Në mbarë botën, e diela e dytë e muajit maj, festohet si Dita e Nënës, për të nderuar e respektuar kështu figurën e nënës, shkruan KultPlus.
Dita e Nënës, shënohet për të treguar vlerën e nënave dhe figurave amë nëmbarë botën.
Edhe pse ato marrin dashurinë tuaj çdo ditë, një dedikim më i veçantë në këtë ditë atyre do t’ua kthej buzëqeshjen edhe më shumë.
Në fakt, edhe historia se si e diela e dytë e muajit maj, shënjon Ditën e Nënës, është mjaft interesante. Ka mbetur kështu pikërisht nga një grua.
Në kohët moderne amerikanja Anna Marie Jarvis (1864-1948) ishte ajo e vetme që kishte idenë e parë për të krijuar një ditë të veçantë për të nderuar nënën e saj. Kanë kaluar 103 vite që nga ajo ditë ku përpjekjet e saj në fund u realizuan më 9 maj, 1914, kur presidenti i atëhershëm amerikan Woodrow Wilson nënshkroi një dekret, ku Dita e Nënës u prezantua si një festë kombëtare në të dielën e dytë të majit. Që atëherë, shumë vende festojnë Ditën e Nënës Botërore në të dielën e dytë të majit. / KultPlus.com
Filmi ”Rruga” nën regjinë e Besim Ugzmajlit, është nominuar për pesë çmime në ”Roots of Europe International Film Festival, Spain”, përcjell KultPlus.
Ugzmajli është nominuar për çmimin e Regjisorit më të Mirë, Gresa Pallaska për çmimin e Aktores më të Mirë, Mal Noah Safqiu për çmimin si Aktori më i Mirë, ndërkaq filmi është i nominuar për çmimin kryesor si Filmi më i Mirë, njëherit edhe për Skenarin më të Mirë.
Filmi “Rruga” trajton temën e trafikimit me qenie njerëzore.
Në film luajnë Gresa Pallaska, Mal Noah Safqiu, Mevlan Saraçi, Milot Salihu dhe Sherif Bega. Lena dhe Genti janë personazhet kryesore të këtij filmi, këta të dy takohen në një situatë të pazakontë, por tregimi i tyre është më i ndryshëm sesa që duket në fillim, të dy këta, kanë përjetuar dhimbje të shkaktuar nga njerëzit e tjerë.
“Rruga” është prodhim i Figurina Film’s. / KultPlus.com
Janë bërë 22 vite nga rënia heroike e luftëtares 17 vjeçare, Yllka Domi, e cila ra dëshmore në Betejën e Çabratit, më 7 maj të vitit 1999.
Yllka u vra bashkë me disa bashkëluftëtarë dhe ushtria serbe, për të fshehur gjurmët, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë, për t’u gjetur e rivarrosur më 23 dhjetor 2003 në Kodrën e Çabratit, në Gjakovë.
Në kohën kur ajo u vra, ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme “Mazllom Këpuska” dhe nuk arriti ta përjetonte diplomimin e saj. Por, Yllka ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte poete që premtonte të sillte një frymë të re në poezinë shqiptare.
Sipas profesorëve dhe njerëzve që e njohën, vdekja e Yllkës ishte humbje e një kuadri intelektual, e një atdhetareje dhe poeteje, e cila do të ishte prijatare e proceseve te ndërtimit të shtetit, por edhe shtyllë e kulturës dhe letërsisë.
Yllka u rrit në një frymë atdhetare dhe po përballej gjithmonë me padrejtësitë që po i bëheshin atë kohë kombit shqiptar. Prandaj, ajo ishte e interesuar gjithmonë që të informohet saktë se si po lëvizin gjërat. Kudo ishte aktive, në shkollë, në grupe humanitare, në ndihmë banorëve të zhvendosur dhe aty ku e kërkonte nevoja. Si e tillë, ra në kontakt me shumë të rinj e të reja, të cilët ishin kyçur në bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka kryer kurset për ndihmë të plagosurve në luftë dhe ka ushtruar përdorimin e armëve dhe pastrimin e tyre.
Poezitë e Yllkës, kushtuar dashurisë ndaj jetës, lirisë dhe vdekjes, sot e asaj dite janë të njohura dhe shpërndahen vazhdimisht.
Sonte, KultPlus ju sjell poezinë e fundit të heroinës së kombit tonë.
Amanet ju le nëse nuk pritoni të ma shkruani emrin në rërën e detit, dhe dy vargje mi shkruani me shkrimin e saj. Në krahët e valëve të ketë epope te pambaruar dhe arena e kafazit të jetë e hapur.
Përmendore nuk dua! Nëse në kurrizin e qytetit gjeni një shkop vendoseni afër kokës sime. / KultPlus.com
Prishtina përgjatë viteve ka ndryshuar shumë, kur shohim fotografitë e vjetra të saj, ndonjëherë mezi e njohim qytetin, shkruan KultPlus.
Pjesë e këtyre ndryshimeve është edhe Pishina e Qytetit mbrapa hotel Grandit, vendi ku sot ndodhet monumenti ”Heroinat”.
Ishte kjo Pishina e Qytetit, vendi ku ka qenë shumë i frekuentuar nga të rinjtë, duke qenë kështu hapsira kryesore e argëtimit.
Faqja ”Prishtina e Vjetër”, në Facebook, kohë më parë ka publikuar një fotografi të kësaj pishine, e cila thuhet të jetë bërë në vitet e 70-ta. / KultPlus.com
Në një bisedë me TMZ, Elon Musk u pyet lidhur me kriptovalutat.
