Viti i ri shkollor fillon më 13 shtator

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bashkë me drejtorë komunalë të Arsimit janë mbledhur sot për të diskutuar rreth fillimit të vitit të ri shkollor.

Express nga burime të saja ka marrë vesh se në takim është thënë se komunat i kanë kryer të gjitha përgatitjet për vitin e ri shkollor.

Në takimin e përbashkët në mes MASHT’it, kolegjiumit të arsimit në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, SBASHK’ut dhe Këshillit të Prindërve u dakordua që mësimi të fillojë më 13 shtator, pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Në takim është thënë se do të jenë 4 modele të mësimdhënies, 3 nga viti i kaluar dhe modeli i 4’të do të jetë me prani fizike dhe orar të rregullt.

Vendim-marrja për secilin model të mësimit do të jetë i decentralizuar dhe do të vendoset nga Task Forcat komunale.

Udhëzuesi i përgjithshëm për organizimin e mësimit për vitin e ri shkollor do të shpërndahet në komuna./KultPlus.com

31 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.

Më 7 shtator të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan atë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, kishte filluar një aparteid i regjimit të Millosheviçit ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë./KultPlus.com

Kushtetuta e Kaçanikut

Drejtorët e Arsimit takohen sot me ministren Nagavci, diskutohet për vitin e ri shkollor

Drejtorët komunalë të Arsimit do të takohen sot me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Takimi pritet të mbahet në orën 11:00.

Në takim pritet të diskutohet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kujtojmë që Ministria e Arsimit kishte vendosur që të shtyjë fillimin e vitit të ri shkollor deri më 13 shtator për shkak të situatës së krijuar me pandeminë.

Andaj mësimdhënësve u është kërkuar që të vaksinohen para se të fillojë viti i ri shkollor në mënyrë që të mbrojnë veten dhe nxënësit./KultPlus.com

Harry dhe Meghan kanë kërkuar takim me Mbretëreshën për ta prezantuar me Lilibet

Princi Harry dhe Meghan Markle kanë kërkuar një takim me Mbretëreshën Elizabeth, në muajt e ardhshëm për të prezantuar vajzën e tyre Lilibet me stërgjyshen e saj.

Sipas një burimi, Harry dhe Meghan duan të prezantojnë Lilibet, vajzën e tyre të lindur në qershor, me Mbretëreshën Elizabeth II. Muajin e kaluar u zbulua që çifti dëshironte që Lilibet të pagëzohej në Kështjellën Windsor dhe ta prezantonin atë me gjyshen. Në fillim dukej si një spekulim, por tani duket se Sussexes po e bëjnë realitet.

Por kërkesa e Harry dhe Meghan për një takim privat me Mbretëreshën ka habitur disa nga stafi i pallatit mbretëror.

“Harry dhe Meghan e kanë bërë këtë propozim, por shumë njerëz janë të tronditur nga pafytyrësia e Sussex. Ata me të vërtetë mund të duan të shohin Mbretëreshën, nuk ka asnjë pyetje për këtë, por duhet shumë guxim për t’i kërkuar asaj një takim privat, duke marrë parasysh atë që i kanë bërë të kalojë këtë vit”, tha një burim për The Sun.

Për momentin, do të duket se gjykata angleze nuk i është përgjigjur ende zyrtarisht kërkesës së Harry dhe Meghan, megjithëse burimi shtoi se mbretëresha “është ende shumë e dhënë pas Harry dhe do të donte të shihte Lilibet dhe vëllain e saj Archie”./KultPlus.com

Vdes aktori amerikan, Michael K. Williams

Është gjetur i vdekur në banesën e tij në Brooklyn aktori i njohur Michael K. Williams.

Aktori 54 vjeçar, i njohur nga publiku për rolet e tij në serialet “The Wire” dhe “Boardwalk Empire”, u gjet nga nipi i tij dhe dyshohet se vdekja i ka ardhur nga një mbidozë heroine.

Ti kurrë nuk do ta humbëesh epshin tënd përsëri. Provoni këtë!

54-vjeçari ishte nominuar 5 herë për çmimin Emmy, dhe sërish këtë vit për kategorinë e aktorit më të mirë mbështetës për filmin “Lovecraft Country”.

Williams nuk e kishte fshehur kurrë betejën e tij të gjatë me drogën./KultPlus.com

Buxhovi: Kuvendi i Kaçanikut, gurthemel i shtetit të Kosovës

Shkruan Jusuf Buxhovi

Përkujtesë historike: 7 shtator 1990

KUVENDI I KAÇANIKUT – GURTHEMEL I SHTETIT TË KOSOVËS

Kuvendi i  e Kaçanikut vuri në binarët historik shtetndërtimin e Kosovës, si  proces të natyrshëm dhe të pandalshëm pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990. Kështu,  Kushtetua e Kaçanikut legjitimoi një realitet politik në përputhje me vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës të shprehur në referendumin për pavarësi në shtator të vitit 1991, i pasuar nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në maj të vitit 1992 prej nga do të dalë Parlamenti i parë plural si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila organizoi pushtetin paralel si formë e rezistencës institucionale për tetë vite, në kuadër të së cilës, krahas arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe ekonomisë, u përfshi edhe mbrojtja dhe vetëmbrojtja si formë e  rezistencës së armatosur kundër okupimit, që do të pasqyrohet me shfaqjen e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ky zhvillim historik, mbi të cilin u ndërtua shtetësia e Kosovës,  do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast duhet theksuar se neni 1 i kushtetutës së Kaçanikut, Kosovën e definoi  „ shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”./KultPlus.com

‘Besoj’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Vanë mënt e mija vanë!
Një mejtim më prishi trutë:
gjithë profitët pse janë
ja Arapë, ja Çifutë?
Pse s’ka profitë të tjerë?
Këtë s’e kupëtoj dot…
Gjëra q’u bënë njëherë,
pse nukë bënen dhe sot?Gjëra që s’i kupëtoj, –
mos u habitni me mua, –
ndë duhet që t’i besoj,
do t’i besoj dua, s’dua.
Do të besoj Shën Marinë,
këtë grua të bekuar,
e cila polli Mesinë
me Frymën e Shëntëruar!
Do të besoj, or të mjerë,
Krishti vdiq (gjë e vërtetë),
dhe, që të mos zëmëroni,
besoj q’u ngjall prapë vetë!
Si gjithë besoj dhe unë
sa shëntorë kanë qënë,
po besoj dhe tjatër punë,
besoj që mëndja na ka lënë!./KultPlus.com

Kam një jetë duke të pritur

Poezi nga Robert Shvarc

Eja, kokën dua t’a mbështes,
Mbi gjirin tënd të tallazitur.
Jam lodhur shumë, ndoshta edhe vdes,
Se kam një jetë duke të pritur!

