Natën, shpesh më zë ankthi, më kaplojnë djersë të ftohta, më del gjumi kohë e pa kohë, shoh ëndrra të këqija: bolla që dalin prej syve të tu dhe m’i vërsulen kërthizës, tigra, që duke kërcëllitur dhëmbët, më sulmojnë kokën; sorra dhe korba që janë kurdisur në kornizën e fotografisë sime dhe krrokasin, krrokasin, krrokasin, ndjellin zi dhe më shtien tmerrin. Sa shpesh më del përpara syri i Danjollit të Sherkës, i zmadhuar sa një disk, i shpuar në mjedis dhe do të m’i lexojë mendimet. Çohem atëherë, e shikoj derën a është e mbyllur mirë dhe e rrotulloj çelsin edhe një herë; që të mos hyjë Danjolli me syrin e tij.
Gjithmonë ka qenë zakon i zotërve,perandorëve, princave dhe mbrëtërve të mëdhenj të mbanin dhoma të veçanta të thesareve të paçmuara, antikuariati, galeri, biblioteka etj, në të cilat ruheshin gjëra të vjetra, të rralla, të mrekullueshme, qoftë për lavdinë e përjetshme të artistëve, qoftë për kënaqësinë e syve, apo për të ndezur mendjen dhe frymëzuar nga heronjtë dhe studiuesit fisnikë ,ose edhe për të gjetur e zbuluar gjëra të përzemërta për ta.
Në dhomat apo sallat e tilla të mëdha që ata i kishin projektuar më kohë, ishin të mbushura me gurë mermeri, diamante, ari, statuja ose kolona portretesh të ndryshme, shqiponja të punuara etj. Kjo është parë edhe në kohën e Cezarit, i cili mbante edhe ai gjësende të tilla, por edhe portretin e tij që ishte zbukuruar me një kurorë dafine, si i pari i të gjithë perandorëve romakë.
Poashtu edhe Aleksandri i Madh në botën e tij të madhe,mbante figurat e Jupiterit, Saturinit e të ngjashme, të heronjëve, si dhe shumë gjësende me vlera të paçmuara.
Ndërsa, njihet edhe biblioteka e famshme e Ptolomeo Filadelfi (Faraonit) mbretit të Egjiptit i cili mblodhi njëqind mijë libra nga më të jashtëzakonshmet. Biblioteka e mbretit Xerxes të cilën e ngriti dhe e zbukuroi në Athinë ishte me famë të madhe.
Edhe arkiduka Ferdinand i Austrisë i cili e ktheu kështjellën mesjetare Ambras në muze të famshëm e të mrekullueshëm, në të cilën u ruajtën gjësende me vlera të paçmuara, në mesin e relikteve të tilla të jashtëzakonshme ishin edhe armët dhe përkrenarja e Gjergj Kastriotit të cilat tani qëndrojnë në muzeun e historisë së artit në Vjenë.
Një muze të tillë e ngritën edhe shumë perandor, e princa tjerë të Europës dhe Botës.
Është e mundur që edhe mbreti arbëror Gjergj Kastrioti të ketë ngritë një sallë apo dhomë të tillë të veçantë të ruajtjes së gjësendeve me vlerë, kjo për faktin se nga përshkrimi i jetës dhe veprës së tij, shihet se ai është shumë i lidhur me figurat e lashta heroike, me lashtësinë dhe njeri që e donte artin dhe leximin. Mendoj se është e pamundur që ai të mos ketë patur një muze, bibliotekë apo sallë të tillë me vlera të paçmuara. Dhe duke qenë se ai është e mundur të ketë patur të tilla gjëra me vlera të rralla e të paçmuara, atëherë pas vdekjes së tij nuk dihet se ku kanë mbetur, apo ndoshta disa nga gjësendet me vlerë i ka marrë me vete në anijen me të cilën lundruan për në itali bashkëshortja e tij Donika me të birin e saj Gjonin. / KultPlus.com
Kam filluar ta kujtoj më shpesh Frederikun ose Fredin, siç e thërrisnim për shkurt. Kujtoj at’ rrugicë që mbante emrin e patriotit Dedë Gjo’ Luli. Jam kthyer shumë herë, e shumë herë do të kthehem, e do të kthehem, aty. Hera ime e parë ka qenë, kur isha gjimnazist.
Ajo rrugicë ka fiksuar në kujtesë ecjen e shpejtë e pa zhurmë, shpesh vetmitare të Fredit. Ajo ecje, si një gjurmë poetike, mbarte në vetvete kontrastin mes njohjes dhe mosnjohjes së këtij njeriu me shtat të vogël e të mençur, nga banorët e kësaj rrugice. Mbarte deri diku edhe indiferencën e tyre për komshiun e heshtur. Nuk e di pse kjo frazë më kujtoi psikologjinë e mentalitetin e amullt, të mbylljes në vetvete e të asaj ‘matanë murit’, të shumë personazheve të tregimeve realiste e moderne, të trishtuar dhe ekzistencialë të E. Koliqit për Shkodrën dhe mjedisin e saj me gjithë nënshtresat, që i njohu aq mirë.
Bota e Frederikut, nuk përkonte me ‘botën’ e lagjes ku banonte. Planeti i tij poetik, edhe pse shpesh i përjashtuar, tharmin, thelbin e tij e kishte ‘Në këtë rrugicë…’, ku Fredi me përulësi dhe nderim kishte vënë shpirtin e vet si një gur qëndrese, lavdie e jetese, e më vonë si muranë. Kishte vënë lirikat si dëshmi, tregimet, legjendat dhe përrallat si ëndrra magjiplote.
