Ava Max publikon këngën ‘Every Time I Cry’ (VIDEO)

Këngëtarja Ava Max është një nga talentet më të suksesshme në tregun ndërkombëtar të muzikës,

Artistja me origjinë shqiptare ka publikuar këngën e saj të re me titull “Every Time I Cry”, e cila në vetëm pak kohë është dëgjuar nga një numër i madh njerëzish në gjithë botën.

Projektet e saj renditen gjithmonë në vendet e para të klasifikimeve muzikore dhe priten me shumë interes nga publiku. / KultPlus.com

Izolimi nga pandemia rriti problemet me gjumin

Izolimi nga COVID-19 shtoi problemet me gjumë, si pasojë e qëndrimit të gjatë para pajisjeve elektronike

Një studim i fundit ka zbuluar se izolimi gjatë pandemisë COVID-19 ndikoi në cilësinë e gjumit tek shumë persona.

Izolimi total rezultoi në rritjen dramatike të përdorimit të internetit dhe pajisjeve elektronike, përcjell KultPlus.

Studiuesit vërejnë se është e mundshme që rritja e përdorimit të tyre ishte për shkak se njerëzit po përpiqeshin të kompensonin ndërveprimin e kufizuar shoqëror dhe të plotësonin kohën e tyre të lirë.

Hulumtimi përfshiu 2123 pjesëmarrës dhe kreu disa sondazhe për të vlerësuar cilësinë e gjumit gjatë javës së tretë dhe të shtatë të bllokimit.

Gjithashtu, në studim u gjet se ka rënie të cilësisë së gjumit për njerëzit që qëndruan më shumë në ekranet e pajisjeve elektronike dy orë para gjumit. Derisa ata që ulën aktivitetin e tyre në ekrane dy orë para se të binin në gjumë raportuan një përmirësim të cilësisë së gjumit. / KultPlus.com

Nderohet nga Pulitzer adoleshenjta që incizioi rastin e George Floyd-it

Darnella Frazier u vlerësua me Citim të Veçantë nga Pultizer për “regjistrimin e guximshëm të vrasjes së George Floyd”, përderisa ishte vetëm 17 vjeçare.

Frazier, e kishte incizuar në maj të vitit të kaluar momentin që çoi Floyd-in drejt vdekjes v Çmimit Pulitzer të premten. Ajo u vlerësua për videon buja e të cilës nxiti protesta kundër brutalitetit të policisë në të gjithë botën, duke theksuar rolin thelbësor të qytetarëve në kërkimin e gazetarëve për të vërtetën dhe drejtësia “, sipas Bordit të Çmimit Pulitzer, përcjell KultPlus.

Në video shiheshin oficerët e policisë së Minneapolis që kishin shtrirë Floyd-in në tokë për disa minuta, teksa ai thoshte që “nuk mund të merrte frymë”. Videoja u përhap në të gjithë botën dhe vijoi në protesta masive në të gjithë SHBA-në dhe jo vetëm, shkruan Deutsche Welle, përcjell klankosova.tv

Organizatat e lajmeve gjithashtu fituan çmime për pasqyrimin e tyre të protestave që shpërthyen nga videoja, përfshirë Associated Press dhe Star Tribune të gazetës Minneapolis. / KultPlus.com

Nasi Lera shpallet fitues i çmimit letrar ‘Beqir Musliu’

Shkrimtari nga Shqipëria, Nasi Lera, është shpalluar sot fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”, të cilin e ndan kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për arritje të veçanta në letërsi, në bashkëpunim me klubin letrar të krijuesve gjilanas, ars klubin “Beqir Musliu”, përcjell KultPlus.

Fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar “Beqir Musliu”, në përbërje: Ibrahim Kadriu, Emin Azemi dhe Sadete Tërnava.

Shkrimtari Ibrahim Kadriu, tha se juria vendosi t’i jap çmimin “Beqir Musliu” për këtë vit një një korçari që ka krijuar një reputacion letrar, duke punuar në vazhdimësi, një romansieri e përkthyesi të njohur.

“Edhe sivjet, siç e do tradita, kemi punuar në përzgjedhjen e një autori i cili do ta meritonte këtë çmim në nivel të Beqir Musliut, sepse nuk do të duhej të shkohej më poshtë me emra. Nga lista e propozuar prej tetë shkrimtarëve të Kosovës deh Shqipërisë dhe juria vendosi që çmimin t’ia jap Nasi Lerës, një korçar që ka krijuar një reputacion letrar duke punuar në vazhdimësi. Romansier e përkthyer i njohur. Kur ia sublimuam këto vlera, vendosëm në mënyrë unanime”, ka thënë Kadriu.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se përveç respektit e nderit që i bëhet krijimtarisë së Beqir Musliu, Gjilani tash e pesëmbëdhjetë vjet ndan edhe një çmim letrar në emër të kolosit të letrave shqipe.

“Përveç respektit e nderit që ne e bëjmë për krejt krijimtarinë e pasurinë që ka lënë Beqir Musliu prapa vetit, kjo ditë shënon edhe ndarjen e çmimit me emrin e tij. Nder i veçantë që këtë juri e ka udhëhequr Ibrahim Kadriu, bashkë me Emin Azemin e Sadete Tërnavën, të cilët në mënyrë unanime kanë ardhur në përfundim që ky çmim i madh letrar sivjet i takon shkritmarit të madh nga Shqipëria, Nasi Lera. Urime!”, ka thënë Haziri.

Ideator i çmimit letrar “Beqir Musliu” është Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe ndahet për herë të pesëmbëshjetë nga Komuna e Gjilanit.

Deri më tash, me këtë Çmim letrar janë nderuar: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi, Edi Shukriu dhe Agim Gjakova.

Paraprakisht, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe bashkëpunëtorët, kanë bërë homazhe tek varri i kolosit të letrave shqipe, Beqir Musliu, në 76 vjetorin e lindjes. / KultPlus.com

Bebe Rexha publikon këngën ‘Chain My Heart’ (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare, Bebe Rexha ka publikuar këngën e saj më të re në bashkëpunim me DJ-in e njohur gjerman, Topic, përcjell KultPlus.

Gjatë muajve të fundit, Rexha ka publikuar një sërë këngësh të reja, të cilat ishin pjesë e albumit të saj të fundit, ”Better Mistakes”. Ndërkaq, kënga e publikuar sot, nuk bënë pjesë në këtë album.

Vetëm në minutat e parë të publikimit, kënga numëron mjaft shumë komente pozitive nga adhuruesit e këngëtares shqiptare. / KultPlus.com

Berlin-Prizren: Të bashkosh njerëz përmes artit

Shkruan: Fatlind Duraku

Gjuha është kufi që shpesh na ndan me njerëzit e vendeve të tjera. Mirëpo kjo nuk ndodhi në miqësinë mes Axel von Hoerschelmann nga Berlini dhe piktorit të ndjerë nga Prizreni, Sami Ahmeti.

