I Dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar u shprehë optimist se do të arrihet një marrëveshje e cila e ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës në takimin e Nivelit të Lartë Kurti-Vuçiq nesër në Bruksel. “Një marrëveshje qe parandalon dhunën.”
“Nuk dua të paragjykojë assesi, jemi duke shikuar drejt zgjidhjes dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë Escobar për televizionin Kanal10.
Ai ka përmendur edhe Asociacionin e komunave Serbe. “Sa për Asociacionin e Komunave Serbe, marrëveshja e nënshkruar duhet zbatuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, shtoi ai.
Të enjten në Bruksel, Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Vuçiq do të takohen me përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së në kuadër të dialogut. /KultPlus.com
Një ish-anëtar i komitetit organizativ të Lojërave Olimpike Tokio 2020 është arrestuar nën dyshimin për korrupsion.
Haruyuki Takahashi, 78 vjeç, akuzohet se ka marrë pagesa prej 380,000 dollarësh (315,000 £) nga një shitës.
Shitësi Aoki Holdings, ishte një partner zyrtar i lojërave Tokio 2020. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Takahashi nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesave për koment.
Dokumentet nga Zyra e Prokurorit të Tokios të parë nga agjencia e lajmeve AFP thuhet se e akuzojnë atë për marrjen e shumave të parave duke kuptuar se ato ishin pagesa “faleminderit” për trajtimin e dobishëm që ai i bëri Aoki Holdings.
Ata pretendojnë se më shumë se 50 transaksione kanë ndodhur midis tetorit 2017 dhe marsit 2022 me para të dërguara në llogarinë bankare të një kompanie të drejtuar nga Takahashi. /KultPlus.com
Kroacia e re, alternativa e Greqisë apo sekreti i fundit i Evropës janë disa nga epitetet me të cilat po fillon të njihet një nga zonat më pak të vizituara të Mesdheut, Shqipëria, shkruan sot Irene Martel për një nga gazetat e njohura spanjolle ”El Debate”.
”Plazhet si në parajsë, pyje magjepsës dhe perëndimet të flakëruara janë disa nga gjërat e shumta që mund të shijoni në një destinacion që ka filluar të bëhet modë.
Dhe po flasim për Shqipërinë.
E vendosur midis Malit të Zi dhe Greqisë, Shqipëria ka më shumë se 300 kilometra vijë bregdetare në shkëmbinjtë e Jonit dhe rërat e Adriatikut. E rrethuar nga vargmalet e Alpeve Dinarike, ky vend po bëhet zbulimi i ri për turistët nga e gjithë bota për shkak të kulturës, plazheve dhe çmimeve, që janë shumë më të lira se në vendet fqinje dhe destinacione të tjera të ngjashme.
Madje, gazeta britanike ”The Telegraph” e konsideron Shqipërinë ”rivalja e madhe e Greqisë”.
Por, çfarë ka Shqipëria që i bën ata që e vizitojnë të dashurohen pas saj?
Riviera Shqiptare apo Karaibet evropiane
Pa dyshim, një nga zonat më të habitshme të këtij vendi në Evropën Jugore është ajo midis Vlorës dhe Sarandës. Janë 150 kilometra vijë bregdetare me plazhe me ujë të kristaltë, thënë ndryshe xhevahiri i detit Jon.
Kjo zonë, të cilën shumë e njohin si Karaibet evropiane, fsheh një numër të madh limanesh me ujëra bruz midis shkëmbinjve dhe gurëve të bardhë. Sigurisht që është edhe më e prirur ndaj mbipopullimit.
Në këtë zonë, një vizitë në Ksamil është e domosdoshme, një gadishull që hapet si pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit nga ku mund të shkoni për të notuar ose me varkë në ishujt e afërt.
Megjithatë, plazhet me rërë të bardhë kontrollohen nga pronarët e restoranteve dhe hoteleve, kështu që është praktikisht e detyrueshme të marrësh me qira një shezlong dhe një çadër për të garantuar një vend pranë detit. Çmimi është rreth tetë euro (dy shezlongë dhe një çadër për të gjithë ditën).
Plazhe të tjera janë ato të Pulebardhës, Pasqyrave dhe Manastirit, prej guri të bardhë dhe ku zakonisht ka më pak njerëz.
Nëse ju lodh plazhi, mund të vizitoni edhe një nga vendet më të mëdha arkeologjike në Shqipëri, në Parkun Kombëtar të Butrintit, i njohur nga UNESCO si një sit i Trashëgimisë Botërore.
Dhe, sigurisht, nuk mund të humbisni një nga atraksionet turistike më të famshme në Shqipëri, Syrin e Kaltër, një burim i jashtëzakonshëm me ujëra bruz ku mund edhe të kridheni.
Nëse vazhdoni të udhëtoni drejt Vlorës, në veri, mund të ndaleni në Lukovë, një qytezë bregdetare e njohur për tarracat me ullinj, limonë dhe portokalle.
