Vendet e NATO-s do të dërgojnë përforcime për të ndihmuar Ukrainën

Tre anëtarë të NATO-s kanë njoftuar se do të dërgojnë përforcime për të ndihmuar Ukrainën në betejën e saj kundër Rusisë, shkruan CNN, përcjell KultPlus.

Republika Çeke u zotua të shtunën që do të dërgojë një armë në Ukrainë me vlerë mbi 8.5 milionë dollarë në një “vend të zgjedhur nga ukrainasit”.

“Qeveria ka miratuar një dërgesë armësh në Ukrainë. Ne po dërgojmë mitralozë, automatikë, pushkë snajper dhe pistoleta dhe municionet e tyre përkatëse me vlerë 188 milionë CZK”, shkroi në Twitter kryeministri çek Petr Fiala. /KultPlus.com

Ish-miss Ukraina në frontin e luftës: Duart larg Ukrainës

“Larg duart nga Ukraina”, u bëri thirrje ajo rusëve.

– Antasiia Lenna

Miss Ukraina 2016, Anastasiia Lenna njoftoi në rrjete sociale se mbështet Ukrainën dhe i bëri thirrje shtetit të Rusisë që të largojnë duart nga Ukraina, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në “Instagram” ajo përdori fjalët kyçe Stand With Ukraine (Unë mbështes Ukrainën) dhe Hands Off Ukraine (duart larg Ukrainës).

Lenna nuk është pa eksperiencë në armë, pasi ka konkurruar disa herë në gara që kanë të bëjnë me gjuajtje. /KultPlus.com

Pas sanksioneve ndaj Rusisë, Szunyog falënderon Kurtin për rreshtim krah BE-së

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Szunyog ka falënderuar qeverinë e Kosovës rreth rreshtimit të saj krah BE-së për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

“Faleminderit Albin Kurtit dhe qeverisë së Kosovës për pozicionin e juaj të qartë politik dhe rreshtimin me paketën e sanksioneve të BE-së në lidhje me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës”, ka shkruar Szunyog në “Twitter”.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten një pako me sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës. /KultPlus.com

Popullit tim

Poezi e shkruar nga Esad Mekuli.

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue
që me këngë të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun
të ngrej fuqitë prej gjumit…
Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)
se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.
Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhunë,
n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,
mbi forcë të bashkimit mbarë:
mbi vrullin tand të mëshehun
-unë, biri yt dhe-poeti.
Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,
ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-
pse për liri-me tjerë
ke dhanë dhe ti
djers e gjak si etnit.
Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-
kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa
pranga mbeti,
me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’
-unë, biri yt besnik dhe-poeti./KultPlus.com

Qeveria u bën thirrje qyetatërevë të mos panikohen: Ka rezerva të mjaftueshme të miellit

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati kanë siguruar qytetarët e Kosovës se ekzsiton furnizim i mjaftueshëm me miell për tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm, shkruan KultPlus.

Përmes një konference për shtyp, Murati dhe Hajdari treguan është garantuar furnizim i mjaftueshëm nga Shoqata e Mullistëve.

Gjatë ditëve të fundit është shtuar panika se mund të ketë një mbyllje ose rritje e çmimit të miellit për shkak të luftës që po ndodhë në Ukrainë.

Qeveria përmes ministrave ka bërë thirrje që qytetarët të mos panikohen. /KultPlus.com

Klitschko i bën thirrje botës të veprojë: Në një orë ose nesër do të jetë vonë (VIDEO)

Ish-kampioni i peshave të rënda në boks, Vladimir Klitschko përmes një video i ka bërë thirrje “të gjithë botës”, që lufta që Rusia ka nisur të ndalet, përcjell KultPlus.

Përmes një video të publikuar në “Twitter”, ai ka filluar fjalimin duke i bërë thirrje botës që të ndalen lufta, të cilën Rusia e ka nisur.

“Civilët u qëlluan me raketa, me operacione speciale që vriten civilë dhe kjo po ndodh në zemër të Evropës”.

Ai ka shtuar tutje se nuk ka kohë për të pritur pasi kjo do të çojë në një katastrofë humanitare.

“Duhet të veproni tani për të ndaluar agresionin rus me gjithçka që mund të keni, tani”, ka thënë Vladimir, pasi sipas tij në një orë ose nesër do të jetë tepër vonë.

KultPlus iu sjell edhe videon e publikuar nga Klitschko: /KultPlus.com

“Gjysmën e natës e kalova me këngën “Dal-ngadalë po vjen behari”

Fragment nga “Dashuria kuantike e filanit” e Adem Demaçit

Gjysmën e natës e kalova me ecejake, por jo tash duke kënduar këngën e mjerë “Moj hapsane”, por këngën “Dal- ngadalë po vjen behari”… Kur lodhesha sa nuk më mbanin dot këmbët, shtrihesha mbi dërrasat e trapazanit dhe bëja gjumë derisa më zgjonin dridhmat e pakontrolluara të zemrës e të trupit nga të ftohtët… Natën e kalova, copa-copa, një rend ecejake, një rend kllapa mbi trapazan, një rend dridhma të shfrenuara nga të ftohtët. Kështu, deri në mëngjes…  / KultPlus.com

‘Po t’jemi bashkë ne të dy, do t’na shikjojnë me zili’ (VIDEO)

Në kohën e diktatures, çdo krijim duhej ti nënshtrohej kërkesave të asaj periudhe, andaj, edhe këngët cungoheshin deri në atë masë që shpeshherë deformoheshin nga origjinalja.

Kënga e famshme “Kur perëndon dielli”, me tekst të Zef Lekajt e muzikë të Leonard Dedës, është një ndër këngët që ka pësuar ndryshime.

Kjo këngë, tashmë njihet më shumë me titullin ”Po të jemi bashkë ne të dy”, mirëpo në versionin e saj origjinal kënga titullohet ”Kur perëndon dielli”, shkruan KultPlus.

Leon Lekaj, djali i Zef Lekajt, ka publikuar versionin e parë të kësaj kënge, që për dhjetëra vite është kënduar me versionin ashtu si e ka kërkuar koha.