Ata u takuan në vitin 2004 në një ekspozitë në Prizren, gjatë kohës kur Von Hoerschelmann kryente detyrën e ushtarit. Atëkohë Sami Ahmeti jipte shumë ekspozita për ushtarët që vinin në Prizren në mënyrë që ata të njiheshin me vendin dhe kulturën. Ajo që i kishte bërë përshtypje Von Hoerschelmann ishin pamjet që pikturonte ai: xhamitë, kishat, malet dhe copëza nga rrethina.

Miqësia që u krijua do të kultivohej me ndihmën e gjesteve, mimikës dhe shpeshherë ndihmës së shoqërisë.

Dhjetë vite pas vdekjes së Sami Ahmetit, Von Hoerschelmann arriti që përmes një filmi të shkurtër të paraqes jetën e tij interesante, karakterin dhe talentin e jashtëzakonshëm prej piktori. Ky film u shfaq të enjten me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës me datën 10 qershor të vitit 1999, në ambientet e ambasadës së Kosovës në Gjermani.

Piktori Ahmeti gjente motivet në Prizren dhe rrethinë të cilat i transmentonte pastaj si shpërthyese dhe shumëngjyrëshe. Në film trajtohet ajo se si shtëpitë e zhytura në peisazhe të varfëra, fshatra të ndriçuara nga dielli ose pemë karakteristike janë pjesë e pandashme e punës së tij.

Ai lejonte perceptuesin të krijonte mendimin e vet mbi pikturën dhe e udhëzonte që pikëpyetjet që kishte t`i analizonte vet. Ambasadori i Kosovës në Gjermani z.Cufaj komentoi që arti i Sami Ahmetit ishte ura lidhëse mes shumë oficerëve gjerman dhe Kosovës.

“Abstrakt mirëpo prapë konkret, egër dhe rrëqethës, lufta dhe gjurmët e saj”, kështu shprehet koloneli i atëhershëm i ushtrisë gjermane z. Damke gjatë intervistës për filmin.

Deri më tani nuk ka asnjë biografi të publikuar, asnjë mirënjohje të punës së tij dhe asnjë përmbledhje të ekspozitave edhe pse puna e tij është shfaqur në vende të ndryshme të botës.

Pas filmit, artistja nga Berlini Anne-Francoise Cart, u shpreh se I kishte lënë përshtypje se si Sami Ahmeti si piktor dhe njeri i qëndronte karshi të qenurit i larmishëm, i hapur dhe në kontakt me të tjerët.

“E përkrahi idenë e këtij filmi, mundësisht që të rinjtë të motivohen dhe të njihen me këtë njëri dhe kulturën që ai reprezenton”, kështu tha ish-gjenerali Erhard Bühler.

Von Hoerschelnmann shpreson që përmes këtij filmi të nxis të tjerët të mësojnë më shumë për Sami Ahmetin dhe veprat që ka lënë prapa. / KultPlus.com

OKB: 33 mijë fëmijë të rajonit Tigray rrezikojnë të vdesin nga uria

Rreth 33,000 fëmijë tejet të kequshqyer në rajonin Tigray të Etiopisë janë në rrezik të lartë të vdekjes, ka thënë Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF), përcjell KultPlus.

Ky rajon është shkatërruar nga luftimet në mes të forcave qeveritare dhe rebelëve, dhe prej kur kanë nisur luftimet në nëntor të vitit 2020, janë shpërnguluar 1.7 milion persona.

Një studim i përkrahur nga Kombet e Bashkuara, i publikuar të enjten, ka gjetur se 353,000 persona në këtë rajon janë duke jetuar në “krizë të madhe”.

Qeveria e Etiopisë ka hedhur poshtë të dhënat, duke thënë se ndihmat janë duke depërtuar në atë zonë.

Sipas raportit, situata me ushqim në këtë rajon ka arritur në nivele “katastrofike”, andaj UNICEF ka bërë thirrje që të ketë qasje në këtë rajon për dhurim të ndihmave humanitare.

“Ndonëse shifra 353,000 nuk e përmbush pragun e nevojshëm (20 për qind të popullsisë së anektuar) për të shpallur deklaratë zyrtare për uri, le të mos luajmë me fjalë, kur njerëzit janë duke vdekur”, ka thënë zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder të premten.

Rreth 33,000 prej tyre janë fëmijë dhe foshnjat janë në rrezik të madh për të vdekur nga kequshqyerja, ka thënë kjo Agjenci, përcjell tutje KultPlus.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga të gjitha palët e përfshira në konflikt që të pajtohen për një armëpushim, për të lejuar dërgimin e ndihmave për miliona persona që kanë nevojë për ndihmë.

Ndërkohë, Qeveria e Etiopisë ka thënë se trupat e Eritresë, që kanë qenë të përfshira në konflikt, kanë nisur të largohen nga rajoni Tigray, pas disa muajve të presionit ndërkombëtar për t’u larguar nga zona.

Pse ka pasur luftime në Etiopi?

Konflikti ka bazën në tensionet afatgjata në mes të Frontit Çlirimtar Popullor, parti e fuqishme rajonale, dhe Qeverisë qendrore të Etiopisë.

Kur kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed kishte shtyrë zgjedhjet kombëtare për shkak të koronavirusit në muajin qershor të vitit të kaluar, marrëdhëniet ishin përkeqësuar.

Fronti Çlirimtar Popullor ka thënë se mandati i qeverisë qendrore ka skaduar dhe se Abiy nuk është testuar në zgjedhjet kombëtare.

Në muajin shtator të 2020-ës, kjo parti ka mbajtur zgjedhjet e veta, të cilat qeveria qendrore i ka konsideruar “joligjore”.

Më pas, më 4 nëntor, kryeministri i Etiopisë ka njoftuar për operacion kundër Frontit Çlirimtar Popullor, duke e akuzuar forcat e saj për sulme kundër selisë së ushtrisë në Mekelle.

Fronti Çlirimtar Popullor ka hedhur poshtë këto pretendime.

Trupat e këtij Fronti, që përbëhen nga njësitet paraushtarake dhe milicia lokale, kanë rreth 250,000 anëtarë. / KultPlus.com

‘Tingujt, piano e vjeter kaq prane m’i sjell’ (VIDEO)

”Piano e Vjetër” nga Mariza Ikonomi vazhdon të mbetet ndër këngët shqiptare që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës sonë, shkruan KultPlus.

E realizuar prej më shumë se një dekade, ”Piano e Vjetër” është ndër ato këngët që na kthen shumë pas në kohë, e na ngjallë një nostalgji të pashoqe.

Në një intervistë jo shumë kohë më parë, Mariza tregoi se edhe për të si këngëtare, kënga ka një veçanti dhe një simbolikë.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e kësaj këngë të paharrueshme.

Qyteti fle, fle dhe ti zgjuar rri
nate e gjate, shoh pertej, erresire.
E nje ze nga shpirti vjen, filloj e flas,
edhe dyer, dritat nje nga nje i hap,
e filloj kendoj.

Tingujt piano e vjeter kaq prane m’i sjell,
nate behet dite, sketerra behet shprese,
e vazhdoj kendoj.
Cdo mengjes,kengen marr
me notat flas
pershendetje kalimtare, vec pak muzike.

