Kushe Mica – themeluesja e shkollës së parë për gratë dhe vajzat shqiptare

Më 16 qershor 1832 në Shkodër lindi Kushe Mica, themeluesja e shkollës së parë për gratë dhe vajzat shqiptare.

Familja e saj, për arsye konflikti gjakmarrjeje, u zhvendosën në Shkodër nga Dukagjini. Karrierën e mësueses ajo e filloi në moshën 27 vjeçare.

Ajo ishte një grua e vetë-mësuar, e cila për dhjetë vite studioi me farmacistin venecian Shjor Marko Rebeskin.

Gjatë kësaj kohe ajo perfeksionoi gjuhët frënge dhe italiane. Në vitin 1859 ajo hapi shkollën e parë për gra në Shkodër, të quajtur Shkolla e Kushe Micës.

Shkolla u hap pavarësisht shumë pengesave të vendosura nga autoritetet turke; ceremonia e hapjes ishte e thjeshtë, por me një pjesëmarrje të mirë.

Shkolla mësonte shkrim, lexim, numra (aritmetike), vizatim, këngë (muzikë) dhe punë dore.

Shkolla u mbyll në vitin 1904, 45 vite pas themelimit të saj.

Kjo shkollë nuk arriti të behej e njohur si shkolla e parë shqipe për arsyen se programi arsimor nuk ishte i dokumentuar dhe Kushe Mica nuk ishte në nivelin e duhur arsimor.

Në mungesë të çfarëdo fotoje të Kushe Micës, po e postoj këtë foto të shkollës së vajzave në Shkodër nga viti 1914. /KultPlus.com

Gjenden dy këmbanat e “zhdukura” prej 30 vitesh nga Kisha e Shën Kollit në Rehovë

Gjenden dy këmbanat e “zhdukura” prej 30 vitesh nga Kisha e Shën Kollit në Rehovë.

Të dy këmbanat janë lënë në mes të oborrit të kishës së Shën Thanasit në Rehovë, kishë e cila është në rindërtim e sipër. Për momentin ende nuk dihet se cilët ishin personat që kanë dorëzuar këmbanat e humbura të kishës, dhe si janë ruajtur për më shumë se 30 vjet. Sipas priftit të kishës, një prej këmbanave është origjinale pasi lexohen në të shkrimet e vjetra kishtare.

Për drejtorin e monumenteve të kulturës, është ende herët për të folur për datimin e këmbanave dhe origjinalitetin e tyre. Do të jenë ekspertët e fushës që do të meren me diccka të tillë, pasi të vëjnë verifikimet përkatëse. / Vision Plus / KultPlus.com

Prizreni nuk është si dikur

Nga Sabile Keçmezi-Basha


Sot,
Duke ecur rreth Shatravanit
Dikush më tha
Zonjë, e shikon
Se as Prizreni
Nuk është si dikur

Gur mbi gur
Kujtimet vijën nga baladat

Sokakët janë ngushtuar
Si hartat e atdheut
Atje në theqafje


Blerimi e lumi
Kanë marr trajtë të Rozafës
Pa pra lëngon Lumëbardhi

Vetëm dielli e liria
Si dikur
Kanë të njëjtën ngrohtësi

Të dashur miq
Prizreni nuk është si dikur
Retë shkërmoqen nga rrufet
Mesazhet me tri të panjohura
Vijnë turrshëm
Nga Kalaja e Krujës
Tek Kulla  e Ymer Prizrenit

Prizreni nuk është si dikur

Ekuacion me tri të panjohura
E unë,
Edhe ju,
Në çdo kohë
Folëm e flasim ilirisht
Pa u dridhur qerpiku
Në kalanë që prore sogjeton
Kohët beronjë

Megjithatë,
Prizreni nuk është si dikur
I ringjallur nga rrebeshet
Në stinët që shkojnë e vijnë
Duke u puqur në mes veti
Me të njëjtin zjarr. / KultPlus.com

Filmi “Illyricvm” me premierë botërore në Festivalin e Filmit në Pula

Me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, do të ketë premierën botërore në Festivalin Kroat të Filmit në Pula më 21 korrik, shkruan KultPlus.

Fatmir Spahiu, njëri nga producentët e filmit ka bërë të ditur lajmin dhe gjithashtu ka njoftuar se tashmë e ka parë filmin e përfunduar dhe është pamasë i lumtur për punën e bërë.

“Mundem me thane qe jam pamase i lumtur per punen e bere dhe sidomos me punen e aktorve kosovar ne film, thjesht te mahniteshem!

Premiera e filmit pritet te jete ne festivalin e filmit ne Pula (Kroaci) gjate muajit Korrik.

Kurse ajo kosovare shpresoj ne vjeshte”, ka shkruar aktori Fatmir Spahiu.

Vlen të thuhet që ky është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët. Në këtë film është përfshirë një kastë e madhe e aktorëve kosovarë, e që janë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyçi, Ilir Prapashtica, Dukagjin Podrimja, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Bujar Ahmeti, Rina Krasniqi, Ali Demi, Gani Morina, Selman Lokaj e të tjerë.

Filmi është përkrahur nga këto institucione: Qendra Kinematografike e Kosovës, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, FRIULI-VENEZIA GIULIA REGIONAL FUNDVIBA FILM, Euroimages dhe Komuna e Prishtinës, por duke përfshirë edhe kompani të ndryshme. / KultPlus.com

Neziraj për renovimin e objektit të TKK-së: Lajm skandaloz, nuk është krijuar një plan i ‘zhvendosjes’ së TKK-së

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka njoftuar se do të fillojë renovimi i objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, renovim që do të përfshijë gjithë objektin, shkruan KultPlus.

Po për këtë ndërhyrje në objektin e TKK-së, ka reaguar dramaturgu Jeton Neziraj, i cili ka thënë se edhe pse në dukje të parë duket të jetë lajm i mirë, sipas tij ky lajm është skandaloz.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Neziraj.

Në dukje lajm i mirë! Por ncuk! Lajm skandaloz! Qe pse:

Sepse mbyllja e Teatrit Kombëtar për një renovim kaq të thellë, nënkupton mbyllje për një kohë të gjatë! Dhe nëse zyrtarisht këta thonë që mbyllja do të zgjasë 1 vit, atëherë t’jemi të sigurt që mbyllja do të zgjasë së paku 2 vite. Së paku dy vite!

