Ministri Çeku bashkë me partnerët nga zyra e BE dhe UNDP ishin në vizitë në Novobërdë, ku kanë filluar punimet restauruese në xhaminë e Osman Efendisë, përcjellë KultPlus.
Këtë vizitë e zhvilluan në muajin që shënohen ditët e trashëgimisë evropiane dhe kur festohet trashëgimia e qëndrueshme, ndërsa takuan studentët e arkitekturës dhe të trashëgimisë kulturore që janë pjesë e kampit të restaurimit, të cilët po mësojnë teknikat e ruajtjes dhe restaurimit përmes mësimit teorik dhe duke e aplikuar në praktikë.
Ndërhyrjet restauruese po bëhen në kuadër të programit “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social”, bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Bashkimit Europian dhe UNDP-së, ndërsa po zbatohet nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij. Në kuadër të këtij programi parashihet restaurimi i dhjetëra aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës. / KultPlus.com
Video-poezia ‘Po lahem në detin e nënës’ (Bathing in Mother’s Sea) e shkrimtari Arbër Selmani, prej nesër do të jetë pjesë e festivalit CINEM’aMOSTr në Porto të Portugalisë, shkruan KultPlus.
Ky është edicioni i parë i festivalit në fjalë i cili prezanton videoprojekte që bazohen në poezi dhe organizohet nga Asociacioni Kulturor Cabe Cave. Ky edicion i festivalit fillon me 29 shtator deri me 1 tetor.
Video është realizuar nga Nok Selmani përderisa vetë shkrimtari shihet tek zhytet në liqenin e Badovcit duke mëshiruar kështu poezinë me disa pamje që e fuqizojnë edhe më shumë poezinë.
Kujtojmë që e njejta video së pari është shfaqur në York të Anglisë, ndërsa tani po udhëton për në Portugali.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Selmani i cili tutje ka treguar që poezia është një himn për gratë dhe fëmijët e botës.
“Faleminderit Nok Selmanit për xhirimin edhe editimin e videos, dhe faleminderit vetes për zhytjen në Badovc në ora 19:30 në një ditë maji. Poezia është pjesë e librit ’48 piano’, si një himn për gratë dhe fëmijët e botës”, ka shkruar Selmani. / KultPlus.com
Romani i aktorit Tom Hanks “The Making of Another Motion Picture Masterpiece” do të publikohet në vitin 2023.
Librit të yllit të “Forrest Gump” i është caktuar një datë publikimi në ShBA dhe Britani të madhe dhe është 9 maji i vitit të ardhshëm.
“The Making of Another Motion Picture Masterpiece” pason krijimin e një filmi aksion, të mbushur me yje shumë milionë dollarësh e me superhero”, përshkruhet libri.
“Krijimi i filmit është punë shumë e vështirë për një periudhë shumë të gjatë kohore që përbëhet nga kaq shumë momente gëzimi të shoqëruara me një numër të barabartë ndjenjash të urrejtjes ndaj vetes. Është puna më e madhe në botë dhe njëkohësisht puna më ngatërruese që unë njoh”, ka thënë Hanks.
Por ky nuk është i pari, Hanks në vitin 2017 publikoi librin “Uncommon Type”./21Media / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është rikthyer në Kosovë, pas disa vizitave të saj jashtë vendit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Osmani thotë me bindje të plotë se Kosova është në rrugën e duhur.
Pas një jave të mbushur me takime dhe diskutime me miq dhe aleatë të rinj e të vjetër, ne kthehemi në vendlindje me bindjen e plotë se Kosova është në rrugën e duhur”, ka shkruar ajo në Facebook.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbajti punime në New York të SHBA-së, event në të cilin mori pjesë edhe Osmani.
Gjatë qëndrimit atje, Presidentja e Kosovës u takua edhe me presidentin amerikan, Joe Biden dhe sekretarin e përgjithshëm, Antony Blinken.
Në mes tjerash, Osmani tha se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë bashkëpunimin me aleatët dhe organizatat ndërkombëtare. /KultPlus.com
Pasi përfundimit të garës së Ligës së Kombeve, tanimë janë bërë të ditur edhe vazot për kampionatin e ardhshëm Evropian, që do të mbahet në Gjermani në vitin 2024, shkruan KultPlus.
Shqipëria është në vazon e tretë, ndërkohë Kosova në vazon e katërt, prandaj në Evropianin e ardhshëm të dyja mund të jenë në të njëjtin grup.
Më poshtë mund t’i shihni edhe të gjitha vazot dhe kombëtaret tjera.
Shorti që do të përcaktojë grupet kualifikuese për në Euro 2024 do të hidhet të dielën e 9 tetorit 2022. /KultPlus.com
Ai s’ka vdekë asht shkua me t’birin hijeve t’pishave mu freskua këtij fundshtatori të gurra e Martin Bogës ujë me pi faqet t’birit me ia la fierin njomak me ia vu n’ballë n’tufa klekash me ra me fjetë dyherë mu ngjallë dyherë me vdekë
Ai s’ka vdekë Ai e ka marrë ngrykë Ujkan Smajlin asht ngjitë Ashtë së Shkrelit thikpërpjetë me gërrithë emnin e t’birit me brisk nëpër lisa kiterr asht ba n’rrema, ujk n’kaçuba pak asht shkua të Ibra pak asht shkua të Riza
M’besoni, ai sot asht hipë n’zekanin e shaluem n’Stankaj asht shkua të Bajram Kelmendi me marrë me dy djemtë e vet mbi varrin e Azemit barin me kositë me ngjallë njiherë e dyherë me marrë ngryk kalabosh me vdekë
Jo ai nuk vdiq ai shkoi të shkrelët me fjetë malli mos me mbytë!
Mbi 95 për qind e popullsisë në vend janë përdorues të internetit dhe si pasojë e kësaj, keqpërdorimi i të miturve në rrjetet sociale është në rritje. Sipas sociologeve dhe ekspertëve, ky fenomen ka pasoja të rënda për të ardhmen e fëmijëve dhe se familjet e institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë me shumë për sa i përket sigurisë së fëmijëve gjatë përdorimit të internetit.
