Filmi i gjatë artistik me regji të Antoneta Kastratit është shpallur filmi më i mirë në edicionin e sivjetëm të Tirana International Film Festival, shkruan KultPlus.
Lajmin e bëri të ditur regjisorja e filmit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, e cila uroi kastën e filmit ‘Zana’.
Filmi trajton një temë shumë të ndjeshme, ku personazhi kryesor i luajtur nga Adriana Matoshi, e përhumbur nga e kaluara e saj e shtypur prej kohësh dhe e trysnuar nga familja për të kërkuar trajtim nga shëruesit mistikë për infertilitetin e saj, një grua kosovare që përpiqet të pajtojë pritjet e mëmësisë me një trashëgimi të brutalitetit të kohës së luftës. / KultPlus.com
Letërsisë sonë iu shtua edhe një shkrimtar tjetër, bëhet fjalë për Qëndrim Çerkinin, i cili sapo ka publikuar vëllimin e tij të parë me poezi, që bart titullin ‘N’gotën e mërzisë’, shkruan KultPlus.
‘N’gotën e mërzisë’ ndahet në tre kapituj dhe përfshin poezi që e kthejnë lexuesin nga ndjesia që i mungon shoqërisë në ditët e sotme.
Një vëllim poetik që e rrëmben lexuesin gjatë leximit.
Lajmin për botimin e librit e ka bërë të ditur vetë autori përmes një postimi në llogarinë e tij personale në rrjetin social Facebook. Ku është shprehur shumë entuziast duke potencuar se mezi pret që ky libër të jetë në dorën e lexuesit.
”Sa t’shkrume në fletore disa në qoshe te banesës, në pritje të nji busi e treni për të takuar atë që se di ! Kto grimca ishin të rastit, nji ndodhi, bisede e sipër nxirrnin varxhe. Ka kohë që rri i vetem ne raftin e librave pa e pa dritën. Fat n’Fatkeqësi ne kohën e karantimit vendosa me i mbledh krejt poezit me i ba bashkë në kët’ vëllim. Menxi s’po pres prej sotit me e pasë n’dorë edhe ju. Falenderus i jam secilit, faleminderit ju miqtë e mi’‘, ka shkruar autori në Facebook. / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 32-të ka nxjerr vendim lidhur me masat parandaluese të pandemisë që ka shkaktuar koronavirusi, pas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjatë mbledhjes u vendos që të gjithë qytetarët e huaj që do të vijnë nga vendet me risk të lartë, sipas listës zyrtarë të ECDC, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR se nuk janë të infektuar me Covid-19.
Pastaj, të gjithë subjekteve që ofrojnë shërbime gastronomike, si restorantet dhe kafiteritë, u ndalohet funksionimi nga ora 23:30 deri në 5 të mëngjesit. Ndërsa nga ora 21:00 ndalohet muzika.
Matja e temperaturës është e obligueshme për të gjithë ata që hyjnë në objekte publike dhe private.
Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të Qeverisë dhe vendimet që ka marrë ajo në mbledhjen e fundit:
Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS-së dhe komunave; Teatrove, Bibliotekave, Filarmonisë, Galerive, Ansambleve, Baleti, Kinemave, Qendrave Rinore, Muzetë, Qendrave të Kulturës, me grupe, duke shfrytëzuar 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse.
Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave do të vlen për të gjitha aktivitetet si në shfaqje ashtu edhe në ushtrimë gjithmonë duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja COVIV19; Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte;Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura gjatë stërvitjeve mund të marrin pjesë deri në 30 persona ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona gjithmonë duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19.
Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive dhe në hapësirat e hapura sportive;
Lejohen fitneset si dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte. / KultPlus.com
Një bashkëpunim ndërinstitucional, midis Qendrës së Botimeve për Diasporën, Divizionit të Arsimit të Kosovës dhe konsullatave të të dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Kosovës, do të plotësojë kërkesat e shkollave shqipe në Diasporë për pajisjen me tekste shkollore dhe plotësuese për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
174 tekste shkollore dhe të mësimit plotësues janë dërguar falas nga QBD-ja dhe janë paracaktuar për mësimdhënien në shkollat e gjuhës shqipe në Parma të Italisë. Mjetet e shkollës tashmë kanë mbërritur dhe mund të përdoren nga mësuesit në Parma të Italisë.
Më datë 26 shtator 2020 rinis për të 12-in vit radhazi viti i ri shkollor në Parma. Drejtori i shkollës së gjuhës e kulturës shqiptare “Scanderbeg-Parma” z. Durim Lika, i shoqëruar nga aktivisti z. Bujar Tabaku, tërhoqën librat të ardhur enkas për këtë qëllim nga Qendra e Botimeve për Diasporën nga Tirana dhe nga Ministria e Arsimit të Kosovës.
Përfaqësueset e QBD-së u pritën nga konsullja e Republikës së Shqipërisë në Milano, zonja Anila Pojani dhe nga zv. konsullja e Republikës së Kosovës, znj. Gjylymsere Kundja. / KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë ka nxjerr në vendim të ri për masat e përgjithshme mbrojtëse kundër Covid-19. Pjesë e këtij vendimi është edhe udhëzuesi “Përdorimi i maskave dhe mbulesave të fytyrës në komunitet”.
Sipas këtij vendimi, obligohet të gjithë banorët e Kosovës t’i bartin maskat në fytyrë në v eprimtaritë jashtë shtëpive të tyre dhe të mbajnë distancë prej dy metrash në mjedise të brendshme.
Gjithashtu obligohen të gjitha intstitucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektatnë për duar dhe maska për fytyrë në vende të qassëhm, në hyrje të objektit të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.
Të gjithë ata që nuk respektojnë këtë vendim do të penalizohen.
Më poshtë gjeni udhëzuesimin “Përdorimi i maskave dhe mbulesave të fytyrës në komunitet”:/ KultPlus.com
Në një ditë pa energji, e mbytur nga pesimizmi i njerëzve që të rrethojnë, që duan të të bindin që, vetëm sepse je vajzë, do e kesh gati të pamundur të arrish aty ku do doje, e lodhur nga e njëjta pamje, burrat që drejtojnë gra shumë herë më të afta sesa ata vetë, merr pak optimizëm, nga thëniet e këtyre grave që kanë guxuar të çajnë të parat rrugë, ku më pas, shumë të tjerë, gra e burra bashkë, i kanë ndjekur.
Ato thonë të vërtetat me zë të lartë, ato shembin klieshetë e rreme që janë ngritur për gratë, ato i shpallin të drejtat e tyre!
“Nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë; nëse kërkon vepra, pyet një femër”- Margaret Thatcher, politikane
“Një femër e fortë e kupton se logjika,vendosmëria dhe fuqia janë po aq femërore sa intuita dhe lidhja emocionale. Ajo i vlerëson dhe i përdor të gjitha këto dhunti” -Nancy Rathburn, autore
“Një grua është si një bustinë çaji- ti asnjëherë nuk e di sa e fortë është ajo deri sa e vendos në ujë të nxehtë”- Eleanor Roosevelt, politikane, diplomate, aktiviste
“Unë gjithmonë kam dashur të isha një femme fatale. Edhe kur isha e vogël, asnjëherë nuk doja të isha thjesht një vajzë, por doja të isha një grua” – Diane von Furstenberg, stiliste
“Unë jam e fortë, jam ambicioze dhe e di shumë mirë se çfarë dua. Nëse kjo nuk të pëlqen, atëherë punë për ty” – Madonna, këngëtare
“Feminist është kushdo që njeh dhe vlerëson barazinë dhe vlerat si të femrave dhe të meshkujve” – Gloria Steinem, feministe, gazetare, aktiviste politike dhe sociale
“Adhuroj të shoh një vajzë të re e cila del jashtë dhe e kap botën nga jaka e xhaketës. Jeta është e poshtër. Ti duhet të përpiqesh dhe të triumfosh”– Maya Angelou, shkrimtare
“Unë e ngre zërin-jo që të bërtas, por që, ata që nuk kanë mundësi të shprehen, të mund të dëgjohen… ne nuk mund të kemi sukses kur gjysma prej nesh ngurojnë” – Malala Yousafzai. / KultPlus.com
Midis dy luftërave, kur bota po përjetonte lirinë e ekranit, kur kinemaja amerikane, franceze dhe italiane po eksploronin… në trendet e reja të gjuhës së filmit, befas zbulohen tre emra shqiptarësh që shkelën të parët në kinemanë evropiane dhe atë hollivudiane; Aleksandër Moisu, Kristaq Antoniu dhe Eleni Qirici i japin zë historisë sonë kinematografike, ndërsa në Shqipëri shënonte xhirimet e para.
Në “paqen” midis dy luftërave botërore kinemaja amerikane, franceze e ajo italiane u bënë kronikat e kohës edhe për shqiptarët…Këtu sapo shënoheshin xhirimet e para filmike, dhe kompanitë po hapnin një e nga një kinematë. Kur xhirimet nuk merreshin përsipër nga shteti dhe as nga kompani prodhuese por nga njerëz që kishin prirje dhe vullnet individual, në këtë vend të Ballkanit, për herë të parë dëgjohet të flitet për shqiptarë të famshëm, sukses evropian apo botëror. Kamerat e vendosura për herë të parë në duart e shqiptarëve kërkonin figura dhe ndikime nga aktorë të mëdhenj të filmit për të luajtur një rol të fuqishëm në jetën kulturore kinematografike të shoqërisë shqiptare.
Mes viteve 1924 deri në vitin 1939, disa emra u shndërruan në emblemë të kulturës shqiptare jashtë vendit. Aleksandër Moisiun dhe Kristaq Antoniun po e ndiqte një emër i ri, në moshë mjaft të vogël, quhej Elena Qirici, e cila do të kthehej nga Australia ku lindi, në vendin e origjinës e të niste karrierën e saj në Korçë. “…Janë vite të konsolidimit të jetës kulturore shqiptare të mirëfilltë, gjallërimi i jetës koncertale dhe veprave të letërsisë moderne, pushtojnë ekranin yjet e kinematografisë botërore. Në periudhën midis dy luftërave botërore, ndihet ndikimi i kinemasë amerikane, franceze dhe italiane. Po kështu shqiptarët ndjekin kronikat e kohës, veçanërisht ato të xhiruara në Shqipëri. Befas në ekran, pranë emrave botërore shqiptarët kanë zbuluar edhe praninë e aktorëve shqiptarë që luajnë në filma të huaj”, shkruan Natasha Lako, nga kjo kronikë në librin e saj me ese “Energjia filmike”.
Moisiu ishte një nga aktorët më të mëdhenj në skenën e viteve ’30, duke u shfaqur në filmin e parë evropian me zë, kur brenda kësaj kohe një djalosh simpatik shqiptar i pajisur me cilësi të rralla artistike, u duk në qiellin e Rumanisë -shkruhej në vitin 1931 për Kristaq Antoniun.
Ndërsa aktorja tjetër që ka impresionuar publikun shqiptar është Elena Qirici. Siç është bërë e njohur tashmë, ajo është vajza e parë shqiptare që del në ekranin e madh, që e ka filluar jetën e saj artistike në skenat shqiptare. Pavarësisht gjendjes ku ndodhej Shqipëria dallon fakti i bashkëjetesës së shqiptarit me kinemanë ku edhe nisën të dalin karakteret e para.https://zeri.info/inarticle.html
“Me gjithë përpjekjet për çeljen e syrit kinematografik, pavarësia e shkurtër shqiptare, nuk mund të ofronte as mjete, as mundësi për t’u shprehur në imazhin shqiptar. Ishte politika vetizoluese e periudhës së diktaturës komuniste, që kërkoi që Shqipëria të plotësonte të gjithë nevojat e veta në një ekonomi të mbyllur, ku shqiptarët u vunë të prodhonin vetë gjithçka, duke përfshirë edhe filmin shqiptar”, shprehet Lako.
Moisiu, në filmin e parë evropian me zë
Përgjatë periudhës së lulëzimit të ekranit të lirë botëror, në Shqipëri shfaqen filma të aktorit të madh me orgjinë shqiptare, Aleksandër Moisiut, i cili në kohën e Gjermanisë naziste dërgon kërkesën për të marrë nënshtetësinë shqiptare. Në vitin 1902 Moisiu shkon të punojë në teatrin gjerman të Pragës dhe nga viti 1904 punon në Berlin, ku aktori bëhet dhe miku i regjisorit të madh Reinhard. Turnetë e tij në të gjithë skenat e Evropës dhe të Amerikës e shpallën si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës së viteve ’30. “I shquar për kombinimin e zërit të tij dramatik, si dhe për temperamentin e tij ekspresiv, A. Moiusiu ka luajtur në skenë figura të kryeveprave dramatike botërore si Hamletin e Shekspirit, Fedjan e “Kufomës së gjallë” të Tolstoit, rol që shënon zhbirime të thella brenda shpirtit të njeriut. Sigurisht që ky hero i skenës e ka sa të lehtë, aq edhe të vështirë të hyjë në fushën e re të betejave kinematografike”, veçon kineastja Natasha Lako kur bën historinë e kinemasë në Shqipëri në botimin e saj “Energjia filmike”.
Këtë talent të rrallë të skenës e fton në realizimet e filmave të parë evropian me zë. Në këtë profil Moisiu luan në filmin e parë evropian me zë të shtëpisë filmike gjermane “Das Scharce”, që realizohet gjatë viteve 1912-1913 dhe pas tij pasojnë “Sytë e Ole Brandis”, realizuar në vitin 1914, nga Deutsche Bioskop me regjisor Stellan Rey, “Kulizzenzauber Barckerss” në vitin 1915, “Biri i tij i vetëm”, regjisor Gartner, po në vitin 1915 tre filma të regjisorit Wellin, “Pique dame”, 1918, “Unaza e tre dëshirave”, 1918; “Ndërmjet vdekjes dhe jetës” 1920. Më pas Aleksandër Moisiu luan në filmin “Martesa e figaros” të regjisorit Mac (1920), si dhe “Dishepulli i djallit”, realizuar nga shoqëria amerikane Warner Bross, (1929), “Llozha e mbretit”, e regjisorit Bryan foy (1929), “Lorenc de Medici” të regjisorit Brignone, 1935. Sipas gazetës gjermane Allemagne Zeitung të 14 qershor 1929 thuhet se Aleksandër Moisiu interpreton Hamleton dhe deklamon në anglisht monologun “to be or not to be”.