Vec nje fllad muzike kur te vjen nga larg
shuan gjithe trishtimin, dhimbja mbetet pas
vetem kur kendoj.
Tingujt piano e vjeter kaq prane m’i sjell,
lotet derdhin shi, pas tyre lind nje diell,
vetem kur kendoj.

E ti qan, psheretin endrren largon.
Vetem je, si une sot, pianon hap.
Notat thurrin tinguj, gjithe qytetin zgjojne,
ne k’te nate dhe yjet bashke me ne jetojne, me ne jetojne.
E nje ze nga shpirti vjen, filloj, kendoj,
muziken ndjej e me te jetoj, kur kendoj
.

Vetem kur te prek ty ndjej se n’jeten time jam
vetem kur te prek jeten marr.
Tingujt sa degjoj, e muziken ndjej, e me te jetoj,
kur kendoj.
Vec nje fllad muzike kur me vjen nga larg
muziken ndjej e me te jetoj,
kur kendoj.tinguj pjano vjete
r… / KultPlus.com

Shqipëria bëhet pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria ka arritur të zgjedhet anëtare e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për dy vitet e ardhshme, përcjell KultPlus.

Këtë e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

“Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria sapo u zgjodh anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023”, ka shkruar Rama, derisa ka njoftuar për këtë lajm që ai e quajti të bukur.

Shqipëria do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pasi u votua për të marrë një nga pesë vendet e përkohshme në këtë këshill me një mandat dyvjeçar.

Në votim morën pjesë 190 vende anëtare, por 15 prej tyre nuk e mbështetën shtetin shqiptar në këtë votim.

Në garë për pesë vende ishin gjashtë shtete, përveç Shqipërisë edhe Brazili, Republika Demokratike e Kongos, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. / KultPlus.com

Antonio Vivaldi, prifti që u bë mbret i barokut në muzikën klasike

Antonio Vivaldi, magjistari i ndjenjave delikate, ngadhnjimtari i shpirtit estetik, vigan i barokut në muzikë. Ai cilësohet si një nga personazhet sa të rëndësishëm, aq edhe dominues në historinë e muzikës botërore. Emri dhe vepra e tij janë pjesë e panteonit. Krijmtaria që pasuroi vlerat dhe shtoi larminë me ngjyrat e çelura dhe emocionet delikate. Ai është padyshim një personalitet i spikatur i muzikës italiane, një tokësor që predikoi fjalën e shenjtë dhe kungoi vullnesën hyjnore në shpirtin e gjithë atyre që besuan se muzika është i vetmi vullnet që ka zbritur nga qielli në tokë për të mrekulluar jetën e njeriut.

Nëpërmjet muzikës së tij, Vivaldi ka prek puhizshëm shpërthimin magjepsës të pranverave, gufimin e një sythi e syprinën dehëse të një lumi, valën lojcake të bregdetit e vetminë e hapave të një hutimi, prarimin e një pafajësie e adhën e perëndimeve që kridhen në kurmin dalldisës të dëshirave shpuese. Kremtimi i tij muzikor lidhet ngushtaz me shpirtin e një dëshiruesi të thekur të së bukurës, të të perëndishmes, të vetë jetës. Ndjeshmëria, delikatesa, larmia e trajtesave dhe koloriteve, shëmbëllejnë jo vetëm atë që kumtimi i tij estetik u qas të regëtinte, por shënoi njiherësh dhe barokun në aktin e krijimit muzikor. Varfëria dhe fama jetuan me të, atëherë kur ngjizej në kujtesën e historisë së muzikës, kur drojshëm hidhte hapin drejt përjetësisë. Ndërsa synonte Vjenën skamja e shtyu atë të shiste disa nga kryeveprat e tij, të cilat ne sot i njohim me tjetër emër autorsie. Gjithqysh, kësisoj u mbrujt ky emër i muzikës, kjo vepër e mbamendjes së barokut.

Antonio Lucio Vivaldi u lind më 4 mars 1678, në Venecia, Itali, në qytetin e magjishëm, në kryeqendrën e gëlimeve të stuhishme të personazheve dhe korifejve të artit dhe jo vetëm. Mësoi violinën nga babai i tij Giovanni Battista që punonte asokohe si berber. Pas një kapërthimi të mundimshëm nëpër muret e larta të sendërtimit të tij si muzikant, at e bir bënë një turne rreth Venecias. Mbamendet se në atëkohje, Vivaldi kishte një problem shëndetësor, të cilin e vetëquante “ngushtim të kraharorit”. Bëhej fjalë për astmë. Me gjithë zoritjet dhe keqkandjet që e sëmbonte atë një frymëmarrje hekakeqe, kurrqysh ai nuk u step së mësuari dhe kompozuari të muzikës, së kumturi të hyjnores në këtë kremtim . Ishte 14 vjeç kur ai nisi të studionte në një shkollë biblike. Në vitin 1703, përfundoi studimet dhe u emërua prift, me emrin fetar “Prifti i Kuq,” për shkak të ngjyrës së flokëve, nofkë e cila i shkoi nga pas për gjithë jetën. Në motmotin e vitit 1704, shëndeti i lig do t’i privonin Vivaldit të drejtojë meshën e Ujit të Shenjtë. Ky ishte dhe fundi i tij si predikues. Ai hoqi mantelin e priftit duke veshur atë të mjeshtrit. Sëmundja mbase do të ishte oguri i tij i mirë. Ikja prej kumtit të shërbestarit e behu atë në kungimin e një virtuozi. Dy vjet më vonë, u bë profesor violine në një jetimore vajzash, “Pio Spitali i Mëshirës”, në Venecia. Në jetimore ai kishte shumë përgjegjësi për detyra të ndryshme. Shume shpejt, pasi ishte bërë mësues, jetimët patën sukses. Puna e mjeshtrit do të përkundte talentet e tyre duke ngjizur kështu famën. Vivaldi ka shkruar për ta shumicën e simfonive, kantatave dhe muzikave kishtare. Në 1705 u publikua përmbledhja e parë me punët e tij, e titulluar “Raccolta”. Në 1707 u njoh me Ana Xhiraudin (Anna Giraud), të cilën e konsideronte si muza frymëzimi. Në vitin 1713, Vivaldi u bë përgjegjës për aktivitetet muzikore të institutit. Vivaldi u emërua “maestro de’ concerti’ në vitin 1716. Gjatë këtyre viteve, ai shkroi pjesën më të madhe të veprave muzikore, ku përfshihen disa opereta dhe koncerte, vepra muzikore për violinë.

