Kosova ka 722 mijë ‘dembelë’

Agjencia e Statistikave thotë se numri i ‘dembelëve’ në Kosovë është rritur në tremujorin e parë të vitit 2018 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Kjo Agjenci në anketën e fuqisë punëtore i kategorizon si persona jo-aktivë të gjithë ata që gjatë periudhës referente nuk ishin as të punësuar dhe as të papunë.

Në këtë kategori hyjnë ata që nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh. “Nga popullsia në moshë pune, 60.8 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave, shkruan “Kallxo”.

Nëse e kthejmë përqindjen në numra, i bie që në tremujorin e parë të këtij viti kanë qenë 722 mijë e 314 persona jo-aktivë. Prej tyre, 231 mijë e 70 persona ishin burra dhe 491 mijë e 244 persona ishin gra. Në tremujorin e parë të vitit 2017, shkalla e personave jo-aktive ishte 58.3 për qind.

Kosova pjesë e shpërblimit të madh të arkitekturës Europiane

Kosova para disa dite është bërë pjesë e shpërblimit të madh të arkitekturës Europiane “European Union Prize for Contemporary Architecture – Mies van der Rohe”.

Pjesëmarrja e Kosovës në shpërblimin më të madh të Europës vjen pas pranimit të Kosovës në programet e grandeve kulturore të Unionit Europian dhe lobimit të komunitetit arkitektonik pranë organizatorëve të shpërblimit.

Shpërblimi “Mies van der Rohe” jepet çdo dy vite dhe shpërblen projektet më të mira në kontinentin e Europës. Shpërblimi ka për qëllim promovimin e cilësisë së arkitekturës Europiane. Nga çdo shtet nominohen një numër i caktuar i projekteve kurse nominues për Kosovën është emëruar udhëheqësi i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës Bekim Ramku.

Javën e parë të korrikut përgjatë Festivalit të Arkitekturës në Kosovë, sekretari dhe kuratori i shpërblimit “Mies van der Rohe”, Ivan Blasi do të mbajë një ligjëratë për shpërblimin si dhe do të jetë pjesë e një punëtorie dy javore.

Këtu mund të shihni më shumë informata rreth shpërblimit dhe rreth kuratorit:

http://kosovoarchitecture.com/ivan-blasi/
ëëë.miesarch.com

“Kosovo NEXT10”, ekspozita që paraqet vizionin e të rinjve për Kosovën

Më 27 qershor në Muzeun e kosovës, do të hapet ekspozita “Kosovo NEXT10”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do t’i paraqes në mënyrë virtuale vizionet e më shumë se 50-të të rinjve për të ardhmen e Kosovës në 10 vitet e ardhshme. Këto vizione do paraqiten përmes artit interaktiv të dizajnuar nga dizajner Tajvanez.

“Për të festuar hapjen, ne do të mbajmë një konferencë për media dhe një festë në mbrëmje. Konferenca do të fillojë në ora 16:00 dhe do mbarojë në orën 17:00, duke përfshirë edhe një ciceron për ekspozitën. Festa do të fillojë në ora 21:00 deri 00:00, ne kemi ftuar grupin RRETH që ju të kënaqeni atë natë! Ushqimin dhe pijet do i mbulojmë ne”, thuhet në njoftim.

Ekspozita dhe konferenca mbahen në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, ndërsa nisin që nga ora 16:00 e deri në 00:00. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 korri./ KultPlus.com

Formacioni i Kosovës në Kampionatin Botëror

Image of Kosovo, kanë publikuar një fotografi që tregojnë “Ekipin e Kosovës” në Kampionatin Botërorë të 2022, shkruan KultPlus.

Emrat e njohur që kthyen sytë e botës nga vendlindja e tyre Kosova, përbëjnë këtë formacion prej 11 personash, aq sa ka një ekip futbolli.

Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi, Majlinda Kelmendi, Bebe Rexha, Action Bronson, Ramë Lahaj, Haxhi Krasniqi, Herolind Nishevci, Akil Gjakova dhe Ilir Latifi, janë lojtarët e Kosovës që po mahnitin botën./ KultPlus.com

“Lulëzimi” i “Cities of Peace”, zbërthen gjurmët e kulturës e historisë së Kosovës në tri periudha (FOTO)

Gili Hoxhaj

Përplot dy muaj punë intensive janë shkrirë në një pikturë monumentale, mbi të cilën janë ngulitur fort gjurmë të rëndësishme të historisë së vendit. Kjo pikturë monumentale që kishte mbledhur gjurmë të artistëve, studentëve, studiuesve e personaliteteve të njohura që e kishin vizituar, me një interaktivitet ngjyrash e simbolesh përfaqësonte rrugëtimin e Kosovës, përmes rrugëve e hartës së kryeqytetit. Pikturë ndriçuese mblodhi pranë vetes plot mysafirë.

Kjo pikturë ndërvepron me të tashmen e të kaluarën duke kaluar në rrugëtimin e dhimbshëm drejt një lulëzimi në ndërtim të paqes, i cili vazhdimisht evoluon rreth hapësirës së vet. Këto tri qarqe ndahen përmes tri ngjyrave të ndryshme të arit, duke përfaqësuar tri kohë të ndryshme në përthekim të identitetit që vjen përmes simboleve të ndryshme. Ngjyrë e arit në ngjyrë të shampanjës është më e zbehtë dhe si e tillë paraqet të ardhmen, e cila ende është e padukshme por pret të ndriçohet dhe të forcoj shkëlqimin. “Okarina”, “Vrapuesja e Prizrenit”, “Ylli i Davidit”, “Labirinti i Smires”, “Kultri i gjarpërit”, “ Kulti i Diellit”, simboli që simbolizon lyerjen e nuseve më të bardha”, Notat që flasin për vallëzimin tradicional të “Shotës”, janë disa nga simbolet që kanë zënë vend në pjesën e djathtë të pikturës, e që bëjnë vizitorët kureshtar për të zbërthyer kuptimin e tyre. Përveç rrugëve, aty janë të përfshira edhe hapësirat e jeshilta.

Kjo pikturë është pjesë e koleksionit “Qytetet e Paqes”, i cili ka dhjetë vite që ka frymuar nëpër qytete si Jerusalemi, Bagdad, Kabuli, Jerusalemi, Beijingi, Hiroshima, New York e Lhasa. Si i tillë nderon historinë dhe kulturën e qyteteve botërore që kanë përjetuar konflikte dhe trauma të mëdha, e përmes muraleve duke e gërshetuar historinë e kulturën e tyre. Themeluesja e këtij projekti Ellen Frank tenton të krijoi një kulturë globale të vlerësimit të asaj që është e ndryshme.

Katër lloje të arit të çmueshëm duke përfshirë fletët e palladiumit shndritin këtë pikturë monumentale, që prek historinë 8000 vjeçare të vendit. Ajo përmbledh punën e studentëve, artistëve, studiueseve, nga etni dhe 38-të komuna të ndryshme, Prishtina. Përmes vijave të hollave të filigranit lëviz historia rreth lules që lulëzon në të tashmen. Vijat e holla të filigranit lidhin periudha të ndryshme, të cilat vazhdimisht janë në interaktivitet me njëra-tjetrën. Përmes gjashtë gjuhëve është gdhendur fjala “lulëzim”, duke e bërë të komunikueshme edhe me komunitet tjera në Kosovë.

Kënga epike “Baresha”, ishte ajo që dëgjohej në sfond pak para se të fillonte ceremonia e hapjes së ekspozitës, përcjellë më këngë të zgjedhura që i përkasin muzikës së vjetër shqipe. Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në jetësimin e pikturës monumentale. Ai tha se Ellen Frank me “Qytetet e paqes”, e ka sjellë një përvojë unike e krejtësisht të papërsëritshme në Kosovë.

