PriFest nis sonte me filmin ‘‘Vera Andrron Detin’’

Sonte nis edicionin e tij të 14-të Festivali i Filmit “PriFest”. Hapjen e festivalit do ta bëjë filmi “Vera Andrron Detin”, shkruan KultPlus.

Përveç që tashmë janë të ditur edhe filmat që do të garojnë për çmimet kryesore, gjithashtu është njoftuar se çmimi kryesor “Hyjnesha e Kuqe” do të mbajë emrin “Vjosa Berisha” dhe do të nisë të ndahet nga ky edicion.

Edicioni i 14-të i “PriFest”-it mbahet nga 20 deri më 25 shtator 2022 dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. 

“Jemi të lumtur që sikurse edhe hapja e PriFest-it, me filmin ‘‘Vera Andrron Detin’’, edhe në mbyllje do të kemi film në gjuhën shqipe, ’’Virgjëresha Shqiptare’’,  për më shumë edhe me pjesëmarrje të madhe të filmbërësve nga Kosova. E kemi thënë shumë herë, promovimi dhe përkrahja e filmave vendor dhe filmbërësve tanë është një nga objektivat kryesore të festivalit”, ka thënë Fatos Berisha, bashkëthemelues i festivalit.

PriFest shënon edicionin e 14-të këtë vit dhe për herë të parë do të mbahet pa drejtoreshën e festivalit Vjosa Berisha e cila vdiq më 23 qershor të këtij viti. Ky edicion do të jetë në kujtim dhe nderim të saj.  KultPlus.com

5-vjeçari mori një nga letrat e fundit të shkruara nga Mbretëresha, iu dërgua një ditë pasi ajo vdiq

Një djalosh 5 vjeçar ka pranuar një nga letrat e fundit të dërguara nga Mbretëresha Elizabeth II, vetëm një ditë pasi ajo vdiq.

James McConnell i shkroi një letër të përzemërt monarkut të ndjerë gjatë një udhëtimi me familjen e tij në Londër gjatë Jubileut të Platinit.

Djaloshi nga Birtley i Gateshad, shkroi: “E dashur Mbretëreshë, Gëzuar Jubileun e 70-të të Platinit. Faleminderit nga James”, raporton Mirror, transmeton Telegrafi.

Por babai i tij Graeme McConnell mbeti i habitur kur James mori një letër nga Buckingham Palace të premten e 9 shtatorit, një ditë pasi Elizabeth II vdiq.

Ajo që e bëri letrën edhe më të trishtuar ishte se ajo e mbante datën e një dite më parë – ditën që ajo vdiq.

Përgjigja mbretërore përmbante një fotografi të Mbretëreshës së ndjerë dhe lexonte: “Unë ju dërgoj falënderimet e mia mirënjohëse për mesazhin tuaj të sjellshëm me rastin e Shtatëdhjetë vjetorit të Hyrjes sime në Fron, Elizabeth R 2022”.

Babai Graeme tha: “Sapo po bëhesha gati të dilja dhe kambanat për Mbretëreshën filluan të binin, kur letra doli u fut nga dera. Ishte mjaft emocionuese. Ishte vërtet prekëse.

“James i pëlqen çdo gjë që ka të bëjë me mbretëreshën. Ai e kupton që mbretëresha ka vdekur dhe ajo ka shkuar të jetojë në parajsë. Duhet të ketë qenë një nga letrat e fundit që dërgoi ER”, bëri të ditur McConnell.

“Do të ketë qenë një zonjë që punon në pallat që e dërgoi atë. Por James mendon se ajo u ul dhe e shkroi këtë letër para se të vdiste. Unë nuk dua ta prish këtë moment për atë”, shtoi tutje Graeme. / KultPlus.com

Durrësi “merr fronin” e sezonit veror, shtohen me 50% pushuesit

Durrësi është qyteti me rritjen më të madhe të vizitorëve këtë sezon veror dhe si i tillë i ka dhënë peshë gjithë rajonit qendror. Të dhënat e Institutit të Statistikave për strukturat akomoduese në korrik treguan se në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë rajoni qendër ku bën pjesë Durrësi u rrit me 50 për qind.

Veriu nga ana tjetër ka pasur një rritje modeste prej 3 për qind në korrik 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Jugu sipas statistikave ka mbetur në të njëjtat shifra sikurse viti 2021 ku “braktisjen” e vendasve e kanë balancuar të huajt.

Vizitorët jo-rezidentë u rritën me 23 për qind në rajonin qendër në korrik 2022 krahasuar me 202-in. Turoperatorët në fakt raportuan se për Durrësin vetëm kishte një kërkesë 30 për qind më të lartë sesa kapaciteti akomodues i qytetit. Heqja e kufizimeve të pandemisë dhe çmimet më të arsyeshme në raport me shërbimin që ofrohet duket se nxitën kompanitë e huaja që ta kthenin në një destinacion të rëndësishëm. Durrësi edhe pse jemi në shtator vijon të ketë shkëlqimin e pikut të sezonit ku referuar fluturimeve nga Rinasi rezultojnë të paktën 14 chartera nga Polonia, Norvegjia e Suedia të gjithë pjesë e turizmit të organizuar.

Qendra shënoi dhe rritjen më të madhe të turizmit vendas, me 138% në korrik 2022, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në rajonin e jugut numri i turistëve vendas ra me 3.5% dhe në veri tkurrja ishte më e lartë me -20%. Tkurrja e turistëve vendas në veri u kompensua nga rritja e të huajve me 12%. Veriu është dhe rajoni më interesant për të huajt, duke tërhequr 41% të totalit, ndërsa qendra 31% dhe jugu 28%.

Edhe në Veri numri i turistëve jo-rezidentë ka qenë ë i lartë këtë korrik sipas të dhënave të strukturave akomoduese ku rritja e raportuar është 12.4 për qind. Në Jug numri i të huajve në korrik 2022 ishte 4.2 për qind më i lartë se korriku i një viti më parë.

Vendasit nga ana tjetër këtë verë ishin në një “eksod” masiv drejt destinacioneve të huaja si një tendencë post-pandemi por edhe për shkak të paketave agresive konkurruese me të gjitha të përfshira të ofruara nga destinacione si Turqia, Mali i Zi dhe Greqia. Gjithsesi pushuesit vendas në korrik patën rritje vetëm në rajonin qendër me 138% rritje ndërkohë që në Jug strukturat akomoduese kanë raportuar rënie me 3.4 për qind në raport me një vit më parë. Rajoni i Veriut është prekur edhe më shumë nga mungesa e vendasve me një ulje prej 20 për qind në korrik 2022 krahasuar me korrikun e një viti më parë.

