“Një ditë” nga Trupa e Baletit të Kosovës sonte në Gjakovë

Shfaqja “Një ditë”, nga Trupa e Baletit të Kosovës, nën koreografinë e Christie Coleman do të shfaqet sonte për publikun e Gjakovës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila është bashkëpunim i UN Women dhe Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës mahniti publikun e Prishtinës gjatë prezantimit të premierës më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas.

“Një ditë”, në skenë jetësohet përmes lojës së tetë balerinëve, në përbërje të katër çifteve ku bëjnë pjesë balerinët: Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Fatmir Smani, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli dhe Donmir Biblali.

Kjo shfaqje është e frymëzuar nga rreth 30 tregime të vërteta të grave të Kosovës, duke vënë në pah disa çështje gjinore. Shfaqja e titulluar “Një ditë” do të sjellë në skenë një ditë të familjes tradicionale, ku përmes personazheve do të preken disa nga çështjet kryesore me të cilat përballen gratë gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo shfaqje vjen sonte në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, duke filluar nga ora 20:00./KultPlus.com

Emërohet Këshilli Drejtues në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Ka kohë që Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka qenë funksional, si pasojë e dorëheqjes së disa anëtarëve , shkruan KultPlus.

Së fundi, ministri i Ministrisë së Kulturës, Kujtim Gashi ka emëruar Këshillin e ri Drejtues të këtij institucioni.

KultPlus merr vesh që emrat e rinj që përbëjnë këtë këshill janë: Burbuqe Berisha, Shkëlqim Millaku, Fisnik Ademi, Jahja Shehu, Orhan Kërkezi, Ismet Azemi e Valon Kashtanjeva.
Pritet të mbahet shpejt mbledhja e parë e këtij Këshilli, në mënyrë që të zgjidhet edhe udhëheqësi i këtij organi./KultPlus.com

Koncerti i dytë i “Kosova Brass”, jehoi në tingujt e kornistit Ilir Kodhima

Festivali “Kosova Brass” hapi mbrëmjen e dytë koncertale me kronistin e shquar nga Shqipëria, Ilir Kodhima dhe i shoqëruar nga pianisti kosovar, Adem Hasani, e më pas edhe me zërin magjepsës të sopranos Eriona Dragoica, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në sallën e ftohtë të Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, tingujt e Ilir Kodhima e të Adem Hasanit, krijonin një distancë të publikut ndaj të ftohtit.
Ilir Kodhima, kornisti i parë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, mbrëmë erdhi në këtë festival, për të dhënë një komunikim të veçantë artistik, përmes instrumentit të tij frymor. Tingujt e instrumentit të tij, vetëm se rëndonin mbi bukurinë e melodisë që përcillej me përkushtim të rrallë nga pianisti Adem Hasani.

Kornisti Ilir Kodhima, ardhjet në Prishtinë i ka mjaft të shpeshta, ndërsa shtoi se këtu ndihet si në shtëpi falë bashkëpunimit dhe miqësisë me artistët e Kosovës.
“Përkundër sallës së ftohtë, unë isha gjithë djersë nga emocionet dhe nga loja së bashku me Ademin dhe Erionën. Unë vi për të satën herë në Prishtinë, që nga viti 98’. Gjithmonë këtu ndihem si në shtëpinë time. Ndihem shumë mirë këtu dhe me pedagogët dhe instrumentistët e Filharmonisë, me të cilët gati se jemi rritur bashkë edhe ku jemi njohur edhe gjatë Akademisë dhe gjatë bashkëpunimeve që kemi pasur me njëri-tjetrin”, tha kronisti Kodhima për KultPlus.

Ilir Kodhima, po ashtu tregoi për KultPlus se mbrëmë përpjekjet e tyre i kishin përqendruar në prezantimin e një programi pak më ndryshe për publikun, duke përfshirë edh elemente të muzikës xhaz nga interpretimi i veprës së Miljenko Prohaska.