Gjatë viteve 1723 – 1729, Vivaldi kishte kompozuar 140 koncerte. Një fakt i rëndësishëm është rizbulimi i pjesës më të madhe të repertorit të tij, në fillim të shekullit XX, në Torino dhe Gjenovë. Muzika e Vivaldit është inovatore, pasi ka thyer traditën në mënyrën e të kompozuarit. Ai përmirsoi strukturën e koncerteve, ku kërkonte kontraste harmonike, duke krijuar melodi dhe skema të reja interpretimi. Vivaldi ishte në gjendje të kompozonte dhe muzikë jo-akademike, e cila pëlqehej nga pjesa më e madhe e publikut. Ky popullaritet e bëri të njohur edhe në shtete si Franca gjatë asaj periudhe e njohur si liberale ne shijet muzikore. Vivaldi njihet si një prej artistëve që solli muzikën Baroke. Bahu u ndikua jashtë thelbësisht prej muzikës së këtij mjeshtri të madh. Mbamendet se Bahu transkriptoi një sërë koncertesh për piano dhe një sërë pjesësh muzikore për orkestër ku përfshihet “Koncerti i Famshëm për Katër Violina dhe Violinçelë”. Megjithatë, jo të gjithë muzikantët shfaqën të njëjtin mendim kundrejt Vivaldit. megjithatë asgjë e ndryshtë nuk mëton kjo kundërshti në vetvete. Konservatorët e akuzonin për shkallmues të rregullave, liberalët e vështronin vengër, të friguar prej shkëlqimit të këtij ylli. Kësisoj u gatu ky talent, në këtë terren u desh të ecte kjo magji estetike, ballas këty ndikesave u vu vepra e tij titanike.

Edhe pse kishte statusin fetar, Vivaldi u kredh në aventura dashurishë, njëra prej të cilave, ndoshta jo më e stuhishmja, por më sqimatarja mbamendet të ketë qenë me këngëtaren operistike veneciane, Anna Giraud, më të cilën ai do të punonte materiale prej operës së vjetër veneciane, duke ia përshtatur vokalit të këngëtares. Sidoqoftë, nuk gjenden fakte konkrete që mund të vërtetojë ndonjë lidhje romantike të Vivaldit. Jeta e tij, si dhe e shumë kompozitorëve të tjerë të asaj periudhe, ishte e zhytur në varfëri. Për të siguruar të ardhurat, për tu shpërngulur në Vjenë, Vivaldi u detyrua të shiste një pjesë të madhe të veprave të tij. Arsyet e largimit të tij prej Venecias nuk janë shumë të qarta, por mendohet se dëshironte të takonte Karlin e VI-të, i cili i adhuronte kompozimet e tij. Në vitin 1727, Vivaldi i kushtoi Karlit të VI-të, veprën muzikore “La Cetra” e cila i siguroi Vivaldit postin “kompozitor mbretëror”. Pak pas mbërritjes së Vivaldit në Vjenë, Karli vdiq. Kjo humbje tragjike e la kompozitorin pa mbrojtje mbretërore. Vivaldi u detyrua të shiste më shumë dorëshkrime të veprave të tij muzikore dhe në vitin 1741 ai u nda nga jeta. Vivaldi u varros në një varr të thjeshtë, vendndodhja e të cilit është në Kishën e Karlit në Vjenë. Pas vdekjes së tij veprat e Vivaldit mbetën në errësirë deri ne fillim te shekullit XX. Shtepia ku Vivaldi jetoi në Vjenë është shembur, sidoqoftë për Vivaldin janë vendosur pllakatë përkujtimore në Miljen e Muzikes Vjeneze si dhe në Sheshin Ruzvelt (Roosevelt Square). Vivaldi është pa dyshim një nga kompozitorët më të mëdhenj italianë dhe në kurrikulumin e tij rezultojnë mbi 500 koncerte, 210 prej të cilave ishin për violinë ose violonçel, 46 opera, sinfoni, 73 sonata, muzikë dhome, disa sonata për fyell, si dhe Muzikë të Shenjtë. Vepra e tij më e famshme është “Katër Stinët”, kompozuar në vitin 1723. Në thelb, ajo ishte si një poemë për natyrën, ku ai u mundua të realizonte tingujt e katër stinevë. Pranvera është një pjesë, që shpesh përdoret për ceremoni të rëndësishme dhe vazhdon të konsiderohet një nga perlat e muzikës klasike. “Scanderbeg” është një opera, ndër të rëndësishmet e këtij muzikanti të njohur dhe me të cilën shqiptarët lidhen me Antonio Vivaldin, këtë prift që astma e hoqi mantelin e predikuesit, duke i veshur shkëlqimin e një Hy të muzikës.

Natë e kapërcyellit të 27/28 korrikut të vitit 1741, një nga të mëdhenjt e muzikës klasike shuhet në moshën 63-vjeçare nga një infeksion i brenshëm. Funerali Vivaldit u zhvillua në St. Katedralja Stefanit. Një përcjellje të korifeut të muzikës pa asnjë notë muzikore veç kumbimit të kambanave dhe ligjërimit kishtar të lamtumirës, kjo pasi nuk disponohej një muzikë e dedikuar për ceremoni të tilla. Antonio Vivaldi u varros më 28 korrik në një varrezë të thjeshtë që ishte në disponim të spitalit publik. Një ndarje pa shumë lavdi e këtij mjeshtri të madh, por ai iku për të mbetur përgjithmonë një i andshëm dhe ngulmues i fuqishëm i normave estetike./albertvataj/ KultPlus.com

Nëse do që të më duash

Poezi nga Elizabeth Barrett Browning

Përkthyer nga Faslli Haliti

Dhe nëse do që të më duash mos me duaj me asgjë tjetër,
veçse me dashuri. Kurrë mos thuaj “E dua për
buzëqeshjen, për vështrimin, për mënyrën
fisnike të të folurit, për idetë e saj
që përkojnë, me të mija të cilat një ditë
më bënë të qetë.”
Këto gjëra,i dashur, mund të ndryshojnë në vetvete ose të ndryshojnë për ty.
Kështu një dashuri mund të zhduket.
Dhe ti mos më duaj gjithashtu me keqardhje
për të fshirë lotët në faqet e mia. Të qarat
mund t’i harrojë kush e pati gjatë komfortin tënd,
e të humbasë, kështu, dashurinë tënde.
Por ti më duaj, vetëm me dashuri të dashurisë,
që rritet në ty, me një dashuri eterne !/ KultPlus.com

Viti 1999, kur civilët shqiptarë dëboheshin në Shqipëri e Maqedoni (FOTO)

Me rastin e 22 vjetorit të përfundimit të luftës 1998-1999, Fondacioni Kosova Exodus99 ka publikuar një video ku ilustron përmes fotografive nga Asllan Krasniqi dëbimin e gati 1 milion shqiptarëve nga Kosova në pranverën e vitit 1999.