Kristaq Antoniu, fama e panjohur e “Hajducit”
Nuk i kushton shumë kohë, që koleksionisti Niko Kothere të jetë i gatshëm për të na zbuluar portretin origjinal të aktorit dhe këngëtarit Kristaq Antoniu. Pyetja e tij se në ç’kontekst na nevojiten fotot mban kuptimin e kësaj figure, që historia tashmë e ka futur në aktorët e parë shqiptar që hyn në ekranin evropian. Janë tre foto të rralla, origjinale të Antoniut, skanime të papunuara ku Kotherja na shpjegon, ashtu siç duket, se në njërën prej tyre është autografi i shënuar nga vetë aktori. Antoniu këngëtar, fillimet e karrierës janë si aktor. Një tjetër profil, imazh shqiptar që shfaqet në ekranin rumun dhe atë botëror.
Kristaq Antoniu lindi në vitin 1902 në një familje emigrantësh shqiptarë në Bukuresht dhe karrierën kinematografike e filloi kur ishte student i shkollës Mimo-dramatik. Roli i tij i parë realizohet në filmin rumun “Gjynahu i parë”. “Ka pak kohë që një djalosh simpatik shqiptar i pajisur me cilësi të rralla artistike u duk në qiellin e Rumanisë”, shkruan revista Minerva e vitit 1931. “Brilantissimo”, njoftojnë gazetat e kohës për interpretimin e përbashkët të Marcella Santinit dhe Kristaq Antoniut në operën “Kavaleri Rustikane” që shfaqet në Romë. Pas realizmit të filmit “Majori Mura”, 1927, si dhe dy roleve kryesore në filmat “Komiti” (Hajduci 1920) , e “Cokoj” (1931) , Kristaq Antoniu kthehet në Shqipëri ku vazhdon aktivitetin e tij si këngëtar lirik. “Në realizimet e figurave kryesore të filmave të luajtur prej tij, ndihet një ekspresivitet dhe një lojë elegante, ku aktori përpiqet të shprehë një botë të pasur shpirtërore, plot të papritura. Kristaq Antoniu ka një sy shumë ekspresiv do të thoshin shqiptaro-ballkanik…”, shkruan kineastja, Lako. Ai u bë një yll i filmit jo vetëm në Rumani. Mbas disa vitesh me një veprimtari intensive në kinematografi, Antoniu kreu një kurs specializimi në qendrën eksperimentale të kinemasë në Romë. Ndërsa në vitin 1939 luajti role në dy filma, të cilat fatkeqësisht nuk i përfundoi dot. Ai mbajti lidhje me shkrimtarin e njohur Viktor Eftemiu, që e kishte fis nga nëna. Në vitin 1940 bën një tjetër kurs specializimi, tashmë në kanto, po në Itali, në Firence. Pas përfundimit të kursit ai regjistroi në Itali në shoqërinë Columbia 15 këngë shqiptare, këngë popullore dhe krijime të kompozitorit Pjetër Dunga, i cili ishte edhe pianist, të cilat patën mjaft sukses.
Qirici, aktorja e parë në Hollivud
Nën kujdesin e prindërve, balerina dhe aktorja Elena Qirici pati fillimisht një karrierë modeste brenda Shqipërisë. Me këtë nuhatje, prindërit e saj e dërguan në Vjenë, ku u regjistrua në një shkollë dansi. Brenda tri muajve artistja kishte arritur të grumbullonte mjeshtëri, aftësi dhe besim duke e ftuar në skenat e Vjenës. Në këtë moment filluan të kërkonin interes mjaft qarqe artistike, kritika dhe shtypi vjenez. Shoqëritë e teatrove nisën ta kërkonin po ashtu, duke parë tek Elena “një burim të madh fitimesh”. Janë vitet ’30. Pikërisht në një nga këto mbrëmje, iu shfaq oferta e parë, nga një shoqëri italiane shumë të njohur për kohën, “Fratelli Schwarz”, të cilët nënshkruan një marrëveshje gjashtëmujore me teatrin revistë “Bartoldissimo”.
Në këtë ansambël bënin pjesë 80 artiste, por Elena e vogël u bë protagoniste, duke i siguruar sukses shoqërisë që e kontraktoi. Turnetë në Itali me këtë trupë tërhoqën vëmendjen e shtypit të kohës, duke u kushtuar shkrime të gjata dhe ndër më të spikaturat ishte ajo me cilësinë ‘La picola grande diva” (vogëlushja diva e madhe). Kaloi kufijtë italianë duke u angazhuar në shoqërinë “ABC” të Parisit, duke interpretuar në krah të artistes së njohur Maria Dubas, për një periudhë të gjatë kohe. Nga skena parisiene shoqëritë kinematografike amerikane që udhëtonin nëpër botë për të “peshkuar” talentet, yjet për Hollivudin, u befasuan kur ndeshën shqiptaren Elena Qirici. Artistja u përgjigjet pozitivisht, duke u angazhuar tashmë në një prej shoqërive më të mëdha kinematografike amerikane “Metro Goldwin Mayer” (MGM). Brenda vitit, Elena xhiron në Hollivud dy filma, në role kryesore. Studiuesi Hoxha njofton se atje ajo filloi edhe një shkollë të edukatës fizike, dhe të kërcimit që ishte brenda ansamblit të shoqërisë filmike MGM, duke i dhënë më shumë potencë e mjeshtëri profilit të saj artistik. Në këto lartësi, si balerinë e këngëtare, akrobate me cilësi të larta aktrimi, Elena u vlerësua nga shtypi amerikan duke e barazuar me të famshmen balerinën amerikane të kohës Eleanor Powell.
Në vitin 1942, Elena rikthehet në Evropë, për filmin “Women of the day”, për të interpretuar së bashku me aktoren amerikane, Katherinë Hepburn. Në gjysmën e dytë të viteve ’80, janë përpjekjet e para për të shkruar profilin artistik të kësaj artisteje, dhe pas 90-s vjen më e zgjeruar biografia pothuaj e gjerë, por edhe enigmatike e Elenës, kur ndër të tjera thuhet se babai i saj, Vasili, përpiqej ta mbante larg mjediseve të elitës amerikane dhe e këshillonte që shokun e jetës ta zgjidhte mes emigrantëve shqiptarë që jetonin dhe punonin në atë kohë në Amerikë… Pavarësisht kësaj, vite më vonë, më 1954 ajo shkon në Australi, në vendin ku kishte lindur nëna e saj. E tërhequr nga skena, pikërisht në momentin kulmor të këtyre sukseseve, në vitin 1965 kur kishte fituar aq emër e famë e lidhi jetën me Gerard Ford, djalin e Presidentit të mëvonshëm të Amerikës, John Fordit./mapo.al/ KultPlus.com
Gjatë pjesës më të madhe të kryengritjes së Isa Boletinit, unë isha në Shqipëri.
E gjithë Shqipëria e Veriut u revoltua disa herë, me synimin për të fituar autonominë dhe mbi të gjitha, për të përcaktuar kufijtë, sepse ekzistonte frikë e madhe për ndonjë agresion serb.
Ishte në fakt revolta e Shqipërisë së Veriut ajo që u dha mundësi Turqve të rinj të rrëzonin regjimin e vjetër.
