Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti për nder të ditës së 28 Nëntorit ka bërë homazhe te monumentet e dy figurave të mëdha kombëtare, shkruan KultPlus.
Ai është përkulur për homazhe te monumenti i Skënderbeut dhe pastaj ka kaluar edhe te ai i Ibrahim Rugovës.
Përgjatë ditës së sotme, kryeministri do të bëj homazhe edhe te kompleksi memorial i familjes Jashari në Prekaz.
Hoti do të jetë pjesëmarrës edhe në ekspozitën “Rrëfim biografik” për jetën dhe veprën e Anton Çettës. / KultPlus.com
Me rastin e ditës së Pavarësisë, e risjellim sot të plotë fjalimin e Ismail Qemalit të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.
Nga Ismail Qemali
Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.
Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.
Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!
Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).
Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.
Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.
Nëntori ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, duke u bërë një muaj i tërë me përplotë ngjarje që na fisnikrojnë e krenojnë ndër vite, shkruan KultPlus.
Figura të shquara kombëtare përgjatë datave të nëntorit kanë arritur të shënojnë të arritura të mëdha për vendit, të lindin dhe të na bëjnë neve këtë muaj si të veçantë.
Patjetër që e tillë është edhe data 28 Nëntor.
KultPlus ka përmbledhur ngjarjet më të veçanta të historisë përgjatë kësaj date:
1443 – Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e Krujës.
1793 – Në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, që e detyruan te tërhiqet për në Manastir.
1912 – Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.
1955 – Ditëlindja e Adem Shaban Jasharit.
1997 – Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
1998 – përmes referendumit mbarëpopullor u adoptua Kushtetuta e Shqipërisë. / KultPlus.com
Violinisti i njohur shqiptar Florian Vlashi do të performoj në një koncert me grupin instrumental “Siglo XX” në Coruña (Korunja) të Spanjës, e që përkon me festën e Flamurit.
Grupi instrumental është krijuar që në vitin 1996 me iniciativën e vetë Vlashit si një nderim për “Shekullin e madh”. Qëllim i këtij grupi është të interpretojë veprat më të mira të muzikës së dhomës që nga fillimi i shekullit të 20-të deri në ditët e sotme.
Më 28 nëntor 2002, në orën 19.30 grupi do të ketë një koncert mjaft të veçantë me pjesë të autorëve të shquar e të përzgjedhur përmes tre shekujsh, IXX, XX dhe XXI i cili mund të ndiqet live në rrjetet sociale.
Florian Vlashi është violinist, kompozitor, muzikant dhe drejtues i njohur i muzikës klasike i lindur në Durrës (Shqipëri) më 8 nëntor 1963 i cili e zhvillon aktivitetin artistik dhe profesional në Spanjë. Studimet e violinës i filloi në moshën 6 vjeç. Babai i tij, shkrimtari dhe regjisori i njohur i teatrit, Gjergj Vlashi ishte i rëndësishëm në të ardhmen e të birit. Studimi me V. Papën, R. Stefi, I. Madhi e shënoi nga Akademia e Arteve të Bukura në vendin e parë në mënyrë unanime. Në vitin 1989 ai fitoi çmimin e parë në konkursin e orkestrës simfonike “Solistët e Shqipërisë”. Në të njëjtin vit ai ishte drejtor dhe solist me Orkestrën “Jan Kukuzeli”, me të cilën ai ka kryer shumë koncerte dhe regjistrime për RTVA, dhe udhëtimin në koncertin e parë në Itali
Që nga viti 1992 ai është anëtar i Orkestrës Simfonike të Galicia, i rafinuar me G. Egger (Bachakademi Stuttgart) dhe L. Muller (concertmaster i Orkestrës së Vjenës Kamera). Veprimtaria e tij shtrihet në pedagogji, publikime në aktivitetet estetike dhe interpretuese si pedagog (Superior Konservatorin, Universiteti i La Coruña, Universiteti i Santiago, Universiteti i Rioja – Logroño etj). /dp/ KultPlus.com
Krahas ndërtesave të Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës në të cilat janë vendosur flamujt kombëtar, edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë një pamje tjetër, shkruan KultPlus.
Dera hyrëse, pemët, shkallët që janë afër kësaj Ministrie tanimë janë mbështejllur me flamurin kuq e zi në pragë të 28 Nëntorit. Kombinimi i dy krenares së bukur me flamurin e Kosovës në këtë institucion ka dëshmuar edhe një herë vëllazërinë mes kombit shqiptar.
Këtë ndërrim të pamjes e ka shpërndarë ministrja për Kulturë, Vlora Dumoshi në profilin e saj në facebook.
KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Dumoshit:
Dita më domethënëse kushtuar lirisë së popullit tonë, sot këndojmë për të gjithë patriotët që mbrojtën Atdheun shqiptar.
Në festën tonë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndriçon nga dy flamujt vëllazëror 🇦🇱🇽🇰.
Edicioni i 48-të i Festivalit të Këngës Popullore “Kosovarja Këndon” bashkoi zëra të vajzave të talentuara. Çmimin kryesor në këtë përvjetor kur ky organizim iu dedikua të mbijetuarëve të dhunës seksuale, e rrëmbeu Aurela Krasniqi, shkruan KultPlus.
Festivali i cili i kishte rezistuar vështirësive të luftës e të paqes, arriti të organizohej në Ferizaj sonte pavarësisht pandemisë. Kësaj here, përveç përballjes me virusin e padukshim njerëzor, ky festival përqoi edhe një mesazh tjetër.
Lulja anemonë kishte marrë vendin e saj në çdo pjesë të festivalit, në skenë, te konkurrentet, ansambli dhe moderatorja. Nga çdo anë, kombinimi i ngjyrave vjollcë-verdhë përçonin shpresë. Kjo lule e cila ishte simbol i fushatës “Bëhu Zëri im” nga QKRMT, shprehu përkrahje ndaj të mbijetuarëve të dhunës seksuale në këtë organizim.
Nga ana tjetër 13 zëra të talentuar me pjesëmarrje nga Prishtina, Gjilani, Fushëkosova, Obiliqi e Artana për shkak të pandemisë u detyruan të këndojnë pa duartrokitjet e publikut, ndërkaq vajzave të Preshevës e të Shqipërisë iu privua tërësisht pjesëmarrja për shkak të gjendjes së krijuar. Secila nga to garuan për tre çmimet e para, çmimin “Nexhmije Pagarusha” dhe çmimin “Skënder Idrizi”.
Përderisa ulëset ishin të zbrazëta, ato morrën vendet e tyre në skenë me radhë, duke sjellur nëpërmjet interpretimeve të tyre këngë popullore që kanë hyrë në historinë e kulturës dhe muzikës shqiptare.
Për t’i shoqëruar me tingujt e harmonikës, klarinetit, flautës, gitarës, violinës dhe instrumenteve të tjera prezente ishte Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” me formacion të zgjeruar nën udhëheqjen e Fitim Bytyqit, të cilët ishin edhe organizatorët e këtij Festivali të muzikës popullore.
E para e cila performoi në skenë ishte fituesja e edicionit të kaluar, Alma Haxhiu me këngën “Kno bylbyl me ma t’madhin za”. Pas saj, nën moderimin e Vjosa Abazit këngëtaret konkurrente i falin publikut virtual emocione të paharrueshme, të buruara nga pjesë muzikore të cilat kulmojnë kulturën shqiptare.
Blerina Musa me këngën “Kur më shkon si zog n’hava”, Arjanita Zymberi nëpërmjet pjesës artistike “Doli goca në penxhere”, Shpresa Krasniqi me “Moj bardhoke”. Aurela Krasniqi duke performuar “Valsi i lumturisë”, Anesa Bunjaku me këngën “Kroi i fshtatit tonë”, Diana Mehmeti nëpërmjet “Kur bjen fylli e çiftelia”, Blerta Curri me performancën e “Të deshta me hakikat, Patrisa Piskala me “Fërfëlloj thëllënza”, Anduena Ramadani me këngën “Dua më shumë Shqipërinë” , Diellza Dedushi nëpërmjet performancës me “Nënë moj”, Flandra Aliu me këngën “Rrallë kam pa këso bukurie”, Naile Halili nën interpretimin e “Një Lule” dhe Anisa Shabani me “Zambaku i Prizrenit” përmbyllën performancat garuese të këtij edicioni.
Pas këtyre interpretimeve, radha ishte që juria e përbërë prej solistes dhe veteranes së festivalit Shpresa Berishës, sopranos Arta Jashari soprano, profesoreshës dhe muzikologes Rreze Kryeziu, kritikut muzikor Sami Piraj dhe Murat Baliu të vendosnin për fitueset e çmimeve. Përgjatë kësaj kohe, skena nuk mbeti e zbrazët. Liridon Sadriu, Alma Haxhiu, Mentor Haziri dhe potpuria e udhëhequr nga Elife Podvorica i falin muzikë të mirë publikut, duke i bërë konkurrentet të jenë edhe më kureshtare për vendimet e jurisë.
Çmimin e parë të këtij edicioni e morri Aurela Krasniqi me këngën “Vals i Lumturisë” të cilin ia dha Xhemile Murati Shabani. Çmimin e dytë do ta jepte Berisha Rexhepi për konkurrenten Naile Haliti. Çmimi i tretë shkoi në mes dy këngëtareve, për perfomancën e këngës “Zambaku i Prizrenit” nga Anisa Shabani dhe “Nënë moj” nga Diellza Dedushi, të cilave ia dorëzoi Murat Baliu. Në anën tjetër, çmimin “Nexhmije Pagarusha” nga kori i grave “Nexhmije Pagarusha” e dhuroi Nazlije Beadini për performuesen Diana Mehmeti. Anesa Binaku u bë fituese e çmimit “Skënder Idrizi” nga Klubi i gazetarëve “Haki Braha”.
Për fund, fituesja e çmimit të parë risjelli edhe një herë emocionet që i dha publikut nëpërmjet këngës “Vals i lumturisë”, duke e kënduar edhe një herë.
Ky organizim muzikor ishte përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Drejtorisë për Kulturë në kuadër të Komunës së Ferizajit. / KultPlus.com
Intelektuali shqiptar që vepron në Paris, Nezir Kraki ka reaguar nëpërmjet një postimi në facebook për unfikimin dhe gjendjen e shqiptarëve që nga 28 Nëntori e deri sot, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet postimit ai ka shprehur mendimet e tij për gjendjen e dy shteteve shqiptare, mungesën e bashkimit të shqiptarëve rreth një vizioni të përbashkët dhe zinë që sipas tij duhet ta mbajmë, për shkak të dështimeve dhe mos vazhdimësinë e qëllimeve të individëve që dhanë kontribut në pavarësimin e Shqipërisë.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Nezir Krakit:
28 Nëntori 1912 është data kur shqiptarët vendosën të bënin shtet. Ishte vizion i qartë në ato kohë të turbullta.
Nga ajo datë e deri sot asnjëherë më shqiptarët s’u morrën vesh rreth një vizioni apo projekti të përbashkët.
