Çeku: Salla koncertale do të mbetet te objekti “Gërmia”, për Teatrin e Operas dhe Baletit pritet ndarja e lokacionit

Ardianë Pajaziti

Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte Hajrulla Çeku ka listuar sukseset e këtij viti që po lëmë pas, duke e vlerësuar si një kthesë për fushën e kulturës dhe sportit, pikërisht me rritjen e buxhetit që është bërë në këto dy fusha. Çeku ka folë edhe për Sallën Koncertale, objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, propozimin e KultPlus për themelimin e Festivalit të Muzikës në kuadër të RTK-së, e ka vlerësuar si ide të mirë, sikurse që ka folë edhe për kishën ortodokse brenda Kampusit të UP-së.

KultPlus: Jemi në fund të vitit, dhe brenda kësaj periudhe sa edhe po e udhëhiqni Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte, e keni vlerësuar si vit që është bërë shumë për fushat të cilat edhe janë brenda kësaj ministrie, në fakt, cila është e arritura më e madhe që e konsideroni edhe si kthesë për kulturën kosovare?

Hajrulla Çeku: Dy shtyllat kryesore të angazhimit tonë në kulturë janë: institucionet publike të kulturës dhe skena e pavarur kulturore. Planet vjetore të prokurimit, aktivizimi i petty cash, angazhimi i zyrtarëve shtesë financiar, konkurset për drejtuesit, renovimet dhe sigurimi i hapësirave shtesë, janë disa nga veprimet për t’i adresuar nevojat e institucioneve publike të kulturës. Në anën tjetër, mbështetja e përgjithshme për artistë dhe organizata kulturore për vitin 2021 është 3.8 milionë Euro, një rritje prej 60 përqind, krahasuar me vitin e kaluar.

KultPlus: Edhe këtë vit, filmi dhe sporti janë dy fushat më të arrira, ku edhe Kosova është përfaqësuar dhe po vazhdon të përfaqësohet në mënyrën më të mirë, a do të krijoni një fond edhe më të madh për këto dy fusha?

Hajrulla Çeku: Fondi shtetëror për filmin është dyfishuar për 2022, ndërsa buxheti do të rritet edhe viteve në vijim. Gjatë vitit 2022 do të miratohet ligji i ri për kinematografinë për të krijuar kushte nxitëse për zhvillimin e industrisë së filmit. Buxheti për sportin është rritur gjatë vitit 2021. Mbështetja e përgjithshme për federatat e sportit, klubet sportive dhe sportistët është 6.35 milionë Euro, 57 përqind më tepër se në 2020 dhe 51 përqind më tepër se në 2019.

KultPlus: Serbia vazhdon të krijojë filma për luftën e Kosovës, duke e shtrembëruar të vërtetën, të cilët kanë realizuar filma edhe për Kosharen, Reçakun, duke mos përjashtuar edhe shumë filma dokumentarë po për luftën e Kosovës, a do të duhej të kishim një thirrje të veçantë, për filma me tematikë të caktuar, në mënyrë që të realizohen sa më shumë filma për luftën e Kosovës?

Hajrulla Çeku: Filmat për luftën e Kosovës janë prodhuar dhe do të prodhohen në vazhdimësi. Gjatë vitit 2022 do mbështesim krijimtarinë audio-vizuele për të promovuar të vërtetën mbi luftën dhe shtetin e Kosovës nëpër botë.

KultPlus: Kur jemi te kjo thirrje, duke pas parasysh edhe bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, a do të duhej që një thirrje e tillë të ishte e përbashkët?

Hajrulla Çeku: Veprimtaria filmike ndjek metodën e bashkëprodhimit. Filmi “Zgjoi” është një shembull ilustrues, pasi edhe Shqipëria është njëra nga bashkëprodhueset. Besoj që viteve në vijim do të kemi bashkëpunim të shtuar me Shqipërinë në fushën e prodhimtarisë filmike.

KultPlus: Prej pasluftës e këndej, çdo ministër ka premtuar ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit të Kosovës, por që ende ky objekt mbetet vetëm premtim për zgjedhje. Në ndërkohë, para objektit, ju themeluat institucionin e operës, sa mendon se kemi kapacitet kuadrosh për funksionalizimin e një institucioni të tillë?

