Agim Sulaj, fitues i çmimit të parë në festivalin e Brazilit

Artisti Agim Sulaj është fitues i çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës në Piracicaba të Brazilit.

Vepra fituese e artistit të njohur shqiptar u vlerësua këtë vit për karikaturën e presidentit Donald Trump. Ishte një çmim i dhënë nga këshilli bashkiak i Piracicabas dhe përzgjedhja e 2176 veprave të ardhura nga gjithë bota nxori fituese veprën e artistit Agim Sulaj, për karakteristikën e saj të veçantë. Nëpërmjet një dore të jepet karakteri dhe ngjashmëria në tërë madhështinë e saj.

Ky festival këtë vit ishte në 46 vjetorin e tij dhe ka promovuar fitues artistë të artit të satirës nga më të njohurit në botë. Me një aktivitet të vlerësuar me punët e tij, këtë herë për vlerësimin e radhës në Brazil artisti Agim Sulaj shprehet se e priste çmimin e madh. “Ky vlerësim i dedikohet një vepre për të cilën, që ditët që e realizova e dija që do të fitoja. Nga eksperienca personale veprat fituese kanë një “llampushkë” të veçantë, e cila më vjen gati. Thjesht mua më mbetet vetëm realizimi” pohon ai.

Artistit Agim Sulaj i shtohet ky çmim tjetër prestigjioz, i cili pasuron larminë e vlerësimeve ndërkombëtare. Sulaj cilëson me ironi, që vendi ku nuk ka marrë çmim është vetëm Shqipëria. Madje sipas tij edhe një ide projekt, që paraqiti në bashkinë e qytetit të Vlorës vitin e kaluar nuk u aprovua. Por ky vit ka qenë i frytshëm për karrierën artistike të Sulajt, ku mund të përmendim çmime të tjera si Belgjikë Knokke Heist, përsëri Belgjikë në Kruishoutem, Prishtinë, Norvegji e Turqi. Agim Sulaj 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni (revistë)”, e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj.

Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”.

Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Rimini, që është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta dhe merr vlerësimet maksimale kudo. Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij. Padyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit. /Agjensia e Lajmeve Sot News/ KultPlus.com

Fatlum Meholli, artisti që shkëlqen në punimin e portreteve

Artisti i ri mitrovicas Fatlum Meholli ka arritur që përmes punimeve të tij artistike, ta gëzojë pëlqimin e masës.

Pasioni dhe dëshira e madhe që ka për artin figurativ, e ka shtyrë atë të punojë në mënyrë të vazhdueshme, duke arritur të përmirësohet gjithnjë e më shumë.

Përveç tjerash, punimi i portreteve mbetet zhanri i tij i preferuar. Kryesisht, ato i punon me thëngjill, lapsa grafik, si dhe me materiale të tjera në fleta të madhësive të ndryshme. Edhe pse ende i ri në moshë, portretet që i punon ai kanë arritur një nivel të lartë. Artisti 20-vjeçar ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive, ndërsa në plan e ka që pas një kohe ta realizojë ndonjë ekspozitë personale.

Përveç vizatimit të portreteve, ky artist ka prirje të mëdha edhe në pikturë dhe dizajn grafik, prej të cilave ka një numër të konsiderueshëm punimesh.

Meholli punon vizatime me porosi, ndërsa për audiencën herë pas herë shpërndanë portrete të figurave të ndryshme publike.

Mënyra më e mirë e ekspozimit të tyre mbeten rrjetet sociale, posaçërisht Instagrami dhe Facebooku.

KultPlus jua sjellë disa portrete të realizuara nga Fatlum Meholli. /KultPlus.com

“Rihanna”
“Paul McCartney”
“Leonardo DiCaprio”
“Megi”
“Mohamed Salah”
“Bradley Cooper”
“Audrey Hepburn”
“Jim Morrison”
” Jelena Noura “Gigi” Hadid”

Robert Bisha pjesë e ‘Ohrid Summer Festival’

Robert Bisha kompozitori i njohur shqiptar, multiinstrumentisti i talentuar i cili me interpretimet e tij ka mrekulluar gjithmonë publikun jo vetëm shqiptarë por edhe atë Evropian, kësaj radhë do të ketë ndalesë në Ohrid, shkruan KultPlus.