“Ky është një projekt i rëndësishëm për paqen globale. Për një dekadë Elleni në vende te ndryshme ka bërë një punë të mrekullueshme, me fletë ari e rikujton të kaluarën dhe nga ai vend dërgon mesazhe të paqes. Këtë vit në Kosovë mblodhi rreth vetes një grup të rinjve dhe me qindra qytetarë e përfaqësues të institucioneve u ndërtua një vepër me motive të trashëgimisë kulturore e që si koncept e ka filigranin dhe si mjeshtëri dore por edhe si vend ka prodhuar ari e argjend me shekuj e që ende se dimë a ka qenë fat a fatkeqësi e këtij vendi”, u shpreh Boshtrakaj, duke shpresuar që kjo vepër nga tetori do të jetë në mesin e veprave të tjera “Qyteteve të paqes “në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara.

Pas tij, fjalën e mori zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit- Burbuqe Bakija, e cila falënderoi drejtoreshën e projektit që ka zgjedhur që Prishtina të jetë në hartën e qyteteve që do të vazhdojnë tutje të prezantojnë vlerat e trashëgimisë dhe ato artistike të Kosovës.

“Kjo vepër që ka motive të trashëgimisë kulturore, duke u bazuar në të kaluarën e duke kaluar në të tashmen jep mesazhin për paqe për të ardhmen e kombeve tona”, u shpreh Bakija gjatë fjalës së saj.

Richard Mei nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara tha ne emër të ambasadës amerikane se ndihen të nderuar që kanë bashkëpunuar në këtë projekt të veçantë.

“Dua të them se jemi të nderuar që të bashkëpunojmë në këtë projekt, me Ellen Frank dhe çdo njërin që ka punuar në këtë projekt. Shpresoj që përmes kësaj mesazhi i paqes. I uroj këtij projekti më të mirën dhe do ta vazhdoni ta bashkoni botën”, tha në fjalën e tij Mei.

Edhe Universiteti i Prishtinës ka qenë njëri nga përkrahësit e këtij projekti. Rektori i UP-së, Marjan Dema në emër të Universitetit të Prishtinës, studentëve e stafit e falënderoi Ellen Frank dhe “Qytetet e Paqes që i kanë ofruar Kosovës një dhuratë kaq të çmueshme.

“Unë ndihem mirë që edhe UP ka dhënë një ndihmë ne këtë projekt kaq të madh. Ellen, ka qenë kënaqësi e imja të të njoh, sa herë të shoh kam një ndjenë që po e shoh Nënë Terezën”, tha Dema në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve dhe Ellen Frank.

Krejt në fund, para se të zbulohej piktura “Lulëzimi”, Themeluesja dhe Drejtoresha artistike e “Cities of peace”, Ellen Frank iu drejtua të pranishmëve. Me modesti, ajo gjithë suksesin ua dedikoi atyre me të cilët ka punuar aq gjatë në këtë projekt, duke i ftuar kështu gjithë studentët të bashkohen në skenë me të.

“Unë jam duke qëndruar këtu dhe njerëzit që kane punuar janë duke qëndruar këtu po ashtu. Ejani këtu, kjo skenë është për ju. Këta janë e ardhmja e Kosovës. Të talentuar, të përkushtuar, duke punuar aq gjatë, duke dhënë gjithçka ditën e natën. Jeni të mrekullueshëm. Kjo pikturë është e juaja”, u shpreh Ellen Frank.

Pasi publiku ndjekur hapat e saj për të zbuluar monumentin, Ellen Frank së bashku me studentët u sqaruan të pranishmëve punën e tyre. Ardona Hajdaj, njëra nga studentët që ka bashkëpunuar në këtë projekt tha se kanë vendosur shumë punë, energji dhe emocion në këtë pikturë.

“Shpresoj që do të ju pëlqej puna jonë e lodhshme dhe shumë delikate. Kjo është për Kosovën, popullin tonë dhe të gjitha komunitetet që bëjnë pjesë në të”, tha Hajdaj në fjalën e saj.

Kjo pikturë është bashkëpunim mes CHwB Kosovës, Ambasadës Amerikane, Universitati i Prishtinës, Qyteteve të Paqes dhe Muzeut të Kosovës./ KultPlus.com

Islanda më paqësorja në botë, Kosova më jopaqësorja në Ballkan

Instituti për Ekonomi dhe Paqe, me seli në Sidnej, publikoi të mërkurën Indeksin e Paqes Globale, duke radhitur 163 shtete dhe territore në bazë të nivelit të tyre të paqes.

Lista u përpilua me matjen e gjendjes në tri fusha: siguri sociale, konflikt të brendshëm dhe ndërkombëtar dhe militarizim. Islanda mbetet vendi më paqësor në botë, një pozicion që ka që nga viti 2008, ndërsa Siria mbetet e fundit në listë për të pestin vit me radhë.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit, Kosova radhitet më së keqi – në vendin e 92-të, pastaj vjen Bosnja në pozitën numër 89, Maqedonia 87, Mali i Zi 58, Serbia 54 dhe Shqipëria 52./Evropa e Lire

Adem Mikullovci kërkon që Kodi i Ri Penal të bazohet në Kanunin e Lekë Dukagjinit (VIDEO)

Sot në seancën e radhës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është diskutuar për Kodin e Ri Penal, shkruan KultPlus.

Sa i përket kësaj, në këtë seancë fjalën e mori edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci, i cili tregoi se është i pakënaqur me ligjin dhe ai kërkoi që të merren parasysh edhe Kanuni e edhe Pleqnarët. Sipas tij, ligjit nuk po i vije era shqip, dhe kësisoj siç e tha ai: “po bëhemi më Papë se Papa”.

Adem Mikullovci në këtë deklaratë skandaloze, thotë edhe: “Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rrahë fëmijën, fëmija nuk bëhet terrbije, dijeni”.

Ai po ashtu merr një shembull dhe i pyet deputetët se çfarë mendojnë: “Ta marrë veç një shembull, sipas këtij Kanuni, sipas këtij Ligji sipas këtij Kodi, nëse gruaja e padit burrin e burri shkon në burg, më tregoni a e prit ajo grua burrin në shtëpi, hajt më tregoni”.

Po sjellim të plotë deklaratën e aktorit, e tash edhe deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Adem Mikullovcit:

“Unë dua të them, ju e dini që nuk jam jurist, por e shfletova materialin dhe u mundova të kuptoj ca gjëra. Por e vërejta dhe nuk më pëlqeu që këtij kodi nuk po i vije era shqip. Mendoj që është dashtë të mbështetën ata ekspertët e juaj pak edhe në tradita e edhe në pleqnarë. Pleqnia jonë ka ditur të zgjidhë konfliktet që nuk kanë ditur as juristët t’i zgjidhin. Por unë u ndala edhe në dhunën familjare. Të kuptohemi që dhuna familjare nuk mund të aplikohet si në Amerikë e Angli e ata tjetër atje, ne jemi tjerë dhe duhet të iu tregojmë që jemi tjetër. Ta marrë veç një shembull, sipas këtij Kanuni, sipas këtij Ligji sipas këtij Kodi, nëse gruaja e padit burrin e burri shkon në burg, më tregoni a e prit ajo grua burrin në shtëpi, hajt më tregoni. Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rrahë fëmijën, fëmija nuk bëhet terrbije, dijeni. Mandej këtu e përkrahi plotësisht Mialim Zekën, dhe mendoj që pak tepër po mundohemi të bëhemi anglez, si thotë ajo fjala popullore më papë se Papa, nuk po vjen era shqip, e kjo më ka penguar”, ka thënë ai./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/GOInsajderi/videos/2520407978185017/UzpfSTEyNzE0OTY2NzI6MTAyMTU4NTUxNDE1OTI3NDA/

POLIP, tri netët letrare që i dhanë ngjyra magjike Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Festivali POLIP mbrëmë përmbylli rrugëtimin e edicionit të 8-të të tij. Në ulëset e në skenën e këtij festivali mungonte njëri nga poetet, Kujtim Paçaku. Mirëpo nuk mungonin fjalët e kujtimi për të. Në nderim të tij filloi dhe përfundoi edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “POLIP”.

