Në ditën e publikimit, ‘We’re good’ nga Dua Lipa shndërrohet në këngën e ditës

Në ditën e parë të publikimit të saj, kënga e fundit e Dua Lipës, “We’re Good” nisi të ketë sukses, shkruan KultPlus.

Përveç dëgjueshmërisë në përmasa të madhe, ajo arriti edhe të vlerësohet nga platforma muzikore.

Kështu, platforma “Shazam” e vuri “We’re good” si këngën e ditës.

Kënga pritet të jetë një hit i radhës i këngëtares tashmë me famë botërore, pas hiteve të saj të mëparshme si “Don’t Start Now” dhe “Levitating”. / KultPlus.com

‘Ditët do t’i numëroj ndryshe për ty e brishta, aritmetika e mallit numëron me gishta’ (VIDEO)

Kur vargjet e poezive shndërrohen në ritëm tingujsh, sublimohen dy fusha artistike në të njëjtën kohë, shkruan KultPlus.

Poezia “Më ka marrë malli” nga Petrit Ruka, ishte interpretuar në mënyrë të mrekullueshme nga Ermira Babaliu.

Madje interpretimi fantastik i kësaj kënge kishte marrë pjesë edhe në filmin “Eja”.

KultPlus ua sjell videon e interpretimit të kësaj kënge dhe tekstin e saj:

Më ka marrë malli, shumë më ka marrë,
Tani në dhomën time nuk mbaj më kalendar…
Dhe një që e pata e bëra copë e çikë,
Ç’i kanë bërë muajtë me nga tridhjetë ditë ?!
Ditët do t’i numëroj ndryshe, për ty, e brishta,
Aritmetika e mallit,…numëron me gishta…
Më ka marrë malli, shumë më ka marrë,
Tani në dhomën time nuk mbaj më kalendar… / KultPlus.com

Arti në formën e zemrës jep dashuri dhe shpresë në vendet e goditura nga COVID-19

Gjatë pandemisë, Donald Verger i ka dhënë më shumë krijimtari fotografive të tij, duke i vënë fokus formës së zemrës.

Fotografitë e tij me krijimet në formë zemre të bëra me kristale shumëngjyrëshe janë vënë në shkolla dhe spitale të cilat janë goditur nga COVID-19, në SHBA.

Shumë artistë janë prekur po ashtu nga pandemia, megjithatë ata po gjejnë mënyra për t’u kthyer, shkruan AP.

Përpjekjet e Vergerit shfaqin kontributin e tij të vogël për t’i dhënë njerëzve një buzëqeshje apo një moment qetësie, krahas izolimit që kanë përjetuar për shkak të koronavirusit.

Ai ka dërguar rreth 25,000 kartolina prej zemre në shkolla dhe spitale. Punonjësit më pas u japin ato stafit, studentëve dhe pacientëve.

Tash vonë, ai ka dhuruar 10,000 kartolina me mbishkrim “Dashuri” në to. 10,000 të tjera kishin mbishkrimin “Shpresë”. /Koha/ KultPlus.com

Tradita shqiptare pjesë e projektit për ruajtjen e trashëgimisë në Spanjë

Shqipëria është përfshirë në projektin “STITCH” në Spanjë, “Ruajtja dhe Mësimi i Trashëgimisë Kulturore Tekstile Jomateriale”.

Ky projekt kombinon përpjekjet dhe burimet e entiteteve dhe institucioneve nga Italia, Hungaria dhe Shqipëria, të koordinuara nga “Centro Superior de Diseño Make Creativo”, me qendër në Zaragoza të Spanjës.

Për dokumentimin dhe punën e zhvillimit të projektit, ekipi i punës Make Creativo do të ketë bashkëpunimin e Këshillit të Qytetit Ansó (Huesca), Muzeut të Kostumeve Ansotano, Shoqatës Kulturore ‘A Cadiera’ dhe Muzeut të Zaragoza.

Projekti është fitues për financim nga Komisioni Europian në kuadër të programit Erasmus + dhe do të zhvillojë aktivitete trajnuese për projektues dhe studentë të dizajnit, punëtori me artizanë dhe prodhimin e video dokumentarë, një katalog në internet dhe një skanim 3D i kostumeve tradicionale nga katër vende evropiane.

Projekti synon t’i përgjigjet mbrojtjes dhe promovimit shoqëror dhe arsimor të trashëgimisë evropiane të tekstilit, posaçërisht kostumit tradicional, me praktika inovative në epokën dixhitale.

Subjektet që janë pjesë e këtij konsorciumi janë, përveç Make Creativo, Universiteti i Artit dhe Projektimit Moholy-Nagy (Hungari), Universiteti i Tiranës (Shqipëri) dhe Museo del Tessuto di Prato (Itali), një nga muzetë më prestigjozë në Evropë për historinë e modës dhe tekstileve, duke mishëruar një traditë industriale prej më shumë se 800 vjetësh.

Projekti STITCH do të dokumentojë kostume tradicionale hungareze dhe shqiptare, përveç Ansotano. Studimi do të trajtojë gjithçka që lidhet me trashëgiminë e prekshme dhe jomateriale të veshjeve. /dp/ KultPlus.com

Ora i bën krenarë shqiptarët, publikon këngën ‘Bang’ në të cilën shfaqet me veshje kombëtare (VIDEO)

Debutimi i këngëtareve shqiptare dhe përfaqësimi dinjitoz i vendit të tyre është duke vazhduar fuqishëm. Rita Ora na ka bërë krenar edhe një herë, nëpërmjet publikimit të këngës ‘Bang’, shkruan KultPlus.

