Ura e Bosforit në Stamboll stoliset me ngjyrat kuq e zi

Ura simbol e Stambollit, ajo e Bosforit është “ngjyrosur” sot me ngjyrat e flamurit kuq e zi.

Kjo është bërë e mundur nëpërmjet Konsulles së përgjithshme Blerta Kadzadej dhe stafit të kosullatës shqiptare në Turqi.

Një mënyrë kjo për të uruar shqiptarët për festën e Pavarësisë. Mijëra turistë që vizitojnë Stambollin kanë parë sonte ngjyrat e flamurit tonë kombëtarë në një nga destinacionet më të preferuara turistike në Stamboll. Dritat kuq e zi do të qendrojnë të ndezura deri nesër në orën 7:30./ KultPlus.com

Mbahet dita e parë e trajnimit të gazetarëve mbi të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Gazetare Suada Qorraj

Fotografitë Nok Selmani

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery gjatë ditës së sotme është mbajtur dita e parë e trajnimit për gazetarë mbi të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ky trajnim ka për synim rritjen e të drejtave kundrejt këtyre komuniteteve, shkruan KultPlus.

Në këtë trajnim i cili është edhe një nga projektet e KultPlus, pjesëmarrësit patën mundësinë që të njoftohen me gjendjen e mediave dhe raportimin që bëjnë këto media lidhur me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Në ditën e parë u bë njoftimi me rregullat dhe etikën që duhet ndjekur gjatë këtyre raportimeve si dhe shkeljeve të shumta që janë bërë deri më sot.

Kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti u shpreh se projekti i cili ka filluar të implementohet që në muajin maj është një përvojë dhe shembull për mediat tjera se si duhet të nxirren rrëfime jo vetëm nga komunitetet pakicë, por edhe gjithë shoqërinë në përgjithësi.

“Projekti që kemi realizuar prej majit e deri më tash, me një qasje pa i prezantuar si viktima, persona të ndryshëm nga komuniteti rom, egjiptian dhe ashkali ka qenë një përvojë dhe një shembull edhe për mediet tjera se si mund të nxjerrim rrëfime model jo vetëm për komunitetet pakicë por për shoqërinë në përgjithësi. Mediet, dhe jo vetëm mediet duhet të kenë parasysh që komunitetin pakicë nuk duhet ta trajtojmë as me përkëdhelje por as me sforcim, por të paraqesin gjendjen e tyre në mënyrën më të rrjedhshme, duke respektuar etikën e gazetarisë”, ka thënë Pajaziti.

Ajo ka shtuar se rrëfimet e publikuara deri më sot kanë dëshmuar se në vend ka shumë persona të rëndësishëm nga komunitetet që kanë bërë një punë të madhe për të dëshmuar vetën e tyre.

“Rrëfimet që kemi nxjerrë deri më tani kanë treguar se kemi shumë persona të rëndësishëm nga komuniteti pakicë që kanë bërë shumë për komunitetin e tyre duke dëshmuar se vetëm me punë mund të jesh i barabartë në çdo fushë të cilës edhe i takojnë këto profile”, ka përfunduar kryeredaktorja.

Ndërkaq Imer Mushkolaj, ligjëruesi kryesor i këtij trajnimi tha se kjo ditë ishte mjaft interesante. Sipas tij asnjëherë nuk është mjaftueshëm të flasim për komunitetet pakicë, e sidomos në rastet kur në media është problematike mënyra e qasjes së tyre kundrejt këtyre temave.

“Ishte ditë interesante për shkak se folëm për gjëra interesante. Nuk është asnjëherë e mjaftueshme me folë për komunitetet, sidomos komunitetet jo shumicë me idenë që mediat dhe gazetarët kanë probleme me mënyrën qysh ju qasen. Ndonjëherë edhe pa vetëdije dhe për këtë shkak, pra është e rëndësishme të diskutohet edhe të shihet se cilat janë mënyrat më të mira që këto komunitete me u trajtu në mënyrë të barabartë sikurse edhe pjesëtarët e komuniteti shumicë në kohën ose në rastet kur raportojmë për ta”, tha Mushkolaj.

Ai ka shtuar se hapësira që u kushtohet komuniteteve pakicë kryesisht fokusohet tek rastet që kanë të bëjnë me krimin, kronikën e zezë si dhe rastet sociale. Sipas tij në media ekziston një hapësirë shumë e vogël që u kushtohet arritjeve te pjesëtareve të komuniteteve pakicë.

“Për fat të keq hapësira që ju ofrohet është më shumë e fokusuar tek rastet që kanë të bëjnë me krimin, kronikën e zezë dhe me rastet sociale, po pak i jepet hapësirë asaj anës tjetër të pjesëtareve të komuniteteve që ka të bëjë me anën e “ndritshme”(ta themi në thonjëza), kryesisht më pjesëtaret e komuniteteve që kanë arrit diçka në jetë, që janë student të zotët, mjek të zotët apo edhe artist, e kjo është e rëndësishme të publikohet në mediat tona, që të mos krijohet përshtypja tek publiku se jeta e këtyre komuniteteve është vetëm bardh e zi”, shtoi tutje Imer Mushkolaj.