Ai me talentin dhe personalitetin e tij të spikatur po i shtonte gjurmët e vlerta rrugicës së tij të dashur.
Është një rrugicë-muze. Rrugicë plot histori, ku personalitete të fuqishme, gjurmë të thella lanë aty. Është një rrugicë, që në të shkuarën e largët të saj kishte fiksuar gjurmët e atdhetarit, poetit e dramaturgut Hilë Mosi, i cili pati mbjellë aty, shumë e shumë vite më parë, një shegë për djalin e tij të vdekur. Historia e tij, akti i tij na kujton motivin e dhimbshëm të baladave të moçme, ku vdekja animizohet përmes një simboli, ku personazhi bëhet i gjallë dhe i përjetshëm. Është një rrugicë, ku shkeli e la gjurmët e tij personaliteti i shquar poliedrik, piktori, arkitekti, fotografi… Kolë Idromeno.
Gjurmët e kësaj rrugice, janë pjesë e lavdishme e historisë së kulturës së vendit tonë.
… e pikërisht në këtë rrugicë shëtiti, u mbrujt dhe lulëzoi fëmijëria e më pas personaliteti i Frederikut. Ishte një fëmijëri e vështirë, por me një përkujdesje të ëmbël mëmësie. Ishte një fëmijëri brenda mureve të gurta të asaj rrugice, ku lulëzonin e gjallonin kopshte trëndafilash.
Ishte kjo rrugicë dhe fëmijëria, që do të linin gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe shpirtin e tij, të cilat do të përbënin më pas kodet e poezisë së Fredit. Ishte fëmijëria në këtë rrugicë, me një botë plot ëndrra, ku edhe ‘ngjyrat ishin shpirtra’, siç shprehej Fredi, për të cilat poeti trishtohej e qante, vetmohej dhe ndiente mall, se ishte fëmijëri e “vizatuar” përmes ngjyrave të trëndafilave, të pëllumbit, të lotit të nënës e të harresës. Në kontekstin poetik simbolika e trëndafilit lë “shenjën” më të thellë, shenjën më të spikatur, aq sa bëhet personazh i poezisë së tij, kthehet në simbol. Po në këtë kontekst, në të shumtën e herës humbet përftesa e elementit zbukurues, si kuptim i parë etimologjik. Kështu që, prej tij përftojmë rrjedha të tjera, e të tjera ngjyrime. Nga i gjithë cikli me poezi, “rrënjën” e ruan ajo me titull “Trëndafilat e fëmijërisë”. Veç shpirtëzimit të fëmijërisë së autorit, jetesa e tyre bëhet e mundur në saje të lidhjes ngushtësisht me mitiken. Ato sjellin në mënyrë biblike një modelim përrallor, të cilin e gjejmë si truall në krijimet dhe në kujtesën popullore. Autori shkon më tej. E shenjtëron, duke pohuar: “Në fund të kopshtit banonte mitologjia / në një Olimp prej trëndafilash.” Kjo figurë gjatë gjithë ciklit përfaqësohet në dy mënyra: a) përdorimi i njëjësit për shumësin për t’i dhënë më shumë frymëmarrje, dhe b) përdorimi i shumësit për njëjësin për t’i dhënë konkretësi.
Si në rastin e parë, ashtu edhe në rastin e dytë, raportet e konkretes me abstrakten sjellin dhe ruajnë imazhe e përfytyrime ireale. Spektri i krahasimeve, me objekt të vetëm dhe në qendër trëndafilin, (që nga psherëtimat, e deri te drurët e vdekur) nuk është gjë tjetër veçse vibracion i gjendjes shpirtërore të Fredit.
Në finale, pasi ka mbartur gjatë gjithë “udhës” përjetime poetike, mendoj se nuk bën gjë tjetër veçse përvijon dukshëm elemente të profilit të tij. E thellon atë. Në komunikimin artistik, këtë gjendje emocionale, këto akuarele nga bota floreale, i ruajnë dhe i shprehin “me fanatizëm” e bukuri të rrallë faqe të tëra të romanit “Zëri i largët i kasolles”. Një roman që është i dallueshëm në letërsinë tonë shqipe për tiparet e një proze poetike. Një roman që kritika letrare pati shumë ngurrime dhe nuk ishte aspak entuziaste në gjykimet e saj. Zakonisht kështu ndodh prej këtyre soj dogmash, të cilat në mënyrë diktatoriale e të sforcuar i krijoi metoda e realizmit socialist.
Nuk gaboj po të them se poezia e Fredit lulëzoi së pari te ai gjelbërim spontan që shfaqej në oborrin e tij, gjelbërim që i ngjante një mrekullie të pashoqe. Kjo mrekulli i ngjante një pikture surreale, veçanërisht netëve kur hëna vinte mike e hidhte rrezet e saj lodërtare. Kjo mrekulli kishte “çelur” edhe në shpirtin e Fredit dhe ruhej po e tillë në lirizmin e poezisë së tij. Lulëzoi edhe te ato trëndafila, që u bënë metafora ëndrrash e dhembjesh, heshtjesh e pikëllimesh. Çelën, lulëzuan e kurrë s’u thanë në vetminë poetike të Fredit; u dha jetë talenti i tij. Jo më kot “Në pjesën dërmuese të vargjeve të lirikave të Frederik Rreshpjes, jepet një dramë e brendshme përvëluese. Lirizmi i këtij poeti rrëshqet prore brigjeve të revoltës. Poezia e tij është përplot shqetësime, shqetësime të mëdha që buronin nga përditshmëria e jetës së tij. Vargjet e lirikave të Rreshpjes rrëfejnë botën e tij personale, me ngarkesa shqetësuese shpirtërore. Duke gjurmuar finesat e artit të Rreshpjes, pahetueshëm rrëshqasin në të dhënat e tij jetëshkrimore, që përbëjnë këpujën lidhëse: krijuesi-vepra e tij.”