Sasa Ilić e kujtoi takimin me të në vitin 2010 dhe tha se ai ishte një nga poetët e parë të cilin e ka takuar. Ai e lexoi një pjesë të shkruar nga ai, e me përkthim të Shkëlzen Maliqit. Ilić tha se këtë mbrëmje ia dedikon Kujtim Paçakut.

Festivali “Polip” solli për tri ditë radhazi mjaft shumë aktivitete letrare, duke përfshirë lexime e diskutime të shumta që lidhen me letërsinë por duke i lidhur me rrethanat e historisë e të aktualitetit. Këtë vit festivali u realizua nën moton “Republika e Lirë e Letërsisë”.

Susanna Rafart (CAT), Alida Bremer (CRO/DE), Zora Del Buono (CH), Tinka Kurti (RKS), Agron Tufa (ALB), Ilire Zajmi (RKS), Peter Wawerzinek (DE), Elona Çuliq (ALB), Clemens Meyer (DE), ishin emrat që ishin ulur pranë skenës e publiku po i priste e përcillte me duartrokitje.

Mbrëmë ky festival shënoi edhe natën e fundit të tij, duke mbledhur kështu mjaft shumë artistë shqiptarë e të huaj të cilët zbërthyen krijimet në emocione përmes interpretimit. E gjithë hapësira ku po zhvillohej kjo mbrëmje u mbush me njerëz që kishin ardhë t’i shijonin vargjet e shkrimtarëve që vinin në gjuhë të ndryshme.

Fillimisht të pranishmit njoftoheshin me biografinë e autorëve që ngjiteshin në skenë. E para në skenë erdhi Susanna Rafart nga Katalonia. Ajo solli leximin e poezisë “The voice”, për të vazhduar “You are welcome to enter”, më pas Alida Bremer nga Kroacia / Gjermani e Zora Del Buono nga Zvicra lexuan krijimet e tyre në gjuhën gjermane, ku në ekranin e madh vinin të përkthyera në gjuhën angleze.

Zora Del Buono e lindur në Cyrih është një arkitekte, gazetare dhe shkrimtare zvicerane. Ajo ka rreth pesë libra të botuar. Ajo tregoi se ishte kurioze që të vinte në këtë festival dhe eksperienca që ka fituar është e mrekullueshme.

“Për mua ka qenë një përvojë shumë e mirë për shkak se kam takuar mjaft shumë njerëz dhe libri im i radhës ka të bëjë pikërisht me Jugosllavinë me Titon. Këto janë gjëra që kam dëgjuar nga familja ime ndërsa këtu kam takuar edhe njerëz që janë ekspertë të kësaj fushe dhe mund të më ndihmojnë edhe më tutje”, u shpreh Del Buono për KultPlus.

Pas tyre në skenë erdhi Tinka Kurti e cila solli interpretimin e vargjeve të poezive të thella me titujt “Unë quhem Izmir”, “Ne” dhe “Përbindëshat”.

Pas saj para publikut erdhi shkrimtari i njohur nga Shqipëria, Agron Tufa. Para se të filloi recitimin e poezive të tij “Liria e vërtetë”, “Fryma mbi ujëra” e “Elegji”, ai u shpreh se qëndrimi në rezidencën e këtij festivali i ka krijuar ndjesinë për të shkruar diçka vendimtare, madje thotë se ia ka dalë që me sukses të shkruar disa monologje të vogla të cilat do t’i vë në skenë.

Me shumë duartrokitje e ndriçim të dritave, u prit shkrimtarja Ilire Zajmi që fillimisht lexoi poezinë “Këshilla vetes”, e më pas “Helenë e panjohur”, “Akt terrorist” e “Dëshirat”.

Ilire Zajmi, e cilësoi këtë festival si të jashtëzakonshëm e që prezanton emra të njohur të letërsisë ndërkombëtare. Përmes tryezave të diskutimeve që solli ky festival, Zajmi tha se ishin një mundësi shumë e mirë për t’i dëgjuar trajtimin e këtyre temave nga autorë të ndryshëm.

“Të krijohet përshtypja që me të vërtetë jemi në një “Republikë të Letërsisë” sepse kemi pasur mundësinë të dëgjojmë poezi në gjuhë të ndryshme të cilat edhe pse nuk i kuptonim, tingëllojnë aq bukur. Pavarësisht se kishte përkthim, mundësia për t’i dëgjuar në gjuhën origjinale ka qenë e mahnitshme”, tha Zajmi për KultPlus.

Peter Wawerzinek solli një atmosferë ndryshe me një stil të veçantë interpretimi. “I’m Dylan Thomas not Bob Dylan”, shkruhej në ekranin prapa tij. Me lëvizje të shpejtë të duarve rreth vetes e zërit melodik ai duke kënduar solli poezitë e tij tek publiku e konteksti i të cilave shpesh ngjallte të qeshurat e tyre.

Pas tij erdhi autorja nga Shkodra, Elona Çuliq e cila njihet për interpretimet e saj të mrekullueshme Slam. Një të tillë e solli edhe gjatë natës së mbrëmshme derisa publiku shijoi interpretimin e saj. Pas Çuliq në skenë u ngjit Clemens Meyer nga Gjermania i cili lexoi një fragment të titulluar “Eins, zwei, drei”.

“Polip” njihet si festivali më i madh kushtuar letërsisë në Kosovë, duke i ofruar publikut diskutime e artit letrat të rreth tridhjetë shkrimtarëve të njohur të letërsisë botërore. Jeton Neziraj është njëri nga drejtorët e këtij festivali. Ai tha se këtë edicion e cilëson si të suksesshëm dhe se ky vit ka pasur një laramani të autorëve që nga ata gjerman, kroat, zviceran e katalonas.

“Për mua ky është edicioni më i mirë i festivalit deri më tash. Tri net festë letrare, lexime, diskutime që shpesh nuk janë shumë të lehta për shkak të temave që trajtohen por në tersi janë të dobishme. Mbrapa këtij eventi të vogël qëndron një numër i madh i njerëzve të cilët punojnë gjatë gjithë vitit që ta bëjnë të mundshëm. Një staf prej gjashtë vetash nga “Multimedia” dhe një numër i bashkëpunëtorëve artistik të cilët gjatë vitit sugjerojnë tema dhe autorë. Si rezultat është ky festival modest i cili besoj që është freski për jetën letrare në Kosovë”, u shpreh Neziraj për KultPlus.

E gjithë mbrëmja u përmbyll me muzikë e interpretim të veçantë nën tingujt e zërit të Nezafete Shala & band. / KultPlus.com

Fotografia e refugjatit të vogël nga Kosova që i dhuroi çmimin Pulitzer fotografes amerikane (FOTO)

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova, shkruan KultPlus.

