Kori i Filharmonisë së Kosovës organizon koncertin festiv të fundvitit, me solisten Sihana Badivuku nën dirigjimin e Rafet Rudit, njëkohësisht për të shënuar 20 vjetorin e themelimit të këtij institucioni, shkruan KultPlus.
Festë në mbyllje të vitit 2023 me koncertin e fundvitit të Korit të Filharmonisë së Kosovës në shënim të 20-vjetorit të themelimit!
Programi përfshinë vepra nga kompozitorë të dalluar si: Lauridsen, Sandstrom, Matsushita, Whitacre e Rudi derisa do të shënojë edhe dy përvjetor të kompozitorëve tonë, 80-vjetorin e lindjes së Zeqirija Ballatës dhe 65-vjetorin e lindjes së Mendi Mengjiqit.
Koncerti do të mbahet me datë 14 dhjetor 2023 prej orës 20:00,në Kishën Katolike “Shën Ndou”/ KultPlus.com
Në Tiranë mbahet Folk Fest, koncert që ka bashkuar 500 artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Arbëreshët e e Italisë.
Ministria e Kulturës së Shqipërisë, njofton se në këtë koncert, artistët janë veshur me kostume popullore, me flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit.
“Grupe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Arbëreshët, bëhen bashkë me më të mirat e Festivalit Mbarëkombëtar Folklorik të Gjirokastrës! 28 nëntori është dita e bashkimit!”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Në mesin e personaliteteve dhe të ftuarve të shumtë, po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes koncertit “Miqtë për Diellzën”, do të mbahet një mbrëmje frymëzuese në përkrahje të mezosopranos Diellza Sylejmani për betejën e saj kundër kancerit, shkruan KultPlus.
Në koncert do të interpretojnë sopranoja Besa Llugiqi, pianisti Misbah Kaçamaku dhe Kori i Grave i Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla.
Të gjitha të ardhurat shkojnë si përkrahje modeste për kolegen e tyre mezosoparanon Sylejmani.
Koncerti mbahet më 30 nëntor në ora 19:00, te Atelija e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
KultPlus, gazeta e parë online është drejt përgatitjeve të fundit për të sjell edicionin e gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, një ngjarje kjo që i sjell Prishtinës emocione të thella, shkruan KultPlus.
Edicioni i gjashtë i “Ta Zbardhi Ftyrën”, do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. Kjo artiste e shquar, ka shfaqur talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës me zërin e saj të bukur dhe interpretimet e mrekullueshme.
Ky event ka shpërnda një valë entuziazmi në publik, duke bërë që të gjitha biletat të rezervohen në kohë rekord.
Organizatorët janë të befasuar dhe të lumtur nga kjo përgjigje e mrekullueshme nga publiku.
Për të gjithë ata që nuk kanë arritur të sigurojnë një biletë, organizatorët këshillojnë që të jenë të përgatitur për ngjarje të tjera të mrekullueshme të artit që KultPlus do ti sjellë shumë shpejtë.
Ky sukses i mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën” dëshmon se muzika e shquar shqiptare ka një vend të rëndësishëm në zemrat e publikut dhe dëshiron të përcjellë emocione dhe inspirim nëpërmjet artistëve të talentuar si Elbenita Kajtazi.
Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” vjen më datë 27 nëntor në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i rinisë) dhe do të jetë një mbrëmje e emocioneve të forta, bashkëbisedimit të thellë, dhe një performance të paharrueshme nga Elbenita Kajtazi ku kësaj radhe, zëri i saj, si asnjëherë më parë, në asnjë skenë tjetër, do të jehojë edhe përmes këngës shqipe. Në këtë ngjarje, publiku do të ketë rastin të ndjehet pjesë e një spektaklit të jashtëzakonshëm, ku arti, kultura dhe emocionet do të bashkohen në një harmoni të mrekullueshme.
Sopranon Elbenita Kajtazi do ta shoqëroj pianistja franceze Camille Lemonnier, ndërsa me një pikë do të prezantohet edhe solistja Anna Krasniqi. Ndërsa për t’i dhënë madhështi kësaj mbrëmje, në skenë do të ngjitet edhe Kori i Fëmijëve “Okarina”.
Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Radio Televizioni i Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, Coca-Cola HBC – Kosovo. / KultPlus.com
Koncerti Grand Gala “Liszt 212 Vjet” në Durrës nuk ishte thjesht një ngjarje muzikore, por një urë kulturore që lidh Shqipërinë me Hungarinë, kulminacioni i merituar i “Hungarissimo 2023”, Javës Kulturore Hungareze që përfshiu Shqipërinë.
Hapësira e shenjtë e teatrit u pushtua nga kompozimet e fuqishme të Franz Liszt, teksa performuesit, me çdo goditje të harkut dhe çdo notë të luajtur, sollën për publikun shqiptar pasionin dhe vrullin e klasikut të madh hungarez.
Teatri “Aleksandër Moisiu” u gjallërua nga jehona e kompozimeve të Franz Liszt, teksa Orkestra Simfonike e RTSH performonte para një publiku të mahnitur. Interpretimet e pianistes së mirënjohur Almira Emiri u pritën me duartrokitje entuziaste, duke mishëruar frymën dhe kompleksitetin e kompozimeve të Liszt. Ndërkohë, udhëheqja mjeshtërore e dirigjentit Oleg Arapi dhe drejtimi artistik i Liman Malokut siguruan një përvojë gjithëpërfshirëse që elektrizoi të pranishmit.
