Presidentja Osmani: Jemi gati për pritjen e afganëve, askush më shumë se qytetarët e Kosovës nuk e kupton dhimbjen e refugjatëve

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një intervistë për SkyNews ka thënë se shteti po shton kapacitetet për t’i pranuar refugjatët afganë, ndërsa nuk ka treguar numrin se sa pritet të vijnë dhe datën se kur do të arrijnë, transmeton KultPlus.

Osmani për televizionin britanik ka thënë se vendi thuajse është gati për t’i pranuar refugjatët e parë, ndërsa u shpreh se askush më shumë se qytetarët e Kosovës nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh refugjatë.

“…Çfarë po bëjmë tani është se po rrisim kapacitetet ashtu që të mund të pranojmë më shumë…Është çështje ditësh, por jemi gati t’i pranojmë grupin e parë, kështu që do të varet nga ajo se si aranzhohet transporti i tyre nga SHBA-ja”, ka thënë Osmani, duke shtuar se janë në kontakt në baza ditore me qeverinë amerikane lidhur me këtë çështje.

“Është çështje ditësh se kur do të kuptojmë se kur do të vijnë grupi i parë, po ajo çfarë është e rëndësishme është se ne jemi gati, me dyer dhe zemër të hapur”, tha Osmani.

Ajo më tej ka treguar se ndonëse vitin e kaluar ka pasur shumë shtetas të Kosovës që kanë punuar në Afganistan, shumica nga ta janë larguar vitin e kaluar apo para disa muajsh.

Osmani ka treguar se janë pesë shtetas të Kosovës në Afganistan që kishin kërkuar ndihmë nga institucionet për evakuim.

Presidentja e vendit në intervistën për SkyNews ka folur edhe rreth asaj se a do të ofrojë Kosova leje qëndrim për këta refugjatë.

Ajo tha se nuk ka pasur kërkesë të tillë. “…Bisedimet që kemi pasur me SHBA-në janë lidhur me njerëzit që punonin me ushtrinë amerikane të cilët kishin shprehur interesimin që të shkojnë në SHBA, mirëpo për shkak se aplikimet e tyre po marrin kohë, ne do t’i mirëpresim ata për sa kohë që ka nevojë”.

“Ne e kemi derën e hapur dhe nuk ka ndonjë shtet në botë që e kupton dhimbjen e refugjatëve më shumë se sa ne”, u shpreh ndër të tjera, presidentja Osmani. / KultPlus.com

Kalaja e Rozafës, destinacion i mbi 24 mijë vizitorëve deri në korrik

Kalaja e Rozafës në Shkodër, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër ka ndarë shifrat në rritje të numrit të turistëve për periudhën janar-korrik të këtij viti, duke i krahasuar ato me një vit më parë.

“Numri i vizitorëve ka shënuar rritje ku sipas shifrave të bëra publike nga 1 janar 2021 deri në 31 korrik 2021 ka pasur 24 131 vizitorë ndryshe nga një vit më parë ku shifrat flasin për 12 987 vizitorë, pra ka pasur një rritje prej 86% të numrit të vizitorëve”, bën të ditur DRKK Shkodër.

Sipas DRKK, falë biletave të shitura për periudhën janar-korrik 2021 janë mbledhur 5 113 500 lekë ndryshe nga një vit më parë ku shifrat flasin vetëm për 1 764 610 lekë.Rikualifikimi i kalasë së Rozafatit përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.

Kalaja e Rozafës është monumenti historik më antik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. /atsh/ KultPlus.com

Qyteti Stirling hyn në garë për t’u zgjedhur Qyteti i Kulturës në Angli

Qyteti i famshëm në Mbretërinë e Bashkuar Stirling është futur në garë për t’u zgjedhur si Qyteti i Kulturës në MB i vitit 2025.

Ky qytet është në mesin e 20 vendeve nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar që i kanë hyrë garës për të konkurruar në konkursin e drejtuar nga Departamenti për Digjital, Kulturë, Media dhe Sport (DCMS) në bashkëpunim me administratat e transferuara, shkruan Dailyrecord, transmeton KultPlus.

Fituesi i cili do të shpallet në vitin e ardhshëm do të marrë titullin si Qyteti i i Kulturës në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2021.

Ky projekt deri më tani ka grumbulluat mbi 100 milion paund në investime kapitale për të mbështetur projektet kulturore.

Qyteti Coventry, i cili tashmë është i zgjedhur si Qyteti i Kulturës në Mbretërinë e Bashkuar ka marrë një fond prej 15,5 milion eurosh nga Qeveria si formë mbështetëse. / KultPlus.com

Mësuesja në Kabul: Jemi si të burgosur, mendoj se për gratë gjithçka ka përfunduar

Programi i “BBC Radio 4’s Today” ka kontaktuar një profesoreshë e cila aktualisht është fshehur në Kabul.

E pyetur se si ka ndryshuar jeta që kur Talebanët kontrollojnë Kabulin, ajo tha se çdo aspekt ishte i ndryshëm.

“Ne jemi të bllokuar në shtëpi. Ne jemi si të burgosur. Ne nuk mund të dalim jashtë. Ne nuk mund të shkojmë në banka, spitale, universitete, shkolla, gjithçka është mbyllur”, tha fillimisht ajo, e cila shkaku i sigurisë ka dashur të mbetet anonime.

“Unë kisha një punë, do të shkoja në universitet, por u mbyll gjithçka. Kështu që tani jam në shtëpi dhe është shumë e vështirë ta vuaj këtë gjë”, shtoi profesoresha, transmeton KultPlus.