Koncerti i Robert Bishës do të jetë në kuadër të ‘Ohrid Summer Festival’ dhe do të mbahet më datë 08.10.2018 duke filluar në ora 21:00.

Robert Bisha do të interpretojnë së bashku me Iso Polyphonic Choir – Kori Iso-Polifonik të cilët së bashkë dinë të sjellin atmosferë magjike.

Festivali Veror i Ohrit këtë vit shënon edicionin tij të 57-të, kjo gjë dëshmon se ekzistenca e tij është falë vlerave që ata prezantojnë dhe festivali mbështetet në diçka që me të vërtetë paraqet një traditë të madhe. Kjo traditë vjen nga vendi që është dhënë nga Perëndia, nga qyteti i Ohrit – kryeqyteti shpirtëror i Maqedonisë, qyteti antik me liqenin magjik blu, një qytet me një histori kulturore të shënuar me vlerat e qytetërimit të lashtë, qytetin e Ohrit universiteti i parë sllav në Evropë, qyteti i mbretërisë së Samuilit dhe më në fund – qyteti që përfaqëson tërë historinë kulturore dhe shpirtërore maqedonase.

Robert Bisha ka lindur në Vaun e dejës (Shkodër) në vitin 1984. Kompozitor por mbi të gjitha Improvizues në piano dhe poli instrumentist. Ka kompozuar pjesë për piano për muzikë dhome në një rrymë që tejkalon muzikën klasike dhe muzikën xhaz. Kritika e ka vlerëson si improvizues i veçantë, i pa arritshëm dhe virtuoz i pianos. Në Itali vazhdon karrierën e tij artistike.

Ka sjell, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, në Teatrin e Operës dhe të Baletit në Tiranë, një koncert për piano i tëri i improvizuar. Një mendim shumë i thellë mbi muzikën dhe mbi mënyrën e komunikimit. Larg vullnetit të interpretimit dhe të imitimit. Afër kërkimit të brendshëm po ashtu në lidhje me totalitetin.

“Muzika është kombinim tingujsh brenda shumë formave. Forma duhet eliminuar për më ardhur tek tingulli në mënyre direkte. Njeriu ka nevojë për formën vetëm kur nuk është gjithnjë në kërkim të vetvetes; kjo ndoll edhe kur format janë të shumta”, përfundon Bisha./ KultPlus.com

Program & Events

“Prisoner” e Era Istrefit kalon një milion klikime (VIDEO)

Këngëtarja me famë botërore, Era Istrefi ka tre ditë që e ka publikuar klipin e këngës “Prisoner”.

Por tashmë kënga ka kaluar shifrën një milion klikime në Youtube.

Siç dihet Era Istrefi së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam, kanë shkëlqyer në performancën e tyre gjatë finales së Kampionatit Botëror “Rusia 2018”./KultPlus.com

Artisti Agim Salihu ekspozon në ‘Tokyo International Graphic Triennial 2018’ në Japoni

Tokyo Tama Art Museum, organizon për të gjashtën herë “Trienalen Ndërkombëtare të Grafikes Bashkëkohore”.

Ekspozita mbahet çdo tri vite duke synuar prezantimin e artit të grafikes kontemporane në trendet më bashkëkohore që ndodhin në botë si dhe përmbledhjen e të dhënave artistike, teknologjike për materialet dhe teknikat e grafikes artistike, përcjellë KultPlus.

Në edicionin e gjashtë kanë konkurruar rreth 2000 artistë nga 92 shtete. Juria e përbërë nga tri juri profesionale, ka punuar në tri faza të veçanta, nga muaji shkurt deri në fund të muajit qershor. Për të ekspozuar në këtë Trienale janë përzgjedhur 347 artist, në mesin e të cilëve është edhe artisti nga Kosova, Agim Salihu.