“Është plotësisht e mundur që kriptovaluta të bëhet monedha e ardhshme për të gjithë botën”, ka theksuar miliarderi, transmeton KultPlus.
“Dogecoin u shpik si një shaka për të bërë shaka me kriptovalutat e tjera. Por fati e do ironinë. Cila do të ishte gjëja më ironike që mund të ndodhë? Kur monedha që u shpik si shaka, në të vërtetë bëhet monedha e vërtetë”, theksoi tutje Musk/
Por ai paralajmëron kundër vendimeve të nxituara.
“Kriptovalutat janë premtuese, por ju lutemi investoni me kujdes”, shkroi ai së fundmi në Twitter. / KultPlus.com
Sot, me vendim të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, janë emëruar shtatë anëtarët e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Këshilli drejtues, me mandat 4 vjeçar, ka këtë përbërje: Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi.
Qeveria e re i trajton me prioritet të veçantë institucionet kombëtare të kulturës. Vendimi i sotëm është i hapi i parë për ndërtimin e një vizioni të ri për Teatrin e Kosovës.
Ditëve në vijim, Ministria do të ndërmarrë veprime tjera për institucionet kombëtare të kulturës që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë financiare dhe institucionale, pavarësinë programore dhe artistike, zhvillimin e audiencave, ngritjen e kapaciteve profesionale dhe prezantimin ndërkombëtar të produktit vendor artistik. / KultPlus.com
Kur për 20 vjet ke vjedhë në bandë politike, je kravatu falë bandave, je pasuru e qytetnu falë hajnisë e krimit, je shkollu e doktoru nga dhe për bandat, ke vjedhë e vjelë edhe spitalet e shkollat e madje ke vjedhë edhe n’statujat e heronjve…
…kush te merr seriozisht kur e ben opozitarin n’Kuvend o argat i dreqit!
Qyrranat që as nyjen e kravates s’dine me e lidhë i kërkojnë llogari Donika Gervalles e Albin Kurtit « per t’miren e vendit ». Te atij vendit që kund vend s’i lanë e kurrë vend s’e lanë me u bë. Të atij vendit që e vodhen dhe e zbrazen pa fijen e marres e n’fund edhe Serbisë për pak sa s’ia rikthyen.
Ikni o qesharakë e dilni përballë pasqyres para se t’i dilni popullit n’televizor si bisha e si analfabetë aksidentalisht t’gjetun n’Kuvend.
Qyrranat që as nyjen e kravates s’dine me e lidhë i kërkojnë llogari Donika Gervalles e Albin Kurtit « per t’miren e vendit ». Te atij vendit që kund vend s’i lanë e kurrë vend s’e lanë me u bë. Të atij vendit që e vodhen dhe e zbrazen pa fijen e marres e n’fund edhe Serbisë për pak sa s’ia rikthyen.
Ikni o qesharakë e dilni përballë pasqyres para se t’i dilni popullit n’televizor si bisha e si analfabetë aksidentalisht t’gjetun n’Kuvend./ KultPlus.com
Meghan Markle nuk është më vetëm një aktore, humanitare dhe sipërmarrëse. Tanimë, dukesha është edhe një autore e librave për fëmijë!
Ajo sapo ka botuar librin e saj të parë të ilustruar për fëmijë, të quajtur “The Bench” (Stoli), një histori e bukur për një nënë që shikonte lidhjen midis djalit të saj dhe babait të tij, transmeton KultPlus.
Libri është frymëzuar nga lidhja e Princit Harry dhe Archiet.
Por interneti ndonjëherë ka reagime shumë ndryshe nga ato që mund të priten.
Njerëzit online e kanë akuzuar Meghanin për kopjimin e konceptit të librit të saj nga “The Boy on the Bench” (Djali në stol), nga Corrinne Averiss.
Megjithatë, duket se këta dy libra nuk kanë asgjë të ngjashme dhe e vetmja gjë që kanë të përbashkët është ekzistenca e një stoli.
Komentet e vrazhda dolën nga kontrolli, aq sa Averiss u detyrua t’i drejtohej Twitterit për t’i qartësuar të gjithë se ajo nuk mendon se Dukesha e Sussex kopjoi konceptin e librit të saj.
Duke lexuar përshkrimin dhe ekstraktin e botuar të librit të ri të dukeshës, kjo nuk është e njëjta histori ose e njëjta temë si “The Boy on the Bench”. Unë nuk shoh ndonjë ngjashmëri”, -shkroi autorja.
Kështu, Averiss u dha fund këtyre pretendimeve.
Meghan ka thënë se ideja e librit filloi si një poezi që ajo shkroi për burrin e saj në Ditën e Baballarëve, një muaj pasi Archie lindi dhe “… ajo poezi u bë kjo histori”.
“La Tradition” ka botuar, me 1 janar 1906, në faqet 15-17, një këngë të veçantë popullore shqiptare, kënduar asokohe rrugicave të Kostandinopojës nga një djalosh 17 vjeçar nga Prizreni me emrin Osman Mustafa, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Këngë popullore nga Konstandinopoja dhe Arkipelagu
I. – Kënga e shitësit të misrave
Gjatë mbrëmjeve të gjata të dimrit, të rinjtë shqiptarë, nëpër rrugicat e errëta të Kostandinopojës, shesin pije freskuese dhe misra të pjekura. Për të tërhequr vëmendjen, ata këndojnë me zë të lartë ;
I
Ndërsa pjekja misrin,
Dhe po shfryja avujt prej tij.
Zëri im u ngjir i ulëritur nëpër rrugë:
Misër i sapo pjekur !
Pronari përgatit misrin;
Djali kujdeset për shitjen,
Nëse ai nuk e shet atë,
Ai (shefi) do t’i administrojë shkopin!