Kurse njëra nga pjesëmarrëset e këtij trajnimi, Edona Shala tha se përgjatë këtyre dy ditëve pret të mësoj më tepër rreth raportimit korrekt për komunitete të cilat janë të margjinalizuara. Ajo ka shtuar se synon të aftësohet që t’ju ikë raportimeve të zakonshme steriotipizuese që bëhen kundrejt pjesëtareve të komuniteteve pakicë.

“Unë prej këtij trajnimi pres të mësoj më shumë për të drejtat e komuniteteve dhe si të raportoj korrekt për këto komunitete të cilat janë të margjinalizuara. Gjithashtu pres të aftësohem se si të mos bëjë stigmatizim dhe të mos paraqes stereotipet e zakonshme që paraqiten gjithmonë në shumicën e mediave”, tha ajo.

Tutje Shala ka shtuar se paraqitja e komuniteteve në media nuk fokusohet në të dy anët e medaljes, duke e mënjanuar tregimin e storieve të suksesit për këto komunitete.

Trajnimi do të vazhdoj edhe gjatë ditës së nesërme  dhe pas përfundimit të këtij trajnimi gazetarët pjesëmarrës do të realizojnë nga një artikull për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian.

Ky trajnim është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ./ KultPlus.com

Si e pritën Arbereshët Ismail Qemalin, para shpalljes së Pavarësisë

Tre vite përpara shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali është pritur me nderime nga Kolonia e Horës së Arbëreshëve, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Shqiptare për Pavarësi. Me rastin e festës së “28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë”, shkrimtari arbëresh Zef Schirò Di Maggio, risjell disa fakte historike rreth asaj dite që lidhen me mbështetjen dhe reagimet e komunitetit arbëresh më këtë ngjarje të madhe të historisë së popullit shqiptar. Duke iu referuar botimit të Akteve të të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, (Tirane 1978), citon një telegram të nëntorit 1912, me titull “Protestë kundër synimeve pushtuese të shteteve ballkanike ndaj Shqipërisë”.

Aty thuhet: “Kolonia e Horës së Arbereshëvet, në rrethin e Palermos, pas afro pesë shekuj jetese në tokën mikpritëse italiane, megjithëse ka ndjekur fatin e atdheut të madh italian në ditë të mira dhe në ditë të këqia, nuk e ka harruar atdheun e saj të prejardhjes, “fatkeqen Shqipëri”…. Në çastet më te vështira te jetës shqiptare, kjo ka ndjekur me zemër te dridhur dhe me vemendje të madhe fatet e kombit fatkeq. Sot që guximi i shteteve ballkanike, të cilët i kanë lënë mënjanë luftrat e tyre për liri e pavarësi, kërkon ta fusë në katastrofën osmane edhe popullin e Skënderbeut, qytetarët e Horës së Arbëreshëvet janë ngritur dhe protestojnë para gjithë botës kundër këtyre lakmive të pabesa. Dhe bota nuk mund të mos marrë parasysh jetën dhe qenien e një populli. Prandaj po bëjmë protestën që vijon: Qytetarët e Horës së Arbëreshëvet, në orën tragjike që po kalon mëmëdheu, nuk mund të qëndrojnë pa e ndjerë thellë klithmën e pikëllimit që vjen nga vëllezerit të Tejadriatikut….”. Në shkrimin e tij Di Maggio kujton se lidhjet mes arbëreshëve dhe shqiptarëe nuk janë shkëputur asnjëherë dhe patriotët e mëdhenj arbëreshë, “dy për të gjithë, De Rada e Zef Skiroi Senior, i kushtuan jetën e veprën letrare Rilindjes së Shqipërisë.

Një tjetër fakt historik që tregon patriotizmin e pashuar të arbëreshëve, është pritja që i përgatitën kryetarit të lëvizjes shqiptare Imail Qemalit, gjatë vizitës së tij këtu në Horë, tri vjetë para që të shpallej Pavarësia. Pjetro Skaljone në librin e tij “Historia e Shqipëtarëvet t’Italisë” të botuar në New York më 1921, e ka dokumentuar vizitën që Ismail Qemal bey Vlora e Xhjafer Effendi Mbreshtani bënë këtu në Horë në maj te vitit 1909. Di Maggio e citon si më poshtë këtë dëshmi: «Populli i katundit Piana dei Greçi kishte dalë jashtë katundit, me flamure Shqipë edhe Italianë, me bandën muzikore Katundare për me pritur ardhjen e të çkëlqyervet Shqipetarë te një vent i përthënë Shën Meria e Boshit. Bashkë me popullin ishën tërë Shoqëritë të katundit me flamuret e tyre… Banda loste Kënga Kombetare. Kur për së largu u-panë Karrocat, populli me zë te fortë, thiri rroftë Shqipëria.

Kur Karrocat u afruan muzika lojti ymnin Shqipetarë, e pas ymnin Italian.

Populli si karrocat u afruan e njohi të dy Atdhetarët (Ismail Qemalin e Xhjafer Effendin) të cilët ishën në e para karrocë, thriti “Rroftë Shqipëria, Rrofshin vëllezërit Shqipetarë”.

