Haradinaj: Do të nisim ndërtimin e Pallatit të Operas dhe Baletit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim, violinistin shqiptar Shkëlzen Doli, më të cilin ka biseduar për proceset që po i kalon Kosova drejt afirmimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

“Është kënaqësi e veçantë të takosh artistët kulmorë, të cilët vendin tonë e ngrisin në majat e artit botëror! Prita në takim violinistin më famë botërore, anëtarin e Filharmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli, i cili ka shkëlqyer në koncertet kudo që është paraqitur.

Me artistin Doli biseduam për proceset që po i kalon Kosova drejt afirmimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar. U zotova se artistët do të gjëjnë kurdoherë mbështetje tek Qeveria e Kosovës dhe në këtë kontekst, sa më shpejt që na lejojnë rrethanat financiare, do të nisim ndërtimin e Pallatit të Operas dhe Baletit”, ka shkruar Haradinaj./KultPlus.com

Valbona Selimllari: Kosovarët duhet të jenë krenarë me Nexhmije Pagarushën

Sonte, në spektaklin e vallëzimit “Dance with me Albania”, në Shqipëri, të gjithë pjesëmarrësit po kërcejnë me këngë në gjuhën shqipe.

Emisioni, një format i cili transmetohet në disa shtete të botës ku njerëz të njohur kthehen në valltarë, ka ardhur në Shqipëri me emra si Rovena Stefa apo Aurela Hoxha.

Sonte, në një moment vallëzimi erdhi edhe kënga e Nexhmije Pagarushës – E dehun jam. Ajo erdhi e vallëzuar nga Trimi, një reper nga Kosova, dhe Xhensila nga Shqipëria.

“Të gjithë shqiptarët kudo në botë e pëlqejnë Nexhmije Pagarushën, por kosovarët duhet të jenë krenarë që e kanë” tha Valbona Selimllari, anëtare e jurisë në këtë spektakël, derisa po vlerësonte vallëzimin.

Në të njëjtën natë, të performuara erdhën edhe këngë nga Alban Skenderaj, Miriam Cani e Ardit Gjebrea. “Dance with me Albania” javën tjetër e përmbyllë këtë sezon me një finale ku do të këndohet e vallëzohet nga të gjithë pjesëmarrësit. / KultPlus.com

Burbuqe Berisha, kryetare e Këshillit Drejtues në TKK

Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Kujtim Gashi ditë më herët ka emëruar Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Pas mbledhjes së parë të këtij këshilli, tashmë është zgjedhur edhe kryetari i këtij këshilli, ku për këtë mandat kjo detyrë i është besuar, Burbuqe Berishës.

Këshilli Drejtues përbëhet nga: Burbuqe Berisha, Shkëlqim Millaku, Fisnik Ademi, Jahja Shehu, Orhan Kërkezi, Ismet Azemi e Valon Kashtanjeva./KultPlus.com

Kënga e mashkullit dhe e femrës

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda
Përktheu: Skënder Buçpapaj

Kënga e mashkullit dhe e femrës!
Fruti i shekujve
që shtrydh lëngun e tij
në damarët tanë.

Shpirti im që përhapet në mishin tënd të shtrirë
për të dalë i përmirësuar nga ti,
zemra që zhduket
duke u spërdredhur si një panterë,
e jeta ime, e thërmuar, që të nyjëtohet
ty si drita yjeve!

Më pret
si erën vela.

Të pres
si brazda farën.

Shtrihu e fli mbi dhimbjet e mia
nëse dhimbjet e mia nuk të djegin,
lidhu për flatrat e mia,
ndoshta flatrat e mia të mbajnë,
priju dëshirave të mia,
ndoshta të dhemb lufta e tyre.

Ti je e vetmja që kam
prej kur e humba trishtimin tim!

Më shqyej si një shpatë
ose më ndjej si një antenë!

Puthmë,
kafshomë,
kallmë,
që unë të vij në tokë
vetëm për mbytjen e syve të mi të mashkullit
në ujërat e pafundme të syve të femrës!

Altin Basha sjellë “Rojat e Taxhit” në Teatrin Eksperimental në Tiranë (VIDEO)

Më 15 dhjetor në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë, vjen shfaqja “Rojat e Taxhit”, me tekst të Rajiv Joseph e me regji të Altin Bashës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje vjen me lojën e aktorëve Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja ndërsa koreograf është Gjergj Prevazi.