II
Kjo është kokrra e bizeles së pjekur e shqiptarit;
Ky është hobi i Hanumëve.
…
Misri i sapo përgatitur.
Shefi përgatit misrin;
Djali kujdeset për shitjen,
Nëse ai nuk e shet atë,
Ai do t’i administrojë shkopin!
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
III
Unë nuk e shita misrin tim;
Unë nuk mund të shpëtoj nga shporta ime;
Sonte në shtratin tim, nuk do të jem në gjendje të pushoj në qetësinë time.
Misër i sapo pjekur…
IV
Unë gjithashtu e shita misrin tim;
Këtë mbrëmje e hoqa qafe shportën time;
Këtë natë në shtratin tim, pushova i qetë.
Misër i sapo pjekur…
V
E kam lexuar Elifin(1) ; Unë e njoh atë përmendësh;
Natën dhe ditën blini shumë misrin tim.
Nesër në mbrëmje, kush e di nëse do të kthehem!
Misër i sapo pjekur…
VI
Nuk shes më boza(2); misri im është shumë i mirë tani.
Nëse nuk e besoni, shijojeni, do ta shihni!
Çdo kokërr peshon njëqind drame(3).
Misër i sapo pjekur…
VII
Kam sjellë misrin nga Selaniku;
Kërcëllon nën dhëmb: ai është shumë i freskët;
Këto janë bilbilat e sarajeve, trëndafilat e Kostandinopojës!
Misër i sapo pjekur…
VIII
Sinan trimi merr hua, duke menduar se nuk do të paguajë;
Pronari im është me të vërtetë i pari në Kostandinopojë;
Ai pjek kokrra bizeleje të një cilësie të lartë dhe i shet me çmim të ulët,
Sepse ai synon të mos shlyejë paratë që merr hua …
Bejlerët janë klientët e tij!
Misër i sapo pjekur…
IX
Misër i sapo dalë nga furra !
Mund të numërojmë kokrrat;
Pas meje fëmijët ndihen keq.
U vjen keq që nuk blenë ca tek unë!
Ata nuk kanë para; nënat e tyre i qortojnë.
Misër i sapo pjekur…
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
X
Shporta ime po digjet; avulli del prej saj :
Misrat janë shumë të freskët!
Fëmijët i shikojnë nëpër dritare: janë misra për tu admiruar!
Misër i sapo pjekur…
XI
Shitësi i misrit ka ardhur; ai po largohet.
Të gjithë blerësit e vlerësojnë atë
Nëse blini ndonjë; paguajini çmimin.
Ja po largohet tregtari i misrit.
Misër i sapo pjekur…
(Kënduar në tetor 1886, në Konstandinopojë, nga Osman Mustafa, atëherë 17 vjeç, tregtar misri, i lindur në Prizren të Shqipërisë)./
Jani Minga, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, pedagog, iluminist e luftëtar kundër analfabetizmit, u nda nga jeta 74 vjet më parë, më 7 maj të vitit 1947. Minga lindi në fshatin Shënpjetër të Fierit më 1 gusht 1872. I ati, Kostandini, qe mësues i shqipes në Manastirin e Apollonisë.
Shkollën fillore e kreu në Berat, ndërsa të mesmen në shkollën “Koto Hoxhi” në Qestorat. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Athinës, fakulteti filologjik. Njihte greqishten e vjetër dhe të renë, latinishten, italishten dhe frëngjishten.
Jani Minga mori pjesë në të gjitha kongreset arsimore. Ishte nismëtar për krijimin e klubit atdhetar “Labëria” më 1889 dhe i hapjes së shkollës së parë shqipe në Kaninë më 1909, ndërkohë hartoi edhe tekstet shkollore: “Abetare kombëtare shqip përgatitore”, “Abetare shqip këndimore”, “Gramatikë e gjuhës shqipe” etj.
Në korrik të vitit 1911 mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës. Ndërsa, në vitin 1912 fitoi të drejtën e të dhënit lëndën e historisë dhe gjeografi së, pas një konkursi në Janinë.
Më 1912 Minga mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që shpalli pavarësinë. Me hapjen e shkollës së Vlorës, u emërua drejtor i saj. Së bashku me një çetë të Semanit, luftoi në luftën e Vlorës së vitit 1920. Pati nderin të mbante fjalën e fitores në sheshin “Pavarësia”. Më 1922 mori pjesë në kongresin e arsimtarëve në Tiranë. Ishte përkrah Nolit gjatë kryengritjes së qershorit 1924 dhe mbajti fjalën e rastit kur trupat kryengritëse hynë në Tiranë. Vite më vonë iu përkushtua arsimit, si mësues e inspektor dhe kohë më kohë organizonte aktivitete me frymë patriotike. / KultPlus.com
Më 7 maj 1933, në fshatin e vogël Pagarusha, afër Malishevës, lindi Nexhmije Pagarusha, këngëtarja dhe aktorja e madhe shqiptare nga Kosova, shpesh e referuar si mbretëresha e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.
Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon.
Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera. Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.
Në vijim, KultPlus ju sjell disa fotografi të Pagarushës, ku përfshihen fotografi nga koncertet e saj, takimet e saj të shumëta me kolegë e momente të paharrueshme nga karriera e saj. / KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës nesër do të vazhdoj me koncertin e Kuintetit të Tunxhit që do të mbahet në parkun e bulevardit “Republika” në Berat, me ç’rast do të performohen vepra nga kompozitorë si: Rossini, Ewazen, Mozart, Rizvanolli, Beqiri, Rota dhe Kompanek, shkruan KultPlus.