Zoterinjtë e tyre, Ismail Qemali, e Xhjafer Effendi falenderonin popullin dyke nxjerë shapkat (Kapelat) e dyke derdhur lotë nga gëzimi. Muzika udhetonte përpara, e populli u për-nda me dy krahtë të udhës, e karrocat në mestrë popullit, ishtë tue me kënduar kënga popullore e u nisën për në katundë. Kur karrocat hijtin brënda në katundi, dy Atdhetarët i priti një çuditje, përse shkuan gjera të paharrueshme, gjith balkonat e dritsoret ishën të stolisur me bukuri të madhe, e mbretërojën bojlat kombëtare; balkonet e dritsoret ishën të mbushur me zonja, të cilat ishën tue me shtur lule mbi karrocat e me thirë “Rroftë Shqiperia, Rrofshin vëllezërit tanë të Shqipërisë”. Ismail Qemali me lotë në sy e me zëmërin prej gëzimit falejë popullit, kur karrocat arrinë në shtëpia të Zotit Kalorës Gjergji Zalapi ishën mbushur me lule». Për këtë vizitë ka shkruar edhe vetë Ismail Qemali në librin e tij “Memorie”./KultPlus.com

Burj Khalifa stoliset me flamurin shqiptar

Ngjyrat kuq e zi e kanë mbuluar edhe ndërtesën më të lartë në botë.

Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi ka bërë të ditur se sot ndërtesa më e madhe në botë, “Burj Kalifa”, e cila gjendet në Dubai, është ndriçuar me ngjyrat e flamurit kuq e zi.

“Sonte Dubai u zbukurua më shumë se kurrë. Në ndërtesën më të madhe në botë (Burj Kalifa) u ekspozua flamuri kuq e zi. Urime Dita e Flamurit”, ka shkruar ai në “Facebook”. Sot festohet 108 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë si dhe Dita e Flamurit./ KultPlus.com

Atdheu

Poezi nga Flutura Açka

Nga të erdh’ ky fat, kjo lukuni me zuzarë,

Kjo çetë “patriotë” që shpirtin ta kanë çarë,

I kqyrim ne, dhe presim, të vijë erë e mbarë,

E plagëve u bëjmë foto, trupit tënd të vrarë!/ KultPlus.com

Hapet ekspozita “Rrëfime Biografike” kushtuar Anton Çettës

Në kuadër të muajit të Anton Çettës, sot është hapur ekspozita “Rrëfime Biografike”, kushtuar profesorit Anton Çetta në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka falënderuar familjen Çetta që ka vënë në dispozicion të Muzeut Kombëtar dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që ta shohin dhe ta përjetojnë këtë histori, si pjesë e trashëgimisë shtetërore, për gjeneratat që vijnë

“Me i pa të gjithë ato foto e shkrime të ndryshme të tri gjeneratave të familjes Çetta është praktikisht historia e krejt zhvillimeve të popullit shqiptar nga shpallja e pavarësisë dhe vërtetë ju përgëzoj për këtë punë të mrekullueshme. Është më interes për gjeneratat e ardhshme gjithë kjo trashëgimi edhe kulturore, edhe historike të dorëshkrimeve të bëhet pjesë e trashëgimisë tonë shtetërore për gjeneratat që vijnë”, tha Hoti.

Ndërsa, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se kjo ekspozitë është një tregues për historinë e popullit shqiptar ndër vite.

“Gjithsesi që për neve është detyrë edhe kjo ekspozitë tregon për pjesën tonë shqiptare se si kanë rrjedhur edhe ngjarjet historike duke filluar një Shqipëri e madhe pastaj e ndarë me familje dhe gjithë kjo është një thesar i madh i historisë. Ne do të kujdesemi për këtë thesar tonë historik të cilin thesar e bëjnë njerëzit dhe dijetarët, e një ndër ta ka qenë edhe profesor Anton Çetta”, tha ajo.

Kuratori i ekspozitës, Skender Boshtrakaj, tha se ka qenë nder i veçantë për të që të ndihmojë familjen që të paraqesë jetën e profesorit Anton Çettës.

“Ai nuk ka lindur po thjeshtë këtij populli i ka ndodhur, i ka ndodh në shkencë, i ka ndodhur në aktivitetin e vet, i ka ndodh si zjarri dhe mendoj që kjo gjeneratë e ka për obligim qysh e kanë pasur historikisht paraardhësit tanë ruajtjen e zjarrit, e kanë për obligim me e ruajt kujtimin për këtë njëri, për këtë ndodhi dhe për figurat e ngjashme që i kanë ndodh kombit tonë. Ka qenë një nder i veçantë me ndihmuar familjen në një projekt të tillë që estetikisht me e pru në një mënyrë modeste qysh ka qenë jeta e tij, por në asnjë mënyrë vepra e tij”, tha ai./ KultPlus.com

Përurohet kompleti i veprave të Anton Çettës

Më 26 nëntor 2020 u bë përurimi i 13 vëllimeve të prof. Anton Çettës, me rastin e 100 vjetorit të lindjes dhe 25 vjetorit të vdekjes së profesorit.

Pas një pune disavjeçare të Degës së Folklorit me bashkëpunëtorë dhe me vajzat e profesorit, në përkrahje të plotë të Institutit Albanologjik, vëllimet arritën të botohen me financimin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës.

