Ti, s’ke pse veshë tesha marrun hua prej stinësh të përdala, s’ke pse hupë nën maska tinzare sajue për gosti hijenash, s’ke pse pret biletë linjash strikte plot e përplot me andrra t’frigueme. N’valixhe s’ke pse ngarkon peshqeshe lidhun ny me kordele rrencake. Ti, s’ke pse hapë çadrën n’aeroportet ku retë përloten për dashnitë e pamujtuna, as pellgjet s’ke pse i shkapërcen me rujtë pa lagë çorapet që nana t’i bani gati për udhë. Ti vetëm hajde, ashtu si vjen malli, pa lajmërue… / KultPlus.com
Studiuesi amerikan Brian D.Joseph, një nga albanologët e pasionuar pas gjuhës shqipe dhe historisë së shqiptarëve në Ballkan, pas shpalljes anëtar nderi nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë që u bë më 27 nëntor, ditën e mbylljes të Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, ka dërguar një letër falënderimi, në të cilën premton se do të kontribuojë edhe më shumë për studimin e gjuhës shqipe.
Brian D.Joseph, i cili më parë ka qenë studiues i helenistikës shprehet se “për shkak të përgatitjes sime si helenist, kur u ndërgjegjësova për veçoritë mahnitëse që mund të shihen në gjuhën shqipe, vetëm atëherë fillova të çmoj plotësisht kompleksitetin e kontaktit gjuhësor në këtë pjesë të globit.”
Përshëndetje falenderimi drejtuar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga Brian D.Joseph, Universiteti Shtetëror i Ohajos:
“Të nderuar kolegë të mi të rinj, Jam thellësisht i nderuar që jam emëruar anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke u vlerësuar kërkimet e mia në historinë dhe strukturën e gjuhës shqipe përgjatë disa dhjetëvjeçarëve të fundit. Për mua, t’i bashkohem radhës së shkencëtarëve të shkëlqyer që përfaqësojnë Akademinë, e ndër ta albanologëve më të shquar, është një njohje që as do të mund ta kisha ëndërruar para më se 40 vjetësh, kur iu futa studimit të shqipes si një mënyrë për të zgjeruar kuptimin tim për gjuhët ballkanike dhe gjedhet interesante të bashkëpërkimeve që ato shfaqin. Meqenëse në studimin e Ballkanit arrita më së shumti nga një perspektivë greke, për shkak të përgatitjes sime si helenist, kur u ndërgjegjësova për veçoritë mahnitëse që mund të shihen në gjuhën shqipe, vetëm atëherë fillova të çmoj plotësisht kompleksitetin e kontaktit gjuhësor në këtë pjesë të globit. Në shumë mënyra, Ballkani dhe pozita e shqipes japin një mësim për hulumtimin shkencor të gjuhës dhe historisë së saj. Kontaktet intensive mes popujsh të ndryshëm në rajon kanë çuar në përdorimin e disa detajeve të përbashkëta në strukturën e fjalorit dhe në shumë njësi leksikore, duke dëshmuar se, megjithëse Ballkani është një vatër tensionesh etnike, jo gjithmonë kontaktet kanë çuar në konflikte midis grupeve të përfshira. Në të vërtetë, përfundimi i kontakteve në Ballkan, nga këndvështrimi gjuhësor, është më shumë çështje bashkëjetese paqësore sesa konflikti dhe grindjeje. Ndërsa nga njëra anë ky është një nderim vetjak i rangut më të lartë për mua, nga ana tjetër më e rëndësishme, ai ka një kuptim dhe domethënie të madhe për studimet shqiptare në përgjithësi në Shtetet e Bashkuara. Shqipja si gjuhë nuk ka tërhequr asnjëherë vëmendjen e plotë të gjuhëtarëve amerikanë, pavarësisht shumë veçorive të saj interesante. Megjithatë, ka një traditë të vogël, por të fortë të studimeve shqiptare dhe unë jam i lumtur që kam luajtur sadopak një rol duke ndihmuar për ta mbajtur gjallë dhe madje për ta lulëzuar atë. Pikërisht në dhjetëvjeçarin e fundit kam udhëhequr në programin master dhe atë doktoral disa diploma studentësh, të cilët kanë punuar me mua në çështje që lidhen me gjuhësinë shqiptare. Me njohjen më të madhe që më jep anëtarësimi në Akademi, mund të shpresoj që të rritet numri i studentëve në vitet e ardhshme. Në këtë kuptim, të qenët tim akademik nderi do të kontribuojë në çuarjen përpara të çështjes së gjuhësisë shqiptare, që është me siguri një çështje e rëndësishme.”/ KultPlus.com
Mbretëria e Bashkuar po përballet me një valë të re të infeksioneve me variantin Omicron, raporton BBC.
Numri i viktimave nga varianti Omicron deri në fund të prillit të vitit të ardhshëm mund të variojë nga 25,000 në 75,000, në varësi të asaj se sa mirë funksionojnë vaksinat.
Kështu thonë ekspertët e shëndetësisë.
Hulumtimi i realizuar nga ta bazohet në supozimin se Omicron është më pak i rëndë nëse jeni të vaksinuar. Ndërsa, marrja e dozës përforcuese të vaksinës ka të ngjarë të zbusë ndikimin e valës së re Omicron, thanë studiuesit, shkruan BBC.
Nick Davies, një nga autorët tha se Omicron po përhapej “shumë shpejt”, ishte “mjaft shqetësues” dhe kishte të ngjarë të ishte forma dominuese e virusit në Angli deri në fund të vitit.
Raporti thotë se numri i personave të infektuar aktualisht po dyfishohet çdo 2.4 ditë në Angli, kjo pavarësisht se vendi ka numër të madh të të vaksinuarve.
Davies tha: “Bazuar në atë që po shohim, mund të presim që të ketë një valë të madhe të Omicron në MB.”
“Në skenarin më të keq, mund të nevojiten kufizime më të ashpra – në krye të masave aktuale në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar për të ndaluar mbingarkesën e spitaleve”, thanë hulumtuesit. / KultPlus.com
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se pandemia ka goditur jo vetëm ekonominë, por edhe arsimin ngase Kosovën e gjeti të papërgatitur.
Madje ai tha se gjatë pandemisë një numër i nxënësve nuk kanë qenë të kyçur në procesin mësimor.
“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me kolegët tanë në Ballkan dhe Evropë përmes edukimit internacional dhe në takime është vlerësuar se kudo në botë pandemia ka goditur jo vetëm ekonominë dhe sektorë tjerë, por ka krijuar probleme mjaft të mëdha edhe në arsim dhe janë bërë të gjitha përpjekjet për të arritur atë që na kanë krijuar mundësitë, atë që kemi mundur karshi vështirësive të mëdha, edhe në Kosovë pandemia dëmtoi dhe krijoi probleme të mëdha ngase Kosovën e gjeti të papërgatitur sepse institucionet e shtetit tonë edhe përkundër deklarimeve se arsimin e kanë prioritet këtë gjë nuk e kanë bërë. Pandemia ua tregoi të vërtetën sepse shkollat ishin në mungesë të internetit, mësimdhënësit të pa furnizuar me llaptop, MAShTI e dha një numër të nxënësve të cilët fare nuk kanë qenë të kyçur në procesin mësimor online”, tha Jasharaj.
Sipas tij, është vendosur që të bëhet zëvendësimi i të gjitha orëve të humbura dhe pushimi dimëror të fillojë më vonë. Jasharaj theksoi se nëse nxënësit rrezikohen të preken nga Covidi, atëherë duhet të vazhdohet me mësimin online, i cili do të jetë mjaft i vështirë sepse mungojnë pajisjet.