Veçanërisht vitet e fundit, në konceptin filozofik e poetik të krijuesit Frederik Rreshpja, metafora e VETMISË u bë domethënëse dhe e dukshme, gjalluese, ripërtëritëse, duke u bërë lajtmotiv i krijimtarisë tij, siç ishte edhe lajtmotiv i jetës së Fredit. Shpërfaqja e tij e plotë u duk në vëllimet e fundit poetike “Në vetmi” e “Vetmi”, vëllime që i ngjajnë një testamenti lamtumire, që në fakt është një gur i çmuar dhe i rrallë në fondin e lirikës shqiptare.
(Shkodër, shtator 2019)
Marrë nga Hejza (faqe për kulturë, art, letërsi). / KultPlus.com
Asistenti i Universitetit të Prishtinës, Durim Abdullahu ka ndarë disa fotografi mjaft interesante me rastin e 52 vjetorit të Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.
Në Dekretin për shpalljen e ligjës për themelimin e Universitetit të Prishtinës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969, neni 3 thoshte “Universiteti në Prishtinë do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt 1970.”
“Më 15 shkurt 1970, duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi Krahinor i Kosovës mbajti mbledhjen solemne të themelimit të Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Abdullahu në rrjetet sociale.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
52 vjetori i Universitetit të Prishtinës
Më 13 shkurt 1970, u mblodh Kuvendi i Parë i Universitetit të Prishtinës, ku u zgjodhën organet drejtuese: rektori, prorektorët dhe 29 anëtarët e Pleqësisë. Rektor u zgjodh Dervish Rozhaja, kurse prorektorë: Bozhidar Jovanoviq dhe Minir Dushi. Rektori dhe prorektorët ishin automatikisht edhe anëtarë të Pleqësisë. Dy ditë më pas, Universiteti i Prishtinës do të themelohej edhe solemnisht.
Më 15 shkurt 1970, duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi Krahinor i Kosovës mbajti mbledhjen solemne të themelimit të Universitetit të Prishtinës. Në foltoren me tetë mikrofona, u mbajtën 13 fjalime, ndër të cilët nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Dervish Rozhaja, Rektori i Universitetit të Beogradit, Dragisha Ivanoviq, Rektori i Universitetit të Lublanës, Roman Modiq, Rektori i Universitetit të Zagrebit, Ivan Supek, Rektori i Universitetit të Sarejevës, Hamdija Çemerniq, Rektori i Universitetit të Shkupit, Kiril Penushlinski etj.
Në Dekretin për shpalljen e ligjës për themelimin e Universitetit të Prishtinës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969, neni 3 thoshte “Universiteti në Prishtinë do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt 1970”. Të nesërmen, gazeta Rilindja kishte për titull në ballinë: “Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë e kulturë”. / KultPlus.com
Dy poezi të Arbër Selmanit janë botuar edhe në Indi, duke u njohur kështu puna e tij edhe në nivel ndërkombëtar, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, poeti Selmani ka bërë të ditur se poezia “‘Zoti shëron’ dhe ‘E kam vendosur burrin në shitje’, janë botuar në revistën Rhodora në Indi.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
Dy poezi të miat botohen në Indi! Two poems of mine, part of Rhodora Magazine in India!
Në numrin e fundit të Rhodora Magazine, janar 2022, redaktoret i kanë botuar dy poezitë e mia ‘Zoti shëron’ (God Heals) dhe ‘E kam vendosur burrin në shitje’ (I put my husband up for sale), në gjuhën angleze, bashkë me poetë të tjerë nga mbarë bota (https://bit.ly/3oQPPQE).
Në këtë numër të revistës, e cila e ka marrë emrin prej poezisë “The Rhodora, On Being Asked, Whence is the Flower” nga Ralph Emerson, ka edhe prozë dhe dy drama.
Në parathënie shkruhet: This issue features work from a talented lot. Arbër Selmani tackles irreconcilable differences with wit in “I Put My Husband Up for Sale” (Ky numër ka brenda punë të plot poetëve të talentuar. Arbër Selmani trajton me zgjuarsi dallimet e papajtueshme në poezinë ‘E kam vendosur burrin në shitje). / KultPlus.com
Sopranoja shqiptare, Elbenita Kajtazi së fundmi ka bërë të ditur se po rikthehet në Kosovë, me ç’rast ajo ka falënderuar miqtë e saj të dashur që e kanë mbështetur atë me rastin e debutimit të saj të fundit, përcjell KultPlus.