Më pas, Turqit e rinj e djallosën situatën dhe i armiqësuan keqazi shqiptarët, duke dashur t’i osmanizojnë me forcë.
Isa Boletini ishte një lider shumë i aftë, i admiruar dhe i dashur shumë. Ai e deklaroi qartë se po luftonte kundër turqve për autonomi dhe kundër askujt tjetër. Ai e mbrojti pakicën serbe në vilajetin e Kosovës.
Kur oficerët serbë morën kontaktet e para me të, në Shqipëri pati gëzim shumë të madh. Njerëzit më thoshin: Tani serbët janë miqtë tanë.
Tash e tutje nuk ka përse të frikësohemi prej tyre. Një oficer serb jeton me Isa Boletinin. Ata janë betuar për miqësi me ne.
Djali i Isës, na u tha, shoqërohej me oficerë serbë. Së bashku, shqiptarët dhe serbët do të dëbojnë turqit.
Kur të fitohej autonomia, pakica serbe në Kosovë do të trajtohej mirë dhe të gjitha do të shkonin mirë. Kjo ëndërr e artë u trondit mizorisht.
Por do të kalonte ca kohë para se shqiptarët të kuptonin se sa mizorisht ishin mashtruar dhe ishin bërë vegla në duart e tjerëve.
Serbët e lanë Isa Boletinin t’i mposhtëte turqit dhe të spastronte të gjitha zonat afër kufirit me serbët.
Por, sapo erdhi puna për kufijtë dhe për përmasat e autonomisë që ata do të merrnin nga turqit, serbët dhe popujt e tjerë të Ballkanit u shpallën shqiptarëve luftë për të mos lejuar realizimin e këtij plani.
Shqiptarët që kishin luftuar turqit dhe ua kishin lehtësuar rrugën aleatëve të Ballkanit, u sulmuan nga ushtritë serbo-malazeze në mënyrën më brutale.
Meqenëse e kishin harxhuar municionin për rebelimin e fundit, pjesa më e madhe e shqiptarëve ishin praktikisht të paarmatosur dhe u masakruan pa mëshirë nga ushtritë pushtuese.
Apisi dhe miqtë e tij që ishin hequr si miq të shqiptarëve, tani, nuk kursyen as burrë, as grua, as fëmijë. Se sa u masakruan në vilajetin e Kosovës, kjo nuk do të mësohet kurrë.
Disa oficerë serbë u mburrën në tryezën e darkës në Podgoricë, në praninë time, për mënyrën sesi i kishin shpuar me bajonetë gratë dhe fëmijët e Lumës.
Hetimet e mëvonshme nga ana ime, treguan se kjo ishte e vërtetë. Lajme të tmerrshme për mizoritë e kryera erdhën përmes muslimanëve.
Duke tradhtuar kështu shqiptarët, serbët fituan tërë vilajetin, përveç një pjese që i ishte dhënë Malit të Zi.
Gjatë Luftës së Madhe, kur gjërat po shkonin keq me serbët dhe malazezët, Isa Boletini i cili me familjen e tij ishte lejuar të jetonte në Podgoricë në Mal të Zi, u masakrua së bashku me shumicën e burrave të familjes së tij, me sa duket për të siguruar se ai nuk do të udhëhiqte përsëri një kryengritje në Kosovë.
Ata u mbrojtën për shumë orë, nën një urë, derisa një mitraloz u kthye mbi ta. Pas luftës, shqiptarët u përpoqën shumë që të lejohej të mbanin të paktën një pjesë të Kosovës.
Pjesa më e madhe e saj ishte shqiptare e pastër si popullatë.
Por përsëri, ajo iu dha serbëve. Evropa, në çdo rast në fakt u ka treguar serbëve se rruga drejt suksesit është ajo e tradhtisë … / KultPlus.com
Është bërë e ditur se akademiku shqiptar në Universitetin Politeknik të Virgjinias në SHBA, Besnik Pula, sapo ka publikuar studimin e tij më të ri “Globalization Under and After Socialism”, nga “Stanford Press”.
Ai është asistent pedagog pranë Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të “Virginia Tech”.
Si kërkues shkencor, ai lëvron çështje të ekonomisë politike, teorive sociale dhe “Europës periferike”. /albinfo/ KultPlus.com
Kristofor Shala, është studenti kosovar i cili ka zgjedh të studioj Master në programin e diplomës së dyfishtë gjermane që ofrohet nga Kolegji Universum dhe Ludwigshafen University of Business and Society.
Për zgjedhjen e tij Kristofori thotë “Jo rastësisht kam vendosur që përveq studimeve bachelor edhe studimet master ti vazhdoj në Kolegjin Universum. Gjatë studimeve bachelor kam përfituar shkëmbim semestral në Ludwgishafen University of Applied Sciences në Gjermani, e po në këtë universitet po studioj sot master në kuadër të bashkëpunimit të Kolegjit Universum duke ofruar diplomë të dyfishtë gjermane”.
Me përfundimin e studimeve në këtë program, studentët pajisen me diplomë gjermane MBA në Menaxhment të Biznesit Ndërkombëtar nga Universiteti Ludwigshafen dhe me diplomë të dytë Master i Arteve në Menaxhment nga Kolegji Universum. Programi zgjatë dy vite dhe përbëhet nga dhjetë module. Viti i parë në Kolegjin Universum dhe viti i dytë në Ludwigshafen University of Business and Society. Regjistrohu për informata https://bit.ly/2ZbqOD5
Programi Master në Kolegjin Universum është i vetmi program i cili është ranguar si i 16’ti në Evropën Lindore dhe në Top 200 programet më të mira të kësaj fushe në botë nga agjencia prestigjioze franceze Eduniversal. 95% e profesorëve të Programit Master të Kolegjit Universum kanë studiuar jashtë vendit, përveq tyre gjatë vitit vijnë dhe profesor vizitor për ligjërim si Prof. Dr. Svend Hollensen, autori i librit të dytë më të shitur në botë për Marketing Global, njëherit Profesor i Assocuar i Marketingut Internacional në University of Southern Denmark.
Milan Kundera, shtetësia çeke e të cilit u rivendos vitin e kaluar pasi ai kishte kaluar më shumë se 40 vjet në mërgim, ka fituar një nga çmimet letrare më prestigjioze të Republikës Çeke, çmimin Franz Kafka.
Çmimi 10,000 dollarë, i organizuar nga Shoqata ‘Franz Kafka’ dhe qyteti i Pragës, zgjidhet nga një juri ndërkombëtare. Kryetari i Shoqërisë ‘Franz Kafka’, Vladimír Železný tha se Kundera fitoi për “kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën Çeke” dhe për një “reagim të padepërtueshëm” në kulturën evropiane dhe botërore, përcjellë KultPlus.
Sipas Železný, kur Kundera 91-vjeçar u morrë me telefon, autori tha se ai “me gëzim” e pranoi çmimin, veçanërisht për shkak të admirimit të tij për Kafkën, thuhet në The Guardian.
Poashtu, vlen të ceket se në fund të korrikut të këtij viti, Kundera vendosi të dhurojë bibliotekën dhe arkivin e tij privat në bibliotekën e qytetit të vendlindjes së tij Brno në Republikën Çeke, ku ai kaloi fëmijërinë e tij.
