‘Një djalë i vogël fshihet sonte diku, në një bodrum të Kievit’

Poezi nga Nerimane Kamberi

Requiem për paqen

Kur nata binte mbi Luginë,
nana merrte birin tonë,
katër vjet ende s’i kishte,
“Eja, në darsëm po shkojmë”,
darsëm të heshtun, pa daulle e pa valle,
në bodrumin e kushërinjve,
zhurmë bënin vetëm bombardimet
mbi Kosovë.
Lufta te dera e shpisë kishte mbërri,
ne, ata, të gjithë, kishim ikur nga kufiri në kufi.
Sot, nana nuk rron më,
Bindi u rrit, u bë burrë, në Paris u feju.
Një djalë i vogël fshihet sonte diku,
në një bodrum të Kievit
toka dridhet, edhe ai dridhet, në prehrin e gjyshës.
Fotot e agjencive, të njëjtat sikur para njëzet e tri vjet,
Refugjatë, kolona, zjarr e gjak në kryeqytet.
Darsmat plot trishtim nuk ndalen, luftat nuk ndalen,
se të çmendurit nuk ndalen. / KultPlus.com

Akademiku Bardhyl Golemi, fitues i “Çmimit të karrierës” për vitin 2021

Akademia e Shkencave ka shpallur fitues të “Çmimit të karrierës” për vitin 2021 akademikun Bardhyl Golemi, në mbledhjen e asamblesë që u mbajt sot.

Akademik Golemi u vlerësua me motivacionin: “Personalitet me veprimtari intelektuale universitare dhe akademike gjurmëlënëse brenda dhe jashtë vendit për mbi gjashtë dekada; anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1999; i shquar për studimet e tij themeluese me rëndësi bazale në fushën e inxhinierisë elektrike dhe elektronike; autor i katër monografive dhe gjashtë teksteve universitare që u kanë shërbyer e u shërbejnë për më shumë se një gjysmë shekulli dhjetëra brezave studentësh e studiuesish; me një rol të dukshëm cilësor në drejtimin e qendrave dhe organizatave shkencore prej njësive bazë deri tek Komisioni Kombëtar i UNESCO-s; duke ushtruar me sukses funksione të larta në administratën shtetërore dhe institucionet shkencore; i vlerësuar në botën shkencore jashtë vendit dhe i përfshirë në borde të tribunave shkencore të njohura; fitues i mirënjohjeve të larta qytetare në nivel kombëtar”.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, në pamundësi të pranisë fizike në mbledhjen e asamblesë të akad. Golemit, për arsye shëndetësore, i dorëzoi çmimin të bijës, Mirela Golemit.

Akad. Golemi në përshëndetjen drejtuar Akademisë së Shkencave, tha se puna e akademikëve ngrihet mbi shpatullat e pararendësve, por duke vënë re zhvillimet e fundit në Akademinë e Shkencave ka ndjerë një kënaqësi të veçantë për arritjet e shumta. /atsh/KultPlus.com

NATO aktivizon 40 mijë ushtarë, hera e parë që Aleanca përdor këto forca të gatishmërisë

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, NATO ka aktivizuar Forcën e saj të Reagimit prej 40 mijë ushtarësh, ku mijëra prej tyre janë nga Amerika.

Gjatë muajve të fundit, aleatët e NATO-s dhe partnerët evropianë kanë mbetur të bashkuar në kundërshtim me kërcënimet kundër paqes dhe sigurisë në Evropë.

Në përgjigje të pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë, Aleanca ka rreshtuar në mënyrë operacionale forcat e saj detare, tokësore, ajrore, hapësinore dhe kibernetike për të mbrojtur sovranitetin e NATO-s.

“Me planet e reagimit të miratuara nga Këshilli i NATO’s dhe në përputhje me mjedisin në zhvillim të sigurisë, ne tani po përdorim elemente të Forcës së Reagimit të NATO-s”, thuhet në komunikatën e Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).

Ky është një moment historik dhe hera e parë që Aleanca përdor këto forca të gatishmërisë së lartë në një rol parandalues ​​dhe mbrojtës. Ato përfaqësojnë një forcë fleksibël, të besueshme luftarake, e cila mund të përdoret në mënyra të shumta duke përdorur plotësisht shkathtësinë e tyre të qenësishme.

Këto masa parandaluese janë të kujdesshme dhe rrisin shpejtësinë, reagimin dhe aftësinë për të mbrojtur një miliard qytetarët që janë betuar t’i mbrojnë.

“Ne u jemi mirënjohës aleatëve tanë, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara për angazhimet e tyre të fundit për të vendosur një shtesë prej 7,460 trupash, duke përfshirë një ekip luftarak të brigadës së blinduar, njësi artilerie, një fregatë detare dhe aeroplan vëzhgimi, për të mbështetur këtë përpjekje të gjerë të Aleancës”, thuhet tutje në komunikatë.