“Rrugës për Kosovë, rruga ma e mirë e ma e dashtun që unë marrë ndonjëherë, me e ndje përqafimin e nënës e me ec bregut të Ibrit”, ka shkruar ajo.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
Rrugës për Kosovë, rruga ma e mirë e ma e dashtun që unë marrë ndonjëherë, me e ndje përqafimin e nënës, me ec bregut të Ibrit, me pi atë kafen e mëngjesit me babën , me u përla me @bardh_kajtazi po edhe me e puth fort, me i bo presion @kajtazi_laura me i jep provimet me 10 , me e përqafu @mirjetakajtazi fort!
Kosova më mungon gjithmonë shumë, por fatmirësisht ja dal të vi shpesh.
Nga zemra i falemnderoj të gjithë miqt e mi të dashtun që më kanë mbështetur shumë me rastin e debutimit tim të fundit! / KultPlus.com
Lojërat Olimpike Dimërore janë duke u zhvilluar në Pekin të Kinës këtë vit, derisa shteti i Kosovës është duke u përfaqësuar nga Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu, shkruan KultPlus.
Ndërkaq, sot në një intervistë të dhënë për televizionin e Kinës ‘CGTN’, televizon ky që po i transmeton Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022, skiatori Albin Tahiri kërkoi nga Kina që ta njeh Kosovën si shtet.
Më poshtë gjeni intervistën e skitarëve Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu.
Albini, duke folur për mikpritjen e mirë të Kinës (1:00′ – 1:43 min) për ekipin olimpik të Kosovës, kërkon nga Kina që ta njeh Kosovën si shtet. / KultPlus.com
…Çdo vjeshtë vinte një varg me ciganë.. dhe këndonte plot mall e trishtim: ” Se si janë, ca gra, se si janë… … Ah, të vrasin me fjalë, moj dade dhe të ngjallin veç me një vështrim!. . .”
Dhe shkuan ciganët në rrugët plot fletë, me këngë, me kuajt revanë… dhe pas i përcillte plot duf një gërnetë, siç ndizet veç shpirti cigan…
Ah, prap er’ e vjeshtës m’i zgjoi kujtimet me këngën e vjetër cigane për gratë… Në vitet e brishtë më çojnë mendimet (si vesë mëngjesi m’u tretën gëzimet…) dhe thinjat m`u shtuan çdo natë!…
Se si janë ca gra se si janë! gjithnjë më mundon ky mendim…. Po pse, o ciganë, a gjetshi belanë. me këngë me kuaj çuditni dynjanë dhe vjeshtës këndoni me mall e trishtim Se si janë ca gra se si janë?!…
Shtator 1970
2.
KUJTIMI YT më hodhi këtë natë në thellësinë e brengave pa fund… (Ah, ëndërr’ e kaltër u këput në mes!…) Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë, por shteg’n e blertë nuk e gjen gjëkund, ndaj VEZULLON çdo mbrëmje… çdo mëngjes!…
Pranverë 1972
3.
Kjo zemër hidhet si një zog i vrarë si det me dallgë shpirti me ballada Më djeg kjo flak` e dashuris’ së parë Dhe dritë hedh tani mbi tri dekada.
Pranverë 1972
4.
Qyshkur rënkon e hesht ti zemr’ e mjerë. Qyshkur, ti shpirt plot derte s’je i qetë! Veç . . . nw s’ju çeli edhe kjo pranverë . . . Për jetë jini tharë. . . ah, për jetë!
Janar 1971
5.
O ëmbëlsi e viteve rinore… o pika lot, o drithma mallëngjimi Pse ma tronditni botën shpirtërore me brenga, mall e zbrazëti dyshimi?…
Në cilën zemër hytë si pranverë dhe nuk i sollët zemrës lumturi? Por kur derdh vjeshta fletët nëpër erë pranverë na do zemra përsëri!…
Dhe sa më shumë do shkojnë vjetët Zëmrat s’do ndjejnë qetësi gjëkund`… Lirika plot do lënë pas poetët… Për mallin, helmin, gazin e pafund!
O ëmbëlsi e viteve rinore, në cilën zemër hyre në fillim? Si erdhe ti prej viseve qiellore Si brengë, gaz apo si ngushëllim?. . .
Sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Presidentja Vjosa Osmani ka ndarëurimin e Presidentit Joe Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës, përcjell KultPlus.
Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Po ashtu, ai në urimin e tij ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë.
“Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka thënë Osmani.
KultPlus ua sjell postimin e saj të plotë:
Jam e lumtur ta ndaj me ju urimin e Presidentit Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës.
Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Sipas tij, në Samitin për Demokraci, Kosova ka dëshmuar se është e gatshme ta ndajë përvojën me shtete të tjera, ndaj thekson se gjatë këtij viti Kosova vazhdimisht ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare. Në urimin e tij, Presidenti Biden ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë.
Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me ShBA-të! / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli sot në vëmendje, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, poetin Genc Leka.
“Kujtojmë sot Genc Lekën, poetin nga Bërzheshta që u pushkatua për poezi!”, u shpreh Margariti. Leka lindi më 23 mars 1941 në fshatin Bërzheshtë të Librazhdit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Mes viteve 1959-1962 studjoi në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit. Nga viti 1962 e gjer më 1966, kur dhe u pushua nga puna, punoi si mësues në zonat e thella të Librazhdit.
Në vitet 1967-1968 kreu shërbimin ushtarak në një brigadë pune në Sopot të Librazhdit dhe në Cërrik. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, punoi në fermë dhe në ndërmarrjen pyjore, ku bënte vetëm punë krahu. U arrestua më 31 gusht 1976 dhe pas njëmbëdhjetë muaj torturash në hetuesinë e Librazhdit, u akuzua për “sabotim dhe agjitacion e propagandë”, dhe më 13 qershor 1977 u dënua me vdekje, pushkatim. U ekzekutua bashkë me të kushëririn, Vilson Blloshmin më 17 korrik të vitit 1977, në vendin e quajtur “Përroi i Firarit”.
