Pse është harruar poeti ynë i madh, Mirko Gashi?

Shkruan: Tefik Selimi

Kaluan shumë kohë nga vdekja e poetit, Mirko Gashi dhe askush nuk bën asnjë fjalë asnjë shkrim për te. Pse, athua? Kjo dhemb. Dhemb për faktin se ai ishte njeri i madh në jetë. Kjo është një “dhimbë” për njeriun si njeri, por edhe për krijuesin e madh të anës së Malësisë së Karadakut jetik.

Siç dihet, Mirko Gashi jetoi më pak në vendlindje, Selishtë, e më shumë jetoi në Prishtinë. Këtu edhe vdiq, më (1995). Vdiq dhe sikur u harrua përgjithmonë. Prishtinas, ia keni borxh këtij shoku e kolegu tashmë të ndjerë, Mirko Gashit një përvjetor. Ai nuk e meritoi këtë “harresë” kaq të gjatë. Nuk e meriton këtë “largim” nga mendja Mirkoja ynë i madh. Ai më nuk është në mesin tonë. Por, me ne jeton vepra e tij madhore.

Mirko Gashi ishte nga një familje me tradite atdhetare. Është i lindur më 2 janar të vitit 1939 në Kralevë të Serbisë. Shkollën fillore e kreu në Preshevë, kurse gjimnazin në Gjilan. Kreu edhe shkollën e gazetarisë. Një kohë punoi si mësues në fshatin Caravajkë, komuna e Preshevës. Pastaj punoi si gazetar në Radio Prishtinë, në Teatrin e Kombësive në Shkup, në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë dhe më në fund punoi në gazetën “Kosova” derisa u pensionua. Jo vetëm kaq..

Ai la vepër të pavdekshme. Për sa kohë jetoi, la një krijimtari të dalluar dhe të veçantë në letërsinë tonë shqipe. Për sa kohë ishte gjallë, ai botoi disa vepra letrare, si janë: “Në vorbullën e ujit”, Prishtinë,1972, “Netët e bardha”, Prishtinë- 1975, “Gjarpri i shtëpisë”, Prishtinë -1980, “Arbror vitae”, Prishtinë -1988, “Plagë uji” Prishtinë -1990.

Ky autor është përkthyer në disa gjuhë, frëngjisht, serbokratisht, gjermanisht, arabisht, sllovenisht, anglisht, turqisht dhe maqedonisht. Është i prezantuar në disa antologji të autorëve të ndryshëm. Ai ka kontribuar në përkthimin e disa veprave nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate. Ka përkthyer poezitë e A. Podrimjes, Din Mehmetit, Qerim Ujkanit, Sabri Hamitit, Ibrahim Kadriut etj. Mirko Gashi, pas një veprimtarie të begatshme letrare, vdes në vitin 1995 në Prishtinë. Dhe, jo vetëm kjo.

Vdekja e tij është plot dhimbë. Dhimbë për njerëzit që e kanë dashur dhe njohur njeriun e krijuesin e madh. Ai jetoi jo vetëm si të gjithë njerëzit, por jetoi dhe ajo “jeta” e tij është paksa më e veçantë se e të tjerëve. Pse po e themi këtë? Fakt është. I madh e i vogël i Malësisë së Karadakut e njohin dhe e nderojnë poetin e kësaj ane, i cili, sa jetoi, krijoi vargje me vlera të larta letrare e artistike.

Ai qe një krijues i madh i artit. Arti për Mirko Gashin ishte një gjë e “shenjtë”, sepse atë art e deshi me thellësi të shpirtit e të zemrës. Ai poezinë e kuptoi si diç që “flet” dhe kjo madhështi sikur në shpirtin e tij të madh zuri “vend”. Ai ishte një shpirt i ndjeshëm dhe i fuqishëm prej poeti. Sikur vokacioni i tij poetik ka një ndjeshmëri edhe sot.
Mirko Gashi ka një jetë që do të duhej të shkruanin të tjerët shumë për te. Shpirti i tij, edhe si njeri, por edhe si poet, ishte një bohem që la gjurmë prej krijuesi të madh.

Ishe jo i hajthëm si Migjeni, por më i ndjeshëm se shumë të tjerët. Pos veprave letrare, Mirko Gashi, ai la edhe “vepra” tjera në jetë. Ishte një artist i madh i skenës së filmit. Si i tillë, ai jetoi jo vetëm me vargun poetik, të cilin e deshi shumë, por jetoi edhe me rolet që i luajti në jetë. Biografia e tij është shumë interesante. Ai ka qenë një njeri i lindur i artit e i skenës. Sikur ky art e “pushtoi” dhe e mori para kohe. Nuk deshëm me këtë shënim të bëjmë ndonjë analizë për veprën e tij letrare, por deshëm t”ia përkujtojmë lexuesve dhe miqve të tij se Mirko Gashi është i harruar prej shokëve, miqve e krijuesve. Është harruar qe sa kohë. Nuk përmendet e as që shkruhet. Pse?

Ai nuk meriton të harrohet. Ai meriton të nderohet dhe të shkruhet më shumë se disa të tjerë. Nuk harrohet vendi ku ai gjithnjë ka pirën e ka ndejtur. Edhe sot shokët dhe kolegët e tij të çmuar e nderojnë vendin e tij dhe e quajnë: “Vendi i Mirkos”. Ja vetëm një argument e shtuam, por sa e sa argumente të tjera janë për Mirkon e nderuar dhe shumë të çmuar.

Do të ishte mirë që të afërmit e tij, që sot jetojnë në Gjilan, Zhegër e në vendlindje, Selishtë, ta ngritin zërin për një Akademi përkujtimore për të madhin, Mirko Gashi. Ai ka merita të mëdha në jetë jo vetëm si krijues, por edhe si njeri dhe si artist i jetës… E meriton një shënim pak më të gjatë apo më shumë se ky që sot vetëm e zumë në fjalë. Besoj… / KultPlus.com

Me aktivitete do të shënohet 20 vjetori i Lëvizjes Studentore në Kosovë

Me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Lëvizjes Studentore në Kosovë, në Prishtinë vjen në fillim të tetorit një organizim që do të rikthejë kujtimet dhe idealet e asaj kohe.