Përzgjedhja e programit të mbrëmjes ishte e kuruar me kujdes dhe solli pjesë që luheshin për herë të parë në vendin tonë. “Rapsodi Hungareze Nr. 2”, me melodinë e saj të njohur, paraqiti një pamje të gjallë të shpirtit hungarez, ndërsa forca orkestrale pas “Les Preludes” pikturoi një peizazh zanor me përmasa epike. Dramaticiteti dhe veçanësia e “Totentanz” ishin gjithaq drithëruese për dëgjuesit. Këto pjesë, të përjetshme në bukurinë dhe kompleksitetin e tyre, jo vetëm u interpretuan, por erdhën me një frymë të re në skenën shqiptare, duke rezonuar me një publik që ishte i etur për një udhëtim muzikor në zemrën e romantizmit hungarez.
Jo vetëm kaq, por bukuria e mbrëmjes u shtua dhe nga një dhuratë e posaçme për teatrin e Durrësit, i cili përgjatë 15-viteve të fundit nuk ka pasur një piano për performuesit e ndryshëm. Nisur nga ky fakt, “Hungarissimo”, në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Shqipëri, mundësuan riparimin dhe risjelljen në skenë të një instrumenti funksional, që do u shërbejë jo vetëm pianistëve të afirmuar, por edhe gjithë talenteve të reja durrsake që do të marrin përsipër peshën e performimit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Kujtojmë që “Hungarissimo” e këtij viti ishte veçanërisht domethënëse pasi shënoi gjithashtu 200 vjetorin e poetit kombëtar të Hungarisë Sándor Petőfi. Ndikimi i tij dhe festimi i jetës dhe veprave të tij kanë qenë një fenomen global dhe Java e Kulturës Hungareze në Shqipëri kontribuoi në këtë përkujtim ndërkombëtar.
Seria e ngjarjeve në të gjithë Shqipërinë, duke filluar nga Tirana, duke kaluar nëpër Vlorë, Pogradec, Korçë, e më në fund duke kulmuar në Durrës, ishin më shumë se një vitrinë e kulturës hungareze. Ato ishin një dëshmi e fuqisë së shkëmbimit kulturor dhe promovimit të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë midis kombeve. Suksesi i Javës Kulturore Hungareze mund të matet jo vetëm në pjesëmarrjen dhe duartrokitjet, por edhe me ndikimin e qëndrueshëm që ka pasur në nxitjen e dialogut ndërkulturor. Në fakt, eventi u përqafua jo vetëm brenda Shqipërisë, por u celebrua edhe nga miqtë e shumtë hungarezë në Hungari dhe jo vetëm. Entuziazmi dhe vlerësimet e larta nga pjesëmarrësit dhe audienca nënkuptojnë se eventi arriti qëllimin e tij për të festuar dhe thelluar lidhjet kulturore që ndajnë Hungaria dhe Shqipëria. Për këtë arsye, grupi organizator i Festival Academy është thellësisht mirënjohës për të gjithë ata që na u bashkuan në këtë rrugëtim.Java e Kulturës Hungareze ka lënë gjurmë të pashlyeshme në peizazhin kulturor të Shqipërisë, duke u dëshmuar si një histori e pabesueshme suksesi. Gama e gjerë e ngjarjeve, me muzikë, art dhe letërsi, jo vetëm që nderoi trashëgiminë hungareze, por gjithashtu hapi rrugën për bashkëpunime të ardhshme dhe përpjekje kulturore midis dy vendeve. Pashmangshmërisht, kjo festë ka vendosur një standard të lartë për ngjarje të ngjashme në të ardhmen. / atsh / KultPlus.com
Në Pallatin e Kongreseve po bëhen përgatitjet e fundit për koncertin recital “Finalmente Elsa”, të këngëtares së dashur të muzikës së lehtë shqiptare, Elsa Lila.
Pak orë para ngjitjes në skenë, ajo u prit sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se, shqiptarët janë krenarë për artisten e mirënjohur, për të gjithë suksesin e saj, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, ku jeton prej 26 vitesh.
“Ne jemi shumë krenarë për ty dhe më vjen mirë që, pasi ke kontribuar si ‘kripa në gjellë’ në të gjitha festivalet, sot në mbrëmje do të jesh ti ‘pjata’ kryesore me këtë recital. Për ne ka qenë një bekim i madh dhe një kënaqësi që të të mbështesim. Çdo qytet, sado modest të jetë, nuk duhet të kursejë për njerëzit që punojnë, për njerëzit që kanë sakrifikuar, për njerëzit që pavarësisht sfidave në jetë, janë rrëzuar e janë ringritur. Historia e Tiranës nuk është historia e atyre që ua kanë shtruar tapetin e kuq, apo që ua kanë hapur dyert e suksesit ata të shtëpisë, por është e çunave dhe gocave që janë rritur vetë, me 100 vështirësi, dhe në vend që të bëhen më të hidhur, janë bërë më të mirë dhe më të dashur. Ti je njëra prej tyre”, tha Veliaj, i cili i dhuroi këngëtares edhe kullën simbolike të Sahatit të Tiranës.
Pasi falenderoi kryebashkiakun, Elsa Lila kishte edhe një ftesë të fundit për të gjithë ata që ende nuk e kanë blerë biletën: “Shumë faleminderit nga zemra për mbështetjen, për dashurinë, dhe ju pres të gjithëve sonte në Pallatin e Kongreseve, të këndojmë këngët e mia të këtyre 27 viteve!”
Të gjitha këngët e Elsës, të cilat i kemi dëgjuar dhe kënduar prej vitesh, si: “Pyes lotin”, “Vetëm një fjalë” apo “Evita”, kënga dedikuar vajzës së saj, do të jenë pjesë e koncertit. Elsa Lila do të shoqërohet në këtë event të rëndësishëm të karrierës së saj edhe nga një bandë muzikore italiane, pjesë e së cilës është kompozitori Enrico Melozzi, i cili ka drejtuar disa herë orkestrën e Festivalit të Sanremos, ndërsa i ftuar special do të jetë këngëtari Pirro Çako./ atsh / KultPlus.com
‘’La Femme’’, projekti për gratë kompozitore nga e gjithë bota i realizuar me mjeshtëri nga Flaka Goranci e cila është producente, kompozitore dhe këngëtare e këtij projekti të madh, po vjen në Tiranë, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë artistja, përderisa është shprehur se përmes këtij projekti ka dashur të sjell në vëmendje historitë inspiruese dhe muzikën e mrekullueshme nga gratë kompozitore nga vende të ndryshme të botës.