Humaxhuni dhe Baburi janë shoke të ngushte dhe roje në ushtrinë perandorake të mbretit të Hindustanit Shah Xhahanit. Ndërsa bëjnë roje ata qeshin e fantazojnë me historitë e tyre të feminise dhe arratisjet në xhungël. Ata kanë privilegjin e çuditshëm të jenë roje të Taxh Mahalit, dedikimi epik që mbreti Shah Xhahani i bëri gruas së tij të vdekur Mumtaz Mahal. Kjo ndodh një natë para se ky monument t’i shfaqet botës si personifikimi më i fuqishëm dhe mbresëlënës i bukurisë…

Shfaqja që vjen më 15 dhjetor me fillim nga ora 19:00 në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë, shpaloset nën skenografinë dhe kostumografin e Iliriana Loxha Bashës, kompozitor Endri Sina, video Florian Canga, as.regjie Elis Mataj dhe është përkthyer nga Rovena Vyshka./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/iliriana.basha/videos/pcb.10208469241168848/10208469239848815/?type=3&theater

Lansohet traileri i të famshmit James Cameron, së shpejti ‘Alita: Battle Angel’ (VIDEO)

Regjisori i famshëm James Cameron, tashmë në cilësinë e producentit ka lansuar trailerin e filmit ‘Alita: Battle Angel’, shkruan KultPlus.

Filmi pritet të jepet nëpër kinema botërore përgjatë qershorit të vitit të ardhshëm. Filmi është realizuar me regji të Robert Rodriguez./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=96&v=CqYfXOYqzy4

U ndezën dritat e festave të fundvitit në Prishtinë (FOTO)

Sapo janë ndezë dritat e festive të fundvitit në Prishtinë, shkruan KultPlus.



Në praninë e shumë qytetarëve, nën tingujt e muzikës dhe në përqafimin e shumë fëmijëve, kryetari I Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka ftuar fëmijët prezent, i cili bashkë me ta ka numëruar mbrapsht deri në 1, për ti ndezur bashkërisht dritat e vitit 2018./KultPlus.com



Pas tri dekadash, kinematë në Arabinë Saudite do të rihapen në fillim të vitit 2018

Arabia Saudite ka njoftuar se do të heqë ndalimin për kinematë, i cili po zgjatë më shumë se tre dekada, shkruan BBC, përcjellë KultPlus.

Ministria e Kulturës dhe informacionit tha se do të filloj lëshimin e licencave menjëherë dhe se kinematë e para pritet të hapen në mars të vitit 2018. Ky vendim është pjesë e programit të reformës sociale dhe ekonomike të princit Mohammed bin Salman’.

Mbretëria konservatore myslimane kishte kinema në vitet 1970, por klerikët i bindën autoritetet për t’i mbyllur ato. Në janar, Grand Muffti Sheikh Abdul Aziz Al al-Sheikh thuhet se paralajmëroi për “shthurjen” e kinemave, duke thënë se ata do të korruptonin moralin e njerëzve.

Ministri i Kulturës Awwad Alawwad, ka thënë se “Hapja e kinemave do të shërbejë si një katalizator për rritjen ekonomike dhe diversifikimin, duke zhvilluar një sektor më të gjerë kulturor, ne do të krijojmë mundësi të reja punësimi dhe trajnimi, si dhe do të pasurojmë opsionet argëtuese të mbretërisë”, ka thënë ministri Alawwad./ KultPlus.com

Jona Fonda në ditëlindjen e 80-të: Mendoja se do të kishim një presidente femër

Jane Fonda një aktore amerikane, shkrimtare, modele dhe aktiviste festoi këtë të shtunë ditëlindjen e saj të 80-të në një event të titulluar ‘Eight Decades of Jane’ , në lagjen Buckhead në Atlanta, përcjellë KultPlus.

Në këtë ngjarje u nderua e gjithë veprimtaria e aktores dhe po ashtu u mblodhën rreth 1 milion dollarë të cilat do të shkojnë në përmirësimin e përgjithshëm të shëndetit dhe mirëqenies së të rinjve në Gjeorgji.

Aktorja, e cila ka shpenzuar më shumë se pesë dekada duke bërë fushatë për shkaqe të ndryshme, tha se ajo është ‘krejtësisht e tmerruar’ të mendojë se ‘liritë tona, demokracia jonë do të ishte ndonjëherë kaq në rrezik siç është sot’.

Fituesja e Oskarit i tha Vanity Fair: “Mendoja se do të kishim një presidente femër në ditëlindjen time të 80-të”, përcjellë KultPlus.

Fondacioni Fonda me këtë event i parapriu ditëlindjes së saj më 21 Dhjetor, duke mbledhur në këtë ngjarje rreth 228 mysafirë, përfshirë themeluesin e CNN dhe ish-bashkëshortin e saj, Ted Turner, djalin e saj Troy Garity dhe producentin Paula Weinstein.