E pyetur se si është për gratë që vendosin të largohen nga shtëpia dhe të dalin në rrugë, ajo tha se një nga shoqet e saj që doli në Kabul u fye nga Talebanët.

Ata po e pyesnin pse ishte jashtë pa bashkëshort, baba apo vëlla dhe pse nuk po mbante hixhabin e saj, tha ajo

Duke parë të ardhmen, ajo tha se ishte sikur të ishin kthyer përsëri në vitin 2001 dhe priste që gjërat të përkeqësoheshin.

“Unë jam e shqetësuar për qëllimet, ëndrrat dhe ambiciet e mia – mendoj se për gratë gjithçka ka përfunduar”, tha ajo.

Duke pasur mundësinë, profesoresha tha se do të largohej nga vendi sepse nuk i kishte mbetur “rrugë tjetër”, por ndjeu se koha po mbaronte. / KultPlus.com

‘Kur ishte e vogël, i shpuan veshët për të mbajtur vëthë…’

Poezi nga Janis Ricos

Përktheu A.Ç

Histori e parëndësishme

Kur ishte e vogël, i shpuan veshët për, i thanë, të mbajtur vëthë.
Ajo u rrit, u martua, bëri fëmijë. Por vëthë nuk mbante. Një mbrëmje
djali i madh i tha: “Nënë, tani më duhet të iki,
por një ditë – ke për ta parë – do të të sjell një palë vëthë
argjendi, të gjatë sa të të prekin supet.” Nëna
i dha një buzagaz të largët. “Të kthehesh ti shëndoshë, o bir”, i tha.

Vitet shkonin. Djali u martua. Bëri fëmijë. Vëthët nuk po ia sillte.
Nëna po plakej, po kërrusej. Veshët
po i preknin supet. Gjithnjë thosh me vete t’i dërgonte masën,
që vëthët të mos ishin më aq të gjatë. Pastaj, një ditë,
vrimat e veshëve iu hapën befas gjer në fund.
Atëherë e kuptoi që i biri kishte vdekur. / KultPlus.com

Zbulohet varri masiv në ‘Luginën e Vdekjes’ nga Lufta e Dytë Botërore

Një varr masiv, i konsideruar si një nga provat më të rëndësishme të krimeve naziste në Poloni gjatë Luftës së Dytë Botërore është zbuluar së fundmi në zonën e njohur si “Lugina e Vdekjes”.

Në këtë zbulim në rrethinat e qytetit verior të Chojce u gjetën mbetjet e dhjetëra njerëzve të ekzekutuar nga nazistët gjatë luftës, transmeton KultPlus.

Ekspertët mendojë se aty ndodhen trupat e më shumë se 500 personave dhe se ata janë pjesë e krimeve të ashtuquajtura Pomeriane.

Numri ekzakt i njerëzve të vrarë është i panjohur, por mendohet se trupat e Adolf Hitlerit vranë 35 mijë njerëz në rajon në fillim të luftës në vitin 1939.

Në varr u gjetën dhe shumë sende me vlerë që iu përkisnin personave të vrarë. / KultPlus.com

21 gusht 1924, kur në Tiranë, themelohej ‘Lidhja e Përgjithshme e Arsimtarëve të Shqipërisë’

Më 21 gusht 1924, Kongresi Arsimor i mbajtur në Tiranë, me nismën e mësuesve, themeloi “Lidhjen e Përgjithshme të Arsimtarëve të Shqipërisë”.

U botua edhe statuti i Lidhjes me 40 nene. Lidhja luftonte për zhvillimin e arsimit mbi parimet kombëtare e demokratike.

Pas fitores së Revolucionit Demokratik-Borgjez të Qershorit të udhëhequr nga kryeministri i asaj kohe Theofan Stilian Noli në vitin 1924 u organizua një kongres kombëtar për arsimin, për herë të parë i drejtuar nga vetë mësimdhënësit.

Kongresi u mbajt në datat më 12-21 gusht 1924. Kjo traditë filloi me nismën e arsimtarëve të Normales së Elbasanit; A. Xhuvani, A. Gashi, S. Paparisto, H. Zeka etj.

Nisma gjeti mbështetje të plotë në të gjitha krahinat shqiptare që nga Zara e largët, Gjakova, Shkodra, Tirana, Elbasani, Berati, Vlora, Korça, Gjirokastra etj. / KultPlus.com

Filmi ‘Zgjoi’ i Blerta Bashollit edhe në ‘Jerusalem Film Festival 2021’

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit në shkurt të këtij viti bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”.

Pavarësisht kësaj, sukseset për këtë film duket se nuk kanë të ndalur.

Pas pjesëmarrjes në “Sydney Film Festival”, i njëjti po ashtu do të jetë pjesë e Festivalit të Filmit në Jeruzalem që do të nisë nga 24 gushti, transmeton KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur protagonistja kryesore e filmit, aktorja Yllka Gashi, përmes një postimi të shpërndarë në Facebook.

“Fituesi i çmimit të trefishtë të Sundance “Hive” do të jetë pjesë e Festivalit të Filmit në Jeruzalem 2021. “Hive” është në konkursin ndërkombëtar- First Films- (një konkurs ndërkombëtar për filma të shquar nga brezi i ardhshëm i kineastëve)”, thuhet në postim.

“Jerusalem Film Festival 2021” fillon më 24 gusht dhe zgjat deri më 4 shtator. / KultPlus.com

Angelina Jolie publikon letrën që mori nga një vajzë në Afganistan: Ishte e dhimbshme të shikosh dështimin

Aktorja me famë botërore, njëherësh humanistja e madhe, Angelina Jolie, ka ndarë së fundmi një postim ndjekës me fansat e saj në Instagram.

