Forcat ukrainase kanë përfunduar “misionin e tyre luftarak” në qytetin e rrethuar të Mariupolit, sipas një deklarate nga ushtria e vendit, shkruan CNN.
Komandantët e njësive të vendosura në fabrikën e çelikut të qytetit Azovstal janë urdhëruar të shpëtojnë jetën e ushtarëve, thuhet gjithashtu në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Qindra ushtarë u evakuuan të hënën nga fabrika e çelikut, streha e fundit në një qytet që ishte bërë simbol i rezistencës ukrainase nën bombardimet e pamëshirshme ruse.
“53 ushtarë të plagosur rëndë u evakuuan nga Azovstal në një institucion mjekësor në Novoazovsk për kujdes mjekësor,” tha zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar,
“211 persona të tjerë u dërguan në Olenivka përmes korridorit humanitar”.
“Ukraina ka nevojë për heronjtë ukrainas të gjallë”, tha të hënën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një deklaratë për evakuimin, duke falënderuar ushtrinë dhe negociatorët ukrainas, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Kombet e Bashkuara.
Rreth 600 trupa mendohet të kenë qenë brenda fabrikës së çelikut.
“Dita e 82-të e mbrojtjes sonë po përfundon. Një ditë e vështirë. Por kjo ditë, si gjithë të tjerat, synon pikërisht shpëtimin e vendit dhe popullit tonë”, tha Zelensky.
Ministria ruse e Mbrojtjes kishte thënë më herët se ishte vendosur një armëpushim për të lejuar kalimin e ushtarakëve të plagosur ukrainas, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti./abcnews.al / KultPlus.com
Jusuf Buxhovi: “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” , roman. Botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2011.
Ramadan MUSLIU
Periudha e fundit e zhvillimeve letrare shquhet për prirjet e fuqishme transformuese, me theks të veçantë në zhanrin e romanit. Ky transformim i brendshëm i zhanrit, që ndodh për shkak të ndryshimeve thelbësore socio- historike dhe socio – kulturore, gjen shfaqjen më të plotë në procesin e konkretizimit të rrëfimit e që, thënë më ndryshe, vjen si pasojë e pranisë së jetës në rrëfim, profilizimit të karaktereve të personazheve dhe përgjithësisht mbizotërimit të empirisë të të gjitha llojeve, duke filluar nga kjo e jetës së përditshme e deri te empiria historike dhe etnopsikologjike të njeriut tonë. Në këtë proces të transformimit shpesh e më shpesh ndodh që autorët t’i kthehen dokumentaritetit, por jo edhe përfoljes së tij, por duke e funksionalizuar atë, duke e shndërruar në një apokrif artistik.
Hapja e rrëfimit në të njëjtën kohë ka mundësuar që të behën përkime përvojash edhe me artet e tjera. Kur është fjala për romanin mund të themi lirisht se hetohet një kthim i dukshëm nga absorbimi i teknikave të filmit, qoftë përmes përdorimit të teknikës së copëzimit të rrëfimit apo edhe të montazhit, ku sprovohet aftësia e shkrimtarit për manipulimin me kohën e rrëfimit dhe hapjen ndaj perspektivave dhe aspekteve narrative. Kjo ka bërë që amplituda e romanit të sotëm të jetë tejet e gjerë, duke filluar nga kufijtë ekstremë, përpjekja për trivializimin e formave të zhanrit, çfarë do të ishte tipi i romanit – paskuinë, pastaj romanit – pamflet, për të pasur një shtrirje nga hapësirat e reja të prozës romanore , siç ndodh me veprat romanore t ë Ramadan Hazirit, Ardian Haxhajt, Gëzim Aliut, Anton Ndrecajt, Drenushe Zajmit, e sidomos romanit më të ri të Jusuf Buxhovit, “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës.
Teksti dhe konteksti
Romani i Jusuf Buxhovit, “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” është një rrëfim që tematizon empirinë e realitetit aktual. Mirëpo nuk është vetëm aktualiteti i temës dhe rrethi i referencialitetit vlera dominante e tij ngase kemi të bëjmë me një rrëfim kompleks, me një roman që dallohet edhe për strukturën e veçantë kompozicionale, me teknikat narrative që ndryshojnë edhe nga proza e tij e përparshme, sikundër edhe nga trendët aktuale në zhanrin e romanit. Pra në spikamë është teknika e rrëfimit, që kur bashkëdyzohet me peshën e temës dhe aktualitetin e referencave e fuqizon këtë vepër brenda zhanrit të vet.
Objekt i tematizimit të romanit është jetëshkrimi i një sportisti, Bashkim Kosovës, një boksier me një karrierë brilante kombëtare dhe ndërkombëtare. Jeta e boksierit, që nga fëmijëria, vrasja e prindërve nga shërbimet sekrete serbe, odieseada e tij që nga jeta në jetimore, kthimi ne vendlindje, formimi prej sportisti dhe ndërtimi i një kariere brilante, pengesave të shumta nga politika serbe, angazhimi i tij në jetën gazetareske e politike, burgosja dhe në fund, vrasja – përbën boshtin syzheik të romanit. Bashkë me zhvillimin e veprimit autori është përkujdesur në ndërtimin e një konteksti më të gjere politik, social, etik, kulturor e sportiv që e karakterizon një periudhë brenda të cilit vepron kryeprotagonisti.
Nga konteksti politik lexuesit do të kuptojnë se fjala është për një personazh që përfaqëson brezin e tretë të një familjeje të përndjekur nga strukturat e pushtetit serb, siç ka vepruar edhe me të gjitha familjet e mëdha në Kosovë. Duke e kontekstualizuar personazhin brenda një ambienti socio-politik ai jep një tablo të gjerë të zhvillimeve politike sa rrëfimit pothuajse i jepen atributet e romanit politik. Jusuf Buxhovi, për dallim nga shumë autorë të tjerë që merren më këtë tematikë, rindërton vetëm një kontekst politik, duke mos kaluar në rrafshet e alegorizimit apo edhe të ironizimit të njerëzve konkretë nga jeta e përditshme dhe nga empiria e përditshme, duke i dhënë romanin rolin e një instrumenti për qërim të llogarive më një kohë dhe akterët e asaj kohe dhe gjithnjë të vështruar nga një prizm personalizues. Në romanin “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” kemi vetëm një kontekstualizim të përsonazhit brenda një rrafshi politik aktual, duke e lënë atë të veprojë dhe të zhvillohet sipas ligjësive të rrëfimit romanor dhe të botës së fiksionit, çfarë është e domosdoshme për atë që nuk do ta bëjë veprën e vet artistike pamflet politik.
Shenjat e realitetit
Romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” përbëhet nga tri pjese dhe “Shtojca”, si pjesë përmbyllëse e rrëfimit. Që të tri pjesët dallohen për formën e diskursit. Pjesa e parë e romanit, që duket si një ekspozicion, është një rrëfim nga perspektiva e narratorit të gjithëdijshëm, ku bëhet “prezantimi” i shenjave të biografisë. Nga kjo pjesë mësojmë jetëshkrimin e kryeprotagonistit Bashkim Kosova, ku ai na del se është trashëgimtar i një familjeje me tradita feudale, e cila është nën një presion të vazhdueshëm nga okupatori serb. Babai i kryeprotagonistit të romanit, Naim Kosova, një përfaqësues i një familjeje me traditë nga Prishtina, si pilot – kapter i armatës jugosllave, vritet nga shërbimet e caktuara sekrete serbe. Po të njëjtën ditë në një aksident trafiku i vritet edhe e ëma, Marija Paleviq, e bija e një avokati kroat me origjine arbëreshe nga Zara dhe motra e gjeneralit Josip Paleviq. Pas vrasjes së prindërve Bashkimi mbetet, së pari nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore më nje status special të të birit të ish ushtarakut, që pastaj të mbetet nën përkujdesjen e familiarëve të tij në Prishtinë. Gjatë shkollimit të hershëm ai zbulon talentin e tij për sport dhe duke iu përkushtuar boksit arrin të ndërtojë një karierë të suksesshme prej sportisti me renome botërore. Duke qenë fitues i shumë medaljeve, që nga e arta e lojërave olimpike, të argjendëtes si nënkampion botëror, ai bëhet idhull i rinisë kosovare dhe shenjë e identitetit të një lëvizjeje që shpie nga ideja mbi “bashkimin nacional”, që buron edhe nga emri dhe mbiemri i tij. Si tillë ai behët objekt i persekucionit të pashembulltë të të gjitha strukturave etatiste serbe.
Pjesa e dytë e romanit është kryesisht një tekst i karakterit dokumentar. Në të janë përfshirë pjesë nga “reportazhet”, “fejtonet” dhe “artikujt”, të shpeshtën denigrues nga shtypi serb (gazetat “Politika”, “Veçernje novosi”, “NIN”, “Politika ekspres”, “Jedinstvo” etj) dhe ato favorizuese të gazetës së përditshme “Rilindja” të Prishtinës. Shkrimet e gazetës “Rilindja” janë dëshmi e zhvillimeve jo vetëm sportive, por edhe kulturore, intelektuale dhe politike në Kosovë gjatë periudhës së viteve të ‘80 – ta, që shpiejne deri në krijimin e një lëvizjeje gjithëpopullore për Kosovën shtet, çfarë ishte ajo e prirë nga LDK në vitin 1989, jashtë koncepteve ideologjike marksiste – staliniste.
Krahas një përfytyrimi pozitiv që krijohet nga dokumentariteti i “dëshmive” shqip të gazetës “Rilindja”, autori përmes teksteve që janë nga burimësia e medieve beogradase, arrin të plotësojë “dosjen e urrejtjes”, e cila asocion traditën e gjatë të makinerisë propagandistike serbe, e filluar nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, me “Naçertanien” e Garashaninit, e plotësuar me shumë projekte gjenocidale (V.Gjorgjeviq, Moleviq, Andriq, Çubrilloviq, marreveshja serbo – turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi), Memorandumi i ASHA-s, etj. do të shpie deri te gjenocidi i fundiviteve të nëntëdhjeta në Kosovë.
Autori me shumë sukses pajton dokumentaritetin me fiksionin, duke arritur që më një forcë artistike të krijojë iluzionin e fuqishëm artistik të dokumentit.
Ndërkaq pjesë e tretë e romanit është një rrëfim në vetën e parë, ku kryeprotagonisti “pasqyron” jetëshkrimin e jashtëm dhe të brendshëm të vetin, duke ndriçuar shumë moment intime, elemente që lidhen më botën e tij subjektive, raportet familjare, etj. dhe ku del në pah një proces i tërë i zhvillimeve psiko-sociale, filozofike e që tangjentojnë me proceset e jashtme, si ato sociale, morale, por edhe me zhvillimet politike, ngase vetë Bashkim Kosova është një nga akterët e rëndësishëm të skenës politike kosovare, duke qenë edhe njëri nga themeluesit të LDK-së.
Kjo pjesë është tepër e rëndësishme ngase rrëfimit ia siguron atë bazën subjektive dhe aspektin e brendshëm të karakterit, pa të cilin personazhi do të mbetej në suaza të një deskriptivizmi repertoresk.
Ndërkaq “Shtojca”, përfshin intervistat me hallën e kryeprotagonistit, Shpresa Berisha – Kosova, dajës së tij, gjeneralit Josip Paleviq, të njohurve të tij, Luan Hoti, Bekim Krasniqi. Kjo pjesë vjen si një epilog i gjithe rrëfimit, sepse krahas përmbylljes së linjës narrative, ajo njëherit ka funksionin e zbërthimit të enigmës përfundimtare, e cila bartet në gjithë rrëfimin: cili është mesazhi i një zarfi që Bashkim Kosova e ka marre nga daja Josip Paleviq.
Ideografia e veprës
Rrëfimi romanor, sikundër mund të shihet, ka tri tipe të tekstit që shkrihen njëra në tjetrën, duke krijuar një mozaik narrativ funksional që për shumëçka i falet teknikave të filmit. Te themi se situata iniciale e rrëfimit është dhënë në Prolog, e fillon rrëfimin me vdekjen e kryeprotagonistit. Kjo situatë fillestare e rrëfimit jepet më një të folur pothuajse repertoresk dhe nga kjo drejpërdrejtshmëri kuptojmë se autori, analogjikisht me romanet e tipit kriminalistik, do të merret me rikonstruktimin jo vetëm të një krimi, por do të bëjë retrospekcion në jetën e Bashkim Kosovës. Pra autori veprimin e vendos në një kohë reale dhe më te gjitha shenjat të identifikueshme të realitetit: “Ditën e 17 shkurtit të vitit 2008, Bashkim Kosova, kampion i gjashtëfishtë i Kosovës në boks, i kategorisë gjysme të rëndë, kampion i katërfishtë i Jugosllavisë se dikurshme të të njëjtës kategori, kampion i pesëfishtë i Jugosllavisë me klubin “Prishtina”, pastaj kampion i Ballkanit, kampion europian, fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike të vitit 1984 në Los Angjelos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së fundi edhe nënkampion botëror në Kampionatin e Boksit Amator në Toronto, në vitin 1986, do të vdesë nga plagët e marra sa po të arrijë në Qendrën e Emergjencës të Spitalit të Prishtinës.”
