Unë ty s’do të harroj, do të kujtoj, mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu

Poezia “Edhe kur kujtesa” nga Ismail Kadare:

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Unë ty s’do të harroj.

Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë… / KultPlus.com

Yllka Leti në hapjen e ekspozitës së saj: Tash e disa vite unë pikturoj që të jetoj

Jeta Zymberi
Fotografitë: Nok Selmani

Është e jashtëzakonshme kur zemrat humane bëhen bashkë për një kauzë të veçantë. I jashtëzakonshëm është edhe arti i Yllka Letit, vajzës 14 vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen Fibrozë Cistike e që përmes artit të saj ajo siguron terapinë mujore që i kushton hiq më pas se deri në 1700 euro në muaj, shkruan KultPlus.

“Kjo ekspozitë nuk është e zakonshme, kjo ekspozitë është e jashtëzakonshme”, shpalosi mbi 10 punime të Yllka Letit në ambientet e KultPlus Caffe Gallery duke bërë bashkë kështu shumë artdashës, politikanë e artistë.

Që situata e 215 fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje të përmirësohet, që zëri i tyre të dëgjohet e kërkesat të ju plotësohen, Yllka sonte u bë zëri i shumë fëmijëve të tjerë që vuajnë nga e njëjta sëmundje.

Në hapje të ekspozitës, moderatori Arbër Selmani u shpreh se ekspozita vjen si një nismë për të ju dal në ndihmë të gjithë fëmijëve që vuajnë nga kjo sëmundje.

Tutje fjalën e mori nikoqirja e kësaj mbrëmje, Ardianë Pajaziti e cila tha se kjo ekspozitë duhet të shërbejë si nismë drejt një kauze më të madhe.

“Yllka Leti është një vajzë e re e cila detyrohet që përmes artit të saj të sigurojë barnat të cilat janë shumë të kushtueshme. Urojmë që institucionet e vendit t’i dalin në ndihmë Yllkës dhe gjithë fëmijëve të tjerë dhe Yllka pikturën ta ketë pasion e jo detyrë sepse kjo njëherit është edhe shkelje e të drejtave të fëmijëve”, theksoi Pajaziti.

Prezenca e Yllka Letit po i jepte kësaj mbrëmje hijeshi të shtuar. Por kur ajo mori fjalën, emocionoj të gjithë.

“I vetmi moment kur unë Yllka Leti ndjehem gjallë është kur unë jam duke pikturuar. Pra, tash e disa vite unë pikturoj që të jetoj”, ishin fjalët hyrëse të Yllkës për të vazhduar tutje të na njoftoj me atë që ajo ballafaqohet çdo ditë.

“Që kur kemi lindur vuajmë nga kjo sëmundje e rëndë, e ngarkuar me barna, trajtim të shtrenjtë, terapi të përditshme. Prindërit tanë vërtetë po luftojnë duke kërkuar barna në çdo vend të botës e nga njerëz të panjohur. Njerëzit tanë mbetën duke na premtuar. Vendi jonë nuk po përmirësohet, zëri jonë nuk po dëgjohet, kërkesat tona nuk po plotësohen”, u shpreh Yllka.

Yllka Leti

Krejt për fund ajo kishte një lutje për të gjithë e në veçanti për institucionet e vendit: “Ju lutem që të na ndihmoni, dua të ndjehem e gjallë edhe kur nuk pikturoj, Dua të pikturoj me dëshirë , me dashuri, e jo që të mbijetoj. Zgjedhje shumë e zgjidhje hiq!”, theksoi artistja e re.

Për të futë barnat e saj në listën e barnave esenciale ka pas disa herë negociata dhe premtime nga politikanët dhe udhëheqësit nëpër vite, por një gjë e tillë nuk është realizuar deri tani.

Në këtë ngjarje ishin ftuar edhe krerët e partive të Kosovës, që të jenë të pranishëm dhe të shohin për së afërmi ballafaqimin e kësaj vajze, e cila në vend se të krijonte për pasion, ajo detyrohet të krijojë e të shes pikturat për sigurimin e terapisë së saj.

Por të pranishëm ishin vetëm dy prej tyre. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili ishte i shoqëruar edhe nga ish ministri i Ministrisë së Shëndetësisë Arben Vitija, dhe ish ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili e që me prezencën e tyre sikur i dhanë një siguri më tepër Yllkës që dora e shtetit do të shtrihej mbi këta fëmijë.

Në një fjalë rasti, Albin Kurti u shpreh se ndihet me përgjegjësi të dyfishtë, që jo vetëm të nxjerr vendin nga pandemia, por njëkohësisht edhet këta 215 fëmijë që kanë Fibrozën Cistike të trajtohen nga shteti.

“Jam shumë i nderuar dhe i gëzuar që po marr pjesë në këtë ekspozitë në Galerinë Kult Plus ku po ekspozohen punimet e një artisteje të re, shumë produktive e cila këto punime i ka realizuar gjatë kohës së pandemisë Covid-19, që na ka pllakosur të gjithë neve, ndërkohë që kjo ka edhe një sëmundje shumë më të rëndë se kjo tjetra që e ndan me neve, ajo e Fibrozës Cistike. Ne jemi edhe të privilegjuar që e kemi Yllkën dhe po i shohim punimet e saj, por njëkohësisht edhe me përgjithësi të dyfishtë që jo vetëm ta nxjerrim vendin tonë nga kjo pandemi, por njëkohësisht edhe këta 215 fëmijë që kanë Fibrozën Cistike të trajtohen nga shteti”, ka thënë Kurti duke u zotuar që do të bëjnë një rikthim që barnat e nevojshme për Fibrozën Cistike të jenë në listën e barnave esenciale.

Ndërsa ish-Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i cili pati punuar që këto barna të hyjnë në listë, u shpreh se do të vazhdojë të punojë që të ketë një reagim sa më të shpejt nga institucionet përkatëse.

“Kjo ekspozitë është një ide e jashtëzakonshme sepse është një platformë që e rritë edhe nevojën te të gjithë fëmijët që janë me sëmundje të rralla. Nëpërmjet Yllkës ne e kuptojmë një realitet që gjendet në shumë familje dhe në këtë rast një gjë e tillë është mëse e mirëseardhur, por në anën tjetër nuk duhet të harrojmë edhe obligimin që shteti  ka ndaj tyre”, u shpreh Ismaili duke uruar që të ketë një reagim më të shpejtë nga gjithë institucionet përkatëse në këtë rast.

“Shpresoj që do të gjejmë një vullnet pak më të madh politik dhe të realizojmë, ne kemi bërë një punë dy vjeçare deri në përpilimin e asaj liste.”

Krejt për fund, të pranishmit përveç që i shijuan pikturat, shumica nga ta vendosën të marrin një copë “Yllkë” me vete. Një ndihmë e vogël ndoshta për Yllkën por një zemër e madhe që do të thotë shumë.

Kujtojmë që ekspozita shitëse e Yllka Letit do të qëndrojë e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery dhe të gjithë të interesuarit janë të mirëseardhur çdo ditë nga ora 8:00 – 21:00.
Kjo mbrëmje u organizuar edhe me mbështetjen e “Stone Castle” dhe “Fluidi”. / KultPlus.com

Netflixi zbulon serialin më të suksesshëm

Netflixi njoftoi se seriali më i suksesshëm i platformës është “Bridgerton”, një dramë e vendosur në Britaninë e fillimit të viteve 1800.

Seriali është parë nga 82 milionë parapagues në 28 ditët e para të publikimit, tha Netflix përmes një deklarate të mërkurën.

Kompania tha gjithashtu se seriali përbënte 10% të pjesës së tregut në të gjitha shtetet ku operon, përveç Japonisë, ndërsa ka qenë seriali më i shikuar në 83 shtete, mes tyre edhe në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Brazil, Francë, Indi dhe Afrika të Jugut.

Drama e bazuar mbi romanet e Julia Quinn, ka shkaktuar shumë debate që prej debutimit në fund të vitit të kaluar. Ngjarjet zhvillohen në Londrën e vitit 1813, në fund të epokës “Xhorxhiane”, të quajtur kështu për shkak të sundimit të Anglisë nga mbretërit Xhorxhi I, Xhorxhi II, Xhorxhi III dhe Xhorxhi IV. Skenat erotike dhe kostumet e periudhës kanë bërë që seriali të tërheqë shumë vëmendje.