James Taylor dhe Carole King interpretuan disa këngë duke përfshirë “So Far Away” dhe “You’ve Got A Friend”./ KultPlus.com

Artpolis, lanson së shpejti Muzeun e Parë Virtual të Grave Aktiviste

Artpolis (Qendra për Art dhe Komunitet) do të lansoj të enjten Muzeun e parë Virtual të Grave Aktiviste për të Drejtat e Njeriut, në Teatrin Oda, Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky muze virtual, paraqitet si një entitet digjital që i merr karakteristikat e një muzeu, por me një rol më të veçantë; Promovimin e vlerave të aktivizimit paqësor të grave të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut. Ky muze, i cili do të jetë i pari i këtij lloji në Kosovë, do të paraqitet në formën e platformës interaktive, duke sjellë rrëfime frymëzuese dhe jetësore, fotografi apo edhe video të grave aktiviste.

Artpolis ka mbledhur fillimisht 20 shkrime për gratë nga Kosova dhe Rajoni, të cilat kanë luftuar pabarazitë sociale në forma të ndryshme duke u angazhuar në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëritë patriarkale.

Prezantimi i platformës do të përcjellët edhe me një diskutim me aktivistet pjesëmarrëse si dhe me një koktej rasti. Kjo iniciativë është përkrahur nga Kvinna till Kvinna./ KultPlus.com

“Don Kishoti” nëpërmjet kukullave në Teatrin Metropol

“Don Kishoti” dhe aventurat e tij është shfaqur nëpërmjet kukullave këtë fundvit në Teatrin Metropol.

Vepra e njohur e Servantesit është premiera e re për fëmijë në këtë teatër që është ngjitur në skenë për publikun e vogël në datën 2 dhjetor dhe do të vazhdoj çdo fundjavë deri më 17 dhjetor.

“Don Kishoti” është vënë për herë të parë në skenë nëpërmjet kukullave, një eksperiencë e re për teatrin, e sjellë nga regjisori Klajd Ymeri,dhe nën interpretimin e aktorëve Klaudja Piroli, Ismail Shino, Xhulia Musagalliu, Kristo Bace, Armando Mehmeti, Aurora Qazimi.

Sipas regjisorit, komedia me kukulla “Don Kishoti” është konceptuar jo si një teatër tradicional kukullash, por në pjesën më të madhe të shfaqjes ato komunikojnë si të ishin aktorë real.

“Rrëfenjat janë ndërthurur në një bosht të vetëm në marrëdhënien midis dy personazheve kryesor, Don Kishotit dhe Sanços, në ndërthurje me të gjithë personazhet e tjerë në të pesë ngjarjet e kësaj komedie”, thotë Ymeri.

“Don Kishoti është një zotëri nga Spanja, I cili pasi kishte lexuar shumë libra mesjetare kalorsiake vendos të bëhet dhe ai një kalorës. Kështu merr shpatën dhe mburojën dhe del në kërkim të aventurave, bashkë me mikun e tij fshatar Sanco Pançon, të cilit i premton zotërime pa fund pas fitoreve të tyre. Ai lë çdo gjë nga jeta e tij në emër të të dashurës, Dulqinjës së Tobozos.

Bashkë me Sançon kërkojnë aventura, por shumë herë ato i shkojnë për ters. Në fund të veprës, Don Kishoti vdes si pasojë e temperatures dhe rrëfyesi, të cilit Servantesi thotë se i ka dëgjuar historinë, del dhe thotë se pas vdekjes së Don Kishotit, nuk pati me asnjë kalorës, shkruan atsh./ KultPlus.com

Shkodra me festë të madhe për datëlindjen e 85-të të Tinka Kurtit

Ikona e kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti do të festojë datëlindjen e 85-të në Teatrin “Migjeni”, në Shkodër, shkruan KultPlus.

Me datën 17 dhjetor ajo do të festojë datëlindjen në këtë teatër ku edhe është rritur profesionalisht. Ajo pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re.

Ajo u ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar./ KultPlus.com

Mungon nafta, Teatri Kombëtar i Kosovës pezullon shfaqjet

Si pasojë e mungesës së naftës në Teatrin Kombëtar të Kosovës janë pezulluar të gjitha aktivitetet, shkruan KultPlus.

Shfaqja “I ligu për mend”, me regji të Altin Bashës është dashur të prezantohej sonte para audiencës, por si pasojë e objektit të ftohtë, janë ndërprerë shfaqjet përkohësisht.