Aty pranë mund të gjeni plazhin më të gjatë në detin Jon, rreth shtatë kilometra i gjatë, Borshin, si edhe Qeparoin.
Në vazhdim të udhëtimit, Porto Palermo është një tjetër ndalesë e detyrueshme. Në këtë gadishull të vogël ndodhet një kështjellë e shekullit XVIII dhe do të mund të shihni një tunel që funksiononte si bunker për nëndetëset sovjetike, kur në pushtet ishte diktatori Enver Hoxha.
Së fundmi, nga Himara, një nga zonat më të populluara, me afro 30 000 banorë, rekomandohet shumë të bëni një nga udhëtimet e shumta me varkë që ofrohen nga 20 euro për person.
Në këto rrugë mund të shihni një numër të madh limanesh të virgjër nga të cilët mund të zgjidhni një për të qëndruar për disa orë. Më i famshmi prej tyre është Gjipeja, një plazh i fshehur mes shkëmbinjve të një kanioni.
Çmimet
E vërteta është se Shqipëria është një vend shumë i përballueshëm. Në platforma të tilla si Booking ose Airbnb mund të gjeni dhoma ose apartamente hoteli nga 22 euro nata. Në fakt, mund të gjesh hotele me katër yje që ofrojnë dhoma për më pak se 100 euro nata.
Ushqimi është gjithashtu shumë i lirë. Si rregull i përgjithshëm, në çdo restorant në bregdet mund të hani dhe pini për rreth 10 euro”, shkruan Irene Martel për një nga gazetat e njohura spanjolle ”El Debate”./atsh /KultPlus.com
Sot janë mbushur 111 vjet nga Petro Nini Luarasit.
Ai lindi në 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës, ishte i biri i Nini Petro Kostallarit, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog, Mësues i Popullit.
Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues.
Më 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).
Në vitin 1892 bashkë me Gjerasim Qiriazin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë”. Në emigracion, në Amerikë (1904-1908) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë.
Sot, kujtojmë jetën dhe veprën e ideologut dhe atdhetarit të shquar shqiptar Abdyl Frashëri (1839-1892).
Abdyl Frashëri ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 Gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.
Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës. Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, A. Frashëri shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane.
Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.
Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm.
Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com
Një grua e shndërruar në një grusht dheu ende e mban mend që dikur kishte dashuruar shumë aq shumë sa tani nga ajo në një fushë pa Zot mbinë lule Nganjëherë por vetëm nganjëherë kafshët u afrohen i nuhasin ato e dridhen pastaj e lëshojnë një zë të dhimbshëm si në ditën e parë të botës. / KultPlus.com
Një vajzë e quajtur Liza, e cila që nga lindja nuk e kishte kujdesin e prindërve të saj biologjikë, por ishte pjesë e SOS Fshatit, është birësuar dje nga një familje.
Në postimin e bërë në profilin e SOS Fshatit, thuhet se dje kishte lot gëzimi dhe mallëngjimi.
“Dje Liza u birësua nga një familje shumë e dashur, dora e saj e vockël nuk largohej për asnjë moment nga dora e prindërve të saj birësues. Ky moment na emocionoj secilin nga ne edhe pse kishim një lloj pikëllimi për ikjen e saj, ne e dinim përbrenda që një botë 🌍 e tërë e re po hapej për Lizën”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, shkruan KultPlus.
Në një konferencë të përbashkët, Kurti fillimisht ka falënderuar NATO-n për angazhimin e saj në Kosovë, derisa ka thënë se Kosova është e gatshme që të japë kontributin e saj brenda kësaj aleance me ushtrinë e saj, FSK-në.
“Ne kërkojmë anëtarësimin në NATO dhe kjo do të na mundësojë që të japim atë që shtetet tjera na kanë dhënë neve si qytetarë”, është shprehur Kurti.
“Anëtarësimi në Partneritetin për Paqe do të ishte një hap para”, thotë ai. /KultPlus.com
Kalaja e Himarës, me një krah nga Skutaraja e Qafa e Vishës, me sytë nga deti mbi Livadh, braktisur nga banorët në fund të viteve 40′, mbetet një sit shumë interesant për vizitorët qoftë për rrënojat, por sidomos për pamjet fantastike që sheh prej aty. Por ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ngritur shqetësimin e mbetjeve që hidhen prej vizitorëve, në këtë objekt të trashëgimisë kulturore si dhe në natyrën përreth tij.
Mirela Kumbaro ka ndarë këtë episod që ka lidhje me pastërtinë, në një prej postimeve të saj në rrjetet sociale, duke bërë thirrje që të kihet më shumë kujdes me sjelljen kundrejt natyrës, që duam ta shijojmë, por harrojmë ta respektojmë.