Koncerti vjen në kuadër të edicionit të gjashtë të ‘International Albanian Brass Festival’, dhe pritet të filloj në orën 18:00.
Ky koncert zhvillohet në kuadër të sezonit 2020/2021 dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
KultPlus ju sjell njoftimin e tyre të plotë:
Kuinteti i Tunxhit përbëhet nga instrumentistë profesionistë njëherësh gjenerata e parë e tunxhit në Kosovë. Ansambli ka një repertor mjaft të gjerë. Stili muzikor është një kombinim i periudhave të ndryshme muzikore duke mos përjashtuar edhe veprat dhe këngët e ndryshme te ditëve të sotme. Ansambli rëndësi të veçantë i kushton interpretimit të muzikës shqiptare, duke mos përjashtuar edhe muzikën xhaz dhe atë të popullarizuar. Anëtarët e ansamblit përveç se njihen si promotor i muzikës në hapësira publike përbëjnë edhe Kuintetin e Tunxhit brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kunteti i Tunxhit është prezantuar në festivale të ndryshme të cilat janë bartëse të kultivimit dhe zhvillimit të muzikës serioze në Kosovë dhe Shqipëri si: Kosova Kamerfest, International Albanian Brass Festival, Netët e Prishtinës, Festivali HAPU, Kosova Brass Festival etj.
Për më shumë informacion mund të klikoni në: [email protected]. / KultPlus.com
Në Berlin, tashmë është bërë e ditur nga mediet gjermane se së shpejti klubet e natës do të shpallen institucione kulturore dhe këto klube pritet të përfitojnë edhe nga lehtësimet e taksave, përcjell KultPlus.
Sipas komisionit ”Live Musik”, në një votim pothuajse unanim të mërkurën më 5 maj, u deklarua në favor të rekomandimit për të ndryshuar statusin e klubeve të natës dhe vendeve të argëtimit në vendet kulturore.
Rekomandimi do të paraqitet në Bundestag dhe, sipas politikanit të Die Linke, Caren Lay, pritet të nënshkruhet pa debat, përcjell tutje KultPlus.
Forumi Parlamnetar shumë-partik për Klubin dhe Jetën e Natës ka punuar tash e një vit për të arritur këtë. / KultPlus.com
Në një vjetorin e vdekjes së Ahmet Brahimaj, Baleti Kombëtar dha reprizën e shfaqjes “Sisters” ku Ministri Hajrulla Çeku pati nderin t’i ndaj disa fjalë.
Fjalimin e plotë të ministrit e gjeni më poshtë:
“E nderuara zonja Brahimaj,
E nderuara familja Brahimaj,
Balerin dhe miq të Baletit Kombëtar,
Zonja dhe zotërinj,
Shfaqja e natës së sontme iu dedikua të ndjerit Ahmet Brahimaj, një prej figurave kyçe të zhvillimit të baletit në Kosovë, fillimisht si pjesëtar i gjeneratës së parë të baletit dhe më pas si drejtor i institucionit.
Ahmeti, me kontributin e tij jetësor në kulturë, mbetet një prej heronjve tanë popullor që i kanë dhënë shpirt vendit tonë. Ai i takon gjeneratës që e ka mbajtur kulturën gjallë me rezistencë dhe devotshmëri.
E kemi parë edhe në situatë pandemike që pa art dhe kulturë, muzikë dhe vallëzim, jeta është e thatë. Baleti në Kosovë, si medium, është kulmi i disiplinës, kapaciteteve fizike, ekselencës njerëzore.
Gjatë udhëheqjes së tij si drejtor, Baleti Kombëtar ngriti zërin tonë në botë. Trupa e baletit ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar ndërkombëtarë, performoi anembanë Evropës, por më e rëndësishmja, u ofroi qytetarëve tanë netë të paharrueshme muzikore.
Pa figura si Ahmet Brahimaj, baleti kosovar do të dukej shumë ndryshe. E gjithë kultura kosovare e çmon, dhe i gjithë populli i Kosovës e nderon punën dhe figurën e tij në këtë përvjetor.
Për baletin kosovar, ai e bëri pjesën e tij, bile në mënyrë të jashtëzakonshme. Tani është radha jonë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ahmet Brahimajn.” / KultPlus.com
Maks Velo u nda nga jeta një vit më parë, por për intelektual si ai vdekja nuk është kapitulli i fundit.
“Maks Velo i mungon botës intelektuale, pasi ai nuk ishte intelektual i mirëfilltë, në kuptimin e një njeriu që domosdoshmërish bën opinion publik, por ai përcillte zërin e asaj pjese të opinionit publik që nuk e artikulonte dot mendimin përtej tavolinave apo rretheve të ngushta shoqërore. Ai kishte forcën ta nxirrte në media. Kjo, sepse i mungonin filtrat, që ne i kemi me bollëk. Madje ndonjëherë kemi aq shumë filtra në mendimin tonë, saqë ajo që themi nuk i shërben më as shoqërisë civile edhe as njeriut të thjeshtë. Në këtë kuptim mungesa e Maksit bëhet ulëritëse. Për këtë Maksi u stigmatizua nga institucionet, por mori edhe vlerësimin e arkitektëve, duke u shpallur i pari brenda komitetit të arkitektëve nga SHASH”, rrëfen arkitekti Artan Shkreli.
Shkreli e përshkruan Maks Velon, si një punëtor të madh, që kudo ku jetoi diti të militoi për punën në shërbim të të tjerëve.