Shifrat e INSTAT për korrikun në strukturat akomoduese konfirmojnë edhe një herë deklaratat e turoperatorëve ku Jugu u raportua sipas zonave nga Vlora në Sarandë me një okupancë që në korrik luhatej mesatarisht mes 50-70 për qind edhe për shkak “të fushatës” së çmimeve të shtrenjta që nisi që qarkullonte masivit në rrjete sociale. MONITOR/ KultPlus.com

Së shpejti premiera e filmit “Hot Take: The Depp/Heard Trial” nga gjyqi i Amber Heard dhe Johnny Depp

Gjyqi i Amber Heard dhe Johnny Depp po merr trajtimin e filmave televizivë.

Ylli i “Pirates of the Caribbean” paditi ish-gruan e tij për shpifje për një shkrim që ajo shkroi në “Washington Post” në 2018, në të cilin ajo diskutoi përvojat e saj me abuzimin në familje.

Edhe pse emri i aktorit 59-vjeçar nuk u përmend në artikull, avokatët e Depp argumentuan se kjo nënkuptonte se ai ishte i dhunshëm ndaj saj gjatë marrëdhënies së tyre, të cilën ai e ka mohuar kategorikisht.

Tani, “Tubi” është duke punuar në një film për betejën gjyqësore, të titulluar “Hot Take: The Depp/Heard Trial”.

Ylli i “Days of Our Lives”, Mark Hapka do të luajë Deppin në filmin – i cili pritet të shfaqet më 30 shtator – me ish-aktoren e “American Horror Story”, Megan Davis që portretizon Heard.

Skenarin do ta shkruajë autori i “Late Night With Conan O’Brien”, Guy Nicolucci, dhe Sarah Lohman, e cila ka drejtuar “Lifetime’s Secrets in the Woods”, do të jetë gjithashtu prapa këtij projekti.

Ndërkohë, Melissa Marty do të shfaqet si avokatja e Depp, Camille Vasquez, dhe Marry Carrig do të luajë si këshilltaren e Heard, Elaine Bredehoft.

Pas një gjyqi gjashtë-javor, i cili u transmetua drejtpërdrejt në YouTube me miliona njerëz në mbarë botën, një juri doli në favor të Depp dhe atij iu dha 8 milionë dollarë nga 50 milionë dollarët që kërkoi si dëmshpërblim.

Ndërkohë, aktorja e “Aquaman”, Heard, fitoi një nga kundër-paditë e saj dhe iu dhanë 2 milionë dollarë nga kundërpadia prej 100 milionë dollarësh.

“Hot Take: The Depp/Heard Trial” do të shfaqet premierë në “Tubi” të premten, më 30 shtator./ KultPlus.com

‘Lule, dashunija rrin këtu derisa hana të jesë’

Poezi nga Martin Camaj

Koha e lules

Sonte më lajmruen se ka vdekë nji njeri
prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunija âsht e vetmja shtyllë guri
kur andej gardhit fluturojnë
shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë mâ rrufeprojse
se dy shpata tû pèr tû
me teha përjashta.

Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah jen terri.

Te zit e synit tand nuk due
ta ndeshi në shtiqet e ngushta.

Flakën e synit ta due mes fushës
e zemrën tande mollë,
të ndêmun në degë, në naltsin
e krahut prej tokës.

Mos bzâj para muzgut
të njerzishem në fushë
e erës zemërgjanë
që përqafon çdo maje bari.

Lule, hiqe pëlhurën e zbetë prej hanës
e shtroje per tokë.

Sy tú, lule-kadife, nuk njohin
pagjen. Mos bjer me vehte vérin e Nordit
por zjarm që ta rrisim bashkë
në kët natë të gjatë.

Lule, dashunija
rrin këtu derisa hana të jesë
përballë zjarmeve tonë
e drita e agimit të shkrijë
gacën e mbrame!

Ti je në zemër teme
e me zâ s’mund të thom
qetsinë e ndjenjes mos të prishi.

Zanin tand e njoh mes tingujve
të njimij currilave.

Vjollca që nis me çelë
i ka fletzat e njoma e të zbardhemta.
Ashtu dhe buza jote e mëngjestë.

Ti mbas vetullave ke hijen e hyllit
që zbulon vetëm nji faqe
dhe shpresa eme me trajtën e siluetës sate
në duer vuen ndër dhimba,
ndoshta për vdekje.

Ndjesitë e mia rrjedhin e humbin
në buzqeshjen tande t’idhtë.

Çohen njimij zâne
-shpatza badrash të pjekuna-
kur dëshirave u thue jo
përmbrenda. Mandej vjen shiu
e majet e badrave zbuten.

Mes flokëve te zèz e vetullave
e ndali shikimin
per të gjetun fillin e të vetmes poezi
të kësaj moshe seme djegagure.

Ashkël jam, Lule,
e shetis prej vendi në vend
i shtymë nga murrlâne, shum.

Kur ndalem këqyri në vehte
e shoh fëtyrën tande e para meje
shtiqe me oleandra anash.

Tre hapa mbas
shtrîhet nji tokè e djegun
me gùr e shkambij në pa skâj.

Eja përsri në mëngjes.
Po erdhe ti, në vend të kallijve t’djegun
kah rrâjt dalin filiza të rij.

Në kohën e kangës së qokthit
drita e synit t’nji hylli
ra meteor në mue
e ndriti fetyrën tande:
ishte mallkimi i atij që lindi natën!

Kalorës i shtigjeve t’ngushta,
kurr mâ s’do ta përkas
agimin e flokve tú.

Udhtoj me hijet e natës së vonë
e shoh gishtat tú që mbyllin
fletën e bardhë t’nji jete. / KultPlus.com

Arti muzikor bizantin në gjuhën shqipe

Shkruan: Rafet Rudi

Botime me vlerë: “Anastasimatari” dhe “Liturgjija Hyjnore”

Ditë më parë, në Tiranë, më rënë në dorë dy Libra voluminoz, gjithsesi, me interes shumë të madh për fushën e muzikës si dhuratë e autorit Z. Theodhor Peci – ‘Liturgjia hyjnore’ (në dy vëllime) dhe ‘Anastasimatari”. Z. Peci është Protopsalt i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, është gjithashtu Drejtor në Shkollën e Muzikës Bizantine dhe udhëheqës i Korit bizantin “Jan Kukuzeli”.