Ky program është pjesë e CD-së “La Femme” të prodhuar nga Naxos Deutschland dhe i nominuar nga çmimi i madh Internacional Opus Klassik në kategoritë “ Këngëtarja më e mirë e vitit”, “Klasik pa kufinjë” si dhe “videoklipi më i mirë”.
Ky koncert është pjese e turneut të “La Femme” dhe përmbyll Javën Kulturore Ndërkombëtare, të organizuar nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe Ambasada Austriake në Tiranë.
“Jam e nderuar të përmbyllim Javët e Kulturës me një program që sjell një mesazh kaq të madh për botën, sidomos në këto kohë të vështira”, është shprehur mezosopranoja Flaka Goranci.
Ky koncert do të udhëhiqet nga dirigjenti Konstantinos Diminakis dhe do të luaj Orkestra simfonike e forcave të armatosura.
Koncerti mbahet ditën e martë, 31 tetor, në ora 19:00, në Hotel Rogner, Salla Antigonea në Tiranë. / KultPlus.com
Në teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit është mbajtur koncerti jubilar “Lule borë”, kushtuar 100-vjetorit të kompozitorit dhe dirigjentit të shquar shqiptar, Simon Gjoni.
Koncerti u interpretua nga Orkestra Simfonike e RTSH, dirigjuar prej mjeshtrit Eno Koço. Të pranishëm ishin edhe solistë të mirënjohur si Inva Mula, Kastriot Tusha, Eva Golemi, Erinda Agolli, Denis Skura, Flaka Goranci e Armando Likaj etj.
Të pranishmit në sallë e kanë vlerësuar si një koncert të shkëlqyer, homazhin për një emër aq të rëndësishëm të muzikës shqiptare, siç ishte Simon Gjoni.
Simon Gjoni i përket brezit të krijuesve dhe muzikantëve që bënë historinë e muzikës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai ishte pjesë e brezit të kompozitorëve shkodranë bashkë me Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Gjon Kapidani etj.
Për krijimtarinë e tij është folur e shkruar pak edhe pse fama e këngës “Lule borë” e ka shenjuar emrin e tij në disa breza shqiptarësh.
Përveç kompozimit, Simon Gjoni do të mbahet mend edhe si një nga dirigjuesit e parë të Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Orkestrës së RTSH. / KultPlus.com
Kori i Grave “Okarina” do të mbajë sonte një koncert në sallën e Qendrës Okarina, duke iu bashkuar një iniciative e cila synon luftimin e depresionit përmes aktiviteteve kulturore, shkruan KultPlus.
Ky koncert, mbahet në kuadër të aktivitetit “ Supporting people in depression” të organizuar nga Chórtownia ( Poloni) të mbështetur nga IGNITE-a, duke iu bashkuar iniciativës me randësi të madhe që përmes aktiviteteve kulturore të luftohet depresioni.
Përmes një njoftimi në facebook, Kori “Okarina” ka bërë të ditur se performanca mund të ndiqet live në Facebook ku do të ketë interpretime acapella nga repertoari shqiptar dhe i huaj.
“Përmes realizimit të një koncerti dhe diskutimi të hapur për mënjanim të depresionit përmes muzikës, ju ftojmë të hyni direkt në platformën Live Facebook nga ora 19:00 ne faqe të Korit të Grave “Okarina” për të dëgjuar interpretime acapella nga repertoari shqiptar dhe i huaj!
Po ashtu me numër të limituar të ulëseve, koncerti është i hapur për ju artdashës që dëshironi të dëgjoni muzikë të bukur dhe terapeutike
Mirësevini”, thuhet në njoftim.
Koncerti do të mbahet sot me datë 14.10.2023 , nga ora 19:00 në sallën e Qendrës Okarina/KultPlus.com
I mbajtur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, koncerti i katërt me radhë i “PriVocalFest”, sikur hoqi perden mes solistëve të mbrëmjes Ismet Vejselit (tenor) e Dea Xhemailit (mezsoprano) dhe publikut, duke u bërë një në energjinë e emetuar si shkak i skenës së vogël dhe pranisë shumë të afërt me publikun, shkruan KultPlus.
Në formë harkore, në shkallët e Bibliotekës, e që ngjanin me një mozaik, ishin vendosur karriget të cilat brenda pak minutave u mbushën plotë. Të radhitura rreth dhe shumë afër skenës vendi ngjasonte në një amfiteatër, që mundësonte që ngjarja të përjetohej më ndryshe sikur ndodh zakonisht, kur distanca mes interpretuesve dhe publikut është më e madhe.
Me duartrokitje publiku e mirëpriti tenorin Ismet Vejseli dhe pianistin Shkëlzen Baftiari në skenë, të cilët hapjen e koncertit e shënuar me një përulje para publikut i cili gjendej në të tre anët e tyre.
Nën tingujt e pianos filloi interpretimi i veprës “Flow my tears”, e kompozitorit John Dowland. Ishte kontakti me sy drejtuar publikut në skenë i cili gjendej shumë afër tenorit Ismet Vejselit, që bënte edhe publikun të ishte pjesë e performancës duke qenë përthithës të drejtpërdrejtë të tingujve të pianos dhe tonit jo shumë të lartë të solistit në skenë.
“Caro mio ben” e Giuseppe Giordani, ishte pika e dytë performuese, e cila filloi pas duartrokitjeve të publikut për pjesën e parë. Kjo pikë, në fillim karakterizohej me tinguj konstantë, të cilët me kohën sa vinin e bëheshin më të lartë, për të shënuar rënie përsëri. Ky cikël i ngritjeve dhe uljeve të zërit vazhdoi disa herë deri në mbarim të kësaj pike interpretuese.