E paralajmëruar ditë më parë nga artistja kosovare, ‘Bang’ erdhi si një dhuratë për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Rita Ora ka zgjedhur artin e saj muzikor dhe famën ndërkombëtare për t’ia bërë botës me dije për prejardhjen, kulturën dhe veçoritë e popullit të saj.

E shfaqur me veshje kombëtare të dizajnuara nga Valdrin Sahiti dhe me kërcime të veçanta, Ora ka fituar zemrat e publikut shqiptar.

Në anën tjetër, në videoklipin e këngës ‘Bang’ përveç veshjeve kombëtare, shohim edhe elemente tjera shqiptare. Në këpucën e Orës, shohim një shqiponjën kuq dhe zi, që këngëtarja e përdor për t’u identifikuar për prejardhjen e saj, të cilën përherë mundohet t’ia tregoj botës.

Kënga e sjellur në bashkëpunim me Imanbek, është në kuadër të 4 projekteve muzikore, me të cilat Ora do t’i gëzoj artdashësit e saj. / KultPlus.com

Piktura e Van Gogh del edhe në formë të LEGO-s

Piktura e famshme e Van Goghut, ‘Nata e Yjeve’ tanimë ka dalur edhe në formë të LEGO-s.

Tanimë ekziston mundësia që kjo pikturë e famshme, të jetë në duart e gjithësecilit si një lodër dore.
Kjo pasi që është aprovuar ideja për të krijuar LEGO me formën e kësaj pikture.
Seti për ndërtimin e kësaj pikture përbahet nga 1.552 pjesë LEGO, me forma dhe ngjyra të ndryshme.
Ky set i LEGO-s po cilësohet se do të jetë një nga më të lezetshmit që kjo kompani ka në treg. / KultPlus.com

Rilindja 12 shkurt 2005: Intervista e fundit me Presidentin historik Rugova

Shkruan Behlul Jashari

Intervista ekskluzive e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, dhënë në jubileun e 60 vjetorit gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja, botuar në 12 Shkurt 2005. Kjo është intervista e fundit – një nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin Rugova.

Mbititulli: Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i dha intervistë ekskluive gazetës ‘Rilindja’ në jubileun e 60-vjetorit

Titulli në faqen 1 e 2: Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin 

 Titulli në faqen 3: Shumë institucione ndërkombëtare e kanë kuptuar se Pavarësia e Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt

Titulli në faqen 4: Rilindja ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës

——————–

Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo 
zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i 
bashkësisë së kombeve të botës së lirë, ka theksuar Presidenti Rugova në një intervistën ekskluzive në jubileun e 60-vjetorit të gazetës Rilindja.

 “Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, 
  kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar z. Rugova.
“Unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet 
Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e 
Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe 
fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e 
shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha 
presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja.
Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe 
marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një 
fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha z. Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët 
tanë, ka theksuar z. Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa 
më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.”
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe 
qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka 
deklerësuar z. Rugova.

——————–

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili  ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për 
të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.


RILINDJA: Z.President, Pavarësia e Kosovës, nga një vizion e kërkesë e dëgjuar fillimisht nga Ju para më se 15 vjetëve, për çka populli i Kosovës në shtatorin e vitit 1991 u deklarua edhe me referendum me 99, 87 për qind të votave, tashmë është bërë çështje debati apo edhe angazhimi ndërkombëtar. Në Bruksel, në konferencën “Kosova drejt statusit final”, u tha se ka ardhur koha që statusi final i Kosovës nuk mund të presë më, ndërkohë që Grupi Ndërkombëtar i Krizave, edhe në Raportin më të ri për Kosovën, zgjidhje sheh Pavarësinë. Si i vlerësoni këto zhvillime? 

PRESIDENTI RUGOVA: Këto zhvillime të fundit i vlerësoj pozitive, sepse që gjashtë vjet pas luftës në liri, ne kemi bërë progres, prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës. Dhe, natyrisht, atë që e përmende ti, prej një vizioni, prej një vullneti, që ishte i popullit, dhe që u vërtetua më 1991, pastaj periudhat që erdhën më vonë, ishte një çështje që u ngrit dhe u avancua me organizimin tonë që e bëmë, që u organizuam si popull, si shoqëri, si shtet. Dhe, jemi sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë së Kosovës, që Kosova dhe populli i saj më në fund të jetë një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë. 

RILINDJA: Ky vit është paralajmëruar si Vit i Kosovës, shumë i rëndësishëm, madje edhe vendimtar. Çka do të sjellë vera, mesi i këtij viti, kjo kohë e caktuar nga komuniteti evroatlantik për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe çështjen e Statusit final të Kosovës? 

PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Ndërsa është pikëpamja tjetër, apo rruga tjetër ndërkombëtare, që të bëhet një vlerësim i progresit në Kosovë, i normave, apo që u thonë standarde, por ato janë, unë them, më shumë norma ndërkombëtare prioritare për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe, natyrisht, tash do të jetë një vlerësim i kohëpaskohshëm. Ju e dini, Këshilli i Sigurimit ka bërë një vlerësim në fund të nëntorit, pastaj do të ketë edhe vlerësime të tjera, edhe vlerësimet që do të shkojnë gradualisht, edhe që do të thuhet se Kosova i ka përmbushur normat që janë paraparë dhe të bisedohet për Pavarësi, unë nuk po them statusi final me eufemizëm apo me diçka tjetër. Po, unë mendoj se kjo rruga që të njihet drejtpërdrejt është shumë më e mirë e më efikase dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës, edhe po punoj në këtë rrugë, në rrugën e parë më shumë jam përqendruar, natyrisht edhe në rrugën e dytë që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare këtu në Kosovë t’i avancojmë këto çështje. 



