Mbrëmë (e enjte) u mbajt Billboard Latin Music Awards 2021.
Shfaqja e së enjtes e mbushur me yje, e mbajtur drejtpërdrejt dhe personalisht në Miami, përmban shfaqje nga Camila Cabello, Karol G, Juanes, Rauw Alejandro dhe Christian Nodal, ndër të tjera.
Të pranishmit kanë preferuar të shfaqin shkëlqim, elegancë dhe origjinalitet.
Më poshtë ua sjellim pamjet më të bukura nga tapeti i kuq i mbrëmjes së kaluar. / KultPlus.com
Shkrimtar, këngëtar, aktor dhe regjisor shqiptar, Muharrem Qena, lindi në 25 Qershor të vitit 1934 në Mitrovicë.
Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoj shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Ai shkriu talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Shpërblimet e shumta lokale e ndërkombëtare e radhisin në krijuesin më të mirënjohur kosovar. Me ”Ervehenë” e autorit Ahmet Qirezi(1932), e cila mori 5 shpërblime kryesore në Festivalin e Steries – Novi Sad (1967), ngriti skenën teatrore të Kosovës në piedestal. Regjisor i shumë dramave, e filmave dokumentarë e televizivë. Muharremi ishte nismëtar i punës së teatrove në Prizren, Gjakovë, dhe Gjilan. Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese në frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan dhe u falën kënaqësi shumë brezave.
Muharrem Qena vdiq më 24 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale. / KultPlus.com
Bad Bunny ka kryesuar në ndarjen e “Billboard Latin Music Awards”, duke fituar çmimin kryesor artistit të vitit dhe 10 trofe.
Ndër çmimet e marra të enjten (23 shtator) nga superylli i muzikës urbane ishin “Kënga Hot Latine e Vitit” për “Dakiti” dhe albumi i vitit për “YHLQMDLG”, shkruan AP News, transmeton KultPlus.
“Faleminderit gjithmonë të gjithë publikut për të gjithë mbështetjen, për mbështetjen e muzikës që bëjmë, faleminderit të gjithë atyre që punuan në këtë himn. Faleminderit që jeni gjithmonë atje për ne. Ju jeni ata që na jepni këtë çmim”, tha Bad Bunny pasi mori çmimin. “Kënga më e mirë latine”.
Çmimet u ndanë në një ceremoni në Qendrën Watsco në Coral Gables, Florida, ku morën pjesë edhe yjet latine Marc Anthony dhe Camila Cabello. / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot, ku ndër të tjera, pikë e rendit të ditës do të jetë edhe miratimi i masave të reja anti-Covid.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në një konferencë për media, Vitia tha se në koordinimin me ministritë e linjës dhe me institucionet përkatëse shëndetësore kanë vendosur për masa të reja në vend, nga e hëna e javës së ardhshme.
“Nga rekomandimet e dy javëve paraprake kemi pasur shumë takime dhe diskutime për masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga data 27 shtator, pra nga e hëna e ardhshme. Sot kemi marrë edhe rekomandimet e fundit nga IKSHPK-ja, për këto masa”, ka thënë Vitia, transmeton KultPlus.
Ndër të tjera, Vitia deklaroi se tashmë në të gjitha institucionet publike dhe private që punojnë me palë, do të kërkohet certifikata e vaksinimit apo testet përkatëse që dëshmojnë që punonjësi nuk është i infektuar me Covid-19.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar tani nga institucionet shtetërore dhe një mori e institucioneve private do të kërkohet që të paraqesin certifikatën e vaksinimit, apo testeve përkatëse para hyrjes në objektet ku operojnë. Kjo vlen për aktivitete si qendra tregtare, call center, gastronomia në ambientet e brendshme dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që punojnë me palë.
Ministri Vitia njoftoi se do të hapen edhe shkollat dhe çerdhet.
“Shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën nga dita e hënë. Maksimumi i nxënësve të ledhuar në klasë do të jetë 20. Aktivitetet sportive mund të kenë prani të shikuesve deri në 10 për qind të kapaciteteve, duke pasur certifikatën e vaksinimit ose një nga 3 dëshmitë alternative; pra testin PCR, serologjik ose testin rapid antigjen. Në ambientet e jashtme deri në 30 për qind të kapaciteteve”, ka thënë Vitia.
Ndryshe, Express dje ka raportuar se lokalet e gastronomisë do të vazhdojnë të punojnë deri në orën 21:30, do të hapen hapësirat brenda lokaleve, por aty do të lejohen vetëm personat me dëshmi të vaksinës apo testeve përkatëse, transmeton tutje KultPlus.
Lëvizja e qytetarëve është e kufizuar pas orës 22:00, deri në orën 05:00.
Masat e reja që pritet të miratohen sot nga Qeveria e Kosovës do të hyjnë në fuqi nga e hëna e javës së ardhshme. / KultPlus.com
Shqipëria zgjodhi sot filmin “Dy Luanë drejt Venecias”, si kandidaturë për “Oscar”.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila i uroi suksese filmit shqiptar.
Margariti tha se filmi “Dy Luanë drejt Venecias” me skenar dhe regji nga Jonid Jorgji, prodhuar nga shtëpia kinematografike “EJF FILM” sh.p.k, do të konkurojë në edicionin e 94-të INTERNATIONAL FEATURE FILM AWARD.
Filmi flet për aventurën e dy kineastëve shqiptarë, rrugës për në festivalin e Venecias, ku takojnë papritur në udhëtimin e tyre dy aktore italiane të filmave për të rritur где где получить займ безработным . Këtu përplasen botëkuptime të ndryshme, që sjellin të papritura. / KultPlus.com
Libraria “Dukagjini” dhe Shtëpia Botuese kanë kënaqësinë t’ju njoftojnë se po fillojnë projektin më të ri, “Let’s meet our ambassadors through books”.
Takimi i parë do të mbahet të hënën, më 27 shtator, në orën 14:00, ku i ftuar do të jetë Shkëlqësia e tij, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.
Ambasadori do të flasë për librat që kanë ndryshuar botëkuptimin e tij dhe e kanë formësuar intelektualisht.
Vendet janë të limituara, duke pasur parasysh rrethanat epidemilogjike, andaj të gjithë ata që duan të marrin pjesë, duhet të nxitojnë që të dërgojnë një e-mail në: [email protected] / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq u takuan sot në Nju Jork gjatë javës së Nivelit të Lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të diskutuar zhvillimet në tri shtetet që përfaqësojnë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Presidentët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në rajon dhe gjithashtu qëllimin e përbashkët të tyre për ruajtjen e stabilitetit si parakusht për perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të tre presidentët ranë dakord ta vazhdojnë komunikimin dhe dialogun për këtë çështje. / KultPlus.com
Misionet arkeologjike janë rikthyer në Shqipëri me zbulime të reja pas ndërprerjeve prej pandemisë së koronavirusit. Në Parkun Arkeologjik të Finiqit arkeologët shqiptarë dhe italianë kanë zbuluar objekte të periudhave të ndryshme, përfshirë dhe një skulpturë të përmasave të mëdha. Në gërmimet e këtij viti në Finiq po marrin pjesë edhe studentë shqiptarë dhe italianë të arkeologjisë.