Eja, dua të kridhem te ti,
Thellë e më thellë, siç di vetë.
Në mos qoftë as kjo dashuri,
Më thuaj, ç’dreqin mund të jetë? / KultPlus.com

‘Nëse emrin tënd çdo natë e thërras e për ty flas, s’do të thotë se ty të du’ (VIDEO)

Çdokush që ndjen nostalgji për krijimtarinë e grupit “Marigona”, s’mund të mos e kujtojë një nga këngët epike të tij e që është e titulluar “Sonte”.

Kjo këngë e realizuar në vitin 2002, i ka rezistuar kohës për shkak të vijës melodike, tekstit e vdieoklipit që zbërthen kuptimin e këngës. Duke qenë se grupi “Marigona”, nuk i ka munguar as festivaleve, pikërisht me këngën “Sonte” arriti të shpërblehet në në festivalin “Showfest”, në vitin 2002, shkruan KultPlus.

Grupi Marigona është një grup muzikor i themeluar në vitin 1991 nga Faton Kurteshi në qytetin e Mitrovicës. Vokalist i grupit është Vullnet Sefaja po ashtu nga Mitrovica. Anëtarët e grupit janë ndërruar disa herë, por Vullnet Sefaja ka qenë pjesë e grupit që nga fillimi.

KultPlus ju përcjellë videoklipin dhe tekstin e këngës:

Sonte gjithçka ndahet n’gjysmë përveç dhimbjes
Sonte asgjë s’është e lehtë përveç ikjes
Sonte kujt dorën ia mban , kujt ne vesh i flet
Puthja jote nesër kënd e pret e kënd me vonë e vret

Ref:
Nëse emrin tënd çdo nate e thërras e për ty flas
S’do t’thotë se ty të du
Nëse netët pa ty vijnë e shkojnë, do t’mundem unë pa ty
Kur ti mundesh pa mu.

Sot kujtimet fund nuk kanë as s’du t’i harroj
Ndoshta nesër kot do t’qan, ndoshta veç ëndërroj
Se fshehtësi ishe për mu, këtë unë tash e di
Do t’provoj pa ty me jetu, do t ‘lutëm në vetmi / KultPlus.com

Falsifikimi i testeve Covid-19, policia e dërgojnë në mbajtje pronarin e fotokopjes në Podujevë

Pronari i një fotokopjeje në Podujevë është dërguar në mbajtje për 48-orë nga policia, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentave”.

I njëjti dyshohet se falsifikonte teste, duke i printuar ato në formatin A4 me logo të disa laboratorëve në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për medie.

“Policia përmes zyrtarëve relevant ka filluar verifikimet e nevojshme dhe me aprovim të organeve të drejtësisë ka realizuar bastisje në lokacionin ku dyshohej për falsifikim të testeve, ku ka hasur dhe sekuestruar disa fletë të formatit A4 me teste për Covid-19, me llogo të disa laboratorëve në Kosovë”, u tha në njoftim.

“I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve””.

Siç thuhet në komunikatën e policisë, forcat e rendit kanë sekuestruar një shtëpizë dhe një telefon celular.

Policia do të vazhdojë angazhimet në zbatimin e masave që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë, përfshirë angazhimet shtesë në arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave që përfshihen në veprimtari të kundërligjshme. / KultPlus.com

“Shqiponjat e Mëndafshta” themelojnë shkollën e gjuhës shqipe në Bari

Shoqata shqiptare në Bari të Italisë “Shqiponjat e Mëndafshta” ka arritur të realizojë një nga projektet kryesore të saj, atë të themelimit të shkollës së gjuhës shqipe.

“Shoqata jonë rritet falë objektivave që kemi vendosur që në fillim. Bëhet realitet një nga projektet tona më të rëndësishme, themelimi i shkollës së gjuhës shqipe në Bari. Prej muajsh kemi filluar përgatitjet, duke nisur nga seleksionimi i mësueseve për të vazhduar me prezantimin dhe njohjen me realitete të ngjashme nëpër vende të ndryshme në Italia, deri tek prezantimi me përfaqësues istitucional të vëndit tonë. Urojmë të japim maksimumin dhe të mos humbasim besimin, edhe pse vështirësitë për t’u përballuar nuk do jenë të pakta.

Falenderojmë motrat Nilsa dhe Viola Magjistari për lokandinën”, shkruhet në faqen zyrtare në Facebook të shoqatës Le Aquile di Seta.

Kjo shoqatë u krijua në vitin 2020 dhe synon të mbrojë dhe përmirësojë historinë dhe të kaluarën e Diasporës Shqiptare në Itali, duke parë të ardhmen e komunitetit. Të vetëdijshme se ka shumë shoqata të tjera me të cilat shpresojnë për një bashkëpunim në të ardhmen.

Gratë shqiptare të Barit duan të jenë një risi me një frymë bashkëpunimi, duke mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe duke u përpjekur të ndërtojnë një rrjet më të mirë. / KultPlus.com

Javën e ardhshme merret vendimi për dozën e tretë të Pfizer

Vlerësimi do të bëhet në bazë të të dhënave të paraqitura nga kompania farmaceutike dhe rezultati pritet “brenda javëve të ardhshme, përveç nëse kërkohet informacion shtesë”.

Agjencia Evropiane e Barnave ka filluar të vlerësojë aplikimin për përdorimin e një doze përforcuese të vaksinës Comirnaty (Pfizer-BioNTech) që do të administrohet gjashtë muaj pas dozës së dytë te personat e moshës 16 vjeç e lart.

“Dozat përforcuese u jepen njerëzve të vaksinuar (d.m.th. njerëzve që kanë përfunduar vaksinimin parësor) për të rikthyer mbrojtjen pasi të ketë rënë”, shpjegon EMA, transmeton CNN.