“Lasciar D’Amarti” e Francesko Gasparni, qe pika tjetër e radhës, i cili i dha një pozicionim anash të tenorit, që në përgjithësi mbante një qëndrim serioz, e i cili shtohej edhe më, me një nxjerrje të herëpashershme të lartë të tingujve. Në këto çaste solisti dominonte skenën.
Një pamje më harmonike mori skena kur iu bashkua edhe mezosopranoja Dea Xhemaili, e cila së bashku me tenorin Ismet Vejseli interpretuan veprën “Pur ti miro” të Claudio Monteverdi. Kjo pikë, herë dhuronte tinguj të përbashkët të artistëve në skenë, e herë tinguj të përsëritur duke e plotësuar njëri-tjetrin.
E përqendruar në tingujt dhe interpretimin e veprës “Ah! Mio Cor” të George Frideric Handel, mezosopranoja Xhemaili nxirrte tinguj konstant, e herë të lartë, të cilët interpretoheshin më me shumë emocion. Tingujt e lehtë të pianos ishin ata që e shënuan fundin e kësaj performance, për t’i lënë radhë pjesës së dytë të koncertit, së cilës i parapriu një ndryshim i skenografisë.
Disa minuta më vonë, në skenë, të veshur në të zeza, dolën edhe violinistët Rron Bakalli e Alba Zeqiri, me violë Vesa Doli, me violonçelo Arian Zherka, dhe me piano përsëri Shkëlzen Baftiari, të cilët interpretuan gjashtë pika të kompozitorit George Frideric Handel, së bashku me tenorin Ismet Vejseli.
“Semplicetto! A donna credi?”, “Ombra mai fu”, “Every valley shall be exalted”, “Dell’ Iberi al soglio invitto”, “Gentle airs, melodious strains” dhe “Tuo Druo e mio rivale” ishin veprat e kompozitorit George Frideric Handel, që tenori Ismet Vejseli dhe muzicientët i prezantuan para publikut në sallë.
Një buzëqeshje në fytyrë, lëvizje e dorës së djathë nën tinguj më të hareshëm ishin elemente të pikës së parë interpretuese në pjesën e dytë të koncertit, kulminacioni i të cilit arrihej kur tenori peshën e tij të trupi e mbante vetëm në gishtërinj të këmbëve.
Dirigjimi i muzicientëve, tinguj të lartë që pasoheshin me ngritje të vetullave për disa sekonda, tinguj strikt e dramatik, dhe një lëvizje në një linjë horizontale e tenorit për t’i vënë në qendër të vëmendjes edhe muzicientët të cilët gjendeshin në sallë qenë elemente të interpretimit të pikave pasuese, të cilat publiku i vërente lehtësisht, nga afërsia që pati me skenën.
Krejt në fund të koncertit, siç ndodh zakonisht në ngjarje të tilla, një përulje para publikut u dhurua nga solistët dhe muzicientët njëherazi.
Në një prononcim për KultPlus, mezosopranoja Dea Xhemaili të veçantë e ka quajtur koncertin dhe bashkëpunimin me tenorin Ismet Vejseli.
“Ka qenë një ndjenjë shumë e veçantë, pasi që ky është bashkëpunimi im i parë me tenorin Ismet Vejseli. Ishte një ndjenjë e pa përshkruar. Programin e kemi caktuar para dy muajsh. Meqë Ismeti nuk jeton në Kosovë, provat i kemi realizuar veçmas, por pasi veç jemi edhe profesionistë nuk ka qenë edhe shumë vështirë për t’u koordinuar. Vetëm dy deri në tri prova të përbashkëta i kemi realizuar pasi ka ardhur tenori në Kosovë”, ka thënë mezosopranoja Dea Xemaili.
Ndërsa të rëndësishëm e ka cilësuar festivalin “PriVocalFest”, tenori Ismet Vejseli duke u ndier i lumtur që iu dha mundësia për të qenë pjesë e tij.
“Është gjithmonë kënaqësi kur paraqitem para publikut të Prishtinës, e sidomos me qenë pjesë e një festivali që tash ka filluar edhe me edicionin e gjashtë dhe ka filluar të jetë shumë i rëndësishëm edhe në ngjarjet dhe në jetën kulturore në Prishtinë, kështu që është shumë kënaqësi dhe ndjehem shumë mirë gjithmonë”, ka thënë Vejseli.
Kurse violinistja Alba Zeqiri, shprehu dëshirë për të qenë pjesë e festivalit edhe në vitet e ardhshme, pasi edicioni i gjashtë i “PriVocalFest” për të ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme.
“Jam shumë e kënaqur që isha pjesë e “PriVocalFest”. Ishte një eksperiencë shumë e mirë për mua të njoftohem me muzicientë të rinj dhe të bëjmë muzikë së bashku. Ne kemi kaluar shumë mirë edhe përgjatë provave, jo vetëm sot në koncert. Besoj se koncerti i sotëm ka qenë një përvojë shumë e mirë për të gjithë ne. Kam kaluar një kohë shumë të mirë dhe shpresoj se edhe viteve të ardhshme do të përsëritet e njëjta, me shpresë që do të ketë edhe më shumë koncerte me muzicientë të rinj”, tha Zeqiri duke e bërë të ditur faktin se nuk e kanë ndier aspak lodhjen përgjatë provave.
“Bashkëpunimi me koleg ka qenë shumë i mirë. Kemi pasur prova çdo ditë por nuk është se e kemi vërejtur lodhjen, për shkak se kanë qenë prova shumë interesante. Kemi bërë muzikë, jemi kënaqur duke bashkëpunuar, jemi marrë vesh për gjëra të ndryshme dhe procesi i provave ka shkuar shumë shpejt, aq sa nuk e kemi vërejtur kohën që ka shkuar. Shpresojmë që ta bëjmë të njëjtën edhe viteve të ardhshme”, përfundoi Zeqiri..