“Për shkak të mungesës së naftës me të cilën ngrohet në tërësi objekti i TKK-së, kemi ndërprerje të shfaqjeve përkohësisht, Për çdo eventualitet ju informojmë. Kërkojmë ndjesë”, është sqarimi i këtij institucioni nëpërmjet facebook.

Kurse po Teatri Kombëtar i Kosovës më 13 të po këtij muaji ka paralajmëruar premierën e shfaqjes “Të harruarit”, me regji të Shkurte Aliut. Mbetet të shihet nëse do të bëhet ndonjë zgjidhje e shpejtë, pasi që ky institucion ka pasë probleme me ngrohje edhe gjatë javës së shkuar./KultPlus.com

Fillon projekti për restaurimin e shkollës ku dha mësim Migjeni (FOTO)

Në Pukë ka nisur sot puna për hartimin e projektit të restaurimit të shkollës ku dha mësim poeti revolucionar Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, shkruan KultPlus.

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë udhëtuar drejt shkollës muze të qytetit të Pukës, në vendin ku Migjeni jeton sot nëpërmjet fotove, kujtimeve dhe veprave të tij, të cilat qëndrojnë të ekspozuara në ambientet e shkollës.

Duke marrë parasysh gjendjen aktuale jo të mirë të monumentit dhe rëndësinë e tij, specialistët kanë nisur punën për hartimin e projektit të restaurimit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka theksuar se restaurimi i elementëve karakteristikë të objektit si dhe rikonceptimi i ambientit të brendshëm në shërbim të ekspozimit të objekteve, do të mund të rikthejnë vëmendjen e vizitorëve ndaj këtij objekti muzeal, me vlera të veçanta./ KultPlus.com

Botohet romani “Gosti në natën e parë të vjeshtës” i Gëzim Aliut

Shkrimtari Gëzim Aliu ka botuar romanin “Gosti në natën e parë të vjeshtës”. Në një prononcim për KultPlus, Gëzim Aliu ka shpjeguar zanafillën e këtij romani dhe ka folur shkurtimisht për temat e tij. Ai është shprehur se ideja për këtë roman daton që nga koha kur qëndronte në një rezidencë për shkrimtarë, në Vjenë, në vitin 2012.

Ishte ide për një tregim të gjatë, të cilin nuk e kishte botuar bashkë me tregimet e tjera në përmbledhjen “Libri i fundit”, që u botua atë vit në Prishtinë.

“Ishte ide që mund të zgjerohej në diçka më të madhe, prandaj nuk e futa mes tregimeve të tjera, që u botuan po atë vit, në Prishtinë. Ideja, që tashmë ishte bërë skicë me disa degëzime, u skajua nga disa punë të tjera të miat”, shprehet Aliu.

Ai më tutje thotë se, ndërkohë, kishte bërë një përpjekje për të bashkuar tekstin e skicës me tekstin e ditarit që kishte mbajtur gjatë qëndrimit në Vjenë. “Por, pas një kohe, teksa po e rilexoja, e ndjeva që dorëshkrimi nuk ishte i gjallë, nuk merrte frymë. Simbioza mes tekstit të ditarit dhe tekstit fiksional nuk ecte, ishte shartim pa fryt”, konstaton Aliu.

“Sapo teksti i ditarit ra nga kombinimi, e ndjeva thellë në vete se ideja fillestare e parehatshme, që degëzohej vazhdimisht, mund të bëhej roman. Menjëherë pasi e botova një monografi, pikërisht para një viti, iu ktheva me tërë vëmendjen. Për një vit të tërë jam marrë me këtë roman”, shton ai.

Ndërkaq për KultPlus, autori Gëzim Aliu, tregon edhe për atë se per çfarë flet romani.

“Pothuajse ndodh gjithmonë që, kur i tregon dikujt se ke botuar roman, të pyet menjëherë se për çfarë bëhet fjalë në të. Sigurisht do të përgjigjesha kështu: “Gostí në natën e parë të vjeshtës” është roman për luftën, dashurinë dhe marrëzinë”, shprehet ai.

Kurse, shkrimtari Agron Gashi shprehet se romani “Gostí në natën e parë të vjeshtës” është plot lojë, erotizëm e ironi, plot humor e trishtim, një trishtim i bukur që rrallë e ndeshim në prozën shqipe.

““Gostí në natën e parë të vjeshtës” është roman ku hierarkia kulturore shndërrohet në anarki, seriozja në sarkazëm dhe ironi, tragjedia në komedi, etika në estetikë, për të fituar kjo e fundit”, vlerëson Gashi.