Ndër veprat më të famshme të autorit janë ‘Shakaja’, ‘Mosdija’, ‘Identiteti’ ‘Lehtësia e papërballueshme e qenies’ etj. / KultPlus.com
Ish-presidenti amerikan Barack dhe Michelle Obama janë njerëzit më të admiruar në botë, sipas një sondazhi nga ”YouGov Opinion Research Institute”, transmeton KultPlus.
Sipas ”YouGov”, kjo është hera e parë që ish-presidenti i SHBA arrin në krye të renditjes së burrave që kur filloi sondazhi “Më të admiruarit në botë”, në 2014.
Miliarderi themelues i Microsoft, Bill Gates tani renditet si njeriu i dytë më i admiruar, pasi zuri vendin e parë vitin e kaluar, ndërsa lideri kinez dhe udhëheqësi i partisë Xi Jinping është njeriu i tretë më i admiruar, sipas rezultateve të sondazhit.
Gruaja më e admiruar në botë mbetet Michelle Obama, me aktoren Angelina Jolie në vendin e dytë dhe mbretëreshën britanike Elizabeth II në vendin e tretë.
Vitin e kaluar, prezantuesja amerikane Oprah Winfrey përfundoi e dyta, Angelina Jolie e treta.
”YouGov” intervistoi 45 000 persona nga 42 vende. / KultPlus.com
Organizatat vendore të cilat merren me personat me nevoja të veҫanta, e përkrahin dhe i bashkohen Festivalit “Art Without Limit International Film Festival” duke dërguar video – mesazhe mbështetëse.
Organizatat më të rëndësishme vendore në Kosovë dhe Shqipëri të cilat përfaqësojnë personat me nevoja të veçanta duke parë punën e madhe e cila po bëhet nga NGO “Art Without Limit” gjatë organizimit të “Art Without Limit International Film Festival” përkrahin dhe mbështesin idenë e festivalit AWLIFF.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se në adresën e festivalit kanë pranuar disa video-mesazhe nga Kryetari i Handikos Kosova; Z.Afrim Maliqi i cili fton anëtarët e Handikos që të bashkohen rreth festivalit “Art Without Limit International Film Festival” poashtu Z. Bujar Kadriu; Kryetar i forumit të aftësisë së kufizuar në Kosovë, Znj. Suela Lala; Drejtoreshë e fondacionit “Së bashku” Shqipëri, Znj; Elvana Shala; Ambasadore e vullnetit të mire për Kosovën në International Human Rights Commission!
Këtë festivalin e kan përkrahur edhe Shoqata “Autizmi” në Prishtinë dhe shoqata “OpfaKos” Prindi dhe fëmiu!
‘Kemi planifikuar që në vitin e ardhshëm në edicionin e dytë të AWLIFF, të gjitha organizatat vendore dhe rajonale të cilat kan të bëjnë me personat me nevoja të vecanta ti angazhojmë dhe ti bëjmë pjesë të drejtpërdrejt të festivalit AWLIFF!’, thuhet në komunikatën për media. / KultPlus.com
Të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre të punëve të shtëpisë dhe duhet të dinë të kryejnë aftësitë thelbësore të jetës.
Sidoqoftë, në disa pjesë të botës, punët e shtëpisë shihen ende si diçka që duhet ta bëjnë vetëm gratë, duke lënë disa burra të paaftë për t’i bërë ato kur është e nevojshme.
Një shkollë në Vigo, Spanjë, e quajtur Colegio Montecastelo, po lufton për barazinë gjinore me një program që u mëson djemve dhe burrave të rinj aftësitë thelbësore të jetës, duke përfshirë pastrimin, gatimin, madje dhe qepjen, përcjellë KultPlus.
Disa njerëz menduan se kjo iniciativë ishte e duhur. Ndërkohë, të tjerët menduan se ajo në të vërtetë zbatonte rolet gjinore sepse i etiketonte disa aktivitete si ‘burrërore’ ose ‘femërore’ në vend që t’i shihte ato si aftësi të dobishme universalisht, shkruan Bored Panda.
Të tjerët, menduan se këto aftësi duhej të mësoheshin në shtëpi, jo në shkollë.
Ata që u japin mësim studentëve përfshijnë vullnetarë nga administrata e shkollës, por disa nga baballarët e studentëve po përfshihen gjithashtu.
Dan Bacon, themelues i The Modern Man, theksoi se nuk është pa burrëri të ndihmosh në shtëpi. “Bëjeni atë sepse e doni personin tjetër dhe nuk doni që të jetë nën stres shtesë gjatë gjithë kohës”, shpjegoi Dan për rëndësinë e secilit që merret me punët, veçanërisht gjatë pandemisë kur disa njerëz janë akoma duke punuar nga shtëpia.
“Për më tepër, nëse një grua vëren se burri i saj po ndihmon më shumë se normalisht, ajo duhet të përdorë një qasje të dashur dhe ta komplimentojë për këtë, në vend që thjesht t’i marrë përpjekjet e tij për të mirëqena”, tha ai.
Eksperti i marrëdhënieve Dan tha se kur veprimet tuaja vijnë nga dashuria, mbështetja dhe respektit, marrëdhënia forcohet me kalimin e kohës dhe ju ndjeheni më të lumtur së bashku. Pra, punët nuk duhet të bëhen kurrë me inat dhe zemërim – në vend të kësaj, ato duhet të jenë pjesë e mënyrës sesi e mbështesni partnerin tuaj dhe i tregoni atyre respekt. / KultPlus.com
Trupi i gjykatëses së ndjerë të Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara, Ruth Bader Ginsburg, u dërgua për homazhe shtetërore në ndërtesën e Kongresit amerikan.
Kjo është hera e parë në histori që nderimi i tillë i bëhet një gruaje.
Homazhi shtetëror është tradita kur trupi i pajetë i një zyrtari vendoset në një ndërtesë shtetërore, për t’i mundësuar publikut që t’i japë nderimet.
Ruth, ikonë liberale, ka vdekur javën e kaluar nga kanceri në pankreas, pas 27 vjetësh shërbim në gjykatën më të lartë të SHBA-së.
Mijëra njerëz i kanë bërë homazhe derisa arkivoli i saj ka qenë i vendosur jashtë ndërtesës së Gjykatës Supreme, këtë javë.
Ginsburg, e cila ka vdekur në moshën 87-vjeçare, ka qenë mbështetëse e zëshme e barazisë gjinore dhe e të drejtave civile.
Ajo është mitizuar nga liberalët dhe feministët si udhëheqëse që thyen barriera.
Ruth do të varroset javën e ardhshme në një ceremoni private në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. / KultPlus.com
Cila është historia që fshihet pas disa prej sipërmarrjeve më të rëndësishme në botë. Më poshtë shohim se disa emra markash erdhën nga përkthime, shpikje, dhe receta.
Nike- është emër që lidhet me perëndeshën e antikitetit grek, ku flatrat e fitores gjenden edhe në logon e kompanisë së njohur të veshjeve sportive.
Adidas– Nuk janë pak ata që besojnë historinë që thotë që emri është akronimi i fjalisë “All Day I Dream About Soccer”. Por origjina e emrit është tepër e thjeshtë, praktikisht është firma e krijuesit të saj Adolf Dasler, që të gjithë thërrisnin Adi.