Keqpërdorimi i të miturve në rrjetet sociale është në rritje dhe se raportimi i rasteve mbetet sfidë, pasi që në Kosovë mbi 95 për qind e popullsisë është përdorues i internetit dhe një pjesë e madhe e tyre janë të mitur. Se kjo situatë është shqetësuese dhe është jashtë çdo kontrolli e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën eksperti dhe ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
“Shqetësuese është moskufizimi i qasjes i cilësdo moshë në ueb faqe që konsiderohen ose janë të ndaluara në vendet e tjera për arsye të tjera. Kriteri tjetër që duhet të ekzistonte së paku është të identifikohen ata të cilët hyjnë në këto ueb faqe, të gjurmohet që të ketë një gjurmë eventualisht për vlerësimin e të dhënave që mbikëqyren. Ajo që është edhe më keqe është ekspozimi edhe në mediet publike dhe private”, ka theksuar Jashari për RTK-në.
Po ashtu, ai tha se pasojat nga ekspozimi i të miturve në rrjetet sociale janë shumë të mëdha sa që sipas disa studimeve të bëra, edhe ADN- ja e këtyre personave ndryshon në moshën madhore si pasojë e keqpërdorimit të tyre në rrjetet sociale.
“Aq i thellë është ndikimi sa që në shkencë është vërtetuar që ai person në moshën madhore pëson ndryshim të ADN-së. Kaq i thellë është ndikimi për të cilën ne nuk jemi të vetëdijshëm dhe unë, sa isha në pozitën e Avokatit të Popullit, e pata bërë një publikim të kësaj natyre për t’i vetëdijesuar institucionet përgjegjëse për të kuptuar se sa i madh është ndikimi. Por, për fat të keq, nuk pati ndonjë reagim pozitiv të institucioneve që merren me trajtimin shëndetësor, social dhe atë psikologjik dhe për të njoftuar edhe popullatën se çfarë ndikimi mund të kenë sjelljet e tilla te fëmijët dhe në përgjithësi”, ka shtuar Jashari.
Se pasojat janë të mëdha gjatë abuzimit të fëmijëve në rrjetet sociale e thotë për Radio Kosovën edhe sociologu Shkodran Ramadani, që është edhe drejtor i Qendrës për Studime të Avancuar e që kanë organizuar studime të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Po ashtu, të miturit që keqpërdoren në rrjetet sociale, në të ardhmen do të bullizohen, tha Ramadani.
“Numri i ulët i raportimit nuk është thjesht mos ekzistencë e këtij fenomeni, por ekziston një lloj hezitimi dhe frike për ta raportuar rastin për arsye se në disa raste të caktuara raportimi i rastit nënkupton edhe shpërndarje më të madhe të materialeve. Por frika tjetër është edhe bullizimi”, ka theksuar Ramadani.
Ndërkaq, Policia e Kosovës në një përgjigjeje përmes postës elektronike i tha Radio Kosovës se hapësira kibernetike vazhdon të jetë ambient i përshtatshëm për keqbërësit për kryerjen e veprave të ndryshme penale, duke përdorur programe kompjuterike dhe se qytetarët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për rreziqet. Policia bënë të ditur se nuk disponojnë të dhëna të ndara për rastet e mashtrimeve online, sepse rastet evidentohen ashtu siç janë te përkufizuara sipas kodit penal te RKS-së. / Gazeta express / KultPlus.com
Detina Zalli është angazhuar në një kërkim shkencor hapësinor në një prej kompanive më të mëdha në botë, NASA, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Zalli njoftoi se ka arritur që të realizojë një ëndërr të saj, e cila ka qenë e tillë prej kohësh.
Postimi i plotë:
“Krenar që jam pjesë e Programit STAR të NASA. Kjo ka qenë një ëndërr e imja prej kohësh. Nuk mund të të falënderojmë sa duhet Egle Cekanaviciute për mundësinë unike dhe brilante për të mësuar dhe angazhuar më shumë në kërkimin shkencor hapësinor. Një falenderim i madh për mikun tim Willian Abraham da Silveira për mbështetjen e tij në këtë program”, thuhet në postimin e saj.
Kjo nuk është hera e parë që Zalli punon për NASA-n, pasi një përvojë të tillë e kishte edhe më herët.
Dy binjaket, Argita dhe Detina, kanë pasur arritje të majme në fushën e shkencës vitet e fundit, përpos faktit që kanë studiuar në Harvard. /KultPlus.com
Kjo ditë mbështet idenë se çdokush në mbarë globin ka të drejtën themelore për të kërkuar, marrë dhe shpërndarë informacion, përcjell KultPlus.
Kjo e drejtë është e lidhur edhe me të drejtën e lirisë së shprehjes. Komunikimi në të gjitha nivelet, lokal, kombëtar dhe mbarëbotëror, është i përfshirë.
E drejta për informim është e nevojshme për marrjen e vendimeve, angazhimin në qeverisjen demokratike dhe rritjen e hapjes, e cila i ndihmon qytetarët të kenë akses në njohuritë se si qeverisen.
Ajo krijon një terren për një luftë kundër korrupsionit. Media luan gjithashtu një rol kritik, pasi informon publikun për temat me interes dhe mbështetet në aftësinë për të kërkuar dhe marrë informacion.
Për këtë arsye besohet se kjo e drejtë lidhet edhe me të drejtën e lirisë së shtypit. /KultPlus.com
Elizabeta Karabolli, e lindur në vitin 1958, është një qitëse sportive shqiptaro-amerikane, e cila u bë kampione evropiane në pistoletë ajrore, duke përfaqësuar Shqipërinë, shkruan KultPlus.
Më 28 shtator 1979, Elisabeta Karabolli u bë kampione e Evropës në pistoletë ajrore, duke përfaqësuar Shqipërinë.
Ajo ishte kampionia e parë evropiane nga Shqipëria në ndonjë sport.
E natyralizuar si shtetase amerikane, në moshën 50-vjeçare, Karabolli fitoi titullin e SHBA-së në vitin 2008 në garën e pistoletës sportive për vajza. / KultPlus.com
Pse s’më thua Kjo borë është e bardhë si shpirti yt Ti hesht e më shtyn të hesht dhe unë E unë aq shumë desha të të flas Qëkur flas vetëm me vetveten Dhe i shoh konturat e tua të tejdukshme Në ajër
Kjo borë e bardhë është si shpirti yt Unë rri i humbur Para pafundësisë Ti më merr për dore e më çon shtigjeve të fëmijërisë E m’i ngul sytë pa më thënë gjë
Asgjë s’kam Mund t’i kem harruar këto shtigje Po fëmijë jam ende Fëmijë i pafajmë dhe i etur Pse s’më flet Pse s’më thua
Kjo borë bie mbi mua gjithnjë Kjo borë e bardhë si shpirti yt E di ç’të vlon në kraharor Qiellin do ta përmbysja vetëm të ta shuaj Atë dhembje të përjetshme Brengën vetminë…
Marrë nga vëllimi “Përtej harresës”, 1999. / KultPlus.com
“Rini e Çmenduri” është drama e fortë e John Osborne-it, e vënë në skenë nga një grup artistësh të rinj. Produksioni vjen në kuadër të “Fondit të teatrit për të rinj”, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” si dhe nga Teatri “Bylis”.
