Një universitet në Kanadë do të ketë një lëndë për Drake dhe The Weeknd: Çfarë do të mësojnë studentët?

Disa studentë do të kenë mundësinë që të mësojnë për Drake dhe The Weeknd.

Shkolla Krijuese e Universitetit Ryerson në Kanada do të ketë një lëndë e cila do të thellohet te jeta dhe talenti muzikor i artistëve kanadezë, bëri me dije universiteti në një njoftim për shtyp, transmeton KultPlus.

Kursi, i titulluar “Deconstructing Drake & The Weeknd,” (Zbërthimi i Drake & The Weeknd) do të ofrohet në semestrin e dimrit sipas profesorit Dalton Higgins, i cili do të japë mësim.

“Është koha që ikonat tona kanadeze të repit dhe R&B të njihen dhe të kanonizohen në mënyrë akademike ose ndryshe. Dhe është e rëndësishme për studiuesit dhe historianët që të shqyrtojnë skenën muzikore të Torontos ku lindi Drake/Weeknd dhe ndihmoi në krijimin e kushteve që ata të bëhen mega-të suksesshëm,” tha profesori për CNN, transmeton tutje KultPlus.

Zgjedhja e artistëve nuk është krejt rastësore.

“Ajo që njerëzit priren të harrojnë për Drake është se ai është në të vërtetë një shkrimtar i shkëlqyeshëm. Në vjershat e tij ai përdor të gjitha llojet e figurave letrare si metaforat, pentametrin jambik, krahasimet, kështu që ne do të zbërthejmë tekstet e tij dhe do të shqyrtojmë sesi ai i bashkon këngët.”

Përpos këtyre, studentët do të mësojnë edhe në lidhje me anën sipërmarrëse të artistëve, për shembull si gjenerojnë të ardhura, rolet e tyre si ambasadorë të markave, si dolën nga “origjina modeste” etj. / KultPlus.com

Frederik Shiroka, kirurgu shqiptar me përmasa evropiane

Më 27 shtator të vitit 1907 në Shkodër lindi Frederik Shiroka, një kirurg shqiptar me përmasa evropiane. Për 30 vjetorin e vdekjes së tij, dr. Petrit Gaçe e quajti “themelues të kirurgjisë shkencore shqiptare”.

Shiroka shkollën fillore e bëri në Kolegjin Saverian më 1915, mbasi kreu klasët fillore më 1923 u dërgua prej familjes që të vijonte shkollimin në Austri. Gjimnazin e kreu në qytetin e vogël të Kremsit (afër Vjenës) ku maturonin shumë të rinj nga familje shkodrane. Përfundoi maturën në vitin 1928 me rezultate shumë te mira, e kjo i krijoi mundësinë që të pranohet të vazhdojë degën e mjekësisë në Universitetin e Graz-it. Në Austri njihet me Olimpian, austriake nga Tiroli, me të cilën martohet, por nuk mundën të kishin fëmijë.

Mbasi mbaroi studimet me rezultate të larta, i specializuar për kirugji dhe gjinekologji edhe pse i ofruan për të punuar në Katedrën e Kirurgjisë në Graz, ai vendosi të kthehej në atdhe në 1935-ën për të punuar në spitalin e Tiranës si mjek kirurg në spitalin civil në Tiranë, si asistent i Prof. H. Hocke, i cili punoi prej vitit 1935 deri në 1937-tën si kirurgu kryesor. Vizitën e parë në Tiranë e bëri te dr. Osman Jonuzi, themelues i kirurgjisë shqiptare. Ardhja e tij në spitalin e Tiranës u mirëprit nga bashkatdhetarët e tij dhe mjekët, si: dr. S. Tefiku, dr. B. Zyma etj., të cilët e ndihmuan dhe e orientuan kirurgun e ri. Menjëherë ra në sy talenti i tij si kirurg, jo vetëm në mjedisin mjekësor, por edhe tek populli, që kishte shumë nevojë për të. Këtë gjë e vuri re edhe mjeku çifut Lehman, qysh në javën e parë të operacioneve.

Me 1939, pak ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Prof. Lehmann u largua nga vendi ynë dhe shef i kirurgjisë mbeti asistenti i tij, Dr. Federik Shiroka. Por menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, kirurgët italianë zunë vendet në repartin e kirurgjisë të spitalit të Tiranës, duke transferuar Dr. Shiroken në Shkodër edhe për faktin se nuk pranoi të hynte në partinë fashiste. Më 1940 dr. Shiroka ishte shef në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Shkodrës, pozicion si kirurg primar që e ushtroi në vendlindje nga 1 dhjetori i 1940 deri më 7 prill 1946.

Me kalimin në Tiranë emërohet drejtues i pavionit të kirurgjisë, ku punoi deri në fund të jetës. Nga 1947 u bë anëtar i Akademisë së Shkencave.

Punoi edhe si mjek i burgut të Tiranës, gjë e cila e tronditi shumë dhe i kujtonte se si mund të ishte gjendja e të vëllait internuar në Kampin e Tepelenës. Për të nderuar punën e tij të paçmuar qeveria në majin e 1955 e dërgoi në Moskë, i caktuar si anëtar i delegacionit kulturor. Në dhjetor të po atij viti vdes në tre të natës nga infarkti, ditën e varrimit u përcoll në varrezat e Rrëmajit nga bashkëqytetarë të panumërt.Vdekja e tij nxori probleùmin qe i vellai, Zef Shiroka, ishte i burgosur e izoluar ne Kuç te Vlores, ku te nesrmen e vdekjes se doktorit erdhen dhe e moren urgjendtisht oficere te Ministrise se Brendshme, e me kete ras ai u lirua.

Dr. Shiroka u dekorua nga Kryetari i Kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor, Omer Nishani, me Urdhërin e Punës të Klasit të I-rë, me dekretin Nr. 922, datë 5 shtator 1949, me motivacionin: “I dalluar në mëndyrë të vecantë për punë të palodhur frytëdhënëse, për merita të çquara në aplikacionin e shkencave të mjeksisë, për cilësira të radha teknike, që me reultatet e mira të operacioneve dhe mjekimeve kanë kontribuar në shkallë të gjërë në përforcimin e shëndetit të popullit. (Gazeta Zyrtare e RPSH, 22 Shtator 1949, Nr 71) / KultPlus.com

Gazetari dhe moderatori i njohur, Dhimitër Gjoka vlerësohet me titullin ‘Mjeshtër i Madh’

Presidenti Ilir Meta i akordoi sot titullin e lartë dhe të merituar “Mjeshtër i Madh”, gazetarit dhe moderatorit të njohur, Dhimitër Gjoka.

Meta vlerësoi se “folësi, gazetari, regjisori dhe moderatori i mirënjohur Dhimitër Gjoka është një personalitet dhe figurë shumë e dashur, prej dekadash e ekraneve tona”.

“Me një karrierë të gjatë dhe të shkëlqyer, autor i dhjetëra skenare filmash, programesh dhe dokumentarësh, ai është referim për brezat e rinj, që synojnë suksesin në fushën e medies dhe televizionit.

I lumtur, që në praninë e shumë kolegëve të tij gazetarë, që ma propozuan me të drejtë këtë vlerësim, ta nderoja sot Dhimitër Gjokën me Titullin e lartë dhe të merituar “Mjeshtër i Madh””, tha Meta. / KultPlus.com

Bota sot shënon Ditën e Turizmit

Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Turizmit.

27 shtatori është datë që është zgjedhur për të përkuar me një moment të rëndësishëm në turizmin botëror, përvjetorin e miratimit të Statutit të Turizmit Botëror që ndodhi më 27 shtator 1970.