“Këtë e bëri dhe kur ishte në burg, duke projektuar godinën e komandës së burgut në Spaç me detaje që i kuroi vet. Njeriu i punës arrin që të nxjerrë të bukurën, duke bërë mbi normalen dhe në kushtet ekstreme të tij. Kështu Maksi edhe në burg mori disa materiale të gdhendura nga të burgosurit, duke nxjerr primitivitetin, që ishte e refuzuar nga akademikët e kohës. Ai lloj arti përçmohej si një art i ultë. Por, ai jo vetëm u dha zë, por i detyroi këta të burgosur, që të realizonin gdhendjet e veta. Arti popullor shqiptar është i mbështetur mbi simbolin, kjo tregon shkallën e lartë të abstraksionit të atyre që e kanë lëvruar me kalimin e kohës. Sot kemi në duar botimin që nisi në të gjallë të Maks Velos, që ai nuk arriti ta shikojë dot edhe pse e kishte përzemër. Ka dhënë thelbin e një arti, që në qindra vite vetëm ishte ngërthyer në vetvete, por nuk qe shpërthyer si art”, shpjegon Shkreli.
Ndërsa, akademiku Vasil Tole tregon se dhe pas vdekjes prezenca e artistit në Akademinë e Shkencave është edhe përmes statujës së ideuar prej tij, që u dorëzohet fituesve të çmimeve që ndan ky institucion
“Edhe unë ndaj mendim të njëjtë me kolegët, që e cilësojnë Maksin si një personalitet shumë të çmuar, që ka dhënë kontribut në disa drejtime. Ajo që doja të thoja në mënyrë të veçantë ka qenë bashkëpunimi me të, si koleg, por edhe në ASH, pasi ka qenë anëtar i Komitetit të Trashëgimisë, por doja të ndalja në mënyrë të veçantë tek prezenca e tij, përmes statuetës së famshme që është ideuar prej tij ne japim për çmimet që ndajmë si institucion. Kur e pyeta se çfarë ka dashur të thotë përmes saj? Më tha: Vasil është përpjekja edhe mundimi i njeriut primitiv për të bërë diçka, edhe gjykoj se e njëjtë është edhe përpjekja e studiuesve edhe shkencëtarëve dhe studiuesve, të cilët bëjnë maksimumin e tyre për të nxjerr diçka të vlefshme për shoqërinë. Një vit iku shpejt, por Maksin e kemi midis nesh edhe përmes këtij botimi”, shprehet Tole
Zëri kritik i poliedrikut, anti-konformistit që mbronte interesat e përbashkëta u mungon të gjithëve, qytetit, publikut e veçmas arkitektëve
“Ne na ka munguar të gjithëve, sepse Maksi ishte një institucion publik më vete, që përmes argumenteve që ai jepte ishte më i fuqishëm, se zëri i shumë njerëzve bashkë”, shprehet Vokshi.
Por, sa i përket dilemës se çfarë u bë me veprat që la pas Maks Velo? Artan Shkreli jep alarmin, se po qarkullojnë në treg pa u inventarizuar
“Isha ndër nismëtarët që duhet të bëhej në radhë të parë inventarizimi i veprës së Maks Velos, përmes ngritjes së një grupi pune nga arkitektura, letërsia edhe piktura, por kjo gjë nuk u bë. Procesi u vonua. Këto duhet të bëhen me orë, jo me ditë dhe muaj. Pasi as të afërmit s’kano të drejtë të bllokojnë pasurinë e një intelektuali që me dekret konsiderohej e të gjithëve ne. Për fat të keq disa gjëra të veprës së Maksit kanë nis që të qarkullojnë në tregun e nëndheshëm. Mua më dhembë zemra kur e mendoj këtë, por më vjen keq, se nuk do dihet asnjëherë nëse janë apo jo të tij. Duhet që bllokimi të bëhej të nesërmen. Unë s’jam koleksionist, ata që i koleksionojnë m’i kanë treguar. Inventarizimi duhej bërë, se flitej për një trashëgimi intelektuale, që duhet ruajtur. Por, ndonjëherë i thonë “më mirë vonë, se kurrë””, përfundon Shkreli.
Maks Velo u shua në moshën 84-vjeçare pas një sëmundje të rëndë në gjak. Si arkitekt ka realizuar projektin e sallës së “Milleniumit”, Pallatit “Kadare”, godinës së ATSH-së, shkolln“Emin Duraku”. Gjatë regjimit komunist u dënua me dhjet vite për “agjitacion e propagandë”, me akuzën se inspirohej nga “Modigliani, Braque-u dhe Picasso-ja, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”. Ndërsa, iu sekuestruan dhe dogjën 260 vepra. /shqiptarja/ KultPlus.com
Aktori i njohur amerikan, Leonardo Di Caprio, i cili përpos se një aktor i suksesshëm njihet edhe për luftën që e bën në lidhje me ruajtjen e ambientit, madje shpesh, ndër postimet e tij të shumëta, aktori ka shprehur edhe shqetësimin e tij në lidhje me lumin ”Vjosa”, shkruan KultPlus.
Së fundi, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Di Caprio ka shpërndarë një fotografi të Tiranës, në qendër të së cilës është shkruar ”Vjosa, park kombëtar tani”.
Kërkesa që lumi “Vjosa” të shndërrohen në park kombëtar ka tash e sa kohë që i bëhet Qeverisë së Shqipërisë, duke përfshirë kështu mbështetjen e yjeve me famë botërore.
“Dhënia e statusit të lumit ‘Vjosa’ si një park kombëtar do të mbrojë zonën nga digat dhe një kërcënim të ri nga shpimet e naftës dhe gazit”, ka shkruar DiCaprio. / KultPlus.com
“Kënga e Rexhës” është këngë epike e kënduar nga e madhja Nexhmije Pagarusha.