“Ndërsa NATO vendos këtë vigjilencë të shtuar në krahun lindor të Aleancës, forcat ushtarake aleate do të qëndrojnë dhe do të ushtrojnë për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë tonë. Ushtarët, marinarët, avionët dhe marinsat tuaj janë gati për të mbrojtur çdo metër të territorit aleat. Ne e admirojmë guximin dhe këmbënguljen e Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe qytetarëve në mbrojtjen e vendit të tyre”.

Tutje thuhet se aleanca mbetet e palëkundur në angazhimin kolektiv për të mbrojtur njëri-tjetrin.

“Duke ecur përpara, ne jemi të përgatitur të shfrytëzojmë të gjitha forcat tona për të mbrojtur Aleancën”./ KultPlus.com

Nisja e shqiptarëve për në luftë

Poezi nga Ismail Kadare

U nisën për luftë, ,,bënë tutje”,
Pa fjalë të mëdha e pa këngë,
Me opingat me xhufka të kuqe
Si me zjarre të vegjël mbi këmbë.

Ikën larg që të gjenin armikun.
Çdo armik, në çdo breg, që ta gjesh.
Kaq të thjeshtë luftën e kishin,
Sa që ,,tutje” e quanin thjesht.

Në çdo anë që të ecnin, patjetër
Do t’u dilte diku midis shqotës,
Ajo ishte për ta pjesë e jetës,
Ish përmasa e katërt e botës.

Dhe kur binin në prille a në vjeshtra
Nëpër brinja të shtrirë, nëpër lugje,
Si me zjarre të vegjël të përjetshëm
Era loste me xhufkat e kuqe. / KultPlus.com

Sygma via Getty Images

Kosovari i ngujuar në Ukrainë: Jam i sëmurë dhe s’mundem me u largu, le të më shpëtojnë fëmijët

Kosovari Bashkim Buxhovi ka mbetur i ngujuar në një bodrum në Kiev, teksa kanë nisur bombardimet ruse në Ukrainë.

Buxhovi, në “Info Magazine”, tha se bombardimet ruse janë duke ndodhur shumë afër vendit ku po qëndron bashkë me gruan dhe vjehrrën, teksa dy fëmijët e tij janë nisur drejt Polonisë mëngjesin e sotëm.

“Unë me gruan dhe vjehrrën jemi në Kiev. Mirëpo, vajza ime dhe djali veçse janë nisur për rrugë. Për mua është me rëndësi që ata të shpëtojnë dhe të dalin përtej kufirit, pasi nga Kievi deri në kufi janë rreth 700 kilometra. Ata e kanë shumë të vështirë të dalin përtej kufirit, pasi deri atje ka shumë pengesa”.

“Ata janë nisur në mëngjes, më kanë lajmëruar më herët që janë 200 kilometra larg nga Kievi, por kanë shumë rrugë për të bërë”.

“Bombardimet janë duke vazhduar dhe po ka bombardime të forta. Shumë afër meje janë tanket ruse duke luftuar me ukrainasit dhe të njëjtit janë duke u bërë ballë. Kievi është i rrethuar dhe rusët janë duke u munduar që në çdo mënyrë të depërtojnë në të gjitha anët – por ukrainasit janë duke rezistuar dhe është duke u bërë një luftë e madhe”.

Tutje, Buxhovi tha se meqë është i sëmurë kronik, e ka të pamundur që të largohet nga Kievi, për atë edhe është ngujuar në një bodrum, teksa deklaron se për të është e rëndësishme vetëm t’i shpëtojnë fëmijët.

“Unë jam i sëmurë kronik dhe e kam shumë të vështirë të largohem, për atë nuk kam mundur të udhëtoj dhe jemi duke qëndruar në një bodrum. Për mua ka rëndësi vetëm që fëmijët të më shpëtojnë”, tha Buxhovi. / KultPlus.com

Ambasada Amerikane në Prishtinë: ShBA-të dhe Kosova qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën

Nga Ambasada e Amerikës në Prishtinë kanë thënë se qëndrojnë krah Ukrainës pas fillimit të agresionit të Rusisë ndaj këtij shteti, përcjell KultPlus.

“Edhe në ditët më të errëta, dritat tona shkëlqejnë si një”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në rrjetin social Twitter.

Po ashtu më tutje në postim thuhet se ShBA-të dhe Kosova qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën.

“Populli ukrainas ka njohur 30 vjet pavarësi dhe ka treguar vazhdimisht se nuk do të tolerojë askënd që përpiqet ta kthejë vendin e tyre prapa. Shtetet e Bashkuara dhe Kosova qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën”, thuhet në postim. / KultPlus.com

Rusia është përjashtuar nga Eurovision 2022

Pas deklaratës së djeshme se nuk do ta përjashtojnë Rusinë nga Eurovizioni, meqë është garë kulturore dhe s’ndërlidhet me politikën, Unioni Evropian i Transmetuesve sot ka marrë vendim që të mos lejojë pjesëmarrjen e Rusisë në Evrovizionin e këtij viti.

EBU ka njoftuar se asnjë këngë ruse nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e këtij viti.