Organizata Botërore për Turizëm e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) është agjencia e Kombeve të Bashkuara që është përgjegjëse për promovimin e turizmit me qasje të besueshme, të qëndrueshme dhe universale. / KultPlus.com

‘Qilimi Shqiptar’ i arkitektit Hernandez, fitues i çmimit të parë në ‘Loop Design Awards’

Shiroka me projektin “Qilimi Shqiptar” të arkitektit Hernandez, fiton çmimin e parë te Loop Design Awards për vitin 2021 ne kategorinë pejsazh/hapësira publike.

Lajmi u bë i ditur nga deputeti i Partisë Socialiste, Benet Beci, i cili thekson se “këtë vit konkurruan për çmime 650 projekte nga 50 vende të botës”.

“Urime arkitektëve për idenë e veçantë dhe këmbënguljen për cilësinë e projektit, inxhinierëve e ndërtuesve të veprës dhe kolegëve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për përfundimin e suksesshëm të një tjetër projekti të rëndësishëm për vendin”, – tha Beci.

Beci u shpreh se “ky është një lajm shumë i mirë që e vendos Shkodrën në qendër të vëmendjes, një mundësi më shumë për zhvillimin e turizmit dhe një nxitje e përgjegjësi për të gjithë që të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim punën për transformimin e qytetit”.

Projekti i rikualifikimit urban të Shirokës, e ka kthyer në qendër turistike, argëtuese dhe të pasur në aktivitete sociale në shërbim të komunitetit.

Projekti përfshiu restaurimin e 2000 m2 fasada, ndërtimin e 1500 m2 çati të reja, si dhe ndërtimin e një hapësire, prej 1700 m2 parking publik. Hapësira e rikonstruktuar e sheshit është 20.000 m2 në total. /atsh/ KultPlus.com

Komedia ‘Kthimi i Karl Majit’ nga Blerta Neziraj, shfaqet në Ludwigshafen të Gjermanisë

Komedia nga Kosova, “Kthimi i Karl Majit” do të jepet të mërkurën, me datë 29 shtator, nga ora 20:00, në teatrin Theater im  Pfalzbau në Ludwigshafen të Gjermanisë. 

Shfaqja, regjinë e së cilës e ka bërë Blerta Neziraj, është realizuar nga Qendra Multimedia e Prishtinës, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe teatri Volksbuhne i Berlinit. Në shfaqje luajnë aktorët e mirënjohur Kosovar: Adrian Morina, Arta Muçaj, Armend Ismajli, Ylber Bardhi e Shpetim Selmani. Tekstin e ka shkruar Jeton Neziraj. 

Premiera e kësaj shfaqje është dhënë vitin e kaluar në tetor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. 

Ajo e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes – Në shfaqje, Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i librave të Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe bashkë me një grup aktorësh nga Kosova, ia mësynë ‘tokave gjermane’. Në këtë udhëtim gati epik, ai takon Slavoj Zhizhekun, Piter Handken, një pjesëtar të Nëntokës Nacional-socialiste (Nationalsozialistischer Untergrund) e personazhe të tjera / KultPlus.com

BE-ja: Kryenegociatorët të vijnë në Bruksel në ditët në vijim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, tha se negociatorë kryesorë të Kosovës dhe Serbisë duhet të shkojnë në Bruksel për t’u takuar.

Ai tha se ky do të ishte edhe hapi i parë pozitiv që duhet të ndërmerret.

“Ne jemi atje duke ofruar shërbimin tonë më të mirë dhe vullnetin më të mirë për t’i ndihmuar Kosovën dhe Serbinë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë ta bëjmë këtë, prandaj përfaqësuesi më i lartë i BE-së, Josep Borrell, dje në deklaratën e tij propozoi takimin e të dy kryenegociatorëve për të ardhur në Bruksel në ditët në vijim si hapi i parë pozitiv për të gjetur zgjidhjet për mosmarrëveshjen diskrete që përshkallëzoi situatën sepse ajo që është urgjente është përshkallëzimi i situatës”, tha ai.

Stano shprehu përkushtimin e BE-së për t’i mbyllur të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë.

“Që prej se ne kemi rinisur dialogun që është ende duke vazhduar nga viti 2011-të, verën e kaluar ne jemi munduar t’ju bëjmë të qartë të dyja palëve se mënyra e vetme për të arritur të ardhmen evropiane për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë arrihet nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashikimi Evropian”, tha Stano.

Ai tha se BE-ja po mundohet t’i ndihmojë palët për ta gjetur kompromisin e nevojshëm.

“Ky dialog është objektiv i cili duhet të arritur nëpërmjet kompromisit të lidhur ligjërisht përmbledhës me marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, kjo është çka BE-ja ofron dhe ne do të ofrojmë shërbime për të dyja palët për t’i ndihmuar ato që të adresojnë çështjet që mund t’i kenë për njëra-tjetrën për çfarëdo çështje të hapur që mund të kenë… Ne jemi duke u munduar që t’ju ndihmojmë të gjejnë kompromisin e nevojshëm për t’i dhënë fund të gjitha çështjeve të hapura që kanë mes vete”, deklaroi Stano./KultPlus.com

Novelat e Agatha Christie cilësohen si më të preferuarat e studentëve

“Klasikët janë thelbësorë për kurrikulën mësimore”, këtë gjë e kemi dëgjuar edhe më parë. Por lind pyetja se pse në shkolla mësohet vetëm për disa prej tyre?, transmeton KultPlus.

Pse William Shakespeare e jo Agatha Christie?

Çfarë kanë shfaqjet e Shakespeare-it që mungon në romanet e Christie-s?

Romanet e Agatha Christie nuk kanë nevojë të përkthehen shumë nga anglishtja Elizabetiane në anglishten moderne. Kjo gjë pranohet mjaft mirë nga studentët, të cilët e preferojnë më shumë anglishten bashkëkohore.

Përfitimet e mësimit të veprave që përmbajnë mister janë mjaft të rëndësishme, kështu ato hapin një diskutim nga studentët rreth veprës, duke diskutuar të dhënat e caktuara në vepër, duke paraqitur teori se si mund të përfundojë romani. / KultPlus.com

Photo credit should read: PA Wire URN:23718838

Së shpejti lansohet platforma ‘RRITU E MËSO’ në gjuhën shqipe

Aplikacioni ‘RRITU E MËSO’ është krijuar nga artisti Artan Korenica në bashkëpunim me krijues të fushave të ndryshme në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

Pjesë e ekipës kreative të aplikacionit janë Alban Skenderaj, Miriam Cani, Klea Huta, Elgit Doda e shumë profesionistë të tjerë.

RRITU E MËSO është ideuar e realizuar për fëmijë nga mosha zero, ashtu që të argëtohen duke mësuar shqip.

Aplikacioni përbëhet nga 8 njësi: gjuha, matematika, vizatimi, përrallat, loja e memories, puzzle, si dhe gjëgjëzat.

Ashtu që të njoftoheni më nga afër me rrjedhën e aplikacionit, ekipën, si dhe planet afatgjata të platformës ‘RRITU E MËSO’, ftohet audienca që të marrin pjesë në eventin për lansimin e aplikacionit me 1 tetor 2021 në ICK, nga ora 17:30. / KultPlus.com

Kryeministri Rama dekoron Rexhep Qosjen në Prishtinë

Kryeministri Edi Rama ka dekoruar Rexhep Qosjen pikërisht në Prishtinë në krah të kreut të qeverisë së Kosovës Albin Kurti.

Rama deklaroi gjatë fjalës së tij se ai është një zotni burrë në plot kuptimin e fjalës. Ai kujtoi mësimin që ka marrë në analizën e tij kritike në kohën kur Rama ishte në opozitë. Rama tha se në atë kohë Rexhep Qosja botoi një kritikë të titulluar “Opozitë me duar në xhepa”. Që prej asaj kohe tha ai në çdo takim pune ka parasysh figurën e Qosjes dhe kurrë më nuk e përsërit të njëjtin gabim.

