‘One Kiss’ e Dua Lipës thyen rekord, arrin 700 milionë klikime në Youtube

Kënga ‘One Kiss’ nga Dua Lipa dhe Calvin Harris ka arritur në 700 milionë shikime në Youtube, shkruan KultPlus.

Kënga, e cila u lansua në vitin 2018 në bashkëpunim me DJ Calvin Harris, është bërë një ndër projektet me më së shumti shikime të 25 vjeçares.

“One Kiss” nga Dua Lipa dhe Calvin Harris ka arritur zyrtarisht 700 milionë shikime në YouTube. A është kjo videoja e tretë e Dua Lipës që ka arritur këtë”, thuhet në një njoftim të ndarë në InstaStory nga faqja ‘dlipaneës’, të cilën më pas e ripostoi edhe vet Dua Lipa. / KultPlus.com

Poema e Ismail Kadaresë kundër sistemit komunist të Enver Hoxhës

Në tetor të 1975- s, Ismail Kadare do të sfidonte një regjim të tërë më vjershën reaksionare “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç njihet ndryshe “Pashallarët e kuq”, përcjellë KultPlus.com


Asokohe, shkrimtari tentoi ta botonte por korrigjuesit dhe kritikët në redaksinë e gazetës “Drita” ngritën alarmin.
Poema denonconte hapur dështimin dhe përlyerjen me gjak të sistemit diktatorial.
Ju kujtojmë se në 2016- n, 41 vite pas zbulimit të ditarit sekret të udhëheqësit komunist u gjetën shënime të vetë Hoxhës mbi Kadarenë dhe poemën e tij. “Ky poet i lig e përgjithëson për të atakuar Partinë, bazën, socializmin, që janë të fortë si çeliku dhe zbatojnë një rrugë të drejtë të palëkundshme marksiste- leniniste të bazuar në luftën e klasave”, shkruan Enver Hoxha në ditarin e tij.
Për Kadarenë thotë se mendoi se kësaj here vërtet do ta pësonte dhe se “lart e poshtë thuhej gojë më gojë që arrestimi i Kadaresë ishte çështje ditësh”.

Në mesditë Byroja Politike u mblodh

Në mesditë Byroja Politike u mblodh.
Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë.
Në kufijtë e jugut vallë ç’ndodh.
Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë.
Mos lëvizën klasat e përmbysura,
Mos ka katastrofë në prodhim.
Vallë ambasadorët mos kanë nisur
Radiograme plot shqetësim.
Jo. Kufijtë e shtetit janë të qetë.
Nga ambasadat lajme me alarm nuk ka.
Dhe nën diktaturë të proletariatit,
Dimërojnë kokëulur ish kastat e mëdha.
Dhe prodhimi është normal dhe ditët
Rrjedhin të zakonshme në dhjetor…
Po ahere pse kështu papritur
Në mesditë Byroja Politike umblodh?

2.
Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë.
Shumë shumë mund të pikojnë diku.
Nga themelet ata prishen
Këtij ligji
Shteti socialist i bindet gjithashtu.
Mund që lart çdo gjë të duket bukur,
Gara socialiste, merrja këngës, haj.
Dhe pankartat dhe heronjtë e punës
Në gazetë lokale në Një Maj.
Telegrame urimi, diell i ndritur
Në mitingje e vjersha letrarësh të rinj
Kurse poshtë
pikërisht në themelitë
Rritet ngadalë tumor i zi.
Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet.
Ambasadat që rrëfejnë diçka për ta.
Për burokratizmin ç’kemi vallë?
Topat s’pijnë ujë
dhe konsuj atje s’ka.

3.
Midis shkresash, telefonash,
letërthithësesh
Ata skenat mbushin gjithnjë
Mjaft me këtë qeshje dashamirëse
Burokratët janë tjetër gjë.
Jo me bojë pelikan përjargur,
Si tuafë të këndshëm ho, ho, ho,
Por të kobshëm
me duar të përgjakura
Gjer në bryle unë ata i shoh.
I shoh atje thellë tek rrëmojnë.
Në themelet e revolucionit pikërisht.
Ç’bëjnë ashtu
pse trupat e dëshmorëve
Kthejnë djathtas, majtas dhe
përmbys?
Pa shiko,
trupat sikur i lajnë.
Nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt.
Dhe pas gjakut amanetet q’ata lanë,
Idealet dhe parimet krejt.
Dhe vulën e gjakut si ta zhdukin,
Oh, e dijnë se është lehtë pastaj
Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën
E punëtorëve
thelbin e saj.
Ja kështu, atje në gjunjë të ulur
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim
Po ç’patën papritur
Pse u ndalën
Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë.
Këtu janë varrosur të përmbysurit:
Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha
Ata sulen, trupat kthejnë përmbys e nisin
Që t’i zhveshin me një vrull hata.
Rrobe sundimtarësh të përgjakta
Me nishane e grada veshin shpejt.
Dhe me to mbi supe nëpër natë
Ikin drejt mëngjezit si rrebesh.

4.
Dhe mëngjezi erdh,
Të zbetë, të ngrirë,
Nën mantelet me nishane e me kurorë
Ata shkojnë në zyra, ministrira,
Madje ngjiten gjer në Komitet Qendror.
Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partije
Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg.
Në kortezh të zymte, nën himne liturgjie
Çojnë tabutin e revolucionit për në varr…

5.
Kurse pamja e jashtme ishte ndryshe
Buzëqeshje, tundje grushti në miting
Thjeshtësi tek xha Kamberi, tek X gjyshe,
Dhe fjalët “Enver” “parti”, “autokritikë”.
Kështu ishte ditën, kurse natën
Zbrisnin në themel ata sërish.
Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit
Që duronte ditën ngre e ngre e natën prish.

6.
Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve
Tek ndanin mantelet seç i pa.
“Ja, ku qenkeni!”
Ata u ngrinë.
– Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!-
Por ai i mvrejtur me dhembjen në çdo thinjë
Si një mal në dimër bubulloi.
Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte
Nga pushteti me kamçik dhe stap.
Ai klasën ngriti të punëtorëve.
Për ta bërë burokratizmin zap.

7.
Si dikur patrullat partizane
Shtegëtojnë ekipet e kontrollit punëtor.
Që të mos i marrin ministritë me topa Nesër.
Sot i marrim me kontroll.
Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha
Dhe në ditlindjen e veteranit tornitor.
Je për socializmin?
Vrapo në rrjeshta
Shpall kudo dhe mbi këdo
kontroll punëtor.
Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.
Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur tek Bulevardi i Madh.

8.
Ditët ikin.
Vorbullat e ngjarjeve
Nëpër stinë e vite shtjellen me furi
Vijnë plenumet e partisë porsi ushtarët
E revolucionit
në stuhi.
Ecën klasa pas partisë në ditë epike,
Populli pas klasës derdhet oqean
Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja Politike
Mesditë a mesnatë
gati të gjithë janë. / KultPlus.com

Si u dashurua Helena me Ismail Kadarenë

Ishte gjimnaziste kur botoi tregimin, i cili do të ishte filli i padukshëm i fatit me të cilin do të lidhej jeta e saj dhe e bashkëshortit të ardhshëm, që atëkohë që student pasuniversitar në Moskë dhe një prej yjeve të rinj të letërsisë shqipe.

“Pasi kishte lexuar këtë tregim, më shkroi katër rreshta: “Lexova tregimin tuaj të mrekullueshëm…”, do të kujtonte, ndërsa shtonte “Dhimitër Xhuvani, një shkrimtar nga Elbasani, i cili ndodhej edhe ai në Moskë, i kishte thënë Ismailit, që “e njoh unë këtë vajzë”. Kur erdhi në verë në Shqipëri, Ismaili më tha “nuk është se më pëlqeu vërtet ai tregim por kisha tjetër qëllim.” Kështu do të ndante shkrimtarja Helena Kadare me lexuesit nga Prishtina zanafillën e historisë së saj të gjatë të dashurisë me shkrimtarin.“Atë letrën nga Moska e mori vesh i gjithë gjimnazi në Elbasan. Unë iu përgjigja menjëherë, me disa faqe letër, por nuk më erdhi ndonjë përgjigje, ” ka thënë ajo për gazetaret Alda Bardhyli e Beti Njuma, ndërsa e pyesnin mbi detajet e dashurisë së saj me Ismail Kadarenë. Takimi i parë me shkrimtarin, ka kujtuar Helena Kadare, do të ndodhte në Tiranë pasi ai ishte kthyer nga studimet e tij në Moskë.“Rastësisht në Bulevard përballem me Ismailin i cili ishte me Nasho Jorgaqin. “Ja, kjo është Helena Gusho, siç kisha mbiemrin e vajzërisë”, i thotë Nasho. Ai aty për aty shënoi numrin e telefonit dhe më tha: “Më merr në telefon, se kam sjellë edhe disa filma dhe unë i shoh në tavan”, më tha. U mahnita shumë! Ma tha troç: “Hajde të shohim filma në tavan”.