“Bordi Ekzekutiv i EBU mori vendimin pas një rekomandimi më herët sot nga organi drejtues i Eurovision Song Contest, ‘Grupi Referues’, bazuar në rregullat e ngjarjes dhe vlerat e EBU,” tha organizata në një deklaratë sot.

“Vendimi pasqyron shqetësimin se, në dritën e krizës së paprecedentë në Ukrainë, përfshirja e një pjese të Rusisë në konkursin e këtij viti do ta çonte konkurrencën në reputacion. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së vlerave të një konkursi kulturor që promovon shkëmbimin dhe mirëkuptimin ndërkombëtar, bashkon audiencën, feston diversitetin përmes muzikës dhe bashkon Evropën në një skenë.”

Organizatorët e ‘Eurovision Song Contest’ ishin goditur me një sërë kërkesash për të ndaluar Rusinë të konkurronte në konkursin e këtij viti.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një komunikate për media EBU, duke treguar se një gjë e tillë është bërë me rekomandim të organit drejtues të Evrovizionit, në pajtim më rregullat dhe vlerat e EBU-së. / KultPlus.com

MKRS: Rexho Mulliqi është ndër të parët krijues të këngës korale, si autor i simfonisë së parë shqiptare në Kosovë

Sot është mbajtur ceremonia përkujtimore për nder të kompozitorit Rexho Mulliqi, me ç’rast Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka cilësuar kompozitorin si njërin ndër krijuesit e traditës muzikore profesioniste në Kosovë, përcjell KultPlus.

“Mulliqi mbetet kompozitori më i madh që ka dhënë Kosova dhe njëri ndër krijuesit më të mëdhenj të muzikës artistike në botën shqiptare”, ka shkruar MKRS-ja.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e tyre të plotë:

Në kujtim të jetës dhe veprimtarisë së kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Rexho Mulliqi, në 40 vjetorin e tij të vdekjes, është organizuar sot ceremoni përkujtimore nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku u mbajt ceremonia morën pjesë personalitete të shumta politike, akademike e artistike, drejtues të institucioneve qendrore të kulturës dhe trashëgimisë si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Për jetën dhe krijimtarinë e kompozitorit Mulliqi folën drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, kompozitor – dirigjent dhe muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica. Po ashtu u realizuan dy pika artistike nga krijimtaria e kompozitorit Mulliqi, “Baresha” të cilën e interpretoi në violinë Arsim Gashi, dhe “Nji lule” nga sopranoja Urta Haziraj, të cilat u shoqëruan në piano nga prof. Valton Beqiri.

Rexho Mulliqi është njëri ndër krijuesit e traditës muzikore profesioniste në Kosovë. Ai është ndër të parët krijues të këngës korale, si autor i simfonisë së parë shqiptare në Kosovë, i së dytës në muzikën e gjithëmbarshme shqiptare, përfshirë edhe Shqipërinë.

Mulliqi mbetet kompozitori më i madh që ka dhënë Kosova dhe njëri ndër krijuesit më të mëdhenj të muzikës artistike në botën shqiptare. / KultPlus.com

Protestohet para Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë, kërkohet ndalja e luftës në Ukrainë

Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), ka protestuar sot pranë Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, për të shprehur shqetësimin për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, përcjell KultPlus.

Në njoftimin e kësaj organizate u bëhet thirrje akterëve ndërkombëtar, organizatave të shoqërisë civile, organizatave paqeruajtës dhe të vendeve demokratike që të angazhohen urgjentisht për paqe dhe stabilitet.

“Si shoqëri kemi përjetuar vet efektet shkatërrimtare të luftës, pasojat e së cilës vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot, andaj bashkë-ndjejmë me njerëzit në Ukrainë për vuajtjet e tyre në këtë kohë shumë të vështirë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Njoftimi i plotë:

#STOPluftësnëUkrainë

Sot protestuam bashkë me qytetarë të Kosovës pranë Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, për të shprehur se shoqëria dhe shteti ynë qëndron kundër pushtimit të Ukrainës nga Federata Ruse.

Si shoqëri kemi përjetuar vet efektet shkatërrimtare të luftës, pasojat e së cilës vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot, andaj bashkë-ndjejmë me njerëzit në Ukrainë për vuajtjet e tyre në këtë kohë shumë të vështirë.

U bëjmë thirrje të gjithë akterëve ndërkombëtarë, organizatave të shoqërisë civile, organizatave paqeruajtëse dhe të gjitha vendeve demokratike që të angazhohen urgjentisht për paqe dhe stabilitet si dhe më së rëndësishmi mbrojtjen e të drejtave themelore të civilëve. / KultPlus.com

Mos qesh me fatin e tjetrit

Poezi nga Leonardo Da Vinçi

Digjej qiriu në heshtje e tretej,
Çdo minut e më i vogël mbetej.

Jepte ç’kishte më me vlerë, jetën,
që njërzit të shikonin të vërtetën.

Flaka shkëlqente e hidhej në mure,
ndriçonte, skuta e konture.

Tallej me qirinë, që zbehej, tretej,
flaka nga gazi qeshte sa mekej.

Kur nata po i afrohej mëngjesit,
e jashtë dëgjohej kënga e këndezit.