Një zotni burrë në kuptimin më të plotë të kësaj shprehje shqipe. Zhurmat e kanë dominuar prej kohës mjedisin publik. Shumë kohë më parë nxënësit në liceun artistik më ra në dorë një libër me titullin “Anatomia e Kulturës”. Ishte një libër i lejuar por kishte një ndjesi krejt tjetër dhe përçonte një aromë tjetër nga ajo shabllone të estetikës dhe kritikës me trë cilët ishim mësuar. Që atëherë u vura në gjurmët e atij autori.

Ky simbol është i nderit të jashtëzakonshëm që kam nderin t’ia dorëzoj sot në përvjetorin e 85-të të jetës së tij. Sot është dita të tregoj diçka shumë personale. Nga koha kur isha në opozitë, sot nuk më kritikon që kam ardhur me duar në xhepa. Gjatë inaugurimit të një shkolle në Tiranë kamerat me zunë me duar në xhepa. Dhe ju bëtë një analizë e cilësuat “Opozitë me duar në xhepa”. Unë u sfidoj të gjithëve të gjej që nga ajo kohë një foto që të jem me duar në xhepa gjatë një vizite pune” tha Rama.

Akademiku Rexhep Qosja në fjalën e tij gjatë vlerësimit me Yllin e Medaljes nga kryeministri Edi Rama tha se në krijimtarinë e tij e ka parë gjithmonë Shqipërinë dhe Kosovën bashkë.

Ky nderim mu bë sot këtu në Prishtinë dhe e ndjej veten mirë se ky nderim i veçantë me këtë simbol të jetës dhe historisë sonë u bë pas takimit të dy delegacioneve, të delegacionit të Shqipërisë, të kryeministruar prej kryeministrit Edi Rama dhe të delegacionit të Kosovës, të kryeministruar prej Albin Kurtit. Dua të them se si Edi Rama që është politikan dhe intelektual krijues, edhe Albin Kurti është politikan dhe intelektual krijues. Ai është një prej intelektualëve që e shquan një cilësi e veçantë, dua ta dëgjojnë e ta shikojnë televizionet, dua ta dëgjojnë kur paraqitet në tubime, duhet ti dëgjojnë deklaratat, bisedat e intervstat e tij për të parë e për tu bindur se Albin Kurti ka një kujtesë me fjalë të huaj themi memorie, të jashtëzakonshme në të cilën janë mbledhur të dhëna, sa një bibliotekë mbi historitë e Europës dhe të SHBA e të popuje e kontinenteve të tjera, të dhëna mbi krijimtarinë letrare, artet e tjera të ndryshme, mbi filozofinë, shkencat e ndryshme dhe nga paraqitjet e tij dhe mund të mësohet.

Edi Rama dhe Albin Kurti janë dy politikanë intelektual, natyrisht të çmuar prej popujve dhe kjo u pa dhe në zgjedhjet e fundit në të cilat pjesa më e madhe e popullit ua dha votën, besimin. Por s’mund të mos e themi se kryeministri Edi Rama dhe kryeminitri Albin Kurti janë politikanë dhe intelektual njëkohësisht dhe të kritikuar. Kurrë e kurrë të kritikuar them unë me arsye, e shumë më shpesh të kritikuar dhe pa arsye. Mund ti dëgjojmë ato kritika me të cilat mund të pajtohemi, dhe ato që janë ta themi pa argumente, të padëshmuara, kritika për shkak të kritikave. Kritikat janë të nevojshme në jetën politike e shoqërore, janë të nevojshme e të dobishme, sjellin nxitje e frymëzime të reja për punë të reja. Intelektual me kuptimin si koka e popullit, i obligon intelektualët që merren me politikë, se duke u marrë me politikë merren me jetë, me të gjithë ato që kanë të bëjnë me jetën sot, të ardhmen e popullit. Unë kam shkruar shumë, më tepër se sa duhet natyrisht dhe në ato shkrimet e mia, në krijimtarinë time historiko-letrare, në krijimtarinë time publicistike, letrare, kurrë nuk i kam ndarë nuk i kam veçuar njërën prej tjetrës, Shqipërinë dhe Kosovën, i kam parë bashkë si një tërësi, të bashkuara në të kaluarën, siç kanë qenë, të bashkuara në të përtashmen dhe i kam ëndërruar e dëshiruar të bashkuara e në të ardhmen”, tha Qosja në fjalën e tij.

Ai i bëri apel të dy kryeministrave që të takohen më shpesh. “I ftoj kryeminitri Edi Rama dhe kryeministri Albin Kurti të takohen si sot më shpesh të takohen qeveritë e tyre, të mbajnë lidhje qeveritë e tyre, të kryeministruara prej tyre”, vijoi ai. / KultPlus.com

Cineplexx rihap dyert për shikuesit nga 28 shtatori, shfaq disa nga premierat e fundit botërore

Pas një pauze afër një mujore shkaku i masave anti-covid nga qeveria e Kosovës, Cineplexx rihap dyert për fansat e kinemasë nga data 28 shtator.

Pas masave të qeverisë të cilat i mbajtën kinematë e mbyllura nga data 30 gusht, Cineplexx më në fund hap dyert sërish për të gjithë dashamirët e filmave. Rihapja e kinemasë do të bëhet nga data 28 shtator, ditën e martë, dhe në Cineplexx dita e martë shënon të ashtuquajturën “Dita e Kinemasë”, që kinemaja më e madhe në vend, Cineplexx, ka rezervuar për filmdashësit, duke ofruar çmime më të lira të biletave. Me zbritje në të dy kinematë, në Prizren dhe Prishtinë, nesër mund t’i shikoni 8 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 14:00 deri në ora 19:45 në kinemë në Prishtinë dhe në Prizren.

Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni gjatë rihapjes së Cineplexx janë:

Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings

Shang-Chi, mjeshtri i Kung Fu-së së së paarmatosur, detyrohet të përballet me të kaluarën e tij pasi përfshihet në organizatën Dhjetë Unazat. Filmi i rradhës nga seria e filmave të Marvel.

Cry Macho

Një yll rodeo dhe një mbarështues kali merr përsipër për të sjellë djalin e vogël të një burri në shtëpi dhe larg mamasë së tij alkoolike. Në udhëtimin e tyre, kalorësi gjen shpagim duke i mësuar djalit se çfarë do të thotë të jesh njeri i mirë. Me regji, producent dhe aktor ikonën e Hollywood – Clint Eastwood.

Candyman

Një “vazhdim shpirtëror” i filmit horror Candyman (1992) që kthehet në lagjen e tani të butë të Çikagos ku filloi legjenda. Me regji të Nia DaCosta dhe producent Jordan Peele, filmi po konsiderohet si një nga filmat më të mire të zhanrit horror këtë vit.