Ajo ka publikuar një letër që e ka marrë nga një vajzë adoleshente në Afganistan, duke u  shprehur në mbishkrimin e saj se do të bëjë të pamundurën që të luftojë për të drejtat njerëzore atje.

Jolie ka shkruar në mbishkrimin e fotografisë, se kjo është arsyeja pse ajo është paraqitur në rrjetet sociale – ndonëse një gjë të tillë nuk e ka bërë kurrë më parë.

Ky është shkrimi i saj i plotë:

“Kjo është një letër që më është dërguar nga një vajzë adoleshente në Afganistan. Tani për tani, njerëzit e Afganistanit po humbasin aftësinë e tyre për të komunikuar në mediat sociale dhe për t’u shprehur lirshëm. Kështu që unë kam ardhur në Instagram për të ndarë historitë e tyre dhe zërat e atyre në të gjithë globin që po luftojnë për të drejtat e tyre themelore të njeriut.

Unë isha në kufirin e Afganistanit dy javë para 11 shtatorit, ku takova refugjatët afganë që kishin ikur nga talebanët. Kjo ishte njëzet vjet më parë.

Isshtë e dhimbshme të shikosh afganët të zhvendosen përsëri nga frika dhe pasiguria që ka kapluar vendin e tyre.

Të shpenzosh kaq shumë kohë dhe para, të kesh derdhur gjak dhe jetë të humbura vetëm për të arritur në këtë, është një dështim pothuajse i pamundur për tu kuptuar.

Të shikosh për dekada se si refugjatët afganë – disa nga njerëzit më të aftë në botë – trajtohen si një barrë është gjithashtu e sëmurë. Duke ditur që nëse do të kishin mjetet dhe respektin, sa shumë do të bënin për veten e tyre. Dhe takimi me kaq shumë gra dhe vajza që jo vetëm donin një arsim, por luftuan për të.

Ashtu si të tjerët të angazhuar, unë nuk do të largohem. Unë do të vazhdoj të kërkoj mënyra për të ndihmuar. Dhe shpresoj se do të bashkohesh me mua”, ka shkruar Jolie. / KultPlus.com

Angelina Jolie-Pitt

Arilena Ara dhe Dafina Zeqiri së shpejti publikojnë ‘Thirr Policinë’

Këngëtarja nga Shkodra, Arilena Ara, që një kohë ka nisur punën për albumin e ri të quajtur “Pop Art”.

Për njërin nga projektet, ajo ka bashkuar forcat me artisten Dafina Zeqirin dhe kënga e tyre është thuajse në finalizim.

Arilena së fundmi ka ndarë një postim në rrjete sociale duke njoftuar disa detaje të tjera për bashkëpunimin “Thirr Policinë”.

“Kudo unë & ti, “Thirr Policinë në bashkëpunim me Dafina Zeqirin, videoja muzikore po vjen. Një javë deri kur të thërrasim policinë”, ka shkruar ajo.

Megjithatë, vajzat nuk kanë zbuluar një datë të saktë të lansimit të këngës së tyre të re. / KultPlus.com

Aktori i famshëm britanik në rolin e një gangsteri shqiptar

Aktori i njohur, Vinnie Jones do ta shihni në rolin e një gangsteri shqiptar me emrin Albi në sezonin e dytë të filmit  “Law and Order: Organized Crime”.

56-vjeçari ishte kthyer në tullac, në mënyrë që t’i përshtatej personazhit gangster në skenat e filmit, transmeton KultPlus.

Aktori i “Lock Stoc”, i cilik zakonisht mban një kapele të sheshtë,  dukej i ngazëllyer teksa shëtiste  me një bluzë të ngushtë të zezë dhe pantallona të thjeshta.Veshja e Vinnie u kompletua me një rrip dhe këpucë e një varëse kryqi argjendi në qafën e tij që binte në sy.

Sipas Deadline, personazhi i Vinnie, Albi Briscu, është mbetja e fundit e një sindikate të krimit evropian të shkollës së vjetër.

Në fillim të këtij muaji, aktori postoi në Twitter një videoklip ku tregoi theksin e personazhit të tij, ndërsa falënderoi fansat e tij për të gjithë mbështetjen e tyre.

Ai tha: Unë jam në Law & Order duke luajtur Albin, shqiptarin lindor.

Duke ndryshuar zërin e personazhit të tij, Vinnie vazhdon: Prandaj më dëgjoni, sigurohuni që ta shikoni shfaqjen. Sepse do të ketë disa pasoja serioze. Mezi po e pres.

Duke u kthyer përsëri në zërin e tij të rregullt, ai përfundoi: Unë kam bërë disa ditë tashmë me Chris Meloni. Ai është absolutisht brilant, absolutisht e do atë. / KultPlus.com

Pritjet e mërgimtarëve në Merdar mbi katër orë, kolona mbi dy kilometra

Në pikat e kalimit kufitar me Serbinë po vazhdojnë pritjet shumë orëshe të bashkatdhetarëve, që po kthehen nga pushimet në Kosovë.

Sipas raportit të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (përditësimi i orës 07:30), pritjet më të gjata regjistrohen në pikë-kalimin kufitar në Merdar, ku bashkatdhetarët po presin mbi 4 orë për ta kaluar kufirin me Serbinë, kurse kolona e automjeteve arrin deri në 2,3km, transmeton KultPlus.