Qiriu, ç’kishte nga shpirti e dha,
dhe nga jeta pa bujë u nda.

Por ç’ndodhi ? Bashkë me ikjen e darkës,
vdiq dhe drita dhe mburrjet e flakës./ KultPlus.com

Përkujtohet Rexho Mulliqi, Rudi: Ndonëse Rexhoja nuk krijoi shumë vepra, rëndësia e tyre është e shumëfishtë

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Filarmonia e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës sot kanë përkujtuar kompozitorin e njohur shqiptar, Rexho Mulliqi, në 40-vjetorin e vdekjes së tij, përcjell KultPlus.

Në këtë ceremoni ku u kujtua jeta dhe vepra e Mulliqit u përmendën edhe bashkëpunimet e tij me shumë artistë të njohur.

Ceremonia e moderuar nga Dardan Selimaj dhe Rreze Kryeziu, u pasurua edhe me interpretimin e dy veprave të autorit Mulliqi e që janë ‘Me lule’ dhe ‘Baresha’.

Muzikologja Rreze Kryeziu para të pranishmëve ndajti disa nga momentet kyqe të jetës dhe veprimtarisë së Rexho Mulliqit.

“Pjesë përbërëse e gjeneratës së parë të kompozitorëve shqiptarë është pikërisht kompozitori Rexho Mullaj. Së bashku me kompozitorin Lorenc Antoni, jetuan dhe kompozuan në kohën e ish-Jugosllavisë, kur Kosova kishte fituar autonominë brenda Jugosllavisë. Megjithatë, kishte edhë momente brenda kësaj periudhe kur artet filluan kultivimin e tyre si dhe u ngritën institucionet universitare e performuese profesionale të ndryshme” – thotë Kryeziu duke shtuar se Mulliqi njihet si pionier i muzikës artistike në Kosovë jo vetëm për faktin se kanë krijuar bazat modern te një krijimtari muzikore por edhe për bartjen e përvojave nga puna me amatorë në këtë fushë, përcjell KultPlus.

“Ai është përfaqësues i identitetit kulturor kombëtar të Kosovës, tek i cili inspirimi nga folklori vërehet të jetë prezent në veprat e tij, por gjithmonë I trajtuar në suazat e hapësirave të tjera krijuese evropiane. Nga moduset e veprimtarisë së përbashkët në relacionin folklor-kompozitor, relacioni I tij është me karakter dhe shfaqet me përfshirjen e idiomës folklorike në gjuhën e tij.” – vazhdon ajo.

Më pas, solistja Urta Haziri dhe kompozitori Valton Beqiri sollën një interpretim të pashoq të këngës ‘Një lule’.

Ndonëse në këtë ceremoni mungoi profesor Rafet Rudi, u lexua fjala e tij për kompozitorin Rexho Mulliqi, të cilin ai e cilëson si nismëtar të muzikës artistike te ne.

“Ndonëse Rexhoja në kohën kur i bënte hapat e parë në krijimtari, nuk ka mundur plotësisht të jetë në korrent me aktualitetet muzikore në botë, për shkak të jetës së varfër muzikore që ekzistonte atëherë këtu, megjithatë, ai kishte njohje më tepër të veprimtarisë së kompozitorëve ‘stilistikisht të përmbajtur’, sesa të atyre ‘radikalistëve’ të tipit të treshit vjenez. Kurse, ishte krejtësisht larg muzikës së postvebrnistëve të kohës, të cilët ai i konsideronte ‘kundërshtarë ideologjikë’.” – thuhet në fjalimin e tij të lexuar nga Dardan Selimaj.

Në këtë fjalim u përmend edhe jeta muzikore në Kosovë pasi Rexho Mulliqi u kthye nga Beogradi, ku studioi në degën e kompozimit.

“Pasi u kthye, Rexhoja gjeti një nivel shumë të ulët të jetës muzikore këtu te ne, sidomos në lëmin e muzikës artistike, mungonin ansamblet muzikore, orkestrat, instrumentistët, mungonte jeta e gjallë muzikore që do të nxisnin kureshtjen e tij për kombozimin e veprave ambizioze”-  thuhet në vazhdim në këtë fjalim.

Ndonëse, Rexho Mulliqi  nuk shkroi shumë vepra, Rafet Rudi vlerëson se rëndësia e tyre është e shumëfishtë.

“Rexhoja krijoi vepra të rëndësisë së tillë, që për këtu te ne ato shënojnë fillet në disa gjini. Përmes veprës së tij, kontribuoi dukshëm në formimin e një stadi të caktuar të identitetit të muzikës artistike te ne. Muzika e tij, e cila mbështetej gjithmonë në folklorin e kësaj treve, bëri një hap të madh përpara në krijimin e një muzikë autoktone.”- përfundon fjalimi i kompozitorit Rudi.