Cineplexx gjithashtu do të shfaq edhe filma tjerë gjatë rihapjes. Biletat për filmat që do të shfaqen nesër dhe gjatë ditëve tjera mund t’i blini çdo ditë prej orës 14:00 në Cineplexx, ose përmes aplikacionit Cineplexx KS. Ndërsa më shumë informata rreth filmave mund të gjeni në webfaqën e Cineplexx.

https://www.cineplexx-ks.eu/filma/ / KultPlus.com

Nesër organizohet ceremonia përuruese e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë

Nesër duke filluar prej orës 11:00, do të organizohet ceremonia përuruese e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

Në përurimin e Qendrës Nacionale do të marrin pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministri Albin Kurti, kryetari Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Xhudos së Kosovës dhe shumë personalitete e mysafirë tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Lokacioni i Qendrës Nacionale të Xhudos: Lagjja Tabjet, Pejë

Agjenda e ceremonisë përururese:

Moderatore: Donika Hyseni

11:00 – 11:05 Hapja e ngjarjes nga Moderatorja
11:05 – 11:10 Fjalimi i Presidentes
11:10 – 11:15 Dekorimi i Sportisteve nga Presidentja
11:15 – 11:23 Fjalimi i Kryeministrit
11:23 – 11:30 Fjalimi i Kryetarit të FNXH-së, Marius Vizeri
11:30 – 11:35 Fjalimi i Kryetarit te Komunës së Pejës
11:35 -11:40 Fjalimi i Agron Kuka
11:40 – 11:43 Përmbyllje nga Moderatorja
11:43 – 11:50 Prerja e shiritit
11:50 – 12:00 Performancë nga Sportistet e Xhudos brenda Qendrës Nacionale / KultPlus.com

Kopshti magjik i orkideve magjepsëse

Si do të ndiheshit po të jetoni të rrethuar me 13.000 orkide magjepse, në një kopsht si asnjë tjetër?

Paqe. Qetësi. Magji. Janë disa nga ndjenjat që vizituesit ndjejnë kur vizitojnë kopshtin e njohur “Floating Flower Garden: Flowers and I are of the Same Root, the Garden and I are One”, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Kopshti përbëhet nga 13.000 orkide të gjalla të varura nga tavani lart, ato rriten përgjatë disa telave të padukshëm, në këtë mënyrë të jepet përshtypja se orkidetë po rrinë në ajër.

Përderisa orkidetë rrinë pezull në ajër, i dhurojnë vizituesve hapësirë dhe mundësi më të madhe për të eksploruar ‘kopshtin magjik’.

Orkidet, në këtë kopsht janë të llojeve të ndryshme e me shumë ngjyra. Ato mund të jetojnë pa tokë, dhe ne mund të mësojmë kaq shumë gjëra nga këto orkide dhe bimë të tjera. Ato kanë më shumë histori sesa qeniet njerëzore.

“Floating Flower Garden; Flowers and I are of the Same Root, the Garden and I are One” është duke u shfaqur në ‘TeamLab Planets’, një muze në Tokio që përmban nëntë vepra tërheqëse që inkurajojnë vizitorët të bëhen një me artin. Kjo vepër do të qëndrojë e hapur deri në fund të vitit 2022. / KultPlus.com

Momentet më të mira në ‘Tony Awards’ të shpalosura nëpër fotografi

Çmimet ‘Tony Awards’ u zhvilluan të dielën në New York. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u prezentua nga Audra McDonald në teatrin ‘Winter Garden’, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Disa nga mometet më të mira gjatë shfaqjes janë shpalosur përmes këtyre fotografive që shihen më poshtë:

Jared Grimes dhe Daniel J.Watts duke përformuar në skenë.

Te ‘Tony Awards’ përformuan duetin e tyre Leslie Odom Jr. dhe Nicolette Robinson.

Te kjo fotografi shihen të ftuarit e nderit, Chita Rivera dhe Sir Andrew Lloyd Webber.

John Legend, performoi me kastin e “Ain’t Too Proud”.

David Byrne performoi një këngë nga “American Utopia”.

Mary-Louise Parker, fitoi çmimin si ‘Aktorja më e mirë’ për performancën e saj në: “The Sound Inside”.

Çmimi për aktorin më të mirë iu dorëzua Andrew Burnap, për rolin e tij në “The Inheritance”. / KultPlus.com

Prej jazz në shqiptaren

I.

II – Prej jazz në shqiptaren

Nga Ballsor Hoxha

Bregoviq, dhe muzika e tij në Korçë e Tiranë (para disa viteve) duke shpërfaqur kompleksin e të qenit shqiptarë, është dhembje e këtij qëniesimi, apo keqkuptim i të qënit shqiptarë? Atëherë çka do të thotë tërë kjo përsiatje mbi serben, nëse e tëra është një dhembje e thellë, e të qenit serb. Çka do të thotë e tëra nëse po humbim një dëshmi të vetme të mundshme të të qenit shqiptarë në të vërtetë. Por a mund të jetë kjo tranzicion i kongicionit, e që në të vërtetë është kalim në kognicion selektiv apo të kufizuar. Dhe me këtë tranzicion i qëniesimit shqiptarë.

Nëse muzika lindi si liri, pse duhet ta kontrollojmë atë, me teknikë profesionale apo teknologjike? Është apori e njeriut, si edhe  qëniesimi i tij. Është pikërisht kjo apori që mund të na shërbejë si gjurmë për të përsiatur mbi qëniesimin tonë, shqiptarë.

E tëra është domosdoja për kontroll. Duke qenë se muzika është zë, si mund të kontrollohet zëri? Apo nëse kjo është arritur dhe ngulitur në ne, si mund të kontrollohet përjetimi i dëgjuesit të saj?

Prej këtu, të pyetemi, çka është në të vërtetë muzika e Nexhmije Pagarushës dhe Vaçe Zelës? Çka është muzika shqipe, apo muzika që e njohim si muzikë shqipe? Nëse të dyjat ishin përpjekje për të shprehur shpirtin, psikën apo kulturën, përbrenda padrejtësisë (lexo: robërisë) në të cilën ishim gjendur, çka është muzika e Dafina Zeqirit sot?

A nuk është e njëjta gjë, përpjekje për të shprehur shpirtin, kulturën apo psikën bashkëkohore shqiptare? Të njëjtën gjë që bëri Pagarusha dhe Zela, për të ngadhënjyer mbi robërinë tonë, e që ishte muzika përmes skemave muzikore të kohës së saj, është duke e bërë Dafina Zeqiri, me huazimin e skemave bashkëkohore për të shprehur, apo ngadhënjyer mbi zhdukjen, zhbërjen dhe asimilimin shqiptarë. Pavarësisht se jemi në liri, pavarësisht se kemi ngadhënjyer, përpjekja për të shprehur shqipen është imperativ dhe nevojë esenciale.

Nëse improvizimi, apo ajo që në filozofi quhet spekulim, dhe shprehur në mirëkuptim si kreativitet, është vetë jazz, dhe kjo shprehja e cila ndërtoi njerëzimin nga modernizmi e këndej, dhe shprehja më e lartësuar dhe më e çmuar muzikore në botë sot, e prej një kohe të gjatë, kjo është karakteristikë dhe mënyrë e qëniesimit e të gjithë popujve dhe shoqërive të robëruara, e të ndalura, pavarësisht aktuales së tyre.

Është shprangosje dhe – çarje – tej robërisë, apo skemave muzikore të cilat e robërojnë po të njëjtën shoqëri të robëruar. Apo, sikur që ndodhi me jazz, është të qëniesuar, me qenë se ky nuk ndalet, përmes botës që e robëron.

Gjë që e kemi shumë të njohur, në përvojë dhe në qëniesimin tonë si shqiptarë.

Por, le ta marrim jazz, si gjurmë në zhbërjen e të tashmes, apo fuzionimin e të tashmes në të shkuarën dhe të ardhmen aq më shumë, në pafundësi prezencash. Që është pafundësi të vërtetash që e bëjnë të tashmen tonë.

Jazz është pikërisht ajo që bëri njerëzimi në tërë përvojën e tij: sajimi spontan i një skeme, mbi të cilën më vonë improvizoi një qëniesim të tërë.

Jazz është lufta dhe mbijetesa e qëniesimit të njeriut në një Tokë (sipas Heidegger) në të cilën nuk kemi kontroll. Në të cilën kemi sajuar dhe ndërtuar skemën e Botës (sipas Heidegger), për të fshehur pikërisht këtë mungesë kontrolli. Thënë më saktë këtë pafuqi tonën.