Ndër informacionet e siguruara nga Pfizer-BioNTech për shqyrtimin e Komitetit për Mjekimet Njerëzore (CHMP) të EMA-s janë edhe rezultatet e një studimi klinik të vazhdueshëm, në të cilin rreth treqind të rritur me sistem imunitar të shëndetshëm morën një dozë përforcuese rreth gjashtë muaj pas dozës së dytë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: 503 mijë vaksinat e dhuruara nga SHBA-të janë 503 mijë shanse shtesë për të shpëtuar jetë nga virusi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin social facebook ka bërë të ditur se Kosova ka pranuar gjithsej 503 mijë vaksina të dhuruara nga SHBA-të, e të cilat kanë arritur sot, përcjellë KultPlus.

“Nuk ka asnjë arsye për mos vaksinim! Të rinj, pleq, mësues, shtatzëna, gra e burra, vaksinimi shpëton jetë! Vaksinohu edhe TI të shpëtosh veten, më të dashurit e tu, ekonominë dhe të ardhmen tonë!”, shkruan Osmani.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

503 mijë vaksinat e dhuruara nga SHBA-të e të cilat arritën sot në vendin tonë janë 503 mijë shanse shtesë për të mbrojtur e shpëtuar jetë nga virusi.
Nuk ka asnjë arsye për mos vaksinim! Të rinj, pleq, mësues, shtatzëna, gra e burra, vaksinimi shpëton jetë! Vaksinohu edhe TI të shpëtosh veten, më të dashurit e tu, ekonominë dhe të ardhmen tonë!
Faleminderit Presidentit Biden dhe popullit amerikan që na u gjindën sërish pranë, ashtu sikurse gjithherë. / KultPlus.com

Shprehje dhe fjalë të urta popullore të Shën Kostandinit

Shprehitë dhe fjalët e urta popullore janë ruajtur me fanatizëm për shekuj të tërë ndër arbëreshët e Italisë, si pjesë e kolanës së pasur të trashëgimisë kulturore që kanë pasuar nga brezi në brez prej gjashtë shekujsh.

Një pjesë e këtyre shprehive të Komunës së Shën Kostandinit i ka mbledhur autori Costantino Bellusci, të cilat i vë në krah të gjegjëseve në italisht.

Tek këto shprehje e fjalë të urta vërehet pastërtia e shqipes së vjetër të dialektit të arealit jugor, por edhe ndikimet e italishtes në disa trajta ku nuk ka pasur fjalë gjegjëse në shqip.

Ja cila janë disa nga shprehjet dhe fjalët e urta që ka arritur të mbledh Costantino Bellusci. / KultPlus.com

Marta Burda, nëna e vërtetë shqiptare që zhvilloi karrierën artistike në teatrin e Durrësit

“Marta Burda ishte një artiste shumë e zonja, një femër që diti të interpretojë në mënyrë mjaft realiste rolet e nënave shqiptare, një grua shumë e bukur, e për më tepër një aktore që nuk u shkëput asnjëherë nga teatri dhe kinematografia”. Kështu do t’i fillonte kujtimet e tij për Martën ish-drejtori i teatrit “Aleksandër Moisiu” deri në fund të viteve ‘90 dhe poeti i njohur durrsak, Bardhyl Agasi.

“Megjithëse kishte dalë në pension, shpirti i saj vazhdonte të jetonte me teatrin. Marta ishte si një nënë për aktoret e reja dhe nuk lodhej asnjëherë duke i mësuar, duke i qëndruar afër, duke u dhënë këshilla të vlefshme”, kujton Agasi. E lindur në Korçë në 20 korrik 1926, karrierën e saj si aktore Marta Burda e nisi që herët, në moshë fare të re.

E rritur në një ambient me nivel mjaft të lartë kulturor; gjyshi i saj ishte atdhetari dhe akademiku Nikolla Naço, i ati Vani Burda ishte një fotograf shumë i njohur në qytetin e Korçës, poeti dhe atdhetari Hil Mosi ishte kumbari i saj, ndërsa Lasgush Poradeci dhe Kristaq Antoniu ishin miq të familjes, Marta u pikas që e vogël për talentin e saj në interpretim.

Edhe pse ishin ende vitet para Luftës së Dytë Botërore dhe në Shqipëri mbizotëronte mentaliteti që femrën e shihte vetëm brenda katër mureve të shtëpisë, korçarja e bukur pati mundësi të shkonte në Tiranë dhe me ndihmën e kumbarit të saj ndoqi studimet në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, ku mori një kulturë të mirë për kohën. Ky duket se ishte hapi i parë që hodhi Marta për të dalë nga kornizat e ngurta të shoqërisë së asaj kohe, drejt emancipimit të saj dhe të shumë brezash grash, që shoqëria patriarkale shqiptare i shihte vetëm në rolin e grave dhe nënave.

Angazhimet e saj në grupet amatore do të fillonin gjatë viteve të luftës. Veterani Dhimitër Koço Grameno kujton: “Në shtator 1943 organizuam një grup të vogël artistik. Midis pjesëmarrësve dhe ndër më të dalluarat ishte Marta, e cila më vonë u bë një artiste e denjë e teatrit shqiptar”. Duket se rruga e korçares ishte shenjuar dhe ajo ishte mjaft e vendosur ta ndiqte atë. Pas çlirimit të vendit, ajo do të ishte ndër aktoret themeluese të teatrit të shtetit që u ngrit në vitin 1945.

Bukuria e korçares brune, me sytë e mëdhenj e të thellë, e ndërthurur me interpretimin mjaft dinjitoz do të ishin magnet për publikun, që gjithnjë ka duartrokitur lojën e saj artistike. Në ato vite ajo interpretoi në disa drama si: “Për ata që janë në det”, “Procesi i Lajpcigut”, “Borgjezi fisnik” etj. Ajo interpretoi krahas aktorëve të mëdhenj të skenës shqiptare, si: Mihal Popi, Naim Frashëri, Liza Vorfi, Marie Logoreci etj.