Situatë më e qetë del të jetë në pikë-kalimin te Dheu i Bardhë ku pritjet për dalje janë deri në 90 minuta.

Ndërsa në Mutivodë dhe Muçibabë deri në 80 minuta.

“Dashuria hyjnore nuk mund të ndryshojë kurrë, asgjë, madje as vdekja nuk mund ta thyej atë”

Leon Tolstoi, shkrimtari i madh rus i cili njihet për dy veprat e tij që letërsia botërore i konsideron si kryevepra të letërsisë, shkruan KultPlus.

Tolstoi la gjurmë të mëdha në historinë e letërsisë botërore e sidomos asaj ruse.

Më poshtë mund të lexoni një fragment të shkëputur nga romani i tij ”Lufta dhe Paqja

”Po, dashuri,… por jo dashuri që dashuron për diçka, të fitojë diçka, ose për shkak të diçkaje, por atë dashuri që e ndjeva për herë të parë, kur isha duke vdekur, e pashë armikun tim dhe prap e doja atë. E njoha atë ndjenjë të dashurisë e cila është esenca e shpirtit, për të cilën asnjë objekt nuk është i nevojshëm.

Dhe këtë ndjenjë të hareshme e njoh edhe tani gjithashtu. Ta duash fqinjin e dikujt; ta duash armikun e dikujt; të duash çdo gjë – ta dush Zotin në të gjitha manifestimet e tij. Dikush që është i dashur për dikë, mund të duhet me dashuri njerëzore; por një armik ama, mund të dashurohet vetëm me një dashuri hyjnore.

Dhe kjo ishte arsyeja se përsa ndjeva kënaqësi të tillë kur e ndjeva se e dashuroja atë burrë. Çfarë ka ndodhur me të? A është ai gjallë?… Dashuria njerëzore mund të kalojë nga dashuria në urrejtje; por dashuria hyjnore nuk mund të ndryshojë kurrë; Asgjë, madje as vdekja nuk mund ta thyej atë.

Ajo është pikërisht natyra e shpirtit. Dhe sa njerëz kam urrejtur në jetën time? Nga gjithë këta njerëz, asnjë nuk e kam dashuruar dhe urrejtur më shumë se atë… nëse do të ishte e mundur për mua ta shoh atë vetëm edhe njëherë… vetëm njëherë, dhe duke shikuar ata sy t’i them….” KultPlus.com

Skënderbeu dhe historia e tij si një Akademi

Nga Gjon Keka

Historia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut si një Akademi mësimi për Princa, Mbretër, Pushtetar dhe për secilin që dëshiron të njohë artin e tij të qeverisjes, diplomacisë dhe atë ushtarak.

Dhe këtë nuk e them vetëm unë këtu, këtë e kanë thënë edhe ata që lexuan, mësuan dhe përkthyen historinë e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriotit, sikur që është kjo e përkthyesit gjerman të saj, Theodorum Funccium.

Duke ditur se vepra e Marin Barletit mbi jetën dhe veprën e heroit tonë Gjergj Kastrioti është përkthyer në shumë gjuhë botërore e përkthimi në gjuhën gjermane thuhet se ka qenë më i mirëprituri. Po ashtu, ajo është botuar disa herë në gjermanisht.

Këtu po ndaj një tekst të shkurtër nga përkthyesi Theodorum Funccium i cili në fakt e ka përkthyer historinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga gjuha latine në gjuhën gjermane në vitin 1606 dhe ai nënvizon kështu:

“…Kjo është arsyeja pse në këtë Histori (“Historia e jetës dhe veprës së Skënderbeut”- shënimi im) ata që duan të marrin njohuri të luftës mund të përfitojnë aq sa do të përfitonin nga një “Academia rei militaris”, dhe të mësonin secili prej tyre…” / KultPlus.com

‘Ku jeton dashuria, ku rritet mirësia, ku frymon njerëzia të frymojmë dhe ne’ (VIDEO)

Muzika e grupit ‘Jericho’ është një përzierje e muzikës rok, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare.

Përveç instrumenteve standarde të rokut, ata përdorin edhe instrumente orientale të cilat bëjnë pjesë në muzikën tradicionale shqiptare, siç është tupani, kavalli dhe zurna.

‘Jericho’ njihet për këngët dhe tekstet e tyre tejet të veçanta.

Sonte KultPlus ju sjell ‘Endërr e prerë’ nga ky grup, një këngë me një mesazh të fuqishëm. / KultPlus.com