Arkeologët shqiptarë dhe italianë kanë rikthyer gërmimet në taracën jugore të Finiqit, një vendbanim i lashtë mes Sarandës dhe Delvinës, ku gërshetohen disa periudha historike. Gërmimet e misionit shqiptaro-italian, që në këtë vendbanim kanë nisur që në vitin 2000, këtë vit drejtohen nga Belisa Muka nga Instituti shqiptar i Arkeologjisë dhe Giusepe Lepore nga Universiteti i Bolonjës.
Gërmimet e këtij viti kanë sjellë gjetje të rëndësishme përfshirë edhe një skulpturë mermeri të përmasave të mëdha, thotë drejtuesja shqiptare e misionit Belisa Muka.
“Është një hapësirë e cila është me karakter publik, me një mori ndërtesash dhe që këtë vit dha rezultate të jashtëzakonshme jo vetëm në plotësimin e të dhënave stratigrafike, të të kuptuarit më të mirë të funksionit të kësaj hapësire, por edhe të gjetjeve të cilat do të hedhin dritë mbi disa aspekte të tjera sic janë besimet e ndryshme. Këtë vit kemi gjetur një skulpturë mermeri të përmasave të mëdha”.
Ndërsa profesori italian Giusepe Lepore thotë se misioni i këtij viti flet shumë pasi shënon rikthimin e gërmimeve pas ndërprerjes prej Covid-it.
“Është me të vërtetë i vecantë pasi shënon rikthimin pas periudhës së kovidit. Në vitin 2021 ne jemi rikthyer me impenjim dhe forcë të madhe dhe kemi sjellë edhe studentë shqiptarë dhe italianë duke e rinisur aktivitetin”.
Zonja Muka thotë se prania në gërmim e studentëve shqiptarë dhe italianë për ta është një shkollë e vërtetë.
“Bashkëpunimi ynë është shqiptaro – italian mes Institutit te Arkeologjisë dhe Universitetit te Bolonjës. Studentët tanë vijnë nga Departamenti i Trashëgimisë dhe Arkeologjisë në Univerisitetin e Tiranës. Synimi ynë është natyrisht të gërmojmë dhe studiojmë, por edhe të formojmë brezin e ri të arkeologëve“.
Ndërsa professor Lepore thotë se Misoni arkeologjik po ecën shumë mirë pasi ka hyrë në vitin e 21.
“Jemi duke gjetur, sic mund ta keni parë këtu rreth nesh, qytein romak. Më në fund po del në dritë në Finiq periudha romake nga Augusti tek Traiani e me tej në periudhën e antikitetit të vonë“.
Zonja Muka flet edhe për gjetjet e tjera të këtij viti në këtë vendbanim.
“Kemi material qeramik pafund, kemi objekte të ndryshme bronzi, kemi monedha, kemi dhe afresk. Kjo është një zonë që është përdorur e ripërdorur në periudha të ndryshme ku sejcila prej tyre ka lënë gjurmën e saj”.
Në interesimin e mëtejshëm të arkeologëve është jo vetëm Finiqi por edhe më gjerë zona e Kaonisë bregdetare, thotë më tej zonja Muka.
“Ky projekt është ideuar nga dy arkeologë të rëndësishëm, për palën shqiptare Shpresa Gjongecaj dhe për palën italine Sandro De maria. Ne jemi pjesë e një tradite që vijon por jo vetëm në Finiq por edhe në territor. Interesi ynë është në zonën e Kaonisë bregdetare dhe kërkimet janë paralelisht ne Finiq dhe në Butrint”
Qyteti antik i Foinikes u kthye në Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005 dhe përbën një nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme të Shqipërisë. Lindur si qytet në fund të shekullit të V Para Krishtit, Foinike njihet si kryeqendra e kaonëve dhe më pas kryeqyteti i lidhjes së tre fiseve më të rëndësishme Kaonëve, Thesprotëve dhe Molosëve. Qyteti jetoi pas pushtimit të Romës dhe njohu faza të rëndësishme zhvillimi edhe më pas në periudhën bizantine dhe të antikitetit të vonë duke e humbur rëndësinë me fillimin e sundimit Osman. / VOA / KultPlus.com
Prej ditësh kanë nisur përgatitjet për edicionin e 12-të të Festivalit Vjetor Shqiptar në Waterbury, CT (Albanian Festival in Waterbury, CT) i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër.
Ky aktivitet i përvitshëm do të mbledh bashkë nën ritmet e muzikës tradicionale shqiptare bashkatdhetarë të shumtë. Gjithashtu prej ditësh ka nisur përgatitjet për gatime tradicionale shqiptare, që nuk do të mungojnë gjatë ditëve të festivalit.
Organizatorët kanë njoftuar se në këtë edicion do të ketë edhe një performancë nga grupi i valltarëve ditën e shtunë në orën 17:00.
Gjatë këtyre viteve kanë qene pjesë e këtij manifestimi kulturor shqiptar më shumë se 5 mijë pjesëmarrës.
Siç kanë njoftuar edhe më herë organizatorët, eventi do të organizohet në përputhje me rregullat anti-covid.
Eventi i përvitshëm përfshin aktivitete kulturore, muzikë dhe kuzhinë shqiptare. Përmes këtij aktiviteti, komuniteti shqiptar prezanton kulturën, muzikën, traditat dhe ushqimet e autentike shqiptare në komunitetin amerikan të Greater Waterbury, SHBA. / KultPlus.com
Shtëpia e Bardhë njoftoi se udhëtarët e vaksinuar nga 26 vendet e zonës Shengen, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar, do të lejoheshin të hynin në tokën amerikane në fillim të muajit Nëntor. SHBA do të lejojë hyrjen për ata shtetas evropiane që janë vaksinuar me një nga vaksinat të cilat janë miratuar nga agjencia federale amerikane e Ushqimit dhe Barnave të cilat janë Moderna, Pfizer dhe Janssen e kompanisë “Johnson & Johnson”.
Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar të tre këto vaksina, si dhe vaksinën Astra Zeneca.
Kjo është arsyeja pse shumë udhëtarë shqetësohen se vaksina Astra Zeneca, me të cilën shumica e britanikëve dhe 70 milionë shtetas të BE’së janë vaksinuar, mund të mos pranohet për udhëtime në SHBA kur të hiqet ndalimi i udhëtimeve.
Pavarësisht kësaj, burime jo zyrtare nga FDA u kanë konfirmuar mediave amerikane se person i vaksinuar do të konsiderohet çdo person që është vaksinuar plotësisht me një vaksinë të miratuar nga FDA ose Organizata Botërore e Shëndetit. Nese kjo ndodh lista e vaksinave shtohet edhe me vaksinat kineze Sinopharm dhe Sinovac.
Komisioni i BE’së dhe organizatat ndërkombëtare të udhëtimit prej muajsh kanë bërë thirrje për heqjen e ndalimit të hyrjes për në SHBA, masë që është në fuqi për rreth një vit e gjysmë. Brenda BE-së, Portugalia tani është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit. Rreth 84% e popullsisë prej 10.3 milionë banorëve në këtë vend tani është plotësisht e vaksinuar.
Qëllimi i Portugalisë për të vaksinuar me dy doza 85% të popullsisë së saj tani është i arritshëm dhe vendi pritet të lehtësojë disa nga masat e vendosura për të frenuar përhapjen e sëmundjes. / KultPlus.com
Qyteti Aomori, në veri të Japonisë, është vendi ku bien më shumë reshje dëbore në botë.
Sipas portalit “Lugares de nieve”, në këtë qytet me gati 300 000 banorë bien mesatarisht 8 metra borë në vit, shumica midis janarit dhe shkurtit.