Si përfundim, kompozitori Valton Beiqiri dhe violinisti Arsim Gashi interpretuan këngën ‘Baresha’, e që konsiderohet një prej kryeveprave të kompozitorit Mulliqi./ KultPlus.com

Fituesi rus i çmimit Nobel për Paqe thotë se ndihet i turpëruar për situatën në Ukrainë

Gazetari rus dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov, ka thënë se ai dhe kolegët e tij janë “të pikëlluar” për pushtimin.

Dmitry Muratov, i cili redakton gazetën “Novaya Gazeta”, një nga pak botimet e pavarura të mbetura të Rusisë, thotë “Ashtu si pikëllimin, ne po përjetojmë edhe turpin”.

Ai akuzon Putinin se po luan me një buton bërthamor sikur të ishte një çelës kyçi i një makine të shtrenjtë dhe pyet “Çfarë më pas – një goditje bërthamore?”.

“Unë nuk shoh ndonjë interpretim tjetër të fjalëve të Vladimir Putin për “një armë ndëshkimi””, tha ai.

Muratov fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2021 si mirënjohje për luftën e tij për lirinë e shprehjes në Rusi .

Vajza e Roman Abramovich kundër Putin

Sofia Abramovich, vajza e pronarit të Chelseas, Roman Abramovich, godet në Instagram “propagandën e Kremlinit” që pretendon se “shumica e rusëve qëndrojnë me Putinin” mbi vendimin e tij për të bërë luftë në Ukrainë.

Babait të saj dhe Presidentit të skuadrës nga Londra, Roman Abramovich do t’i ndalohet të jetojë në Britani, pasi që konsiderohet si një nga 35 oligarkët që e mbështesin presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, përcjell GazetaBlic Sport.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar vajzën e tij që të dal me një deklaratë kundër Putinit. Ajo në postimin e saj la për të kuptuar se është kundër tij dhe se Rusia nuk është në mbështetje./KultPlus.com

Kineastët ukrainas i bëjnë thirrje botës të mos heshtë

Një numër kineastësh ukrainas kanë ndarë frikën dhe mendimet e tyre me komunitetin ndërkombëtar dhe po i kërkojnë botës të veprojë, shkruan Cineuropa, përcjell KultPlus.

Rusia sapo ka nisur një luftë të plotë kundër Ukrainës dhe profesionistët ukrainas të filmit po i drejtohen komunitetit ndërkombëtar në një përpjekje për ta bërë atë të kuptojë se sa afër portave të saj është lufta.

Regjisorët kanë folur për luftën në Ukrainën Lindore në filmat e tyre gjatë tetë viteve të fundit, filma që janë prezantuar në festivale të ndryshme, edhe pse tani, realiteti është dëshmuar të jetë më i fortë se fiksioni.

Regjisorët ukrainas i bëjnë apel publikut ndërkombëtar që të mos heshtë dhe të mos qëndrojë mënjanë. Ata po kërkojnë ndihmë dhe veprime të caktuara që mund të ndihmojnë Ukrainën të rifitojë paqen.

Oleh Sentsov, Valentyn Vasyanovych, Maryna Er Gorbach, Anna Machukh, Nataliia Vorozhbyt, Iryna Tsilyk, Nariman Aliev janë kineastët që po i kërkojnë botës përmes postimeve të ndryshme të mos heshtin për ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë. /KultPlus.com

Agresioni rus ndaj Ukrainës, Formula 1 anulon Çmimin e Madh të Rusisë

FIA ka njoftuar se i ka hequr Rusisë të drejtën për të pritur një Grand Prix të Formula 1 për sezonin e ardhshëm.

Organizata tha se “është e pamundur të mbahet Çmimi i Madh i Rusisë në rrethanat aktuale”, thuhet në një deklaratë.

“Kampionati Botëror i FIA Formula 1 viziton vendet në mbarë botën me një vizion pozitiv për të bashkuar njerëzit, duke bashkuar kombet,” thuhet tutje.

“Ne po i shikojmë zhvillimet në Ukrainë me trishtim dhe tronditje dhe shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë dhe paqësore të krizës aktuale.”

Të enjten, një nga pilotët më të suksesshëm të sportit, kampioni i botës katër herë Sebastian Vettel, tha se do të refuzonte të konkurronte në garë nëse ajo shkonte përpara, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Lëvizja vjen pasi organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, njoftoi se i kishte hequr qytetit rus të Shën Petersburgut të drejtën për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve 2022./ KultPlus.com

‘Më plak mërzitja që vetmia më sjell’

Poezi nga Migjeni

Vetmia

Më plak mërzitja
që vetmia më sjell;
përbuzja, urrejtja
të gjith sendet m’i mbështjell
që kam shumë anmiq
të liq
në këto sende pa shpirt,
Nuk flasin.
As sy s’kanë.
Po mue më bahet
se aty janë
vetëm që të më plasin
zemrën.
Së paku, të më shajnë:
I mallkuem!
Së paku, të anë tallin:
I uruem!
Së paku, të më këndojnë:
-I yni zot!
Ose të më thonë:
– Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në kët vetmi me ndigjue.
Ose të më tregojnë historinë
e tyne, autobiografinë:
ndoshta ty do gjej gjasim
mejeten tcme pa tingëllim
që në vetmi po e kaloj –
dhe s’po dij a rroj e s’rroj.
Sendet heshtin. – sa të pamëshirë!
Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,
pse gojë s’kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më plasin
zemrën teme që po vuen
dhe në mërzi vetveten truen./ KultPlus.com

Ministrja Margariti përkujton Bernardin Palaj: La pas një trashëgimi të vyer folklorike

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi sot Bernardin Palaj, folklorist, poet dhe historian, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”.

