‘Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare’, Azizi: Kjo ekspozitë duhet t’i shërbejë Kosovës ta kthejë kokën kah Sanxhaku

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës është hapur ekspozita ‘Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare” e cila është projekt i shoqatës “Kosova për Sanxhakun” përkrahur nga shoqata humanitare “Sali Çekaj” në Gjermani, përmes të cilës organizatorët po synojnë të paraqesin trashëgiminë kulturore të Sanxhakut të Pazarit të Ri përmes fotografive, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë me kurator Ismet Azizi do të implementohet në fushën e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore, i cili do t’i ekspozojë fotografitë të cilat tregojnë autoktoninë shqiptare në Sanxhakun e Pazarit të Ri.

Në hapjen e ekspozite foli vetë kuratori Azizi i cili thotë se e ka pritur me padurim ditën kur kjo ekspozitë do të hapet edhe në Kosovë.

“Ka një vit që kur ne e kemi shfaqur këtë ekspozitë nëpër treva të tjetra shqiptare si në Mal të Zi, Shqipëri e Maqedoni, por kjo sot e ka peshën e saj më të madhe sepse për herë të parë në Kosovë shfaqet një ekspozitë për një trevë tonën të lënë anash, sanxhaku me 8 mijë kilometra katror, me 90% popullsi me prejardhje shqiptare, ku ende frymon gjuha pjesërisht, por kultura shpirtërore e atij  populli frymon shqip.”, u shpreh Azizi.

Ai më tutje shton se kjo ekspozitë ka pasë jehonë shumë të madhe sidomos në Mal të Zi, Ulqin, Tuz, Malësi të madhe, Shkodër, Lezhë, Tiranë, Lushnje.

“Kjo ekspozitë është një dokument që më shumë ka nevojë për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Shqipërisë sesa për vetë shqiptarët e Sanxhakut, sepse ata sytë i kanë tek ne dhe ne duhet ta kthejmë kokën dhe të dimë më shumë për ta.”, shtoi kuratori i cili më pas tha se shpreson që kjo ekspozitë të rrugëtojë edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Ndërkaq i pranishëm në këtë ekspozitë ishte edhe historianin Hakif Bajrami i cili e konsideron shumë të rëndësishme hapjen e kësaj ekspozite si një urë-lidhëse mes Kosovës dhe Sanxhakut.

“Kjo ekspozitë është mjaft e qëlluar sepse i shërben afrimit të Kosovës me Sanxhakun edhe për një fakt shumë të rëndësishëm që sa më thellë në histori nëse shkojmë, bashkimi, puna, aktiviteti mes Kosovës dhe Sanxhakut ka qenë gjithmonë i përbashkët. Të njëjtin front, kundër të njëjtit okupator, kundër të njëjtave probleme, kështu që me mbajt gjallë përmes fotografisë, fjalës, shkrimit dhe dokumenteve është një borxh që ja kemi të kaluarës, që t’ju tregojmë gjeneratave të tjera.”, tha Bajrami për KultPlus, i cili për fund dha porosinë që Sanxhaku duhet të orientohet kah Tirana dhe Prishtina, në një pjesë të madhe, jo ta injorojnë Sarajevën dhe Stambollin por adresën kryesore ta kenë Prishtinën dhe Tiranën për faktin se ajo pjesë ka qenë shqiptare, ka folur shqip, ka jetuar me plisa, tregojnë edhe fotografitë.

Ekspozita do të ndikojë në masë të duhur tek studentët aktual dhe te ata që vijnë që të merren me studimin e këtij rajoni. Ekspozita mendohet të jetë një kontribut i madh  në ngritjen e vetëdijes kombëtare  shqiptare në këto vise të cilat pothuajse janë krejtësisht të asimiluara. /KultPlus.com

“Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare”, ekspozita që tregon autoktoninë shqiptare në Sanxhakun e Pazarit të Ri

“Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare” është projekti i shoqatës “Kosova për Sanxhakun” përkrahur nga shoqata humanitare “Sali Çekaj” në Gjermani, përmes të cilës organizatorët po synojnë të paraqesin trashëgiminë kulturore të Sanxhakut të Pazarit të Ri përmes fotografive.

Ky projekt do të implementohet në fushën e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore, i cili do t’i ekspozojë fotografitë të cilat tregojnë autoktoninë shqiptare në Sanxhakun e Pazarit të Ri. 

Me këtë aktivitet organizatorët synojnë të ndikojnë në njohjen e opinionit vendor dhe ndërkombëtar me të kaluarën, kulturën dhe traditën e popullit shqiptarë të Sanxhakut të Pazarit të Ri dhe më gjerë.

“Të gjeturat tona që do të prezantohen nëpërmjet kësaj ekspozite, jo vetëm në Muzeun Kombëtar të Kosovës, por edhe në qendrat e ndryshme kanë qëllim të njohjes me të kaluarën jo të largët, rëndësinë në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe argumentimin e së kaluarës shqiptare në krahinën e Sanxhakut në veçanti”, thuhet nga organizatorët.

Fiset shqiptare (Kelmend, Kuç, Hot, Shalë, Shkrel, etj.) iu nënshtruan asimilimit të gjatë shekullor,  fillimisht si myslimanë dhe përfundimisht si boshnjakë. Por, të gjitha dëshmitë flasin se kjo trevë edhe në ditët e sotme është e banuar nga shqiptarët, edhe pse pjesa dërmuese e tyre deklarohen boshnjak, jo më larg se në brezin e dytë na dalin puro shqiptarë.

Fotografitë e dokumentojnë thelbin e epokave të ndryshme më mirë se çdo medium tjetër, por janë më shumë se formë e dokumentimit. Ato inkorporojnë vlerat artistike- tregojnë histori të pa thëna apo të pa shkruara me fjalë. Sa i përket Sanxhakut të Pazarit të Ri forma më e mirë për të dëshmuar të kaluarën shqiptare të tij kujtojmë se është fotografia.

“Nëpërmjet fotografisë ne do të dokumentojmë traditën, mënyrën e jetesës, veshjen, kulturës, mjetet e punës, shtëpitë e banimit, ushqimit, si dhe toponimet. Nëpërmjet fotografisë ne do t’i paraqesim edhe traditën e kësaj popullate, bie fjala dasmat, eposin e lahutarëve, folklorin, lojërat tradicionale popullore, doket, zakonet, zejet, mjetet e punës, mënyrën e jetës në fshat, objektet e banimit dhe imazhet të ndryshme të vendbanimeve”, thuhet tutje.

Ekspozita do të ndikoj në masë të duhur tek studentët aktual dhe te ata që vijnë që të merren me studimin e këtij rajoni. Ekspozita mendohet të jetë një kontribut i madh  në ngritjen e vetëdijes kombëtare  shqiptare në këto vise të cilat pothuajse janë krejtësisht të asimiluara. / KultPlus.com