Sot me zhgënjim na duhet të pranojmë që shtet kurrë s’bëmë sepse jemi veç shtet-prishës të ndarë e të pangopur. Të shitur e të stërshitur si kurrë më parë.
Sot i kemi 2 shtete shqiptare dhe për çudi këto janë 2 shtetet më të vonuara n’Evropë, janë dy vrima të zeza që nxihen e nxihen, pa vizione e pa qellime, të prira nga udhëheqës të paudhë.
Sot Shqipëria e turpëron çdo shqiptar sepse është kthyer në ferr e burg për secilin që dora e partisë-shtet s’e ushqen. Shqipëria sot është vendi që duhet lëshuar jo vendi që të pret.
Për Kosovën as që mund të flitet. Kjo Kosovë që nga autonomia kaloi n’pavarësi e nga pavarësia n’autonomi. Mungesë vizioni pra. Mungesë projekti të përbashkët.
Sot duhet të mbajmë zi për dështimet tona dhe të turpërohemi për dhunimin e vizionit të burrave të asaj dite n’Vlorë.
Urgjentisht na duhet ta rigjejmë njëri-tjetrin rreth një projekti të madh që as vitet as shekujt s’mund ta lëkundin. Se nuk ka vizion as shtet nga bandat shtet-prishëse as nga llavat me ujq të pangopur. / KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi ka bërë të ditur që flamuri kombëtar ka marrë vendin para ndërtesës së Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës, shkruan KultPlus.
Krahas flamurit të Kosovës dhe atij të Evropës, tanimë në këto dy institucione të vendit përgjatë festës kombëtare do të qëndroj edhe flamuri kuq e zi.
KultPlus ua sjell shkrimin e Osmanit:
Për nder të Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit, para ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe para zyrës se Presidentit të Republikës, është vendosur flamuri kombëtar shqiptar, krahas atij shtetëror të Republikës së Kosovës.
Flamuri do të qëndrojë aty përgjatë festës së 28 Nëntorit.
Periodikët në gjuhën shqipe në Itali janë njëzet e pesë dhe në pjesën më të madhe, dalin edhe në gjuhën italiane.
Në Romë, Palermo, Bari e Corigliano Calabro, periodikët në gjuhën shqipe kanë pasur një jetë më të gjatë dhe kanë qenë më të shumta në numër, të shtyra nga aktiviteti i italo-shqiptarëve, të frymëzuara nga fjalët patriotike të Jeronim De Radës e Zef Skiroit, që me të drejtë, mund të cilësohen si bartësit direktë të idesë nacionale shqiptare.
Kështu shkruante më 1 shtator 1939, suplementi kulturor mujor “La Lettura”, i gazetës italiane “Corriere della Sera”, në faqen 71 të tij, në një artikull të G. Silvano Spinetti, nën titullin ”I giornali di lingua albanese stampati in Italia”. Artikulli, siç dëshmohet edhe nga vetë data e botimit, fliste nën dritën e entuziazmit fillestar të pushtimit italian të Shqipërisë, duke i bërë jehonë me këtë rast edhe propagandës fashiste, kështu që qysh në krye të herës, fjalët “kombi mik” apo “falë dëshirës së Mussolinit” janë pjesë përbërëse e tij. Por artikulli ka një vlerë të veçantë informative, pasi rendit me statistika të plota e të qarta, të gjithë historikun e periodikëve shqiptarë në Itali, duke ia nisur që nga mesi i shekullit të 19-të, kur ato nisën me “Shqiptari i Italisë” të Jeronim De Radës, e deri tek ato çka kishin mbetur, apo ishin sjellë përgjatë viteve e dekadave si prurje të reja nga komunitetet lokale apo sociale, shkencore, intelektuale e studentore shqiptare në Itali.
Në artikull veçohet fakti se kundrejt kontributeve të komuniteteve të tjera patriotike shqiptare në Stamboll, Bukuresht, Sofie e Egjipt, ai i komunitetit shqiptar në Itali kishte qenë më domethënësi dhe vinte në dukje edhe ndihmën që shteti italian i kishte vënë në dispozicion këtij të fundit për të arritur qëllimet e veta. Sigurisht, se në këtë kontekst, për ta nxjerrë edhe më në pah kontributin italian, roli negativ i osmanëve, serbëve e grekëve për ta bllokuar përhapjen e gjuhës shqipe e botimeve që do të duhej të pasonin në dekadat e fundit të pushtimit osman, barazohet edhe me atë të austro-hungarezëve, çka nuk është se përkon me të vërtetë, ose të paktën jo tërësisht.
Botimet shqip, nga Napoli në Trieste
Thelbin e artikullit e përbën lista e periodikëve në gjuhën shqipe, të botuar deri në atë kohë në Itali, të cilëve u bashkangjiteshin emrat e themeluesve, apo të drejtuesve të tyre dhe lokaliteteve ku ishin nxjerrë për botim. Kështu, sipas autorit italian, ato ishin:
Në Napoli: “Shqiptari i Italisë” (“L’Albanese d’Italia”), 1848, drejtuar nga Jeronim De Rada.
“Shqipëria e Re” (“La Nuova Albania”), 1898-1904, drejtuar nga Gennaro Lusi.
“Flamuri i Shqipëris (“La Bandiera Albanese”), 1904, drejtuar nga Zef Skiroi.
Në Corigliano Calabro: “Fiamuri Arbrit” (La Bandieras d’Albania), 1883-1887, drejtuar nga Jeronim De Rada. Revista që u publikua pas saj, doli në Cosenza.
“Illi i Arbëreshëvet”; 1896, drejtuar nga arkipeshk Antonio Argondizza.
“L’Albania letteraria”, 1897, drejtuar nga Cosmo Serembe.
“La Nazione Albanese”, 1987-1924, drejtuar nga Anselmo Loreçhio.
Në Palermo: “Arbri i Rii”( La Giovane Albania), 1887, drejtuar nga Zef Skiroi.
“Rassegna italo-albanese”, 1919-1921 dhe 1927, drejtuar nga Rosolino Petrotta.
“Cronache italo-albanesi”, 1926, drejtuar nga Francesco Matranga.
Në Romë: “Zani Shqipënisë” ( L’Echo d’Albanie), 1899, në gjuhën shqipe e franceze, nxjerrë në botim nga një grup studiuesish.
“La Gazzetta Albanese”, 1904, drejtuar nga Terenc Toçi.
“Laimtari i Shqypenies” ( L’araldo d’Albania), 1905, drejtuar nga kont Vladani.
“La rivista dei Balcani”, 1912 – 1913, drejtuar nga Terenc Toçi.
“Kuvendi” ( Il Convegno); 1918, drejtuar nga Sotir Gjika.
“Shpresa e atdheut”, 1922, drejtuar nga studentët shqiptarë.
Në Trieste: “Dashamiri”, 1907, në dialektin gegë, drejtuar nga Mati Logoreci.
Në Piana del Greci ( Palermo): “Fiala e t’in Zoti” ( La Parola del Signore), 1912-1915, drejtuar nga Monsinjor Pal Skiroi ( Paolo Schiro).
Në Bari: “Corriere delle Puglie”, 1914-1918, me një faqe në shqip nga Sotir Gjoka.
“Zana”, 1914, drejtuar nga Lulo Malësori.
“Gazeta Shqiptare”, nga 1927, drejtuar nga Raffaele Gorjoux.
Në Reggio Calabria: “Albania”, 1920, drejtuar nga Antonio Rogneta Caffarelli.
Në Torino: “Studenti Shqiptar”, 1929, drejtuar nga Odhise Paskali.
Përveç tyre, në vitet 1905-1907, Nikolla Ivanaj, nuk e dimë mirë se në cilin qytet, publikoi periodikun “Shpresa e Shqypniis” ( La speranza dell’ Albania)
Liria e Shqipërisë, fryt edhe i Italisë
Më tej, Spinetti theksonte se: Rëndësia e periodikëve në gjuhën shqipe të shtypura në Itali është e madhe, sepse pavarësia dhe liria e popullit shqiptar janë frut, përveçse i aksionit këmbëngulës dhe bujar të Italisë, të rilindjes së ndjenjës kombëtare, bërë e mundur në pjesën më të madhe, nga aktiviteti politik inteligjent dhe operacional i patriotëve shqiptarë, rezidentë në Itali, të cilët, nën dritën e Romës, jo vetëm do të përfitonin në publikimet e studimet e tyre në gjuhën shqipe, por do u siguronin atdheut, manifestime më përfaqësuese të artit dhe të letërsisë së tyre popullore, duke kontribuar në një pjesë të madhe, në ngritjen shpirtërore të bashkëatdhetarëve të shtypur në atdhe apo të shpërndarë nëpër botë.
“Shqiptari i Italisë”, e para shqipe në botë
Përsa i përket kontributeve personale të figurave të shquara nga bota arbëreshe e shqiptare në Itali, në këtë kontekst, në artikull shkruhet se: Ia vlen të kujtojmë jo vetëm “Shqiptari i Italisë”, shtypur në Napoli në vitin 1848 nga Jeronim De Rada – që u bë kësisoj e para gazetë në botë, e publikuar në gjuhën shqipe, por se kontributi madhor në çështjen e kombit mik, u çua përpara nga gazetarë të shquar, të cilët një herë e një kohë kishin qenë edhe studiues të përkushtuar, ku përveç De Radës, ia vlen të përmendim: Skiroin, Lorekion, Beniçin, Toçin, Cosmo Serembe-n, L’Argondizza-n dhe vëllezërit Gaetano e Rosolino Petrotta.
Diferencat me kolonitë e tjera shqiptare
Përballë aktivitetit të tyre, vepra e shqiptarëve rezidentë në Stamboll, Bukuresht, Sofie, Greqi, Egjipt, Amerikë, e gjetkë, mund të thuhet se është mëse modeste, sepse gazetat dhe periodikët e nxjerrë nga shqiptarët në vitet më të vështira të jetës politike të atdheut të tyre, nuk kanë pasur influencën e atyre të publikuara në Itali, për të zgjuar ndjenjën kombëtare të shqiptarëve dhe që ta bënin kësisoj të interesohej botën e civilizuar për kauzën e tyre.
