Ministri Gashi: Turqia partner i çmuar i Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në një takim Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilicim Kiliç. Gjatë këtij takimi njohës, u bisedua për projektet e përbashkëta në të cilat Kosova e Turqia kanë bashkëpunuar deri më tani, si dhe vazhdimin e mëtejmë të tyre.

Ministri Gashi e falënderoi ambasadoren dhe përmes saj shprehu mirënjohjen për Republikën e Turqisë në përkrahje të Republikës së Kosovës dhe të kontributit të shtetit turk dhënë për Kosovën në përgjithësi, e në veçanti për fushat në të cilat është përgjegjëse MKRS-ja.

Ministri tha së është në gatishmëri dhe shërbim të plotë për thellim të bashkëpunimit dhe realizimit të projekteve konkrete, me theks, në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Turqia ka qenë dhe mbetet partner i çmuar i shtetit të Kosovës, u shpreh ministri.

Ndërkaq ambasadorja turke Kiliç, e uroi ministrin Gashi për detyrën e re dhe e premtoi se bashkëpunimi dhe përkrahja ndaj MKRS-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Mysafirët e informuan ministrin për projektet që janë realizuar deri më tani, sidomos në restaurimin e shumë objekteve të trashëgiminë kulturore, duke u shprehur të hapur për mbështetje të mëtejme si në trashëgimi, por edhe në kulturë, rini e sport.

Ajo theksoi se Turqia e Kosova do të vazhdojnë të jenë përkrah njëra-tjetrës edhe në të ardhmen dhe rikonfirmoi se mbështetja e Ambasadës në projekte të ndryshme do të vazhdojë dhe bashkëpunimi do të thellohet edhe më tej./ KultPlus.com

‘Evropë qite n’Veti’ publikohet në YouTube (VIDEO)

‘Evropë qite n’Veti’, është Stand Up Comedy, e cila është realizuar gjatë vitit 2017-të, me aktorët Kushtrim Qerimi, Avni Shkodra dhe Ernest Zymberi. Kjo Stand Up Comedy, premierën a ka pasur në Teatrin e Gjilanit, ndërsa ka udhëtuar edhe nëpër teatrot e tjera shqiptare. Ndërsa tash ajo është publikuar edhe në YouTube nga aktori Avni Shkdora, shkruan KultPlus.

Përmes kësaj Stand Up Comedy, trajtohen disa tema aktuale në vendin tonë si: raporti i Shqiptarëve me Evropën: për politikë, punë, çaja, teknologji, dasma, viza, sehire (magji), miza, monedha, etj, duke përfshirë edhe ngjarjet të cilan mund të kenë ndodhur së fundmi.

Ky projekt është përkrahur nga Ministria e Integrimit Evropian./ KultPlus.com

Rita Ora zë vendin e katërt në iTunes

Superylli shqiptar, Rita Ora, po shijon shumë suksesin e saj së fundmi me Avicii.

Projekti i saj me producentin dhe deejayn e njohur ndërkombëtar ka arritur që të rrëmbejë vëmendjen e publikut dhe është bërë mjaft i pëlqyer.

Ajo ka zënë vendin e katërt në iTunes.

Ky sukses nuk ka mundur të kalojë me këngëtaren pa u gëzuar. Ajo në InstaStory ka publikuar një foto nga iTunes dhe momenti i gëzimit të saj./ KultPlus.com

Uta në majën Manasolus vendos flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës

Alpinistja shqiptare Uta Ibrahimi dje, në të gdhirë, me orën lokale të Nepalit, është ngjitë në majën e Manasolus, 8160 m e lartë, shkruan KultPlus. Pikërisht kjo ngjitje ia ka siguruar Utës një tjetër sukses i cili do të mbetet në histori.

Kësisoj sot nëpërmjet rrjetit social Facebook, Uta, ka publikuar fotografinë nga maja Manasolus, aty ku edhe ka ngritur flamurin kombëtar dhe atë të Kosovës. Edhe pse, në një lartësi shumë të madhe e me shumë pak oksigjen Uta Ibrahimi ka thënë se, zemra i rrah nga emocionet e forta, pasi që, në xhep ka dy flamujt njërin me të cilin Uta është rrit e tjetri që po mësohet me e dashtë e me mbajt pas vetës.

Po sjellim shkrimin e plotë bashkë me fotografi nga Uta Ibrahimi:

“Urime Kosovë e Shqipëri ngjitja në Manaslu 8163m.
Edhe pse në këtë copë të vogël të akullit e borës e gurëve, 8 mij e 163 metra nalt prej lartësisësë detit, ku sasia e oksigjenit asht dikun 35a% … e të dridhen komt pak pi tute e lodhje … e zemra t’rreh edhe ma fort pi gzimit e emocioneve të forta .. kur në njërin prej 2 xhepave te vetme që i ke leht me ju qas, eh atë të majtin e ruan për 2 flamujt e mi, … me njanin që u rrita e tjetrin që po mësohna me e dasht, do ti mbaj me vete ne secilën Çati të Botës, tash e 7 vitet e ardhshme.
25 Tetor 2017, në ora 05.00 unë u ngjita në njërën prej tyne … pas Everestit me të lartës në botë, vitin 2017 e mshela me Manaslu 8163, si e teta më e larta prej 14 në total dhe si maja më e bukur dhe sfiduese për këtë vit.
Manaslu8163, ti boj hallall 3 kg që ti lash edhe plot njers e lodhje të pafundme …. veq për shkak të bukurisë që ma ki edhe dashnisë që ma ki dhan …
Dashni
Uta
Falemderoj Shoqaten Dajti dhe Pashtriku, anetare krenare e se cilave jam, falemderoj Komunë e Gjilanit, Frutomania, Birra Puka dhe Familja Begeja, Butterfly Outdoor Adventure per perkrahjen financiare në këtë ekspeditë”, ka shkruar Uta./ KultPlus.com

Kosova në vitin 1930 (FOTO)

Këto fotografi të rralla janë realizuar nga studiuesi amerikan Blanche Payne në vitin 1930.