Ngjarja tragjike, ka ndodhë në fshatin Stubëll , afër Medvegjës – rrethi i Jabllanicës .
Rexha, kur i kishte vetëm dy vjet jetë, i kishte vdekur babai i tij dhe e kishte lënë jetimë nën përkujdesjen e nënës, e cila si nuse e re, ngeli e vejë pa më të dashurin e saj.
Sipas traditave dhe zakoneve të vjetra, Nëna e Rexhës me qëllim që ta ruaj djalin që të mos mbetet jetimë pa baba dhe pa nënë, kishte pranua që të martohej për kunatin e saj, përkatësisht mixhën e Rexhës.
Mixha i Rexhës, ishte kujdesur për ta rritur nipin e vet – Rexhën, deri sa u bë për martesë. Pastaj edhe e fejoi dhe vendosi që ta martojë Rexhën me dasmë dhe krushqi , sipas zakoneve dhe traditave tona.
Ditën e Dasmës së martesës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hipë në kokë një mërzi e madhe, nga se mendonte se tash po sa të martohet Rexha, do të ndahet prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë së patundshme, e cila edhe me ligj do t’i takonte nga trashëgimia e babait të tij të ndjerë!
Për këtë qëllim ai e mashtroi Rexhën dhe e qoi tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’iu qitur ushqim kuajve dhe atje e vrau tinëzisht mu në grazhd të kalit./ KultPlus.com
Aktorja e njohur shqiptare Edi Luarasi feston sot 81-vjetorin e lindjes.
Teatri Kombëtar e uron sot aktoren duke kujtuar disa nga rolet në karrierën e saj të suksesshme.
Edi Luarasi ka lindur në Tiranë më 7 maj 1940. Luarasi ka debutuar në skenë në moshë të re. Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës.
U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor. Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin.
Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.
Përjashtohet nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974, për arsye politike e më pas, rikthehet në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz në rolit e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”.
Interpretoi edhe në 1995 në dramën “Hekurat”, më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve”, etj. Ajo është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”. / atsh / KultPlus.com
160 vjet më parë, më 7 maj 1861, lindi poeti, filozofi, patrioti dhe mendimtari i famshëm Rabindranath Tagore, në Jorasanko Thakurbari në Kalkutë. Përvjetori i lindjes së humanistit, përkon me ditën e 25-të të muajit Bengali të Boishakh dhe quhet gjerësisht “Pachishe Boishakh”.
Tagore është një nga revolucionarët më të mëdhenj që ka nxjerrë India, kontributi i të cilit, nuk ka të çmuar në letërsinë bengaleze dhe angleze. Poeti, romancieri, eseisti, filozofi dhe muzikanti, është pjesë e jetës së përditshme të shoqërisë së mesme bengaleze, një nga ata mjeshtra të mëdhenj të letërsisë, veprat e të cilit vështirë se lënë emocion njerëzor të paprekur. Në hyrjen e “Gitanjali”, për të cilin, Rabindranath Tagore u laureua me çmimin “Nobel” në 1913, WB Yeats shkruan: “Ne shkruajmë libra të gjatë, ku mbase asnjë faqe nuk ka atë cilësinë që ta bëjë të shkruarin një kënaqësi, duke qenë të sigurt në një dizajn të përgjithshëm, njëlloj siç luftojmë, pasurohemi apo e lodhim kokën me broçkulla politike – të gjitha gjëra të mërzitshme, ndërsa Tagore, si vetë civilizimi indian, ka qenë i kënaqur të zbulojë shpirtin dhe t’i dorëzohet spontanitetit të tij”.
Rabindranath Tagore ka shkruar mbi 2,000 këngë, të njohura si “Rabindra Sangeet”; kirjimtaria e tij përfshin qindra romane, tregime të shkurtra, koreografi-drama, poezi, ese dhe kujtime udhëtimi. “Gora”, “Gitanjali”, “Rakta”, “Karabi”, “Ghare Baire”, “Shesher Kobita”, “Raja O Rani”, “Dena Paona”, “Shanchayita”, janë disa nga veprat më të mira, shumë prej të cilave përkthyer në gjuhë të ndryshme.
Po ashtu, Tagore kompozoi himnet kombëtare të tri kombeve: “Jana Gana Mana Adhinayaka Jaya He” për Indinë, “Amar Shonar Bangla” për Bangladeshin, si dhe himni kombëtar i Sri Lankës bazohet gjithashtu në poezinë e Tagores. Thuhet se, poema “Bangla” u përkthye në sinhalesisht dhe u miratua si himni kombëtar në 1951.
Tagore ishte i pari joevropian që fitoi çmimin “Nobel” në letërsi në 1913, romanet, tregimet, këngët dhe dramat e tij u vlerësuan, por edhe u kritikuan për lirizmin dhe ligjërimin e tyre bisedor. Njihet lidhja e veçantë që ndante Gandi dhe Tagore. Sidoqoftë, pak njerëz e dinë se ishte “Gurudev” ai që i dha titullin “Mahatma” Atit të Kombit.