Zona të tjera të Japonisë, veçanërisht ishulli verior i Hokkaido, regjistrojnë sasi reshjesh dëbore edhe më të larta, me deri në 15 metra borë në vit, por jo në qytet.
Sasia e borës që bie në këto zona i ka bërë ato që të jenë nga më të përgatiturit për të përballuar efektet e saj. Në fakt, ata arrijnë të ruajnë linjat e tyre hekurudhore falë një sistemi që çon ujë të ngrohtë në shinat e trenit.
Japonia është vendi i dytë me më shumë resorte skish në botë. Në total, arkipelagu japonez ka më shumë se 500 vende për të ushtruar këtë sport.
Nuk është për t’u habitur që Japonia ka pritur dy herë Lojërat Olimpike Dimërore. / KultPlus.com
“Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, ishte titulli i intervistës së parë ekskluzive që kam zhvilluar para 27 viteve me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në trevjetorin e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur me votim pro 99,87%/, të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991. Tani, në vitin 2021 shënohet 30 vjetori i Referendumit.
Referendumin që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, Presidenti Rugova e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Kjo ishte intervista e parë e një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), për të cilën raportoja si korrespondent në Kosovë nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale, ndërsa intervista të tjera ekskluzive me Presidentin historik Rugova kam zhvilluar edhe kur isha kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja – intervista e fundit është botuar në numrin e jubileut të 60 vjetorit të gazetës – në 12 Shkurt 2005.
Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë, për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistën e para më shumë se çerek shekulli, të 22 Shtatorit 1994, janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova në intervistë…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008…
Intervista e Presidentit të parë të Kosovës marrë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në atë kohë u botua nga shumë media kombëtare e ndërkombëtare. Ashtu si u botua para 27 viteve, të hënen e 26 Shtatorit 1994, në gazetën e përditshme të rezistencës në Kosovë “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha e që sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia tëgazetës atëherë të vetme të përditshme shqiptare në Kosovë Rilindja, intervista me Rugovën e plotë është kjo:
Mbititulli: INTERVISTË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA DHËNË AGJENCISË TELEGRAFIKE SHQIPTARE
Titulli: POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE
—
NËNTITUJT: Bëjmë një rezistencë mjaft të organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes. – Në planin ndërkombëtar, ideja për mbrojtje ndërkombëtare të Kosovës shqyrtohet. – Shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptojnë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese. – Dialogu me serbët gjithsesi në prani të faktorit ndërkombëtar. – Ideja për lidhje konfederale të Kosovës me Shqipërinë u prit mirë në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. – Me hapjen e problemeve me Shqipërinë, Greqia dëshiron ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. – Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale është një akt që e afirmoi tutje çështjen dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës. – Shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion. – Zgjedhjet në LDK ishin shumë të suksesshme në planin e vazhdimësisë, unitetit e konsolidimit
—
Prishtinë, 25 shtator (ATSH)
Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, në një intervistë që i dha Agjencisë Telegrafike Shqiptare, flet për shkallëzimin e represionit e të terrorit në Kosovë, për shmangien e konfliktit e mbrojtjen ndërkombëtare për Kosovën, tendencat greke për destabilizim të Ballkanit e në raport me Shqipërinë e shqiptarët, politikën globale shqiptare e për bashkëpunimin me Shqipërinë, idenë e lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë, zgjidhjen e çështjes shqiptare në të gjitha trojet etnike në ish-Jugosllavi, për zgjedhjet në LDK – partinë më të madhe shqiptare në Kosovë, dhe për çështje të tjera aktuale. Intervistoi: Behlul JASHARI. (Kjo është intervista e parë e një presidenti të Kosovës për ATSH-në)
PËRDITSHMËRI REPRESIVE QË NGRITË TENSIONET NË KOSOVË E NË RAJON
Zoti President, institucione e asociacione ndërkombëtare (si Amnesty International në raportin e fundit etj.) kanë shprehur brengosje e shqetësim për shkallëzim të përshpejtuar të represionit e të terrorit në Kosovë. Çfarë është situate shikuar nga afër, si përditshmëri e popullit të Kosovës?
-Në Kosovë qe sa vite e kemi një përditshmëri represive, represion sistematik, që shkallëzon apo përshpejtohet edhe me ngjarje të ndryshme, siç i kishim vrasjet edhe këta dy muajt e fundit dhe momente të tjera të rënda. Është një represion masiv në Kosovë, dhe, natyrish, i ngritë tensionet politike këtu dhe në rajon. Represioni veçmas është shprehur pas largimit të misionit të KSBE-së nga Kosova. Prandaj, kërkojmë praninë ndërkombëtare në Kosovë, e po ashtu kushtëzimin e sanksioneve kundër Serbisë e Malit të Zi edhe me Kosovën.
Institucione e asociacione ndërkombëtare e kanë të njohur çështjen e Kosovës, sidomos Amnesty International, e cila ndjek situatën, më duket, prej 81-shës, e këtej, sidomos këto vitet e fundit. Situata ndiqet po ashtu edhe nga Federata e Helsinkit nga Vjena, pasaj nga Helsinki Uaç i SHBA-ve dhe nga mjaft institucione të tjera ndërkombëtare. Ne përshëndesim çdo interesim dhe angazhim ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.
REZISTENCË E ORGANIZUAR PËR TË MBIJETUAR
Ka kohë që Kosova jeton midis një gjendje lufte të pashpallur dhe të një paqeje të paqenë. Në këtë front dhune, siç e quani ju, si u arrit, që, megjithatë, Kosova dhe shqiptarët t’i shmangen konfliktit të hapur dhe të jenë faktorë të krijimit të stabilitetit në rajon?
-Flitet se në Kosovë është një paqe e këtij apo atij lloji. Do të kisha thënë se, megjithatë, është më mirë që ekziston një gjendje e tillë sesa të ndodhte ajo më e keqja. Mundësinë e një konflikti kemi arritur ta evitojmë në saje të politikës që kemi ndjekur deri tash, rezistencës paqësore dhe të një rezistence politike, njëhohësisht në saje të popullit të Kosovës, i cili nuk i ka pranuar provokimet. Populli ka dhënë mjaft sakrifica deri tash, qoftë me maltretimin, me situatën represive, pastaj me vrasje të ndryshme. Mund të them se nuk është një rezistencë pasive, siç komentohet shpesh. Pra, është një rezistencë mjaft e organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes.
Po ashtu, situatën në Kosovë duhet ta shikojmë në bazë të situatës në të gjitha rajohet e ish-Jugosllavisë, sepse është një rajon i mbërthyer në luftë, me fronte të hapura në Bosnjë, në Kroaci, pastaj në Kosovë me një front të dhunës dhe të represionit. Pra, në këtë kontekst, Kosova ka kontribuar që të ruhet një lloj stabiliteti dhe të shpëtohet substanca, masa njerëzore shqiptare në Kosovë.
GREQIA NUK KA TË DREJTË
Tendenca të reja të destabilizimit të rajonit u shfaqën kohëve të fundit edhe nga ana e Greqisë. Si i vlerësoni këto tendenca në raport me Shqipërinë, po edhe me Kosovën e shqiptarët, përgjithësisht?
