Laura Fazliu shënon fitore të madhe, mposht medalisten botërore

Sot Laura Fazliu ka shënuar fitoren e dytë me radhë në Kampionatin Evropian të xhudos, i cili është duke u mbajtur në Portugali, përcjell KultPlus.

Fazliu e ka mposhtur holandezen Juul Franssen, fituesen në fuqi të medaljes së bronztë botërore. Kujtojmë se Franssen ka dy medalje botërore dhe një medalje evropiane nga viti i kaluar.

Fazliu realizoi hedhje për Waza-Ari që i mjaftoi për fitore dhe avancimin tutje në kategorinë deri 63 kilogramë. / KultPlus.com

‘SpaceX’ do ta dërgojë gruan e parë në Hënë

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, e ka përzgjedhur kompaninë e miliarderit Elon Musk, “SpaceX”, për ta ndërtuar anijen kozmike që do ta dërgojë gruan e parë në Hënë.

NASA e bëri njoftimin zyrtar të premten. Kontrata për ndërtimin e anijes kozimike nga “SpaceX” e ka vlerën e 2.9 miliardë dollarëve, që është shifër shumë më e ulët sesa ato që ofruan kompanitë rivale.

Në garën për ta fituar këtë projekt, kompania e Elon Musk-ut e mposhti kompaninë e miliarderit tjetër amerikan, Jeff Bezos, “Blue Origin”, shkruan Daily Mail, transmeton KultPlus.

Deklarata zyrtare e NASA-s konfirmoi se kompania “SpaceX” do të jetë e vetmja që do t’i dërgojë njerëzit përsëri në Hënë për herë të parë pas misionit “Apollo” para 48 vjetësh.

Misioni që do të quhet “Artemis” dhe që pritet të realizohet në vitin 2024 do të përfshijë katër persona që do të udhëtojnë me anijen kozmike “Orion”. Posa të futen në orbitë, dy anëtarë të ekuipazhit do të transferohen në sistemin për lëshimin e njerëzve dhe do ta vazhdojnë fluturimin drejt Hënës.

Pas rreth një jave të eksplorimit të sipërfaqes së Hënës, ata do të kkthehen në orbitë për t’u futur përsëri në anijen kozmike “Orion” dhe bashkë me dy anëtarët tjerë të ekuipazhit do të kthehen në Tokë. / KultPlus.com

Shkon në 3 milionë shifra globale e viktimave të Covid-19

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga sëmundja Covid-19 në mbarë botën të shtunën shkoi në mbi 3 milionë, pavarësisht fillimit të fushatës së vaksinimit në shumë vende muaj më parë.

Këto të dhëna janë të bazuara në bazën e të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara. Shifra e të vdekurve është sa numri i banorëve të kryeqytetit spanjoll, Madrid, shkruan Independent, transmeton KultPlus.

Sidoqoftë, shifra e vërtetë e viktimave besohet të jetë dukshëm më e lartë, sepse shumë raste mund të mos jenë regjistruar zyrtarisht në fazën e hershme të pandemisë së koronavirusit që fillimisht rrodhi nga Kina në fund të vitit 2019.

Shifra prej dy milionë të vdekurisht u arrit në janar të këtij viti, kur fushata e vaksinimit sapo kishte filluar në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Sot, vaksinimi ka nisur në më shumë se 190 shtete, ndonëse progresi për ta vënë nën kontroll dallon në pjesë të ndryshme të botës.

Përderisa vaksinimi në ShBA dhe në Britani ka filluar të ketë efekt dhe disa njerëz po kanë mundësi ta shijojnë jetën pas pandemisë, vendet tjera kanë mbetur prapa dhe po detyrohen të marrin masa të reja izolimi.

