Një homazh për ‘Nënën Natyrë’, foto mahnitëse nga bota e egër

Një sërë imazhesh nga natyra dhe bota e egër, janë përmbledhur në një libër nga fotografi dhe fituesi i shumë çmimeve, Marsel van Oosten.

Libri përmban më shumë se 200 imazhe të peizazhit dhe jetës së egër që Marsel ka kapur gjatë 15 viteve të fundit në Afrikë, Amerikë, Azi, Evropë dhe Antarktik.

Në hyrje të librit, ai shkruan: “Ky është një homazh për Nënën Tokë. Ne të gjithë kemi një lidhje primare me nënën tonë, dhe ngjashëm me Nënën Tokë. Të gjithë jemi të lidhur me të. Por ajo është nën kërcënim serioz dhe ka shumë nevojë për mbrojtjen tonë”.  

Në fotogalerinë e mëposhtme gjenden disa nga fotografitë më të famshme të tij, që janë edhe pjesë e këtij libri./ KultPlus.com

Kosova, 1999

Shkruan Milazim Krasniqi

1.

Fshatra të tëra filluan të shkuleshin

me rrënjë,

siç shkulet një shelg nga stuhia.

Po u prisheshin varret

që ruanin kujtesën, dashurinë dhe dhimbjen,

po prisheshin me një egërsi cikloni,

siç u prishën varret e hebrenjve

nga Ferdinandi, Izabela dhe Inkuizicioni.  

Po u digjeshin shtëpitë

po u dhunoheshin gratë

po u vriteshin fëmijët.

Po dëboheshin nga atdheu

me zjarr e hekur dhe me administratë.

Fshatrat, anekënd Kosovës

të shkulura me rrënjë, 

si të dënuarit para pushkatimit

po luteshin në heshtje,

të bindur se lutja e tyre

do të arrinte në qiell

dhe nga qielli do të vinte shpëtimi,

siç erdhi intervenimi. 

2.

Qytete të tëra të Kosovës

u shndërruan në vagona trenash

dhe lëviznin si breshka drejt kufirit,

me burra të rrahur,

me gra të dhunuara,

me fëmijë të frikësuar.

Ky ishte një popull i vogël

me një faj të madh

Faji i tij qe pse ekzistonte mbi këtë tokë.

Por popujt nuk ekzistojnë

pse vetë duan

as pse janë të përkorë,

ata ekzistojnë

vetëm falë Vullnetit Hyjnor.

3.

Plepa, plepa, plepa.

Shi, shi, shi.

Baltë, baltë, baltë.

Lotë. Lotë, lotë

Bllacë, Bllacë, Bllacë.

Mbyllur si në guacë. 

4.

Baci Sejdi

pinte duhan pa ndalë, nën një llastik

nën shiun që binte pa pushim

as nuk fliste as nuk të dëgjonte

as nuk e dinte ku e kishte gruan e fëmijët

vëllezërit e motrat

mezi e dinte që vetë ishte në kamp

në Bllacë.

Më vonë më pati thënë:

kam menduar që kampe kishte pasur vetëm

në Aushvic

në Dahau

në Mathauzen

dhe se nuk mund të kishte kampe

në shekullin XX,

deri sa e pashë vetë. 

5.

Me Naimin e me Agimin

u nisëm herët, ishim pa gjumë,

nga gëzimi.

Rruga na ishte më e gjatë se sa pritja

gropat që kishin hapur tanket

në asfalt

ishin më të cekëta se rrudhat e mia,

nga mërgimi, në ballë.

Kisha me vete fletore e laps

po nuk arrija t’i lidhja fjalët

nga ngashërimi,

që po e shihja sërish

Rrafshin e Kosovës

këtë tokë të bekuar,

që po hyja në Prishtinën time, 

sepse fjalët ishin ngrirë

si heje akulli

dhe do t’u duhej kohë e gjatë

që të shkrinin

gjithë atë dhimbje ngurtësuar në to.

Vetëm tash fjalët u çliruan, ato fjalë,

ndoshta nga frika se po vdisja

pa i thënë.

6.

Unë e kam ditur

Që do të ngrihej ajo pllakë

në Bllacë.

E kam ditur se atë tekst

unë do ta shkruaja,

që atë ditë kur polici po gajasej

duke më ndarë nga fëmijët dhe nga gruaja.

E kuptova sepse qielli qante nga mërzia,

toka dridhej nga dhimbja,

ndërsa unë nuk kisha fare frikë

as nga vdekja.

Më e fortë se ajo ishte atdhedashuria.

(Nga vëllimi poetik “Kujtimet luajnë me mua”, i cili gjendet në proces botimi te Shtëpia Botuese ‘Logos A”, Shkup. Postohet si kujtim për vuajtjet e popullit tonë dhe si shenjë shprese, në përvjetorin e çlirimit të Kosovës nga NATO.)/ KultPlus.com

Vepra e skulptorit Sadik Spahiu në Bulevardin e ri “Zogu I”, “Zëri” që lidh njeriun me artin

Bulevardit të ri “Zogu I” në kryeqytet i është shtuar vepra më e fundit e artit publik “Zëri” e skulptorit Sadik Spahiu.

Artisti Spahiu tregon për Agjencinë Telegrafike Shqiptare rrugëtimin që ka bërë kjo vepër deri në ekspozimin e saj për publikun e gjerë.

“Ky vepër është pjesë e një ekspozite të mbajtur më 2017 në ambientet e turbinës dhe ishte pjesë e një grupi të madh punimesh. Si fillim u mendua si një organizim apo si një pjesë e saj. Më pas institucioni “Harabeli” më ftoi që ta zhvilloja këtë vepër që mu desh 5 vjet që ta përfundoja. Edhe procesi i vendimmarrjes që të vendosej vepra në këtë vend ka qenë proces i gjatë pasi jo vetëm me institucionet por edhe me banorët u konsultua fakti që u vendos këtu”, tha artisti për ATSH-në.

“Në fillim njerëzit dyshuam pasi shihnin vetëm tuba dhe mendonin ndërtim të ri në këtë zonë, por që më pas njerëzit u përfshin dhe e pëlqyen këtë vepër. Sigurisht që ka edhe nga ata qe e kanë kundërshtuar por që shumica që e vlerësoi bëri që kjo vepër të ndodhet këtu”, u shpreh Spahiu për ATSH-në.

Artisti tregon domethënien dhe simbolikën pse ja vendosi ta quante veprën e tij “Zëri”.