-Për fat të keq, Greqia qe një kohë paraqitet si faktor destabilizues në Ballkan, mund të themi mbas Serbisë. Prandaj, ne kemi kërkuar disa herë nga Greqia edhe si anëtare e Bashkësisë Evropiane të kontribuojë për marrëdhënie më të mira fqinjësore me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar në përgjithësi. Nëse këtë mund ta interpretojmë si një lidhje me Serbinë, qoftë direkte apo indirekte, mund të them se kjo bëhet me qëllim që të minimizohet çështja e Kosovës në planin ndërkombëtar. Sot çështja e Kosovës po depërton në këtë plansiçështje që don zgjidhje në bazë të vullnetit të popullit të Kosovës. Ndërsa, me hapjen e problemeve me Shqipërinë gjithsesi Greqia dëshiron, dhe një herë e them, ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe, mund të themi, t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. Mirëpo, Greqia nuk ka të drejtë. Kemi të bëjmë me një minoritet të vogël grek në Shqipëri, i cili, edhe më parë ka gëzuar një vistër të drejtash ashtu si të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Ndërsa sot, pas ndryshimeve demokratike, gjithsesi janë më të avancuara ato të drejta dhe do të avancohen vazhdimisht siç e ka realizuar dhe e premton qeveria shqiptare dhe presidenti Berisha. Prandaj, i bëj edhe një apel Greqisë që më tutje të ndikojë në qetësimin e situatës në Ballkan.
PROTEKTORATI QË E KËRKOJMË NUK ËSHTË QËLLIM FINAL
Për shkak të situatës së rëndë në Kosovë dhe rreziqeve të përhapjes së konfliktit edhe në Jug, Ju keni kërkuar shumë herë mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën. Në ç’formë do të ishte e mundshme ajo mbrotje dhe çfarë është qëndrimi ndërkombëtar lidhur me këtë kërkesë?
-Ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptonë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese.
Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim. Po shtoj edhe me këtë rast se ka disa keqkuptime në opinionin kosovar. E, duhet ditur se protektorati apo administrata civile nuk është qëllim final, por është vetëm një mjet legal i së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara për të qetësuar një rajon apo një territor, siç është Kosova, që të gjendet një zgjidhje pa luftë dhe pa konflike. Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës.
BISEDIMET SHQIPTARO-SERBE GJITHËSESI NË PRANI TË PALËS SË TRETË
Krahas gatishmërisë së kahershme shqiptare, kohëve të fundit janë shtuar edhe insistimet ndërkombëtare për dialog midis Prishtinës e Beogradit. Çfarë janë mundësitë dhe gjasat e fillimit të këtij dialogu?
-Ne, qe sa kohë, jemi përcaktuar për bisedime, për dialog, për marrëveshje me Serbinë. Po, Serbia nuk ka treguar interesim. Ne u përpoqëm t’i shfrytëzojmë edhe institucionet ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, siç ishte Konferenca e Londrës, e Gjenevës, ku ekziston Grupi i veçantë punues për Kosovën. Biseduam për disa probleme konkrete, para dy vjetëve, siç janë arsimi, masmedia, shëndetësia, por nuk arritëm kurrëfarë rezultatesh.
Tash për tash flitet për mundësitë e një dialogu dhe për këtë falënderoi bashkësinë ndërkombëtare, vendet e Bashkësisë Evropiane dhe vendet e treta, si ato skandinave, Austrinë, etj. Pastaj, SHBA-të janë të interesuara që të fillojë ndonjë bisedim, ndonjë dialog. Deri tash zyrtarisht nuk kemi pasur indikacione nga pala serbe, por shpresoj se edhe ajo do të bindet një ditë dhe do të bisedojmë, të gjejmë zgjidhje, qoftë në kuadër të institucionit ndërkombëtar, siç është Konferenca e Gjenevës, apo ndonjë tjetër. Por, ne gjithësesi kërkojmë një palë të tretë të autorizuar për dialog. Kur them të autorizuar mendoj që ky grup apo bosht shtetesh që është aktualisht në Grupin Kontaktues për ish-Jugosllavinë, që është tash për tash i koncentrar në Bosnjë, SHBA-të, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, pra nga ky grup të gjendet një palë e autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do të udhëheqte dialogun. Dhe, ky nuk është ndonjë kusht nga pala shqiptare, siç e paraqet Serbia duke dashur ta eliminojë palën e tretë, por, kjo është më shumë teknikë e dialogut, e bisedimeve, dhe kurrgjë më shumë. Dhe, në këtë drejtim ne insistojmë.
PROJEKTI I LIDHJEVE KONFEDERALE TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË LEHTËSON ZGJIDHJEN
Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?
-Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë, atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.
Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.
Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.
POLITIKA GLOBALE SHQIPTARE PO REALIZOHET
Shpesh theksoni politikën globale shqiptare, çfarë është kjo politikë e realizuar në praktikë dhe në këto kushte të ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij?
-Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare edhe ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që i ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët, nuk po shkoj më tutje, pas vitit 1912, pastaj 1918, sidomos pas ’45-tës, pra për herë të parë bashkëpunojmë në planin politik. Dhe, natyrisht, në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Do të thotë e kemi një vizion se çka duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se një politikë globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte. Për shembull, me politikë globale shqiptare mendojmë që sa më parë ky mur mes shqiptarëve të bjerë.
Po ashtu politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në planin ndërkombëtar. Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj brenda dhe jashtë e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët. Kjo gjithësesi është një bazë, një element që premton realizimin e aspiratave shqiptare në përgjithësi. Besoj, shumë gjëra janë dëshmuar deri tash. Dhe, kur të kryhen disa punë tash, që i kanë rënë brezit tonë, do të bëhet një politikë globale shqiptare edhe më e madhe, edhe më e frytshme.
DOKUMENT I UNITETIT E INTEGRIMIT SHQIPTAR
Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?
-Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër, të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.
Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.
Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.
Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken.
NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE DUHET TA FUSIM KOMPROMISIN
Si kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, çfarë qëndrimi mbani lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet e paralajmëruara në Maqedoni?
-Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare aprovon dokumentet kryesore dhe një strategji globale. Si kryetar i këtij Këshilli, që kam një përgjegjësi edhe si president i Kosovës, mendoj se shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion, përkundër atyre grindjeve të vogla që kanë ndodhur, që janë pak a shumë normale në proceset e zhvillimeve politike të një partie. Prandaj, gjithsesi duhet të zënë më shumë vende në Parlament, e pastaj le të përcaktohen ato mes partive apo grupeve të ndryshme politike. Ne duhet të fusim në jetën politike shqiptare kompromisin, ju lutem, jo vetëm marrëveshjen, jo vetëm marrëveshje të ngurta, fikse, insistime fikse. Patjetër duhet ta fusim kompromisin, sepse kompromisi është një prej elementëve të demokracisë. Dhe, të lirohemi prej asaj që e kemi jetuar në një sistem, ku kompromisi është kualifikuar negativisht. Prandaj, sot na duhen kompromisi, marrëveshja, falja e gabimeve, etj. Të gjithë flasin, dhe shumë mirë që flasin, për një ide, për çështjen kombëtare, por çështja kombëtare është shumë praktike. Prandaj në situatat e pluralizmit, në situatat e marrëveshjeve, insistoj në një kompromis dhe shpresoj se partitë politike shqiptare në Maqedoni, edhe pse ka pak kohë, do të gjejnë forcë dhe mundësi që të dalin së bashku si një bllok në zgjedhjet në Maqedoni. Është me rëndësi në këtë moment të zënë sa më shumë vende në Parlamentin e Maqedonisë. Masa shqiptare atje ekzison dhe nuk bën t’a humbim përfaqësimin, të drejtën e përfaqësimit në Parlamentin e Maqedonisë.