33 fotot ilustrojnë dëbimin, mbërritjen e të dëbuarve në Maqedoni dhe Shqipëri, qëndrimin e tyre në kampet e refugjatëve në këto dy vende, si dhe kthimin e tyre në atdheun e tyre pas përfundimit të luftës (12 qershor 1999), kur ushtria e Serbisë u largua nga Kosova.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Javier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit, kurse, Këshilli i Sigurisë së OKB-së, po në të njëjtën ditë, kishte miratuar rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, teksa nisi largimi i forcave serbe. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. / KultPlus.com

Koncerti festiv i ‘Prishtina Brass’ solli këngë të vjetra shqipe për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës

Era Berisha

Ansambli i tunxhit “Prishtina Brass” me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, sot realizoi koncertin festiv për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, me ç’rast prezantoi një repertor të larmishëm të veprave të njohura botërore dhe shqiptare, ku tingujt dhe meloditë kapluan atmosferën në një frymë muzikore në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Koncerti përfshiu një kombinim të periudhave të ndryshme muzikore ku instrumentet si: trumpetë, korno, trombon dhe tubë gjallëroheshin vazhdimisht nën lojën fantastike të Avni Krasniqit, Ardit Pirës, Bledar Bujupit, Betim Krasniqit dhe Meriton Feratit, ku së bashku me mezzo-sopranon Fjolla Krasniqin, ky koncert solli momente tejet të bukura ku të pranishmit jo vetëm që luhateshin nga ritmi tundues i veprave shqiptare dhe këngëve patriotike si: ‘Por si fleta’ dhe ‘Për mëmëdhenë’, por edhe fëmijë të shumtë nga mosha të ndryshme po vallëzonin nën meloditë e krijuara e lumturia e tyre shihej në fytyrat e buzëqeshura.

Veprat e interpretuara vinin njëra pas tjetrës në një zinxhir ku herë vihej në pah madhështia e një instrumenti e herë tjetër vihej në pah zëri që buçonte ëmbëlsisht nga Krasniqi, e cila këndoi disa nga këngët më të njohura shqipe duke përmbyllur koncertin me këngën ‘O Kosovë, vendi im’, që la pas jehonën e saj ku duartrokitjet e të pranishmëve nuk pushonin së ndaluari edhe në mesin e performimit të saj.

Ndërsa, si shoqërues të këtij koncerti ishin edhe zogjtë që fluturonin në ajër e që krijonin një peizazh të bukur dhe qeni që zuri vendin afër instrumentistëve për një dëgjim rasti, u shndërruan në faktorë të veçantë që atmosferën e ngritën në një nivel më të lartë. Po ashtu, shiu i cili kishte vendosur të bëhej pjesë e këtij koncerti, nisi interpretimin e tij me piklat e vogla që binin ngadalë ku interpretimi i secilës këngë i dhuronte një ngrohtësi publikut që sa vinte e mbushej më shumë, entuziazmi i së cilëve nuk po merrte fund deri në përmbylljen e këtij koncerti festiv.

Pas përfundimit të koncertit të Prishtina Brass, të pranishmit u larguan për të respektuar kështu masat anti-covid19, duke u ndarë kështu me kujtime rastësore që shpesh dinë të ndodhin në Prishtinë.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth realizimit të këtij koncerti dhe procesin e provave, për KultPlus foli instrumentisti, Avni Krasniqi.

“Ne kemi pasur një ftesë nga Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ku Ansambli ynë ka përzgjedhur repertorin në bazë të përmbajtjes së koncertit ku kujdesi i shtuar nuk ka munguar”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, i gjithë programi është bazuar ndaj festës për ditën e çlirimit të Prishtinës por normalisht që veprat e luajtura ishin të orkestruara me kujdes dhe ato u luajtën me shumë dëshirë.

“Provat kanë zgjatur disa ditë dhe kanë shkuar shumë mirë sepse disa pjesë veçse i kemi luajtur nga koncertet e kaluara duke ndikuar që realizmi i koncertit të jetë ende më i lehtë. Prishtina Brass tash e një dekadë ka një repertor shumë të gjerë duke filluar nga muzika shqipe e deri tek ato botërore prandaj sot performimi është më i lehtë sesa para 10 viteve”, thotë Krasniqi.

Për Krasniqin, Komuna e Prishtinës është një mbështetës i përhershëm i Ansamblit ku bashkëpunimi i jashtëzakonshëm me ta ka kulmuar më së shumti këtë vit me aktivitete të ndryshme e për çka ai është shprehur falënderues.

“Ne pamë që koncertet e tilla në ambient të hapur janë pak më ndryshe dhe shumë karakteristike sepse janë mjaft sfiduese për shkak të kohës. Po ashtu, shiu filloi të binte por ne në asnjë moment nuk jemi ndalur duke përfunduar programin tonë të paraparë”, përfundon Krasniqi për KultPlus. / KultPlus.com

Publikohen veprat e pashfaqura të Basquiat

Më shumë se 200 vepra arti të paekspozuara nga Jean-Michel Basquiat do të shfaqen në fillim të pranverës të vitit të ardhshëm, si pjesë e një ekspozite në Starrett-Lehigh Building të Nju Jorkut.

Ekspozita vjen nga familjes së Basquiat, e tërhequr tërësisht nga koleksioni i tyre i gjerë i veprës së artistit. Pavarësisht nga një seri ekspozitash të profilit të lartë (dhe, së fundmi, shfaqjeve virtuale) që nga vdekja e tij në 1988, kjo shfaqje është e para e organizuar nga familja, duke ofruar një pasqyrë të punës që kryesisht është mbajtur larg vëmendjes së publikut, përcjell KultPlus.

Titulluar King Pleasure si referencë të një pikture eponike Basquiat, e cila vetë është emëruar pas një banakeri, i kthyer në një vokalist xhazi – shfaqja është faturuar gjithashtu si një përvojë gjithëpërfshirëse, me mjedise ku shfaqen piktura, vizatime, prezantime multimediale, efekte dhe të tjera objekte.

“Pjesa më e madhe e asaj që është ndarë në lidhje me Jean-Michel, deri më tani, ka buruar nga perspektiva e atyre që takuan ose njohën Jean-Michel në një moment specifik në kohë,” motrat e artistit dhe menaxherët e pasurisë së Jean-Michel Basquiat , Lisane Basquiat dhe Jeanine Heriveaux, i thonë Artnet.

“Ne vazhdimisht drejtohemi nga njerëz që duan të dinë dhe të dëgjojnë më shumë se kush ishte Jean-Michel”. / KultPlus.com

Mbretëria e rrënuar e Kosovës

Më 11 qershor të vitit 1945 lindi Beqir Musliu, poeti, romancieri dhe dramaturgu i mirënjohur shqiptar.

Në vijim, KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të njohura të Musliut, ”Mbretëria e rrënuar e Kosovës”.

Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil
Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri
Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit
Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur

Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë
As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata
Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten
Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë

Luftëtarët i varëm për degët e historisë
Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra
Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve
Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan

Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne
Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim
Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër
Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë

Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh.

Shkrimet e Beqir Musliut janë të një niveli të lartë dhe përdorin me mjeshtri të madhe metaforat dhe simbolet, andaj mund të quhet edhe shkrimtar i simboleve.

Puna e tij kryesisht ka të bëjë me gazetari, publicistikë dhe redaktim të revistave. Së pari punoi si gazetar e redaktor në revistën “Zëri i rinisë”, e pastaj edhe në “Fjala” të Prishtinës. Së bashku me disa krijues të gjeneratës së vet, sa ishte student, nxori dhe redaktoi revistën letrare “Plejada”, e cila arriti të botohet vetëm deri në numrin 6, sepse pushteti i atëhershëm, duke parë ndikimin e krijimtarisë letrare në masën e gjerë, nuk e financoi dhe e shantazhi për të mos u botuar. Më vonë Beqir Musliu ishte anëtar i redaksisë, e një kohë edhe redaktor në revistën “Jeta e Re”.