Ndërkohë, nuk është krijuar një plan i ‘zhvendosjes’ së Teatrit Kombëtar diku tjetër; as i stafit administrative e as atij kreativ. Mirë, se disa zyre edhe mund të gjenden diku, ku të zhvendoset administrata, megjithatë, është më se e sigurt që Ministria nuk ka siguruar një hapësirë për program – dhe edhe nëse gjendet ajo hapësirë, do të duhet kohë që të adaptohet dhe të transformohet në hapësirë teatrore. Pra, s’ka shfaqje, s’ka program… Dhe kjo, njerëz, i bie: për së paku dy vitet e ardhshme, edhe një teatër më pak në Prishtinë…

Ndërkohë, vazhdojmë me improvizime, vazhdojmë me vendime për “restaurime emergjente”, vazhdojmë pa Teatër Kombëtar… Edhe ashtu, atje ka mbi 6 muaj që nuk shtë prodhuar ndonjë shfaqje në skenën e madhe!

Propozoj që Teatri Kombëtar të zhvendoset në Shkup (për inati të Tiranës), ose në Podgoricë!/ KultPlus.com

Francezët e konfirmojnë se heqja e vizave për Kosovën do të diskutohet më 23 qershor

MPJ franceze ka publikuar një përgjigje të saj rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën nga konferenca për media që kanë mbajtur zyrtarët në Paris. Bëhet e ditur se kjo temë do të diskutohet më 23 qershor në Samitin BE -Ballkani Perëndimor në Bruksel. Siç dihet, Komisioni Europian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur kushtet të parapara me udhërrëfyes, por interpretimi i Francës, që kërkon më  shumë luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është që kjo duhet të bëhet në plan afat gjatë. Çfarë do të ndodhë më 23 qershor do të merret vesh në këtë datë pasi francezët nuk kanë dhënë indikacion se do të pajtohen për heqjen e vizave.

Ministria e Jashtme e Francës ka konfirmuar se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të diskutohet në takimin mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 23 qershor në Bruksel.

MPJ e Francës në faqen zyrtare të saj ka publikuar një pyetje, në të cilën thuhet se Kosova e bën me faj Francën se po e ngadalëson këtë proces, si dhe është dhënë përgjigjja për këtë.

“Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Europian, kosovarët nuk kanë viza Shengen. Sipas Prishtinës, Franca është një nga vendet që po e ngadalëson këtë proces. Pse është kështu? A do të trajtohet kjo temë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor?”, është pyetja e publikuar në faqen e MPJ’së e shkëputur nga konferenca për media.

Në përgjigje thuhet se samiti do të shërbejë edhe për këtë çështje, raporton Gazeta Express.

“Takimi i 23 qershorit i liderëve nga Bashkimi Europian me atë të Ballkanit Perëndimor do të jetë një shansë për të diskutuar mundësinë që vendet në rajon të përmbushin perspektivën e tyre europiane, ndër temat e tjera. Për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e një udhërrëfyesi që është miratuar nga Bashkimi Europian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë”.

Megjithatë, këto kushte Kosova i ka plotësuar që një kohë të gjatë.

Datën 23 qershor e ka përmendur dje edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel. Ajo tha se nëse do të ndodhë liberalizimi ose jo është në vullnetin e shteteve anëtare, derisa njoftoi se institucionet e Kosovës janë në kontakte me të gjitha shtetet e Unionit veç e veç, me disa prej të cilave ende s’kanë marrë përgjigje përfundimtare.

Franca dhe Holanda janë dy shtetet më skeptike për procesin e liberalizimit të vizave, përkundër vërejtjet që i ka shprehur Kosova se është shteti i vetëm në Europë që po izolohet padrejtësisht. / Gazeta express/ KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës, i nënshtrohet renovimit të plotë

Për vite me radhë, ndërhyrjet renovuese në ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk e kanë zgjidhur në tërësi problemin me strukturën, instalimet dhe funksionalitetin e përgjithshëm të ndërtesës, përcjellë KultPlus.

 Si rrjedhojë, analiza e gjendjes e kryer nga ekspertë të MKRS dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” konkludon shkallë të lartë të degradimit të ndërtesës e hapësirave brenda saj, madje, me nivel të theksuar të rrezikshmërisë për punonjësit apo njerëzit që e frekuentojnë këtë institucion të rëndësishëm të artit e kulturës.

MKRS, duke vepruar në përputhje me përfundimet profesionale e shkencore të ekspertëve, është vënë në veprim për të inicuar e zhvilluar një proces tërësor të ndërhyrjeve renovuese që do t’i adresojë të gjitha nevojat e revitalizimit, të projektimit, ekzekutimit të ndërhyrjeve dhe funksionalizimit të plotë të ndërtesës së TKK, në të cilën po ashtu ushtron veprimtarinë e vet edhe Baleti Kombëtar i Kosovës.

Për këtë qëllim është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Fakultetit të Ndërtimtarisë, Fakultetit të Arkitekturës, Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike për ofrimin e ekspertizës profesionale për QRTK në Prishtinë në procesin e hartimit të projektit të konservimit/restaurimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në përfundim të këtij procesi, MKRS është e bindur se kryeqyteti do të rifitojë një institucion teatror me hapësira funksionale, moderne dhe të përshtatshme për të zhvilluar veprimtarinë e dy nga institucionet kryesore të artit skenik, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Baleti Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

“Sunny Hill’ dhe drama e ndërtuar mbi gjysmë të vërtetë

Gjylieta Mushkolaj

Është vërtetë dëshpruese që Festivali Sunny Hill nuk po mbahet në Prishtinë siç besonim të gjithë, edhepse një gjë e tillë ishte bërë e ditur një vit më parë, përveç të tjerash edhe në emisionin shumë të shikuar Krasta show! Ky lajm i vitit të kaluar u rilind këto ditë me njoftimin zyrtar nga Sunny Hill kompania ose fondacioni, Sunny Hill Foundation, ose “the Sunny Hill” sh.p.k., biznesi komercial, ose organizata e bamirësisë! Për shumë kend, krejt njejtë, por, siç thuhet, djalli është në detaje, e fshehja e detajeve e ndërton gjysëm të vërtetën. Lajmi mbi ikjen e festivalit, ose aratisjen e festivalit u bë, siç e do zakonisht gjysëm e vërteta, dramë. Drama, megjithatë, nuk filloi me këtë gjysmë të vërtetë, “ikje të befasishme.” Ikja e festivalit është vetëm “gjysëm e vërteta” e parë, por jo edhe më e gënjështra më qyqare, siç do të thishte Mark Twain.