RILINDJA: Që të arrihet me kohë dhe suksesshëm në cak, a ka edhe një fuqizim të dinamikës në ecje dhe prioritete në përmbushjen e Standardeve? Dhe, cilat janë prioritetet? 

PRESIDENTI RUGOVA: Është stabiliteti politik, si për çdo vend që duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, pastaj mbrojtja e minoriteteve apo e grupeve etnike, apo si doni t’u themi, dhe është edhe një reformim i administratës së përgjithshme, një reformim i pushtetit lokal, që kërkohet nga shumë vende për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe ne, siç e dini, kemi filluar në këto çështje të punojmë që nga viti i kaluar, pastaj sivjet më shumë, është një dinamikë më e madhe e Qeverisë së re, natyrisht edhe e UNMIK-ut, sepse ne, së bashku me UNMIK-un, duhet t’i ecim këto punë, dhe me kalimin e kompetencave, duhet të zhvillohen këto më shumë. Po punojmë, pra, që të arrijmë dhe të bëhet një vlerësim pozitiv për afrim në Bashkimin Evropian sa më shpejt. 

RILINDJA: Grupi i Kontaktit, që takohet rregullisht edhe në Prishtinë, ka theksuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve kosovarë në procesin politik në Kosovë, duke e vlërësuar këtë si rrugën më të mirë për zgjidhjen e shqetësimeve të ligjshme të tyre. Nga diplomatë perëndimorë krijimi i një shoqërie tolerante dhe multietnike shihet si një standard përmbyllës i të gjitha standardeve për Kosovën. Ju vazhdimisht angazhoheni dhe bëni thirrje që serbët e Kosovës të marrin pjesë në procese dhe të integrohen në institucionet e në shoqërinë kosovare. Si i vlerësoni zhvillimet në drejtim të këtyre kërkesave e qëllimeve? 

PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, sa u përket komuniteteve, në këtë rast serbëve, ne i kemi vendet e rezervuara në Parlament për të gjitha minoritetet – 20 vende, 10 i kanë serbët, në Qeveri minoritetet tash i kanë 3 ministri – 2 serbët, një të tjerat. Ata duhet t’i marrin këto vende, dhe kanë filluar t’i marrin një grupacion i bashkësisë apo i minoritetit serb, dhe kjo është ajo jeta demokratike që mund të zhvillohet edhe brenda tyre, por edhe brenda Kosovës, dhe shpresojmë se do ta kuptojnë dhe do të marrin pjesë edhe në Parlament, ku një grupacion merr pjesë, dhe duhet edhe ata të vendosin të integrohen në shoqërinë e në shtetin e Kosovës. Prandaj, kjo është edhe e ardhmja e tyre. Dhe, ne nga ana jonë, i kemi kryer obligimet, edhe natyrisht si njerëz edhe si politikë, ne insistojmë dhe tregojmë gjithnjë e më shumë vullnet të mirë, por edhe ata duhet të tregojnë një vullnet të mirë për të punuar në institucionet e në shoqërinë e Kosovës. 

RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet? 

PRESIDENTI RUGOVA: Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre. 

RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda? 

PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave. 

Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara. 



RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi? 

PRESIDENTI RUGOVA: Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik. 

Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj. 

Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë. 

RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon? 

PRESIDENTI RUGOVA: Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok. 

RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike? 

PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë. 

RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit. 

PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.

PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!

RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President. / KultPlus.com

Anulohen dy çmime letrare në manifestimin ‘Flaka e Janarit 2021’

Janë anuluar dy çmime të manifestimit letrar “Flaka e Janarit 2021”, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet i cili organizohet nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, ka dy gara të ndryshme, njëri në kuadër të orës së madhe letrare për çmimin “Pena e Flakës” dhe konkursi anonim letrar për poezi dhe prozë.

Grupi punues i këtij manifestimi në përbërje nga Sabit Rrustemi, Albina Idrizi e Nexhat Rexha, ka bërë verifikimin e krijimeve të shpërblyera letrare nga ana e Jurisë profesionale ( Adem Gashi, Linditë Ramushi Dushku e Mehmetali Rexhepi ) dhe i konstaton këto gjetje:

Poezia e shpërblyer me Çmimin e dytë nga ana e Jurisë, e titulluar “BALADË”, me shifër “Vetëm 5 minuta” autore e së cilës doli të jetë Rozafë Shpuza nga Shkodra dhe tregimi i shpërblyer me Çmimin e tretë nga ana e Jurisë letrare, i titulluar “PALLATI I SORRAVE”, pa shifër, që doli të jetë më pas i Bajramali Selimit nga Gostivari kanë qenë të publikuara më parë në medie.

Nisur nga këto dy të dhëna,  shihet qartë se publikimi paraprak i këtyre dy krijimeve e zhvlerëson anonimitetin e tyre dhe bie ndesh me kriteret  e Konkursit anonim letrar, të bëra publike që nga 9 dhjetori i vitit 2020 e deri më 9 janar 2021.

Meqë këto kritere të mos publikimit të krijimtarisë në medie paraprakisht kanë qenë në fuqi tash e tridhjetë vjet, dy çmime, anulohen vetvetiu. / KultPlus.com

Shoqëria e dramës “Dora D’Istria” në Worcester më 1941 (FOTO)

Më katër korrik 1923 komunitet shqiptar në SHBA do të shihte për herë të parë Faik Konicën e letrave, në rolin e regjisorit të teatrit, ku do të ngjiste në skenën e “Arlington Theatre”, Boston tragjedinë “Otello” përkthyer në shqip nga vet shkrimtari shqiptar.