Dashnorit tim që kthehet te gruaja

Nga Anne Sexton

Ajo është e gjitha atje.
Për ty, mjeshtërisht shkrirë dhe derdhur,
për ty, qysh prej fëmijërisë sate farkëtuar,
me njëqind guralecët e tu
kanakarë është ndërtuar.
Ajo ka qenë gjithherë atje,
i shtrenjti im.
Ç’ është e vërteta, është e hirshme,
fishekzjarre në një shkurt të zymtë,
e prekshme si një tenxhere gize.
Le ta themi shkoqur.
Unë kam qenë kalimthi.
Një luks.
Një fllugë zjarr e kuqe
në liman.
Fërfëllojnë si tym dritares së makinës flokët e mi.
Përnjëmend. Jam midhjet jashtë sezonit.
Ajo është më tepër se kaq.
Është çka ti meriton,
të zhvilloi rritjet
e përditshme dhe tropikale.
Nuk është një provë kjo.
Ajo është harmonia e tërë.
Ajo kujdeset për rremat dhe guzhmën e anijes,
ajo vendos lule në parvaz të dritares në mëngjes,
ajo ulet në rrotën e qeramikës në mesditë,
lindi tre fëmijë nën hënën e plotë,
tre kerubinë pikturuar nga Mikelanxhelo,
e bëri me këmbët hapur
krejtësisht
në muajt e lodhshëm në kishëz.
Nëse hedh një sy, fëmijët janë atje lart,
si tollumbace të brishta
varur në tavan.
Ajo, po ashtu, i ka shpënë në shtrat pas darke,
dhe ata, kokëvarur të tre,
përplasin këmbët e vogla,
qaramanë dhe ngurrues,
dhe fytyra e saj kuqëlon
me një këngë
dhe me gjumin e tyre të vogël.
Po ta kthej zemrën tënde mbrapsht.
Të jap leje:
për fitilin që regëtin zemërueshëm në të,
për bushtrën që në ndyrësi
pështjellohet
dhe për plagën e saj
të varrosur,
për varrosjen së gjalli
të plagës së saj të vogël alle,
për lëbardhjen vetëtitëse
drithëruar nën brinjë,
për marinarin e dehur në pritje në kyçin majtas,
për gjunjët e nënës,
për çorapet,
për zharrtjerën, për thirrjen,
thirrjen kureshtare
kur ti do të qerthullohesh
në krahë dhe gjinj
dhe tërheq nga flokët e saj fjongon e portokalltë
duke iu përgjigjur thirrjes, thirrjes kureshtare.
Ajo është aq e zhveshur, sa është unike.
Është shuma jote dhe e ëndrrave të tua.
Ngjite atë si një monument, hap pas hapi.
Ajo eshte solide.
Sa për mua, jam një akuarel.
Tretem.

Shqipëroi: Rielna PajaKultPlus.com

“You are not alone”, një nga këngët më të bukura të Michael Jackson (VIDEO)

Michael Jackson u lind më 29 gusht 1958, në Gary, Indiana dhe vdiq më 25 qershor 2009, në Los Anxhelos, Kaliforni. Ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, kërcimtar amerikan, shkruan KultPlus.

I pagëzuar si ‘Mbreti i Popit’, siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Kontributet e tij në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.

Më poshtë gjeni një nga këngët e tij të njohura “You are not alone”, bashkë me tekstin. / KultPlus.com

Kurti mban takim me Nuland për çështjen e afganëve, SHBA do të mbulojë financiarisht strehimin e tyre

Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur një takim virtual me nën sekretaren e shtetit amerikan për Çështje Politike, Victoria Nuland, si dhe zv. sekretaren e shtetit, Wendy R. Sherman, lidhur me çështjen e strehimit të afganëve në Kosovë.

Një gjë të tillë e ka bërë me dije zyra e kryeministrit me anë të një komunikate dërguar medieve, teksa ka bërë të ditur se shpenzimet për të strehuarit do t’i mbulojë SHBA’ja.

“Ata shprehën vlerësimin e tyre të thellë për shtetet mike, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, që kanë treguar vullnetin dhe ofruar gatishmërinë e tyre për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë, aplikantë në procesin për ‘Viza Speciale të Imigrimit’ (SIV) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sherman potencoi se të gjitha shpenzimet nga strehimi i përkohshëm i qytetarëve afganë do të mbulohet nga qeveria amerikane”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Në mbledhjen 26-të, Qeveria ka miratuar kërkesën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme të personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Ende nuk dihet numri i saktë i afganëve që do të strehohen në Kosovë, ndonëse ekspertë të fushës së sigurisë kanë vlerësuar se shteti mund t’iu bëjë vend rreth 3,500 personave.

Dy vendet të cilat janë përfolur për strehimin e personave që vijnë nga Afganistani është Parku Inovativ në Prizren, si dhe kampi i KFOR-it francez në Vushtrri. / Gazeta Express / KultPlus.com

Vdes Chuck Close, piktori i njohur fotorealist

Chuck Close, artisti, pikturat gjigante fotorealiste të të cilit magjepsën shikuesit, vdiq në moshën 81-vjeçare.

“Close vdiq në një spital në Oceanside”, konfirmoi avokati i tij, John Silberman.

Shkaku i vdekjes së tij nuk u bë i ditur.

Në vitin 1988, Close pësoi një kolaps të arteries kurrizore, që e la atë pjesërisht të paralizuar. Por, ai vazhdoi të pikturonte, duke përdorur një karrige me rrota për pjesën tjetër të jetës së tij.

Gjithmonë një njeri i sinqertë, Close e cilësoi vazhdimin e karrierës së tij si një paaftësi për t’u përshtatur.

“Kjo tregon se sa i ngushtë jam”, tha ai për “The New York Daily News” në 1999.

“Unë nuk kisha aftësi të tjera për t’u mbështetur.”

Por “aftësia e vetme” e Close e futi atë në muzetë e mbarë botës dhe të admirohej nga klientë dhe artistë të shumtë. / KultPlus.com

“Spencer”, filmi biografik për Lady D

Filmi i shumëpritur “Spencer”, një realizim i regjisorit kilian Pablo Larrain për figurën e Lady Diana-s, do të jetë premierë botërore në Festivalin e 78-të të Filmit në Venecia.

Për ta interpretuar, Kristen Stewart, një aktore që arriti famë globale falë sagës “Twilight”.

“Filmi është një zhytje në projeksionin emocional të Dianës, në një pikë kthese në jetën e saj”, tha ylli amerikan për mediet britanike.

Filmi “biopik” fokusohet në një fundjavë “fatale” në fillim të viteve 1990, kur Diana kaloi Krishtlindjen me familjen mbretërore në Sandringham dhe vendosi që martesa e saj me Princin e Uellsit kishte përfunduar, një episod i raportuar, gjithashtu, në serialin “The Crown”.