“Në një sallë kaq të ftohtë s’kisha luajtur asnjëherë. Është pak e vështirë për neve që nxjerrim tingujt nga muskujt por jemi munduar që sonte të sjellim një program pak më ndryshe, pasi që në muzikë klasike njerëzit zakonisht rrinë serioz dhe vetëm duke vështruar, duke e respektuar kështu artistin. Kurse ne sonte jemi munduar që të ndjekim një program që edhe ne të kënaqemi dhe të jemi më të lirshëm në skenë duke pasur bashkëbisedim midis muzikës dhe publikut. Mendoj çdo gjë ishte në vendin e duhur dhe pjesa e fundit ishte një pjesë kroate e luajtur ndoshta për herë të parë në Kosovë, pra një pjesë e re të cilën jemi munduar ta fusim në muzikën klasike me akorde të muzikës xhaz. Është një pjesët që korno është adaptuar aq mirë në muzikën xhaz sepse kjo është e vështirë pasi që korno është instrument shumë klasik”, tregoi tutje kornisti Kodhima.

Pianisti Adem Hasani, e përcillte lojën e kornistit Kodhima me shumë emocion muzikor, e lojë të bindshme artistike. Ai tha për KultPlus se ndihej shumë i kënaqur nga bashkëpunimi me dy artistët nga Shqipëria.
“Fillimisht do të doja të falënderoj organizatorët e këtij festivali që përmes këtij festivali na mundësoi të njoftohemi dhe të luajmë bashkë me kornistin Kodhima, kjo ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua. Kjo vepra e fundit që ishte si tip xhazi, si impresionizëm, ishte një vepër shumë interesante që e luajtëm bashkë me kronistin Ilirin. Mua më pëlqeu kjo mbrëmje, edhe publiku ishte i këndshëm, ishim mes miqve, familjarëve. Ka qenë kënaqësi bashkëpunimi me Erionën dhe me Ilirin”, ka thënë pianisti Hasani.

Më pas në skenë u ngjit edhe sopranoja Eriona Gjyzeli, e cila u largua nga skena vetëm pasi mahniti të pranishmit me këngën e vjetër shkodrane “Pranvera filloi me ardhë ”.
“Për mua është hera e parë që marr pjesë në Festivalin e Tunxhit. Isha e ftuar nga kronisti, Ilir Kodhima. Kur Iliri ma paraqiti idenë e bashkëpunimit që unë të jem mysafire e këtij koncerti. Sigurisht nuk hezitova që t’i them një “po” të madhe. Prishtina është shtëpia ime e dytë për katër vite kështu që ndihem shumë mirë pasi që e njoh ambientin- publikun, ky është profesion që kudo që shkon merr vetëm përkëdhelje, duartrokitje dhe kënaqësi. Në realizimin e këtij koncerti kemi qenë shumë spontan, pra nuk kemi harxhuar shumë kohë me njëri-tjetrin, ka mjaftuar vetëm dita e djeshme për të krijuar një lidhje sa i përket materialeve, por kur midis muzikantëve dhe artistëve ekziston tërheqja kimike, çdo gjë shkon shumë mirë, ndoshta kjo është edhe arsyeja që nuk ka lindur nevoja që të punojmë shumë gjatë para koncertit”, theksoi sopranoja Eriona Gjyzeli për KultPlus.