“Atë letrën nga Moska e mori vesh i gjithë gjimnazi në Elbasan. Unë iu përgjigja menjëherë, me disa faqe letër, por nuk më erdhi ndonjë përgjigje ”.

Gjimnazistja dhe më vonë studentja e letërsisë nisi karrierën si shkrimtare duke botuar romanin e parë “Një lindje e vështirë” në vitet ’70, e shoqëruar nga syri kritik i të shoqit, i cili kishte në atëkohë famën si një prej shkrimtarëve më të mirë të vendit. “Kam shkruar shumë herët, por lidhja me Ismailin më bëri të mendoja se, çfarë do të thoshte ai, për ato që unë shkruaja. Ma lexoi fillimisht ai atë roman. “Mirë, nuk është i keq. Por jo kush e di se çfarë. Mos kujto se çfarë ke bërë”, më tha”, ka kujtuar më tej ajo, ndërsa pas romanit të parë erdhën “Bashkëshortët”, “Një grua nga Tirana”, “Kohë e pamjaftueshme”. E pyetur e çfarë mendonte ajo kur shkrimtari e shndërronte marrëdhënien e tyre dhe atë vetë në personazhe të romaneve të tij, siç ishte Ana tek “Përbindëshi”, Helena Kadare do të thoshte “Po, por ai vetë nuk ka qenë koshient, sepse ia kanë bërë këtë pyetje edhe shumë herë të tjera. “Pse ashtu është?! Jo nuk është ashtu”. Anën, e ka një personazh shumë të dashur, e ka përdorur shpesh.

Megjithatë, Helena Kadare, nuk e mendonte se ishte ajo personazhi. “Ky është një nder shumë i madh. Dhe i thosha vetes se është dikush tjetër, jo unë.”Por nuk ishte vetëm ajo personazh i romaneve të Ismail Kadaresë, ishin edhe historitë e dashurisë nga koha e studimeve në Moskë.“Në fakt me historitë por edhe jetën e tij në Moskë u njoha më herët, nga poezitë e tij, por edhe nga ditarët, që ia gjeja e lexoja te shtëpia e tij. Dhe si të thuash, u vaksinova për këtë pjesë.” Ditari, kujtonte shkrimtarja ishte i mbushur me Juba, Tanja e shumë të tjera. “Ai ma përsëriste shpesh: “Ti po të duash edhe ik, se unë nuk kam ndër mend të martohem”. Unë ia ktheja: “Kush ka ndërmend të martohet me ty?!” Përpiqesha të dukesha sa më origjinale.”Jetën në krah të shkrimtarit të madh, Helena Kadare e ka sjellë të rrëfyer në “Kohë e pamjaftueshme”, librin autobiografik që nisi ta shkruante në vitin 1996, në Dubrovnik, edhe pse e dinte se do të ndeshej me kundërshtitë e shkrimtarit që nuk i parapëlqente librat autobiografikë.

“Në fakt me historitë por edhe jetën e tij në Moskë u njoha më herët, nga poezitë e tij, por edhe nga ditarët, që ia gjeja e lexoja te shtëpia e tij. Dhe si të thuash, u vaksinova për këtë pjesë.”

“Ai thoshte se nëse duhet të shkruash diçka, duhet ta shkruash në mënyrë të tillë që ta pëlqejnë ballkanasit, sepse ata vetë, i shpërdorojnë këto gjëra dhe më tepër janë narrativë, në mënyrë gojore.”Këshilla e Ismail Kadaresë për të shoqen ishte që t’i rrëfente me saktësi ngjarjet, ashtu si kishin ndodhur. “Duhet t’i thuash pa tabu. Mos u ndiko, as nga unë as nga ndokush tjetër!”Shkrimtarja ka rrëfyer se kjo i shërbeu t’i shkruante kujtimet pa drojë dhe se Ismail Kadare e mësoi t’i shkruante ato që mendonte pa bërë dredhi, “sepse lexuesi ka ndjeshmëri të jashtëzakonshme, që e kap menjëherë, kur përpiqesh të rrotullosh historinë, për të fshehur diçka.”Në rrëfimin retrospektiv Helena Kadare u ndal edhe tek jeta jo fort e lehtë gjatë komunizmit, ndërsa ka veçuar në disa momente që i kanë lënë shenjë edhe sot, një prej të cilëve ishte nga koha kur u botua poema “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, e njohur si “Pashallarët e kuq”.

“Ti po të duash edhe ik, se unë nuk kam ndër mend të martohem”. Unë ia ktheja: “Kush ka ndërmend të martohet me ty?!” Përpiqesha të dukesha sa më origjinale.”

“Ai ka qenë një moment shumë-shumë i vështirë sepse ndodhi që ai kishte çuar një cikël me poezi te gazeta “Drita” dhe priste botimin në numrin e të dielës së radhës. Ishte një e diel me shi dhe unë, për habinë time, ndjehesha edhe pak euforike. Të dielave ne na thërrisnin aktivistet e lagjes, për të pastruar shkallët e pallatit dhe oborrin. Nga që binte shi unë mendoja “O sa mirë ajo gruaja nuk do na thërrasë sot”. Erdhi gazeta “Drita” poshtë derës. Unë e pashë dhe i thash Ismailit, “nuk është botuar cikli yt”. “Ashtu”, tha ai dhe u pre.”

Helena Kadare ka rrëfyer se poemën për të cilën e kishin kritikuar nuk e kishte lexuar më parë. “Pas kësaj filloi një histori, që ishte më e rënda nga të gjitha sepse u mblodh edhe Komitetit Qendror, u angazhua vetë Ramiz Alia dhe u thanë gjërat më të llahtarshme që mund të thuheshin, “Ti je armik”, “I hap rrugën imperializmit”. Ai ishte shumë i dëshpëruar, e dinte shumë mirë se çfarë kishte bërë. Pasuan ditë shumë të rënda…”Frika ishte ajo që i shoqëronte pas çdo botimi të ri. “Por ai nuk ligështohej”, ka thënë ajo Asnjëherë nuk pati kufizim brenda vetes, për të mos thënë diçka. Mënyrat dhe marifetet e tij, ishin të atilla që ajo që shkruante të kalonte por gjithsesi.”

“Unë do iki, por ti dhe vajzat do të internoheni”. “Nuk ka gjë”, thosha “unë jam e fuqishme dhe do të punoj në internim, por ti bëje atë që mendon dhe që e do”.

Helena Kadare në rrëfimin e saj është ndalur edhe tek marrëdhënia e çiftit me familjen e diktatorit Hoxha. “Ne kemi qenë te familja Hoxha në vitin 1971.”Kohë kur Ismail Kadare do të shkruante Dimrin e Madh “dhe kishte kërkuar nga Arkivi, dokumentacionin e mbledhjes së 81 partive në Moskë. Ne shkuam dhe ishim në një ankth të madh sepse Enveri dukej një figurë e paarritshme. Ndërsa ishim duke biseduar me Nexhmijen, në mes të bisedës erdhi Enveri. Biseda ishte shumë interesante sepse ai tregoi shumë gjëra, jo vetëm për atë mbledhje, por edhe nga Gjirokastra, sepse ata ishin banorë të së njëjtës rrugicë. Ankthi, ishte i madh, për kohën që qëndruam atje.”