Hajrulla Çeku: Institucioni i Operës së Kosovës është themeluar, ka mbajtur koncertin inaugurues, ka miratuar aktet e brendshme, ka strukturën drejtuese dhe është në përgatitje të programit të rregullt vjetor për vitin 2022. Ne jemi në komunikim me Komunën e Prishtinës, dhe në momentin e ndarjes së lokacionit do të shpallet edhe konkursi për projektim, për te vazhduar pastaj me hapat e nevojshëm për ndërtimin e Teatrit të Operës.

KulPlus: E sa i përket objektit të Operës dhe Baletit, sa herë keni folur për këtë objekt, por edhe institucionit nuk iu keni referuar si Opera dhe Baleti i Kosovës “Ibrahim Rugova”, por vetëm Opera dhe Baleti i Kosovës, a ka ndonjë ndryshim në emërtim, pasi që më herët, këtij objekti i janë referuar me emrin e Ibrahim Rugovës?

Hajrulla Çeku: Fokusi im janë puna dhe realizimi i zotimeve. Institucioni është funksionalizuar, në radhë është ndërtesa.

KultPlus: E sa i përket Sallës Koncertale, do të mbetet objekti Gërmia, apo pritet të ketë ndonjë ndryshim?

Hajrulla Çeku: Procesin e ndërtimit të sallës koncertale në objektin e Gërmisë nuk mund ta kthejmë në pikën zero, pasi janë zhvilluar disa faza të procedurës. Viti 2022 duhet të na gjejë me dinamizim të punëve drejt synimit të përbashkët për sallë koncertale.

KultPlus: Ndërkohë, së fundi keni diskutuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën edhe për objektin e Muzeut të Artit Bashkëkohor, mund të na shpjegoni se ku dhe si do të realizohet ky objekt?

Hajrulla Çeku: Në fillim të vitit të ardhshëm do të ngritet një këshill profesional për konceptimin dhe themelimin e institucionit. Bashkë me Komunën e Prishtinës do ta identifikojmë hapësirën më të përshtatshme ku do të vendoset Muzeu i Artit Bashkëkohor. Bienalja nomade Manifesta do të jetë platforma profesionale e dialogut gjithëpërfshirës për themelimin e institucionit.

KultPlus: Kur jemi te objektet, mund të flasim për objektin e Kishës Ortodokse brenda kampusit, mund të jetë si alternativë për ndonjë projekt kulturor?

Hajrulla Çeku: Për strukturën në fjalë që gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës ekziston një proces i hapur gjyqësor. Pa përfunduar procesi gjyqësor nuk mund të ndërmarrim ndonjë veprim.

KultPlus: Kur jemi te themelimi i institucioneve, objekteve dhe iniciativave të ndryshme kulturore, Kosovës edhe më tej i mungon festivali i këngës, e që do të duhej të funksiononte brenda RTK-së. E dimë që ende nuk jemi anëtarë të EBU-së, që Kosova të përfaqësohet në Eurovizion, por a nuk do të duhej që Kosova të krijonte një traditë me këtë festival edhe para se të fillonte përfaqësimin?

Hajrulla Çeku: Mendoj që është ide e mirë. Duhet të flasim me RTK-në.

KultPlus: Ndërkohë, kemi një përfaqësim super dinjitoz në nivel ndërkombëtar, kur kemi parasysh suksesin e Dua Lipës, Rita Orës, Erza Muqollit, “Gjon’s Tears” dhe shumë artistëve të tjerë, kur kemi gjithë këta artistë të famshëm, a do të duhej të mendonim më seriozisht për një projekt që mund ti bashkonte këta artistë?

Hajrulla Çeku: Edhe kjo mendoj që është ide shumë e mirë.

KultPlus: Dhe për fund, cili është plani kryesor i vitit 2022, qe është edhe prioritet i MKRS-së, por edhe i Qeverisë së Kosovës, sa i përket fushës së kulturës?