Beqir Musliu është prezantuar thuaja në të gjitha antologjitë e shkrimtarëve shqiptarë të kohës së tij e më vonë. Punimet e tij janë përkthyer në gjuhën frënge, angleze, spanjolle, italiane, arabe, gjermane, hungareze, rumune, turke, sllovake, maqedonase, sllovene, serbe dhe kroate. / KultPlus.com

Publikohen fotografi të reja nga Marsi

Kina ka publikuar fotografi të reja të roverit Zhurong në planetin Mars, i cili po e eksploron “planetin e kuq”. Mediet shtetërore kineze thanë se kjo është shenjë e suksesit të plotë të këtij misioni, përcjell KultPlus.

Roveri kinez u lëshua në zonën Utopia Panitia të Marsit më 15 maj. Ky është misioni i parë i Kinës në Mars, duke u bërë vetëm shteti i dytë në botë që arrin sukses të tillë, pas Shteteve të Bashkuara.

Roveri i dërgoi fotografitë e para nga Marsi muajin e kaluar, disa ditë pas lëshimit në sipërfaqen e këtij planeti. Në ato fotografi u pa një sipërfaqe e rrafshët e planetit fqinj të Tokës.

“Kina do të publikojë të dhëna përkatëse shkencore në kohën e duhur për t’ia lejuar njerëzimit shfrytëzimin e fryteve të zhvillimit eksplorues të hapësirës nga vendi ynë”, tha Zhang Keijan, shef i agjencisë kombëtare të hapësirës në Kinë.

Ndonëse Zhurong nuk është rover i avancuar në aspektin teknologjik sa roveri i NASA-s, Perseverance, i cili gjithashtu ndodhet në Mars, prania e tij dërgoj sinjal të qartë se shkathtësitë hapësinore të Kinës po u afrohen atyre të Shteteve të Bashkuara, shkruan tutje CNN. / KultPlus.com

Elton John: Një gjeneratë muzikantësh mund të humbet nga BREXIT-i

Sir Elton John ka paralajmëruar ligjvënësit se industria e muzikës në Mbretërinë e Bashkuar mund të humbasë “një brez talentesh” për shkak të kufizimeve pas BREXIT-it në lidhje me turnetë nëpër Bashkimin Evropian.

Muzikanti akuzoi ministrat se nuk ishin të gatshëm të rregullonin një “hapësirë” në marrëveshjen aktuale të BREXIT-it, që do të thotë se artistëve u duhen vizat e shtrenjta për të organizuar koncerte nëpër shtetet anëtare të BE-së.

Qeveria britanike është arsyetuar se BE-ja hodhi poshtë përpjekjet e saj për të negociuar udhëtimin pa viza. Ndërkohë, për të njëjtën gjë, BE-ja akuzon Mbretërinë e Bashkuar.

Këngëtari veteran e ka cilësuar situatën si “buzë katastrofës” për Mbretërinë e Bashkuar.

“Unë dua të jem i qartë se çështjet e turneve pa viza dhe pa leje nuk kanë të bëjnë me ndikimin mbi mua dhe artistët që bëjnë turne në arena dhe stadiume”, ka thënë Sir Elton John.

“Kjo situatë e rëndë ka të bëjë me dëmtimin e brezit të ardhshëm të muzikantëve dhe artistëve në zhvillim, karrierat e të cilëve do të ngecin para se të fillojnë për shkak të kësaj loje të hedhjes së fajit”, ka shtuar krijuesi i hitit “Rocketman”.

“Nëse do të isha përballur me pengesat financiare dhe logjistike, me të cilat po ballafaqohen tani muzikantët e rinj, nuk do të kisha pasur kurrë mundësinë të ndërtoja bazat e karrierës time dhe shumë dyshoj nëse do të isha këtu ku jam sot”, ka tërhequr vërejtjen Elton John.

Deklarata e yllit britanik është lexuar në prani të deputetëve që po negociojnë ligjet e vizave të BE-së për industrinë krijuese. Pak orë më vonë të enjten, Elton John të njëjtën deklaratë e postoi në rrjetet sociale.

Komiteti për Digjitalizim, Kulturë dhe Media së bashku me atë sportiv janë bërë bashkë për të diskutuar rreth problemit me vizat.

Komiteti DCMS, gjithashtu, duhej të dëgjonte qëndrimin nga ministri i BREXIT-it, Lord Frost – por ai u tërhoq papritur, duke nxitur kritika të ashpra nga kryetari i komitetit, Julian Knight.

“Vëzhgimi parlamentar përpara komisioneve të zgjedhura është i një rëndësie thelbësore në sistemin tonë demokratik dhe është veçanërisht i rëndësishëm kur kemi një qeveri me një shumicë prej mbi 80 deputetësh”, ka thënë Knight., duke e quajtur të papranueshme dështimin e Lord Frostit për të marrë pjesë në seancë.

“Unë dhe ky komision presim që Lord Frost të bashkohet me ne në datën e ricaktuar dhe nuk do të vazhdojmë me anulime të mbledhjeve”.

Sidoqoftë, komiteti dëgjoi edhe agjentin e muzikës live, Craig Stanley, i cili paralajmëroi se industria e muzikës live në Mbretërinë e Bashkuar “po përballet me shfarosje”.

Ai ka theksuar se shumica e turneve evropiane nga grupet pop dhe rock e kanë origjinën në Mbretërinë e Bashkuar – që do të thotë se ata punësojnë ekipin e skenës, shoferët, furnizuesit e ushqimit, inxhinierët e zërit, teknikët e ndriçimit dhe muzikantët mbështetës për të punuar në të 27 vendet anëtare të BE-së.

“Amerikanët veprojnë kur vijnë, mirëpo shumicën dërrmuese të kohës marrin stafin britanik dhe përdorin pajisjet britanike 85 deri në 90% të kohës”, ka thënë Stanley para deputetëve. “Ata do të fillojnë të lëvizin në Schiphol, në Frankfurt, në depot në mes të Gjermanisë dhe të marrin pajisjet atje dhe e gjithë puna do të humbet”.

Ai ka shtuar se ekziston një “rrezik real” që orkestrat britanike të ndërpresin turnetë ndërkombëtarë. / Koha.net / KultPlus.com

Këtë fundjavë në Cineplexx, filmi më i madh i verës Fast and Furious 9, shfaqet në 10 orare të ndryshme

Këtë fundjavë, në Cineplexx mund t’i shikoni disa nga premierat më të fundit botërore, por fokusi mbetet tek filmi më i madh i verës, Fast and Furious 9.

Vikendi është kohë që më së miri kalohet duke shikuar filma, dhe ku t’i shikosh filmat më të rinjë dhe më mirë se në Cineplexx. Këtë vikend, në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren mund t’i shikoni 9 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 12:00 deri në ora 22:00 në kinemanë në Prishtinë dhe në Prizren.