Shkrimtarja ka kujtuar edhe frikën pas çdo udhëtimi jashtë Shqipërisë të bashkëshortit. “ E kemi diskutuar disa herë bashkërisht, ikjen e tij në vitin 1983. “Unë do iki, por ti dhe vajzat do të internoheni”. “Nuk ka gjë”, thosha “unë jam e fuqishme dhe do të punoj në internim, por ti bëje atë që mendon dhe që e do”. “Ai -Enver Hoxha- do të vdesë nga dëshpërimi nga ky gjest që unë do të bëj”. Ramë dakord të dy. Për gjatë një nate bëmë gati valixhet. i hapa astarin, futi dorëshkrimet dhe ia qepa, me mendimin se nuk do të kthehej…”

E ndalur në kohët e sotme, ku jeta e çiftit Kadare është e vendosur mes Tiranës dhe Parisit, Helena Kadare thotë se përditshmëria vijon të mbetet e njëjta. “Ai është “Princi” që nuk di të bëjë asnjë punë që e do çdo gjë gati dhe unë që vazhdoj t’i bëj njëlloj si të gjitha gratë shqiptare.”, ka thënë ajo, ndërsa çdo ardhje në Tiranë e sheh si gëzim të vazhdueshëm. “Madje, i kërkoj Ismailit që të rrimë në Tiranë, por kam vënë re se klima në Tiranë e lodh dhe e dëshpëron, sepse, për hir të së vërtetës ka edhe shumë agresivitet, të cilin ai e ndjen më thellë, sesa unë.”Nga libri i saj me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”, zbulon se nuk ka harruar asgjë, por ishte Ismail Kadare që i hoqi rreth njëqind fare. “Ka hequr ca kujtime të mikeshave, shoqeve të mia. “Po çfarë i ke këto, kot?!”, ka përfunduar shkrimtarja, ndërsa është ndalur në etapat e një historie të gjatë dashurie e cila zuri fill me atë tregim të shkruar nga një gjimnaziste. / KultPlus.com

MKRS shpall konkurs për çmimet në fushën e teatrit për vitin 2020

Më qëllim të zhvillimit, avancimit dhe promovimit të krijimtarisë teatrore, dhe në pajtim me Rregulloren për ndarjen e çmimeve për teatër, e nënshkruar nga ana e Ministrit më 30.06.2014, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall konkursin për çmimet në fushën e teatrit për vitin 2020.

MKRS fton të giithë të interesuarit që të propozojnë kandidatët për Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore dhe Çmimet vjetore për teatër, që u jepet krijuesëve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë në fushën e teatrit.


https://www.mkrs-ks.org/…/Konkursi_i_%C3%87mimeve_p%C3…/ KultPlus.com

Meta për Kadarenë: Gjeniu ynë i madh i letrave, shprehësi më i jashtëzakonshëm i fuqisë së mendimit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta uroi sot 85 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare.

“Gëzuar ditëlindjen Ismail Kadare, gjeniu ynë i madh i letrave, shprehësi më i jashtëzakonshëm i fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës krijuese të kombit shqiptar, që si askush tjetër dite t’u japësh përmasa universale duke na bërë krenar të gjithëve”, shprehet Meta në urimin e tij.

“Ishe për ne dritë në një nga periudhat më të errëta, siç vijon të mbetesh një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, për çka të jemi mirënjohës përjetë”, thekson Meta.

“Në këtë datë të shënuar për Ju, u bashkohem sot urimeve më të ngrohta të familjes së dashur Kadare dhe mbarë kombit shqiptar, për të pasur shëndet e jetë të gjatë dhe shumë suksese të reja në krijimtarinë Tuaj të shkëlqyer letrare”, përfundon Meta.

Ismail Kadare ka lindur në Gjirokastër, më 1936 është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.

Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Çmimin Man Booker International, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Aëards” për Artet, në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, në vitin 2019 Çmimin Park Kyong-ni ndërsa në vitin 2020 çmimet Neustadt dhe Prozart. Më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. / KultPlus.com

KOMF: Një Kryeministër për Fëmijët!

Pandemia Covid-19 ka rënduar edhe më shumë gjendjen e fëmijëve në Kosovë, e sidomos atë të fëmijëve të cenueshëm, ku shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime. Periudha e zgjatur e izolimit dhe kushtet e rënda të jetesës kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve, rritjen e numrit të fëmijëve pa kujdes prindëror dhe përkeqësimin e gjendjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Kriza dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përgjithësi në përkeqësimin e shëndetit mendor të fëmijëve, prandaj mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme dhe e domosdoshme.

Si Koalicion për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ju paraqesim faktet rreth situatës së fëmijëve në Kosovë si dhe nevojën emergjente që një qeverisje e mirë t’i adresojë ato!

ULJA E VARFËRISË TE FËMIJËT

22.8% e fëmijëve në Kosovë, jetojnë në varfëri, përderisa 7.2% jetojnë në varfëri ekstreme! Ligji për Asistencën Sociale përmban kritere diskriminuese për fëmijët duke përjashtuar kështu një pjesë të madhe të familjeve në nevojë nga kjo skemë. Shuma mujore e ndihmës sociale është shumë e vogël për të përballuar kushtet elementare të jetesës për një familje. Kosova nuk aplikon shtesat për fëmijë, i cili është dëshmuar si një nga instrumentet më efektive për zbutjen e varfërisë dhe pabarazisë tek fëmijët.

Kërkojmë:

Reformimin e politikave sociale për zbutjen e varfërisë:

Largimin e kriterit diskriminues dhe të papranueshëm në kuadër të Ligjit për Asistencë Sociale, ku përcaktohet që familja duhet të ketë të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeç për të përfituar nga skema e asistencës sociale.

Rritjen e shumës mujore së ndihmës sociale për të përballuar kushtet elementare të jetesës për familje.

Aplikimin e shtesave për fëmijët.

PËRFSHIRJA E FËMIJËVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA NË SHKOLLA DHE SIGURIMI I QASJES NË SHËRBIME

8% e fëmijëve të moshës 2 – 17 vjeç në Kosovë, janë raportuar të kenë vështirësi funksionale të paktën në një fushë. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale. Nga 43.000 fëmijë me aftësi të kufizuara, vetëm 5,300 vijojnë mësimin në shkolla publike të rregullta në Kosovë.

Kërkojmë:

Ndërmarrjen e masave që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshihen në shkollë, të kenë qasje në shërbimet shëndetësore dhe sociale.

Punësimin e asistentëve mbështetës në shkolla për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe sigurimin e transportit.

Largimin e barrierave fizike në çdo mjedis.

MBROJTJA E FËMIJËVE NGA DHUNA DHE PUNËT E RËNDA

72% e fëmijëve nga 1 deri në 14 vjeç raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik). 5% e fëmijëve janë të përfshirë në punë!
Kërkojmë:

Ndërmarrjen e të gjitha masave për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka hyrë në fuqi në 2020.

MBROJTJA E FËMIJËVE NGA DUHANI DHE DROGA

Duhani dhe drogat po dëmtojnë rëndë shëndetin e fëmijëve! Ligji për Duhanin nuk po zbatohet. Programet për rehabilitim janë tërësisht në mungesë.

Kërkojmë:

Ndërmarrjen e masave për zbatimin e menjëhershëm të Ligjit për Duhanin. Krijimin e programeve parandaluese dhe rehabilituese për fëmijët viktima të abuzimit me substanca narkotike.

INVESTIMI NË ZHVILLIMIN NË FËMIJËRINË E HERSHME

15% e fëmijëve të moshës 3 – 4 vjeç vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme. Këto të dhëna tregojnë që pjesa dërrmuese e fëmijëve në Kosovë në vitet e para rriten në mjediset familjare, kryesisht me prindërit apo kujdestarët, pa ndonjë mbështetje institucionale.

Kërkojmë:

Krijimin e programeve për mbështetjen e prindërve dhe kujdestarëve për zhvillimin në fëmijërinë e hershme.

Hapjen e institucioneve të reja parashkollore.

RRITJA E CILËSISË NË ARSIM DHE KRIJIMI I AMBIENTEVE MIQËSORE PËR FËMIJËT NË SHKOLLA

Programi për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve “PISA” ka radhitur Kosovën në vendin e 76, në mesin e 78 shteteve të cilat i janë nënshtruar vlerësimit, duke rezultuar me nivel të ulët të cilësisë në arsim. Dhuna fizike dhe psikologjike vazhdon të përdoret nga mësimdhënësit në shkolla si mjet disiplinimi. Dhuna po vazhdon të përdoret edhe në mes të bashkëmoshatarëve.

Kërkojmë:

Rritjen e investimeve për rritjen e cilësisë në arsim dhe zbatim efikas të të gjitha ligjeve që rregullojnë gjithëpërfshirjen dhe qasjen në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës në shkolla.