Me datë 1 tetor duke filluar nga ora 20:00, në Kinemanë ABC në kryeqytet vjen shfaqja e filmit dokumentar kushtuar protestës së 1 Tetorit 1997 dhe Lëvizjes Studentore. Në ora 17:00 po të njëjtën ditë shënohet Akademia Solemne.

2 Tetor 2017

Ora 10:00 – Konferenca Shkencore “Lëvizja Studentore në Kosovë dhe Protesta e 1 Tetorit 1997”

Salla e Konferencave Nr. 14- Fakulteti Filozofik
Rr. Eqrem Çabej Nr. 21 – Prishtinë

3 Tetor 2017

Ora 18:00 – Ekspozita “ 1 Tetori përmes fotografive të kohës”

Muzeu Kombëtar i Republikës së Kosovës
Rr. Ibrahim Lutfiu – Prishtinë

Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi ishin në mesin e emrave që organizuan lëvizjen e vitit 1997 në Kosovë. Lëvizja Studentore ‘97 ishte një lëvizje joviolente studentore në Universitetin e Prishtinës, e cila filloi më 1 tetor 1997 dhe, duke aplikuar metodat aktive të një rezistence civile, theu status quon dhe të gjitha tabutë e deriatëhershme. / KultPlus.com

Bucetat që skulptorët i kishin propozuar për shtatoren Ibrahim Rugova në Prishtinë (FOTO)

Në vitin 2013 ishte përuruar shtatorja e Ibrahim Rugovës që është vendosur në Sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, po para se të përzgjidhej shtatorja që tashmë është e vendosur në shesh, kishin konkurruar edhe shumë skulptorë të cilët i kishin prezantuar bucetat e tyre, shkruan KultPlus.


Kritiku i artit Ilir Muharremi ka shpërndarë nëpërmjet rrjetit social facebook disa fotografi nga këto buceta që kishin synuar kryeqytetin, buceta këto që vetë Muharremi i quan shëmtira.



“Disa nga skulpturat e shëmtuara që fare nuk kanë të bëjnë me ish presidentin tonë. Për fat të mirë ajo që u zgjodh dukshëm është më larg këtyre shëmtirave. Nuk e dijë si patën guxim t’i prezantojnë këto shëmtira që fyejnë figurën e ish presidentit Ibrahim Rugova”, ka shkruar Muharremi./KultPlus.com

Tri këngë më pak të dëgjuara nga Armend Rexhepagiqi (VIDEO)

Ndoshta secila këngë e Armend Rexhepagiqit është e njohur dhe e kënduar, edhe pse një pjesë e tyre tanimë të shkruara, kompozuara e kënduara në një kohë tjetër.

E duke marrë parasysh se këto këngë ka disa vite e dekada që janë krijuar, sot ato i përkasin këngëve që nuk i fshin historia dhe as ardhja e trendeve të reja muzikore.
Armendi ka krijuar shumë edhe për këngëtarët tjerë, por kryeveprat i ka lënë për veten e tij. Sot i zgjodhëm tri këngë të cilat i këndon Armendi dhe të cilat nuk janë në mesin e atyre këngëve që secilit na kujtohen kur përmendet ky kantautor dhe një zë i kristaltë i estradës shqiptare, shkruan KultPlus.


QAFORJA –

Këngës “Qaforja” nuk i është realizuar asnjëherë një videoklip dhe kjo ndoshta ka bërë që kënga të ketë më pak jehonë. Kënga e ka një tekst që mund të jetë lexuar me plot shpirt edhe vetëm si poezi, nën vargjet e një kitare e cila e hapë sekondën e parë të këngës. “Qaforja” është poashtu një ndër këngët që Armendi i ka realizuar më vonë në karrierën e tij.


ÇKA DO TË NDODHË ME NE –

Balada “Çka do të ndodhë me ne” dikur është dëgjuar shumë, në kohën e produksioneve dhe kasetave të formatit televiziv, ndërsa me kalimin e kohës ka mbetur në mendjen e vetëm atyre të cilët u lidhën emocionalisht me këngën. Një tekst për ndarjen, një tekst për të mos u ndarë e për të mos vazhduar si të tillë, kuptohet, për dy të dashuruar, e bën këtë këngë të veçantë dhe aspak më pak të rëndësishme nga karriera e Armend Rexhepagiqit.


I VETMUAR SONTE –

Kënga është e mishëruar me zërin e Armendit dhe me një tekst të dhimbshëm për atë në cka kalon ndoshta secili prej nesh në një periudhë a tjetër të jetës. Vetmia, shpesh di të jetë vrastare dhe e dhimbshme. “Nuk është kjo jetë, por hall i madh” dëgjohet diku në refrenin e këngës e cila flet për dhimbje, transmeton dhimbje, që tek e fundit është ndjenjë njerëzore. / KultPlus.com

2771 këngë konkurrojnë për ta përfaqësuar Suedinë në Eurovizion

Janë gjithsej 2771 këngë të cilat kanë konkurruar në Televizionin Publik Suedez – SVT, për të qenë pjesëmarrës në përzgjedhjen e këngës suedeze për Eurovizion.

Melodifestivalen është festivali i cili përzgjedhë këngën fituese e cila më pas e përfaqëson Suedinë në Eurovizion. Ky numër është më i madhi pas garës së vitit 2012-të, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=Up07AY2g3AI

Interesi është i madh në Suedi për të marrë pjesë në Eurovizion, por madje edhe opinioni publik në Suedi e pëlqen shumë këtë festival.

Hapi tjetër do të jetë përzgjedhja e vetëm 28-të këngëve të cilat shkojnë në finale.
Suedia është shtet i suksesshëm në Eurovizion dhe i cili i kushton rëndësi pjesëmarrjes. Suedia ka fituar në Eurovizion dy herë gjatë këtij shekulli, në vitin 2012-të dhe në vitin 2015-të. / KultPlus.com

Darci Lynne Farmer fituese e “America’s Got Talent” (VIDEO)

12 vjeçarja, Darci Lynne Farmer, është fituesja e edicionit më të fundit të talent shout ‘America’s Got Talent’.

Në natën finale të kësaj gare, dyshja e fundit e cila arriti t’i mbijetojë eliminimit nga 10 konkurrentët sa kishin mbetur, ishin Farmer dhe këngëtarja e re në moshë Angelica Hale.

Kjo e fundit e zuri vendin e dytë si dhe morri lëvdata të shumta për zërin e mrekullueshëm.