Pse ky krim mu në ditën që duhej të ishte solemniteti i mileniumit? Këtu zë fill rikonstruktimi i historisë së re dhe riinterpretimi i proceseve politike të disa dekadave të fundit. Bashkim Kosova është më shumë se një personazh i zakonshëm i një rrëfimi që merret me tematizimin e aktualitetit, sepse ai është edhe sportist, edhe eksponent i një familjeje feudale shqiptare, e cila ose duhej të zhduket nga okupuesi serb, ose duhej të shpërngulej për në Turqi, si u tjetërsuan edhe shumë familje të tjera kombëtarisht ose duhej të “integrohej” në sistemin institucional serb me një kujtesë të fshirë nacionale. Kjo nuk ndodh me këtë familje për të vetmen arsye se gjeni i fuqishëm etnik del i patjetërsueshëm nëpër shekuj. Autori prej një mjeshtri me pervojë në interpretimin e historisë kalon nga plani individual, mbase edhe duke e margjinalizuar funksionin e personazhit letrar, sepse ai mbetet në nivelin e ilustrimit të një teze historiko-politike, e kalon rrëfimin në planin familjar e nga plani familjar në atë nacional. Po të njëjtën gjë e bën edhe në planin kohor, duke e kthyer aktualitetin në kahen reverse, për të arritur deri në histori dhe parahistori. Duke i shkrirë këto aspekte dhe duke i vënë në një plan historik J. Buxhovi bën një retrospekcion historiko – politik të etnosit iliro-dardano-shqiptar në Kosovë. Ai nisët nga dosja personale e krye personazhet, e vë atë në planin familjar dhe nga ai familjar në atë etnik. Edhe më kohën ndodh kështu, sepse aktualiteti, që është pothuajse dominues, edhe për shkak se është rezultante e një zhvillimi historik, shfaq të gjitha përversitetet dhe gjendja mentale që e pasqyron edhe një energji të grumbulluar shekullore, për të mbërri deri te dosja e hapur “Kosova” , që fillon në Dardaninë antike, për të arritur në kohën tonë dhe që ilustrohet qoftë përmes atentatit ndaj simbolit të shtetësisë së Kosovës, qoftë edhe përmes “zarfit të zbrazët”, të cilin gjenerali i KOS-it, Josip Paleviq ia jep Bashkim Kosovës për t’ia dorëzuar njeriut të parë të shtetit të Kosovës. Pikërisht zarfi bosh, që në planin narrativ del si një mjet katalize të ngadalësim-shpejtim të veprimit romanor, është edhe kumulacioni i pritjes së recepientit dhe çelësi për konstatimin e një gjendjeje politike që buron drejtpërdrejtë nga dosja “Kosova”. Sistemi i shenjave të lidhura mes veti krijon ideogramin, domethënë pasqyrën e një gjendjeje në sinkroni dhe diakroni të entiteti nacional në një kohë-hapësirë të caktuar.
Perspektivat narrative
Romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” për trajtën narrative, skeletin kompozicional, mënyrën e ndërtimit të syzheut dhe shumë aspekte të tjera paraqet një vepër që ofron një lëndë të bollshme për diskutim. Romani fillon, siç kemi thënë, me prolog, ku jepet situata iniciale narrativë, për të vazhduar më tri pjesët romanit, ku se cila ka një qasje ndryshe problemit, ka natyrë tjetër proceduralë, por qe të gjitha shkrihen në një vijë fabulativë. Po kaq edhe “Shtojca”, që është një fragmentim i romanit, që del jashtë konceptimit të zakonshëm të formës së rrëfimit të këtij zhanri, sepse përbëhet nga intervista si zhanër letraro-puliciatik, vetëm sa e plotëson idenë e autorit për një procedim ndryshe dhe për një formë të personalizuar të rrëfimit romanor. Cila është kjo formë, ta quajmë kushtimisht e individualizuar apo edhe e personalizuar e rrëfimit romanor dhe cilat janë efektet artistike?
Autori në stilin e një njohësi jashtëzakonisht të mirë të teknikave të kompozicionit filmik, do të bëjë copëzimin e rrëfimit, ku në të njëjtën kohë do të participojnë perspektivat e ndryshme të narracionit, që nga retrospekcioni, i cili paralajmërohet në “Prolog” e deri te rrëfimi nga pozita e naratorit të gjithëdijshëm të pjesës së parë, rrëfimit të karakterit dokumentar në pjesën e dytë, deri te introspekcioni, në pjesën ë e tretë. Sikundër mund të shihet në roman ka disa tipe tekstesh, perspektivash narrative, pozicionesh të ndryshme të narratorit, sikundër edhe tipe të ndryshme të diskursit narrativ.
Secila nga këto perspektiva të rrëfimit ka edhe funksionin e veta artistik. Pjesa e parë e romanit, ku autori i bën një ekspozicion të gjerë kontekstit brenda të cilit lind, zhvillohet dhe vepron kryepersonazhi Bashkim Kosova, është një vështrim neutral, të folurit përmes faktografisë biografike, ku gërshetohen kohë, përvoja dhe ku jepen indiciet për zhvillimin e mëvonshëm të syzheut, qoftë përmes tekstit kryesor apo atij ekspikativ. Në këtë pjesë dëgjohet zëri i rrëfimtari të gjithëdijshëshëm apo “zotit të rrëfimit”, të cilit i falet e gjithë fabula romanore. Edhe kjo pjesë është mjaft e copëzuar dhe funksioni i fragmentit del më shumë si një paralajmërim i asaj që do të ndodhë në sinkronicitetin rrëfimor.
Pjesa e dytë e romanit është një rrëfim që ndërtohet në vijën dokumentare dhe, siç kemi thënë diku më herët, ka funksion në krijimin e iluzionit artistik të realitetit. Këtu pasqyrohen efektet e apokrifit artistik dhe efekti që del nga letrarizimi i dokumentit. Në këtë pjesë kemi një vështrim nga jashtë edhe të personazhit edhe të problemeve të tjera që shtrohen në rrëfim. Në planin e ideve në këtë segment narrativ kemi krijimin e idesë mbi formimin e “Dosjes së urrejtjes , e cila fillon më kryepersonazhin për t’u shtrirë pastaj në gjithë kolektivitetin dhe për të përfunduar me gjenocidin e pashembullte mbi kolektivitetin të cilit i përket Bashkim Kosova. Në këtë pjesë autori me të madhe mbështetet në empirine reale, në dokumentet konkrete, në fakte dhe të dhëna e që të gjitha këto krijojnë pasqyrën mentale të një kohe në të gjitha planet. Me zhvillimin e rrëfimit del se kjo “Dosje e urrejtjes” është vetëm një pasqyrim i një momenti historik të një dosjeje që e përcjell popullatën vendore të kësaj pjese të Dardanisë që nga antikiteti, ku shqiptarët të shumtën e herëve janë vetëm një element manipulues në duart e uzurpuesve të këtyre territoreve gjatë historisë.
Pjesa e tretë e romanit është një pasqyrë e të rrëfyerit të autorit, ku jepen nyjat jetësore nga jetëshkrimi i tij, duke prekur situata ekzistenciale, morale, psikologjike po edhe të politikës, sportit dhe të aktiviteteve të tjera të kryeprotagonistit. Në këtë shtegtim introspektiv autori personazhin e vet e vë në sprova të ndryshme, duke përkuar me momentet kyçe të një realiteti konkret. Mbase kjo është pjesa më pikante e (auto)biografisë së kryeprotagonistit si në planin intim, privat, familjar, social, etj. Këtu kemi një vështrim nga brenda të problemeve që shtrohen dhe këtu është ai diskursi vetëkritik ndaj një realiteti.
Ndërkaq në “Shtojcë” kemi një si prolog, një përmbyllje të rrëfimit ku autori i kthehet prapë formës dokumentare të rrëfimit, sepse intervista dhe zhanri (kuazi)letrar-publicistik është procedimi dominues.
Brenda këtyre tipeve të rrëfimit kemi edhe forma të tjera të diskursit, ku më dominuesi është ai i valorizimit dhe rivlerësimit të historisë, por edhe të aktualitetit. Autori në vend së të përdorë korrektivin imagjinativ, ai me të madhe vë në përdorim aspektin aksiologjik, që është i domosdoshëm kur është në pyetje tematizimi i empirisë historike, aktualitetit politik dhe përgjithësisht i dukurive dominuese në një shoqëri e që lidhet me perspektivën e saj.
Horizonti receptiv
Gjatë leximit të këtij romanit nuk mund të mos imponohet pyetja: ku është kufiri mes dokumentit dhe tekstit artistik, faktografisë dhe fiksionit? Mirëpo vetë natyra e letërsisë është e tillë se mundëson absorbimin e të gjitha përvojave, madje duke e transformuar çfarëdo qoftë ai dokumentaritet në faktoigrafi të pastër artistike. Romani i takon botës së fiksionit,kurse dokumenti botës së faktografisë historike. Dallimi mes tyre qëndron në faktin se i pari është në dispozicion të përhershëm të lexuesit, kurse i dyti pronë e kohëpaskohshme e specialistëve të caktuar që merren më kohën kur u përket dokumenti.
Romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” tematizon një empiri historike që përmbylet me ngjarjet aktuale të periudhës së fundit historike. Bashkë me aspektin fabulativ shkon edhe shtresimi askeptues i tekstit, në të cilin autori merret me rivlerësimin e historisë dhe pasojave në aktualitetin politik. Duke u marrë me këtë aktualitet autori konstaton gjendjet reale: riaktualizimin e “Dosjes Kosova”, referencat që dalin nga “zarfi i zbrazët”, që është një përpjekje për ta vetëdijësuar lexuesin për joperspekvizmin politik, për rigjallërimin e akterëve të “Dosjes Kosova”, për një proces politik që ka derivuar të gjitha këto perversitete që mbyllin çdo perspektivë.
Një rrëfim që bën heqjen e tabuve të çfarëdo natyre qofshin, pos efektit artistik që ka, ai njëherë mundëson edhe një katarsis moral të vetë lexuesit. Por ka pasur dhe do të ketë lexues që do të mund të identifikohen më ngjarje dhe procese, si në kuptimin pozitiv po aq edhe në atë negativ, sa reagimet e tyre do të na kujtojnë se në shoqërinë e sotme është mjaft veprues koncepti dhe praktikat e një lloji të revolucionit kulturor kinez në formën autoktone tonën. Po aq keqinterpretimi i të gjithë atyre që e gjejnë veten në këtë rrëfim na bëjnë më dije se ky roman ka qenë i domosdoshëm të shkruhet, së paku për ta bërë autopsinë e një politike shterpe, ku njeriu ndjehet viktimë e mekanizmave irracionale si në romanet e Kafkës, për dallim se këtu nuk ka shtet e ka viktima.
Në fund te them se letërsia shpesh ka nevojë edhe për vepra që do të mundësojnë një katarsis moral para se atë estetik. Këtë funksion romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” i Jusuf Buxhovit e kryen më te madhe, duke e renditur autorin tek ai grup i paktë, mbase edhe ineksistent, në kulturën tonë, që bëjnë detabuzimin e politikës dhe shoqërisë dhe që me reagimet e veta intelektuale dhe artistike krijojnë mundësinë të jenë në paqe me ndërgjegjen vet./ KultPlus.com
Sot bëhen 127 nga lindja shkrimtarit, patriotit dhe intelektualit, Haki Stërmilli, shkruan KultPlus.
Është nga ato personalitete të rëndësishme të letrave shqipe dhe veprimtarisë patriotike dhe dijetuese. Shkrimtari, gazetari, dramaturgu, atdhetari, janë ato shtresime ku ai dha më të mirën e tij, atë të një ylli që me kalimin e viteve e shton shkëlqimin e vet
Sepse sa më shumë që rrëmon në jetën dhe veprimtarinë e tij të shpaloset një realitet befasues, një e shkuar që koha ka guxuar ta nënshtrojë me harresë dhe errësirë. Asnjëherë nuk jemi të vonuar për t’iu rikthyer ridimensionimit të kësaj figure, opusit të këtij vepruese dhe krijuesi, me të cilin nuk na lidh vetëm një roman, por jo më pak e vlerësuar dhe e çmuar është krejt kolana e tij letrare dhe bedenat e larta të atdhetarit dhe patriotit, politikanit dhe ideatorit revolucionar.