SIGURIMI I QËNDRUESHMËRISË SË SHËRBIMEVE SOCIALE

Ofruesit e shërbimeve sociale shpesh rrezikojnë mbylljen e shërbimeve si pasojë e mos financimit të qëndrueshëm. Me mbylljen e shërbimeve fëmijët e cenueshëm mbesin pa strehim dhe shërbime duke u cenuar rëndë të drejtën themelore për mbrojtje. Vetëm 1% e buxhetit total të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ndahet për shërbime sociale.

Kërkojmë:

Procedimin sa më shpejt të miratimit të Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili parasheh krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale për të garantuar financim të qëndrueshëm të shërbimeve sociale.

Krijimin e një skeme të qëndrueshme për kontraktimin e shërbimeve sociale dhe familjare nga sektori jo-qeveritar.

Rritjen e pragut të minimumit të financimit për shërbimet sociale të ofruara nga sektori joqeveritar, në mënyrë që të përmbushen nevojat e qytetarëve për shërbime sociale.

KUJDESI NDAJ SHËNDETIT MENDOR TË FËMIJËVE

Situata e jashtëzakonshme e shkaktuar nga pandemia Covid-19, izolimi dhe kushtet e rënda të jetesës, në përgjithësi kanë ndikuar në përkeqësim të shëndetit mendor të fëmijëve duke rritur pasigurinë e frikën dhe duke cenuar ekuilibrat emocional të tyre.

Kërkojmë:

Rritjen e numrit të psikologëve në shkolla, me qëllim të fuqizimit të mbështetjes emocionale të nxënësve dhe të kujdesit ndaj shëndetit mendor të tyre.

RRITJA E CILËSISË SË SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE

Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, janë ndër më të ulëtat në rajon. Shpenzimet nga xhepi i qytetarëve janë të larta, kjo në mungesë edhe të fondit për sigurime shëndetësore. Furnizimi me barna vazhdon të mos jetë i rregullt, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e fëmijëve.

Kërkojmë:

Krijimin e planeve konkrete, politikave të nevojshme dhe investimeve për rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, implementimin e fondit për sigurime shëndetësore, sigurimin e qëndrueshmërisë së fondit për trajtimin e fëmijëve me sëmundje të rënda që kërkojnë shërim jashtë vendit, sigurimin që barnat nga lista esenciale nuk do të mungojnë asnjëherë.

TRANSPARENCË NË BUXHETIMIN PËR FËMIJËT

Në Kosovë mungojnë proceset transparente dhe të qasshme për të garantuar në mënyrë efektive përfshirjen e qytetarëve dhe sidomos fëmijëve në procesin e buxhetimit.

Kërkojmë:

Deklarimin e buxhetit në mënyrë transparente në fushat të cilat prekin fëmijët dhe mbrojtjen e fëmijëve, duke bërë të njohur investimet në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe drejtësisë për të mitur.

Proceset transparente dhe të qasshme për të pasur pikëpamjet e fëmijëve dhe prindërve në procesin e buxhetimit.

RRITJA E LLOGARIDHËNIES

Llogaridhënia në fushën e mbrojtjes së fëmijëve mbetet shumë e ulët, qoftë në fushën e shërbimeve sociale, shëndetësisë apo arsimit. Mungojnë mekanizmat e pavarur inspektues për të shqyrtuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve. Njësitet e inspektimit veprojnë në kuadër të ministrive, pra nuk janë të pavarura dhe ato funksionojnë me kapacitete shume të kufizuara.

Kërkojmë:

Krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm dhe të pavarur të inspektimit për cilësinë e ofrimit të shërbimeve në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mirëqenies sociale.

Fuqizimi i tyre përmes rritjes se kapaciteteve është hapi tjetër që do ndikonte në rritjen e llogaridhënies.

PËRFSHIRJA SOCIALE E FËMIJËVE NGA KOMUNITET ROM, ASHKALI DHE EGJIPTIAN

Vetëm 38% e fëmijëve që jetojnë në komunitete janë vaksinuar plotësisht. Vetëm 8% e fëmijëve të moshës 3 – 4 vjeç që jetojnë në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme. 84% e fëmijëve ndjekin shkollën fillore, 64% ndjekin shkollën e mesme të ulët dhe 31% ndjekin shkollën e mesme të lartë. 1 në 3 gra dhe 1 në 10 burra nga komunitetet të moshës 20–24 vjeç janë martuar para moshës 18 vjeç.

Kërkojmë:

Rritjen e vaksinimit për imunizimin e fëmijëve që vinë nga komunitet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Përfshirjen në shkolla të fëmijëve nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Ndërmarrjen e masave për parandalimin e martesave nën moshën 18 vjeç. / KultPlus.com

‘Njeriu në jetë ka nevojë për një filxhan shkencë, një shishe kujdes dhe një oqean durim’

Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur botërisht. Ai ka arritur të fitoi shumë nderime anekënd botës, madje u kandidua disa herë edhe për “Nobel”. Romancier, poet, eseist, përkthyes. Letërsia e Kadaresë vazhdon të lexohet me ëndje nga shumë lexues gjihtkund në botë.

Sot, Kadare ka mbushur 85-vjet dhe KultPlus ju sjell disa nga thëniet e tij të vlefshme.

Më poshtë mund t’i lexoni dhjetë thënie të Kadaresë që kanë mbetur gjatë në mendjen e shumë lexuesve dhe adhuruesve të tij.

– Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë. – Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!

– Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë.

– Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre.

– Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.

– Të falësh nuk do të thotë të harrosh.

– Ne mund të jemi gjithçka, veç një gjë nuk jemi: ajo që kujtoni ju.

– Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve.

– Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave. /KultPlus.com

Ismail Kadare sot feston 85 vjetorin e lindjes

Më 28 janar të vitit 1936, 85 vite më parë, lindi poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Kadare lindi në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike, transmeton kp.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013./ KultPlus.com

Besëtytnitë shqiptare, për miqtë dhe miqësitë

Në librin “Doke e Zakone shqiptare”, mbledhur nga Atë Donat Kurti dhe botuar pas vdekjës së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendosen besëtytnitë që lidhen me çdo krahinë e zakon.

Kështu, në fund të kapitullit “Miqsija në Dukagjin”, në pikën e katërt shkruhet:

“Besëtytni në lidhni me mik.

– Kur gatojca (gruaja që po gatuan), tuj ngjeshë brumin e bukës, len pa dashtë në gisht nji quk (pak) brumë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin).

– Kur, tuj u ndezë krandet (drunj të hollë e të thatë që përdoren për të ndezur zjarrin) në zjarm, çohet nji krande piripuq përpjetë e jep flakë të shpejtë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin e Malsi e Madhe).

– Kur grueja bjen në sofër nji lugë ma tepër, thohet se vjen nji mik (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj u çue enët prej sofret, bjen gabimisht nji lugë për tokë, thohet se miku asht çue pa u ngi (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj hanger në sofër, harron ndonjeni nji kafshatë bukë në njenen anë, thohet se do të vijë nji mik në atë mbramje, në kjoftë mjesditë, do të vijë nesër (Shkodër).

– Kur grizhla gërzhatë (bërtet) n’oborr të shpisë, sidomos nade, thohet se me siguri do të vijë ose nji mik, ose nji lajm (Shkodër e Malsi e Madhe).

– Kur në darkë, ndërsa gjindja e shpisë janë tuj hangër bukë, këndon gjeli nji herë, thohet se mrenda pak ditëve des nji mik; në kjoftë se këndon dy herë, thohet se desin dy (Mirditë e Dibër).

– Po u rrxue pula prej vendit ku asht tuj pushue, thohet se humbet nji mik (Malsi e Madhe).

– Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë me e mbyt pulen për mik (Malsi e Madhe).

– Me hungrue qeni thohet se des nji rob ose nji mik (Shkodër)”./ KultPlus.com

Mandela: Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdoret për ta ndryshuar botën

Thënie frymëzuese nga Nelson Mandela

Nelson Mandela lindi më 18 korrik të vitit 1918. Gjatë gjithë jetës së tij ai ishte luftëtar i lirisë; ai luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej zezakëve në Afrikë. Shumë vite të jetës së tij, Mandela i kaloi nëpër burgje. Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.

Nelson Mandela ndoqi Universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij Oliver Tambo themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg. Ata i jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.