Jazz është të lundruarit në gjithë pafundësinë e të vërtetave, apo thënë saktë në padrejtësinë e të vërtetës.

Jazz është shprehja e njeriut i cili ka përjetuar ankthin e asgjësë, hiçit, dhe të pafundësisë së të keqes. Është qëniesim përballë kësaj pafuqie të njeriut. Dhe pikërisht për këtë një prej shprehjeve më autentike, më të besueshme dhe më të fuqishme të njerëzimit.

Kjo gjurmë jazz është edhe gjurma e përvojës së njeriut në Tokë, por edhe themel i ndërtimit dhe sajimit të Botës. Në atë se hasë dhe mbahet në naiven, primitiven dhe zanafillën e shprehjes së njeriut në Tokë, pavarësisht përkatësisë dhe të vetëdijshmes. Është vetë kujtesa e Tokës, dhe e Botës. Duke qenë se e tëra ishte humbur për afrikano – amerikanët, dhe jazz e riktheu tërë kujtesësn e përvojën e tyre.

Kjo gjurmë përmban edhe të shkuarën, të tashmen por edhe të ardhmen e njeriut. Në atë se është autentikja e krijimit dhe shprehjes së njeriut. Si skemë e improvizuar, dhe si improvizim i skemës.

Këto që u thanë për gjurmën e jazz, apo çka na thotë jazz si gjurmë, janë krejtësisht identike me muzikën shqiptare. Shprangosja, improvizimi dhe kujtesa e qëniesimit shqiptarë. Por, sikur jazz, po ashtu edhe shqiptarja, në përgjithësi a janë ndërtim mbi atë që ishte, apo huazim dhe asimilim i qëniesimit si ndër – kulturore, apo janë autentike?

Ajo që është më e qarta në tërë këtë, është përpjekja dhe ankthi jonë për të kontrolluar qëniesimin tonë. Si shqiptarë, si serbë apo si njerëzim. Të vetëdijshëm tanimë, me COVID posaçërisht, për pafuqinë tonë ndaj vdekjes, ne duhet të kontrollojmë edhe më shumë të qenit tonë.

Ne duhet të kontrollojmë edhe më shumë të qënit shqiptarë, apo serbë. Ne duhet të kontrollojmë çdo gjë. Ashtu siç kontrollohet romja në muzikën e Bregoviq, e që është kontrollimi i primitives dhe parakes në ne. Gjithherë duke vuajtur aporinë e të qënit: si kulturë, e kultura si ndalesë, derisa universalja e qëniesimit as nuk arrin të asimilohet tërësisht dhe as të harrohet. Apo në të vërtetë, dhembja e të qënit shqiptarë është veçim të cilin nuk e kemi zgjedhur, dhe zgjedhje për të ndjerë dhembjen. Dhe kur përpiqemi të harrojmë këtë, ne festojmë me Bregoviq. Sikur, kemi harruar ç’është të qenit shqiptarë. Apo ndoshta, sikur është e pamundshme sot të festosh të qënit shqiptarë. / KultPlus.com

Kryeministri Rama: Do të vazhdojë të kërkojë njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet

Në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” sot ka arritur kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Ai është pritur nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Kryeministri këtë vizitë në Kosovë po e zhvillon pas qëndrimit të tij në ShBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së OKB-së. Ndërsa, në orën 08:50 ai u prit me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në sheshin “Skënderbeu”.

Rama e ka zhvilluar këtë vizitë në Kosovës pas ftesës që i bëri kryeministri i Kosovës me rastin e urimit të tij pasi kryeministri i Shqipërisë, mori edhe mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë. 

Pas takimit me Ramën, Kurti ka thënë se mandatet i kanë marrë në kohën me plotë sfida duke përmendur pandeminë.

Sipas tij përtej sfidave dy qeveritë kanë potencial për të realizuar projekte të përbashkëta.

Kurti ka deklaruar se dy vendet duhet të angazhohen që tregu të jetë sa më unik, dhe që qytetarët, kapitali e malli të lëvizin lirshëm.

“Nëse ka vende që kjo të bëhet sa më shpejt, janë Kosova dhe Shqipëria. Biseduam për të gjitha fushat për qeverisjen tonë të mirë, e shohim si të rëndësishme koordinimin gjithandej. Biseduam për zbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës bëri me dije se janë dakorduar për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilën do ta udhëheqë Gentian Sala. E po ashtu se janë dakorduar që mbledhja mes dy qeverive të mbahet në mes të nëntorit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova ka të drejtë plotësisht në çështjen e reciprocitetit të targave me Serbinë, duke i dhënë mbështetje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Megjithatë, Rama theksoi se zgjidhja e vetme e kësaj çështje është dialogu.

Rama tutje tregoi se edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kërkoi dhe do të vazhdojë të kërkojë njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet.

“Më vjen mirë të vizitoj Prishtinën menjëherë pas sesionit të 76-të të OKB-së, ku çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë tona atje. Një nga përparësitë e Shqipërisë, si anëtare e plotë e OKB-së, do të jetë nxitja e njohjes nga të gjithë, si përpjekje që edhe formalisht të njihet Kosova. Në radhë të parë, Serbia duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur keq për manovrat teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë, veriun e Kosovës, sikur pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar apo nga fantazmat e ushtrisë së luftës së mundur 20 vite më parë, sikur kanë dalë nga varri me pretendimin se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë. Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar askush, iu paguhen faturat e energjisë elektrike dhe fatkeqësisht këto manovra risjellin në skenë vandalizmin e tyre, si djegia e qendrave zyrtare që dëmton vetëm serbët e Kosovës. Aplikimi i reciprocitetit është jo vetëm një normë legjitime e Kosovës, por edhe një marrëveshje e arritur me kohë mes dyja Qeverive respektive. Qëndrimi i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, qysh nga çasti i parë që është shfaqur ky konflikt. Kosova është e drejtë dhe pikë. Duhet bërë kujdes me njësinë speciale që të mos kthehet një problem mes Kosovës dhe miqve ndërkombëtar. Shqipëria e ka bindjen se zgjidhja e vetme është dialogu. Forca e ushtarakëve duhet të ia lëmë forcën e arsyes dhe dijes. I takon kryeministrit dhe Qeverisë se si ta trajtojnë stratetigjikisht këtë situatë delikate, por është një mundësi për të treguar se duhet dialog i barabartë”, theksoi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë shtoi se kanë arritur dakordësim që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes dy shteteve më herët.

“Marrëdhëniet tona duhet të shkojnë në një nivel tjetër”, përfundoi ai.

Po ashtu, Rama ka deklaruar se nuk ka pasur bisedë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit, duke shtuar se është krah Kosovës.

I pyetur për çështjen e Ballkanit të Hapur, Rama ka thënë se ka pasur shumë mesazhe për shkak të situatës së krijuar që kanë thënë se ‘po tani a je i bindur se nuk bëhet Open Balkan me Serbinë’, por Rama ka thënë se tani është më i bindur edhe më shumë se duhet bërë.

Kurti: Nuk jam i informuar që do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është i informuar që sot do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri, pas raportimeve në disa media.

“Ne biseduam me zyrtarin e KFOR-it për gjendjen dhe situatën në veri. Vendimet që i marrim s’janë të pastra politike. Unë si kryeminstër dhe ministri i Brendshëm nuk marrim vendime politike, por nga informatat që na vijnë nga atje, pasi KFOR-i qëndron për të kontrolluar situatën. Jemi të hapur për bisedime, kam biseduar edhe me sekretarin e NATO-s, Stoltenberg. Unë nuk jam i informuar që do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri. Jemi për t’iu kthyer bisedimeve. I ftoj qytetarët për qetësi, sepse institucionet po e kryejnë punën e tyre”, u shpreh Kurti.