Ai kishte vizituar Kosovën për qëllim studimi duke realizuar një set të rrallë të fotove nëpër disa qytet të Kosovës.

Fotografitë janë publikuar nga Libraria e Universitetit të Uashingtonit, transmeton Shekulli shënimin e fmimages.net./ KultPlus.com

Kadri Veseli nuk e di titullin e librit të fundit që ka lexuar, por vetëm temën (VIDEO)

Kryetari i PDK-së dhe kryetari i kuvendit Kadri Veseli, gjatë fushatës nëpër qytetin e Pejës me kandidaten e PDK-së për Pejën, Sabihe Shala, ka takuar qytetarë e sipërmarrës pejanë.

Një ndalesë, ai e ka bërë edhe në një librari. Por kjo ndalesë i ka kushtuar atij me pranimin e pyetjes prej gazetarëve se çfarë librash lexon.

Megjithëse është zënë pak ngushtë, ai ka dhënë një përgjigje dhe ai nuk ka qenë në gjendje që të tregoj se cili është titulli i librit të fundit që ka lexuar. Në vend të saj ka treguar se për çka flasin librat që i ka lexuar.

“Po lexoj libra veç…. qysh me zhvillu ekonominë”, ka thënë Veseli./ KultPlus.com

71 vulat, dëshmi e momenteve kyçe të historisë së shqiptarëve

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Muzeu Historik Kombëtar çelën dje ekspozitën “Vula të institucioneve të Shtetit Shqiptar”, e cila do të zgjasë deri më datën 6 tetor.

Në këtë ekspozitë u prezantuan 71 vula pjesë e Fondit “Koleksion Vulash” (nr.776).

Të gjitha vulat kanë qenë funksionale në kohën e tyre, ndërsa sot ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror.

Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin Drejtori i përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido dhe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi.

Bido falënderoi Muzeun Historik Kombëtar për gatishmërinë në bashkëpunimin e vazhdueshëm midis dy institucioneve që ka të bëj me ekspozimin e një vlere që deri diku ka qenë e fshehur në Arkivin Qendror Shtetëror.

Ai tha se Arkivi Qendror Shtetëror është një institucion që bazohet te letra.

“Objektet muzeale për disa arsye janë përfshirë në Arkivin Qendror Shtetëror prej fillesave të veta dhe këto objekte muzeale deri diku kanë qenë të mbyllura larg vëmendjes, larg mundësisë së qytetarëve, larg studiuesve të të gjithë individëve të interesuar për ti parë. Nëpërmjet kësaj marrëveshje që neve do të nënshkruajmë, ne po bëjmë të mundur që të gjitha objektet muzeale të cilat gjenden në Arkivin Qendror Shtetëror të mund të ekspozohen, të shihen nga të interesuarit në mënyrë që ato të mos jenë më të fshehura në vendruajtjen e Arkivit Qendror Shtetëror”, deklaroi Bido.

Më tej, ai shtoi se “vendosëm që ekspozita e parë e këtij lloji ka të bëj me vulat e administratës shtetërore pikërisht sepse ky është një fond i cili nuk do të gjenerohet më”. “Legjislacioni ka ndryshuar prej viteve 70, dhe vulat nuk ekzistojnë më. Vulat në fund të përdorimit të tyre asgjësohen për institucionet kështu që gjithë këto vula para viteve 70 janë shenja e vetme e memories e administratës shtetërore që ne do të mund ti trashëgojmë brezave në vijim”, tha Bido.

Nga ana e tij, drejtori i Muzeut Historik, falënderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për këtë bashkëpunim që do të shkoj dhe në vazhdimësi me aktivitete të tjera në të ardhmen.

“Këto dy institucione janë institucionet më kryesore bazë të memories institucionale të shqiptarëve dhe si memorie institucionale të tyre do të kenë në fokusin e vazhdueshëm organizimin e ekspozitave apo dhe konferencave të përbashkëta”, tha ai.

Sipas tij, ekspozita e sotme merr një rëndësi të veçantë në kuadër të asaj që quhet historia institucionale e Shtetit Shqiptar.

“Këto janë vula që tregojnë momente kyçe të historisë së shqiptarëve, të shoqatave patriotike të shqiptarëve, të qyteteve të ndryshme të cilat ndodhen në Shqipëri dhe jashtë territoreve të Shqipërisë”, tha Koçi./ KultPlus.com

Letrat e dashurisë së Oskar Wilde

Historitë e dashurive nuk janë asnjëherë të lehta, aq më tepër të atyre që janë të të njëjtit seks. Një ndër personazhet që e ka vuajtur më shumë persekutimin për shkak të prirjeve të tij dashurore është Oskar Wilde, i cili u burgos disa herë për homoseksualizmin e tij.

Por pavarësisht vuajtjeve, historitë e tij të dashurisë janë ndër më të bukurat. Në qershor të vitit 1891, ai u takua me Lord Alfred “Bosie” Douglas, poet i ri 21 vjeçar që studionte në Oksford, që do të kthehej më pas në muzën e Wilde për të shkruar “Portretin e DorianGrayt”. Gjatë kohës që jetuan së bashku, Oskar shkroi veprat themeltare të krijimtarisë së tij. Janë pafund letrat e dashurisë që ata i dërgonin njëri tjetrit, duke u konsideruar si ndër letrat më të ndjera në historinë e çifteve e njohura të artit.