Netflixi tha gjithashtu se tashmë ka më shumë se 200 milionë parapagues në të gjithë botën, 8,5 milionë të rinj, të regjistruar në tremujorin e fundit të vitit 2020, shifër që ka tejkaluar edhe planet e vetë kompanisë. /Koha/ KultPlus.com

Vepra e shkrimtarit nga Gjirokastra në fokusin e aktivitetit “Kadare në letrat botërore”

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës në 85 vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Ismail Kadare organizoi një aktivitet për të, shkruan KultPlus.

Me temën “Kadare në letrat botërore”, u diskutua dhe vlerësua vepra e shkrimtarit nga Gjirokastra, i cili arriti të kthej sytë e botës në Shqipëri nëpërmjet fjalës së tij të shkruar.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte ministrja për Kulturë, Elva Margariti, Drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, botuesi i veprës së Kadaresë, Bujar Hudhri dhe shumë profesorë të tjerë.

Ismail Kadare është vlerësuar e përkthyer në qarqe ndërkombëtare. / KultPlus.com

Akademia e Shkencave të Shqipërisë feston datëlindjen e Kadares, e nominon për çmimin Nobel

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, organizoi mesditën e sotme veprimtarinë shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”.

“Është në traditën tonë festimi i ditëve të shënuara, siç janë dhe festimi e nderimi i ditëlindjeve të anëtarëve tanë, por kjo ditë, dita e 85-vjetorit të lindjes së shkrimtarit shqiptar më të madh të të gjitha kohërave e anëtarit më të vlerësuar të ASH, mikut tonë Ismail Kadare, është një ditë e veçantë.”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku theksoi se Kadareja e bëri të njohur ndërkombëtarisht letërsinë shqipe e ndërkohë vetë Kadareja rreshtohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore të kohës sonë.

“Kadareja e ngriti letërsinë shqipe në nivelet më të larta të historisë së saj. Çdo letërsi ka uljet e ngritjet e veta, ka përfaqësuesit e saj të periudhave e kohërave të ndryshme, ata që përbëjnë panteonin, e pa dyshim Kadareja është më i shquari në panteonin e letrave shqipe pasi ai e ngriti atë në lartësi të tilla që çdo letërsi i përjeton rrallë në rrjedhë të shekujve”, tha kryetari i ASHSH, Gjinushi.

Nga ana e tij, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Pirro Misha në fjalën e tij u ndal në dy aspekte të jetës së shkrimtarit; në atë që Kadareja e bëri të njohur letërsinë shqipe në botë, “e cila edhe pse ishte shkruar nga paraardhësit e shquar të letërsisë shqipe të viteve ’30 si Konica e Koliqi në Europë, nuk mundi dot të bëhej aq e njohur” dhe aspekti tjetër sipas z. Misha ishte që “Kadareja është shkrimtari më i lexuar se të gjithë nobelistët e Ballkanit, ku ndoshta vetëm Kazanzaqi ka këtë njohje kaq të madhe”.

Ndërsa, Prof. Bashkim Kuçuku përgatitës i përmbledhjes voluminoze me studime, vlerësime për veprën e shkrimtarit të madh shqiptar “Kadareja në kritikën franceze”, në lidhje online me audiencën e pranishme në veprimtarinë shkencore “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore” tha ndër të tjera se:

“Metadiskurs-i kadarean, apo, kritika dhe studimet për veprën e tij, në gjuhë të tjera, është një sistem tjetër, madje, parësori, mjaft i pasur, i mvehtësishëm e i shumëllojshëm nga gjuhët dhe nga këndvështrimi letrar e kulturor. Pasuria dhe larmia e këtij sistemi koherent, konkretizohet, edhe në përmbledhjen anastatike Kadareja në kritikën botërore, në tre vëllime, që po boton Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me 2500 shkrime e studime të llojeve të ndryshme, në vitet 1971-2000, vjelur në gazeta e revista dhe jo nga librat studimorë. Dy vëllimet e para, në frëngjisht, afërsisht 1500 faqe, sapo kanë dalë. Vëllimi i tretë, në përgatitje, është në gjermanisht, italisht, spanjisht, anglisht, portugalisht, suedisht, etj. Megjithatë, kjo përmbledhje e vëllimëshme, mund të jetë vetëm pjesa më e madhe e metaveprës kadareane në këto 7-8 gjuhë të Europës dhe të Amerikës. Në të nuk ka shkrime në gjuhët e Europës Lindore dhe të vendeve të tjera të Lindjes, madje, as në gjuhët fqinje të Ballkanit”.

Më pas, akad. Vasil S. Tole, nënkryetar i ASH prezantoi kandidaturёn e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare pёr çmimin NOBEL nё letёrsi.

“U bënë disa vite rresht që Akademia e Shkencave e Shqipërisë propozon e ripropozon kandidaturën e shkrimtarit, akademikut Ismail Kadare pranë jurisë së çmimeve NOBEL në letërsi, e cila funksionon pranë akademisë simotër të Suedisë.”, tha akad. V.Tole, duke theksuar se vepra e Kadaresё, nga viti nё vit, shtrin gjeografinё e territorit nё tё cilin ajo shkel pёr herё tё parё nё tё gjithё botёn, njёherazi edhe gjuhёt e leximit tё saj shtohen progresivisht.

“Numri i titujve tё botuar e ribotuar jashtё gjuhёs amtare ka arritur nё mbi 1500 tё tillё! Dikur ishin nizamёt shqiptarё qё pothuajse ishin tё pranishёm nё katёr cepat e botёs, sot ёshtё vepra letrare e Kadaresё ajo qё bashkё me emrin e autorit lartёson edhe emrin e Shqipёrisё sonё. Prandaj ripropozimi ynё pёr kandidaturёn e Ismail Kadaresё nuk ёshtё shenjё e kёmbёnguljes dhe kokёfortёsisё ballkanase, por njё propozim i arsyetuar dhe bindёs tё cilin e ndjejmё si detyrim t’ia pёrcjellim modestisht Akademisё Suedeze dhe Jurisё sё çmimit Nobel.”, tha nënkryetari i ASH, akad.Vasil Tole.

Ekspozita e fotografit të njohur Roland Tasho solli për të pramishmit çaste të bukura nga jeta e shkrimtarit, si vizita në vendlindje, dhe çaste kulmore të jetës dhe karrierës së tij në Shqipëri dhe botë.

Për botën akademike dhe universitare shqiptare dhe europiane, për letërsinë shqipe dhe atë botërore, për gjuhën shqipe dhe për thesarin e trashëgimisë botërore, sot është një ditë orientuese në kalendar, është 85-vjetori i Ismail Kadaresë, që i urojmë shëndet të mbarë e jetë të gjatë.

Ismail Kadare nuk është një emër individi, por një emër misioni. Ai e nxori përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme gjuhën shqipe prej kufijve të saj, duke e kthyer në gjuhë dhënëse për letërsinë botërore.  Gjuha shqipe, me letërsinë e Kadaresë, ka arritur shkallën më të lartë të cilësisë së saj që prej fillimeve deri sot. Letërsia e Kadaresë ka dëshmuar se çfarë mundësish shprehëse mund të ketë një gjuhë. Ajo e përgënjeshtroi në mënyrë sovrane paragjykimin e shqipes si gjuhë e vogël.

Ismail Kadare është faktor i rëndësisë themelore për njohjen ndërkombëtare të botës shqiptare. Vepra e tij është kthyer në një portë të domosdoshme për t’u kaluar për cilindo që do të dëshironte të njihte shqiptarët, Ballkanin dhe lidhjet midis Orientit e Perëndimin.

Kjo vepër funksionon si një histori paralele e popullit shqiptar, e qytetërimit të tij, e kryqëzimit të influencave, e tipigjisë së identitetit dhe qytetërimit të tij.