Përurimi i organizua nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Institutin Albanologjik, në kuadër të Muajit të Anton Çettës, të shpallur nga Ministrja e Kulturës e Kosovës, znj. Vlora Dumoshi, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Për veprimtarinë e prof. Çettës, për rëndësinë e veprave dhe ecurinë e projektit e të botimit, folën drejtori i Institutit Hysen Matoshi, udhëheqësja e projektit Leontina Gega- Musa e udhëheqësja e Degës së Folklorit  Arbnora Dushi. U shprehën falënderime në veçanti për bashkëpunētorët dhe mbështetësit, që e bënë të mundur realizimin e këtij projekti deri në finalizim.

Të pranishëm në këtë takim qenë edhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, të cilët e vlerësuan lartë veprimtarinë e prof. Çettës, respektivisht shprehën mirënjohje për punën e Institutit dhe dëshirë për bashkëpunime të mëtutjeshme.

Në emër të familjes së prof. Anton Çettës shprehu falënderime për Degën e Folklorit, Institutin Albanologjik dhe Ministritë e Arsimit e të Kulturës, e bija e profesorit Donika Çetta- Junçaj.

Gjithashtu aktivitetin e nderuan tenori Liridon Sejdiu me këngën premierë për Anton Çettën dhe nipi i prof. Çettës, Antonio Junçaj me ekzekutim në piano./ KultPlus.com

Rita Ora uron festën e pavarësisë në gjuhën shqipe

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të uruar ditën e flamurit, shkruan KultPlus.

Ajo nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, ka uruar ditën e flamurit në gjuhën shqipe, si dhe atë angleze .

“URIME DITA E FLAMURIT!!!! #28Nëntori Happy Independence Day #Albania”, ka shkruar Ora.

Tutje ajo në këtë postim ka bashkangjitur edhe dy fotografi, ku këngëtarja shqiptare ka të veshura qizme të kuqe me shqiponjën e vizatuar në to./KultPlus.com

https://twitter.com/RitaOra/status/1332705120031825921

AIDSSH kujton firmëtarin e deklaratës së pavarësisë Lef Nosi, pushkatuar nga regjimi komunist

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar kujton sot firmëtari i deklaratës së pavarësisë, Lef Nosi.

I lindur në Elbasan në prill të 1877, firmëtari i deklaratës së pavarësisë, Lef Nosi, kishte kontribut të spikatur patriotik, nënkryetar i Klubit ”Vllaznia”, themelues i shoqërisë “Afëdita”, i gazetës “Tomorri”, revistës “Kopështi letrar” e të tjera.

Ministër i Postë-Telegrafëve në Qeverinë e Ismail Qemalit, Lef Nosi është krijues i filatelisë shqiptare. Sipas familjarëve dhe të afërmve të tij, Qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, mes tyre ato me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”.

Veprimtaria e tij në shërbim të Shqipërisë vijoi në shumë drejtime, në hapjen e Shkollës Normale, në kryetar i bashkisë së Elbasanit, kontaktet dhe bashkëpunimet me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Faik Konicën e Fan Nolin, Mit’hat Frashërin e atdhetarë të njohur të kohës, në Janinë, Stamboll, Manastir e Bukuresht, po ashtu, me hulumtimin dhe botimin e dokumenteve me vlerë historike, folklorike, etnografike, me peshë për albanologjinë.

Njohës i disa gjuhëve të huaja, sipas bashkëkohësve thuhej se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas asaj të Mit’hat Frashërit, nga e cila, fondi i albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në Elbasan, mban vulën e tij.

Në vitet 1943-1944, Lef Nosi është një nga anëtarët e Këshillit të Naltë, Regjencës. Në përfundim të luftës, në 1945 arrestohet si kolaboracionist, për t’u dënuar me vdekje në gjyqin publik të 1946.

Lef Nosi pushkatohet më 20 shkurt të 1946, me Atë Anton Harapin dhe Maliq Bushatin, në Kodrën e Priftit në Tiranë.

I burgosur nga osmanët për veprimtari patriotike në përhapjen e gjuhës dhe arsimit shqip, i internuar nga pushtuesit italianë për aktivitet antifashist, i pushkatuar nga qeveria komuniste e pasluftës si kolaboracionist, Lef Nosit ende nuk i dihet vendvarrimi nga familjarët. Po ashtu, atyre që e strehuan dhe mbështetën.

Lef Nosi është dekoruar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës dhe është shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit, ku edhe është ngritur shtatorja e tij. Një rrugë dhe një shkollë në këtë qytet dhe në Prizren mbajnë emrin e tij. Studimet e Lef Nosit janë publikuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com

Zbulohet shtatorja e Skënderbeut në Prizren

Në Prizren sot për nder të 28 Nëntorit iu është zbuluar shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit, shkruan KultPlus.

Përderisa shtatorja e tij gjendet në plotë hapësira të qyteteve të Kosovës, tanimë këtë nismë e morri edhe qyteti antik.

 Përgjatë ceremonisë së zbulimit të shtatores, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mutaher Haskuka u shpreh se Skëdnerbeu ishte shembull për veprimtarët shqiptarë gjatë periudhave.