Nuk ka dyshim se Haki Stërmilli zë një vend të vlerësuar në historinë e letërsisë shqipe, për kontributin e çmuara që ai ka dhënë në fushën e prozës, dramaturgjisë, letërsisë dokumentare etj. Por ajo që ngre vlerën e personalitetit të tij dhe duket se qëllimisht është mënjanuar është dhe veprimtaria dhe kontributi në lëvizjet politike dhe revolucionare për një Shqipëri të lirë e të pavarur. Ai është pjesëmarrës në ngjarje të rëndësishme të historisë së re shqiptare dhe kjo gjen shprehje në gjithë atë çfarë përbën angazhimin e tij letrar dhe politik. Të paktë janë ato personalitete që kanë zënë vend në kujtesën e brezave, të cilët të kenë një jetë kaq të stuhishme sa Haki Stërmilli.
Jeta e Haki Stërmillit kalon nëpër disa etapa vendimtare të historisë sonë, që nga fundi i Rilindjes, shpallja e Pavarësisë, Lufta e Parë Botërore, vitet 20 të rimëkëmbjes së shtetit shqiptar, mërgimi politik, koha e monarkisë, pjesëmarrja aktive në Luftën Nacionalçlirimtare e deri në çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe kontributi i tij në ngritjen e shtetit popullor dhe hapat e para të letërsisë së re.
Haki Stërmilli mbetet një figurë, personifikim i përsosur i patriotit dhe demokratit, e shkrimtarit dhe intelektualit popullor, i mbrojtësit të lirive dhe të drejtave të njeriut, grave në veçanti, ku romani “Sikur t’isha djalë” është një emblemë e kësaj aspiratë në traditën tonë letrare.
Haki Stërmilli u lind në Shehër të Dibrës më 17 maj 1895. Atje ai mori mësimet e para. Arsimin e mesëm e nisi në Manastir por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve e shtyu Haki Stërmillin për t’u vendos në Shqipëri ku edhe angazhohet për tu bërë pjesë e administratës shqiptare të asaj kohe. Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj si sekretar i parë i nënprefekturës së Matit. Vlen për t’u shënuar dhe puna e tij si mësues personal i motrave Zogolli, të cilat ndikojnë te një lidhje dhe konsideratë e Ahmet Zogut, me të cilin e lidh edhe suksesi dhe divergjencat. Është kjo afri dhe kjo ndarje që në vetvete përbën një etapë shumë të larmishme të jetës dhe marrëdhënieve të tij si politikan dhe patriot.
Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922 Ahmet Zogu i propozoi Kryeministrisë emrin e Haki Stërmillit për Sekretar të Shifrës ekuivalenti i sotëm i një posti ky në ministrinë e Ekonomisë. Këshilli i Naltë nuk e dekretoi Stërmillin, por pas një viti, Ahmet Zogu, tani ministër, e dekretoi më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe 31 janar do të dekretohej nga Këshilli i Naltë. Si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Haki Stërmilli qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogut dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe Ministër i Brendshëm.
Pas Lëvizjes së qershorit, Haki Stërmilli merr pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku u rivendos Llazar Fundo kryetar.
Me rikthimin e Ahmet Zogut dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik ku u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-n. Më 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg. Aty e takon miku dhe pasardhësi i tij në atë institucion që tashmë quhej Zyra Sekrete, Abedin Hoxha. Më 6 gusht 1929 dënohet me 5 vjet burg se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të Mbretit. Më 28 nëntor 1933 në sajë të një telegrami që i kishte dërguar NMT Zogu I për amnisti, falet dhe lirohet. Pas lirimit hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llampat elektrike të firmës OSRAM. Shkruan më 6 prill 1939 “Ti leve o yll” për princin Leka.
Në biografinë e tij shënohej se më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalur nga kongresi komunist i Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në mbledhjen e Mukjes. Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950 deputet. Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. /KultPlus.com
Gjermanja Ursula Meissner punon prej shumë dekadash si fotografe në zonat e luftës, ku mes tjerash ka spikatur edhe në luftën e Kosovës.
Sipas saj, lufta në vetvete është shumë tragjike, andaj nuk ka nevojë për skenare.
“Një fotografi është fotografi e mirë, nëse zgjon emocionet. Kur unë isha në Kosovë, fotografova një fytyrë të një vajze. Vajza e vogël kishte dy ditë dhe dy netë pa fjetur duke ecur nëpër shumale – e gjithë kjo për ti shpëtuar rrezikut. Me këtë fotografi mund të përshkruhej e gjithë dhimbja e shqiptarëve të Kosovë,” thotë Meissner në intervistën e fundit të saj për “Web.de”.
Vajza e vogël shqiptare nuk kishte as forcë për të qarë.
Më tutje ajo tregon se kjo foto i kishte prekur shumë njerëz, përkundër që nuk shihej “gjak dhe armë”, pasi dhimbja njerëzore mund të tregohet edhe pa këto elemente.
“Por këto fotografi rrallë korrin sukses,” tregon ajo./ KultPlus.com
Janë fotografitë ato që flasin sa një mijë fjalë, kujtimet më të bukura dhe momentet me të rëndësishme të ruajtura në sirtar të vjetër, shkruan KultPlus.
Më poshtë do gjeni disa nga fotografitë e para me ngjyrë:
The Eiffel Tower, Paris, në vitin 1914
Francë, në vitin 1917.
Nga fotografitë e para të shkrepura me ngjyrë nga Louis Lumière, 1907.
Charlie Chaplin, 1918.
Paris, 1914.
Van Besten duke pikturuar në kopshtin e tij, 1912.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar nismën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për lidhjen e marrëveshjes me Ambasadën e Francës në Kosovë për bashkëfinancim të bursave të arsimit të lartë në nivelin Master.
Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin e lëvizjes së studentëve kosovarë në Francë dhe përforcimin e bashkëpunimit në këtë fushë, duke hapur kështu rrugë për financimin e disa bursave për studentët tanë që të ngrisin kapacitetet profesionale në fushat me interes për zhvillimin e vendit. / KultPlus.com
Redon Makashi është këngëtar dhe tekstshkrues i njohur, që gjatë karrierës së tij i ka sjell publikut mjaft këngë me tekste të bukura, të shoqëruara me zërin e tij unik, shkruan KultPlus.
Në vitin 1989, prezantohet për herë të parë në televizion në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Vitet më të bukura”. Kjo ndodh në spektaklin “Maratona e këngës popullore” e regjisores Vera dhe redaktor muzike Shaban Ibrahimi. Po në këtë vit krijon këngën “Rruga me fllade kujtimesh”.
Sonte po e risjellim këngën e tij “Dikur luaja me ndjenjën e saj” e cila është lansuar në vitin 1994 dhe shquhet për tekstin e bukur dhe të ndjeshëm, si dhe për performancën e Makashit. / KultPlus.com
Në kafene u dëgjua një goditje shpulle, shkllap. U ndal gjithçka, tallva, domino, loja e letrave dhe bisedat. Kokat u kthye kah tavolina prej nga u dëgjua zëri i shuplakës. Ai i cili u godit ishte njeri i madh dhe i trashë. Kurse ai që e goditi, të kundërtën e tij, i hollë, i ligsht dhe i vogël. Gishtat e të dobëtit kishin lënë shenjën e pesë gishtave në faqen e majtë të të trashit. Po të donte, polici nëpërmjet shenjës së gishtërinjve lehtë mund ta gjente kush i ka rënë.
Burrat në kafene menduan se burri trashaluq do ta kapë të hollin dhe do ta shkelë si shajak rruge, por nuk u bë ashtu, por vetëm bërtiti: Jam paditës! Nuk doli zë nga askush. Më pas tha: E patë të gjithë. Dhe duke iu kthyer të dobëtit, i cili nuk i vinte as deri të krahët, i tha: Ec, drejt në stacion policor.
Goditësi në vend të përgjigjes bëri një gjest sikur ta trembte mizën. Më pas lëshoi një zë si avull nga goja: Psss!
I trashi doli jashtë.
Burrat e kafenesë iu kthyen përsëri lojërave e muhabeteve. Trashaluqi më pas u kthye me një polic pranë. Ia tregoi policit të dobëtin. Ja, ky është! Më pas i tregoi edhe të ulurit si dëshmitarë, duke thënë: Edhe këta e kanë parë!
Polici i dërgoi në stacionin policor të trashin, goditësin dhe katër persona të tjerë që ishin ulur pranë tavolinës së tyre.
I trashi duke mbajtur ende faqen e majtë, tha: Zotëri komisar, jam paditës ndaj këtij burri. Më goditi. Janë dëshmitarë edhe këta.
Komisari shkroi me makinë shkrimi të dhënat e paditësit, të paditurit dhe dëshmitarëve. Paditësi thoshte se nuk e njeh atë që e goditi. Edhe dëshmitarët ashtu, duke thënë se ne nuk dimë gjë.
Paditësi pyeti: A e keni dëgjuar zhurmën e shuplakës?
Dëshmitarët thanë: Jo, as nuk kemi parë e as dëgjuar gjë.
I padituri tha: Unë nuk e mohoj që e kam goditur këtë burrë.
Komisari e pyeti: Përse e ke bërë? A ka diçka që nuk shkon mes jush? A ju ka fyer?
– Jo, s’ka gjë mes nesh. Nuk e njoh atë.
E si ndodhi?
I dobëti filloi të rrëfejë: Mbrëmë erdha nga puna në shtëpi. Kur pashë na e kishin shkëputur rrymën elektrike. Nuk e kishim paguar. E kaluam tëre natën në errësirë. Natën nuk fjeta fare. Veç kësaj, edhe nëna është e sëmurë tash dy vjet. Vuan nga dhimbja e lukthit. Mjeku i jep një ilaç. Kur e merr atë, i pushon dhimbja. Mirëpo, ku është tani ilaçi se? Kur u bë mëngjes u ngrita nga shtrati, po më ishte mpirë ana e majtë. Xhami i dhomës në të cilën rashë është thyer tre muaj më parë. Nuk po gjejmë xham. As ai vetë nuk po vjen. I vendosem jastëk e çarçaf dritares. Mirëpo nuk pati dobi. Deri në mëngjes hyri brenda të ftohtit. Më ishte mpirë ana e majtë. U ngrita nga shtrati, më falni, shkova në tualet. Uji ishte ndalur. Jashtë binte shi i furishëm. Në çezme nuk kishte ujë. Hyra në dhomë. Po dridheshim. Kishin marrë pak dru. Por, u harxhuan. Tani nuk po gjejmë dru. S’ka. Gazetashitësi e kishte lënë gazetën. Çdo mëngjes pa shkuar në punë lexoj gazetë. Shikova gazetën. Kishte tituj si “Garë bukurie”, “Gallatasaraji u bë kampion i ligës”. Desha ta hedh shpirtin jashtë shtëpisë. Kur po dilja në derë, erdhi nëpunësi ekzekutiv me përmbaruesin. Për shkak që nuk e kemi paguar qiranë, pronari na ka paditur. Nuk gjetën gjëra për t’i marrë në shtëpi. Nuk dua asnjëherë që në shtëpi të me vijnë nëpunësi ekzekutiv dhe përmbaruesi. Nuk gjetën gjë për të marrë. Njeriu turpërohet.
Përmbaruesi tha: Ta marrim këtë kanape.
Me ta çuar dorën në kanape dolën në pah mbi sëndukët e vjetër të sheqerit, pantallona, copëza zhelesh e jorganë të grisur.
Përmbaruesi këtë herë tha: Radion.
Sikur ta marrin këtë dreq radioje dhe të shpëtoj. Dhjetë muaj të vitit është te mjeshtri. Fito, fito, e jepja rregullimit të radios. Zaten radio na ka sjellë në këtë gjendje.
Duke dalë nga dera, gruaja më tha: Vajza nuk po shkon në shkollë.
E pyeta pse?
Mësuesi i ka kërkuar uniformë sportive. Pa të nuk e lejon të hyjë në mësim.
Mirë, mirë…
Nuk ka as vaj ulliri.
E hodha vetën rrugëve. Sido që të jetë, në punë nuk kisha mbetur vonë. Nuk shkoj as sot, thashë.
Shi i rrëmbyeshëm.
Tramvajin aty te ne e kanë hequr. Autobusi vjen çdo gjysmë ore. Nuk ka mundësi të hip. Është i stërmbushur. Minibusët edhe ata të mbushur plot.
Veturat kalojnë një pas një, mirëpo asnjëra nuk ndalon. Uji me hynë në këpucë. Sikur shiu ra me kove. U bëra qullë. Po dridhem. Një djalosh më erdhi afër dhe më tha: Më falni xhaxha!