Kryetar i jurisë për 3 fazat e përzgjedhjes së artistëve ishte kritiku i artit, Tatehata Akira – Tama Art University President (i njohur për disa libra të cilat i ka shkruar për artisten me famë Botërore, Yayoi Kusama).

Vepra e Salihut pas ekspozitës do të mbetet në koleksion si thesar i vlerave kulminante në, ”Tokyo Tama Art Museum ”.
Kjo është vepra e dytë e Salihut në këtë Muze, pas koleksionit të vitit 2015.

Agim Salihu, gjithashtu ka hapë ekspozitë të pavarur në Galerinë, Enter Into Art, në Kelln – Gjermani në periudhën mars – maj 2018. Në vitin 2017, artisti Agim Salihu fitoi çmimin e jurisë në ekspozitën, “International Enter Into Art” në Kelln – Gjermani. /KultPlus.com

Artisti Agim Salihu

Projekti i artistes Rudina Xhaferi pranohet në Fashion Film Festival Chicago

Jeta Zymberi

Në jetë gjithçka mund të kthehet në art, por jo gjithkush mund ta bëjë një gjë të tillë. Është artistja Rudina Xhaferi ajo e cila arrin që çdo gjë ta trajtojë në këtë mënyrë. Veshjet të cilat i krijon ajo nuk janë në trend dhe nuk mund t’i shohësh askund tjetër, sepse ato janë krijuar nga një artiste e cila me kreativitetin e saj arrin t’i transformojë gjërat dhe t’i përkthejë në stilin e saj unik.

I tillë është edhe projekti “Love Emotion Dream Rhythm Inspiration”, të cilin Rudina e punoi me shumë dashuri e përkushtim. Pikërisht ky projekt është pranuar në edicionin e këtij viti të Fashion Film Festival Chicago, shkruan KultPlus.

Gara ishte e fortë dhe ishin rreth 1500 aplikime, por komiteti selektues e pa të arsyeshme që puna e artistes kosovare të jetë pjesë e festivalit pasi i përqafon vlerat e organizimit kulturor në fjalë.

Rudina ndihet shumë e lumtur që projektit të saj iu hapën dyert tutje.

“Jam befasuar për të mirë meqenëse shumica e festivaleve si kusht e kanë që filmat të jenë të realizuar vitin e fundit. Projekti me të cilin jam pranuar “Love Emotion Dream Rhythm Inspiration”, është realizuar në vitin 2013. Jam lumturu shumë, se kam aplikuar vjet, ndërkohë më ka dalë prej mendjes, të dielën më erdhi emaili që kam hy në mesin e 73 projekteve që janë përzgjedhë për vitin 2018. Çdo ditë e më shumë po bindem që kur nuk ke pritshmëri, ndodhin mrekulli”, është shprehur artistja Rudina Xhaferi për KultPlus.

Ky është festivali i 7-të vjetor i Fashion Film Festival Chicago dhe këtë fundjavë publikoi selektimin e 73 filmave të shkurtër dhe të angazhuar në konkurrencë. Filmat e përzgjedhur përfshijnë filma ndërkombëtarë dhe të SHBA-së që ishin në mesin e 1,387 konkurrentëve. Ekipi i Festivalit vazhdon synimet për diversitetin dhe përfshirjen. Rrjedhimisht, 38% e zgjedhjeve të këtij stinori drejtohen nga regjisorët femra. Filmat do të paraqiten në programe të ndryshme të konkurrencës duke përfshirë narrativin, dokumentarin, animacionin, eksperimentimin dhe thelbin e modës. Më shumë se 60% e zgjedhjeve të këtij viti janë filma ndërkombëtarë me 20 vende të përfaqësuara.

Finalistët do të shpallen më 1 shtator, por Rudina gjatë kësaj kohe do të fokusohet në një projekt të ri. / KultPlus.com

http://www.fashionfilmfestivalchicago.com/band/

Bebe Rexha sjellë këngën e re (VIDEO)

Bebe Rexha nuk e ka ndërmend të ndalet me sjelljen e projekteve të reja muzikore.