Një ‘gjysmë e vërtetë” tjetër, është edhe ARËSYEJA e ikjes së Festivalit. Është, vonesa, zhagitja prej një muaji (?!) për dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë të Komunës për Festivalin “Sunny Hill!” Lajmi merr përmasa edhe më dramatike e mjegulla sa vjen e rritet! Vonesa dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë “e largoi Dua Lipën nga Prishtina!” Festivali është ngjarje, e ngjarja nuk aplikon për tokë. Aplikon individi, ose biznesi, ose ndonje organizatë tjetër. Aplikon organizatori i Festivalit! Nuk është dëgjuar ndonjë herë, në ndonjë vend që organizatori i ndonjë festivali në botë të aplikojë për dhënien e tokës në shfrytëzim në kohëzgjatje prej 99 vjetësh, por kjo është një çështje krejt tjetër. Çështja është te organizatori, Fondacioni ose Sh.P.K.-ja!

Për publikun e gjerë, organizator i festivalit është “Sunny Hill Foundation!” Kështu thotë faqja e përditësuar e Wikipedia-s! Kështu është prezantuar shumë herë Festivali edhe nga vet Dua Lipa, atëherë kur me entuziazëm e njoftonte botën për këtë ngjarje që pa ekzagjerim është bërë krenaria e Prishtinës! Dua Lipa e kishte prezantuar “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa.”

Megjithatë, sipërfaqen prej 17 hektarësh për të organizuar këtë Festival, nuk e ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës “Sunny Hill Foundation!” 17 hektarë tokë i ka kërkuar një entitet krejt tjetër, The Sunny Hill SH.P.K., një biznes i regjistruar si Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku emri i Dua Lipës nuk figuron fare!!!

Kontrata për dhënjen në shfrytëzim të sipërfaqes prej 17 hektarësh është votuar nga Kuvendi komunal, bazuar në perceptim, për të mos thënë huti, se toka po i ndahet entitetit “Sunny Hill Foundation,” Festivalit të Dua Lipës! Në të vërtetë, Kontrata, askund nuk e përmendë entitetin “Sunny Hill Foundation”! Kontrata e votuar nga Kuvendi Komunal për ti dhënë në shfrytëzim prej 99 vjetësh 17 hektarë tokë biznesit The Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Kontrata nuk e përmendë askund Dua Lipën!

Këto gjysëm të vërteta, për të mos thënë, si Mark Twain, rrena kaq qyqare, e kanë ndërtuar këtë dramë kaq të madhe, kaq tronditëse, kanë shkaktuar aq dëshprim, siç rëndom bën secila propagandë! E në këtë rast, nuk mund ta akuzosh askend për rrenë, se shumë lehtë mund ti ikësh përgjegjësisë për manipulim me të vërtetën nga mosdija.

Sidoqoftë, festivalet më të rëndësishme të muzikës, mund të organizohet qoftë nga fondacionet e bëmirësisë, apo nga korporatat dhe individët me qëllim përfitimi vetanak. Që të dyja janë të ligjshme. New Orleans Jazz and Heritage Festival, ku kanë performuar yjet si Stevie Wonder, e që sjellë fitim prej 400 milion dollarësh është Fondacion bëmirës; Coachella, festivali ndër më të mëdhenjtë në botë, ku ka performuar Lady Gaga është gjithashtu bëmirës; Summerfest, ku ka performuar Paul McCartney e Bob Dillan është organizatë e bëmirësisë, e lista është e gjatë, shumë e gjatë e festivaleve të bëmirësisë…Në festival të tilla, të organizuara nga Fondacione bëmirëse, merr pjesë edhe vet Dua Lipa. Në fund të këtij muaji, për shembull ajo do të këndoj në Festivalin Roskilde, që e organizon një Fondacion qind për qind bëmirës.

Edhe festivalet pronë e korporatave e individëve, janë në rregull. Festivali Glastonbury, si festivali më i rëndësishm britanik, është i tillë. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performojnë në atë festival, madje për pagesë shumë më të vogël se zakonisht. Festivali është ngjarje madhështore e kulturës dhe sjell fitime të mëdha, por edhe e ka një veçori, se zhvillohet në Worthy farm, që është pronë private e organizatorit e jo e falur nga komuna. Edhepse biznes, që paguan taksa dhe zhvillohet në pronë të vet, Festivali Glastonbury, gati gjithë fitimin e jep për kauza të mëdha, e mbështet financiarisht organizatën Oxfam, që në tridhjetë vjetët e fundit bën punë të rëndësishme humanitare edhe te ne dhe lëvizjen GreanPeace, që vepron globalisht për parandalimin e ndryshimeve klimatike.

Përkundër kësaj, kushdoqoftë organizator i Festivalit Sunny Hill dhe sidoqë të vendosë Komuna për dhënjen në shfrytëzim prej 99 vjetësh të sipërfaqes prej 17 hektarësh tokë, procesi nuk guxon të mbetet në mjegull. Vendimet nuk guxojnë të mbështeten në gjysmë të vërteta. Transparenca duhet të jetë e plotë dhe përfundimisht, nëse një kontratë e tillë bëhet, duhet ta dijmë se kujt ia dhuron Komuna e Prishtinës në shfrytëzim prej 99 vjetësh sipërfaqen prej 17 hektarësh tokë — “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa, ” ose, biznesit privat the Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Dhe, një kontratë të këtillë, shumë të mundëshme pas këtij dëshprimi të madh, prej 17 hektarësh tokë për shfrytëzim 99 vjet, Komuna e Prishtinës, të plotë, duhet ta bëj publike në shqip e në anglisht, për ne dhe për të gjithë ndërkombatarët dashamirë, që bashkë me ne, janë zhgënjyer e mërzitur që kët vit mbetëm pa Festival.

Për këtë verë, në Prishtinë do të mjaftohemi me MANIFESTA!/ KultPlus.com

Nezir Kraki: Mos me t’dashtë ty është krim (VIDEO)  

KultPlus ju sjell këtë letër dashurie të shkruar nga Nezir Kraki, ku e njëjta letër është lexuar nga aktori Leka Sefla.

…ti je krejt çka ëndërron një mashkull me pasë. Je krejt çka kam ëndërru gjithë jetën të kem. E tash që t’kam, më duket se ende jam në ëndërr.

Je e përkryera e shëndrruar në femër.

Ti nuk e di çfarë force ke. Buzëqeshja jote, bukuria jote, freskia e syve tu, sharmi yt hyjnor, pafajësia jote, butësia jote, droja jote, janë të gjitha burime të pashterrshme lumturie. Janë burim i lumturisë sime sa herë gjendem pranë teje.