Shtetet si Brazili, India dhe Franca kanë marrë masa të reja kufizuese në kohën kur numri i pacientëve nëpër spitale po rritet përsëri nga e ashtuquajtura “valë e tretë” e pandemisë. / KultPlus.com

Mbretëresha e Anglisë ndan një fotografi të rrallë me Princin Philip

Mbretëresha e Anglisë, Elizabetë, ka ndarë me publikun një fotografi të rrallë private të sajën dhe të Princit Charles, i cili ka ndërruar jetë të enjten e javës së kaluar. Këtë fotografi Mbretëresha e ka ndarë në ditën e varrimit të Princit Philip.

Nga Familja Mbretërore me anë të një postimi në rrjetin social Instagram thuhet se kjo fotografi ishte realizuar në vitin 2003 në majën Coyles of Muick në Skotlandë, fotografja është Kontesha e Wessex, Sophie, përcjell KultPlus.

“Madhëria e saj dhe Familja Mbretërore janë falënderues për të gjitha mesazhet e ngushëllimeve nga e gjithë bota, jemi të prekur sa shumë kemi parë dhe dëgjuar që njerëzit kanë ndarë kujtimet e tyre për Dukën”, thuhet tutje në njoftimin e Familjes Mbretërore. / KultPlus.com

Letra e lamtumirës nga Gabriel García Márquez

Nëse për një çast Zoti do të harronte se
jam një kukull lecke e
do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se
nuk do të them gjithçka që mendoj,
por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.

Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,
por për kuptimin që kanë.

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,

e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim
sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.

Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,
do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,
do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe
dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokolate!

Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,
do të vishesha thjeshtë,
do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm
trupin tim por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja
urrejtjen time në akull dhe
dhe do të prisja që të shkrihej në diell.

Do të pikturoja me një ëndër të Van Gogut
sipër yjeve një poemë të Benedettit
dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata
që do t’ia kushtoja hënës.

Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët,
për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre
dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…

Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…

Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetma
pa iu thënë njerëzve se dua,
se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë
se janë të parapëlqyerit e mi dhe
do të jetoja i dashuruar nga dashuria.

Njerëzve do t’ua provoja
sa gabojnë tek mendojnë
të heqin dorë së dashuruari
kur plaken, pa e ditur
se plaken kur heqin dorë së dashuruari.

Një fëmije do t’i jepja flatra,
por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.

Të moshuarit do t’i mësoja
se vdekja nuk vjen me pleqërinë
por me harresën.

Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!

Ka mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë
mbi majën e malit,
pa e ditur se lumturia e vërtetë
është në ngjitjen e shpatit.
Kam mësuar se
kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,
për herë të parë, gishtin e babait të tij,
e mban shtrënguar për gjithmonë.
Kam mësuar se një njeri
ka të drejtë ta vështrojë një tjetër
nga lart poshtë vetëm
kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.

Janë aq shumë gjëra
që kam mundur të mësoj nga ju,
por realisht,
nuk do të më shërbejnë shumë,
sepse kur do të m’i vendosin
brenda asaj valixheje,
palumturisht do të jem duke vdekur.

Shqipëroi: Elida Buçpapaj. / KultPlus.com

‘1001 dritaret e Beratit’, ekspozita me peizazhe nga Shqipëria dhe Berati

“1001 dritaret e Beratit” quhet ekspozita që është çelur për publikun dhe artdashësit e qytetit të Beratit.

Janë rreth 23 piktura nga artistë shqiptar të artit pamor të cilat sjellin peizazhe nga Shqipëria por edhe nga qyteti i Beratit.

Emrat e njohur të artit pamor që marrin pjesë në këtë ekspozitë janë: Agim Kadillari, Agron Polovina, Bujar Lika, Buron Kaceli, Çaush Vathi, Elton Stasa, Emiona Stasi, Fatmir Carkanji, Jordan Findiku, Kastriot Dervishi, Kudret Durollari, Kujtim Buza, Luan Boriçi, Maria Julia Tagliero, Nasuf Myftari, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Rikarda Nova, Sadik Kasa, Skënder Strica, Spiro Panariti, Vangjo Vasili dhe Xheneta Kadillari.