Drama me regji të Alba Shtëmbarit, dhe me aktorë Ledian Gjeçin, Antonela Cinën, Ana Kuqon e Ergi Hasanin, trajton problemet e ankthshme të një martese individësh inteligjentë, por me disbalanca sociale dhe ekonomike. Në qendër të dramës është kriza e një shoqërie indiferente, të korruptuar, pa moral e pa ambicie për dije.
“Rini e Çmenduri” është një dramë e cila na bën të shohim qartë pasojat që sjell indiferenca, dhe shkatërrimin që sjell zemërimi. Një dramë e cila na trondit, por njëkohësisht edhe na zgjon.
Trupa që e vuri ne skenën e Teatrit “Bylis”, dramën “Rini e Çmenduri” ka marrë vlerësimin e regjisorëve e artistëve të njohur të skenës. Ata i kanë vlerësuar përpjekjet e të rinjve pasionantë e këmbëngulës.
Ndërkohë, në qytete të ndryshme të vendit, janë u përgatitur për vënie në skenë, të tjera vepra teatralë, të cilat kanë gjetur mbështetjen e “Fondit të teatrit për të rinj”. Pas suksesit që pati “Kjo rinia jonë”, e vënë në skenën e teatrit të Korçës “A.Z. Çajupi”, është duke u përgatitur “Muji dhe Halili”, me regji të Ina Morinaj, “Madhështia e marrëzisë” me regji të Ajlin Petrelës, si dhe “Lojëra në oborrin e pasëm”, me regji të Kjara Gjergjit e që do të vihet në skenën e Pallatit të Kulturës “Ndue Shyti”, Pukë./atsh/ KultPlus.com
Një prej baladave më të mira nga Vesa Luma është ajo e vitit 2008.
Kënga ‘Dhe për mua do të ketë një zemër’ u këndua nga Vesa në festivalin Top Fest, në maj të vitit 2008.
Balada u pëlqye dhe mori vëmendjen e publikut, i cili e dëgjon këngën edhe sot. Vesa hapat e saj të fuqishëm në muzikë i bëri pikërisht në Shqipëri, kur ishte ndër finalistet e ‘Etheve të së premtes’.
Balada “Dhe për mua do të ketë një zemër” padyshim flet për dashurinë e humbur, me një tekst të mahnitshëm, i tillë i munguar sot në estradën shqiptare dhe në bagazhin e teksteve muzikore.
https://www.youtube.com/watch?v=5eD390QrPkY
Tri ditë kam në dhomën time t’zbraztë E dy ditë prej se ke shku Veq një ditë kam mbet pa qajtë E të nesërmen t’kam kërku Një javë bëhet pa dashuri t’rrejshme Një ditë shfaqesh e prapë s’je k’tu Një orë mall është dhimbje skajshme Sa një mijë vjet ty me t’besu shtat dit t’javës flasin mirë për ty E gjashtë të tjera veq për tradhëti Pesë netë të gjata sa pesëqind E katër tjera sa një mijë Dhjetë orë rruge i kam ba me t’pa Nëntë të tjera me t’përqafu Ku ta dija unë e shkreta Që ty s’kam me tu kujtuu Ref: Ditën natën thërras me emer Malli m’vret veq kur mendoj Dhe për mu do t’kete një zemër Që do të dijë të mos m’lëndojë Ditën natën thërras me emer Malli m’vret veq kur mendoj Dhe për mu do t’kete një zemër Që do të dijë të mos m’lëndojë oooooohooooooooo… Ref: Ditën natën thërras me emer Malli m’vret veq kur mendoj Dhe për mu do t’kete një zemër Që do të dijë të mos m’lëndojë Ditën natën thërras me emer Malli m’vret veq kur mendoj Dhe për mu do t’kete një zemër Që do të dijë të mos m’lëndojë / KultPlus.com
Publiku shkupjan më 30 shtator 2022, do të ketë nderin të dëgjoj një ndër violinistët më të mirë shqiptar. Bëhet fjalë për violinistin nga Shqipëria, Klaidi Sahatçi, karriera artistike e të cilit numëron suksese dhe arritje shumë të mëdha, përcjell KultPlus.
Festivali i muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, në edicionin e tij të pestë, dhe në koncertin e pestë me radhë për këtë edicion, sjell para publikut shkupjan, koncertmjeshtërin e parë të orkestrës Tonhalle të Zyrihut.
Koncerti do të mbahet me 30 shtator 2022, në sallën kamertale të Filharmonisë Nacionale të Maqedonisë së Veriut, me fillim nga ora 19:30.
Me këtë rast, shoqata “Muza”, në një bashkëbisedim të shkurtër me Klaidi Sahatçiun, ai ka mundësuar ta njohim më nga afër rrugëtimin e tij artistik, si dhe emocionet dhe pritshmëritë e tij për koncertin që po vjen.
1. Klaidi për artëdashësit shkupjan, të na tregoni shkurt për gjenezën tuaj nga lindja dhe rrugëtimin tuaj deri në Orkestrën Tonhalle të Zurich-ut?
Sahatçiu: Jam lindur në Tiranë, ku dhe fillova studimet muzikore në moshën 6-vjeçare në shkollën “Dëshmoret e Lirisë” gjatë regjimit totalitar. Më tej në moshën 16 vjeçare studiova në Liceun Artistik “Jordan Misja” violinë me Mamica Abazin dhe më pas me Klodiana Skenderin.
Në moshën 20 vjeçare me rënien e regjimit u zhvendosa në Itali për të vazhduar të pasuroj njohuritë në Konservatorin “G.Verdi” të Milanos ku pas dy vitesh mora diplomën me notën më të lartë cum laude dhe Mansion Nderi.