Ministrja Kumbaro theksoi se punonjësit e bashkisë Himarë, rrezikojnë edhe jetën duke u kacavjerrë në shpatin e kalasë për të mbledhur plehrat që vizitorët apo banorët hedhin “pa teklif”. Prandaj duhet ta mendojmë dy herë, shkruan Kumbaro, përpara se të lëshojmë nga dora, çdo mbeturinë që shëmton atë që na pëlqen aq shumë. /atsh / KultPlus.com
Për tre net radhazi, festivali BeerFest Kosova ka bërë bashkë një numër të madh artistësh, për të performuar nga afër në Parkingun prapa Pallatit të Rinisë, shkruan KultPlus.
Ditën e premte, më 19 gusht, kur edhe fillon nata e parë e festivalit do të përformojnë: Melinda Ademi, Lorè, David Dreshaj, Andi, Dj Angler, Dj Kronz dhe Nonejm.
Nata e dytë do të vazhdoj me përformancë të: Mc Kresha & Lyrical Son, Genc Prevlukaj, Blasta, Granit, Yon Idy, Jon Bela & The Moonage, Dj Biggby dhe Master of Mind.
Beerfest 22’ natën e tretë do ta ketë: Minatorin, Xuxin, Dj Caboo, Telikput, Solar Flare, Auron Deva dhe Redknot. /KultPlus.com
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar së është proceduar Projektligji për Pagat dhe Projektligji për Zyrtarët publikë, shkruan KultPlus.
Këto ligje do të kontribuojnë në barazi e drejtësi brenda sistemit të administratës publike sa i takon të drejtave, profesionalizimin e administratës publike sa i takon shërbimeve dhe qëllimit se përse ekziston administrata dhe padyshim rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies, sipas Sveçlës.
Projektligjet do të kalojnë nëpër procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike, ndërsa pas miratimit në Qeveri dhe Kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Statusi i plotë:
“Procedohet Projektligji për Pagat dhe Projektligji për Zyrtarët publik
Të nderuar zyrtarë që shërbeni në institucionet publike,
Ju bëjmë me dije se sot pas një pune dinamike për shumë muaj kemi proceduar në konsultime paraprake dy projektligje:
Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe Projektligjin për Zyrtarët Publik.
Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës. Ky projektligj ngre sistemin e pagave mbi parime të afirmuara nga praktikat më të mira të kësaj fushe edhe ndërkombëtarisht.
Projektligji patjetër që reflekton edhe situatën aktuale të vendit dhe praktikën gjyqësore duke ofruar siguri juridike për parimet bazë të aplikuara.
Ndërsa, Projektligji për Zyrtarët Publik ka për qëllim kryesor rregullimin e marrëdhënies së punës të zyrtares e zyrtarit publik në institucionet e Republikës së Kosovës. Projektligji do të zbatohet për zyrtaren e zyrtarin publik duke përcaktuar shprehimisht institucionet e kategoritë që nuk janë në fushëveprimin e këtij ligji si dhe nënkategoritë që kanë status të veçantë, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen ndryshe.
Me qëllim të rregullimit adekuat të kornizës ligjore, projektligji do t’i adresojë problemet të cilat janë shfaqur në praktikë dhe në aspektin ligjor gjatë zbatimit të ligjit në fuqi për Zyrtarët Publik si dhe do të jetë në harmoni me rekomandimet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Të dyja këto ligje do të kontribuojnë në barazi e drejtësi brenda sistemit të administratës publike sa i takon të drejtave, profesionalizimin e administratës publike sa i takon shërbimeve dhe qëllimit se përse ekziston administrata dhe padyshim rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies.
Shërbimeve publike për qytetarët, bizneset dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë qëllimi parësor i rregullimit të administratës ndaj ne besojmë se ky qëllim është adresuar në këto dy nisma ligjore.
Projektligjet do të kalojnë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Nga sot deri më 21 gusht, Shoqata e Botuesve Shqiptarë organizon në qytetin e Durrësit “Festivalin Veror të Librit”, me mbështetjen e Bashkisë Durrës, Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Ministrisë së Turizmit.
Një ngjarje e rëndësishme kulturore, që bën bashkë shkrimtarë, përkthyes, botues, pedagogë, aktorë, muzikantë e personalitete të tjera të fushës së letrave që kanë një qëllim: të gjallërojnë jetën kulturore të qytetit bregdetar dhe të nxisin dashurinë për librin e leximin, veçanërisht te të rinjtë.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, fton të gjithë ata që do të gjenden në Durrës, që gjatë këtyre ditëve, të vizitojnë panairin, në shëtitoren Taulantia, ku do të mund të takojnë shkrimtarë dhe do të gjejnë librat më të mirë botuar përgjatë vitit. Stendat e shtëpive të ndryshme botuese do të qëndrojnë të hapura prej orës 19.00 deri në 23.00. Shtëpitë botuese kanë njoftuar se librat që do të shiten gjatë prezantimit, do të kenë një zbritje të konsiderueshme.