Libri që zgjoi interesimin tim ishte ‘Anastasimatari’ libër kryesor psaltik në artin bizantin, i cili përdoret si libër bazë gjatë adhurimit. E veçanta e këtij botimi është se ai (‘Anastasimatari’) për herë të parë vjenë para publikut tonë, si botim i plotë, i përshtatur në gjuhën shqipe, ndonëse, siç kuptova, pjesë të shkurtëra të materialit të Anastasimatarit janë publikuar edhe më parë nga Dhimitër Beduli (në vitet ’30-ta) dhe nga Damskin Grigoriati Harallamb Tereziu (pas viteve ’90-ta etj). Duhet thënë se historia e përshtatjeve të melodive psaltike nga greqishtja në gjuhë të tjera zë fill shumë herët dhe ato datojnë qysh nga shekulli XVIII, së pari në gjuhën sllave dhe pastaj edhe në gjuhën rumune etj. Kisha Ortodokse e Shqipërisë, pasi u shpall autoqefale (dhe e pavarur nga Patriarkana e Konstantinopojës) vijoi të ruante traditën konstandinopolitane të shërbesave, duke ndëruar gjuhën e shërbesave, nga greqishtja në shqip.

I – “Përshtatësi – kompozitor”

Në psaltime (këndime), siç dihet, rëndësia e tekstit është prioritare, ndaj, melodia duhet t’i nënshtrohet plotësisht tekstit. Pra, autorët e përkthimeve janë në të vërtet “përshtatës”. Sipas Z. Peci, i cili spjegonte me aq pasion këto detaje, mësova se çdo përpjekje përshtatëse nënkupton, njëkohësisht, edhe një ‘ndërhyrje’ kompozitoriale. Gjatë përkthimit (dhe përshtatjes), ndryshimet në strukturën melodike janë të lejueshme, meqë duhet të respektohen veçoritë e akcenteve dhe metrika e gjuhës në të cilën përkthehet (në këtë rast të gjuhës shqipe). Për më tepër, ndryshimet në strukturën melodike, jo vetëm që janë të lejueshme por ato janë të detyrueshme. Siç spjegon autori, për të ruajtur kuptimësinë e tekstit të përkthyer në gjuhën shqipe, përkthyesi është i detyruar t’i ndryshoj vijat melodike madje edhe të (ri)kompozon pjesët e caktuara. Me këtë mund të konsiderohet se përshtatjet (në raste të ndërhyrjeve të mëdha), ato mund të konsiderohen si një kompozim i ri (!). Pikërisht për shkak se këto intervenime mund të janë aq të mëdha dhe aq substanciale, është e preferueshme që përkthyesi të ketë edhe aftësi dhe talent kompozitorial. Dhe ky veprim, pra, konsiderohet plotësisht i ligjshëm. Më tutje, kjo e determinon kërkesën që përkthyesi (përshtatësi) duhet të ketë kulturë të gjërë muzikore, duhet ta njoh materien dhe duhet të jetë i aftë edhe të kompozoj (!). E gjithë kjo më duket interesant për shkak se përmes kësaj ne njohim një status të ri e të veçant krijues – “përshtatës/kompozitor”. Por, ka edhe raste të tjera, gjithsesi të veçanta (siç e cek Dr. Grigor Anastasiu, Protopsalt i kishës së ‘Shën Marinës” në Athinë në parathënjën e Librit), se “tekstin origjinal të perandorit bizantin Leonit të VI-të, (Theofan), Noli e parafrazon duke ruajtur metrin, numrin e rrokjeve dhe theksimin e njejtë si ai në tekstin original”. Por ky konsiderohet se është rast më i rrallë.

II Jan Kukuzeli në shqip

Në ‘Liturgjinë hyjnore’ (libri i botuar disa vite pas Anastimatarit, nga po i njejti autor) ka rëndësi sepse në Artin psaltik në Shqipëri përmbushet një zbrazëti që ekzistonte në repertorin muzikor të shërbesës së Liturgjisë hyjnore në gjuhën shqipe.  Aty përdoren tekstet e përkthyera nga shumë autorë – të Konstandin Papajanit, të Petro Lumbadharit, Petro Bereqeti, Theodhor Fokaefsi e shumë autorë të tjerë. Aty gjenden edhe psaltet e Jan Kukuzelit (ishte kompozitor arbëror, i lindur në Durrës në shek. XII, këngëtar dhe reformator i muzikës bizantine). Shumë prej psalteve të përfshira në libër, shpeshëherë, janë të riprodhuara (përpunuara) nga autori i publikimit Z. Theodhor Pecit. Siç thuhet në libër, janë përdorur edhe tekstet liturgjike të përkthyera nga Imzot TheoFan Noli, të cilat janë riparë dhe përpunuar nga autori i publikimit. U muar vesh, në libër ka edhe një numër i madh psaltesh të kompozuara nga ai vet autori, si njohës i shëklqyeshëm i kësaj fushe.

III Notacioni muzikor – çështje delikate!   /Shenjat ekfonike dhe neumet/

Në këto libra, me përjashtime shumë të vogla ku përdoret notacioni modern, të gjitha psaltet janë të shenuara me notacion tradicional bizantin. Dhe kjo mua më zgjoi interesimi të veçantë, për faktin se (përgjithësisht) çështja e notacionit, është një segment delikat dhe të “problematik” edhe për muzikën moderne, në përgjithësi. Siç dihet, dorëshkrimet më të vjetra muzikore bizantine janë bërë me shenja ekfonetike, të cilat i hasim qysh në shekullin IX (pas Krishtit), kurse dorëshkrimet e mirëfillta muzikore të pajisura me neume, datojnë që prej shekulli X. Neumet (janë shenjat me të cilat është shënuar muzika e hershme në një fazë të zhvillimit të saj) ndërkaq, nuk e mundësojnë një precizitet të madh në ruajtjen e pamjes së këndimit origjinal. Derisa pas shekullit të 12-të, neumet në Kishën perendimore u zëvendësuan me shënime mensurale (që duken një notacion më i saktë), ato në Kishën e Lindjes (bizantine) ruajtën formën tradicionale. Madje ato mbetën në përdorim deri në shekullin e XIX-të. Shumë prej teoreticientëve të kësaj fushe, konsiderojnë se notacioni i traditës bizantine, ka një saktësi relative, meqë çdo ‘shenjë’ nuk tregon gjë tjetër pos drejtimin (më lart apo më poshtë) e melodisë, e jo lartësinë absolute të tingullit…pra, neumet përcaktojnë tingullin në raport me notën e mëparshme…

Në librin ‘Liturgjia hyjnore’ janë të përfshirë edhe disa psalte të shenuara me notacion modern (me nota), por siç shprehet vet autori, edhe ato nuk sigurojnë vërtetësinë absolute, meqë është e pamundur që me notacion modern të shenohen të gjitha nuancat e këndimit psaltik, si në strukturën melodike por nuk përcaktohen qartë as parametrat tjerë të rëndësishëm sikundër është gjatësia ritmike.