Letërsia e Kadaresë është njëherësh një sfidë për shkrimtarët e brezave të rinj. Ata duhet ta njohin sfidën, ta dinë cilat janë rekordet, të jenë të vetëdijshëm për mundimin që i pret dhe të guxojnë. Mbi të gjitha të jenë të vetëdijshëm se sa e vështirë është të shkosh më përpara. Një gjë e sigurt: letërsinë e bëjnë personalitetet e mëdhenj dhe jo masat krijuese. Dhe Ismail Kadare i ka siguruar trashëgimisë krijuese të popullit shqiptar një të ardhme afatgjatë. Letërsia shqipe është me fat që e ka. Në këtë kuptim, sfida e brezave të rinj është me një letërsi epokash dhe forcat duhen matur mirë. /ata/ KultPlus.com

Arti i plaçkitur nga nazistët, përplasjet për violinën e Guarnerit

Një violinë e punuar nga prodhuesi i famshëm i violinave, Joseph Guarneri qëndron në qendër të një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme midis një fondacioni dhe trashëgimtarëve, nëse ajo duhet të hyjë në kategorinë e “pasurive të plaçkitura grabitur nga nazistët” apo është shitur me vetëdëshirë para vitit 1945.

Instrumenti i vlefshëm ishte punuar në shekullin XVIII, në Kremona të Italisë, një bastion i mjeshtërve të famshëm të violinave. Violinat e punuara nga Guarneri janë po aq të famshme sa instrumentet me tela të çmuara të punuara nga Antonio Stradivari.

Pronari i kësaj violine të veçantë ishte tregtari i instrumenteve muzikore, Felix Hildesheimer, i cili e kishte blerë atë në vitin 1938 nga dyqani i instrumenteve “Hamma & Co.” në Stuttgart. Menjëherë pas kësaj, për shkak të prejardhjes së tij hebraike, Hildesheimer u detyrua të shiste shtëpinë e tij dhe dyqanin e muzikës në Speyer nën ligjet naziste dhe dekretin famëkeq “Reich Flight Tax”, e quajtur gjithashtu “taksa e arratisjes”.

Përpjekjet e tij për të marrë një vizë për të ikur në Australi, dështuan. Më 1 gusht të vitit 1939, Hildesheimer bëri vetëvrasje. E veja e tij u internua nga nazistët në kampin e burgut Gurs në Francën jugore, por në fund arriti të shpëtonte duke kaluar përmes Marsejës. Edhe dy vajzat e tij emigruan në Amerikë.

Në vitin 1974, violinistja Sophie Hagemann (1918 – 2010) nga Nurembergu e bleu violinën e Guarnerit, të punuar në vitin 1706. Me grupin e saj muzikor, “Duo Modern”, ajo ia kushtoi koncertet e saj së ashtuquajturës “muzikë e degjeneruar”, që u ndalua gjatë regjimit nazist. Ajo ishte martuar me kompozitorin Franz Hofmann, i cili u vra në front në vitin 1945.

Pas vdekjes së saj në vitin 2010, instrumenti i çmuar u bë pronë e fondacionit “Franz Hofmann dhe Sophie Hagemann”, që synim ka promovimin e muzikantëve të rinj. Sipas fondacionit, instrumenti është në gjendje të keqe dhe duhet t’i nënshtrohet restaurimit.

Pas një vëzhgimi më të afërt, u zbulua se origjina e instrumentit historik nuk ishte e plotë: kishte vetëm informacione dhe prova në lidhje me ndryshimin e pronësisë në vitin 1938 dhe në lidhje me blerjen më 1974. Hetimet e mëtejshme zbuluan se Felix Hildesheimer ishte pronari i fundit. Bordi i fondacionit “Franz Hofmann dhe Sophie Hagemann” vendosi që “në mënyrë proaktive të qartësojë” një dëmshpërblim të mundshëm, siç është shkruar në ueb-faqen e tyre.

Përpjekja nga fondacioni për të kontaktuar me pasardhësit e familjes Hildesheimer dështuan në fillim. Pastaj, gazetari amerikan Toby Axelrod dëgjoi për rastin dhe arriti të vendoste kontakte midis fondacionit në Gjermani dhe njërës prej vajzave të Hildesheimerit.

Në vitin 2015 u thirr Komisioni Këshillëdhënës për Kthimin e Pasurisë Kulturore të Sekuestruar si rezultat i persekutimit nazist, posaçërisht pronës hebraike (më parë, Komisioni i Limbachit) për të sqaruar çështjen. Rekomandimi i ekspertëve dhe studiuesve më 16 dhjetor të vitit 2016, deklaroi “…që violina […] t’i takojë fondacionit dhe që fondacioni t’u paguajë trashëgimtarëve një shumë prej 100 mijë eurosh si kompensim”.

Image

Atëherë u tha se të dy palët e pranuan këtë si një zgjidhje të drejtë dhe të barabartë. Që atëherë, bordi i fondacionit thotë se është përpjekur të grumbullojë shumën e kompensimit nga fondet e palëve të treta. Sidoqoftë, ende nuk është bërë asnjë pagesë për trashëgimtarët në SHBA, të cilët tani janë nipër e mbesa të Felix Hildesheimerit, siç raportoi edhe “The New York Times” gjatë kësaj jave.

Ndërkohë, ka gjoja një hulumtim të ri nga i cili mund të nxirret përfundimi se tregtari i muzikës Felix Hildesheimer e shiti violinën si “artikull normal të tregtisë” dhe jo si rezultat i “arratisjes”. Violina nuk shfaqet në listën e sendeve të shpronësuara me forcë që familja kishte hartuar pas luftës, sipas argumentimit të fondacionit.

Komisioni Këshillëdhënës nuk ishte dakord: “Gjësendet e lëna pas u konfiskuan nga Gestapoja dhe u shitën në ankand”. Prandaj, instrumenti duhet të klasifikohet qartë si “pronë e plaçkitur nga nazistët”, sipas vlerësimit përfundimtar të komisionit, i cili, megjithatë, mund të bëjë vetëm rekomandime. Sende të vlefshme dhe orenditë që u përkisnin familjeve hebraike ishin shitur nga nazistët në të ashtuquajturat “ankande hebraike” – me gjasë ishte përfshirë edhe violina e Guarnerit. Pas luftës, instrumenti u rishfaq në treg.

Pasi që violina e punuar nga Guarneri të restaurohet, Fondacioni ka thënë se dëshiron që ajo të jetë e qasshme për të rinjtë, për muzikantet e talentuar të Universitetit të Muzikës në Nuremberg, si një “instrument mirëkuptimi”. Kjo sidoqoftë do të jetë e mundshme vetëm pasi që të zgjidhen çështjet. /Koha/ KultPlus.com

Diploma e Kolegjit Universum njihet nga shteti gjerman

Falë bashkëpunimeve të suksesshme me Universitetet më të mira në Evropë, Kolegji Universum, është institucioni i parë në Kosovë, i cili përveç që ka dërguar studentë nga Kosova të studiojnë jashtë vendit me bursa të plota, studentët edhe pas diplomimit kanë mundësi t’i vazhdojnë studimet jashtë vendit, e kjo pasi diploma e Kolegjit Universum po njihet ndërkombëtarisht.  

Së fundmi i është njohur diploma e studimeve bachelor nga shteti gjerman studentit të Kolegjit Universum Besmir Zejnullahu (dokumenti i bashkangjitur). Besmiri është shprehur mjaftë i lumtur për njohjen e diplomës nga shteti gjerman dhe tani mund të punësohet dhe vazhdoj studimet atje.

Kolegji Universum, mbetet lider për mundësitë ndërkombëtarë për studentë. Deri sot 362 studentë të Kolegjit Universum dhe 105 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar shkëmbim semestral me bursë të plotë në 26 shtete të BE-së.

Të gjithë studentët mund të përfitojnë shkëmbim semestral në njërin nga 124 universitetet partnere të Kolegjit Universum, shiko listën e universiteteve partnere https://www.universum-ks.org/bursa-nderkombetare/

Informohu më shumë duke kontaktuar në [email protected], na ndiqni në facebook apo instagram, kontaktoni në +383 44 144 062..