Turqit, grekët, serbët dhe austriakët penguan shqipen
Dhe kur në vitin 1909, pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së re turke, në vitin 1908, e cila u jepte grupeve etnike të shtetit osman të drejtën për të shtypur e publikuar gazetat në gjuhën e tyre amë, nisën edhe në Shqipëri të lindnin gazeta e broshura të ndryshme periodike, të cilat nuk arritën dot të kishin kontributin e efektin e dëshiruar pasi u bojkotuan nga Turqia, apo u penguan të penetronin nga Austria, Greqia, Serbia, por edhe sepse pjesa më e madhe nuk kishin – ashtusikurse ato të shtypura në Itali – një program të qartë aksioni dhe penetrimi.
Publicisti shqiptar në A. Cikosi, rezident në Rumani, i cili sigurisht se nuk mund të akuzohet se ushqen ndjenja të veçanta miqësore ndaj Italisë, shkruante kështu në 1896 në “Mesagerul” të Bukureshtit: “Pikënisja e çështjes kombëtare shqiptare, ka qenë shtysa e dhënë nga Italia”…
Aktualisht ekziston një periodik i vetëm në gjuhën shqipe i shtypur në Itali, “Gazeta Shqiptare”, e përditshmja për Shqipërinë në “Gazzeta del Mezzogiorno”, drejtuar nga Raffaele Gorjoux.
“Gazeta Shqiptare”, e vetmja e mbetur
Gjithë pjesa tjetër e artikullit i kushtohet më pas thuajse tërësisht “Gazetës Shqiptare” që në atë kohë gëzonte privilegjet e të qenurit pranë pushtetit dhe përdorej kështu gjerësisht si mjet i fortë propagandistik i regjimit fashist. Sipas autorit, “Gazeta Shqiptare” nisi të publikohet në Bari më 10 korrik 1927, si një supplement i “Gazzetta di Puglia”, dhe më vonë u transformua në “Gazzetta della Mezzogirono”. Ndër bashkëpunëtorët e vet – thuhej më tej në atë material – njerëzit më të shquar me kompetencë profesionale e kulturore, përveç të ndjerit Luigj Gurakuqi, ish-Ministri shqiptar i Financave, – Sekretari i Partisë Fashiste shqiptare, Tefik Mbrorja, Senatori Mustafa Merlika Kruja, Prof. Doktor Ernest Koliqi, Ministër i Punëve Botore, Doktor Nicola Lorusso Attoma, Drejtor i Përgjithshëm i Shtypit, Propagandës dhe Turizmit pranë Mëkëmbësisë së Përgjithshme të Shqipërisë. “Gazeta Shqiptare”, që mund të definohet si shprehja më e mirë dhe më e plotë e mendimit italo-shqiptar, duke e vlerësuar nga mjetet e saj të gjëra teknike dhe nga organizimi i saj i madh gazetaresk, është sot vazhduesja më e denjë e së shkuarës së lavdishme të periodikëve të panumërt italo-shqiptare, të cilët qysh nga kohët e hershme.
Botime edhe jashtë Italisë
Në paragrafet e fundit autori flet për kontributet që kishin sjellë në këtë drejtim shqiptarët e Italisë edhe jashtë saj, në komunitetet e Amerikës Latine e në SHBA. Kështu, aty thuhet se: Përveçse në Itali, shqiptarët e Italisë u bënë promovues të ideve kombëtare shqiptare edhe jashtë vendit të tyre, në dy Amerikat, me botimet e tyre si “La Questione albanese”, 1905 dhe “La Lega Albanese”, 1906, në Buenos Aires, drejtuar nga Orazio Iranni, lindur në Lungo, dhe “Afrimi”, 1922-1926, “Albania” në Nju Jork,drejtuar nga Pietro Scaglione. Lindur në Piana dei Greci. Periodiku “Albania”, themeluar në 1929, vijon të botohet në mënyrë të rregullt edhe sot e kësaj dite.
“Shqiptari” i De Radës
Origjinali u gjet shumë vonë një familje arbëreshe
Ndërsa artikulli origjinal i vitit 1939, shoqërohet me një faksimile të gazetës “Shqiptari i Italisë”, fati i versionit origjinal të kësaj gazete, e cila edhe sipas artikullshkruesit përmbushte dy rekorde më vete, do të mësohej shumë dekada më vonë, kur profesori i mirënjohur i katedrës së albanologjisë në Kalabri, Francesco Altimari, do të shprehej vetëm pak muaj më parë ( shih: Gazeta Shqip, Altimari: “Shqiptarin” e De Radës e gjetëm në një familje arbëreshe, 19 nëntor 2012) në një aktivitet të zhvilluar nga Instituti Italian i Kulturës gjatë ditëve të panairit të librit në Tiranë se: “Kopjet origjinale të kësaj gazete, nuk i kemi gjetur dot në asnjë bibliotekë, përveç dy numrave që ruheshin në Bibliotekën Campobasso. Ishte e mrekullueshme t’i gjenim në një familje intelektuale arbëreshe, që jetojnë në një fshat të Kalabrisë, të cilët kanë një koleksion të jashtëzakonshëm të revistave dhe ruajnë pothuajse të gjithë numrat e ‘Shqiptarit të Italisë”. Nga 29 numrat e kësaj gazette, na mungojnë vetëm dy, numri i katërt dhe i 16-të”, ka treguar Altimari, i cili kishte sjellë me vete një numër origjinal të kësaj gazete. /DITA/ KultPlus.com
Shqiptarja Doruntina Berisha, ka fituar në garën “European Women of Legal Tech 2020 Award”.
Në këtë garë ku kanë marrë pjesë 179 femra, nga 27 vende të ndryshme të Evropës shqiptarja ia doli të shpallej fituese në kategorinë “Akademi & Edukim”. Votimi për garën ishte mbyllur më 18 nëntor ndërsa çmimet u ndanë mbrëmjen e djeshme në një organizim online që u mbajt në Vjenë.
“Gjatë pandemisë kam krijuar platformën për të gjithë profesorët e Vjenës që brenda 24 orëve të kenë qasje në mësim online. Kjo platformë “Survival Guide” nuk u shpërnda vetëm në Universitetin e Juridikut në Vjenë, por edhe në Universitet e tjera në Austri. Pas një jave më shumë se 250 profesora të Universitetit të Vjenës përdorën platformën gjatë pandemisë. Për krijimin e kësaj platforme “Survival Guide”, profesori im Dr. Nikolaus Forgó vendosi të më nominoj për këtë çmim”, është shprehur Doruntina Berisha në një intervistë për “Diaspora Shqiptare”.
Doruntina Berisha ka lindur në Vjenë, por ruan lidhjet e saj me Shqipërinë dhe Kosovën. Pavarësisht se lindur dhe rritur në një shtet tjetër Doruntina flet shumë mirë gjuhën amtare. Doruntina Berisha është studente dhe asistente në Fakultetin Juridik në Universitetin e Vjenës. Gjithashtu ajo studion edhe në degën Fizik. Gjatë kohës së pandemisë shqiptarja Berisha spikati, sepse arriti të krijoi brenda 24 orëve platformën “Survival Guide“, e cila shërbeu për të zhvilluar mësimin online në Vjenë. /dp/ KultPlus.com
Vdekja e piktores Lumturi Blloshmi përveç që ka tronditur skenën artistike, ka ngjallur edhe reagime të shumta, që bëjnë të besojnë se ajo do të rroj nëpërmjet krijimtarisë së saj të pasur, shkruan KultPlus.
Poeti Agim Morina në një shkrim të shpërndarë në facebook dhe me titull “U njohëm më 27 nëntor”, ka kujtuar mënyrën e takimit të parë me piktoren.
Ishte pikërisht 27 nëntori, dita kur këta dy artistë ishin takuar për herë të parë, e që vite më pas piktorja Blloshmi do të vdiste në këtë datë. Morina në shkrimin e tij përmendi ekspozitën e mbajtur në fund të vitit 1995 “Onufri” në Tiranë.
Nga të gjitha krijimet artistike të ekspozuara, atij i kishte lënë mbresë vepra e Lumturisë, me ç’rast edhe kishte pasur mundësinë ta takonte dhe t’i ndante me të mendimet për to.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Agim Morinës:
U NJOHËM MË 27 NËNTOR
Kur shkova në Tiranë, në fund të vitit 1995, arrita në kohën kur, disa javë më pas, u hap ekspozita Onufri. Ajo u hap më 27 nëntor, që i bjen rrafsh para 25 vjetësh. Në ekspozitë shkova me një ndjenjë pasigurie për atë se çfarë kam me pa. Pas gjysmë shekulli të ndrydhjes staliniste, nuk mund të prisja ndonjë mrekulli. E merrja me mend se nuk do të shihja grushta burrash e grash muskulorë me kazma e lopata në duer, tue vështru rreptas larg në horizont, nuk do t’i shihja tue ba thirrje për çarje bllokadash e kthimin e kodrave në fusha, por, doemos – mendoja unë – kanë me qenë prapë po ata trupa me muskuj, po aj optimizëm i rremë dhe naiv, tipik për enverizmin, veçse tani pa kazma e lopata dhe pa parulla.
Kur hyna në sallën e madhe të Galerisë Kombëtare, thjesht, u mrekullova me punimet e piktorëve shqiptarë. Ishin mbresëlanëse. Thjesht mbeta pa fjalë. Energjia që gufonte në ato punime ishte vullkanike. Natyrisht, kishte eksperimentime, ndërthurje stilesh e rrymash të ndryshme artistike, ku ndonjëherë mundeshin me u dallu lehtë edhe piktorë e punime të veçanta të artit botënor prej nga ishin frymëzu, që nga klasicizmi, impresionizmi, kubizmi, surealizmi, pop-arti, op-arti, hiper realizmi etj. Por, megjithatë, në krahasim me rrethanat nëpër të cilat kishin kalu piktorët shqiptarë kishin arrijtë në caqe të mahnitshme artistike. Shihja potencialin që kishte nisë me shpërthy dhe do të derdhej në dhjetëvjeçarë të ardhshëm. Thjesht, vizita në galeri u kthy në një festë të vogël për sytë e mi.
E veçantë nga të gjithë me stabilitetin e shprehjes artistike m’u duk punimi i autorit “L. Bloshmi.“ Para punimit të tij mbeta tue kundru gjatë. Si ishte e mundun? Kompozicioni i zgjidhun mirë, koloriti i balancuem, siguria e hoveve të penelatave dhe një trajtim artistik që tregonte një shpirt kryengritës. Ky autor ishte më i veçantë. Pas një kohe iu drejtova një kujdestareje të galerisë dhe e pyeta se kush ishte autori i këtyre punimeve. Ajo buzëqeshi me mirësjellje e më tha:
– Nuk asht autor! Asht autore. Quhet Lumturi Bloshmi.