Agron Gashi shprehet se Aliu, duke qenë edhe njohës i mirë i diskursit narrativ dhe i teorisë së romanit, thur rrëfime e minirrëfime interesante, duke ruajtur njëkohësisht një linjë fabulare, me një strukturë kompozicionale unike: rrëfim dhe vetëm rrëfim, pa ndarje klasike në kapituj e nënkapituj.

Gashi e vlerëson lart autorin e romanit “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, duke thënë se Gëzim Aliu është mjeshtër i rrëfimit, gërmues i psikes së njeriut, një detajist i përkryer në imazhe, figura dhe situata narrative.

“Gosti në natën e parë të vjeshtës”, lexuesit mund ta gjejnë në librarinë Artini, te Instituti Albanologjik si dhe tek sheshi i librit, më saktësisht në sheshin “Zahir Pajaziti”. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Parnas”./ KultPlus.com

“Kosova calls for peace”, kënga që bashkoi këngëtarët shqiptarë në vitin 1998 (VIDEO)

Është një ndër këngët që ka mbledhur këngëtarë të shumtë kosovarë, një këngë qw kishte pwr mesazh thirrjen për paqe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo këngë e lansuar në vitin 1998 është realizuar me tekst të Nehat S. Hoxha e me kompozim të Xhevdet Gashit.

Në këtë këngë janë përfshirë këngëtarë të njohur si: Gili, Sabri Fejzuallahu, Sinan Vllasaliu, Benet Kaci, Donika Gashi, Genc Salihu, Poci, Adelina Ismaili, Dukagjin Lipa, Violeta Rexhepagiq, Shkumbin Kryeziu…/KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=2Gjamot8SBw

Adrian Paci, sjellë botën e emigrantëve në muzeun “Nëntëqind” në Firence

Artisti shqiptar çel ekspozitën “Me këto drita do të shërbehet nata” në Itali.

Ekspozita ka në qendër temën e emigrimit, të identitetit dhe të lëvizshmërisë. Ekzistenca interpretohet si një kërkim i vazhdueshëm, një lëvizje shumëvjeçare, dhe uji bëhet metaforë e idesë së fluksit dhe rrjedhjes. Do të qëndrojë hapur deri në shkurt 2018

Uji si metaforë e lëvizjes, fluksit, por edhe mundësisë së veprimit dhe reagimit. Është pikërisht kjo ideja në të cilën Adrian Paci është mbështetur për t’i dhënë jetë “Di queste luci si servirà la notte” (Me këto drita do të shërbehet nata), ekspozitës së tij personale, që është çelur në ambientet fiorentine, për të qëndruar hapur deri më deri në 11 shkurt 2018.

Çdo gjë rrjedh. Aforizma e famshme e Heraklitit, metaforë e ekzistencës si një monument i përjetshëm, është mendimi që i jep frymë ekspozitës së re personale të Adrian Pacit, e cila mbahet në katër ekspozita të ndryshme në Firence dhe përreth me titullin “Di queste luci si servirà la notte” nën kujdesin e Valentina Gensini-t. Në Firence është ekspozuar në disa nga sallat e Muzeut “Museo del Novecento” në sheshin “Santa Maria Novella” dhe hapësirat sugjestive të “Le Murate. Progetti Arte Contemporanea”, në rrugën Ghibellina. Ndërsa, dy hapësirat e tjera janë në vendet e Pelago-s dhe Montelupo Fiorentino, vetëm pak kilometra larg. Shkruan Shekulli.com. Ajo që bashkon tre vendet është lumi Arno pasi iniciativa nis në kontekstin e “Sensi Contemporanei”, një kantier hulumtimi që ka si qëllim krijimin e një parku lumor.

Ekspozita ka në qendër temat e emigrimit, të identitetit dhe të lëvizshmërisë, të gërshetuara me intensitet dhe poezi. Përshkruhen histori personale dhe risillen fakte dhe transformime të historisë së ditëve të vona, Paci tejkalon eksperiencën personale dhe trajton emigrimin dhe lëvizshmërinë si kusht ontologjik, ashtu edhe aktual në një moment historie, kur vetë konceptet e shtëpisë dhe identitetit (kulturor, politik dhe social) vihen vazhdimisht në diskutim. Ekzistenca interpretohet si një kërkim i vazhdueshëm, shkruajnë mediet italiane, një lëvizje shumëvjeçare, dhe uji bëhet metaforë e idesë së fluksit dhe rrjedhjes.