Restaurohet Ura e Abdyl Agës

Është restauruar Ura e Abdyl Agës, si një ndër monumentet që kishte nevojë urgjente për ndërhyrje.

Ky projekt u hartua kohët e fundit nga specialistët e DRTK Tiranë, miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Tashmë ky monument kulture është në një gjendje shumë të mirë pas ndërhyrjes dhe zbatimit të restaurimit ku u punua me shumë kujdes dhe përkushtim nga specialistët për të ndërhyrë në çmontim mur guri në zonat e dëmtuara, pastrim mekanik i qemerit të gurit nga kalcifikimet dhe përgatitja për fugatim të sipërfaqes, restaurim dhe plotësim i murit të gurit tek të dy shpatullat e urës, plotësim murature e hequr nga ndërhyrjet klandestine, konsolidim strukturor i muraturës prej guri, fugatim në qemere guri si dhe restaurim kalldrëmi.

Ky objekt i rëndësishëm ndodhet në Grykën e Shkallës së Zezës në Krujë ndërmjet fshatrave Barkanesh e Cudhi të malësisë së Krujës. Sot ajo lidh fshatrat e Ranxës (Barkanesh, Këlcunjë, Buronjë, Kukaj, Mukaj, Rradhesh, Herraj) me malësinë e Krujës (Cudhi Bruz, Ranxë etj). Nën të kalon lumi i Zezës, i cili pasi kalon Fushë Krujën i drejtohet ultësirës bregdetare.

Në mesjetë ura e Abdyl Agës i shërbente rrugës së karvaneve që lidhte Shkodrën me Lezhën dhe Dibrën, nëpërmjet malësisë së Tiranës dhe asaj të Matit. Sipas burimeve të vendit ndërtimi i urës rezulton rreth viteve 1810-1820. Në ndërtimin e urës është përdorur gurë gëlqeror i malit pranë. Ngjitur me urën ruhen gjurmë kalldrëmesh mesjetarë të kohëve të ndryshme.

Sikurse shumë objekte të tjera të veçanta edhe ky objekt tashmë pret të vizitohet nga turistët vendas dhe të huaj pasi konsiderohet një atraksion turistik. /ata/ KultPlus.com

Rita Ora pagoi restorantin për t’i shkelur rregullat anti-Covid

Ekipi i Rita Orës kishte ofruar restorantit 5 mijë funte për t’i thyer rregullat e bllokimit për ditëlindjen e saj të 30, sipas policisë.

Ekipi i sigurimit të Orës gjithashtu kishte kërkuar që kamerat të ishin të fikura gjatë festës së ditëlindjes në Casa Cruz në Notting Hill më 28 nëntor, në kohën kur bllokimi i dytë si shkak i koronavirusit në Londër po ndodhte, kanë thënë policia.

Rita Ora kishte vendosur të komentonte, ajo ka kërkuar falje për festen e saj të ditëlindjes.

30-vjeçarja fluturoi për në Egjipt për një shfaqje private në 21 nëntor. Kur u kthye të nesërmen, ajo duhej të ishte izoluar për dy javë. Në vend të kësaj, ajo organizoi një festë ditëlindjeje në Londër, e cila shkel rregullat e bllokimit. /Koha/ KultPlus.com

Artisti i njohur shqiptar, The Great Jazzby ka publikuar këngën e re

Artisti kosovar me banim në Island, The Great Jazzby ka gëzuar artdashësit e tij, shkruan KultPlus.

Ai ka publikuar këngën e re, të quajtur “Murr murr”, në bashkëpunim me yllin islandez, Mugison.

Versioni origjinal i këngës “Murr Murr” ishte bërë nga artisti Mugison për filmin “A Little Trip to Heaven”, ku në rolet kryesore luajnë fituesi i Oskarit, Forest Whitaker dhe Jeremy Renner.

Kjo është hera e dytë që fansat e shohin The Great Jazzby me këngë, teksa projekti i parë muzikor i tij quhej “The Awakening Hymn”. / KultPlus.com

“Love” fiton çmim special në Festivalin prestigjioz të filmit në Amerikë

Filmi i regjisorit Dionis Papadhimitri, “Love” ka fituar çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit Bayou në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Ky çmim për filmin shqiptar vie në edicionin e 16-të të Festivalit, i cili u mbajt përgjatë intervalit kohor 20-27 janar.

“Love” portretizon krizën jetësore të një një burri 40 vjeçar të ndarë së fundmi nga gruaja e tij, teksa ai kthehet në vendin e tij, në kërkim të vetes.

Skenari i shkruar nga Irvin Mucaj dhe Dionis Papadhimitri, jetësohet në film përmes paraqitjes artistike të aktorëve Genti Kame, Luli Bitri, Rozina Kostani. / KultPlus.com

85 vite nga lindja e artistit të komedisë, Xhemal Myfitut

Sot shënohet 85 vjetori i lindjes së artistit të humorit, Xhemal Myfitu, shkruan KultPlus.

I lindur në Tiranë më 28 janar të vitit 1936, Myftiu që në moshën e re krijoi një lidhje shpirtërore me artin, e veçmas me humorin.

Ndër elementetet që ai i zotëronte më së miri ishte pantomima.

Artisti që në moshë të re kishte interpretuar fragmente të ndryshme me trupat amatore dhe më pas u bë pjesë e estradës amatore në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi” të qytetit të Tiranës.

Për shkak të suksesit që ai pati me këtë grup dhe për cilësitë e mira interpretative, artisti shumë shpejtë, pra në vitin 1964 u emërua dhe u bë pjesë e trupës profesioniste të “Estradës së Shtetit” ku do të interpretonte për afro 50 vjet figura të cilat janë gdhendur në memorien e spektatorëve. Ai gjithashtu gjatë karrierës shumë vjeçare ka qenë pjesë edhe i disa produksioneve kinematografike.

Figura artistike që do ta bënte edhe më të njohur në zhanrin e komedisë dhe estradës ishte pikërisht karakteri rural i zonës së Shqipërisë së mesme dhe sidomos atë Tiranase.

La pas vetes interpretime të shumta, të cilat përfshijnë “Borgjezi Fisnik”, “Tre dhëndurët”, “Shporta me karavidhe”, “Përse bie kjo daulle”, “Estrada në ekran”, “Kur hiqen maskat”, “Koncert në vitin 36” dhe shumë vepra tjera të artit komik. / KultPlus.com

Ministria e Kulturës hap thirrjen për botimin dhe blerjen e revistave dhe librave

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur thirrjen publike për botimin e revistave, përkrahje financiare për botimin dhe blerjen e librave, shkruan KultPlus.

“Mund të përkrahen revistat që kultivojnë vlera letrare, artistike e kulturore”, thuhet në shpalljen e Ministrisë.

Në anën tjetër, për përkrahjen financiare të botimit të librave përmendet se veprat duhet të jenë krijimtari letrare e Kosovës, përkthime të veprave  kulmore  të letërsisë së huaj ose kompletet e veprave të zgjedhura të autorëve të spikatur.

Për sa i përket blerjes së librave, ato duhet të jenë vepra letrare, kulturore, artistike kombëtare, përkthime të cilat paraqesin arritje të përgjithshme artistike, vepra të botuara në dy vitet e fundit nga botues të regjistruar në Republikën e Kosovës.

Konkursi për këto tre shpallje publike do të qëndroj i hapur deri më 3 mars 2021.

Shpalljen mund ta gjeni këtu: https://www.mkrs-ks.org/?page=1%2C114&fbclid=IwAR0L7Y2qv6pL3RmSeM8EmxAaU0nt___4zmv_8tD81hql7NSqoKh93h_33T8 / KultPlus.com

Del në shitje një dokument i Napoleon Bonapartit

Një dorëshkrim unik mbi Betejën e Austerlicit (1805) diktuar dhe nënshkruar nga Napoleon Bonaparti gjatë mërgimit të tij në ishullin e Shën Helenës ka dalë në shitje duke filluar nga sot, në Paris.

Teksti prej 74 faqesh që perandori i diktoi gjeneralit të tij besnik, Henri-Gatien Bertrand, tregon për fitoren e tij më të madhe, më 2 dhjetor 1805, në Austerlic, megjithë inferioritetin numerik të ushtrisë së tij të ashtuquajtur ”Grande Armée”, transmeton KultPlus.