Një letër e shkruar një ditë të ftohtë nëntori, Oksford 1892 nga Wilde:

I dashur Bosie … Do doja shumë të shkoja diku me ty larg, aty ku është ngrohtë e plot ngjyra…

Disa javë më vonë, në janar 1893 Wilde shkruan:

Djaloshi im,
Soneti që më dërgove ishte i bukur, gati një mrekulli sesi buzët e kuqe të gjetheve të trëndafilave, mund të çojnë në çmendinë e muzikës dhe të puthjes. Shpirti yt i hollë i mbështjellë nga pasioni ecën lehtë drejt poezisë. Pse jeni vetëm në Londër dhe kur do të shkosh në Salibury? Apo do të ftohësh duart në muzg…Këtu është një vend i bukur, por më mungon ti…

Me një dashuri të pavdekshme, i joti Oscar

Në fillim të marsit 1893, Wilde shkruan një letër ku ndjehet padurimi i dashurisë
I dashuri i të gjithë djemve! Letrat jote ishte e këndshme. Verë e kuqe dhe e bardhë për mua…Por jam i trishtuar. Nuk duhet të bësh skena me mua, ato më trishtojnë, më rrënojnë. Unë ju shoh si një krijesë që ke dalë nga antikiteti grek, dhe s’mund t’ju shoh të shtrembëruar nga pasioni. S’mund ti dëgjoj buzët e tua të buta të thonë gjëra të këqija për mua. Mos e thyej zemrën time. Ndjej se duhet të shoh sa më shpejt. Do të vij në Salisbury. Nuk e di si do t’ja bëj. Je diçka hyjnore për mua. Këtu ku jam ka shumë vështirësi. Fatura ime shkon £ 49 për një javë! Tashmë jam ulur në një stol pranë Thames – por ju, nuk jeni këtu i dashuri im, djali im i mrekullueshëm…

Gjithmonë yti
Oscar

Dashuria e tyre nuk ishte e lehtë dhe për shkak të kushteve ekonomike. Në një letër të dhjetorit të vitit 1893 Wilde i shkruan:

Djali im i dashur,

Faleminderit për letrën tuaj. Jam i mbingarkuar nga presionet e kreditorëve aq sa duket se jam buzë greminës por ndjehem i lumtur që jemi sërish miq, dhe se dashuria jonë ka mundur të sfidojë hijen për të mbetur mes dritës, ashtu si një trëndafil i vjetër. Le të jemi gjithmonë të dashur për njëri-tjetrin, siç kemi qenë gjithmonë.

Mendoj për ty çdo ditë e më shumë…

Oskar

Në qershor të atij viti Wilde shkruan:

I dashuri im i shtrenjtë!

Shpresoj që cigaret të kenë ardhur të gjitha. Drekova sot me Gladys de Grey, dhe dy të tjerë këtu. Ata më ftuan të shkoj në Paris me ta të mërkurën, por ti e di nuk kam shumë para të udhëtoj. Më ka marrë malli dhe dua të shoh. Është absurde por nuk mund të jetoj pa ty. Ti je shumë i dashur, i mrekullueshëm…Mendoj për ty gjithë ditën, më mungon lëkura jote, duket sikur lëviz duart në ajër dhe të ndjej…E di që nuk më beson, por në janar të premtoj do ikim bashkë larg, në një udhëtim të gjatë, ku duart e tua të jenë gjithë kohën pranë meje. Do jetë një kohë e bukur djalosh, aq sa do të duam të mos mbarojë. Të dy e meritojmë këtë arratisje.

Më shkruaj, ma ndrysho këtë vetmi

I joti përgjithmonë, Oskar.

ShKA Agimi do që ndërtesa dhe veprimtaria e saj të mbrohet me ligj

Dje në Ministrinë e Kulturës u dorëzua propozimi për shpalljen e ndërtesës dhe veprimtarisë së ShKA Agimit asete të mbrojtura të trashëgimisë kulturore.

Në propozimin që është bashkëngjitur me njoftimin për mediat, argumentohet se “ShKA Agimi (ndërtesa dhe veprimtaria) përfaqëson këto vlera të trashëgimisë kulturore: historike, shoqërore, identiteti dhe shpirtërore, ndërsa sugjerohet mbrojtje në dy nivele (kategori), si trashëgimi arkitekturale (ndërtesa) dhe trashëgimi shpirtërore (veprimtaria)”.

“Me këtë propozim, për herë të parë në Kosovë një shoqëri kulturore artistike do të fitojë statusin e mbrojtjes ligjore dhe zyrtarisht do të klasifikohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit. Në të njëjtën kohë, me këtë veprim do të pengohet çfarëdo tentative tjetër për të dëmtuar dhe keqpërdorur me ndërtesën e ShKA Agimit, e cila përveç që është pasuri e përbashkët, në të njëjtën kohë është edhe simbol i rezistencës shoqërore dhe politike e periudhave më të vështira të vendit tonë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Në Suedi të gjithë i bien një instrumenti