“Sot Skënderbeu dhe Lidhja shqiptare bashkohen në kryeqytetin historik të Kosovës së Adem Jasharit. Sot na bashkohen datat, figurat historike, qëllimet e tyre që u copëtuan në konferenca ndërkombëtare por përpjekja e popullit kurrë nuk u shua”, tha Haskuka. / KultPlus.com

Historia e vajzës që qëndisi flamurin kombëtar, Marigo Pozios

Marigo Pozio është emri i vërtetë i vajzës që qëndisi flamurin kombëtar, sipas një modeli të Dom Mark Vasës, për pajën në rininë e saj.

Ajo e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti. Më pas në gjithë dritaret e asaj godine janë valëvitur flamujt e stamposur nga Marigoja me përmasa 70 – 40 cm.

Marigoja ka qenë një nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe pavarësisë, por edhe një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së kësaj periudhe.

Pas shpalljes të pavarësisë, ajo lufton për krijimin e shoqërive patriotike dhe mirëbërëse dhe ia arrin qëllimit në muajin mars të vitit 1914 duke themeluar shoqërinë “Shpresa Kombëtare”, në të cilën ajo, si gruaja më e ditur e qytetit zgjidhet sekretare.

Lufta e Parë Botërore paralizoi veprimtarinë e shoqatës “Shpresa Kombëtare” dhe 23 janari i vitit 1921 shënoi rifillimin e aktiviteteve, duke pasur në krye Marigo Pozion, e cila kreu detyrën e drejtoreshës të përgjithshme të gazetës së parë të gruas shqiptare  “Shpresa e Kombit”, e cila si stemë kishte shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, dhe ku qëllimi kryesor ishte të grumbullonte rreth vetes të gjitha gratë dhe vajzat të cilat me bindje e tyre të vinin mbi çdo gjë interesat e atdheut dhe të luftonin për çështjen kombëtare të edukimit të tyre me veprimtarinë patriotike kulturore dhe artistike shkollimin dhe lartësimin e femrës shqiptare.

Në motivacionin e dekorimit të parë më 7 Mars 1960 pohohet pikërisht fakti se ka punuar pa u lodhur për mësimin e gjuhës dhe për çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare, duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare. Dekorata është me urdhrin e klasit të dytë dhe është vendosur në stendat e muzeut të pavarësisë në Vlorë. /CEO/ KultPlus.com

“Për Shqyptarë do t’ jét Shqypnija; kush ua prekë, ai kjoftë mallkue”

Poezi nga Gjergj Fishta:

Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastrijotit

Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,

Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vehet m’ t’ leta.

Bini, Toskë!….

Mbi njatë Flamur Perendija

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:

“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;

Kush ua prekë, ai kjoftë mallkue!”

Bini, Toskë!….

Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,

Qi vetë Zoti na ka dhanun,

Sod me e shkelë kamba e poshtnueme

E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?

Bini, Toskë!….

Ah; jo, kurr. Njiqind herë para

Kem’ me u shkri me gra, me fmi!

Kem’ me mbetë kortarë nder ara,

Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.

Bini, Toskë!…

M’ kambë, Sokola të Shqypnis!

Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet

Si pol veshet t’ Perendis,

Kah na ban hije prej qiellet.

Bini, Toskë!….

Ma mirë dekë me u shue nen hije

T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,

Se me rrnue nji jetë robnije

Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.

Bini, Toskë!….

Armët e Besen na i njeh bota;

Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,

Luften né na e msoi Kastrjota:

Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!

Bini, Toskë!…

Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!

Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!

Flamri i ynë, qé, u nis perpara:

Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!

Bini, Toskë!…. / KultPlus.com

Grupi muzikor suedez i bën dhuratë shqiptarëve versionin e tyre të ‘Xhamadani vija vija’

Muzika shqiptare vazhdon të admirohet edhe nga të huajt madje, edhe të performohet nga ata. Rok grupi ‘MadMan’s Choice’ kanë lansuar versionin e tyre të këngës “Xhamadani vija vija”, shkruan KultPlus.

‘MadMan’s Choice’ janë një grup alternativ i rok metalit nga Gothenburg Suedia. Mikpritja që hasën në Hardh Fest të Rahovecit teksa kishin ardhur që të performojnë, e shtyen grupin suedez të ndërmerr një iniciativë të tillë, e që ka ardhur si dhuratë ndaj publikut për 28 Nëntor.

“Ky projekt është një mënyrë për të treguar vlerësimin tonë për njerëzit e mirë dhe Kosovën e bukur. Puna në këtë projekt ishte përvojë shumë argëtuese dhe e paharrueshme”, kanë shkruar grupi në kanalin YouTube.

Ata bashkëpunuan me Bujar Berishën, Florent Boshnjakun dhe Berat Keqekollën për të sjellur një version të rokut të përzier me këngën e famshme shqiptare. / KultPlus.com

Dua Lipa shkëlqeu në koncertin e saj të drejtpërdrejtë “Studio 2054”

“Studio 2054” mbajti emrin e performancës së djeshme të drejtpërdrejtë të yllit shqiptar, Dua Lipa, shkruan KultPlus.