Koncerti i radhës i festivali “PriVocal Fest” do të mbahet sonte, me 11 tetor, në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ku solistë do të jenë: Adelina Paloja, Hajrullah Syla, Ismet Vejseli dhe Elona Sadiku./KultPlus.com
Një ngjarje e veçantë kulturore do të vijë për publikun e Tiranës për të përkujtuar 20-vjetorin e lumturimit të Nënë Terezës, përcjell KultPlus.
Në këtë event do të performojnë artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, si tenorët Armaldo Kllogjeri, Shqipëri, Granit Musliu, Kosovë e Ismet Vejseli, Maqedoni e Veriut.
E ftuar speciale do të jetë soprano Catherine Wethington nga SHBA-ja.
Ky koncert do të dirigjohet nga mjeshtri Bujar Llapaj nga Kanada, në drejtimin e Orkestrës Filharmonike Tre Tenorët “Ibrahim Madhi”.
Githashtu, pjesë e koncertit do të jenë edhe: Gëzim Rudi, aktor, Ardita Bufaj, piano dhe Kori i të Rinjve të Tiranës, me dirigjent Bujar Alliu.
Koncerti do të mbahet në Qendrën Kulturore të Katedrales së Kishës Ortodokse të Tiranës, të enjten, 19 tetor 2023, ora 19:00. / KultPlus.com
Të premten mbrëma në teatrin “Adriana” në Ferizaj, në mesin e qindra bashkëqytetarëve u mbajt koncert memorial kushtuar kompozitorit ferizajas, Vinçenc Gjini.
Kjo mbrëmje e veçantë koncertale, ku u shpalosën disa nga veprat më të zgjedhura të kompozitorit Vinçenc Gjini, u organizua nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës, Agim Aliu.
Gjersa në skenën e teatrit “Adriana” këto vepra u interpretuan nga Kori dhe Orkestra e qytetit si dhe nga solistët Venera Imeri, Rrezarta Ramadani, Urim Salihu, Okteti i Qytetit, në piano Fjorda Veizaj nga Tirana, nën dirigjimin e profesoreshës, Lindita Isufi./KlanKosova/KultPlus.com
Është rikthyer gjithmonë në qytetin e saj, nga ku nisi shumë vite më parë, atëherë kur ishte aq e vogël sa vështirë se kishte fuqi të perceptonte mrekullinë që ndodhi prej sekondës së parë që lëshoi tingujt e zërit të saj magjik.
Kanë qenë projekte të ndryshme muzikore, televizive, (siç ishte “The Voice of Albania” në Top Channel), festivale (siç ishte dhe ai i një viti më parë ku shënoi suksesin e radhës me “Evita”) që e kanë nxitur të rishfaqet në skenë e në ekran. Por asnjëherë për një koncert të sajin, në të tilla përmasa, të cilin po e përgatit ta sjellë tani.
Ajo ende nuk ka shpallur asnjë lajm, por burime nga stafi organizativ na pohojnë se është krejt zyrtare: Koncerti titulluar “Finalmente Elsa” do të sjellë në 1 nëntor, në Pallatin e Kongreseve të parin recital të saj.
“Do të jetë pa diskutim një koncert nga fillimi deri në fund live. S’mund të tingëllojë ndryshe, veçse krejt i vërtetë, një koncert nga Elsa Lila, artistja që po vazhdon ta sfidojë fort veten dhe kohën ku jeton e nga bashkëpunëtorët e saj, të tjerë artistë të njohur italianë, me të cilët po realizon prej kohësh projekte të shumta muzikore në Itali”, konfirmojnë për Top Channel të njëjtat burime.
Ekipi muzikor e ka nisur punën përgatitore prej ditësh, andej detit, për të na sjellë këndej në Tiranë një repertor të larmishëm e special muzikor…ku vendin kryesor do ta zërë muzika shqiptare, pa lënë mënjanë kurrsesi edhe atë italiane. Kujtojmë që suksesi i radhës i Elsa Lilës pas “Pyes lotin” dhe “Larg urrejtje” në Shqipëri, ishte ai i Sanremos me “Valeria” dhe “Il senso della vita”.
Kështu është e ndarë jeta e saj artistike, mes kulturës së dy vendeve, që do të jenë dhe dy shtyllat e forta të koncertit të saj. / KultPlus.com
Në Berlin, Ambasada e Kosovës organizoi një koncert shumë të veçantë me pianisten e mirënjohur Ardita Statovci, së bashku me talentët e rinj, fitues të çmimeve të ChopinPianoFEST, Fortesa Jusufi, Andi Duraku, Lisa Sahatçiu, Melisa Ibrahimi dhe Rron Bakalli.
Koncerti u mbajt në sallën e bukur të Universitetit të Arteve Joseph-Joachim-Konzertsaal, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, përfaqësues të institucioneve, artdashës dhe studentë e pjesëtarë të diasporës tonë në Berlin.
Loja e artistëve dhe i gjithë programi u vlerësua shumë lartë nga të pranishmit. Të mahnitur mbetën edhe dy personalitete të veçanta, Herbert Groeger, sponsor i Çmimit Special të Chopin Piano Fest Prishtina Prishtina dhe Johannes Neukirchen nga bordi i Young Euro Classic, një organizatë e rëndësishme për muzikantët e rinj.
Koncerti është mbështetur nga MKRS dhe MPJ. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht Rita Or,a ka elektrizuar publikun teksa po interpretonte të mërkuren mbrëma, një koncert në Ibiza.
Duke postuar në Instagram, këngëtarja, 32 vjeçe, shfaqi figurën e saj të pabesueshme me një rroba banje të prerë jeshile për setin e saj së bashku me DJ Joel Corry.