E marrë nga Entela Tabaku Sorman

Në Suedi të gjithë i bien një instrumenti. Në njëzet vjet nuk e kam taku një suedez, fëmijë, të ri, të rritur a plak, që nuk i bie një instrumenti a nuk këndon në një kor. Ose që nuk e ka provu me i ra një instrumenti në një periudhë të jetës së vet. Me nota a pa nota, lodrës a pianos, fyellit a violonçelit, i mbyllur në dhomë, në skenën e shkollës, në kafenenë e lagjes a në shtëpinë e koncerteve. Marrja me muzikë është një mënyrë të jetuari, mosmarrja shenjon diçka jo të zakonshme. Lehtësia me të cilën mund të sigurohet një instrument, lehtëson dhe frymëzon marrjen me muzikë. Pianon time të thjeshtë unë e gjeta falas, mjaftonte të paguaja transportin dhe e mësova për një javë. E megjithatë, në njëzet vjet, nuk e kam taku kurrë, as lexu kund, një muzikant artist të vërtetë, klasik a modern, që jep alarmin se të gjithë po merren me muzikë, muzikën e mori lumi, nuk po e kupton kush muzikën e mirë, sepse të gjithë po i bien qemanes dhe mendojnë se bëjnë muzikë të mirë. Muzikanti që bën art të vërtetë e di se arti nuk është unik, vetëm pse je e vetmja/i vetmi që ka mundësi ta ”prodhojë” atë art. Njeriu, nga natyra ose sepse është pasqyrim i Zotit, është i prirur me kriju. Dhe kënaqësia e krijimit, në të gjitha nivelet, është ndër kënaqësitë më të mëdha intelektuale. Njeriu ka me kriju, sapo t’i jepet mundësia me kriju. Unikaliteti i artit nuk qëndron tek krijimi, por tek aftësia me prekë të tjerët, talenti me gjetë shtigje që të çojnë direkt në shpirtin e kundruesit. Arti i vërtetë shkon përtej krijimit të krijuesit dhe krijon NË kundruesin (a dëgjuesin, a lexuesin). Ky është misteri i artit të mirë. Dhe sa më i mirë, aq më i qëndrueshëm efekti dhe ndikimi. Dhe sa më i qëndrueshëm në kohë ky efekt, aq më i mirë arti. Ka artistë mandej që shkojnë para kohës, kundruesit e të cilëve nuk kanë lindur ende, por vjen një ditë dhe edhe ata i takojnë shpirtrat e vet. Ka arte mandej që krijohen në nivele elitare, aty ku nuk lejohen të gjithë kundruesit, të tjera që e përkundin kundruesin në jetën e përditshme. Por të gjitha kanë vlerën e vet, në atë nivel në të cilin janë. Dhe nëse të gjithë i bien kitarrës, ai/ajo që ka talent të vërtetë, do ta gjejë thirrjen e vet. Dhe arti i vërtetë nuk i druhet krijimit. Sepse arti i vërtetë nuk është vetëm krijim, është fryma e shenjtë që lind për veten e vet por jeton për veten e kundruesit. Dhe nuk vdes me krijuesin, lind me krijuesin por vdes me kundruesin.

“Borders Without Borders” e Alban Mujës, këtë javë prezantohet në Slloveni

Artisti kosovar Alban Muja çon inspirimin e tij artistik në Slloveni.

Nga data 28 shtator, Muja do të jetë pjesë e ekspozitës “Utopia/Dystopia – Architecture, City, Territory” e cila do të hapet në Ljublanë, në Mestna galerija Ljubljana.

Muja për KultPlus ka treguar se puna e tij më e re, “Borders Without Borders”, do të jetë pasaporta e tij artistike e prezantuar në ekspozitë.

“Borders Without Borders” është ende projekt në proces, që ka filluar vitin e kaluar dhe ende nuk ka mbaruar. Projekti përbëhet nga 12 fotografi të objekteve kufitare të zonës Schengen. Sot, këto ndërtesa kanë mbetur “të braktisura”, ngjashëm me mënyrën se si ndarjet kufitare ndër shtetet e BE-së kanë vepruar që të ekzistojnë. Megjithatë, duke vazhduar me praninë fizike, duke na kujtuar për një ndarje të kaluar që nuk ekziston më, këto ndërtesa gjithashtu ngrenë pyetje se çfarë funksioni tjetër mund të kenë ose të luajnë në të ardhmen.

Vetë artisti vjen nga një vend, ku ende ekzistojnë ndërtesat funksionale të kufirit dhe liria e lëvizjes është e kufizuar. Artisti ka zgjedhur të fotografojë ndërtesat e braktisura të kufirit, në shtetet anëtare të BE –së dhe të nxisë pyetje rreth vërtetësisë së ekzistencës ose mos ekzistimit të kufijve midis këtyre shteteve.

Vahram Aghasyan, Ovidiu Anton, Dušica Dražić, Thibaut Espiau, Anna Friz, Anne Harild, Minna Henriksson, Kud Obrat (Stefan Doepner, Urška Jurman, Polonca Lovšin, Apolonija Šušteršič), Tanja Lažetić, Ivan Moudov, Géraldine Py & Roberto Verde, Maruša Sagadin, Miha Štrukelj, Efrat Vital dhe Matej Andraž Vogrinčič janë artistët tjerë që do të zbarkojnë në hapësirën ekspozuese për të plotësuar ekspozitën.

“Utopia/Dystopia – Architecture, City, Territory” do të ekspozojë punën e artistëve e cila lidhet me arkitekturën urbane, që nisë me hulumtimet e proceseve ndërtimore, strukturat arkitektonike, lidhja mes njeriut dhe arkitekturës dhe hapësira si fenomen. Disa artistë merren me fuqinë – si në aspektin e krijimit të ligjeve, e të tjerë në ekspozitë ‘festojnë’ një kontinent pa monumente dhe kontroll kufitare.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 12 nëntor. Artistët në ekspozitë kanë qenë fituesit e programit Artist in Residence në CC Tobacna ndër vite. / KultPlus.com

“Dua të qaj për ato herë që nuk kam qarë”

Juliana Londoño

Dua ta vras frikën se do të më thyejnë, se do të shprishem, se do të më copëtojnë. Dhe, në fakt, të shqyhem brenda, sikur të mos ekzistonte ndonjë mënyrë tjetër për të mbijetuar e ringjallur, sikur të bëhej fjalë për vetëm një rrugë dhe një fat unik.