Audi– Themeluesi, August Horch, iu sugjerua të përkthente në latinisht mbiemrin e tij, që në gjermanisht është i përafërt me fjalën “horën”, që do të thotë “dëgjo”, dhe që në latinisht përkthehet pikërisht “audi”.
Zara-, Një nga firmat më të njohura të veshjeve, e ka ndryshuar emrin e saj me shpejtësi. Themeluesi Amancio Ortega e kishte regjistruar si Zorba, nga filmi i njohur i viteve ’60, por dyqani i parë në La Korunja ishte jo larg një restoranti që quhej pikërisht Zorba dhe Ortega. Kështu, për të mos shqetësuar komshinjtë e ndryshuan në diçka të ngjashme.
Pepsi- Farmacisti Caleb Davis Bradham shpiku një pije me bazë uji, sheqeri, karameli dhe limoni që e quajti “Pepsi Cola” , nga fjala dispepsia, që tregon vështirësinë e tretjes.
Starbucks- Emri për zinxhirin e famshëm të kafesë u krijua nga pronarët e saj pothuajse rastësisht. Ata u mblodhën një mbrëmje dhe filluan të krijojnë fjalë që filluan me “st” pasi mendonin se këto 2 shkronja ishin një kombinim i shkëlqyeshëm. Më pas miqtë e tyre kujtuan një nga personazhet e Moby Dick, Starbuck. / KultPlus.com
Nga 28 shtatori, Kosova është larguar nga lista e karantinës në Zvicër.
Kujtojmë faktin se kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Zvicra, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit e pati vendosur në listën e vendeve të rrezikut, të njohur si lista e “karantinës”.
Në këtë listë zënë vend shtetet ose regjionet e shteteve të caktuara, në të cilat shkalla e infeksionit gjatë dy javëve të fundit kalon mbi 60 raste në 100 mijë banorë.
Zyra Federale e Shëndetit publik (BAG) ka bërë riaktualizimin ose përditësimin e listës. Dhe, në varësi nga këto zhvillime, ajo ka hequr ose ka vendosur shtetet përkatëse në listën e karantinës.
Lista e re do të hyjë në fuqi të hënën, 28 shtator, siç është njoftuar nga BAG. Kushdo që hyn nga një prej vendeve të rrezikut duhet të jetë në karantinë për dhjetë ditë.
Përveç Portugalisë, Belgjikës dhe Britanisë së Madhe, Zyra Federale tani ka shtuar në listë Danimarkën, Irlandën, Islandën, Slloveninë, Hungarinë dhe Marokun, trasnmeton albinfo.ch. Nga vendet në Lindjen e Mesme, Omani përsëri konsiderohet një vend me rrezik.
Lista e azhurnuar përfshin gjithashtu zonat e Bretanjës në Francë, Ligurisë në Itali dhe shteteve federale të Austrisë së Epërme dhe Austrisë së Poshtme në Austri.
Ndërkaq, BAG ka nxjerrë nga lista dy vende të Evropës: Kosovën dhe San Marinon. Dsiç ështëm shkruar tashmë, Kosova prej më shumë se dy javësh ka një numër të ulët infeksionesh, konkretisht nën 60 në 100 mijë banorë. Ndërsa ditëve të fundit, ky numër ka rënë në 52.
Qeveria federale ka vendosur kriteret për vendet me rrezik në një rregullore: Këto janë vende në të cilat numri i infeksioneve të reja për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit ka kaluar më shumë se 60. / KultPlus.com
Zhvillimi i fëmijëve si proces është shumë kompleks dhe duhet patjetër të bëhen konsulta me ekspertët. Shumë shpesh, fëmijët mund të kenë ndonjë ç’rregullim ose të reagojnë përtej pritshmërive, e të cilat mund të tejkalohen vetëm me ndihmën e psikologëve.
Ndërkaq, sfiduese mbeten kontrollet fizike, për të cilat duhet patjetër të frekuentohet një vend i caktuar. Mirëpo, puna e psikologes Dafina Prokshit bashkë me ekipin e saj e ka lehtësuar shumë këtë punë, duke qenë afër me këshilla, workshope, mësime në formë digjitale, të qasshme kudo, kurdo dhe sa herë do.
Iniciativa e saj dhe e epikes së saj është kurorëzuar me një web të përbashkët në të cilin fokusi kryesor janë fëmijët, ndërkaq target grupet përfituese janë prindërit të cilët dëshirojnë ta kuptojnë dhe t’i qasen më drejtë fëmijëve të tyre; studentët e psikologjisë dhe të edukimit të cilët dëshirojnë të ngriten akademikisht dhe qendrat e edukimit të hershëm të cilat përmes praktikimit të drejtë të këtyre instruksioneve aftësohen profesionalisht.
Dafina bashkë me ekipin e saj ofrojnë vlerësime psikologjike për fëmijë dhe të rritur, terapi individuale, kurse online për punonjës ose studentë të fushave të psikologjisë, edukimit; konsultime me prindër, punëtori për edukimin e hershëm, planifikim të programit të edukimit të hershëm, punëtori dhe trajnime online.
Ndërkaq qasja në këto materiale është shumë e lehtë. Në web faqen e krijuar nga Dafina dhe ekipi i saj janë të prezantuara një mori leksionesh e workshopesh, të cilat mund të posedohen me një parapagim të një shume modeste. Kështu, cilido që do ta blej materialin, do ta posedoj atë përherë.
Ky ekip prej ekspertësh të psikologjisë, edukimit e fushave tjera që ndërlidhen me fëmijët ofrojnë këshillime për shkathtësitë e të nxënit (vëmendja, organizimi), sociale (vetë rregullimi-aftësia për të luajtur dhe ndërvepruar me rrethin), emocionale (vetëbesimi), akademike (të lexuarit, të shkruarit), të jetës (ushqyerja, veshja, gjumi, punët dhe detyrat e tjera), të kuptuarit dhe komunikimi.
Ndërkaq, ato që mund të porositni i takojnë leksioneve të fushave si: udhëzime për prindër rreth disiplinës pozitive; terapia njohëse e sjelljes për depresion, ankth, fobi dhe sulme paniku; vlerësim i vetes nëse ke fobi; ndikimi i ushqimit të shëndetshëm në zhvillimin e fëmijëve; psikoterapia; zhvillimi intelektual i trurit të fëmijëve nga lindja deri në moshën 12 vjeçare; roli i gjenetikës dhe mjedisit në zhvillimin e fëmijëve; zhvillimi njohës i fëmijëve dhe piketat e zhvillimit nga mosha 0-5 vjeç; zhvillimi i gjuhës dhe komunikimit nga lindja deri në moshën 5 vjeçare; kuptimi dhe trajtimi i sjelljeve autike; zhvillimin social përgjatë jetës së fëmijëve; tranzicionin e fëmijëve nga shtëpia në kopsht-fazat e adaptimit; njohja e zhvillimit të fëmijëve-edukimi i hershëm; ADHD dhe zgjedhja e duhur.