Festivali “Kosova Brass” i cili këtë vit po e sjellë edicionin e dytë të tij, nesër do të sjellë trombonistin nga Prishtina, Betim Krasniqi dhe në piano do të interpretoj pianisti nga Prishtina, Misbah Kaçamaku./ KultPlus.com

Kënga e famshme e Nexhmije Pagarushës, KultPlus sjellë edhe disa versione të kësaj (VIDEO)

“E Kujtoj Atë Takim” , është një nga këngët magjepsëse që fillimisht erdhi përmes zërit hyjnor të bilbilit kosovar, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

“E kujtoj atë takim , me lotët e dashurisë
Jetoj në atë përqafim , që ma dhurove ti”, është pjesë e refrenit që me plot muzikalitet e sjellë Nexhmije Pagarusha, ndërsa më pas u këndua për të satën herë nga këngëtarë e zëra të ndryshëm të muzikës shqiptare.

https://www.youtube.com/watch?v=FZFQamDPNRE
KultPlus ju sjellë edhe pesë versione të kësaj kënge të kënduar nga: Aurela Gace, Yllka Kuqi, Esat Bicurri, Edona Llaloshi, po ashtu kjo këngë vjen edhe nën interpretimin e Eliza Hoxhës dhe Sinan Vllasaliut. /KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=ZGAAiaqu-4o

Kaltrina Krasniqi me dokumentar për kitaristin Petrit Çeku (VIDEO)

Sapo është lansuar teaser i dokumentarit “Sarabande”, i punuar nga regjisorja Kaltrina Krasniqi, e që për fokus ka kitaristin e njohur shqiptar Petrit Çeku, shkruan KultPlus.

Vetë Kaltrina Krasniqi ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale për lansimin e këtij dokumentari, që sipas saj ka nisë qysh në vitin 2014. “Sot i gëzohem këtij fakti, sepse tri vjet mbas e kemi n’i film të cilin jom k’naqë tue e qëndisë”, ka shkruar Krasniqi.

Kurse në teaser-in e publikuar shihet Petrit Çeku në shtëpinë e tij të lindjes, i cili edhe tregon hapësirën të cilën e ka përdorë për ushtrimet në kitarë. Ndërkohë, nuk është bërë e ditur se ku do të prezantohet ky dokumentar./KultPlus.com

“Festivali i Filmit Ndërkombëtar i Kosovës dhe Metohisë”, mbahet për herë të tretë në Graçanicë

Festivali mbahet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në Republikën e Serbisë, në partneritet me Qendrën Kulturore në Graçanicë, festival i cili do të prezantojë vetëm filmat serb, shkruan KultPlus.

Është edicioni i tretë sivjet dhe Gracanica është gati për hapjen e këtij edicioni të festivalit, të cilën tashmë e tre vite e kanë emëruar “Festivali i Filmit Ndërkombëtar i Kosovës dhe Metohisë”, shkruan KultPlus.

Sipas medieve serbe, ky festival që organizohet nga Forumi i Evropës, do të nisë më 13 dhe do të mbyllet më 15 dhjetor.

Festivali mbahet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në Republikën e Serbisë, në partneritet me Qendrën Kulturore në Gracanicë, festival i cili do të prezantojë vetëm filmat serb.
Bëhet e ditur se në këtë festival do të prezantohet filmi i nominuar për Oscar “Rekvijem za gospodu J”, me regji të Bijana Vuletic, sikurse edhe filmi tjetër i Emir Kusturicës “Na mlecnom putu”, ku luan edhe e famshmja Monica Belluci, komedia “Stado”, pastaj filmat “Igla ispod paraga”, “Biser Bojane”, Books of Knjige”…/KultPlus.com

“New Rules” e Dua Lipës – kënga më e mirë e vitit 2017

Prestigjiozja amerikane “Time” e ka përzgjedhur këngën “New Rules” të Dua Lipës si këngën më të mirë të vitit 2017.

“New Rules” e Lipës e lansuar në korrik deri tani ka 745 milionë klikime vetëm në YouTube, ndërsa suksesi i saj e ka shpallur Dua Lipën si femrën më të dëgjuar në Britani të Madhe sivjet.

“Asnjë vit nuk ka pasur nevojë për ‘rregulla të reja’ (New Rules) si 2017-a, dhe e lindura në Kosovë dhe e rritur në Londër i renditi ato në një hit viral që ngulitet në kokë”, ka shkruar “Time” si përshkrim të kësaj kënge.