Të ndjej që ditët peshojnë, që dhimbja është diçka që lejohet, që lotët e mi mbajnë mbi vete rërën e krejt deteve, që sytë e mi nuk mbyllen veç natën dhe që dhoma ime nuk është më hapësira ku kërkoj qetësi.

Të ndjej sikur diçka vjen e më godet pa pyetur, dhe më pas, të ndjej se nuk kam ndjerë asgjë. Të shoh në pasqyrë çdo varrë të dashurive të mia, ti përkëdhel ato, të shoh se asnjëra nuk dhemb por secila është e mërzitshme. Dua ti bëj copa copa secilën, dua ta vë një lëkurë të re dhe ta çmoj dritën që ajo përçon. Ta rris zërin e “Rasguna las piedras” nga Sui Generis, që nostalgjia t`më bëhet shoqe e protagonist, e më pas të dëgjoj një nga ato këngë që tregon se si melankolia nënkupton ngjyrë të hareshme.

Dhe dua të qaj, sepse nuk duhet të kesh arsye për të qarë. Sepse as nuk duhet buzëqeshur gjithmonë. Sepse ka kohë që lotët nuk dalin dhe është e ndaluar të harrosh të qash. Dua të qaj për secilën herë që nuk kam qarë, e nuk më kanë obliguar. Ta çliroj tërë dhimbjen si ujë i pastër, që të largohet pa e ndalë askush. Dua ta shikoj veten në reflektimin e pasqyrës, ta pyes veten pse po qaj e të mos kem arsye. As edhe një të vetme. Dua të filloj të buzëqesh, dhe ngadalë dua gjithçka të jetë me zë të lartë.

Dua të rrotullohem në shtrat, me gojën e hapur, me sytë e hapur, ta dëgjoj secilën zhurmë të sirenave. Të mendoj se nuk di ta dalloj policinë nga ndihma e shpejtë dhe të mendoj se cila është më pak e tmerrshme. Dua të mendoj se po e humbas kohën, se të mendosh kaq shumë banalitete është e dëmshme për suksesin tim, një orë pasi kam këtë pozicion të trupit e mendjes. Ka kohë për gjithcka, se ndjenja e fajit i takon veç vrasësve, se është mirë që jam kësisoj, duke mbledhur mendime të padobishme.

Dua të zgjohem në këtë pozicion. Të vërej që kam fjetur, që nuk kam harxhuar kohë por kam humbur kohë. Të ndalem si një pranverë, ta bëj një listë të “gjëra të rëndësishme për ta ndryshuar ritmin e jetës sime”, ti kem zili ata që janë atje ku doja të isha unë – ta largoj këtë ndjenjë, sepse kështu më kanë edukuar qysh fëmijë.
Dhe në fund i bie që është mirë të kesh ndjenja sepse njeriu duhet të ketë ndjenja, sepse duhet të ndjesh, sepse kam ndjerë. Por gjithashtu, e tëra që është e keqe të ndjehet, e kam ndjerë. Sepse rezulton e thjeshtë, njeriu është mjaftueshëm njeri, shumë e kundërshtimeve. / Përktheu: Arbër Selmani / KultPlus.com

Katër fotografi të Muharrem Qenës, katër momente të dokumentuara të njeriut plot shpirt

Sot shënohen 11-të vite nga vdekja e Muharrem Qenës.

Një këngëtar, regjisor, shkrimtar e aktor, Qena la pas vetes një numër të madh të këngëve të cilat sot gjeneratat e ndryshme i dëgjojnë dhe i kultivojnë.


Saktësisht para 1 viti, Rebeka Qena – një prej vajzave të Muharrem Qenës, në një kërkesë të KultPlusit na dërgoi këto katër fotografi të Muharremit në etapa të ndryshme të jetës së tij.

Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoi shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Qena ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale.

Kënga “Kaqurrelja” është kënduar për herë të parë nga Muharrem Qena dhe më vonë (80-ta) janë krijuar versione tjera të saj.


“The Zookeeper’s wife”, filmi ku luan Val Maloku prezantohet në Tiranë (VIDEO)

Ambasada e Polonisë dhe ajo e Izraelit janë nikoqirë të kësaj ngjarje, ku filmi me regji të Nik Caro sjell një rrëfim prekës, në të cilin luan edhe aktori kosovar Val Maloku,shkruan KultPlus.

Filmi “The Zookeeper’s wife”, që është i bazuar në ngjarje të vërtetë,ku një familje polake shpëton hebrenjtë duke i fshehur në kopshin zoologjik, po vjen edhe për audiencën e Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Edhe përkundër faktit se në këtë film luan aktori kosovar Val Maloku, që luan një rol mjaftë të rëndësishëm, atë të djaloshit të zonjës së shtëpisë, familje rreth të cilës edhe zhvillohet ngjarja, në Kosovë ky film ende nuk është prezantuar, por tashmë Tirana ka bërë një termin për prezantimin e këtij filmi, që ka arkëtuar tashmë dhjetëra miliona dollarë.