“Task-Forca brenda MAShTI-t janë dakorduar dhe kanë dhënë në të gjitha shkollat një propozim një kalendar të zëvendësimeve ku janë paraparë disa të shtuna. Pushimi dimëror do të fillojë më vonë dhe është planifikuar zëvendësimi të të gjitha ditëve të humbura. Uroj që Ministria e Shëndetësisë por edhe Task-Forca brenda MAShTI-t ta përcjellin situatën jo vetëm në Kosovë por edhe rreth nesh. Mësimdhënësit do të veprojnë sipas situatës dhe t’i respektojnë vendimet e IKShPK, Ministrisë së Shëndetësisë por edhe të MAShTI. Dhe nëse ata e shohin se mësimi me prani fizike veç po mbetet i rrezikuar atëherë ne me të gjitha mundësitë do të angazhohemi në mësimin online, i cili nuk është më i miri ngase ka mungesë të pajisjeve, numër të konsiderueshëm të nxënësve që nuk do të mund të kyçen fare dhe do të jetë vit më i vështirë. Por ne do të angazhohemi të arrijmë atë që mundemi brenda mundësive dhe rrethanave të krijuara”, u shpreh ai për EO.
Ndërsa, drejtori i Organizatës “EdGuard”, Rinor Qehaja thotë se ndikimi i pandemisë në proces të mësimdhënies dhe mësimnxënies është evident, duke theksuar se ka pasur ngecje nga nxënësit.
“Ndikimi i pandemisë në proces të mësimdhënies dhe mësim nxënies është evident, dhe kjo të dëshmohet nga kushdo nga komuniteti i shkollës, përfshirë mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit. Ajo çka ne shpresojmë është që zëvendësimi eventual i orëve është të rikthej ato orë të humbura dhe mbi të gjitha të rikthej atë përkushtimin e gjithë komunitetit të shkollës në proces të mësimdhënies. Të tejkalohet historia për pandeminë dhe të rikthehet vëmendja aty ku duhet. Suksesi i nxënësve nuk vlerësoj që mund të matet aq lehtë pasi që neve mungojmë në vlerësim të jashtëm dhe të brendshëm të besueshëm. Kushdo nga komuniteti i mësimdhënësve na tregojnë për një ngecje në proces të mësimnxënies nga nxënësit”.
Tutje, ai tha se orët mësimorë tashmë kanë filluar të zëvendësohen. Sipas tij, SBASHK-u duhet t’i shter të gjitha reagimet sindikale dhe në asnjë moment të mos konsiderojë grevën si mjet për reagim, pasi që çdo humbje e procesit mësimor do të jetë e papërballueshme për nxënësit.
“Orët mësimore tashmë kanë filluar të zëvendësohen. Frika jonë është që zëvendësimi në asnjë moment nuk është i barabartë me orët e plota që mbahen gjatë orarit të rregullt për arsye të neglizhencës. Të gjithë ata kontribuojnë që zëvendësimi të mos jetë shumë efiçient. Ne vlerësojmë që SBAShK-u duhet t’i shter që të gjitha reagimet sindikale dhe në asnjë moment të mos konsiderojë grevën si mjet të tyre pasi që si tillë do të ndikojë drejtpërdrejtë te nxënësit pa fajin e tyre. Veçanërisht kur dihet që janë këta nxënës që kanë humbur vite me radhë jashtëzakonisht shumë për shkak të pandemisë. Dhe çfarëdo humbje tjetër në proces mësimor do të jetë e papërballueshme dhe e padrejtë ndaj tyre. / KultPlus.com
Filmi boshnjak “Quo Vadis, Aida?” nën regji të Jasmila Zhbaniqit, ka triumfuar në ‘European Film Awards’ me gjithsej tre çmime kryesore.
Në ceremoninë e sivjetme të “European Film Awards” në edicionin e 34-të të kësaj gare, filmi “Quo Vadis, Aida?” fitoi Çmimin për filmin më të mirë evropian, Çmimin për regjinë më mirë (Jasmila Zhbaniq) dhe aktoren më të mirë (Jasna Gjuriçiq).
Jasmila Žban, që fitoi çmimin për “Regjisorin më të mirë”, në fjalimin e saj falënderoi për bashkëpunimin gratë e Srebrenicës, ekipin e aktorëve me të cilët punoi në film, bashkëshortin e saj, producentin Damir Ibrahimoviç dhe vajzën e tyre për mbështetjen.
“Falënderoj Gratë e Srebrenicës, të cilat janë zëri më i fortë i paqes sot. Po ashtu edhe vajzën time, e cila më frymëzon të jem më e përgjegjshme për gjeneratën e grave që do të ndërtojnë një Evropë më të mirë se ajo që kemi”, tha Zhbanić.
Pjesë e kastës së aktorëve të kësaj drame të fuqishme për masakrën e Srebrenicës, është edhe aktori i njohur nga Kosova, Alban Ukaj. Ai luan rolin e Tarikut.
Kjo ishte hera e dytë që një film nga Bosnja ishte nominuar për “Oscar”, pas atij të vitit 2002 “No Man Land” i cili edhe arriti të shpërblehet në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”. Por nuk arriti ta marrë çmimin e madh, në ceremoninë që u mbajt në prill. / KultPlus.com
Grupi “TNT” është njëri nga grupet e para të muzikës rok në Kosovë, i formuar në Mitrovicë më 1974. Ata sollën një frymë të re në muzikën shqipe, me tekstet të gërshetuara me zërin unik të vokalistit Ferki Shala.
“TNT” si grup u identifikua me muzikën e zhanrit pop-rok, duke kombinuar nganjëherë edhe muzikën popullore.
Në repertuarin e tyre, “TNT” numëron një numër të madh këngësh të cilat kanë mbetur të popullarizuara sot e kësaj dite, dhe të kënduara edhe nga artistët e tjerë shqiptarë.
Formacioni i parë i grupit kishte në përbërje Ferki Shalën si vokalist, Murat Shabanin bateristë, Urim Koshin saksafonist, dhe Nexhat Maculën kitarist.
Disa nga këngët më të famshme të tyre janë: “E mallkoj”, “Moj bjondinë”, “200 ditë”, “Këto ura”, e të tjera…
KultPlus, jua risjell këngën “Le të qeshin sytë e tu” të këtij grupi, që është ndër më të famshmet, e cila u këndua e rikëndua nga shumë artistë tjerë. / KultPlus.com
Megjithëse “Macbeth” zhvillohet në shekullin e 11-të, regjisori Davide Livermore e vuri në skenë operën në një qytet modern, duke përdorur realitetin e shtuar.
“Macbeth” i Giuseppe Verdit filloi sezonin e operës së La Scala-s para qindra spektatorëve, ndërsa vala e katërt e pandemisë së koronavirusit po detyron përsëri shumë teatro në vende të tjera në Evropë të mbyllin dyert e tyre. Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, dhe të famshëm morën pjesë në premierën që shënon hapjen e kalendarit kulturor të Milanos.
Ndërsa kinematë dhe teatrot e Italisë u rihapën për publikun në fund të prillit, qeveria të hënën kufizoi përsëri hyrjen në një sërë ambientesh, përfshirë teatrot, për të pavaksinuarit.
“Kur shihni kaq shumë teatro të mëdhenj të mbyllur, si Opera Shtetërore e Vjenës, ajo në Mynih, Dresden dhe Leipzig, më duhet të them se jemi me fat. Hapja e sezonit të këtij viti është një mrekulli”, tha drejtori artistik i La Scala-s, Dominique Meyer.
Publiku dhe anëtarët e orkestrës mbanin maska, ndërsa aktorët dhe kori performuan në këmbë në distancë, por darka gala që zakonisht pasonte shfaqjen, u anulua. / KultPlus.com
Shifrat e infeksionit të variantit të ri të coronavirusit Omicron po rriten në Afrikën e Jugut dhe po përhapet gjithnjë e më shumë tek të moshuarit, raportoi ministri i Shëndetësisë Joe Phaahla.
Në rajonin më të prekur në vend – në provincën Gauteng, e cila përfshin Johannesburgun dhe Pretorian, numri i rasteve u rrit me 400 për qind nga java në javë, njoftoi Phaahla.
Testet treguan se rreth 70 për qind të rasteve i përkisnin variantit Omicron.
Sidoqoftë, shifrat duket se konfirmojnë studimet fillestare të simptomave relativisht të buta dhe shtrimet më të shkurtra në spitale, sipas shkencëtares Glenda Grey dhe koleges së saj Michelle Groome nga Instituti Kombëtar për Sëmundjet Transmetuese.