Hajrulla Çeku: Viti 2022 është i reformës në sferën e kulturës. Do ta ndërtojmë bazën e nevojshme për funksionim efikas të institucioneve publike të kulturës dhe partneritet strategjik e fuqizim të skenës së pavarur kulturore. Do t’i dinamizojmë procedurat për Sallën Koncertale, Muzeun e Artit Bashkëkohor, Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Teatrin e ri Kombëtar./ KultPlus.com

Doruntina Basha: Shpërthimi i fundit kinematografik në Kosovë po e trason rrugën për gjeneratat e reja

Arbër Selmani

Një prej filmave më të suksesshëm këtë vit, prodhuar në Kosovë, është ‘Vera andrron detin’. Filmi ende nuk ka ardhë në Kosovë, dhe fillimi i 2022 do ta sjellë edhe ‘përballjen’ mes këtij filmit dhe audiencës në vend.

Skenariste në film është Doruntina Basha. Basha, skenariste e dramaturge, punon në teatër tash e rreth dy dekada.

Prej biografisë së saj, dua të veçoj këtu pikërisht filmin ‘Vera andrron detin’ i cili u dha premierë në seksionin Orizzonti të Festivalit të 78-të Ndërkombëtar të të Filmit në Venecia, ku u shpërblye me çmimet “Edipo Re” dhe “Authors Under 40”. Filmi po ashtu fitoi Tokyo Grand Prix në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio në nëntor 2021, dhe çmimin specila të jurisë në programin “Meet the Neighbors” në Thessaloniki International Film Festival.

Meqë Doruntina na lejoi të hyjmë në botën e saj me anë të këtij bashkëbisedimi, ne provuam të marrim shumë nga bota e saj si artiste. Ajo na flet në këtë intervistë për këtë film, për karrierën e saj dhe për shpërthimin që ndodhi në këto vitet e fundit në kinematografinë e Kosovës.

E fillojmë këtë bashkëbisedim me filmin Vera andrron detin, ku ti je skenariste. Filmi u dha premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venedik, dhe u prit mirë edhe në disa festivale të tjera. Së shpejti vjen edhe në Kosovë. Në film flitet për Verën, për gratë në pronë, për padrejtësitë e një sistemi të prishur. A na tregon fillimisht më shumë për idenë, meqë gjithçka e këtij filmi ka lindur, ka nisur prej teje?

Po filloj prej shkëndijave fillestare të idesë. Filmi ‘Vera andrron detin’ ka ardhë si ide shumë kohë më parë, dhe krejt spontanisht.  Erdhi në kohën kur drama ime “Gishti” ishte në rrugëtimin e saj nëpër teatro të ndryshme. Dhe erdhi në dhomën time të ditës një pasdite krejt të zakonshme. Isha duke punuar në kompjuter, ndërkaq në TV shkonin lajmet me ton të ulur. Ktheva kokën rastësisht dhe pashë drejtkëndëshin e vogël poshtë ekranit, ku, zakonisht, një grua – ose burrë, por më shpesh një grua – interpretonte në gjuhën e shenjave. Ishtë një grua në moshë me mamin tim, një moshë që rrallëherë e sheh të ekspozuar në ndonjë funksion publik. Ma kapi syri dhe nisa ta vështroj intepretimin e saj me kureshtje. Pozita e saj në skaj të ekranit, e kufizuar në drejtkëndëshin e vogël, dhe veprimi i saj krejtësisht i koduar për mua, më ngacmoi shumë. Më bëri të mëndoj për një gjeneratë të tërë të pazëshme të grave, për një komunitet të tërë të kufizuar brenda vijave strikte që kontrollojnë veprimin, për punë e punë të shumta të grave që mbesin krejtësisht jorelevante për interesin e Publikut, për komunikimin, dhe vetë ekzistencën. Paralelisht me këtë, ndjeva një shtresim të ngjeshur tregimesh dhe nevojash për t’i ndarë ato, për t’i “dekoduar” nga heshtja sistematike, për të dalë nga korniza, nga fushëveprimi kufizues që Ia kemi imponu.