KultPlus ju sjell videon e kësaj këngë të realizuar në vitin 1960, nën intepretimin e Lucie Milotit dhe Xhevdet Hafizit.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Mbeta gjithë ditën hijeve
Se m’than nën hije rri
Etjen e shova krojeve
Krojeve ku pin ti

Flaka ju raft-o hijeve
Qi s’mujtën me m’freskue
Turbullt asht uji krojeve
Se etjen s’ma kan shue

Po t’jemi bashk’ ne të dy
Do t’na shikjojn me zili
E do t’na flasin në sy
Sa duhemi un’ e ti. /
KultPlus.com

Ministri Çeku: Dy ditë në Vjenë, takime të dobishme për fuqizimin e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Austrisë

Ministri Çeku ka qëndruar për dy ditë në Vjenë ku ka mbajtur disa takime për fuqizimin e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Austrisë, përcjell KultPlus.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Dy ditë në Vjenë, takime të dobishme për fuqizimin e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Austrisë.

Së bashku me Ambasadorin e Kosovës në Austri, Lulzim Pllana takuam dy deputetët e Parlamentit Federal Austriak, Martin Engelberg dhe Carmen Jeitler-Cincelli. Patëm një diskutim shumë produktiv për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve të kulturës të Kosovës dhe Austrisë.

Po ashtu pata kënaqësinë të takohem me Andrea Mayer, Sekretare e shtetit në Ministrinë Federale për Art, Kulturë, Shërbim Civil dhe Sport. Bashkë diskutuam për intensifikimin e bashkëpunimit me fokus të veçantë në fushën e institucioneve të kulturës, muzeve dhe rritjen e shkëmbimit kulturor përmes artistëve të pavarur në Kosovë dhe Austri./ KultPlus.com

Filozofia çlirimtare në romanin ‘Gjarpinjtë e gjakut’ të Adem Demaçit

Nga: Rexhep Ahmeti

Se romani “Gjarpinjtë e gjakut” i Adem Demaçit, është specifik, shumë origjinal, i pjekur, roman metaforë (sipas strukturës estetike) shprehë edhe fakti se brenda tekstit të kësaj vepre madhore nuk kemi asnjë shenjë të jashtme (përmendje, emërtim) të kohës së Rankoviqit, kur u shkrua ky roman. Një kontekst jashtë tekstit romanor është fakti i botimit të këtij romani më 1958, në numrat 1 dhe 2 të Jetës së re, mu në kohën më të rëndë të pasluftës së dytë botërore për shqiptarët që jetoni në trojet e veta në ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ). Por edhe pse është kështu, romani ka bërë një pasqyrim të brendshëm artistik, psikologjik e filozofik të kohës në të cilën u shkrua.

Të hyjmë paksa në atmosferën e kohës, përmes metaforës së vet këtij romani: [i]“Jo-atyre që janë trima të ngrejnë gishti e krimit, por atyre që janë burra të shtrijnë dorën e pajtimit…. ” [1][/i]

Ky mendim bosht i romanit, kjo filozofemë estetike apo ide hyrëse, udhëheqëse e romanit, që në këtë vepër më së shumti i shkon, personazhit të Mustafës, i cili i ngjan vet autorit Adem Demaçit, të shpie më tutje, të parashikosh se në roman do të flitet për një kohë kur ka pasur “trima” të krimit, që në këtë vepër mohohen e luftohen artistikisht, dhe “burra që shtrijnë dorën e pajtimit”, që, natyrisht, se në roman vlerësohen si pjesë e zgjidhjes, apo si thurje e gardhit të së mirës së përgjithshme, ose si kundërvënie ndaj “ortekut të gjakut” (figurë artistike, ndër më qendroret e romanit) të asaj kohe të çmendur, për mohimin e së cilës, në roman, instalohet ideja çlirimtare që ata që janë “trima të ngrenë gishtin e krimit”, të ndryshojnë shpirtërisht, të dalin nga “gërzholja e vet” (figurë letrare ndër qendrore e romanit); ndërsa ata që janë burra të drejtohen e të orientojnë edhe të tjerët kundër, kryekrimit, pushtuesit të vendit, që në roman shënjohet alegorikisht me Turqinë, po lexuesi e ka kuptuar dhe e kupton-Serbinë okupatore, si pjesa kryesore të zinxhirit të RSFJ-së për Kosovën.

Që në faqen e parë të romanit shprehet atmosfera e një kohe të rëndë, me vapë tharëse, edhe pse është “fillimi i korrikut”, ku shqiptarët në ish-Jugosllavi e kishin merituar të korrnin rezultatet e pasluftës së dytë botërore, edhe në shtetin e AVNOJ-it, pasi, edhe atëherë kishin qenë faktorë çlirues kundër fashizmit. Autori vazhdon të na jep përshkrimi artistik të kohës:

[i]”Fillim i korrikut. Dielli derdh nxehtësinë duke përcëlluar çdo gjë nën vete. Bucina buzë Përroit të Thatë, në Koliq, është bërë pothuajse tokëllinë, e rrjepcuar nga bari, duket si lëkura e lopës së zgjebosur….fijet e rralluara të barit kanë humbur çehren e blertë. Të verenikura, të zverdhura, i janë katrrithur tokës vetëm për një pikë ujë, e cila, edhe vetë skamnore, vetëm ua tregon buzët e veta të Shkrumbuara dhe të plasaritura. Këto fije, që përkunden kalamendshëm nën puhinë e plogët të paradites, u ngjajnë do krijesave të dobëta, të cilat, të teshura në shpirt, rrinë të zdërvajura përdhe dhe me shikim të drejtuar kah kupa e qiellit thuase thonë: Ujë, o qiell! Ujë, një pikë ujë, se edhe forcat e fundit po na rrejnë!…O, baba diell! Veç një shi na duhet që të ngihemi ujë, veç edhe një e pastaj syri yt përvëlues saç i kuq t’u bëftë. “ [2][/i]