“Kur u propozua vendosja e saj në një hapësirë publike u quajt “Zëri”, sepse i flet publikut dhe bëhet pjesë e saj. Është marrëdhënia që krijon vepra me njeriun që marrin frymë dhe jetojnë në këtë hapësirë publike. Unë gjithmonë mundohem që veprat e mia të jenë të dukshme dhe komunikuese. Njerëzit s’duhet ta kuptojnë veprën vetëm nga narracioni por edhe nga perceptimi”, tregon Spahiu për ATSH-në.

Instalacioni i artistit Sadik Spahiu ka ngjallur mjaft interes te qytetarët e grupmoshave të ndryshme, pasi vepra të tilla në kryeqytet i afrojnë më shumë qytetarët me artin si dhe i japin qyteteve një pamje tjetër ku përveç investimeve të reja ndërthuret dhe bukuria e veprave të artistëve shqiptarë. /atsh/KultPlus.com

Shqiptarët e Sllovenisë pjesëmarrës në “Aulona Inter Folk Festival”

Grupi Folk i Shoqatës Kulturore shqiptare “Migjeni” do të jetë pjesëmarrës në festivalin Aulona Inter Folk Festival, që do të zhvillohet në Vlorë këtë fundjavë (12-14 qershor).

Është hera e parë që shqiptarët e Sllovenisë përfaqësohen në një ngjarje të kësaj natyre në Shqipëri.

Pjesëmarrja është mundësuar falë vullnetit të Shoqatës “Migjeni”, gatishmërisë së organizatorëve, koordinimit nga ana e Ambasadës së Shqipërisë, por edhe mbështetjes së ofruar nga Ministria e Kulturës e Sllovenisë./ KultPlus.com

Vdes Lucinda Riley, mbretëresha e romaneve rozë

Vdiq sot në moshën 55-vjeçare Lucinda Riley, mbretëresha e romanit të famshëm rozë ”Shtatë motrat”, dhe jo i vetmi, që e bëri të famshme në të gjithë botën.

”Me shumë keqardhje që po ju komunikojmë që Lucilda ndërroi jetë paqësisht këtë mëngjes e rrethuar nga familja e saj që ishte aq e rëndësishme për të”, shkroi familia e saj përmes një postimi në rrjete sociale, përcjell KultPlus.

”E kuptojmë që kjo do të jetë një tronditje e tmerrshme për shumë njerëz që nuk ishin në dijeni të gjendjes të saj shëndetësore në luftë me kancerin”, shtuan familjarët.

Në vitin 2020 ajo mori çmimin ”Dutch Platinum” për shitjen e mbi 300 000 kopjeve për një roman të vetëm në një vit.

”Lucinda preku jetën e të gjithëve që takoi dhe e atyre që kanë lexuar faqet e tregimeve të saj. Ajo lëvdoi dashurinë dhe mirësinë në gjithçka që ajo bëri dhe do të vazhdojë të jetë na frymëzojnë përgjithmonë”, deklaroi familja e saj.

E lindur në Lisburn, Irlandë më 16 shkurt 1966, Riley, e cila pati edhe një karrierë aktrimi në film, teatër dhe televizion, e kishte shkruar librin e saj të parë në moshën 24-vjeçare.

Romanet e saj janë përkthyer në 37 gjuhë dhe janë shitur në mbi 30 milionë kopje në të gjithë botën. / KultPlus.com

Dita e Çlirimit të Kosovës, përmes fotografive

22 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Në vijim, KultPlus risjell disa fotografi të 12 qershorit të vitit 1999. Fotografi këto që shfaqin emocionet e mëdha të qytetarëve të Kosovës, në ditën e çlirimit të vendit.

Fotografitë: Profili i Kenneth Andresen. / KultPlus.com

Kosova u çlirua dhe këtë akt e kishin shënuar tre gazetarë…

Shkruan: Lulzim Mjeku

Tre gazetarë e raportojnë çlirimin e Kosovës

Në kujtim të të gjithë atyre që u flijuan në luftën çlirimtare dhe të Bedri Sadikut.

Të nesërmen e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës e cila i dha fund luftës në Kosovë, u nisa me autobusin e parë nga Struga në Shkup. Kisha kohë që nuk kisha ushtruar profesionin tim të gazetarit, pas një përvoje unike me korrespondentët e huaj nga Los Angeles Times, Radio CBS, San Franscico Chronicle etj. Mora në telefon kolegun e së përditshmes “Rilindja” Blerim Rekën i cili ma preu shkurt: Hajde se Bedriu dhe unë duam ta nxjerrim një numër të gazetës!

Edhepse e dija se ai e din mirë çka do të thotë të botosh gazetë të përditshme, e pyeta se a ishte i ndërgjegjshëm për atë që më tha, si ka mundësi që tre veta të botojnë një gazetë të përditshme. Eja ti në qarshinë e Bitpazarit e mandej e shohim, më tha Blerimi dhe ma këputi lidhjen telefonike. Blerim Rekën si shkupjan që ishte dhe Bedri Sadikun, preshevar i ngulitur në Shkup si korrespondent i “Rilindjes”, i gjeta në një lokal të vogël me papafingo, bashkë me heroin e paimponuar që rrinte në prapavijë Jonuz Zymberin, roli i të cilit do të vijë në shprehje më vonë gjatë procesit të shtypjes dhe distribuimit të gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Në atë lokal ishin vendosur ca kompjuterë ku shpresonim ta faqosim gazetën dhe ta shpërndajmë me 12 qershor në të gjitha kampet e refugjatëve dhe qytetet shqiptare të Maqedonisë.

Blerim Reka mori përsipër gjithë gazetën 12 faqëshe “Rilindja”, Bedri Sadiku si korrepondent me shpirt luftarak, gazetar që të conte morrnicat, mori për detyrë të hyjë në Kosovë me trupat e para të KFOR-it. Mua si gazetar i rubrikës së politikës së jashtme m’u nda detyra që të përgatisja tre faqe gazetë me jehonën që clirimi i Kosovës po bënte në mediet botërore. Ndërkohë që shkonim e vinim te zyrat e korrespondenturës në qendrën tregtare Qairqanja, ku Bedriu kishte zyrën e “Rilindjes”, kisha drojën e madhe se si do të dalë kjo gazetë nga ne tre gazetarë. I thashë Blerimit se e kam ndërmend ta shkruaj një editorial me titullin “Kosova Neoshqiptarizma për Shekullin e Ri”, për ëndrrën time të lirisë. Blerimi po bënte gati editorialin e tij që u botua në ballinë për normandizimin e Kosovës. Bedriu kishte bërë gati fotoaparatin dhe notesin e tij të gazetarit dhe e kishte detyrën më të vështirë. Fati po na buzëqeshte që në fund të informonim lirshëm dhe sipas ndërgjegjes sonë profesionale. Sa me fat, sa përgjegjësi, sa gëzim dhe sa ndjenja të përziera që kur një gjakim historik përmbushet duke u bërë realitet, fillon të shohësh rreth vetes me mosbesim se a është e vërtetë kjo që po ndodhte.