Mendova se do të më pyeste për orën.
Më tha: A keni dijeni për ndeshjen e djeshme?
Hë, Zoti im… Vazhdova të ec. Aty gjendet një kafene. Hyra në kafene. Uji më rridhte nga çdo anë. E porosita një çaj. Pranë meje ishte i ulur ky burri që i meshova shuplakë. Lexonte gazetë.
Unë duke thënë me vete: More çka do të bëhet kjo gjendja ime? Si do të jetë fundi ynë?
Teksa unë po mendoja kështu, ky burri me mllef e gjuajti gazetën që mbante në duar dhe bërtiti: More vendi po shkon drejt humnerës!
Mendova që edhe ai ishte me brenga si unë, dhe thashë të flasim e t’i rrëfehemi njëri-tjetrit. I thashë: Përse zotëri? Më falni, mos të jetë sikur po përzihem, përse jeni tendosur?
Ai përsëri me mllef: Çka të jetë më shumë! Ej, në këtë vend nuk ka arbitër! Nuk ka arbitër, i poshtër qofsha. Në ndeshjen e djeshme arbitri përsëri ka gjykuar duke mbajtur anën..
Më pas nuk e di se çfarë më ndodhi mua. Për besë as unë nuk e kuptova, zotëri komisar. Në jetën time nuk e kam qëlluar askënd asnjëherë. Sikur në trupin tim më është shtypur një sustë, sikur është ngritur me forcën elektrike, u ngre përnjëherë lart kjo dora ime e djathtë. I mëshova një shpullë në fytyre këtij herifit. Unë nuk po e mohoj. E godita. Mirëpo, jo qëllimisht. Për besë nuk e kisha me qëllim. Ishte diçka jashtë vullnetit tim. Më pas me erdhën mëndtë. U frikësova, madje thashë se ky njëri do të më bëjë copë-copë tani. Mirëpo, u bë një herë. Zoti, duke ma dhënë në krahun e djathtë forcën e mundësit Zalolu Rrystemit, i mëshova shuplakë këtij herifit.
Komisari e shikoi burrin e trashë i cili e kishte hëngër shpullën. I shtrëngoi dhëmbët, bëri sikur u çua në këmbë. Filloi ta kruante dorën e këmbën e djathtë, dhe i tha paditësit: Hajde më! Pajtohuni mos e zgjatni!
I godituri u rebelua dhe tha: Nuk pajtohem!
Komisari i zemëruar, iu drejtua policit që shkruante në makinë: Shkruaj! “Paditësi, duke thënë vendi po shkon drejt humnerës, interesat e mëdha të vendit, personalitetin shpirtëror të qeverisë…”
Iu kthye burrit të trashë edhe një herë: Hajde pajtohuni!
Burri i trashë, duke fërkuar me dorën e majtë faqen në të cilën ende qëndronte shenja e shpullës, tha: Mirë zotëri, pajtohemi.
Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”/KultPlus.com
Ajo çka, në vend që të më mundonte, më mahniste gjithmonë, sa herë që takoja Lasgush Poradecin, ishte ndjesia e së pamundurës.
Ishte e pamundur të merreshe vesh me të si me të tjerët. Porsa hyje tek ai, madje porsa trokisje në portë, aty për aty gjithçka tjetërsohej.
Tjetër logjikë në të biseduar, tjetër kod, të tjera fjalë, të mbështjella me kuptim tjetër. Diçka mungonte përherë, e diçka qe e tepërt. Ai vetë ishte aty, i vëmendshëm për gjithçka, e megjithatë, ti e ndjeje se sa ç’ishte , aq edhe mungonte.
Më e habitshmja ishte se ty të pëlqente kjo, se nuk doje aspak që të prishej kjo magji, ashtu si nuk doje që fjalëve që thuheshin t’u ikte dysia, velloja me të cilën sapo ishte mbështjellë dhe t’u ktheheshin kuptimet e tyre të mirëfillta, që ngjanin tani të zbehta.
Një njeriu meskin do t’i dukej i krisur, një tjetër mund të mendonte se atë mjegullirë ia krijonte pleqëria. Por s’ishte as e para, as e dyta.
Lasgushi ishte aty, disa qindra hapa larg, megjithatë, përse nuk nisesha me ngut, me panik, për të mos humbur kohë? Përse nuk kam shkuar më shpesh, thosha me vete. Dhe prapë shkoja rrallë. S’kisha kurrfarë droje se do ta shqetësoj. Ai më priste përherë me kënaqësi, madje më çonte fjalë t’i shkoja. Ishte një pengesë e tjeterfartë. Pengesa që shkakton ëndrra. Askush nuk ngutet të shkojë drejt saj. Sepse, në fund të fundit, vonesa dhe ngadalësia bëjnë pjesë në mekanikën e saj.
Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske.
Prej vitesh, qysh pas mbarimit te Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë, që e bënin në mësim, e kujtonin të vdekur. Të tjerë ua shpjegonin se nuk ishte ashtu, se ishte gjallë, por as të parët, as të dytët nuk habiteshin nga kjo. Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të, si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit. Ishte nga të rrallët njerëz dhe, ndoshta , i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë , duke qenë i gjallë, të përjetojë vdekjen e tij.
Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej e natyrshme ta pyesje nëse dilte apo shkonte drejt arkivolit. Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje. Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mundshme, e pikëllimit që ai qe harruar pa të drejtë, thërrmohej si një enë kristali sapo ndeshej me të.
Kur ai hynte në kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme. Ai ishte i paparashikueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejtejshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjend.
Por gjëja më e jashtëzakonshme ishte e folura e tij. Gjë më të pangjashme me bisedën e përditshme, nuk mund të përfytyroje dot. Ndonëse ishte e qartë, pa stërhollim, fare e rrokshme, madje për gjëra të ditës, ajo e kishte kryekëput të ndryshme gjithçka: ndërtimin e saj, logjikën, ritmin, kthimet prapa. Ishte e papërftueshme, të mendoje që ai ose ti, në fillim të bisedës, të thoshit diçka për kohën, shëndetin, ose shprehjen ç’të reja kemi? Ai mund të shikonte ftohtë, të mos përgjigjej dhe të harronte që ti ishe aty. Çdo takim me të ishte përherë befasues, jashtë çdo skeme dhe parashikimi…
…Mekanizmi i kohës së tij ecte herë përpara, herë mbrapsht e herë në vend. Edhe oraret ashtu i kishte: çohej nga gjumi në orën 11. Hante mëngjes. Flinte përsëri në 12. Hante drekën në 5 mbasdite. Flinte në 6. Çohej në 8 dhe punonte gjer më 3 pas mesnate. Pamja e tij, po aq sa e folura, i shpëtonte çdo cilësimi. Ai ishte aristokrati dhe fshatari njëkohësisht, vjenezi i përkorë dhe ballkanasi me shkop shtogu, bjondi dhe bruni, i ashpri dhe fini. Ai herë të kujtonte aktorin gjermano-shqiptar të viteve ’30, Aleksandër Moisiun, herë grekët e lashtë të mbështjellë me zhgun jashtëkohor, e herë Papa Gjon Pali II.
Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtar të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm , më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur. Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij.
Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr. Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister.
Dervishi, përballë saj… Në heshtjen e dhomës dhe meditimin e gjatë. Një dialog nën zë, ndërkohë që ajo shkruan vargje. Poetja dhe dervishi. Dervishi otoman, zbarkuar në Paris nga miku i saj, piktori Omer Kaleshi. Dervishi që e ka lënë teqenë e tij, që është larguar nga vallja e tij rrotulluese nën një muzikë “ney” dhe ka ndalur aty në dhomën e saj, një ditë të vitit 2012, ku qëndron ditë e natë brënda një kornize, duke e parë atë me sytë e tij të mbyllur.
«Edhe pse symbyllur, dervishi shikon» – thotë piktori. Magjia e mistikës. Dervishi ka fatin ta shohë poeten dhe në çastet e saj intime, dhe atëherë kur ajo zhvishet, flë, zgjohet, me këmishën e saj të hollë me hiret e saj lakuriq dhe atë trup të hollë si nudot e hershme të vetë piktorit, atëherë kur ishte student, «nudo mjalti» siç i quan ajo, krijuar në vitin 1962.
E kisha fotografuar atë dervish në atelierin e piktorit, kur ai e kishte zbritur atë nga kavaleti i tij i vjetër dhe e kishte vendosur në kornizë. Pastaj një ditë, dervishi, kishte shkuar të gjente një strehë tjetër, më të gëzuar e femërore, një strehë të përhershme, dhomën e poetes që e shikonte me aq kërshëri, poetes që i kishte kënduar aq shumë: « … dervishi ballë shtratit tim nuk është në të zeza veshur me të bardha është gati të vijë rrotull por ai nuk rrotullohet është gati për ekstazën e tij ai qëndron i qetë dhe i paqtë aty duke pritur ceremoninë…”.
Gjithçka kishte një shije dashurie, apo diçka më shumë: sublimja e ngjyrës, figurës dhe fjalës, e poezisë me pikturën, për çka aq shumë kishte shkruar dhe i madhi Leonardo Da Vinci. Atje në atelierin e tij krijohej mrekullia.
A nuk ka shkruar ajo për tablotë e tij se: «Mrekullia mbahet veç në një fill ku ti var nga një breg në tjetrin peshq dhe koka virgjëresha dhe barinj një lot alkimik…» Ja ku kam ardhur tashmë në sallonin e mikes time Laure Cambau.
Dervishi nuk është vetëm. Jemi tre. Ai rri i heshtur dhe dëgjon fjalët tona për atin e tij, krijuesin e tij, Omer Kaleshin. Kur Laure u njoh me Kaleshin dhjetë vjet më parë, kur kisha organizuar ekspozitën e madhe të tij në hollet e bashkisë së Parisit XIII, ky piktor e habiti me kokat e shumta të tij: Omeri i kokave. Vallë përsëri një poemë homerike në kohët moderne?
Shpejt poetja e adhuroi dhe krijuesin e kokave. Ngjiste shkallët e shumta të katit të shtatë atje në bulevardin Arago. Shkonte të shikonte kokat e reja, barinj e dervishë, vajza që shisnin fruta, çobanë të rinj, personazhe të dramës së fundit ballkanike, fëmijë, fytyra ballkanasish të vjetër e të rinj. Atje, në atelier, ajo shijonte dhe rakinë e tij, dhe heshtjen e tij, pasi Omeri flet pak, ose aspak… një “heshtje memece”, siç e cilësonte miku i tij, filozofi Jacques Lacarriere, i cili po ashtu i kishte kushtuar shumë poezi kokave të tij.
Dhe kështu, poetja zbriste pastaj ato shkallë “qiellore” për të shkuar në shtëpinë e saj apo në kafene, për të shkruar vargjet e saj. Kokat e Omerit rijetonin kësaj rradhe brënda vargjeve: “Një podium kokash të vendosura e të futura bashkë një kokë e madhe mbi dy koka dy koka të vogla mbi një të madhe pesëmbëdhjetë koka kokëforta që bëjnë veç me kokë të tyre e nganjëherë të bijen mbi kokë!…”.
Dhe kështu, njëra pas tjetrës ajo krijoi nëntëmbëdhjetë poezi. Atëherë po përgatisja një libër me titull “Fjala e Omerikëve”, duke përmbledhur poezitë e poetëve të ndryshëm, miq të piktorit, si poetë francezë, shqiptarë, turq, maqedonas. Aty u vendosën edhe poezitë e Laure-s: një poezi, një tabllo.
Pas botimit të këtij libri në frëngjisht, shqip dhe maqedonisht, Laure Cambau do të vazhdonte udhëtimin e saj poetik nga atelieri i piktorit në sallonin e saj në Rue Damesme. Poezitë shtoheshin dhe kur takoheshim, unë shpesh e pyesja nëse kishte ende ndonjë poezi të re për mikun e saj. Dhe ajo m’i dërgonte për të shuar kureshtjen time: “Kam ëndërruar se më pikturoje dhe unë kisha frikë në të bardhën e telajos…” Këto poezi u botuan në librin poetik të saj Letra vagabondit qiellor (Lettres au Voyou céleste), të shtëpisë botuese Editions de l’Amandier, një vëllim i ndarë në dy blloqe poetikë, ku blloku i dytë E bardha pa të bardhë (Blanc sans blanc) i kushtohej Omerit dhe tablove të tij. Dhjetra poezi kushtuar Omer Kaleshit.