“Është një përpjekje zemërthyese për të, në mënyrë që të kthehet tek vetja, sepse Diana përpiqet të ruajë atë që mbiemri i saj, Spencer, do të thotë për të”, shtoi Stewart.

Filmi është shkruar nga Steven Knight, krijuesi i “Peaky Blinders” dhe po xhirohet në BM dhe Gjermani.

Dalja në kinema është planifikuar për vjeshtën e ardhshme, në 2022, 25 vjet pas vdekjes së Dianës.

Grupi i aktorëve përfshin Timothy Spall (“Mr. Turner”), Sally Hawkins (“The Shape of Water”) dhe Sean Harris (“Mission: Impossible”). / atsh / KultPlus.com

Liqenit piktoresk të Pukës i shtohet platforma pluskuese

Liqeni artificial i Pukës është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik duke ofruar për të gjithë vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.

Drejtoria e Shërbimeve Komunitare në bashkinë e Pukës përfundoi sot punimet për rikonstruksionin dhe plotësimin e platformës pluskuese në liqenin piktoresk të Pukës.

Krahas platformës, një element plotësues i liqenit, janë bërë edhe riparime si dhe janë vendosur stola dhe shkallë për vizitorët.

Puka gjithnjë e më shumë po merr një fizionomi tjetër, duke u bërë më tërheqës për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agroturizmit.

Qyteti i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.

Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese. / KultPlus.com

Niçe, Istvud dhe Çaplin, kompozitorët që fshihen pas emrave të mëdhenj të kulturës

I njohim për talentin kinematografik, apo mjeshtërinë e penës, por shpesh pasioni për muzikën, madje edhe kompozimi mbeten të panjohur. Fridrih Niçe, Klint Istvud, Çarli Çaplin janë kompozitorët që fshihen pas emrave të mëdhenj të kulturës.

I përshëndetur gjithë jetën si mësues i famshëm kimie, Aleksandër Borodin ëndërronte veçse një gjë: të kompozojë. Madje, u kërkonte miqve të mos i thoshin më: “Uroj të jesh mirë”, por përkundrazi: “Uroj të jesh sëmurë”, që të qëndronte në shtëpi dhe të kompozonte muzikën që dëgjonte në kokë. Mirëpo, Borodini nuk është i vetmi që kompozoi në kohën e lirë. Aktorë, shkrimtarë, janë të shumë emrat e artistëve dhe intelektualëve që fshehin talentet muzikore.

Kështu kompozonte Niçe

Filozofi dhe filologu gjerman, Fridrih Niçe iu bashkua panteonit të intelektualëve për veprat, si “Perëndimi i idhujve”, “Shkenca e gëzuar” dhe “Kështu foli Zarathustra”, veçse shkrimtari i famshëm fsheh po ashtu talentin muzikor, që e ka ushtruar që në moshën 9-vjeçare. I dhënë pas pianos, ai kompozoi rregullisht pjesë të vogla, prej të cilave edhe fantazi dhe mazurka. Në vitin 1872 kompozoi “Manfred-Meditation” për piano me katër duar, të cilën ia dorëzoi dirigjentit Hans von Bulow. Ky i fundit i dha një opinion aspak lajkatar: “Meditimi juaj, nga pikëpamja muzikore, nuk ka tjetër vlerë, veç atij të një krimi në rendin moral”. Disi i dekurajuar, Niçe i ofroi shumë nga kompozimet e tij Cosimas dhe Riçard Vagnerit, gjithnjë admirues i madh i këtij të fundit. Pavarësisht nga vlerësimi dhe respekti midis Niçes dhe Vagnerit, thuhet se Riçardi nuk arriti t’i dëgjonte plotësisht pjesët, pasi e kapi gazi teksa filloi t’i dëgjojë. Pa u ndikuar nga opinionet e Bulow dhe Vagnerit, muzika e Niçes mund të dëgjohet nga gjithkush, për kënaqësinë e atyre që kërkojnë një surprizë të këndshme…

Çarli Çaplin, diktatori, kompozitori

Mustaqet dhe shkopi njihen menjëherë në mbarë botën, por kush do ta njihte Çarli Çaplinin nga muzika e tij? Megjithatë, prej vitit 1931, ai është përgjegjës për çdo kolonë zanore të filmave të tij, madje kompozoi edhe muzikën e filmave të vjetër pa zë. I kujdesshëm ndaj futjes së zërit në kinema, ai specifikon në autobiografi: “një nga avantazhet me ardhjen e tingullit ishte se unë mund ta kontrolloja muzikën, pra e kompozova vetë”. Muzikant autodidakt që adoleshent, mësoi violonçelin dhe violinën me dorën e majtë (instrument kyç në punën kinematografike të Çaplinit). I aftë të luante në instrument, por i paaftë të lexonte partitura, madje nuk shkruante dot qoftë edhe një kompozim. Si rrjedhojë, ishte aranzhuesi ai që diktonte me saktësi temat dhe tingujt e imagjinuar prej tij. Në të gjallë, Çaplini do takohej me shumë titanë të muzikës, si Debysi, Rahmaninof, Kazal, Karruzo, Stravinski dhe Shoenberg. Ky i fundit admironte humorin e Çaplinit, por shton se muzika ka cilësi shumë të dobët!