Fotografja Carol Guzy, ka kapur shumë pamje të refugjatëve nga Kosova që po shkonin drejt Kukësit gjatë luftës së Kosovës. Por me një pamje atje, ajo ka arritur të marr çmimin Pulitzer. Në këtë fotografi shihet një fëmijë refugjat me emrin Agim Shala. Ai në atë kohë 2 vjeçar, shihet teksa gjyshërit e tij e kalojnë përmes gardhit të telave me gjemba tek familjarët e tjerë që po vendoseshin në një kamp në Kukës të Shqipërisë.

“Gardhi ishte skena e shumë ribashkimeve. Kur u nënshkrua marrëveshja e paqes, ata u kthyen në Prizren për të gjetur shtëpitë e tyre që kishin mbetur të dëmtuara lehtë. Kishte lot gëzimi dhe trishtimi nga familja pasi fëmijët kalonin përmes gardhit, simbolik e pafajësisë dhe tmerrit e konfliktit”, shkruhet në përshkrimin e fotografisë.

Ajo thotë se imazhet që ka bërë atje, janë imazhe të dhimbjes dhe shpresës, por çka veçon ajo është se këto pamje e përvoja e kanë prekur atë emocionalisht në momentet kur ka marr rrugën e kthimit.
“Ndihesha shumë fajtore sa që më duhej të hyja në avion dhe t’i leja mbrapa meje shumë nga këto vende. Por unë mendoj se mënyra më e mirë për tu përballur me këtë që t’ia bëni me dije vetes se ajo çfarë po bëni është një mision, kjo nuk është vetëm një punë”, ka thënë Guzy.

“Është një fotografi e mbushur edhe me lumturi”, thotë Guzy. “Familjet që kishin shpëtuar nga spastrimi etnik nuk e dinin nëse të dashurit e tyre kishin mbijetuar apo jo. Kur një familje shihte të afërmit në anën tjetër të telit me gjemba, ata gëzoheshin dhe ua dorëzonin fëmijët e tyre të vegjël, duke pritur që të ribashkohen”, ka thënë fotografja e Washington Post.
Po ashtu në një intervistë, ajo ka treguar se Pulitzer e pranon si dedikim ndaj atyre që janë pjesë e fotografisë.

“Unë nuk besoj se çmimet Pulitzer na përkasin neve, unë mendoj se ne vetëm i pranojmë ata për njerëzit që janë në tregimet tona. Ata janë të guximshmit, janë ata që e tregojnë hapur jetën e tyre në mënyrë që të mund t’i marrim ato fotografi dhe të tregojmë historitë e tyre “, kishte thënë Guzy. / KultPlus.com

Dua Lipa: Gjyshi im u pushua nga puna sepse nuk pranonte të shtrembëronte historinë e Kosovës

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa edhe pse në moshë të re, ajo po prek majat e suksesit në muzikën ndërkombëtare. Viti që shkoi e nxori atë si këngëtaren më të dëgjuar në Spotify, ndërsa kënga e saj “New Rules”, mblodhi përplot 1 milion klikime.

Dua Lipa nuk e ka mohuar asnjëherë vendlindjen e saj, kështu dhe në intervistën e fundit për “The Guardian”, ajo ka treguar për historinë e familjes së saj, për luftën në Kosove dhe Bosnjë, për sakrificat e prindërve dhe gjyshërve të saj.
“Dukagjin Lipa ishte djali i historianit të njohur, Seit Lipa që në atë kohë ishte kryetari i Institutit të Historisë. Kur filloi konflikti në Kosovë, përfundoi edhe karriera e gjyshit”, ka treguar tutje Dua, duke thënë se kjo ka ndodhur pasi që gjyshi i saj, nuk pranonte assesi të shtrembëronte historinë e Kosovës.
“Kur erdhën serbet, ata kërkonin nga historianet të rishkruanin historinë e Kosovës. Ta ndryshojnë atë, të thonë se Kosova ka qenë gjithnjë pjesë e Serbisë dhe asnjëherë pjesë e Jugosllavisë dhe gjyshi im ishte nga ata njerëzit që nuk mund ta bënin, kështu ai e humbi punën pasi që nuk donte të shkruante diçka të cilën nuk e besonte”, ka treguar Dua.

Tutje ajo ka treguar për prindërit e saj të cilit kanë shkuar si refugjat në Londër, në vitin 1992, ndërsa gjyshërit kishin mbetur në Kosovë dhe Bosnie, përcjellë KultPlus.
Dua gjatë kësaj interviste ka treguar se gjyshi i saj kishte vdekur në vitin 1999, pas luftës në Kosovë mirëpo për shkak se kufijtë kishin qenë të mbyllur, babai i saj, Dukagjin Lipa nuk kishte pasur mundësi ta vizitonte babain e tij, Seit Lipa.

Ajo tutje ka shpjeguar se si prindërit e saj kanë punuar dhe në të njëjtën kohë kanë ndjekur studimet.
“I kam parë prindërit e mij duke punuar çdo ditë të jetës time”, ka thënë tutje, Dua Lipa, e cila ka shtuar se derisa ajo shkonte në shkollë edhe prindërit e saj shkonin në shkollë.

Ajo po ashtu në këtë intervistë ka folur rreth refugjatëve dhe rëndësinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Ylli botëror nga Kosova, pritet që këtë verë të vizitoi kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. / KultPlus.com

Dua Lipa: Gjithmonë kemi folur shqip në shtëpi

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa edhe pse në moshë të re, ajo po prek majat e suksesit në muzikën ndërkombëtare. Viti që shkoi e nxori atë si këngëtaren më të dëgjuar në Spotify, ndërsa kënga e saj “Neë Rules”, mblodhi përplot 1 milion klikime.

Dua Lipa nuk e ka mohuar asnjëherë vendlindjen e saj, kështu dhe në intervistën e fundit për “The Guardian”, ajo ka treguar për historinë e familjes së saj, për luftën në Kosove dhe Bosnjë, për sakrificat e prindërve dhe gjyshërve të saj, përcjellë KultPlus.

Tutje ajo ka treguar për prindërit e saj të cilët kanë shkuar si refugjat në Londër, në vitin 1992, ndërsa gjyshërit kishin mbetur në Kosovë dhe Bosnie.
Dua Lipa ka qenë në përfundim të shkollës fillore kur prindërit i dhanë asaj lajmin se po ktheheshin në Kosovë pasi që babai i saj, Dukagjin Lipa kishte diplomuar dhe atij i ishte ofruar një punë në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.
“Të gjithë shokët e mij ishin duke shkuar në shkolla të ndryshme. Ndërsa unë u thoja atyre “Um, unë po shkoj në Kosovës”, ka treguar Dua për “The Guardian”.

Ajo tutje ka thënë se është ndjerë shumë e lumtur të kthehet dhe të takoj të afërmit që nuk kishte pasur mundësi t’i shihte më herët.
“Isha shumë e emocionuar, ne gjithmonë kemi folur shqip në shtëpi. Atje kisha kushërinj që nuk i kisha takuar asnjëherë”, është shprehur Dua Lipa për “The Gurdian”./ KultPlus.com

“Mollëkuqet” e Gjilanit përfaqësojnë Kosovën në Bjellorusi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim përfaqësuesen e qendrës kulturore “Mollëkuqet”, Arta Haziri Nuhiu, e cila së bashku me katër talentet na Gjilani, Edisa Ahmeti, Ilda Nuhiu, Valenta Selimi dhe Yllka Dema, do të nisen për në Minsk të Bjellorusisë për ta përfaqësuar Kosovën në festivalin ndërkombëtar të muzikës “Lemari”.