Nuk ka germa, fjalë e fjali që mund ta tregojnë atë që je ti, atë që unë shoh tek ti. Je thjesht më e bukur se çdo gjë që gjuhët mund ta përshkruajnë. Je heshtje që flet, je frymë që gjallëron trup e shpirt. Je më e thjeshta që njihet, më e veçanta që takohet, më e ëmbla që shijohet. Prandaj jam i paaftë ta sqaroj besnikërisht atë që je se, siç do thoshte poeti i madh francez René Char, si mund të tregohen gjërat e thjeshta pa u tradhëtuar? Nuk dua ta tradhëtoj atë që je.

***
S’kam shumë sqarime për këtë veç e di që ndjesitë e mia më të thella, më sekrete, më fisnike dhe më të rralla, kanë ardhë drejt teje dhe veç po rriten. Jam dorëzuar tashmë, s’mund t’i ndaloj më dhe as që turpërohem nga ky dorëzim. Në fakt, çuditem me veten time sepse kurrë s’kam besuar që mund t’ekzistojë një person aq i denjë, aq i thjeshtë e aq i plotë në këtë botë të vrazhdë dhe hipokrite.

Ti je ai person.

Ti nuk e di sa e rrallë je në këtë planet. Ti je sinonim i vlerave më të shtrenjta që njeriu duhet t’i ketë. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, je edhe sinonim i sharmit absolut që një femër mund ta rrezatojë me krejt pafajësinë e saj. Je kombinimi më i rrezikshëm i mundshëm por unë e dua rrezikun. E urrej jetën që shikohet. Vdes për momentin që jetohet.

Shpesh mendoj të të nervozoj me kast veç me e zbutë pak atë dozë të pamatshme sharmi me të cilin më pushton. Kam frikë nga vdekja e parakohshme edhe pse s’do kishte vdekje më të bukur se vdekja nga sharmi yt.
Por s’e bëj dot. Nuk dua ta lëndoj atë buzëqeshje, ta trishtoj atë pafajësi. Dua të jem edhe unë burim lumturie për ty, ditë e natë. Atëherë, më lejo të jem regjisor i ëndrrave tua që të sigurohem se edhe mengjesin e nis me buzeqeshje.

M’lejo me t’dashtë dhe dije që…
T’du se je Ti./ KultPlus.com

Digjet një konvikt i studentëve në Prishtinë, zjarrfikësit në vend ngjarje

Para pak minutash është djegur podrumi i konviktit numër 3 në Prishtinë.

Për shkak të zjarrit janë larguar të gjithë studentët banues të këtij konvikti. Sipas informacioneve nuk ka të lënduar përveç dëmeve materiale.

Zjarrfikësit dhe Policia janë në vend ngjarje./ Insajderi / KultPlus.com

Violinisti Tedi Papavrami, me koncert recital në Tiranë

Violinisti i famshëm shqiptar Tedi Papavrami rikthehet në skenën e kryeqytetit, në datën 19 qershor për një koncert recital me violinë dhe piano. Pjesa e tretë dhe e fundit e sonatave për violinë dhe piano të Beethoven vjen interpretuar nga Papavrami dhe François-Frédéric Guy.

Vlorent Xhafaj drejtor artistik i festivalit “Different Trains” bën me dije se këtë mbrëmje programi përmban vepra nga Ludwig van Beethoven, për të mbyllur ciklin e plotë të sonatave të autorit të madh gjerman.

“Koncerti është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Ambasada Franceze dhe mbahet në kuadër të  hapjes së festivalit muzikor “Different Trains” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, datë 19 qershor, ora 20.00”, shprehet ai në njoftimin për festivalin.

Biletat gjenden në www.myticket.al. Festivali “Different Trains” është një prej aktiveve muzikore që zhvillohet në vendin tonë prej disa vitesh, ku në skenë janë ngjitur artistë të njohur të huaj dhe shqiptarë.

Tedi Papavrami në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona. Ai ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker,etj. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogwood, A. Pappano, L. Langree, G. Varga, Z. Macal, J.C. Casadesus, etj. Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj, si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Festivali i parë i Baballarëve në Kosovë po rikthehet me edicionin e tretë

Festivali i parë i Baballarëve në Kosovë po rikthehet me edicionin e tretë, përcjellë KultPlus.

SUPERDADS do pushtojnë Prishtinën, të dielën, më 19 qershor nga ora 16:00 te Platoja e “Zahir Pajaziti” – te Hotel Grandi.

Me muzikë, argëtim, lojëra interaktive, gara mes baballarëve, lexim, art, kuiz dhe plotë energji, këtë vit do shënohet Dita Ndërkombëtare e Baballarëve dhe do të frymëzohen baballarët dhe kujdestarët që të jenë të vëmendshëm dhe të përfshirë aktivisht në edukimin e fëmijëve, të fillojnë diskutime mbi rëndësinë e atësisë, me një fokus të veçantë në avokimin për lejen prindërore.

“Ejani me familje dhe tregoni se çfarë babai jeni! Është kënaqësi të shohësh fëmijët e tu duke u shoqëruar me fëmijët e shokut/shoqes tuaj. Ftoni edhe baballarët e tjerë bashkë me familje”, thuhet në njoftim.

Ky festival implementohet në kuadër të projektit “E Ardhmja për Rininë” nga SIT me mbështetje nga UNFPA, zyra në Kosovë, CARE International në Ballkan, Agjensioni Austriak për Zhvillim, Fondacioni Oak, Komuna e Prishtinës, QKSGj dhe D4D. / KultPlus.com

Përparim Rama: Arsyeja e zhvendosjes së ‘Sunny Hill’ në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së Qeverisë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me zhvendosjen e festivalit ‘Sunny Hill’ i cili së fundi është zhvendosur në Tiranë, shkruan KultPlus.

Sipas kryetarit Rama, arsyeja pse ky festival sivjet është zhvendosur në Tiranë është për shkak të zvarritjes nga ana e qeverisë në dhënien e pronës së kërkuar.

“Sunny Hill” i takon Kosovës, i takon Prishtinës, të rinjve dhe të rejave tona që me padurim e kanë pritur edicionin e sivjetmë të këtij festivali. Arsyeja pse ky festival sot është zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së qeverisë e cila pavarësisht se gjithë procesi i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për festivalin është bërë në pajtim të plotë me ligjin, institucionet qendrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e kuvendit komunal dhe në kompetencat e kryetarit të Komunës ashtu si e konfirmoi edhe dje Asociacioni i Komunave”, tha Rama, duke e cilësuar zhvendosjen e këtij festivali si një lajm dëshpërues për Kosovën dhe Prishtinën.