Hulumtimi nga profesori i Afrikës së Jugut, Alex Sigal tregoi gjithashtu se ndërsa Omicron redukton mbrojtjen ndaj vaksinës, ai ofron ende një mbrojtje deri në 70 për qind, në varësi të numrit të antitrupave të zhvilluar.
Sigal tha se nuk shihte asnjë arsye për të besuar se vaksinimi nuk mbron nga infeksioni i rëndë Omicron. / KultPlus.com
Ishte viti 1938. Ky vit shënonte 30-vjetorin e veprimtarisë si Ordinar Universiteti të Profesor Ernest Koliqit. Me këtë rast u botua edhe kjo foto në të përkohëshmen, “Përpjekja Shqiptare” që, sipas revistës “Shëjzat”, (10-12, 1969) përgjithmonë kujton takimin e katër poetëve, më të njohur të Shqipërisë të asaj kohe, dy breza letrarësh – dy nga jugu e dy nga veriu – At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.
Ata kishin udhëtuar në Shkodër, të ftuar nga Ernest Koliqi me rastin e kujtimit të 30-vjetorit të tij si Ordinar Universiteti. Në revistën Shëjzat shënohet se me atë rast, poetët u pritën nga banorët e Shkodrës me, “shfaqje të nxheta simpatije e admirimi”, për ta dhe thuhet se para një numri jashtzakonisht të madh qytetarësh, të mbledhur në Sallën e Kinema Rozafat, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u dha “mirëseardhjen dy poetëve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si Ai e kishte zanatë”.
Në revistën “Shëjzat” shënohet, shkurtimisht, në kujtim të kësaj fotografie, se asaj radhe Asdreni e Poradeci qëndruan në Shkodër për pesë ditë, kur edhe u muar kjo fotografi e ku paraqiten të bashkuar katër poetët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, e të cilët njiheshin gjtihashtu si, “përfaqsuesit ma të cilësuem të Parnazit shqiptar”.
Ashtu siç shënohet edhe në fotografi, ajo është së pari botuar në të përkohëshmen e dalluar të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë, “Përpjekja Shqiptare”, e që drejtohej nga “shkrimtari shumë me vlerë dhe nji njeri i pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merzhani”, theksohet në shënimin e revistës “Shëjzat” të Ernest Koliqit.
Është kjo një fotografi historike që tregon përfaqësinë intelektuale më të denjë të Kombit shqiptar, por nepërmjet tyre tregon edhe unitetin kombëtar në fushën e gjuhës e të letërsisë, të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të asaj kohe. Këta të katër përfaqsues unik të kombit shqiptar me të cilët do krenohej çdo popull i qytetëruar – Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe Asdreni — shpesh janë cilësuar edhe si, “katër gur themelet e binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike dhe diplomatike.”
Vet Lasgush Poradeci në një analizë rreth jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, e ka quajtur Poetin e Madh si “Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar”. Në një shkrim botuar tre muaj pasi kishte ndërruar jetë Gjergj Fishta, në Mars të vitit 1941, Lasgush Poradeci vlerëson lartë veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës. Ja një fragment të shkurtër nga vlerësimi i Poradecit, ndaj punës fetare dhe atdhetare të Fishtës:
“Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut.
Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta është konceptuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.
Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë. Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione. Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipërinë, ky është urdhëri i çasit dhe i ditës dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut. Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi ndër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:
Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit — anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: fundi i fundit, edhè Kombi ka të drejta mbi mua”, ka shkruar Poradeci për jetën dhe veprën e mikut të tij At Gjergj Fishtës.
Me këtë citim të Poradecit të amanetit të fundit të mikut të tij të shtrenjtë — dy të mëdhejve të Kombit — na lë të kuptohet se Fishta ishte i vetdijshëm për kontributin ndaj Atdheut dhe si i tillë mendonte se me të drejtë edhe Atdheu, anasjelltas, në fund të jetës së tij kishte të drejta mbi të, pasi me lapidarian që kishte lënë pas, ai tani i përkiste mbarë Kombit. Fati i keq e tragjik i At Gjergj Fishtës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dihet mirë, aq sa që as varri nuk i dihet dhe eshtrat ia kanë tretur, i cilësuar si “armik i popullit”, “tradhëtar” dhe “kolaboracionist”.
Po sot, pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, cili është kujtimi dhe trajtimi i këtyre katër të mëdhëjve të Kombit, përfshirë mikun e ngushtë Lagush Poradecit, At Gjergj Fishtën, që në një libër dhuruar Poetit të madh kishte e cilësuar atë si, “Njeriun e Zotit meditans dhe militans, burrin shqiptar përfaqësonjës më të madhit epik të shekullit”.
Në këtë 80-vjetor, e botojmë këtë fotografi jo vetëm në shenjë kujtimi e falënderimi për punën e këtyre katër të mëdhejve të Kombit, por edhe si shpërblim fisnikërie ndaj këtyre dhe veprës së tyre të madhe ndaj Kombit dhe për trashëgiminë lënë pas, të shembullit të tyre të bashkpunimit vëllazëror për të mirën e Atdheut të përbashkët, dashurisë e miqësisë me njëri tjetrin, si shqiptarë të vërtetë — mbrojtës të mëdhej të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. I kujtojmë edhe si përfaqsues të përjetëshëm të “fshehtësisë e forcës dhe të fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar”, siç është shprehur, ndër të tjera, Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën. /frankshkreliKultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se, “viti 2022 do të jetë viti i kulturës”.
Margariti tha se, viti i kulturë do të vijë si një paradë shumëngjyrëshe kulturash, traditash nga e gjithë bota.
“Dje, në një mbrëmje miqësore prezantuam para përfaqësuesve të trupave diplomatike në Tiranë, nismën më të re të Qeverisë: Javët Kulturore Ndërkombëtare, si një mundësi njohjeje, bashkëpunimi, shkëmbimi mes artistëve e padyshim pasurimi të jetës kulturore jo vetëm në kryeqytet, por gjithë Shqipërinë”, tha ministrja.
Margariti bëri të ditur se, kjo është një nismë që u prit me entuziazëm nga pjesëmarrësit, teksa shtoi se “presim rezultate fantastike nga kjo iniciativë që do të mbledhë bashkë aktorë të një spektri të gjerë të artit e kulturës”. / KultPlus.com
“Ngjyrat e shqiptarëve” është konkursi i fotografisë, që sjell ngjyrat e shqiptarisë.
Zv/ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, deklaroi dje në një intervistë televizive se: “Ngjyrat e shqiptarëve” (Colours of Albanians 2022), është një koleksion fotosh dhe videosh, të bukurive të vendit tonë të shqiptarëve. Këtë vit në fakt një nga risitë është edhe fakti që futen edhe videot. Ky konkurs nuk ka qenë i ri për Shqipërinë, ka nisur në vitin 2015-2019. Për fat të keq prej pandemisë vitin e shkuar nuk u organizua dot. Ndërkohë që këtë vit, me një emër të ri, “Colours of Albanians”, sepse është në kuadër dhe të protokollit zbatues në fushën e diplomacisë kulturore midis dy ministrive të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës”.
Fino theksoi se: “ky konkurs është lançuar në 26 nëntor në kuadër dhe të takimit të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës”
Fino u shpreh se: “se ky konkurs ka qenë gjithmonë i hapur, megjithatë tani është një shtrirje edhe më aktive e Diasporës, më e gjerë. E një audience më e gjerë jo vetëm e trojeve shqiptare, po e shqiptarëve kudo që ndodhen. Është një formë kreative për të ardhur së bashku dhe për të bërë diçka të bukur bashkë”.
Fion theksoi se: “konkursi është fare i thjeshtë, mund ta bëjë kushdo që ka një aparat celular, por edhe nëse ka një aparat fotografik më profesional. Një foto, një video, të kapë një moment të bukur, të jetës së vetë, të ditës së vetë, të shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, po kudo që jetojnë, punojnë, studiojnë. Ta hedhin në profilet e tyre të instagramit dhe të vendosin Colours of Albanians 2022 duke na bërë tag edhe ne në profilin zyrtar në instagram që kemi hapur enkas për këtë konkurs, i cili titullohet “Colours of Albanians”.