IV Muzika tradicionale (sekulare) shqiptare në afërsi të kulturave të mëdha

Në bisedën që kishim me Protopsaltin Z. Theodhor Peci, unë nuk zhvillova në veçanti bisedë për muzikën tonë tradicionale e cila normalisht është kultivuar krahas këndimit kishtar, ndonëse ajo është fushë e interesimit tim të ngusht. Siç dihet, në mbretërinë e Bizantit është kultivuar edhe muzika sekulare (pra tradita e këndimit popullor). Mjerisht ajo nuk është shkruar (për dallim nga muzika kishtare) dhe rrjedhimisht kësaj, me kalimin e kohës ajo është humbur.

Në shkrimet e viteve të fundit, Në pyetjen e thjeshtë se a ekzistojnë gjurmët e muzikës së vjetër shqiptare dhe ku munden ato të gjenden, unë mbroj qëndrimin se me sintagmën “muzikë tradicionale shqiptare”, nuk duhet nënkuptuar vetëm muzikën popullore (si muzikë kryesisht të proveniencës profane) por se ajo mund të përfshijë edhe format e këndimit të praktikës kishtare. Sado që muzika sakrale (tek ne) është pjesë e një konteksti më të gjërë kulturor, në to mund të gjenden “grimca” interesante të traditës autoktone. Këndimin fetar e kanë kultivuar, ndonjëherë, njerëzit e thjeshtë, njerëz “nga populli”, pra këngëtarët që janë shquar edhe për “këndime popullore” (profane). S’do mend, se në këtë mënyrë i kanë dhënë ngjyrime autoktone (dhe nacionale). Së këndejmi, kultura e këndimit e ndërtuar sipas përkatësisë së veçantë të traditës kishtare (të kishës Lindore apo asaj Perendimore), nuk do të thot se automatikisht ato nuk kanë primesa kombëtare. Ky fenomen pranohet prej shumë muzikologëve në botë. Një gjë e till ka qenë e njohur edhe për teoreticienët dhe muziktarët e mesjetës dhe siq mund të konkludohet në bazë të shkrimeve të asaj kohe, kjo nuk ka qenë tabu temë. Lidhur me të ekzistojnë edhe shkrime. Ta zëmë, qysh në shekullin XV, teoreticieni Gaffurius vërente dallimin në këndimin e koralit gregorian në vende të ndryshme. Këtë këndimi njëzanor (një këndim oficiel dhe tepër i kanonizuar i kishës katolike) përshkruante ai “ndryshe po e këndojnë francezët, ndryshe spanjollët e ndryshe gjermanët…”.

Në një libër të këndimeve liturgjike të arbëreshëve të Italisë të bërë nga një klerik arbëresh, (libër këndimesh liturgjike), këndimin në kishën e tyre e emërtojnë “Këndimi liturgjik tradicional”. Ky libër është në esencë mjaft indikativ për faktin se në të janë të shenuara këndimet liturgjike arbëreshe, në trajtën që që praktikohet te vet arbëreshët tanë. Në këto këndime unë kam gjetur copëza të shkurtëra melodike, që koincidojnë me këndimet (këngët) tona popullore të sotme. Dhe, mbi këto gjurmë të ruajtura me dashuri e që, pamëdyshje, arbëreshet e kanë bartur nga të parët e tyre, tash e tridhjetë vjet, unë shkruaj një cikël veprash për formacione të ndryshme, të titulluar me një emërtim sinjifikativ – AFRESK ARBËRESH).

Muzika tradicionale (sekulare) shqiptare gjatë historisë është ndeshur me këndime bizantine, me këndim të kishës perendimore dhe me këndime të kultivuara të traditës osmane. Ajo është e gërshetuar me këto kultura të mëdha dhe afërsia me këto kultura nënkupton edhe ndikimet. Së këndejmi çdo përpjekje për ta ndriçuar identitetin të muzikës sonë, nënkupton analizën e thelluar e kulturave të cilat e kanë rrethuar popullin tonë, dhe kulturave pjesë e të cilave, edhe vet ajo ka qenë (qoftë e bizantit, qoftë e kohës osmane, qoftë së fundit, jetës njëqindvjeçare e dominimit sllav). Ne mund të kërkojmë pafundësisht identitet tonë, por do të jetë e kotë nëse nuk e analizojmë kontekstin real në të cilin ajo është zhvilluar. Së këndejmi, janë të vlefshëm njohësit e mirë të traditave të këtyre kulturave të mëdha (të prodhuara nga përvoja e Kishës Lindore dhe asaj perndimore). Andaj e konsideroj me vlerë të madhe punën e muziktarëve që janë njohës të mirë të këtyre traditave, siç është, pamëdyshje, edhe Z. Theodhor Peci. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Sot shprehëm mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin tonë me Mbretërinë e Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot është prezente në Funeralin Shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II, shkruan KultPlus.

Me këtë rast ajo nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se në homazhet e mbajtura në Westminster Hall, si dhe në Librin e Zisë të hapur në Lancaster House, është kujtuar dedikimi i palëkundur ndaj popullit, urtësinë dhe bujarinë e Mbretëreshës, të cilat sipas saj, do të vazhdojnë t’i frymëzojnë brezat e ardhshëm.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Përgjatë këtyre dy ditëve, ju bashkuam anëtarëve të Familjes Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve nga mbarë bota për ta nderuar trashëgiminë historike të Mbretëreshës Elizabeth II.

Në homazhet e mbajtura në Westminster Hall, si dhe në Librin e Zisë të hapur në Lancaster House, kujtuam dedikimin e palëkundur ndaj popullit, urtësinë dhe bujarinë e Mbretëreshës, të cilat do të vazhdojnë t’i frymëzojnë brezat e ardhshëm.

Në pritjen e organizuar mbrëmë nga Mbreti Charles III në Buckingham Palace, si dhe në pritjen e organizuar sot nga Sekretari i Jashtëm James Cleverly, shprehëm mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilin jemi të përkushtuar ta forcojmë tutje gjatë viteve në vijim.