Filmi kryesor që do të shfaqet këtë vikend është padyshim super-aksioni Fast and Furious 9. Gjatë premieres së filmit më 10 qershor, të gjitha biletat në 16 orare të ndryshme në Prishtinë arritën të shiteshin.

Filmi i gjen protagonistët sërish në aksion kur Cipher, personazh i luajtur nga Charlize Theron, e rekruton vëllaun më të ri të Dom në ekipin e saj që të marrë hakmarrje ndaj Dom dhe miqve të tij. Filmi rikthen në regji Justin Lin, ndërsa në rolet kryesore vijnë super-yjet Vin Diesel, Charlize Theron, Tyrese Gibson, Michelle Rodriguez, si dhe kastit të aktorëve do ti bashkangjitet edhe ylli tjetër i filmave aksion, John Cena.

Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen super-horrorat A Quiet Place Part II, The Conjuring 3, pastaj aksioni Wrath of Man, Boss Level, Cruella, ndërsa nga filmat e animuar, The Croods 2 dhe Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren, nis punën nga ora 12:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu.

Historia e shqiptarëve në Luginën e Arvanit në Francë

Në mes të Savoies, në rajonin e Auvergne-Rhone Alps të Francës, ekziston një luginë e quajtur Lugina e Arvanit (Vallee des Arves) e rrethuar nga shumë më tepër toponime Alb / Arb / ARv. Këto toponime janë me siguri të emërtuara nga fisi Arverni, një fis i madh antik kelt nga i cili rajoni Auvergne rrjedh emri i tij.

Studiuesi i kostumeve folklorike Roman K. kur analizon metodën e prodhimit të veshjes së Luginës së Arvanit me fjalët e tij thotë:
“I vetmi shembull i këtij lloji të ndërtimeve të skajeve që unë njoh është Xhubleta e Shqipërisë. Pse këto dy rajone të palidhura, të ndara gjerësisht, përdorin në mënyrë unike këtë metodë ndërtimi, nuk kam asnjë ide.”

Ajo që është interesante se këta njerëz në këtë rajon kanë një veshje popullore tejet të ngjashme me malësorët shqiptarë!

Shohim kostumet folklorike të veshura nga gratë nga fshatrat në “Luginën Arvan” (Vallée de l’Arve) të rajonit Auvergne-Rhône-Alpes të Savoie, Francë. Emri Auvergne rrjedh nga një fis i lashtë kelt i quajtur “Arverni”. Kjo kostum folklorik është i famshëm për të qenë i veçantë dhe ndryshe nga kostumet e tjera folklorike nga rajoni dhe veshjet e tjera popullore franceze në përgjithësi. Ky ndryshim me veshjet e tjera popullore franceze sugjeron një ndikim të jashtëm ose të ndryshëm në kulturën materiale.

“Xhubleta”, fustani unazor, në formë kambanash të veshur nga gratë shqiptare është një veshje e veçantë shqiptare dhe asgjë nuk i afrohet asaj për nga ngjashmëria apo ndërtimi nuk vishet nga ndonjë grup tjetër etnik në Ballkan, Evropë ose kontinentet fqinje. Ajo është e veshur kryesisht në rajonin e Malësis së Madhe, të territoreve shqiptare. Xhubleta është ndërtuar në një mënyrë shumë specifike me teknika dhe materiale arkaike që janë përdorur që nga kohërat e lashta. Në rini, xhubleta është me vija të bardha dhe të zeza, dhe bëhet e zezë në tërësinë e saj vetëm një herë kur një grua martohet. Në disa rajone thuhet se një Xhubletë e kuqe ishte ishte veshur në ditën e dasmës.

.

Xhubleta është shumë e rëndë për shkak të konstruksionit të trashë të leshit dhe të ndjerë dhe arrin deri në 15-20 kg me të gjitha zbukurimet dhe pjesët përbërëse të veshura së bashku.
Nëse krahasojmë kostumet dhe pjesët përbërëse që shohim , pothuajse të gjitha tiparet e dallueshme të Xhubletës janë ruajtur në kostumet e Luginës së Arvanit, ndërsa zëvendësuan disa tipare dhe materiale arkaike, duke humbur versionin bardh e zi të veshur (megjithëse Lugina e Arvanit veshja gjithashtu është me ngjyra të ndryshme tek te rinjte). Forma e kambanës së veshjes bëhet me rripa të qepjes njëra pas tjetrës, secila prej të cilave më e gjatë se ajo më parë, e bëjnë rrobën më të gjerë dhe më të gjerë drejt fundit. Në Luginën e Arvanit shiritat janë bërë më të imët ndërsa Xhubleta ka ruajtur formën më arkaike, me shirita të gjera. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Sunaj Raça zgjedhet anëtar i jurisë profesionale në Sarajevo Film Festival

Aktori dhe regjisori Sunaj Raça, është zgjedhur anëtar i jurisë profesionale për tv serialet rajonale në Sarajevo Film Festival, shkruan KultPlus.

Për këtë sukses ka njoftuar vetë aktori përmes rrjeteve sociale.

Festivali i Filmit në Sarajevë është festivali kryesor dhe më i madh i filmit në Evropë. I themeluar në Sarajevë në 1995 gjatë rrethimit të Sarajevës në Luftën e Bosnjës, festivali sjell njerëz të famshëm ndërkombëtarë dhe vendas në Sarajevë çdo vit dhe shpalos një larmi të gjerë filmash me metrazh të gjatë dhe të shkurtër nga e gjithë bota. / KultPlus.com

Mesazhi i veçantë në xhaketën e Zonjës së Parë të ShBA’së

Në vizitën e tyre të parë jashtë vendit, që kur bashkëshorti i saj Joe u bë president, zonja e parë Jill Biden përcolli një mesazh të thjeshtë për botën, i shkruar në xhaketën e saj; dashuri.

“Po dashuri. Mendoj se po sjellim dashuri nga Amerika. Është një konferencë globale dhe ne po përpiqemi të sjellim unitet rreth globit. Mendoj se ndjesia e shpresës dhe unitetit janë shumë të rëndësishme pas një viti pandemik”.

Jill veshi të njëjtën xhaketë edhe më shumë se dy vite më parë, kur bashkëshorti nisi fushatën presidenciale. 70-vjeçarja shquhet për stilin elegant, shpesh me ngjyra pastel apo printime që bien në sy.

Rrallë mund të shihet pa këpucët me pak takë, ndërsa kjo nuk është hera e parë që përcjell një mesazh me veshjet. Gjatë një udhëtimi në Iowa vitin e kaluar, mbante një palë xhinse të zeza ku shkruhej: Voto!