Konica nuk ishte i vetmi shqiptar në SHBA që bëri art në gjuhën shqipe.  Sipas të dhënave të komunitetit shqiptarë në Worcester ka ekzistuar një shoqëri e dramës e cila mbante  emrin ‘Dora D’Istria’.

Gjatë sezonit artistik të viti 1941 kjo shoqëri ka vënë në skenë dramën shqiptare “Karl Topija” (1923) të Kristo Floqit.

Në këtë foto kortezi e Albanian Community of Worcester është trupa e plotë e aktorëve të shfaqjes. / dp/ KultPlus.com

Taylor Swift rikompozon këngën e saj ‘Love Story’

Taylor Swift ka rikompozuar versionin e këngës së saj hit “Love Story” si përpjekje për të marrë kontrollin mbi veprat e saj.

Incizimet origjinale të Swftit ishin shitur më 2019 pa dëshirën e saj dhe kjo ka shtyrë atë të kthehej në studio dhe të incizonte sërish gjashtë albumet e saja të para, shkruan BBC-ja të premten.

Këngëtarja do jetë pronare e këtyre incizimeve për të cilat ajo shpreson që mund t’i zëvendësojnë origjinalet.

Po cilat janë ndryshimet e këngës “Love Story” të vitit 2008 me atë të vitit 2021?

Teksti është i njëjtë, por jo edhe muzika.

“Më të vërtet doja që grupi im muzikor ta luante këtë këngë në këtë version”, ka thënë Swift. “Sepse ka vite që ata luajnë këtë këngë sërish dhe sërish”.

Gjithçka tingëllon më e mprehtë dhe ka më shumë ndërprerje në mes të instrumenteve. Kjo ju lejon që të vëreni disa detaje të vogla që ju kishin ikur te kënga origjinale.

Zëri i Swiftit është pjekur gjithashtu. Ka shumë thellësi dhe ngrohtësi në vokalet e saj; dhe ajo këndon më qartë (krahasoni ndarjen midis fjalëve “sytë e mi” në vargun hapës). Sidoqoftë, ajo bën një punë të mirë për të kapur pafajësinë romantike që ajo përçoi së pari si një 18-vjeçare.

Ka edhe detaje të tjera të vogla. Kitarat elektrike në dekorimin e këngës janë pak më pak të ashpra. Një violinë që ishte shumë më e lehtë tani është papritmas shumë më e spikatur.

Por ju mund të kaloni midis dy këngëve dhe mezi të vëreni ndryshimin. Çka është pikërisht ajo që dëshironte Swift? Regjistrimet e reja synojnë të zvogëlojnë vlerën e këngëve të saj origjinale. /Koha/ KultPlus.com

”Tre musketierët” sërish në kinema me Vincent Cassel dhe Eva Green

Një përshtatje e re në kinema e romanit “Tre musketierët” e Alexandre Dumas, është duke u përgatitur në Francë me veçanërisht Vincent Cassel dhe Eva Green në rolet kryesore, njoftoi sot produksioni.

Romani aventuresk tashmë ka frymëzuar shumë adaptime ose vepra origjinale për ekranin e madh, në Francë apo në Hollywood.

Nga Gerard Depardieu dhe John Malkovich në “Njeriu me maskën e hekurt” (1998) ose Philippe Noiret dhe Claude Rich në Bertrand Tavernier (“Vajza e D’Artagnan”, 1994), aktorët prestigjiozë kanë qenë pjesë e kësaj vepre.

Për këtë projekt të ri, realizimi i është besuar francezit Martin Bourboulon, specifikuar kompanitë ”Pathé” dhe ”Chapter 2”.

Autor i dy komedive, “Papa ou Maman” dhe “Papa ou Maman 2”, ai gjithashtu drejtoi filmin  shumë të pritur “Eiffel”, me Romain Duris në rolin kryesor, i cili është planifikuar të dalë në 5 maj.

Përveç Vincent Cassel (Athos) dhe Eva Green (Milady), Romain Duris (Aramis) dhe Pio Marmaï (Porthos) do të jetë pjesë e aktorëve. Dhe është François Civil ai që do të veshë kostumin e Artagnan.

Përshtatja e tekstit i është besuar dyshes Matthieu Delaporte dhe Alexandre de la Patellière.

“Dy pjesë janë planifikuar tashmë, ‘D’Artagnan’ dhe ‘Milady’, të cilat do të xhirohen njëkohësisht, në Francë, për një buxhet prej 60 milionë euro”, tha ”Pathe”./ata/ KultPlus.com

Qytet i gjelbër në gjethe zambaku uji

Projekti ambicioz “BiodiverCity”, i cili do të ketë 1.820 hektarë tokë, u iniciua nga qeveria e shtetit malejzian të Penang të Malejzisë

Qëllimi i krijimit të këtij destinacioni global do të inkurajojë rritjen ekonomike dhe kulturore të Penangut, i cili mbron e biodiversitetin e zonave bregdetare dhe habitatet e tyre natyrore

Secili nga tre ishujt e ”BiodiverCity”-it do të kenë formën e zambakëve të ujit dhe do të përmbajnë lagje me përdorim të përzier, 242 hektarë parqe, 4.6 kilometra plazhe publike dhe një vijë bregdetare të gjatë 25 kilometra, transmeton KultPlus.

Afro 15.000 deri 18.000 banorë do të kenë nga një shtëpi të re në secilën prej distrikteve të ishullit, ku ata do të përdorin burime të ripërtëritshme të energjisë, ujë nga burime lokale, si dhe sisteme të përpunimit të mbeturinave.