Të nesërmen me 11 qershor 1999 Bedriu ishte nisur heret për në Kosovë, ndërsa me Blerimin dhe shokun e tij të ngushtë Jonuzin, hapëm dyqanin ku do të faqosej “Rilindja” e lirisë. Secili nga ne kryenim punën tonë, me mendime te Bedriu. Lajmet për disa vrasje të qytetarëve të Prishtinës na goditën fort por nuk arritën të na ndalin frymën.

Dikur pasdite vonë Bedriu kthehet. Rrëfen për rrugëtimin e tij nga Shkupi deri në Prishtinë. Kur trupat e para të KFOR-it ishin ndalur për pak në rrugë afër Lipjanit, ai pa e dijtur kish hyrë në qendër të Prishtinës dhe te Hotel Grandi po merrte fotografitë e trupave ruse dhe soldateskës së harlisur serbe. Në atë tollovi ku të gjitha palët për arsyet e veta synonin të defilonin në shesh, Grandi ishte shndërruar në pikë nevralgjike. Një shkëndijë mund ta rindizte konfliktin e armatosur.

Bedriu erdhi si fryma e lirisë së plagosur dhe na rrëfente Prishtinën e rrëzbitur nga izolimi, lufta dhe frika. Duke pirë cigare, duke ndërruar fjalë, duke punuar shpejt, dikur pas mesnatës arritëm ta faqosim “Rilindjen” në 12 faqe.

Jonuz Zymberin e kisha parë tek sorollatej me saktësinë e një zvicerani nga detyra në detyrë në misionin e tij të përkrahjes së botimit, por nuk e kisha parë kurrë si i hapi sytë, qeshi me të madhe dhe e mori gazetën për ta dërguar heret nadje në një shtypshkronjë në Koqani. Të dërmuar nga dita më e ngarkuar emocionale në jetën tone, Blerimi dhe unë shkuam të bëjmë një sy gjumë. Puna e Jonuzit fillonte tekt tash. Kur u zgjuam dikur vonë në mëngjes dhe pasdite u takuam me Jonuzin e kthyer nga Ohri, ne u vetëdijësuam se cfarë pune kishim kryer. Në të gjitha kampet e refugjatëve nga Kosova dhe qytetet shqiptare në Maqedoni gazeta “Rilindja” ishte pritur si dallëndyshja e lirisë. Të gjithë ekzemplarët ishin shpërndarë gratis dhe gëzimi ishte aq i madh sa ishte larë me lotë. Kosova u çlirua dhe këtë akt e kishin shënuar tre gazetarë: Blerim Reka, Bedri Sadiku dhe Lulzim Mjeku. / KultPlus.com

Erion Veliaj takohet me prindërit e Dua Lipës, paralajmëron një befasi

Dukagjin Lipa dhe Anesa Lipa, prindërit e këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, janë takuar sot me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, përcjell KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga i pari i Tiranës, përmes një fotografie të postuar në rrjetin social Facebook.

”Diçka po gatuhet në Tiranë me Dukagjin Lipa dhe Anesa Lipa – bëhuni gati #EuropeanYouthCapital2022”, ka shkruar Veliaj në Facebook.

Mirëpo, se për çfarë befasie bëhet fjalë, akoma nuk është bërë publike. / KultPlus.com

22 vite pas çlirimit, Kosova për herë të parë me Muze të Dëshmorëve

22 vite pas përfundimit të luftës, Kosova për herë të parë me Muze të Dëshmorëve.

Në këtë muze do të ekspozohen dokumente dhe eksponente të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vizitorët e këtij muzeu, nga sot, do të mund t’i shohin të grumbulluara në një vend dokumentet që e dëshmojnë gjenocidin e kriminelëve serbë në Kosovë, ku aktualisht janë duke u ekspozuar mbi 215 biografi individuale të dëshmorëve të rënë, hartat rajonale të operacioneve të UÇK-së, si dhe po ashtu filma dokumentarë kushtuar dëshmorëve.

Lajmi u bë i ditur nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili përmes nja statusi në rrjetin social Facebook, bëri të ditur për hapjen e Muzeut të Dëshmorëve.

”Ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht, me të gjithë institucionet e vendit, familjet e dëshmorëve dhe shoqatat e dala nga lufta, për ta pasuruar sa më shumë këtë muze me dokumente të tjera.

Serbia, gënjeshtrat e saja për Kosovën i përsëritë çdo ditë, ndërkaq Kosova, të vërtetat e saja për Serbinë, nuk po i përsëritë pothuajse fare. Në këtë drejtim, uroj që kjo muze përveçse të shërbejë për dokumentimin e krimeve të serbe, po ashtu le t’i shërbejë gjeneratave të reja për t’u njohur me historinë e lavdishme të UÇK-së dhe popullit shqiptar”, ka shkruar ndër të tjera Mytaher Haskuka në statusin e tij. / KultPlus.com

Anna Frank: Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël

Anneliese Marie Frank lindi më 12 qershor të vitit 1929 në Frankfurt am Main.

Ishte një vajzë gjermane-hebreje, që ishte fshehur me familjen e saj në Amsterdam, në kohën nacionaliste, por që nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes para mbarimit të luftës. Anne Frank u bë e njohur me ditarin e mbajtur gjatë periudhës së fshehjes, ditar ky që u publikua pas vdekjes së saj, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus sjell disa nga thëniet më të njohura të saj, të cilat janë shkëputur nga ditari i saj.

“Askush nuk është varfëruar nga bamirësia”.

“Është e mrekullueshme se si askush nuk duhet të ndryshojë gjë tek vetja për të nisur përmirësimin e botës”.

“Unë i mbaj për vete idealet, sepse pavarësisht gjithçkaje, vazhdoj të besoj se njerëzit janë të mirë në zemër”.

“Mendo për gjithë gjërat e bukura të mbetura rreth teje dhe ji i/e lumtur”.

“Kushdo që është i/e lumtur, do t’i bëjë edhe të tjerët të lumtur gjithashtu”.