“Meant to be”, titullohet kënga e re e këngëtares, të cilën e ka shoqëruar me një video të shoqëruar me tekstin.

Pas bashkëpunimeve të suksesshme, këtë herë ajo ka zgjedhur që të vijë me grupin amerikan Florida Georgia Line.

Ky i fundit përbëhet nga dy djem, të cilët kryesisht kultivojnë muzikë të zhanrit “country”, gjersa këtë herë e kanë sprovuar veten edhe në Pop.

Duket se kanë vendosur që ta sjellin vetëm audio dhe tekst për të parë suksesin që do të ketë dhe më pas pritet ta shoqërojnë edhe me klip.

“Kënga ime e re është publikuar tashmë në YouTube. Shumë shpejt do ta shohim edhe klipin e saj”, ka shkruar ndër të tjerash Bebe. / KultPlus.com

Rexhep Ferri riktheu tradicionalen në moderne përmes tapicerive të tij artistike (FOTO)

Në 80-të vjetorin e lindjes, piktori, profesori dhe shkrimtari, Rexhep Ferri u rrethua me akademik, artistë e artdashës nga Prishtina, Tirana dhe Shkupi që kishin ardhur për të përjetuar nga afër ekspozitën e tij, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në një hapësirë të mjaftueshme, në muret e ambientit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Prishtinë, kësaj radhe u shfaq një ekspozitë më e veçantë e cila rikthente tradicionalen në stilin e modern të Ferrit në punimet e vendosura në tapiceri. Derisa në këtë ekspozitë artisti u kishte qëndruar besnik ngjyrës së kaltër, të përhimtes, të verdhës dhe ngjyrës të gjelbër.

Në emër të ASHAK- së, fillimisht të pranishmëve u uroi mirëseardhje, Luan Mulliqi, i cili këtë ekspozitë jubilare e quajti të rrallë dhe si nder për të gjithë.

“Siç po e shihni sonte akademik Ferri po na prezantohet me diçka shumë të re, me një teknik jashtëzakonisht të vjetër por që kohët e fundit ka filluar të harrohet, prandaj është një nder për të gjithë neve që rrallë kemi për të parë ekspozita si kjo sonte”, ka thënë Mulliqi në fjalët hyrëse.
Ferri i me letër para duarve por duke mos humbur shikimin me ata që e rrethonin në këtë ekspozitë, në fjalët drejtuar të pranishmëve vëreheshin fjalët prej poeti.

“Ëndrrat që me heshtjen e tyre flasin, nuk janë vetëm hapat e mi, në këtë ekspozitë edhe ju mund ta gjeni veten, herë-herë gati të lumtur, për të harruar disa gjëra. Për ta bërë jetën të jetueshme, muzika pa fjalë përjetohet më mirë. Duke jetuar në tri kohë, jeta ec edhe pa pyetur, hapet dhe mbyllet, si kjo ekspozitë. Mos u shqetësoni se ju kam afruar pak mitologji, në ADN, kam një gjysh pas gjyshi”, ka përfunduar Ferri.

Rrugëtimin e tij për këtë ditë, Rexhep Ferri derisa tregoi për krijimtarinë e tij për KultPlus e cilësoi si jo të lehtë. Ndërsa në fokus të këtyre punimeve autori kishte paraqitur mitin e njeriut, të cilin ai e përshkroi si të afërt me mitin e Prometeut.

“Të flasësh për krijimtarinë në art, është sikur të flasësh për intimitetin tënd. Unë dua që ta krijoj atë që përjetoj, të ia bëj dikujt tjetër që brenda artit dhe brenda ëndrrës time të gjej ëndërren e vet dhe ta zhvillon në imagjinatën e vet kuptimin e asaj vepre. Një kohë shumë të gjatë kam qenë i lidhur me mitin e burrit dhe gruas sepse vetëm ai mit është vazhdimësia e jetës, është shumë i afërt me mitin
e Prometeut, i cili e ka vjedhur nga Zotit zjarrin për të ia falë njeriut”, u shpreh Ferri.