Asaj iu bashkuan Elton John, degë të FKA, Bad Bunny, Miley Cyrus, Kylie Minogue dhe të ftuar të tjerë gjatë koncertit.

“Future Nostalgia”, “Levitating”, “Break my Heart”, “Phycial”, “New Rules”, “Don’t start now” ishin disa prej këngëve që zëri i magjishëm i Lipës i jetësoi, duke i bërë artdashësit e saj të kenë momente të paharrueshme.

Ajo poashtu ka shpërndarë në Instagram disa foto nga ngjarja e djeshme, duke falenderuar një listë të gjatë njerëzish, të cilët e ndihmuan që “Studio 2054” të vie në formën më të mirë të mundshme.

“woweeeeeee ja ku e keni !!!!! Nuk mund të besoj se e gjithë kjo është bërë! Faleminderit shumë për të gjitha mesazhet tuaja të mrekullueshme për # Studio2054 🚀❤️ Do të doja ta riktheja atë moment pa pushim.. deri herën tjetër !!”, ka shkruar Dua.

Tutje, ajo ka theksuar rëndësinë e unfikimit të njerëzve të talentuar për ta sjellur “Studio 2054”.

“Faleminderit çdo personi të vetëm që më ndihmoi të bëja një show si kjo. Me të vërtetë nevojitet një ushtri që është grupi më i talentuar, i jashtëzakonshëm, kreativ dhe më i palodhshmi në biz!! Ndihem me fat që kam punuar me të gjithë ju dhe që ndava këtë moment që do të jetojë në zemrën time përgjithmonë !!”, shtoi Lipa.

Studio “2054” dëshmoi edhe një herë për sukseset që di t’i arrij Dua Lipa. / KultPlus.com

NATO uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

Aleanca Veriatlantike, NATO ka uruar Pavarësinë e Shqipërisë në 108 vjetorin e saj, shkruan KultPlus.

Në faqen zyrtare të NATO-së në facebook, NATO ka uruar shtetin shqiptar, duke i ftuar të tjerët në festimin e kësaj dite.

“Bashkohuni me ne në festimin e Aleatit tonë #Albania në Ditën e Pavarësisë së tyre.

#Ne jemiNATO”, ka shkruar Alenaca Veriatlantike.

Shqipëria është pjesë e NATO-s që nga viti 2009. / KultPlus.com

Dua Lipa uron 28 Nëntorin duke thënë se është krenari të jesh shqiptar

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa ka uruar festën e 28 Nëntorit, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, ajo ka publikuar një fotografi të sajën gjersa në prapavi ka flamurin kuq e zi.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin dhe postimin e Lipës:

28 NËNTORI !!! DITA E FLAMURIT !!! 🇦🇱 KRENARI TË JESH SHQIPTAR ❤️ URIME DITA E PAVARËSISË!!! / KultPlus.com

Tringa Rexhepi sjell versionin e saj për këngën “Moj e bukur Arbëri”

Teksa zëra të mrekullueshëm përgjatë historisë i kanë dhënë jetë këngës “Moj e bukur Arbëri”, kësaj nisme iu bashkua edhe këngëtarja Tringa Rexhepi, shkruan KultPlus.

Zëri i saj i butë që në fillim të kësaj kënge cover të bën për vete dhe i fal emocion interpretimit të këngës së njohur.

“Moj e bukur Arbëri” vie nga Rexhepi pikërisht në Ditën e Flamurit, 28 Nëntorit, si një shprehje artistike në formë urate ndaj kombit. Pranë Rexhepit për këtë interpretim ka qenë në piano dhe orkestrim bashkëshorti i saj, kompozitori kanadez Scott Christian.

Për KultPlus, Rexhepi është shprehur se ndjehet krenare që ka rastin nëpërmjet performancave të saj ta prezantojë kulturën shqiptare në Kanadë, atje ku jeton dhe vepron.

“Moj e bukur Arbëri” do të mbetet përherë një këngë e paharruar e popullit tonë. / KultPlus.com

Bateritë e ‘Tony Drum Studio’ sjellin magjishëm Himnin e Flamurit

Bateristë të shumtë në kuadër të ‘Tony Drum Studio’ për nder të ditës së 28 Nëntorit kanë sjellur perfomancën e tyre më të re, shkruan KultPlus.

Teksa jemi mësuar që vargjet e Himnit të Flamurit të përcjellen me plotë emocione nga interpretues të shumtë, kësaj radhe këta bateristë kanë lënë që melodia të flas vetë.

Instrumentet e shumta muzikore dhe manovrimet me gishtat e performuesve kanë sjellur një version tejet të këndshëm të Himnit të Flamurit.

Një melodi e fuqishme e dalë nga bateritë, e mbështjellur me ndjenjat që përçohen te audienca me Himnin e Flamurit, kanë bërë që ky interpretim të del fantastik.

Kujtojmë që ‘Tony Drum Studio’ herën e kaluar kanë bërë bujë nëpërmjet interpretimit të Bareshës. / KultPlus.com

Dumoshi uron 28 Nëntorin, thotë se në këtë datë Shqipëria u bë e barabartë me kombet evropiane

Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi ka publikuar një fotografi pranë pamjes së re të këtij institucioni kulturor, duke shprehur urimet e saj për 28 Nëntorin, shkruan KultPlus.