Në vitin 1962, 44-vjeçari Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”

Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.

“Jugafrikanët kanë krijuar një shoqëri e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë,” deklaroi Mandela duke marrë çmimin.

Si president, zoti Mandela u kritikua se nuk u përball me krizën e sidës në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, ai u bë një personalitet publik i luftës kundër sidës.

“Së bashku ne mund ta luftojmë sidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë,” tha në një rast Mandela.

KultPlus, jua sjellw disa nga thëniet frymëzuese te ish-Presidentit te Afrikes se Jugut.

“Askush nuk lind me urrejtje kundër një race tjetër, kundër një religjioni tjetër apo kundër një shtrese tjetër sociale. Njerëzit e mësojnë më vonë urrejtjen. Atëherë, nëse mësojnë urrejtjen, ata mund të mësojnë edhe dashurinë, meqenëse për zemrën njerëzore dashuria është diçka më e natyrshme se urrejtja.”

“Mos më gjykoni nga sukseset e mia, më gjykoni nga ajo se sa herë jam rrëzuar dhe jam ringritur sërish”.

“Unë jam në thelb një optimist. Nuk mund ta them nëse është e lindur, apo e ushqyer. Pjesë e të qenit optimist, është që të mbash kokën drejtuar nga Dielli, dhe me këmbët që ecin përpara”.

“Mirësia e njeriut është një flakë që mund të fshihet, por nuk zhduket” / KultPlus.com

‘Korona-somnia’, fenomeni i pagjumësisë që e shkakton jeta me COVID-19

Ky fenomen i ka goditur njerëzit në tërë botën. Janë shfaqur përherë e më shumë raste të pagjumësisë të ndërlidhura me stresin e jetës gjatë pandemisë. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, një studim i gushtit të 2020-s nga Universiteti i Southamptonit ka treguar se numri i personave që kanë shfaqur probleme me gjumin është rritur nga një në çdo gjashtë persona deri në një në katër

Viti i ri përherë vjen me vendime. Një nga qëllimet më të famshme, jo për t’u çuditur, është që të flemë më shumë. Por ekziston një problem: kriza e vazhdueshme me koronavirusin e ka vështirësuar shumë bërjen e një gjumi të rehatshëm. Disa ekspertë tashmë edhe e kanë një term për këtë dukuri: “korona-somnia” apo “Covid-somnia”.

Ky fenomen i ka goditur njerëzit në tërë botën. Janë shfaqur përherë e më shumë raste të pagjumësisë të ndërlidhura me stresin e jetës gjatë pandemisë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një studim i gushtit të 2020-s nga Universiteti i Southamptonit ka treguar se numri i personave që kanë shfaqur probleme me gjumin është rritur nga një në çdo gjashtë persona deri në një në katër. Probleme më të shpeshta me gjumin kanë raportuar nënat, punëtorët e shërbimeve esenciale dhe grupet minoritare, aziatikët dhe personat me ngjyrë.

Në Kinë, shkalla e pagjumësisë është rritur nga 14.6 në 20 për qind gjatë kulmit të izolimit. “Përhapja alarmante” e pagjumësisë klinike është vërejtur edhe në Itali dhe Greqi, ku përafërsisht 40 për qind e respondentëve të një studimi të fillimmajit kanë raportuar për probleme me gjumin. “Pagjumësi” është fjala që është kërkuar më së shumti në “Google” gjatë vitit 2020.

Dukuria mund për më tepër të ndikojë për keq në shëndetin dhe produktivitetin.

Jeta e çrregullt

Pagjumësia, qoftë në kohë pandemie apo jo, është dukuri me të cilën vështirë jetohet. Vështirësitë e vazhdueshme për të marrë gjumë të rehatshëm apo gjumi jocilësor mund të sjellin probleme afatgjata, si obezitetin, ankthin, depresionin, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin. Gjumi i mangët – që cilësohet gjumi që zgjat më pak se shtatë orë çdo natë – ndikon edhe në punë.

Shumë faktorë luajnë rol këtu. Së pari, përditshmëria dhe ambienti aktualisht janë çrregulluar, gjë kjo që e vështirëson ritmin aktual cirkadian. Zakonisht, ditët përbëhen nga një numër alarmesh, pushimesh dhe nga gjumi – por COVID-19 e ka trazuar plotësisht këtë renditje.

“Kemi humbur oraret që i kemi në punë, pushimet e caktuara me orar”, ka thënë Steven Altchuler, psikiatër dhe neurolog i mjekësisë së gjumit në Klinikën Mayo.

“Truri i njeriut u përshtatet kushteve: jeni në punë gjithmonë dhe punoni, më pas shkoni në shtëpi dhe çlodheni. Këtu kemi një diferencim. Kurse tani jemi në shtëpi gjatë tërë kohës”, ka thënë Angela Drake, profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë, e cila i trajton pacientët që kanë probleme me gjumin dhe ka shkruar rreth korona-somnisë.

Problem tjetër është edhe performanca në punë. Papunësia ka qenë më e larta këto vite në shumë vende të botës, kështu që ata që janë të punësuar po punojnë fort për të mos mbetur pa punë. Problemi i punës nga shtëpia nënkupton se njerëzit punojnë më gjatë dhe kanë orar të çrregullt. Tashmë për shumëkënd, lënia “e punës në punë” është e pamundur dhe kjo sjell më shumë stres brenda ditës.

Tërë kësaj katrahure i shtohet edhe pjesa tjetër, mungesa e miqve dhe aktiviteteve jashtë, që janë burime jetësore për çlodhje dhe heqje të stresit. Të shumtë janë ata që kanë shfaqur edhe probleme mendore, të cilat mund të ndikojnë në gjumë apo anasjelltas. Pasiguria, mungesa e kontrollit janë disa prej faktorëve që po ashtu ndikojnë.

Sipas Drakes, disa probleme me gjumin janë shndërruar në “kronike dhe afatgjata”, për shkak se pandemia ka ndikuar që të anulohen vizitat mjekësore në disa raste; njerëzit kanë kërkuar ndihmë mjekësore vetëm për raste emergjente dhe disa spitale kanë qenë të stërmbushura me pacientë me COVID-19.

Si të luftohet pagjumësia?

Ekspertët kanë thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kërkohet ndihmë kur shfaqen problemet me gjumin – veçmas në kohë të pandemisë.

“Pasi pandemia ka vazhduar për një periudhë goxha të gjatë, jo vetëm për disa muaj, ka shumë mundësi se shifrat e pagjumësisë nuk do të bien”, ka thënë Lisa Artis nga “Sleep Charity” në Mbretërinë e Bashkuar. “Kjo ndodh ngase, nëse njerëzit nuk kërkojnë ndihmë kur fillojnë të kenë probleme me gjumin, ekziston mundësia që këto probleme të kthehen në çrregullim, siç është pagjumësia dhe për fat të keq nuk ndreqen shpejt…Vështirë ndryshohen shprehitë që veçse janë formuar”.

Por ekzistojnë edhe lajme të mira. Pas më se 12 muajsh pandemie, disa ekspertë mendojnë se janë bërë përparime në aspektin e trajtimit të çrregullimeve me gjumin.

Altchuler ka theksuar “zhvillimin e shpejtë të tele-shëndetit – që ngërthen vizitat virtuale dhe ilaçet virtuale”, që janë mundësuar shkaku i pamundësisë për të shkuar në qendrat spitalore.

Trajtimi më i zakonshëm për problemet me gjumin është terapia kognitive e sjelljeve për pagjumësi (e njohur si CBT-I), që e përmirëson “higjienën e gjumit” (p.sh. të mos pihet duhan apo alkool para gjumit) dhe që ofron trajnime ashtu që shtrati të mos ndërlidhet vetëm me gjumin dhe që të ndryshohen shprehitë (të mos punohet në shtrat).

Një studim i kryer nga Universiteti i Michiganit ka treguar se pacientët që zbatuan CBT-I-në i ishin nënshtruar një trajtimi po aq efikas sa ai në klinikë.

Ekzistojnë gjithashtu edhe disa gjëra që njerëzit mund t’i bëjnë për ta zgjidhur këtë problem.

“Një nga rregullat kryesore është se nuk duhet të punoni me laptop në shtrat”, ka thënë Drake. “Nuk më intereson se sa e rehatshme është. Me kalimin e kohës, truri e bashkon punën me shtratin – është diçka që përforcohet”.