Jemi shoqëri konservative dhe si të tillë kemi prirje t’i shtypim e t’i fshehim gjërat, si në nivel personal, ashtu edhe në atë shoqëror, kemi prirje “me kodu” brenda normave të pranueshme konzervative atë që bie ndesh me bindjet tona. Në atë kohë po hulumtoja për projekte të ndryshme personale, dhe pothuajse në secilin takim me tregime grash, dilte në pah prona, qoftë nga shtypja për ta fundosë krejtësisht në fund të tregimeve, qoftë nga nevoja për të adresuar pabarazinë e madhe ekonomike që gratë përjetojnë. Dhe kështu u bë ky bashkëdyzim pothuajse natyrshëm, gruaja interprete e shenjave dhe trashëgimia e pronës, dhe kështu erdhi Vera, nga “Vera andrron detin.”

Fillova ta shkruaj skenarin, spontanisht, pa pasur ndonjë qëllim konkret, gjë që zakonisht nuk ndodh, sepse skenari shkruhet per film, per regjisor. Meqë fillova me e pa personazhin dhe me e shtjellu ngjarjen, shkruaja vet, shkruaja pandërprerë. Kur e përfundova një draft që konsideroja që ish I gatshëm të ndahet me dikë, fillova të mendoj me kë ta ndaj. Kaltrina Krasniqin, regjisoren e filmit, e njoh prej fëmijërisë, jemi shoqe, kemi qenë në shkollë të mesme në një klasë, në faza të ndryshme të jetës jemi taku. E njihja dhe e përcillja punën e saj gjithmonë por meqë ishim shkëputur disi paqëllimshëm për shkak të valëve të ndryshme të jetës, mendova që mund të takoheshim e t’i tregoja në çka po punoja. U takuam dhe qysh në takim të parë lindi bashkëpunim. Kaltrina u interesua ta lexonte draftin e parë. Ajo e lexoi shpejtë e më befasoi, sepse, pothuajse për të njëjtat arsye sikur unë, edhe ajo ishte ngacmuar nga skenari dhe tregim i Verës. Prej aty filloi rrugëtimi ynë I përbashkët e i gjatë. Normalisht rrugëtimet e filmave janë të gjata dhe plot me vështirësi, mirëpo në Kosovë, ato janë ekstra më të gjata e ekstra më të vështira.

Për ta përmbledhur këtë tregim në terme pak më teknike: puna në ‘Vera andrron detin’ ka nisur në vitin 2014, në vitin 2015 e kemi marrë subvencionin nga QKK dhe në vitin 2021 u dha premiera botërore në Venedik, në festivalin më të vjetër të filmit në botë. Ka qenë një rrugëtim si ato vrapet maratonik me pengesa, i gjatë, i lodhshëm, plot të papritura. Prandaj, për mua, suksesi i filmit është njëfarë drejtësie aq shumë e nevojshme për punën tonë, të gjithë ekipit që është involvuar në faza të ndryshme të projektit, por edhe për tregimin e Verës e shumë e shumë Verave të Kosovës.

Tani, mund të them që meqë jemi “çliruar” nga barra e premierës botërore – dhe, së shpejti do të kemi edhe premierën kosovare të filmit – kemi filluar me planifikimin e projektit të radhës.

Si dramaturge e skenariste, tekstet tua pothuajse gjithmonë thumbojnë realitetin, aspektin social. Ku ka dashur kësaj here të godasë Doruntina, me një temë shumë sensitive si kjo e filmit?

Ideja ka qenë që të krijoj një tregim që e demaskon tendencën tonë që përmes traditës të arsyetojmë pabarazinë sociale, ekonomike, varfërimin e diskriminimin që u bëhet grave.

Çka ndodhë në film, pa dashtë ta zbuloj saktësisht, është kjo: një shoqëri e shfrytëzon pothuajse sistematiksiht traditën si pretekst për t’i varfëruar gratë, duke ua marrë pronën në emër të “hises” që nuk i takon. Tradita gjithmonë vendoset e proklamohet si diçka e shenjtë, e pakontestueshme, diçka absolute që duhet të pranohet si e tillë, mirëpo nën të, të fshehura, janë qëllimet krejtësisht të tjera. Në esence, ky është thjesht një manipulim. Vendosja e tregimit të “Vera andrron detin” në kohën e sotshme, e thekson shumë karakterin manipulues të ndarjes tradicionale të hises.