“Prindërit japin vetëm këshilla të mira dhe përpiqen t’i fusin fëmijët në rrugën e drejtë, por ajo që u krijon atyre personalitetin, qëndron në duart e tyre”.

“Unë nuk mendoj për gjërat e trishta, por për gjithë gjërat e bukura që kanë mbetur ende”.

“Përtacia mund të duket tërheqëse, por puna jep kënaqësi”.

“Të gjithë jetojmë me objektivin për të qenë të lumtur; jetët tona janë të ndryshme dhe njëkohësisht, kaq të njëjta”.

“Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël?”

“Kushdo që nuk e di, duhet ta mësojë dhe ta fitojë me eksperiencë përfundimin se ‘një ndërgjegje e qetë e bën dikë të fortë’”.

“Unë thjesht nuk mund t’i ngre shpresat e mia mbi konfuzionin, mjerimin dhe vdekjen. Mendoj se paqja dhe qetësia do të kthehen sërish”.

“Ne nuk na lejojnë të kemi opinionin tonë. Njerëzit të thonë ta mbash gojën të mbyllur, por kjo gjë nuk të ndalon për të pasur një opinion tëndin. Edhe nëse njerëzit janë shumë të rinj, ata nuk duhet të ndalohen për të thënë atë që mendojnë”.

“Çdokush ka brenda vetes diçka të mirë. Gjëja e mirë është se ti nuk e di se sa i madh mund të jesh, sa shumë mund të duash, çfarë mund të arrish dhe cili është potenciali yt”.

“Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet më, por mund të parandalohet që të ndodhë sërish”. / KultPlus.com

Rita Ora dhe Jennifer Lopez me bashkëpunim të ri

Jennifer Lopez dhe Rita Ora thuhet se kanë pasur bisedime “sekrete” për projekte të përbashkëta në muzikë dhe bashkëpunime filmike.

Siç raporton “The Sun”, këngëtaret e hiteve të mëdha janë bashkuar në Los Anxhelos për të parë se çka mund të bëjnë së bashku dhe sipas burimeve, ato nuk kanë parë limite, përcjell KultPlus.

Këngëtarja kosovare Rita Ora, 30-vjeçare, ditë më parë ka zbarkuar në Kaliforni pas disa mujsh qëndrimi në Australi për të xhiruar për “The Voice”, derisa këngëtarja latine, Jennifer Lopez, 51-vjeçare, është rikthyer në qytetin e engjëjve pasi ka xhiruar videoklipin e ri në Miami.

“J.Lo. dhe Rita janë takuar në Soho House të Los Anxhelosit ku kanë qëndruar për orë të tëra duke folur se çka mund të bëjnë së bashku.

Duket se bashkëpunimi me këngëtaren, aktoren dhe valltaren e famshme latino-amerikane ka qenë një prej synimeve të kahmotshme të këngëtares nga Prishtina, e cila vite më parë pati deklaruar se inspirohet me të madhe nga Jennifer. / KultPlus.com

NEW YORK, NY – JULY 17: Rita Ora wears a psychadelic outfit on July 17, 2017 in New York City. (Photo by Gotham/GC Images)

Fjalimi i Bill Clintonit për vrasjet në Kosovë pak para bombardimeve të NATO-s (VIDEO)

Në një fjalim më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, transmeton KultPlus.

“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.

Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë,gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.

“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton.  / KultPlus.com

Ushtari anglez që i kushtoi këngë luftës së Kosovës (VIDEO)

22 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Trupat e NATO-s morën kontrollin e Kosovës pas pushimit të zjarrit në qershor, ku në mesin e këtyre trupave ishte edhe James Hillier Blunt.

James Hillier Blunt ishte ndër trupat e para për të arritur në Kosovë dhe u vendos si komandant i një ekuipazhi tankesh në Rajonin kufitar serb.

Përvoja e tij e luftës pasqyrohet në disa nga këngët e tij. Veçanërisht, kënga ‘No Bravery’ u bë jashtëzakonisht e famshme në të gjithë botën, sidomos në dritën e konflikteve të luftës së fundit në Afganistan.

James Blunt është i njohur për të qenit kritik ndaj politikës së luftës në vendet mbizotëruese të botës dhe popullariteti i tij u rrit për shkak të përvojës së tij personale të luftës. Gjatë misionit të tij në Kosovë, ai do të performonte për ushtarët dhe civilët, ndonjëherë me një tank që ishte skena e tij.

Kënga ‘No Bravery’ u lansua nga James Blunt në vitin 2005./ KultPlus.com

​KFOR-i kujton 22 vjetorin e hyrjes në Kosovë (VIDEO)

Në 22 vjetorin e hyrjes në Kosovë, KFOR-i ka përkujtuar këtë ditë me një video, duke siguruar se do të vazhdojë të luajë një rol thelbësor, në ofrimin e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Njëzet e dy vjet më parë, pas miratimit të Rezolutës 1244/1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, NATO zbarkoi mbi 50,000 trupa në Kosovë si pjesë e misionit të saj të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë, dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga rreth 3,600 trupa, nga 27 vende, duke përfshirë vendet e NATO-s dhe partnerët e saj.

“KFOR-i vazhdon të luajë një rol thelbësor, në ofrimin e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Gjeneral Major Franco Federici, Komandant i KFOR-it, gjatë një ceremonie përkujtimore të mbajtur në “Camp Film City” (Prishtinë), që është nikoqire e zyrave qendrore të misionit.

Gjatë kryerjes së aktiviteteve, KFOR-i punon në bashkëpunim të ngushtë me një varg akterësh, përfshirë Kombet e Bashkuara, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit dhe Organizatat e Sigurisë në Kosovë. / KultPlus.com

‘Cinderella’ nga Studio e Baletit ‘Angels’, premierë në Teatrin Kombëtar

Studio e Baletit ”Angels” do të ketë premierën e shfaqjes ”Cinderlla” me 20 qershor të këtij viti, përcjell KultPlus.

”Cinderella” do të ketë premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 18:00.

Koreografia e kësaj shfaqjeje është realizuar nga Vlora Prizreni dhe Isa Beg Gjocaj, me asistent Sead Vuniqin. Kurse muzika është nga Sergei Prokofiev, ndërkaq kostumet janë punuar nga Shpresa Lladrovci. / KultPlus.com

‘Kambana e heshtjes’, libri i ri i poetes Brikenë Ceraja-Beka

“Kambana e heshtjes” titullohet libri më i ri i botuar nga Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja”. Ky është libri i katërt i autores Brikenë Ceraja-Beka. Libri përmban 41 poezi, aq sa ka vite edhe autorja.