Top dhjetëshja e “Time” është si në vijim:

10. Kelsea Ballerini, “Legends”

9. JAY-Z, “Story of O.J.”

8. Selena Gomez, “Bad Liar”

7. Cardi B, “Bodak Yellow”

6. Portugal, The Man, “Feel It Still”

5. King Krüle, “Biscuit Town”

4. Frank Ocean, “Chanel”

3. Luis Fonsi & Daddy Yankee, “Despacito”

2. St. Vincent, “New York”

1. Dua Lipa, “New Rules”

Rita Ora mahnitë publikun në Fashion Awards 2017 (FOTO)

Këngëtarja e famshme me origjinë nga Kosova, Rita Ora ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve gjatë parakalimit në qilimin e kuq në Fashion Awards që është mbajtur sonte në Londër, shkruan KultPlus.

E përditshmja britanike DailyMail, dukjen e Ritës e cilëson si më të pjekur pasi që ajo së fundmi edhe ka festuar ditëlindjen e 27-të.


“Këngëtarja e hitit “Hot RightNoë” erdhi më veshje metalike duke tërhequr vëmendjen e të gjithë të pranishmëve që ndodheshin jashtë sallës së famshme të Londrës, RoyalAlbert Hall”, shkruan DailyMail. /KultPlus.com

Bill Gates ka lexuar këta pesë libra të mrekullueshëm brenda këtij viti (VIDEO)

I famshmi Bill Gates ka publikuar listën e pesë librave që ka lexuar këtë vit, duke shtuar se edhe pse ka udhëtuar shumë dhe ka takuar njerëz interesantë,sipas tij,librat vazhdojnë të qëndrojnë si mënyra më e mirë për të eksploruar tema të reja, shkruan KultPlus.

Këtu mund të shihni listën e librave që ka lexuar i suksesshmi Bill Gates./KultPlus.com

“The Guardian” e përfshin në top dhjetë këngët e vitit hitin e Dua Lipës (FOTO)

Prestigjiozja “The Guardian” ka përfshirë këngën “New Rules” të Dua Lipës ndër dhjetë këngët më të mira të vitit.

Në përzgjedhjen e mediumit britanik kanë votuar më shumë se 50 persona nga redaksia e “The Guardian”.
“New Rules”, e publikuar më 7 korrik, deri tani ka grumbulluar rreth 745 milionë klikime në YouTube.

Në listën e “The Guardian” ajo është në pozitën e tetë. Kjo është lista e 100 këngëve më të mira, sipas “The Guardian”

Meriton Maloku, fitues i çmimit “Artistët e së nesërmes 2017”

Meriton Maloku është shpallur sonte fitues i çmimit “Artistët e së nesërmes 2017” gjatë ceremonisë që është mbajtur sonte ne në Klubin e Boksit në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Ky çmimi është vendim i jurisë së përbërë nga: Charles Esche, drejtori i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Nataša Petrešin-Bachelez, kritike e artit dhe kuratore e pavarur, Adrian Deva, artist dhe edukator arti dhe Renaud Proch, drejtor Ekzekutiv i Independent Curators International.
Çmimi Artistët e së Nesërmes është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e rinj në fushën e arteve vizuele – YVAA (Young Visual Artists Awards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjajshme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashëkohor dhe shoqërisë civile.
Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetet nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork, Raiffeisen Bank Kosovë dhe Ambasada e SHBA-sw në Kosovë
/KultPlus.com

Doli nga shtypi libri “Vëzhgime leksiko-frazeologjike në të folmet e Rrafshit të Dukagjinit”

Doli nga shtypi libri “Vëzhgime leksiko-frazeologjike në të folmet e Rrafshit të Dukagjinit”. Me këtë libër synohet që të plotësohet sadopak gama e gjerë e studimeve leksikore për këto të folme, por edhe të jepet kontributi modest në fushën e leksikologjisë shqiptare.