Gjithashtu, duhet kufizuar leximi i lajmeve për t’iu shmangur ankthit që mund t’ju mbajë zgjuar natën. Nuk duhet përdorur telefonat si alarm (rrezatimi nuk është i mirë për gjumin), por duhet lënë ora në dollapin afër shtratit që të mos stresoheni përderisa po mundoheni të flini.

Dhe duhet mbajtur mend se rrethanat, në të cilat aktualisht jetohet, janë larg të qenit të zakonshme – nuk është e befasishme se jemi duke u ballafaquar me sfida.

“Hera e fundit që ka ndodhur diçka e tillë ka qenë para 100 vjetësh”, ka thënë Drake. “Këtë gjë nuk e ka pritur kurrkush prej nesh”. /koha/ KultPlus.com

Akademitë e Shkencave në Shqipëri dhe Kosovë, me projekte madhore në albanologji

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës zhvilluan sot në Tiranë një takim zyrtar ku diskutuan për projektet madhore në albanologji: “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” si dhe për kuvendin ndërkombëtar të studimeve albanologjike, që do të mbahet sivjet në muajin nëntor.

Akad. Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH, paraqiti në fillim hapat që janë hedhur për këto projekte e nisma, duke përfshirë përgatitjen e platformave paraprake, parashikimin e shpenzimeve, arritjen e dakordësive parimore me ASHAK-un dhe miratimin e një buxheti ekstra nga Këshilli i Ministrave për një shtesë prej 100 milionë lekë të reja.

Kryetari i ASHAK akad. Mehmet Kraja tha se dokumentet paraprake janë diskutuar në Kryesi dhe në seksionin e gjuhësisë dhe kanë marrë pëlqim. Tani duhet t’i paraqiten për miratim kuvendit të ASHAK, në njërën nga dy mbledhjet e rregullta vjetore të tij: në shkurt ose në qershor, që është koha e rishikimit të buxhetit nga Qeveria e Kosovës.

Akademikët u dakortësuan në propozimet për krijimin e grupeve të punës për kuvendin e studimeve shqiptare, enciklopedinë dhe fjalorin që të bëhen e të miratohen në mbledhjen e muajit shkurt.

Përbërja e grupeve të punës do të jetë nga pesë vetë për secilën palë, kurse për fjalorin nga tre vetë.

Gjithashtu në këtë takim, u vu në dukje se puna për fjalorin është më e mundshme për të filluar menjëherë, sepse tashmë leksiku i shqipes së shkruar dhe të asaj të folur në Kosovë është mbledhur, ndërsa në Tiranë kartoteka e leksikut të shqipes përmban 15 milionë njësi leksikore, duke përfshirë dialektet dhe format e tyre.

Akad. Gjinushi theksoi se këto nisma kanë të bëjnë me konceptin që dy akademitë të funksionojnë si në një rrjetëzim shkencor, duke qenë në zgjidhje të përbashkëta programore. /atsh/ KultPlus.com

‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’, fitues i pesë çmimeve në Festivalin ‘Talia e Flakës’

Pas premierës së suksesshme të shfaqjes “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, me tekst të Beqir Musliut dhe regji të Erson Zymberit, produksion ky i Teatrit Kombëtar të Kosovës, sonte në kuadër të festivalit “Talia e flakës”, në Gjilan, është shpërblyer me pesë çmime:

-Shfaqja më e mirë e festivalit: “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës;

-Drama më e mirë: “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” nga shkrimtari Beqir Musliu, prodhim i TKK-së, nga përmbledhja e tij me 4 drama “Shtrigani i Gjel-Hanit”;

-Regjia më e mirë: Erson Zymberi, për regjinë e shfaqjes “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, prodhim i TKK-së;

-Aktorja më e mirë e festivalit: Arta Selimi për rolin e saj në shfaqjen “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, prodhim i TKK-së;

-Skenografia më e mirë: Bekim Korça për shfaqjet: “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”.

Juria e Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2021”, i cili këtë vit shënoi 30 vjetorin e themelimit, ishte në përbërje: Shkëlzen Berisha, regjisor, Albana Muja, dramaturge dhe Alban Shahiqi, aktor.

“Talia e flakës” është ndër festivalet e vetme të dramës kombëtare. / KultPlus.com

Rita Ora së shpejti me një projekt për trashëgiminë kulturore shqiptare

Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se për 7 ditë me radhë do të bashkëbisedoj me 7 personalitete të ndryshme, shkruan KultPlus.

Këtë nismë, Vjosa e filloi me Vera Orën, me të cilën biseduan për rëndësinë e shëndetit mendor kryesisht në këtë periudhë pandemie.

Në këtë bisedë, nuk kishte si të mos përmendej edhe këngëtarja e famshme shqiptare, Rita Ora, për të cilën Vera Ora tregoi se në projektet e Ritës, po planifikohet edhe një projekt që përfshinë kulturën dhe traditën shqiptare.

Vera Ora nuk tregoi më detajisht në lidhje me këtë projekt, por pritet të shihet në një të ardhme të afërt. / KultPlus.com

Vera Ora: Kosova ka talente gjithandej botës, që na kanë bërë shumë krenarë

Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se për 7 ditë me radhë do të bashkëbisedoj me 7 personalitete të ndryshme, shkruan KultPlus.

Këtë nismë, Vjosa e filloi me Vera Orën, me të cilën biseduan për rëndësinë e shëndetit mendor kryesisht në këtë periudhë pandemie.

Vera Ora potencoi se kjo pandemi ka shkaktuar shumë probleme në shëndetin mendor, jo vetëm në Kosovë dhe në Londër ku ajo jeton dhe vepron por gjithkun në botë.

Ndër të tjera, theksoi se sa e rëndëishme është të investohet në shëndetin mendor, duke e cilësuar edukatën e një vendi, si gjënë më primare të popullit të cilitdo vend.

Sigurisht se nuk kishte si të mos përmendej edhe Rita Ora në këtë bashkëbisedim. Osmani potencoi se tashmë Rita Ora është ambasadorja më e mirë e vendit tonë ndërkaq, Vera Ora theksoi se ndjehet shumë krenare me sukseset e Ritës, mirëpo Kosova e Shqipëria, sipas saj, kanë shumë talente të fushave të ndryshme të cilët mund të arrijnë shumë suksese në botë. / KultPlus.com

Memorandum mirëkuptimi për ngritjen e Muzeut Hebraik të Shqiptarëve në Vlorë

Në Ditën e Kujtesës së viktimave të Holokaustit, Ministria e Kulturës, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) dhe Bashkia e Vlorës nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi, duke u angazhuar së bashku në ngritjen e Muzeut Hebraik të Shqiptareve në Vlorë.

Muzeu do tregojë një histori unike, dedikuar bashkëjetesës së hebrejve dhe shqiptarëve në kohë; një histori bese, dëshmia e dimensionit europian të shqiptarëve, që e treguan më shumë se çdo europian tjetër, në kohërat më të errëta të historisë njerëzore.

Ministria ka ndërmarrë iniciativën për ngritjen e Muzeut Hebraik të Shqiptareve në Vlorë, në kuadër të rehabilitimit të Qendrës Historike të Qytetit të Vlorës, iniciativë e miratuar në parim nga Komisioni Shtetëror i Muzeve në vitin 2018.

Në kuadër të bashkëpunimit me Ministrinë dhe Bashkinë në projektin për rehabilitimin e Qendrës Historike Vlorë, AADF ka kryer një fazë kërkimore për zhvillimin e projektit të ngritjes së Muzeut Hebraik te Shqiptareve në Vlorë, nëpërmjet angazhimit të një konsulenti ndërkombëtar e cila u përmbyll me propozimin nga Ministria dhe AADF të projekt idesë paraprake për zhvillimin e projektit të Muzeut.

Projekt-ideja parapake për Muzeun Hebraik të Shqiptarëve e zhvilluar nga AADF në bashkëpunim me Ministrinë u miratua nga Këshilli Kombëtar i Muzeve dhe Këshilli Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore Materiale.

AADF, Ministria dhe Bashkia janë angazhuar të bashkëpunojnë për realizimit të projektit të ngritjes së Muzeut Hebraik të Shqiptarëve në Vlorë, që do të tregojë një histori unike, dedikuar bashkëjetesës së hebrejve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë si dhe të vendosin një standard të ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, përsa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit.