Të mos harrojmë se pa marrë parasysh vështirësitë që i pati, Grupi parlamentar shqiptar gjatë kësaj periudhe katërvjeçare në Maqedoni ka arritur mjaft, e ka afirmuar çështjen, edhe në institucione ndërkombëtare, edhe në institucionet e asaj republike, edhe në institucionet shqiptare në përgjithësi, edhe në jetën politike shqiptare.
LDK-ja TREGOI UNITETIN QË I DUHET PATJETËR KOSOVËS NË KËTË SITUATË
Me zgjedhjen dhe konstituimin e Kryesisë së LDK-së, kësaj jave, praktikisht përfunduan zgjedhjet në partinë më të madhe dhe më me ndikim të shqiptarëve në Kosovë. Si i vlerësoni ato, si dhe tendencat për diskreditim të LDK-së e të partive të tjera shqiptare?
-Këto zgjedhje, edhe para një viti në planin lokal – nëpër degë e nëndegë të LDK-së, ishin mjaft pozitive. Pastaj patëm një vonesë për shkak të rrethanave në të cilat veprojmë, sepse nuk është lehtë sot që të mbash një tubim të madh siç ishte Kuvendi i LDK-së në këtë situatë kur është i ndaluar çdo tubim publik për shqiptarët. U mbajt Kuvendi dhe ai tregoi një unitet, një konsolidim. Pastaj këto ditë edhe Kryesia e LDK-së u zgjodh. Këtë e shoh si një sukses të madh të zhvillimit të kësaj partie, e cila e ka edhe barrën e një pushteti në Kosovë. Pra, është një kryesi e vazhdimësisë, kryesi e konsolidimit, siç ndodh në çdo parti, dhe, edhe një herë tregoi se LDK-ja është një forcë dhe një fuqi e madhe, e organizuar dhe relevante në Kosovë dhe në botën shqiptare. Nuk është më partia në fillimet e saj, tash vërehet një lloj profilizimi i kësaj partie, dhe këtë duhet ta shikojmë si një proces normal. Është vështirë të flasim sot për profilizim partiak në Kosovë, sepse në këto kushte të okupimit është shumë vështirë, edhe çdo parti, ndoshta edhe më e vogla, e ndien barrën e interesave kombëtare, të interesave shqiptare në përgjithësi. Por, si një organizim i madh LDK-ja, megjithatë, tregoi se është një parti e fortë, di çka don, forcohet nga brenda, është parti që afron njerëzit e vullnetit të mirë për të bërë diçka. Dhe, kjo përgënjeshtroi edhe mjaft spekulime të ndryshme që mundohen sot t’i mëvishen lëvizjes shqiptare në Kosovë, në radhë të parë LDK-së, pastaj partive të tjera politike, me diskualifikime se nuk janë demokratike, jo e majtë, jo e djathtë etj. Siç dihet, me të majtën rreth Kosovës është manipuluar shumë, me mijëra njerëz kanë pësuar për këtë. Të gjitha këto bëhen me qëllim. Për shembull, janë munduar ta shpallin LDK-në edhe si parti terroriste, e çka jo tjetër.
Përkundër të gjithave, edhe kësaj radhe u tregua një unitet, një koncenzus, një bashkim partiak, një unitet që i duhet patjetër Kosovës në këtë situatë. Dhe, besoj se kjo do të ndikojë pozitivisht në jetën politike shqiptare në Kosovë dhe në jetën politike shqiptare në përgjithësi.
VIZIONI I ARDHMËRISË SË SHTETIT TË KOSOVËS
Ju lutem për një koment për Deklaratën Politike që e miratoi Kuvendi i Dytë i LDK-së, veçmas për vizionin për të ardhmen e Kosovës?
-Deklarata Politike e Kuvendit të Dytë të LDK-së është një dokument në vazhdën e dokumenteve të tjera, që i kemi pasur, që nga Programi i LDK-së, pastaj Deklaratës së përbashkët të të gjitha partive politike shqiptare. Në këtë Kuvend dhe në deklaratën që e aprovoi u theksua më shumë organizimi i ardhshëm i shtetit të Kosovës, që e kemi edhe në Kushtetutën tonë – një shtet i popujve të barabartë, i qytetarëve, me një ekonomi të lirë të tregut, i hapur ndaj botës. Një shtet, ku nuk do të lejohet, pas kësaj situate që e kemi, revanshizmi ndaj të tjerëve. Shtet me të gjitha garancitë për të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë, ku askush nuk do të trajtohet si minoritet. Është kjo një ide, një projekt, që vërtetë hasi në mirëkuptim dhe në përkrahje. Sepse, në këtë situatë në Ballkan të flasë njeriu për një perspektivë kombëtare qytetare është shumë vështirë, kur, për fat të keq, qarkullon ajo fantazma e çmendive të ndryshme, të konfrontimeve në këtë kohë. Ky ishte edhe një rezultat i Kuvendit të Dytë të LDK-së, dhe, natyrisht, punojmë në këtë plan.
REFERENDUMET SHQIPTARE U RESPEKTUAN NË LONDËR
Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.
-Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.
Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët.
INTEGRIMET SHQIPTARE EDHE NË INFORMIM
Zoti President, Ju falënderojmë për këtë intervistë.
-Faleminderit. Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri.
***
SI DHE KU E ZHVILLOVA INTERVISTËN E PARË EKSKLUZIVE ME PRESIDENTIN HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
Shtëpia e shkrimtarëve, që ishte shndërruar edhe në seli Presidence e institucionesh tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të okupuar e të panjohur ndërkombëtarisht, mund të vëzhgohej edhe nga dritaret e ndërtesës kryesore të Policisë në Prishtinë, që atëherë ishte serbe pas suprimimit antikushtetues e të përgjakshëm me kushtetutën e tankeve të autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje. Në zyrën e Presidentit Rugova, në atë shtëpi, intervistën e incizova me dy kasetofona, jo vetëm për siguri teknike, por edhe për siguri të tjera. Njërin nga incizimet ia lash këshilltarit të Presidentit Rugova, Xhemail Mustafa, për çdo rast, meqë ishte droja se kur të dilja nga ajo shtëpi, që mund të ishte edhe e përgjuar, rrugës do më ndalonte policia serbe dhe do konfiskonte kasetofonët me intervistën.
Ishte kohë e ndalesave dhe e okupimit të egër dhe vështirë ishte të ruhen e shpëtohen gjërat me vlerë për shqiptarët e Kosovën.
Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia tëgazetës tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë.
Intervista me Rugovën, e realizuar në 22 Shtator, e botuar në gazetën “Bujku” të Prishtinës në 26 shtator 1994, edhe në Agjencinë Telegrafike Shqiptare u dërgua me ndonjë ditë vonesë, me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë.
Raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 majit 1992, ku Rugova u zgjodh President i Republikës, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë, u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë… / KultPlus.com
Tenori shqiptar, Ramë Lahaj sjell një version të këngës “Për mu paska ken’kismet”, nën dirigjimin e Gridi Krajës dhe shoqëruar nga Orkestra Filharmonike e Maqedonisë, deri më tani duket se po pritet tejet mirë nga publiku, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:
Në ato netët e rralla të viteve të fundit, kur jemi ulë me pa televizor bashkë si dikur, kur u mbledhshim mas darke e sigurisht unë kryet n’prehnin tand, televizori e dha kangën “Për mua paska ken’kismet ” ja rrite zanin e me the “fort e du qet kangë”. E kisha majtë shënim me ta knu por dojsha me konë një datë e rëndësishme për ty e mue, për ne. U gëzova fort që ma ne fund i erdh reni kësaj vere me rastin e krijimit te festivalit, platformës së edukimit të gjeneratës se re, projekt ky që fort më gëzoj e ma shumë më idhnoi. Nanë nuk m’prite as mu, as kangën. Por unë ty kangën ta knova edhe natën e frymës tande të fundit, e kam me vazhdue me t’knu edhe atëhere kur të më shteron zani. Se me zanin tand jam rritë, me zanin tand zgjohem edh sot e kësaj dite. Je zani i jetës e motivit, për të vazhdu para, za qe nuk shteron kurrë, nanë. Gabeli jot!
Lahaj shumë shpesh publikon këngë të ndryshme të cilat janë kënduar nga figura të mëdha të muzikës shqiptare.
Më poshtë, KultPlus sjell këngën e plotë “Për mu paska ken’kismet” nën zërin e fuqishëm të tenorit të njohur shqiptar, Ramë Lahaj. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur konkursin publik për drejtor/e në Galerinë Kombëtare të Kosovës, përcjellë KultPlus.
KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:
KONKURS PUBLIK Titulli i pozitës – Drejtor/e Institucioni: Galeria Kombëtare e Kosovës-GKK Kategoria Funksionale / Koeficienti: 10 Për të kuptuar detajet tjera dhe për aplikim ju lutemi të vizitoni linkun e bashkangjitur:
Filmi kosovar “Qiell i trazuar” do të jetë pjesë e përzgjedhjes zyrtare të Balkan Panorama Festival që mbahet në Izmir të Turqisë nga data 27 shtator deri më 3 tetor 2021.
Filmi në regji e skenar të Anton Nrecaj dhe me producent Adriatik Kelmendin pati premierën fizike më 26 gusht në PriFest në Prishtinë.
Ndërkohë filmi është ftuar edhe në festivale tjera në SHBA , Itali dhe Indi.
“Kemi marrë ftesa nga një festival në SHBA, një në Itali dhe një tjetër në Indi. Detajet do të bëhen më të qarta ditëve ne vazhdim”, ka thënë producenti Adriatik Kelmendi.
Balkan Panorama Festival është një festival i njohur që promovon filmin ballkanik. Ky festival i përkrahur edhe nga Ministria e shtetit turk mban sivjet edicionin e 7-të.
Filmi “Qiell i trazuar” është subvecionuar nga QKK me 40.000 euro. Subvencionues tjerë janë Komuna e Prishtinës, kompanitë private JYSK, Aurora, Ujë Rugove etj.
Filmi pritet që së shpejti të shfaqet edhe në kinematë vendore. / KultPlus.com
Aktori dhe producenti amerikan, Johnny Depp mori çmimin e nderit “Donostia” në Festivalin e 69-të Ndërkombëtar të Filmit të mbajtur këtë vit në San Sebastian të Spanjës.
Depp është shfaqur në publik për herë të parë që kur u ngrit një padi mes tij dhe ish-bashkëshortes, Amber Heard, mbi akuzat për abuzim.
Duke folur në një konferencë për media që mbajti para ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Depp tha se po kalonte një periudhë “shumë komplekse”.
“Kur dikush është i padrejtë me ju ose me dikë që e doni dhe besoni, ngrihuni, mos u qëndroni aty sepse ata kanë nevojë për ju”, tha Depp.
Menaxhmenti i Festivalit të Filmit në San Sebastian, i cili u kritikua për çmimin e Depp në kohën e akuzave kundër tij, deklaroi se aktori amerikan nuk u arrestua apo u dënua për dhunë ndaj grave.
Çmimi “Donostia” iu dha Depp (58 vjeç) si një nga aktorët më të talentuar dhe të gjithanshëm në kinemanë bashkëkohore.
Çmimi synon të nderojë arritjet jetësore të filmit.
Festivali i Filmit në San Sebastian do të përfundojë më 25 shtator. / KultPlus.com
Koloneli i nderuar dhe miku i madh i shqiptarëve Aubrey Herbert vdiq më 23 shtator 1923.
Herbert ishte një ushtar britanik, diplomat, udhëtar dhe oficer i inteligjencës i lidhur me pavarësinë e Shqipërisë. Herbert u bë një mbrojtës i pasionuar i pavarësisë së Shqipërisë, pasi kishte vizituar vendin në 1907, 1911 dhe 1913-tën.
Kontributi i tij për Shqipërinë ishte aq i vyer sa u vlerësua duke iu ofruar dy herë froni i Shqipërisë. Nga 1911 deri në vdekjen e tij ai ishte një anëtar konservator i Parlamentit Britanik. Koloneli Herbert vuajti gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij nga shikimi i dobët dhe ishte pothuajse i verbër në moshën 40-vjeçare.
Pas vdekjes së Herbert, nëna e tij Elisabet Karnavon, dha një ndihmë të madhe për Shqipërinë duke ndihmuar në ngritjen e një biblioteke, hapjen e shumë shkollave, në emancipimin e gruas, ndimesë për sjelljen e ndihmave në fushën e shëndetësisë etj.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot një telegram të dërguar nga përfaqësia diplomatike shqiptare drejtuar familjes së Kolonelit Aubrey Herbert ku i shprehin ngushëllime për ndarjen nga jeta, dokument i cili ruhet në AQSH. / KultPlus.com
Miti i Sfinksit është më shumë se një histori magjepsëse. Ai tregon sesi nganjëherë rrethanat përfundojnë duke e mashtruar qenien njerëzore për fatin e tij, pavarësisht faktit se ky i fundit pandeh se e ka mundur, duke deshifruar enigmën që i paraqitet në rrugë e sipër.
Miti i Sfinksit është një nga më të bukurit dhe më kuptimplotë të kulturës greke. Kjo krijesë e veçantë simbolizon misterin dhe enigmën. Ishte pikërisht ajo që mundësoi planin fatkeq hartuar nga Edipi: të vriste babanë, për t’u martuar me nënën. Kjo është edhe arsyeja pse ky mit zë një vend të spikatur në kulturën psikoanalitike. Miti i Sfinksit flet për një krijesë misterioze dhe djallëzore, mbartës i vdekjes dhe shkatërrimit, në të njëjtën kohë ai ndante të njëjtën natyrë me muzat, nisur nga aftësia që kishte me fjalët. Ajo “këndoi” gjëegjëzat e saj, ndaj edhe Sofokliu e quajti atë “këngëtare mizore”.
Më interesantja është se miti i Sfinksit, nuk është i pranishëm vetëm në kulturën greke. Përfaqësime të kësaj krijese ekzistojnë edhe në Indi dhe në pjesë të ndryshme të Azisë, pa harruar ndoshta më të famshmen, atë rrëzë piramidës së madhe të Gizës në Egjipt. Megjithëse miti ndryshon nga kultura në kulturë, përfaqësimi është thuajse identik.
Miti i Sfinksit nuk na jep detaje mbi origjinën e krijesës, por duket se është vajza e dy krijesave demonike ose e një demoni dhe një nimfe.