Edhe pse ishte në fillimet e karrierës së saj, gazeta “Albanezul” që dilte në Bukuresht të Rumanisë do të shkruante në vitin 1945 një artikull për të. “Marta Burda, mbesa e Nikolla Naços, princeshë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare”, shkruhej në titullin e artikullit, ndërkohë në shkrim nënvizohej se Marta “kishte një zë të ëmbël, me nuanca, që i jepnin shpesh kolorit recitativ”. Por pjesën më të madhe të karrierës së saj artistike Burda do ta zhvillonte në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

“Erdhi në Durrës vetëm një vit pasi ishte krijuar teatri profesionist, atëherë kur ishte 28 vjeçe dhe e kaloi thuajse gjithë jetën e saj në skenë. Ajo do të përbënte së bashku me Nikolin Xhojën, Vangjel Hebën, Spiro e Vera Urumin, Lutfi Hoxhën etj. brezin e parë të aktorëve që i dhanë jetë skenës së teatrit të Durrësit”, thotë Bardhyl Agasi. Ndërkohë, studiuesi Josif Papagjoni, në enciklopedinë “Teatri dhe kinematografia shqiptare” shkruan për Burdën:

“Në skenën e teatrit të Durrësit ka mishëruar shumë figura artistike, kryesisht role grash e nënash të dhimbsura, të buta, shpirtbardha, por edhe ankuese, të shqetësuara, me një dashuri të thellë e të heshtur për bijtë e tyre në hall, si në shfaqjet Mbreti Lir, Pulëbardha, Mulliri i Kostë Bardhit, Kartela e verdhë, Mirë se erdhe Elona, Dorina etj. Ky lloj tipi erdhi duke u përkryer në aktrimin e saj të ngrohtë, i pasuruar edhe me prurje të tjera, kryesisht me figura grash të paqme, me dinjitet, qëndrestare…”.

Pikërisht në rolet e nënave, Marta korri duartrokitjet më të zjarrta të publikut. Emocionet e forta që përcillte Marta përmes interpretimit të saj, i nënvizon edhe drejtoresha e bibliotekës publike të Durrësit, Flora Dervishi, e cila kujton se ndërsa aktorja interpretonte një poezi të saj, “Një vit pas eksodit”, shumë nga zonjat e pranishme në takim u përlotën. Sipas Dervishit, ky ishte interpretimi i fundit i Martës, aktores që iu përkushtua teatrit me mish e me shpirt si shumë aktorë të tjerë të brezit të saj.

“Muajin e fundit para se të ndahej nga jeta, kur ndodhej e shtruar në spital, ajo vazhdonte të ishte sërish e fortë, po grua e vendosur që e njihja prej kohësh. Ndërsa e kishte kuptuar se po jetonte ditët e fundit të jetës, përpiqej të ishte e fortë për vajzën e saj, Rebekën, dhe dy mbesat e dashura.

Marta ishte një gjyshe mjaft e dashur dhe në vitet e fundit unë e mbaj mend përherë nën shoqërinë e mbesave të saj që vazhdonin studimet në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli”. Ajo i inkurajoi ato drejt rrugës së artit, ashtu siç kishte bërë me shumë artiste të reja”, thotë Agasi.

Por krahas dashurisë së madhe për të afërmit e saj në të njëjtën kohë Marta ishte mjaft e dashur dhe e afruar me njerëzit. Pas çdo shfaqjeje ajo nuk nguronte t’i pyeste të njohurit dhe jo vetëm sesi u ishte dukur interpretimi i saj dhe dëgjonte me mjaft vëmendje qoftë kritikat, qoftë edhe fjalët e mira. Disa nga rolet e saj më të spikatura janë Ana Valter, Mis Elisa, Katerina Ivanovna, Irina Pavllovna, Nica, nëna kosovare etj.

Por krahas teatrit, një pjesë e mirë e karrierës së Marta Burdës është zhvilluar në kinematografi. Edhe në ekranin e madh të kinemasë, ashtu si në teatër, Burda është shfaqur kryesisht në rolin e nënave tek filmat: Zani Partizani, Balonat, Në shtëpinë tonë, Agimet e stinës së madhe, Zëvendësi i grave etj. Pas plot 50 viteve në skenë, Marta Burda numëron rreth 150 role në teatër dhe kinematografi.

“Por krahas talentit të saj artistik Marta Burda dha shumë gjatë jetës së saj edhe në drejtim të emancipimit të gruas shqiptare. Me shembullin e saj ajo inkurajoi mjaft femra drejt rrugës së artit, në një kohë kur shoqëria shqiptare ishte mjaft e mbyllur dhe mentaliteti patriarkal rëndonte mjaft mbi kurrizin e grave shqiptare”, thotë Agasi. Marta Burda u nda nga jeta në vitin 1995, në moshën 69-vjeçare.

Për kontributin e saj shumëvjeçar në skenën shqiptare Presidiumi i Kuvendit Popullor i dha në 15 shtator 1988 titullin “Artiste e Merituar”. Ndërkohë në vitin 2003, Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit i akordoi titullin “Qytetar nderi” me motivacionin: “Një nga aktoret e para të Shqipërisë që ka themeluar Teatrin Kombëtar, vajzë e një prej familjeve më të vjetra e patriotike të qytetit të Korçës.

Ka interpretuar me nivel dhe talent të rrallë mbi 150 role kryesore në skenën shqiptare nga fillimet e veprimtarisë artistike në grupet e rinisë antifashiste (shtator 1943) e gjatë më shumë se 50 viteve duke dhënë figura të paharruara artistike në teatër e kinematografi”. /aktoretshiptare/ KultPlus.com

Tre aktorët e parë shqiptarë që shkelën kinemanë evropiane

Midis dy luftërave, kur bota po përjetonte lirinë e ekranit, kur kinemaja amerikane, franceze dhe italiane po eksploronin… në trendet e reja të gjuhës së filmit, befas zbulohen tre emra shqiptarësh që shkelën të parët në kinemanë evropiane dhe atë hollivudiane; Aleksandër Moisu, Kristaq Antoniu dhe Eleni Qirici i japin zë historisë sonë kinematografike, ndërsa në Shqipëri shënonte xhirimet e para.

Në “paqen” midis dy luftërave botërore kinemaja amerikane, franceze e ajo italiane u bënë kronikat e kohës edhe për shqiptarët…Këtu sapo shënoheshin xhirimet e para filmike, dhe kompanitë po hapnin një e nga një kinematë. Kur xhirimet nuk merreshin përsipër nga shteti dhe as nga kompani prodhuese por nga njerëz që kishin prirje dhe vullnet individual, në këtë vend të Ballkanit, për herë të parë dëgjohet të flitet për shqiptarë të famshëm, sukses evropian apo botëror. Kamerat e vendosura për herë të parë në duart e shqiptarëve kërkonin figura dhe ndikime nga aktorë të mëdhenj të filmit për të luajtur një rol të fuqishëm në jetën kulturore kinematografike të shoqërisë shqiptare.