Ndërkaq, mosbajtja e festivalit në Prishtinë, pritet t’i sjellë Kosovës edhe humbje të hyrash deri në 15 milionë euro.

“Në bazë të kalkulimeve të mëparshme, përfitimi i qytetit ka qenë 7-8 milionë euro, është paraparë që do të jetë 12-15 milionë euro, këto janë humbje”, u shpreh kryetari Rama, i cili më pas deklaroi se beson që nga viti i ardhshëm ky festival do të kthehet në Prishtinë.

Kurse Doruntinë Maloku, e cila udhëheq drejtorinë e Pronave në Komunën e Prishtinës, shpjegoi gjithë procesin e dhënies në shfrytëzim të pronës nga Komuna e Prishtinës.

“Si qeverisje e re e kemi gjetë si një proces të hapur çështjen e festivalit ‘Sunny Hill’ nga viti 2021. Më 14 qershor 2021, Kuvendi Komunal i Prishtinës, unanimisht, ka vendosur pro dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për këtë festival për 99 vjet.”, tha Maloku.

Maloku thotë se në momentin që ‘Sunny Hill’ ka kërkuar nga Komuna që t’i vazhdojnë procedurat në mënyrë që mos të ketë vonesa, për shkak që rrezikohet mosmbajtja e festivalit, komuna e ka plotësuar dokumentacionin dhe është dorëzuar në Kuvendin Komunal.

“Meqë asnjëherë nuk është kundërshtu asnjëherë nga Ministira e Administrimit dhe Pushtetit Lokal 99-vjetëshi, në Kuvendin Komunal shumica e asambleistët e kanë votuar vendimi”, u shpreh më tutje Maloku duke vazhduar më pas se MAPL pas dorëzimit të dokumentacionit, e ka zvarritur procesin./ KultPlus.com

Kur Shqipëria ngriti Bordin kundër abuzimeve, viti 1934

Në tetor të vitit 1930, Ahmet Zogu zgjodhi ta mbajë ndryshe fjalimin e tij vjetor në parlament. Në mesazhin mbretëror drejtuar parlamentit, ai paralajmëronte se një krizë e thellë ekonomike e financiare do ta prekte Shqipërinë. Ky fjalim mbahej në kushtet kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte ndodhur ajo që njihej si ‘Rënia e Wall Street’ që solli më vonë, krizën globale që njihet edhe si “Depresioni i Madh”.

Por, ndryshe nga liderët e vendeve të tjera, Zogu në fjalimin e tij, paralajmëronte edhe një ‘krizë brenda krizës’ e që lidhej me ndryshimet klimatike. Parashikimi në mesazhin mbretëror të vitit 1930, do të rezultonte i saktë dhe Shqipëria do të përballej, jo vetëm me pasojat e krizës globale, por edhe me dy vite stinë pa reshje, çka do të sillte probleme me prodhimin bujqësor, e sidomos me prodhimin e misrit, që përbënte edhe bazën ushqimore të popullatës.
Në këtë mënyrë, Shqipëria do të përfshihej në një krizë buke.

Kjo periudhë njihet si krizë mbiprodhimi në shumë vende; pra jo inflacion por deflacion. Produktet bujqësore e industriale u zhvlerësuan në këtë kohë, duke ndikuar direkt në tregtinë e jashtme që u ul ndjeshëm dhe progresivisht në periudhën 1930-1934.

Por duke qenë se në vitet 1929 dhe 1930 u mor një prodhim i pakët misri dhe nga ana tjetër as qeveria nuk kishte planifikuar ende importin e tij për të kompensuar mungesën në tregun vendas, shumë tregtarë që kishin grumbulluar pjesën më të madhe të prodhimit të misrit në treg, e rritën menjëherë çmimin e tij, duke bërë që për këtë produkt të kishte një dalje ‘kundra rrymës’ .

Qeveria u detyrua që në muajt gusht e shtator të vitit 1931 që të importonte misër, por kjo nuk e zgjidhi problematikën edhe për faktin se në këtë periudhë mungonin paratë.

Kartelet e miellit në Shqipërinë e 1932

Përtej mungesës së prodhimit vendas, industria e blojës u prek ndjeshëm nga kriza që shkaktonte diferenca e çmimit mes produktit vendas dhe atij që vinte nga importi. Mielli që vinte nga importi ishte më i lirë.

Tentativa e qeverisë për të forcuar prodhimin vendas përmes vendosjes së një takse mbi importin e drithërave dha efekt të kundërt.

E pas kapërcimit të sfidës që krijoi fillimisht kriza e prodhimit vendas, kompanitë u përfshinë nga një krizë tjetër, ajo e konkurrencës që vinte nga mbiprodhimi i jashtëm. Shumë fabrika dhe mullinj u detyruan që të mbylleshin ose të punonin me ndërprerje duke rënduar edhe më tepër situatën e furnizimit të popullatës me bukë.

Në këto kushte, shumë pronarë fabrikash mielli u bashkua duke krijuar kartele, por që zgjatën pak në kohë. Ashtu si kompanitë e alkoolit në 1930, kompanitë e prodhimit të miellit u bashkuan në vitin 1932 në dy kartele. /Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN / KultPlus.com

Shpallet fituesja e “Muza Competition”

“Muza Competition”, konkursi që bashkon tradicionalen dhe modernen dedikuar të rinjve në fushën e modës, një projekt i organizuar nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, në kuadër të Tiranës si Kryeqyteti Europian i të Rinjve 2022, u përmbyll mbrëmë me fituesen e këtij edicioni.

Fituesja e vendit të parë të “Muse Competition” nga të gjitha trevat e Shqipërisë, si dizenjatorja më e mirë për këtë edicion është Anisa Dudaj. Kreu i Bashkisë Erion Veliaj, i cili dha trofeun për fituesen e çmimit të parë, u shpreh se aktivitete të tilla, që bashkojnë, i shërbejnë më së miri në këtë moment kombit tonë.