– Shumë mirë! – gati klitha e vazhdova – punimet e saja po më pëlqejnë shumë. Po më duket krejt e veçantë…
– Po, asht e veçantë… Por, ajo asht këtu, nëse doni ta takoni? – më tha ajo.
Befasitë po renditeshin njëna pas tjetrës.
E ndoqa pas kujdestaren dhe u ndala prapa një zonje, koka e së cilës u kthy ngadalë kah unë. U shfaq një fytyrë me sy të mëdhej, buzë të holla, shikim të mprehtë. E shkujdesun në veshje dhe me flokë pak të hapërdamë, mbështjellë me një shall lara-lara ajo buzëqeshi ambël. I erdhi shumë mirë që punimi i saj më kishte lënë përshtypje. Por edhe habi, se si nga të gjitha punimet më kishte pëlqy e saja. Biseduem një copë kohë dhe e lamë të takoheshim prapë. Gjatë gjithë bisedave, ajo asnjëherë nuk më foli për rrethanat e randa të jetës së saj. Ma vonë kam me kuptu këtë prej të tjerëve. Por, vetëm kështu pata arrijtë me kuptu se pse thellë në sytë e saj përhidhej një flutur ankthi e dhembjeje, që ajo përpiqej me e fshehë e me e mbajtë vetëm për vete.
Sonte mora lajmin e hidhun që Lumturi Bloshmi na paska lanë. Saktësisht, në ditën e 25-vjetorit që u patëm njohë atë ditë në Galerinë e Arteve në Tiranë. I qoftë i lehtë dheu! Shpirti i saj engjëllor, i vuejtun e kryengritës, i shpërndamë nëpër çdo pikturë të saj në trajtë ngjyrash e vijash, ka me na ba dritë përgjithmonë. / KultPlus.com
Komuniteti shqiptar në Kroaci, pjesë aktive e të cilit janë Arbneshët e Zarës, kanë një jetë të pasur artistike e kulturore, dhe së fundmi kanë organizuar edhe Shoqërinë Dramatike Shqiptare “Mërgimtari”.
Në kuadër të festave të nëntorit, kjo shoqëri do të vë në skenë më 28 Nëntor veprën e autorit shqiptar Armand Bora, “Ata hyjnë pa trokitur”, me regji të Leonard Hamitajt. Tragjikomedia do të interpretohet nga vetë Hamitaj dhe aktorja kroate Ana-Marija Burušić.
Kjo vepër e konceptuar në formën e teatrit bashkëkohor, shfaqet për herë të parë për publikun në Kroaci, duke sjellë para tyre ndërthurjen e elementeve të absurdit, ekzistencializmit, komedisë me tragjedi, sarkazëm dhe ironi.
Subjekti përshkruan situata të jetës së një çifti të martuar intelektualësh shqiptarë të izoluar brenda katër mureve të shtëpisë së tyre dhe brenda kufijve të Shqipërisë së periudhës së komunizmit. Të dy janë në kërkim të fajit. Ata kthehen vazhdimisht në historinë e jetës së tyre, duke e analizuar atë për të gjetur secili prej tyre e bëri gabimin fatal.
Vazhdimisht paketojnë rrobat, duke përgatitur t’i marrin me vete në rast internimin e detyruar. Burri është një artist, muzikant me profesion, një person emocional, i lidhur me gruan e tij nga dashuria sublime dhe mbizotërimi irritues i situatave të vogla të jetës së përditshme që përbëjnë jetën e tyre. Gruaja, megjithëse nuk ka një profesion specifik, simbolizon bukurinë fizike dhe shpirtërore. Autori Bora konfirmon se drama është frymëzuar nga historia e çiftit të njohur aktorë Pirro dhe Pavlina Mani, që nuk tregon jetën e tyre, por është një dedikim dhe kujtim të tyre. /dp/ KultPlus.com
Për nder të ditës së 28 Nëntorit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta organizoj ekspozitën “Rrëfim biografik” kushtuar Anton Çettës, shkruan KultPlus.
Muzeu Kombëtar i Kosovës do të hap dyert nesër duke filluar nga ora 13:30 për të shpalosur rrëfimin biografik të njeriut që u bë simbol i bashkimit, nëpërmjet kurimit të Skender Boshtrakajt.
Kjo ekspozitë do të organizohet në kuadër të muajit të Anton Çettës. / KultPlus.com
40 nënshkruesë të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë erdhën nëpërmjet punimeve artistike të Arben Morinës në ekspozitën “Etërit e Pavarësisë” në Muzeun Hitsorik Kombëtar, shkruan KultPlus.
Ekspozita e cila solli 40 figura të rëndësishme të historisë shqiptare nëpërmjet pikturave të piktorit Arben Morina, u shoqëruan me artefaktet e këtyre nënshkruesve në ekspozitën “Etërit e Pavarësisë”.
Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se kjo ekspozitë është një kombinim i përkryer i portreteve në pikturë të etërve tanë të 40 firmëtarëve të pavarësisë dhe objekteve të tyre personale që ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar. Tutje ai përmendi se të ekspozuara janë edhe një kopje të aktit të shpalljes së pavarësisë dhe disa objekte të Luigj Gurakuqit, Kristo Floqit, për të bërë të mundur këtë lloj harmonie në pasqyrimin e kësaj ekspozite në kombinim me veprat e prezantuara në pikturë të shumë të talentuarit Arben Morina.
Në anën tjetër, protagonisti kryesor i cili rikujtoi nëpërmjet artit rëndësinë e këtyre personaliteteve, Arben Morina falenderoi Muzeun Historik Kombëtar për këtë ekspozitë.
“Për mua kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë dhe kam ndjerë gjithçka që kam bërë pasi vet gjyshi im Zihni Abas Kanina Hamzaraj ishte një nga nismëtarët e shpalljes së pavarësisë”, tha artisti Morina.
Ekspozita “Etërit e Pavarësisë” u organizua në kuadër të manifestimeve të nëntorit. / KultPlus.com
Mbrëmjen e sotme këngëtarja shqiptare Dua Lipa pritet të hyjë në histori si artistja e parë që realizon një koncert plotësisht online.
Sot Dua Lipa njoftoi përmes një njoftimi në Instagram se pjesë e “STUDIO 2045” do të jetë edhe legjenda e muzikës botërore, Elton John.
Autorja e hitit “Don’t start now” ka shprehur gjithnjë vlerësimet për legjendën e muzikës botërore dhe ka performuar edhe herë të tjera krah tij.
Ndërkohë javën që lamë pas Dua zbuloi se pjesë e koncertit do jetë edhe Miley Cyrus. Dy artistet sollën të premten bashkëpunimin e tyre me titullin “Prisoner”, që po bën namin.
Gjithashtu pjesë e koncertit të saj virtual do të jenë edhe FKA Twigs, Bad Bunny dhe J Balvin. Vetëm sot është mësuar se këtyre emrave do t’i bashkohet edhe këngëtarja e producentja e famshme Kylie Minogue. /dp/ KultPlus.com
Artdashës të grup moshave të ndryshme në kohëra të llojllojshme kishin gjetur bashkim në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”.
Kjo shtëpi e valleve dhe kulturës tanimë feston 70 vjetorin e themelit të saj, teksa bëhet me dije se vitin e ardhshëm do të jetë institucion në vete, shkruan KultPlus.
Përtej shfaqjeve skenike dhe kërcimeve nën ritmin muzikor, ky ansambël tani është kthyer në vulë të rezistencës kulturore të vendit, duke dëshmuar në epoka të ndryshme rëndësinë e traditave dhe përcjelljes së tyre brez pas brezi.
Tash teksa ka krijuar një histori në vete, 70 vjetorin e saj “Shota” e feston dinjitetshëm, duke e pasur një listë të gjatë emrash që dikur ia ka hapur dyert.
Edhe ky përvjetor bashkoi shumë njerëz, në ceremoninë e festimit të së cilës e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila u shpreh se ndjehet e nderuar të jetë pjesëmarrëse në këtë ngjarje.
Për dallim nga të përvjetoret tjera, ky i sivjetmi u ndje ndryshe. Kërkesa e kahmotshme e Ansamblit “Shota” gjeti realizim.
“E kam mbajtur premtimin dhe nga janari i vitit 2021, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, do të jetë institucion i pavarur”, u shpreh Vlora Dumoshi.
Tutje ministrja çmoi lart kontributin që dha “Shota” në jetën kulturore të vendit.
“Në 70 vite jetë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve ka kaluar nëpër peripeci dhe sfida të shumta, por ai është ngritur mbi to dhe është shndërruar jo vetëm në një institucion që mbanë gjallë traditën tonë të këngëve, valleve, veshjeve autentike dhe galerisë së pashtershme të motiveve popullore, por edhe në një ambasador të mirëfilltë të kulturës sonë në botë”, tha Dumoshi.
Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” përveç në vendin tonë, tanimë është dëshmuar edhe në skenat e shteteve përtej kufirit duke rrëmbyer çmime të shumta. / KultPlus.com
Për vdekjen e piktores Lumturi Blloshmi nga Covid-19 ka reaguar edhe ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në facebook ministrja ka shkruar për veprimtarinë e bujshme të Blloshmit.
“Covid 19 na mori sot një tjetër emër të madh të artit shqiptar: Lumturi Blloshmin, ndër të paktat artiste pamore të brezit të saj, që sfiduan kohën, sistemet politike, ndryshimet e mëdha”, ka shkruar Elva Margariti
Tutje ka kujtuar momentet kur ishte ndalur para bustit të saj në Galerinë Kombëtare të Arteve
“Një portret i skalitur ashtu si ishte arti dhe qëndrimi i saj estetik”, ka shkruar Margariti.
Për fund, ministrja ka vlerësuar se Blloshmi ka folur me veprën e saj më shumë se me mijëra fjalë.
E krahasuar me Frida Kahlon, Lumturi Blloshmi mban mbi shpinë 25 vite krijimtari. Ajo njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat performancën dhe instalacionin në vendin tonë. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. / KultPlus.com
Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara tha të premten se rreth 100.000 refugjatë në rajonin Tigray të Etiopisë do të mbeten pa ushqim javën e ardhshme, nëse palët në konflikt nuk e lejojnë qasjen e organizatave humanitare.
Të dërguarit afrikanë për paqe u takuan të premten me kryeministrin etiopian, Abiy Ahmed, një ditë pasi ai tha se ushtria do ta fillojë fazën përfundimtare të një ofensive. Grupet për të drejtat e njeriut kanë frikë se nga ky operacion mund të ketë edhe viktima civile.