Kuratori Agron Polovina tha se “vlerat e Beratit vijnë në tablo pikture, ku janë monumentet e kulturës, por dhe peizazhet e larmishëm. Në këtë ekspozitë marrin pjesë artistë nga grupimi “Plein Air”, si dhe artistë të tjerë që e kanë të rëndësishëm peizazhin në krijimtarinë e tyre, dhe veçanërisht peizazhin e qytetit të Beratit”.

Në mënyrë metaforike kjo ekspozitë titullohet “1001 dritaret e Beratit”, dhe vjen si e tillë duke nxjerr në pah qoftë vlerat e artistëve që kanë sjell këto krijime, por edhe vlerat e qytetit të veçantë dhe antik të Beratit.

Kjo ekspozitë është hapur ditën e enjte në ambientet e galerisë “Edward Lear” në Berat. /atsh/ KultPlus.com

Bebe Rexha pushton Billboard-et në Rusi me këngën e saj të re

Artistja shqiptare me renome ndërkombëtare, Bebe Rexha, prezantoi së fundmi projektin e saj muzikor më të ri, “Sabotage”.

Kjo këngë është pritur mirë nga fansat, duke marrë menjëherë një vëmendje të shtuar në mbarë platformat muzikore ku mundësohet dëgjimi i saj.

Spotify me degën e saj në Rusi, është kujdesur që artistes shqiptare t’i kushtojë një vëmendje në një nga ‘billboard’-et më të mëdha të Moskës.

Ata kanë publikuar fotografinë promovuese të këngës “Sabotage” të Bebe Rexhës, duke i inkurajuar kështu rusët që ta dëgjojnë këngën e saj më të re.

“Sabotage” është njëra ndër këngët e publikuara të albumit të saj më të ri në ardhje, “Better Mistakes”, i cili i plotë do të publikohet këtë vit, më 7 maj. / KultPlus.com

Sot bëhen 22 vjet nga masakra në Poklek dhe Çikatovë të Drenasit

Sot bëhen 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

Me këtë rast presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca do të bëjnë homazhe për të kujtuar jetën dhe veprën e tyre. / KultPlus.com

Heronjtë e Betejës së Topanasë dekorohen me ‘Nderi i Kombit’

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përkujtoi betejën historike të Topanasë së 18 tetorit 1942 në Vlorë, duke vlerësuar me Dekoratën “Nderi i Kombit” katër heronjtë, të cilët dhanë jetën e tyre të re për lirinë dhe sovranitetin e Atdheut.

Kreu i Shtetit nderoi me Titullin e lartë (pas vdekjes)  Hajredin Bylishin “Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës  në mbrojtje të  lirisë interesit kombëtar dhe pavarësinë së vendit, Një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të  shquar në betejën  e Topanasë  në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave”.

Hiqmet Buzin “Si një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të  shquar në betejën e Topanasë në Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës  në mbrojtje të  lirisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar, duke u bërë shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”

Bajram Tushën “Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës  në mbrojtje të  lirisë interesit kombëtar dhe pavarësinë së vendit, Një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të  shquar në betejën  e Topanasë  në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”;

Si dhe Mumin Selamin “Si një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të  shquar në betejën e Topanas në Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës  në mbrojtje të  lirisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar, duke u bërë shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”

Presidenti i Republikës çmoi gjithashtu Heroin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Resul Veli (Çelaj) “Për përkushtimin atdhetar, betejat e sakrificat deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë. Një ndër heronjtë dhe luftëtarët legjendarë në qëndresën dhe drejtimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Burim frymëzimi për të gjitha gjeneratat e reja”.

Në fjalën e tij Meta u shpreh se, “Vlora dhe vlonjatët mishërojnë si rrallëkush aspiratën dhe luftën e gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi në të gjitha kohët”.