Këtu, pra përshkruhet vapa ekzistenciale, në të cilën edhe “Bucina…është bërë tokllinë“ dhe në këtë tokë pjellore të jetës së shkelur nga hasmi hasmi “fijet e barit…u ngjajnë do krijesave të dobta… i janë katrrithur tokës vetëm për një pikë ujë….. ” Dhe jo vetëm elementet e jetës “fijet e barit të…. zverdhura”, që është alegori për një shumicë njerëzish që robëria i bënë krijesa të dobëta “të teshura në shpirt”, të cilat kërkojnë liri, artistikisht, në roman kërkojnë ujë: ”Ujë, një pikë ujë, se edhe forcat e fundit po na rrejnë!…E toka “e cila, edhe vetë skamore, vetëm ua tregon buzët e veta të Shkrumbuara dhe të plasaritura”. Pra edhe vetë jeta, vetë ekzistenca, vetë koha e robërisë, shënjohen me figurën e tokës me ”buzët e veta të Shkrumbuara dhe të plasaritura”. E në atë kohë kur u shkrua romani kishte aq shumë, vuajtje, shkrumb, etj, ngushtësi psikologjike, madje edhe egërsi (ujqëri) gjarpri, dhelpëri, tragjedi sa që edhe qielli [i]“ habitet me atë se si çdo gjë mbi tokë pret që ky të mëshirohet, lut që ky t’ia plasë vajit, që pastaj të gëzohet dhe të lahet me lotët e tij të dëshpërimit. “ [3] [/i] Kohën e robërisë e shënjon në këtë roman edhe prania e madhe e vajit, sikur “çdo gjë mbi tokë”, pra e tërë jeta, ekzistenca, dëshiron të derdh lot e të lahet në lotët e saj. E sidomos këtë e dëshirojnë personazhet e këtij romani, “të cilat, të teshura në shpirt”, kërkojnë shi, liri, butësi, dalje nga gëzhoja në të cilën, sikur i ka vënë dikush, por që nuk mund ta dinë saktë, ndaj edhe djali e bënë çështje mënyrën e të folurit, komunikimit, qoftë edhe me babai e vet (Mustafa me të atin Sejdiun):

[i]”-E, pra qitash, bablok, mue m’ hupi krejt filli!…Ti je kahë flet me mua, qysh po m’doket, veç me dorza: me do ortiqe, me do lepuj, me do buba, e u hiç nuk po muj me e marr vesh kët punë!… Po fol pak ma açik kallxomë edhe diçka tjetër! -S’di me folë ma açik se qishtu!… Çka t’vye ty me ditë ma shumë sen?… “ [4][/i]

Pra, jeta e tillë, robëria ka kushtëzuar edhe mënyrën e komunikimit, njëtrajtshmërinë e vetëdijes, disponimin kundër diturisë më të thellë, sepse, në masë të njerëzve ishte përhapur opinioni se të tjerët duhet të mendojnë për ne, se toka jonë është e Babës mbret etj. Por në roman, tregohet se nuk ka qenë vetëm kështu. Brezi i ri i luftëtarëve të lirisë kombëtare, që është i shënjuar me personazhin e Mustafës, do të shkoj më tej, t’i kapërcej këto përralla të hoxhallarëve dhe të nxitësve (shtirësve) tjerë të së keqes, prandaj do për të ditur më konkretisht për fatin dhe jetën e përbashkët sepse dija nevojitet. Ndaj edhe personazhi kryesor, çlirimtar Mustafa, jep mesazhin çlirues: “Orteku i gjakut”,- [i]“ kjo punë na prek t’ tanëve ne…Modje duhet me u kallxue edhe t’ tjerëve qysh a puna!” [5][/i]