Ky është webi në të cilën mund të kontaktoni me profesionistet e psikologjisë dhe edukimit, në mënyrë që ta njihni dhe të keni qasje të duhur ndaj fëmijëve, nxënësve, rasteve të studimeve tuaja: https://www.dafinaprokshi.com/ / KultPlus.com
Rama i dorëzohet më në fund presionit të Erdoganit duke mbyllur disa prej shkollave të lëvizjes Gylen në Shqipëri. Që dhurata e autokratit shqiptar ndaj të singjashmit të tij turk të ishte e plotë, lajmin për të e kanë dhënë të parat mediat shtetërore turke. Agjensia shtetërore e lajmeve turke ka njoftuar të enjten, pas mesnatës, se institucionet arsimore që i përkasin lëvizjes që Erdogan e ka etiketuar pa fakte të pranuara ndërkombëtarisht, si fajtore për grushtin e shtetit, do të mbyllen.
“Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së medresesë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002), medresesë “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996) dhe të “Memorial International School of Tirana (MIST)” të lidhura me strukturat e organizatës terroriste FETO në Shqipëri” ka , transmetuar Anadolu Agency (AA).
Pasi njofton se këto vendime do hyjnë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare agjensia njofton se ato janë marrë mes datave 13 dhe 26 shtator, kur ish ministrja Besa Shahini kishte shpallur largimin dhe para se kryeministri te vizitonte Turqinë.
“Qeveria e Shqipërisë ka vendosur edhe mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare “Memorial International School of Tirana (MIST)”, në të gjitha nivelet arsimore (arsim fillor, arsim i mesëm i ulët, arsim i mesëm i lartë), që administrohej nga Shoqëria “Turgut Ozal Education”.
Rrjeti i Gylenit që në gjuhën e regjimit të Ankarasë njihet si organizata terroriste FETO, i kishte në pronësi këto shkolla përmes bashkëpunimit mes Fondacionit “Sema” dhe komunitetit mysliman shqiptar.
Shqipëria ka qenë shpesh pre e kritikave ndërkombëtare për shkeljen e praktikave botërore në favor të autokratit turk.
“Shqipëria dyshohet të jetë pjesë e një marrëveshje sekrete me Turqinë për dorëzimin kundër procedurave ndërkombëtare të atyre që Erdogani i ka shpallur si gylenistë”.
Kjo rezultoi nga një raport i zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, që mban datën 5 Maj 2020. Ai ngre shqetësim për atë që mund të cilësohet një praktikë e vazhdueshme e ekstradimeve apo dëbimeve të detyrueshme të shtetasve turq nga vende të ndryshme, drejt Turqisë.
Edi Rama nuk e ka fshehur asnjëherë nënshtrimin e tij ndaj tekave të Erdoganit. Në korrik 2019 ai e pranoi në një konferencë për shtyp se vizita e ministrit të Brendshëm të Turqisë, Süleyman Soylu në Tiranë, dhe takimi me të ka pasur si temë kryesore problemin e gylenistëve të përndjekur nga Erdogani. I pyetur për këtë kryeministri atëherë u përgjigj pa ekuivoke: “patjetër që ka pasur lidhje”.
Ky veprim ekstrem vjen pasi Rama e ka quajtur Erdoganin vëlla, pasi e ka shpallur Turqinë aleat strategjik, pasi ka kërcyer në dasmën e vajzës së sulltanit të ri otoman, pas i ka shkuar pas në votimin “antiamerikan” për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit pasi ka ngritur në Tiranë një memorial për viktimat e grushtit të shtetit. Por kryeministri është rreshtuar prej kohësh me presidentin turk në konfliktin që e ndan atë me vëllain armik, Fetullah Gylen. I ftuar në maj 2018, në studion e Ilva Tares, Edi Rama i ka quajtur gylenistët një rrjet të rrezikshëm të cilët Shqipëria i mban nën vëzhgim. I pyetur drejtpërdrejt për “rrjetin FETO” ai e ka quajtur atë një organizëm që tentoi përmbysjen e një pushteti të zgjedhur, me rrugën e dhunës dhe të armëve. Ai e quajti atë “një rrjet i rrezikshëm” dhe shtoi se shteti shqiptar i mban ata në vëzhgim.
Por, problemi është se përpos akuzave të Erdoganit, Gyleni i ka mohuar me këmbëngulje aludimet për implikimin e njerëzve të tij në grushtin e shtetit, ku mbetën të vdekur 250 qytetarë. Të njëjtin qëndrim e ka mbajtur deri më tani edhe SHBA dhe BE, të cilët nuk i kanë quajtur të besueshme përfundimet e një regjimi aspak demokratik si ai që mbretëron në Ankara.
Por, pa pyetur për to, Rama ka marrë i vendosur anën e së vërtetës së Erdoganit. Dhe atë që dikur e bënte me fjalë, tani, pas vizitës së fundit në Turqi, ai ka vendosur ta vërë në jetë edhe me vepra, pa pyetur për opinionin ndërkombëtar dhe ligjet shqiptare. / KultPlus.com
“trëndafili i bardhë” ka gjete një hapësirë të veçantë në kryeqytetin e Prishtinës, duke synuar që një pjesë të këtij qyteti ta rifunksionalizojë, pikërisht nëpërmjet shpirtit të këtij trëndafili, shkruan KultPlus.
Në një ambient modest, artisti i përmasave të mëdha Sislej Xhafa ka inauguruar veprën e tij “trëndafili i bardhë”, që kishte gjet pikërisht një ambient ku kujdesen për pëllumbat, atë të Shoqatës për Kultivimin dhe Mbrojtjen e Pëllumbave.
Dhe vet artisti Xhafa ka thënë para të pranishmëve se kjo vepër nuk do të ishte komplet, sikur mos të kishte këtë ambient se ku është vendosur, për dyqanet e vogla përreth dhe njerëzit që frekuentojnë këtë pjesë që ofron ngrohtësi.
“Ne bëjmë pyetje por unë nuk kam përgjigje, po ta kisha pas përgjigjen nuk do të kisha bërë art, kështu që vepra me të vërtetë është një pyetje”, u shpreh Sislej Xhafa, i cili veprën “trëndafili i bardhë”, e inauguroi në praninë e shumë miqve, artistëve, dhe në prani të drejtoreshës së Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, të cilët edhe ishin mbështetës të këtij projekti.
Vendosja e një vepre të artit bashkëkohor në hapësira publike, për artistin e madh Xhafa që vepra të mëdha ka në shumë vende të botës, është një mundësi që tu falin përvojë artistike edhe njerëzve të thjeshtë.
Kurse drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në kuadër të Komunës së Prishtinës, Blerta Basholli u shpreh se ky lloj arti iu afrohet qytetarëve, vizitorëve dhe të tjerëve që dëshirojnë të shijojnë artin.
Kurse piktorja Zake Prelvukaj artistin Xhafa e ka vlerësuar si një artist që ushqen komunitetin me performancat dhe veprat e tij.
“Një vepër e Sislej Xhafës, për mua është një përfaqësim shumë i mirë i një artisti i cili është me përmasa botërore”, ka thënë Prelvukaj.
E për kryetarin e Shoqatës për Kultivimin dhe Mbrojtjen e Pëllumbave Mustafë Berisha, ky moment është shumë i veçantë, sepse inaugurimi i një vepre arti të një artisti kaq të njohur, pranë shoqatës së tyre, tash e tutje i jep një dimension tjetër kësaj hapësire të kryeqytetit.