Mes viteve 1924 deri në vitin 1939, disa emra u shndërruan në emblemë të kulturës shqiptare jashtë vendit. Aleksandër Moisiun dhe Kristaq Antoniun po e ndiqte një emër i ri, në moshë mjaft të vogël, quhej Elena Qirici, e cila do të kthehej nga Australia ku lindi, në vendin e origjinës e të niste karrierën e saj në Korçë. “…Janë vite të konsolidimit të jetës kulturore shqiptare të mirëfilltë, gjallërimi i jetës koncertale dhe veprave të letërsisë moderne, pushtojnë ekranin yjet e kinematografisë botërore. Në periudhën midis dy luftërave botërore, ndihet ndikimi i kinemasë amerikane, franceze dhe italiane. Po kështu shqiptarët ndjekin kronikat e kohës, veçanërisht ato të xhiruara në Shqipëri. Befas në ekran, pranë emrave botërore shqiptarët kanë zbuluar edhe praninë e aktorëve shqiptarë që luajnë në filma të huaj”, shkruan Natasha Lako, nga kjo kronikë në librin e saj me ese “Energjia filmike”.

Moisiu ishte një nga aktorët më të mëdhenj në skenën e viteve ’30, duke u shfaqur në filmin e parë evropian me zë, kur brenda kësaj kohe një djalosh simpatik shqiptar i pajisur me cilësi të rralla artistike, u duk në qiellin e Rumanisë -shkruhej në vitin 1931 për Kristaq Antoniun.

Ndërsa aktorja tjetër që ka impresionuar publikun shqiptar është Elena Qirici. Siç është bërë e njohur tashmë, ajo është vajza e parë shqiptare që del në ekranin e madh, që e ka filluar jetën e saj artistike në skenat shqiptare. Pavarësisht gjendjes ku ndodhej Shqipëria dallon fakti i bashkëjetesës së shqiptarit me kinemanë ku edhe nisën të dalin karakteret e para.https://zeri.info/inarticle.html

“Me gjithë përpjekjet për çeljen e syrit kinematografik, pavarësia e shkurtër shqiptare, nuk mund të ofronte as mjete, as mundësi për t’u shprehur në imazhin shqiptar. Ishte politika vetizoluese e periudhës së diktaturës komuniste, që kërkoi që Shqipëria të plotësonte të gjithë nevojat e veta në një ekonomi të mbyllur, ku shqiptarët u vunë të prodhonin vetë gjithçka, duke përfshirë edhe filmin shqiptar”, shprehet Lako.

Moisiu, në filmin e parë evropian me zë

Përgjatë periudhës së lulëzimit të ekranit të lirë botëror, në Shqipëri shfaqen filma të aktorit të madh me orgjinë shqiptare, Aleksandër Moisiut, i cili në kohën e Gjermanisë naziste dërgon kërkesën për të marrë nënshtetësinë shqiptare. Në vitin 1902 Moisiu shkon të punojë në teatrin gjerman të Pragës dhe nga viti 1904 punon në Berlin, ku aktori bëhet dhe miku i regjisorit të madh Reinhard. Turnetë e tij në të gjithë skenat e Evropës dhe të Amerikës e shpallën si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës së viteve ’30. “I shquar për kombinimin e zërit të tij dramatik, si dhe për temperamentin e tij ekspresiv, A. Moiusiu ka luajtur në skenë figura të kryeveprave dramatike botërore si Hamletin e Shekspirit, Fedjan e “Kufomës së gjallë” të Tolstoit, rol që shënon zhbirime të thella brenda shpirtit të njeriut. Sigurisht që ky hero i skenës e ka sa të lehtë, aq edhe të vështirë të hyjë në fushën e re të betejave kinematografike”, veçon kineastja Natasha Lako kur bën historinë e kinemasë në Shqipëri në botimin e saj “Energjia filmike”.

Këtë talent të rrallë të skenës e fton në realizimet e filmave të parë evropian me zë. Në këtë profil Moisiu luan në filmin e parë evropian me zë të shtëpisë filmike gjermane “Das Scharce”, që realizohet gjatë viteve 1912-1913 dhe pas tij pasojnë “Sytë e Ole Brandis”, realizuar në vitin 1914, nga Deutsche Bioskop me regjisor Stellan Rey, “Kulizzenzauber Barckerss” në vitin 1915, “Biri i tij i vetëm”, regjisor Gartner, po në vitin 1915 tre filma të regjisorit Wellin, “Pique dame”, 1918, “Unaza e tre dëshirave”, 1918; “Ndërmjet vdekjes dhe jetës” 1920. Më pas Aleksandër Moisiu luan në filmin “Martesa e figaros” të regjisorit Mac (1920), si dhe “Dishepulli i djallit”, realizuar nga shoqëria amerikane Warner Bross, (1929), “Llozha e mbretit”, e regjisorit Bryan foy (1929), “Lorenc de Medici” të regjisorit Brignone, 1935. Sipas gazetës gjermane Allemagne Zeitung të 14 qershor 1929 thuhet se Aleksandër Moisiu interpreton Hamleton dhe deklamon në anglisht monologun “to be or not to be”.

Kristaq Antoniu, fama e  panjohur e “Hajducit”

Nuk i kushton shumë kohë, që koleksionisti Niko Kothere të jetë i gatshëm për të na zbuluar portretin origjinal të aktorit dhe këngëtarit Kristaq Antoniu. Pyetja e tij se në ç’kontekst na nevojiten fotot mban kuptimin e kësaj figure, që historia tashmë e ka futur në aktorët e parë shqiptar që hyn në ekranin evropian. Janë tre foto të rralla, origjinale të Antoniut, skanime të papunuara ku Kotherja na shpjegon, ashtu siç duket, se në njërën prej tyre është autografi i shënuar nga vetë aktori. Antoniu këngëtar, fillimet e karrierës janë si aktor. Një tjetër profil, imazh shqiptar që shfaqet në ekranin rumun dhe atë botëror.