Sonte pas fjalës së kryetarit të Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri si edhe të kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, të pranishmit do të kenë mundësinë të ndjekin një mbrëmje poetike të poetëve vendas, ndërthurur me poezitë e Safos, shoqëruar me tinguj muzikorë. /atsh / KultPlus.com
Një astrogfar amerikan, Andrew McCarthy, ka arritur të kapë një imazh mbresëlënës të Saturnit duke u ngjitur në çatinë e një parkingu.
“Fotografia është bërë në orët e para të mëngjesit të sotëm, nga çatia e një parkingu në Kaliforninë Jugore”, tha McCarthy.
Astrofotografi i njohur ndërkombëtarisht, ndau këtë imazh të bukur të Saturnit me mbi 550 mijë ndjekësit e tij në Instagram dhe 95 mijë ndjekësit e Twitter-it duke marrë mijëra pëlqime dhe komente.
Thjerrëza e McCarthy arriti të kapte tërësinë e formës së “planetit të unazave”, siç quhet shpesh Saturni, duke i dhënë imazhin që të gjithë kemi në mendje.
Dhe e gjithë kjo ishte e mundur pa përdorur instrumente hiper-teknologjike si teleskopi (për shembull Hubble , nga i cili vijnë shpesh të shtënat nga hapësira, ose James Webb, por falë instrumenteve komerciale, të aksesueshme edhe nga individë të thjeshtë./Abcnews.al/ KultPlus.com
I had to drive to California to get this one. My clearest image of Saturn, at it’s closest to Earth. Captured from the roof of a parking garage after driving all day. pic.twitter.com/ZfnHoep4Kj
‘DUR GUR MUR’ me regji të Genc Jakupit do të luhet sot me fillim nga ora 20:00 në Kino Armata.
Kohëzgjatja e shfaqjes është 10 minuta.
Shfaqja do të pasohet me pyetje dhe përgjigje mes publikut dhe regjisorit dhe aktorit kryesor, pas së cilës filmi do të shfaqet edhe tre herë të tjera.
DUR GUR MUR ndjekë një djalë të vogël teksa endet rreth një stacioni treni të braktisur. Duke përdorur një gjuhë kinematografike surreale dhe jolineare, regjisori Genc Jakupi hulumton raportin mes trashëgimisë së errët dhe kujtesës, duke marrë si pikënisje kujtimet e veta të përjetimit të deportimit në Bllacë gjatë luftës së viteve ‘98-99.
Ky projekt është realizuar në kuadër të platformës Heritage Space e cila implementohet nga CHwB Kosova.
Çmimet: Aktori më i mirë – Filma me metrazh të shkurtër: Ersin Muhaxheri / Ficimad 2022
Rreth Genc Jakupit: Genc Jakupi është një aktor shqiptaro-amerikan. Gjatë viteve të adoleshencës, ai u transferua në New York City nga Prishtina e Kosovës dhe vazhdoi pasionin e tij për aktrimin dhe performancën duke u regjistruar në studion e famshme Herbert Berghof. Ndërsa studionte atje, ai u bë pjesë e ansamblit dhe mori pjesë në shumë shfaqje si “Ora amerikane” e Arthur Miller dhe “Lamtumirë e gjatë” e Tennessee Williams. Pas qëndrimit në Nju Jork, ai vazhdoi shkollimin për teatër në Londër, duke ndjekur kurse në Lamda. Më pas, nga viti 2016, ai u regjistrua në Paris Ecole Internationale de Théâtre Jacques Lecoqr. Që nga krijimi i saj, shkolla ka arsimuar shumë aktorë të njohur teatri nga e gjithë bota.
Pas përfundimit dhe diplomimit të programit intensiv 2-vjeçar në Lecoq në vitin 2018, Genci më pas u kthye në Kosovë për të luajtur rolin kryesor të Flamurit në filmin artistik Drita, i cili pati premierën e tij në Festivalin e Filmit të Cyrihut. Projekti i tij i radhës e detyroi atë të shkruante dhe drejtonte një film të shkurtër të quajtur DUR GUR MUR i cili tregon një histori të një djali të ri që udhëtonte nëpër një stacion treni. Filmi pati premierën e tij në festivalin e filmit kosovar Dokufest. Krahas projekteve të sipërpërmendura, Genci ka pasur paraqitje në filma artistikë për Bleed for This, You Won’t Be Alone, krahas Miles Teller dhe Noomi Rapace përkatësisht.
Genci aktualisht jeton dhe punon në Los Angeles. / KultPlus.com
“Muaji i Fotografisë” na sjell një imazh të fiksuar në Durrës, nga një prej mjeshtrave shkodranë të fotografisë, siç ishte Gegë Marubi, i biri i Kel Marubit. Fotografia e përzgjedhur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka si subjekt një grup sportdashësish që ndjekin garat e notit, në vitin 1937. Kështu fotografia përveç elementit artistik, mbart dhe vlera dokumentare, duke rrëfyer për ngjarje e personazhe të një kohe të largët.