Më 1994, Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Martir i Demokracisë”. Një vit më vonë, emri i tij iu vu një prej shkollave 9-vjeçare të Librazhdit. Po këtë vit iu dha dekorata “Mësues i Popullit”. Në vitin 2009, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u botua vepra e tij e plotë. Më 2010, Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Nderi i Kombit./ KultPlus.com
“La Stampa” ka botuar, të shtunën e 29 prillit 1916, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me takimin dhe pajtimin e Ismail Qemalit dhe Esad Toptanit asokohe në Paris, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Pajtimi midis Ismail Qemal beut dhe Esad pashait
Burimi : La Stampa, e shtunë, 29 prill 1916, f.5
(Shërbimi special i Stampa-s )
“Paris, 28 prill.
Urrejtjet e vjetra mes dy fraksioneve kryesore shqiptare kanë pushuar.
Mëngjesin e sotëm Ismail Qemal beu, ish-presidenti i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, i cili jeton në një hotel modest në lagjen Saint-Sulpice në Paris,shkoi për t’i bërë një akt homazhi Esad Pashait, aktualisht edhe ai në kryeqytetin francez,duke e njohur si shefin e tij.
Takimi i dy burrave, sipas personaliteteve shqiptare të pranishme, ishte emocionues (prekës).
Jam i sigurt se pajtimi do të ketë një ndikim efektiv në sjelljen e fiseve shqiptare në lidhje me evoluimin e situatës ushtarake në Vlorë.”
Tashmë janë bërë publike datat e edicionit të 21-të të Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘ReMusica’, shkruan KultPlus.
‘ReMusica’ këtë vit do të mbahet përgjatë datave 5 deri më 13 prill të këtij viti në Prishtinë.
Kujtojmë se edicioni i 20-të i këtij festivali ishte mbajtur në formatin online ku të gjithë pjesëmarrësit kanë performuar nga vende e skena të ndryshme./ KultPlus.com
Dje ka vdekur profesori Bahri Drançolli, njëri ndër themeluesit e Artit Modern dhe Artit Grafik, si dhe njohës i shkëlqyeshëm i arteve figurative, shkruan KultPlus.
Ndërsa, sot përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Artit, Ministri Hajrulla Çeku dërgoi një telegram ngushëllimi për gjithë familjen e Bahri Drançollit.
“Telegram ngushëllimi
E nderuar familje Drançolli,
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, profesor Bahri Drançolli.
Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj.
Skena e artit në Kosovë humbi një person që dha shumë për shoqërinë, njërin ndër themeluesit e artit modern dhe artit grafik, si dhe njohësin e shkëlqyeshëm të arteve figurative.
Krijimtaria dhe vlerat artistike që ka lënë si pasuri e trashëgimi, do të mbeten të paharruara siç do të mbetet edhe kujtimi ynë për të.
Ndarja nga jeta e një prej artistëve pionierë të artit akademik në vend ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm në fushën e artit figurativ në Kosovë dhe më gjerë.
Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të profesorit Bahri Drançolli.
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit“, ka shkruar ai.
Bahri Drançolli do të mbetet përherë i njohur për artdashësit gjermanë dhe botërorë me ekspozitat e tij personale veçanërisht në: Marsyas Gallery (Germany), Hesler Gallery, Munich (Germany), Studio M Gallery Bamberg (Germany) Gallery Kunstwerkstatt, Darmstadt (Germany), Kunstverein Rosenheim, Munich, Keislich Gallery Munich, Van Laar Gallery Munich, Stuckvilla, Munich, (Germany), etj. / KultPlus.com
Lojërat Olimpike Dimërore janë duke u zhvilluar në Pekin të Kinës këtë vit, derisa shteti i Kosovës është duke u përfaqësuar nga Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu, shkruan KultPlus.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka publikuar një video, ku shihet befasia që ata kanë përgatitur për skiatorin Tahiri, i cili feston ditëlindjen e tij të 33-të.
Këto janë Lojërat e dyta Olimpike Dimërore në të cilat Tahiri po përfaqëson Kosovën, derisa Kryeziu shkroi histori duke u bërë vajza e parë që arrin një gjë të tillë.
Në anën tjetër, së bashku me ta janë edhe pjesëtar nga Komiteti Olimpik. /KultPlus.com
I pari i Prishtinës, Përparim Rama ka nënshkruar sot vendimin që i liron nga pagesa e udhëtimit pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
Kështu është bërë e ditur nga njoftimi për media, ku thuhet se ky vendim vlen vetëm për personat që udhëtojnë me uniformën e FSK-së.
“Me qëllim të mbështetjes së ushtarakëve të FSK-së dhe lehtësimit në funksionalitetin institucional të FSK-së, kryetari Rama nënshkroi sot vendimin për lirimin nga pagesa e ushtarakëve të FSK-së nga pagesa e udhëtimit me sistemin e transportit urban që menaxhohet nga Komuna e Prishtinës. Ky vendim specifikon se, lirimi nga pagesa vlenë vetëm për pjesëtarët që udhëtojnë me uniformën e FSK-së”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Ministri i Mbrojtes, Armend Mehaj ka pritur në takim kryetarin Përparim Rama. /KultPlus.com
Erich Fromm ishte një psikolog social, sociolog dhe gjithashtu themelues i Institutit “William Alanson White” të Psikiatrisë, Psikoanalizës dhe Psikologjisë në New York, shkruan KultPlus.