“Betejat e vlonjatëve dhe të gjithë Labërisë për mbrojtjen e trojeve tona të lashta janë betejat për mbijetesën e vetë kombit tonë. Në çdo etapë të historisë, Vlora ka vulën e saj autentike, qysh nga Aulonët e lashtësisë, Principata e Aranitasve, kryengritjet e Pavarësisë, ngritja e Flamurit, epopeja e 1920-ës, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe deri në ditët e sotme. Vlora ka hyrë në histori si qytet hero. Vetëm në Luftën e Antifashiste ajo i dha vendit gjakun e 870 bijve dhe bijave të saj më të mirë dëshmorë dhe 18 Heronjve të Popullit”, u shpreh Meta.

“Vlerësimi i gjakut të derdhur prej tyre për Shqipërinë është borxhi, që ne të gjithë u kemi për të gëzuar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin në saje të sakrificës së tyre sublime. Është detyrimi ynë dhe i çdo brezi ndaj historisë sonë të përbashkët, por edhe ndaj së ardhmes europiane të Shqipërisë. Ky nderim është edhe vlerësimi e respekti ndaj vetë integritetit dhe dinjitetit tonë si shqiptarë! Ne sot nuk duhet të lejojmë nga askush që të eklipsohet drita e flakës së lirisë që ata ndezën! Lirinë mund ta mbrojmë vetëm duke forcuar demokracinë dhe duke refuzuar çdo lloj shtypje shoqërore”, tha Meta.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Vlorës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit dhe të tregojnë dinjitetin e tyre, dhe njëkohësisht edhe fuqinë e tyre përmes votës së lirë e të barabartë”, përfundoi Meta. /atsh/ KultPlus.com

Rita, pjesë e koleksionit të ri të ‘Gucci’

Këngëtarja me prejardhje kosovare, Rita Ora, gjithmonë ka qëndruar në hap me trendët e fundit të modës. Këtë e ka bërë edhe në një promovim të koleksionit të ri të kompanisë së njohur “Gucci”.

Këngëtarja 30-vjeçare kishte të veshur një bluzë shumëngjyrëshe që e identifikon “Guccin” dhe një fund gjithashtu pjesë e koleksionit “Aria”. Këngëtarja është pjesë e shumë yjeve që kompania “Gucci” i ka përzgjedhur për të qenë pjesë e koleksionit “Aria”. Yje tjera janë Miley Cyrus, Lana Del Rey dhe Madonna.

Ndërkaq, Rita mbante të gjithë veshjen nga koleksioni që u prezantua të enjten. Fotografitë janë shkrepur pas perëndimit të diellit, ndërsa veshjen e ka kombinuar e flokët që shkonin kah ngjyra e kuqe, duke hequr kështu dukjen bionde për të cilën edhe njihet. Këngëtarja shqiptare në llogaritë e saj nëpër rrjetet sociale, të enjten publikoi edhe fotografitë e muralit të realizuar për të në Ferizaj. Rita ka thënë se ka mbetur e mahnitur me muralin në qendër të Ferizajt. Ora në mural paraqitet me rrobat kombëtare, fotografi të ndara nga videoklipi i fundit i saj “Bang”. / KultPlus.com

7 vjet nga vdekja e Gabriel Garcia Marquez

Gabriel Garcia Marquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.

Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.

Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë.

Ne vitin 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12 vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotá, dega drejtësi. I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës se Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet.

Megjithë pasionin e madh për librat, Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”.

Në vitin 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación”. Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi.

Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Te gjitha punimet e tij deri në 1956, u publikuan si një libër i vetëm me titull “Relato de un náufrago”, që trazoi skenën politike në vend pasi aty trajtoheshin trafiqet e drogës nëpërmjet detit. Qëndrimi i Markezit ndaj këtij fenomeni gjeti aprovimin e popullit, por provokoi keqas politikanët. Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit me pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Evrope, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apuleyo Mendoza. Udhëtimi në fjalë shërbeu si frymëzim për të shkruar “90 días en la cortina de hierro”. Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, García Márquez u kthye në Amerikë, për t’u vendosur më pas në Venezuelë.

Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në 1962). Më 1961 u transferua në New York ku filloi punën si korrespondent i Prensa Latina. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanëve e shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë se tij “Cien años de soledad“ (përkthyer shqip si Njëqind vjet vetmi), një libër që shënon kulmin e të ashtuquajturit realizëm magjik. Më 1974 dolën në treg “Ojos de perro azul” dhe “El otono del patriarca” (Vjeshta e patriarkut), dy veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin si pasojë e pasurimit.

Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të Vivir para contarla (Të jetosh për të treguar), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani Memorias de mis putas tristes(përkthyer në shqip nga Mira Meksi me titull Kujtim kurvash të trishta). Ndër veprat e tij me të mëdha përmenden Dashuri në kohërat e kolerësKronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe “Njëqind vjet vetmi” e cila është përkthyer në shqip nga i madhi Robert Shvarc, Gjenerali në labirintin e tijErendira etj. Veprat e Markezit në shqip i kanë përkthyer Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi e Robert Shvarc. / KultPlus.com

Pse gratë dikur ecnin pas burrave?!

Në shoqërinë tradicionale shqiptare, veçanërisht në segmentet rurale të saj, gjatë rrugëtimit, vajza ose gruaja e shtëpisë nuk duhet të ecte para babait, dajës, xhaxhait, vëllait, apo bashkëshortit. Pra, asnjëherë vajza ose gruaja nuk mund të ecte para burrave.

Në paragrafin 14 te Kanuni i Dibrës, theksohet prerazi: “Nuset e gratë e shpisë, kudo me shkue, duhet me pasë nji burrë përpara. Vetëm mrena katundit ato mund të përcillen prej një djali të ri që nuk është në moshë të armëve”.

Detyrimi për t’i lënë gjithmonë gratë prapa burrave ndër shqiptarët është interpretuar si dëshmi simbolike e shpërfilljes deri e përçmimit të vajzave e grave.

Por, përtej një interpretim të tillë, ecja e gruas gjithnjë prapa, e shndërronte atë në një mburojë natyrore, shumë të sigurt për bashkëshortin ose çdo burrë të fisit të saj ose të bashkëshortit që i printe në rrugët plot rreziqeve të krahinave fshatare.

Gruaja nuk mund të vritej në mënyrë të qëllimshme dhe për rrjedhojë, edhe burri që i printe asaj nuk mund të vritej prapa krahëve.

Në paragrafët 2945, 2946 dhe 2947 te Kanuni i Skëndërbegut theksohet prerazi: “Për gjak burri vret burrë… gruaja nuk vritet as për gjak gruaje. Pushka asht për burra. Burri nuk kapet me gra, gruaja është e paprekshme… kush vret grua koritet…”

Në studimet për shoqërinë tradicionale shqiptare pothuajse asnjëherë nuk është argumentuar misioni fisnik i këtij statusi të nënrenditur të vajzave e grave në krahasim me atë të burrave përgjatë rrugëtimeve, sidomos në rajonet me shkallë më të lartë rrezikshmërie. /Zyhdi Dervishi – “Lente të ndërveprimit simbolik”/KultPlus.com

Kjo ishte Prishtina në vitin 1996 (VIDEO)

Prishtina ka qenë gjithmonë e bukur. Ndër vite, herë më pak e zbukuruar e herë më shumë, ndërtesa të shumta janë larguar e të tjera janë ndërtuar në kryeqytet.

Institucionet kryesore të shtetit e bëjnë sot Prishtinën një vend simpatik dhe një pikëtakim për njerëzit, por edhe për turistët.

Një video na e tregon Prishtinën në vitin 1996, me pamje nga lagje të ndryshme të Prishtinë së bukur asokohe, para se të ndodhte edhe lufta në Kosovë.

Shijojeni Prishtinën e dikurshme. / KultPlus.com

Jetoj brenda syve të tu

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Jetoj brenda syve të tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
Humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar asnjëherë.
Sa do doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?
Për të djeshmen time ti mund të pyesësh një lumë,
dy lisa, një dem,
edhe varrin,
varrin e nënës.
Krejt e kotë.
T’i lëmë pyetjet. Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme. / KultPlus.com

Violeta Rexhepagiqi, romantika që nuk harrohet (VIDEO)

Një revolucion në muzikën shqipe, Violeta Rexhepagiqi lehtë mund të njihet nga fotografitë e rinisë së saj të hershme.