Poezia e Brikenë Cerajes është një proces psikologjik kërkimi rreth vetes dhe të tjerëve përreth.

“Nuk asht një poezi egocentriste. Monologu i vazhdueshëm dhe i pandërpremë fsheh në vetvete dialogje të tana realizue me njerëz këndej e matanë botës sonë. Poetja e thërret vazhdimisht andrrën si skenën ku do ta vendosë veprimin poetik. Shpesh andrra asht toka e dëshpërueme e kujtesës së saj emocionale”. Kështu shprehet shkrimtari dhe kritiku Stefan Çapaliku, i cili njëherësh është edhe redaktor i librit “Kambana e heshtjes”, duke shtuar se poezia e Brikenës ka një dimension surrealist.

Nga java e ardhshme librin mund ta gjeni nëpër libraritë kryesore të kryeqytetit. / KultPlus.com

Reportazh i shkruar për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës në portalin frankofon ‘Le Courrier des Balkans’

Më 12 qershor 1999, tanket e NATO-s hynë në Prishtinë, duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Teuta Bylykbashi dhe Hysen Gashi kishin mbetur në qytet me familjet e tyre gjatë 78 ditëve të bombardimeve. Ata tregojnë çlirimin

Nga Nerimane Kamberi

“Mos më kërkoni të jem i saktë rreth orës, kanë kaluar 20 vjet.” Hysen Gashi, rreth të pesëdhjetave, është ulur në kafenenë që e frekuenton shpesh, në Bulevardin Bill Klinton. Në ekran, një kanal televiziv lokal jep lajmin për ardhjen e ish-Presidentit të SH.B.A.-ve për festimet e 12 qershorit, 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Bill Klinton nderohet nga kosovarët, një statujë gjigande është ngritur për ta nderuar në bulevardin që mban emrin e tij. Por për Hysenin, çlirimtarët e parë ishin ushtarët britanikë të KFOR-it, forcat e NATO-s në Kosovë.

“Më 12 qershor 1999, në orën 15.00 ose 15.15 pasdite, dy helikopterë të NATO-s erdhën nga Shkupi, u sollën në qiell dhe u larguan nga kishin ardhur. Pastaj pamë dy automjete të huaja, ndoshta xhipa, që lëviznin përreth dhe largoheshin. Filluam të dilnim nga shtëpitë dhe të shkonim drejt rrugës. Por shiu i madh na detyroi të ktheheshim. Rreth orës 18.30 -19.00, një tank britanik u pozicionua pranë stacionit të karburantit Jugopetrol, një tjetër përpara autoshkollës që kishte shërbyer si një bazë logjistike për ushtrinë serbe. Ne dolëm, u drejtuam për në rrugën që vjen nga Shkupi për të mirëpritur forcat e NATO-s. Disa përqafonin tanket.”

Teuta Bylykbashi, profesoreshë në shkollë të mesme, flet për një atmosferë të ngjashme në lagjen e saj në Ulpianë, në Prishtinë. “Më 12 qershor, ushtarët britanikë të KFOR-it mbërrinë Te Fontana, poshtë ndërtesës sonë. Nga dritarja mund të shihja britanikët që vinin nga njëra anë dhe serbët që iknin nga tjetra. Njëri nga fqinjët tanë serb, i cili kishte marrë veturën tonë një ditë më parë, e ngarkoi atë dhe u largua. Fëmijë zbritnin nga ndërtesat, këputnin lule dhe ua jepnin ushtarëve britanikë.”

HYRJA E FORCAVE SERBE

Të dy tregojnë për këto momente ngazëllimi duke psherëtirë, pa shumë emocione në zërin e tyre. Sepse ata njëkohësisht rijetojnë momentet e rënda që i përjetuan deri në këtë çlirim kaq të pritur, por që, deri në momentin e fundit, do të jetohet herë në dyshim dhe herë në frikë. Hysen Gashi kujton: “Më 9 qershor, kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, gëzimi na u kthye. Kishim shpëtuar. Lufta më në fund kishte mbaruar. Por më 11 qershor, unë po i përcillja lajmet  e TV Podgoricës ku thuhej që forcat ruse po hynin në Kosovë. Ata mbërrinë rreth orës 20:00 përmes Merdares. Ishte edhe më e tmerrshme se fillimi i luftës, sepse ne thjesht mendonim se ajo u kry, edhe pse kishim ndjenja të përziera gëzimi dhe frike. Atë ditë, ne nuk besonim më në paqe. Serbët po festonin, ata qëllonin në ajër, dëgjohej zhurma e gëzhojave që binin në kulm.”

Teuta edhe sot është e frikësuar kur e kujton atë ditë: “Më 11 qershor, përjetuam frikën më të madhe të jetës sonë, kurse mendonim se ishim të çliruar! Forcat ruse, aleatët e  Serbisë, hynë në Kosovë, në Prishtinë! Ishim të dëshpëruar. Mendonim se lufta nuk do të mbaronte kurrë. Për shqiparët ishte një zhgënjim i thellë. Kishim humbur të gjitha shpresat se kjo luftë do të mbaronte. Serbët po festonin. Ata lëshonin muzikën në kupë të qiellit, duke qëlluar në ajër. Fqinjët tanë serb ishin të ngazëllyer. Televizioni i Beogradit transmetonte imazhe të tankeve ruse në qendër të Prishtinës, aty ku sot është Bulevardi Nënë Tereza.”

Photo: Hazir Reka

TË DËBUAR DHE TË SHTYRË PËRTEJ KUFIRI

Të dy flasin për stërlodhjen e ditëve të fundit të luftës. “Nuk mund të mendoja, nuk e kisha më arsyen, nuk dija çfarë vendimi të merrja,” shpjegon Hyseni. Fjalët e Teutës gati se i bëjnë jehonë: “Ditëve të fundit, unë madje e pranova edhe idenë e vdekjes. Timen, jo vdekjen e të tjerëve.”,  vazhdon ajo: “Serbët na kishin dëbuar nga banesat tona, nga soliterat tonë dhe ne pamë të vdekur deri në kufirin me Maqedoninë, pamë vetë vdekjen tonë. Por ne u kthyem pa kaluar kufirin. Një herë tjetër, serbët i morën të gjithë burrat poshtë në pesë e gjysmë të mëngjesit dhe kontrolluan dokumentet  tona. Ata kërkonin që të zgjoja vajzën time adoleshente, kisha frikë se çfarë mund t’i ndodhte asaj.” “Unë e tërhoqa vajzën time gjashtëvjeçare për dore, nuk e lashë të përfundojë mëngjesin. Serbët na dhanë pesë minuta kohë për të dalë nga shtëpia.” vazhdon Hyseni.