“Homazh folkloristit, poetit e historianit Bernardin Palaj, që na la pas një trashëgimi të vyer folklorike”, tha Margariti.

Bernardini lindi më 2 tetor 1894 në një familje me origjinë nga Shllaku. Vdiq në burgun e Shkodrës më 2 dhjetor 1946.   Mësimet e para dhe të mesme i mori në shkollën françeskane në Shkodër, ku u thirr nga Zoti për rrugën e meshtarisë në Urdhrin e Fretërve të Vegjël. Pas mbarimit të shkollës së mesme, u nis për studime në Graz të Austrisë, ku kreu filozofinë e teologjinë dhe u shugurua meshtar.

U kthye menjëherë në Atdhe, ku filloi veprimtarinë meshtarake e kulturore, duke shërbyer si famullitar ndër fshatrat e vendlindjes. Krahas veprimtarisë meshtarake, nisi të mblidhte thesaret e krijimtarisë gojore të popullit, gojëdhëna, këngë, doke, zakone. Atë Bernardinit i takon merita e pamohueshme e mbledhësit të parë të epikës legjendare shqiptare. Është ai që, së bashku me sivëllaun françeskan, Atë Justin Rrotën, i dhuroi kulturës shqiptare një nga brilantet më të ndritshëm: përmbledhjen e parë të Këngëve të Mujit e të Halilit. Ishte viti 1939 kur përmbledhja “Kangë kreshnikësh e legjenda” pa për herë të parë dritën e shtypit.

Botoi shumë shkrime në shtypin kishtar të kohës, posaçërisht në “Hyllin e Dritës” e në “Zanin e Shëna Ndout”, por edhe në gazetën “Tomori”. Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare që më 1940. Ka botuar edhe librat “Prej burgut të jetës”; “Vorreve të flamurit”, “Kuq e zi, “Mite, besime, legjenda” (ribotuar pak vite më parë në Kosovë); “Kanuni i maleve” etj.

Palaj si poet përfaqësohet me një mori krijimesh, ndërmjet të cilave poema “Valët e një shpirti” që përmban 1533 vargje.

Vdiq në burg, para se të “gjykohej” më 2 dhjetor 1946 sepse u mbajt lidhur me tela dhe vdiq nga tetanozi; vuante edhe nga sëmundje zemre./atsh/ KultPlus.com

“Nuk dua të vdes”, fëmija në Ukrainë rrëqeth me deklaratën: Kur do mbarojë e gjithë kjo (VIDEO)

Ukrainasit u zgjuan mëngjesin e sotëm dhe kuptuan se dita e mëparshme nuk ishte thjesht një ëndërr e keqe. Një numër i madh shpërthimesh të forta ranë nëpër Kiev në agim dhe sirenat e sulmit ajror u dëgjuan vazhdimisht në rrugë. Kjo ka bërë që qytetarët të marrin gjërat nga banesat e tyre dhe të largohen nga Kiev-i.

Brenda pak orësh ata u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për të gjetur një strehë të sigurt dhe për t’i shpëtuar sulmit rus. Fëmijët e vegjël dhe të moshuarit janë në dëshpërim e duke qarë para kamerave që i filmojnë, nga frika e vdekjes.

Videot që po transmetohen në rrjetet televizive në mbarë botën janë shokuese. Një shembull tipik është ai i transmetuar nga Bloomberg, i cili tregon një fëmijë nga Ukraina me lot në sy duke thënë: “Nuk dua të vdes”.

Në një video tjetër nga Mariupol, një grua nuk di ku të shkojë për t’u shpëtuar. “Ku të shkojnë; “Më thuaj ku të vrapoj”, thotë ajo me frikën e pikturuar në sy.

Bota nga sytë e grave, ‘Tre dimra’ shfaqet në Teatrin Metropol

Problemet e shoqërisë moderne, duke vëzhguar botën nga këndvështrimi i grave është tema që përcjell vepra “Tre Dimrat”, që do të shfaqet në Teatrin Metropol.

E shkruar nga autorja kroate Tena Stiviçiç, vepra ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar.

Aty gërshetohen tri periudha historike të tranzicionit që ka kaluar Kroacia, diktatura, ardhja e demokracisë dhe rrugëtimi drejt BE-së, ngjarjet që lidhen natyrshëm me realitetin shqiptar.

Me ndërhyrjen e kohës, që vijnë në të njëjtën skenë nga aktorë të ndryshme, regjisorja Rozi Kostani sjell tri netë të gjata dimri, në tri periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve dhe jetën e personazheve.