Por përsëri, kjo aventurë poetike, nga atelieri i bulevardit Arago, në Vavin, Denfert Rochereau apo në Buttes aux Cailles, etj, e pastaj do të vazhdonte në mbrëmjet e vona në Rue Damesme. Kështu u krijuan poezitë e tjera si Sytë e triptikut, Mbi sytë e mi, Tabloja e të katërve, Përse dy data – palimpsest, etj. E kuqe me të kuqe, e zezë pa të zezë… një paletë ngjyrash poetike ngjizur në vargje, si në një pjatancë frutash të Chardin. Piktori gjithnjë e befasonte atë me krijimet e reja të tij, por dhe poetja e befasonte piktorin me vargun e saj. Dhe ishte ai tani që më përcillte poezinë e saj më të fundit, një poezi pas tjetrës: «Merre, lexoje… bukur!»…
Dhe kështu lindi idea e këtij libri poetik, ku çdo poezi do të vendosej përkrah tablosë që e kishte frymëzuar atë, përcjellë nga frëngjishtja në shqip, nga njëri cep i urës gjigande në tjetrën, nga Parisi në Tiranë, në sofrën poetike të Rita Petros… Laure shikonte nuancat e së kuqes, humbiste në të kuq si në ujrat e një deti dhe në mëndje i vinte historia e asaj ngjyre pas së cilës ishte kapur aq shumë ai piktor: ngjyra e përzgjedhur e tij që në vitet e Akademisë së Arteve të Bukura në Stamboll: «Ti bën zjarr me çdo dru nga druri i spatulës tek druri i kavaletit nga këto flakë lind qielli i tablove të tua tabloja që mbushet me gjakun tënd në kufirin e së kuqes dhe të hapësirës nga hauri tek therrtorja fëmija rritet dhe në ditët që zgjohen kërkon ngjyrën e zjarrit gjaku thahet në tas dhe në porta në këmishat dhe në koka spatula vazhdon udhën e saj…”.
Në atelierin e Omerit, çdo detaj kishte për të një domethënie. Shpesh gjendeshim të tre, ulur në minderet otomane, para një rakije që ia sjell piktorit gjithnjë nga Shqipëria.
Ajo vështronte atelierin dhe humbiste në detajet dhe imazhet e çuditshme të një jete, të një historie, në atë Ballkan të vockël, të rikrijuar aty, në katin e shtatë, buzë reve, në prag të qiellit dhe gjithësisë, në natën e yjëzuar… Përse ai kolltuk i rëndë prej druri i piktorit bërë nga duart e tij? Përse ajo musandër, ajo tabelë plot manometra elektrikë të një bote të shkuar, ato kukulla dervishësh, etj, përse syreti i gjyshit i varur në mur, figurinat në miniaturë të çobanëve, shportat ku ai imagjinonte të vendoste kokat e tij, ajo këmbë allçie që varej në tavan të atelierit apo ikona e kokës së prerë të Gjon Pagëzorit?…
Njëmijë “përse” të saj si njëmijë shkallë për tu ngjitur e zbuluar jetën e një njeriu, e një artisti. Dhe kështu, duke kërkuar domethënien e një date, një ngjarje, dhimbje e dashurie, ajo e ktheu këtë histori njerëzore në një poemë të gjatë që s’dihet kur do të mbarojë, pasi piktori është e habitshëm, poetja gjithashtu! Gjithnjë do të ndeshesh me një të papritur. Laure Cambau është një poete e njohur në rrethet letrare e poetike franceze.
Disa çmime ndërkombëtare ndër të cilat dhe çmimet “Poncetton” të SGDL (Shoqatës së të Drejtave Autorëve) për librin e saj Letra vagabondit qiellor më 2010 apo “Simone Laundry”, më 2015, etj, dëshmojnë statusin e kësaj poete në poezinë franceze e frankofone në përgjithësi. Poezinë ajo e përqafoi që në fëmijërinë dhe adoleshencën e saj, kur shtatë vjeçare shkroi poezitë e para e më pas tekste këngësh, kohë kur luante sonatat e para të Chopin në pianon e vjetër familjare.
Ishte biblioteka e madhe e prindërve dhe ajo botë librash që do t’i shpaloste magjinë e leximit dhe të krijimit, dhurata e nënës për ditëlindje me një vëllim të Baudelaire në “Pleiade” të Gallimard. Kështu Baudelaire u bë shpejt i preferuari i saj, ylli polar poetik. Pastaj Verlaine, Rimbaud…
Më vonë poetë të tjerë trokitën në dritaret e shpirtit të saj: Max Jacob, Eluard, Lorca… Çuditërisht dhe një poet mistik spanjoll: Jean de la Croix apo vetë figura e shenjtes Thérèse de Lisieux në Normandi. Poetë, mistikë dhe shenjtë… shenjtë të të gjitha feve dhe kombeve. Libri i parë poetik Bulevarde lunatike (Boulevards lunatiques), u botua në Editions Brocéliande, në vitin 1998, ku poezitë e saj ilustroheshin dhe me fotot e botuesit. Ishte padyshim një ngjarje në jetën e saj duke e frymëzuar për të ngjitur më shpejt shtigjet e reja poetike.
Laure Cambau është gjithashtu pianiste. Jo rrallë ajo të fton në koncertet e saj muzikore apo ato koncerte që ka dhënë nëpër Europë, ku poezia gërshetohet me sonatat e pianos, ku luan muzikë me tekstet e Heine, Holderlin, Eluard, Hesse, Lorca… Ndoshta është dervishi i Omerit ai që e shtyu atë të merrte udhët drejt Shqipërisë dhe t’i ngjitej Malit të Tomorrit, atje ku çdo vit bëhet festa e bektashinjve, atje ku kryegjyshi botëror, Baba Mondi, bën lutjen drejtuar Zotit të tij.
Lutje me aromë paqeje, shpirti që nuk vdes, vere dhe dashurie. Në dhomën e saj, Laure ka madje dhe një diplomë të firmosur nga dora e kryegjyshit për shfaqjen e saj në majën e Tomorrit në atë ditë plot diell të festës së madhe midis mijra besimtarëve. Ajo më tregon diplomën dhe qesh me mirësi.
Një diplomë ndryshe nga diplomat e tjera që shpërndahen në të katër anët e botës… diplomë mistike, sepse ishin dervishët që e nxitën kështu të shkruante për ta dhe për rrugëtimin e tyre të gjatë, nga Bektash Veliu në shekullin e XIII duke kaluar nëpër tokat dhe poemat e sufistit Jonuz Emré, për të ardhur në Malin e Tomorrit në Shqipërinë e vitit 2014.
Legjenda thotë se themeluesi i bektashizmit Haxhi Bektash Veliu, morri një grusht dhé nga varri i Baba Abaz Aliut dhe e vendosi në majën e atij mali, duke krijuar kështu një varr të dytë të shenjtë në malet shqiptare. E megjithatë, duket se jo vetëm dervishi i Omerit e nxitën atë të udhëtonte si të ishte një Aleksandra David Néel, Hester Stanhope, kontesha Gasparin që shkruante për brigjet e thepisura të Jonit shqiptar, Mary Montagy, udhëtare këto të shekullit XIX apo dhe si udhëtaret e kohëve moderne.
Ajo më tregon për profesorin e saj të historisë, kur ishte në shkollë në moshën 13 vjeçare dhe kur ai u fliste me entusiazëm për Shqipërinë maoiste dhe utopinë e një vendi që nuk donte t’ia dinte për superfuqitë dhe kjo tashmë e bën të qeshë me të madhe. Pastaj më tregon për shkrimtarin e njohur Robert Escarpit që i ati, mik i tij, gjithnjë kur e takonte e thërriste «Robert l’Albanais» («Roberti shqiptari»), i cili ishte mahnitur nga Shqipëria e «Gjeneralit të ushtrisë së vdekur».
Më pas ajo vazhdon të më tregojë për udhëtimin e familjes së saj në jahtin e një miku të afërt, kur sëbashku, nga Brindizi, ata u afroheshin brigjeve shqiptare pranë Shkodrës dhe kur shoqëruesi nxitoi t’i largonte nga ato brigje të heshtura pasi «ushtarët e Republikës së «paepur» mund ta kthenin udhëtimin e tyre në një «udhëtim funebër»… kështu, Shqipëria kishte mbetur një mit që gjithnjë e grishte, madje dhe në ditët kur do të shkonte në festivalin poetik të Strugës, aq pranë Shqipërisë mitike, «planetit të pashkelur» nga pinjollja e «princit të vogël»…
Më së fundi, atë gusht të vitit 2014, bashkë me poezitë e dervishëve të saj, ajo shkeli zbathur në tyrben e famshme dhe të shenjtë që ngrihej atje në majë të atij mali si një observator i shenjtë i shpirtrave njerëzore… Atje bashkohej dhe qielli, poezia, piktura e Omerit dhe shpirtra që kishin jetuar në mijra vjet.
Në dhomën e poetes Laure Cambau tabloja e dervishit, tabloja dhuratë e piktorit, është gjithnjë aty, përballë shtratit, varur si në një qiell mistik, i pagjumë e vigjëlues, i paqtë e njëherësh si një ashik i heshtur që vështron përtej brigjeve ballkanase: «… fle dhe vallëzoj dhe ëndërroj në të bardhë dhe ballë meje një dervish më flet fjalët e tij janë karemë memecë një qumësht blu që më bën për vete në një këngë para pemëve në të djathtë kam një plagë në të majtë një “flakë të pikturuar» dhe ballë meje një dervish… /KultPlus.com
Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi, nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti. Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni, malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.
N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë, si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë, m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë, m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.
As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë, s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë. Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë, do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.
Nëpër troje ku punën kam hedhë, emra trimash mbush pagëzimi, por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet. Emrin e trimit e mban dhe amfibi.
Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj, dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë, kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë. Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.
Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët, u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej. Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.
Se shumësia juej në trishtim të shkurtër ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe. E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët, ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.
Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte, në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli. N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte, Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri. / KultPlus.com
Merre këtë të puthur në ballë! Dhe prej teje tash duke u ndarë, Më lejo të të them kaq fjalë— Ti nuk ke faj, që shpesh kujton Se ditë e jetës n’andërr m’kalon; Edhe nëse shpresa ka fluturu tej Në ditën, o në natën andej, Në një mirazh, o në askund, A është kështu më pak e fund? Krejt çka shohim ose vjen si vegim Është veç andërr brenda n’andrrim.
Midis gjëmimit të prajshëm ndal Në bregun e të rënkueshmes valë, Dhe në brendi të duarve mbaj Kokërrzat e rërës vesh në ar— Ashtu pak! Shkojnë duke u zvarritë Gishtave të mi ua prekin thellësitë, Tek shkrihem në vaj—në vaj tek zbrit! O Zot! A nuk mundem t’i afroj Ato më fortë në duar t’i shtrëngoj? O Zot! A nuk mundem veç një me shpëtu Që mos ta marrë vala që është duke u afru? Krejt çka shohim ose vjen si vegim A është veç andërr brenda n’andrrim?
“Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe.”
“Historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”
“Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.”
“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.” / KultPlus.com
Me siguri edhe ju jeni mërzitur që Shqipëria nuk u kualifikua në finalen e këtij evenimenti muzikor. Pavarësisht debateve të lindura mbi performancën e Ronela Hajatit, sërish gjithsecili nga ne do të donte që Shqipëria të ishte në finale. Është çështje krenarie dhe bëhet fjalë për një eveniment shumë të rëndësishëm.
Shumë persona e komentojnë Eurovizionin si një organizim me përzgjedhje tërësisht politike, ku vende tëndryshme votojnë përgjithësisht fqinjët territorialë, ose shtetet me të cilat kanë raportet më të mira politike. Mirëpo nuk funksionon kështu. Kam vite që e ndjek këtë organizim dhe me futjen në funksionim të votave të publikut, fitorja përgjithësisht ka qenë e merituar për këdo nga artistët e viteve të mëparshme.
Për më tepër, nëse e patë edhe sistemin e votimit të këtij viti, Gjermania mbeti në vend të fundit me 0 pikënga juritë dhe shumë pak pikë nga publiku. Nëse gjithçka do të ishte politike, Është e sigurtë qëGjermania prej jurive të shteteve të ndryshme do të siguronte shumë më shumë pikë, pasi mbetet shteti më i fuqishëm politikisht dhe ekonomikisht në Europë. Fakti që u rendit e fundit, do të thotë që ideja e përfshirjes politike nuk është e drejtë.
Ndërsa për sa i përket këngës fituese, shumë prej nesh e prisnin fitoren e Ukrainës për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. E ndjenim, ama jo sepse Ukraina kishte këngë fituese. Unë mendoj se Ukraina fitoi për shkak të situatës, në të cilën ndodhet, jo për shkak të një kënge që të linte mbresa, apo një vokali tëjashtëzakonshëm. Kishte plot pretendent për fitore ndër atyre që realisht diskutoheshin për vokal dhe këngë, si Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Suedia apo Greqia. Ndërkohë fitoi Ukraina, e cila pak kohë mëparë rrezikonte edhe skualifikimin. Por Eurovizioni mbetet një eveniment që kërkon të transmetojë diçka. Çdo këngë fituese është zgjedhur edhe vite më parë për të dhënë një mesazh dhe mesazhi i këtij viti ështëtepër i qartë. Të gjithë ne, të gjitha vendet, jemi me Ukrainën./bota.al/ KultPlus.com
Posta e Ukrainës planifikon të emetojë një pullë speciale sa më shpejt të jetë e mundur për të festuar suksesin e fitores në Eurovision Song Contest (ESC).