Një grua e bukur, e mençur, një stil unik dhe i veçantë e deri asokohe edhe i paparë për syrin e shqiptarëve, nga një shqiptare, Violeta Rexhepagiqi nisi një karrierë të suksesshme e cila do të ndërpritej pas një aksidenti të tmerrshëm.

https://www.youtube.com/watch?v=p5eMQmFSogI&feature=emb_title

E lindur në vitin 1965, ajo mbetet një prej këngëtareve më avangarde të një kohe tjetër në Kosovë.
Mësimet e para Violeta i ndoqi në shkollën e qytetit – “Faik Konica”. Pas suksesit me këngë dhe si spikere për programe të fëmijëve në “Radio Prishtinë” ajo filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ultë të muzikës.

Ajo ka interpretuar rreth 40 këngë për fëmijë për të kaluar më pas në një dimension tjetër, në këngët për të rritur, aty ku edhe dolën hitet e saj si solo këngëtare por edhe bashkë me Armend Rexhepagiqin e Aida Barakun.

https://www.youtube.com/watch?v=X0dQe-O2B2U&feature=emb_title

Një grua me plot elegancë dhe e suksesshme, ajo punoi për një kohë edhe pranë televizioneve të huaja, duke raportuar edhe rreth luftës në Kosovë. Violeta në ndërkohë punoi edhe në Radio Televizionin e Kosovës./ KultPlus.com

MKRS përkujton Rexhepagiqin: Ajo ishte e veçantë, dokumentoi pozicionin shoqëror të gruas në shoqërinë kosovare

Një vit nga ndarja nga jeta e Violeta Rexhepagiqit

Violeta Rexhepagiqi, personalitet i shquar i Kosovës me veprimtari të bujshme në gazetari raportuese vendore dhe ndërkombëtare, gazetari hulutmuese, kompozim muzikor, performim muzikor, teksteshkrim.
Një prej muzikanteve më avangarde e alternative e skenës plot jetë të viteve 1980 me grupin e njohur “Vivien” së bashku me personalitetin tjetër të shquar të skenës së muzikës moderne, Armend Rexhepagiqi.

Ekosistemi muzikor i Kosovës – sidomos skena joformale e muzikës qe perfshin trashëgiminë e zhanreve moderne, me rrënjë estetike në fushat e begatshme të rock’n’rollit, ku Kosova ka histori nga vitet 1960 me rock grupet si Blue Star, Marimanga dje një varg grupesh të tjera të gjeneratës së parë që sot numëron më se 400 grupe e muzikantë – do të dukej shumë ndryshe pa personalitetin katalist të kulturës muzikore alternative, new wave, post-punk etj.

Veprimtaria e Violetës e cila kanalizonte disa stile muzikore të viteve 1980 e tutje, mund të thuhet se kishte qasje të ngjashme me të famshmen Kate Bush, por edhe qasje performative vizuale mes grupeve neë-ëave, post-punk me një dozë romantizmi dhe me detaje karakteristike të estetikës së dizajneres Vivienne Westwood.

Muzika e saj dhe e grupit “Vivien” është plot dramë, fantazi, shprehje ekspresive dhe njëkohësisht shumë intime me theks të veçantë tek emancipimi socio-kulturor.

Këngët e saj janë shprehje e një pjese të rëndësishme të gjendjes shpirtërore të rinisë së Kosovës e cila është narrativë e nevojshme për të kuptuar kompleksitetin e zhvillimeve socio-kulturore në Kosovë në pjesën e dytë të shek. XX dhe trashëgiminë shpirtërore e muzikore e cila vazhdon të dokumentojë këtë kohë specifike në historinë moderne të Kosovës.

Ajo eshte shumë e veçantë edhe sepse e dokumentoi tranzicionin e pozicionit shoqëror të gruas në shoqërinë kosovare, me të gjitha sfidat e saj.