Projekti do të zhvillohet përgjatë tri fazave. Faza e parë do të jetë ajo kërkimore për konceptimin e përmbajtes për muzeut. Faza e dytë do të jetë për përgatitjen e projektit arkitektonik dhe të muzealizimit dhe në fazën e tretë parashikohet zbatimi i punimeve dhe përgatitja e programacionit të muzeut. /atsh/ KultPlus.com

Luigi Giura, vepra e inxhinierit të njohur arbëresh të shek. XIX

Luigi Giura, ka qenë një inxhinier arbëresh shumë i vlerësuar i shekullit të 19-të, i lindur në komunën e Maschito-s.

Në një shkrim nga arkivi i Atanasio Pizzi, jepen të dhëna mbi punën e vlerësuar të Giurës, i cili ishte ndjekës i një tradite studiuesit dhe profesionistësh me origjinë arbëresh të Viteve 1820 – 1862, që i dhanë kontribute të mëdha inxhinierisë evropiane. Giura është tre nga personazhet më të shquar të komunitetit arbëresh, së bashku me politikanin Francesco Crispi dhe magjistratitn Pasquale Scura, por më pak i njohuri. Ura e Garigliano është vepra e tij më e famshme.

Ai u shqua në periudhën në të cilën jugu po përjetonte sundimin e Bourbonëve. Në vitin 1814 fitoi titullin inxhinier dhe arkitekt. Atij iu besua kolaudimi i të parës hekurudhë italiane në segmentin nga Napoli në Portici, për të cilën, edhe pse kishte përfunduar ndërtimi nuk gjendje një specialist i aftë për ta kontrolluar në aspektet e saj teknike, nesë ishte realizuar sipas rregullave të projektimit.

Giura e mori përsipër dhe e realizoi këtë detyrë për një kohë shumë të shkurtër. Atij i atribuohet edhe ndërtimi i një sërë veprash publike. Në vitin 1860, në kohën e Garibaldit u emërua drejtor i Drejtorisë së Rrugëve dhe Urave. Vdiq në moshën 69-vjeçare nga një temperaturë e pashpjegueshme, më 1 mars të vitit 1864. / KultPlus.com

‘Kontrolli dhe Makina e Dashurisë’, fituese e çmimit ‘Pruerje e re për Kompozim Regjisorial’ në ‘Talia e Flakës 2020’

Shfaqja ‘Kontrolli dhe Makina e Dashurisë’ me regji dhe skenar të Besim Ugzmajlit, ka fituar çmimin ‘Pruerje e re për Kompozim Regjisorial’ në Festivalin ‘Talia e Flakës 2020’, shkruan KultPlus.

‘Kontrolli dhe Makina e Dashurisë’ është prodhim i Teatrit ‘Adriana’ të qytetit të Ferizajit.

Lajmi u bë i ditur nga vetë regjisori Ugzmajli, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook, falenderoi Teatrin e Gjilanit dhe Jurinë e këtij Festivali.

Shfaqja ‘Kontrolli dhe Makina e Dashurisë’ me tekst dhe regji timen, prodhim i Teatrit ‘Adriana’, dhe me një kastë të jashtzakonshme aktorësh, në Festivalin Talia e Flakës 2021, ka fituar çmimin: “Pruerje e re pë Kompozim Regjisorial”
Falemnderit Teatrit të Gjilanit dhe Jurisë së Festivalit.
Ekipa e aktorëvdhe stafi kreativ e tekni
k ♥️ 🤗’, ka shkruar Ugzmajli. / KultPlus.com

‘Me gjithë zemër unë të desha, si njeri me mirësi, disa herë unë të buzëqesha me mallin e djalit t’ri’

Historia e muzikës së mirëfilltë shqipe, numëron shumë këngëtarë e këngëtare që me zërin e tyre të veçantë dhe me tekstet e tyre poaq të veçanta, i dhanë jetë e frymë tjetër muzikës shqipe, shkruan KultPlus.

Ndër këta artistë, është edhe Shpresa Berisha, këngëtare e mirënjohur e muzikës popullore shqiptare, e cila gjatë karrierës së saj, vazhdimisht i këndoi dashurisë, mallit e vuajtjes, duke bërë kështu që të mbetet në kujtesën e artdashësve edhe sot e kësaj dite.

Pak e dijnë se përpos zërit të saj të veçantë, Shpresa Berisha, me prejardhje nga Suhareka, është femra e parë shqiptare që punoi si gjykatëse.

Këngët më të njohura të saj janë: “Për ty vuaj, për ty këndoj”, “Me lule t’beharit”, “Turtulleshë”, “Bukuroshja e lalës”, “M’ka marrë malli shpirt”, “Çohi djema shalone atin”, “Prizrenit”, “Po del hëna”, “Sy jeshile”, “Tjetërkund nuse” etj.

KultPlus ju sjell këngën e saj më të njohur, ”Të deshta me hakikat”, këngë kjo që vazhdon të dëgjohet akoma me ëndje nga adhuruesit e saj, e vazhdon të këndohet nga shumë artistë të tjerë.

Bashkangjitur gjeni tekstin dhe videon e këngës.

Të desha me hakikat
Të çmova mikesh të shtrejtë.
Mir’po paskem qenë pa fat, e aman
Ma punove pa të drejtë.

Me gjithë zemër unë të desha
Si njeri me mirësi.
Disa herë unë të buz’qesha aman
Me mallin e djalit t’ri.

Një kujtim që m’a ke dhanë-e
Po e ru’j me dashuni.
Do t’a kujtosh fukaranë, e aman
Megjithë se m’ke marrë mëni.

Nuk e di se t’kam bezdisë
Unë të pata me kimet.
Qofsh e lumtun ti moj mike, aman
Për mu’ si të jetë kismet./ KultPlus.com

Mary Ann Evans, një grua që shkëlqeu në epokën viktoriane

Mary Ann Evans, u lind më 22 nëntor 1819 dhe vdiq më 22 dhjetor 1880. Ajo njihej ndryshe me emrin Mary Anne ose Marian, e njohur gjithashtu me emrin e saj të artit, George Eliot.

Eliot ishte një romanciere, poete, gazetare, përkthyese dhe një nga shkrimtarët kryesorë të periudhës Viktoriane. Gjatë karrierës së saj si shkrimtare atë e përfaqëson një galeri prej shtatë romanesh, shumica e të cilave trajtojnë histori të vendosura në Anglinë provinciale dhe janë të njohur për realizmin e një pasqyrimi të mprehtë psikologjik dhe një pene të hollë e mbrujtur prej një shpirti të ndezur atij pasioni që e shoqëroi prej fillimit deri në mbarim udhëtimin e saj krijues në një periudhë shumë të tendosur zhvillimesh dhe sfidash krijuese.

Ajo ia arriti të shpëtonte stereotipit të shkrimtareve gra, të cilat kufizoheshin vetëm tek romancat e dashurisë, pathosi i një zemre delikate dhe një dritëpamësia të botës të ndryshtë dhe të tejparë në thellësi dhe shtrirje të brendisë së tekstit dhe shpirtit, atij që i blatohej rrëfimit dhe atij që e hymnizonte përmes idesë dhe mendimit.

George Eliot dëshironte që trilli i saj të trajtohej shkëputur nga puna që bënte, tashmë gjerësisht e njohur si redaktore dhe kritike. Një faktor tjetër në përdorimin e një emri të artit mund të ketë qenë një dëshirë për të mbrojtur jetën e saj private nga shqyrtimi publik, duke shmangur kështu skandalin që do të dilte për shkak të marrëdhënies së saj me George Henry Lewes.

“Eliot’s Middlemarch” i George Eliot është konsideruar nga romanicierët, Martin Amis dhe Julian Barnes, si romani më i madh në gjuhën angleze.
Lexuesit në epokën viktoriane vlerësuan romanet e saj për përshkrimet e tyre të shoqërisë rurale. Pjesa më e madhe e materialit për prozën e Eliot u nxor nga përvoja e saj personale. Ajo ndau me Wordsworth besimin se kishte shumë vlera dhe bukuri për t’u shpërfaqur nga jeta dhe zakonet e vendit. Sidoqoftë, Eliot nuk e kufizoi krijimtarinë e saj vetëm me histori të fshatit anglez. “Romola”, është një roman historik i vendosur në Francën e fundit të shekullit të pesëmbëdhjetë, e cila u bazua në jetën e priftit italian Girolamo Savonarola.