“Unë do sugjeroja që të vendosej në fakt edhe vendndodhja e bën më interesante. Mund të shohim vende të cilat ne nuk i kemi eksploruar më parë, vende të reja, që mund të duam t’i shikojmë në një të ardhme”, tha Fino.
“Në 5 edicionet e mëparshme që janë bërë ka qenë në fakt konkursi në periudhën e verës, më shumë nga periudha maj-gusht, ndërkohë që këtë viti ky edicion sjell dhe një risi tjetër që është që po organizohet në periudhën e dimrit, përkon me festat e dimrit”, theksoi Fino.
Fino u shpreh se, “për diasporën do të përdoren dy hashtag, përveç Colours of Albanians 2022, do të përdoret edhe diaspora shqiptare. Përtej kësaj në fakt motoja e konkursit këtë vit ka qenë “Gjurmë identitare”. Kjo është motoja e madhe, ndërkohë që ka nën tema të vogla çdo javë, është ndryshe. Në javën e parë që ka nisur ky edicion tema ka qenë peizazh dhe turizëm. Në këtë javë që jemi është portreti identitar dhe familja, dhe kështu ndryshon çdo javë deri më 17 shkurt”.
Sa i përket jurisë, Fino tha se, “kemi një juri prej 7 anëtarësh, që janë artistë profesionistë të spikatur. Është juri e përbashkët. Janë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës, Diasporës. Ata do të përzgjedhin 50 foto dhe videot përmbyllëse dhe në fund nga këto do të zgjedhin 6 foto dhe videot fituese”.
Juria përbëhet nga Elina Duni, Fadil Berisha, Arian Mavriqi, Alban Nimani, Andi Deliana, Ilir Kaso, Dardan Luta.
Sa i përket çmimeve, Fino tha se, “do të jenë çmimi i parë, i dytë dhe i tretë. Është çmimi i publikut i cili do të përzgjidhet nëpërmjet pëlqimeve në instagram. Kemi shtuar çmimin video më e mirë, duke marrë parasysh që këtë vit hyjnë dhe videot. Dhe është edhe çmimi i Diasporës, të cilit në bashkëpunim me IOM, do t’i dhurohet një aparat fotografik profesional”.
“Ceremonia përmbyllëse do të mbahet më 17 shkurt në Kosovë”, theksoi Fino.
“Fotot në fund do të përmblidhen dhe do të botohen në një album, i cili do të shpërndahet kudo në botë, në fakt nëpërmjet përfaqësive diplomatike të shërbimit të jashtëm të Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh Fino.
E pyetur për toponimet në hartat e Apple, Google, të cilat kishin vende, lumenj shqiptarë, por me toponime të huaja, Fino tha se, “janë ndryshuar disa prej tyre në fakt. Ka qenë iniciative e Ministrisë së Jashtme për këtë, duke dërguar letra, duke shtyrë, duke lobuar që të ndryshojnë, siç ka qenë rasti në Google dhe në Bing ka pasur raste të tilla. Edhe ajo është një tjetër iniciativë interesante”. / KultPlus.com
Pa shumë zhurmë dhe vetëm me familjarët e miqtë e tij, ka zbritur në aeroportin Nënë Tereza, nënkampioni dhe kampioni i botës në stilin e shkëputjes, Briken Calja. Rezultatet e tij në Tashkent të Uzbekistant ku po zhvillohet aktiviteti më i madh i peshëngritjes, ishin historike për të dhe për këtë sport në vendin tonë i cili ende prodhon modele dhe ngre flamurin kombëtar.
342 kg dhe 3 medalje botërore nuk kanë mbërritur më parë në venin tonë.
Ndërkohë trajneri i tij Gerald Toska tregon më tepër për pritshmëritë dhe se si shkoi kjo garë e fundit për vitin 2021.
Ashtu si në olimpiadë ku humbi medaljen për 1 kg edhe këtu titulli botëror, peshëngritësit nga Shtërmeni, i humbi vetëm për 1 kg.
Shqipëria në Botërorin e Peshëngritjes mori pjesë me 5 sportistë, ku Evangjeli Veli u rendit e katërta në një stil, Erkand Qerimaj i katërti i Botës në shkëputje shtytje dhe dy garësh dhe Briken Calja kampion bote në shkëputje, nënkampion bote në shtytje dhe dygarësh.
Tashmë pritet edhe gara e Daniel Godellit dhe Krenar Shorajt. / KultPlus.com
Leonardo DiCaprio ka thënë se shpreson që filmi i tij i ri ”Netflix”, ”Don’t Look Up”, do të hapë sytë e shikuesve ndaj kërcënimit të ndryshimit të klimës.
Fituesit 47-vjeçar të Oskarit iu bashkua aktorja, Jennifer Lawrence dhe shkrimtari-regjisori, Adam McKay për të biseduar rreth satirës, në të cilën politikanët, mediat dhe madje edhe qytetarët e zakonshëm nuk shqetësohen edhe aq shumë për këtë.
Megjithëse filmi fillimisht u frymëzua nga dështimet e liderëve botërorë për të ndërmarrë veprime më të mëdha për të luftuar kërcënimin e ndryshimeve shkatërruese klimatike, DiCaprio theksoi gjithashtu se sa mirë funksionon ”Don’t Look Up” si një alegori për refuzimin për të luftuar Covid-19, shkruan dailymail.
DiCaprio dhe Lawrence të dy luajnë në film si astronomë që zbulojnë një kometë me një probabilitet ”100 %” për të goditur Tokën dhe për t’i dhënë fund gjithë jetës.
Por, në një pjesë nga filmi, ata shihen duke debatuar për rëndësinë e aktrimit për të shmangur katastrofën, ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara (i luajtur nga Meryl Streep) i injoron ata nga frika se aktrimi do të dëmtojë prestigjin e tij.
“Sikur ky film të kishte një fund tjetër, nuk do të ishte historia ashtu siç është dhe ne nuk do ta heqim atë, por duhej të kishte këtë fund. Është një thirrje zgjimi. Është një orë alarmi”, është shprehur aktori.
Sipas tij nëse nuk do të kishte atë fund, nuk kishte asnjë mënyrë që ata të ishin pjesë e tij. / KultPlus.com
Enigma e një fotoje të shkrepur në Shkodër nga Marubët, më 16 shkurt të vitit 1938, lidhet me një ngjarje të rrallë, historike për kulturën. Është një foto ekskluzive në “çajin e profesorëve të Gjimnazit Shkodër”. Fotoja fillimisht është publikuar para pak kohësh nga e bija e Lasgush Poradecit, nxjerrë nga arkivi i poetit, ku ruhej prej 80 vjetësh.
Historia duket e thjeshtë: Asdreni, i plakur tashmë, po vinte për një vizitë në Shqipëri, i ftuar në Shkodër nga shoqëria e arteve të bukura “Rozafat”, të cilit iu bashkua edhe Lasgush Poradeci. Për nder të kësaj vizite u organizuan tri ditë festime. Shtypi i kohës e ka pasqyruar gjerësisht këtë ngjarje, udhëtimin e dy poetëve në Shkodër, duke u pritur “me shfaqje të nxehta simpatie e admirimi”. Para një publiku jashtëzakonisht të dendur, në sallën e kinema “Rozafat”, Atë Gjergj Fishta u dha mirëseardhjen dy poetëve toskë, duke mbajtur një fjalim të jashtëzakonshëm. Në fund: Përqafim patetik, me lot e fjalë ngashëryese nga Asdreni, duke prekur gjithë popullatën e mbledhur në nderim të tij.
Fotoja dhe kronika e ngjarjes publikohet në “Përpjekja” e Branko Merxhanit, si dhe në gazetën “Drita”, në këtë të fundit del një botim i posaçëm, me foton e rrallë të Fishtës gjatë ligjëratës për Asdrenin, të gjendur në Bibliotekën Kombëtare, bërë nga Marubët.
