund të tre viteve, ata nuk kishin parashikuar as ndërtimin e shtëpive të tyre ose kultivimin e tokës, dhe arbëreshët ishin të detyruar të braktisnin feudet e dhëna.
Ajo e shqiptarëve të Italisë është një histori e shkëlqyer e integrimit, pasi ata kanë treguar se dialogu, shkëmbimi kulturor dhe bashkëjetesa paqësore e popujve të ndryshëm është i mundur. Sidoqoftë, ishte një periudhë në të cilën shqiptarët themelues të Horës nuk dëshironin, menjëherë, të rrezikonin që kultura e tyre të ishte “ndotur” nga ajo e ishullit dhe në vitet e para të themelimit të kolonisë së tyre (1488), ata i ndalonin hyrjen njerëzve nga qendrat e tjera fqinje.
Arbëreshët nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se theksojnë ndryshimin e tyre krahasuar me komunitetet e tjera siciliane sepse ata përdorin simbole dhe rituale të ndryshme, por mbi të gjitha gjuhën e cila është elementi që shfaqet drejtpërdrejtë. Ekskluzivisht një herë në vit, gjatë pesë ditëve të festimeve për nder të Virgjëreshës, arbëreshët lejonin hyrjen e siçilianëve.
Vetëm nevoja për fuqi punëtore bëri një përjashtim autarki kulturore dhe lejoi disa familje për të lëvizur në Horë me detyrimin, megjithatë, për të mësuar gjuhën dhe për të miratuar zakonet dhe ritin fetar.
Në fillim, pra, ajo që i lejoi arbëreshët të ruanin zakonet e tyre kulturore ishte një lloj mbylljeje ndaj tjetrit. Marrëdhënia me tjetërsinë, e përfaqësuar nga kultura siçiliane, bëhet e domosdoshme vetëm kur është thelbësore të hapet sepse ekziston nevoja për fuqi punëtore.
Prandaj, identiteti kolektiv ka lejuar përcaktimin e kufijve të grupit arbëresh, domethënë, për ta identifikuar atë dhe për ta dalluar nga komunitetet e tjera në tokën siçiliane dhe për të ndërtuar një të tashme të rrënjosur në një të kaluar nga e cila të nxjerrë të ardhmen. Prandaj, sfida e vërtetë e arbëreshëve sot është të mbetet e tillë duke privilegjuar dialogun, shkëmbimin kulturor dhe respektin për kulturat e tjera./mariocaliva/ KultPlus.com
Dren Abazi ka publikuar këngën e tij më të re që mban titullin ”Hana”.
Abazi njihet për zërin e tij të veçantë dhe tekstet që i flasin dashurisë shumë më ndryshe nga tekstet që jemi mësuar t’i dëgjojmë kohët e fundit, shkruan KultPlus.
Teksti, muzika dhe orkestrimi i këngës është realizuar nga vetë këngëtari, ndërkaq orkestrimi frymor nga Brikel Guga, kurse inçizimi dhe miksimi është bërë nga Samer Agolli.
Më poshtë gjeni videon dhe tekstin e plotë të këngës.
Sonte nuk po flija as andrra nuk po shihja Shpirti më tha: pi Në shtratin e vjetër i kthyer n’krahun tjetër Nuk do gjesh lumtuni
A thu çdo rrugë që di unë më çon prapë te ti Sa vera do kalojnë, sa gjatë do mbajmë mëri
Sepse ti e di shumë mirë, asgjë tjetër veç t’vërtetën Hape zemrën tande t’lirë dhe asnjëherë s’do jesh më vetëm
Ref: Hana, sonte është natë me hanë Gjithçka du është të të kem ty pranë Gotat shkojnë e vijnë, por kambët mbajnë Hana, hana, hanë
Edhe kjo marrëzia, më ndjekë pas si hija Do që t’ngremë dolli Nata flet me vepër, unë pa gojë kam mbetur Ma jep tënden ti. / KultPlus.com
Dy vepra korale të jashtëzakonshme shqiptare si “Erdh Misiti” dhe “Shkoi e vij fluturim si zogu”, sot u interpretuan nga Kori i Filharmonisë së Kosovës në Kino Armata, me rastin e kthimit të një kujtimi për personalitetin që vuri themelet e artit në Kosovë, Fahri Beqirin, i cili vdiq muajin e kaluar duke lënë pas vetes muzikën e familjen e tij me kujtime të veçanta nga kontributi i tij në promovimin e vlerave muzikore autoktone dhe ngritjen e tyre në nivel të lartë artistik, shkruan KultPlus.
Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre në karrige, Kori i Filharmonisë së Kosovës u shfaq me veshje të zeza dhe u shoqërua me një heshtje absolute teksa ata dilnin në skenë një nga një. Një errësirë që bashkëpunonte me dritat e bardha sipër skenës të cilat fokusoheshin mbi secilin anëtarë të Korit, vinin në pah lëvizjet e tyre kur ata performuan në mënyrë mahnitëse dy veprat e njohura shqiptare.