Agjencia UNHCR thotë se 96.000 refugjatë eritreas janë duke jetuar në katër kampe në Tigray. Raportohet se disa prej tyre kanë qenë në afërsi të përleshjeve të fundit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Ata do të mbesin pa ushqim nga e hëna. Ne jemi të gatshëm me furnizimet tona duke u përpjekur të arrijmë te kjo popullsi”, tha zëdhënësi i UNHCR-së, Babar Baloch, duke shtuar se ky vlerësim është bërë duke u mbështetur në llogaritjet sipas shpërndarjes së fundit disa javë më parë.
“Ajo që nevojitet është qasja e papenguar për të shkuar te ta sa më shpejt që është e mundshme”, tha më tej Baboch.
Ai refuzoi të tregonte se kush po e bllokon qasjen te zonat e refugjatëve, por tha se thirrja për qasje vlen edhe për ushtrinë e Etiopisë, edhe për Frontin Popullor të Tigrayt për Çlirim.
Kombet e Bashkuara, që kanë staf në Tigray, kanë zhvilluar negociata me të gjitha palët e konfliktit për qasje, por deri më tani nuk ka pasur shenja për marrëveshje. / KultPlus.com
Ka vdekur për shkak se ishte infektuar me Covid-19, piktorja e njohur shqiptare, Lumturi Blloshmi.
Mësohet se ajo po luftonte me virusin e rrezikshëm prej tre javësh, pa mundur t’i bëjë ballë.
E krahasuar me Frida Kahlon, Lume Blloshmi mban mbi shpinë 25 vite krijimtari. Ajo njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat performancën dhe instalacionin në vendin tonë.
Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.
Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt). Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, New York etj. Ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”.
Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. / rita.tv/ KultPlus.com
Pak nga pak koha po jep shpirt e jeta përhumbet heshtazi fundeve
Por ka një çast të ngrohtë gurëzimi kur dashnia i mund të gjitha
Ti vjen paluhatur e qëllon drejt me një gjeth të rënë mbi krah ngjitesh shkallëve në katin e dytë dhe me ambëlsi tingujsh alegorikë krijon një pamje mahnitëse pa xixëllonja e shkëlqime të tjera ani pse jashtë bën të ftohtë i përzemërt
Nga rrëzëllimi i përqafimit silueta njerëzish zbresin në katin e poshtëm në brezare mbetemi vetëm
N’eklips ky odeon shfaqet si skenë e njomë me pluhur shpirtërash të dy protagonistëve që i ipen njëri-tjetrit deri n’buzë t’greminës
Si nuk e paskemi ditë Qenkemi dashtë edhe pa u njoftë
Tash të shoh ndjeshëm ndërsa vjen pa u lëkund me një gotë vere gjak të kuqe pa më pyet fare ma derdh shpirtit shpirtin tënd dhe pa dashtë zë vend aty ku përherë e ke pasë
Pas kësaj hyrje në letargji vargjesh nis udhëtimin kjo vjeshtë e vonë me këtë simelodi ftesë vallëzimi nga ty që befas më çon në kambë në shtrëngim trupat e kallur amësohen lëkunden rrënjët e blirit të shenjtë rruga nis e çohet peshë nga gjethet e rëna dhe tjerat që bijnë
Drithmat nga e kaluara s’kanë pyetje për nesër as për gjëra të tjera të vogla e të vona ka veç një refren me zë lirie
Njohja e trashëgimisë kulturore dhe vizitat nga afër të monumenteve të ndryshme, është një prej pikave kyçe për zhvillimin kulturor tek fëmijët.
Duke pasur parasysh këtë, Akademia e fëmijëve “Loja” e ka kurrikulën e përpiluar në atë mënyrë që gërsheton të gjitha temat me rëndësi gjatë tërë vitit. Një ndër temat është edhe trajtimi i simboleve kombëtare, trashëgimisë kulturore dhe identitetit të vendit tonë.
Andaj, në kuadër të programit të tyre, pragu i festës së 28 Nëntorit u pa si më i miri për një vizitë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, një thesar ky antik brenda Kosovës.
“Koha më e përshtatshme për këtë vizitë ishte në pragun e festës së 28 nëntorit. Gjithashtu ambienti i jashtëm, gjatë kësaj kohe pandemie ishte ideale për realizimin e kësaj vizite. Secila vizitë që është realizuar deri më tani, me fëmijët e grupmoshës 3-6 vjeç, ka ardhur si rrjedhojë e temave dhe ngjarjeve të rëndësishme, kulturore dhe edukative në qytet”, ka thënë drejtoresha e Akademisë së fëmijëve “Loja”, Xheri Deshishku.
Iniciativa të tilla kulturore duhet të merren më shpesh për fëmijët sepse edhe sipas drejtoreshës, fëmijët mësojnë më shumë duke i parë e bërë gjërat vetë.
“Duke pasur parasysh që fëmijët mësojnë më shumë duke i bërë gjërat vetë, sigurisht që vizitat e tilla kontribuojnë më shumë që fëmijët të mësojnë gjërat konkretisht dhe duhet të realizohen sa më shpesh që është e mundur. Gjatë vitit, “Loja” realizon deri në 20 vizita jashtë shkollës së saj, të cilat janë shndërruar në traditë dhe fëmijët gjithmonë i gëzohen këtij procesi të udhëtimit në grup dhe e mbajnë mend përgjithmonë”, pohon Deshishku.
Sipas drejtoreshës, fëmijët gjithmonë i mirëpresin vizitat e tilla, e sidomos këtë vizitë, e cila ishte në ambient të hapur dhe kishte liri të lëvizjes.
“Përveç mësimeve rreth simboleve, traditës së lashtë, arkitekturës dhe elementeve të tjera që u njoftuan gjatë vizitës, ata ishin kureshtarë edhe për bimët dhe shpezët që rastësisht i gjetëm në Park. Shumë shpesh ndodh që fëmijët krijojnë mundësi të reja të të mësuarit gjatë një vizite dhe orientojnë vizitën në disa dimensione, sikurse në këtë të fundit”, tregon kështu Deshishku për këtë vizitë që do të mbetet gjatë në mendjen e fëmijëve.
Iniciativa të tilla, duhet të bëhen shembull edhe nga të tjerët sepse njohja e trashëgimisë kulturore është është shumë e rëndësishme për identitetin e secilit. / KultPlus.com
Në këtë vështrim do të marrin në shqyrtim tri nga gjashtë dramat e Naser Shatrollit nga libri “Qiell” (2020).
Në dramën « Frigoriferi » dy personazhet, Liria dhe Atdheu, të mbyllur në një hapësirë të ngushtë e të ftohtë të cilën e quajnë « frigorifer » dëgjojnë ulërimat e ujqërve që vijnë nga jashtë. Kjo skenë e bën të mundur hyrjen në dialog të dy të mbijetuarve të masakrave që filluan me nismën e bombardimeve të NATO-s mbi trupat serbe me 24 mars1999. Liria dhe Atdheu kanë mbijetuar por mbajnë thellë në veten e tyre vragët e dhunës, të skalitura sa mbi trupin aq edhe mbi ndërgjegjen e tyre.
Frigoriferi është një pjesë ne dendur, e përmbledhur në një akt. Kemi të bëjmë me zhvillimin e retrospeksionit të dy personazheve, që shpalosin rikujtimet e tyre dhe formulojnë vrojtime ironike e sarkastike për episode të shkëputura të përjetimit të tyre tragjik. Brenda një atmosfere të një « tensioni dhe pasigurie » që « përshkojnë ambientin » shkëmbehen fjalët e para midis tyre, përplot ndrojtje e hezitime. Kjo ndrojtje sikur mëton të kapërcehet me propozimin që Liria ia bën Atdheut për ta zhvilluar një lojë, e cila megjithatë duhet të jetë « shumë serioze ».
Në atë lojë Liria dëshiron të luajë rolin e avokatit në një gjykatë ndërkombëtare për krime lufte, kurse Atdheut ia dedikon rolin e viktimës. Improvizimi i kësaj gjykatore ka për qëllim të krijojë një situatë ku personazhet do të mund t’i mësonin « të njohurat dhe të panjohurat e njëri-tjetrit ». Këtu Shatrolli synon të ngre një teatër mbi një teatër, procedim ky i pranishëm sa në teatrin klasik (te Shakespeare-i dhe Molièr-i) aq edhe në atë bashkëkohor (te Pirandello, fjala vjen). Gjykatorja ka për qëllimtë krijoj mundësinë që nëpërmjet dialogut të dy personazheve të rikonstruktohen disa ngjarje nga e kaluara e tyre. Së pari Liria merr rolin e avokates së Atdheut, si viktimë lufte. Ndërkaq, në pjesën e dytë të dramës, është Atdheu është ai që do ta marr rolin e avokatit që duhet ta mbrojë Lirien si viktimë e luftës. Kësisoj rrëfimet e tyre do të kryqëzohen gjatë shpalosjes së tyre.
Të dy personazhet janë dëshmitarë të disa ngjarjeve e njëherit edhe rrëfimtarë të atyre ngjarjeve. Brishtësia e rrëfimit të tyre lidhet me karakterin tragjik të ngjarjeve dhe vështirësinë që kanë për t’i shprehur përjetimet e tyre. Ata e ndërpresin shpesh njeri-tjetrin gjatë rrëfimit të tyre, meqë janë të ndikuar nga përfytyrimet dhe përvojat traumatike.
Rrëfimet e të dy personazheve riprodhojnë përjetimet e shkuara që shoqërohen me një refleksion mbi tonalitetin dhe ngjyrën e asaj që u ka ndodhur. Mirëpo, meqë në këtë pjesë janë vetëm dy personazh, në skenën e procesit gjyqësore, ata do të luajnë edhe rolin e prokurorit, gjykatësit dhe dëshmitarit.
Nga frika se mund të vdesin të konservuar në frigorifer ata stimulojnë dhe imagjinojnë përgatitjen e një darke, ku pjesë të teshave , që kanë gjetur aty, duhet të marrin rolin e gjërave të ndryshme ushqimore. Liria, për t’ia larguar dyshimin Atdheut se në mos është çmendur thekson se kësisoj ajo dëshiron « ta krijoj ambientin e shtëpisë », ta shuaj pak mallin për të.