Realiteti artistik i romanit në fjalë na jep për të kuptuar se shumica e popullatës, nuk e kanë njohur mirë strukturën e robërisë, ku ishte instaluar vëllavrasja e gjakmarrja, “orteku i gjakut”, ndaj edhe, si për këtë ashtu edhe për paragjykime tjera, më shumë i përshtateshin kohës së robërisë se sa që dilnin kundër saj. Kështu edhe Sejdiu e Abazi të cilët në roman janë njerëz të pastër shpirtërisht, shqiptarë të zakonshëm, por që nuk mund të dalin me mendime e praktikisht nga rrjeti i vëllavrasjeve dhe gjakmarrjeve, sepse ato ishin bërë normë tragjike e pashkruar, dominuese e asaj kohe. Duke qenë të përfshirë nga një normë që qe e shartuar edhe me një pjesë të kanunit (negativen e kanunit) e të ndihmuar për zbatim nga pushtuesi (dhelpër sepse si i padukshëm, gjarpër sepse mbahej me orteke gjaku) duke pasur edhe një ngushtësi psikologjike e papjekuri të personazheve të romanit (që ishin gati identike edhe me personazhet e jetës së asaj kohe) shumë vrasje bëhen nga asgjëja: vriten njerëzit për një megjë mali dhe vazhdon zinxhiri i vrasjeve (Jetullahu i Ramës dhe vëllai i Emin Malokut [6]); t’bit e Vocit… për ni lis kenë ba katër gjaqe!… [7] , t’bit e Lizit janë ba kaçavej veç për ni zog pule, të Prapashticsit qi ishin ba lakën nërmjet veti për nji hap ven [8]. Këto i tragjedi familjare (që ishin edhe pjesë e tragjedisë së shqiptarëve në ish-jugosllavi) i di dhe i tregon (me përpjekje individuale për ta hequr qafe këtë gjarpër) qoftë edhe vetëm një personazh në roman. Është ky Sejdi Goxhufi i cili edhe pse, në esencë burrë i mirë, nuk mund t’i shpëtojë ortekut të gjakut, sepse me dëshirë e jep vajzën, për djalin e një burri, po ashtu të fortë, të zakonshëm Abaz Gjukës. Por psikologjia e asgjësë e një personazhi tjetër, bartës i fijeve të ortekut të gjakut, Emin Malokut (nga inati pse Sejdiu nuk ia kishte dhënë vajzën për djalë të tij) i merr në qafë që të tri familjet, madje edhe kushërinjtë e tyre, sepse ditën që i bien teshat (tri ditë para dasmës së të fejuarve), Mehmeti, djali i Emin Malokut, hynë në odë të Sejdiut, me gisht në këmbëz të pushkës, si dhunues, prish rendin e këngës e të bisedës atdhetare. Aty ishte edhe miku i Sejdiut, Abaz Gjuka, me shumë burra tjerë. Abazi nuk lejon poshtërim nga Mehmeti, duke qenë edhe para vdekjes! Mehmeti kërkon nga Sejdiu që t’a bëjë gati vajzën, pasi që kështu po rivendoska në vend “nderi” dhe “burrëria” e shtëpisë së Emin Malokut. Nga qëndrimi i pamposhtur i Abazit, dhunuesi më pushkë në dorë, Mehemti, detyrohet ta lejojë Abazin të dal nga oda, edhe pse ai e paralajmëron se nëse nuk vritet nga Mehmeti, do të hakmerret kudër këtij poshtërimi që ishin pozicionuar t’ia bënin, jo vetëm odës, zotit të shtëpisë, po edhe atij vet, Abazit. Menjëherë pas daljes nga oda, Abazi me vrap shkon te shtëpia e dhëndrit të tij Hazirit, të cilin e thërret në ndihmë dhe ai së bashku me gjashtë burrat të armatosur (tre me martina, një me sopat, dy me stupca) mësyjnë kundër “dhunuesit ” [9] të burrërisë e odës së pushtuar shqiptare, e kur Sejdi Goxhufi nën tytën e pushkëve të ngrehura, me organizimin e Emin Malokut po “nxirrte për krahu nga qilari bijën e mbytur në vaj dhe lot [10]” për të ua “dhanë me veti” [11], kërcet martina dhe e merr për vdekje dhunues Mehmetin e ndihmësin e tij Halitin. Atëherë “burrat në odë si të xekërruar brofën në këmbë dhe sekush para tjetrit rrëmbyen të tetë martinat e varura…Pas pak do batare të shpeshta martinash shoshuan natën e shurdhët. Pastaj u dëgjuan do britma, një rrëmujë, do thirrje:…Pastaj edhe një zë plake:-grueja nërmjet, zoti u bekoftë, grueja nërmjet!…. [12] Tragjedia është shtatë-tetëfishtë: ”…Nata villte ethe. Në oborr të Sejdi Goxhufit tetë të shtrirë. Shtatë kishin mbetur në vend, kurse Abazi ndihej gjallë” [13] Në këtë situatë tragjike-dramatike kundërshtari i kësaj tragjedie, Mustafa, “ngrehi këmbzën e alltisë “ [14] Ky Hamlet shqiptar, ”si plumb i gjallë, depërtoi murin e njerëzve dhe hyri në mes, te kufomat.. t’i shoh niherë kush janë këta orëprerë? ” [15] Këtu Hamleti shqiptar, urdhëron, vajton, qan, gërthet në kulmë të revoltës, dhimbës, gjithnjë duke sfiduar të gjithë ata bashkëfshatarë të tij që nuk e dëgjuan të dilnin nga gëzhojat (në roman-gërzholet) e tyre dhe ta ndalnin ortekun e gjakut. Mustafa nuk kursen së fshikulluari mangësitë e egërsitë as të babait të vet, as të vetes dhe i thërret fëmijët (brezin e ri) që t’u shtypin kokën “gjarpnojve të gjakut që e ka xgatë kryet… e lypin veç gjak, këta pinë veç gjak!…[16] Se figura e gjarpinjve të gjakut, kryesisht, është shenjë e elementëve pushtues, rankoviqistëve çetnikë si pjesë e pushtetit pushtues, shënjon edhe kjo porosi e Mustafës për brezin e ri: ” Mëshoju edhe pak, mëshoju e naljau turrin këtyne gjarpnojve t’gjakut, qi po mundohen hala me ecë e me i përlye me marre kto malet tona, me e flliqë këtë dhe tonin!…-Ndalni!….Ndalni!…Shtypjauni kryet!… “ [17] Mustafa është i pa kompromis kundër ortekëve të gjakut. Shfrynë edhe kundër shkaktarit kryesor të këtij orteku të gjakut. “- I kthehet Eminit të mërrolur.-Po ty bre Emin Maloku, a po t’doket qi t’u ka forcue pak kaçepi sa për me e thye at gërzhole tanen, a…nashta e ke ba menen çykë me dekë me ta?…. A nashta hala s’u ngie gjak, se gërzholja t’ka qillue e trashë!… “ [18] Mustafa “krejtësisht i dal llazine”, por edhe i vendosur që të mos jetojë më mes ortekëve të gjaku t vëllazëror, ia ofron revolen Eminit që ta vras (Mustafën)! Por çuditërisht Emini kishte dalur nga gërzholja dhe jo vetëm që nuk ia kthen armën Mustafës, por nuk e lejon as Smajlin, një të afërm të vetin, ta vriste Mustafën. Mustafa, këmbëngulës që mos të jetoj me turp në robëri, përsëri ia ofron revolen të atit, së bashku me lutjen vendimtare: ” Hiqëm, o bablok,….û nuk muj me përbi vetveten, nuk muj û, bre bablok, se û nuk kam gërzhole! “ Dhe kur Sejdiu (babai) “ i përhumbur kap alltinë…dhe në çastin kur vdekja deshti ta kafshonte edhe Mustafën, Emin Maloku kërceu dhe e kapi dorën e Sejdiut….

Atëherë gjeli i parë grishi Agimin. Mustafës së gjunjëzuar padashur i shkuan sytë kah Maja e Maçekllavës dhe pa se atje tashmë po zhdavaritej terri i natës…. ” [19]

Edhe mënyra e përfundimit të romanit sugjeron gjetjen e kodit kundër ortekëve të gjakut: daljen nga gërzholja, çlirimin shpirtëror, me anën e të cilit arrihet vetëdija e veprimit kundër territ të robërisë. Çlirimin shpirtëror nga paragjykimet e kohës, autori i ka parë si parakusht të çlirimit fizik të atdheut nga pushtuesit. Ndaj autori ka treguar, atëherë, kur ka qenë e rrezikshme të tregohet, por kur ishte edhe më e nevojshmja të tregohej, se me punë, sinqeritet e bindje mund t’i hiqet gërzholja edhe një Emin Maloku, e lëre më të tjerëve që ishin më të lehtë për t’u përpunuar e bindur për në rrugën e çlirimit. Kodi çlirues në romanin “Gjapinjtë e gjakut” të Adem Demaçit, iu është dhënë, mençurisht e estetikisht, mu në kohën e duhur, shumë lexuesve shqiptarë, të cilët kanë pasur mundësi që ta përdorin atë kod edhe si projekt shpirtëror praktik për ndryshimin e realitetit. Dhe një pjesë e madhe e lexuesve, gjatë kohës së robërisë, vepruan, po sipas kodit çlirues, projektit shpirtëror të këtij romani e së bashku me autorin e romanit e të prirë nga ai, vendosmërisht, morën pjesë në betejën e vështirë praktike për çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit demokratik të Republikës së Kosovës në funksion të ribashkimit kombëtar të të gjithë shqiptarëve.