Dy vajzat e reja, kishin arritur ta mposhtin një konkurrencë të fuqishme sivjet në këtë shou, dhe në natën finale nuk mundën ta fshehin emocionin e madh që i kishte kapluar, sidomos në momentin e shpalljes së emrit fitues.

Ndiqeni videon e momentit të shpalljes së, Darci Lynne Farmer, fituese e shout “America’s Got Talent”./ KultPlus.com

Ndalohet mësimi i gjuhës frënge në Prishtinë

Shoqata e Profesorëve të Frëngjishtes të Kosovës (SHPFK) përmes një komunikate ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me braktisjen e mësimdhënies së frëngjishtes nga shkolla Elena Gjika në Prishtinë, përkundër dëshirës së stafit mësimdhënës dhe të drejtorit të institucionit, përcjellë KultPlus.

“Frëngjishtja është mësuar në këtë shkollë nga viti 2001. Çdo vit, rreth 80 nxënës tregonin interesimin e tyre të madh për mësimin e frëngjishtes dhe merrnin pjesë në mënyrë aktive në aktivitetet e ndryshme lidhur me frankofonin. Shkolla ka të gjitha mjetet e nevojshme për të siguruar një mësim cilësor falë mbështetjes materiale të konsiderueshme të Ambasadës së Francës në Kosovë. Ky vendim vështirë mund të kuptohet, duke marrë parasysh angazhimin e Kosovës për frankofonin, ndër të tjera përmes statutit të saj si anëtare vëzhguese të OIF (Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë). Kjo zgjidhje e imponuar pa konsultim paraprak dënon fillimisht nxënësit që kanë një lidhje të veçantë me gjuhën e Molierit.”, thuhet në komunikatë, ku poashtu theksohet se ky vendim është një sinjal katastrofik që i dërgohet shkollave të tjera të cilat janë thellësisht të implikuar në promovimin e gjuhës frënge ose që dëshirojnë të investojnë në këtë drejtim.

SHPFK-ja kërkon urgjentisht të takohet me organet vendimmarrëse dhe sidomos nga Komuna e Prishtinës, që këta të anulojnë këtë vendim të dëmshëm në çdo aspekt./ KultPlus.com

Vjen në shqip ‘Kambana e qelqtë’

Shtëpia Botuese Pegi sjell në tregun shqiptar një tjetër kryevepër të letërsisë bashkëkohore. “Kambana e qelqtë” i autores Silvia Plath, është një roman në të cilin autorja rrëfen ngjarjet e jetës së saj në moshën 20-vjeçare; orvatjen e saj për vetëvrasje dhe rikthimin në jetë me paterica.

Një tjetër kryevepër e letërsisë bashkëkohore amerikane vjen për lexuesit shqiptarë nën siglën e Shtëpisë Botuese Pegi. Kambana e qelqte, e vetmja proze e Silvia Plath, zbulon të vërteta që të tjerë s’kanë guxuar. Plath vendos Esterin të jetojë jetën e saj, të cilës vendos t’i jap fund në moshën 30-vjeçare. Ajo e tërheq lexuesin brenda shkatërrimit të Esterit, dhe e bën me një forcë të tillë, sa marrëzia e saj bëhet e prekshme.

Drejtuesja e Shtëpisë Botuese Pegi, Loreta Berhami thote se edhe pse i shkruar 50 vite më parë Libri, i flet kontekstit të sotëm.

Prej botimit “Kambana e qelqte” ka shitur me miliona kopje ndërsa në vitin 1979 u ekranizua për herë të parë./ KultPlus.com

Mirela Kumbaro kujton vizitën e Papa Françeskut (FOTO)

Mirela Kumbaro-Ministre e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, ka rikujtuar sot 21 shtatorin e vitit 2014-të kur Papa Françeskut vizitoi Tiranën, shkruan KultPlus.

Kumbaro, përmes rrjetit social Facebook, ka publikuar disa fotografi nga kjo vizitë të cilave ua ka bashkangjitur edhe një mbishkrim ku tregon se ndjehet shumë e nderuar dhe me fat që ishte pjesë e asaj dite.

“21 shtator 2014
Një datë e paharruar që më bën të ndjehehem përunjësisht shumë e nderuar dhe me shumë fat”, ka shkruar Kumbaro./ KultPlus.com

Vuçiq në KB: Serbia nuk do ta njohë Kosovën, ftesë kundër pranimit të saj në UNESCO

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka shfrytëzuar tribunën e Kombeve të Bashkuar për t’u shprehur kundër Kosovës.

Ai duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe ka ftuar vendet anëtare të KB së që të mos lejojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, përcjellin medie të Beogradit .

Pjesa tjetër e fjalimit të Vuçiqit ka qenë një demagogji e stilit të tij se si vetëm me zhvillim mund të ruhet paqja në Ballkan, transmeton Koha.net./ KultPlus.com

Mbrëmë në Tiranë u dha premiera e filmit “Bloodlans” (FOTO)

Pas premierës botërore në Glasgow, filmi i parë shqiptar i zhanrit horror “Bloodlans” erdhi mbrëmë premierë në Tiranë, shkruan KultPlus. Filmi me skenar dhe regji të Steven Kastrissios tashmë ka marrë edhe shpërblime ndërkombëtare, duke përfshirë edhe çmimin për aktoren shqiptare Suela Bako, kurse pos saj, në këtë film me rolet e tyre kanë luajtur edhe aktorët: Gëzim Rudi, Emiljani Palali, Suela Bako, Alesia Xhemalaj, Florist Bajgira, Ilire Vinca, Dritan Arbana… KultPlus ju sjellë disa fotografi nga premiera mbrëmë. /KultPlus.com

Shfaqja kosovare “Eshtrat që vijnë vonë” fiton katër çmime në Maqedoni

Me ftesë zyrtare të drejtorisë së Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit ‘Risto Siskov’ në Strumicë të Maqedonisë – Teatri Kombëtar i Kosovës, ka pas nderin të hap edicionin e 25-të të këtij eventi me shfaqjen ‘Eshtrat që vijnë vonë’ të Teki Dërvishit, përcjellë KultPlus.

Këtë festival të rëndësishëm ndërkombëtar i cili është mbajtur me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë, e ka hapur Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev. Të pranishëm në shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ishtin edhe Ministri i Kulturës të Republikës së Maqedonisë, ambasadorë të akredituar dhe personalitete rajonale e ndërkombëtare të botës së teatrit.