Rama insiston se Ballkani i Hapur është rruga e duhur për Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nisma e Ballkanit të Hapur është proces që duhet realizuar, për faktin se sipas tij, kjo do e përshpejtojë procesin e Berlinit. Ai ka theksuar se me veprimet e fundit të serbëve në veri, është vërtetuar se Ballkani i Hapur duhet të ndodhë.

“Unë jam i bindur edhe më tepër sot që Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim në të shkuarën, dhe t’i marrim vetes maksimumin, si shqiptarë dhe si rajon. Liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave dhe të kapitaleve. Është më e mundur që të ketë sukses edhe dialogu nga klima që krijohet nga Ballkani i Hapur. Kjo nuk është asgjë pos marrja në zotërim të procesit të Berlinit dhe përshpejtimi i tij. Duke mos pritur që të mbahet një herë në vjet. Padiskutim që Kosova e ka të nxehtë plagën dhe se historia është shumë e afërt, por forca duhet të jetë shumë e madhe për të parë më tutje. Kosova e ka fituar luftën”, ka thënë ai para mediave.

“Vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh. Me vëllain të lidh familja dhe gjaku, me fqinjin që lidhë pasi e ke aty”.

Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një nismë të quajtur “Ballkani i Hapur”, në të cilën refuzuan të ishin pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. 

Rama është pyetur nga gazetarët a ka biseduar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas bllokadave të serbëve në Veri të Kosovës.

Ai tha se për këtë çështje nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar, pasi e drejta është në anën e Kosovës.  

“Nuk kam pasur një bisedë me Presidentin Vuçiq, apo siç shpesh herë miqtë e mi kosovarë në rrjete sociale thonë ‘me vllaun tim Vuçiq’, sepse këtu nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar, këtu jemi në kushtet kur e drejta është me Kosovën, dhe kaq. Dhe kjo është shumë e qartë, kështuqë ne jemi apsolutisht në krah të Kosovës, siç është I gjithë komuniteti ndërkombëtar, dhe siç thashë, leximi I çuarjes së Njësisë Speciale si një arsye për të bërë teatër me helikopterë e aeroplanë në Serbi, është leximi më i gabuar”.

“Parafytyrojeni për një moment, le ta parafytyrojë edhe vllau jem atje, sikur të kishte larg qoftë, ndodhur diçka, në kushtet kur po sprovohej qëndrueshmëria e Shtetit, natyrisht se i takon Kryeministrit këtu në krah, Qeverisë së Kosovës, të marrë qëndrimet e duhura që kjo të shërbejë për ta çuar përpara dialogun dhe të mos ngrijë konfliktin”, ka deklaruar Rama.

Në kuadër të kësaj vizitë një ditore në Kosovës kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka takuar edhe liderët e opozitës në vend. / KultPlus.com

Tenori Lahaj: Vllau i madh asht e duhet të jetë krah për të voglin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron në Prishtinë, në vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së mandatit të tretë në krye të Qeverisë së Shqipërisë, me ç’rast ka reaguar edhe tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.

“Kemi vuajt mjaftueshëm, ju andej kufini e na knej. Asht koha ma shumë se kurr të bashkohmi për të mirën e perbashkët”, ka shkruar Lahaj.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Vllau i madh asht e duhet të jetë krah për të voglin, për ma shumë që nxen edhe vendin e babës, atëherë kur ai nuk rron ma. Si asnjiherë ma parë, i lumtunum jam me qasjen e Kryeministrit Edi Rama, si me takimin e tij me OKB, e po ashtu edhe me vizitën e tij në Prishtinë.
Kështu të duam ne shqiptaret gjithandej globit. Si vllazen duam me ju pa gjithmonë krah për krah me njani tjetrin. Kemi vuajt mjaftueshëm, ju andej kufini e na knej. Asht koha ma shumë se kurr të bashkohmi për të mirën e perbashkët! / KultPlus.com

Nga 13 tetori në Kosovë nuk mund të hyni vetëm me një dozë të vaksinës

Sot kanë hyrë në fuqi masat e reja lehtësuese antiCOVID-19, të vendosura të premten e kaluar nga Qeveria e Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar masat e reja, ku janë detajuar lehtësirat dhe ndalesat që janë vendosur sipas vendimit të Qeverisë.

Në mesin e tyre MSH-ja ka bërë të ditur se nga 13 tetori 2021, për të hyrë në Kosovë secili qytetarë duhet të posedojë dëshminë e vaksinimit me dy dozat e vaksinës.

“Përcaktohet se nga data 13 tetor 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedoj certifikatën e vaksinimit të plotë apo ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.2 deri 2.4. Pra nuk do të jetë më e majftueshme marrja e vetëm një doze. E njëjta vlen edhe për punonjësit në institucione dhe ndërmarrje publike”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Përfundon konferenca shkencore për projektin “Moti i Madh” në UNESCO

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi ishte qytezën arbëreshe Vakarici (Vaccarizzo Albanese) për të mbështetur kandidaturën e praktikave rituale arbëreshe të pranverës “Moti i Madh” për njohjen si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO -s.

Akademia është pjesë e grupit të punës për dosjen e kësaj trashëgimie mbi 500-vjeçare.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi siguroi grupin e punës se mbështetja institucionale do të jetë e përhershme dhe në rritje.

“Jo vetëm për dosjen “Moti i Madh”, por në përgjithësi për trashëgiminë arbëreshe në tërësi, për studimin dhe botimin e saj, Akademia e Shkencave do të shtojë vëmendjen dhe investimin intelektual. Projektet që kanë realizuar anëtarët arbëreshë të Akademisë së Shkencave Francesco Altimari e Matteo Mandalà janë të mirëpritur për t’u kurorëzuar”, tha Gjinushi.

Gjinushi tha se, “trashëgiminë arbëreshe për më shumë se gjashtë shekuj e kanë ruajtur vetë bartësit e saj. Regjistrimi në UNESCO i njeh asaj një vlerë që ka merita dhe rëndësi jo vetëm për komunitetin, por edhe për kulturën njerëzore”.

Akad. Francesco Altimari bëri të njohur kronologjinë e projektit “Moti i Madh”, numrin e madh të universiteteve dhe të studiuesve që kanë kontribuuar për aspektet shkencore të dosjes (Cosenza, Palermo, Lecce, Venezia, Milano etj.), si dhe nga Shqipëria.

Akad. Matteo Mandalà u përqendrua në kushtëzimin zanafillës të riteve e ritualeve kalendarike-pranëverore arbëreshe e shqiptare me rrjedhat e ciklike të jetës agrare.

Akad. Shaban Sinani paraqiti punën që ka bërë skuadra shqiptare për plotësimin e dosjes “Moti i madh” me një fashikull nga trashëgimia e ngjashme në Shqipëri, duke theksuar ciklet kryesore, si llazoret (këngët e të ringjallurit të parë Shën Lazrit), kullanat (dikur të lidhura me fillimin e vitit, sot kryesisht këngë të Pashkëve), evangjelizmoi (edhe këto këngë të ringjalljes), rrushajet (këngë të “ditës së luleve”  – rosaliae diem), karnevalet, këngët e Shën Gjergjit etj. Ka një simetri të plotë mes këtyre cikleve dhe atyre që janë mbledhur e dëshmohen edhe sot tek arbëreshët. Sinani theksoi se pjesa më e madhe e tyre janë desakralizuar dhe madje një pjesë janë kënduar edhe në skena, duke përfshirë periudhën komuniste, si këngë lodra apo ushtrime vjershërimi e kujtese.