Në këtë roman modern shqiptar është gërshetuar, mjeshtërisht, realiteti estetik me realitetin jetësor, praktik. Struktura estetike është brenda dhe jashtë strukturës së rrethanave të kohës konkrete kur u shkrua romani. Prandaj në këtë roman idealja, shpirtërorja, estetikja i prin reales.

Për të thënë (eksploruar e shkruar) më shumë rreth realitetit estetik dhe thelbit të filozofisë çlirimtare të këtij romani, duhet zbërthyer edhe estetikja e kësaj vepre të veçantë, por jo të rëndomtë.

Mitrovicë,

6-16 shkurt 2012 / KultPlus.com

Bota solidarizohet me Ukrainën (FOTO)

Në shenjë solidariteti me  Ukrainën, monumentet në mbarë botën kanë marrë ngjyrën e verdhë dhe blu të flamurit ukrainas, pas fillimit të pushtimit rus të enjten, shkruan CNN

Në Bruksel, parku Cinquantenaire u ndriçua gjatë një samiti të Bashkimit Europian mbi krizën Rusi-Ukrainë në kryeqytetin belg të enjten. Pas takimit, krerët e BE-së njoftuan paketën e parë të sanksioneve kundër Rusisë.

Stacioni Flinders Street i Melburnit u ndriçua nga ngjyrat e flamurit ukrainas në shenjë mbështetjeje për vendin. Kryeministri australian Scott Morrison e quajti pushtimin rus “brutal”ndërsa njoftoi sanksione të reja kundër Moskës.

Ndërkohë, Orkestra Filarmonike Çeke mori një ovacion të gjatë kur ata kënduan himnin çek dhe ukrainas përpara koncertit të tyre në Pragë të enjten. Ka të ngjarë që shumë  të kenë përjetuar pushtimin rus të Çekosllovakisë në vitin 1968./ KultPlus.com

Nga po na vjen, moj erë e rreptë

Poezi nga Fan Noli

Fryn moj erë

Nga po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.

-Nga ata male, moj erë trime,
ç’lajme të reja po na ke siell?
Pse je e vrerët dhe e helmuar?
qiellë me zi përse na e mbiell?
Fryn, moj erë, etj.

Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t’zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.

Syri m’u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.

Atje tek losnja në fush’ të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, etj.

Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos.
Fryn, moj erë, etj.

Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par’a çupën,
për kë të bënte më par’vajtim?
Fryn, moj erë, etj.

Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.

-Moj er’e rreptë, erë malsore,
shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m’u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.

Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë
dhe un’i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott’e mi.
Fryn, moj erë, etj.

E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh,
dhe lott’e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t’i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr’e saj./ KultPlus.com

‘Peaky Blinders’ i erdhi fundi, nesër nis sezoni i gjashtë

“Peaky Blinders” zyrtarisht po i vjen fundi. Seriali i BBC me protagonist Cillian Murphy është gati të publikojë sezonin e tij të 6-të dhe të fundit nesër. Pas përfundimit të fundit të sezonit të 5, fansat janë të etur të dinë se çfarë do të bëjë Tommy Shelby në pjesën e fundit të serialit që zhvillohet në Birmingham pas Luftës së Parë Botërore.

Sezoni i fundit do të shfaqet premierë më 27 shkurt në BBC One. Do të jenë gjashtë episode që do të publikohen çdo të dielë. Seriali do të transmetohet dhe në iPlayer. Ndërkombëtarisht, pesë sezonet e serialit janë të disponueshme për transmetim në Netflix, megjithëse data e publikimit për sezonin e ri nuk është konfimuar ende.

Sezoni u shty vazhdimisht prej pandemisë. Episodi i fundit i serialit u transmetua në vitin 2019. Sezoni i fundit do të ketë disa aktorë që do të përsërisin rolet e tyre, duke përfshirë Cillian Murphy si Tommy Shelby, Paul Anderson si Arthur Shelby, Finn Cole si Michael Grey dhe Sophie Rundle si Ada Thorne, Tom Hardy si Alfie Solomons. Nga sezoni i kaluar do të kthehet edhe Sam Claflin në rolin e Oswald Moseley. /abcnews/ KultPlus.com

Fillojnë ndërhyrjet emergjente në kullën e Pjetër Prenkpalaj në fshatin Zym të Hasit

Kanë filluar ndërhyrjet emergjente në kullën e Pjetër Prenkpalaj në fshatin Zym të Hasit, përcjell KultPlus.

Ky projekt po realizohet në zbatim të programit “Masat Preventive – Intervenimet Emergjente” të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërhyrje në asetet e trashëgimisë kulturore në rrezik.

Kulla e gurit e familjes Pjetër Prenkpalaj e ndërtuar në shekullin XIX nga aspekti arkitektonik, i përket shtëpi-kullave me çardak të punuar prej druri. E vendosur mbi kodër ka pozitë dominuese mbi fshatin Zym, duke u shndërruar në pjesën përbërëse të peizazhit të fshatit. Kjo kullë prej guri veçohet për nga teknika e ndërtimit të muratimit të thatë (pa llaç) të mureve mbajtëse, teknika tradicionale e muratimit me thupra të mureve ndarëse në etazhe, punimet të drugdhendjes të jastëkëve (kapiteleve) të shtyllave të çardakut, rafteve, dyerve, dritareve, parmakëve prej druri të dritareve, etj./ KultPlus.com

Fjala e fundit

Poezi nga Viktor Hygo

Ndërgjegja njerëzore vdiq, qef o qef,
Përkulet mbi të, kufoma i pëlqen;
Fitimtar, me syt’ e skuqur vjen vërdallë,
Pastaj kthehet i del kufomës përballë.

E ushqen kurvërimi i Drejtësisë.
Priftat trullosin njerzit e Perëndisë;
Pastaj rrëmojnë çantat të çakërritur;
Sibour* shiti zotin, që Juda pat shitur.

Na thonë: Qezari mbret. Zot i ushtrive
E zgjodhi. Binduni, bjerini burive!
Dhe duar bashkuar këndojnë në kisha,
Pa fshehur monedhat e arta ndër gishta.

Do ta shohim në fron këtë princ lipsar,
Me bekim nga papa, këtë mbret zuzar,
Në një dorë skeptrin, darët në tjetrën,
Karl i Madh sajuar, nga shejtani vetë.