Kristaq Antoniu lindi në vitin 1902 në një familje emigrantësh shqiptarë në Bukuresht dhe karrierën kinematografike e filloi kur ishte student i shkollës Mimo-dramatik. Roli i tij i parë realizohet në filmin rumun “Gjynahu i parë”. “Ka pak kohë që një djalosh simpatik shqiptar i pajisur me cilësi të rralla artistike u duk në qiellin e Rumanisë”, shkruan revista Minerva e vitit 1931. “Brilantissimo”, njoftojnë gazetat e kohës për interpretimin e përbashkët të Marcella Santinit dhe Kristaq Antoniut në operën “Kavaleri Rustikane” që shfaqet në Romë. Pas realizmit të filmit “Majori Mura”, 1927, si dhe dy roleve kryesore në filmat “Komiti” (Hajduci 1920) , e “Cokoj” (1931) , Kristaq Antoniu kthehet në Shqipëri ku vazhdon aktivitetin e tij si këngëtar lirik. “Në realizimet e figurave kryesore të filmave të luajtur prej tij, ndihet një ekspresivitet dhe një lojë elegante, ku aktori përpiqet të shprehë një botë të pasur shpirtërore, plot të papritura. Kristaq Antoniu ka një sy shumë ekspresiv do të thoshin shqiptaro-ballkanik…”, shkruan kineastja, Lako. Ai u bë një yll i filmit jo vetëm në Rumani. Mbas disa vitesh me një veprimtari intensive në kinematografi, Antoniu kreu një kurs specializimi në qendrën eksperimentale të kinemasë në Romë. Ndërsa në vitin 1939 luajti role në dy filma, të cilat fatkeqësisht nuk i përfundoi dot. Ai mbajti lidhje me shkrimtarin e njohur Viktor Eftemiu, që e kishte fis nga nëna. Në vitin 1940 bën një tjetër kurs specializimi, tashmë në kanto, po në Itali, në Firence. Pas përfundimit të kursit ai regjistroi në Itali në shoqërinë Columbia 15 këngë shqiptare, këngë popullore dhe krijime të kompozitorit Pjetër Dunga, i cili ishte edhe pianist, të cilat patën mjaft sukses.

Qirici, aktorja e parë në Hollivud

Nën kujdesin e prindërve, balerina dhe aktorja Elena Qirici pati fillimisht një karrierë modeste brenda Shqipërisë. Me këtë nuhatje, prindërit e saj e dërguan në Vjenë, ku u regjistrua në një shkollë dansi. Brenda tri muajve artistja kishte arritur të grumbullonte mjeshtëri, aftësi dhe besim duke e ftuar në skenat e Vjenës. Në këtë moment filluan të kërkonin interes mjaft qarqe artistike, kritika dhe shtypi vjenez. Shoqëritë e teatrove nisën ta kërkonin po ashtu, duke parë tek Elena “një burim të madh fitimesh”.  Janë vitet ’30. Pikërisht në një nga këto mbrëmje, iu shfaq oferta e parë, nga një shoqëri italiane shumë të njohur për kohën, “Fratelli Schwarz”, të cilët nënshkruan një marrëveshje gjashtëmujore me teatrin revistë “Bartoldissimo”.

Në këtë ansambël bënin pjesë 80 artiste, por Elena e vogël u bë protagoniste, duke i siguruar sukses shoqërisë që e kontraktoi. Turnetë në Itali me këtë trupë tërhoqën vëmendjen e shtypit të kohës, duke u kushtuar shkrime të gjata dhe ndër më të spikaturat ishte ajo me cilësinë ‘La picola grande diva” (vogëlushja diva e madhe). Kaloi kufijtë italianë duke u angazhuar në shoqërinë “ABC” të Parisit, duke interpretuar në krah të artistes së njohur Maria Dubas, për një periudhë të gjatë kohe. Nga skena parisiene shoqëritë kinematografike amerikane që udhëtonin nëpër botë për të “peshkuar” talentet, yjet për Hollivudin, u befasuan kur ndeshën shqiptaren Elena Qirici. Artistja u përgjigjet pozitivisht, duke u angazhuar tashmë në një prej shoqërive më të mëdha kinematografike amerikane “Metro Goldwin Mayer” (MGM). Brenda vitit, Elena xhiron në Hollivud dy filma, në role kryesore. Studiuesi Hoxha njofton se atje ajo filloi edhe një shkollë të edukatës fizike, dhe të kërcimit që ishte brenda ansamblit të shoqërisë filmike MGM, duke i dhënë më shumë potencë e mjeshtëri profilit të saj artistik. Në këto lartësi, si balerinë e këngëtare, akrobate me cilësi të larta aktrimi, Elena u vlerësua nga shtypi amerikan duke e barazuar me të famshmen balerinën amerikane të kohës Eleanor Powell.

Në vitin 1942, Elena rikthehet në Evropë, për filmin “Women of the day”, për të interpretuar së bashku me aktoren amerikane, Katherinë Hepburn. Në gjysmën e dytë të viteve ’80, janë përpjekjet e para për të shkruar profilin artistik të kësaj artisteje, dhe pas 90-s vjen më e zgjeruar biografia pothuaj e gjerë, por edhe enigmatike e Elenës, kur ndër të tjera thuhet se babai i saj, Vasili, përpiqej ta mbante larg mjediseve të elitës amerikane dhe e këshillonte që shokun e jetës ta zgjidhte mes emigrantëve shqiptarë që jetonin dhe punonin në atë kohë në Amerikë… Pavarësisht kësaj, vite më vonë, më 1954 ajo shkon në Australi, në vendin ku kishte lindur nëna e saj. E tërhequr nga skena, pikërisht në momentin kulmor të këtyre sukseseve, në vitin 1965 kur kishte fituar aq emër e famë e lidhi jetën me Gerard Ford, djalin e Presidentit të mëvonshëm të Amerikës, John Fordit./mapo.al/ KultPlus.com

‘South Outdoor Festival’ kthen Borshin në skenën gjigande të festës

“South Outdoor Festival”, e ka kthyer Borshin në jug të Shqipërisë, në skenën gjigande të festës.

Lidhur me këtë event të rëndësishëm ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se “për tre ditë radhazi, aktivitete në natyrë e në ujë, për të gjitha grupmoshat, çdo i apasionuar pas sporteve pati mundësinë të gjejë argëtimin dhe rekreacionin”.

Klosi tha se, “South Outdoor”, është shndërruar në një festival turistik, që ngjiti në skenë këngëtarë shqiptarë që dinë të mbajnë peshë të rinjtë e jo vetëm, sikur riktheu në Shqipëri për nostalgjinë e të gjithëve një grup aq të dashur si NANA”.

“Giz Albania, një partner i pazëvendësueshëm që përpos të tjerave, kontribuon edhe në krijimin e konsolidimin e produkteve turistike si festivalet, duke e shndërruar “South Out Door” në një markë të qëndrueshme turistike”, u shpreh Klosi. /atsh/ KultPlus.com

Ish-drejtori i parë i Policisë së Kosovës: Operacioni më i madh i yni ishte varrimi i ish-presidentit Rugova

Ish-drejtori i parë i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, ka kujtuar se para 22 vjetësh të gjithë kadetët që donin t’i bashkoheshin policisë ishin shumë të vullnetshëm për t’i dalë në ndihmë vendit.