Shfaqja kosovare ‘Eshtrat që vijnë vonë me tekst të Teki Dërvishit e regji të Martin Kochovskit, u percoll nga një publik i zgjedhur prej më shumë se 700 vetash. Në tryezën e rrumbullakët të organizuar me rastin e premieres kosovare, kritikë eminent të rajonit, vlerësuan lartë shfaqjen e TKK-së, tekstin, regjinë, ansamblin, strukturën dhe gjuhën avangarde të shfaqjes. Megjithate, në mediat e instrumentalizuara nga ekstremi shovenist , media të oligarkive të deplasuara politike të dedikuara për të prodhuar ‘fake news’, shfaqja kosovare u cilësua si projket që promovon ‘Shqipërinë e madhe’. Në përfundim të festivalit, juria shtatë antarëshe, në krye me Zija Sokoloviqin nga Bosnja dhe dramaturgun e njohur bullgar Stefan Jankov, i ndau katër çmime autoriale për shfaqje kosovare:

Eshtrat që vijnë vonë, ka fituar çmimin për:
Tekstin më të mirë – Teki Dërvishi
Regjia më e mirë – Martin Kochovsky
Kostumet më të mira- Juliana Nojman
Koreografia më e mirë

Vitin e kaluar shfaqja ‘Eshtrat që vijnë vonë’ kishte fituar Gran Prix /Çmimin e madh/ të Festivalit Evropian të Teatrit në Bukuresht të Romanisë. / KultPlus.com

Djali i aktorit Hadi Shehu, fjalë prekëse për të atin

Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Asamblesë Komunale në Gjakovë, u miratua unanimisht pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, pika e rendit të ditës për emërtimin e ri të Teatrit të Qytetit me emrin e aktorit të madh të skenës gjithë kombëtare, Hadi Shehu dhe nga sot e tutje Teatri do të mbajë me përgjegjësi të plotë emrin “Teatri i Qytetit-Hadi Shehu”, shkruan KultPlus.

I nderuar për këtë vlerësim është shprehur edhe Betim Shehu, djali i Hadi Shehut. Ai përmes një statusi në Facebook ka falënderuar të gjithë për vlerësimin që i është bërë babait të tij, i cili shkriu jetën në atë teatër.

“Babi, sot Gjakova po te nderon me emertimin e Teatrit Hadi Shehu, si shenje mirnjohje dhe falenderimi i perjetshem per gjithe dashurine dhe kontributin tend per artin shqiptare dhe per Teatrin e Gjakoves, qe per ty ishte pjese e jetes, e buzqeshjes, e vajit, e kenges, e krenarise e atdhedashurise. Teatrit po i shkruhet me shkronja te arta emri Yt dhe gjithe Ne do ta ruajme me ndere dhe krenari!
Faleminderit Drejtorise se Teatrit dhe kolegeve te Teatrit per iniciativen,Drejtorise per Kulture, te gjithe Asambleisteve dhe Kuvendit komunal te Gjakoves.
Faleminderit gjithe popullit te Gjakoves dhe me gjere per mbeshtetjen morale!”, ka shkruar Betimi në facebook. / KultPlus.com

Në 18 vjetor, pa „soliter“ dhe histori..!

Zejnullah Jakupi

Për dike RTK-ja është bërë si shtëpi e dytë, edhe pse kurrë nuk banon as nuk punon për të. E disa e këqyrin nga larg, disa e urrejnë e disa e kanë vetëm objekt studimi. Në këtë përvjetor të 18, dikur si vonë, edhe mua më ra ndërmend ti shkruaj disa fjalë. U festua ditëlindja e 18, por kjo nuk bëri aq bujë të madhe për opinionin publik.

Ditëlindja e Re akoma po i bartë problemet e vjetra.
Si duket udhëheqja e tanishme ( e kushtëzuar politikisht) nuk kanë përgatitje për të reflektuar rreth kësaj çështje. Tash edhe fëmijët 5 vjecarë e dinë se kur u themelua RTK-ja(dihet më 19 shtator 1999). Por askush nuk po e di ose (shumë pak prej tyre) dinë se a duhet te inkorporohet historiku i RTP-së, në festimin e përvjetorëve te saj. mbase kjo e para është paraardhëse e RTK-së?

Kjo histori gjithsesi nuk mund të mohohet. Disa nuk duan ta njohin këtë histori se druan se dëmtojnë RTK-në, disa mendojnë përkundrazi e ndihmon. Ish- korrespondenti i RTK-së në Beograd Fahri Musliu e kundërshton një anashkalim të kësaj historie nga RTK dhe stafi i saj udhëheqës. Ai thotë dihet se RTK-ja u themelua mbi gërmadhat e RTP-së nga EBU OSBE dhe UNMIK. RTP-ja ishte një ndërmarrje shoqërore dhe si e tillë në atë kohë, duke qenë shtetërore kishte patur një shumicë të madhe punëtorësh. Siç ishte zakon në shumë kombinate dhe ndërmarrje tjera shoqërore. Nuk dihet akoma, sepse nuk ka analiza se si ka qenë cilësia e programit të RTP-së? Për këtë duhet biseduar me ish udhëheqësit dhe punëtorët, por shumica prej tyre nuk jetojnë më. Disa që kanë zënë vend në RTK, e kanë të ndaluar të flasin, sepse të flasësh për RTP-në i bie se po e përkrah ish Radio Televizionin e sistemit socialist dhe po e mohon RTK-në. Për këtë politikë denigruese ndaj RTP-së mund të ketë edhe ndikim nga jashtë. Megjithatë sot kur e tërë udheqja është në duar të vendorëve nuk mund të arsyetohet se pse po bëhet ky anashkalim i historisë, pse nuk po thuhen gjerat ashtu si janë?

Fahri Musliu thotë se edhe radiotelevizionet e ish republikave jugosllave të cilat e mbanin emrin e kryeqytetit, pas shpalljes shtete të pavarura, e ndërruan statusin e tyre në mediume publike duke e marrë emrin e shtetit, por nuk ju ra ndërmend që ta shlyejnë vitin e themelimit.