Në çdo rast, ajo kishte një pamje hibride: pjesa e sipërme ishte ajo e një gruaje: fytyrëzbehtë, sypërflakur dhe gojëhelm. Pjesa tjetër e trupit ishte si ajo e një qeni, me putra luani, krahë shqiponje dhe bisht dragoi. Nga ana tjetër, sfinkset egjiptiane kanë fytyrë mashkullore dhe janë pa krahë. Miti klasik i Sfinksit rrëfen se ai erdhi nga tokat e largëta të Etiopisë dhe u vendos në qytetin grek të Tebës, i thirrur nga perëndeshë Hera për të ndëshkuar qytetarët tebanë. Hera, perëndeshë me natyrë hakmarrëse, donte të hakmerrej ndaj banorëve për shkak të sjelljes së mbretit të tyre, Laius. Ai, i martuar me Giocastan dhe babai i djalit të tyre, Edipit, rrëmbeu dhe joshi të riun Crisippo.
Në të vërtetë, ky është aludimi i parë për homoseksualitetin e pranishëm në tragjeditë greke. Sfinksi, gjysmëdemon dhe gjysmëmuzë, mbolli terror me njëfarë stili: ai nuk vriste drejtpërdrejtë. Gjente ndonjë skutë të fshehur në vende të largëta përgjatë rrugëve të shkretuara dhe, kur kalonte ndonjë qytetar i Tebës, i dilte para me pamjen e frikshme dhe i propozonte një gjëegjëzë. Ata që s’jepnin përgjigjen e saktë, e paguanin me jetë. Krijesa i vriste viktimat duke i mbytur. Fjala “sfinks” rrjedh nga rrënja greke σφίγγω (të mbytësh). Kështu, ai përhapi terrorin dhe vdekjen në qytetin e Tebës. Për të gjetur shpëtim nga situata, u lëshua një dekret, sipas të cilit, kushdo që do arrinte ta gjente gjëegjëzën e Sfinksit, do shpëtonte jo vetëm veten, por do të bëhej mbret i Tebës dhe do të martohej me bukuroshen Giocasta.
Edipi e takoi Sfinksin përgjatë rrugës, në një kthesë, kur edhe i tha sakaq gjëegjëzën e saj të famshme: “Cila është ajo kafshë, që në agim noton e përdridhet si peshk, në mëngjes ecën me katër këmbë, pasdite me dy dhe në mbrëmje me tre?”. Edipi dha përgjigjen e saktë: njeriu. Në lindje, ai ecën këmbadoras, i rritur ecën me dy dhe në pleqëri ka nevojë për një bastun.
Vdekja e sfinksit dhe interpretimi
Nuk është e qartë se çfarë ndodhi pasi Edipi dha përgjigjen e duhur. Sipas disa versioneve, Sfinksi u vidhis në humnerë. Versione të tjera tregojnë, se ishte vetë Edipi që e vrau ose krijesa u largua drejt Egjipt, ku u ngurtësua. E sigurt është se Edipi u bë mbret i Tebës dhe, siç iu premtua, u martua me bukuroshen Giocasta. Kësisoj u përmbush edhe profecia, se ai do të martohej me nënën. Ndërsa i ati, Laio, tashmë ishte vrarë në rrugë, pas disa trazirave. Disa psikoanalistë e interpretojnë sfinksin si një përfaqësim i misterit të universit femëror, i cili gjithmonë dëshiron të deshifrohet; të tjerët thonë se ajo simbolizon fatin tragjik të qenies njerëzore. Edipi e mposht Sfinksin, por kjo fitore i shkaktoi tragjedinë: u martua me të ëmën pa e ditur se kush ishte dhe, për këtë, e ndëshkoi veten duke nxjerrë sytë. Poetët dhe skulptorët i lejuan vetes t’i bëjnë ndryshime elementeve kryesore dhe dytësore, nga të cilët përbëhej ky grumbull i çuditshëm.
Si rrjedhojë, Sfinksi shpesh ka fytyrën e një virgjëreshe, gjoksin dhe kthetrat e një luani, bishtin e një gjarpri dhe krahë; ose kokën e një luani, trupin e një njeriu, kthetrat e një shkabe dhe krahët e një shqiponje. Madje, e gjejmë të figuruar edhe në trupin e një qeni. Basoreleivet prej bronzi ku shfaqet si zbukurim, në disa medalje, ndër të tjera ato të Kios, ofrojnë shumë përfaqësime të Sfinksit. / Konica.al / KultPlus.com
Në San Benedetto del Tronto do të vendoset busti i Nënë Terezës. Ky bust është një vlerë e shtuar për komunitetin shqiptar që jeton në këtë zonë dhe jo vetëm.
Ishte Shoqata Shqiptare në San Benedetto, me kryetar Vasil Nushin, që ndërmori nismën për vendosjen e bustit të shenjtores shqiptare Nënë Tereza.
Kastriot Shkreta ishte sipërmarrësi shqiptar që ndihmoi në financimin e ndërtimit të monumentit të Nënë Terezës në hapësirën e caktuar.
“Në San Benedetto del Tronto në sheshin para Eurospin do të vendoset busti i Nënë Terezës.
Ky bust, i propozuar, ideuar, dhe sponsorizuar nga ne si shoqat është një vlerë e shtuar për ne si komunitet shqiptar. Është në nderin e gjithë e shqiptarëve qq banojmë e jetojmë këtu të kemi midis nesh Nënë Tereza. Kjo u mundësua si rezultat i bashkëpunimit të shoqatës tonë me komunën e San Benedetto del Tronto”, shkruan kryetari i Shoqatës Shqiptare Vasil Nushi. / KultPlus.com
Për sa kohë që ka vjeshtë, nuk do të kem duar të mjaftueshme, kanavacë dhe ngjyra, për të pikturuar bukurinë që shoh.
Vjeshta konsideruar si sezoni si më romantik dhe më poetik, i aftë të na japë peizazhe që të lënë pa frymë me ngjyra unike.
Kjo stinë, atmosfera e së cilës na sjell gjithmonë pak melankoli për stinën e verës, ka frymëzuar jo pak artistë, të magjepsur nga bukuria e natyrës: toka vishet me tonalitete të ngrohta dhe gjethet fillojnë të popullojnë rrugët dhe pyjet tona. Ne i rikthehemi jetës së përditshme, në ato çastet e ngrohta nën batanije. Rikthehemi ngadalë për ta braktisur veten në folenë tonë të vogël të shtëpisë, të mbrojtur nga erërat e para. Qytetet rimarrin ritmin e tyre.
Fraza e sotme është një fjali e marrë nga Van Gogu, i cili me stilin e tij të pagabueshëm dhe jashtëzakonisht personal, gjithmonë e ka pikturuar natyrën me fuqi evokuese ekstreme. Piktura e tij karakterizohet nga ngjyra të ndezura, thuajse të pazakonta, çka dëshmojnë për vizionin e gjallë të artistit. Sytë e tij dinin të shihnin përtej, ata mund të shihnin gjëra që të tjerët nuk ishin në gjendje t’i shihnin. Për këtë, edhe objektet më të thjeshta, mbartnin një patos të fortë. Shpirti i tij i munduar u pasqyrua në bimë, në pemët e troshitura nga era, në natyrën e ndriçuar nga shkëlqimi i yjeve.
Aforizma
Një libër me poezi është një vjeshtë e vdekur: vargjet janë gjethe të zeza në tokën e bardhë, kurse zëri që i lexon është flladi i erës që i zhyt në zemrat, në skutat e brendshme.