Dumoshi në foton e publikuar nga faqja zyrtare e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit duket pranë flamujve kuq e zi që kanë zbukurar hyrjen e këtij institucioni, teksa ka bashkangjitur edhe urimin e saj për festën kombëtare.

KultPlus ua sjell të plotë deklaratën e Dumoshit:

PËR 28 NËNTORIN – FESTËN E FESTAVE 🇦🇱❤️

Si sot, 108 vjet më parë, kombi ynë shqiptar, me vullnetin, zërin dhe forcën e përfaqësuesve nga të gjitha trevat etnike ku pati shqiptarë, shpalli pavarësinë, duke e bërë Shqipërinë të barabartë me kombet e tjera moderne evropiane.

Ndonëse për vite me radhë shqiptarët padrejtësisht mbetën jashtë kufijve të imponuar, me sakrifica arritën të ruajnë të shenjtë gjuhën, traditat dhe Flamurin kuq e zi.

28 Nëntori është dhe më kuptimplotë për ne shqiptarët e Kosovës meqë lidhet me ditëlindjen e Komandantit legjendar Adem Jashari i cili bëri kthesën e historisë së re e Kosovës.

Sot kur gëzojmë lirinë e munguar ndër shekuj, me të drejtë, si shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e Diasporë mund të konsiderohemi qytetarë të denjë europianë, të shquar në mikpritje, empati, maturi, përgjegjësi dhe dashuri për njëri tjetrin.

Patriotizmin sot e tregojmë më së miri duke qenë qytetarë të ndërgjegjshëm, që shtetin e kanë shtëpi, detyrë e përgjegjësi.

Gëzuar 28 Nëntorin!

Nder të përjetshëm baballarëve, martirëve e të rënëve!

Vlora e Kosovës  . / KultPlus.com

28 Nëntori bashkon tre ministrat e jashtëm shqiptarë

28 Nëntori përveç që ka qenë shënim i sukseseve kombëtare, sot është edhe ditë unfikuese për shqiptarët, shkruan KultPlus.

Këtë e dëshmuan tre ministrat shqiptarë nga tre vendet me popullsi shqiptare, teksa u lidhën në një video telefonatë.

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradina-Stublla, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj si dhe Ministri i Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani u bashkuan virtualisht për këtë ditë të madhe të kombit.

Në një reagim në Facebook, lidhur me video-telefonatën, Kryediplomati Cakaj u shpreh se me homologët e tij, e nisën këtë ditë me nderim të përulur për flamurin kuq e zi, bashkëndjenjë të thellë e vetëdije të plotë për rrugëtimin e përbashkët si komb shqiptar dhe, natyrisht, me urimet më të përzemërta për çdo shqiptar, kudo në botë. / KultPlus.com

Edi Rama për Adem Jasharin: Legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nëpërmjet një postimi në facebook ka kujtuar komandatin legjendar, Adem Jashari, shkruan KultPlus.

Rama ka shkruar për Jasharin që nga lindja e tij, e që përkon pikërisht me Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, jetës së tij për hir të atdheut si dhe vrasjes së gjithë familjes Jashari, duke lënë pak pasardhës prapa.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Edi Ramës:

ADEM JASHARI erdhi në këtë botë mu në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe iku nga kjo botë pasi e la trupin pa jetë si një monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku mbante flamurin kombëtar.

Historia e vdekjes që i dha përjetësinë atij e trungut të prerë të familjes së tij, i tejkalon kufijtë e të besueshmes dhe i ngjan më shumë një versioni të legjendës së Gjergj Elez Alisë, ku plagët në trup janë më shumë se nëntë e janë vetë trupat e njerëzve të gjakut të heroit, copëtuar nga plumbat e një bajlozi të stërmadh sa një ushtri e tërë armike që mësyu mizorisht mbi shtëpinë ku zhvillohet rrëfimi mitologjik.

Sikur ajo shtëpi e sharruar nga zjarri armik të mos ishte ende aty, sikur familjarët e vrarë të Adem Jasharit të mos ishin banorë të asaj shtëpie, që figurojnë një më një, në gjendjen civile të komunës Prekaz dhe sikur vetë Adem Jashari të mos ishte një njeri i gjallë deri në 7 marsin e vitit 1998, i cili figuron edhe si klient në regjistrin e hotelit “Arbëria” në Tiranë, do të ishte realisht e pamundur t’i besohej vërtetësisë së historisë mitike të komandantit legjendar të luftës së Kosovës.

Madje edhe vetë Besarta, shtojzovallja e mbijetuar e asaj masakre të pabesueshme, do të dukej si rrëfimtarja e përhumbur e një përralle, nëse familja Jashari nuk do të kishte qenë aty, mes një komuniteti të tërë shqiptarësh të zakonshëm prej të cilit u nda, e gjitha, menjëherë, në terrin mes dy ditëve të zakonshme mbi pllajën baritore të Prekazit.