Kjo veprimtari e veçantë përmbush dhe e frymëzon çdo brez në Kosovë në shumë rrafshe e fushëveprimtari, krijon urë lidhëse mes brezash ku shohim zhvillim të veçantë estetiko-kulturor dhe ndërlidhje e vazhdimësi të parimeve dhe vlerave shoqërore nga mesi i shek. XX e deri te brezat e ri aktorësh muzikorë vendorë të tri valëve të pasluftës siç është Blerta Kosova, Edona Vatoci, Oborri, Cute Babulja, Por-No, Asgjë sikur dielli, etj e deri te kontribuesit e Kosovës jashtë vendit siç është Andrra.

Një nga nismëtaret shumë të rëndësishme të kulturës moderne kosovare që përmes veprimtarisë së saj gazetarore, muzikore, socio-kulturore kontriboi shumë në emancipimin dhe ngritjen e vetëdijes së vlerave njerëzore, barazinë gjinore, pasurimin e fondit estetik muzikor dhe zhvillimin e kulturës së pasur kosovare.

Kjo veprimtari që shtrihet në disa dekada, me një shumëllojshmëri aktivitetesh, sidomos në vitet 1980 bëri hapat e nevojshëm që ne sot në Kosovë të mund të frymëzohemi nga një personalitet i cili me ngulm dhe me aktivitet të spikatur mbrojti lirinë e shprehjes dhe njohjen e kulturës muzikore në rajon dhe botë.

Kultura kosovare do të kujdeset që puna e Violeta Regjepagiqit të përçohet tutje te të gjithë brezat në Kosovë. / KultPlus.com

Yll Limani lanson këngën ”A ki me rrejt” (VIDEO)

Yll Limani, këngëtari i cili tashmë njihet për tekstet e tij që zakonisht përçojnë mesazhe, sot ka lansuar këngën e tij më të re ”A ki me rrejt”, shkruan KultPlus.

Edhe kësaj radhe, teksti i këngës është shkruar nga vetë këngëtari dhe përpos që kënga është pëlqyer shumë nga adhuruesit e Limanit, ajo çfarë e bëri më të veçantë këngën është edhe videoklipi i realizuar në mënyrë të jashtëzakonshme.

Videoklipi është punuar nga ”Wonder” dhe Andi Gola e Yllka Mustafa.

Bashkangjitur gjeni videon e këngës. / KultPlus.com

Me skanim të syrit do të kuptohet nëse jeni i infektuar me Covid19

Një kompani në qendër të Mynihut të Gjermanisë shpreson të filloj një epokë të re të testimit të koronavirusit me një skanim të syve që sipas kësaj kompanie, kërkon vetëm tre minuta për të identifikuar bartësit e sëmundjes dhe ka një normë goditje prej 95%, përcjell KultPlus.

Semic RF ka zhvilluar aplikacionin e skanimit me kolegë në Shtetet e Bashkuara dhe në pritje të miratimit të rregullatorit, shpreson të fillojë ta nxjerrë atje deri në fund të muajit tjetër, thotë drejtori i saj menaxhues, Wolfgang Gruber.

Aplikacioni përdor një foto të syrit të bërë me një smartphone dhe identifikon virusin me anë të një inflamacioni simptomatik të quajtur “syri rozë”.

“Ne arritëm të izolonim COVID-19 nga mbi dy milion hije të ndryshme rozë,” i tha Gruber Reuters.

Ai thotë se aplikacioni, tashmë i testuar në mbi 70,000 individë, mund të përpunojë deri në një milion skanime në sekondë dhe mundësinë për të zgjeruar më tej atë kapacitet – potencialisht lejimin e turmave të kthehen në ngjarje të frekuentimit masiv si koncerte dhe ndeshje futbolli.

Aplikacioni fillimisht është në shënjestër të kompanive dhe përdoruesve komercialë, me një kosto prej 480 euro (570 dollarë) në muaj, me një planifikim të mëvonshëm për individët. / KultPlus.com

Elvana Gjata publikon albumin, i këndon dashurisë, dhimbjes e mallit (VIDEO)

Pas pothuajse tre viteve, Elvana Gjata u rikthye me një mini-album, me gjithsej gjashtë këngë, shkruan KultPlus.