Për një temë si kjo, dhe meqë e përmende më lart se hulumton vazhdimisht, jam i sigurtë që ke hulumtuar, ke bërë kërkimet tua aty ku ke menduar se mund të ushqehesh me prapavijë të nevojshme për filmin. A mund të flasim pak për këtë hulumtim, për këtë pjesë, si është forcuar dija jote gjatë kohës sa e shkruaje skenarin e filmit?

Në atë kohë kur po shkruaja, me këdo që takohesha, secili e secila e kishin një tregim personal të tyrin apo të familjes të tyre, të ndarjes së padrejtë të “hises” brenda familjes. Kjo e bëri edhe më të nevojshëm, edhe më urgjent, tregimin e Verës. Normalisht, u bëra shumë e vëmendshme dhe kapja tregime të tilla edhe në lajme, portale, pothuajse në secilin aktivitet të përditshëm. Duhet thënë që fenomeni i privimit të gruas nga e drejta në pronë nuk është vetëm fenomen ekskluziv i yni; është i përhapur posaçërisht në tërë rajonin, dhe manifestohet edhe në vende të tjera të botës, edhe pse jo me justifikimin që i bëhet te ne. Kështu fillova të gërmoj më thellë, të gjej e të lexoj hulumtime të kohës së pasluftës të cilat kanë dokumentuar këtë fenomen, lexova ligjet të cilat janë pasqyra më e mirë e ndeshjes në praktikë të ligjit dhe zbatimit. Ta përjashtosh një grua nga e drejta e saj në pronë vetëm për shkak faktit që është grua, është një akt brutal i planifikuar, i menduar mirë, dhe i motivuar vetëm nga nevoja për të dashur të mira materiale vetëm për veten.

Doruntina Basha, fotografuar nga Hana Agimi

Meqë tregove se e ke shkruar skenarin fillestar e vetme, a janë personazhet tua ato që janë në film? Ose më direkt, a janë shkrirë mirë fjalët tua në pamje vizuele dhe filmike të kuruara prej regjisores?

Bashkëpunimi me Kaltrinën ka qenë shumë i ngushtë, do thoja edhe jokonvencional, ndoshta edhe për shkak të raportit tonë, faktit që njiheshim prej shumë kohë më parë. Kemi qenë bashkë gjatë fazave kyçe të realizimit të projektit. Kemi diskutu shumë, pothuajse secilin aspekt, madje Edhe kastin, përzgjedhjen e aktorëve; Kaltrina i ka nda me mua draftet e shumta të montazhit, duke ma mundësuar kështu ta shoh tërë procesin e sjelljes së Verës në jetë. Për shkak të kësaj natyre të bashkëpunimit, për mua Vera që Kaltrina ka sjellë në film është po ajo Verë që ka “mbirë” spontanisht atë pasdite në dhomën time të ditës, si ide, si impuls, si nevojë. Këtu më duhet patjetër ta përmend e ta falënderoj Teuta Ajdini Jegenin, aktorën nga Teatri i Shkupit që ka luajtur Verën me tonet e sakta të personazhit, duke e përçuar me saktësi çdo aspekt të Verës.

Filmi u dha premierë në Venedik por ishte pjesë edhe e disa festivaleve të tjera. Më intereson me e ditë se si u prit filmi para një audience e cila mund edhe mos ta kuptonte temën dhe trajtimin e tillë, të një problematike të madhe në shoqërinë kosovare?

Filmi u prit shumë më mirë se që e imagjinova, dhe kjo nuk është një kritikë, absolutisht jo. Kur je pjesë e brendshme e një procesi aq të gjatë e të ndërlikuar, nuk mbërrin me e kuptu  e as me kriju idenë më të vogël se si do të pritet një projekt i tillë në momentin kur ndahet me publikun, se çfarë impakti mund të ketë.