“Nuk ka nevojë të shkojmë jashtë për të vlerësuar veten, nuk ka nevojë të vijnë të huajt këtu për të na vlerësuar ata. Më në fund kemi një super aktivitet, që shpresoj do të vazhdojë çdo vit, me një super juri, por mbi të gjitha me super çuna dhe goca të talentuar, nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Jam shumë krenar për ju të gjithë! Kohët e fundit ne, politikanët, e kemi prishur pak, mundohemi të gjejmë sebepe për cic-mice, për sherret e vogla për tre vota këtu, për pesë vota atje. Kur një aktivitet ndodh në Tiranë, nuk ndodh në Moskë, ndodh në Tiranë. Doku Fest ndodh në Prizren, nuk po ndodh në një qytet rus, po ndodh në një tjetër qytet shqiptar. Ndaj, le t’i lëmë mënjanë çudirat që kemi parë këto kohë, dhe të kuptojmë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se ato që na ndajnë. Orët që po jetojmë, janë orët më të mira për shqiptarët,” u shpreh Veliaj.

Konkursi u dedikohej të rinjve nga mosha 18-35 vjeç nga gjithë qytetet shqipfolëse të rajonit të Ballkanit Perëndimor, me qëllim nxitjen e punësimit në ekonomitë krijuese, nxitjen e krijimit të bizneseve start-up në këtë fushë dhe zgjerimin e bizneseve. Juria e përbërë nga disa figura të njohura të fushës së fashion dhe dizajn-it si Fadil Berisha, Aferdita Onuzi, Emina Çunmulaj, Valdrin Sahiti, Enada At’Nikolla dhe Helidon Haliti përzgjodhën aplikantët më të mirë përgjatë tre fazave të konkursit./tvklan.al / KultPlus.com

Në të kaluarën, nëse nuk ishe arbëresh mund të hyje vetëm një herë në vit në Horë

Kanë kaluar 533 vjet nga themelimi i komunitetit Arbëresh në Horën e Arbëreshëve. Data e raportuar nga Kapitujt e Fondacionit është ajo e 30 gushtit 1488.

Vetë Pieropaolo Pasolini, gjatë një konference të mbajtur në Leçe në tetor 1975 mbi marrëdhëniet midis shkollave dhe pakicave gjuhësore, përcaktoi atë të arbëreshës një mrekulli antropologjike që duhet ruajtur, për më shumë se gjysmë mijëvjeçari, identiteti i tyre specifik, gjuha dhe riti grek në primis.

Të mërguarit shqiptarë të larguar nga Ballkani për shkak të përparimit të Perandorisë Osmane, arritën në Siçili në territoret që i përkisnin Kryepeshkopit të Monreale. Prandaj arbëreshët duhej të negocionte me Mons. Nicolao Trulenchi, Guvernator i Kryepeshkopatës dhe Prokurori i Përgjithshëm i Card D. Giovanni Borgia, për të marrë koncesionin e feudomave, akti përfundimtar i të cilit, gjithashtu përfshin Kapitujt Themelues të Komunës së re, dhe është përcaktuar nga noteri Nicolò Altavilla dhe është aprovuar nga palët më 30 gusht 1488 në Monreale.

Historia

Arbëreshët që morën pjesë në atë akt ishin: Giovanni Barbato, Pietro Bua, Giorgio Golemi, Giovanni Schirò, Giovanni Macaluso, Tommaso Jani, Antonio Troja, Matteo Mazza, Teodoro Dragotta, Giorgio Burlesci, Giovanni Parrino, Giorgio Ipsari, Giovanni Br Canniti .

Shqiptarëve të Siçilisë iu besuan çifligje të mëdha sipas koncesioneve të veçanta dhe private dhe, vetëm më vonë, kur ndonjë parashikim i kthimit u bë i pamundur, u mendua të stabilizonte praninë e tyre në ishull duke nënshkruar 16 Kapituj të Fondacionit.

Si përmbledhje, shqiptarëve iu dha privilegji për të jetuar sipas ligjeve dhe zakoneve në fuqi në qytetin Monreale: Kryepeshkopi dha 15 pjesë toke për mbjellje dhe 800 të tjera në mënyrë që arbëreshët të mund të ndërtonin shtëpitë e tyre; të ishin në gjendje të lëviznin lirshëm me armë dhe të largohet nga vendi i dhënë atyre pa asnjë dënim. Ata ishin gjithashtu në gjendje të ruanin kultin e tyre i cili bazohej në ritin grek; bluaj grurin në mullinj (Jato dhe Malvello) të Dioqezës së Monreale, pasi ata nuk mund të ndërtonin një pa lejen e Kryepeshkopit.

Por, në fund të tre viteve, ata nuk kishin parashikuar as ndërtimin e shtëpive të tyre ose kultivimin e tokës, dhe arbëreshët ishin të detyruar të braktisnin feudet e dhëna.

Ajo e shqiptarëve të Italisë është një histori e shkëlqyer e integrimit, pasi ata kanë treguar se dialogu, shkëmbimi kulturor dhe bashkëjetesa paqësore e popujve të ndryshëm është i mundur. Sidoqoftë, ishte një periudhë në të cilën shqiptarët themelues të Horës nuk dëshironin, menjëherë, të rrezikonin që kultura e tyre të ishte “ndotur” nga ajo e ishullit dhe në vitet e para të themelimit të kolonisë së tyre (1488), ata i ndalonin hyrjen njerëzve nga qendrat e tjera fqinje.

Arbëreshët nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se theksojnë ndryshimin e tyre krahasuar me komunitetet e tjera siciliane sepse ata përdorin simbole dhe rituale të ndryshme, por mbi të gjitha gjuhën e cila është elementi që shfaqet drejtpërdrejtë. Ekskluzivisht një herë në vit, gjatë pesë ditëve të festimeve për nder të Virgjëreshës, arbëreshët lejonin hyrjen e siçilianëve.

Vetëm nevoja për fuqi punëtore bëri një përjashtim autarki kulturore dhe lejoi disa familje për të lëvizur në Horë me detyrimin, megjithatë, për të mësuar gjuhën dhe për të miratuar zakonet dhe ritin fetar.

Në fillim, pra, ajo që i lejoi arbëreshët të ruanin zakonet e tyre kulturore ishte një lloj mbylljeje ndaj tjetrit. Marrëdhënia me tjetërsinë, e përfaqësuar nga kultura siçiliane, bëhet e domosdoshme vetëm kur është thelbësore të hapet sepse ekziston nevoja për fuqi punëtore.