Po ashtu, Tagore kishte miqësi me Ajnshtajnin. Ata jo vetëm e respektonin njëri-tjetrin, por ndanin interesin e përbashkët për muzikën dhe kureshtinë për botën në përgjithësi. Duke përshkruar Ajnshtajnin, Tagore shkruan: “Nuk kishte asgjë të ngurtë tek ai – nuk kishte asnjë largësi intelektuale. Ai më dukej një njeri që vlerësonte marrëdhëniet njerëzore dhe ndaj meje, tregoi një interes dhe mirëkuptim të vërtetë”. Tagore udhëtoi në mbi 30 vende në pesë kontinente, në pak më shumë se pesë dekada, në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Sa më shumë udhëtonte, aq më shumë dashurohej me konceptin e internacionalizmit./Konica.al
Mos e fshih Sekretin e zemrës tënde Miku im Ma thuaj mua Vetëm mua Në besim Ti që buzëqesh kaq me mirësjellje Thuama ngadalë Zemra ime, do ta dëgjojë Jo veshët e mi Nata është e thellë Shtëpia e pazë, Çerdhet e zogjve Heshtin në gjumë Tregoma mes lotësh ngurruar Mes buzëqeshjesh drithëruar Mes dhimbjesh e turpi të embël Sekretin e zemrës tënde.
Laureati i parë “Nobel” i Indisë, s’do harrohet kurrë në Indi, ndërsa krijimtaria e tij poetike jehon në zemrat dhe shpirtrat e tyre në formën e himnit të tyre kombëtar. Poet, filozof, patriot dhe aktivist shoqëror, të gjitha në një, Tagore është një nga revolucionarët më të mëdhenj që ka prodhuar India. Ai ndjeu se natyra është një thesar i mençurisë, prandaj edukimi duhet të ndodhë në një mjedis natyror. Mbështeti idealet e natyralizmit, humanizmit, internacionalizmit dhe idealizmit, duke u dhënë frymë këtyre koncepteve në universitetin “Shanti Niketan”, shkollën që ai themeloi. I ati e quajti Rabindra, dielli, sepse: “Më vonë, si dielli, kur ai të kalojë nëpër botë, e gjithë bota do të ndriçohet prej tij”, – thoshte. Jeta dhe vepra e Tagore vërtetoi parashikimin e babit, pasi ai u bë ky i mençur, ky poet i njohur botërisht, “Gurudev” për bashkëkohësit, një udhërrëfyes. Gjatë gjithë jetës u lëkund midis ndrojtjes dhe veprimit. Kundërshtar i sistemit të kastave dhe tiranisë së zakoneve, i preokupuar për një evolucion të domosdoshëm shoqëror, nga fati i fshatarëve te situata e grave, Tagore mori pozicione të guximshme në lidhje me kohën kur jetoi. Në vitin 1913, atribuimi i çmimit “Nobel” i dha një audiencë ndërkombëtare. Partizani i Pavarësisë së Indisë, ai që Gandi e quante “Mbrojtësi i Madh” do ta refuzonte gjithmonë dhunën, sepse ideali i tij ishte harmonia – harmonia midis njeriut dhe natyrës, harmoni midis njerëzve, midis kombeve, midis arteve.
Humanisti me dhembshuri dhe tolerancë, Rabindranath Tagore shpreh bindjen se, mençuria më e lartë nuk vjen nga librat, megjithëse të shenjtë, por nga zemra. “Feja ime është feja e poetit. Gjithçka që ndiej, vjen nga vizioni im dhe jo nga njohuritë e mia”./Konica.al / KultPlus.com
Rabindranath Tagore, the 1913 recipient of the Nobel Prize in Literature, standing in a group. (Photo by Michael Nicholson/Corbis via Getty Images)
“Skënder Anamali e tërhoqi arkeologjinë atje ku për herë të parë u zbulua dhe u pranua botërisht ekzistenca e një shtrese kulturore të kapërcyellit prej ilirëve tek arbërit”.
Kështu u shpreh sot kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, në konferencë e organizuar sot në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së Skënder Anamali, themelues i arkeologjisë shqiptare.
“Jemi sot këtu së bashku të kujtojmë e të nderojmë, në 100-vjetorin e lindjes së tij, një prej figurave qendrore të arkeologjisë shqiptare, jo vetëm në pikëpamje të kronologjisë, të kohës kur nisi veprimtarinë e tij si kërkues pasionant, por mbi të gjitha për rolin që ka luajtur dhe kontributet që ka dhënë për këtë shkencë relativisht të re të albanologjisë shqiptare si paraprijës i saj. Profesorët Skënder Anamali, Hasan Ceka, Frano Prendi dhe Selim Islami me plot të drejtë njihen si dekanët e arkeologjisë shqiptare, ose katër manjifikët, siç i ka quajtur në programin e kësaj konference miku ynë Neritan Ceka”, – tha Gjinushi.
Gjinushi u shpreh se “sot Skënder Anamali do të ishte 100 vjeç. Ai u nda nga jeta një çerek shekulli më parë. Por koha që ka kaluar kontributet e tij vetëm i ka lartësuar, ashtu si tërë brezninë e dijetarëve me të cilët e bashkoi rrjedha e jetës dhe rruga e suksesit”.
Para së gjithash, vijoi Gjinushi, Skënder Anamalit dhe katër bashkëthemeluesve të arkeologjisë shqiptare u dedikojmë meritën që e kthyen këtë shkencë dhe shërbim nga ekskluzivitet të dijetarëve të huaj, si Luigi Ugolini e Leon Rey, në dituri e kërkim të vendësve: e kthyen arkeologjinë shqiptare në atdheun e vet, e bënë shkencë edhe të shqiptarëve.
“Skënder Anamali dhe brenzia e tij ka meritën e jashtëzakonshme, që e shndërruan arkeologjinë nga një shkencë në kërkim të qytetërimeve të lashtësisë, para së gjithash të pranisë së kulturave antike greke dhe romake në hapësirën historike shqiptare, në dije të mirëfilltë albanologjike, pjesë të albanologjisë si shkencë e burimit dhe identitetit shqiptar”, shtoi ai.