Ndërsa sot, në Funeralin Shtetëror në Westminster Abbey, i dhamë lamtumirën e fundit Mbretëreshës, duke i nderuar virtytet dhe veprën e saj për të cilat do të kujtohet përherë. Pusho në paqe Mbretëreshë! 🇽🇰🇬🇧

Fotot nga funerali: RFEL/AP / KultPlus.com

Bebe Rexha dhe David Guetta me një tjetër sukses nga “I’m good (Blue)”, kënga zë vendin e parë si më e dëgjuara në botë

Kënga më e re nga artistja me famë botërore Bebe Rexha “I’m good (Blue)”, që vjen në bashkëpunim me DJ e njohur David Guetta, së fundmi ka shënuar një sukses tjetër në listat muzikore, shkruan KultPlus.

Kënga ka arritur që të qëndrojë disa javë e renditur lart në top-listat e kanaleve si Spotify, Apple Music, Shazam dhe iTunes.

Ndërkaq, në iTunes, kënga ka arritur që të renditet e para si kënga më e dëgjuar e momentit në botë.

“I’m good (Blue)”, lë prapa në vend të dytë këngën “As it was” nga Harry Styles” dhe këngën “Keep me Closer” nga Britney Spears dhe Elton John.

Kënga e artistes me origjinë shqiptare do të publikohet këto ditë edhe me videoklip, të cilin dyshja e xhiruan pak ditë më parë në Ibiza.

“I’m good (Blue)”, po ashtu ka qëndruar për disa javë rresht e para edhe në ‘Official Charts’, e cila është top-lista zyrtare e kalkulimeve të këngëve më të dëgjuara të momentit në Mbretërinë e Bashkuar. / KultPlus.com

“Dhimbjet janë të përkohshme, njashtu edhe brengat”

Çdo njeri dëshiron të bëhet i suksesshëm në jetë, por vetëm pak e mbledhin kurajën dhe bëjnë atë çfarë është e nevojshme për ta arritur suksesin.

Ekziston një vijë mes jetës së zakonshme dhe jashtëzakonshme, ndërkaq për ta kapërcyer atë vijë kërkohet dashuri, gatishmëri për t’u shfaqur në punë dhe për ta bërë këtë tërë kohën pa u ndalur.

Nëse ua analizojmë të kaluarën shumicës së njerëzve të suksesshëm, e shohim se të gjithë ata e kanë pasur këtë të përbashkët.

Ata e kanë dashur punën e tyre dhe e kanë bërë këtë vazhdimisht pa u brengosur për rezultatet.

Nelson Mandela respektohet në tërë botën si “lider” i kohërave moderne.

Të suksesshmit si Bill Gates, Jack Ma, Jeff Bezof, Mark Zuckerberg dhe Steve Jobs kanë qenë tejet të përkushtuar në punën e tyre sepse e kanë dashur më së shumti.

Madje, Bill Gates kishte deklaruar se në ditët e hershme të Microsoft nuk kishte pushuar fare sepse dëshironte të punonte shumë për ta ndërtuar të ardhmen dhe për të bërë ndryshim në botë.

Nëse e marrim këtë mësim nga njerëzit e suksesshëm dhe fillojmë të shfaqemi në punë, pavarësisht kohës që mund të nevojitet, eventualisht ne do të bëhemi të suksesshëm dhe do ta kapërcejmë atë vijë mes të zakonshmes dhe jashtëzakonshmes.

Ndiqeni pasionin tuaj rregullisht. Mos e lini t’ju ikë asnjë ditë.

Flini duke menduar për punën e së nesërmes dhe zgjohuni të emocionuar e të mbushur me energji.

Vazhdoni të lëvizni, shënoni progres dhe asnjëherë mos u ndalni.

Dhimbjet janë të përkohshme, njashtu edhe brengat. Këto janë dobësi që ju shiten juve nga “frika”.

Asnjëherë mos u ndalni. Ky është çelësi drejt suksesit./ KultPlus.com

Montazheri kosovar Enis Saraçi, një histori suksesi në “FAMU” të Pragës

Enis Saraçi, montazheri kosovar, bëhet storie suksesi në FAMU të Pragës

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Qendrës Kinematografike të Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU, këtë vit, studenti nga Kosova, Enis Saraçi, ka marrë vëmendjen e Akademisë, duke u bërë storie suksesi për punën dhe angazhimin e treguar.

“Filmat në të cilët ai ka punuar gjatë studimeve, kanë arritur në Berlinale (Në mes, 2019), në festivalin e Kanës (Pa vend, 2021), ose Sundance (Zgjoi, 2021 me Çmimin e Publikut, Çmimin Kryesor të Jurisë dhe Çmimin e Regjisë). Sa u përket sukseseve në festivale, Enisi është njëri prej studentëve më të dalluar të departamentit në çerekshekullin e fundit”, ka shkruar FAMU.

QKK përmes marrëveshjes në fjalë, për të tetin vit me radhë ofron mundësinë e edukimit audio-vizual për qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë Akademi. / KultPlus.com

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes TOKB dhe qendrës “Shtëpia e Operës së Kajros”

U nënshkrua sot memorandumi i bashkëpunimit mes Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Qendrës Kombëtare Kulturore “Shtëpia e Operës së Kajros”, të Republikës Arabe të Egjiptit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se, “hodhëm sot një hap të rëndësishëm në ngritjen e urave të komunikimit mes artistëve tanë e atyre ndërkombëtarë. Nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit mes Teatrit tonë të Operës dhe Baletit dhe Qendrës Kombëtare Kulturore “Shtëpia e Operës së Kajros”, të Republikës Arabe të Egjiptit.

“Ky memorandum ka si qëllim njohjen e ndërsjellë të kulturave të dyja vendeve tona dhe inkurajimin e nismave të përbashkëta; krijimin e kushteve për realizimin e shfaqjeve të përbashkëta; shkëmbimin e artistëve; pjesëmarrjen në festivale dhe aktivitete që zhvillohen në dy vendet tona; promovimin e veprave origjinale; projekte të përbashkëta që do të përmirësojnë menaxhimin e teatrove, ekspertizën kuratoriale, strategjitë e marketingut, komunikimin, marrëdhëniet me medien, arsimin dhe audiencën”, tha Margariti në një postim në rrjetet sociale. / KultPlus.com

“The Woman King”, filmi epik që ia definoi karrierën aktores Viola Davis

Realizimi i filmit, “The Woman King”, mori kohë për t’u xhiruar, por aktorja Viola Davis thotë se pritja për këtë projekt ia ka vlejtur.