Në çajin e profesorëve të gjimnazit në Shkodër, shkurt 1938
Në grupin e të ftuarve që dhanë koncert, ishte edhe sopranoja Tefta Tashko Koço, si dhe pianistja Lola Aleksi, të dyja personalitete të kohës, të cilat, në nderim të Asdrenit, luajtën për herë të parë pjesë nga opera “Traviata”.
Shoqëria “Rozafat” ishte bujtësja e personaliteteve, e cila kishte 20 vjet jetë, dhe pak ditë para kësaj ngjarjeje kishte kremtuar 20-vjetorin e themelimit të saj, duke shënuar një rast unik në Shqipëri, për kontributin në artet e bukura, pothuaj në të gjitha fushat.
Por, nxitur nga përmbajtja e fotos, prej ku zbardhet kronika e kësaj ngjarjeje, një tjetër personazh historik, drejtor e mësues i gjimnazit të Shkodrës, Gasper Ljarja, bën një organizim të befasishëm duke nxjerrë në rrugë bandën e Shkodrës së asaj kohe, për të nderuar dhe për të pritur Asdrenin e Lasgushin. Këta dy poetë nuk ishin rastësisht së bashku në udhëtimin e Shkodrës. Çfarë dallon në këto marrëdhënie të viteve ’30, është vlerësimi dhe koshienca për vlerat e këtyre personaliteteve, duke i nderuar në kohë reale. Asdrenin dhe Lasgushin e lidhte një miqësi e jashtëzakonshme, ku njihemi se Asdreni e ka ndihmuar kur ai kishte vështirësi financiare gjatë studimeve në Austri, si rezultat i mosdërgimit të bursës.
Por viti kur Asdreni u ftua në Shqipëri, ardhur nga Bukureshti, me nismën e Koliqit, ministër Arsimi në këtë kohë, përkonte me kremtimet e 25-vjetorit të shtetit shqiptar, dhe ishte një kujdesje e posaçme e shtetit shqiptar për dy poetët.
Më poshtë botojmë të plotë kronikën e ngjarjes, çfarë ndodhi në kinema “Rozafa” më 1938, botuar në gazetën “Drita”, e përditshme nacionale, si një numër i posaçëm më 13 shkurt.
Çfaqje artistike për nder të vjershëtorit plak, z. Aleksandër Drenova
Shkodër, 13-Sikur e dini, kemi tash nji javë në mes t’onë atdhetarin e vjershtarin plak, zotin Aleksandër Drenovën (Asdren), i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë nji idhull (idol) i atdhetarëve, jo vetëm të Shkodrës, por i të tanë Shqipnis. Pse, jeta e Asdrenit, asht nji brilant qi shkëlqen madhnueshëm ndër virtyte e vepra atdhetarije, sikur e vërtetojnë botimet e tija krejt urti e flakë dashunije për atdhe. Qarqet e Shkodrës, pra intelektuale-patriotike, ndijnë nji gëzim të jashtëzakonshëm qi kanë pasun fatin e mirë t’i shohin syt e t’i ndigjojnë kuvendin këtij atdhetari letrar. Dhe kët gëzim e kënaqë të posatshme e provojnë prej se:
a) Asdreni qe ndër puntorët ma të parë të shvillimit t’ides kombëtare, asht nji veteran prandej në kuptimin ma të këthellë qi ka fjala;
b) Asdreni nderoi përherë secilën vepër qi qe në dobi t’atdheut pa u tërhjekë prej kurrnji pasioni dhe pa vështrue se çelsi a misjoni kishte në jetë ai qi e kryente;
c) Asdreni qëndroi përherë larg ndërlikimesh e kundërshtimesh të pjelluna përgjithësisht prej rase a nakari.
Në fund Asdreni, tërhjekë të gjitha zemrat e atdhetarëve të mirë e të drejtë, pse asht urtoja apo modestija e mishnueme.
Të gjitha këto arsye e shtynë Shoqnin e Hartëve të bukura të Shkodrës “Rozafat”, të bajnë të vetin dishirin e intelektualve dhe atdhetarve të qytetit t’onë për t’i çfaqun këtij patrioti letrar, me anën e njij manifestale publike e të çqueme, nderimin e miradijen për shërbimet qi i ka bamë kombësisë.
Edhe, të shtundën në mëngjes më 12 të këtij moji, mbas njij vendimi qi mirrte Këshilli i Shoqnisë “Rozafat” dhe pregatitjeve të para qi bante, i çpallte popullit të Shkodrës se, për nderë t’Aleksandër Drenovës, po ipte, në sallën e Kinemas “Rozafat” nji koncert me anën e orkestrës së saj, tue marrë pjesë edhe artistët shqiptarë, Zojushat Tashko e Aleksi. Çpallja njoftonte edhe se poeti kombëtar, At Fishta do të hapte çfaqjen artistike me nji ligjëratë të tij simpathije ndaj Mikut e çquem qi ka urdhnue në Shkodër.
Menjëherë pas kësaj çpallje, të gjitha lozhat, parterre dhe galeritë e kinemas “Rozafat”, u kaparuan. Në kohën kur po fillonte koncerti, s’kishte jo vend për të ndejun, por as nji pllambë shesh për të lëvizë. Publiku pothuej as frymë nuk mirrte me kaqë respekt e urti qëndronte. Të dukej sikur t’ishe në nji tempull e jo në nji sallë theatric. Vetëm, kur mërrijtën poetent Fishta, Asdreni, Lasgushi e Ernesti, për të cilët ish rezervue nji lozhë e posatshme pranë palkit, shpërthyen duertroktijet në të katër anët.
Çfaqja artistike nisi me marrjen e njij cope muzike prej anës s’orkestrës së Shoqnis “Rozafat” dhe, fill mbas kësaj, duel në palko At Gjergj dhe nisi ligjëratën nën heshtjen e plotë të publikut. Përkujtoi, ndër fjalët e tija të thjeshta, kohën e robnis e peripetit dhe andrrat e asaj kohe dhe shënoi shkurtazi veprat e ndryshme qi kanë krye ata qi u përpoqën për shvillimin e idealeve kombëtare, tue ramë edhe dëshmorë për ta.
Tha se këta ideale i ngjalli e i plazmoi fuqija e fjalës së shkrimtarëve e sidomos të poetenve kombëtarë dhe theksoji se nji prej këtyne asht Aleksandër Drenova, ai për të cilin po bahej ajo manifestatë prej anës së popullit shkodranë në shej nderimi dhe evarije. Shoqnis “Rozafat” qi kishte organizue kët çfaqje i drejtoj përgëzimet e tija dhe i uroi ditë përherë ma të mira për përparimin të kombit e lumni t’Atdheut e të Fronit. Duertrokitjet, mbas këtynë fjalve, plasën në të katër anët dhe vazhduen për nji kohë të gjatë.
Në kët moment, duel në palko Aleksandër Drenova, i cili, i prekun aqë thellë në zemër për çfaqjet qi iu drejtojshin, nuk muejti të nxjerrë fjalë prej goje, por përqafi me nji thjeshtësi At Gjergjin, përqafje qi ju këmbye po me at semplicitet, çka provokoi duertrokitje e enthusjasëm aqë të thekshëm në publik sa ishin asish qi nuk mbajshin lotët. Ky akt, duem me thanë përqafja e dy vjershtarve në palko, qe me të vërtetë pathetik e i madhnueshëm.
Mbasi mori nji copë tjetër orchestra, Ernest Koliqi, duel në palk me nji djalë të vogël, të nipin e dëshmorit Zef Harapit, të cilin e paraqiti tue thanë se do të lexonte nji vjershë patriotike t’Asdrenit nji prej aso vjershash qi ngallnuen axhen e tij për të dhanë jetën për atdhe. Leximi i vjershës provokoi duertrokitje tjera të zjarta e të parreshtuna.
Mbrapa mandej vazhdoi eksekutimi i copave t’orkestrës dhe të këndimit të Zojushës Tashko e përcjellun me piano prej Zojushës Aleksi.
Zojusha Tashko, sikur dy netë ma parë, tregoi nji aftësi të çqueme në këndim dhe zotnimin e njij zani të pastër dhe të shprehjeve lirike. Artistija e ynë u çfaq në naltësin e hartit të saj sidomos në këndimin e copës së Traviatës, Follie, Follie, të cilën e këndoi plot mjeshtëri e gjallni në fund të koncertit.