Një kombinim i bambusë do të përdoret si material ndërtimi, trungu malajzian dhe “betoni i gjelbër” i bërë nga lëndë të parë të ricikluar.

Të gjitha këto zona do të jenë të liruara nga makinat tradicionale, në vend të të cilave do të qarkullojnë automjete ekologjike – në tokë, ujë dhe ajër dhe do të ndërtohen shtigje të shumta për këmbësorë dhe biçikleta.

Ishujt do të kenë gjithashtu një rrjet korridoresh ekologjike midis 50 dhe 100 metra të gjera, të cilët do të shërbejnë si rezervate natyrore dhe parqe që inkurajojnë zhvillimin e biodiversitetit. / KultPlus.com

OKB-ja: Së paku 400.000 fëmijë të Jemenit mund të vdesin nga uria këtë vit

Katër agjenci të Kombeve të Bashkuara thanë të premten se së paku 400.000 fëmijë nën moshën 5-vjeçare në Jemen mund të vdesin nga uria këtë vit, nëse nuk bëhet ndërhyrje urgjente. Kjo gjendje është përkeqësuar edhe nga kequshqyerja e rëndë, e shkaktuar nga lufta dhe pandemia e koronavirusit.

Paralajmërimi i tmerrshëm vjen gati gjashtë vjet pas shpërthimit të luftës që rreth 80 për qind të popullsisë e la të varur nga ndihmat humanitare, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Në raportin e publikuar të premten, agjencitë e Kombeve të Bashkuara parashikuan 22 për qind rritje të kequshqyerjes së rëndë akute te fëmijët nën  moshën 5-vjeçare në Jemen, në krahasim me vitin 2020.

Kequshqyerja e rëndë akute nënkupton se ka rrezik të vdekjes nga mungesa e ushqimit. Adeni, Hodeidah, Taizi dhe Sanaa janë në mesin e rajoneve më të prekura nga kequshqyerja, thuhet në raport.

“Këto shifra janë një thirrje tjetër për ndihmë nga Jemeni, ku secili fëmijë i kequshqyer nënkupton një familje që po përpiqet për mbijetesë”, tha drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley, në një deklaratë të përbashkët me Organizatën për Ushqim dhe Bujqësi, UNICEF-in dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Gjatë vitit 2021, pritet që në Jemen nga kequshqyerja akute të vuajnë rreth 2.3 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare. Kequshqyerja e fëmijëve dhe nënave në Jemen është përkeqësuar me kalimin e viteve të konfliktit, thanë këto organizata. Në rëndimin e situatës më pas kanë ndikuar edhe shkalla e lartë e sëmundjeve dhe mungesa e sigurisë së ushqimit. /KultPlus.com

Aurela Gaçe publikon këngën e re “Një pikë”

Këngëtarja e njohur shqiptare, Aurela Gaçe, ka publikuar këngën e saj më të re.

“Një pikë” mban titullin kjo këngë, të cilën Aurela e ka sjellë fillimisht vetëm në versionin audio për publikun e saj të gjerë, me një tekst që i këndon mallit dhe dashurisë

Ky është projekti i parë muzikor që këngëtarja nga Shqipëria sjell për vitin 2021.

Përndryshe Aurela Gaçe njihet për energjinë e saj, të cilën arrin ta shfaqë në secilën paraqitje publike që bën.

Porse sikur shumë kolegë të saj, edhe për Aurelën koha e pandemisë e ka kufizuar atë si me koncerte ashtu edhe me aktivitete tjera muzikore, por gjithsesi ajo nuk i lë në pritje adhuruesit e muzikës që i kanë qëndruar besnik gjatë karrierës. / KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive’

Tirana 101 vite kryeqytet vjen përmes 60 fotografive në kalanë e Tiranës. Ekspozita që u çel të enjten me titull “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive” shënoi dhe 101 vjetorin e Tiranës kryeqytet në mjediset e kalasë.

Ekspozita përmban fotografi të rralla nga Arkivi Qendror Shtetëror, por edhe kartolina nga koleksionistët dhe objekte autentike dhe elementë të veshjeve tiranase.

Në hapje të kësaj ekspozite, Ardit Bido, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave theksoi rëndësinë e datave të tilla për të treguar edhe çfarë ruhet në fondet arkivore, si një moment me rëndësi për kujtesën. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori Bido vijoi se në këtë ekspozitë tregohet një pjesë e historisë së kryeqytetit tonë.

“101 vjetorin e Tiranës vendosëm ta kremtonim përmes kësaj ekspozite, ku shfaqen imazhet e vjetra të kryeqytetit, para vitit 1945. Këtu tregohet një pjesë e historisë së tij, me ndërtesat historike me funksion publik, banesat e Tiranës, ngjarje dhe personazhe”, u shpreh drejtori Ardit Bidon në fjalën e tij për ekspozitën “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive”.

Në fjalën e tyre znj. Klodiana Toptani administratore e kalasë dhe z. Andi Seferi zv/kryetar i Bashkisë Tiranë, theksuan se kjo është një datë me rëndësi jo vetëm për kryeqytetin, por për shqiptarët ndaj edhe duhet kujtuar në çdo formë. Historia e Tiranës vjen përmes dhjetëra fotografive të rralla, por objekte të ndryshme nuk janë më.