“Me këto drita do të shërbehet nata”, – shpjegon Paci, lind si një ndërhyrje në lumin “Arno” nëpërmjet një veprimi performues, por më tej puna spostohet drejt një reflektimi mbi dialogun dhe tensionin midis dritës dhe errësirës, mes sipërfaqes dhe thellësisë, mes të dukshmes dhe të padukshmes. Prezenca e njeriut është ajo që aktivizon këtë dialog pa pretenduar për të arritur në një konkluzion”. / KultPlus.com

Angelina Jolie: Aktrimi së bashku me Brad Pitt ka rezultuar të jetë ide e gabuar

Angelina Jolie së fundmi në një intervistë ka treguar se vendimi për të bërë një film së bashku me ish-bashkëshortin e saj Brad Pitt në vitin 2015, më pak se një vit përpara ndarjes së tyre, kishte qenë një ide e gabuar shkruan Hello, përcjellë KultPlus.

Ata së bashku janë paraqitur në filmin “By the Sea”, që është një dramë romantike amerikane e vitit 2015 e shkruar dhe dirigjuar nga Angelina Jolie.

“Doja që ne të bënim një punë serioze së bashku, dhe doja ta shihja atë duke e bërë këtë punë, prandaj mendova se mund të ishte një mënyrë e mirë që të komunikonim me njëri-tjetrin , dhe një njëfarë mënyrë edhe ka qenë e tillë. Në anën tjetër ne kemi mësuar disa gjëra gjatë asaj kohe, por ka pasur një hidhërim gjatë asaj situate që vazhdoi edhe më tutje “, është shprehur aktorja gjatë intervistës.

Duke folur për marrëdhëniet e tyre, ajo shtoi “Gjërat ndodhin për arsye të ndryshme”. Ylli gjithashtu tregoi edhe për jetën e saj të hershme, dhe pranoi se fakti i asaj që prindërit e Jolie, kishin qenë aktorë dhe që ajo ishte rritur në Hollywood, pritjet ndaj saj kishin qenë të bëhej aktore.
Ajo më tutje shpjegoi: “Shumë njerëz në këtë qytet mendojnë se të jesh një aktor është gjëja më e madhe në botë dhe profesioni më i mirë, kështu që ju jeni të shtyrë të jeni e tillë para se të jeni në gjendje të shqyrtoni mënyra të tjera të jetës”, është shprehur tutje aktorja Jolie./ KultPlus.com

Nga Helen Mirren në Claire Foy, aktoret që e kanë portretizuar Mbretëreshën Elizabeth II

Me Claire Foy e cila e sjellë rolin e Mbretëreshës në dramën e re “The Crown”, po hedhim një vështrim prapa në të gjitha aktoret që kanë luajtur monarkinë britanike, shkruan Hello, përcjellë KultPlus.

Duke u fokusuar në vitet e para të mbretërimit të saj deri tek lidhja e saj me Princi Phillip, Netflix ka spastruar më shumë se 81 milionë funte për të sjellë historinë e Mbretëreshës Elizabeth II në jetë në dramën e re “The Crown”.

“Për të luajtur rolin e një anëtari të familjes mbretërore ju duhet të harroni gjithçka që ju dini dhe të gjitha idetë e paracaktuara që keni”, tha aktorja në një konferencë shtypi të martën.

“Është e vështirë të afroheni karakterit të dikujt që është rritur me atë familje. Është një gjë shumë interesante të përpiqesh t’iu afrohesh këtyre qenieve njerëzore dhe në të njëjtën kohë dëshiron t’i mbash në një piedestal dhe nuk mund ta bësh këtë kur luan një karakter”, është shprehur aktorja.

1.Helen Mirren ka dhënë ndoshta portretizimin më të respektuar të monarkisë, aktorja fitoi një Oskar dhe një Golden Globe në vitin 2007 për rolin e saj kryesor në The Queen. Pothuajse një dekadë më vonë ajo e përsëriti rolin e saj të mbretëreshës në “The Audience”, ku e sjellë mbretëreshën që nga vitet e rinisë se saj deri në ditët e sotme.

2. Pas suksesit të Helen Mirren në rolin e mbretëreshës, Kristin Scott Thomas mori vëmendjen në dramën e Peter Morgan, The Audience, e cila shënoi debutimin e saj në West End në Teatrin Apollo të Londrës. “Unë nuk jam duke dhenë përshtypjen e një Mbretëreshë, unë jam duke u përpjekur për të treguar një histori se si është të jesh në pozitën e saj,” kishte thënë aktorja më parë për rolin.

3. Emma Thompson po ashtu portretizoi Mbretëreshën në një dramë televizive bazuar në pushimin e famshëm të Pallatit të Buckinghamit, i cili u zhvillua 30 vjet më parë.