Gjithashtu, tregoi zotsi e shkathsi të çqueme në piano Zojusha Aleksi. Si sosi koncerti, z. Aleksandër Drenova, falenderoi publikun nga lozha ku kish zanë vend. Edhe ky e drejtoi përsëri duertrokitje dhe çfaqje nderimi ma të përzemërt e të nxehtë. Asdreni po vazhdon të vizitojë institutet kulturale të qytetit t’onë. Trupi i profesorave të gjimnazit shtetnuer e ftoi në drejtorin e shkollës dhe e gostiti me nji vermouth, ku morën në grup edhe nji fotografi kujtimi. /Violeta Murati/ KultPlus.com
Rita Ora ka folur sërish lidhur me vendimin e saj për ngrirjen e vezëve, proces ky që ajo tashmë e ka bërë dy herë, njëherë në moshën 24-vjeçare dhe së fundmi edhe në moshën 27-vjeçare.
Këngëtarja kosovare me famë botërore ka realizuar një intervistë së fundmi për prestigjiozen britanike “The Independent”, ku ka folur gjerë e gjatë për shumë gjëra, e me theks të veçantë për vendimin e saj që në të ardhmen të ketë fëmijë përmes procedurës In Vitro Fertilisation (IVF), me rekomandim të mjekut të saj.
Artistja 30-vjeçare ka thënë se dëshiron që në të ardhmen të ketë familje të madhe dhe të bukur, pasi sipas saj, në kulturën kosovare, të kesh fëmijë është qenësore.
“Do të doja të kisha një familje të madhe të bukur. Në kulturën kosovare, të kesh fëmijë është “ajo që është e rëndësishme. Dhe unë mendoj se si gra, ne e bëjmë atë presion mbi veten tonë, në mënyrë të pandërgjegjshme, sepse mendojmë se kjo është detyra jonë – të krijojmë dhe të japim jetë. Pra, thjesht doja të mos shqetësohesha për këtë. Dhe nuk e bëra, dhe ishte gjëja më e mirë që kam bërë ndonjëherë”, ka thënë Rita.
Independent derisa e përfol intervistën e Ritës, të realizuar në shtëpi dhe prani të familjarëve të saj, e thekson se e ëma Vera nuk është e pajtimit për atë që ka bërë këngëtarja.
“Pse? Pse”. Në Kosovë ne vetëm bëjmë fëmijë. Pse shpenzoni kaq shumë para për të pasur fëmijë. Nuk e kuptoj”, citon The Independent, Verën.
Gazeta thekson se lindja nuk është qëllimi i Ritës aktualisht, por se me ngrirjen e vezëve, këngëtarja kosovare ka dashur të sigurohet që edhe pas kalimit të moshës dhe rënies së cilësisë së vezoreve të saj, ajo do të mund të bëhet nënë, sapo të jetë e gatshme. / KultPlus.com
Një nga organet më të rëndësishme të shoqërisë “Dëshira” në Sofje është padyshim shtypshkronja e saj “Mbrothësia”, (rruga Car Simeon 60). Ajo lindi nga Kristo Luarassi dhe aktivistë të tjerë të shquar. Ishte ai që me ndihmën materiale e morale të “Dëshira” drejtoi me mjaft mjeshtëri shtypshkronjën. Për fat të keq, kompania nuk mund të përballojë një makinë shtypi në këtë kohë. Prandaj ai përdori lidhjet e ngushta me princin spanjoll Aladro Castrioti, i konsideruar si pasardhës i Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili iu përgjigj kërkesës së tij.
Në kryeqytetin Bullgar në shumicën e kohës kishte prezencë të intelektualëve të shquar shqiptarë si p.sh. Mit’had Frashëri më 1898 dhe Kolonia e Shahinit në vitin 1900. I pari krijoi “Ditërrëfenjësin” (Kalendari), i cili në vitin 1898 u quajt Kalendari Kombiar (Kalendari Kombëtar). Dhe e dyta – krijoi dhe botoi gazetën “Drita” në vitin 1901.
Të dyja u botuan në shtypshkronjën Mbrothësia të drejtuar nga Kristo Luarasi, i cili ia kushtoi jetën shtypjes së gazetave. Dhe pasi “Drita” e ndërpreu shtypjen, ajo u zëvendësua me “Lirija”. Teorikisht supozohej të ishte vazhdimi i saj, por devijon nga idetë e tij përparimtare dhe demokratike.
Nga viti 1909 deri në vitin 1911, ishte veçanërisht e njohur gazeta “Shqypeja e Shqypënisë”, organ i lirë politik, kulturor e letrar i Josif Bagerit; ajo u konfiskua disa herë nga qeveria turke për shkak të djegies së materialeve revolucionare në të. Gazeta është një nga gazetat shqiptare më progresive dhe më të mirëprogramuara ndonjëherë. Është e rëndësishme të thuhet se ajo është pothuajse gjithmonë në anën e duhur në lidhje me revolucionin kombëtar shqiptar. Kjo është kryesisht puna e Josif Bagerit.
Gazeta “Liria e Shqipërisë” (1911-1915) luajti një rol të madh në dy vitet e fundit të Rilindjes Shqiptare dhe ishte e lidhur ngushtë me lëvizjet revolucionare në vend. Ajo ishte e para që e shpalli Shqipërinë të pavarur më 28 nëntor 1912.
Gazeta “Drita” (dyjavore; 1901-1908) u bë përfaqësuesja më e shquar e shqiptarëve jashtë vendit, me figurat më aktive nga e gjithë Shqipëria. Në faqet e saj u ngrit ideja e një shkëputjeje të plotë nga Turqia, për një Shqipëri të pavarur.
Ndërsa “Kalendari Kombiar” është një enciklopedi e kohës; në të mund të gjeni fjalime patriotike, këshilla për zejtarët, fakte historike dhe folklorike, gjithashtu ka poetë dhe shkrimtarë të shquar hqiptarë.
Në faqet e tij mund të gjejmë poezi të Andon Zako Çajupit, Vashko Pasës, artikuj të Midhad Frashërit me pseudonimin Lumo Skando, atje, natyrisht, ka një kalendar me muajt dhe ditët e vitit; gjithashtu, një gjë shumë e rëndësishme – çdo botim i “Kalendarit Kombiar”, si dhe i gazetës “Drita”, shtypet me alfabetin e Stambollit , me të cilin kompania shkruante në atë kohë. Pothuajse në çdo artikull të “Kalendarit Kombiar” Lumo Skëndo u bën thirrje shqiptarëve të besojnë vetëm te vetja dhe të jenë vigjilentë.
Siç u përmend më herët, dallimet fetare në vetë themelimin e shoqërisë nuk janë kapërcyer. Mirëpo, kur “Kalendari Kombiar” filloi të shfaqej në secilin artikull të tij theksohej se shqiptarët kishin një gjak dhe nuk kishte rëndësi se cilit zot besonin. Prandaj, në 1899 në faqet e kalendarit është shtypur poezia e Pashko Vasës – “O, moj Shqypni”, nga e cila u ngrit parrulla për bashkim kombëtar, poezi të cilën po e risjell më poshtë.
PASHKO VASA
O moj Shqypni
O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë. Ke pasë shumë t’mira e begati, Me varza t’bukura e me djelm t’ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina, Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da. Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë. Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fè ca thonë kam din; Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër, E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë? Këtë nanë të dashtun a do ta lamë, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro! Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu, E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë Kush mos na e preki, se desim t’tanë Të desim si burrat që vdiqnë motit Edhe mos marrohna përpara zotit.