Në mesin e akademikëve ishte i pranishëm dhe Nexhat Daci, i cili për KultPlus praninë e tij në këtë ekspozitë e përshkroi si një kënaqësi të rrallë për të dhe Akademinë.

“Akademia e Shkencave dhe Arteve është një mjedis sikur i krijuar për evenimente të tilla. Akademik Ferri është një person i cili e meriton një prani të dëshirueshme. Kështu që neve na bën nder vepra e artisteve ndërsa për qytetarët këto janë momente kur njeriu relaksohet dhe kënaqet me suksese të këtilla”, ka thënë Daci.

Po ashtu edhe piktorja Zake Prelvukaj u shpreh shumë e fasionuar me veprat e Ferrit duke e quajtur si një pasurues të artit shqiptar.

“Rexhep Ferri na fasionoi sonte, vepra dhe tapiceria, mënyra dhe paraqitja e Rexhep Ferrit në këtë shprehje artistike është kulminante. Është një ndër autorët që ka pasuruar shumë autorë, kritik, që ka pasuruar artin kombëtar, artin shqiptar dhe kosovar. Po ashtu gëzohem që vijmë prej një vendi dhe që kemi një gjenezë të përbashkët”, ka thënë Prelvukaj.

Piktori Hajrush Fazliu, duke qenë edhe student i Ferrit e përshkroi si një pedagog të rrallë ndërsa veprën e tij e cilësoi si një ombrellë të artit modern që kultivohet në Kosovë.

“Sonte vërtetë këndshëm ai befasoi me një opus të realizuar kohëve të fundit, me një teknikë shumë të veçantë, tradicionale të popullit shqiptar, tapiceria e dikurshme u kthye në një vepër arti shumë modern, siç di i madhi Ferri. Puna e tij e prezantuar sot, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij na bëri të jemi krenar që e patëm pedagog, jetuam në kohën e tij, përcollëm punën e tij dhe gjithnjë si i palodhur në botën e pikturës modern mund të mbetet një sinonim i kohës dhe një njeri i madh që dha kontribut të veçantë në kulturën shqiptare, në veçanti në pikturën moderne”, është shprehur Fazliu.

Në ekspozitën personale të Rexhet Ferrit, përveç artistëve dhe artdashësve të pranishëm ishin edhe politikanë si Albin Kurti dhe ish- Ministri i Kulturës, Kujtim Shala. / KultPlus.com

Rita Ora konfirmon datën e lansimit të këngës së re

Rita Ora siç duket do të lansojë së paku edhe një këngë gjatë këtij viti.

Ajo për MTV ka konfirmuar se do ta lansojë edhe një këngë para se të udhëheqë edicionin e sivjetmë të “Europe Music Awards”, që mbahet në Londër më 12 nëntor.

Këngëtarja shqiptare ka konfirmuar se kënga quhet “Anywhere”, dhe do të lansohet më 20 tetor.

“Jam shumë e emocionuar, e dini se nuk më pritet. Nuk kam qenë asnjëherë kaq krenare. Kjo këngë përfaqëson dëshirën e vërtetë për t’u çliruar nga çdo gjë, që mendoj se është shumë e rëndësishme për shkak të asaj që kemi kaluar këtë vit si qytet dhe vend”, është shprehur Ora.

Rita Ora kohëve të fundit ka lansuar dy këngë të suksesshme, “Your Song”, si dhe bashkëpunimin me Aviciin “Lonely Together”. / KultPlus.com

Vdes këngëtari Charles Bradley

Ka vdekur në moshën 68 vjeçare, këngëtari Charles Bradley.

Bradley u diagnostifikua me kancer në stomak në vitin 2016, e megjithatë turnetë e tij ai kurrë nuk i ndaloi.

Por kohët e fundit, kanceri i tij u përhap nëpër mushkëri, që ia vështirësoi jetën këngëtarit.

Vdekja e tij u njoftua përmes rrjeteve sociale, nga faqet zyrtare që ai i posedonte. / KultPlus.com

Krahu i këmishës së personit të zhdukur prezantohet përmes veprës së artistit kosovar në Cyrih

Artisti kosovar i artit pamor, është prezantuar me punën e tij në një ekspozitë kolektive në Cyrih, shkruan KultPlus.