Prandaj, identiteti kolektiv ka lejuar përcaktimin e kufijve të grupit arbëresh, domethënë, për ta identifikuar atë dhe për ta dalluar nga komunitetet e tjera në tokën siçiliane dhe për të ndërtuar një të tashme të rrënjosur në një të kaluar nga e cila të nxjerrë të ardhmen. Prandaj, sfida e vërtetë e arbëreshëve sot është të mbetet e tillë duke privilegjuar dialogun, shkëmbimin kulturor dhe respektin për kulturat e tjera./ Nga Mario Caliva . / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Publikohet fotoja e parë e Ryan Gosling në filmin Barbie

Është publikuar fotografia e parë e aktorit Ryan Gosling që luan Kenin në filmin Barbie. Ai do të luajë krah yllit të famshëm, Margot Robbie. Në foto, Gosling pozon me flokë bionde, xhaketë xhins ndërsa vë në pah trupin e tonifikuar. Filmi do të publikohet me 21 korrik 2023.

Karakteristike është edhe fakti se në të brendshmet e tij shkruhet emri i personazhit që do të luhet. Pamja e parë e Ryan u publikua nga ëarner Bros përmes një postimi në Twitter. Më parë, kompania publikoi dhe foton e parë të Margott ku shfaqet si Barbie.

Njihuni me Kenin!  Shikoni së pari yllin e Barbie, Ryan Gosling teksa zhvesh gjoksin e tij të gdhendur dhe flokët e zbardhur në një grup xhins të dyfishtë për t’u shndërruar në kukullën e dashur.

Aktorja pati deklaruar më herët për këtë projekt duke thënë se: “Ky rol, si dhe produksioni i filmit, është një nder i madh për mua. Unë mendoj se do të ketë një ndikim pozitiv, jo vetëm tek fëmijët, por tek audienca në mbarë botën.

Ka shumë referenca nostalgjike, por edhe një sërë mënyrash emocionuese për t’iu qasur këtij roli. Njerëzit shikojnë Barbie dhe krijojnë një imazh në mendjen e tyre se si mund të jetë filmi, por kur dëgjojnë se është drejtuar nga Greta Gerwig, ata kuptojnë se ndoshta nuk e kanë idenë se kush është.”

Mahnitëse: Aktorja 31-vjeçare australiane dukej absolutisht ikonike pas timonit të një Chevrolet Corvette klasike rozë përballë asaj që dukej si Mansioni Barbie./abcnews/ KultPlus.com

Lirohet atentatori i presidentit Regan, kërkon ta mbajë një koncert

Autoritetet amerikane kanë lënë të lirë nga çdo masë dhe ndalim, John Hinkley i njohur nga të gjithë si personi që i bëri atentat presidentit Ronald Regan.

“Pas 41 vitesh, dy muajsh e 15 ditësh më në fund jam i lirë”, u shpreh njeriu që për dashurinë e Jodie Foster plagosi presidentin e atëhershëm amerikan më 30 mars 1981 dhe zëdhënësin e atëhershëm të Shtëpisë së Bardhë, Jim Brady.

Ky i fundit e kaloi jetën në një karrocë me rrota duke luftuar kundër armëve të lehta të disponueshme për të gjithë.

“Nëse Ronald Reagan nuk do të kishte qenë objektivi, kufizimet ndaj Hinkley do të ishin hequr shumë kohë më parë,” tha gjykatësi që caktoi datën e lirisë së pakushtëzuar.

John Hinkley, i cili luan kitarë dhe këndon, donte që në muajin korrik të jepte koncerte. Megjithatë, koncerti i planifikuar prej kohësh në Hotel Market në Bushëick më 8 korrik u anulua për arsye sigurie./ KultPlus.com

“Fati i një Kombi”, romani debutues i Olger Vasos në Francë

Për ata që largohen nga Shqipëria, Atdheu është gjithmonë aty dhe jo vetën në kujtimet e tyre, të cilat shpluhurosen pas çdo vizite. Për artistët është diçka më shumë, një burim krijimtarie unike. I tillë ka qenë edhe për artistin shqiptar Oger Vaso, i cili pak kohë më parë ka nxjerrë nga botimi romanin e tij të parë “Le destin d’une nation”, (Fati i një Kombi). Një roman metaforik ku ai rimerr etapat e historisë së madhe duke përdorur histori të vogla.

“Le destin d’une nation”, rrëfen historinë e Benjaminit, një gjerman i cili bie në dashuri me një  të re shqiptare. Ngjarjet ndodhin në mes të një diktature që asgjëson gjithçka që i afrohet, kulturat e ndryshme munde vetëm të prekin njëri-tjetrin me gishtat e tyre. Kronikë të një kohe të vështirë, për dashurinë dhe për pjesën tjetër, e vendosur në një sfond historik të mirëdokumentuar.

Autori kërkon të kuptojë plotësisht origjinën e së keqes që mundon një vend tranzicioni ekonomik dhe social. Fushat etike dhe morale përplasen. I takon personazheve të gjejnë dritën e tyre, të  vërtetën e tyre intime përmes një bote që është bërë groteske.

Olger Vaso është artist franko-shqiptar. Me një formim multidisiplinar, me fokus kinemanë ai vjen para lexuesit me një tjetër formë rrëfimi, letërsinë.

“Le destin d’une nation”, botuar nga Editions du Pantheon mund të gjendet në librari si dhe në amazon. /Diaspora Shqiptare /KultPlus.com

Rolling Stones kthehen në Amsterdam për të kompensuar koncertin që u anulua javën e kaluar

Rolling Stones planifikojnë të kthehen në Amsterdam më 7 korrik për të kompensuar një koncert që u anulua në fillim të kësaj jave pasi këngëtari kryesor Mick Jagger rezultoi pozitiv me COVID-19, tha të mërkurën promotori Mojo, transmeton KultPlus.

Në një postim në Twitter të shpërndarë të mërkurën, Stones thanë se Mick Jagger po ndihej shumë më mirë. “Të gjitha datat e tjera nga java e ardhshme janë planifikuar të zhvillohen siç është planifikuar”, shtoi grupi në një postim të veçantë në Twitter.

Performanca e të hënës së Stones u anulua në minutën e fundit pasi Jagger përjetoi simptoma të koronavirusit në Johan Cruyff Arena të Amsterdamit.

Kjo e detyroi grupin të shtyjë gjithashtu një koncert të planifikuar për të premten në Bernë, Zvicër, pasi një zëdhënës i grupit tha se 78-vjeçari Jagger kishte karantinuar në Holandë për të paktën pesë ditë./ KultPlus.com

“Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare”, ekspozita që tregon autoktoninë shqiptare në Sanxhakun e Pazarit të Ri

“Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare” është projekti i shoqatës “Kosova për Sanxhakun” përkrahur nga shoqata humanitare “Sali Çekaj” në Gjermani, përmes të cilës organizatorët po synojnë të paraqesin trashëgiminë kulturore të Sanxhakut të Pazarit të Ri përmes fotografive.