Të përkujtojmë këtu se retrospeksioni imponohet si njëri nga operacionet fundamentale të procesit të kompozimit dramatik në dramat bashkëkohore. Ai është njëri nga çelësat e procesit sa të çdramatizimit aq edhe të ridramatizimit të ngjarjeve. Liria dhe Atdheu reflektojnë dhe këmbejnë pikëshikimet e tyre për gjithë atë që u ka ndodhur. Ky këmbim cilësohet me mospajtime e përçarje lidhur me ngjarjet tragjike nëpër të cikat ka kaluar vendi dhe njerëzit që i njohin ata. Ata këmbejnë përshtypjet e tyre, orvaten t’i thellojnë ato edhe në saje të vrojtimit reciprok të bashkëbiseduesit, i cili e ka përjetuar të njëjtin fat. Në një moment, duke rikujtuar ngjarjet që i çuan edhe deri te situata ku i « gjuajtën si cofëtinat në një hendek », ku u gjenden të humbur aq sa edhe po t’i ketë « kërkuar e gjithë bota » zor se do t’i gjenin. Atdheu është pak më optimist dhe shpreson se në saje të satelitëve të sofistikuar mund t’i gjejnë megjithatë. Kësisoj, karakteri dramatik nuk shterret në të kaluarën meqë mbeten pyetjet se çka do të ndodhë me ta, a mund të dalin nga situata e përcaktuar me frigorifer. Në përfytyrimet e tyre shfaqet pasiguria karshi asaj që vjen, asaj që mund të ndodhë. Por shqiten edhe dromca të shpresave dhe dëshirave për të ardhmen e afërt. Çështja kryesore lidhet me mundësinë e daljes nga frigoriferi, nga rreziku që të mbesin « konservë për ujqit ».
Liria ndërkaq e shpreh në mënyrë më të theksuar, brenda kësaj situate, mallin për një shtëpi me mysafirë e me gazmend, mallin për një atmosferë miqësore e njerëzore. Dhuna e egër e pushtueseve synonte zhveshjen e viktimave pikërisht nga tiparet dhe rrethanat që i bëjnë të ndjehen si njerëz. Atdheu thekson se « sjelljet e kriminelëve ndaj nesh ishin brutale, më brutale se ndaj kafshëve. »
Në procesin gjyqësor, në vazhdim, shpalosen elemente nga e kaluara e të dy personazheve. Në atë masë sa personazhet orvaten përmes dialogut të tyre dhe procedurës gjyqësore t’i rikonstruktojn ngjarjet tragjike që kishin përjetuar dhe të ndriçojnë anë të ndryshme të përvojave të tyre ekzistenciale, për Lirien kjo lojë « e ka një kuptim të thellë ». Ky rekonstruktim përmes kryqëzimit të mbresave dhe refleksioneve mbi atë që u kishte ndodhur shquhet edhe me synimin e një katarze të vuajtjeve, frikës dhe ankthit të përjetuar, me transformimin e atyre përvojave të hidhura. Ndonëse procesi gjyqësor është i orientuar në zbardhjen e fakteve, me pretendimin që të mënjanojë « analizat, pikëpamjet, idetë, dëshirat ». Liria megjithatë mendon se brenda kësaj procedure gjyqësore, « nëse i themi me saktësi hollësitë e jetës, ka mundësi që ta gjejmë çelësin e derës », një « dere për mbijetesë ».
Në një çast, në rrëfimin e Liries shpërthen kujtimi nga e kaluara e një vizite që i kishte bërë bibliotekës në të cilin kishte punuar Atdheu : « Derisa po i vështroja librat nëpër rafte, më ra në sy një pëllumb që e kishte ndërtuar strofullin mbi dritare të bibliotekës. Në fakt, strofulli më bëri kureshtar në lidhje me ty dhe me karakterin tënd ».
Kur Atdheu e merr rolin e avokatit, ai e pyet Lirien për rrethanat në të cilat ajo ishte dhunuar nga ushtarakë e policë të veshur me uniforma të zeza. Atdheu thekson se interesi i « kësaj seance dhe i këtij paneli, edhe atyre lart në qiell që janë duke e ndjekur me vëmendje seancën, është që ta nxjerrin në foltore, sa më shpejt dhe sa më qartë, të vërtetën. » Liria rrëfen se ishte dëshmitare e dhunimit të një plake në një podrum nga 10 persona. Në fakt Liria, në rrëfimin e saj në fillim e zhvendosë dhunimin që e kishte pësuar vet te një plakë. Mirëpo Atheu ia kujton se aktet e dhunimit nuk mund të paraqiten si trill e lojë. Liria e pranon këtë vërejtje por njëherazi thekson se ata nuk do t’ia lehtësojnë vetes vuajtjet nëse fshehin edhe faktin e rëndë se që të dytë kishin qenë « të dhunuar e poshtëruar në sy të njeri tjetrit ». Zaten, pak më parë Atdheu kishte nënvizuar se « faktet nuk mund të mbesin të ngrira në frigoriferë përgjithmonë ». Sepse, « sapo të shkrihen ato, era e keqe e tyre ka për të depërtuar larg ». Ai kishte cekur njëherazi se të dhunuarit vështirë se « do të gjejnë qetësi në jetën e tyre edhe nëse ndahet drejtësi për secilin prej tyre. » Liria, shton se « kurrë nuk do t’i hiqet epiteti i gruas së dhunuar, ndonëse miqtë do të përpiqen ta shërojnë me fjalë të mira, mirëpo ato fjalë kanë për ta ngulfatur gradualisht. » Një pasojë e veçantë, e aktit të dhunimit të Liries, ndryshe nga ai i Atdheut, ka të bëjë me një zë fëmije : « Por nuk e di, pyet ajo, nëse unë jam ai fëmijë, apo është një fëmijë tjetër në barkun tim. »
Atdheu shpërthen duke i kërkuar ta ndërpresë rrëfimin e vet : « Ti shpike gjykatore për ta nxjerr dhembjen e madhe që je duke e bartur brenda në barkun tënd !? » Tani Atdheun e kaplon depresioni i thellë, ndonëse më parë ai shpresonte ta thyej derën e frigoriferit dhe të dalin jashtë në një botë tjetër, të bëjnë një « festë me miqtë nga e gjithë bota ». Ndërkaq është Liria ajo që shprehë në ato çaste dëshirën për të dalë nga gjendja e « një konserve të qelbur » në atë frigorifer, për ta filluar një jetë tjetër, nga e para. Madje jo vetëm ajo : « Njerëzit sapo ta kuptojnë që janë çliruar, e që janë të gjallë » do të kenë dëshira e nevoja që ta harrojnë luftën. Ata që të dytë në fund shfaqin dëshirën për ta rizbuluar jetën dhe raportet e dëlira për t’u çliruar nga lëndimet e thella që shfytyrojnë jetën.
Shatrolli, me talentin e vet dramaturgjik, na ballafaqon në këtë dramë me një situate skajshmërisht dehumanizuese, brenda « frigoriferit », situatë kjo e privuar nga mundësitë elementare të manifestimit të formave të jetesës me të cilat realizohet njeriu. E megjithatë aty lindin përsiatje e reagime që kërkojnë një hapësirë dhe një atmosferë tjetër të të jetuarit, atmosferë të formësimit të raporteve të mirëfillta njerëzore. Skajshmëria e ndrydhjes së jetës kësodore bën të lindin nevoja të tjera.
Kërkimi i shtegdaljes
Në dramën « SHKUMËSI » autori në didsakalinë hyrëse për skenografinë thekson se në skenë shifen dy ura të ndara kurse mesin e urave e ndan një litar i trashë, që vjen nga lartë. Ai saktëson se dy gurë të lidhur simbolizojnë aty « gurë mezhde, frëngjitë e kullës, burgun, dy përmendore kur janë në këmbë » e këto « me urën e ndarë të qytetit të Mitrovicës ».
Sikurse edhe në disa drama tjera të Shatrollit edhe këtu i kemi dy personazhe: Alberti dhe Betimi. Përmes dialogëve të tyre, shpesh të tendosur, shpalohet drama. Alberti jeton i vetmuar dhe rëndom i mbyllur në dhomë. Ai nuk e di se kush janë prindërit e tij dhe hamendëson se babai i tij kishte qenë një kriminel kurse nëna e dhunuar nga serbët, në luftën e vitit 1999.
Ndryshe nga Alberti, Betimi është i matur dhe përsundon situata të ndryshme. Duket se këto tipare e kanë bërë të përshtatshëm për profilin e një bashkëpunëtori të hetuesisë ndërkombëtare.
Alberti në rrëfimin e vet i tregon Betimit se ëndërron të bëhet trim, së paku një herë në jetën e tij. Ky synim shpjegohet me përvojën e hidhur që ka nga rrahjet e pamëshirshme që ia bën dikush që « e skalitë me thikë dorën e tij në derën e shtëpisë së tij ». Por ai e skalitë dorën e vet edhe në Gjykatën supreme, në çerdhet e fëmijëve, në semaforët e qytetit si dhe në urën e qytetit. Qëllimin e skalitjes së dorës së tij nga i panjohuri, Alberti e interpreton si dëshirë për ta treguar forcën e vet dhe praninë e tij kërcënuese.
Alberti i rrëfehet Betimit se depresioni po e shkatërron dhe se ka çrregullime jo vetëm në mendje por edhe në trup. Betimi ndërkaq prezantohet si dikush që ka ardhur nga veriu i qytetit, në shfaqjen e Albertit, në shtëpinë tij që i duket si një « shpikje skenike ».
Alberti, në vazhdim të bisedës, e njofton se ka frikë se tipi që po e kërcënon do ta vrasë. Ky kërcënim i zgjon asociacionet me dhunën brutale që burrat ushtrojnë mbi gratë e tyre, ashti siç njofton televizioni. Atmosfera brenda së cilës jeton Alberti, cilësohet me krime të rënda, me kërcënime e vrasje. Ajo atmosferë duket të jetë e sajuar sa nga ngjarje të dhunshme nga e kaluara e afërt aq edhe nga ajo e përditshmërisë së tashme.
Betimi i sugjeron Alberti mundësinë që ai të jetë djalë i një « terroristi » ; e kjo i pëlqen Albertit. Në dialogun e mëtejmë, Betimi orvatet të gjejë shtysë që do të ndikonin te Alberti për të dalë jasht mbylljes brenda një « ferri, si ai i Dantes ». E sidomos ta shtyjë bashkëbiseduesin e vet që të bëj diçka, të veproj, në vend se të jetë i tetanizuar nga frika.328
Duke shikuar përmes frëngjisë së rekuizitës së urës, Alberti tregon se kishte përjetuar një çast gëzimi të premten e fundit kur i pa disa njerëz që dilinin « të gëzuar nga xhamia e qytetit, si « thithnin duhan, setrat i mbanin krahëve, plisat e bardhë në kokë, flisnin me qejf secili temën e vet. »328Në fytyrat e atyre njerëzve të moshuar ai kishte hetuar një shtendosje, ndryshe nga anksiozitetei që e gryente atë. Me këtë përgjigje, ai sikur i bën me dije Betimit se ikjen nga frika e ankthi e kërkon kah një atmosferë e prehjes.