Shoqëria “Dëshira” dhe Shtypshkronja “Mbrothësia” kanë zhvilluar veprimtari të jashtëzakonshme politike, kulturore dhe arsimore gjatë gjithë ekzistencës së tyre. Sofja luajti rolin e një qendre të rëndësishme botuese të letërsisë shqipe në fazën e fundit të Rilindjes. Vetë vendndodhja e Bullgarisë në qendër të Ballkanit ishte padyshim në dobi të kolonisë. Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Nëpërmjet gazetave dhe artikujve, letrave dhe librave, mitingjeve dhe takimeve, por më së shumti në bashkëpunim me shoqëritë e tjera në Bukuresht, Stamboll, Kajro dhe Boston, mbrojti gjithmonë të drejtat e Shqipërisë dhe ndihmoi në çlirimin e popullit. Kërkesa kryesore për autonomi shqiptare brenda administratës turke herët a vonë është përmbushur. Siç u pa kjo ide u zhvillua më së shumti në gazetat “Drita”, “Shqypeja e Shqypënisë” dhe në pjesë të ndryshme të “Kalendarit Kombiar”, ku botoheshin shumë materiale letrare.
Nga Maria Ruseva, përktheu dhe përshtati “Diaspora Shqiptare” / KultPlus.com
Nëse nuk do të ishte postuar një video në faqen e Mrizit të Zanave ndoshta nuk do të kishim marrë vesh për gjestin e madh të kantautorit shqiptar Ermal Meta.
Mbrëmjen e djeshme ai ka dhuruar pajisje muzikore për vajzat e mitura në institucionin e përkujdesit Shtëpia Rozalba.
“Engjëj sikur Ermal Meta që ngrohin zemra sikur zemrat e @shtepia_rozalba , vajza të mitura që ndoshta nuk e kanë mundësinë ti kalojnë festat e fundvitit me familjen e tyre.
Ai djalë flori sapo dhuroi një kamion plot me vegla muzikore për të zbukuruar jetën këtyre zemrave Shqiptare
Faleminderit Ermal Meta, Ambasadorit Italian Fabrizio Bucci dhe zonjës së tij Carla, dhe uroj të marrin shembull VIPSAT Shqiptar!!”, shkruhet në postimin në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com
Një fotografi e rrallë dhe e papublikuar më herët në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.
Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.
Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com
Komuniteti i videolojërave është në zi për humbjen e një prej zhvilluesve më të hershëm, Masayuki Uemura, transmeton KultPlus.
Lajmin për vdekjen e tij e dha universiteti ku edhe ai ligjëronte, derisa Uemura konsiderohet si arkitekti kryesor i lojës së famshme “Nintendo”.
Uemura lindi në Tokio në vitin 1943 dhe u bë inxhinier elektrik. Në vitin 1972, ai u bashkua me Nintendo dhe së shpejti po punonte në lojën paraardhëse të hitit të hershëm “Duck Hunt”.
Në fillim të viteve ’80, ai kishte për detyrë të krijonte një tastierë shtëpiake për të rivalizuar Atari, dhe presidenti i Nintendo i kërkoi Uemura-s të krijonte një lojë duke përdorur fishekë.
Rezultati ishte Famicom, shkurt për “kompjuter familjar”, i cili u riemërua NES kur u shfaq në tregun amerikan në 1985 me një çmim prej rreth 150 dollarë.
Sistemi i Zbavitjes Nintendo u përhap në Shtetet e Bashkuara më 1985 dhe më pas u bë senzacion botëror me mbi 60 milionë kaseta të shitura në nivel global, duke i dhënë famë botërore një kompanie që më parë prodhonte lodra dhe letra tradicionale japoneze për lojë. /KultPlus.com
Mehmet Kraja zgjedh “Rapsodi të një poeme arbëreshe” të Jeronim De Radës si një nga librat që nuk duhen humbur pa lexuar nga letërsia shqipe. Duke e quajtur një vepër pertej artit, Kraja na fton në një lexim ndryshe të De Radës. Më poshtë shkrimtari vjen me 10 sugjerimet e tij nga letërsia shqipe.
Jeronim De Rada, “Rapsodi të një poeme arbëreshe”:
Për mendimin tim, njëra nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe. Kjo vepër e De Radës pa të drejtë është zhvendosur nga letërsia në histori, pra është shtyrë disi matanë artit, është kthyer në data, në fusnota, në shënime bio-bibliografike dhe nuk sugjerohet si vepër për lexim. Arsye për këtë mund të ketë qenë gjuha, por vepra ka kohe që është rikënduar dhe, pranë tekstit origjinal, mund të shijohet edhe në këtë formë. Kjo vepër i qëndroi kohës për shkak të motiveve, të cilat, njësoj si tërë letërsia antike, shprehin raportet themelore të njeriut me enigmat kryesore të jetës e të ekzistencës. Së dyti, “Rapsoditë…” i bën art të lartë dendësia e madhe e figurave, që nuk shtrihet vetëm në rrafshin e gjuhës, por në shumicën e rasteve është qenësi e ligjërimit. Një prurje e veçantë e kësaj vepre është tematika kalorësiake dhe aristokrate, e cila për shkak të rrethanave historike, nuk do të përsëritet më në letërsinë shqipe.
Ndre Mjeda,“Juvenilia”:
Ndre Mjeda është mjeshtër i madh i sonetit shqip, i papërsëritshëm në letërsinë shqipe, një skalitës i jashtëzakonshëm i vargut. Mjeda është klasik i letërsisë shqipe; poezia e tij është një monument letrar i gdhendur në mermer. Pa të drejtë është lënë disi në harresë, duket për shkak të rivalitetit të françeskanëve me jezuitët, përfshirë edhe supozimin cinik se Mjeda u njoh edhe në kohën e diktaturës, ndërsa Fishta u anatemua. Pavarësisht se konsiderohet dialektore, poezia e Mjedës është model i mbarë vargimit shqip, sepse ajo shpërfaq, njeh dhe bashkon në një të përbashkët vlerat tingullore të fjalës me vlerat e saj kuptimore figurative, që është ideali më i lartë i poezisë. Poezia e Mjedës mund të lexohet edhe sot me ëndje, nëse mënjanohen disa paragjykime.
Ernest Koliqi, “Tregtar flamujsh”:
Është njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës sonë, që ndikoi në bashkëkohësimin dhe emancipimin e letërsisë shqipe. Proza tregimtare e përmbledhjes “Tregtar flamujsh” e Koliqit u shkrua në një kohë qetësie shpirtërore të shqiptarëve dhe ajo reflekton gjuhë të emancipuar, jetë të stabilizuar shoqërore, kulturë qytetare dhe mendim kritik. Mendoj se është mbivlerësuar ndikimi i letërsisë italiane në këtë krijimtari të Koliqit, sepse ai shfaqet i asimiluar, njësoj si letërsia perse te Naimi, apo ajo rumune te Lasgushi. Në këtë pikë proza tregimtare e Koliqit nuk përbën ndonjë përjashtim. Nëse duhet bërë vërejtje gjuhës së Koliqit, kjo nuk lidhet me dialektizmin e thellë të leksikut të tij, sepse ai i përshtatet ambientit, por më shumë me sllavizmat e paasimiluara që gëlojnë në ndonjërën nga këto proza.
Mitrush Kuteli, “E madhe është gjëma e mëkatit”
Është vepra më e arrirë e Mitrush Kutelit dhe njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe. Në këtë prozë të Kutelit subjekti rrëfimor është vendosur në një kontekst fetar. Në një kuptim më të gjerë, rrëfimi është ndërtuar i mbështetur fort te situata biblike e “Këngës së këngëve” të Solomonit. Por motivi biblik është bartur në kohë dhe hapësirë, ashtu siç bëhet zakonisht në raste të këtilla. Vetëm se, kur bëhet fjalë te ne për misticizmin, në etër sikur ndihet njëlloj refuzimi, kështu që kjo mund të jetë një nga arsyet përse kjo prozë e Kutelit nuk ka arritur t’i vërë nën hije veprat e tjera të këtij autori, veçmas ato me tematikë sociale, ndonëse artistikisht është vepra e tij më e arrirë. Mistikja e shndërruar në situatë jetësore, kjo është veçoria themelore e kësaj proze. Gjuha e Kutelit në këtë prozë është model, se si koineja lokale ngrihet në nivelin e tekstit të kultivuar artistik. Ajo është gjuhë që krijon drejtpeshim të fuqishëm ndërmjet tekstit dhe kontekstit.