Këto rrëfime ngjajnë me mijëra rrëfime njerëzish të zhvendosur, refugjatësh, të hedhur nga një pjesë e qytetit në tjetrën nën kërcënimin e njerëzve të maskuar dhe armëve të tyre, të shtyrë drejt stacionit për të hipur në trenat që do t’i çonin në Maqedoni, gjatë eksodit më të madh që Evropa e ka njohur që nga Lufta e Dytë Botërore, ose të deportuar në kufij të tjerë. Disa do të paguajnë me marka për kalimin e tyre, të tjerë do të ndalen gjatë rrugës, në një shtëpi të braktisur ose do të strehohen nga banorë të tjerë. Shumë nuk do të arrijnë kurrë askund dhe do të ekzekutohen pasi të jenë ndarë nga familjet e tyre.

Këto lëvizje të popullatës, nga një lagje në tjetrën, nga Velania deri poshtë Dragodanit, e  drejt Emshirit, nga Prishtina në fshatin Makoc, tre kilometra në jugperëndim, mund të trasohen me gisht në hartën e kryeqytetit dhe të fshatrave përreth. Por në heshtje, si heshtja që mbretëronte në qytet, një qytet pa jetë, pa shpirt. “Ne kaluam nëpër një qytet fantazmë, mahalla e prindërve të mi afër Xhamisë së Llapit ishte e zbraztë. Ishte e tmerrshme”, thotë Teuta. Hyseni mban në kujtesën e tij imazhe të valës së madhe njerëzore. “Ne zbritëm kah qendra e qytetit. Serbët po na shtynin drejt stacionit, kaluam pranë ndërtesës së Rilindjes. Një valë gjigante njerëzish. Vinin nga të gjitha drejtimet. Shtynim njëri-tjetrin dhe na shtyhnin për të hipur në tren.”

NGA DRITARJA OSE NGA TARRACA

Hyseni dhe familja e tij nuk do të largohen për në Maqedoni, ata do të kthehen në shtëpinë e motrës, jo shumë larg stacionit të autobusëve dhe do të qëndrojnë aty deri në fund të luftës. Teuta dhe familja e saj do të kenë parë tepër tmerr gjatë rrugës kur kishin dalur por edhe kur ishin kthyer në ndërtesën e tyre. As ata nuk do të largohen deri në fund të luftës. “Nuk dilnim më. Ndërtesa jonë ishte bërë një lloj getto. Jeta aty ishte e kufizuar në vajtje-ardhje midis fqinjëve, vetëm gratë e moshuara dilnin, ato që mund të flisnin serbisht. Ato shkonin në pazarin e Ulpianës poshtë lagjes, kishte serbë që shisnin prodhimet e tyre. Me 15 maj ishte ditëlindja ime, më kishin mbetur tri vezë, bëra një tortë dhe ftova fqinjet e mija për çaj.” Pjesën tjetër të kohës, gratë qëndronin në dritare dhe shikonin se çka po ndodhte jashtë. Sikur atë ditë kur Teuta pa britanikët të mbërrinin dhe serbët të largoheshin.

Hyseni qëndronte në një shtëpi të braktisur në lagjen e tij, tarraca e së cilës kishte pamjen nga rruga për në Shkup. Nga aty, ai kishte vëzhguar lëvizjet e 9, 10, 11 dhe 12 qershorit 1999. Nga aty ai kishte parë britanikët që po mbërrinin dhe serbët që po largoheshin.

BUKË, MË NË FUND

Më 12 qershor 1999, Teuta nuk shkoi më larg se Te Fontana, poshtë banesës së saj. Ndoshta ajo bleu bukë në dyqan, te qoshi i ndërtesave. “Gjatë bombardimeve, pashë që buka kishte ardhur te shitësi serb. Duke dashur të ruajmë rezervat tona të makaronave dhe miellit – kush e di sa do të zgjaste lufta – unë zbrita poshtë për të blerë  bukë. Shitësi nuk më dha bukë.  U ktheva në shtëpi e poshtëruar, i thashë vjehrrës sime, “ai nuk deshti me më dhënë bukë.” Më 12 qershor 1999, Hyseni doli në lagjen e tij. Por së pari, ai nxori bukën nga çanta. “Gjatë bombardimeve, gruaja ime Qerimja gatuante një bukë çdo ditë. Ne nxirnim atë që e kishim futur një ditë më parë në çantë e përgatitur për ikje dhe e hanim. E zëvendësonim me atë që e nxirrte nga furra. Do të na duhej për largimin tonë.” Më 12 qershor 1999, ai sigurisht bleu bukë taze në një furrë buke që sapo ishte rihapur. / KultPlus.com

Fillojnë përgatitjet për ‘Karnavalet e Korçës’, festa simbol e qytetit vjen me një risi aktivitetesh këtë vit

Korça është një ndër qytetet e para që ka rizgjuar traditën e Karnavaleve. Edhe këtë vit kanë nisur përgatitjet për festën simbol të qytetit. Në një lidhje direkte të emisionit ”Rreze Dielli”, u diskutua me Drejtoreshën e Qendrës Kulturore Blerta Belliu më tepër për përgatitjet dhe aktivitet që do të festohen nesër me çeljen e sezonit turistik në sheshin e Pazarit të  Vjetër, përcjell KultPlus.

Ndryshe nga viti i kaluar ku për shkak të pandemisë festimet ishin të pakta, këtë vit pritet që të jetë tepër ndryshe.

‘Vitin e shkuar ne nuk e humbëm Karnavalin por bëmë dicka më minimaliste ndërkohë që këtë vit i rikthehemi sërish karnvaleve të mëdha, ku vetëm në Korcë do të kemi 26 grupe me fabulat e tyre, kostumet, maskat. Ka filluar dekorimi i karnavalit në të gjithë sheshet dhe qytetin dhe pjesët e veçanta  të Korçës. Ne do të kemi edhe grupe të ftuara sepse vitin që kaloi nuk mundëm t’i kishim. Do të kemi dy trupa nga Shkupi të cilët do të vijnë me maska fantastike, do të kemi për herë të parë në karnavalë teatrin e Durrësit “ tha ajo për emisionin “Rreze Dielli”.