Në një çast të këtij dialogu Alberti ndien nevojë t’i tregoj bashkëbiseduesit se megjithatë nuk është krejt i mbyllur dhe i vetmuar, se ka një të dashurë që quhet Shpresë. E madje edhe një projekt për « gjëra të bukura, gjëra unike…që të bëjnë ndopak optimist. » Edhe projektimin e urës me pjesë të ndryshme simbolike dhe litarët që bien pingul nga lartë midis dy urave e ka bërë « për t’i balancuar palët në konflikt » në qytetin e ndarë. 329
Alberti në vijim thekson se parapëlqen këngët rep, « shprehjet brutale të reperëve, ngase ato e pasqyrojnë realitetin brenda të cilit jetojnë. E ky realitet përputhet me atë ku dëgjon shpesh vetëm të shara. Ai evokon aty sjelljet e fqiut i tij, i cili të premteve në mbrëmje dehet « bëhet qyski, kthehet në shtëpi duke e kënduar shumë keq këngën e « Hajredin pashës », si « sorrat mbi kafshët e ngordhura », duke ia prishur gjumin gjithë lagjes. Gruaja e tij nuk ia hap derën e shtëpisë, e lë në shi e ai e shan dhe e fyen me fyerjet më të rënda.330.
Në këtë dialog, Betimi është i prirur që të mos e shoh gjendjen e përgjithshme në qytet me tone e ngjyra krejt të errëta, duke shfaqur rezerva për vlerësimet dhe përshkrimet tejet të rënda të Albertit të situatës në shoqërinë brenda së cilës jeton.331
Betimi, i preokupuar me temën e veprimit, kërkon ta dij se cili është protagonisti kryesor i kërcënimeve dhe formave të ndryshme të dhunës në lagje dhe në qytet. Alberti i përgjigjet se atë e quajnë « Ligj » . Betimit i duket e çuditshme që personin i cili shquhet me veprime arbitrare e të dhunshme ta quajnë « Ligj ». Alberti ia shpjegon se ai vet ia ka dhënë vetes këtë epitet në kohën e luftës. Se ndonëse asgjë nuk bën, i « ka hipnotizuar të gjithë. » Ai shton se Ligji e ka shfrytëzuar situatën prej ditës së parë kur kanë hyrë forcat ndërkombëtare në qytet. Ai kësisoj sugjeron se nocioni i ligjit për personazhin e quajtur « Ligj » është i kundërt me nocioni që shprehë ajo fjalë në fushën e drejtësisë.
Alberti pastaj e plotëson rrëfimin e vet duke cekur se djali i Ligjit, që mban emrin « Shkumës », ka prirjen e theksuar që të « vizatoj vija kufitare aty ku ia merr mendja, e njëherit e rrahë dhe e përbuzë atë. »Motivin e kësaj dhune Alberti e shpjegon deridikund edhe nga një ndjenjë e mungesës së respektit dhe mirënjohjes nga të tjerët ndaj babait të tij që ka luftuar.
Betimi megjithatë i bën vërejtje rrëfimi të tij për emrat e çuditshëm të personazheve për të cilët flet dhe shfaq dyshimin dyshon se është fjala për personazhe fiktive. dhe Ai pokështu cekë se në maketën e qytetit dhe urrës që ka bërë nuk gjen një shtegdalje. Është fjala për botën mentale e emotive brenda të cilit jeton Alberti ; kjo del e ngarkuar me mbylltësi, e cila reflektohet edhe në maketën e tij ku nuk ka asnjë « shtegdalje ».
Alberti i përgjigjet se Ligji nuk është pjelle e imagjinatës së tij, se ai ekziston dhe vepron realisht në qytetin e tij. Ai e vë në pah dyanëshmërinë e veprimeve të Ligjit : « ditën merret me patriotizëm, flet për integrime evropiane nëpër media e debate televizive…ndërsa natën është vetvetja » duke u marr me hajni. Lavdërimi i tij mbi veprën e tij çlirimtare si shfaqet si mjet për të nxjerre një dëmshpërblim e tij, për t’i justifikuar përfitimet e tij … »Ai e uzurpoi çdo cep të qyteteit; e mori edhe pensionin e invalidit, madje « Shkumësit ia ka ble me para pensionin e invalidit, ende pa lindur ».
Betimi i sugjeron se duhet ta gjejë shtegdaljen dhe ia ofron ndihmën e tij, duke i kërkuar që të dalë nga amullia e depresioni, të gjejë mundësinë që të veprojë, të bëjë diçka me « çka mund krenohet më vonë ».
Mirëpo, Betimi njëherazi vë në pah një aspekt tjetër të Ligjit, të cilin Alberti sikur e injoron : « ai ka dalë në mal në kohën e okupimit të vendit. Nuk mund t’ia mohojmë malin, borën, të ftohtin, qëllimin. Ai s’i ka pritur në shtëpi kriminelët me duart lart, i dorëzuar, tamam siç thua ti, si gjynah ».
Në vazhdim të bisedës, Betimi e kthen vëmendjen te veprimet e Ligjit në të sotmen. Kërkon nga Alberti që ta informojë se çka bën konkretisht Ligji tani bashkë me të birin Shkumësin. Ai e paraqet qëndrimin e vet si përpjekje që ta nxjerr Albertin nga bota e tij fiktive, nga prirja e tij që ta transformojë realitetin në trille, e të cilat madje ndikojnë edhe te vet Betimi që vetja t’i duket si personazh fiktiv i Albertit. « Por unë nuk jam fiktiv, shton ai. Jam personazh i gjallë, dhe erdha enkas të flas me ty. Më thuaj: çfarë pune bëjnë ata, Ligji dhe Shkumësi? » Për të dëshmuar se nuk është plotësisht i kredhur në botën e fiksioneve, Alberti e bën një përshkrim të veprimeve të ligjit kësisoj : « Të thashë, natën bashkëpunon me ata matanë urës, si një sahat xhepi. Në mëngjes i shanë në emër të kauzës. Vetë këta e destabilizojnë qytetin kur ndërmjetësuesit e huaj duan ta hapin urën për këmbësorët, këta ia fusin rafalëve me revole, e vrasin ndonjë civil që shet perime pranë urës, ose ndonjë librashitës, ose ndonjë peshkatar. Ia vendosin një njollë, pastaj krijohet situatë pasigurie. » Ky përshkrim mëton të vejë në pah aftësitë komplekse të Ligjit që të merr pamje të ndryshme herë për ata matanë urës herë për të tjerët këtej urës, për mediat apo ndërkombëtarët, duke bërë veprime të kundërthënshme për figurën e ligjit si « baba i drejtësisë ». Këtë vrojtim Alberti e shtrinë pastaj edhe mbi disa luftëtare të tjerë që « janë bërë milionerë në kurriz të popullit ». Por, kritika e tij synon të shkoj më larg me pohimin se ata « i kanë kontaminuar ndjenjat qytetare në frigorifer. E kanë ngrirë secilin mendim. Askush s’mund të dalë nga frigoriferi i tyre. I kanë bërë pula të gjithë dhe i hanë sa herë iu teket. » Ndaj këtij përshkrimi të Albertit Betimi reagon në mënyrë të dyfishtë: në njërën anë i bën vërejtje se ai e ka humbur lidhjen me realitetin edhe duke e shpikur « një qytet imagjinar në shtëpinë e vet » si dhe një « peshore të drejtësisë ».Në anën tjetër ai e përsërit përpjekjen e vet që ta nxisë Albertin të dalë nga bota e tij ku është ngujuar, ta sajoj një përgjigje ndaj asaj që e pengon të realizohet. Motivi i Betimit për këtë nxitje në veprim të bashkëbiseduesit të vet shpërfaqet në rrëfimin për vëllan e tij , « që është kthyer nga Amerika për t’i çliruar rrugët e lagjes » së tyre. Mirëpo, disa luftëtarëve të tjerë ky angazhim i vëllait të tij sikur nuk u ka pëlqyer : « I kanë thënë: bir i komunistit, ke ardhur nga Amerika t’i marrësh meritat tona.[…] Askush s’e di nga ka ardhur plumbi. Ende e ka të hapur varrin. Kurrë s’kam për ta mbyllur derisa t’i gjej eshtrat e tij. » Motivin e Betimit që t’u hakmirret atyre që ia kanë vrarë vëllanë Alberti e anticipon me këto fjalë : « Kush je ti? Vjen dhe më shtyn drejt terrorizmit. Dëshiron t’ua marrësh meritat atyre nëpërmes meje. » Alberti kësisoj nuk dëshiron të bëhet mjet në qërimin e hesapeve midis fraksioneve të ndryshme të luftëtarëve. Betimi e cilëson këtë qëndrim të tij si një përgjigje shterpe ndaj problemeve me të cilat ballafaqohet, qofshin fiktive apo reale : « A mund të ma thuash vetëm një dëshirë tënden tash. Lëviz vetëm një hap para. Çfarë ke për t’i thënë sot dikujt për vete, nëse të pyet dikush për diçka, e që të arsyeton ty nesër ky hap? » Betimi mëton ta paraqesë ekzistencën e Albertit para syve të tij si krejt të pakuptueshme. Ndaj këtij vlerësimi Alberti i përgjigjet se ai e ka një pikëmbështetje të fortë në ekzistencën e tij, Shpresën dhe dashurinë ndaj saj, si « e vetmja gjë që më shtyn të besoj në jetë ». Mirëpo Betimi me insistim ia paraqet këtë dashuri si një ëndërr shterpe, pa asnjë vlerë. Kjo është ëndërr. Ëndërr është. Ëndërr e realitetit tënd të mbyllur që s’e ka asnjë cent vlerë sot. »
Betimi përqendrohet te vërejtja se në vend që të mbyllet në përfytyrimin e vetes si viktimë do të duhej ta gjejë mundësinë për të bërë një veprim, me të cilin do të mund të krenohet para tjerëve. Mbasi që këtë viktimizim të Albertit e shpjegon edhe me rrethanat e jetës së tij familjare, Betimi ia kujton se edhe vet ka përjetime të trishtueshme dhe se është rritur në dhunë dhe piskamë se nuk e mban në mend « asnjë çast të mirë » nga jeta e tij me prindërit. Mirëpo, ai dëshiron ta theksoj dallimin midis tyre me qëndrimin aktiv që mban ndaj situatave të vështira nga e kaluara apo e tashmja.