Për ditëlindjen e 18-të të RTK-së drejtori gjeneral Mentor Shala i ka uruar 18 vjetorin stafit të RTK-së dhe thotë se pa këtë ekip do të kishte qenë i pamundun ky zhvillim i RTK-së pavarësisht sfidave mjaft të vështira që i kaluam dhe që do të na presin edhe në të ardhmen!
„Duke pasur një staf jashtëzakonisht profesional jam shumë i sigurtë që do t’ia dalim edhe në realizimin e projekteve tjera të mëdha të cilat i kemi përpara! Urime RTK!”
Shumë punëtorë të ish- RTP-së nuk kanë mundur të integrohen në RTK, sepse shteti nuk ka para ti paguaj, as RTK jo.

18 vjetori nuk i ka gëzuar as punëtorët e RTK-së të cilët janë pensionuar para kohe ose janë përjashtuar nga puna. Fahri Musliu është njëri ndër ta i cili ishte pjesë e këtij mediumi nga viti 01.06.2005 deri 31.07.(31.12) 2013.

“falsifikim i tmerrshëm …”

Fahri Musliu ka shkruar dje në 18 vjetorin e RTK-së duke thënë se ky është një falsifikim i tmerrshëm i të vërtetës që po i shitet opinionit dhe njëkohësisht, në këtë mënyrë, po e mohojmë të kaluarën tonë.
“Historiku i RTK nuk nis nga shtatori i vitit 1999, por shumë më heret: Radio Kosova punën e vet me emetimin e lajmeve e nis më 5 Shkurt të vitit 1945 në Prizren, si Radio Prizreni , kurse nga vjeshta e vitit 1946 kalon në Prishtinë, si Radio Prishtina. Fjalët e para në ekranin televiziv në shqip u emetuan më 29 Nëntor të vitit 1966 (nga TV Beogradi), ndërkaq TV Prishtina u themelua më vendimin e Kuvendit të Kosovës, më 15 Maj 1973, (dhe funksiononte në kuadër të TV Beogradit), por si televizion i pavarur RTP nis të emetoj program që nga 14 Shtatori i vitit 1975. Kjo do të thotë se Radio Kosova është themeluar para plotë 72 vitesh kurse Televizioni para 50, respektivisht para plotë para 42 vjetësh.

RTK momentalisht si deri më tani ballafaqohet akoma me probleme ekonomike. Mediumi publik vetëm pjesërisht financohet nga publiku, taksa siç bëhet në Gjermani përmes GEZ,-it, institucion ky i pavarur (nga shteti dhe grupet e interesit ekonomik dhe politik) i cili bënë mbledhjen e taksës për mediumin publik ARD dhe ZDF.

Mungojnë akoma ndryshime rrënjësore pa të cilat reforma paraprake në mediumin publik, reforma mbi qasjen e tij në program, rritjen e besueshmërisë nga qytetarët, rritjen e cilësisë së programit, mënjanimin e interesave partikulare etj dhe para së gjithash pa reforma në udhëheqjen e tij, nuk do ketë stabilitet dhe qëndrueshmëri të mediumit publik. Reforma do të fillonte me stafin e përgatitur menaxherial të RTK-së i cili duhet të jetë i ndarë nga struktura e udhëheqjes programore dhe asaj teknike, i pajisur me kuadro profesionale (doktor të ekonomisë, menaxher të sprovuar në ndërmarrje publike apo tregtare, qoftë edhe nga jashtë).

Por si duket për këtë reformë nuk ka gatishmëri politike, që të arrihet konsensusi shoqëror që edhe RTP, të mos anashkalohet sepse është pjesë e këtij historiku(po ta bënin këtë anashklim studijuesit, do të binin nga provimi). Problemi akut mbetet edhe më tutje problemi i pronës, problem ky që u trashëgua nga themelimi i RTK-së. Zgjidhja si duket qëndron tek kompromisi mes RTK-së dhe ish- RTP, bartja e trashëgimisë nga RTP tek RTK dhe marrja e gjitha përgjegjësive ligjore nga kjo e fundit ndaj RTP-së, mbi një bazë të arsyeshme ligjore dhe me këtë të ndërtohet modeli i mirëfilltë, modeli i një mediumi publik me mbështetje nga gjitha grupet relevante të shoqërisë.

Sot në këtë situatë ish-punëtorët e RTP-së janë të anashkaluar. Historia e RTP-së shkruhet vetëm nga studiuesit. RTK emiton material arkivor nga RTP por nuk paguan asnjë centë, pra nuk e respekton të Drejtën e Autorit. Arkiva e RTP-së ka kaluar në pronë të RTK-së. Nuk janë krijuar modalitete të cilat mundësojnë të përfshihen gjithsesi në ligjin e ri, duke u zotuar për zbatimin e të drejtave të autorit, zgjerimin dhe shkollimin e kuadrove, hapjen e redaksive në qendra si New York, Bruksel, Berlin, Paris, Londër … etj, dhe investime edhe në hulumtimin e programit dhe zhvillimin e hulumtimeve empirike të programit të RTK-se, gjë që, ky medium deri tani nuk ka ndarë as 1 cent.

Përballë gjithë këtyre problemeve, që përmendëm këtu ose disa prej tyre, historiku i RTK-së vazhdon të mbahet në sirtar. Objekti i saj është akoma nga koha e paraluftës, ose 30 vite para luftës. Nga pamja e jashtme të duket se je diku në Afganistan. Këtu është ndalur koha. Përkundër premtimeve se qeveria dhe ata që kanë ndikim tash e 18 vjet do ta ndërtojnë „soliterin“ e premtuar, akoma nuk ndodhi kjo mrekulli.

Por Mentor Shala nuk brengoset shumë. Atij nuk i pengon pse RTK nuk ka filluar digjitalizimin, sepse nuk është puna e tij, për këtë fajet i ka qeveria. Soliteri i RTK-së akoma nuk u bë! Por ky nuk është shkas të biesh në depresion. Mentor Shala është optimist: “Sot për herë të parë kam qit flutur në vend të kravatës klasike. Sebep ishte përvjetori i RTK! Hiq s’ma merrke menja qe ka me m’nejt najqysh! E kalova edhe kete sfide! Huuh!!!”/KultPlus.com

Projekti i madh letrar “Kosovë is everywhere” vjen së shpejti

“Kosovë is everywhere”, është një projekt i madh letrar i Bern is überall nga Berni dhe Qendrës Multimedia nga Prishtina i cili do të zhvillohet në Kosovë nga 28 shtator deri më 13 tetor, njofton kumtesa nga organizatorët, përcjellë KultPlus.