Libri me titull “Vëzhgime leksiko-frazeologjike në të folmet e Rrafshit të Dukagjinit”, i Naim Berishës, sjell një korpus të rëndësishëm të leksikut dhe frazeologjisë nga një areal i studiuar mirë në rrafshin dialektologjik edhe nga gjuhëtarë të tjerë, porse leksiku i këtyre trevave tani është marrë në një observim më të plotë e më të detajuar, më tërësor.

Libri ndriçon aspekte të sistemit leksikor të një areali të përcaktuar gjuhësor – të Rrafshit të Dukagjinit, e trajton dhe e analizon jo vetëm leksikun dialektor, po sidomos leksikun krahinor, bashkë me frazeologjinë dialektore e krahinore, shpesh në përballje me leksikun e gjuhës standarde. Trajtimi i lëndës së vjelë është bërë duke marrë për ba¬zë parime e kritere studimi të zba¬tuara me sukses në studimet gjuhësore shqiptare dhe sido¬mos në ato që lidhen me objek¬tin e studimit të këtij libri.
Ky botim është rezultat i një pune të gjatë sistematike në terren, për të grumbulluar e sistemuar, grupuar e tipologjizuar fjalë e frazeologji, duke sjellë, kështu, kontribut me interes për studimet e leksikut dialektor të shqipes dhe në përgjithësi për dialektologjinë leksikore. Materiali gjuhësor është trajtuar në pesë krerë tematikë: Fusha tematike në leksikun e Rrafshit të Dukagjinit, Vështrim leksikor dhe etnolinguistik në leksikun e Rrafshit të Dukagjinit, Vështrim leksiko-semantik në leksikun e Rrafshit të Dukagjinit, Fjalëformimi, Leksiku i rrafshit të Dukagjinit dhe fjalorët dialektorë./KultPlus.com

“Plaçkitësit” në Kumanovë

Sot, në Teatrin e Qytetit të Kumanovës kanë filluar provat për shfaqjen “Plaçkitësit” sipas Joe Orton e me regjisor Ben Apolloni, shkruan KultPlus.

“Plaçkitësit” është një komedi e zezë me plot kuptimin e fjalës, sepse ndodhë në një ditë funerali, në një ditë kur familjarët e të vdekurës do të duhej të ishin duke mbajtur zi, por ata në atë ditë i bëjnë tana të zezat, duke mos pasur pikë respekti për të vdekurën.
Kjo komedi e mbushur përplotë situata e batuta komike, në fakt është shumë e hidhur dhe fshikulluese për njeriun e kohës tonë i cili ka humbur të gjitha vlerat njerëzore. Vlera për të cilat gjithmonë është folur, por duket se kurrë nuk kanë ekzistuar.

Personazhet e kësaj shfaqje do të vijnë në skenë nën intepretimin e aktorëve rezidentë të Teatrit të Kumanovës: Sefedin Shabani, Shkëlqim Islami, Ismail Kasumi, Qazmedin Nuredini, Mirsad Abazi, dhe aktores mysafire nga Shkupi, Rabije Alilovska ndërsa asistent regjie është Ibër Deari. Kjo vepër e Joe Orton është konsideruar shumë provokuese dhe ka shaktuar shumë debatë në kohën kur është shfaqë për herë të parë (1965). Dhe edhe në trajtimin regjisorial kjo shfaqje do të jetë provokuese, por jo vetëm më përmbajtjen por edhe si realizim skenik./KultPlus.com

Stafi i ambasadës së SHBA-së në Tiranë e festoi me veshje kombëtare 28 Nëntorin

Personeli i ambasadës së SHBA-ve në Tiranë janë veshur me kostume popullore tradicionale të Shqipërisë, në Ditën e Festës së Pavarësisë.