On. Mario Brunetti, një figurë emblematike e botës arbëreshe, nismëtar i projektligjit italian që i njeh arbërishtes, theksoi se mbështetja e Akademisë së Shkencave është një dukuri e re shumë pozitive. E përforcuar kjo me mbështetjen administrative dhe diplomatike të shtetit shqiptar e të Kosovës, rrit besimin tonë që “Moti i Madh” të fitojë statusin që i takon si trashëgimi e njerëzimit. Dhe ky është një nga rastet që kultura e pakicës rrit vlerat e asaj të shumicës.

Në konferencë ishin të pranishme dhe përshëndetën Meri Kumbe, zëvendësministre e kulturës; Anila Bitri, ambasadore e Shqipërisë në Itali; Lendita Haxhitasim, ambasadore e Kosovës. / KultPlus.com

Kisha e Shën Marisë në ishullin e Maligradit, destinacion i rrallë për t’u zbuluar

Kisha e Shën Mërisë në liqenin e Prespës në ishullin e Maligradit është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, fton qytetarët ta vizitojnë këtë kishë duke e cilësuar një destinacion të rrallë për t’u zbuluar.

“Kisha e Shën Marisë në ishullin e Maligradit, në liqenin e Prespës, një destinacion i rrallë për t’u zbuluar”, tha Margariti.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë e mbështetur nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Transboundary Biosphere Prespa” në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe European Heritage Volunteers restauruan çatinë e kishës si dhe punuan për ruajtjen e vlerave të këtij monumenti.

Kjo kishë është një atraksion turistik i rëndësishëm jo vetëm për parkun Kombëtar të Prespës, por për mbarë rajonin dhe Shqipërinë.

Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kolona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qënë në pjesën e sipërme të liqenit.

Sipër këtij ishulli ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të car Simeonit të shekullit XI. Kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë.

Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske. / KultPlus.com

‘Asht nji gozhdë ngulun në mue që më mban varun’

Poezia ‘Nana i qindiste kryq dimnat’ nga Rozafa Shpuza

Kanga e gozhdës
Asht nji gozhdë
ngulun mbi shtëllunga plasash
që harbohen si flokë shtrigash
tue i dhanë murit nji pamje mitike.
S’mbahet mend kush e nguli
e çka ban saora atje mes sekrete bojnash,
t’stivueme nji mbi nji
si teshat e dekës në baulen e gjyshes.
Asht nji gozhdë
ngulun mbi mirazhe t’ujshme
që ngutem me i fiksue ndër fotografitë bardhezi.
Medet,
edhe këtë pranverë harrova me i ba nji ny frymimit,
kësisoj dashnitë u shprazën si rruzat e lutjeve
mbi qylymin dalëboje prej pelegrinazhit të hapave.
Asht nji gozhdë ngulun në mue
që më mban varun,
anipse tasheparë preki me gishta tabanin e andrrave. / KultPlus.com

@Rozafa Shpuza

Andrew Burnap nderohet me çmimin “Tony Awards”

Pas një vonese për shkak të pandemisë, të dielën u ndanë çmimet ‘Tony Awards’, të cilat i nderojnë projektet më të mira teatrale, me ç’rast performuan duetin e tyre Kristin Chenoweth dhe Idina Menzel, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Në mesin e të shpërblyerve ishin Andrew Burnap, i cili u shpall ‘Aktori më i mirë protagonist në shfaqje’ dhe Mary-Louise Parker e cila u nderua si ‘Aktorja më e mirë në shfaqje’ për rolin e saj në “The Sound Inside”.

Çmimi për ‘muzikalin më të mirë’ u dorëzua për “Moulin Rouge: The Musical”.

Çmimi për ‘Best Book of a Musical’ u dorëzua te Diablo Cody  për veprën “Jagged Little Pill”.

‘Koreografia më e mirë’ iu dorëzua Sonya Tayeh, për “Moulin Rouge: The Musical”. / KultPlus.com

Ku gjendet piktura më e shtrenjtë në botë?

Dy dokumentarë të rinj futen në sagën e vazhdueshme të ‘Salvator Mundi’ të Leonardo da Vinçit në një moment kur historitë e vërteta të krimit të artit janë në kulmin e tyre, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Diku në Arabinë Saudite, e fshehur me urdhër të Princit të Kurorës Mohammad bin Salman, gjendet piktura më e shtrenjtë në botë, ‘Salvator Mundi’ e Leonardo da Vinçit. Apo nuk është? Askush në botën e artit nuk e di me siguri se ku është piktura. Shumica e vëzhguesve pajtohen se ka gjasë të jetë e fshehur në Lindjen e Mesme, por ka prej tyre që besojn se ajo ruhet në një zonë pa taksa në Gjenevë apo edhe në jahtin gjysmë miliard dollarësh të Princit.

Në pikturë shihet imazhi i Krishtit, si Shpëtimtari i Botës, e cila pikturë në ankandin e ‘Christie’s 2017’, u shit për një rekord prej 450 milion dollarësh prej një përfaqësuesi të bin Salmanit. Por edhe atëherë, shumë ekspertë të Da Vinçit ishin të dyshimtë se piktura kishte diçka më shumë se disa goditje me furçë prej tij, të cilat dyshime janë rritur që nga ajo kohë.

Piktura e mbuluar me shtresa misteri dhe intrigash ndërkombëtare, që paraqet historinë e ‘Salvator Mundi’ është një sagë e vazhdueshme, magjepsëse, e treguar në dy dokumentarë të rinj, ‘Leonardo i humbur’ dhe ‘Shpëtimtari për Shitje: Kryevepra e Humbur e Da Vinçit’?

Piktura, e cila daton qysh prej vitit 1500, humbi në histori për më shumë se 200 vjet, u dëmtua dhe u restaurua keq, dhe u shit dhe u rishit si një vepër e vogël. Por tani piktura e njohur si  ‘Salvator Mundi’ është bërë posteri i përzierjes së paqëndrueshme të parave, fuqisë dhe gjeopolitikës që përcakton botën e artit sot. / KultPlus.com

‘Akti i Unitetit’ të shqiptarëve në mërgim

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Shtator 2021

“Congressional Record” ka botuar, me 11 gusht 1972, “Aktin e Unitetit” të shqiptarëve në mërgim (ekzil) të realizuar gjatë konventës tre ditore të organizuar asokohe nga Mbreti Leka Zogu I në Madrid, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Takimi i partive dhe grupeve të emigracionit shqiptar

I nderuari Strom Thurmond

nga Karolina e Jugut

në Senatin e Shteteve të Bashkuara

Burimi : Congressional Record, 11 gusht 1972, Vol 118

E premte, 11 Gusht 1972

Z. Thurmond. Zoti President, Leka I, Mbreti i Shqiptarëve, në një lëvizje të një rëndësie të caktuar, së fundmi thirri përfaqësuesit e të gjitha grupeve shqiptare në megrim (ekzil) në një takim në Madrid, Spanjë. Ky takim është i rëndësishëm, sepse ishte hera e parë në 20 vitet e fundit që shqiptarët që përfaqësonin ideologji të ndryshme mblidheshin për të diskutuar problemet dhe dallimet e tyre.

Në takim, delegatët diskutuan mënyrat në të cilat ata mund të punonin së bashku për të sjellë rënien e regjimit aktual jopopullor në Shqipëri, i cili ruan sundimin e tij duke burgosur ata që flasin kundër tij. Delegatët krijuan një kuadër organizativ për të lejuar që grupe të ndryshme të bashkëpunojnë pa kompromentuar ideologjitë e ndryshme.