Erich flet për mërzinë dhe mënyrën se si ndikon ajo te njeriu, KultPlus ua sjellë të plotë rrëfimin e tij.
“Njerëzit nuk e kuptojnë aq sa duhet ose, thënë ndryshe, nuk janë të vetëdijshëm në masën e duhur që mërzia është vuajtje. Ai që gjëndet i mbyllur në një qeli izolimi, ose edhe ai që për një arsye të çfarëdoshme nuk di çfarë të bëjë me veten e tij, në rast se e ka në vetvete mundësinë të bëjë diçka të gjallë, të prodhojë diçka, të priret kah përsiatja, do ta ndjejë mërzinë si një peshë të rëndë, si një barrë, si një paralizë së cilës nuk ia gjen shkakun.
Mërzia është një nga torturat më të rënda: shumë moderne e që përhapet përherë e më tepër. Individi që i është dorëzuar kësaj torture pa mundur të mbrohet, ndjehet thellësisht i depresuar. Me gjasë, në këtë pikë do të pyesni veten: po përse vallë pjesa më e madhe e njerëzve si ne nuk e kuptojnë se mërzia është një fatkeqësi, një ndëshkim?
Mendoj se përgjigja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë: ne sot prodhojmë shumë gjëra që na mundësojnë t’i shmangemi mërzisë. Mund ta shmangim duke gëlltitur qetësues, duke pirë, duke kaluar nga një cocktail te tjetri, duke u grindur me bashkëshorten, duke e lënë veten të zhdaravitet nga mediat, duke u përkushtuar ndaj aktivitetit të dendur seksual, aktivitet i cili shpeshherë lindet si orvatje për të penguar që mërzia të na shfaqet në vetëdije.
Por nuk duhet harruar ndjesia e pakëndshme që përjetojmë shumë herë kur shikojmë një film koti ose kur e dëbojmë mërzinë me një mënyrë të çfarëdoshme: një farë dehjeje e dyfishtë që ndjehet atëherë kur kuptojmë se e gjithë ajo ishte një gjë e mërzitshme, se nuk kemi përdorur kohën, por thjesht e kemi vrarë.
Ky është përnjëmend një tipar i veçantë i kulturës sonë: ne bëjmë gjithçka për të shpëtuar, për të kursyer kohë dhe, kur e kemi shpëtuar apo kursyer këtë kohë, e vrasim sepse nuk dimë çfarë të bëjmë me të.”
Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, i ka shkruar letër shtetit të Serbisë, ku ka kërkuar që të arrihet njohja reciproke me Kosovën, shkruan KultPlus.
Me një letër zyrtare, Blinken ka uruar Serbinë për ditën e tyre ndërkombëtare, derisa ka kërkuar nga ta që të arrin njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon.
“Vendet tona kanë ndërtuar lidhje të forta gjatë 140 viteve të fundit dhe Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një të ardhme edhe më të ndritshme së bashku si partnerë në Evropë dhe në skenën globale. Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, thuhet në letrën e dërguar nga Blinken drejt Aleksandër Vuçiq.
Presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi Serbisë vitin e kaluar të njohë Kosovën. /KultPlus.com
Astronomi 70-vjeçar ishte në shtratin e vdekjes, duke u munduar të lexonte diçka. Në duar kishte dorëshkrimin e një dokumenti që kishte shkruar dhe që ishte gati për ta botuar. Ndoshta nuk ia merrte mendja, po libri i tij do të përmbyste pikëpamjen e njerëzimit për universin. Gjithashtu, do të ndizte një polemikë të zjarrtë brenda krishterizmit, pasojat e së cilës ndihen edhe sot.
Ky ishte Nikolla Koperniku, një katolik polak, dhe bëhet fjalë për vitin 1543. Në veprën e tij me titull Mbi rrotullimin e sferave qiellore, Koperniku vendosi Diellin dhe jo Tokën në qendër të sistemit diellor. Vetëm me një veprim, Koperniku e zëvendësoi sistemin e ndërlikuar që kishte në qendër Tokën me një sistem më të thjeshtë e të shpjeguar bukur që kishte Diellin në qendër.
Në fillim nuk kishte tregues se në të ardhmen do të lindte një konflikt. Në fakt Koperniku u tregua i kujdesshëm kur paraqiti këtë teori. Plus kësaj, Kisha Katolike, e cila kishte adoptuar teorinë se Toka ishte në qendër të sistemit, dukej më tolerante ndaj hipotezave shkencore të asaj kohe. Madje ishte pikërisht papa ai që e nxiti Kopernikun të botonte veprën e tij. Kur më në fund Koperniku e botoi veprën, redaktori që shkroi parathënien e librit, i frikësuar, e paraqiti konceptin e sistemit me Diellin në qendër ose sistemit heliocentrik si një teori matematikore, dhe jo si një të vërtetë astronomike.