Gegë Marubi pasi u njoh me fotografinë, që fëmijë, në Dritëshkronjën Marubi, më 1923, shkoi për studime pranë shkollës së Vëllezërve Lumière në Paris. Mbas kthimit më 1927, filloi aktivitetin si fotograf bashkë me të atin. Në fondin e fotografive të tij, realizuar në studio apo jashtë saj, gjejmë pothuajse çdo element të mundshëm që kishte ndikuar në historinë e Shqipërisë. Filloi të aplikojë në Shqipëri fotografinë në teknikën infra të kuqe. Fotografia e tij ndryshon prej të atit përsa i përket mungesës së inskenimit të ngjarjes apo faktit, si edhe prej mënyrës së ndriçimit me një kontrast më të madh ku merr forcë drita anësore, disi më kinematografike. Kryesisht fotograf i studios, ai punoi me kërkesë edhe si reporter ngjarjesh të rëndësishme për vendin, si dhe si një dokumentues monumentesh e objektesh të moçme në projekte të ndryshme.
Më 1937 studioja e tij mori medaljen e artë në Fiera del Levante, në Bari. Në vitin 1952 studioja e Marubit kaloi si studio shtetërore nën Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve.
Më 1970, Gegë Marubi i dhuroi shtetit arkivën fotografike të familjes dhe u emërua përgjegjës i saj. Në fototekë u mor me regjistrimin dhe arkivimin e fondit. La si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 51.000 negativë të përmasave të ndryshme në xham dhe në celuloid. /atsh / KultPlus.com
Shtatëmbëdhjetë do të bëjë hapjen e Rezidenca 17 në shtëpinë e Hivzi Sulejmanit, në lagjen Taslixhe më datë 18 gusht, përcjellë KultPlus.
Rezidenca 17 është program rezidencial që zbatohet disa herë gjatë gjithë vitit. Artist/e dhe kurator/e ftohen përmes thirrjeve të hapura për t’iu bashkuar rezidencave tematike lokale dhe rezidencave e shkëmbimeve ndërkombëtare. Rezidencat artistike kontribuojnë në rritjen e rrjeteve mes artistëve por edhe në kërkimin dhe prodhimin e veprave të artit të cilat trajtojnë tema sociale përmes praktikave të ndryshme të artit bashkëkohor krahas kushteve që këto praktika sot zbatohen.
“Një pjesë e madhe e punëve në funksionalizim të hapësirës tashmë ka përfunduar, falë bashkëpunimit me CHwB Kosova me kampin e organizuar për restaurim dhe ripërdorim të moblijeve të vjetra. Po ashtu edhe mbështetjes nga Kooperativa – Regional Platform for Culture dhe Komuna e Prishtinës me të cilën Shtatëmbëdhjetë vitin e kaluar nënshkroi marrëveshje për menaxhim dhe funksionalizim të objektit. Se çfarë forme kanë marrë hapësirat e brendshme të objektit dhe më shumë detaje do të shpalosen të enjten”, thuhet në njoftim.
E kthyer tashmë në një traditë, Festa e Birrës në Korçë vjen në edicionin e saj të 16-të.
Me mijëra vizitorë nga vendi dhe rajoni do të shijojnë disa prej prodhimeve të birrave që marrin pjesë në këtë festë, shoqëruar me muzikën më të mirë në datat 17 deri në 21 Gusht.
Emrat më të njohur të muzikës shqiptare si Aurela Gaçe, Eranda Libohova, Eugent Bushpepa, Capital T, West Side Family etj do të jenë pjesë e 5 koncerteve madhështore, që do të mbahen në skenën e festës pranë Terminalit të Autobusëve.
Për herë të parë në Shqipëri, Festës së Birrës i bashkohet këngëtari grek Kostantinos Argiros, një nga emrat më të njohur në Greqi. Ai do të performojë më 20 Gusht dhe biletat për koncertin e tij kanë nisur të shiten në çdo pikë Easypay në Shqipëri ose online në faqen zyrtare të festës.
Një tjetër risi e këtij edicioni do të jetë mundësia që vizitorët të rezervojnë vendin e tyre në një zone të dedikuar përballë skenës me shërbim të veçantë. Ndërsa ata që nuk duan të rezervojnë një tavolinë, hyrja do të jetë e lirë në çdo hapësirë tjetër. /Klan News / KultPlus.com
Puna e detyruar që Kina po aplikon ndaj myslimanëve ujgurë dhe minoriteteve të tjera në Ksinjiang, mund të përbëjë “skllavëri si krim kundër njerëzimit”, tha një ekspert i pavarur i Kombeve të Bashkuara.
Ujgurët dhe grupi etnik turkik kryesisht vijnë dhe janë të lidhur me kulturën e rajoneve të Azisë Qendrore dhe Lindore.