E pranishme në hapjen e ekspozitës, Mirela Bogdani, kryetare e shoqatës “Tirana Intellectum” ndër të tjera tha se duhet ruajtur ajo që ka mbetur në kryeqytet. “Shumë nga këto fotografi që ne shohim sot kanë mbetur thjesht fotografi, pasi thuajse asgjë prej tyre nuk ekziston. Kjo është jo vetëm një ditë kujtese por edhe një moment për të bërë thirrje që të ruajmë atë që ende ka mbetur në kryeqytet”, tha ajo.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur për disa ditë në Kalanë e Tiranës, në hapësirën publike të ekspozitave për cilindo që dëshiron të shohë Tiranën siç ka qenë, përmes fotografive por edhe objekteve autentike.

Tirana, 101 vjet kryeqytet

Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në janar 1925.

Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Muzeu Historik Kombëtar dje publikoi një material, ku thuhej se më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm këshillin e lartë dhe qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912.

Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.

Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë: Mosprania e forcave të huaja (pushtuese), pozita gjeografike në qendër të vendit, patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, dhe ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm.

Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në fillim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).

Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare, kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë./sot/ KultPlus.com

Kina feston vitin e ri hënor (FOTO)

Pandemia e Coronavirusit po detyron shumë njerëz në të gjithë botën të ndryshojnë mënyrën e festimit të Vitit të Ri Hënor, festa më e rëndësishme në kalendarin kinez të zodiakut, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Qindra miliona njerëz zakonisht stërmbushin autostradat, trenat dhe aeroplanë për të ardhur në shtëpi dhe për të festuar me familjen e tyre. Por qeveritë po i dekurajojnë njerëzit nga udhëtimet këtë vit nëse nuk është e domosdoshme.

Festivali 15-ditor fillon të premten, 12 Shkurt, dhe ky do të jetë Viti i Kaut.

Më poshtë ju sjellim disa fotografi nga atmosfera. / KultPlus.com

Rita Ora mezi pret publikimin e projektit të ri i cili përmban katër këngë

Rita Ora po mundohet ta presë me durim publikimin e projektit të saj të ri të titulluar “Bang”.

Këngëtarja nga Kosova dje ka bërë publike datat e publikimit të projektit ndërkohë që gjatë ditës së sotme ajo ka publikuar në rrjetet sociale disa fotografi provokative me mbishkrimin: “Ulur këtu duke pritur me durim që të lansohet videoja”.

Projekti “Bang” thuhet se do të përmbajë katër këngë dhe ky është projekti i parë i saj që nga viti 2018 kur pati publikuar albumin “Phoenix”.

“Bang” përmban në vete edhe bashkëpunimet e artistes kosovare me DJ-n francez Davit Guetta, reperin amerikan Gunna dhe këngëtarin argjentinas KHEA.

Këngët që do të jenë të përfshira në këtë projekt janë: “Big”, në bashkëpunim me David Guetta dhe Gunna, “Bang Bang”, “Mood” në bashkëpunim me KHEA dhe “The One”. / KultPlus.com

Image

Historia frymëzuese e balerinës pa krahë, mahniti botën me artin e saj

Vitoria Bueno u regjistrua në klasën e baletit për herë të parë në moshën 5 -vjeçare. E lindur pa krahë, ëndrra e Vitorias për të qenë një balerinë dukej e parealizueshme, sidomos në një qytet të vogël në Brazil, por ajo u bë shumë shpejt një kuriozitete për shoqërinë.

“Njerëzit rreshtoheshin jashtë shtëpisë për ta parë”, tha nëna e saj Wanda. “Ata ngrinin mëngët e saj për t’ia parë krahët.”

Por Vitoria, tani 16 vjeçe u përqendrua në ëndrrën e saj, piruetat dhe sfidat e tjera teknike. Talenti i saj e ka bërë atë një yll të mediave sociale dhe një frymëzim për shumë njerëz.

“Për mua krahët janë vetëm një detaj”, tha Vitoria në teatrin ku ajo interpreton, transmeton KultPlus.

“Unë mendoj se janë atje”.

Mënyra sesi ajo rrëshqet në skenën prej druri, në sinkron me kolegët e saj të bën ta harrosh se ajo kërcen pa krahë.

“Unë ndihem sikur nuk kam nevojë fare për ta”, shtoi ajo.

Vitoria e filloi baletin me këshillën e fizioterapistes së saj, e cila vuri re se ajo kishte talent për të kërcyer. Më shumë sesa thjesht realizimi i një ëndrre, forca dhe fleksibiliteti i fituar nga kërcimi i kanë dhënë Vitoria forcën për të bërë gjithçka, nga larja e dhëmbëve deri te marrja e gjërave nga rafti me këmbët e saj.

“Ka gjëra që ajo mundet t’i bëjë me këmbë, ndërsa unë s’mund t’i bëj as me dorë”, tha gjyshi i saj, Jose Carlos.

Me më shumë se 150 mijë ndjekës në instagram, Vitoria është e lumtur të jetë një shembull model për të tjerët.

“Ne jemi më shumë se aftësitë tona, kështu që ne duhet të ndjekim ëndrrat tona”, tha ajo me një buzëqeshje në fytyrë. / KultPlus.com

Briri më i vjetër në botë: Dëgjoni tingullin e këtij instrumenti 18,000-vjeçar (VIDEO)

Shkencëtarët po analizojnë një guaskë kërmilli që besohet të jetë instrumenti më i vjetër frymor i llojit të vetë

Briri prej guaske u gjet gjatë gërmimit të vitit 1931 në një shpellë me piktura murale parahistorike në Pirenejet franceze dhe supozohej se ishte një kupë ceremoniale për pirje.