Në total, shënimet origjinale të Napoleonit janë 11. Dorëshkrimi shoqërohet nga një plan beteje në letër me shkëlqim të vizatuar nga gjenerali.

Pikërisht këtë vit, do të kujtohet 200-vjetori i vdekjes së Napoleonit, më 5 maj 1821. Dorëshkrimi është ekspozuar në galerinë ”Arts et autographes”, pranë Odéon, dhe shitet për një milion euro. / KultPlus.com

Detaje nga dreka e parë e Helenës me familjen e Ismail Kadaresë, aty ku lindi ideja e fejesës

Ismail dhe Helena Kadare përbëjnë çiftin më të njohur të letrave shqipe. KultPlus sonte ju sjell një pjesë nga libri i njohur i Kadaresë “Kukulla”, ku Ismail Kadare përshkruan në detaje takimin e parë të Helena Kadaresë me familjen e tij, që e nënkuptohet si një takim tejet i ftohtë, por që pas tij, kishin kuptuar se kjo drekë  edhe në mënyrë të pavetëdijshëm i kishte shtyrë drejt një hapi tjetër në lidhjen e tyre.

Në kujtimet e saj, Helena ka përshkruar drekën e parë në shtëpinë tonë, që ishte njëherësh njohja e parë e saj me prindërit e mi.

Asnjëherë, madje ende sot, pas kaq vitesh nuk e kam pasur të qartë se ç’më shkrepi atë të diel  që, pas qëndrimit gjithë paraditen në dhomës time, t’i thosha Helenes: a nuk rri për drekë?

Për drekë? Kishte thënë ajo e befasuar, pastaj kishte përsëritur dy-tri-herë: Po si? Po pse?

Kishte disa javë që takoheshim, por asnjëherë s’kishte rënë fjala për gjëra të tilla, njohje me prindërit etj. Helena njihte motrën time, nuk di në  ç’rrethana, kurse me vëllain më të vogël ishte ndeshur një herë të shkallët.

Përse? Përserita pyetjen e saj. Desha t’i them ndonjë arsye, por ngaqë s’gjeta, përsërita…Ashtu kot…

Pa e bërë të gjatë isha ngritur dhe kisha dalë nga dhoma, për t’i thënë Kukullës se ajo shoqja ime do të rrinte për drekë…

Kush? Pyeti Kukulla. Ajo bjondia? Gjithmonë sipas stilit të saj, nuk përdori fjalën “leshverdhë”, siç thuhej në Gjirokastër, sidomos në shtëpitë e vjetra, ku leshverdhat çmoheshin veçanërisht, por një fjalë që sapo kishte hyrë në modë.

Një çast e mora këtë si shenjë që Kukulla ishte joshur më në fund prej vajzës, çka vërtetonte se kisha pasur të drejtë kur kisha menduar se, në rast nevoje për mirëkuptim midis Helenës dhe fisit tim kryeneç, shpresën kryesore e kisha vënë te flokët e saj.

Por këtë herë nuk ndodhi ashtu. Njëfarë ftohtësie në fytyrën e Kukullës, ishte, me sa dukej, shenja se ende ruante njëfarë pa kënaqësie që zgjedhja e saj paradokohshme nuk ishte marrë parasysh. Dhe, pa dyshim, i kishte shkuar mendja se Helena paskësh qenë shkaku.

Nuk foli asgjë, vetëm pyeti se a duhej t’i thoshte “atij”, domethënë tim eti.

Patjetër, i thashë. Do të hamë drekë të gjithë bashkë.

Ishte ende mesditë dhe gjer në dy, ora e zakonshme e drekës, kishte kohë të mjaftueshme për ndonjë përgatitje.

Helena nuk e fshihte se ishte pak e shqetësuar. Për t’i dhënë  zemër i tregova ca kureshti të Kadarenjve, një pjesë e të cilave kishin lidhje me naivitetin e Kukullës. Ndër të tjera, i përmenda ngjarjen e “vajës” modele dhe, gjsmë më të qeshur, shtova se, meqenëse Kukulla paskësh qenë e djegur për fjalën “zonjë”, të përpiqej ta quante ashtu.

Pak përpara orës së drekës shkova për të parë gjendjen. Nga kostumi i babait dhe shprehja e fytyrës e kuptova që “e dinte”. Im vëlla më pëshpëriti: “Helena do të vijë?”. Ia bëra “po” me krye.

Në orën dy u nisëm të dy, unë i para, Helena pas, drejt drekës që Bardhyl B. Kishte gjasë ta quante si risinë më të madhe, jo vetëm në doket letraro-mondane shqiptare, por më tej, dicka që të kujtonte deklaratën e Jefferson-it ndoshta, apome Shturm un Drang-un gjerman që porsa e kishin bërë në letësi.

Im atë, në krye të tryezës, me gjithë pamjen e rëndë, ishte gjithmonë në “gjendje lufte”. Kukulla kishte pamjen e saj të zakonshme në kësi rastesh: një përzierje të nemitjes me shpërfilljen. Motra, nuk e kuptoja pse m’u duk se mbante një qëndim gjysmë fajtori.   I vetmi që rrinte natyrshëm ishte vëllai.

Mirëdita, zonjë, tha Helena me një zë krejt të pasigurt.

Unë mezi e mbajta të qeshurën. Kukulla s’e dëgjoi ose bëri sikur. (Me vete mendova që ishte më mirë të mos e kisha dëgjuar, përndryshe në krahasim me zërin e tingëllueshëm e lozonjar të asaj tjetrës, ky i Helenës, kishte gjasë t’i dukej fare i zbehtë.)

Tek vendoste pjatat e fundit, në fytyrën e saj m’u duk se spikata dicka të njohur. Buzëhollë, gati sa s’thashë me zë. Gjyshja. Ndoshta vjehrra…

Në tryezë biseda mezi lidhje. Me përjashtim të disa frazave të rëndomta midis Helenës dhe tim vëllai, një bisedë koti midis studentësh për ca ndryshime rregulloresh në fakultet, pjesa tjetër i ngjante një teksti të ngjitur me zor.

Të thashë? I pëshpërita Helenës që e kisha përbri.

Ajo bëri “po” me krye dhe kjo më qetësoi gjithsesi.

Ishte moskuptimi i përhershëm i Kadaranjve, për të cilin i kisha folur. Por këtë herë ftohtësia përligjej. Në sytë e të gjithëve ishte pyetja: ç’ishte kjo vajzë, përse ndodhej këtu dhe c’kuptim kishte kjo drekë?

Herë pas here sytë më shkonin te Kukulla dhe pothuajse e merrja me mend se c’ndiente.

Të qan zemra për atë tjetrën, mendoja. E di. Një copë herë e vazhdova me vete dialogun e përfytyruar me Kukullën. Kjo këtu, Helena, gjithashtu është e bukur, apo jo? Për pamjen s’kishte ç’thoshe. Madje ia kalonte asaj tjetrës. Dhe ishte leshverdhë si ato të teatrit, që i pëlqenin asaj.

Kisha një pështjellim të lehtë në kokë. Ndieja dëshirën t’i thosha: S’kemi pse vështroni ashtu si të mpirë. Kjo drekë është thjesht një drekë. Ashtu sikurse kjo vajzë është para së gjithash një vajzë. E cila, veç kësaj, është e dashura ime. Por kjo është puna jonë, e në të dyve, që as ju dhe askujt tjetër s’i përket. E morët vesh tani?

Acarimi i beftë, ashtu si më erdhi, pa ndonjë shkak të dukshëm, ashtu edhe po më ikte.