Ekspozita ku është zgjedhur të marrë pjesë artisti Adem Dermaku, është koleksioni i Kantonit të Cyrihut 1944 – 2017.

Kjo ekspozitë kolektive e cila është hapur mbrëmë në Museum Haus Konstruktiv Zürich, ekziston qysh nga vitet 1900 dhe posedon vepra të artit nga artistët e gjithë botës. Në vitin 2016 Adem Dermaku u bë pjesë e këtij Fondacioni me 3 vepra.

Organizatore e kësaj ekspozite është Susann Kulli, kuratore AnnaVetsch – historiane e artit në bashkëpunim me kuratoren e fondacionit Kathrin Frauenfelder Konceepti.

Kuratorja thotë se kjo ekspozitë është nxjerrë nga një udhëzues kronologjik dhe mediativ. Koleksioni prej vitit 1944- 2017 ka zgjedhë 61 artistë me nga një punë.

“Për mua si artistë ka një rëndësi të madhe ky prezantim. Unë paraqitem me një punim të titulluar “Pa titull”, ku shihet një copë e krahut të këmishës të një personi të zhdukur”, ka thënë artisti për KultPlus.

Ekspozita e cila është hapur mbrëmë, do të qëndrojë e hapur deri më datë 23 tetor në Museum Haus Konstruktiv Zürich. / KultPlus.com

Festina Mejzini për ditëlindjen e Amy Winehouse sjellë coverin e këngës “Back To Black” (VIDEO)

Artistja Amy Winehouse e cila sot do të shënonte ditëlindjes e 34-të, po vazhdon të mbetet ndër më të preferuarat për shumë artistë, kjo falë veçantisë që kishte dhe këngëve të saj të papërsëritshme, shkruan KultPlus.

Këngëtarja e cila vdiq në vitin 2011 dhe këngët e saj, do të ketë zë edhe në brezat e ardhshëm.

Në këtë ditëlindje të 34-të të saj, këngëtarja Festina Mejzini ka vendosur ta kujtojë atë në një mënyrë të veçantë.

E si mund të shprehet një artistë më bukur se sa përmes muzikës. Andaj, Mejzini ka sjellë coverin e këngës “Back To Black” të Amy Winehouse, duke uruar kështu për ditëlindjen e artistes dhe duke treguar që Amy do të mbetet një idhull i pavdekshëm për të.

“Amy Winehouse mbetet gjithmonë një idhull i pavdekshëm për mua, inspirim për ngjyrën e vokalit dhe stilin që ajo kishte. Zgjodha këngën “Back To Black” sepse ndoshta është një ndër këngët më të ndjera të saj, një këngë që shpreh shpirtin e saj artistik dhe më duket një ndër më të veçantat për ta uruar ditëlindjen e saj”, është shprehur Mejzini për KultPlus.

Në një mënyrë të tillë, yllin e muzikës e ka kujtuar edhe Dua Lipa dhe Gallant të cilët sollën coverin e këngës “Tears Dry On Their Own” të Amy Winehouse dhe e gjithë kjo sipas Mejzinit ishte një rastësi e bukur. / KultPlus.com

Capital T me turne botëror (FOTO)

Këngët e suksesshme, koncertet e shumta dhe gjithë dashuria që ka marrë, sidomos kohëve të fundit nga fansa e tij të cilët gjithmonë janë në rritje, kanë bërë që këngëtari Capital T të synojë më larg, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Instagram, Capital T ka njoftuar që shumë shpejt do të nisë një turne botëror të koncerteve, por duke mos dhënë më shumë detaje. Ai ka shkruar që një gjë e tillë po vjen dhe së shumë shpejt do të njoftojë për detaje të tjera. Gjithashtu, këngëtari ka pyetur fansat se në cilat vende të botës dëshirojnë ta shohin.

Se çfarë përmasa do të marrë ky turne i koncerteve të Capital T dhe sa i suksesshëm do të jetë, kjo mbetet të shihet. / KultPlus.com