Sipas kumtesës ,katërmbëdhjetë autorë nga Kosova dhe Zvicra dalin në skenë bashkërisht dhe prezantojnë letërsinë si një lloj performance. Ngjashëm me një orkestër kamertale, ata prezantojnë kompozime verbale; ata bëjnë vallëzime gjuhësore; rrëfejnë tregime të përditshme; recitojnë poezi të përdala; përsërisin dhe ndryshojnë lista fjalësh; ngërthehen në anekdota të shkurta bizare si dhe përcillen me kitarë, harmonikë, bas kitarë, perkusion e daulle.

Ahengu shumëgjuhësh është i pashmangshëm. Do të vizitojmë gjashtë qytete në Kosovë.

Perfomancën do ta zhvillojmë në gjuhën shqipe, frënge, gjermane, rome, serbe, gjermane (të Zvicrës) dhe turke (të gjitha me titra në shqip). Do të rrëfejmë tregime të cilat janë krijuar për këtë ngjarje të veçantë ndërkombëtare.

Autorët e muzicientët pjesëmarrës janë: Laurence Boissier, Blerina Rogova-Gaxha, Ervina Halili, Arben Idrizi, Dardan Islami, Antoine Jaccoud, Guy Krneta, Meral Kureyshi, Gerhard Meister, Pedro Lenz, Kujtim Paçaku, Shpëtim Selmani, Ariane von Graffenried dhe Milosh Zhivanoviq. Muzikë: Adi Blum (accordion), Art Lokaj (guitar), Michael Pfeuti (bass), Maru Rieben (percussion), Drin Tashi (drums).

Ka shumë arsye përse këta artistë nga Bern ist überall po hyjnë në dialog me artistë nga Kosova. Por natyrisht, njëra nga arsyet është lidhja e pashkëputshme që ekziston mes Kosovës dhe Zvicrës. Kur zbrisni rrugëve të Prishtinës ju ndodh kaq shpesh të dëgjoni kosovar që flasin gjermanishte të Zvicrës. Në Ferizaj takon plot shqipe që shumicën e kohës jetojnë në Renens apo Payerne. Por, fatkeqësisht, shkëmbimet letrare mes dy vendeve janë të lëna mbas dore. Ky projekt ka për qëllim të krijoj lidhje të qëndrueshme letrare. Diçka të tipit A Long and Lasting Love.

Programi do të zhvillohet:

E enjte, 28 shtator, ora 20:00 Prishtinë, Qendra Multimedia
E premte, 29 shtator, ora 20:00 Graçanicë, Hotel Graçanica
E shtunë, 30 shtator, ora 20:00 Ferizaj, teatri “Adriana”
E enjte, 5 tetor, ora 20:00 Prizren, Kino Lumbardhi
E shtunë, 7 tetor, ora 20:00 Gjakovë, Teatri i Qytetit
E enjte, 12 tetor, ora 20:00 Pejë, teatri “Istref Begolli”
E premte, 13 tetor, ora 20:00 Prishtinë, Universiteti i Prishtinës, amfiteatri i Fakultetit të Filologjisë.

Ky shkëmbim është mundësuar duke iu falënderuar Great Culture Prize nga Burgergemeinde Bern, të cilin Bern ist überall e ka fituar në vitin 2015, si dhe nga sponsor e partnerë si: granti Balkan i fondacionit kulturor Landis & Gyr, Pro Helvetia e Ambasada e Zvicrës në Kosovë. / KultPlus.com

Rikthehet shfaqja “Copë Copë”

Shfaqja “Copë Copë”, e cila është dhënë premierë në vitin 2015-të, do të rikthehet sërish në skenë, përcjellë KultPlus.

Artistet dhe mbijetuesja e dhunës janë bashkuar për të ndarë me publikun copëza përjetimesh nga jetët e tyre. Interpretime të përbashkëta të artisteve dhe të mbijetuarës së dhunës në hapësirën e njëjtë do të riaktualizojnë forcën që këto të fundit kanë gjetur për t’u përballur me realitetin.

Dramaturge e kësaj shfaqje është Blerta Zeqiri, ndërsa regjia është bërë nga Zana Hoxha – Krasniqi. Aktoret të cilat do të interpretojnë janë: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Albina Kelmendi dhe Bashkime Sulejmani.

Shfaqja vjen më 26 shtator nga ora 20:00 në Teatrin e Qytetit “Adriana Abdullahu” në komunën e Ferizajt.

Performanca është produksion i Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, ndërsa është përkrahur nga CFD. / KultPlus.com

Teatri i Qytetit të Gjakovës merr emrin e aktorit Hadi Shehu

Sot është mbajtur mbledhja e shtatë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës ku janë diskutuar dhjetë pika të rendit të ditës, ndër të tjera edhe ato në fushën e kulturës, përcjellë KultPlus.

Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Asamblesë Komunale në Gjakovë, u miratua unanimisht pa asnjë votë kunder dhe asnjë abstenim, pika e rendit të ditës për emërtimin e ri të Teatrit të Qytetit me emrin e aktorit të madh të skenës gjithë kombëtare, Hadi Shehu dhe nga sot e tutje Teatri do të mbajë me përgjegjësi të plotë emrin “Teatri i Qytetit-Hadi Shehu”. / KultPlus.com

Shani Pallaska, Safete Rugova, Afrim Kasapolli e Ragip Loxha gjatë interpretimit të radiodramës “Kallogjeri” që u ndalua nga komunistët (VIDEO)

Radiodrama “Kallogjeri” e dramaturgut Hasan Dajaku është përzgjedhur nga Radio Prishtina në konkursin e radiodramës të vitit 1980 – 81, dhe është realizuar nga stafi artistik si radiodramë në regji të regjisorit, Atdhe Gashi, shkruan KultPlus.

KultPlus po i sjellë disa fragmente të shkëputura nga kjo radiodramë e ku interpretojnë aktorët: Shani Pallaska, Safete Rugova, Afrim Kasapolli, Ragip Loxha, etj.

Pas transmetimit në valët e ish- Radio Prishtinës, kjo vepër është ndaluar me urdhër të ish- organeve të asaj kohe.