Pështjellimi në kokën time vazhdonte, por ai ishte tani i ndryshëm. Kishte kaluar kaq kohë që nga drekat dhe darkat te shtëpia e madhe “atje”. Kukulla ishte tani në vendin e vjehrrës së saj, kurse Helena në vendin e Kukullës. Mua s’më mbetej veç të isha në rolin e tim eti, që duhej të vendoste drejtësinë, në rast lufte midis tyre. Aq më tepër që ai, pas dorëheqjes, e kishte humbur postin e Torquemandas së madh…Qerthulli rihte të mbyllej…

Sa më lodhi kjo drekë, i thash Helenës kur shkuam prapë në dhomë. Ndoshta bëra gabim që të çova. Jo, tha ajo, me të njëjtin zë të pasigurt që kishte shqiptar fjalët: si jeni zonë?…

Më pas, po të më thoshte dikush se ajo drekë, në dukje pa asnjë kuptim, ndrynte në vetvete një enigmë, do të qeshja me të madhe.

Ishin bërë vërtet pyetjet: ç’ishte kjo vajzë, pse ishte këtu dhe ç’kuptim kishte ky teatër, por në të vërtetë askush, e në radhë të parë ne të dy, Helena dhe unë, nuk fshihnim asgjë. Dhe kjo ishte krejt e vërteta, ngaqë në radhë të parë, në vetë nuk dinim asgjë. Kishim ardhur te kjo drekë pa asnjë prapamendim a plan maskues, e aq më tepër pa dredhi.

Ndërkohë, më pas, si duke luajtur si rrjedhojë leximesh të llojit psikanalist, madje na kishte shkuar se mos, pa e dit as vetë, ishim joshur ne vetë, duke joshur pas vetes dhe të tjerët, drejt idesë së mjegullt të një fejese.

Përherë e më tepër më dukej se një dasmë e ndrydhur, e ardhshme, si ato dhomat ende pa emër të shtëpisë së Gjirokastrës, një mbasedasmë, po të përdorej një fjalë sipas shembullit të mosdhomave të atjeshme, rrinte ndoshta e fshehur pas teatrit absurd të asaj dreke.

Urime të pathëna, që s’kishin të drejtë të shqiptoheshin, një rrëzëllimë karfice mbi flokët e Helenës, që herë merret shkëlqim e aty për aty shuhej, sipas lëvizjes së kokës së saj, shkurt një si shenjim a lajm fejese e porsalindur, rridhnin të shfaqeshin falturushëm./ KultPlus.com

‘Më vjen turp që jam shoqëruar me ty’, letrat që Ismail Kadare shkëmbente me rusen Ljuba

Një ndër librat e Ismail Kadaresë perceptuar nga vetë autori, si njëfarë bashkëbisedimi mes miqsh është “Ftesë në studio”.

Libri pasqyron disa copëza letrash që ai kishte shkëmbyer me vajzat ruse, me të cilat ishte shoqëruar gjatë kohës si student, në Moskë.

Ljuba, ishte njëra prej tyre. Një mikeshë të cilën autori, në kohën kur e ka shkruar letrën, kishte vetëm dy javë që e kishte njohur.

Ja çfarë i shkruan Kadare asaj, duke pasur në mendje letrën që Pushkini ia kishte dërguar Anne Kern:

“Ljuba ime e shtrenjtë. Një javë më parë kur me ndihmën e Zotit të shtiva në dorë (pa guxuar ta shkruaj krejt fjalën e ndyrë ruse, shënova vetëm shkronjën e parë j…. me tri pika), ishte vërtet një gjë e mrekullueshme, një ‘cudnoje mgnovjenje’, siç e shkruan Pushkini i madh.

Veç në mos më ke ngjitur triperin (në gjuhën tonë ai emërtohet me një fjalë me tingëllim madhështor skullamendo, e huajtur nga italishtja dhe që të kujton termat e muzikës, andando moderator, apo jo?), pra veç në mos ma ke ngjitur triperin, ndonëse një shkrimtar, Heminguej më duket, ka thënë se kur e marr prej teje edhe triperi më duket i mrekullueshëm.Kështu, pra, as ai s’ma zbeh dot dashurinë për ty, veç në mos e ke marrë prej ndonjë çifuti uzbek, se pavarësisht nga simpatia që kam për çifutet, kam dëgjuar se çifutet e Uzbekistanit e kanë triperin më të keq se sifilizin”.

Ja përgjigja që i kthen Ljuba:

“Që kishte në natyrën tënde diçka anormale, madje prej krimineli këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime, kur erdhe për të pirë çaj tek ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç kur i tregova letrën tënde të ndyrë, më tha se ti ishe më i keq se ç’e kishte menduar. Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë i shkretë sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije çaj me ty, ishte njësoj si të pije çaj me djallin. Edhe këto janë fjalë të nënës sime, e cila njësoj si unë e ndjen veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu duke asaj dhe tani më dukesh edhe mua, si mishërimi i së keqes…

Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e sidomos ndaj muzikës veneriane për të kuptuar se ç’përbindësh je. I poshtër gjer në fund, duke e parë se me prindët e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha “Zoti e ndjeftë”.

Më vjen shumë turp që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer shumë, shumë. Ljuba”

Të njëjtin zemërim shpreh edhe Llora, në një tjetër letër. Vetë shkrimtari e shpjegon kështu këtë kohë, në libër “Nga vinte kjo ndjenjë shkatërrimi, që kishte kohë që më kishte kapur? I prishja të gjitha lidhjet, i zëvendësoja me të përkohshme, të cilat ngutesha t’i prishja gjithashtu. Ishte pa dyshim, një sëmundje që zotëronte rreth e rrotull, por që mua më kishte zënë rëndshëm”.

Kadareja e shpjegon këtë krizë studentore, në romanin “Muzgu”. Por, pavarësisht zemërimit të Ljubës, ai është ndër të parët shkrimtarë që e ka cekur hapur këtë anë kaq njerëzore në jetën e një shkrimtari, duke treguar kohët e bukura të jetës studentore në Moskë dhe vajzat që takoi, të cilat ndikuan që ai të shkruante poezitë më të bukura për dashurinë. / KultPlus.com

Liqeni Ohrit, mes destinacioneve të sugjeruara nga ‘Travel Weekly’

Liqeni i Ohrit është përfshirë mes gjashtë liqeneve më të mira në Europë për të vizituar nga “Travel Weekly”.

Në shkrim thuhet se vendi i parë për të kaluar një pushim pranvere është pikërisht kaltërsia e Liqenit të Ohrit mes maleve dhe vetë qyteti i vjetër me të njëjtin emër që quhet “Jeruzalemi i Ballkanit” për historinë e saj qindra-vjeçare, transmeton KultPlus.

Travel Weekly sugjeron se në këtë zonë janë rrënoja të kështjellave mesjetare, rrugët me kalldrëm, kishat dhe plazhet idilike por dhe kuzhina e frymëzuar nga Turqia që nuk shijohet asund tjetër.

Krahas liqenit të Ohrit, Travel Weekly rekomandon liqenin Garda në Itali, Bled në Slloveni, Loch Lomond në Skoci, Saimaa në Finlandë dhe Brienz në Zvicër. / KultPlus.com

Rave dhe Win Music Freedom perfundojnë sesionet e muajit Janar me STRATOS

Stratos është DJ dhe producent nga Prishtina. Ai bëri paraqitjen e tij debutuese në Bahnhof Prishtina në 2017. Që atëherë muzika e tij ka marrë shumë forma dhe forma të ndryshme.

Ai është pothuajse gjithmonë i orientuar drejt klubit, me tendenca te muzikës Deep dhe Funky. Eklektik dhe me humor herë pas here, por i mprehtë, çdo herë.

Përmban kryesisht ritme të Deep Tech / Minimal, të cilat shpesh bashkohen edhe me Acid, Dub dhe Chicago House.

Stratos do mund ta dëgjoni në faqën zyrtare KULTPLUS në Facebook të dielen nga ora 21:00!

Mundësuar nga Win Music Freedom Kosova.

Agjencia Kombëtare e Diasporës publikon album fotografik për Ismail Kadarenë

Agjencia Kombëtare e Diasporës ka realizuar një album fotografik në nderim të shkrimtarit të madh të kombit, Ismail Kadare, me rastin e 85 vjetorit të ditëlindjes së tij.

“Kadare dhe Gjirokastra” është një udhëtim nëpërmjet imazheve fotografike në qytetin e lindjes së autorit, në Gjirokastrën e tij të dashur, ku shihet të ecë në rrugicat me kalldrëm, të takojë njerëz që i njeh e jo, të vizitojë vënde që e frymëzuan të krijojë disa nga kryeveprat e tij.