Shqiptarët në ekzil kanë rënë dakord për herë të parë të punojnë së bashku për të sjellë lirinë në një tokë që ka kaluar shumë kohë pa të. Mendoj se është e rëndësishme që Kongresi dhe qytetarët e Shteteve të Bashkuara të ndërgjegjësohen për përpjekjet e tyre.

Zoti President, kërkoj pëlqimin unanim që kjo marrëveshje, e inicuar nga Madhëria e Tij Mbreti Leka I, të printohet në “Zgjerimet e Vërejtjeve – The Extensions of Remarks”.

Duke mos pasur asnjë kundërshtim, marrëveshja u urdhërua të printohej në Recorp, si më poshtë :

Akti i Unitetit (Act of Unity)

Me ftesë të Madhërisë së Tij Mbretit Leka I, palët dhe grupet e shqiptarëve në emigrim u takuan në Hotel Cuzco në Madrid, më 2 dhe 3 korrik 1972, dhe pasi diskutuan situatën shqiptare dhe ndërkombëtare,

Vendosën :

1. Që forcat kombëtare të jenë të bashkuara për sigurimin e një Shqipërie etnike, dhe rënien e Regjimit antipopullor që peshon rëndë mbi Shqipërinë, dhe për mbrojtjen e integritetit të Kombit nga çdo plan i huaj.

2. Që të zhvillohen aktivitete në të gjitha fushat, politike, kulturore dhe shoqërore.

3. Që të krijohet një shtyp i bashkuar.

4. Për të vënë nën veprim, pikat e mëposhtme janë të nevojshme :

(a) Një organizatë ekzekutive e përbërë nga 9 anëtarë të cilët nga ana e tyre zgjedhin Presidentin, Zëvendës Presidentin, Sekretarin dhe Thesarin.

(b) Një Organizatë Këshilluese e përbërë nga anëtarët e partive dhe grupeve politike.

5. Grupet dhe palët që nuk kanë marrë pjesë në këtë Konventë do të njoftohen dhe do të ftohen të bashkohen në këtë sipërmarrje.

6. Organizata e Bashkuar do të financohet dhe ndihmohet nga kontributet nga palët dhe grupet e nën-nënshkruara.

7. Kompetenca e Organizatës do të vendoset në diskutimet e mëvonshme.

8. Me miratimin e Kushtetutës aktivitetet e grupit dhe partive do të punojnë me kuadrin e kësaj Marrëveshjeje.

9. Sapo kjo Marrëveshje të ratifikohet nga Këshilli i të gjitha palëve dhe grupeve, Statutet do të krijohen dhe kështu do të marrin formën e saj përfundimtare dhe të përcaktuar ligjore.

10. Deri në nënshkrimin përfundimtar të Statuteve (i cili duhet të jetë jo më vonë se gjashtë muaj nga ky moment), do të krijohet një Këshill i përkohshëm Direktivash i cili më vonë do të punojë për Organizatën përfundimtare.

11. Një shumë prej 1,600 dollarësh është vendosur si fond për shpenzimet e Këshillit të përkohshëm të Direktivave.

12. Konventa njeh aktivitetet e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe do të vazhdojë në të njëjtën mënyrë në të ardhmen.

13. Ajo ndihmë morale dhe materiale duhet t’i jepet organizatës Pan Shqiptare të Vatrës, në mënyrë që ajo të vazhdojë detyrat e saj tradicionale.

14. Që të punojë ngushtë me Lidhjen e Prizrenit në mënyrë që ata të mund t’i realizojnë qëllimet e tyre.

15. Që “Komiteti Shqiptar i Lirë”, “Lidhja e Prizrenit” dhe “Vatra” për shkak të karakterit të tyre të veçantë të mos hyjnë në këtë marrëveshje.

16. Me miratimin e Kushtetutës emri përfundimtar i Organizatës do të vendoset. Kjo Organizatë do të përbëhet nga dy Këshilla, Këshilli Ekzekutiv dhe Këshilli Konsultativ.

17. Ky studim do të jetë në fuqi derisa të arrihet çlirimi i Shqipërisë, dhe

18. Këshilli i Direktivave do të përbëhet me nënshkruesit:

Zotnive :

Dr. Halim Begeja (Organizata Balli Kombtar).

Theodhor Papalilo (Partija Agrare Balli Kombtar).

Dr. Fuad Myftija dhe Hysen Mulosmanaj (O. K. L. Legalitetit).

Isa E. Ndreu (Partija Katundare).

Ndue P. Gjomarkaj (Heroizma Shqiptare) dhe Ymer Bardhi (Bashkimi Shqiptar).

Palët nënshkruese :

Organizata “Balli Kombtar”

Partija Agrare “Balli Kombtar”

Organizata K. L. Legalitetit

Heroizma Shqiptare

Bashkimi Shqiptar

Lidhja e Prizrenit

Komiteti “Shqipnija e Lirë”

Vëzhgues :

Shoqata Pan Shqiptare Vatra

Bloku Kombtar Indipendent

Zotërinj, Përfaqësues të Grupeve dhe Organizatave Politike Shqiptare në Mërgim, Delegatë të Lidhjes së Prizrenit dhe Delegatë të Komitetit Vatra dhe Shqipëria e Lirë :

Ne dëshirojmë me gjithë zemër t’ju urojmë mirëseardhjen në Madrid dhe gjithashtu dëshirojmë të shprehim vlerësimin tonë të lartë për Organizatat e ndryshme politike në Mërgim, që mirëpritën iniciativën tonë dhe emëruan delegatët e tyre në këtë Konventë, dhe për më tepër, iu shprehim vlerësimin tonë delegatëve të pranishëm në këtë Konventë.

Zhvillimet dhe ngjarjet e fundit të pashembullta në nivel ndërkombëtar, të cilat herët a vonë mund të kenë një efekt mbi situatën në Shqipëri, dhe gjithashtu duke marrë parasysh kushtet më të pasigurta të kombit tonë, na çojnë në përfundimin se që emigracioni shqiptar të jetë gati për të përmbushur misionin e tij historik të mbrojtjes së të drejtave tona kombëtare, ai duhet të jetë i bashkuar dhe jo i ndarë si sot. Bashkimi i forcave kombëtare në mërgim do të sigurojë sigurinë e Shqipërisë etnike dhe realizimin e Kauzës (Çështjes) sonë të shenjtë.

Nevoja për të parë shqiptarët në mërgim të bashkuar është theksuar shpesh nga udhëheqësit e shteteve mike si një parakusht, besojmë, për të siguruar përfundimisht mbështetjen e tyre morale dhe materiale.

E gjithë kjo bëri që ne të merrnim iniciativën për të thirrur së bashku këtë kongres të nevojshëm. Ne jemi të bindur se gjatë diskutimeve që do të zhvillohen në këtë konventë, ju zotërinj, pasi keni përqafuar Çështjen Shqiptare, do të vendosni mbi të gjitha interesat e Atdheut, duke lënë mënjanë çdo dallim ideologjik që mund të kishit në të kaluarën, në mënyrë që të arrihet bashkimi i të gjitha forcave kombëtare. Ky bashkim nuk duhet të prekë ideologjitë e veçanta të Palëve dhe Grupeve në këtë Konventë historike.

Me këtë dëshirë dhe shpresë, ju urojmë punë dhe suksese të frytshme. Me ndihmën e Zotit (Zoti na ndihmoftë!). / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/congressional-record-1972-senatori-amerikan-ja-perse-duhet-te-vihet-ne-dijeni-te-kongresit-dhe-qytetareve-te-shteteve-te-bashkuara-akti-i-unitetit-te-shqiptareve-ne-mergim-ekzil-i-realizuar-gjate-konventes-tre-ditore-te-organizuar-nga-mbreti-leka-zogu-i-ne-madrid/ / KultPlus.com

Strom Thurmond (1902 – 2003)