Kryetari Haziri, pasi u ka uruar suksese në këtë festival, ka thënë se ky është shembulli më i mirë i talenteve që ka Gjilani në këtë dhe disa fusha tjera.

“Unë ju uroj shumë suksese dhe shpresoj shumë që do ta në bëni krenarë të gjithëve me rezultatet e arritura. Mbështetjen e Komunës do ta keni në vazhdimësi”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, drejtoresha e qendrës kulturore “Mollëkuqet”, Arta Haziri Nuhiu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen e madhe që i ka dhënë festivalit “Mollëkuqet”.

“Do ta bëjmë të pamundurën që ta përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrë sa më dinjitetshme dhe të rikthehemi me trofe të fituar nga ky event i madh ndërkombëtar, ku Kosova për herë të parë po merr pjesë. Më 17 prill do të jetë nata finale dhe besojmë që do ta bëjmë krenar vendin tonë”, ka thënë Haziri Nuhiu.

Në këtë takim, suksese i kanë uruar talenteve të Gjilanit edhe kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini dhe drejtoresha e Arsimit, Majlinda Hoxha./ KultPlus.com

Vepra e Mid’hat Frashërit, Uran Butka: Parashikoi çlirimin e Kosovës, foli edhe për çamët (VIDEO)

Vepra historike të botuara në shtypin periodik prestigjioz të Parisit, Londrës, Brukselit e Gjenevës, por edhe çështja e Epirit, marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë, Turqinë dhe marrëdhëniet shqiptaro-sllave, shohin dritë në vëllimin e dytë dedikuar veprës së Mid’hat Frashërit.

Nipi i Abdyl, Sami e Naim Frashërit, ligjërimet e Mid’hat Frashërit, figurës historike në mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris dhe Lidhjen e Kombeve nën cilësinë e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar, vijnë për lexuesin për herë të parë nën optikën e një njeriu avangardë, që e shihte të ardhmen e Shqipërisë, shumë vite përpara.

“Ai sa një njeri që parashikon ngjarjet, është një parashikues gjenial i zhvillimeve historike në Shqipëri, parashikon edhe çlirimin e Kosovës, parashikon edhe zhvillime të tjera shqiptare, por në këtë botim veçoj shqetësimin e tij të madh për çështjen çame, që është edhe aktuale sot dhe pastaj relacionet e marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, një kontribut shumë i madh, por edhe një mësim shumë i madh për politikën, për historinë, por edhe qytetarinë shqiptare”, tha Uran Butka, shkrimtar, studiues.

Butka shton se nga vepra e pasur e Lumo Skëndos janë ende 13 vëllime të tjera të pabotuara si edhe një biografi e tij./Top Channel/ KultPlus.com

Blick promovon bukuritë e Kosovës, publikon pamje fantastike nga maja e Gjeravicës (Video)

Përpos kuzhinës së pasur tradicionale, mikpritjes, trashëgimisë kulturore, Kosova shquhet edhe për bukuritë e rralla natyrore.

E përditshmja gjermano-zvicerane Blick, ka publikuar një video interesante të Arton Krasniqit nga i cili ka marrë leje për përdorimin e pamjeve.

Ky i fundit i është përgjigjur në mënyrë pozitive kërkesës së tyre pa kurrfarë kompensimi financiar, pasi që beson se publikimi i tyre është në interesin kombëtar, dhe se ndihmon zhvillimin e turizmit të vendit tonë.

Në video shfaqen bukuritë e majës së Gjeravicës e cila është 2556 metra mbi nivelin e detit, dhe konsiderohet si një nga atraksionet më të kërkuara turistike në Kosovë.

Atë e vizitojnë qytetarë nga e mbarë bota e në veçanti gjatë dimrit, kur hapësirat e mbuluara me borë dhurojnë peizazhe të rralla që gjithkush ëndërron t’i shoh. /Telegrafi/ KultPlus.com

The Times: Elbenita Kajtazi, një fëmijë lufte që u bë një ndër fituesit e garës ‘Glyndebourne Opera Cup’

Gazeta prestigjioze “The Times”, i ka kushtuar një artikull të veçantë sopranos kosovare, Elbenita Kajtazi ku e ka portretizuar atë si fëmijë lufte që sot po arrin të prek majat e suksesit të saj, shkruan KultPlus.

“Ndërsa ushtarët mbanin armë tek koka e saj, shtatëvjeçarja Elbenita Kajtazi këndonte në mendjen e saj. Tani, 20 vite më vonë, zëri i sopranos kosovare ka magjepsur audiencën në Glyndebourne”, kështu e fillon shkrimin “The Times”.

Më tutje The Times ka përshkruar fëmijërinë e saj në qytetin e Mitrovicës, qytetit që akoma qëndron i ndarë. Atje ajo po rriste dëshirën e madhe për këndim por që situata në të cilën ndodhej ajo dhe familja, shpesh po i dhuronin pasiguri për të ngritur zërin e saj. Këtë fundjavë, në udhëtimin e saj të parë në Angli, Elbenita Kajtazi arriti të fitoi çmimin e audiencës në inaugurimin e Glyndebourne Opera Cup.

“Këndimi për mua është si terapi. Kur arritëm të kthehemi në shtëpi pas luftës, të gjithë ishin shumë të lumtur që ende ishim gjallë, kështu që askush nuk do të fliste për atë që ndodhi”, i ka dhënë sopranoja “The Times”.

Glyndebourne Opera Cup – është një konkurs ndërkombëtar për këngëtarë të operës i cili është projektuar për të nxjerrë në pah artistë të rinj të talentuar nga e gjithë bota, duke u ofruar atyre një çmim prej 15 mijë funtash dhe mundësi për nisjen e një karriere ndërkombëtare në operë. / KultPlus.com

Serbët protestojnë në Vjenë kundër sulmeve të NATO-s

Serbët po vazhdojnë të nxisin urrejtje kundër kosovarëve, kudo që ata janë.

Me rastin e 19 vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s, qytetarë serbë dje kishin dalë në Vjenë të Austrisë duke protestuar kundër Kosovës, raporton Indeksonline.
Me pankarta ku shkruhet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Kosova e Metohija është Serbi”, ata po protestonin kundër sulmeve që NATO-ja i bëri caqeve serbe më 24 mars të vitit 1999.

Kujtojmë se sulmet ajrore ndaj forcave serbe dhe malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kurse më 11 qershor të 1999-ës, ata u detyruan të largohen nga Kosova.
Sulmet e NATO-s kishin nisur me urdhrin e presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i cili tashmë njihet si miku më i mirë i Kosovës./ KultPlus.com

Dokumentari për Runikun e Petrit Halilajt shfaqet në Washington (VIDEO)

Kultplus ju sjellë artikull në të cilin artist Petrit Halilaj flet për artefaktet që mungojnë, imigrim, mungesën e lëvizjes së lirë shpendët dhe metaforën e tyre. Artisti mbi këto dhe shumëçka tjerë ka diskutuar nga Washingtoni për Zërin e Amerikës.

Artisti Petrit Halilaj ka filluar që t’i përveshet projektit të tij të radhës. Ai është duke qëndruar në Washington ku në Muzeun e Historisë së Natyrës është shfaqur një dokumentar për Kosovën.

Dokumentari është realizuar nga vetë artisti dhe në të flitet për Runikun, fshatin e Komunës së Skenderaj, nëntoka e të cilit përmban objekte arkeologjike të epokës së neolitit. Diçka që e ka nxitur imagjinatën e artistit Petrit Halitaj i cili është rritu në këtë fshat.