Ky projekt do të implementohet në fushën e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore, i cili do t’i ekspozojë fotografitë të cilat tregojnë autoktoninë shqiptare në Sanxhakun e Pazarit të Ri. 

Me këtë aktivitet organizatorët synojnë të ndikojnë në njohjen e opinionit vendor dhe ndërkombëtar me të kaluarën, kulturën dhe traditën e popullit shqiptarë të Sanxhakut të Pazarit të Ri dhe më gjerë.

“Të gjeturat tona që do të prezantohen nëpërmjet kësaj ekspozite, jo vetëm në Muzeun Kombëtar të Kosovës, por edhe në qendrat e ndryshme kanë qëllim të njohjes me të kaluarën jo të largët, rëndësinë në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe argumentimin e së kaluarës shqiptare në krahinën e Sanxhakut në veçanti”, thuhet nga organizatorët.

Fiset shqiptare (Kelmend, Kuç, Hot, Shalë, Shkrel, etj.) iu nënshtruan asimilimit të gjatë shekullor,  fillimisht si myslimanë dhe përfundimisht si boshnjakë. Por, të gjitha dëshmitë flasin se kjo trevë edhe në ditët e sotme është e banuar nga shqiptarët, edhe pse pjesa dërmuese e tyre deklarohen boshnjak, jo më larg se në brezin e dytë na dalin puro shqiptarë.

Fotografitë e dokumentojnë thelbin e epokave të ndryshme më mirë se çdo medium tjetër, por janë më shumë se formë e dokumentimit. Ato inkorporojnë vlerat artistike- tregojnë histori të pa thëna apo të pa shkruara me fjalë. Sa i përket Sanxhakut të Pazarit të Ri forma më e mirë për të dëshmuar të kaluarën shqiptare të tij kujtojmë se është fotografia.

“Nëpërmjet fotografisë ne do të dokumentojmë traditën, mënyrën e jetesës, veshjen, kulturës, mjetet e punës, shtëpitë e banimit, ushqimit, si dhe toponimet. Nëpërmjet fotografisë ne do t’i paraqesim edhe traditën e kësaj popullate, bie fjala dasmat, eposin e lahutarëve, folklorin, lojërat tradicionale popullore, doket, zakonet, zejet, mjetet e punës, mënyrën e jetës në fshat, objektet e banimit dhe imazhet të ndryshme të vendbanimeve”, thuhet tutje.

Ekspozita do të ndikoj në masë të duhur tek studentët aktual dhe te ata që vijnë që të merren me studimin e këtij rajoni. Ekspozita mendohet të jetë një kontribut i madh  në ngritjen e vetëdijes kombëtare  shqiptare në këto vise të cilat pothuajse janë krejtësisht të asimiluara. / KultPlus.com

Përparim Rama mban sot konferencë për media për zhvendosjen e ‘Sunny Hill’ në Tiranë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sot do të mbajë konferencë për medie.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie, teksa theksohet edhe arsyeja që ka të bëjë me zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” në Tiranë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Të nderuar/a përfaqësues/e të mediave,
Komuna e Prishtinës, ju fton në një konference për media, me ç’ rast Kryetari Rama do të ju informojë më shumë rreth zhvendosjes së edicionit të sivjetshëm të Festivalit SunnyHill në Tiranë.

Konferenca mbahet nesër, në ora 11:30, në sallën e konferencave në ndërtesën e vjetër të Komunës. / KultPlus.com

‘Fëmijërinë ma morën ëndrrat, e ëndrrat mi more ti’ (VIDEO)

“Fëmijërinë ma morën ëndrrat, e ëndrrat mi more ti”, është një nga fjalitë e fuqishme brenda këngës “Ti je vetëm një iluzion”, kjo këngë që ende bartë emocionin e njëjtë.

“Ti je vetëm një iluzion”, i këndon çasteve që duken shekuj, e zërin e B.B Poqit e njohim më së miri përmes kësaj kënge. 

Bajram Bylykbashi apo B.B.POQI lindi më 21 maj të vitit 1968 në Prishtinë dhe është një nga këngëtarët më të mirë të rokut shqiptar.

Në muzikën e tij ndikim të madh patën grupet e rokut si Led Zeppelin, Deep purple, Ëhitesnake, U2, The doors, Pink Floyd etj. Në vitin 1985, Bylykbashi formoi band-in Babillon me të cilin bëri disa incizime, ndër to është edhe kënga “Ti je vetëm një iluzion”, shkruan KultPlus.

“Ti je vetëm një iluzion” është komponuar në vitin 1986 nga grupi BABILON, ndërsa u inçizua vetëm një vit pas, në vitin1987. Kjo këngë është e komponuar nga kitaristi i grupit Besim Hajdini dhe tekstin e ka shkruar Uran Bajrami.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Ti je vetëm një iluzion”:

Sonte hesht qyteti
shiu do t’fillojë
kërkoj shikimin tënd n’errësirë
çiftet rrugës kalojnë
më marrin për të marrë
kjo natë më kujton gëzimin dhe dashurinë
çastet me duken shekuj
nata me është e gjatë pa ty
fëmijërinë ma morën ëndrrat
e ëndrrat m’i more ti
larg fryn era, bartin pluhurin
dhe gjurmët e tua
ti shkove por kujtimi yt
jeton thellë diku ne mua

Sonte hesht qyteti
shiu do t’fillojë
kërkoj shikimin tënd n’errësirë
çiftet rrugës kalojnë
më marrin për të marrë
kjo natë më kujton gëzimin dhe dashurinë
çastet me duken shekuj
nata me është e gjatë pa ty
fëmijërinë ma morën ëndrrat
e ëndrrat m’i more ti
larg fryn era, bartin pluhurin
dhe gjurmët e tua
ti shkove por kujtimi yt
jeton thellë diku ne mua

Ti je vetëm një iluzion
dhe asgjë me shumë
ti je një ëndërr qe më mundom
a të kujtohem unë

Ti je vetëm një iluzion
dhe asgjë me shumë
ti je një ëndërr qe me mundon
a të kujtohem unë 3X/ KultPlus.com


‘Qani ju trima bashkë me ne, se ra Shqypnia me faqe n’dhe’

Poezi e shkruar nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.

Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com