Në faqen e saj, ambasada e SHBA-ve shprehet sot se javën e kaluar, ambasada amerikane në Tiranë festoi Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë me një shfaqje shumë të veçantë.

“Personeli i ambasadës u vesh me kostume popullore tradicionale nga të gjitha rajonet e Shqipërisë, duke treguar kështu jo vetëm zejtarinë e mrekullueshme dhe unike, por edhe kulturën dhe artin shqiptar që është trashëguar nga brezi në brez”, thekson ambasada.

“Shihni fotot dhe na thoni nëse arrini dot të gjeni zonën të cilës i përkasin këto kostume, ose cili prej tyre është i preferuari juaj. (E drejta e fotove: Grace Medina)”, thuhet në faqen e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, ku sfilojnë një larmi të kostumeve popullore./KultPlus.com

Verat e Llukës në listën e aseteve të Trashëgimisë Kulturore, vendi ku u bë pajtimi i gjaqeve (FOTO)

Ministria e Kulturës më herët pat shpallë listën e aseteve të Trashëgimisë Kulturore ku janë listuar lokacione, objekte e komplekse të ndryshme që kanë një rëndësi të madhe për kulturën kosovare, shkruan KultPlus.

Edhe Verat e Llukës janë përfshirë në këtë listë, vend i njohur ky për pajtimin e gjaqeve, ku përgjatë viteve të 90-ta në këtë hapësirë është bërë pajtimi masiv i familjeve të ndryshme shqiptare, të cilët për arsye të ndryshme kishin qenë në hasmëri.

Një rol të madh në pajtimin e gjaqeve ka luajtur i atdhetari Anton Cetta./KultPlus.com

Hapet thirrja për projekt-propozime në Art, Kulturë, Trashëgimi për vitin 2018

Fondi i Ministrisë së Kulturës në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore do të mbështesë propozime që propozojnë ide dhe sjellin risi në : projekte të edukimit përmes artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore; projekte në funksion të turizmit kulturor bregdetar; projekte në kuadër të “Viti i Skënderbeut”; projekte në kuadër të Vitit të Trashëgimisë Kulturore Europiane; projekte kulturore digjitale; projekte të industrive kreative, shkruan KultPlus.

Ky fond shkon për projekte që zhvillohen ekskluzivisht ose kryesisht në Shqipëri. Propozim-projektet e paraqitura duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës 20 shkurt – 5 dhjetor të vitit 2018.

Thirrja për projekt-propozime e Ministrisë së Kulturës për vitin 2018, hapet ditën e hënë, datë 4 dhjetor 2017 dhe përfundon ditën e premte, datë 12 janar 2018, në orën 12:00. Përzgjedhja përfundimtare shpallet nga kolegjiumi në datën 15 shkurt 2018.

Për më shumë: http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/hapet-thirrja-per-projekt-propozime-ne-art-kulture-trashegimi-per-vitin-2018./ KultPlus.com

Aurela Gaçe në Detroit me “Është Kosova, është Çamëria” (VIDEO)

Këngëtarja e njohur shqiptare AurelaGaçe shihet të ketë ndezur atmosferën në një mbrëmje në Detroit, shkruan KultPlus.

Ajo në mesin e shumë këngëve që ka interpretuar në këtë mbrëmje ka përzgjedhë edhe këngën “Xhamadani Vija-Vija”, ku Gaçe kësaj radhe ka përzgjedhë një tjetër kombinim, duke kënduar “Është Kosova, është Çamëria”.

Për më shumë shikojeni videon më poshtë./KultPlus.com

“Martesa” e Blerta Zeqirit me premierë në Kosovë

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Martesa” me regji të Blerta Zeqirit tashmë ka shijuar suksesin e premierës botërore, film i cili në festivalin “Tallin Black Nighs Film Festival” ka marë çmimin e kritikës dhe atë të ansamblit të aktorëve, shkruan KultPlus.