“Realizimi i këtij albumi ishte si një detyrim, që ndjenim se kishim ndaj shkrimtarit të madh shqiptar. Njeriut që bëri Shqipërinë të njohur në mbarë botën, që prej 30 vitesh tsahmë është pjesë e Diasporës, por mbi të gjitha ky është një detyrim që kishim ndaj njeriut që gjuhën letrare kombëtare e ka cilësuar si kryeshenjën e identitetit shqiptar, që e ka mbështetur dhe promovuar identitetin dhe kulturën shqiptare, cka është edhe misioni i Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, tha  Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Diasporës Sonila Hysi.

Ky album është realizuar nga fotografi Roland Tasho, i cili ka ruajtur fotografi të publikuara gjatë vizitës së Kadaresë në Gjirokastër në vitin 2000 kur u kthye për herë të parë pas migrimit dhe menjëherë shkoi në qytetin e tij të lindjes, Gjirokastër. Është hera e parë që Ismail Kadaresë i realizohet një biografi e ndërthurur me fotografi.

“Jam njohur dhe e kam fotografuar herët shkrimtarin Kadare. Falë një burse që fitova nga Bashkia e Parisit në vitin 1997 jam takuar dhe fotografuar me shkrimtarin në Paris. Kështu që kur kthehet për herë të parë në vitin 2000, Kadare bashkë me Elenën shkojnë në Gjirokastër. Njëkohësisht shkoj dhe unë bashkë me botuesin e tij Bujar Hudhri. Mezi e prisja këtë rast dhe frymëzuar nga romanet e tij kur i lexoja në rini, doja me patjetër ta fotografoja nëpër sokake duke takuar njerëz në rrugë dhe sidomos doja ta fotografoja në sokakun e famshëm të të marrëve. Gjithë kohën ai ishte i shoqëruar dhe mezi e ndaja herë-herë nga njerëzit që e shoqëronin.  Kështu mu dha rasti ta fotografoja te sokaku i të marrëve dhe njëkohësisht më tregonte për këtë rrugicë me emër të çuditshëm”, tregon për Diaspora Shqiptare fotografi Roland Tasho.

Studiuesi Shaban Sinani në parathënien e albumit duke theksuar lidhjen e ngushtë mes shkrimtarit dhe qytetit shkruan: “Ismail Kadaresë i ra detyra e vështirë, tejet e vështirë, që t’u bënte të njohur të gjithëve, vendit dhe botës, se Gjirokastra e tij, Gjirokastra letrare, ishte një polis, një qytet i vërtetë, një qytet i ndritshëm, pavarësisht se me shtëpi-fortesa e me gjirize, me mëhalla të ndërtuara mbi baza farefisnie; një qytet me varosh e qafë pazari, një qytet ku të gjithë thonë për njëri-tjetrin kemi të bëjmë. Duhej të shndërronte në qytet një vend ku të gjithë i drejtoheshin njëritjetrit me nofka dhe zbunime, madje pa emër fare, thjesht në emër të farefisnisë: çupa e Zekatëve, djali i Angonatëve, një nuse në Dunavat, i lojturi i Çiçove etj”.

Për realizmin e fotografive në qytetin e gurtë fotografi Roland Tasho tregon se gjatë vizitës së Kadaresë në vitin 2000 ka realizuar shumë foto, por në këtë album ka zgjedhur vetëm foto nga vizita e tij në Gjirokastër, për të krijuar një udhëtim të shkrimtarin në vendlindjen e tij.

“Realizova mjaft fotografi dhe që në vitin 2000 i ruajta dhe nuk i kisha botuar në asnjë gazetë, apo revistë fotot, megjithëse kisha kërkesa të shumta. Për të fotografuar Kadarenë në Gjirokastër u përgatita dhe u furnizova me filma bardh e zi. (nuk kishte foto me digjital në vitet 2000). Në albumin e sapo përfunduar zgjodha foto nga Gjirokastra që t’i përshtateshin tregimeve të tij për qytetin. Qëndroja gjatë në Gjirokastër dhe çohesha herët në mëngjes, sepse më interesonte shumë të kishte mjegull, shi dhe shfrytëzoja kohën gri pa diell. Një udhëtim tjetër Kadareja ka bërë dhe me rastin e përurimit të restaurimit të shtëpisë së tij në vitin 2016. Me këtë rast të organizuar nga “Akademia e Shkencave” erdhën dhe përkthyesit kryesorë nga e gjithë bota. Dhe kjo vizitë e tij është pasqyruar në libër.”

Roland Tasho shprehet se ky projekt është mjaft i veçantë për të: “Për mua botimi i këtij libri është një ngjarje e veçantë dhe nga më kryesoret në jetën time 39-vjeçare si fotograf. Libri më i rëndësishëm nga 14 librat e botuar nga unë.”

Albumi “Kadare dhe Gjirokastra” së shpejti do të jetë i pranishëm në institucionet kulturore.

Duke u ndalur te realizmi i këtij albumi drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Diasporës tha se: “Ne si agjenci përpiqemi të punojmë çdo ditë në forcimin e bashkëpunimit me diasporën shqiptare dhe qëllimi final është ruajtja dhe promovimi i vlerave shqiptare, ruajtja e kulturës, gjuhës traditës.  Ndaj ishte dëshira jonë që në këtë përvjetor t’i dhuronim një album “Kadare dhe Gjirokastra” jo vetëm shkrimtarit, por edhe Shtëpisë Muze Kadare këtu në Tiranë, Shtëpisë Muze në Gjirokastër dhe institucioneve të tjera, duke u përpjekur të japim kontributin tonë që publiku ta njohë këtë gjeni të letërsisë sonë edhe nëpërmjet artistëve të tjerë dhe institucioneve që krenohen me veprën e jashtëzakonshme të Ismail Kadaresë. Virtyti më i rëndësishëm njerëzor është mirënjohja dhe ky album është dhurata jonë në shenjë mirënjohje ndaj një ambasadori të veçantë të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, siç është Kadare”.

Albumi u realizua me mbështetjen e ministrit të Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Margariti për Kadarenë: Do ngelet gur themeli i kulturës shqiptare

Sot, shkrimtari ynë i mirënjohur Ismail Kadare mbush 85 vjeç.

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, në konferencë të mbajtur për Kadarenë, deklaroi se ai është një shkrimtar shqiptar dhe botëror, e se do ngelet një gur themeli i kulturës shqiptare.

Kadare, një shkrimtar shqiptar dhe botëror. Ai është një figurë që inspiron. Megjithëse ne presim të fitojë Nobel, për ne shqiptarët, ai e ka fituar këtë çmim. Kadare do të ngelet një gur kilometrikë të kulturës sonë.Ne të gjithë, Ismailin e njëhesojmë me atdheun. Jemi krenar që jetojmë në epokën e Kadaresë. Kadare arriti të nxjerrë letërsinë nga errësira’, ka theksuar Margariti, përcjell KultPlus. / KultPlus.com

Portreti i Lasgush Poradecit nga Ismail Kadare

Ajo çka, në vend që të më mundonte, më mahniste gjithmonë, sa herë që takoja Lasgush Poradecin, ishte ndjesia e së pamundurës.

Ishte e pamundur të merreshe vesh me të si me të tjerët. Porsa hyje tek ai, madje porsa trokisje në portë, aty për aty gjithçka tjetërsohej.

Tjetër logjikë në të biseduar, tjetër kod, të tjera fjalë, të mbështjella me kuptim tjetër. Diçka mungonte përherë, e diçka qe e tepërt. Ai vetë ishte aty, i vëmendshëm për gjithçka, e megjithatë, ti e ndjeje se sa ç’ishte , aq edhe mungonte.

Më e habitshmja ishte se ty të pëlqente kjo, se nuk doje aspak që të prishej kjo magji, ashtu si nuk doje që fjalëve që thuheshin t’u ikte dysia, velloja me të cilën sapo ishte mbështjellë dhe t’u ktheheshin kuptimet e tyre të mirëfillta, që ngjanin tani të zbehta.