”Kalush Orkestra” mposhti bindshëm 24 zërat e tjerë të ESC falë një reagimi të paprecedentë nga shikuesit në të gjithë Evropën.
”Një komitet artistik do të vendosë për dizajnin”, shkroi shefi i zyrës së postës Igor Smelyansky në Facebook duke shtuar se ai shpreson të përshpejtojë procesin.
Zyrtarët ukrainas kanë premtuar se vendi do të presë konkursin vitin e ardhshëm, pavarësisht nga konflikti i vazhdueshëm.
Aktualisht, Ukraina nuk do të mund të organizonte një garë të tillë për shkak të gjendjes në vend.
Kohët e fundit, posta e Ukrainës ishte e suksesshme me një pullë postare kushtuar ushtarëve ukrainas në Ishullin e Gjarpërinjve në Detin e Zi, të cilët refuzuan t’i dorëzoheshin një luftanijeje ruse./atsh/ KultPlus.com
Një nxënës i klasës së katërt në Lipjan, ka shkruar në shkollë me një armë në brez.
Drejtoria e shkollës “Kadri Beba”, në fshatin Ribar i Madh, të komunës së Lipjanit, ka raportuar në Polici se sot paradite është vërejtur se një nxënës i klasës së katërt i kësaj shkolle kishte shkuar me revole në brez.
Burimet e Gazetës Sinjali nga kjo shkollë njoftojnë se arma që nxënësi posedonte ishte me gaz dhe bashkë me armën Policisë u është dërguar edhe municioni i saj.
Meqenëse personat nën moshën 14-vjeçare nuk kanë përgjegjësi penale, Sinjali mëson se përgjegjësia mund të kërkohet tek prindërit e nxënësit, në rast se konstatohet se ata ishin në dijeni për veprimet e fëmiut të tyre. / KultPlus.com
Edicioni i 12-të i festivalit të muzikës klasike ‘Chopin Piano Fest’ tashmë ka filluar rrugëtimin e tij të suksesshëm, përcjell KultPlus.
Festivali më i madh i muzikës klasike i organizuar në Kosovë, këtë vit pritet të ketë 15 koncerte, masterklase, punëtori, gara të ndryshme e aktivitete kulturore. Do të jenë të ftuar kompozitor e pianistë nga vende të ndryshme të Evropës të cilët do të shpalosin para publikut kosovar veprat më të mëdha në piano.
Ndërkaq sonte do të performoj pianisti i shquar François Dumont, nën “Piano Recital”, koncert ky që vjen në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, duke filluar nga ora 20:00.
Edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja. / KultPlus.com
Me tekstin “Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi, Integra ka realizuar një tjetër projekt teatror i cili në një mënyrë të jashtëzakonshme e trajton çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Me një ndërthurje mahnitëse mes trajtimit të kësaj çështjeje nga aspekti i “të pagjeturve” dhe nga aspekti i atyre që ata lanë pas, kjo shfaqje na sjell jetën dhe sfidat e një familje normale e të zakonshme, të paktën në dukje, përcjellë KultPlus.
Shfaqja paraqet jetën e Dinit, i cili jeton me gruan e vet Sarën dhe vajzën e tyre Lolën. Jeta e tyre është goxha e njëtrajtshme, megjithatë, kjo njëtrajtshmëri duket se vie nga hallet e problemet e jetës me të cilat ballafaqohen. Por përtej kësaj ‘njëtrajtshmërie’, duket se në shtëpi ka edhe një palumturi të pashpjegueshme.
“Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë.
Përfundimisht, kjo është një dramë për ata që duam t’i mbajmë afër… dhe i mbajmë, në një mënyrë apo tjetër!
Pjesë e ekipit artistik të këtij prodhimi janë edhe Njomëza Luci, kostumografe; Adhurim Grezda, kompozitor; Mentor Berisha, skenograf; Kaltërim Balaj, asistent regjisor; Leart Rama, video realizator, Skender Latifi, dizajner i dritave dhe Florian Mehmeti, dizajner.
Premiera e shfaqjes “Babai dhe Babai” do të jepet më 16 maj 2022, prej orës 20:00 në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë. Për të vazhduar menjëherë më 17, 18 e 19 maj, me reprizat e para të kësaj shfaqje, që do të jepen nga ora 20:00, po ashtu në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë.
Kjo shfaqje është realizuar nga Integra, dhe është mbështetur nga NED, PAX, Bashkimi Evropian, Fondi për Zhvillim Komunitar, Ambasada e Suedisë në Prishtinë, Rockefeller Brother Funds dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com
Në shënimin e 23-vjetorit të zhdukjes së veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hoti, shtëpinë-muze të tij në Krushë të Madhe e kanë vizituar familjarë, bashkëveprimtarë, e politikanë. Duke kërkuar që të zbardhet fati i tij, të gjithë e vlerësuan lartë veprimtarinë kombëtare të Hotit.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi u shpreh se ndriçimi i fatit të profesorit Ukshin Hoti dhe të gjithë të pagjeturve tjerë është detyrim ndaj familjarëve dhe shoqërisë.
“Ky aktivitet është simbolik dhe ka për qëllim edhe njëherë me ngrit zërin jo vetëm zërin e arsyes por me forcë me ngrit zërin ku është Ukshin Hoti? Profili i njërit prej atdhetarëve të kulluar, një humanisti kryengritësi, prijësi të mendimit kritik udhërrëfyes drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar na bënë të ndihemi borxhlinj përherë karshi kësaj figure madhore në vendin tonë… Së këndejmi, ndriçimi i fatit të profesorit Ukshin Hoti dhe i të pagjeturve të tjerë është detyrim ndaj familjes, ndaj shoqërisë, vendit tonë dhe në përgjithësi ndaj kombit shqiptar sepse ai përfaqëson vlerat më sublime që mund ta karakterizojë një intelektual vizionar i këtyre përmasave”, theksoi ai.
Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se madhështia e veprës së Ukshin Hotit i bënë të tjerët të ndihen të vegjël.
Ai dha edhe disa porosi, ndërsa tha se për ta forcuar sigurinë dhe shtetin ligjor në Kosovë nuk do të jenë kurrë të ndarë pavarësisht partisë politike e përkatësisë.
Sipas tij, shqiptarët krahas synimit për bashkim kombëtar, ata duhet të jenë të bashkuar edhe për një miqësi me Amerikën.
“Madhështia e veprës së tij na bënë gjithë neve tjerëve të vegjël. Por guxoj me besu se po punojmë, do të punojmë dhe do të qëndrojmë përjetë me atë që është testament jo vetëm për politikën por për secilën prej nesh. Në një ditë si kjo ndoshta dy-tre porosi janë të mira që t’i themi se për ta forcuar sigurinë edhe shtetin ligjor të Kosovës kurrë nuk do të jemi të ndarë nuk ka asnjë identitet që na ndanë as partitë, as përkatësitë tjera. Do ta forcojnë sigurinë dhe shtetin ligjor të Kosovës a e dini pse, sepse siguria dhe shteti ligjor i pushtuesit na ka sjell në këtë ditë dikur e ne duhet ta kemi tonin të fortë dhe të përjetshëm. Po ashtu, që ta kemi një bazë ekonomike që të jetojmë në vendin tonë është detyrë e jona pa marr parasysh se kush jemi, një bazë ekonomike që njeriu i Kosovës të jetojë në Kosovë. Duhet të jemi të bashkuar sot dhe të mos thellohemi dhe fokusohemi tek përkatësitë tjera, mbrojtja përmes NATO-s, duhet me shënu hyrje në NATO Kosova pikërisht që mos të na përsëritën ditë si kjo, mos të na përsëritet historia. Duhet të punojmë intensivisht që të anëtarësohemi në NATO, është interes i yni”, u shpreh ai.
E djali i intelektualit, Ukshin Hoti, Andini u shpreh se ditët si këto janë të mërzitshme për të gjithë familjarët e të zhdukurve, madje u shpreh se për familjarët e të zhdukurve lufta nuk ka përfunduar ende.
Hoti si kryesues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur u shpreh se Serbia po i lë të lirë dhe në poste politike kidnapuesit e babait të tij.
Ai po ashtu tha se Serbia nuk po heq dorë prej politizimit të çështjes së të pagjeturve.
“Jo vetëm ne si familjar të Ukshin Hotit por edhe të gjithë të tjerët që kanë pasur rastin e përafërt të vuajtjes familjar të personave të zhdukur konsideroj se ende nuk ka përfunduar lufta për ne. Jemi 23 vite pas dhe në një apo formë tjerë, ende ne vuajmë dhe mbajmë shpresën dhe zgjohemi dhe kur e shoh hallën dhe zonjën Nustrete e di se çfarë dhimbje mund të kenë çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje me shpresën se mos ajo Serbi kriminale që është sot po ndryshon mendje. Fatkeqësisht e njëjta Serbi, konsideroj unë, vazhdon të jetë edhe sot me mendje të tillë kriminale… Të gjithë publikisht i dinë emrat e atyre që e kanë kidnapuar babin nga burgu i Dubravës dhe ata sot jo vetëm që janë të lirë në Serbi, por edhe poste publike dhe rastësisht prej që e kam marr detyrën e kryetarit të Komisionit por edhe delegacionit për Persona të Zhdukur kam hasur në raporte të cilat delegacioni i Serbisë i ka dorëzuar tek ne në bazë të kërkesave të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për zbardhjen e fatit të babit dhe përgjigjja e tyre është po aq kriminale, tregon se Serbia në asnjë rast të vetëm nuk e depolitizon dhe në asnjë rast të vetëm nuk heq dorë prej politizimit të çështjes së personave të zhdukur’”, theksoi ai.
Hoti shprehu angazhimin e tij në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovës.
“Jo vetëm për babin por për të gjithë personat e zhdukur përderisa ne me aq fuqi sa kemi jemi aty dhe nuk do të ndalemi asnjëherë nuk janë ndal as më herët dhe nuk janë ndal as sot dhe nuk do të ndalemi as në të ardhmen”, u shpreh Hoti.
Homazhe dhe vizitë në shtëpinë muze të veprimtarit, Ukshin Hoti sot ka bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca./Express/ KultPlus.com
Intervistë e Ulf Poschardt me filozofin bashkëkohor Peter Sloterdijk, në të cilën, ndër të tjera, filozofi flet edhe për librin ‘Të lirë’, të autores shqiptare Lea Ypi. «‘Të lirë. Të rritesh në fund të historisë’… është një libër i mbushur plot me zgjuarsi zbavitëse, po, autores mund t’i jepet komplimenti disi i ngatërruar se nuk është në gjendje të shkruajë një fjali të mërzitshme».
Intervistoi: Ulf Poschardt
Zoti Sloterdijk, ju kishit të drejtë në kritikën tuaj ndaj politikës së Merkelit për refugjatët. Përpjekja ime e fundit në idealizmin kombëtar ishte në vitin 2016. Kritika ime ndaj jush në atë kohë ishte e gabuar. Isha naiv për herë të fundit.
Peter Sloterdijk: Kujdes! Në rrethana normale njeriu bën vetëm naivitetin e parafundit. Fatmirësisht, pasi që është e rëndësishme të ketë mbetje naive. Duhet të jetojmë gjithmonë me një fond motivesh të pashpjegueshme.
Në ç‘kuptim?
Sloterdijk: Jeta e humb hijeshinë e saj kur gjithçka lahet në dritën pa hije dhe kur mund të shohësh deri në fund edhe në vendet më të thella në ujë. Nuk e befason më veten dhe kjo do të ishte e vetmja gjë që do të mbetej nëse, në moshën pas të 50-tave – që dikur konsiderohej si pragu i pleqërisë – vërehet rikthimi në rritje i së njëjtës, te vetja dhe te të tjerët. Në këtë rast e vetmja gjë që mbetet është besimi në një mbetje të errët.
Sipas kësaj edhe unë jam zyrtarisht i vjetër. Por gjëja e mirë e maturimit, siç më duket mua, është pranimi radikal i asaj që është: se nuk dëshiron të kesh më iluzione. Apo është kjo sërish vetëm një iluzion?