4. Aktorja Freya Wilson u shfaq si një princeshë e re Elizabeta në dramën e vitit 2010 , “The King’s Speech”, ku së bashku me Colin Firth, i cili luante babanë e saj, Mbretin George VI. Ajo si një 11-vjeçare dha një shfaqje të fuqishme në filmin i cili fitoi Oskarin për ngjitjen e Mbretit Xhorxh VI në fron. Duke folur për mënyrën se si ajo erdhi deri tek ky rol, ajo i tha kompanisë botuese Nosy Crow: “Agjenti im më vuri përpara për një provë, dëgjova klipet e fjalimeve që ishin bërë paraprakisht nga Princesha Elizabeth kurse më pas më thirrën edhe tri herë dhe në fund arrita ta marr rolin”, kishte thënë aktorja.

5. Ylli i mrekullueshëm, Jennifer Saunders interpretoi përmes zërit të saj në animacionin e suksesshëm të vitit 2015, “Minions”. Kurse aktorja tjetër Sandra Bullock thotë se nuk kishte asgjë, pos admirim për rolin e mbretëreshës. “Ajo është më e ngjashme me mua se çdo rol tjetër në të cilin kam luajtur” ka thënë me shaka Sandra.

6. E nominuar katër herë për çmimin e Oskarit, Jane Alexander luajti HRH në filmin televiziv të vitit 2011 William & Catherine: Një romancë mbretërore. Duke marrë rolin në hapin e saj, Jane pranoi se ajo nuk ishte e frikësuar nga karakteri. “Jo, jo me të vërtetë, sepse ajo është një figurë publike, prandaj jam e sigurt se ajo është përballur edhe më herët me këto gjëra. Zoti e di që Helen Mirren ka bërë një punë të shkëlqyer në ‘Mbretëreshën”, tha ajo. “Kush e di nëse ajo dhe Phillip do të shikojnë ndonjëherë filma për familjen mbretërore, ndoshta edhe do ta bëjnë nga kureshtja, por unë dyshoj”, ka thënë aktorja.

7. Aktorja e mirënjohur, Rosemary Leach luajti rolin e mbretëreshës në një episod të vitit 2006 në “Play Afternoon” të BBC-së, i quajtur “Tea with Betty”, e cila e paraqet Mbretëreshën duke pirë çajin e pasdites me një banor në një shfaqje të frymës së komunitetit./ KultPlus.com

Shpellës së Gadimes i duhet buxhet për hapje të nivelit të ri

Shpella e Gadimes në Lipjan, është njëra ndër bukuritë që ka Kosova. Është e gjatë 1500 metra dhe ndahet në 3 nivele: niveli nënujor, niveli i mesëm që është për vizitorë, dhe niveli i sipërm që është zbuluar, por që është i pakalueshëm për vizitorë.

Pritet që për vizitorët të bëhen hapje të reja të hapësirave në Shpellën e Gadimes, por drejtoresha e Shpellës së Gadimes, Ardiana Pllana, i tha Radio Kosovës se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për këto ndërhyrje.

Në Shpellën e Gadimës në Lipjan, ka kohë që është zbuluar niveli tretë i saj, por që është i pakalueshëm për vizitorë. Drejtoresha e Shpellës së Gadimes, Ardiana Pllana, tha se në shpellë ka hapësirë të mjaftueshme për të eksploruar dhe për të rregulluar korridore të reja për zgjerimin e saj, mirëpo, ajo thekson se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për t’i bërë këto ndërhyrje:

“Ka ende korridore që nuk janë eksploruar, duhet të ketë me shumë buxhet, sepse ky që kemi, na pamundëson për intervenime më të thella të shpellës.”

Pllana pret nga ministrja e re që t’i përkrahë përpjekjet për tejkalimin e problemeve që kanë punëtorët administrativë, si dhe t’u ofrojë përkrahje në kërkesat e tyre për projektet në zgjerimin dhe mirëmbajtjen e shpellës.

Ndërsa, ministrja e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha se do të angazhohet për ruajtjen e saj dhe do të përmirësojë kushtet për zgjerimin dhe mirëmbajtjen e shpellës.

“Prioriteti im është hulumtimi i korridoreve dhe galerive të reja të shpellës. Zgjerimi i liqenit dhe krijimi i qendrës turistike, duke investuar në rregullimin e infrastrukturës për rreth saj, e zgjeron dhe modernizon shpellën dhe u jep mundësi qytetarëve të kësaj ane të punësohen, duke zhvilluar aktivitete komerciale, duke u ofruar turistëve produkte. Gjithashtu do të krijojmë kushte të favorshme që të rritet numri i vizitorëve” tha ajo.