“Është një histori e cila vjen prej kohëve të lashta e që është shumë aktuale në jetën e përditshme edhe në identitetin e ri të shteti të ri tonë, Kosovës”, është shprehur Petrit Halilaj për kronikën e realizuar nga Zëri i Amerikës mbi punën e artistit.

Dy koleksione me 1 mijë e 248 njësi nga fond i Muzeut të Kosovës janë zhvendosur në vitin 1999 prej Muzeut të Kosovës në Serbi. Arsyetimi i organizmave udhëheqëse të asaj kohe ka qenë se do të organizohen disa ekspozita. Një bashkëpunim ky në mes të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Muzeut të Kosovës ose Autoriteteve të Muzeut të Kosovës të asaj kohe. Disa nga këto artefakte kanë qenë pikërisht nga Runiku të cilat qytetarët edhe sot i kujtojnë.

Kuratori nga Firenca Leonardo Bigazza ai i cili ka qenë në Runik me Petritin është shprehur se ajo që e ka çuditur ka qenë marrëdhënia që banorët kanë me objektet të cilat ata i gjejnë rastësisht.

“Mungesa e institucioneve dhe e muzeut dhe ndjesia se objektet ashtu si shpendët fluturojnë dhe nuk kthehen më kanë lënë një hapësirë për imagjinatë. Prandaj njerëzit spekulojnë dhe krijojnë lloj-lloj mitesh diçka që është po ashtu e veçantë”, është shprehur kuratori.

Artisti Petrit Halilaj ka riprodhuar disa prej objekteve të humbura dhe i ka paraqitur ato në një formë artistike duke i bërë të ngjashme me shpendët që lëvizin apo takohen dhe dashurohen. Një mënyrë kjo e tij për të shprehur nostalgjinë për artefaktet të cilat nuk janë më në Runik.

Institutin Smithsonian sjellë njerëz nga gjithë bota për tu marrë më hulumtime mbi temat të cilat ndërthurin natyrën dhe trashëgimin kulturore. Një mundësi kjo të cilën ky institut ia ka dhënë edhe artistit nga Kosova.

“Ajo që është interesantë për dokumentarin e Petrit është se ai na jep historitë dhe rrëfimet që kanë mbet të varrosura nën këmbët e njerëzve dhe që shfaqën në kopshtet e tyre”, është shprehu antropologu Joshua A. Bell, drejtor i programit në Institutin Smithsonian.

Më e vështirë sipas artistit Petrit Halilaj është krijimi i një identiteti të ri ku të gjithë do të kenë vend. “Kultura për mua është një prej instrumenteve që mundemi me e kuptu se sa është e rëndësishme që të gjithë të jemi pjesë e një shoqërie. Jo vetëm një etni, një gjini apo një fe. Për fat të keq në historinë e kaluar institucionet jo gjithmonë kanë ditë më e përdorë potencialin që kultura ju jep njerëzve për me kuptu”, është shprehur ai.

“Në botë kam udhëtuar me qejf dhe më zor. Më zor janë kujtimet e viti 1998-1999 kur kam migruar si refugjatë në Shqipëri diçka që është pjesë e kujtimeve të mia. Si artist që kur kam filluar të studioj në këto 10-të vitet e fundit, migrimi dhe udhëtimi nëpër botë është esenciale dhe inspirim për mua për me e zhvillu aktivitetin tim dhe jetën time”, ka thënë Halilaj, duke theksuar se ajo që po kërkon në institutin Smithsonia është relacioni në mes zogjve emigrues dhe njerëzve. Tregimin sesi zogjtë nuk kanë vetëm një vend po ekzistojnë duke ju falënderuar mundësisë me fluturu edhe me kalu kontinente, dete e oqeane.

“Unë vijë prej Kosovës, një shtet që është akoma një prej shteteve të fundit në Evropë qytetarët e të cilit pa viza nuk mundëm me udhëtu në Evropë edhe liria për një jetë më të mirë, apo liria e lëvizjes është diçka që më preokupon jo vetëm mua por edhe krejt qytetarët e Kosovës”, përfundon Petrit Halilaj. /KultPlus.com

Kosova sërish në rrugën e vështirë drejt UNESCO-s

Afirmimi i shtetit të Kosovës në botë dhe anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë, është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës dhe në këtë aspekt institucionet e Kosovës janë duke bërë të gjitha përpjekjet për anëtarësimin e vendit në dy mekanizma ndërkombëtarë, në INTERPOL dhe në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim (UNESCO), konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.

Në rubrikën e përjavshme “FOKUS”, të Radios Evropa e Lirë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, si dhe njohës të çështjeve të sigurisë dhe zhvillimeve në vend, thonë se me anëtarësimin në këta dy mekanizma ndërkombëtarë, përveç përfitimeve në fushëveprimet konkrete të këtyre mekanizmave, Kosova do të përfitonte edhe në rritjen e subjektivitetit dhe prestigjit të saj ndërkombëtar.

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi tashmë është duke punuar në përmbushjen e të gjitha kushteve për anëtarësim në këta dy mekanizma.

“Sa i përket çështjeve teknike që duhet përmbushur, do të thotë, kritereve për INTERPOL, Qeveria e Kosovës është gati dhe sigurisht që sivjet do të aplikojë. Kurse, edhe për UNESCO, Kosova tashmë është gati. Dy ligjet, për trashëgimi kulturore dhe për fetë, janë proceduar në Kuvendin e Kosovës. Dikasteret përkatëse vlerësojnë se Kosova i ka edhe numrat e nevojshëm (të vendeve që votojnë), që të bëhet pjesë e këtyre dy mekanizmave”, thekson Matoshi.

Rruga drejt UNESCO-s, më e vështirë

Ndryshe nga mundësia e sivjetme që Kosova të aplikojë për në INTERPOL dhe eventualisht edhe të pranohet, mundësia eventuale e Kosovës për anëtarësim në UNESCO do të jetë vetëm në vitin 2019, kur edhe pritet Konferenca e Përgjithshme e kësaj organizate.

Megjithatë, zëvendësministri Hoti thotë se Kosova po bëhet gati edhe për këtë sfidë.

“Ministria e Punëve të jashtme e ka finalizuar propozim-kornizën për strategjinë për procesin e aplikimit në UNESCO 2019. Duke qenë se procesi i anëtarësimit në UNESCO kërkon mobilizim gjithëpërfshirës institucional të bazuar në planifikim të procesit dhe veprime të koordinuara ndërinstitucionale, dokumenti përmban kornizën që parashikon reformat legjislative, krijimin e mekanizmave gjithëpërfshirës koordinues në nivel nacional, si dhe fushatë të fuqishme diplomatike të koordinuar me partnerët tanë ndërkombëtarë”, thekson Hoti.

Kosova tashmë ka dështuar një herë për t’u anëtarësuar në UNESCO.

Ish-ministri Hyseni shpreh mendimin se diplomacia e Kosovës nuk guxon ta bëjë gabimin e njëjtë me atë të vitit 2015, kur sipas tij, nuk është punuar mjaftueshëm me vendet, të cilat e kanë njohur Kosovën. Sipas tij, aktualisht nuk ka sinjale për një vazhdimësi të ruajtjes së raporteve dhe kanaleve të komunikimit me vendet që e kanë njohur Kosovën, por edhe me ato që nuk e kanë njohur.

“Ka një moskuptim të veprimit në rrafshin diplomatik, sepse gjërat merren si të garantuara. Në momentin që të ka njohur një shtet, ne sikur e marrim se e kemi të garantuar përkrahjen e atij shteti dhe kjo nuk ndodh ashtu në rrafshin diplomatik. Shenjat dhe sinjalet që vijnë kohëve të fundit, nuk janë shumë të mira dhe nuk janë shumë premtuese”, konsideron Hyseni.