Sloterdijk: Mbizotërimi i iluzioneve mbi të menduarit është një nga karakteristikat e rinisë. Kur iluzonet bien, mund të shfaqet një realizëm më i qëndrueshëm. Në historinë e gjertanishme të njerëzimit, dikush e ka njohur këtë si një shenjë të moshës madhore. Kjo është arsyeja pse njeriu me të drejtë ndien keqardhje për fëmijët që u detyruan të rriteshin para kohës, për shembull nëpërmjet edukimit princëror, në të cilin dymbëdhjetë ose katërmbëdhjetë vjeçarët derseheshin për t’u rritur. Në atë kohë, pothuajse si Perëndia gjatë krijimit të Adamit, fillohej menjëherë me të rriturit dhe kështu u grabitej adoloshentëve, nëse jo gjithë fëmijëria, rinia po e po.
Psikanalitikët e dinë që më këtë atyre praktikisht u grabitej gjithçka.
Sloterdijk: Sigurisht. Por mendoj se e vërteta është se kur i lëmë pas vitet e larta të iluzioneve, ne rritemi. Kushdo që shkëputet nga iluzionet mitrore, fiton shkallë lirie në realitet, si dhe njohuri se si të përballet me vështirësitë. Dëgjoj thashetheme se pas moshës 70 vjeçare ka një rritje të lirisë nëse lëmë anash tunelin e shtrëngimit erotik. Atëherë do të duhej të bëjmë bisedën tonë të radhës.
Mos të lutem!
Sloterdijk: Mos u shqetesoni! Sipas Platonit, mosha 50 vjeçare është e mjaftueshme për të gjykuar gjërat thelbësore.
Me të vërtetë?
Sloterdijk: Platoni e thekson se nuk duhet t’i besohet askujt shteti para moshës 50 vjeçare, sepse deri në atë pikë zakonisht ka ende shumë impulsivitet papjekurie. Sipas teorisë së tij të edukimit, edukimi për t’u bërë një qytetar i mirë i polisit rezulton nga gërshetimi i andreia, me guxue, dhe sophrosyne, maturisë. Ky do të ishte arti i madh i thurjes, i cili rrallëherë arrihet plotësisht, sepse shpeshherë shumë çmenduri toksike mashkullore depërton në guxim dhe shumë butësi në maturi. Perikleu mund të ketë mbaruar disa vite para kohe, por në përgjithësi rinia mbetet mosha e çekuilibrit.
Libri juaj i ri, “Kush nuk e ka menduar akoma grinë”, ka një freski që nuk ekziston më në filozofinë e zakonshme. Aty, mendoj, sundon një mosqejf radikal në lidhje me ndjenjën e përgjegjsisë si në të menduar ashtu edhe në formulim.
Sloterdijk: Doja të bëja një libër që nuk përmban një fjali që nuk është e rëndësishme për mua dhe për të cilën nuk jam i bindur se do të ndihmonte për të hedhur dritë mbi situatën e përgjithshme. Sidomos në 30 – 40 faqet e para mund ta ndiesh qartësisht bollëkun letrar. Aty pretendoj teorinë e hijes së Platonit në alegorinë e shpellës, e cila është komentuar dhjetra-mijëra herë, për motivin gri – pak dhe me patosin e herës së parë. Gëzimi i zbulimit në diçka tashmë të njohur është i pranishëm nga rreshti i parë deri në fund. Libri është një kuti e shkëlqyer koleksioni për zbulimet në buzërrugën e historisë mendore.
Kam qeshur me zë të lartë me titullin e kapitullit “Mbi gri dhe grua”.
Sloterdijk: Më duhej të mbroja veten nga deklarimet jopopullore. Më dukej më e mençur të urdhëroja një shpërthim ere që do të frynte prenë nga dritarja.
A qeshni dhe Ju ndërsa shkruani?
Sloterdijk: Po, kryesisht ndiej kënaqësi. E dëgjon edhe gruaja ime, sepse unë shpesh lexoj me zë të lartë ndërsa shkruaj. Ajo është e lumtur që unë mund të jem kaq i dhënë pas punës.
Flisni ndërsa shkruani?
Sloterdijk: Nganjëherë flas me zë të lartë. Kjo ka të bëjë me faktin se unë më së shumti shkruaj me veshë.
Martin Heidegger ishte një ritmist i madh.
Sloterdijk: Ai ishte shpesh edhe i ngurtë. Stili im vjen nga bindja ime për të shkruarit. Si autor jam edhe lexues, nuk dua të mërzitem gjatë rileximit.
Shumë më rëndësi.
Sloterdijk: Dhe për fat të keq unë njoh një bollëk të të ashtuquajturave tekste që nuk do të dëshironit t’i lexoni për herë të dytë, përveç nëse shkruani një ese për mërzinë dhe kërkoni një referencë. Traktati i Heidegger-it mbi mërzinë në leksionin e metafizikës të viteve 1929/1930 mbetet i patejkalueshëm deri më tani, nuk ngopeni dot së rilexuari.
Suhrkamp,botuesi i librit tuaj, ofron plot shembuj të prozës së zymtë shkencore. Politikisht korrekte, e padurueshme.
Sloterdijk: Më vjen keq që e dëgjoj këtë. Për fat të mirë, kemi kundërshembuj aktual në shtëpi (fjala për shtëpinë botuese Suhrkamp, v.p.). Merrni librin “Të lirë. Të rritesh në fund të historisë”, nga Lea Ypi, një autore e re shqiptare, është një libër i mbushur plot me zgjuarsi zbavitëse, po, autores mund t’i jepet komplimenti disi i ngatërruar se nuk është në gjendje të shkruajë një fjali të mërzitshme.
Por e kuptoj shqetësimin tuaj. Ka tone me prozë gri të disponueshme nga të gjithë botuesit dhe shumë pak literaturë të mirë për grinë. Është e vështirë të mohohet se klima e krijuar e korrektësisë na ka futur në një epokë të censurës së dytë. Ka tepër shumë të atillë që i ndihmojnë inkuizitorët dhe censuruesit të vijnë në pushtet. Inkuizitori i jep vetes dy kompetenca. Së pari, heqja e thonjëzave, së dyti: ndalimi i përgjithshëm i ironisë. Ky i fundit vjen nga më larg. Përpara se vala e zgjimit të shpërthente në SHBA dhe të përhapej edhe tek ne, tashmë kishte një valë antironie atje.
Parë nga prizmi i sotëm, fushata përgatitore.
Sloterdijk: Që vërtetoi se intelektualëve nuk u lejohej më të fluturonin lirshëm.
Ironia i takon të djathtës?
Sloterdijk: Ironia së pari do të donte të shmangej lart. Por, nëse e mira është në të majtë dhe tek e majta serioziteti i ri ndihet në shtëpi, atëherë lart është djathtas. Levitimi i lirë gjithashtu ngrihet në të djathtë.
Në librin tuaj mund të gjeni fjalinë: “E ardhmja i përket një politike rregullatore eko-burokratike që përshkruan rrugën e shtetit drejt menopauzës së tij postdemokratike, i cili është sa nënkompetent aq edhe i mbingarkuar.” A është kjo e djathtë ironike apo e majtë serioze?
Sloterdijk: E kam shkruar në një kohë kur ende nuk e dija se kampioni i menopauzës Olaf Scholz do të arrinte majën. Por për sa i përket vlerave, ajo godet në vend. Në shtyp, shihet vazhdimisht udhëheqja e dyfishtë Baerbock/Habeck, e cila është më e lehtë për t’u përbirë se Scholz për shkak të vlerës së shtuar fotografike. Lindner ka një periudhë të vështirë në fillim, sepse ai duhet të marrë shumë vendime contre cœur që në fillim. Kjo vlen edhe për Habeck-un, por atij i falet më lehtë.
Njërzit e duan.
Sloterdijk: Për arsye të kuptueshme, ai godet në shenjë. Deri më tani ai po bën një figurë shumë më mirë sesa pritej. Kjo vlen edhe për Annalena Baerbock, për të cilën kohët e fundit fola pak më pa respekt. Këta politikanë tani po lëvizin në fusha të tjera të forcës nën stresin e realitetit. Në to, ata piqen më shpejt se shumë të tjerë që akoma qëndrojnë në periudhën e ëndrrave politike.
A duhet të ndjekë politika shkencën?
Sloterdijk: I nderuar zoti Poschardt, ju sigurisht se duhet ta keni të qartë që po hapni një kuti të Pandorës me këtë pyetje? Çështja e marrëdhënies midis politikës dhe epistemes është po aq e vjetër sa edhe vetë filozofia; ajo u bë e mprehtë në mosmarrëveshjen midis Platonit dhe studentit të tij të shkëlqyer Aristotelit. Aristoteli e kritikoi mësuesin e tij se kishte parasysh një epistemokraci, një pushtet ekspertësh. Si një mjet kontrolli për jetën private dhe publike, Platoni nuk zgjodhi një opinion që kërkonte diskutim, por njohuri që ishte më e lartë se diskutimi. Kur flet për mbretin filozof, ai nënkupton matematikanin në pushtet.
Filozofia shkëputet nga debati politik, sepse bazohet në të vërteta të tilla si ato të teorisë së numrave dhe gjeometrisë. Tek ta llogariten vetëm provat, jo votat. Por politika, ashtu si historiografia, sipas Aristotelit, mbetet një sferë e të mundshmes. Për momentin, njohuritë shkencore janë të pavend këtu. Studiuesit nuk e dinë më mirë se gjeneralët apo tregtarët se si do të dalë fushata e radhës kundër Spartës. Në politikë, gomarët mund të vendosin me shumicë se janë kuaj. Atëherë do të duhet të presësh që një ditë asinokratët të bëhen pakicë.
Shkenca po vepron gjithnjë e më shumë si një fraksion këshillues i qeverisë.
Sloterdijk: Kjo priret të jetë e rrezikshme sepse shkencëtarët në politikë shpesh shfaqin një objektivizëm pozitivist brutal.
Brutal?
Sloterdijk: Është e vështirë sepse disa shkencëtarë sillen sikur 100 vjet kritika ndaj pozitivizmit i kanë lënë të paprekur.
Dikush konsiderohet shpejt armiqësor ndaj shkencës nëse vë në dyshim tezat e virologëve dhe meteorologëve.
Sloterdijk: Ky nuk është domosdoshmërisht faji i shkencëtarit individual. Christian Drosten, për shembull, i bën nder disiplinës së tij, sepse ai e prezanton shkencën para publikut si një praktikë mësimore dhe të gatshme për rishikim. Ai nuk është pozitivist. Nga formimi i tij profesional ai tashmë e di se është e rëndësishme të lundrosh përpara valës së mutacioneve.
Por ai ndoshta nuk e kuptoi se ajo që thotë në Këshillin e Ekspertëve të Qeverisë Federale nuk mund të jetë thjesht shkencë.
Sloterdijk: Kjo është e saktë. Këshillimi politik nga shkënctarët ka qenë më i ndryshëm nga Projekti Manhattan se sa ishte më parë. Ishin shkencëtarët ata që vunë bombën atomike në duart e politikanëve të asaj kohe. Pas Ditës së Hiroshimës, u krijua një gjendje rrënjësisht e re. Nevoja për të rilidhur shkencën me përgjegjësinë mund të datohet që nga ai moment. Ky është një imperativ i ri që askush në vendin tonë nuk e formuloi aq urgjentisht sa Carl Friedrich von Weizsäcker. Shfaqja e tij shënon një pikë kthese në qytetërim.
Në çfarë mënyre?
Sloterdijk: Nga mesjeta e këtej, sfera politike u lidh me teknologjinë dhe teorinë e saj, mbi të gjitha nëpërmjet armatimit. Metalurgjia e tyre e avancuar i lejoi evropianët të ndërtonin topa dhe pushkë që i bënin ata superiorë ndaj kulturave të tjera. Ajo që quhet kolonializëm përshkruan një fazë të epërsisë së njëanshme në teknologjinë e armëve nga evropianët ndaj pjesës tjetër të botës. Në Luftën e Parë të Opiumit, disa anije britanike me topa detyruan Perandorinë Kineze të nënshkruante Traktatin poshtërues të Nanking në 1842. E gjithë Afrika shtrihej përpara grykave të pushkëve dhe topave të armëve evropiane si një madhësi lehtësisht e pushtueshme.
Çfarë del nga kjo?
Sloterdijk: Bota u bë gjithnjë e më evropiane kur teknologjia evropiane dhe baza e saj teorike, shkenca, u adoptua, jo vetëm në armë, por si inxhinieri e përgjithshme mekanike. Rezistenca kundër universalizmit të teknologjisë dhe shkencës është e kotë. Ndërkohë, në formën e klimatologjisë është shfaqur një disiplinë e re, e cila merret me meteorologjinë botërore me pretendime universaliste.