Ndërsa shpjegoi  tematikat dhe maskat që do mbizotërojnë këtë vit në Karnavale:

“Në këtë vend ku ne jemi sot do të jetë vendosur një harem sulltani I cili do të qëndrojë nga ora 11:00 deri në orët e mbrëmjes sepse duam që të “përqeshim” ndonjë fenomen që njerëzit most ë përqëndrohen shumë tek telenovelat por të merren më shumë me librat, ta kalojnë kohën në  mënyrë pak më të kulturuar” tha ajo.

Karnavalet këtë vit vijnë ndryshe. 

“Karnavali fillon në 10:30  me 15 grupe  të cilat janë të shpërndara në të gjithë pikat e qytetit, nuk do të kemi karnaval vetëm në sheshin qëndror” përfundoi ajo, për paradën e cila pritet të zgjas deri në orën 14:00.

Më pas  do të rikthehet sërish në orën 17:00, me një itinerar tepër të plotësuar, ku do të kulmojë më pas parada klasikë në orën 18:00, për të vazhduar me festimet “ Party Karnaval” deri në orët e vona të mbrëmjes. /shqiptarja/ KultPlus.com

‘Fast and Furious’ në prag të përfundimit

Vin Diesel ka thënë se filmi i famshëm “Fast and Furious” do të ketë së shpejti një fund.

Aktori hollivudian i cili u bë i famshëm për rolin e tij si garues makinash në këtë film, ka thënë në një intervistë për Associated Press se saga “Fast and Furious” do të përfundojë pas dy pjesëve të tjera, pas serisë së fundit të titulluar “F9”, premiera e të cilit shfaqet në kinema me 25 qershor të këtij viti.

Diesel ka thënë se “Universal Pictures” dëshiron t’i japë fund filmit, në dy pjesë.

Sipas tij, dy pjesët finale të tij do të publikohen njëri në vitin 2023, dhe tjetri në vitin 2024.

“Secili tregim meriton fundin e tij”, ka thënë Diesel gjatë një gostie për media për serinë “F9” të filmit, kur është pyetur për të ardhmen e tij. transmeton KultPlus.

“E di se njerëzit mendojnë që filmi nuk duhet të mbarojë, por unë përfundojë se të gjitha gjërat e mira duhet të përfundojnë”, është shprehur Diesel, i cili në seritë e këtij filmi luan njërin prej roleve kryesore, atë të Dom Torettos, që kur është inauguruar filmi në vitin 2001.

Filmi ka arritur fitime të mëdha, ku vetëm dy seritë e fundit kanë arritur më shumë se 1 miliard dollarë fitime secili.

Krahas Dieselit, filmi i zhanrit aksion përfshinte edhe shumë aktorë të tjerë të famshëm si Michelle Rodriguez, Dwayne “The Rock” Johnson, Tyrese Gibson, reperi Ludacris, Jason Statham dhe tashmë i ndjeri, Paul Walker. / KultPlus.com

Publikohen pamjet nga ndërtimi i kishës te UP-ja, në ceremoni kishte marr pjesë edhe Arkani (VIDEO)

Ishte dimër i vitit 1992. Serbët, për provokim dhe si tregues i forcës, kishin vendosur që në kampusin e Universitetit të Prishtinës të ndërtonin një kishë ortodokse.

Ndërhyrja në oborr të universitetit me ndërtimin e kësaj kishte ishte aq brutale sa pamjet që duken në videon e publikuar nga Albanian Post, të ditës së gurthemelit.

Diku dëgjohen këngë fetare ortodokse, pak më larg hidhen plumba në ajër, derisa në turmën e njerëzve shihen edhe kriminelë, si udhëheqësi i Paramilitarëve Serbë, Zheljko Razantovic, i njohur me nofkën Arkan.

Udhëheqësi i grupit famëkeq “Tigrat”, që më vonë ishte akuzuar për dhjetar krime kundër njerëzimit, përfshirë masakra, qindra vrasje dhe krime të tjera, shihet i rreshtuar duke dëgjuar një fjalim mallkues të një kleriku serb.

“Mallkuar qoftë secili pjesëtar i Malit të Zi – tri herë, ose tre mijë herë që nuk i beson nënës Rusi”, thotë kleriku në një pjesë të videos së shkurtër, derisa të tjerët i duartrokasin.

Jo më në acarin e dimrit, por në temperaturat e pranverës, 19 vjet më vonë, në të njëjtën hapësirë, në Kosovën shtet të Pavarur, klerikët serbë kanë mbajtur përsëri liturgji fetare.

Ceremonia u mbajt të enjten, derisa objekti që serbët i thonë “Krishti Shpëtimtar”, ende vazhdon të jetë një objekt pa leje.

Kjo liturgji, shënon edhe herën e parë pas luftës në Kosovë, që mbahet një liturgji fetare. E fundit ishte mbajtur në luftë. Në vitin 1998.

“Për herë të parë sot, ne po festojmë lavdinë në këtë tempull madhështor, por të papërfunduar, që paraardhësit tanë na lanë me detyrën për të shërbyer këtu, duke iu lutur Zotit dhe duke e përfunduar atë”, tha të enjtën Peshkopi Teodosije.

Kjo kishë kishte nisur të ndërtohej në vitin 1992, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviçit, por deri në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, nuk arriti të përfundohej.

Por, Kisha Ortodokse serbe mund të përfundojë në listën e rrënimeve, pasi askush nuk ka aplikuar për regjistër të ndërtimeve pa leje, në afatin që është përmbyllur në fillim të muajit qershor të vitit 2015.

E ndërtuar nën masat e dhunshme të viteve të 90’ta, kisha “Shpëtimtari i Krishtit”, është në shpërputhje edhe me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Paragrafi 2 i nenit 12 të këtij Ligji thotë se inspektimet e ndërtimit pa leje, duhet të përcaktojnë që aplikimet për leje për legalizim do të refuzohen, nëse organi kompetent është ndërtuar në pronë publike, përkatësisht në zonë me interes publik.

Pas luftës, Kisha Ortodokse Serbe ka tentuar në disa raste ta funksionalizojë, së fundi më 2016, por nuk është lejuar nga Komuna e Prishtinës, pasi u kërkua dokumentacioni për objektin.

Në vitin 2015, Universiteti i Prishtinës kishin bërë një padi për kthimin në pronësi të mbi 4 hektarëve që tashmë me një vendim të masave të dhunshme e ka Kisha Serbe.

Për arsye krejt banale, të mospranimit të ftesës, në seancën e vendosjes UP-ja nuk kishte prezantuar në Gjykatë. Kështu rasti kishte kaluar në shkallën e dytë.