Më 9 nëntor të vitit 2015, Kosova nuk kishte arritur të bëhej pjesë e UNESCO-s për mungesë të tri votave në favor të pranimit të saj. Për pranimin e Kosovës në UNESCO nevojiteshin 95 vota “për”, që nënkuptonin dy të tretat e votave të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në Konferencë e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila u mbajt në Paris. Në favor të pranimit të Kosovës patën votuar 92 vende./ KultPlus.com

Studentët i vendosin notën 1-sh Ministrisë së Arsimit për komunikatën me plot gabime

Ditë më parë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lëshoi një komunikatë lidhur me përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga EQAR-i.

Mirëpo ajo se çfarë kishte rënë në sy nga kjo komunikatë ishin gabimet e shumta drejtshkrimore, pikërisht nga Ministria e Arsimit.

E sot një organizatë studentore e quajtur “Lëvizja Studentore për barazi, studim, kritikë dhe veprim” ka mbajtur një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku i kanë vendosur notë të dobët Ministrisë së Arsimit dhe komunikatës me plot gabime drejtshkrimore të lëshuar ditë më parë.

“Një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore e historike për shqiptarët është hapja e shkollës së parë shqipe, në Korçë, me mësues Pandeli Sotirin, pikërisht me këtë datë- 7 mars, të vitit 1887.

Kujtojmë se siç kemi mësuar nga historia, deri atëherë mësimi shqip ishte tejet i vështirë ngaqë ajo kryesisht bëhej në kushte ilegale përmes mësimeve në shtëpitë private. Përkundër shtypjes dhe presionit të regjimeve kolonialiste, përpjekja dhe sakrifica për arsimim të popullit shqiptar nuk u ndal kurrë. Së voni në vitet e ’90 shqiptarët nga Kosova u detyruan që mësimin e tyre ta ndiqnin përmes shkollave private sikurse një shekull më parë, ngase Regjimi i atëhershëm mbylli dyert e Universitetit për shqiptarët. Gjuha jonë e lashtë dhe e gjerë ishte gjuhë e papranueshme për regjimet fashiste të cilët donin ta zhduknin atë. Megjithatë rrënjët kjo gjuhë i kishte aq të thella sa i mbijetoi çdo regjimi ndër shekuj, për tu pasuruar edhe më shumë. Në 20 vitet e fundit kemi një përmbysje të rëndë e të papranueshme të përpjekjeve për ngritje të vlerave tona kombëtare. Gjuha shqipe bastardohet nga institucionet tona. Injorantë e analfabetë vihen në majat e institucioneve të cilat qëllim duhet ta kishin arsimimin, emancipimin kulturor dhe mirëqenien e shoqërisë dhe jo denigrimin deri në këtë nivel të dhimbshëm për shoqërinë tonë. Për shkak të paditurisë dhe papërgjegjësisë së qeverive të njëpasnjëshme, në administratën tonë shtetërore kemi njerëz që drejtojnë sektorë të rëndësishëm në institucione të cilët përveçse janë anëtarë të partive të pushtetit, shumë nga ata nuk plotësojnë kriteret bazë për të qëndruar në pozita të tilla. Pasojat për këtë gjendje po i bartë shoqëria jonë.

Ditëve të fundit Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, paraprakisht për shkak që bordi ishte edhe i papërgjegjshëm edhe i korruptuar dhe po ashtu për shkak të paaftësisë dhe inateve partiake të Ministrit dhe Kryeministrit për ta zgjidhur në kohë këtë çështje.

Së fundmi, siç kemi mësuar nga mediat, Ministri i është drejtuar Programit për Vlerësim të Studentëve Ndërkombëtar, (PISA-s) që testi i paraparë për këtë vit të mos mbahet. Kjo siç vlerësojmë ne është për shkak të rezultateve tmerrësisht të dobëta që priten të nxirren nga nxënësit e shkollave të Republikës të Kosovës. Zgjidhja nuk është fshehja e rezultateve, zgjidhja bëhet duke i njohur e duke i përmirësuar ato. Kjo nuk do të ndodhë përderisa në një komunikatë për media kjo Ministri bënë dhjetëra gabime drejtshkrimore në rreth 4 paragrafë tekst.

Sot përmes këtij aktiviteti po i korrigjojmë gabimet e kësaj Ministrie, por gabimet e njëpasnjëshme që po ndodhin do ti përgjigjemi me rezistencë. SKV siç ka vepruar në të kaluarën, siç po vepron në kohët e sotme, ashtu edhe në të ardhmen do të përgjigjet edhe më furishëm ndaj cilitdo institucion të korruptuar, apo përgjegjës të tij, çoftë Ministër, rektor, apo profesor që dëmton integritetin arsimor” thuhet në Komunikatën e lëshuar nga kjo lëvizje.” thuhet më tej në komunikatën e kësaj organizate lidhur me këtë aktivitet./ KultPlus.com

Fotografitë që dëshmojnë lidhjen e Kosovës me Amerikën (FOTO)

Kosova vazhdon të ketë lidhje emocionale, politike dhe ekonomike me vendin që 20 vjet më parë bëri një ndërhyrje perëndimore në luftën e saj me Republikën Federale të Jugosllavisë, duke çuar përfundimisht në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, shkruan “The Guardian”, përcjellë KultPlus.

Në vitet 1990 Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, çdo të premte mbyllte konferencën për media me fjalët “Zoti bekoftë Amerikën dhe miqtë tanë perëndimorë”. Kjo frazë u mishëruar me popullin dhe lidhshmëria vetëm u forcua kur Bill Klinton urdhëroi NATO-n që të bombardojë objektet serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Në ditët e sotme është vështirë të gjendet ndonjë gjurmë fizike e luftës. Një brez tashmë është rritur në një ambient paqeje dhe stabiliteti relativ. Megjithatë, ndjenja pro-SHB-së është ende e pranishme, përcjellë KultPlus.

Një nga rrugët kryesore në Prishtinë, quhet Bulevardi Bill Klinton, në emër të presidentin amerikan në kohën e luftës së Kosovës. Rrugë të tjera, shkolla dhe qendra sportive, janë emëruar me emrin e ish-sekretares së shtetit, Madeleine Albright, po ashtu dhe me emrin e kongresmenit amerikan Eliot Engel, ish-presidentit George Bush dhe udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s përfshirë Tony Blairin e Britanisë së Madhe, për të cilët Kosova është shumë e dashur.

Çdo 4 korrik, Dita e Pavarësisë së SHBA, festohet edhe në Prishtinë. Zjarrfikësit në Prishtinë pastrojnë statujën e Bill Klintonit në një shesh qendror dhe zëvendësojnë flamurin amerikan që fluturon aty pranë. Ceremonia organizohet nga Shoqata e Miqve të Amerikës në Kosovë dhe në të marrin pjesë zyrtarë publikë dhe ushtarakë si dhe përfaqësues të ambasadës amerikane./ KultPlus.com

Al Jazeera: Rita Ora këndoi për pavarësi, por kah po shkon Kosova?

Ndërsa këngëtarja dhe aktorja britanike nga Prishtina, Rita Ora ka argëtuar mijëra kosovarë si pjesë e ditëve festive të pavarësisë, një poster i vendosur mbi një gardh rreth ndërtesës kryesore të qeverisë së Kosovës paraqiste qindra të rinj që vazhdojnë të jenë të zhdukur tash e 20 vite, pasi që janë rrëmbyer nga forcat policore serbe, shkruan Al Jazeera, përcjellë KultPlus.