“Kur e dëgjova për herë të parë, për mua ishte një emocion i madh – dhe një stres i madh,” tha arkeologia Carole Fritz. Ajo kishte frikë se ta luajtja e instrumentit 31 centimetër mund ta dëmtonte atë, por nuk e bëri. Briri prodhoi nota të qarta Do, Do diez dhe Re. Studiuesit vlerësojnë se është rreth 18,000 vjeç dhe gjetjet e tyre u botuan të mërkurën në revistën Science Advances, transmeton KultPlus.

Guaska fillimisht u anashkalua kur u gjet në shpellën Marsoulas në vargmalet Pireneje, por studiuesit nga Qendra Kombëtare e Francës për Kërkime Shkencore (CNRS); Muzeu i Tuluzës; Universiteti i Tuluzës – Jean Jaurès; dhe Musée du quai Branly – Jacques-Chirac kanë lëshuar një regjistrim audio si pjesë e një studimi të ri.

Maja e guaskës së kërmillit të detit është e thyer dhe formon një hapje. Maja është pjesa më e fortë e guaskës, ndaj studiuesit thanë që thyerja nuk është rastësore.

Gjithashtu ka prova të prerjes, shpimit dhe zbukurimit duke përdorur hematitin, një pigment të kuq që është përdorur në shpellën Marsoulas.

Krahasimi me objekte të tjera, të cilat datojnë 18,000 vjet më parë, sipas studiuesve, e bën guaskën instrumentin më të vjetër frymor të llojit të saj.

Ajo jo detyrimisht është përdorur për të bërë muzikë, pasi mund të ketë qenë edhe mjet komunikimi. / KultPlus.com

Këtë të martë Teelco performon në Rave & WMF

TEELCO është një DJ / Producent i muzikës elektronike me seli në Shqipëri. Ai  hyri në industrinë e muzikës që nga viti 2013. Të gjitha remikset dhe këngët origjinale janë nënshkruar në Labels të ndryshme në të gjithë botën.

I Mbështetur nga legjenda si Hernan Cattaneo, & Nick Warren dhe shumë artistë si Antrim, Frangellico, Dynacom & Bodai, Luciano Scheffer, Ruben De Ronde (ARMADA Music), Ledio Ciko (AL), Mariano Mellino dhe shumë e shumë të tjerë.

Kryesisht prodhimet e tij janë të përqendruara në elemente melody elements, groovy beats dhe colorful harmony.

Kontakti i parë me muzikën ishte në moshën 12 vjeç duke studiuar instrumentin e pianos dhe mbaroi Fakultetin e Arteve. Gjithashtu ai ka emisionin e tij në radio të quajtur “Sonho Melodico” në Saturo Sounds çdo të shtunë.

Andaj dhe Rave ka ftuar TEELCO me një set prej 1 orësh për adhurues të muzikës elektronike, këtë të Marte nga ora 21:00, performancën mund ta ndiqni në RaveTravel, Win Music Freedom Ks dhe faqen tonë zyrtare në facebook.

Live Session do mbahet tek Four Points Hotel by SHERATON në Prishtinë e për më shume ju ftojmë të na ndiqni.

Përkujtohet artisti i madh, Ferdinand Radi

Përkujtohet sot në datën e ndarjes nga jeta, dramaturgu, regjisori dhe aktori i njohur, Ferdinand Radi.

Ai lindi në Durrës më 29 gusht të vitit 1942, në një familje intelektuale dhe artëdashëse çka e tregoi edhe talenti i shumë pjesëtarëve të tjerë të familjes.

Që në moshë fare të vogël, artisti iu dedikua sportit për shkak edhe të të dhënave të tij fizike, madje ka qenë edhe futbollist i ekipit të Dinamos. Gjatë periudhës kur ai punonte në një nga uzinat e Tiranës, ai njihet dhe krijon marrëdhënie shumë të mira shoqërore me artistin Kujtim Spahivogli ç’ka do të ishte edhe një penalizim për të pasi Spahivogli dënohet dhe internohet nga ish-sistemi komunist.

Megjithatë artisti ia doli sërish që të spikaste prej talentit të tij të madh dhe në  vitin 1972, fillon të aktivizohet me trupën e aktorëve profesionist në teatrin e të rinjve pranë Institutit të lartë të arteve. Në vitin 1973, Radit iu ndalua sërish pjesëmarrja në Teatrin Kombëtar dhe vetëm në fillim të vitit 1991 ai pranohet si aktor pranë trupës profesioniste të Teatrit Kombëtar.

Gjatë karrierës së tij, artisti ishte i detyruar që të interpretonte vetëm role dytësore apo episodike. Artisti Ferdinand Radi pati edhe një kontribut të madh në kinematografinë shqiptare duke interpretuar në rreth 13 filma.

Artisti u shqua shumë në zhanërin e komedisë për shkak të të dhënave të tij të shkëlqyera, si fizike ashtu edhe interpretative. Në skenë artisti arrinte të ndërthurte në mënyrë të shkëlqyer hulumtimin nga jeta e përditshme. Përveç aftësive në aktrim artisti pas ndërrimit të sistemit, nxori në pah vlerat e tij si regjisor, por edhe si shkrimtar apo krijues i shumë materialeve të inskenuar.

Njëra prej tyre është edhe njëra nga sukseset më të mëdha të artit dhe teatrit shqiptar si komedia “8 persona plus”.

Ai i vlerësua edhe me çmime si kupa e Festivalit të Filmit shqiptar në vitin 1989 në interpretimin e tij në filmin “Historiani dhe Kameleoni”.