Liridon Dajaku, djali i shkrimtarit Hasan Dajakut, ka treguar për KultPlus se në këtë radiodramë kanë interpretuar edhe artistë të tjerë, por në kohën kur është ndaluar kjo radiodramë, pikërisht pjesën e fundit, aty ku tregohet stafi realizues, e kanë prerë.

Nga audioincizimi, vërehet se kjo dramë është shkëputur në disa pjesë, nuk është gjetur e plotë pranë arkives së ish- Radio Prishtinës. Gjithashtu dhe teksti origjinal i dramës, i shkruar nga Hasan Dajaku, nuk është gjetur askund.

Liridon Dajaku, ka treguar edhe arsyen se pse kjo radiodramë është ndaluar në atë kohë nga komunistët.
“Radiodrama është ndaluar nga komunistët, njerëzit e pushtetit sepse ju ka zhvesh moralin e tyre”, ka thënë Dajaku për KultPlus.

Më poshtë po ju sjellim videon e interpretuar nga aktorët e njohur. / KultPlus.com

Femra më e bukur në botë hyn në botën e sfilatave, debutoi në London Fashion Week (FOTO)

Thylane Blondeay është vajza që nga mediet franceze u pat konsideruar si vajza më e bukur në botë, pasi që atëherë qysh si gjashtë vjeçe, me fotografitë e saj pat magjepsur me bukurinë e saj, shkruan KultPlus.

Tashmë 16 vjeçe, ajo ka debutuar si modele në Javën e Modës në Londër, e cila ka nënshkruar një marrëveshje me IMG Models, dhe është e qartë se ajo po ec në një rrugë të famës, duke vlerësuar se në instagram ka 1.6 milionë ndjekës./KultPlus.com

Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sylejmani” pasurohet me 900 tituj të rinj

Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sylejmani” ditët në vijim pasurohet me një fond prej 900 titujve të rinj profesional shkencor, përcjellë KultPlus.

Me këtë furnizim, fondi i titujve shkencor nga Arkitektura, Biologjia, Bujqësia, Ekonomia, Fizika, Gjeografia – Gjeologjia, Informatika, Juridiku, Kimia, Matematika, Mjekësia, Ndërtimtaria dhe Shkencat Teknike do të jetë pikë kthese për bibliotekën e qytetit dhe degët e saj në vazhdimësi tash e tutje krahas pasurimit të fondit nga letërsia dhe publicistika, të pasurojë edhe fondin shkencor e profesional.

Për një gjë të tillë ka njoftuar drejtori i Drejtorisë për Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja.

“Sigurisht, lajmin kryesor e përbëjnë titujt e rinj, por meqenëse fondet janë publike, e kemi obligim të sqarojmë që: Titujt e rinj të librave buxhetit tonë i kushtojnë 50 mijë euro, Procedura e zhvilluar për furnizim me libra gjithmonë është sfidë për autoritetet publike sepse zhvillimi i aktivitetit të prokurimi për libra zakonisht është kompleks dhe vështirë i realizueshëm. Me këtë aktivitet kemi nxjerrë një model të jashtëzakonshëm të konkursit publik për furnizim me tituj, i cili përveç që përkujdeset që titujt të plotësojnë kriteret për veprimtarinë botuese, të plotësojnë kriteret për tituj shkencor, respekton 100 përqind edhe Ligjin për Prokurim Publik, të cilin ne jemi të detyruar ta zbatojmë”, ka shkruar Vllahinja. / KultPlus.com

7 shkrimtarët e njohur që kanë lënë shkollën

Në këtë kohë të vitit, kur të gjithë nxënësit u drejtohen bankave të shkollës, shpesh bëj pyetje mbi shkrimtarët e mi të preferuar: si iu futën rrugës së letrave, si e kuptuan dhe ushqyen talentin e tyre të të shkruarit, çfarë lexonin dhe çfarë mësonin.

Dhe po aq shpesh përgjigjet e këtyre pyetjeje nuk janë ato që imagjinoja. Shumë nga shkrimtarët më të suksesshëm të të gjitha kohëve nuk kanë arsimimin e duhur, shumë e braktisën vetë shkollën…
Kjo nuk do të thotë se shkolla nuk është rëndësishme dhe se nuk ju nevojitet edukimi dhe arsimimi për t’u bërë dikush… tek e fundit, jo të gjithë quhen Dikens dhe Tuein…

Harper Lee
Fituesen e çmimit Pulitzer që në moshë fare të re e tërhiqte letërsia, por në kolegj vendosi të ndiqte studimet për drejtësi. Interesi i saj për letërsinë u shtua me kalimin e viteve, ai për drejtësisë jo dhe Lee e la universitetin vetëm pas një semestri.

Charles Dickens
Dickens në vitet e para të jetës mori një edukim të mirë me mësues privat, por në moshën 12-vjeçare, i ati i zhytur në borxhe u burgos dhe që nga moment gjithçka ndryshoi. Charles u detyrua ta linte shkollën e të niste punë që në moshë të njomë. Kur i ati doli nga burgu, Dickens u kthyer sërish në shkollë, por përvoja e punës në fabrikë shënjoi gjithë krijimtarinë e tij.

Jack Kerouac
Në shkollë të mesme, Jack Kerouac nuk ishte poet, por ylli i skuadrës së futbollit. Aftësitë e tij sportive i dhënë një bursë në Universitetin e Kolumbias. Marrëdhënia e keqe me trajnerin e la në stol për pjesën më të madhe të vitit, çka e shtyu t’i jepte fund futbollit.. dhe shkollës.

William Faulkner
Faulkner nisi të shkruante që në adoleshencë, megjithatë shkolla nuk i arriti kurrë t’i nxiste interesin, kështu që në moshën 15-vjeçare ai e la shkollën dhe nisi të punonte në bankën e gjyshit të tij. Pavarësisht mungesës së shkollës të mesme, ai arriti të hynte si student special në Universitetin e Misisipit në moshën 22-vjeçare, por e la sërish pas 3 semetrash. Ç’të themi, Faulkner nuk ishte gatuar për edukim formal, por tek e fundit nuk i eci dhe aq keq.

Mark Twain
I riu Sam Clemens e la shkollën që në moshën 12-vjeçare, menjëherë pas vdekjes së të atit. I vëllai i madh, Orioni, ishte tipograf dhe shkrimtari i ardhshëm nisi të punonte si ndihmës i tij.