Antoni Burges, muzikë portokalli

Nga pena e Antoni Burges lindi një nga romanet më domethënës të shekullit të 20-të, “Portokalli mekanik”, historia e një krimineli të dhunshëm i pasionuar pas muzikës klasike, veçanërisht muzikës së Ludvig van Bethovenit. Mirëpo, nëse Antoni Burges nuk ndan cilësitë e dhunshme të personazhit të tij imagjinar, ai ndan katërcipërisht pasionin muzikor. Muzikant autodidakt, ai kompozoi pjesë të shumta klasike, përfshi simfoni, koncerte dhe kantata, por edhe muzikë dhome dhe pjesë solo. Kaq i apasionuar ishte pas muzikës, saqë në 1991 shkroi në “The Economist”: “Do të doja që njerëzit të më shihnin si një muzikant që shkruan libra, sesa një shkrimtar që shkruan muzikë në kohën e tij të lirë”. Mjerisht, suksesi i veprës letrare të Antoni Burges e tejkalon reputacionin e kompozimit, ndaj emri i tij lidhet me letërsinë, pavarësisht ëndrrës.

Klint Istvud, i miri, i egri dhe kompozitori

I njohim fare mirë kolonat zanore të Enio Morikones, që shoqëron “Njeriu pa emër” nga Klint Istvud. Por dimë fare pak për muzikën e kompozuar nga ky i fundit për filmat e tij, përfshi “Mystic River”, “Million Dollar Baby”, “Flags of Our Fathers”, “Grace Is Gone”, “Changeling”, “Hereafter”, “J. Edgar” dhe “In the Line of Fire”. Njëlloj si Çaplini, Istvudi kompozoi me ndihmën e një aranzhuesi për të hedhur në fletë secilën prej pjesëve origjinale të kompozuara për filmat e vet.

Antoni Hopkins, muzika e qengjave

Bëhet fjalë për një nga aktorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të. “Unë doja të bëhesha kompozitor, por u bëra aktor si parazgjedhje. Më ofruan një bursë për t’u regjistruar në një kolegj muzike dhe drame, me shpresën se do zgjidhja muzikën. Por, përfundimisht e gjeta veten student teatri, kësisoj e ndoqa këtë rrugë për 60 vjet”, – shprehet aktori.

Mirëpo, kjo nuk e pengoi legjendën e kinematografisë të përmbushte dëshirën për të kompozuar përgjatë rrugëtimit të karrierës së tij. Madje, ai shkroi kolonat zanore për projektet e tij kinematografike, përfshi filmat “August” (1996) dhe “Slipstream” (2007). Për këtë të fundit, Hopkins nuk do të jetë vetëm kompozitori i kolonës zanore, por edhe orkestruesi, madje edhe dirigjenti. Në vitin 2011, Hopkins synoi të luante për herë të parë valsin e tij: “And The Waltz Goes On”, i kompozuar në 1964, nga Andre Rieu dhe orkestra e tij. Një vit më vonë, botoi një përmbledhje të kompozimeve, titulluar “Kompozoj”. Pas gati 7 dekadash, i themi lamtumirë aktorit Antoni Hopkins dhe i urojmë mirëseardhjen kompozitorit eponim! /Konica.al / KultPlus.com

Një letër emocionuese e Quasimodos për nënën e tij

Sot shënohen 120 vite nga lindja e poetit të njohur italian, Salvatore Quasimodo.

Salvatore Quasimodo u lind në Modicë të Sicilisë në vitin 1901. Deri në vitin 1935 punoi si inxhinier, pastaj braktis këtë profesion dhe i përkushtohet ligjërimit të letërsisë italiane në Milano. Si poet i ri veproi në grupin e poetëve të rijnë të bashkuar rreth revistës ‘Solaria’, për të zhvilluar dhe udhëhequr poetët e lirikës hermetike.

Quasimodo ka përkthyer vepra të tragjedistëve grekë (Eshilit dhe Sofokliut), sipas përvojës së tij, zhvilloi pastërtinë stikistike dhe funksionalizimin e thjeshtësisë së shprehjve. Në vitin 1959, ai fitoi Çmimit Nobel për Letërsi. Ai vdiq në Napul në vitin 1968.

KultPlus ju sjell më poshtë një letër emocionuese të Quasimodos për nënën e tij:

Salvatore Quasimodo – Letër Nënës

«Fort e ëmbla nënë, tash mjegullat po davariten,
flota përplaset ngatërrueshëm mbi diga,
pemët nga uji rënden, prej dëborës digjen;
nuk jam i trishtuar në Veri: nuk jam
në paqë me veten, por prej kërkujt falje nuk pres, të shumtë lotët borxh m’i kanë si burri burrit. E di që je ligsht, që jeton
si tërë nënat e poetëve, e varfër
dhe e drejtë sa duhet në dashurinë
për bijtë e largët.
Sot jam unë që të shkruaj.» – Më në fund, do thuash, dy fjalë
nga ai djalë që me natë ia mbathi me një pelerinë të shkurtër
e ca vargje në xhep. I gjori, kaq i gatshëm shpirtërisht
ndonjë ditë dikund do ta vrasin. – “Sigurisht, ndërmendem, ish në atë stacion
të vdekur
trenësh të avashtë që sillnin bajame dhe portokalle,
në grykëderdhjen e Imerës, lumit plot laraska,
kripë dhe eukaliptus. Por tash të t’falenderoj,
këtë dua, për qesëndinë që mbolle në buzët e mia, të shtruar si e jotja.
Ajo buzëqeshje më shpëtoi nga vaji dhe dhimbjet.
Dhe s’prish punë nëse tani për ty derdh ndonjë lot, për krejt ata që si ty presin, dhe s’dinë çfarë. Ah, vdekje fisnike, mos e prek sahatin në kuzhinë që tiktakon mbi mur,
tërë fëmijëria ime shkoi mbi smaltin e fushës së saj, mbi ato lule të vizatuara: mos i prek duart, zemrën e pleqve. Po ndofta dikush përgjigjet? O vdekje prej mëshirës,
vdekje turpi. Lamtumirë, e dashur, lamtumirë, fort e ëmbla nëna ime.”