Pas kësaj, pas një audicioni jam pranuar dhe kam studiuar me maestron Salvatore Accardo në akademinë “W. Stauffer” të Kremones dhe më tej me profesorin rus Boris Garlitzky në Lion te Frances në disa masterklase dhe mësime private.
Para se të fitoja pozicionin prestigjioz të Koncertmasterit të Parë të Orkestrës Tonhalle në Zyrih në vitin 2010, kam mbuluar pozicione te tilla si: Violon Solo i Orkestrës Kombëtare të Lionit, assistent Koncermaster i Orkestrës se Zvicrës Italiane, Koncertmaster i parë i Orkestrës së Dhomës së Zyrihut dhe Koncertmaster i Parë i Orkestrës së Teatrit Scala në Milano dhe Orkestrës Filarmonike të Scalës.
2. A jeni për herë të parë në Shkup dhe Maqedoni të Veriut, dhe si po e pritni bashkëpunimin me artistët shqiptar që do te keni në festivalin “Skupi KamerFest”.
Sahatçiu: Vij për herën e dytë, pasi disa vjet më parë kam luajtur me pianisten Merita Rexha Tershana për Festivalin e Ohrit ku jam pritur shumë mirë si nga organizatorët dhe nga publiku .
Ftesa për këtë koncert më entuziazmon dhe jam kurioz dhe i motivuar të luaj me kolegët dhe miqtë shqiptarë Merita, Blerim dhe Aristidhin, dhe të zbuloj dhe të ndjej nga afër atmosferën e Shkupit./Nora Bajrami – Muzikologe/ KultPlus.com
Dita e katërt e TIFF ka nisur me filmin me metrazh të gjatë të regjisorit rus, Aleksandr Khant.
“In Limbo” (103’) është një dramë e cila rrëfen historinë e dy adoleshentëve 15-vjeçarë, Sashës dhe Denit, të cilët bëjnë seks për herë të parë. Kur prindërit e Sashës zbulojnë se ajo ka humbur virgjërinë, shpërthen ferri.
Deni e Sasha largohen së bashku, në shenjë proteste ndaj prindërve e kundër shoqërisë në tërësi. Por liria e papritur iu bie në kokë. Filmi është prodhim i vitit 2021 dhe është vlerësuar në disa festivale europiane, ndërsa në festivalin ndërkombëtar të filmit në Varshavë fitoi çmimin Young Fipresci Award.
Njëkohësisht në Kinema Millennium, vazhduan shfaqjet e filmave për fëmijë edhe në Liceun Artistik “Jordan Misja”, 9 filma të animuar dhe më pas, për fëmijë më të rritur, mbi 11-vjeç u shfaqën 3 filma fiction, të seksionit PANORAMA.
Ora 12:00 shënoi nisjen e projeksioneve të filmave të shkurtër ballkanikë. Gjithsej shtatë filma fiction, nga Turqia, Maqedonia e Verit, Greqia e Serbia.
Pas tyre nisi projeksioni i “Blue Moon”i regjisores Alina Grigore, nga Rumania. Filmi i përket seksionit Perspec TIFF.
Pasdite priten të shfaqen një listë e gjatë filmash të zhanreve të ndryshme, mes të cilëve “Bijtë e Kainit” nga Keti Stamo, film dokumentar, i realizuar mes Francës, Shqipërisë e Italisë./atsh/ KultPlus.com
Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë ekspozon për herë të parë disa prej veprave të artistëve ikonografë të mirënjohur, të evidentuara dhe të studiuara nga Theofan Popa.
Bashkia Korçë bën të ditur se, Theofan Popa studiues shkencor i ikonave dhe të afreskeve kishtarë, shpëtoi nga shkatërrimi diktatorial me mijëra ikona dhe objekte të tjera liturgjike, që janë një pasuri e çmuar për historinë e vendit.
Popa njihet si një nga themeluesit e Muzeut ikonografik të Korçës që u vendos në Kishën e Burimit Jetëdhënës. Më vonë ai punoi në krijimin e Muzeut Onufri në Berat. Ndërsa një fazë e rëndësishme për veprën e Theofanit janë vitet 1974-1980 kur ai merrej me ruajtjen e kishave dhe të manastireve. Theofanin regjimi i asaj kohe e akuzoi se shfrytëzonte detyrën shkencore për të bërë propagandë fetare, duke e distancuar nga kjo pune, por vepra e tij studimore dhe shkencore, janë sot një pasuri e çmuar.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ndodhet në qytetin e Korçës është ndërtuar në vitin 24 prill 1980 dhe është vendosur në dy banesa karakteristike korçare të shpallura monumente kulture.
Ky muze konservon trashëgimin më me vlerë të krijuar nga piktorët shqiptar për pesë shekuj.
Në pavijonin e artit ikonografik janë ekspozuar pikturat me prestigjioze të erës pasbizantine.
Ato janë të shekujve XII e XIV. Ky muze përmban 7500 objekte artistike prej guri, druri, leshi, argjendi dhe metale të tjera, kostume folklorike dhe objekte të tjera që tregojnë traditën dhe origjinalitetin e kulturës qytetare.
Rreth 1200 objekte shumica me përkatësi kohore nga Epoka e Bronzit dhe Epokës së Hekurit, dhe rreth 6000 janë ikona./atsh/ KultPlus.com
Ka vdekur sot gazetari veteran dhe poeti Adem Shkreli, shkruan KultPlus.
Për ata që nuk e dinë, Ademi është vëllai i poetit të njohur Azem Shkreli, si dhe i Ymer, e Afrim Shkrelit.
Vëllezërit Shkreli kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.
Për vdekjen e Ademit ka reaguar poetja Naime Beqiraj e cila thotë se axhi Adem ka qenë malësori shijehollë e autentik që ka ditur për të rinjtë të marr edhe shpirtin e këshillat e prindit.