Ambasada polake dhe Ambasada izraelite sjellin në Akademinë Marubi filmin “The Zookeeper’s wife”, dramë kjo me regji të Nik Caro. Filmi do të jepet më 28 shtator, në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi, prej orës 19:30./KultPlus.com

“In memoriam – At Zef Pllumi”, mblodhi akademikë, shkrimtarë e studiues në Tiranë

Ekspozita kushtuar memuaristikës shqipe, si një rrugëtim i vetëdijes së dëshmimit historik e personal në kulturën shqiptare, kulmon me veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”, shkruan KultPlus.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në vijim të aktiviteteve me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të një nga figurave më të shquara të kulturës shqiptare, At Zef Pllumi, hapi të hënën, ekspozitën “In memoriam – At Zef Pllumi”, me pjesëmarrjen e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi, akademikë, shkrimtarë, përkthyes, studiues, nxënës të shkollës 9-vjeçare “At Zef Pllumi” në Tiranë, etj…, shkruan KultPlus.

Ekspozita kushtuar memuaristikës shqipe, si një rrugëtim i vetëdijes së dëshmimit historik e personal në kulturën shqiptare, kulmon me veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”. Kjo ekspozitë është gjithashtu pjesë e veprimtarive kulturore në vijim të “Viti i kujtesës”, shpallur në muajin janar në BKSH. Aktiviteti vijoi me Forumin “Át Zef Pllumi – dëshmi”, me pjesëmarrjen e Odile Daniel, Sabri Hamiti, Ardian Marashi, Keda Kaceli, Mark Marku, Enriketa Pandelejmoni, Agron Tufa, Pashk Përvathi, Persida Asllani, etj., të cilët ndanë me të pranishmit dëshmi dhe kujtime personale të takimeve me At Zef Pllumin. Gjatë këtij forumi, At Viktor Demaj prezantoi botimin e veprës së plotë të At Zef Pllumit, nga “Botimet françeskane”. Ndër vëllimet e veprës botohen për herë të parë disa shkrime të panjohura të tij./KultPlus.com

Zana Krasniqi, modelja shqiptare që nuk harrohet lehtë (FOTO)

Emri i Zana Krasniqit ende bën jehonë në shtypin shqiptar. Një nga modelet më të bukura në vendin tonë dhe jo vetëm, është larguar prej disa kohësh nga pasarelat. Ajo ka marrë përsipër një mision edhe më të rëndësishëm, atë të mëmësisë.


Edhe pse është shkëputur nga karriera, vazhdon të gëzojë format e një modeleje. Më herët Zana ka premtuar që do t’i rikthehet modelingut. Jemi shumë kuriozë për të parë rikthimin e bujshëm të një prej ikonave tona. Se, Zana e meriton këtë epitet, flasin edhe këto foto të saj.

Kjo dhe e bëri Zanën që të jetë edhe imazh publicitar i jo pak magazinave e po ashtu edhe i disa kompanive ndërkombëtare. / KultPlus.com

Birraria e fshatit

Poezi e shkruar nga Ervin Hatibi.

Ka larë gotat e fundit, pjatat,
pirunjtë, beqarë prej alumini.
Në bërryle si një çetë e menduar
i rrjedhin
flluskat e shkumës me yndyrë.
Sa herë trokëllijnë çelësat në darkë
i duket se kyç qepenin
e birrarisë,
Pjatë që i thyhej shpesh tek e lante
hëna cifloset mbi mal,
Aty flenë barinjtë
dhe delet veshur si barinj.
Ajo fle tani brenda,
tamam brenda piskamës
së çelësit në vrimë,
këtij lakuriqi nate
që po të kishte sy do të qante.
Birraria e fshatit këtë natë, buzë udhës
Me pijanecët që rrëzohen si qeveri.
E mbyllte herët,
Sapo
muzgu, si një seks i vjetëruar, mezi ngrihej nga arat
e mbahej në plepa.
Atëhere fshatarët dy e nga dy
ndanin përgjysmë një birrë
të heshtur apo të mbytur, se flitnin
një gjuhë hundësh, po shqip.
Shatet e turpëruar
rrëzë derës i pritnin si gratë.
Të urrenin, ti veç i kishe bezdi.
Jashtë boria e një makine ngulmonte
si një fyt palloi.
Kur mbyllje qepenin
bandilli i fikte motorët,
Deriçka e pasme e dyqanit çelej si konservë.
Në shtratin e drunjtë mes zahireve,
shisheve të birrës bosh,
arkave me merimanga,
Një llampë e ngordhur si nje vezë llukë
sytë t’i shqepte, edhe ashtu të mbyllur,
po s’qe punë ta fikje,
Ti, grua zonjë, gëzoje mbytur.
Burrat qëllonin përherë me llafe
nga gulçet minjtë trembeshin nën rafte
me ca potere nënujore
Mbi shalet e bardha, faqet plot gjumë të shoferëve.
Mbi to, floku yt me këna.
Bobo, ç’gënjeshtër ishte mëngjesi.
Ai qiell i vranët, si burrë i pafjetur ()

Ti sajoje një ardhje të largët nga shtëpia,
Domethënë,
nga dera e pasme dilje e hapje
birrarinë
e natën prisje, e shkretë, mrekullinë,
neverinë,
me ç’fytyrë vallë do të të fanepsej kësaj here.

Por një ditë aty në banak
erdhën e të morën
të mekur,
në emër të popullit,
në sy të çunave të shkollës fillore
që po kthenin nga mësimi
me xhepat me shkumës
që shkruanin “kurv” tinëz tek muri i birrarisë.
Fshatarët spiunë me triumf prej Edisoni
u turrën kush e kush
ta shihte më parë atë shtrat vogëlan
që e kishin ëndërruar gra e burra
mbuluar me basme të pastër.
Do ta teproj,
po them se dikush liroi poçin e tmerrshëm hajdutçe,
mbase për të ndriçuar dhomën e miqve.
Ndonjëherë kur trokëllojnë çelësat
vërtet i brof zemra të mjerës, sidomos kur erret
i duket se kyç qepenat,
të cilat bëjnë rimë me sutienat,
Që në burg vërtet luks janë,
në burgun e qethur të grave që plaken
brenda kalendaresh vetjake
që përgjaken.