“Në jemi në qendër të tregimit. Gratë me ngjyrë, me flokë të çuditshme, gratë zezake. Në këtë film nuk ka shpëtimtarë të bardhë. Ne nuk jemi mikesha të ngushta me askënd, e kemi autonominë tonë dhe agjencinë tonë. Ky nuk është vetëm një film aksion, por e sjell edhe një histori të fuqishme. Është një dramë historike dhe na lejon t’i humanizojmë gratë që zakonisht nuk janë humanizuar. Shumë prej aktoreve i kanë përjetuar disa nga të njëjtat gjëra sikurse personazhet e filmit, të ndihen të padëshiruara, jo të adhuruara, të ndihen të lëna anash, por sërish e kanë gjetur forcën brenda vetes për të qenë luftëtare. Është një tregim femëror por edhe i fuqishëm. Për mua, mund të them se është filmi i cili e ka definuar karrierën time”, tha Davis.

“The Woman King” është një film epik dhe aksion i realizuar me një buxhet prej 50 milionë dollarësh. Ngjarja zhvillohet në Afrikën Perëndimore në vitin 1820, dhe flet për një ushtri të grave në mbretërinë Dahomey. Krijuar kryesisht nga gratë dhe me një kastë aktoresh pothuajse të gjitha afrikano-amerikane, “The Woman King” është ndryshe nga çdo gjë që Hollywoodi e ka prodhuar deri më tani.

Krahas Davisit, në film me rol protagonist vjen edhe aktorja nga Afrika Jugore, Thuso Mbdeu, e cila pati vetëm fjalë të mira për kolegen e saj.

“Viola ishte e mahnitshme dhe unë gjithmonë them se kjo ndodhë për shkak të personit që ajo është. Unë pata mundësi të mësoj shumë nga ajo sepse Viola është një person që nuk i kursen këshillat, të ndihmon, të edukon dhe është bujare me të gjithë aktorët. Nga momenti i parë që e kam takuar atë, nuk më la fare hapësirë që të ndihem e frikësuar, sepse më priti me ngrohtësi”.

Viola tha se është krenare që filmi është realizuar, duke treguar se është shumë vështirë që projektet me kastë aktorësh afrikano-amerikanë të zënë vend në Hollywood.

“Nuk kemi mjaftueshëm orë apo ditë në dispozicion, për ta përshkruar se sa e vështirë është ta realizosh një film në Hollywood, i cili përfshinë aktorë të komunitetit afrikano-amerikan, e veçanërisht kur ato janë gra me ngjyrë. Asnjë fjalë nuk mund ta shpjegojë këtë gjë. Dhe do të doja të kishte mikrofona në dhomë. Do të doja të kishte kamera në dhomë që të mund ta shihni se çfarë lufte e përditshme bëhet për t’i prodhuar këta filma, dhe që ta kuptoni se ky projekt është diçka që duhet ta festojmë të gjithë ne”.

“The Woman King” filloi së shfaquri nëpër kinema të premten më 16 shtator./koha/ KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëton në New York, krahas liderëve botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga Biden

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York, ku në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA), krahas liderëve të tjerë botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani, në funksion të përpjekjes për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, zyrtarë të lartë amerikanë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare.

Presidentja Osmani, gjithashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë.

Ndërkaq në Fordham University, Presidentja Osmani do ta mbajë një ligjëratë, në të cilën do të flasë për reformat në sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani do të shoqërohet edhe nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz. / KultPlus.com



Me një program tradicional i kushtohet vëmendje e posaçme fëmijëve në TIFF

Në këtë edicion të TIFF, një vëmendje të posaçme i është kushtuar programit tradicional për fëmijë, KIDs, i ndarë në dy programe për moshat nga 5-10 vjeç dhe nga 11-15 vjeç.

Ky program i pasur e i larmishëm nga të gjitha zhanret do shfaqet çdo ditë me tre programe 1-orëshe, nga ora 10-13:00, te salla e re e shfaqjeve “Tonin Harapi”, pranë Liceut Artistik. Është parashikuar që edhe fëmijët do të votojnë për filmin më të mirë sipas tyre të programit KIDs 2022.

Ky program është mundësuar nga bashkëpunimi i ngushtë me bashkinë Tiranë, Agjencinë e Industrisë Kreative dhe Ministrinë e Arsimit.

Programi KIDs i përshtatshëm për fëmijë deri në moshën 10-vjeçare, përmban 20 filma animacion. Filmat janë të metrazhit të shkurtër në mënyrë që të kenë vëmendjen e fëmijëve. Gjeografia e këtyre 20 produksioneve është e larmishme, ka filma nga vende të ndryshme të Europës por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Hong-Kongu e vende të tjera të Lindjes së Largët.

Ndërsa programi për fëmijë mbi 11 vjeç përmban 9 filma artistikë të metrazhit të shkurtër. Ai nis me një film që vjen nga Irani dhe vijon me filma nga Kanadaja, Izraeli, Franca etj.

Për këta filma por edhe për të tjerë, të përfshirë në seksionin “Panorama” do të ketë një juri të veçantë, e përbërë nga partnerët zyrtarë të TIFF 2022, si Jonid Jorgji nga Bashkia Tiranë, Irena Prici nga Ministria e Kulturës, Arben Lami nga QKK dhe Jona Hasija nga TOP Channel. /atsh/ KultPlus.com

Sot në kuadër të PriForum-it, kanë filluar sesionet e trajnimit me ekspertën nga Kanada, Linda Beath

Sot në kuadër të PriForum-it, kanë filluar sesionet e trajnimit për buxhet/financa dhe koproduksione me ekspertën nga Kanada, Linda Beath.

Në këtë edicion janë gjithsej 18 projekte për garën e projekteve Best Pitch.

Dhjetë janë nga rajoni dhe tetë nga Ukraina, si pjesë e programit Odesa në PriFest.

PriForum është platforma e industrisë së PriFest dhe është pikëtakim i filmbërësve nga rajoni dhe Europa.

Edicioni i 14-të i PriFest mbahet nga 20-25 shtator dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha. / KultPlus.com

Gjyshi e kujton Pjetër Bogdanin

Nga Hasan Dajaku

Tivar e Shkup,
Lezhë e Prishtinë
Ia njohin vlerën
Dhe mençurinë.

Shtegtonte si shqipe
Nëpër këto troje,
E mblodhi dijen
Si mjaltë në hoje.

Perlat i dijes,
Perlat i fesë,
I digjte armiqtë
Me flakë të rrufesë.