Përktheu: Beti Njuma / KultPlus.com

The Italian poet Nobel prize winner Salvatore Quasimodo poses sitting at his study desk. Italy, 1953.

The New York Times: Premiera amerikane e projektit teatror “Balkan Bordello” do të prezantohet në pranverë

Projekti i rëndësishëm teatror “Balkan Bordello”, bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021 në fushën e teatrit, sipas ‘The New York Times’ do ta ketë premierën amerikane gjatë stinës së pranverës, përcjellë KultPlus.

“Balkan Bordello”, është bashkëprodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe La MaMa-s nga Nju Jorku, që konsiderohet si njëri prej teatrove më të njohur në botë.

KultPlus ju sjell artikullin e plotë të ‘New York Times’:

Në një sezon që pritet të përfshijë rihapjen e teatrit të tij kryesor pas një rinovimi trevjeçar, 24 milionë dollarësh, ‘La MaMa Experimental Theater Club’ do të paraqesë një pamje indigjene të “A Midsummer Night’s Dream”, një ekzaminim teatral i ‘Tulsa Race Massacre’ dhe një koncert vaudeville që eksploron historinë e kanabisit.

“Ne jemi në një kohë revolucionare tani dhe ne duhet të mendojmë se cilët janë zërat që duhet të shikojmë për të na udhëhequr”, tha Mia Yoo, drejtoresha artistike e teatrit në një intervistë.

Shtëpia origjinale e ‘La MaMa’ ishte planifikuar të rihapet në janar me dy teatro fleksibile, të ndara nga ana akustike; dhoma jeshile; një kafene; dhe një tarracë të hapur me çati. Të gjitha shfaqjet këtë sezon do të zhvillohen në dy nga hapësirat e tjera të kompanisë, në teatrin ‘Ellen Stewart dhe Downstairs’, të dyja në ‘66 East Fourth Street’.

Sezoni do të nisë me ‘Serinë e Kukullave La MaMa’ (27 Shtator-24 Tetor), një festival dyvjeçar i teatrit të ri bashkëkohor të kukullave. Ajo do të pasohet nga shfaqje personale “A Few Breaths” (27-30 tetor), një bashkëpunim midis shtatë shkrimtarëve, përfshirë Adrienne Kennedy, Chuck Mee dhe Robert Patrick, që u shfaq premierë në internet në ‘La MaMa’ në qershor dhe është një bashkë-prezantim me ‘CultureHub’, divizioni i arteve dixhitale të ‘La MaMa’.

Premiera botërore e “History/Our Story: The Trail to Tulsa” nga James E. Reynolds do të zgjasë nga 9 dhjetor deri më 12 dhjetor. Vallëzimi, muzika dhe shfaqjet e fjalëve të folura do të shqyrtojnë njëqindvjetorin e ‘Tulsa Race Massacre’. Pas shfaqjes do të ketë një diskutim të auditorit pas performancës.

Në janar, ‘La MaMa’, ‘Qendra e Arteve HERE’ dhe festivali ‘Prototype’ do të prezantojnë premierën botërore të Talvin Wilks dhe “Cannabis: A Viper Vaudeville” të Baba Israel, duke eksploruar historinë e bimës përmes muzikës, vallëzimit dhe fjalës së folur.

Gjithashtu në janar, “Budallai i Zotit” i koreografes dhe regjisores Martha Clarke, një interpretim i historisë së Shën Françeskut të Asizit, do të ketë premierën e tij botërore.

Premiera botërore e “A Midsummer Night’s Dream”, një përshtatje amerikane do të hapet në mars. Prodhimi, i cili ka një kast prej 20 aktorësh indigjenë, do të interpretohet nga teatri ‘’Spiderwoman’’, një kompani amerikane e të gjitha grave dhe do të drejtohet nga Muriel Miguel, themeluesi dhe drejtori artistik i kompanisë.

Më vonë në pranverë, Qendra Multimedia, një organizatë kulturore me bazë në Kosovë që fokusohet në teatrin dhe letërsinë bashkëkohore, dhe kompania e repertorit ‘Great Jones’ të ‘La MaMa’ do të prezantojnë premierën amerikane të “Balkan Bordello” një shfaqje që synon të ekspozojë brishtësinë e demokracisë brenda kuadrit të tragjedisë së Eskilit ‘Oresteia’.

Dhe përfundimi i sezonit, në maj, do të jetë premiera në Nju Jork e kompozimit muzikor të rimodeluar të Elizabeth Swados “Zonja e Bukur”, e cila përshtat fjalët e poetëve rusë që jetuan dhe interpretuan në Shën Petersburg gjatë revolucionit rus të vitit 1917. Ajo do të drejtohet nga Anne Bogart, një nga themelueset e kompanisë ‘SITI’.

Anëtarët e auditorit duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit për të marrë pjesë në shfaqje dhe maska ​​kërkohen në çdo kohë. Fëmijët nën moshën 12 vjeç janë të mirëpritur, por duhet të jenë të maskuar.

https://www.nytimes.com/2021/08/20/theater/lamama-season.html?searchResultPosition=3 / KultPlus.com