Dhe pas këtij suksesi, ky film është duke shqyrtuar rrugëtimin e mëtejmë të prezantimit të këtij filmi edhe nëpër festivale të tjera, por edhe të prezantimit të filmit nëpër kinema.
Blerta Zeqiri, regjisorja e filmit ka thënë për KultPlus se filmi “Martesa” do të prezantohet edhe në Kosovë, dhe mbrëmja e parë kur do të prezantohet ky film është një shkurti. Ajo ka treguar se filmi do të prezantohet në Cineplexx.

‘Martesa’ flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese, trekëndësh ky problematik dhe një diskutim më i thellë i tabuve të pranishme në plot shoqëri, ku rolet kryesore interpretohen nga: Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu./KultPlus.com

Tradita shqiptare dhe iso-polifonia ndërthuret me kryeveprën e Shekspirit

Me regji të regjisorit amerikan Justin Anderson, në Teatrin Metropol në Tiranë do të prezantohet premiera e shfaqjes “Nata e dymbëdhjetë”, shfaqje e famshme kjo e Shekspirit, shkruan KultPlus.

Mirëpo, e veçanta e kësaj shfaqje është ndërthurja e pasurisë shqiptare, traditës dhe iso-polifonisë e cila do të vjen me rolet e : Arbies Komoni, Armela Demaj, Elona Hyseni, Erin Kujofsa, Erjon Hodo, Florian Agalliu, Guri Koço, Kastriot Ramollari, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Mehmet Xhelili, Neritan Liçaj, Parashqevi Hallkaj, Rozi Kostani, Shkëlzen Berisha, Silvio Goskova. Kjo shfaqje do të ngjitet premierë më 6 dhjetor, për tu dhënë më pas edhe reprizat./KultPlus.com

Gati për edicionin e 19-të të Festivalit “Kënga Magjike”

Mbrëmë janë prezantuar edhe këngët e fundit konkurruese për edicionin e sivjetmë të Festivalit të Muzikës “Kënga Magjike”, dhe përgatitjet për mbrëmjet në skenë tashmë janë duke u finalizuar, shkruan KultPlus.

Festivali që shtrihet përgjatë tri mbrëmjeve, më 6, 7 dhe 9 dhjetor ka përfshirë emra të njohur të muzikës shqiptare, por edhe debutantë.

Kurse këtë edicion pritet ta moderojnë: Ardit Xhebrea, Besart Kallaku, Arjola Shehu, Erion Isai dhe Nevina Shtylla./KultPlus.com

Petrovci: Shpesh më quajnë edhe spiun serb

Aktori i njohur kosovar Enver Petrovci, në intervistën javore për gazetën nacionaliste serb “Kurir”, flet me nostalgji për ish-Jugosllavinë dhe kohën e kaluar si aktor teatri dhe filmi në Beograd. Në të njëjtën kohë shpreh pakënaqësi të madhe për jetën në Kosovë, për të cilën thotë se është “jetë në diktaturë”.

“Kushtet atje (në teatrin Atelie 212 në Beograd) ishin të mrekullueshme. Të jesh në bufe në një shoqëri të tillë. I njoftova njerëzit më të mençur të Beogradit dhe shkoja t’u blej cigare që të më pranojnë në shoqërinë e tyre. Natyrisht që më pranuan”, thotë Petrovci në intervistën për “Kurir”, shkas për të cilën është angazhimi i tij në serialin serb “Hijet mbi Ballkan”.
Për angazhimet e tij si aktor në Kosovë, Petrovci thotë se tek tani po e mëson shqipen. “Nuk e kam atë siguri si kur flas serbisht në skenë. S’do të kisha guxuar të improvizoj në shqip”.