“Ke me rrnua g’jat, ma g’jat se Ujka Smajli”, i kisha thënë rugovisht axhit Adem, kur mosha e prekte jo kujtesën por dhembjen për ditët që po i numëroheshin. Nëna i kishte vdekur e re nuse, duke e lëne motak, Azem Shkrelin fort t’vocërr e motrën të sapo lindur. Kurse baba i tij Ujkani e kishte prekur shekullin e jetës. E kujtonte gjithnjë më mallë nënën e re edhe atëherë kur dhimbja për birin e tij të vetëm Aliun që i vdiq para pak vitesh e dhimbja për Azemin e kishin plandosur. “Ma mirë t’isha shku û, vocrrake”. Por qëndronte. Axhi Adem, njëri nga gazetarët e parë kosovarë që i kthehej herë pas herë edhe poezisë e kishte botuar disa libra poetik, e kishte sakrifikuar poezinë për gazetarinë. Gjatë gjysëm shekulli gazetari, ai e kishte kultivuar sidomos reportazhin, tekstin e të cilit pērherë e stoliste me figura të letërsisë. Axhi Adem shquhej për sedrën e tij, stilin e veshjes, shijen për ushqime, biseda, sjellje. Edhe në moshë të shtyrë dinte të ta mbante karriken, pallton. Ishte i tëri bonton. Do të na mungosh axhi Adem, malësori shijehollë e autentik që ke ditur për të rinjtë të marrësh edhe shpirtin e këshillat e prindit. Sot, që po t’përcjellim, po të kujtoj me këtë foto dhe ndejen para pikërisht tetë vitesh në Pejë dhe fjalët “Malësorët janë të fortë por edhe subtil, sidomos na rugovanat”. E paç të pasosur Parajsën miku im i veçantë!”, shkruan Beqiraj. / KultPlus.com
Fëmijë të shqetësuar Me sy të bukur Pa asnjë lule në duar Adhurues të lojërave me drita Një ditë mësojnë Ç’është kuptimi i jetës Duke ia krisur vajit Mbledhin gjethe të vyshkura Në rrugën me emrin e qiellit Derisa i numërojnë shkronjat e alfabetit Bashkë me mëkatet e të rriturve Dalëngadalë vazhdojnë t’i braktisin lodrat Kur çdo gjë bëhet e padurueshme Secili pyet vetveten Sa peshon liria e tjetrit Nëse mungon dashuria e parë Fëmijë të zakonshëm Me sy të bukur Presin në radhë për buzëqeshje Kur zhduken hijet nga rruga Kur i numërojnë hapat e këputur Kur i grumbullojnë të gjitha gjethet Ndoshta edhe lumturinë që s’është Si pantomima e një dite vjeshte Vetëm një herë Në fund të heshtjes Fluturojnë zogjtë e mërzitur / KultPlus.com
Libri “Tipografia shqiptare 1555-1912” nga autori Yll Rugova është një kërkim dy vjeçar mbi historinë e shkronjave, shtypshkronjave dhe alfabeteve të gjuhës shqipe. Ndonëse autori ka synuar që në fillim të gjurmoheshin vetëm gjurmët tipografike të botimeve të hershme shqipe, studimi i tij na dërgon në një rrugëtim që nis nga viti 1555 e vazhdon deri më 1912, shkruan KultPlus.
Libri është i ndarë në tre pjesë kryesore. Në pjesën e parë prezantohen veprat dhe autorët e hershëm, duke filluar me Mesharin e Buzukut, pastaj me Budin, Bardhin e Bogdanin, të gjithë me vepra të shtypura në Itali. Për të vazhduar më pas në anën e Adriatikut, së pari me shtypshkronjën e Voskopojës, të udhëhequr nga Grigori i Durrësit, shpikës i një alfabeti origjinal të shqipes, e deri tek viti 1824 kur është shtypur një libër i parë i njohur në gjuhën shqipe në Ballkan, në ishullin e Korfuzit.
Në pjesën e dytë trajtohet më në detaje çështja e fenomenit të shpikjes së alfabeteve origjinale të shqipes, duke filluar nga alfabeti më i hershëm nga Kozma i Durrësit, për të kaluar përmes Theodhor Haxhifilipit, Jan Vellarait, Naum Veqilharxhit e deri te Hasan Tahsini në fundin e shekulli të 19-të.
Në pjesën e tretë shfaqen iniciativat e para kombëtare për ngritjen e shtypshkronjave, për të vazhduar me Shoqërinë e Stambollit që ka shtypur veprat e veta të kroatit Anton Zeliç në Stamboll, e ku siç mëtohet Sami Frashëri vetë ka gdhendur shkronjat e alfabetit në Stamboll. Pastaj vazhdohet me shtypshkronjën shqiptare në Bukuresht, me Mbrothësinë e Kristo Luarasit në Sofje e me shtypshkronjat shqiptare në Korçë e Shkodër.
Ballina me germat e Todrit dhe Vithkuqit.
Autori Yll Rugova në një intervistë për KultPlus ka treguar se ka edhe shumë autorë e shtypshkronja tjera që janë ndjekur si hulli më vete në këtë libër. Ai përmend edhe të dhënat që tregojnë se shtypshkruesi i parë arbër është Bernard Vitali në Venedik, i cili ka vepruar të paktën nga viti 1496 deri më 1539 kur edhe besohet të ketë vdekur.
“Te Vitali janë shtypur edhe Rrethimi i Shkodrës e edhe Historia e Skënderbeu nga Marin Barleti. Në një botim të hershëm nga viti 1498 Vitali e shënon vetën si shqiptar. Asnjë vepër e tij nuk është shtypur në gjuhën shqipe. Qysh dihet mirëfilli libri i parë i shtypur shqip vjen pak më vonë në vitin 1555, megjithatë, vepra e Vitalit mund të konsiderohet me rëndësi për tipografinë shqiptare”, ka thënë Rugova.
Përveç pjesës tipografike, libri trajton edhe çështjen e shpikjes së alfabeteve origjinale të shqipes, që është një shtresë shumë e veçantë e historisë së popullit shqiptar.
Kur në vitin 2020 pandemia COVID-19 e paralizoi gjithë rruzullin, për autorin janë krijuar rrethanat për të ndjekur gjurmët tipografike të botimeve të hershme shqipe. Në fillim, synimi i tij qe të gjurmohej ndonjë rast si ai i Buzukut e ai i Bardhit, por në fund të gjitha janë lidhur me njëra tjetrën asisoj saqë autori ka përfunduar me një studim që nis nga viti 1555 me botimin e Buzukut në Venedik e deri në vitin 1912 kur nisin më ngjeshur punën shtypshkronjat e para shqipe në Shqipëri.