Alberti ia rrëfen Betimit ëndrrën që e ka parë një natë më parë, ëndërr kjo mbi vdekjen e tij në dasmën të cilën e kishte organizuar vet Ligji. Për ta ilustruar vallen e vdekjes së Albertit, e organizuar nga Ligji, Betimi e transponon këtë ngjarje te ceremonia e varrimit të tij mbi rekuizitën e urës, duke e shtrirë Albertin aty si të vdekur. Betimi i shprehë ngushëllime Albertit edhe me fjalët « e shkruar paska qenë ». Duke dashur kësisoj ta interpretojë ëndrrën e Albertit si konfirmim të vlerësimit të tij mbi qëndrimet që ka përballë situatave të rënda e sfiduese, ai rithekson se në vend se të reagoj e të bëj diçka ndaj tyre, ai me fatalizmin e formulës « e shkruar paska qenë » dorëzohet pasiv karshi atyre sfidave që i bën jeta. Për ta nxitur Albertin te një akt terrorist, i cili do t’i konvenonte planit të tij hakmarrës, ai e inkurajon që të dalë nga gjendja e vdekshmërisë, të dalë në qytet duke e marr Shpresën për dore, që ta shofin njerëzit, ta puthë atë para syve tët ë tjerëve, ta bëj kësisoj dashurinë e tyre të dukshme për të tjerët dhe me këtë veprim ta shndërrojë ëndrrën e dashurisë në një realitet, duke e mënjanuar frikën. Betimi e inkurajon pokështu që ta merr fatin e vet në duart e tij, duke ia bërë « me shkumësin e tij vijat për-rreth qytetit tij, duke u bërë shkumës i të drejtës së vet. »Ta kapërcejë hijen e frikës me guximin e veprimit. Në fakt ai e nxitë Albertin të bëhet kamikaz, për ta realizuar të drejtën e vet.
Mirëpo Alberti vijëzon një synim tjetër të të ardhmes së tij, duke theksuar se nuk dëshiron kurr më të merret me ata që kanë ushtruar dhunë mbi të, që ia kanë shkelur të drejtat dhe që e kanë bërë të jetojë nën frikë:
«Jo, s’dua të merrem me ta kurrë më. Dua ta vazhdoj jetën me Shpresën. Do ta ndërtoj një kasollë të vogël në majë të kodrës. E paramendoj qytetin nga larg se si duket nga maja e kodrës: i vogël, më i vogël se ne, shumë i vogël. Ura pothuajse nuk duket fare. Nga atje nuk dallohen të mëdhenjtë nga të vegjlit. E paramen-doj Ligjin si mizë e bythës së kalit në grumbullin e njerëzve të rëndomtë duke u munduar të nxjerrin zë. »Kësodore, Alberti ia bën të qartë se nuk dëshiron që të instrumentalizohet nga ndjenja e hakmarrjes së Betimit, që t’i shpërbej ati. Ai e afirmon vullnetin për të dalur nga amullia e vetmia me një shtegdalje tjetër, me realizimin e një ëndrre për një jete të lumtur me Shpresën, duke i injoruar autoritetet e vendit.
Pamundësia e komunikimit
Në dramën « Karamel », dialogu midis Maksit dhe bijës së tij Melit, ndriçon gradualisht relacionet e tyre të ndërlikuara, shpesh të tendosura, të ngarkuara me zymti, mosbesim reciprok e shpërthime të mllefit. Kur kthehet në banesë Maksi e gjen bijën e tij të ulur në shilarës ; i bën vërejtjeje se ajo tanimë është e rritur dhe se nuk i shkon shilarësi. Ajo megjithatë vazhdon të luaj lojën fëmijërore « shkollas », duke improvizuar me disa kuti. Mirëpo, Meli ia bën me dije babait se në fakt ajo nuk e ndien veten të rritur.
Kur hyn në tualet, Maksi i gjen gypat e kanalizimit të bllokuar. Meli ia shpjegon se kjo ka ndodhur pasiqë radioja e tyre e vetme, e vjetër, kishte rën aty. Maksi i jap këshilla « pedagogjike » se tani njerëzit arrijnë të bëjnë para me shitjen e sendeve të vjetra . Disa fitojnë para madje edhe nga shitja e një fotografie të Enver Hoxhës, ndonëse ai « ua kishte pirë shqiptarëve gjakun dikur. »
Meli i ankohet se tërë ditën nuk kishte dalur nga banesa, kishte kërkuar duke pirë të relaksohet, meqë « nuk gjen kënaqësi në asgjë ». Maksi ndërkaq tregon se duke kaluar pranë stacionit të trenave në Fushë-Kosovë, iu kishin kujtuar udhëtimet që kishte bërë dikur prej aty për në Beograd, Zagreb, Sarajevë e Lubjanë. E tani ato trene rinin të ndryshkura, ndonëse Maksi pranon se ndryshku ia kishte kapluar edhe kujtesën.
Në vijim, dialogu i tyre bëhet më i ngarkuar me mosdurim e me sharje. Maksi shpreh dëshpërimin për mungesën e mirësjelljes dhe ndjeshmërisë në raportet sa midis të rinjve, moshatarëve të Melit, po aq edhe të mocanikëve të vet. I duket se Meli është bërë ashtu si është tani, pasi « i kishte dhënë shumë liri ». Këtë konstatim ai e lidhë me një tjetër për shoqërinë ku jeton. Duke qenë shumë larg Evropës, shton ai, « nuk mund të ketë emancipim të shëndetshëm në një vend të sapodalë nga lufta ». Maksi ankohet më tutje se mungesa e « kodeve të mirësjelljes » tek të rinjë në veçanti i shkakton trishtim të theksuar. Kurse rrugëtimin e Melit e vlerëson me një formulë popullore : « sa më shumë që po ritesh aq më shumë po çoroditesh. »Ai nuk është i sigurt nëse ajo ka rritur të zhvilloi një aftësi për të menduar mirë për veten e vet. Meli, sikur e humb kontrollin mbi veten, e sulmon babain, e shtrëngon në fyt, bën sikur orvatet ta ngulfas. Biseda më tutje vazhdon të rëndohet me qortime dhe fyerje të ndërsjella.
Pas qortimeve që i bën babai, Meli merr një pozë sikur i rrëfehet priftit : ajo cekë se pas gjithë vërejtjeve që i i kishte bërë Maksi, ka filluar ta ndiej veten të huaj në shtëpinë e babait të saj. Meli rrëfen se atë ditë kishte parë fotografinë e një fëmije afrikan « i uritur, asht e lëkurë », ndërsa « një korb i zi …e priste çastin që t’ia fuste thonjtë në trup. »Ajo përshkruan tronditjen e saj përball rrezikut që i kanosej atij fëmiu. « Gjithë ditën më fanitej korbi duke ia hëngër sytë… » fëmiut. Atë e kaplon dyshimi se është bërë e tepërt për babain e saj dhe me vrull ia bën babait një varg pyetjesh lidhur me këtë. Këtu Meli improvizon një skenë në skenë, duke u orvatur t’i rikonstruktoj disa aspekte të raporteve të tyre. Fundja, që të dytë konstatojnë se ndiejnë mungesë respekti nga tjetri, respekt ky që do të duhej të shfaqej së paku me gjestin e përshëndetjes (mirëdita, mirëmbrëma), si hyrje në një raport që implikon pranimin e tjetrit. Kjo del aq më e nevojshme për dy persona me lidhje të ngushtë si babai dhe e bija. Meli i tregon e një ditë e kishte dëgjuar Maksin të thotë, duke folur me veten, se Meli « nuk meriton t’i thuash as mirëmbrëma ». Në këtë situatë zhduket mundësia e horizontit të relacionit ku ata do ta shihnin njeri-tjetrin si të afërm, sidomos për formësimin dhe zhvillimin e saj psiko-social. Meqë nuk merr ndonjë përgjigje nga Maksi, përgjigje e cila do t’ia kishte ndezur një fije shprese se babai e do, ajo e provokon me një rrëfim të shpifur se gjoja ka fjetur me policin e lagjes në banesën e tyre. Kjo e bën Maksin të tronditet aq shumë sa ai i kërkon me ashpërsi Melit të largohet nga banesa duke ia përkujtuar se moshatarët e saj studiojnë me zell ose punojnë ndërsa Meli bredhë ende rrugëve. Fjalët më të rënda sikur duan ta vulosin ndarjen e tyre të plotë :« Dil jashtë dhe mos u kthe kurrë më …Kurvë ». Meli e ndjen veten tê lënduar thellësisht, por pas pak e merr veten dhe i bën me dije babait se ajo e ka hisen e vet në atë banesë siç e kishte njoftuar një avokat. Zhvillohet aty një si luftë për rekuizitën e kutisë e cila është metaforë e shtëpisë. Maksit, për një moment, i kujtohen disa momente të lumtura nga fëmijëria e hershme e Melit. Kjo i propozon që të dytë të luajnë lojën e kthimit në fëmijëri, ngase ndoshta vetëm atje do të gjenin çaste gëzimi. Në skenën e fundit « fillon konflikti mes tyre me të njëjtat fjalë që përsëriten derisa fiken dritat ». Kësodore, asnjë shteg nuk shqitet brenda kësaj situate e atmosfere. Meli, zaten, përshkruan raportin e vet me babain si raport i fëmiut afrikan përballë korbit që priste çastin për t’ia ngrënë sytë.
Të përkujtojmë këtu se Strindbergu në disa drama të veta përshkruan me terma të « vrasjes psikike » raportet e të afërmve brenda një familje (burrit me gruan apo prindërve me fëmijët e tyre). Në këto drama dialogu merr formën e një dyluftimi të pamëshirshëm. Kërkohen fjalët që mund të shkaktojnë lëndime gjithnjë e më të rënda te tjetri. Vorbulla e këtyre fjalëve, edhe në dramën « Karamel » sajon spirale të dialogëve të tendosur e të ngarkuar me fyerje e përbuzje. E kjo shpie te skajshmëria ku shfaqet fundi i dialogut dhe mbyllja e horizontit të komunikimit midis tyre, pas flakjes dhe ndrydhjes së afektivitetit të ndërsjellë. Edhe fëmijëria edhe pjekuria e Maksit dhe Melit dalin të parealizuara dhe deridikund shpjegojnë dështimin në krijimin e një lidhje midis tyre cila do të lente vend për komunikim e afektivitet. Në këtë dramë Shatrolli ndriçon me mjeshtri raporte të tendosura që ndonjëherë orvaten të sajojnë diçka e megjithatë ndeshen me pakuptimësinë dhe shterrjen e vetes. Personazhet « janë të lodhur e të zbrazur » pas përpjekjeve për gjetur një hapësirë të përbashkët të komunikimit. / KultPlus.com