Ciceroni në Shpellën e Gadimes, Oso Gjinovci, tha se kanë probleme me ndriçimin e hapësirave brenda shpellës, për shkak të lagështisë së madhe që ka brenda

“Nevojitet ndihmë për ndriçimin e Shpellës së Gadimes, kemi probleme sepse shpella pikon vazhdimisht dhe dëmtohen dritat”, tha ai.

Shpella e Gadimes ka gjithsejtë shtatë punëtorë, dhe brenda vitit shpellën e vizitojnë rreth 30 mijë vetë./ KultPlus.com

Prishtina sonte ndezë dritat e festave të fundvitit

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sonte me fillim nga ora 18:00 do të ndezën dritat për festat e fundvitit.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës, është njoftuar se në orën 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti do ta bëjë ndezjen e dritave./ KultPlus.com

“Shpalosje Aktesh Dhe Sinteza Siluetash” e Albana Ejupit nesër prezantohet në Shkup

Ekspozita “Shpalosje Aktesh Dhe Sinteza Siluetash” nga piktorja e re Albana Ejupi do të hapet nesër në Qendrën Informative Kulturore ( Galeria Kic) në Shkup, shkruan KultPlus.

“Ekspozita ‘Shpalosje Aktesh dhe Sinteza Siluetash’ përmes paraqitjes së akteve apo siluetave trajton tema të ndjeshme si vuajtjet dhe peripecitë jetësore, dashurinë, apo tema të tabuizuara si akti seksual, ndjenjat dhe emocionet që rrjedhin prej tij e po ashtu edhe gruan si bartëse të plleshmërisë dhe të përgjegjësisë për krijimin e jetës në përgjithësi…”, shprehet, kuratorja Penesta Dika.
Piktorja Ejupi, fillimisht ka tërhequr vëmendjen me ekspozitën parë personale e cikla është hapur në fund të muajit tetor në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, ku edhe kanë qëndruar punimet e saj përgjatë një muaji.

Ekspozita e saj do të hapet nesër me fillim nga ora 20:00 dhe do të qëndroj e hapur deri më 15 Dhjetor./KultPlus.com

Publiku këndon në çdo fjalë me Dua Lipën në “Jingle Bell Ball 2017” (VIDEO)

Dua Lipa solli një interpretim të mahnitshëm të hiti të saj “New Rules”, në një transmetim të drejtpërdrejtë në eventin e Krishtlindjeve “Jingle Bell Ball 2017”, në Londër, shkruan KultPlus.

“Secili person në atë turmë këndonte së bashku me Duan ndërsa ajo interpretonte rregullat e rëndësishme për ne”, shkruan radiostacioni muzikor “Capital Fm”.

“Viti 2018 do të jetë edhe më i suksesshëm për këtë grua të fuqishëm”, shkruan tutje Capital Fm.
“New Rules” e Lipës e lansuar në korrik deri tani ka 745 milionë klikime vetëm në YouTube, ndërsa suksesi i saj e ka shpallur Dua Lipën si femrën më të dëgjuar në Britani të Madhe sivjet./ KultPlus.com

Në vitin 1969 SHKA AGIMI me këngë të vjetra qytetare, në vitin 2017 shndërrohet në kafene burrash ku kultivohet tallavaja (VIDEO)

Kjo shoqatë ka postuar një video të vitit 1969, ku shihet kori i kësaj shoqate duke kënduar një këngë të vjetër qytetare, sikurse që kanë plasuar edhe një video të tanishme, ku shihet një atmosferë krejt tjetër prej asaj të vitit 1969. Për më shumë mund të ndiqni të dy videot, shkruan KultPlus.

Se është duke u shfrytëzuar hapësira e SHKA AGIMi për këngë jo të mirëfillta ka reaguar nëpërmjet një komunikate SHKA “Agimi”, të cilët i janë drejtuar MKRS-së, ku ata kanë treguar shqetësimet e tyre, të cilët, përpos pikave të shumta që kanë përmendur, kanë potencuar edhe shndërrimin e hapësirës së kësaj shoqate, në një kafene burrash.

Mirëpo, në reagimin drejtuar MKRS-së, ata kanë dërguar vetëm komunikatën, kurse në faqen e tyre zyrtare në facebook ata kanë dëshmuar edhe me video, ku kjo shoqatë ka postuar një video të vitit 1969, ku shihet kori i kësaj shoqate duke kënduar një këngë të vjetër qytetare, sikurse që kanë plasuar edhe një video të tanishme, ku shihet një atmosferë krejt tjetër prej asaj të vitit 1969.
Për më shumë mund të ndiqni të dy videot./KultPlus.com