Lindja e konfliktit
Pas kësaj, në skenën e konfliktit hyn astronomi, matematikani dhe fizikani italian Galileo Galilei (1564-1642), i cili ishte po ashtu katolik. Me anë të teleskopëve, që kishte krijuar duke përdorur lentet e saposhpikura, Galilei arriti të shihte në qiell hollësi të papara deri atëherë. Këto vrojtime e bindën se Koperniku kishte pasur të drejtë. Gjithashtu, Galilei pa disa njolla në Diell, që sot njihen me emrin njolla diellore, duke vënë në diskutim një bindje tjetër filozofike dhe fetare mjaft të rëndësishme, sipas së cilës pretendohej se nuk ekziston rreziku që Dielli të ndryshojë ose të shkatërrohet.
Ndryshe nga Koperniku, Galilei ishte i guximshëm dhe i vendosur për të mbrojtur idetë e tij. Dhe këtë vendosmëri e tregoi në një ambient fetar më armiqësor, pasi Kisha Katolike në atë kohë kishte dalë hapur kundër teorisë së Kopernikut. Prandaj, kur Galilei arsyetoi se ideja e sistemit heliocentrik ishte jo vetëm e saktë, por edhe në përputhje me Shkrimet, kisha dyshoi për herezi.*
Galilei shkoi në Romë për të mbrojtur veten, por ishte e kotë. Në vitin 1616 kisha e urdhëroi që të mos i mbronte më idetë e Kopernikut. Galilei u detyrua të heshtte për ca kohë. Por pastaj, në vitin 1632, ai botoi një vepër tjetër ku mbronte tezën e Kopernikut. Pikërisht një vit më pas, Inkuizicioni e dënoi Galilein me burgim të përjetshëm. Por, nuk qëndroi në burg, sepse ishte në moshë të thyer, dhe kështu ia ndryshuan dënimin në arrest shtëpie.
Shumë e konsiderojnë konfliktin e Galileit me kishën si një fitore të shkencës mbi fenë, dhe më gjerë akoma, një fitore mbi Biblën. /AlbertVataj /KultPlus.com
Eja të vdesim, e dashur, shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti, a s’e dëgjove në TV si kryelajm? Eja të vdesim, e dashur, s’ka rëndësi në rron si rob a zot, arkivoli është gati, dy metra vend gjithashtu, makinë e funeralit, kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu. Eja të vdesim, e dashur, ç’na duhet kjo jetë, e rëndësishme është të vdesësh si zotni; mbylle TV-në, të vdesim qysh tani. /KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani, sot takoi ambasadoren holandeze në Kosovë, Carin Lobbezoo.
Në takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend, përballjen me pandeminë dhe mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Presidentja ka përsëritur se Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, ndaj në këtë kontekst ka shfaqur shpresën se do ta ketë mbështetjen e shtetit holandez.
Sipas Osmanit, është radha që BE-ja ta mbajë fjalën kundrejt qytetarëve të Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave. U diskutua edhe për zhvillimet në rajon dhe nevojën e integrimin të shteteve të rajonit të Ballkanit në BE.
Kryetarja e shtetit dhe ambasadorja Loobezo diskutuan edhe për bashkëpunimin politik dhe ekonomik ndërmjet Holandës dhe Kosovës.
“Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në sundimin e ligjit dhe krijimin e mjedisit të përshtatshëm për investitorët e huaj”, ka thënë Osmani.
Në fund të takimit ambasadorja Loobezo e dorëzoi në presidencë telegramin e urimit të mbretit të Holandës, Willem-Alexander R., për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. /KultPlus.com
Me rastin e Pavarësisë së Kosovës, DokuFest ka kuruar një program special me tre filma të shquar për të shënuar këtë ditë të rëndësishme.
“Filmat ngritin temën e identitetit dhe shtrojnë pyetje rreth sovranitetit e përkatësisë. Të tre filmat do ti ofrohen publikut falas,të enjten me 17 shkurt 2022, në platformën Livestream në dokufest.com në ora 16:00 dhe 22:00″, thuhet në njoftimin e DokuFest.
Kjo do të jetë hera e parë kur ata do të bëjnë për herë të parë testimin e opsionit të transmetimit të filmave “LIVE” në faqën e tyre.
“Jemi të lumtur që këtë e fillojmë në këtë ditë madhështore, për të shënuar ditën e Pavarësisë me tre filma mahnitës që sjellin rrëfime nga periudha të ndryshme kohore, e që lidhen me historinë e shtet formimit të Kosovës”.
Transmetimi do të nis me filmin e parë I KUJT ËSHTË FLAMURI nga Baris Karamuço i cili trajton çështjen e identitetit kombëtar për kosovarët, të cilët kanë opinione të ndryshme për flamurin e tyre me ngjyrë të kaltër, bardhë dhe e artë. Përshkrues, filmi tregon në mënyrë brilante çështjen duke përdorur sekuenca të një çerdheje, ku edukatorja ua mëson flamurin fëmijëve.
Programi do të vazhdojë me filmin SANS LE KOSOVOnga Dea Gjinovci, me një portretizim në jetën e Asllan Gjinovcit, i cili pas përfshirjes në protestat studentore që kërkonin autonominë e Kosovës në Jugosllavi, detyrohet të largohet nga vendi për tu vendosur përfundimisht në Zvicër. Duke kërkuar të eksplorojë ndikimin e këtij mërgimi në jetën e tij dhe në të njëjtën kohë edhe në të sajën, regjisorja dhe babai i saj marrin rrugën për të ripërshkruar mërgimin e tij si një refugjat 19-vjeçar nga Kosova në vitin 1968.