Veprat si: “Erdh Misiti” dhe “Shkoi e vij fluturim si zogu” të Fahri Beqirit, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, u interpretuan në skenë për të nderuar figurën e kompozitorit të shquar shqiptar dhe ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, i cili vdiç në moshën 85 vjeçare, e i cili i ka dhënë frymë krijimtarisë simfonike kosovare e shqiptare në përgjithësi. Andaj, këto dy vepra pothuajse përqafonin dhimbjen e familjarëve të pranishëm duke i rrethuar ata komplet me zëra që jehonën e tyre e futën direkt në brendësinë emocionale njerëzore të publikut.
Ndërkohë, pas performimit të tyre që pasoi me duartrokitje të shumta, për të biseduar tutje rreth jetës muzikore në Kosovë që është gjallëruar nga aktivizimi i pashoq i Fahri Beqirit, të pranishëm ishin: kompozitori, dirigjenti e drejtori i Filharmonisë së Kosovës Baki Jashari, kompozitori dhe etnomuzikologu Vasil Tole dhe muzikologja Rreze Kryeziu.
Një projektor që vazhdimisht shfaqte fotografi të Beqirit, një tavolinë, tri karrige dhe tri zemra njeriu ishin të mjaftueshme për shpalosjen e humbjes së madhe në aspektin e muzikës klasike dhe asaj popullore shqiptare ku nën moderimin e Dardan Selimaj, u flit për fanatizmin e Beqirit dhe dominimin e veprave të tij që ngërthejnë në vete vlera antologjike.
“Fahri Beqiri ishte i gjithë neve, i gjithë popullit shqiptar. Vdekja e tij është një humbje e madhe për artin muzikor kosovar dhe kontributi i tij voluminoz përfshin tri fusha bazike të zhvillimit të muzikës artistike në Kosovë si: krijimtaria e tij origjinale në muzikën simfonike, kamorale, korale e solistike, fusha pedagogjike si dhe angazhimi në zhvillimin e muzikës së mirëfilltë popullore”, thotë Jashari.
Sipas tij, përmes punës të jashtëzakonshme e të palodhshme të Beqirit, ai ka arritur të themeloi e të udhëheqë shumë ansamble e festivale të ndryshme në mbarë vendin ku ai do të mbahet mend për punën e tij kolosale në fushën pedagogjike dhe ndikimin e fuqishëm të tij në krijimin e shumë brezave profesionistë.
“Personaliteti i tij ka peshë dhe rëndësi të veçantë dhe vlen të theksohet angazhimi i tij afatgjatë në përgatitjen e parakushteve në tërë vertikalin e sistemit arsimor muzikor, ndërsa ndërlidhja me Filharmoninë në anën tjetër është kujdesur në vazhdimësi për interpretimin e veprave të Beqirit, të cilat zënë vend të rëndësishëm në trashëgiminë muzikore kombëtare”, thotë Jashari.
Për Jasharin, veprat kolosale të Beqirit, konsiderohen vepra të muzikës artistike kombëtare dhe nuk është e rastësishme që përpunimi i këngës popullore ‘Shkoi e vij fluturim si zogu’, është interpretuar sot, për arsye se kjo vepër zë vend në antologjinë e muzikës korale evropiane të botuar në vitin 2007.
“Nuk ishte rastësi që pikërisht vepra ‘Shkoi e vij fluturim si zogu’, një ikonë e muzikës simfonike kosovare, ka zënë vend qendror në koncertin e madh festiv të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës. Andaj, Filharmonia e Kosovës do ta përkujtojë Fahri Beqirin për ardhjen e tij të rregullt në koncerte me këshillat e tij dashamirëse”, përfundon Jashari.
Ndërkohë, një mesazh virtual nga Tirana erdhi nga kompozitori e etnomuzikologu Vasil Tole, i cili kryesisht përkujtoi Fahri Beqirin duke e nderuar figurën e tij dhe cilësuar krijimtarinë e tij si një krijimtari unike e shtrirë në trevat shqiptare. Ndërsa, muzikologja Rreze Kryeziu, në mënyrë kronologjike ka folur rreth krijimtarisë artistike të Beqirit.
Po ashtu, moderatori bëri të ditur se momentalisht e gjithë krijimtaria e Beqirit është përmbledhur në një CD, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe së shpejti do të jetë në dispozicion të publikut pasi që projekti ende nuk është konkretizuar.
Kështu krejt në fund, për të përmbyllur këtë ngjarje, në emër të Fakultetit të Arteve është ndarë një mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të Beqirit nga dekani i Fakultetit të Arteve, Drinor Zymberi.
Fahri Beqiri, drejtues festivalesh e institucionesh si dhe profesor, ka vdekur me datë: 18.05.2021. Kompozitori i veprave korale si: ”Erdh Misiti”, ”Migjenit”, ”Kënga e rinisë”, ”Madrigali i Ibrit plak”, ”Moj e mira”, ”Shkoj e vij flutrim si zogu”, këngë këto të cilat i gjejmë edhe në repertorin e zhanreve të tjera muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre.
Puna e tij pedagogjike, artistike dhe krijuese, është dekoruar me dhjetëra mirënjohje komunale, krahinore, federative dhe së fundmi është nderuar me medaljen Presidenciale të meritave si dhe çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”. / KultPlus.com