Trajtimi i tyre nga zyrtarët kinezë në rajonin e Ksinjiangut, ku ujgurët janë vendosur në kampe ndalimi, është cilësuar si gjenocid nga Shtetet e Bashkuara, përderisa OKB-ja ka akuzuar autoritetet kineze për arrestime të paligjshme dhe keqtrajtime të ujgurëve, përmes punës së detyrueshme.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, pothuajse 2 milionë ujgurë, kazakë dhe anëtarë të tjerë të grupeve etnike në Ksinjiang janë dërguar në qendra ndalimi në këtë rajon perëndimor kinez.
Kina mohon se këto ndërtesa janë kampe ndalimi, duke thënë se ato janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin, separatizmin dhe radikalizmin fetar.
Por, banorët që kanë arritur të ikin nga provinca kanë thënë se mijëra persona në këto ndërtesa i nënshtrohet “indoktrinimit politik”. Këto ndërtesa në Ksinjiang zyrtarisht njihen si kampe të riedukimit.
Raporti, i publikuar në orët e vona të 16 gushtit nga raportuesi i posaçëm i OKB-së mbi skllavërinë moderne, Tomoya Obokata, theksoi se janë dy “sisteme të shtetit” në Kinë ku po ndodh puna e detyrueshme.
Njëri është një sistem qendrash arsimore dhe trajnuese, ku minoritetet mbahen dhe janë subjekt i punës së detyrueshme. Ndërkaq, sistemi tjetër përfshin përpjekjet për të ulur varfërinë përmes transferimit të punëtorëve. Sipas këtij sistemi, punëtorët ruralë zhvendosen në “punë sekondare ose terciare”.
“Përderisa këto programe mund të krijojnë mundësi të punësimit për minoritetet dhe të rrisin të ardhurat e tyre… raportuesi i posaçëm konsideron se treguesit e punës së detyrueshme lënë të kuptohet se puna është e natyrës jovullnetare që prek komunitetet që janë prezantuar në shumë raste”, u tha në raport.
Natyra dhe shtrirja e kompetencave mbi punëtorët – përfshirë vëzhgimet e ashpra dhe kushtet e rënda të jetesës dhe punës – mund të përbëjnë “skllavëri si krim kundër njerëzimit, dhe kjo gjë meriton një analizë të mëtejme të pavarur”, u tha në raport.
Obokata tha se sisteme të tilla të punës ekzistojnë edhe në Tibet, ku “përmes programeve, shumë punëtorë, kryesisht fermerë transferohen në punë që kërkojnë pak aftësi dhe paguhen pak”.
Në maj, shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, realizoi një vizitë gjashtëditore në Kinë. Gjatë kësaj vizite të rrallë, ajo po ashtu vizitoi Ksinjiangun.
Kjo vizitë e Bachelet ishte kritikuar nga Uashingtoni dhe grupet e të drejtave të njeriut dhe disa kritikë kanë kërkuar dorëheqjen e saj.
Bachelet pritet të publikojë raportin e detajuar rreth kësaj vizite, para se t’i mbarojë mandati në fund të muajit të ardhshëm. /REL / KultPlus.com
Robert De Niro konsiderohet si një nga aktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, dhe ai ka arritur sukses në pothuajse në çdo zhanër filmi.
Por gjithashtu, ai është regjisor dhe producent filmi.
De Niro vjen prej një familje artistësh: nëna e tij, Virginia Admiral, ka qenë piktore,i ati i tij, Robert, ishte piktor, skulptor dhe poet. Ai u rrit në pjesën e qytetit të New York City në Little Italy në Manhattan. Ka qenë i martuar dy herë.
Ka një vajzë, Drina, dhe një djalë, Raphael, nga martesa me gruan e parë Dianne Abbott; dhe dy djem, Julian Henry dhe Aaron Kendrick, nga marrëdhënia e tij me modelen Toukie Smith.
Djemtë e Smith dhe De Niro-s janë binjakë, dhe janë ngjizur “in vitro”.
Në 2004 ai u rimartua me gruan e tij të dytë, Grace Hightower.
De Niro ka pasur një ndikim domethënës për artin, qoftë në filma, qoftë në fjalimet e tij mbresëlënëse, duke dhënë këshilla të panurmëta edhe si një mentor i mirë për studentët.
Sot, në 79 vjetorin e lindjes së aktorit, po ju sjellim 30 thënie të të madhit Roberto de Niro, i cili njihet për fjalët e tij me “peshë”, që i ka fiks mësime nga jeta e tij…
1 – Njeriu mëson dy mësime më të mëdha në jetë: Kurrë mos ua ktheni shpinën miqve tuaj, dhe gjithmonë mbajeni mbyllur gojën.
2 – Një derë e re do të hapet për ty – një derë në refuzimin e përjetshëm. Është e pashmangshme.