Një njeriu meskin do t’i dukej i krisur, një tjetër mund të mendonte se atë mjegullirë ia krijonte pleqëria. Por s’ishte as e para, as e dyta.

Lasgushi ishte aty, disa qindra hapa larg, megjithatë, përse nuk nisesha me ngut, me panik, për të mos humbur kohë? Përse nuk kam shkuar më shpesh, thosha me vete. Dhe prapë shkoja rrallë. S’kisha kurrfarë droje se do ta shqetësoj. Ai më priste përherë me kënaqësi, madje më çonte fjalë t’i shkoja. Ishte një pengesë e tjeterfartë. Pengesa që shkakton ëndrra. Askush nuk ngutet të shkojë drejt saj. Sepse, në fund të fundit, vonesa dhe ngadalësia bëjnë pjesë në mekanikën e saj.

Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske.

Prej vitesh, qysh pas mbarimit te Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë, që e bënin në mësim, e kujtonin të vdekur. Të tjerë ua shpjegonin se nuk ishte ashtu, se ishte gjallë, por as të parët, as të dytët nuk habiteshin nga kjo. Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të, si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit. Ishte nga të rrallët njerëz dhe, ndoshta , i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë , duke qenë i gjallë, të përjetojë vdekjen e tij.

Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej e natyrshme ta pyesje nëse dilte apo shkonte drejt arkivolit. Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje. Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mundshme, e pikëllimit që ai qe harruar pa të drejtë, thërrmohej si një enë kristali sapo ndeshej me të.

Kur ai hynte në kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme. Ai ishte i paparashikueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejtejshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjend.

Por gjëja më e jashtëzakonshme ishte e folura e tij. Gjë më të pangjashme me bisedën e përditshme, nuk mund të përfytyroje dot. Ndonëse ishte e qartë, pa stërhollim, fare e rrokshme, madje për gjëra të ditës, ajo e kishte kryekëput të ndryshme gjithçka: ndërtimin e saj, logjikën, ritmin, kthimet prapa. Ishte e papërftueshme, të mendoje që ai ose ti, në fillim të bisedës, të thoshit diçka për kohën, shëndetin, ose shprehjen ç’të reja kemi? Ai mund të shikonte ftohtë, të mos përgjigjej dhe të harronte që ti ishe aty. Çdo takim me të ishte përherë befasues, jashtë çdo skeme dhe parashikimi…

…Mekanizmi i kohës së tij ecte herë përpara, herë mbrapsht e herë në vend. Edhe oraret ashtu i kishte: çohej nga gjumi në orën 11. Hante mëngjes. Flinte përsëri në 12. Hante drekën në 5 mbasdite. Flinte në 6. Çohej në 8 dhe punonte gjer më 3 pas mesnate. Pamja e tij, po aq sa e folura, i shpëtonte çdo cilësimi. Ai ishte aristokrati dhe fshatari njëkohësisht, vjenezi i përkorë dhe ballkanasi me shkop shtogu, bjondi dhe bruni, i ashpri dhe fini. Ai herë të kujtonte aktorin gjermano-shqiptar të viteve ’30, Aleksandër Moisiun, herë grekët e lashtë të mbështjellë me zhgun jashtëkohor, e herë Papa Gjon Pali II.

Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtar të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm , më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur. Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij.

Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr. Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister.

Ismail Kadare “Ftesë në studio”. / KultPlus.com

Pullë postare për punonjësit shëndetësor që kanë humbur jetën nga Covid-19

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka prezantuar pullën postare, dedikuar personelit shëndetësor që kanë humbur jetën gjatë ballafaqimit me Covidin-19.

Në prezantimin e saj ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se mundi dhe sakrifica e bërë nga personeli shëndetësor janë munduar t’i vlerësojnë përmes kësaj pulle postare, transmeton KultPlus.

Ai ka shtuar më tej kërkesën e tij që të mos mbingarkohen institucionet shëndetësore.

Ndërsa përfaqësuesi nga Posta e Kosovës, ka thënë se personeli shëndetësor e meriton emrin heronj. Pulla postare mban emrin” “Heronjtë mantelbardhë”,

Gjithashtu, mirënjohjet u janë akorduar mjekëve dhe infermierëve që ishin prezentë. Mbi 30 punëtorë shëndetësorë në Kosovë kanë vdekur në krye të detyrës gjatë pandemisë. / KultPlus.com

‘Hot Blood’, seriali kosovar që synon Netflix-in

…ask Jack! Movie co.  është kompania filmike kosovare që pritet të lansojë një serial me titull “Hot Blood”. Me regji të Jack Tahirit, ky serial synon tregun ndërkombëtar – posaçërisht Netflixin

“Hot Blood” në qendër të vëmendjes ka një djalë të ri, Trimin, i cili papritur gjendet mes një tollovie pa fajin e tij, e ku ai vepron për të mbrojtur moralin dhe nderin e tij si dhe të shoqërisë.

Me kalimin e kohës dhe gjatë meditimit fillon t’i hedhë dritë komplet ngjarjes dhe pas daljes nga burgu, udhëton ne kërkim te vërtetës dhe dëshiron që ta bëj vetë drejtësinë.

Sipas producentëve, ky është një serial me plote mistere, deri tek e vërteta, që e bënë Trimin një protagonist kryesor herë në rrugë të ligjit e herë jashtë çdo kornize të tij. Cili është Trimi, a janë veprimet e tij të justifikueshme? A justifikohet mjeti duke ditur qëllimin?

Produksioni thotë se ngjarja e filmit është e bazuar në jetën e vërtetë derisa vetë aktori kryesor i këtij seriali, Lirim Topalli, e ka përjetuar këtë histori duke i dhënë asaj emocion interesant. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Rrëfehet Kadare: Si e përjetova pandeminë dhe mendimin që kam për politikën aktuale në Shqipëri

Në 85-vjetorin, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare ka rrëfyer më shumë për jetën e tij, duke nisur nga mënyra se si e ka përjetuar pandeminë e COVID-19 e deri te opinioni i tij për politikën aktuale në Shqipëri.

Ky rrëfim është bërë në librin “Kadare, Dialog me Alda Bardhylin, Kohë për rrëfim” të shtëpisë botuese Onufi, përcjell KultPlus.

Si i keni përjetuar këto kohë zhvillimet globale, pandeminë?
-I kam përjetuar natyrshëm. Nuk më kanë shkaktuar ndonjë shqetësim serioz, por kjo vjen sepse, për një shkrimtar, shqetësim serioz është gjithnjë ai që lidhet me krijimin. Këto travaja nuk kanë qenë asnjëherë penguese për procesin e krijimit. S’duhet harruar se,  pjesa më e madhe e asaj që shkruhet në botë, harrohet. Ky është një shërim i natyrshëm i herëpashershëm, që e ka përbrenda kjo sferë dhe që e prodhon sa herë asaj i duhet. Mund të duket e pakuptueshme, por ndoshta na lejohet ne shkrimtarëve që në bisedat tona të kemi disa herë një pakuptueshmëri të tillë.

Jeni admiruar shumë, por edhe kritikuar shumë, po kaq shumë keni qene temë diskutimesh mbi raportin tuaj me regjimin, ndoshta dhe për njohjen tuaj ndërkombëtare. Si u përgjigjesh shumë njerëzve që u pëlqejnë që të shohin portretin tuaj me shumë ngjyra?
-Është e kuptueshme për mua, kështu ka qenë gjithnjë për shkrimtarët, siç janë ndonjëherë gjërat tepër të kuptueshme që ngjajnë të pakapshme. Shkrimtari shpesh qëllon që lodhet nga e pavërteta e gjërave dhe kjo lodhje ndonjëherë e rrezikshme, kur ai mësohet me të dhe nis oqeani i madh i shpërfilljes, që është jashtëzakonisht i rrezikshëm.

Si e shihni politikën tani në Shqipëri?
-Nuk kam ndonjë vizion të veçantë për të

A e ndryshoi komunizmi pikëpamjen tuaj për botën?
-Nuk besoj.

*Këto pjesë nga intervista u mor nga ExLibris print. / KultPlus.com