“Të gjithë kadetët e Policisë së Kosovës ishin të vullnetshëm t’i dalin në ndihmë vendit dhe gjithmonë i zbatonin urdhrat gjatë trajnimeve të ndryshme. Të gjitha djemtë dhe vashat kishin shumë gatishmëri dhe ishin në gjendje toi kryenin të gjitha këshillat dhe trajnimet profesionale”.

Ahmeti në Klan Kosova tregoi se cila ishte sfida më e madhe në fillimet e para të shkollës së Policisë së Kosovës, transmeton KultPlus.

“Pas luftës njerëzit e kishin të vështirë të besonin se kjo polici ishte e tyre dhe në shërbim të tyre – është dashur bukur shumë të punohet që të pranoheshim nga qytetarët që jemi polici e qytetarëve dhe policinë shërbim të tyre”.

Ish-drejtori Ahmeti mes tjerash tregon se operacioni më i madh i Policisë së Kosovës ishte më 6 janar të vitit 2006 kur u varros ish-presidenti i vendit, Ibrahim Rugova.

“Kam qenë shumë gjatë në menaxhim të Policisë së Kosovës padyshim se shumë nga operacionet që kemi realizuar njëri nga operacionet më të mëdha që kemi realizuar ka qenë varrimi i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ku të gjithë policët e vendit kanë qenë të angazhuar”, transmeton KultPlus.

“Një operacion tjetër shumë i madh ka qenë vizita në Kosovë e tashmë presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Angazhimet tona kanë qenë të shumta dhe me shumë profesionalizëm i kemi realizuar ato”, tha Ahmeti.

Kujtojmë se para 22 vjetësh pjesë e Policisë së Kosovës ishin 176 pjesëtarë teksa tani janë 9,180 policë. / KultPlus.com

Artisti nga Brazili krijon portrete mahnitëse në mure duke përdorur pemët si ‘flokë’

Urbanizmi dhe natyra duken si gjëra kontradiktore, por kjo nuk është gjithmonë rastësi.

Ndonjëherë, nëse imagjinata e dikujt lejon, të dyja mund të kombinohen, duke krijuar një bashkëpunim që krijon diçka vërtet të veçantë dhe unike.

Punimet e këtij artisti në Goiania të Brazilit po bëhen gjithnjë e më të famshme në botë, transmeton KultPlus.

Artisti Fabio Gomes Trindade krijon art në rrugë që përshkruan portrete tepër të detajuara të grave dhe fëmijëve që mbajnë degët e pemëve dhe shkurreve si “flokë”.

Puna e tij ka marrë shpejt rrjetet sociale në të gjithë Brazilin dhe tani po përhapet në të gjithë botën. / KultPlus.com

‘Save the Children’ jep alarmin: Në vitin 2030, 20% e të rinjve nuk do të arrijnë të lexojnë

Në prag të fillimit të vitit shkollor “Save the Children” ka ngritur alarmin mbi situatën e edukimit të fëmijëve në botë në kohën e Covid. Organizata paralajmëron se në një të katërtën e vendeve të botës, arsimi i qindra miliona fëmijëve rrezikon të kalojë në kolaps.

“Sot vlerësohet se 10-16 milionë fëmijë janë në rrezik të mos kthehen kurrë në shkollë për shkak të pasojave ekonomike të Covid, sepse ata janë të detyruar të punojnë ose të lidhin martesa të hershme”, transmeton KultPlus.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Save the Children”, edhe pse para pandemisë ishte një situatë mjaft kritike me 258 milionë fëmijë në të gjithë botën që nuk kishin qasje në arsim, kjo është përkeqësuar më shumë kohët e fundit. Shkaqet kryesore përfshijnë pandeminë dhe pasojat e saj ekonomike, por edhe krizën klimatike, mungesën e vaksinave kundër Covid-19, zhvendosjen, sulmet ndaj shkollave dhe nivelet e papërshtatshme të digjitalizimit, raporton A2news, transmeton tutje KultPlus.

 Vendet më të prekura, sipas të dhënave alarmante të organizatës janë ato me të ardhura të ulëta, që bien në nivelin e “rrezikut ekstrem”.

Sipas indeksit të përpiluar nga “Save the Children” këto vende janë; Republika Demokratike e Kongos, Nigeria, Somalia, Afganistani, Sudani i Jugut, Sudani, Mali dhe Libia, të ndjekura nga Siria dhe Jemeni, të cilat konsiderohen të jenë në “rrezik të lartë”. Në vitin 2030, 20% e të rinjve midis moshës 14 dhe 24 vjeç dhe 30% e të rriturve nuk do të jenë në gjendje të lexojnë.

Por sipas raportit niveli i arsimimit ka rënë edhe tek ata kanë qenë në gjendje të vazhdojnë studimet, pasi Covid -19 ka lënë pasoja të rëndësishme. Më shumë gjysma e 720 milionë nxënësve të shkollave fillore, rreth 382 milionë, kanë një nivel shumë të ulët arsimor, nuk shkojnë në shkollë ose janë nën nivelin minimal të aftësisë për të lexuar. Për më tepër, numri i fëmijëve, mësimi i të cilëve është përkeqësuar, mund të rritet me 72 milionë të tjerë për shkak të pandemisë. / KultPlus.com

Granit Musliu pjesë e Shtëpisë Operistike të Bayern-it, përzgjedhet nga 800 aplikantë nga e gjithë bota

Xhemile Hysenaj

Granit Musliu, tashmë një tenor i dëshmuar në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, ishte vetëm 8 vjeç kur filloi të lidhej ngushtë me muzikën, duke mos iu ndarë kurrë më. Nga një vend i vogël si Kosova, Musliu arriti të jetësojë artin e tij në disa nga skenat më prestigjioze në Evropë, shkruan KultPlus.

Ndër sukseset e fundit të Musliut, është edhe pranimi i tij në Shtëpinë Operistike të Bayern-it, ku pas një audicioni të mbajtur në fillim të këtij viti, Musliu arriti të pranohej prej gjithsej 800 aplikantëve nga e gjithë bota. Në një intervistë për KultPlus, tenori nga Kosova ka treguar më detajisht rreth pranimit të tij në këtë Shtëpi prestigjioze Operistike.