Petro Marko, “Qyteti i fundit”:
Romani më i mirë i Petro Markos dhe njëra nga veprat më të mira të prozës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Shquhet për subjekt të zgjedhur dhe për guxim krijues, sepse romani edhe për nga tema, edhe për nga metoda krijuese del në anën tjetër të skemës, duke sfiduar ideologjinë dhe njërën nga shtyllat e saj, realizmin socialist. Petro Marko në këtë roman merret me pasojat e luftës, duke dalë “në anën tjetër”, pra në kampin e atyre që e kanë humbur luftën. Dhe aty gjen drama të mëdha, fate të përmbysura, jetë që marrin rrjedhë tragjike. Pavarësisht se autori ndjek me konsekuencë vijën e qartë antifashiste, duket sikur në shumicën e rasteve rrëfimi i del “jashtë kontrollit” dhe bie në “grackën” e humanizmit. Edhe në pikëpamje të metodës letrare ndodh e njëjta gjë: romani për mrekulli iu shpëton shtrëngesave të realizmit socialist. Një përpunim artistik i shkrimit do të mund ta bënte veprën më të qëndrueshme në kohë.
Ismail Kadare, “Kronikë në gur”:
Është kryevepra e Kadaresë dhe njëra nga kryeveprat e letërsisë shqipe, roman që del jashtë skemës letrare të këtij autori dhe përvojës letrare shqipe në përgjithësi, kryesisht përmes një diskursi narrativ thellësisht përpunuar dhe përmes shpërfaqjes së një bote, e cila qëndron në kufijtë e ëndrrës dhe realitetit, të mitit dhe legjendës në njërën anë dhe historisë dhe bëmave reale në anën tjetër. Vepra mbështetet mbi rrëfimin retrospektiv dhe të sublimuar të “fëmijërisë së botës” për luftën në përgjithësi dhe për Luftën e Dytë Botërore në veçanti. Është një rrëfim i sinqertë, jashtëzakonisht poetik dhe i ç’idelogjizuar për një dramë njerëzore përmasash të mëdha, e cila, në një vend të vogël nxjerr në pah fate njerëzish të një realiteti të çuditshëm, gati të përmbysur dhe fantastik. Është roman jo tipik për luftën, që sublimon dije dhe kulturë letrare, roman që i tejkalon përvojat individuale dhe bëhet përvojë e shkrimit letrar e një koineje pothuajse universale. Romani disa herë është klasifikuar nder njëqind romanet më të mirë letërsisë evropiane të shekullit XX.
Azem Shkreli, “Poezi”:
Është njëri nga poetët më të mirë të letërsisë bashkëkohore shqipe, figurë e fuqishme integruese e letërsisë shqipe: poezia e tij, për aq sa lexohet dhe analizohet, funksionon pa dallim në mbarë hapësirën letrare shqiptare. Është poezi kryekëput meditative, me shtresime të thella kuptimore dhe me shprehje të kultivuar gjuhësore dhe artistike. Heroi lirik i poezisë së Azem Shkrelit nuk është as kosovari dhe as shqiptari pasionant dhe euforik, por shqiptari racional, meditativ. Ky hero lirik asnjëherë nuk bëhet pjesë e turmës, pra nuk është hero kolektiv, përkundrazi, është individualist i fuqishëm, që mediton për tema të përjetshme si liria, qëndresa, dashuria, vdekja etj. Poezia e Azem Shkrelit përdor gjuhë dhe shprehje të kursyer dhe shquhet për gjetje origjinale në fushën e figurës poetike. Vepra letrare e Azem Shkrelit ka tiparet e njeriu të urtë, që mediton shumë dhe flet pak.
Ali Podrimja, “Lum Lumi”
Të paktë janë librat e poezisë si “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, që mbeten në vëmendje të lexuesit për një kohë kaq të gjatë, jo me ndonjë poezi, me ndonjë varg, me ndonjë motiv apo metaforë, por libri si tërësi. “Lum Lumi” vazhdon të jetë në vëmendje të lexuesit dhe të studiuesve të letërsisë. Ai u bë libër-emblemë i poezisë shqipe, një libër i veçantë, që shënon një kthesë me modernitetin e shprehjes, me emancipimin përmbajtësor, me një gërshetim jashtëzakonisht të suksesshëm të shprehjes së kultivuar dhe subjektit me referenca krejtësisht të qarta kuptimore. “Lum Lumi” është liria e panënshtruar për të shprehur dhembjen, është liria për të ndjerë, është liria për të vuajtur, është liria për të klithur, është liria për të thënë atë që ndjen. Për ta bërë “Lum Lumin” Ali Podrimjes iu desh shumë dhembje dhe po aq fjalë-figura dhe shprehje të gjetura. Në këtë libër elokuenca poetike e Podrimjes njeh depërtime të jashtëzakonshme.
Zija Çela, “Gjysma e Xhokondës”:
Njëra nga veprat më të rëndësishme në opusin e krijimtarisë së Zija Çelës, për mua e veçantë, sepse, bashkë me romanin “Gjaku i dallëndyshes”, hap fazë të re të krijimtarisë letrare të këtij autori dhe manifeston qëndrueshmëri në tranzicionin e vështirë letrar të periudhës pas realizmit socialist në letërsinë e Shqipërisë. Me këtë roman Zija Çela bëhet model i frymës së re në prozën shqipe, e cila konsiston në përvetësimin kreativ dhe selektiv njëkohësisht të pluralizmit të shkollave letrare, duke ruajtur drejtpeshimin ndërmjet zërit të vet origjinal dhe kërkesave në rritje të lexuesit shqiptar. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë që nuk arritën të ecnin në hap me kohën dhe me zhvillimet e saj dinamike, me këtë roman Çela bëhet autor që letërsinë e tij e vendos në raporte komunikimi dhe konkurrence me prozën bashkëkohore kontemporane, sepse, nga njëra anë, ai sublimon arritjet e mëdha të prozës së shekullit XX në ndërtimin e fakturës tekstore dhe të prosedeut, ndërsa, nga ana tjetër, me tematikën e veprave të tij qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, duke u bërë jehonë pësimeve dhe dilemave të saj.
Vath Koreshi,“Ujku dhe Uilli”:
Pavarësisht se konsiderohet roman me tezë të paravendosur, ku e mira dhe e keqja kanë fatin e paracaktuar, ky roman i Vath Koreshit shënon një sukses të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe pas kthesës së madhe të viteve ’90. Romani është një dëshmi se letërsia shqipe, pas shkërmoqjes së realizmit socialist, kishte potencial të brendshëm të rigjenerohej, veçmas romani, dhe të njihte depërtime të reja subjektore dhe gjuhësore. Romani është i rëndësishëm, sepse hap shtigje dhe ofron njërin nga variacionet e “ritregimit” të historisë, ndryshe nga ç’ishte rrëfyer historia deri atëherë: romani është histori ngjarjesh dhe rrethanash, por më shumë është histori lirike e dashurisë dhe pasionit, e vuajtjes dhe mbijetesës. Megjithëqë që sërish të skematizuar, autori i nxjerr personazhet nga skema ideologjike dhe i vendos në kufizime të tjera, duke bërë me dije se liria e vërtetë nuk ekziston, se ajo ka kufizime të tjera ekzistenciale, filozofike dhe botëkuptimore. Më anë tjetër, me këtë roman autori bën kërkime dhe depërtime gjuhësore të rëndësishme në nivel të prozës sonë romanore./MapoLetrare /KultPlus.com
Jakup Ferri do ta përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venecias 2022, shkruan KultPlus.
Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka konfirmuar këtë lajm, derisa Ministri Hajrulla Çeku e priti në takim dhe i ofroi mbështetje të plotë.
Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, Çeku përsëri përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, i ka uruar suksese Ferrit.
“Përgëzime për Jakupin, mbarësi në këtë detyrë të rëndësishme. Republika jonë sërish do të pushtojë majat e artit botëror”, ka shkruar ai mes tjerash.
Jakup Ferri është përzgjedhur në mesin e 12 artistëve që aplikuan në thirrjen publike të Ministrisë së Kulturës. /KultPlus.com