Posterin e kishin mbështetur nënat e të zhdukurve gjatë luftës së Kosovës, ndërsa përfaqëson një metaforë për zhvillim e vendit në dhjetëvjetorin e pavarësisë së saj – një vend i uritur për tu pranuar nga Perëndimi, por ende i rrënuar nga trashëgimia e konfliktit dhe ndarja etnike.

Lufta e Kosovës për pavarësi nga Serbia rrezikonte të bëhej aq e zgjatur dhe e përgjakshme si ajo në Bosnjë përpara se NATO të dilte me luftëtarët e pavarësisë së Kosovës dhe të niste një fushatë bombarduese kundër Serbisë në vitin 1999, përcjellë KultPlus.

Ky vendim ishte nxitur nga masakrat që ndodhen atje, sidomos nga ajo e Reçakut, ku forcat serbe vranë 45 shqiptarë etnikë. Sidoqoftë, aleatët perëndimorë të Kosovës pranojnë se edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjegjëse për mizoritë.

SHBA dhe Bashkimi Evropian insistojnë që Prishtina të krijojë një gjykatë për krime lufte: Dhomat e Specializuara.

Sot Kosova ka normën më të lartë të rritjes ekonomike në rajonin e Ballkanit, që parashikohet të arrijë 4.8 për qind këtë vit dhe ka miratuar me sukses Euron. Ka rezerva të mëdha të mineraleve të çmuara, duke përfshirë plumbin, zinkun, aluminin, arin, argjendin dhe potencialin për turizëm në peizazhet piktoreske në pjesën perëndimore të vendit.

Papunësia e të rinjve është një problem i vazhdueshëm që shkon në gati 60 për qind në një vend ku banorët nën moshën 25 vjeçare përbëjnë gjysmën e popullsisë. Më shumë se 100 vende e kanë njohur Kosovën; Serbia nuk është në mesin e tyre. Rusia dhe Kina gjithashtu kundërshtojnë anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara, thuhet në shkrimin që sjellë sot Al Jazeera./ KultPlus.com

Asetet që janë pjesë e trashëgimisë së Kosovës, dëshmia e pasurisë kulturore të vendit (FOTO)

KultPlus ju sjellë disa asete të vjetra të cilat janë pjesë e Muzeut të Kosovës, si djepi për fëmijë, furka, rrethi për fëmijë e të tjera. Asete që janë pjesë e Trashëgimisë së luajtshme arkeologjike të Kosovës, janë dëshmia më mirë e pasurisë kulturore të vendit.

Djep foshnjash -I punuar nga druri, ka shërbyer si shtrat fëmije dhe për përkundjen e tyre. I përdorur deri në shek. XX.

Furkë– Mjet i prodhuar nga druri që ka shërbyer për tjerrjen e leshit, linit etj. I përket shek. XX

Rozetë tavani– Është pjesë dekori për tavanishte (dhomë), është punuar nga mjeshtër popullor. Teknika e punimit është me mjete klasike , si daltë, brisk etj. I takon fillimit të shek. XX

Rreth i fëmijëve -Punim druri, ka shërbyer për të vendosur fëmijën. I përdorur deri në shek. XX.

Shkam-Objekt druri, i cili ka shërbyer për t’u ulur. Fundi shek. XIX

Tavolina– Tavolinë e prodhuar nga druri, nga mjeshtër popullor të kualifikuar për këtë zeje. Tavolina përbëhet nga pjesa e sipërme prej gjashtë këndeve, dhe gjashtë këmbëve. Përshkohet me motive gjeometrike, floreale etj. I përket shek. XX.

Shënim: Koleksioni Arkeologjik dhe Etnologjik i Kosovës( 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike) vazhdon të mbahet në Serbi./ KultPlus.com

Kosova dënon ashpër sulmin ndaj Konsullatës në Strasburg

Udhëheqësit shtetëror kanë dënuar ashpër aktin vandal të vjedhjes së flamurit dhe shkatërrimit të stemës së Republikës së Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasburg të Francës.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj theksoi se sulmi që ka ndodhur mbi Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg, me ç’rast janë shkatërruar simbolet shtetërore, është një akt i papranueshëm që cenon integritetin e shtetit të Kosovës.

“Republika e Kosovës është shtet sovran që respekton ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare dhe vepron me përgjegjësi në marrëdhëniet ndërkombëtare si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit. Kërkoj nga organet franceze që të zbulojnë dhe të kapin autorët e sulmit dhe t’i nxjerrin ata përpara drejtësisë”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Sulmin ndaj konsullatës e ka dënuar edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Dënoj fuqishëm sulmin vandal ndaj Institucioneve dhe Simboleve Shtetërore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg. Falënderoj reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë e Institucioneve franceze të sigurisë, që t’i përgjigjen shpejt kërkesës tonë për hetim dhe presim që kryerësit e këtij akti të ulët të nxirren para drejtësisë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze në lidhje me këtë rast”, ka thënë Pacolli.

Ndryshe, lidhur me këtë sulm ka reaguar edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, duke kërkuar nga autoritetet atje që të nisin hetimet për të gjetur përgjegjësit.

Konsulli i Kosovës në Strasburg, Edon Cana në orët e mëngjesit ka bërë të ditur se gjatë vikendit është sulmuar konsullata e përgjithshme në Strasburg.

Cana bëri të ditur se po ashtu është vjedhur flamuri i Kosovës si dhe është shkatërruar stema e shtetit./ KultPlus.com

1 mijë e 248 artefakte të Kosovës akoma qëndrojnë në Serbi

Kosovës akoma nuk i janë kthyer 1248 artefakte të cilat në vitin 1999 janë zhvendosur në Serbi. I vetmi eksponat i kthyer është “Hyjnesha në Fron”, shkruan KultPlus.

Dy koleksione me 1 mijë e 248 njësi nga fond i Muzeut të Kosovës janë zhvendosur në vitin 1999 prej Muzeut të Kosovës në Serbi. Arsyetimi i organizmave udhëheqëse të asaj kohe ka qenë se do të organizohen disa ekspozita. Një bashkëpunim ky në mes të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Muzeut të Kosovës ose Autoriteteve të Muzeut të Kosovës të asaj kohe.

Mirëpo me të përfunduar të ekspozitave, këto koleksione nuk u kthyen asnjëherë në Kosovë.

Njëri është koleksion arkeologjik prej 677 eksponateve dhe tjetri një koleksion etnologjik me 571 eksponate. Nga këto dy koleksione ose 1248 artefakte në Kosovë është kthyer vetëm një eksponat.

Kjo ka ndodhur në maj të vitit 2002 me një angazhim shumë të madh e të veçantë të Michael Steiner është kthyer një eksponat “Hyjnesha në Fron”. Është në ekzemplar që vjen prej neolitit një gjetje në lokalitetin e Tjerrtores dhe është figura që është edhe simbol i Muzeut dhe Komunës së Prishtinës.

Këto dy ekspozita qëndrojnë në Serbi. Koleksioni arkeologjik qëndron në depon e Muzeut Kombëtar të Beogradit kurse koleksioni etnologjik qëndron në depon e Muzeut Etnologjik të Beogradit.

Kthimi i këtyre dy koleksioneve ishte përfshirë edhe në pakon e Ahtisarit. Në këtë plan ishte bërë e qartë se Serbia është dashtë që këto artefakte t’i kthej në Kosovë në afat prej 120 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të planit të Ahtisarit./ KultPlus.com