Federiko Garsia Lorka
Si një rrugicë vjeshte: sapo gjithçka fshihet, ajo përsëri mbulohet me gjethe të pastra.
Franc Kafka
Vjeshta është stina më e trishtë e vitit; perëndimi është ora më e trishtë e ditës: në atë stinë, në atë orë, dielli i afrohet varrit madhështor për ta parë veten si djali i parëlindur i Krijuesit. Në mesditë, ai i mbledh tërë rrezet për t’i vërvitur furishëm për të ndezur natyrën, por aty nga mbrëmja jeta venitet, mirësia shpërndahet dhe ai tani është i lumtur të derdhë gjithë shkëlqimin e tij për hemisferën që e rrethon. Dhe kubeja e qiellit, pasi ka braktisur mantelin blu, prarohet nga drita hyjnore, në atë mënyrë që shekulli të përthithë rrezatimin e shpirtit të madh që e ka dominuar.
Francesko Domenico Guerrazzi
Nëse një pemë nuk i ka treguar lulet në pranverë, do të jetë e kotë të kërkosh frytet e saj në vjeshtë.
Valter Skot
Dua një vjeshtë të kuqe si dashuria, të verdhë si dielli, ende i ngrohtë në qiell, portokalli si perëndimet e diellit të ndriçuara në fund të ditës, vjollcë si kokrrat e rrushit që përtypim. Unë dua një vjeshtë për të zbuluar, përjetuar, shijuar.
Stephen Littleword
Vjeshta është pranvera e dimrit.
Henri dë Tuluz Lautrec
Vjeshta është pranverë e dytë, teksa çdo gjethe është lule.
Artistët e shquar nga Franca, Pierre Fouchenneret në violinë dhe Theo Fouchenneret në piano, përmbyllën natën e fundit të festivalit ‘ReMusica’ mbrëmë. Ata sollën perlat franceze duke interpretuar vepra të Schumann, Bartok dhe Faure në koncertin e titulluar ‘The French Touch’, shkruan KultPlus.
Veprat e shquara franceze e kompletuan edicionin e sivjetëm të ‘ReMusica’ që zgjati nga 13 deri më 22 shtator.
Edicioni jubilar i festivait ‘ReMusica’ u hap me dokumentarn me regji të Hana Agimit, ‘ReMusica 20 vjet’, e cila pasqyron këtë festival në 20 vite të realizmit. Ky dokumentar shfaqi fytyra të njohura që kishin kontribuar në formimin e këtij festivali përgjatë këtyre 20 viteve.
Drejtoresha e këtij festivali, Donika Rudi, në një përgjigje për KultPlus thotë se pavarësisht se ky edicion ka qenë Edicion Hibrid (i kombinuar), për shkak të situatës me koronavirus, është arritur të mbahet ajo rrjedhë që ishte planifikuar.
“Përkundër sfidave organizative që kishim me masat të cilat u vendosën në prag të këtij edicioni jubilar, edicionin e 20-të kemi arritur që për një kohë shumë të shpejtë të ri-adaptojmë programin dhe të gjejmë mundësi që për një kohë shumë të shkurtër të mbajmë rrjedhën që kishim planifikuar.”- deklaron Rudi.
Një mori aktivitetesh përgjatë këtyre ditëve të festivalit, u mbajtën me prezencë fizike si punëtoritë dhe ligjëratat, kurse pjesa tjetër e koncerteve u mbajtën virtualisht.
Përveç Pierre dhe Theo Fouchenneret që sollën perlat e muzikës franceze, natën e parë të festivalit, publiku pati mundësinë të shijojë koncertin recital të sopranos kosovare, Elbenita Kajtazi nën shoqërimin e pianistes Camille Lemonnier ku u interpretuan vepra të kompozitorëve të shquar vendorë e ndërkombëtarë. Pianistja shqiptare, Merita Rexha-Tërshana solli emocion të pashoq me koncertin ‘Frymë shqiptare’ duke interpretuar vepra të njohura të kompozitorëve shqiptarë. Kompozitori, Ilir Bajri solli ‘ReCreate and RePlay’, artistet kosovare, sopranoja Kaltrina Miftari dhe Tringa Sadiku në kitarë prezantuan me emocione të papërsëritshme perlat e epokës elizabetiane. Përveç këtyre, në festivalin ‘ReMusica’ u paraqitën edhe ansambli evropian, Asasello String Quartet dhe Holger Maik Mertin.
“Artistët erdhën në Kosovë ashtu siç e kishim planifikuar, megjithatë koncertet u zhvilluan pa publik përderisa pjesa tjetër e aktiviteteve u mbajt ashtu sic kishte qenë e planifikuar me numër të kufizuar. Eshtë fjala për punëtoritë të cilat filluan një javë para hapjes së ReMusica.’- shton tutje Rudi për KultPlus.
Për fund, Rudi shton se pavarësisht kufizimeve të pandemisë, vulnnetin për të sjellë koncerte të tilla nuk mund ta kufizojë asgjë.
“Takimi jonë fizik, këtë vit u pamundësua. Përqafimet e ngrohta na u limituan, por vullnetin dhe dashurinë që t’ju sjellim koncerte dhe programe tē larmishme me artistë të shquar nga vendi dhe bota, asnjëherë dhe asgjë nuk do t’mund ta ndalë e kufizojë.” – shtoi ajo./KultPlus.com
Të gjithë kemi nevojë që dikush të na shohë. Ne mund të ndahemi në katër kategori, sipas llojit të shikimit që na nevojitet.
Kategoria e parë dëshiron shikimin e një numri të pafundëm sysh anonimë, me fjalë të tjera, shikimin e publikut.
Kategoria e dytë përbëhet nga njerëz që kanë një nevojë jetike që të shihen nga shumë sy të njohur. Këta janë organizatorët e palodhur të festave me kokteile dhe darkave. Këta janë më të lumtur se sa njerëzit në kategorinë e parë, të cilët, kur humbasin publikun, kanë ndjesinë sikur dritat janë fikur në dhomën e jetëve të tyre. Kjo u ndodh të gjithë atyre, herët a vonë.
Njerëzit në kategorinë e dytë, nga ana tjetër, gjithmonë mund t’i kenë sytë që u nevojiten.
Pastaj është kategoria e tretë, kategoria e njerëzve që duan të jenë vazhdimisht para syve të personit që dashurojnë. Situata e tyre është po aq e rrezikshme, sa edhe situata e njerëzve në kategorinë e parë. Një ditë, sytë e të dashurit të tyre do të mbyllen, dhe dhoma do të bjerë në errësirë.
Dhe në fund, është kategoria e katërt, më e rralla, kategoria e njerëzve që jetojnë në sytë imagjinarë të atyre që nuk janë të pranishëm. Këta janë ëndërrimtarët! / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.
Osmani ka thënë se është pak të thuhet se Kosova është e bekuar me miqtë e saj. Ndërsa e ka falenderuar Clintonin, Osmani ka publikuar disa fotografi me të, transmeton KultPlus.
“Është pak të thuhet se Kosova është e bekuar me miqtë më të përkushtuar dhe më besnikë. President, faleminderit për gjithçka që keni bërë për njerëzit tanë”, shkroi Osmani në një postim në Twitter. / KultPlus.com
To say Kosovo has been blessed with the most dedicated and loyal friends would be an understatement.