“Kjo vepër artistike do të mbetet kujtim përgjithmonë, është trashëgimi, sepse do të vijnë gjenerata e gjenerata dhe do ta shohin këtë vepër.
E Arta Agani, ish drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Arteve të Kosovës ka thënë se ndjehet e fascinuar me veprën, por edhe me vendin se ku është vendosur kjo vepër.
“Pozita ku gjendet kjo vepër është paksa e çuditshme, por unë e kuptoj atë si një riaktualizim të njërës prej lagjeve më të vjetra të Prishtinës, që ka shumë rëndësi për qytetin”, tha Agani.
Vepra “trëndafili i bardhë” e trajton unitetin, diversitetin dhe kompleksitetin e gjendjes njerëzore dhe hulumton se si bota jonë mund të shfaqë ironi dhe realitet të fortë. Ajo është një skulpturë që krijon një fërkim mendor për shikuesin, duke ngritur pyetje të rëndësishme ndërsa krijon harmoni midis pranisë njerëzore dhe identitetit të saj si hapësirë për artin. Njëkohësisht, paraqet edhe gjendjen e fuqishme psikologjike të melankolisë dhe lehtësisë. “trëndafili i bardhë” është një nderim për bukurinë e popullit tonë, tokës, komunitetit të rrethuar nga përmbysjet globale, për njerëzit e saj dhe unitetin e të cilët e përfaqësojnë.
“trëndafil i bardhë” është vepra e parë e projektit “Art në Hapësirë Publike” financuar nga Komuna e Prishtinës, e cila sot është vendosur në rrugën “Andrea Gropa”, te “Shoqata për Kultivimin dhe Mbrojtjen e Pëllumbave./KultPlus.com
Liqeni i Ujmanit mund të quhet liqeni “Trump”. I dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, thotë se palët janë dakord, por zyrtarë të Bashkimit Evropian nuk e mbështesin këtë ide.
Viola von Cramon, deputete e Parlamentit Evropian dhe raportuese për Kosovën, e cilëson si të pakuptimtë një ide të tillë dhe ngre dyshime se Kosova po përdoret për fushatën e Donald Trumpit, që po kërkon një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
“Është gjë sot 1 prilli? Si mundet që dikush të japë diçka të tillë në shenjë mirënjohjeje për marrëveshjen? Thjesht pjesë e fushatës së Trumpit”, shkruan evrodeputetja gjermane.
I dërguari special i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell thotë se emërtimi i liqenit ka qenë një çështje serioze e diskutimeve midis dy vendeve.
“Si të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe Serbi ka qenë një pikë serioze diskutimi në dialog, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të bëhet një studim i fizibilitetit që të krijohen vende të reja pune në rajon. Andaj të dyja palët vendosën që ta quajnë: liqeni “Trump”, shkruan Grenelli.
Kurse kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka “përgënjeshtruar” Grenellin duke zbuluar se në fakt nuk ka qenë një dakordësi midis Kosovës dhe Serbisë por një propozimi i tij.
“Kam mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet liqeni i presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”, shprehet Hoti. / KultPlus.com
Ruajtja e gjuhës amtare është pjesë e pashkëputur e identitetit të një personi. Në Zvicër, më saktësisht në qytetin Monthey, pas nëntë viteve pauzë është rihapur më në fund klasa shqipe në kuadër të LAPSH ( Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë „Naim Frashëri” në Zvicër), e cila ekziston që nga viti 1995, shkruan KultPus.
Me iniciativën e Zenun Shalës dhe bashkëpunimit të anëtarëve të tjerë të kryesisë: Dugagjin Ramosaj, Valentina Ramosaj dhe Yllka Shehut, klasa e mësimit plotësues në gjuhën shqipe ka nisur mësimin më 6 shtator.
Anëtarja e kryesisë së shkollës shqipe në Monthey-Chablais në Zvicër,
Yllka Shehu, ka treguar për KultPlus se për shkak të mos interesimit të prindërve, kjo klasë është mbyllur në vitin 2011, por ajo shprehet entuziaste që shoqëria shqiptare në diasporë tashmë janë të vetëdijesuar mjaftueshëm për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe.
“Megjithatë, në ketë pikë luan gjithmonë rol të rëndësishëm, fillimisht, edukimi i fëmijëve nëpër familjet e tyre dhe pastaj arsimimi i tyre nëpër shkollat e gjuhës shqipe. Në fund të fundit, brezat e rinjë duhet të kenë një nxitje dhe motivim nga familja sa i përket ruajtjes së gjuhës. Nëse prindërit i japin një shtytje sado të vogël fëmijëve të tyre, atëherë besoj që këta të fundit do të dinë të çmojnë dhe ruajnë edhe më shumë gjuhën shqipe, si dhe t’ua përcjellin atë brezave të ardhshëm”, ka thënë Shehu.
Me rihapjen e klasës së parë në gjuhën shqipe, drejtuesit janë munduar që të rrisin interesimin e sa më shumë prindërve për regjistrimin e fëmijëve të tyre. Deri më tani kanë arritur që klasa të ketë gjithsej 14 nxënës të moshës 6-12.
“Shpresojmë që ky numër të rritet sa më shumë, për shkak që brezat e rinjë nuk duhet harruar asnjëherë prejardhjen, gjuhën dhe vendlindjen e tyre”, thotë Shehu.
Për të bërë hapjen e klasave shqipe (si pjesë e komunitetit), drejtuesit fillimisht është dashur që të marrim leje nga komuna e qytetit Monthey, e cila nuk ka hezituar të ju ofrojë dy klasa në kuadër të shkollës “Reposieux – Cycle d’orientation”. Përveç kësaj, komuna poashtu ka ofruar edhe një ndihmë financiare vjetore për shkollën shqipe.
Për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës amtare nga gjeneratat e reja, sipas Shehut, prindërit luajnë rolin kryesorë.
“Një fëmijë shqiptar i lindur dhe rritur në diasporë, ndonëse mund të zotërojë pasaportë të huaj (në këtë rast zvicerane), prapë se prapë prejardhja e tij mbetet shqiptare. Prandaj, po ky fëmijë, kur di të flasë për vendin, gjuhën dhe zakonet e popullit të tij, është më shumë se krenari, jo vetëm për prindërit, por për të gjithë shqiptarët. Prindërit luajnë rol kryesor në këtë çështje. Kur prindërit mbajnë gjallë gjuhën amtare në shtëpi, ata jo vetëm që forcojnë lidhjet familjare mes tyre, por edhe i mësojnë fëmijëve të vlerësojnë dhe krenohen me kulturën dhe rrënjët e tyre.”
Anëtarja Yllka Shehu, nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin se shumë fëmijë shqiptarë gjatë pushimeve në Kosovë ndihen të huaj për shkak se nuk e zotërojnë mirë gjuhën shqipe. Andaj ajo ka një lutje për të gjithë.
“Shumë herë kam dëgjuar edhe shqiptarë që thonë “I huaj këtu (në Zvicër), i huaj edhe në Kosovë”! Prandaj, le të mos ndjehemi më të huaj. Le të mësojmë e ruajmë gjuhën tonë, që nesër të mos ndjehemi sikur nuk përkasim.” / KultPlus.com