Elvana Gjata edhe për këto këngë ka bashkëpunuar me tekstshkruesin dhe këngëtarin e njohur Pirro Çakon dhe tash vetëm pak minuta pas publikimit të këngëve, komentet dhe pëlqimet e adhuruesëve të këngëtares nuk kanë të ndalur.

“A po vjen”, “Drandofilat”, “Jeta ime”, “Vendi im”, “Kur jemi dasht”, “Kunadhe” e “Mos u ngut”, janë këngët e përfshira në këtë album. / KultPlus.com

Osmani uron Krasniqin: Vajzat janë shkëndijë në vete, faleminderit për nderin që po na e bëni të gjithëve

Distria Krasniqi sot fitoi medaljen e artë duke u shpallur kështu për herë të parë Kampione e Evropës në xhudo, përcjell KultPlus.

Për fitoren e saj, Distria Krasniqi u urua edhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook, uroi Krasniqin duke theksuar se xhudistet tona po e ngrisin Kosovën lartë e më lartë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Osmanit.

Distria e artë!

Sot, Distria Krasniqi, u shpall Kampione e Evropës për herë të parë. Xhudistet tona të arta – të arta me medale e me shpirt, po e ngrisin Republikën tonë lartë e më lartë. S’ka si të jetë ndryshe! Këto arritje të tyre janë reflektim i pastër i punës së palodhshme, angazhimit në një mision me qëllim të qartë, e i konsistencës në këtë drejtim.

Ditën e parë të punës si Presidente e fillova pikërisht me Distrian dhe xhudistet tona fantastike. Atë ditë e kuptova edhe njëherë që secila nga këto vajza janë një shkëndijë në vete e që s’do ndalen së shëndrituri asnjëherë.

Faleminderit për nderin që po na e bëni të gjithëve, për nderin që po i bëni Republikës sonë.

Vetëm përpara e gjithnjë më fitore të reja. / KultPlus.com

Nora Gjakova fituese e medaljes së bronztë

Sot, Distria Krasniqi u shpall për herë të parë kampione e Evropës në xhudo. Në po të njëjtën garë, Nora Gjakova fitoi medaljen e bronztë, përcjell KultPlus.

Në luftë për vend të tretë në kategorinë deri 57 kilogramë, Nora e mposhti gjeorgjianen Eteri Liparteliani.

Nora e nisi ditën me fitore bindëse ndaj spanjolles Carla Ubasart Mascaro. Më pas e mposhti edhe më bindshëm rusen Daria Mezhetskaia. Por në gjysmëfinale, pas 11 minutave luftë, humbi nga portugezja me përvojë, Telma Monteiro.

Lufta gjysmëfinale ishte e vështirë dhe Monteiro është ndalë disa herë më arsye për të kërkuar ndihmë nga mjeku. Vlerësimi i gjyqtarëve po ashtu është vlerësuar i dyshimtë. Por Monteiro në fund realizoi hedhje dhe shkoi në finale, ndërsa Nora mbeti të luftojë për të bronztën. / KultPlus.com

Dua Lipa nuk ka të ndalur, fiton edhe një çmimin të rëndësishëm

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, prej shumë kohësh qëndron në top listat botërore dhe sukseset e saj nuk kanë të ndalur.

Së fundmi këngëtarja ka fituar një çmim të rëndësishëm në “Latin American Music Award” si ‘Favorite Artist-Crossover’.

Dua lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, ku u shpreh tejet e lumur për këtë sukses dhe i falënderoi të gjithë.

“Future Nostalgia”, shënoi një tjetër sukses duke bërë që të renditet në vendin e parë për sa i përket albumeve më të shitur në Mbretërinë e Bashkuar dhe për vitin 2021 janë shitur plot 68.926 kopje. / KultPlus.com