3 – Zbulove një talent, zhvillove një ambicie dhe njohe pasionin tënd. Kur e ndien atë, nuk mund ta luftosh – thjesht duhet ta pranosh!
4 – Ju bëj thirrje të provoni sa më shumë, të jeni mendjehapur, të mirëprisni eksperienca dhe ide të reja. Nëse nuk e provon, nuk do e dish kurrë.
5 – Talenti qëndron në zgjedhjet që bëni.
6 – Punoni shumë: Do të keni kohë për të pushuar kur të vdisni.
7 – Nuk futem në ato diskutime të gjata ta bëj apo mos ta bëj një gjë. Në fund të ditës, do pendohesh për atë që nuk bëre.
8 – Jeto momentin. Pikë. Ji aty. Sepse nëse mendoni gjatë kohës se duhet të bëni ndonjë gjë të jashtëzakonshme, nuk do të funksionojë kurrë. Nëse ndodh, ndodh. Nëse jo, jo. Mos u shqetësoni. Thjesht kini besim, ndershmëri, jini të vërtetë. Kaq kërkoni.
9 – Jeta rrallë ndryshon tërësisht, por vazhdimisht ndryshon në detaje.
10 – Ndonjëherë, nëse ke kufizime financiare, ky është përfitim. Të detyron të gjesh ndonjë ide krijuese.
11 – Njëherë dikush më tha: Mos e li veten të shkosh pas diçkaje apo dikujt me të cilin nuk ke dëshirë të rrish as 30 sekonda.
12. E di që është e rëndësishme t’i japësh kujtdo aq liri sa mundesh kështu që ata të mos ndiejnë se ka limite. Me çdo gabim që bëjnë, çdo gjë shkon mirë. Të mos jenë të frikësuar të provojnë gjëra të reja apo mos të besojnë tek vetja.
13 – Nuk ke pse e bllokon dhimbjen kaq shumë. Pa dhimbjen për çfarë do të flisnim?
14 – Sot unë qesh më shpesh sesa kur isha i ri. Kjo sepse unë kam filluar mos t’i gjykoj më njerëzit
15 – Paratë e bëjnë jetën më të lehtë. Nëse je me fat t’i kesh ato, atëherë je me fat.
16 – Kur isha i ri, nuk frikësohesha kur më thonin “Jo”. I them fëmijëve të mi, dhe kujtdo: Nëse nuk e provon, kurrë nuk e di. Nuk e merrja si refuzim “Jo-në”. Disa gjëra shkojnë kundër teje. Ke refuzime plot, por kjo është pjesa e bukur e jetës.
17 – Nëse s’ke kritika, atëherë kush do të të thotë se si e ke bërë punën tënde?
18 – Nëse je ulur në karrigen e duhur, nuk do të të duhet shumë kohë për të kuptuar që je rehat në të.
19 – Koha ecën, kështu që çfarëdo që të bësh, bëje tani. Bëje tani. Mos prit!
20 – Do të ketë kohë, kur edhe më e mira jote nuk mjafton. Mund të ketë shumë arsye pse ndodh kjo, por për aq kohë sa jep më të mirën tënde, çdo gjë shkon mirë. Nëse merr notën më të lartë në shkollë, kjo nuk do të thotë se do të marrësh të njëjtën notë dhe në jetë.
21 – Nuk ka asgjë më ironike dhe kontradiktore se vetë jeta.
22 – Refuzimi mund të të pickojë, por ka shumë pak ndikim tek ty.
23 – Kur vjen puna te arti, pasioni duhet të jetë një gjendje e përhershme. Jo thjesht po ndjek ëndrrat, por po kap dhe fatin tënd.
24 – Nuk je përgjegjës për çdo gjë që ndodh, por je pjesë e saj. Duhet të vendosësh gjithçka nga vetja në gjithçka që bën.
25 – Nuk ke nevojë për fjalë për të shprehur ndjenjat.
26 – Një nga gjërat e aktrimit është se të lejon që të jetosh jetën e njerëzve të tjerë, pa pasur nevojë të paguash çmimin.
27 – Është e rëndësishme të mos tregosh. Njerëzit nuk përpiqen për të treguar ndjenjat e tyre, ata përpiqen për t’i fshehur ato.
28 – Nëse ka një Zot, ai ka shumë përgjigje për të dhënë.
29 – Kur do dikë duhet t’i besosh atij, nuk ka rrugë tjetër. Duhet t’i japësh ‘çelësat’ e gjithçkaje që të përket ty. Ndryshe, ku do të ishte kuptimi i gjithë dashurisë?
30 – Mos ki frikë të bësh atë që të thonë instinktet! / KultPlus.com
Dua Lipa është në qendër të vëmendjes gjatë gjithë kohës. Suksesi i saj ka bërë që çdo lëvizje t’i bëhet lajm nga mediat, shkruan KultPlus.
Qëndrimi i saj në Kosovë dhe Shqipëri gjithashtu po komentohet shumë në mediat botërore.