Posteri i kandidatit për Asamble vendoset në ndërtesën e Kino Lumbardhit në Prizren

Sot, zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, janë informuar për vendosjen e një posteri zgjedhor të një kandidati për këshilltar në Asamblenë Komunale të Prizrenit, në ndërtesën e Kino Lumbardhit, objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Në të njëjtën kohë, QRTK është informuar edhe nga media dhe rrjete sociale për një veprim të tillë.

QRTK në Prizren, informon publikun dhe palët tjera, se njëveprim i tillë i pa autorizuar, është në kundërshtim me Ligjin Nr. 02/L – 088 për Trashëgiminë Kulturore respektivisht me nenin6.10, ku shpreshimisht thuhet: Trashëgimia arkitekturale nën mbrojtje shenjёzohet qartë me një shenjë të dukshme. Vendosja e materialeve reklamuese në monumentet arkitekturale, ndërtesa te asambleve ose brenda hapësirave konservuese arkitekturale bëhet me leje të shkruar nga Institucioni kompetent..

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren sot ka reaguar mbi këtë dëmtim të trashëgimisë dhe vetë Qendrës.

“Kërkojmë nga partitë politike në Prizren të kujdesen që fushatën zgjedhore ta zhvillojnë në suaza të ligjeve në fuqi, si dhe kërkojmë të përmbahen ndaj përdorimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për qëllime zgjedhore. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga kandidati apo partia e tij që të largojnë sa më shpejtë këtë poster. Në të kundërtën, ne si QRTK, do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore për ta bërë një gjë të tillë” thuhet mes tjerash në reagim. / KultPlus.com

Një çift puthet në Romë dhe Sislej Xhafa e prezanton punën artistike në Paris (VIDEO)

As ai vetë ndoshta nuk mund të mbajë në kujtesë çdo ekspozitë në të cilën prezantohet së paku një punë e tij artistike.

Sislej Xhafa, kësisoj, një ndër artistët shqiptarë më të pranishëm në skenën botërore të artit, është i pranishëm në ekspozitën e radhës – Continua Spheres Ensemble.

“Skinheads Swimming”, punë e vitit 2002, sjellë një video të një çifti duke u puthur në Fontana Di Trevi në Romë. Videoja e risjellë skenën ku Anita Ekberg lahet në këtë fontanë, në filmin e njohur “La Dolce Vita”. Ekberg dhe Mastroianni zëvendësohen kësisoj me një çift skinheads- zakonisht njerëz që konsiderohen më agresivë dhe me prerje flokësh më të shkurta.

Pamja menjëherë e kundërshton natyrën e këtyre njerëzve, me një çift që bën dashuri plot pasion në fontanën e njohur.

Me këtë punë Xhafa deri më 19 nëntor është pjesë e ekspozitës “Continua Sphères ENSEMBLE”, në Cent Quatre Paris, shkruan KultPlus.

Xhafës në ekspozitë i bashkohen edhe Ai Weiwei, Anish Kapoor, Moataz Nasr, Leila Alaoui e artistë të tjerë. Ekspozita do të jetë falas për Nuit Blanche, me datë 7 tetor, ndërsa sipas faqes zyrtare e njëjta punë do të transmetohet edhe në kuadër të FIAC – Panairi Ndërkombëtar i Artit Bashkëkohor që mbahet në Paris nga 18 e deri me 22 tetor, një nga më prestigjiozët në Evropë.

Xhafa në anën tjetër para disa ditësh ishte i pranishëm edhe në një ekspozitë në Gjenevë, me titullin “Mal A Ta Vie”. Xhafa po përfaqësohet momentalisht nga Galleria Continua. / KultPlus.com

Fotografi e vjetër, Gjelosh Gjokaj bashkë me Edi Ramën (FOTO)

Sot shënohet përvjetori i parë i vdekjes së artistit të madh shqiptar Gjelosh Gjokaj, po gjurmët që ka lënë në artin shqiptarë vlerësohen të jenë një pasuri e madhe për këtë komb, shkruan KultPlus.

Se një marrëdhënie të mirë artistike kishte pasur Gjelosh Gjokaj me artistin shqiptar Edi Rama, tashmë kryeministër i Shqipërisë, pat treguar në statusin e vitit të kaluar vetë Edi Rama.

Kurse KultPlus ju sjellë një fotografi nga kjo miqësi, e realizuar në galerinë Schröder, Augsburg në vitin 1992. Në radhën e parë, nga e majta Schröder Galerist dhe Gjelosh Gjokaj, radha e dytë nga e majta Sami Bicaj Taki Pavlovski dhe Edi Rama./KultPlus.com

Kosova mund të marrë pjesë në Eurovizion

Kosova mund të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës, Eurovision, në edicionin e saj të vitit 2018 që do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë.

Siç shkruan faqja zyrtare e Eurovision në gjuhën gjermane, edicioni i vitit të ardhshëm mund të përmabjë numrin më të madh të shteteve që garojnë në festival. Nga viti 2011, kur në Gjermani kishin marrë pjesë më së shumti konkurrent – plot 43 shtete – në edicionin e vitit 2018 të Eurovisionit mund të tejkalohet ky numër.

Kosova dhe Kazakistani mund të jenë dy shtetet tjera që do marrin pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm, shkruan Insajderi.