Sa kohë atje do të zhgrryhet si derr,
Do të llupë besë, virtut, fe dhe nder,
Dehur mbi lavdinë tonë do të vjellë;
Në ndëjçim ta shohim si diell në qiell.

Kur ndër njerëz shtohet sa s’mban, poshtërimi
N’atë pikë nis adhurohet mashtrimi;
Pastaj dalin tok Angli dhe Amerikë
Dhe i thonë mërgimtarit: Ik, kemi frikë!

Kur të bëhemi si kjo gjethe e tharë,
Të rilindemi, si ka qef ky Qezar;
Kur të ligjtë të shkojnë derë më derë,
Ndër njerëz katandisur si zhel’ e mjerë;

Kur Zoti nga shkretinat qortime dërgon,
Preja nis gjuan, hajni vjen arreston;
Në fund, i trëmbur, më shumë se të tjerët,
Varri jashtë, të vdekurit do t’i nxjerrë.

Por unë s’thyhem! Pa bërë fare zhurmë,
Me brengë në zemër, do ta përbuz turmën,
Ju përqafoj, nga i hidhuri mërgim,
Atdhe, o altar! Liri, flamuri im!

E ruaj besën tuaj, o miq besnikë,
S’harroj, ç’na bashkoi, qe kjo Republikë.
Ata që vuajtën, do t’i lavdëroj,
Ata q’u llastuan, do t’i poshtëroj!

Do të jetoj këtej, keq e mos më keq,
Ca zëra thonë: mos! të tjerë: fatkeq!
Kur servilët e tu Luvrin të rrëfejnë,
Unë ty, Qezar, do të t’rrëfej halenë.

Para tradhtarëve dhe atyre që s’flasin,
Gjithë pezm jam, por qetë, s’e çfaq marazin.
Besnikëria pa fund për ç’u rrëzua,
Qoftë mbështetja dhe fuqia për mua.

Ende je atje, dorzohesh, a qëndron
Francë, që ke dashur të qajmë gjithmonë,
Ku kanë folenë dashurit’ e mia,
Mall edhe për varret, sa doja të t’shihja!

S’do ta shikoj më bregun, që aq fort më josh,
Francë ku katandise, zor që ta harrosh.
Do të gjej strehë mes atyre që iu dhëmb;
Në mërgim mbetem, por gjithsesi më këmbë.

Gjithsesi, pranova mërgimin e hidhur,
Pa marrë parasysh dhe pa llogaritur
Që ndokush s’del aq i fortë sa mendojmë,
Sado të shkojnë, ne duhet të qëndrojmë.

Do të rri dhe unë, në qofshin me mijra!
Dhe me një qint qëndroj, më fort se sa Shila;
Në qëndrofshin dhjetë, do të jem i dhjeti;
Dhe një në qëndroftë, do të jem i vetmi!/ KultPlus.com

Amerika i kërkon Zelenskyt të evakuohet nga Kievi, ai refuzon

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyt, që të evakuohet nga Kievi, por ai e ka refuzuar një gjë të tillë.

Sipas Associated Press, Zelensky tha se “Lufta është këtu; Unë kam nevojë për municion, jo për udhëtim”, duke cituar një zyrtar të lartë të inteligjencës amerikane me njohuri të drejtpërdrejta të bisedës.

Kujtojmë se sot është dita e tretë e luftimeve në mes Ukrainës dhe Rusisë./ KultPlus.com

(Ukrainian Presidential Press Office via AP)

Poezia e Xhemajl Mustafës për Adem Demaçin

Në vitin 1972, Xhemajl Mustafa kishte shkruar një poezi për figurën e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin.

Sot, KultPlus e sjell këtë poezi në 86-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit. / KultPlus.com

MES GRILASH – FENIKS

Akrostik
Agimin e zi po e ngjyros me lotë kujtimi
Derisa këngën po e thyej nëpër fytyrën tënde
E në heshtje po tretem e fikem si jetimi
Me ndezë dëshirat e fjetura si krande
Dhe prore po zbres në sytë e rrugëve kah ti
E ëmbël është vdekja në qëllim –
Me e puthë atë dritë në horizonte që rri
Akoma i etur jam në këtë varg, i humbur në trishtim
Qetësi e natës kridhet në grila e mbërthyer
I lodhur një zog diku me krahë të thyer
Tash këngës ia thotë me afsh në gji –
I amshuar balsam në varg qëndron
Këngë ngadhënjimi lyrë e poetit shënon
Rrugët ndrit qëllimi në këtë natë plot vetmi.

(Jeta e re, nr.2/1972, f.332)./ KultPlus.com

Daci dhe Dhomi, akademikë të jashtëm të ASHSH

Në mbledhjen e Asamblesë mbajtur dje, akademikëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat M. Dacit dhe Rauf Dhomit iu dha statusi akademik i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akad. Nexhat Dacit iu dorëzua diploma nga akad. Rexhep Meidani, ndërsa akad. Rauf Dhomit iu dorëzua diploma nga kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Gjinushi.

Akademik Nexhat M. Daci është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që nga viti 1993 në fushën e kimisë; anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve që nga viti 2014, anëtar i Akademisë Europiane për Çështje të Mjedisit prej vitit 1987; anëtar i Shoqatës Amerikane të Kimistëve prej vitit 1985; me një karrierë akademike dhe universitare të shquar brenda dhe jashtë Kosovës; autor i rreth 100 artikujve shkencorë, një pjesë e madhe e të cilëve të indeksuar ndërkombëtarisht përmes listës Scopus dhe platformës Web of Science; me mbi 200 kumtime shkencore në një shumicë universitetesh europiane; autor monografish dhe tekstesh universitare; fitues çmimesh e mirënjohjesh kombëtare e ndërkombëtare; veprimtar në jetën publike me merita gjerësisht të vlerësuara, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të saj.