”Lajmi më është bërë i ditur nga stafi i Shtëpisë Operistike të Bayern-it, ku pas një audicioni të mbajtur në fillim ttë këtij viti, më është thëse se nga mbi 800 aplikacione nga e gjithë botë, jam pranuar unë të jem pjesë e Studios Operistike të Bayern-it, për sezonin 2021/22”, ka treguar Musliu për KultPlus.

Talentin, të cilin nuk ka dyshim se Musliu e ka nga të rritur me muzikën popullore, e cila sipas tij ngërthen vlera tejet të larta muzikore, ai thekson se edhe puna individuale dhe ajo e profesorëve të tij si Caroline Merz dhe Geert Smits, kanë bërë që arti i tij të zë vend edhe në skenën prestigjizoe si ajo e Bayern-it të Gjermanisë.

”Seclia performancë e ka të veçantën e vet dhe jam shumë i lumtur që kam pasur mundëësinë e deportimit nga vendi ynë në skenën evropiane, duke dhënë koncerte të ndryshme dhe duke qenë pjesë e projekteve të ndryshme operistike në disa shtete të Evropës me kulturë të lartë të muzikës klasike”, shprehet tutje Musliu për KultPlus.

Siç tashmë dihet, kushtet për të performuar në Kosovë nuk është se kanë qenë gjithmonë ideale, mirëpo, tenori Musliu thekson për KultPlus se ndjehet i lumtur që dy vitet e fundit në Kosovë janë ndërmarrë hapa konkret drejt krijimit të hapësirave të përshtatshme për artistët e muzikës klasike. Ndër të tjera, ai shprehet se të performoj në Kosovë për të është gjithmonë një ndjenjë e veçantë dhe se ai po ashtu ndjehet gjithmonë falenderues ndaj publikut të Kosovës për mbështetjen e ngrohtë që pranon nga ai.

Granit Musliu vjen nga Mitrovica aty ku edhe përfundoi shkollën fillore dhe të mesmen, ndërsa ka studiuar solo-këndim në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Musliu gjithashtu është anëtar i rregullt i Filarmonisë së Kosovës që nga viti 2016.

”Të jetoj në një vend të huaj dhe të bësh karrierë aty është gjithmonë një sfidë në vete, por me punë të madhe dhe një vullnet edhe më të madh, krijohen mundësi dhe sigurisht se vlerësohet kualiteti që secili artist mund ta sjellë”, thekson tenori për KultPlus.

Musliu për fund ka një mesazh për të gjithë ata që si rrugëtim jetësor kanë zgjedhur muzikën klasike. Ai bën thirrje që të gjithë ata që dëshirojnë ta ndjekin këtë rrugë në të cilën tashmë shumë artistë kosovarë po korrin sukseseet e tyre edhe në nivele botërore, është, siç thekson tutje Musliu, të jemi të motivuar para çdo sfide dhe vështirësie duke punuar drejt qëllimit të vënë. / KultPlus.com

ABBA në dhjetëshen më të mirë pas gati 40 vjetësh

Grupi legjendar i popit suedez, ABBA, do të jetë në Top 10 Singles në Britaninë e Madhe pas gati 40 vjetësh, me dy këngë të reja nga albumi i tyre i ardhshëm “Voyage”, transmeton KultPlus.

“I Still Have Faith in You” (“Ende besoj te ti”) dhe “Don’t Shut Me Down” (“Mos më refuzo”) renditen përkatësisht në vendin e 6-të dhe të 7 -të në klasifikimet britanike, sipas vlerësimeve të publikuara dhe të bazuara në shitjet e para dhe transmetimet.

“Nëse vrulli vazhdon, këto këngë do të jenë këngët e para të ABBA-ve që do të shfaqen në Top 10 të BM që nga “One Of Us” në dhjetor 1981”, tha organizata përgjegjëse për klasifikimet.

“I Still Have Faith in You” ka siguruar shitje të mëdha të CD-ve dhe vinileve, ndërsa “Don’t Shut Me Doën” është kënga më e shkarkuar në BM deri më tani, këtë javë”, vazhdoi organizata, duke shtuar se të dy titujt janë transmetuar mbi 500 000 herë deri më sot.

Dy këngët e reja janë marrë nga “Voyage”, albumi i parë në studio i ABBA-ve, që nga “The Visitors” në 1981.

Katër anëtarët e ABBA-ve, një akronim i përbërë nga inicialet e emrave të tyre të parë (Anni-Frid Lyngstad, 75; Agnetha Fältskog, 71; Björn Ulvaeus, 76; Benny Andersson, 74) u ndanë në 1982.

“Voyage”, një album me 10 këngë, që përfshin tetë këngë të reja dhe dy versione të reja (“Just a Notion” dhe “Bumblebee”), do të publikohet më 5 nëntor. / KultPlus.com

Shuhet në moshën 88-vjeçare aktori i njohur francez Jean-Paul Belmondo

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare aktori i njohur francez Jean-Paul Belmondo. Lajmi është konfirmuar për mediat nga bashkëpunëtorët  e tij të ngushtë.

Jean-Paul Belmondo, aktori francez që fitoi famë ndërkombëtare në klasiken revolucionare të Jean-Luc Godard, Vala e Re pa frymë, ka vdekur në moshën 88. Avokati i aktorit konfirmoi lajmin për AFP.

Belmondo-i quajtur Bébel nga audienca franceze-u bë një nga yjet më të mëdhenj të kinematografisë në vend në vitet 60 dhe 70, fytyra e tij e rrahur në kontrast me tiparet e gdhendura të rivalit të tij dhe dikur bashkëpunëtorit Alain Delon. Ashtu si Delon, Belmondo ishte një figurë kryesore e gjeneratës së shquar të filmave evropianë të asaj periudhe, me serinë e filmave që ai bëri me Godard-të cilat përfshinin A Ëoman Is a Ëoman dhe Pierrot le Fou-duke lënë një shenjë të pashlyeshme.

I lindur në vitin 1933 në periferinë e pasur të Parisit, Neuilly-sur-Seine, i biri i skulptorit “pied-noir” Paul Belmondo, Belmondo ndoqi një sërë shkollash private elitare. Ai tregoi më shumë interes për sportin dhe nisi një karrierë të shkurtër boksi amator si adoleshent. Pasi u infektua nga tuberkulozi, ai aplikoi në Akademinë Elitare Kombëtare të Arteve Dramatike, duke fituar përfundimisht një vend në 1952./ KultPlus.com