Gratë e forta dhe guximtare, në skenë interpretohen nga aktoret e mirënjohura si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Elia Zaharia, ndërsa Marjeta Ljarja ngjitet në skenë për herë të parë pas 15 vitesh.

Siç thotë autorja, kjo vepër është një udhëtim, bashkë me faktorët personalë dhe politikë që qëndrojnë pas këtij udhëtimi, që drejtojnë komplotin e “Tre dimrave”.

Shfaqja, që çel sezonin e ri artistik në Teatrin Metropol, do të ketë premierën në datat 24-27 shkurt, në orën 19:00./ KultPlus.com

50 vjet nga publikimi i pjesës së parë të filmit ‘The Godfather’

Kompania e njohur kinematografike amerikane, “Paramount Pictures”, organizoi një festë për të përkujtuar një prej kryeveprave të saj, filmin “Kumbari” ose “The Godfather”, 50 vjet nga shfaqja e parë e tij.

Coppola bëri me dije se nuk e imagjinonte kurrë se një ditë do të ishte duke festuar 50-vjetorin e “Kumbarit”, sidomos në studiot e “Paramount”, ku ai dhe filmi morën jetë.

Ndërsa aktorja Talia Shire, që interpreton Connie Corleone, u shpreh se kishte pasur më besim tek filmi se vëllai i saj. “Më duhet të them se Francis Coppola është regjisori më i mirë i planetit. Ai vuri shpirtin e tij në këtë film dhe unë ndihem krenare që jam këtu për të festuar arritjen e tij”, tha ajo.

Gjysmë shekulli nga premiera, një version i ripërpunuar i filmit që rrëfen epopenë e mafias siçiliane në Amerikë do të shfaqet këtë fundjavë në kinematë botërore dhe në platformat elektronike muajin e ardhshëm./ KultPlus.com

Sean Penn në Ukrainë për të filmuar dokumentar mbi pushtimin rus

Aktori Sean Penn është në terren në Ukrainë, duke bërë një dokumentar për sulmin rus, konfirmuan sot nga Vice Studios për revistën Variety, pasi Rusia filloi një sulm në shkallë të plotë ndaj fqinjit të saj.

Ylli fitues i çmimit Oscar dhe aktivisti humanitar, për një kohë të gjatë u shfaq në një konferencë shtypi nga qeveria ukrainase në Kiev sot, duke dëgjuar zyrtarët e qeverisë duke folur për krizën që shumë liderë botërorë po e quajnë konfliktin më të keq në Evropë që nga viti 1945.

Penn vizitoi më parë Ukrainën në nëntor të vitit 2021 për të hulumtuar rreth filmit. Vizitat e tij me ushtrinë ukrainase u dokumentuan nga shërbimi i shtypit i operacionit të forcave të përbashkëta ukrainase, i cili postoi foto të takimeve në rrjetet sociale në atë kohë.

Sipas Newsweek, Penn mbërriti në Kiev në fillim të kësaj jave dhe u takua me zëvendëskryeministren Iryna Vereshchuk, si dhe me gazetarë vendas dhe anëtarë të ushtrisë.

Zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, lëshoi ​​një deklaratë përmes ambasadës ukrainase, në lavdërim të aktorit dhe regjisorit, i cili “erdhi posaçërisht në Kiev për të regjistruar të gjitha ngjarjet që po ndodhin aktualisht në Ukrainë dhe për t’i treguar botës të vërtetën për pushtimin e vendit tonë nga Rusia”.

“Sean Penn është ndër ata që e mbështesin Ukrainën sot në Ukrainë. Vendi ynë i është mirënjohës për një shfaqje të tillë guximi dhe ndershmërie”, thuhet në deklaratën e përkthyer.

Aty gjithashtu thuhet se Penn “po demonstron trimërinë që u ka munguar shumë të tjerëve, në veçanti disa politikanëve perëndimorë. Sa më shumë njerëz të tillë – miq të vërtetë të Ukrainës, që mbështesin luftën për liri – aq më shpejt mund ta ndalojmë këtë pushtim të tmerrshëm nga Rusia”.

Kjo nuk është hera e parë që artisti e vendos veten në qendër të një krize. Aktori 61-vjeçar drejtoi dokumentarin e vitit 2020 të Discovery Plus, ‘Citizen Penn’, rreth procesit të krijimit të Përpjekjes së Ndihmës së Organizuar nga Komuniteti, ose Core, jofitimprurëse, pas tërmeteve shkatërruese në Haiti në vitin 2010. Core gjithashtu ndihmoi në vendosjen e ekipeve për testime dhe vaksinim për COVID-19 gjatë pandemisë.

Në janar të vitit 2016, Penn publikoi një intervistë ekskluzive – dhe shumë të diskutueshme – me mbretin meksikan të drogës, Joaquín “El Chapo” Guzmán, në revistën Rolling Stone; Udhëtimi i fshehtë i Penn për ta vizituar liderin e kartelit Sinaloan, i cili u arratis nga burgu në vitin 2015, kontribuoi në arrestimin e tij nga autoritetet meksikane.