Madje, Lipa po merr komente edhe nga rrjeti social “Facebook”.
Pasi u komentua vetëm disa ditë më parë lidhur me veshjen e saj në njërin nga postimet e saj nga “Sunny Hill” ku “Facebook” i shkruante: Ajo është një 10 dhe ka një veshje të mrekullueshme, tashmë vjen komenti i radhës.
Në fotot e postuara nga pushimet e saj në Shqipëri, gjiganti i rrjeteve sociale, “Facebook” ka komentuar sërish tek këngëtarja shqiptare. “Dua Lipa mbretëresha e Shqipërisë”, shkruan “Facebook”. / KultPlus.com
Regjisori gjerman Wolfgang Petersen, i cili arriti famë ndërkombëtare me filmat “Das Boot”, “Outbreak” dhe “Air Force One”, ka vdekur në moshën 81 vjeçare nga kanceri, tha një zëdhënëse.
Petersen, i cili drejtoi A-lista të Hollivudit, duke përfshirë Clint Eastwood, Dustin Hoffman, George Clooney, Harrison Ford dhe Brad Pitt gjatë një karriere që përfshin pesë dekada, vdiq të premten në Los Angeles.
I lindur në Emden, Gjermani në vitin 1941, Petersen shënoi suksesin e tij të parë të madh me “Das Boot”, përshtatur nga një roman me të njëjtin emër për Betejën e Atlantikut.
Filmi i dha atij dy nominime për Oscar në Oscar Awards 1983, duke përfshirë edhe regjinë më të mirë, dhe Petersen publikoi filmin e tij të parë në gjuhën angleze – filmin fantazi për fëmijë “The Never Ending Story”.
Ai kaloi në filmat e Hollivudit në vitet 1990, duke punuar me Eastwood dhe John Malkovich në “In The Line of Fire” dhe duke drejtuar Hoffman në “Outbreak”.
Në vitet 2000, Petersen drejtoi Clooney në “The Perfect Storm” dhe Pitt në “Troy”.
Ai vdiq në rezidencën e tij në Brentwood, Los Angeles në krahët e gruas së tij 50-vjeçare, Maria Antoinette. / AFP / KultPlus.com
Tinka Kurti, artistja e madhe e skenës dhe e kinemasë shqiptare feston sot përvjetorin e 90-të të lindjes.
Kurti lindi më 17 dhjetor te vitit 1932 në Sarajevë. Ajo ka lindur dhe është rritur në një familje artëdashëse pasi nëna e saj në rininë e vet ka qenë aktore kryesore në Teatrin Kombëtar të Sarajevës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Arsimin bazë 7-vjeçar ajo e mori në Sarajevo dhe kur ishte vetëm 13 vjeç familja e saj u shpërngul për në qytetin e Tiranës ku vazhdoi edhe studimet në Politeknikumin e Tiranës.
Sikurse e thotë shpesh edhe vetë Tinka Kurti, ajo rastësisht u regjistrua për të studiuar në degën e Dramës në shkollën e mesme të Dramës së asaj kohe. Shumë pak kohë pasi kishte filluar të ndiqte studimet në këtë specialitet, ajo u përjashtua nga shkolla me motivacionin “shfaqje të prirjeve liberale”.
Ishte pikërisht regjisori Andrea Skanjeti ai që pikasi talentin e saj të jashtëzakonshëm për ta rikthyer Tinkën edhe njëherë tjetër në skenë me shfaqjen “Dasëm Shkodrane”. Pas themelimit të Teatrit “Migjeni” në qytetin e Shkodrës ajo bëhet pjesë e trupës si aktore gjysmë profesioniste dhe ishte gjithashtu ndër 10 aktorët që themeluan institucionin e qytetit të Shkodrës.
Ishte çmimi “Aktorja më e mirë e Republikës” dhe kupa e festivalit në Festivalin e parë të Teatrit Shqiptar që e ngjitën aktoren Tinka Kurti në kategorinë e aktorëve profesionistë me rolin në shfaqen “Toka Jonë” me regji të Kol Jakovës.
Gjatë karrierës së saj aktorja Tinka Kurti ka interpretuar rreth 260 role në skenën e teatrit dhe 95 role në kinematografi.
Në 1994 ajo hyri në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5,000 gratë më të shquara në botë dhe madje më 17 Dhjetor 2007 ajo u ftua në Uashington (SHBA) për të vendosur një pllakë mermeri me emrin e saj në këtë Institut.
Roli i saj më i fundit do të ishte në kinematografi në filmin “Bota” (2014).
Tinka për karrierën e saj artistike është vlerësuar me Çmime dhe Tituj të tjerë si Artiste e Merituar & Artiste e Popullit 1961, me urdhërin “Grand Master” i akorduar nga Presidenti i Republikës për veprimtarinë e saj artistike. /atsh/ KultPlus.com