Më tej Gjinushi u shpreh se “shumë herë përmendet si meritë e rëndësishme e Skënder Anamalit dhe e breznisë së tij identifikimi i pranisë së romanitetit kulturor në trashëgiminë e hershme parashqiptare. Por meritë edhe më e madhe e tij është shpërngulja e kërkimeve arkeologjike nga vija bregdetare në hinterland, në prapatokë, atje ku burimet arkeologjike mund të çonin në një shtresë më të pandikuar prej qytetërimeve të mëdha të kohës. Ashtu si Hasan Ceka e çoi arkeologjinë në Selcë, ashtu Skënder Anamali e tërhoqi atë në Mat e Stelush, në Lin e deri në Kosovë, por para së gjithash në Koman, atje ku për herë të parë u zbulua dhe u pranua botërisht ekzistenca e një shtrese kulturore të kapërcyellit prej ilirëve tek arbërit, shtresë që provonte edhe vazhdimësinë tipologjike të tyre”.
“Skënder Anamali jo vetëm zbuloi site arkeologjike që pasuruan hartën e qytetërimit të lashtë shqiptar, por dhe i promovoi ato në konferenca shkencore ndërkombëtare në gjithë Europën dhe mbi të gjitha e sistemoi, certifikoi dhe e paraqiti për qytetarin e thjeshtë në muzeumet më të hershme të themeluar në Shqipëri, që nga muzeu arkeologjik deri tek Muzeu Historik Kombëtar. Në pjesën më të madhe të saj vepra e Skënder Anamalit është botuar e paraqitur para një lexuesi të huaj, të interesuar për pozicionin e iliricitetit në kulturën material krahasuar me shtresat greke, romake, hebreje e të mëvonshme, shtresa që lidhen me kryqëzatat dhe dyndjet e popujve”, – tha Gjinushi.
Gjinushi u shprehu mirënjohje për veprën dhe jetën e Skënder Anamalit, për bashkudhëtarët e tij në rrugën e themelimit të arkeologjisë shqiptare, të kthimit të saj nga dije pasioni në shkencë të disiplinuar, të hapjes së udhëve të mëdha për studiuesit e sotëm të kësaj fushe të vështirë./atsh / KultPlus.com
Albumi “Lost Ships” i këngëtares shqiptare të xhazit Elina Duni nominohet nga Deutscher Jazzpreis.
Albumi i këngëtares shqiptare, e cila jeton në Zvicër, është nominuar në kategorinë “Album Vokal des Jahres International” (Albumi i vokalit ndërkombëtar më të mirë të viit). Albumi është publikuar me 13 nëntor 2020, me këngë dashurie dhe mërgimi.
Ky është një album i dedikuar të gjithë emigrantëve. Promovimi i këtij albumi nisi me disa koncerte në tetor në Gjenevë të Zvicrës ku ajo jeton prej vitesh. Albumi është një bashkëpunim me muzikantin anglez të muzikës Jazz, Rob Luft.
“Albumi im “Lost Ships” në bashkëpunim me Rob Luft dhe Fred Thomas është publikuar sot në ECM Records. Ju mund të merrni një kopje të CD ose ta dëgjoni atë në platformat e transmetimit. Pavarësisht masave nga pandemia ne do të zhvillojmë një koncert sot në “Festival de Jazz de Lugo, Galicia”, është shprehur më herët Elina Duni në faqen e saj në Facebook.
Në vitin 1991 Elina u largua në Zvicër së bashku me mamanë e saj, shkrimtaren Besa Myftiu.
“De Saussure” ishte shkolla artistike ku Duni zbuloi jazz-in dhe e gjeti veten në këtë rrymë muzikore. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Koka 2000-vjeçare e një statuje prej mermeri e Perandorit të parë të Romës, Augustus, u zbulua në Isernia, një qytet në krahinën e Molizes në Itali.
Arkeologu Francesco Giancola ishte personi i cili bëri zbulimin e jashtëzakonshëm, teksa po punonte aty për të restauruar muret mesjetare të qytetit, të shkatërruara nga një rrebesh shiu i vitit 2013.
“E kuptova menjëherë që ishte koka e statujës së Perandorit Augustus, për shkak të modelit të flokëve dhe formës”, tha ai për CNN.
Sipas arkeologëve, statuja duhet të ketë qenë rreth 2 metra e lartë dhe është bërë me të njëjtin lloj mermeri që është përdorur në epokën e Rilindjes. Koka 35 centimetra e lartë mendohet të jetë krijuar diku në periudhën e vitit 20 para erës sonë dhe vitit 10 pas erës sonë, sipas Maria Diletta Colombo, arkeologe italiane. “Është një statuyjë e rëndësishme, por nuk e dimë si ka përfunduar aty”, tha ajo për CNN. “Mund të ketë qenë vendosur në ndonjë tempull kushtuar kultit të familjes perandorake, ose në ndonjë forum”.
Kush ishte Augustus?
Sundoi si Perandor i Romës nga viti 27 para erës sonë deri në vitin 14 pas erës sonë.
I lindur Gaius Octavius Thurinus në vitin 63 para erës sonë, ai vinte nga një familje e pasur romake ndërsa Jul Çezari ishte xhaxhai i nënës së tij.
Pas vrasjes së Çezarit ai ndau sundimin e vendit me Mark Antonin dhe të tjerë, por më pas i mundi në betejë të gjithë duke u shpallur “de facto” autokrat. Edhe pse nuk e pëdori kurrë titullin “Perandor”, ai konsiderohet gjerësisht si Perandori i parë i Romës.
Augustus zgjeroi territoret e Perandorisë, duke aneksuar Egjiptin, Dalmacinë dhe krahina të tjera. / KultPlus.com