“Gjatë dizajnimit të tipshkronjave kam hasur në vazhdimësi në hendeqe sa i përket të dhënave historike jo vetëm për shkronjat e botimeve në shqip, por edhe për të dhëna të tjera në lidhje me shtypin e tyre. Për shembull te Fjalori i Bardhit, përveç që është shtypur në Romë në vitin 1635, s’kam pasur ndonjë të dhënë tjetër. Më është dashur ta dizajnoj si tipshkronjë germat e Frang Bardhit në mungesë të këtyre të dhënave. Të dhëna të tilla kishte tepër pak edhe për autorë të tjerë si Buzuku, Budi e Bogdani. Ani pse të gjithë këta autorë janë hulumtuar mjaft dendur për nga aspekte të tjera, si gjuhësia, e jetëshkrimet. Duke u marr tash e sa vjet me dizajnimin e tipshkronjave (fonteve), ky hendek e ka vështirësuar shumë punën, duke qenë se disa prej këtyre tipshkronjve kanë si bazë elemente tipografike edhe të historisë sonë”, shpalos Rugova.
Inicialet e Mesharit në libra të tjerë në Venedik
Nga viti 1555 deri më 1912, në libër përfshihen histori të ndryshme të veprimtarisë tipografike dhe puna e hulumtimit ka qenë me të vërtetë një sfidë më vete për autorin.
“Duke mos qenë i trajnuar si historian kërkimi ka qenë një sfidë. Për më shumë, mes viteve 2020 dhe 2022 isha në shumicën e kohës në Bruksel, pa qasje në bibliotekat e arkivat e Kosovës e Shqipërisë. Jemi me fat që në ditët tona një pjesë e madhe e këtyre materialeve e punimeve të mëhershme janë edhe në formën e skanuar që mund edhe të sigurohen online. Ishte fat i madh për mua që një iniciativë digjitalizimi kishte ndjekur edhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, e edhe Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë. Një pjesë e madhe e materialeve janë siguruar aty. Pastaj materiale janë siguruar edhe nga bibliotekat e digjitalizuara në Paris, Vjenë, Zagreb, Athinë e Berlin. Për një pjesë të materialeve më është dashur të udhëtoj edhe fizikisht në Prishtinë e Tiranë, e të kërkoj edhe ndihmën e kolegëve, shokëve e familjarëve, të cilët i falënderoj përzemërsisht”, thotë ai për KultPlus.
Janë disa fragmente të historisë në libër, ato për të cilat autori është përkujdesur më në detaje, e disa të tjera janë trajtuar më në kalim, kushtëzuar nga burimet në dispozicion, por edhe nga vetë rrjedha që libri ka marr. Edhe pse konsiderohet se disa çështje që trajtohen në libër meritojnë edhe kërkime të veçanta, e disa prej tyre mund të ishin edhe tema më vete për ndonjë botim monografik, këtë herë autori është mjaftuar me të dhënat që janë botuar aty, të cilat shpesh janë të përcjellura edhe me ilustrime konkrete nga skanimet apo fotografitë relevante.
Sipas tij, edhe pse e vështirë, ai si veçantinë e librit apo edhe pjesën më të rëndësishme e konsideron procesin e vazhdueshëm të hulumtimit të të dhënave, që për të ka qenë tejet befasuese.
Për të, me rëndësi është ndoshta që në libër për herë të parë ngushtohet perimetri i mundësive sa i përket shtypshkruesit të Mesharit. Autori na tregon se duket shumë e mundur që libri më i hershëm shqip të jetë shtypur te punishtja e vëllezërve Scotto në Venedik. Pra, në libër janë shtuar ca të dhëna mbi punën e rëndësishme të historianes Luçia Nadin në kërkimin e inicialeve dekoruese nga botimet e kohës.
“Ndoshta mund të jenë me interes për publikun edhe gjurmët e një doktoranti në Padovë me emrin Gjon Buzuku në vitin 1567. Ky Gjon që vinte nga Friuli afër Venedikut, si duket ishte biri i një Martini, pra nuk duket të jetë Gjon Bdek Buzuku i Mesharit. Megjithatë, është një gjurmë e rrallë me këtë emër në shënimet arkivore të kohës, dhe besoj meriton të ndiqet më tutje. Në libër për herë të parë e vërtetojmë pa mëdyshje edhe se Ëvetari i Naum Veqilharxhit është shtypur në Bukuresht. Përveç kësaj kemi gjetur edhe emrin e litografit, Georg Wenrich, që ka bërë litografimin e kësaj vepre në vitin 1844. Kjo është një gjetje me rëndësi që mbyllë një debat tashmë njëshekullor mbi këtë temë. Ka edhe informata të tjera me rëndësi për Voskopojën, Grigorin e Durrësit, Theodhor Haxhifilipin, e pastaj edhe për Kristo Luarasin, e Dhori Kotin. Për këdo që ka interesim në këto tema, besoj se libri do të jetë me interes”, tregon Rugova.
Germat e alfabetit të Todhrit të gdhendura nga Alois Auer në vitin 1850
Ndërkaq, promovimi i librit “Tipografia shqiptare 1555-1912″ vjen më 2 tetor 2022, (ditë e diel), duke filluar nga ora 14:00, në qendrën për kulturë alternative “Defy Them” në Bregun e Diellit në Prishtinë. Dhe për suksesin që potencialisht do të ketë libri, autori Yll Rugova potencon se interesimi më i madh pritet të vijë nga studiuesit e librit, bibliografistët, dizajnerët grafikë, arkivistët e gjuhëtarët. Por, shpresat ai i mban edhe tek kureshtja e lexuesve të tjerë që i përkasin edhe fushave të tjera.
Krejt në fund, autori Yll Rugova na shpalos edhe vlerësimin e tij rreth literaturës tipografike dhe punës që po bëhet në këtë fushë.
“Mbase është mirë të sqarohet dallimi mes dorëshkrimit dhe tipografisë së pari. Përderisa të dyja kanë si bazë shkronjat, kjo e dyta është më e re historikisht dhe vjen vetëm pas shpikjes së shtypshkrimit nga Johannes Gutenberg në mesin e shekullit të 15-të. Germat tipografike janë të punuara, vizatuara e dizajnuara përpara se ato të vihen në përdorim, kurse shkronjat që i përdorim në kaligrafi apo dorëshkrim janë të aty-për-atyshme, të menjëhershme, pa ndonjë kontemplim paraprak për formën e tyre. Së këndejmi, te germat tipografike kemi gjithmonë përsëritje të shenjave të njëjta grafike, përderisa në germat e dorëshkruara ato në vazhdimësi dallojnë nga njëra-tjetra në madhësi e formë. Për dorëshkrimet dhe kaligrafinë më shumë merren paleografët, kurse me tipografinë bibliografët e tipografët”, thotë ai.