Më poshtë gjeni videon ku shihet perfomanca e saj përgjatë koncertit:
Super ylli Akon u konfirmua dje si mysafiri ndërkombëtar i “Time Capsule II” që zhvillohet të premten në kryeqytet.
Lajmin e dha Capital T i cili bëri të ditur se Akon e ka pranuar ftesën e tij për të qenë me publikun kosovar në atë që po konsiderohet si ngjarja kulturore më e madhe në kryeqytet përgjatë kësaj vere.
E Akon ka pasur edhe një mesazh për shqiptarët.
Përmes një videoje, ai i ka ftuar të gjithë të jenë aty ditën e premte.
“Prishtina do jem aty me 11 gusht, live me Capital T. Do të performoj live dhe do jetë një çmenduri. Merrni biletat dhe shihemi atje”, thotë mes tjerash Akon. / KultPlus.com
Rame Lahaj International Opera Festival sonte sjell mbrëmjen e pestë muzikore të titulluar ‘Nexhmije Pagarusha’, përcjell KultPlus.
Këngët e Nexhmije Pagarushës do të vijnë në përpunim tejet të veçantë dhe origjinal, për të zgjuar tek secili prej jush përjetime e momente unike siç vetëm muzika e saj dinte t’i zgjonte.
Artistët që do të interpretojnë në këtë mbrëmje janë: Kaltrina Miftari, Adhurim Grezda, Ardiana Bytyqi, Gerald Murrja, Besarta Murtezani, drejtuar e shoqëruar nga Keli Band.
Koncerti ‘Nexhmije Pagarusha’ mbahet sonte, e Hënë, 31 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik). / KultPlus.com
Fundjava për Vlorën ishte nën tingujt e Sanremos. Banorë të Vlorës por edhe pushues të shumtë, vendas e të huaj, patën mundësinë të ndjekin për shumë orë, një koncert të disa prej këngëtarëve më të njohur italianë, të cilët pëlqehen dhe ndiqen edhe në vendin tonë.
Në koncertin “live” performuan këngëtarë të cilët kanë fituar të paktën një herë festivalin e Sanremos si: Albano, Mieta, Marco Masini, Michelle Zarillo, Pupo, Matia Bazzar, Riccardo Fogli, Iva Zanicchi etj. Hyrja ka qenë e lirë, duke u dhënë mundësinë të gjithë të ishin pjesëmarrës të këtij eventi të jashtëzakonshëm.
Përveç se interpretuan, artistët italianë janë shprehur në skenë, me superlativa për qytetin e Vlorës dhe mikpritjen, duke thënë se do të donin të riktheheshin, madje disa prej tyre vinin për të disatën herë. Në shesh ka ndjekur aktivitetin edhe një komunitet i madh shtetasish italianë.
Koncerti “Sanremo-Vlorë, vajtje-ardhje” u organizua me iniciativën e Sinan Idrizit dhe gjeti mbështetje nga Konsullata Italiane dhe Bashkia Vlorë. / atsh / KultPlus.com
Artisti latin me renome ndërkombëtare, Ricky Martin prej disa ditësh po qëndron në Shqipëri.
Këngëtari sonte (e enjte) do të mbaj koncertin madhështor në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë por para kësaj ai ka vizituar edhe qytetin bregdetar të Durrësit, nga ku edhe postoi imazhe për fansat e tij.
Përveç tjerash, 51-vjeçari ka mbetur i mahnitur nga mikpritja e popullit shqiptar, për të cilën është shprehur para miliona ndjekësve në Instagram.
Ai ka publikuar një informacion në të cilën përshkruhej mikpritja si një prej karakteristikave të popullin shqiptar, një gjë të cilën e ka konfirmuar edhe vet autori i “Livin’ La Vida Loca”.
FOTO: RICKY MARTIN / INSTAGRAM
“Shqiptarët janë jashtëzakonisht mikpritës, fakte”, ka shkruar Martin në postim.
Ndërkohë, me të arritur në aeroportin e Tiranës, ai tha se është i lumtur për koncertin që do të mbaj për shqiptarët dhe ftoi që të gjithë të bëhen pjesë e tij. / KultPlus.com
Në skenën e muzikës klasike, një emër që po shkëlqen çdo ditë e më shumë është ai i sopranos Adelina Paloja. Kjo artiste e mrekullueshme ka arritur të krijojë një ndikim të vërtetë në audiencë me zërin e saj të butë, të pastër dhe emocionues. Talenti i saj kësaj radhe po e dërgon për interpretim në dy vende të shquara – në Vatikan dhe Pantheon, në monumentin antik kult të Romës, shkruan KultPlus.
Si një soprano e njohur në skenën shqiptare, Adelina Paloja është një shembull i rrallë i pasionit, talentit dhe përkushtimit për muzikën. Zëri i saj që ngjall magji është i pajtueshëm me zërin e engjëjve, dhe ajo ka arritur të përcjellë emocionet më të thella nëpërmjet interpretimit të saj të mrekullueshëm.
Tashmë, një sukses i ri po shënohet në karrierën e artistes. Si rrjedhojë e interpretimit të saj në celebrimin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me meshën “JOSEPH VELLA, MESSA PER LA PACE KOSOVA HYLAND PEACE MASS” erdhi edhe bashkëpunimi në Romë – Itali me ftesë të vet Hyland pasi dëgjoi interpretimin e Meshës nga sopranoja kosovare.
Përveç interpretimit në Vatikan, Paloja do të performojë edhe në monumentin antik kult të Romës, duke u vendosur mes thellësive të historisë dhe mrekullive të artit të lashtë. Në këtë ambient të veçantë, zëri i saj do të përjetësohet në një bashkëpunim të pazakontë mes kohës së sotme dhe të kaluarës së largët.