Disa nga rolet dhe interpretimet e tij më të arrira janë; “Vjeshtë me stuhi”, “I pesti i zu i gjallë”, “Prefekti”, “Banja”, “Shumë zhurmë për asgjë”, “Njësiti guerril”, “Kur zbardhi një ditë”, “Shtigje lufte”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Historiani dhe Kameleoni”, “Balada e Kurbinit”, “Vdekja e kalit”, “Nata” dhe shumë të tjera. /atsh/ KultPlus.com

Një gotë verë e muzikë për dashni më 14 Shkurt në KultPlus Caffe Gallery

KultPlus Caffe Gallery po hap dyert për të dhuruar dashuri e për ta bërë më të ngrohtë ditën e 14 Shkurtit.

Ditën e dashnisë do ta festojmë bashkë me këngët më të mira që i këndojnë kësaj ndjenje dhe me nga një gotë verë.

Nën zërin dhe tingujt fantastik të muzikës së Endrit Rexhepit, pas gotës së parë të verës, gotën e dytë e ke gratis nga KultPlus Caffe Gallery.

Bashkoju karavanit të festës së dashurisë më 14 shkurt, duke filluar nga ora 14:00 e deri më 21:30. / KultPlus.com

Filmi ku luan Alban Ukaj, premierë në ‘Berlinale’


Aktori shqiptar që jeton në Sarajevë, Alban Ukaj, është vetëm një nga aktorët në filmin e regjisorit boshnjako-kanadez, Igor Drljaç, “Tabija” (Kështjella e bardhë).

“Kur takimi i rastësishëm qëllon t’i bëjë bashkë dy tinejxherë nga dy anë të kundërta të jetës në Sarajevën e pasluftës, një romancë harlisëse fsheh motivet e tyre të dëshpëruara e të trazuara”, thuhet në sinopsisin e shkurtër të filmit të dhënë në “IMDb”. Ukaj luan rolin e Alenit.

Në këtë film, që premierën e vet do ta ketë në nënkategorinë “Generation 14plus”, luajnë edhe aktorët: Pavle Çemerikiq, Sumeja Dardagan, Jasmin Gelo, Irena Mulamuhiq, Jelena Kordiq-Kuret, Hasija Boriq, Kerim Çutuna, Izudin Bajroviq, Ermin Bravo, Dragan Joviçiq, Maja Salkiq, Muhamed Haxhoviq, Sanin Milaviq dhe Lejla Pajiq.

Në qendër të filmit është një tinejxher i shtypur mes botës së errët dhe kushërinjve të tij kriminelë në Sarajevë dhe zbulimit të dashurisë.

Buxheti i filmit “Tabija” është 900 mijë euro dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Kantonit të Sarajevës dhe Fondi i Filmit në Bosnjë dhe Hercegovinë, Telefilm and Ontario Creates në Kanada, Eurimages, Creative Europe MEDIA, si dhe Hubert Balls Fund.

“Tabija” është xhiruar nga 31 gushti deri më 10 tetor të vitit 2019 në Sarajevë dhe rrotull saj.

Një tjetër film që do të shfaqet në po të njëjtën kategori është edhe “Mission Ulja Funk” nga Barbara Kronenberg. Ai është një bashkëproduksion mes Gjermanisë, Luksemburgut dhe Polonisë. Filmi debutues ka në qendër 12-vjeçaren Ulja, një kërkuese energjike dhe e zgjuar, që udhëton nga Bjellorusia me qëllim që të mirëpresë asteroidin që ka zbuluar. /koha/ KultPlus.com

76 vjet të “Rilindjes”, Buxhovi: Abetare që për gjysmë shekulli ushqeu identitetin tonë shpirtëror…

“Rilindja” është gazeta përfaqësuese e shqiptarëve në IshJugosllavi. Për herë të parë ka dalë më 12 shkurt 1945 në Prizren dhe është gazeta e parë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi.

Shkrimtari Jusuf Buxhovi, njëherit pjesë e gazetës Rilindja për shumë vite, në 76 vjetorin e “Rilindjes” është shprehur se kjo gazetë ishte Abetare, që për një gjysmë shekulli ushqeu identitetin tonë shpirtëror, arsimor dhe kulturor në rrugën e emancipimit shoqëror dhe politik.

“Abetare, që për një gjysmë shekulli ushqeu identitetin tonë shpirtëror, arsimor dhe kulturor në rrugën e emancipimit shoqëror dhe politik.
U dha kah kthesave të mëdha historike nëpër të cilat kaluam për të ardhur ku jemi.
“RILINDJA” ishte RILINDJA jonë.
Krenar që isha pjesë e saj”, shkruan Buxhovi.

“Rilindja” në fillim ishte e përjavshme vetëm me katër faqe deri më 27 qershor 1948, fillon të dale dy here në javë, të dielave dhe të enjteve. Pastaj, nga nëntori i vitit 1958 nis të dalë gazetë e përditshme (nuk dilte vetëm të premteve).

Nga viti 1964 del çdo ditë standard në 20 faqe, ndërsa të shtunave dhe gjatë festave 24-32 faqe.

Me 5 shtator 1990, nga pushtetit serb u ndalua botimi i saj, ndërsa pas hyrjes së forcave të NATO-s, më 12 qershor 1999 ajo del përsëri, por këtë here me faqe të shtuara dhe një pjesë e tyre me ngjyra.

Gazeta “Rilindja” ishte padyshim gazeta më e shitur në trojet shqiptare. Tirazhi maksimal ka mbrri gjatë festave të Vitit të Ri, deri në 234.000 ekzemplarë.

Gazeta “Rilindja” ka pushuar së botuari që nga viti 2009. / KultPlus.com