Akademik Rauf Dhomi është anëtar i Akademisë se Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që prej vitit 1993, kryetar i seksionit të arteve dhe themelues i konservatorit artistik pranë saj; kompozitor e dirigjent i mirënjohur; figurë qendrore në këtë fushë krijimtarie në Kosovë dhe në gjithë botën shqiptare; autor i mbi 300 veprave muzikore të formatit të vogël e të madh; për disa prej tyre edhe themelues; me një larmi të përplotë të llojeve e nënllojeve tradicionale dhe veçanërisht me ndihmesa origjinale në trashëgiminë e veprave skenike, të luajtura në Kosovë, në Shqipëri dhe në disa vende të Ballkanit; i shquar për gjuhën e komunikueshme muzikore mbështetur në stilin kombëtar dhe në rrjedhat europiane; i identifikuar me vepra të tilla origjinale si Goca e Kaçanikut, Dasma arbëreshe, E bukura More, Vatra e urtësisë dhe Uratë vajzave; fitues i disa çmimeve, dekoratave dhe mirënjohjeve kombëtare e ndërkombëtare./atsh/ KultPlus.com

Revista amerikane në vitin 1929: Punime hidraulike moderne në vendin e mbretit Zog

Nga Aurenc Bebja, Francë

“Municipal News and Water Works” ka botuar, në muajin shkurt 1929, në faqen n°34, një shkrim në lidhje me instalimin e një pajisjeje moderne për shkarkimin e ujërave të zeza në Legatën amerikanë në Tiranë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Punime hidraulike moderne në vendin e Mbretit Zog

“Kjo është një histori nga Tirana, atdheut të mbretit Zog të Shqipërisë, dhe duket sikur duhet të fillonte “Një herë e një kohë”, nëse do të ishte një histori zanash, por kjo është një histori e vërtetë dhe i përket kohës së tashme, 1929.

Tirana ndodhet në veriperëndim të Greqisë dhe Mbreti Zog është sovrani më i ri në Evropë, dhe duke qenë një mbret modern, ai donte disa përmirësime moderne, kështu që muajin e kaluar Tirana u furnizua me drita elektrike për herë të parë në historinë e saj.

Pavarësisht mbretit të ri dhe modern dhe dritave elektrike të reja dhe moderne, Tirana është ende një qytet që shfaqet si një përrallë, sepse rrugët janë të paasfaltuara dhe nuk ka trotuare. Në të dy anët e rrugës së ngushtë kryesore, pazaret orientale shfaqin mallrat e tyre — mallra të të gjitha llojeve.

Në këtë qytet nuk ka sinjale “Stop e Kalo – Stop and Go” dhe gomerët e ngarkuar me mallra dhe gratë që mbajnë shishe uji mbi kokë tunden me njëra-tjetrën në rrugë dhe e drejta e kalimit i takon më të fortit.

Këtu, pra, në këtë qytet me emrin që tingëllon si përrallë dhe mjedisin e tij mesjetar, është shfaqur një nga llojet më të fundit të shkarkimit të ujërave të zeza të njohura për qytetërimin. Sapo u disponua (mundësua) fuqia e nevojshme për funksionimin, ky instalim modern hidraulik u zgjodh nga Legata Amerikane në Tiranë.

Për shkak të mungesës së mekanikëve që janë të njohur me këtë lloj pajisjeje dhe për shkak se pjesët e riparimit, nëse nevojiten, do të ishin të vështira për t’u marrë, inxhinierët që punonin për Legatën Amerikane i kushtuan vëmendje këtyre çështjeve, dhe për këtë arsye prodhuesit e “Nxjerësit të ujërave të zeza Flush-Kleen – Flush-Kleen Sewage Ejectors” janë të kënaqur që ky lloj pajisjeje është zgjedhur për këtë punë.

Pra, “Flush-Kleen Ejectors” kanë shkuar të punojnë në tokën e mbretit Zog dhe ndoshta nuk do të kalojë shumë kohë që vendasit dhe mbreti modern të marrin thirrjen “Tirana më e madhe dhe më e mirë” dhe magazinierët (tregtarët) e Tiranës do të duhet të zhvendosen në lagjet e tjera për t’i hapur rrugë rulit me avull.”/ KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/revista-amerikane-1929-punime-hidraulike-moderne-ne-vendin-e-mbretit-zog/

220 vjet nga lindja e shkrimtarit francez, Victor Hygo

Victor Marie Hugo lindi në 26 shkurt të 1802, pothuaj 13 vjet pas shpërthimit të Revolucioni francez. Ishte geniu i kohës së tij dhe i të gjitha kohërave.

Nderimet e ceremonisë së vdekjes (22 maj 1885), 83 vjeç u bënë nën Harkun e Triunfit dhe u varros në Panteonin e Parisit i shoqëruar nga një kortezh prej 2 milionë shpirtrash. Është babai i letërsisë franceze, nuk mjafton numërimi i veprave të tij në shumë fusha si poet, dramaturg, romacier, frymëzues romantik, dizenjator, pjesëmarrës në konfliktin frankoprusian, deputet, senator, mbajtës i Legjionit të Nderit dhe emri i një rruge në Paris. Edhe fjalët e tij të fundit: “Ceci est le combat du jour et de la nuit… Je vois de la lumière noire” (është lufta e ditës dhe e natës…shoh dritën e zezë) përsëriten ende sot në shkolla kur studiojnë jetën e turbullt dhe veprën e tij.13 vepra për teatër, 9 romane, 28 volume me poezi,15 ese edhe deri në vizatime e fotografi, pasione të vona, por jo më pak të forta.

Iu kundërvu Napoleonit, kudërshtoi dënimin me vdekje dhe ishte në favor të të drejtave të grave. Peradoria e dytë franceze e dënoi me ekzil për dy dekada. Mbrojti riovimin e sistemit të edukimit dhe të ligjeve aristokrate. Hyri në zemër të popullit me dy nga monumentet e tij: “Katedralja e Parisit” dhe me “Të mjerët”. Një tjetër grusht: zgjedhjet e 8 shkurtit të 1871 sjellin në pushtet monarkët, por populli mohon këtë lloj ndryshimi dhe shpërthen një revoltë e përgjakshme dhe mjaft e famshme “Komuna e Parisit”. Përpara këtij represioni kundër komunarëve, Viktor Hygo shkruante: “Disa banditë vranë 64 pengje…dhe ne iu përgjigjëm duke vrarë 6000 të burgosur!”

Fama e tij ishte e pamasë.