Mesazhet e Jill janë në kontrast me atë që ofroi Melania Trump gjatë një vizite në një qendër ndalimi të migrantëve në 2018, ku mbante një xhaketë me shkrimin: “Unë nuk e vras mendjen, po ti?” / KultPlus.com

“Muzeu i Kulturës Arbëreshe” vlerësohet me çmim nga Ministria e Kulturës në Itali

Komuna e San Paolo Albanese, në provincën e Potenza, ka marrë një vlerësim të rëndësishëm nga Ministria e Kulturës në Itali për projektin “Muzeu i Kulturës Arbëreshe”.

Në edicionin e VII të “Premio Nazionale del Paesaggio del Consiglio d’Europa” (Çmimi Kombëtar të peizazhit të Këshillit të Evropës), mbajtur marsin e kaluar, projekti i komunës së San Paolo Albanese, la gjurmët e tij për sa i përket shtjellimit dhe përmbajtjes midis 96 projekteve të paraqitura nga e gjithë Italia.

Komisioni ministror, ​​i cili vlerësoi projektin u shpreh se përpjekjet për të ruajtur identitetin duhen vlerësuar: “Përpjekjet për të ruajtur identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë pasqyrohen në menaxhimin e territorit dhe hapësirave publike, duke e bërë ekomuzumin një pajisje me vlerë të lartë socio-kulturore dhe një referencë që të tregoi jetën e përditshme të qytetarëve ”.

Certifikata, e nënshkruar nga Ministri Dario Franceschini, iu dorëzua Komunës së San Paolo Albanese ditët e fundit, pasi nuk ishte e mundur të organizohej dorëzimi i çmimit si pjesë e ceremonisë së zakonshme të dhënies në ambientet e Ministrisë për shkak të pandemisë dhe protokolleve ende në fuqi.

Një çmim që sjell kënaqësi, por edhe shumë përgjegjësi, një angazhim për të vazhduar dhe për tú përmirësuar: “Kënaqësia është e lartë pasi është rezultat i një përkushtimi të madh ndër vite – nënvizon Mose ‘Antonio Troiano, kryetari i San Poalo Albanese – jo vetëm nga ana ime, sidomos nga administratorët që më paraprinë nga vitet e themelimit të Muzeut të Kulturës Arbëreshe e deri më sot”. Shumë aktivitete socio-kulturore të kryera në dekadat e kaluara kanë kontribuar në marrjen e këtij rezultati të shkëlqyeshëm. “Sigurisht që angazhimi nuk përfundon, tradita do të vazhdojë të ruajë këtë veçori, jo vetëm sepse është pjesë e kulturës dhe traditave tona, por sepse duhet të jetë një vlerë etnodemoantropologjike për brezat e ardhshëm”.

Muzeu u krijua, në përputhje me Statutin e Komunës për mbështetjen e kulturës: Këshilli Bashkiak i San Paolo Albanese me rezolutën nr. 84 të datës 13.04.1984 vuri në funksion ripërdorimin e ndërtesave të vjetra të pabanuara në qendrën historike të qytetit, në të cilën janë vendosur mikro-mjedise me mbetjet materiale të kulturës lokale; mjetet, materialet, produktet dhe mënyrat e transformimit të objekteve ndër vit. Një muze që dokumenton kulturën e një populli i cili u strehua në këto vende në fillim të shekullit XVI, pas pushtimit osman në Shqipëri dhe Greqi. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

“Vajtimi i mbivarrshëm”, restaurohet një ndër ikonat e rralla të piktorit David Selenica

Restaurimi dhe konservimi i thesareve kulturore mbetet një sfidë e specialistëve të Laboratori të Restaurimit të Veprave të Artit, pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Ditët e fundit specialistët përfunduan restaurimin e ikonës: “Vajtimi i mbivarrshëm”, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar.

Vepra është një ndër ikonat e rralla që ndodhen në këtë muze, të realizuara nga David Selenica, piktori i madh shqiptar i gjysmës së parë të shek. XVIII.

Kjo ikonë ishte pjesë e veprave të vjedhura nga MHK në vitin 1994, bashkë me “Epitafin e Gllavenicës”, të cilat u gjetën më pas në vitin 1996.

Përsa i përket mjeshtërisë artistike ndër piktorët e shkollës së Korçës më i talentuari është David Selenica. Në pavijonin e ikonave pasbizantine në Muzeun Historik Kombëtar janë të ekspozuara dy ikona të ikonografit David Selenica  “Hyrja e Hyjlindëses në Tempull” dhe “Shpërfytyrimi”, ndërsa në fondin e Muzeut Historik Kombëtar është ikona “Vajtimi i mbivarrshëm”.

Pavijoni i Ikonografisë ka të ekspozuar një koleksion prej 65 ikonash të shekujve XIV-XIX, ku vizitori njihet me mjeshtrat e mëdhenj të ikonografisë shqiptare duke filluar me Onufrin, të birin Nikollën, Onufër Qipriotin, Kostandin Shpatarakun, David Selenica, Kostandin e Athanas Zografin, Mihal Anagnostin, vëllezërit Çetiri, Kostandin Jeremonakun e shumë autorë anonimë. Ikonografia lindi, triumfoi dhe u zhvillua bashkë me krishtërimin.

Ikonat pikturohen mbi dërrasë dhe më pas vendosen në ikonostas sipas një renditje të caktuar. Arti bizantin i pikturimit të ikonave i nënshtrohej rreptësisht kanoneve të kishës.

Ikonografit nuk i lejohej të ndryshonte përmbajtjen dhe rregullat që përcaktonin kanonet e shenjta dhe tradita e kishës. Fytyrat e shenjtorëve që paraqiten nëpër ikona shprehin asketizëm dhe përulësi, sepse ata kanë qenë njerëz që kreshmonin, luteshin dhe bënin jetë të përkushtuar ndaj Perëndisë. /atsh / KultPlus.com

11 qershor 1999, futja e NATO-s në Kosovë dhe çlirimi nga pushtimi serb

Nga Jusuf Buxhovi

Shtetndërtimi i Kosovës, nga përpjekjet e vazhdueshme, fillimisht që të mos pranohet pushtimi serb nga viti 1912, ripushtimet nga vitet 1918 dhe 1944, si dhe përpjekjet e saj për etnocid, kultorocid dhe së fundit për gjenocid, përpjekje këto, që në fund të viteve të gjashtëdhjeta e deri në fund të atyre të tetëdhjetave, do të kthehen në përpjekjet që pushtimi të zëvendësohet me Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, do të ishte i vështirë ose i pamundur fare, pa fushatën ajrore të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, kur në Kumanovë, gjeneralët jugosllavë nënshkruan marrëveshjen kapitulluese për tërheqjen e të gjitha forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Të nesërmen, pasi që do të jetë miratuar rezoluta 1244 e KS të OKB-së dhe hyrjes së saj në fuqi një ditë më vonë, me fillimin e tërheqjes së forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova si dhe fillimin e futjes së forcave të NATO-s, në kuadër të KAFOR-it, fillon çlirimi i Kosovës nga pushtimi 87 vjeçar serbo-jugosllav.

Kjo i hapi rrugë protektoratit ndërkombëtar në Kosovë nën mbikëqyrjen e OKB-së në kuadër të misionit të UNMIK-ut, që mori fund më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë. / KultPlus.com