“Është absolutisht një ëndërr që të jetësohet interpretimi në vendin më prestigjioz në Itali dhe botë, më saktë në Vatikan dhe në Pantheon – Romë, dy vendet me histori të jashtëzakonshme dhe të një rëndësie të veçantë për botën! Mund të them që nuk kishte si të kurorëzohej më mirë kalendari artistik”, shprehet Paloja për KultPlus.
Sopranoja gjithashtu ka thënë se ky interpretim do i dedikohet imazhit të Kosovës në Vatikan, Romë dhe në botë andaj edhe do jetë i mbështetur nga “Albanian Diaspora Business Network”.
Në këtë paraqitje, Adelina do të interpretoj edhe premierën e veprës “Kosova Hope” të Hajrullah Sylës.
Koncerti do dirigjohet nga Michele Manganelli, soliste vokal, në organo Roberto Marini si dhe International Opera Choir shoqëruar nga Orkestra “Orchestra Sinfonica Romana” Direttore Michele Manganelli.
Përtej pjesës artistike, Adelina ka shpalosur për KultPlus edhe peshën që bart ky koncert.
“Përgjegjësia është edhe më me peshë pasi në Pantheon do jem artistja e parë shqiptare në histori që do interpretoj. Pantheon në Romë si një destinacion për çdokënd jo vetëm për turistët dhe regjisorët por edhe për arkitektët, dizajnerët dhe artistët nga e gjithë bota është pasuri dhe i mbrojtur. Legjendat thonë se ishte pikërisht vendi ku themeluesi i Romës, Romulus, u ngjit në parajsë ku edhe sot mbetet akoma i hapur për të gjithë si objekti më i vjetër në botë që është ende i hapur përgjatë ditëve të sotme”, tregon artistja.
Shekuj më vonë, arkitektët neoklasikë do t’i referoheshin kombinimit të portikut dhe kupolës së Panteonit për të mbushur ndërtesat e tyre me të njëjtat vlera, nga Kapitoli i SHBA-së në Uashington, DC., deri te Somerset House në Londër, ku në plan është që edhe ky koncert të shfaqet në USA dhe në Britani të Madhe.
“Jam e bindur që do mirëpritet kjo premierë e veprës në Itali, me prezencë të aktereve kyç nga jeta kulturore, diplomatike, politike dhe religjioze duke përfshirë prezencën e Kardinalit të Romës dhe kardinalëve të tjerë të Italisë, përfaqësuesve nga Shtetet e ndryshme etj.”
Ky vit ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm për Palojën e cila tash po i shijon frytet e karrierës mbi 27 vjeçare.
Prezantimet e sopranos kosovare në Itali, Milano me Orkestra Simfonike në Teatro, Koncerti dedikuar 100 Vjetorit jubilar të dives Maria Callas, koncertimet në Zagreb, Kroaci dhe në rajon e Evropë, janë vlerësuar lartë nga kritika dhe të pranishmit. Por puna për të vazhdon me projekte të reja, me angazhim të përditshëm në kontroll rigoroz të teknikës së të kënduarit e me detaje të stërholluara muzikaliteti e studimi të literaturës nga opusi i kompozitorëve për të qenë gjithherë në formë optimale që ti dhurojë audiencës interpretime të nivelit të lartë. / KultPlus.com
Me mbrëmjen e solistëve është shënuar edhe koncerti i parafundit i festivalit Chopin Piano Fest Prishtina. Risia e mbrëmjes ishte performanca me fizarmonikë e cila dha tinguj të padëgjuar deri më tani në festival, pasi interpretimi me këtë instrument në vendin tonë është mjaft i rrallë, shkruan KultPlus.
Si zakonisht hapjen e koncertit e bëri drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha, e cila u uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe e informoi publikun për pikat të cilat do të interpretoheshin.
Më pas, me tinguj muzikor, hapjen e festivalit e bëri fizarmonicisti Shkumbin Miftari i cili interpretoi veprat Gernika të Gorka Hermosa-s, Tango të Astor Piazzolla-s dhe Dark Eyes- Charles Magnate, i cili publikut në sallë u dhuroi tinguj të lartë duke u pasuar me pauza, tinguj të ulët, e herë ritme konstante shumë të bukura për veshët e dëgjuesve.
Pika pasuese e mbrëmjes u prezantua nga pianistja Njomza Xhaferi me veprat M. Ravel- Gaspard de la nuit: Ondine, F Chopin-Andante Spianato et Grande Polonaise Brilliante op.22. Kjo pikë interpretuese filloi me tinguj të qetë të cilët krijoheshin vetëm me dorën e majtë të pianistes. Tingujt u duk sikur u kompletuan kur në lojë u kyç edhe dora tjetër e pianistes Xhaferi.
Ndërsa të tretët në radhë të performancës ishin flautistja Nina Shala dhe pianistja Lirika Pula Kasapolli me veprat e Alfred Casella- Barcarolla et Scherzo dhe Gaubert: Madrigale dhe Sicilienne. Pianoja në këtë rast kishte rolin më shumë të shoqëruesit. Ishte flauti ai i cili e kishte barrën kryesore që e bënte veprën të kishte peshë. Tingujt e lehtë që dhuronte flauti në prapavijë me disa lule të bukura të skenës, krijonin imazhe mendore të një parku mbretëror.
Pas këtij interpretimi pikën e fundit para publikut e dhuruan Njomza Kastrato dhe Dite Hysaj me Piano Duo të cilat interpretuan pikat e M.Raavel-Ma mére I’Oye dhe A.Piazzola- The Fo të dyja njëkohësisht në një piano. Kjo pikë ishte mjaftë e veçantë pasi në piano interpretonin katër duar me një harmoni të shkëlqyer.
Pas përfundimit të pikës interpretuese të gjithë artistët dolën në skenë dhe e përshëndetën publikun në sallë me përulje, e të cilët gjatë gjithë kohës duartrokisnin.