Në Ballkan atëherë,
(Edhe në Kosovë)
Lufta për çlirim
Pat marrë hov.

Në ballë të trimave
Ky perlat i ndritur,
Lum Guri i Hasit
Që e kishte rritur!

Lum bëj për të!
Për këtë pishtar drite,
“Çeta e Profetëve” –
Xhevahir rrite;

I rritës shqiptare,
I rritës shpirtërore,
Është diell i madh
I shenjtërisë njerëzore!

Shenjtëria një ditë
Terrin do ta mundë,
Paqja mbi dhe
Do të mbretërojë gjithkund.

Edhe në Ballkan
(Në këtë det me dallgë),
Do të mbretërojë
Shenjtëria e bardhë!

Do të kujtohet
Koha e prishtë:
Kur fqinji – fqinjin
E qëllonte thikë!…

Do të kujtohen
Si në përrallë,
Kohërat e egra,
Kohërat rrangallë!…

_____
Nga vepra “Gjyshërit e Kosovës” – Hasan Dajaku. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takon Biden në Londër: Biden shprehu mbështetjen e tij të përzemërt për vendin tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot është prezente në Funeralin Shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II, shkruan KultPlus.

Me këtë rast ajo ka takuar dhe ka biseduar me Presidentin Joe Biden, i cili ka shprehur mbështetjen e tij për Kosovën.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Është nder të bisedoj me Presidentin Biden sot gjatë Funeralit Shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II.

Ai shprehu mbështetjen e tij të përzemërt për vendin tonë dhe në emër të popullit të Kosovës e falënderova dhe shpreha përkushtimin tonë për partneritetin e hekurt SHBA-Kosovë. / KultPlus.com

‘Më paska mbetë në xhep nji gocë deti që s’di cilit breg i mungon…’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Më paska mbetë në xhep nji gocë deti
që s’di cilit breg i mungon…
E gjeta teksa palosja verën
bashkë me do kokrriza kryeneçe rane
e tri monedha që tringëllijnë si sirena portesh vetmitare…

Me shpindë t’vijëzueme prej mea culpash të njelmëta
goca e detit rrokë mirazhin e nji dashnie
që tash 100 vjet asht nisë prej bregut matanë.
E ve njashtu krahapun mbi pëllambë
me shpresë se vijat e fatit tem
kanë me ia diftue shtegun përkah andrra. / KultPlus.com

Java kulturore egjiptiane, memorandum mes Operës së Kajros dhe të Tiranës

Në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, në Tiranë, nisi sot java e kulturës egjiptiane, aktivitetet e së cilës do të zgjasin deri në 25 shtator. Java egjiptiane ka një program të pasur. Ajo u çel me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes Operës së Tiranës dhe asaj të Kajros. Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, në mjediset e TKOBAP, ishin të pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe homologia e saj egjiptiane, Nevine Al-Kilani.

Ministrja e Egjiptit shprehu kënaqësinë të vizitonte Shqipërinë, të cilën ajo e vlerësoi si një vend shumë të veçantë mes Lindjes dhe Perëndimit, që ka arritur të ruajë kulturën dhe traditat. Ajo shprehu gatishmërinë për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona në fushën e kulturës, jo vetëm në muzikë, opera e balet, por edhe në muzeologji, arte pamore dhe në edukimin e të rinjve.

“Fryt i bashkëpunimit midis dy vendeve është edhe koncerti gala me pjesëmarrjen e sopranos egjiptiane Amira Selim”, u shpreh ministrja Kilani.

“Egjipti i kulturës së jashtëzakonshme vjen me një kalendar që nis me një koncert të Orkestrës së Operës së Kajros dhe të Teatrit të Operës dhe Baletit, si një kurorëzim i memorandumit të bashkëpunimit mes dy teatrove tona të operës, për të vijuar me një ekspozitë të rrallë, të organizuar po në këto ambiente nga Biblioteka Kombëtare, që na zbulon Egjiptin përmes imazheve”, tha ministrja Margariti.

“Description de l’Egypte” është një ekspozitë e disa librave origjinalë, monumentalë, shkruar nga një mori studiuesish, në traditën e udhëtimeve kërkimore shkencore të shekullit XVIII dhe botuar me urdhër të Napoleon Bonapartit. Ky koleksion i përket thesarit të jashtëzakonshëm dhe të paekspozuar më parë të Bibliotekës Kombëtare.

Për të mos u humbur është edhe koncerti me muzikë folklorike egjiptiane, në Sheshin “Skënderbej”, një performancë unike e Grupit Folklorik Egjiptian. Eventet e javës kulturore egjiptiane do të ndahen mes Tiranës dhe qytetit të Gjirokastrës.

“Besoj se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të ri, që do të zgjerohet edhe në fusha të tjera jo vetëm në opera dhe balet, por edhe në arte pamore, teatër etj”, tha Margariti.

Edhe kryeministri Edi Rama ka promovuar javën kulturore egjiptiane, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku kujtoi se pas mbrëmjes gala të muzikantëve të orkestrës së Operas së Kajros dhe Operas dhe Baletit të Tiranës, eventet do të vijojnë me një larmishmëri aktivitetesh të tjera si kinematografi, ekspozita, muzikë, filma, letërsi dhe kulinari.

Gjithsej janë 17, javët kulturore të planifikuara deri në muajin nëntor. Javët Kulturore Ndërkombëtare të cilat nisën me Francën e do të mbyllen me Kosovën, do t’i sjellin kryeqytetit por edhe disa qyteteve të tjera, larmi kulturash dhe gjallëri jetës artistike. / atsh / KultPlus.com

Kolegji Universum organizon Sesion Informues për diplomë angleze nga University of Northampton

Kolegji Universum në bashkëpunim me Universitetin Partner nga Anglia “University of Northampton” organizon Sesion Informues për studime në Universitetin e Northamptonit.

Kolegji Universum është i akredituar nga Northampton University për ofrimin e programeve me kurrikulë dhe standarde angleze. Studentët të cilët ndjekin këto programe do të pajisen me diplomë të Northampton University. Studio Bachelor dhe Master me kurrikulë dhe standarde angleze.

Takohuni me përfaqësuesit e Universitetit të Northampton për t’u informuar rreth programit me Northampton.