Sipas tij, pas vitit 1912, ka pasur një zhvillim të ndjeshëm të bibliografisë ndër shqiptarë me qendrat kryesore Tiranën dhe Prishtinën. Por që në lëminë e interesimeve bibliografike shkronjat dhe shtypshkronjat rëndom nuk kanë qenë subjekte të kërkimeve serioze.
“Së këndejmi, për tipografinë ka shumë pak hulumtime e shumë pak informata në literaturën shqiptare. Kjo vërehet edhe nga mungesa e terminologjisë shqip sa i përket shtypshkrimit. Ka pasur një interesim më serioz në fund të viteve të 80ta në Prishtinë e Tiranë nga profesorët e nderuar Shyqri Nimani e Vasil Konomi që kanë botuar mbi tematikën që trajtojmë, por ato nuk janë përcjell tutje edhe nga studiues të tjerë. Në aspektin historik për tipografinë ndoshta ndër tekstet më të hershme është ajo e Kostandin Kristoforidhit në vitin 1885, e mbajtur si ligjëratë në Elbasan ku flitet për Gutenbergun dhe pak për shkronjat. Pas kësaj ka pasur edhe tekste të tjera mbi tipografinë dhe shtypshkrimin nga Mit’hat Frashëri e Milto Guro, por ka munguar një kërkim sistematik i kësaj lëmie në lidhje me botimet shqiptare. Se tipi i shkronjave është me rëndësi mund ta shohim te përpjekjet e suksesshme të studiuesit frëng Mario Roques që të përdorte pikërisht shkronjat si argument për të mëtuar Venedikun si vend shtypi të Mesharit të Gjon Buzukut”, përfundon Rugova.
Padyshim, tek libri “Tipografia shqiptare 1555–1912” nuk janë shteruar të gjitha informatat që lidhen me këtë tematikë, por autori shpreson që janë vënë disa pika themelore për të nisur një diskutim të mirëfilltë.
Alfabeti i Stambollit sipas gdhendjeve në Stamboll. Këto tipshkronja mëtohet se i ka gdhendur vetë Sami Frashëri
Botimi i librit bëhet nga “Trembelat”, nën siglën botuese “Varg” për librin e shtypur në Prishtinë, kurse për formatin digjital botimin e ka marr përsipër “Berk” në Tiranë. Botimi digjital në formatin “e-book” është i qasshëm për publikun nga muaji gusht, kurse libri i shtypur do të jetë këto ditë nëpër libraritë në Prishtinë e Tiranë.
Botimi i librit është mbështetur pjesërisht nga subvencionet e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhuruan performancë të mrekullueshme për publikun në Qendrën e Artit, “Ahmed Adnan Saygun” në Izmir.
Koncerti u hap me uverturën “Coriolan” nga Beethoveni dhe koncertin për piano në a-mol nga Schumanni në intepretim të shkëlqyer të pianistes së mirënjohur turke Yeşim Gökalp.
Pjesa e dytë solli një panoramë të muzikës simfonike shqiptare me vepra nga Çesk Zadeja, Lorenc Antoni, Valton Beqiri, Hajrullah Syla dhe versionin orkestral të “Bareshës” nga Rexho Mulliqi me solist Shkumbin Bajraktarin në klarinetë.
Në koncertin që u dirigjua nga Maestro Gridi Kraja, u interpretua edhe premiera botërore e veprës “Sinfonietta” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj.
Kjo ngjarje është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna Metropolitane e Izmirit.
Një herë lumturinë e pata fare pranë, mend e preka me dorë. E gjitha kjo ndodhi gjatë një shëtitjeje, një natë të nxehtë vere. Ne, një shoqëri e madhe të rinjsh, u mblodhëm në lëndinat përtej Vollgës, tek gjuetarët e blinit.
Hëngrëm supë që na e përgatitën peshkatarët, pimë vodkë e birrë përreth zjarrit, diskutuam si ta ndërtonim sa më shpejt e më mirë këtë botë, pastaj, si u lodhëm paq, u shpërndamë nëpër lëndinën e korrur, secili në qejf të vet. U largova nga zjarri me një vazjë, e cila më dukej vërtet e mençur dhe e ndjeshme. Kishte sy të qeshur e paksa të zinj, në çdo fjalë që thoshte tregohej çiltërsia. Kjo vajzë të gjithë njerëzit i shihte me përkëdheli.
Ecnim të heshtur, krah njëri-tjetrit. Nën këmbë thyheshin duke kërcitur kërcejt e barit të prerë me kosë. Nga kupa e kristaltë e qiellit, e përmbysur mbi tokë, derdhej vlaga dehëse e dritës së hënës. Duke psherëtirë thellë, vajza filloi: – Sa bukur! Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët, si piramida. Dhe vapë… Pastaj më ftoi të uleshim rrëzë një mullari që lëshonte një hije të rrumbullakët e të plotë, sikur të ishte ditë. Këndonin gjinkallat, që larg dikush pyeste trishtueshëm:
Eh, përse më tradhtove?
Plot gëzim zura t’i rrëfej vajzës për gjithçka dija e nuk dija në këtë jetë, kur – papritur ajo bërtiti me një zë të shuar e ra me shpinë në tokë. Ishte, me sa duket, e para herë që shihja një njeri t’i binin të fikët dhe për një çast u hutova. Doja të bërtisja, të thërrisja për ndihmë, por shpejt më erdhi ndër mend se ç’bënin në këto raste heronjtë e edukuar të romaneve që kisha lexuar, ia zbërtheva rripin e fundit, bluzën, shiritat e korsës. Kur pashë gjinjtë e saj, si dy kupa të vogla argjendi të lara me dritën e plotë të hënës, e të rrëzuara në anën e zemrës, më pushtoi një dëshirë e zjarrtë ta puthja.
Por, si e ndrydha këtë ndjenjë u sula me vrap drejt lumit që të merrja ujë, sepse – siç shkruhej në libra – heronjtë në të tilla raste kurdoherë vraponin për ujë, po të mos kishte ndonjë përrua në vendin e katastrofës, të përgatitur që më parë me hamendjen e autorit. Por, kur u ktheva, gjithnjë duke vrapuar si një kalë i harbuar, me kapelen e mbushur plot me ujë, e gjej të sëmurën mbështetur te mulliri. -S’është nevoja, – tha e lodhur fare qetësisht, duke shtyrë me dorë kapelën e bërë qull… Dhe u largua prej meje drejt zjarrit, ku dy studentë përsërisnin po atë këngë të mërzitshme:
Ah, përse më tradhtove?