Madje madje edhe ajo pllajë, e kthyer sot në një varrezë unikale dëshmorësh me një trung të vetëm familjar, nëse nuk do ishte aty, pjesë reale e gjeografisë së Kosovës, do të dukej si pejsazhi i krijuar nga peneli i imagjinatës për të qenë skena magjike e zhvillimit të gojëdhanës së lashtë, për një kreshnik me emrin Adem Jashari e familjen e tij.

Mirëpo jo, e gjitha është thjesht e vërtetë, e vërteta e pabesueshme e kulmimit epik të Luftës së fundit Çlirimtare në mes të Europës, bash në fund të shekullit XX, ku një popull i mohuar në të drejtën e tij për liri nga një diktaturë e urrejtjes etnike dhe i poshtëruar prej harresës së gjatë të botës demokratike, ngriti krye kundër urrejtjes e harresës dhe triumfoi kundër të gjitha paragjykimeve e parashikimeve.

Adem Jashari lindi në 28 nëntor dhe vdiq për të jetuar përgjithmonë, si legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë . / KultPlus.com

Osmani i shkruan Metës për 28 Nëntor, thotë se kjo është ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një telegrami i ka uruar 28 Nëntorin, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe të gjithë shqiptarëve.

Në letrën e Osmanit thuhet se 28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar.

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, thuhet në letrën e Osmanit dërguar Presidentit Meta.

Komunikata e plotë:

Osmani: 28 Nëntori- ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar

U.d. Presidentja e Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, nëpërmjet një telegrami e ka uruar Presidentin e Shqipërisë, z. Ilir Meta për festën e madhe të Flamurit, 28 Nëntorin!  

“Flamuri kombëtar prek ndjenjën e ekzistimit të kombit në histori. Ai është trashëgimi e përjetësuar në simbol. Qysh nga koha e Skënderbeut, ai i bën krenarë shqiptarët dhe i bashkon rreth një fryme. Prandaj, ata janë fort të lidhur për të, sepse, përveç tjerash, ua simbolizon lirinë. Kështu qe në Krujë, më 1443, në Vlorë më 1912 e në Prishtinë, më 1999. Prandaj, nuk është aspak rastësi që shqiptarët janë ndër të paktët popuj, i cili, duke treguar respektin e skajshëm ndaj këtij simboli, e ka lartësuar atë edhe në simbolin tjetër, himnin kombëtar”, thuhet në telegramin e u.d. Presidentes dërguar presidentit Meta.

Në telegram, thuhet se Dita e Flamurit është e veçantë, ndaj duhet rikujtuar trashëgimia jonë historike e kulturore.

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, përfundon telegrami i u.d. Presidentes Osmani dërguar Presidentit Meta. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Rama Lahaj publikoi këngën e re “Për ty Atdhe”

Tenori i njohur shqiptar, Rama Lahaj për nder të ditës së 28 Nëntorit ka lansuar këngën e tij më të re “Për ty Atdhe”, shkruan KultPlus.

Zëri i mrekullueshëm i Tenorit kombinuar me pamjet magjike të vendeve shqiptare kanë bërë që kjo këngë të duket madhështore për mesazhin që përqon dhe të dëgjohet gjatë, derisa ka njerëz të cilët çmojnë artin e mirëfilltë në këtë botë.

Në videoklipin e këngës “Për ty Atdhe” shfaqet tenori Lahaj me një vajzë, të cilët tërë skenimin e bëjnë për të përquar një mesazh të madh që vërehet në përfundim të këngës.

Prishtina, Prizreni, Tirana, Kruja e vendet tjera të dy shteteve shqiptare u bënë nikoqire e këngës më të re të tenorit, teksa përgjatë videoklipit shfaqen motive të kulturës shqiptare, si veshja, plisi dhe shumë elemente të tjera të cilat e kurorëzojnë këtë këngë.

Kënga muzikën e së cilës e kreu Pjetër Gaci, orkestrimin Shpëtim Saraçi dhe me video produksion nga Entermedia, në të gjitha pamjet shfaq dashurinë e një çifti të ri që vizitojnë vende shqiptare dhe praktikojnë tradita tona, teksa përmbyllja e këngës bëhet me propozimin e Lahajt ndaj vajzës pranë monumentit të Skënderbeut.

Kënga e cila në spot shfaq dashurinë e një çifti, mbaron me fjalët “O atdhe sot për ty të lumtur jetojmë”, e që edhe ndjenjat individuale bëhen shënuese të lirisë së atdheut. / KultPlus.com

“Mora fjalë” kumboi në Prekaz

Për hir të 28 Nëntorit, zëri i njohur shqiptar, Shkurte Fejza ka qenë e pranishme pranë memorialit të kompleksit Adem Jashari në Prekaz, shkruan KultPlus.

Nga vendi i heroizmave të një familje të madhe që dha jetën për lirinë, Shkurte Fejza interpretoi këngën e madhe që na rrëqeth ndër vite “Mora fjalë”.

Ajo ndodhej pranë varreve të Jasharajve dhe pranë shtëpisë së dikurshme të tyre, teksa i jepte zë fjalëve “Çohu Adem”.

Ashtu sikurse dedikimi i kësaj kënge, edhe tingujt e saj do të mbeten përherë një thesar kombëtar që na sjellin emocione të shumta. / KultPlus.com