Programi i Pavarësisë do të mbyll transmetimin me filmin THE AGREEMENT nga Karen Stokkendal Poulsen. Historia botërore është duke u bërë kur kryenegociatori i BE-së Robert Cooper duhet të zgjidhë një marrëveshje për bashkëjetesë të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumentari danez e sjell audiencën drejt e në thelbin e këtyre negociatave intensive. Bastet janë të larta, por pavarësisht seriozitetit të negociatave, ato rezultojnë të jenë çuditërisht qesharake dhe të realizuara me stil e sharm nga tre personazhet në tavolinë. Është konflikti i fundit territorial i Evropës dhe vendimtar që BE-ja të provojë aftësinë për të bërë paqe në oborrin e saj. Sa larg janë të gatshëm të shkojnë secila palë?
DokuFest falenderon regjisoret Dea Gjinovci dhe Karen Stokkendal Poulsen, si dhe producenten Vibeke Vogel nga Bullitt Film që na dhanë filmat dhe mundësuan transmetimin e tyre në programin tonë të Pavarësisë.
Të drejtat e filmave të tjerë janë siguruar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasadës Suedeze, National Endowment for Democracy dhe përmes bashkëpunimit me organizatën daneze ‘Why Foundation’. /KultPlus.com
Historiku i emancipimit arsimor, kulturor dhe kombëtar të Shqiptarëve në ish Jugosllavi si dhe procesi i shkëputjes politike nga Serbia nga fundvitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, lidhet ngushtë me themelimin e Universitetit të Prishtinë, më 15 shkurt 1970. Mund të thuhet se nga dita që u themelua Universiteti i Prishtinës, ky zhvillim historik u vu në binarët e pakthyeshëm. Ato që tha rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, akademik Dërvish Rozhaja, gjatë seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, se vetëdija arsimore dhe kulturore e kultivuar në institucionet më të larta të dijës dhe të shkencës, siç është universiteti, përcaktojnë edhe atë shoqërore dhe politike, u kthyen në platformë politike të kthesës historike nëpër të cilën kaloi Kosova gjatë lëvizjes kombëtare të fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e deri te shpallja e pavarësisë shtetërore, më 17 shkurt 2008.Andaj, nuk është e rastit që në listën e nismëtarëve të themelimit të LDK-së ishin edhe rektorët e Universitetit të Prishtinës: akademik Dervish Rozhaja dhe akademik Idriz Ajeti. Ndërsa akademik Gazmend Zajmi ishte njëri ndër ideatorët kryesorë të Programit politik të LDK-së si dhe dokumentve themelore të shkëputjues nga Serbia: Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990.Në vazhdën e angazhimit të rektorëve të Universietit të Prishtinë në kuadër të lëvizjes kombëtare duhet përkujtuar edhe rolin e akademik Idriz Ajetit si Kryetari i parë i Parlamentit të Kosovës nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992 kur iu vunë themelet parlamentare shtetit të Kosovës. Me këtë rast duhet përkujtuar edhe kontributin e madhe të rektorit të Universitetit të Prishtinës, profesor Ejup Statovcit, njëherësh edhe anëtarë i Këshillit Qendrot të LDK-së, për dinamizimin e lëvizjes së rezistencës kombëtare në tetoritn të viti 1997 me anën e protestave të studentëve, që i dhanë impulset vendimtare rezistencës së armatosur. /KultPlus.com
Pse lexojmë? Për Franz Kafkën, libri është “sëpata për liqenin e ngrirë brenda nesh”.
“Ne mendojmë se duhet të lexojmë vetëm librat që na lëndojnë. Zot i madh, librat që na bëjnë të lumtur janë ata që mund t’i shkruajmë vetë nëse është e nevojshme. Por ne kemi nevojë për libra që na hidhërojnë thellë, që na godasin si fatkeqësi, si vdekja e dikujt që e kemi dashur më shumë se veten. Libri është sëpata për liqenin e grirë brenda nesh. Ky është mendimi im”.
Për Carl Sagan, libri është prova se njerëzit janë të aftë për gjëra të magjishme, pasi libri na lejon të udhëtojmë në kohë e vende të ndryshme.
Por gati një gjysmë mijëvjeçari më parë, Galileo Galilei (shkurt 1564–janar 1642), një nga iluminuesit më të mëdhenj në histori, bëri një vëzhgim të ngjashëm mbi fuqinë e leximit, mbi aftësinë e leximit për të mbushur mendjen dhe shpirtin e njerëzve me idenë e fuqive të mbinatyrshme, si udhëtimi në kohë dhe telepatia.
“Çfarë mendjeje sublime pati ai që gjeti mënyrën për të komunikuar mendimet e tij më të thella; për të folur me njerëz në kohë e vende të ndryshme; për të folur me ata që nuk kanë lindur ende e që mbase nuk do të lindin edhe për mijëra vite të tjera. Dhe me çfarë thjeshtësie! Të marrim një moment dhe të admirojmë këtë shpikje të madhe të njerëzimit”. / KultPlus.com
Sonte, e martë, 15 shkurt, 2022, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës vazhdon aktivitetet e veta kulturore e letrare paraparë me projektin “Debati për lulturën dhe letërsinë në kohë pandemie”.
Temë shqyrtimi sonte është letërsia dhe teknologjia, derisa për këtë temë referojnë Lindita Tahiri dhe Ag Apolloni.
Takimin e udhëheq Binak Kelmendi
Ftoheni të merrni pjesë.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com