Siç shkruan faqja zyrtare e festivalit evropian të këngës, Eurovision.de, Kosova mund të marrë pjesë në garën e vitit të ardhshëm, nëse merr ftesë nga Portugalia, gjegjësisht nga Radio Televizioni i Portugalisë (RTP) që është organizator i festivalit.

Sipas rregullave të Unionit Evropian i Transmetuesve Publik (EBU), Kosova mund të marrë pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm në Lisbonë, pasi Portugalia e ka njohur shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, Kazakistani ka vite që nuk merr pjesë në Eurovision, edhe pse është anëtare e EBU-së. / KultPlus.com

Isa Qosja shtyn xhirimet e filmit

Kurse ky projekt është njëri nga filmat që ka mbledhë një kastë të aktorëve të shkëlqyer, duke përfshirë: Arta Dobroshi, Mirush Kabashi, Arben Bajraktaraj, Shkumbin Istrefi, Flonja Kodheli, shkruan KultPlus.

Ky projekt edhe pse është mbështetur në vitin 2016-të nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ende nuk ka nis xhirimet e krejt kjo për shkak të buxhetit të ulët. Për këtë gjë, për KultPlus njoftoi vetë regjisori Qosja, i cili tha se është në pritje të fondeve nga shtete e tjera, pasi që shuma prej 120 mijë eurosh është shumë e ulët për ta jetësuar këtë projekt.

“Ne kemi pas plan që xhirimet t’i nisim në shtator të këtij viti por për shkak të buxhetit të vogël jemi detyruar që xhirimet t’i zhvendosim për maj të vitit të ardhshëm. Kemi aplikuar në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, në Fondin e Filmit në Maqedoni dhe në Francë. Tashmë jam në pritje të përgjigjeve që do i marrë nga këto institucione”, tha për KultPlus, regjisori Isa Qosja.

Në një intervistë të mëhershme Isa Qosja, pati treguar ekskluzivisht për KultPlus se Arta Dobroshi do të jetë në kastën e aktorëve të filmit ‘Skype’. Poashtu në kastën e këtij filmi do të jenë edhe aktorë të tjerë të si: Shkumbin Istrefi, Flonja Kodheli, Arben Bajraktaraj, Mirush Kabashi.

“Skype”, do të sjellë disa përralla për një vend dhe për njerëzit që jetojnë atje. Për Plavën dhe Gucinë…Por edhe për të gjithë ne. Në fakt regjisori ka folur me gjuhën dhe ndjenjat e njerëzve nga realiteti jetësor aty. Për hallet e tyre karshi shpërnguljes së pandalur në Amerikë. Në “Skype”, regjisori do të sjellë edhe shitblerjen e grave në të dy anët e kufirit dhe për tri gjenerata të humbura të femrës shqiptare, pikërisht si pasojë e emigrimit./ KultPlus.com

Sot, jeta dhe vepra e Át Zefit është e këshillueshme për politikanët shqiptarë

Shkruan: Ndue Ukaj
Sot është përvjetori i dhjetë i kalimit në amshim të Át Zef Pllumit. Kjo figurë shembullore, është dëshmi e fortë se historinë nuk e shkruajnë të fortit, ata që qeverisin me autoritetin e dhunës; as ata që mbjellin idhnim e vrazhdësi, por të drejtët, ata që mbjellin dashuri e humanizëm.
Kujtimet e Át Zefit, sot e përgjithmonë, janë një heshtë që shporon zemrën e egër të komunizmit shqiptar dhe dishepujve të tij keqbërës, që asnjëherë nuk u penduan dhe nuk kërkuan falje për mizoritë që u shkaktuan shqiptarëve.

Sot, jeta dhe vepra e Át Zefit është këshillueshme për politikanët shqiptarë, sepse është vepër madhore dhe ndihmon katharaisin e domosdoshëm kombëtar. Po ashtu, vepra e tij mund të ndërgjegjësojë secilin që ushtron pushtet: se dhuna dhe padrejtësia, nuk ngadhënjejnë përballë lirisë dhe drejtësisë.

Gjithë ata që bëjnë keq ose nuk bëjnë mirë, nesër, mund të shohin veten në pasqyrën e historisë, ashtu siç e shohin sot dhunuesit e lirisë dhe kriminelët e diktaturës komuniste, veten dhe të bëmat e tyre të marra në rrëfimet e Át Zefit./KultPlus.com

Me veprat e Isak Shemës do të shënohet “Dita Evropiane e Gjuhëve” në Zagreb

Me rastin e Ditës Evropiane te Gjuhëve, Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të qytetit të Zagrebit dhe Këshilli i Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë, të mbështetur nga Ermina Lekaj Perlaskaj, deputete në Parlamentin kroat, organizon manifestimin kulturoro-arsimor e shkencor që do të mbahet në Zagreb të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Ky manifestim do të mbahet më 28 shtator , në orën 18:00, Salla e Qendrës Kulturore Shqiptare, ku edhe do të bëhet promovimi i veprave të autorit Isak Shema. Me këtë rast, në këtë manifestim do të bëhet promovimi i monografisë “Josip V. Rela-Jeta dhe krijimtaria letrare” sikurse edhe promovimi i librit “Studije albanske književnosti”. Për librat do të flasin Maximiljana Barinčić dhe autori Isak Shema.

Poashtu do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të mirënjohjes “Një jetë për arsimin”, mirënjohje kjo që do ti dorëzohet Florina Lumezit për meritat e shumanshme në zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Kosovë dhe Kroaci, dhënë nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Republikës së Kosovës.
Dhye krejt në fund do të prezantohet edhe një program artistik, ku do të paraqiten nxënëset: Vanesa Iličić-kitarë e Fotina Duni-violinë./KultPlus.com