Kur një ngjarje gjeologjike si ndryshimi i klimës hyn në historinë njerëzore, ka arsye për të rishqyrtuar kalendarët e qytetërimeve. Termi Antropocene e shpreh këtë. Klimatologjia organizon një konferencë të përhershme dhe i imponohet politikës në formën e një brifingu shkencor. E ka këtë të përbashkët me një pjesë të filozofisë që është shfaqur si diagnostikim kohor dhe terapi kohore që nga thyerja e madhe e të menduarit në shekullin e 19-të.
Heronjtë Tuaj të të menduarit gri, Hegeli dhe Heideggeri, ishin real-politikanë për një kohë të shkurtër, Hegeli me interpretimin e Napoleonit, Heidegeri me mbiinterpretimin e lëvizjes naziste.
Sloterdijk: Hegeli e shihte historinë si vendin që mendja lë pas në rrugën drejt vetvetes. Për të, konsumimi i madh i jetëve njerëzore nga Napoleoni ishte vetëm një kapitull aktual në këtë kurs. Heideggeri e kishte keqpolitizuar veten sepse donte të dilte nga zona gri e periudhës së pasluftës. Ai u mbështet në vendosmërinë revolucionare në stilin kombëtar për të shmangur kalimin në arbitraritet liberal. Ai hipi në trenin e gabuar.
A ishte në pyetje sqima?
Sloterdijk: Jo aq shumë sqima, mendoj, më shumë dëshira për t’u prekur nga tabloja e madhe. Ai nuk ishte i vetëm në këtë. Është një tendencë që intelektualët të pëlqejnë të ndihen të vendosur në mes të rrymës së jetës. Ndjesia është droga më e fortë.
Si e përballoni tundimin për t’u bërë pesimist kulturor?
Sloterdijk: Kur dikush nuk ka besim në vlerën e tepërt të punës së tij, ai zhytet lehtësisht në depresion. Këto ditë po lexoj përsëri letrat e Heinrich Heine nga Parisi, duke filluar nga viti 1842 – ato janë të një gëzimi dhe virtuoziteti që hidhet përpjetë. Heine hamendet çfarë do të ndodhte nëse tendenca e rivalit të tij Ludwig Börne do të mbizotëronte. Ai parashikon cancel culture, konformizmin moralizues, fitoren e grisë së ditës së punës – zhdukjen e përgjithshme të bilbilave, zbehjen e këngëve të fundit të lira pyjore të romantizmit dhe diktatit të dobisë. Edhe atëherë një brez i ri jakobinësh kishte marshuar për të kërkuar nënshtrimin e të gjithëve ndaj kritereve të tyre. Heine e pa këtë me tmerr, por edhe me bindjen në papërmbajtshmërinë e lëvizjes që e çoi grinë drejt fitores nën flamujt e kuq.
Në kapitullin e librit tuaj mbi teorinë politike të ngjyrave të shekullit të 20-të ju vendosni afinitete të rrezikshme zgjedhore, njëra midis Leninit dhe Musolinit, tjetra midis Stalinit dhe Hitlerit.
Sloterdijk: Libri im, në pjesën e tij të dytë, trajton një ngjarje që unë e quaj zhvendosje kuq-gri – ai ofron një pasqyrim teorik me ngjyra të asaj që Eric Hobsbawm e ka quajtur “Epoka e Ekstremeve”. Unë e shpjegoj këtë kryesisht duke përdorur shembullin e RDGJ, shteti më gri nga të gjitha vendet gri post-sovjetike. Thinjëzimi i RDGJ-së ishte parafytyruar tashmë në Bashkimin Sovjetik; “Terrori i kuq” i Leninit i vitit 1918 u zbeh gradualisht në grinë e Stalinit, e cila u ngrit nga sinteza e terrorit, burokracisë dhe sundimit të shërbimit sekret.
Dëshmitari im kryesor për këtë interpretim është Marcel Mauss, një njeri me kredencialet e paprekshme të një të majti bujar francez. Sipas diagnozës së tij të formuluar në vitin 1936, sistemi sovjetik mund të kuptohej vetëm si “rregull i konspiracionit të përhershëm”. Ky është emri i vërtetë i “diktaturës së proletariatit”. Komploti i vazhdueshëm i qeverisë kundër popullit përshkruan situatën në hemisferën lindore që nga dhjetori i vitit 1922, momenti i themelimit të Bashkimit Sovjetik, dy muaj pasi Musolini erdhi në pushtet, dhe formula është ende e vlefshme sot. Ndër konstantet e saj ishte shtrirja e emrit “fashizëm” nga partia italiane në gjithçka jobolshevike.
Në këtë aspekt, Putini është ende i varur nga pika staliniste; për të, gjithçka që nuk është Putin është “fashizëm” i pastër, veçanërisht në Ukrainë. Sistemi i ngritjes së kornizës ka qëndruar gjatë gjithë shekullit, megjithëse u lëkund për një kohë të shkurtër në vitet 1990.
Me Jelcinin?
Sloterdijk: Saktë. Mëpastaj shërbimet e vjetra sekrete shtrënguan frenat dhe sundimi i komplotit u stabilizua përsëri. Putinizmi nuk është gjë tjetër veçse konspiracion i agjencive sekrete post-sovjetike. Nga ky këndvështrim, nuk ka nevojë të flasim fare për Kinën. Aty partia është përforcuar si komploti i të gjitha komploteve.
Në librin tuaj ka një formulim si “Shngjyrimi i të gjitha vlerave të ngjyrave”. Kjo elektrizon. Askush tjetër nuk shkruan kështu sot.
Sloterdijk: Të shkruarit, siç e kuptoj unë, është një lëvizje midis gjendjeve të lirisë të relaksuara dhe më rigoroze. Lëviz andej-këndej në një paralelogram midis pjekurisë dhe papjekurisë. Pjekuria garanton se ju respektoni gjendjen e artit, papjekuria e bën atë të tingëllojë si diçka që nuk e keni dëgjuar kurrë më parë.
Përktheu nga gjermanishtja: Valon Veliqi /Express/ KultPlus.com
Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe psikoterapisti, Fitim Uka, ka bërë një reagim pasi që Asociacioni i Psikologëve Amerikan ka publikuar në faqen zyrtare një artikull të plotë për ‘Terapinë e Koheazionit të Brendshëm’, lajm ky që konsiderohet të jetë i jashtëzakonshëm për psikoterapinë në Kosovë, shkruan KultPlus.
“Linkun e artikullit po e bashkangjes në komentin e parë, e ju mos hezitoni ta shpërndani dhe ta pëlqeni. Kështu, na ndihmoni që ta ndërkombëtarizojmë e popullarizojmë një qasje të re psikoterapie, që rrënjët i ka në Kosovë”, ka shkruar Uka.
Më poshtë sjellim reagimin e tij të plotë:
Krenar dhe shumë i lumtur!
Asociacioni i Psikologëve Amerikan, divizioni i 29-të “Society for the Advancement of Psychotherapy”, ka publikuar në faqen e saj zyrtare një artikull të plotë për Terapinë e Kohezionit të Brendshëm. Po, po! Asociacioni Psikologëve Amerikan.
Unë nuk jam fare modest, por vërtetë ky është lajm i jashtëzakonshëm jo vetëm për mua dhe Terapinë e Kohezionit të Brendshëm, por edhe për psikologjinë dhe psikoterapinë në Kosovë.
Linkun e artikullit po e bashkangjes në komentin e parë, e ju mos hezitoni ta shpërndani dhe ta pëlqeni. Kështu, na ndihmoni që ta ndërkombëtarizojmë e popullarizojmë një qasje të re psikoterapie, që rrënjët i ka në Kosovë.
Veshja për tapetin e kuq të ”Billboard Music Awards” kërkon njëfarë shkëlqimi.
Ngjyra është e theksuar; siluetat janë sensuale dhe jokonvencionale. Teatraliteti është një domosdoshmëri.
Megjithatë edhe në vitin 2022, tradita vazhdon. Këtë vit, grupi i të famshëmve favorizoi ngjyrën vjollcë, me Becky G, Florence Welch nga Florence and the Machine, Quincy dhe DJ Khaled, shkruan rtv21.
Dove Cameron, nga ana tjetër, zgjodhi një ngjyrë të kuqe.
Më poshtë, shihni gjithçka që kanë veshur yjet në tapetin e kuq të Billboard Music Awards 2022. / KultPlus.com
Kylie Jenner në Balmain dhe Travis Scott morën pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Megan Thee Stallion mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Doja Cat vesh Schiaparelli në Billboard Music Awards 2022.
Megan Fox në David Koma dhe Machine Gun Kelly morën pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Florence Welch vesh Gucci në Billboard Music Awards 2022.
Dove Cameron vesh Ashlyn në Billboard Music Awards 2022.
Kali Uchis vesh GCDS në Billboard Music Awards 2022.
Heidi Klum vesh Toni Maticevski në Billboard Music Awards 2022.
Chloe Bailey mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Becky G mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Teyana Taylor mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Liza Koshy vesh Area në Billboard Music Awards 2022.
Jack Harlow mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Luisana Lopilato dhe Michael Bublé morën pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Dixie D’Amelio vishet off-White në Billboard Music Awards 2022.
Drew MacFarlane, Dave Bayley, Joe Seward dhe Edmund Irwin-Singer i Glass Animals morën pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Quincy Brown mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Giveon mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Anitta vesh Fendace në Billboard Music Awards 2022.
Erin Lim mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
AleXa mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Mari Copeny e njohur si Little Miss Flint morii pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Mary J. Blige mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
D’Lila Combs, Chance Combs dhe Jessie Combs morën pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Pierson Wodzynski mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Lexi Rivera mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
JT dhe Yung Miami i City Girls morën pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Ashley Yi mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Elle King mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Chloe Wilde dhe Janette Ok morën pjesë në Billboard Music Awards 2022.
French Montana mori pjesë në Billboard Music Awards 2022.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj theksoi sot se “në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA ka pasur edhe periudha jo të shëndetshme. Ka pasur edhe ngërçe. Shkak për këto ngërçe kanë qenë kryesisht paaftësia jonë për të kuptuar, ndonjëherë edhe refuzimi për të pranuar, e pastaj për të vënë në jetë në politikën shqiptare, vlerat mbi të cilat funksionon shteti i së drejtës, demokracia dhe fuqia e votës në vendin mik, në SHBA”.
Në fjalën e e tij në takimin e organizuar për 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Alibeaj tha se “mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me SHBA”.
“Edhe sot ka ende të tillë. Ka njerëz që kanë humbur busullën e që duan t’i tregojnë rrugën Amerikës. Kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t’ia humbin rrugën edhe Shqipërisë. Nuk do t’ia dalin. Nuk do t’ia dalin sepse kanë kundër shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe historinë e tyre mbi 100-vjeçare”, nënvizoi Alibeaj.
Alibeaj u shpreh se “shqiptarët janë të vetëdijshëm, e po ashtu falënderues, se nga partneriteti me ShBA, të fituarit e mëdhenj janë shqiptarët. Ne e dimë që SHBA e kanë vlerësuar gjithmonë miqësinë shqiptare, dhe shqiptaret jo rastësisht renditen sot si një ndër popujt më proamerikanë. E kjo marrëdhënie e shkëlqyer ka dhënë dhe frutet e veta. Në 100 vite, SHBA u dhanë shqiptarëve 2 shtete të pavarura. Asnjë lëvizje çlirimtare kombëtare shqiptare nuk ka bërë dot sa SHBA për Shqipërinë. SHBA kanë folur, ndihmuar, dhuruar dhe garantuar lirinë shqiptarëve, ngado ku janë, më shumë se të gjitha lëvizjet kombëtare të marra së bashku. Ndër të fundit është mbështetja për anëtarësimin në NATO. E ne shqiptarët i jemi mirënjohës SHBA për këtë mbështetje”.
“Partia Demokratike është sot më e kthjellët se kurrë, se ajo Amerikë që vulosi suksesin e lëvizjes demokratizuese të vendit në fillim të viteve 1990, vetëm besimi te vlerat e demokracisë që ajo përfaqëson, do të mund ta nxjerrin Shqipërinë nga kurthi i politikës së korruptuar dhe të dështuar të tranzicionit”, tha Alibeaj.
Ai u shpreh se “ne duhet, ne mundemi dhe do e nxjerrim Shqipërinë nga tranzicioni politik, korruptiv, kaotik, i tejzgjatur, që po vret përditë shpresat e shqiptarëve, që po largon të rinjtë e intelektualët, që po plak dhe po mpak popullsinë në Shqipëri. Ne do të dalim nga ky tranzicion. Dhe kjo jo vetëm si shpresë. Kjo do të ndodhë. Siç historia ka treguar, kjo do të ndodhë edhe falë mbështetjes së SHBA”. /atsh / KultPlus.com