Në librin “Cigani spanjoll”, ajo bëri një përmbledhje në vargje, por popullariteti fillestar që ajo pati si poete.

Në kohën e Daniel Deronda, shitjet e Eliot po binin dhe ajo ishte zbehur nga interesi i publikut. Kjo situatë mbeti e tillë edhe pas publikimit të një libri biografik pas vdekjes së saj nga bashkëshorti, e cila e portretizoi atë si një grua e mrekullueshme, gati shenjtërore, krejtësisht në kundërshtim me jetën skandaloze që njerëzit e dinin që ajo kishte bërë.

Në shekullin e 20-të ajo u rikonsiderua nga një kastë e re e kritikës, më së shumti nga Virginia Woolf, e cila e quajti “Middlemarch” “një nga romanet angleze të shkruara për njerëzit e rritur”. Më 1994, kritiku i famshëm letrar, Harold Bloom e vendosi Eliotin ndër shkrimtarët më të rëndësishëm perëndimore të të gjitha kohërave.

Gjithashtu, në një sondazh të autorëve më 2007 nga TIME, romani “Middlemarch” u votua si vepra e dhjetë më e madhe letrare e shkruar ndonjëherë. Në vitin 2015, shkrimtarët nga jashtë Mbretërisë së Bashkuar e votuan atë si e para nga të gjithë romanet britanike. Përshtatjet e ndryshme filmike dhe televizive të librave të Eliot e kanë riprezantuar atë në publikun më të gjerë të leximit./albertvataj/ KultPlus.com

Për një shkronjë

Poezi nga Odhise Grillo

Me rrëmujë detyrat,
i bëri Besniku.
E la fletoren hapur,
dhe në lojë iku.

E mora fletoren,
bobo ç’të lexoj!
Në ç’do fjalë të shkruar,
mungonte ndonjë shkronjë!

Atë ditë Besnikun,
e hoqa nga loja.
“Sot,” i thashë, “je ngopur
duke ngrënë shkronja!”

“Lërmë, o babi, lërmë,
lërmë të shkoj në lojë,
se s’bëhet hataja,
vetëm për një shkronjë!”

“Nuk bëhet hataja,
vetëm për një shkronjë!
Eja, bir i babit,
bashkë ta shikojmë.

Për një shkronjë,
që ti s’e vë,
fjala derë,
bëhet erë,
dhe shtëpia ngel pa derë.

Për një M,
që ti s’e vë,
fjala mik,
bëhet ik.
Ç’bën kështu,
more Besnik,
a i thuhet
mikut ik?

Shih, pa shih,
ka dhe më keq!
Për një B,
që ti e heq,
fjala bujk,
bëhet ujk.”

Sytë e Nikut,
mbushen me lot,
do të flasë,
por ç’farë të thotë? / KultPlus.com

‘Beyond Walls’ në Cape Town me thirrje për bashkim

Një pamje ajrore tregon afreskun gjigand të artistit francez, Saype, të bërë për hapin e nëntë të projektit të tij “Beyond Walls” në Langa, Cape Town të Afrikës së Jugut.

Në një rruginë zallishte me bashka bari në paralagjen e varfër Philippi në Cape Town, artisti francez Saype kontrollon një imazh të shtresëzuar para se t’i shtojë hollësi afreskut të madh të bërë me sprej në tokë, pjesë e një projekti global me të cilin shpreson të farkëtojë bashkim në një botë gjithnjë e më të polarizuar.

I drejtuar nga kapëse të drunjta, Saype ndërton me përpikëri imazhin përfundimtar të dy duarve që shtrëngojnë llërat e njëra-tjetrës në një kënd të rrahur nga erërat në një fabrikë të vjetër çimentoje dhe të rrethuar nga një det rrëgallash të drunjta e të llamarinta.

Në serinë e tij “Beyond Walls”, artisti 31-vjeçar i grafiteve lidh artin e rrugëve me atë të tokës në qytete tejendanë botës – shpesh duke paraqitur duart e dy njerëzve që shtrëngojnë parakrahun e njëri-tjetrit.

“Ideja është që të krijohet më i madhi zinxhir njerëzor, për të folur mbi përbashkësinë dhe sot në Cape Town ky është hapi i nëntë në këtë projekt”, ka thënë për “Reuters” Saype, e që në fakt kishte lindur me emrin Guillaume Legros, transmeton KultPlus.

“Për mua është mjaft interesante të flitet këtu për përbashkësinë, për shkak se unë mendoj se kjo ishte shtyllë e ëndrrës së Mandelas”, ka thënë ai për të parin president të zgjedhur në mënyrë demokratike në Afrikën e Jugut, Nelson Mandela, kur e bëri të parin fjalim publik në Cape Town pasi kaloi 27 vjet në burg duke luftuar aparteidin.

I zgjedhur si president më 1994, Mandela u rrek të fuqizonte ripajtimin mes pakicës së bardhë dhe shumicës zezake në vitet që pasuan diskriminimin racor.

Duke përdorur një përzierje miqësore ndaj ekologjisë që bën bashkë shkumësin, qymyrin dhe ujin me një proteinë qumështore si ngjitës që mundëson pikturën të thadrohet në tokë, Saype ka bërë piktura me sprej të imazheve të biodegradueshme në kopshtet nga Yamassoukro në Bregun e Fildishtë deri në Champ de Mars pranë Kullës Eiffel në Paris.

Vitin e kaluar ai bërë një afresk të madh të përkohshëm në kopshtin e zyrave evropiane të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë për të shënuar 75-vjetorin e themelimit të tyre. /Reuters/ KultPlus.com

Aurela Gaçe u drejtohet vajzave: Kush ka frikë nga forca, zgjuarsia, ëndrrat e tua, nuk është njeriu për ty

Aurela Gaçe është një ndër këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar. Ajo njihet jo vetëm për zërin e saj potencial por edhe për karakterin e fortë dhe dozat e humorit.

Ajo është shumë aktive në rrjetet e saj sociale ku shpërndan shpesh momente nga jeta e përditshme dhe rutina e saj.

Në një postim të bërë së fundmi në Instagram ajo ka publikuar një video ku shihet duke bërë boks, të cilin e shoqëron dhe me një mesazh për të gjitha vajzat.

‘Ka një arsye pse më pelqen 🐅
Vajza, kush ju sulmon , ta dijë se ne nuk jemi 🐑.
Kush ka frike nga forca, zgjuarsia, mendja, endrrat e tua,thjeshte nuk eshte njeriu per ty.
Pikë! As mos u mundo ti mbushësh mendjen. “Frika” qê ndjejnë, nuk ka shërim.
Qofshin kēto edhe gra qe ju bëjnë te ndiheni më pak me veten. Po, sigurisht e fatkeqësisht,ka edhe gra që të tregojne se duhet te sillesh sic ato e mendojne, perndryshe ti je e pa vlerë per familjen e shoqerinë!
Sulmo,e vazhdo rrugën tënde!
Mos lejo te te mbyllin ne “muret e kufizuar te mendjeve te frikësuara” nga jeta e nga tē jetuarit e saj
!’, ka shkruar Gaçe në postimin e saj. / KultPlus.com

Në qoftë ky njeri

Poezi nga Primo Levi
Përktheu Aida Baro

Ju që jetoni të sigurt
Në shtëpitë tuaja të vakëta,
Ju, që kur ktheheni në shtëpi mbrëmjeve
Gjeni ushqim të ngrohtë e fytyra miqësore:
Shqyrtoni në qoftë burrë ky
Që punon në baltë
Që nuk njeh prehje
Që lufton për gjysm’ buke
Që vdes nga një “po” a një “jo”.
Shqyrtoni në qoftë grua kjo,
Pa flokë e pa emër
Pa fije force për të kujtuar
Të zbrazur sytë e bosh prehri
Si një bretkosë dimrit.
Vritni mendjen se kështu ka ndodhur:
Ju urdhëroj me këto fjalë.
Gdhendini në zemrat tuaja
kur rrini në shtëpi kur shkoni udhës,
kur shtriheni kur ngriheni;
Përsërituani fëmijëve tuaj.
O ju shoft’ vatra,
ju zëntë sëmundja,
bijtë tuaj mos ju pafshin me sy. / KultPlus.com