Pas koncertit pianistja Lirika Pula-Kasapolli për KultPlus ka thënë se për të ishte kënaqësi interpretimi në festival, pasi Chopin Piano Fest është një prej festivaleve më dinjitoze.
“Ishte një kënaqësi shumë e madhe për të luajtur para publikut të Chopin Piano Fest, një prej festivaleve më dinjitoze, i cili është i organizuar në mënyrën më të mirë. Ne ishim me fat që u ftuam për të performuar në këtë mbrëmje”, ka thënë Kasapolli.
Ndërsa pianistja Njomza Kastrati, gjithashtu ka falënderuar drejtoreshën Lejla Pula për ftesën për pjesëmarrje në festival i cili i kishte lënë shumë mbresa.
“Është shumë ndjenjë e mirë. Është hera e parë për mua që kam luajtur në Chopin Piano Fest. E falënderoj profesoreshën Lejla, e cila na ka ftuar dhe me këtë jemi shumë të kënaqura. Është ambient i ngrohtë dhe është shumë interesant.
Ajo më tutje e shpjegoi edhe teknikën e punës me të cilën interpretoi me Piano Duo “Quhet piano me katër duar, dhe ka shumë vepra të shkruara për të. Pjesa e parë ishte nga Raveeli, kurse pjesa e dytë nga Piazzola. Ne me Ditën bëjmë duo që disa vite. Këtë program pothuajse e kemi luajtur edhe me një koncert tjetër. Por, është si teknikë pak e vështirë shkaku i punës dhe angazhimeve tjera në jetën e përditshme. Mirëpo jemi mësuar me njëra tjetrën dhe është impresionuese puna së bashku”, ka thënë Kastrati.
Ndërsa drejtoresha artistike e Festivalit Chopin Piano Fest, Leja Pula, për KultPlus ka thënë se është shumë e lumtur që kanë arritur ta realizojnë një mbrëmje aq të bukur siç ishte Mbrëmja e Solistëve, në të cilën u paraqitën muzikantë të cilët janë duke e ndërtuar karrierën e tyre.
“Më vjen shumë mirë që arritëm ta realizojmë këtë mbrëmje shumë të bukur. Janë solistët shqiptarë që na sollën vepra të ndryshme, me ngjyra të ndryshme dhe të karaktereve të ndryshme. Ishte një atmosferë e mrekullueshme këtu dhe po më vjen mirë që në skenën tonë të Chopin Piano Fest të paraqiten edhe këta muzikantë të cilët po e ndërtojnë karrierën e tyre si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit”, u shpreh drejtoresha Lejla Pula.
Ajo më tutje bëri të ditur se fizarmonika ishte risia e mbrëmjes, dhe ndihej shumë e lumtur pasi kishin arritur që skenës në Prishtinë t’i sillnin një instrumentist i cili ka arritur suksese të mëdha në skenat ndërkombëtare.
“Fizarmonika është vërtetë një instrument i cili nuk dëgjohet shumë shpesh në skenën tonë. Është një artist i mrekullueshëm i cili ka studiuar në Tiranë dhe i cili ka mbërritur suksese shumë të mëdha në garat ndërkombëtare, dhe jemi shumë të lumtur që si organizatorë kishim rast që ta prezantojmë atë në skenën tonë”, ka shtuar drejtoresha e festivalit.
Ajo më tutje potencoi dëshirën e saj që Prishtinën ta shndërrojë në një qendër muzikore botërore gjatë festivalit Chopin Piano Fest.
“Unë si drejtoreshë artistike kam dëshirë që Prishtina të shndërrohet në një qendër muzikore botërore gjatë muajit të Festivalit të Chopin. Shpresoj që e kemi arritur këtë synim të cilin e kemi pasur”, ka përfunduar Lejla Pula.
Festivali Chopin Piano Fest, koncertin e radhës dhe të fundit të kësaj maratone të muzikës klasike do ta prezantojë më 9 qershor në të cilin do të performoi pianistja Avery Gagliano, e cila në vitin 2020 ishte fituese e çmimit të parë të Konkursit Ndërkombëtar të Pianos në ShBA. /KultPlus.com
Këngëtari i njohur i muzikës latine Ricky Martin do të performojë për herë të parë në Tiranë. Ylli botëror i cili po zhvillon turin e tij “Ricky Martin Symphonic”, do të ndalojë dhe në vendin tonë.
Lajmin e konfirmoi vetë këngëtari i cili në rrjetet sociale shkroi: “Po!!! Shumë i lumtur të njoftoj se do të jem në Tiranë, Shqipëri më 20 korrik me koncertin tim simfonik dhe Orkestrën Kombëtare të Tiranës. Shpresoj që të gjithë të mund të më bashkoheni në koncertin tim të parë në Shqipëri”.
Përpara koncertit të Ricky Martin, një tjetër këngëtar po aq i njohur dhe i dashur për publikun, do të performojë në Tiranë. Enrique Iglesias do të jetë në sheshin Skënderbej në fund të muajit qershor duke nisur kështu Javën Kulturore Spanjolle.
Lajmin për koncertet e dy prej figurave më të rëndësishme të muzikës latine e dha edhe kryeministri Edi Rama. / KultPlus.com
Chopin PianoFEST Prishtina, sonte udhëton në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, me koncertin e radhës të cilin e zhvillon në bashkëpunim me Filhamoninë e Kosovës, shkruan KultPlus.
Chopin PianoFEST Prishtina këtë vit e ka zgjeruar aktivitetin e saj, ku sivjet për herë të parë, ka dërguar festivalin edhe në Shqipëri, në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Këtë mbrëmje adhuruesit e muzikës klasike mund ta përcjellin edhe mjeshtrin e jashtëzakonshëm nga Mbretëria e Bashkuar, pianistin Peter Donohoe.
Koncerti do të fillojë në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë/ KultPlus.com