Por zogu i fatkeqësisë vinte vërdallë…në 12 tetor të 1822 martohet me Adèle Foucher, një mike e fëmijërisë dhe disa vite më e madhe se ai. Një vit më parë i kishte vdekur e ëma, Sophie Trébuchet, vdekje që e kishte tronditur shumë. Nga martesa lindin 5 fëmijë, Léopold, Lèopoldine, Charles, François–Victor, y Adèle. Djali i parë i mbijeton vetëm 3 muaj. Leopoldine i vdes pa mbushur të 20-at, Charles vdes në moshën 45 vjeçare dhe Francois-Victor në të njëjtën moshë me Charles-in. Vdekje aspak të mëshirshme këto. Leopoldine bie nga varka në Senë, nuk di të notojë, i shoqi hidhet në ujë për ta shpëtuar dhe të dy mbyten. Charles vdiq nga tuberkulozi, François–Victor nga kanceri.

Përsa i përket Adelës, e mbijetuara e vetme, i kalon ditët e saj në një spital psikiatrik për shkak të një dashurie jo korresponuese. Përsëri një goditje tjetër. Eugene, vëllai i Viktor Hygoit ishte edhe ai i dashuruar pas Adele Foucher-it dhe kur këta u martuan u çmend dhe përfundoi në një çmendinë. Fatkeqësitë ende nuk kishin mbaruar. I ndodhur në ekzil nga Napoleoni III njohu Juliette Drouet e martuar me një skulptor dhe më pas një dashnore e një milioneri që e kishte çuar më parë në Gjermani dhe më vonë në Bruksel. Nata e parë e dashurisë ndodhi në shkurt të 1833, datë që Viktor Hygo e përdori në “Të mjerët” për dasmën e Mariusit dhe Kozetës.

Don Zhuan i padominueshëm nuk reshti së flirtuari dhe Adele e dënoi me një romancë të saj me kritikun letrar  Charles Augustin Sainte–Beuve, admirues i Hygosë. Adèle Foucher vdiq në moshën 46 vjeçare në krahët e Viktor Hygosë, i cili vazhdonte të ishte dashnor i Juliette Drouet dhe që mbeti për gjithë jetën deri në vdekjen e tij më 22 maj të 1885. Juliette Drouet kishte vdekur dy vite më parë nga kanceri.

Hygoi nuk i shkoi në funeral, por shkroi në anën e prapme të një fotografie këto fjalë: “50 vite dashuri. Ka qenë ndër më të bukurat martesa”. Përtej ngjarjeve politike, shkrimeve, tragjedive të fëmijëve të tij, çmendurisë së vajzës së tij të vetme të mbijetuar dhe e të vëllait të tij, përtej dashurive të tij, nuk kanë ndodhur rastësisht.

Romantikët, besimtarët e devotshëm të fateve tragjike, hijet, qiparisat që rrethojnë varrezat, sigurisht edhe varret, oguret e tmerrshme, trishtimi, melankolia nuk besuan kurrë në dritën, në lumturinë si dhe në gëzimin. Dhe Viktor Hygoi e përmbushi përjetësisht këtë dekalog, këtë rregull të lojës, këtë dënim,  këtë labirint pa rrugëdalje. / Burimi: Theworldnews.net / KultPlus.com

86 vjet nga lindja e simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi

Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi ka ndërruar jetë më 26 korrik të vitit 2018, ndërsa sot është përvjetori i lindjes së tij, shkruan KultPlus.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi, u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ai ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta./ KultPlus.com

“Shqiptarët ishin gjithmonë luftëtarë të mëdhenj që nuk i janë frikësuar vdekjes”

Gerard de Nerval është padyshim njëri nga poetët më të mëdhenj francez, i cili ka lindur më 22 maj të vitit 1808 dhe ka vdekur më 26 janar të 1855’ës, shkruan KultPlus.

Nerval ishte poet, novelist, dhe përkthyes i shquar, i cili konsiderohet si figura kyce e romantizmit francez.

Puna e tij lidhet kryesisht me poezinë dhe novelën, ndërsa theksi bie te lidhjet e tij me shqipëtarët, gjegjësisht pashain shqiptar të Akrës.

Nervali solli në gjuhën frënge, shkrimtarët më të mëdhenj gjerman të kohës, derisa u shqua edhe për punën e tij në gazetari.

Nga krijimtaria e tij u ndikua më vonë edhe Marsel Prusti, si dhe shumë artistë tjerë të mëvonshëm.

Më poshtë, po sjellim thënien e tij të famshme për shqiptarët:

“Shqiptarët ngado që ishin kanë qenë luftëtar të mëdhenj që nuk i janë frikësuar vdekjes” / KultPlus.com

Nesër protestë në Nju Jork për moslejimin e riemërtimit të një rruge me emrin e Fan Nolit

Kryeministër, themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare autoqefale, diplomat, shkrimtar, mjeshtër përkthyes i Shekspirit, Servantesit, Ibsenit, Poe, Fan Noli ishte një figurë madhështore në historinë shqiptare, transmeton KultPlus.

Komuniteti shqiptaro-amerikan në Nju Jork po përpiqet të riemërtojë një rrugë me emrin e tij.

Megjithatë, këshilltarja Marjorie Velazquez po bllokon kërkesën pa dhënë asnjë arsyetim.

Nesër do të ketë një protestë në Nju Jork.

Kjo kauzë që konsiderohet si e denjë pritet të mbështetet nga qytetarët për të ndarë të paktën detaje të protestës me shqiptaro-amerikanët që jetojnë në Nju Jork. / KultPlus.com

Publikohet lista fillestare e personave që kanë kandiduar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së

U publikua lista fillestare e personave që kanë kandiduar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Pas verifikimit të aplikacioneve do të publikohet lista finale.

Komisioni vlerësues dhe përzgjedhës për përpilimin e listës së kandidatëve të paraqitur në konkursin publik, për vendin e lirë të punës: Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, ka mbajtur takim, në të cilin ka hapur aplikacionet e kandidatëve.

Kandidatët që kanë aplikuar brenda afatit kohor të përcaktuar me konkurs janë:

Adriana Kutllovci
Arben Berisha
Bekim Hasani
Burhan Lata
Fadil Hoxha
Fahredin Shehu
Fisnik Derguti
Fitore Miftari
Gjergj Filipaj
Hysen Hundozi
Mehmet Kalisi
Orhan Hajrizi
Remzije Zeqiraj
Shkumbin Ahmetxhekaj
Valentina Saraçini
Zenel Hajrizi

Komisioni do të verifikojë aplikacionet bazuar në kriteret e konkursit dhe brenda afateve të caktuara kohore, do të përpilojë listën finale dhe do t’i njoftojë kandidatët për datën, vendin dhe kohën e mbajtjes së testit me shkrim. / KultPlus.com