Gjykata e shkallës së dytë, më 2017 i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Edhe Gjykata e Shkallës së Dytë vendosi që ta hidhte poshtë padinë e UP-së, me çka ky institucion as sot e kësaj dite nuk e ka nën kontroll këtë hise toke që është në qendër të kampusit. /albanianpost/ KultPlus.com

KOMF: Puna e rëndë dëmton fëmijët, fëmijët të luajnë e të mësojnë

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Punës së Rëndë të Fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, bën thirrje për vetëdijesim dhe sensibilizim të prindërve, institucioneve dhe të gjithë qytetarëve për të mbrojtur fëmijët nga punët e rënda.

Fëmijët e përfshirë në punë të rënda u ekspozohen një sërë rreziqesh për jetën, shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, mungesën e qasjes në arsim dhe rrezikut të abuzimit seksual dhe/ose trafikimit.

Aktualisht, në Kosovë nuk ka shërbime të veçanta të ofruara nga komunat për të adresuar mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda; duke përfshirë qendrat e kujdesit ditor, ekipet mobile si dhe shërbimet e rehabilitimit dhe reintegrimit (mbështetjen sociale, arsimore dhe psikologjike për fëmijët dhe familjet e tyre). Përjashtim bëjnë iniciativat e disa organizatave jo qeveritare, sikurse Terre des hommes e cila ka hapur qendër ditore në Prishtinë për trajtimin dhe re integrimin e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda me fokus trajtimin e fëmijëve në situatë rruge.

Prej muajit Korrik 2020 në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili synon të mbrojë fëmijët nga të gjitha format e keqpërdorimit, shfrytëzimin apo formave tjera që vënë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Sipas këtij ligji, çdo komunë duhet të punojë për të mbrojtur fëmijët nga të gjitha rreziqet, duke përfshirë edhe rreziqet e mëdha që vijnë nga puna e rëndë të fëmijëve.

KOMF u bën thirrje komunave dhe qeverisë të marrin masat të zbatojnë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës në mënyrë që të përmirësojnë gjendjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda.

KOMF ka adresuar një shkresë drejt Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke rekomanduar që shkollat e Republikës së Kosovës të të gjitha niveleve (niveli i arsimit fillor, i mesëm i ulët dhe i mesëm i lartë), të mbajnë një sesion dedikuar formave të rënda të punës së fëmijëve, dëmit, pasojave në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës si dhe raportimit drejt institucioneve përgjegjëse.

Kjo me qëllim të  rritjes të vetëdijes tek fëmijët dhe poashtu krijimit të një hapësire ku fëmijët ndajnë mendimet, pikëpamjet dhe shqetësimet mbi format e rënda të punës.

Puna e rëndë duhet të raportohet në Qendrat për Punë Sociale nga çdo qytetar që mund të dijë apo njohë raste të tilla. / KultPlus.com

22 vjet nga çlirimi i Kosovës

22 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

E vlerësuar nga ata që e përjetuan si ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore.’

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.

Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë. / KultPlus.com

Kur artistët kinez vizituan Shkodrën në vitin 1955

Shkodra është një prej qyteteve më të kahershme të Shqipërisë, me një histori banimi mijëvjeçare në qytet dhe krahinë. Po ashtu Shkodra gjatë viteve të tëra, ka qenë një vend ku është zhvilluar kultura dhe jeta artistike, shkruan KultPlus.

Një fotografi e postuar kohë më parë nga Vinceś Mudroū‎, dëshmon se këtë qytet e kanë vizituar edhe artistë kinezë, në vitin 1955. Derisa ata parakalojnë përmes rrugëve të këtij qyteti, qytetar të shumtë kanë dalë për të pritur ardhjen e tyre.

KultPlus, ju sjellë këtë fotografi që tregon një atmosferë të këndshme në këtë qytet, derisa me buzëqeshje, e duartrokitje artistët kinez përshëndeten me banorët e qytetit të Shkodrës./ KultPlus.com

Fotografia e refugjatit të vogël nga Kosova që i dhuroi çmimin ‘Pulitzer’ fotografes amerikane

Fotografja Carol Guzy, ka kapur shumë pamje të refugjatëve nga Kosova që po shkonin drejt Kukësit gjatë luftës së Kosovës. Por me një pamje atje, ajo ka arritur të marr çmimin Pulitzer. Në këtë fotografi shihet një fëmijë refugjat me emrin Agim Shala. Ai në atë kohë 2 vjeçar, shihet teksa gjyshërit e tij e kalojnë përmes gardhit të telave me gjemba tek familjarët e tjerë që po vendoseshin në një kamp në Kukës të Shqipërisë.

“Gardhi ishte skena e shumë ribashkimeve. Kur u nënshkrua marrëveshja e paqes, ata u kthyen në Prizren për të gjetur shtëpitë e tyre që kishin mbetur të dëmtuara lehtë. Kishte lot gëzimi dhe trishtimi nga familja pasi fëmijët kalonin përmes gardhit, simbolik e pafajësisë dhe tmerrit e konfliktit”, shkruhet në përshkrimin e fotografisë.

Ajo thotë se imazhet që ka bërë atje, janë imazhe të dhimbjes dhe shpresës, por çka veçon ajo është se këto pamje e përvoja e kanë prekur atë emocionalisht në momentet kur ka marr rrugën e kthimit.
“Ndihesha shumë fajtore sa që më duhej të hyja në avion dhe t’i leja mbrapa meje shumë nga këto vende. Por unë mendoj se mënyra më e mirë për tu përballur me këtë që t’ia bëni me dije vetes se ajo çfarë po bëni është një mision, kjo nuk është vetëm një punë”, ka thënë Guzy.

“Është një fotografi e mbushur edhe me lumturi”, thotë Guzy. “Familjet që kishin shpëtuar nga spastrimi etnik nuk e dinin nëse të dashurit e tyre kishin mbijetuar apo jo. Kur një familje shihte të afërmit në anën tjetër të telit me gjemba, ata gëzoheshin dhe ua dorëzonin fëmijët e tyre të vegjël, duke pritur që të ribashkohen”, ka thënë fotografja e Washington Post.
Po ashtu në një intervistë, ajo ka treguar se Pulitzer e pranon si dedikim ndaj atyre që janë pjesë e fotografisë.

“Unë nuk besoj se çmimet Pulitzer na përkasin neve, unë mendoj se ne vetëm i pranojmë ata për njerëzit që janë në tregimet tona. Ata janë të guximshmit, janë ata që e tregojnë hapur jetën e tyre në mënyrë që të mund t’i marrim ato fotografi dhe të tregojmë historitë e tyre “, kishte thënë Guzy. / KultPlus.com