George Bernard Shaw
Në moshën 14-vjeçare, dramaturgu i njohur kishte ndërruar kaq shumë shkolla sa ishte e pashmangshme braktisja e plotë e tyre. “Shkollat e sotme, më shumë sesa vende edukimi, janë si burgje, ku fëmijët mbahen për të mos shqetësuar prindërit e tyre”,- shkroi një herë Shaw.

Jack London
London është i njohur sepse ka bërë punë nga më të çuditshmet, por fare shkollë. Megjithatë, në moshën 24-vjeçare ai botoi përmbledhjen e parë me tregime. / KultPlus.com

Filmi “Përjetësisht Fëmijë” fiton dy çmime ndërkombëtare

Filmi i metrazhit të shkurtër “Përjetësisht Fëmijë”-“Eternally Child” me skenar e regji të Lorena Sopit, prodhim i AS Film Production dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ka fituar çmimin e Meritës /Award of Merit/ në Edicionin e 13-të të festivalit prestigjioz Accolade Global Film Compettition në Kaliforni të USA, si dhe çmimin e regjisorit më të mirë në kategorinë studentore /Best Student Director/ në festivalin Pink City International Film Festival në Indi, shkruan KultPlus.

Filmi “Përjetësisht Fëmijë” gjatë këtij muaji dhe gjatë muajit tetor do të shfaqet edhe në disa festivale shumë të rëndësishme ndërkombëtare, si në: edicionin e 68-të të Montecatini International Short Film Festival – Itali, Mediterraneo Film Festival of Tanger – Marok, Sose International Film Festival – Yerevan, European Film Festival – Lituani, Slemani International Film Festival – Kurdistan, etj.

Filmi “Përjetësisht Fëmijë” trajton raportin e rrënuar familjar mes babasë autoritar dhe fëmijut të mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyer, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur,me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.

Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj. Dejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Montazhier Nexhmi Mehmeti. Kostumografe Samka Ferri. Mjeshtër zëri Gëzim Rama. Skenograf Uran Duli. Kompozitor Naim Krasniqi./KultPlus.com

GKK shpallë emrat e 19 artistëve për ekspozitën ndërkombëtare “Gjon Mili”

Galeria Kombëtare e Kosovës shpalli sot emrat e artistëve pjesëmarrës të edicionit të pesëmbëdhjetë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë, Çmimit “Gjon Mili”, shkruan KultPlus.

Ekspozita“Gjon Mili” do të hapet më 13 tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 13 nëntor 2017.
Juria profesionale do të përzgjedhë fituesin, të cilit do t’i ndahet shuma prej 1000 Euro.

E organizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës ,“Gjon Mili” është ekspozita më e rëndësishme për fotografi bashkëkohore në Kosovë.

Kuratori ALFREDO CRAMEROTTI përzgjodhi 19 artistë vendor dhe ndërkombëtar të ekspozojnë veprat e tyre në kuadër të konceptit kuratorial “Hiperimazhi! Imazhet Brenda dhe jashtë ekraneve tona”:

§ Have it
§ Margo Wolwiec
§ Anne De Vries
§ Erica Scourti
§ Clare Strand
§ Jeff Guess
§ Eliza Hoxha
§ Alice Pedroletti
§ Christopher Meerdo
§ Oskar Schmidt
§ Brilant Pireva
§ Kushtrim Asllani
§ Jordan Tate
§ Dardan Zhegrova
§ Sadi Suhodolli (TADI)
§ Thomson&Craighead
§ Eva&Franco Mattes
§ Thomas Galler
§ Claudia Sola

Të gjithë Artistët pjesëmarrës në Ekspozitën e çmimit Gjon Mili kanë interesim të përqëndruar në përdorimin e teknologjisë së re ose reimazhimin e përdorimit të të vjetrës, në mënyrë që të arrihet qasja interdisciplinare dhe sociale ndaj fotografisë dhe krijimin bashkëkohor të imazhit. Duke hulumtuar ndikimin e fjalorëve vizual teknologjik, kulturor, shkencor dhe politik në shoqëri dhe mënyrën se si këto “sisteme estetike” luajnë një rol në formimin e perceptimit tonë të botës, përzgjedhja tenton që të testojë kufinjtë e fotografisë që e kemi njohur, duke krijuar një manifest të sjelljes sonë të një lloj “hiperimazhi” përmes imazheve. / KultPlus.com

Për një javë u shitën 300 mijë kopje të “Çfarë ndodhi” të Hillary Clintonit

Dje, Associated Press deklaroi se libri i Hillary Clinton “Çfarë ndodhi – historia e zgjedhjeve” ka shitur plot 300,000 koje në platfromat e ndryshme të shitjes gjatë një jave, nga dita e daljes në shitje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri shiti 168,000 kopje të printuara, numri më i madh i librave jo të trilluar në pesë vjet, ndërsa pjesa tjetër i përkisnin shitjeve në versionin e-book. “Çfarë ndodhi” është gjithashtu numri një në listën e librave më të shitur dhe të lexuar të amazon.com si dhe mban një vlerësim me 5 yje.

Këto shifra janë në fakt një përgjigje shumë e qartë e të gjithë kundërshtarëve të Hillary të cilët, më herët gjatë këtij muaji, e këshillonin atë të “largohej” apo “ta mbyllte gojën.” Por, mesa duket, njerëzit kanë folur qartë dhe ata duan të dëgjojnë më shpesh nga ajo.

Zonja Clinton është duke realizuar një tur për librin e saj i cili përfshin intervista, dhënie autografesh dhe fjalime të mbajtura në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri, i cili u përshkrua nga The New York Times si “rritës i madh i nivelit të kualitetit,” ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe medias që kur u anonçua botimi i tij. Duke pasur një mori të vlerësimeve pozitive, nuk është i çuditshëm ky debutim i mirë i tij gjatë javës së parë.

Megjithatë, kjo nuk është më e mira që ish-zëvendës Sekretarja e Shtetit ka arritur. Duke iu referuar sërish Associated Press, performanca më e mirë i takon librit “Historia e Jetës”, i botuar në vitin 2003, i cili shiti 600,000 kopje gjatë javës së parë të botimit dhe mbi 1 milion gjatë muajit të parë.

“Çfarë ndodhi” do i duhet kohë të arrijë para-ardhësit e tij, por, pa diskutim, që ka një fillim shumë të mbarë!