I pyetur “si mund të ndërtohen urat e rrënuara” ndërmjet popujve të këtyre anëve, ai përgjigjet: “Mund të urrehemi me shekuj, por herëdo-kurdo duhet të kuptojmë se njëri pranë tjetrit duhet të kalojmë. Shembull duhet t’i kemi sportistët dhe artistët tanë. S’duhet t’i presim politikanët”.
Për jetën në Kosovë aktori thotë: “Jetojmë në diktaturë. S’ke siguri nëse flet diçka kundër pushtetit. Menjëherë gjendesh në listën e zezë, s’ke punë. Thjesht, nuk ekziston”.
Petrovci, siç transmeton Expressi, gjithashtu tregon se në Kosovë shpesh e quajnë “spiun të Serbisë”.

“Kur është nevoja, unë jam patriot, e kur s’është, spiun serb. Nëse i kritikoj, thonë se loboj për Serbinë. Këtë s’e bën populli. Ata më duan, më çmojnë. Dinë të thonë edhe se jam aktor dhe shqiptar i madh, kurse unë e di se çka jam. Kurrë askush s’më ka blerë. E kam folur gjithmonë atë që e kam menduar. Më ka kushtuar shumë herë dhe s’jam penduar. Kam folur se e kam pasur bukur në Beograd. Te ne ka politikanë të cilët kanë qenë të martuar me serbe, kurse këtë e fshehin. Dikur kemi qenë më të lirë, më të sigurt, punonim dhe fitonim më tepër”, thotë Petrovci për gazetën serbe.
Personaliteti më i çmuar publik në Kosovë për Petrovcin është kryetari i Federatës Futbollistike të Kosovës, ish-futbollisti i Partizanit të Beogradit Fadil Vokrri, për të cilin thotë se “gjithmonë është mbajtur si njeri”.

“Kurrë s’e kam dëgjuar që për dikë të flasë keq. Është politikan më i mirë se unë”, thotë aktori, duke shfaqur shpresë se skuadrat beogradase Partizan dhe Zvezda do të mund t’i shohë në Prishtinë. Këtu, sipas Petrovcit, këto ekipe ende i kanë tifozët e tyre./KultPlus.com

Rovena Dilo në Këngën Magjike me këngën “Ke le për mu” (VIDEO)

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare Rovena Dilo është prezantuar me këngën “Ke le për mu” në edicionin e sivjetmë të Festivalit “Kënga Magjike”, shkruan KultPlus.

Përgjatë interpretimit të saj, ajo është mirëpritur nga audienca. Mbetet të shihet për suksesin final të Dilos në këtë festival që sivjet sjellë shumë emra të muzikës shqiptare./KultPlus.com

Gati për dekorimin e qytetit të Prishtinës për Vitin e Ri, Komuna ka ndarë 58 mijë euro

Komunës së Prishtinës dekorimi për festa të fundvitit i kushtoi 58 mijë euro, ani pse për këtë Komuna kishte ndarë vetëm 50 mijë euro.

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratën për dekorimin e qytetit me drita e stoli dekorative dhe bredha për festat e fundvitit, njoftimin e kontratës në vlerë 57 mijë e 940 eurove e ka publikuar ne faqën zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), shkruan insajderi. Kontratën e kanë nënshkruar më kompaninë “Anea” NPT./KultPlus.com

Yllka Gashi me fotosesion

Aktorja e njohur Yllka Gashi e cila ka disa vite që është tërhequr nga jeta publike, së fundi ka zgjedhur një formë tjetër që të jetë më afër adhuruesve të saj, shkruan KultPlus.

Fotografi Ilir Rizaj, i cili poashtu jeton në Amerikë dhe njihet për punën e tij profesionale në fotografi ka realizuar një fotografi me portretin e Yllka Gashit, fotografi që ka nxjerrë në pah bukurinë e aktores kosovare.

Edhe pse në Amerikë, për realizimin e këtij fotosesioni është angazhuar një ekip i tëri shqiptarë: flokët Noli, kurse griimin e ka realizuar Shqipe Namani./KultPlus.com