Artisti më vonë tha se kishte ndjerë “keqardhje të tmerrshme” që intervista dhe artikulli i tij prej 10 mijë fjalësh nuk e arritën qëllimin e vërtetë të ndryshimit të bisedës për luftën kundër drogës./ KultPlus.com

OBSH: Çfarëdo përshkallëzimi mund të rezultojë me katastrofë humanitare në Evropë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësim për emergjencë të mundshme shëndetësore në Ukrainë, pas pushtimit rus.

“Ndërkohë që konflikti përhapet në Ukrainë, Zyra për Evropën e OBSH-së përsërit shqetësimet më të thella për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë civilëve që preken nga kriza në këtë shtet dhe ndoshta edhe më tej”, ka thënë Zyra për Evropën e OBSH-së, duke shtuar se përshkallëzimi i situatës mund të rezultojë me katastrofë humanitare.

“Çfarëdo përshkallëzimi mund të rezultojë me katastrofë humanitare në Evropë, duke përfshirë edhe viktimat, por edhe dëme në sistemet veçse të brishta shëndetësore”, ka thënë mes tjerash ky institucion.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë është duke punuar afër me partnerë të Kombeve të Bashkuara për t’u përgjigjur ndaj krizës shëndetësore të nxitur nga konflikti, duke mbrojtur stafin tonë dhe duke zvogëluar pengesat për dërgimin e shërbimeve të nevojshme shëndetësore”, është thënë në deklaratë.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit./ KultPlus.com

Përkujtohet në përvjetorin e lindjes Preng Doçi, abati i Mirditës

Shkuri është muaji përkujtimor i abatit të Mirditës, imzot Preng Doçit. Largpamësia dhe urtësia e shquanin kollajshëm në radhët e qarqeve klerikale këtë figurë krenarisht shqiptare, që sikurse plazmohet nga tregimtarja, Edith Durham, “ngrinte duart me kryelartësi dhe entuziazëm drejt qiellit mrekullisht të kaltër” në viset e epërme të vendit tonë.

Dom Preng Doçi e ka ushtruar dëshirëplotë meshtarinë. Imzot Doçi u pri nga shëmbylltyra e meshtarëve të zellshëm dhe atdhetarë, e për këtë frymë të paujdisshme devocioni, pësoi heqjen e lirisë edhe në mërgim. Në lartësinë e prelatit, udhëhoqi Abacinë që iu besua, si edhe nuk reshti duke kontribuar në çështje themelore për kombin.

U lind në shkurt të vitit 1846 në lagjen e Parasporit, në afërsi të luginës së Bulgrit, e ndodhur në rrjedhën e poshtme të lumit të njohur të Fanit. Pikëtakimet e para me mjedisin kishtar i patën koordinatat në rezidencën ipeshkvnore të Lezhës, ku do të qëndronte deri në përfundim të shkollës fillore. Në vitin 1856, në moshën 14-vjeçare, kreu Seminarin Papnor të Shkodrës. Rezultatet e lëvdueshme do ta shpinin në vitin 1861 për të marrë formim teologjik në Kolegjin Urban të Romës.

Pas mbarimit të studimeve, u caktua famullitar në Korthpulë. Ishte një prej organizatorëve të kryengritjes së viteve 1876-1977 të mirditasve kundër pushtuesve osmane. Qe pikërisht ky zhvillim që çoi në pezullimin e shërbimeve të tij meshtarake. I gjendur në këto rrethana, u shtrëngua të largohej nga vendi, por në rrugën e arratisë, u zu rob nga ushtarë turq në Vuthaj të Gucisë.

U dërgua në burgun e Stambollit, ku arriti lumturisht të kontaktojë me patriarkun katolik të atjeshëm, Stefan Azarjan, i cili mundësoi me orvatjet e tij lirimin nga burgu të Doçit, me kushtin që të largohej nga territori i Perandorisë Osmane. Prej këtej, imzot Doçi u vendos në Romë, ku mori miratimin e Selisë së Shenjtë për t’u nisur me mision drejt “Tokës së Re”, Amerikës. Kësisoj, në vitin 1877, qe shqiptari i parë që shkeli kontinentin e ri.

Megjithatë, vijonte të ngulmonte për një kthim sa më të afërt në atdhe. Kështu, pas kërkesave të pareshtura, më 6 nëntor 1888, mundi të kthehej në vendlindje me detyrën e abatit të Abacisë “Nullius” të Mirditës, ku shërbeu për 28 vjet. Imzot Doçi ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot dokumentin ku paraqitet fermani i sulltan Abdyl Hamidit, për emërimin e Doçit si peshkop i Mirditës./atsh/ KultPlus.com

40 vjet nga vdekja e kompozitorit Rexho Mulliqi

Sot shënohet 40-vjetori i vdekjes së kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Rexho Mulliqi, përcjell KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës dhe Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, organizojnë ceremoninë përkujtimore në shënim të 40 vjetorit të vdekjes së kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Rexho Mulliqi.

Ceremonia do të mbahet të premten në ora 14:00, në sallën e koncerteve, Departamenti i Artit Muzikor, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës./ KultPlus.com