Eventi i cili është i hapur për të gjithë të interesuarit, do të organizohet më:

📅 22 Shtator 2022
🕐 14:30h
📍 Kampusi i Kolegjit Universum (Magjistralja Prishtinë-Ferizaj, Rrethi i QMI-së, mbrapa Mobilerisë Orient)

Konfirmoni pjesëmarrjen tuaj fizikisht ose online në linkun: https://forms.gle/Y8MRkJJVJN86TG8AA

💡3 arsye pse Programi Northampton është i duhuri:
✅ Diplomë e njohur ndërkombëtarisht
✅ Programi Northampton është i akredituar në Angli
✅ Kosto të studimeve 5 herë më të ulët se në Angli

Edhe studentët nga institucionet tjera mund të përfitojnë nga kjo mundësi, duke i transferuar studimet në Kolegjin Universum dhe vazhduar ato në Northampton University në Angli. Informata më të hollësishme gjeni në këtë link: https://universum-ks.org/northampton/en/home/

Regjistrimi për studime në diplome angleze mund të bëhet edhe online përmes ketij linku https://www.universum-ks.org/sq/apliko/ apo fizikisht në njëren nga kampuset e Kolegjit Universum në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë.

Për më shumë informata kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram.

Bad News Eagles kampion në turneun Tipsport në Pragë

Bad News Eagles është shpallur kampion në turneun Tipsport në Pragë, përcjellë KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke ju uruar fitoren dhe për përfaqësimin dinjitoz.

“Edhe një sukses tjetër i anëtarëve të ekipit Bad News Eagles në garat e videolojërave të CS:GO. Ata u shpallën fitues të turneut Tipsport Prague Cup 2022 pas fitores kundër ekipit nga Çekia Dynamo Eclot.

Gara në të cilën ekipi i Kosovës doli fitues, ishte e ndarë në dy grupe me nga 4 ekipe, dhe u zhvillua gjatë dy ditëve, 17 e 18 shtator.

I urojmë anëtarët e ekipit për suksesin e arritur si dhe për përfaqësimin dinjitoz!”, shkruajnë nga MKRS. / KultPlus.com

PriFest prezanton jurinë e programit kryesor, Balkan Films Competition

Nesër nis edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit “PriFest”. Deri më tani, nga festivali kanë zbuluar juritë e pothuajse të gjitha programeve. Ndërsa sot është zbuluar juria e programit kryesor, ajo e Balkan Films Competition, shkruan KultPlus.

Pjesë e jurisë është: John Mathieson, kinematograf anglez dhe regjisor komercial. Ai është një nga një grup filmabërësish që dolën nga industria e videove muzikore të fundit të viteve 1980 dhe 1990. Ai është një bashkëpunëtor i shpeshtë me regjisorin Ridley Scott, duke ushtruar si drejtor fotografie në shumicën e filmave të tij duke filluar me Gladiator (2000), për të cilin ai fitoi çmimin BAFTA dhe u nominua për çmimin e Akademisë për Kinematografinë më të mirë. Ai ka punuar me regjisorë si Joel Schumacher, Rowan Joffé, Matthew Vaughn, Guy Ritchie, James Mangold, dhe Rob Letterman. Filmat e tjerë të shquar të tij përfshijnë Hannibal, Mbretëria e Qiellit, Robin Hood, Fantom of the Opera dhe shumë të tjerë.

Anna Machukh – Drejtoreshë Menaxhuese e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Odesa nga viti 2020.

Gjatë viteve 2011 – 2016, Anna ka punuar si Drejtoreshë Marketingu e OIFF, në vitin 2017 ka qenë Drejtoreshë e Tregut të Filmit OIFF, ndërsa nga viti 20018 deri 2020 ka mbajtur pozitën e Drejtoreshës së Zhvillimit Strate Anna Machukh është gjithashtu Drejtore Ekzekutive e Akademisë së Filmit të Ukrainës dhe bashkëthemeluese e platformës online për sektorin audiovizual DzygaMDB.

I treti me radhë, pjesë e jurisë së programit kryesor, është EDVINASI RRAH Vilniusin, Lituani.

Një programues, gjuetar filmash & përzgjedhës, ekspert industrie, konsulent & juror, anëtar i Akademisë Europiane të Filmit, dhe gjithmonë kurioz cinefile. Aktualisht ai shikon dhe skauton shumëllojshmëri filmash për Festivalin e Filmit BLACK NIGHTS në Tallinn (nga 2018) & këshillon eventin e industrisë MEETING POINT VILNIUS në projektet e ardhshme.

Edvinas programoi dhe punoi për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vilnius për 15 vjet deri në verën e vitit 2018. Më pas ai u ftua si Ekspert i Pavarur për t’u bashkuar për 3 vite rresht në Komitetin e Përzgjedhjes së Çmimeve Evropiane të Filmit. First Cut Lab i besoi atij tre ftesa si Ekspert i Industrisë për të ndarë opinione për filmat ende të papërfunduar nga Helsinki (2019), Karlovy Vary (2021) dhe Trieste (2022).

PriFest 14, nis nesër me datë 20 dhe zgjatë deri më 25 Shtator 2022. / KultPlus.com

Mesazhi prekës mbi arkivolin e Mbretëreshës nga djali i saj, Mbreti Charles III

Në Westminster Abbey në këto momente po mbahet funerali i Mbretëreshës Elizabeth. Një letër është vendosur mes luleve në arkivolin e Mbretëreshës Elisabeth II.

Mesazhi prekës mbi arkivolin e Mbretëreshës nga djali i saj,

“Në kujtim të dashur dhe të përkushtuar. Charles R.”, shkruhet në të.

Mesazhi prekës mbi arkivolin e Mbretëreshës nga djali i saj,

Lulet sipër arkivolit janë mbledhur nga pallati Buckingam dhe vendet e preferuara të mbretëreshës. Mes luleve është edhe rozmarina, lulja e preferuar e mbretëreshës. / KultPlus.com

Mesazhi prekës mbi arkivolin e Mbretëreshës nga djali i saj,

114 vjet nga themelimi i shoqërisë “Diell’ i Shqipërisë” në Boston

Si sot, më 19 shtator 1908 u themelua shoqëria “Diell’ i Shqipërisë” me qendër në Sauthbrixh, Boston, SHBA.

Themeluesit ishin, siç thotë vetë kanonizma (rregullorja), shqiptarë të krishterë e myslimanë, toskë e gegë.

Synimi i shoqërisë ishte hartimi, shumëfishimi dhe shpërndarja e librave në gjuhën shqipe, kurse të ardhurat e mbledhura nga shitja do të ripërdoreshin për shtypjen e librave të tjerë. Shoqëria do të kishte stemën dhe vulën e saj. / KultPlus.com