– Unë, s’të bëra ndonjë të keqe? – doja të sigurohesha, i turbulluar, siç isha nga kjo heshtje e vajzës. Ajo u përgjigj shkurt: – Jo. Ju nuk jeni shumë i shkathët. Megjithatë, kuptohet, ju falenderoj. Por m’u duk se nuk më falenderoi sinqerisht.
Ne nuk takoheshim shpesh, por, pas këtij rasti, takimet tona u bënë më të rralla. S’vonoi shumë dhe ajo humbi fare nga qyteti. Vetëm pas nja katër vjetësh u pamë në një anije. Qe nisur nga një fshat i Vollgës, ku banonte në një vilë, e po shkonte në qytet tek i shoqi. Ishte shtatzënë, e megjithatë, rrobat i rrinin për bukuri kurse në qafë i varej zinxhiri i gjatë prej floriri i orës dhe një lule e madhe si medalje. Ishte bërë shumë e mirë, vërtet. -Ja, – tha ajo kur po kujtonim miqësisht të kaluarën – ja ku jam, e martuar dhe gjithçka… Ishte mbrëmje. Në lumë digjej perëndimi i diellit. Gjurma shkumore që linte anija nga pas, në largësinë e kaltër të veriut, dukej si një shirit i gjerë dantelle të kuqe.
– Kam dy fëmijë, pres të tretin, – foli krenare, si një mjeshtër që e pëlqen zanatin e vet. Në prehër mbante një qese letre me portokalle. – A t’ua them? – pyeti pastaj duke qeshur ëmbël me ata sytë paksa të zinj. – Në qoftë se atëhere tek mullari – e mbani mend – ju do të kishit qenë më i guximshëm… do t’më kishit puthur… tani do të isha gruaja juaj… Se unë ju pëlqeja, apo jo? Kurse ju, drejt e tek uji… Eh, ju! I shpjegova se kisha vepruar ashtu siç tregohej në librat që ishin aq të shenjtë për mua në atë kohë; dhe vetëm atëhere mund ta puthje, kur ajo, si të hapte sytë, të thërriste e habitur- Oh, po ku jam kështu? Ajo qeshi një grimë, pastaj foli mendueshëm: -Ja, këtu është e keqja jonë, se ne duam të jetojmë si nëpër libra… Por jeta është më e gjerë… më e mençur se librat, zoti im… Jeta s’është aspak si në libra… Po… Nxori nga qesja një portokall, e vështroi me kujdes e, duke e mvrejtur, tha: – I poshtri, e ka futur të kalbur…
Pa delikatesë e flaku në lumë; unë e ndoqa me sy kur ai, duke u rrotulluar, humbi në shkumën e kuqe. – Hë, po tani? Akoma jetoni si nëpër libra? Ë? Unë heshtja duke shikuar rërën e bregut, të ringjyrosur nga flaka e perëndimit dhe më tej, hapësirat e lëndinave që kishin marrë një nuancë të florinjtë. Varkat e përmbysura dergjeshin mbi rërë si peshq të mëdhenj, të vrarë. Shelgjet lëshonin një hije të trishtueshme. Në hapësirat e largëta të lëndinave, dukeshin mullarët e barit e, mua m’u kujtua krahasimi i saj: “Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët si piramida…” Duke qëruar portokallin tjetër, gruaja më përsëriti me tonin e një të madhi e sikur t’më ndëshkonte: – Po, do të isha gruaja juaj… -Ju falenderoj, – i thashë, – ju falenderoj.
Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas arrestimit të gazetarit Arben Ahmeti pas dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, përcjell KultPlus.
Në një njoftim për media, Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon nga institucionet që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj Ahmetit, duke i caktuar masë të sigurisë.
“Sot përmes mediave u njoftuam për një rast të dhunës në familje nga një person publik dhe gazetar në mediumet tona. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi kërkon që institucionet të ndërmarrin veprimet e nevojshme që dhunuesit të ndalohen dhe ndaj tyre të caktohen masat e sigurisë, me qëllim që të njëjtëve t’iu ndalohet përsëritja e dhunës në familje dhe RrGK kërkon dënim meritor sipas legjislacionit që aktualisht kemi në fuqi”, thuhet në reagimin e tyre.
Gjithashtu nga RrGK kërkojnë që Ahmeti të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse dhe prezenca e tij në media të penalizohet, duke mos qenë i pranishëm në debate televizive.
“Gjithashtu, përmes këtij reagimi RrGK kërkon që gazetari Arben Ahmeti të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse dhe prezenca e tij në media të penalizohet dhe të mos jetë i pranishëm në debate televizive. Prezenca e tij në media dhe paraqitja e tij publike janë të rrezikshme pasi që përmes tyre mund të promovojë dhunën dhe potencialisht edhe ta normalizojë atë”, thuhet tutje në njoftim.
“Madje, personat publikë të cilët janë dhunues vetëm se bëjnë thirrje që dhuna të rritet dhe gratë të trajtohen si objekte. RrGK kërkon që rastet e tilla të trajtohen me seriozitetin më të madh nga institucionet tona dhe dhunuesit të vuajnë dënimin meritor. Përmes këtij reagimi, ftojmë mediat që të raportojnë për rastin me saktësi të plotë duke mos e kursyer për hir të “miqësisë” që kanë me gazetarin Arben Ahmeti.”
Po ashtu, bëjnë thirrja që viktima të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme, dhe se siç thonë “RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti”. / KultPlus.com
N’shpinë me tavan andrrash m’ka mbetë veç jesteku i gjylpanave birue si tabarja gri e martesës që im atë s’e veshi ma atë dimën prejse tejat e koduen me hieroglife imcake. Kurrë s’i njehi gjylpanat, veç si n’jerm zhguli nji për me e përshkue me fill merimangash sa me arrnue fatin e me davaritë boshllëkun e odës. Koltrinat, njeshë mbas xhamash njajtë me fustanet e nuseve mbas mesnates, ma tjetërsojnë zanin e luleborave. Vijëzimet e sedefta t’kaçamillit mbi qylym m’cytin përkah portretet bardhezi. Asht po ajo buzëqeshje si ditën kur nusërova mes jaresh që firuen prajshëm…
M’ka mbetë veç jestëku i gjylpanave stacioni ma fatal i tana dashnive t’mia… / KultPlus.com