Kam pasë kënaqësinë të jem prezente në premierën botërore të filmit në seksionin Orizzonti të Festivalit të 78-të Ndërkombëtar të Filmit në Venedik, po ashtu kam qenë prezente edhe në prezentimin e filmit në International Film Festival Mannheim-Heidelberg. Në të dyja rastet, mësimi më i madh prej përvojës së ndarjes së filmit me publikun është që filmi nuk është relevante veç në Kosovë, por edhe me audienca ndërkombëtare, dhe kjo nuk është diçka që nuk e kemi mendu fillimisht sepse për ne ka qenë me rëndësi që të konsolidojmë, të ndërtojmë e ta mbështesim në këmbë solide një tregim autentik Kosove. Por fakti që ky tregim prek, emocionon dhe është relevant edhe për audienca jashtë kontekstit tonë, është një prej sukseseve më të mëdha.

Pamje nga ‘Stiffler’ | Sovran Nrecaj

Kthehemi te ti. Doruntina për një kohë duket sikur u largua pak prej angazhimeve dhe skenës artistike për tu marrë me filmin. Na trego pak për të sotmen dhe angazhimet tua aktuale?

Pasi përfundoi filmi ‘Vera andrron detin’, u çlirova prej peshës së filmit dhe pata mundësinë t`i kthehem asaj që e bëj me qejfin më të madh: teatrit. Iu ktheva dhe punova disa tekste teatrore që më rrinin në mendje përgjatë krejt kohës sa e punoja Verën. Ndër to, e shkrova dramën ‘Stiffler’, që u dha premierë në Teatrin Oda në kryeqytet, në fillim të dhjetorit. Ka qenë ndjenjë shumë e mirë me u kthy në teatër, si me u kthy në shpi pas Një rruge të gjatë. Krjimi teatror është më I mbyllur, por kjo “mbyllje” ta jep një pavarësi krijuese, dhe një ndjenje e të qenit vetja që dallon shumë nga krijimi i një skenari për film që shpesh është me pragmatik e më I ftoftë si proces se sa një shkrimtar do të donte. Pos asaj, filmi është një industri në vete dhe ka një mentalitet krejt tjetër të operimit dhe funksionimit. Më kish’ marrë malli për teatrin, me kënaqësi u riktheva. I kam edhe disa tekste tjera dramaturgjike të cilat i kam shkruar nëpër vite dhe të cilave tani u ka Ardhur koha të ndahen. Paralelisht me këtë, po punojmë intenzivisht me Kaltrinën në projektin tonë të ri të filmit, projektin “Zbardhje” që e kemi në zhvillim.

A mundemi me e ditë pak se cila është kryefjala e nën-temave në skenarin e ri?

Jam ende në fazë të hershme për të arrirë të nxjerr me vetëbesim një fjalë të vetme, një kryefjalë, të projektit tonë të ri, sepse ideja ende po “piqet” dhe jam në një proces të kërkimit, por për të dhënë një ide se për cka do flitet në projektin tonë të radhës, mund ta përmbledh në diçka jo shumë konkrete, por në anën tjetër edhe mjaft zbuluese: pabarazia klasore mes grave. Pabarazitë shpesh kemi prirje t’i perceptojmë si produkt i ndeshjes së të kundërtave, poleve të ndryshme, mirëpo ato ndodhin në një spektër të tërë dhe është e pamundur të saktësohet origjina e tyre. Prandaj për këtë projekt dua ta hedh shikimin diku krejt tjetër, larg prej atyre terreneve të zakonshme.

Viteve të fundit është vërejtur një shpërthim në industrinë filmike në Kosovë. Gratë nuk janë vetëm regjisore, por ekipe të tëra në realizime filmash përbëhen prej grave, femrave. Cili është mendimi yt për këtë pjesë?

Ajo që po ndodhë në kinematografinë e Kosovës është një mrekulli, një fenomen të cilin nuk jemi duke mbërri me e pa vetë, ose nuk po duam ta shohim por, për ne, po e shohin të tjerët nga jashtë. Fatkeqësisht kjo po na ndodhë gjithmonë; gjithmonë na nevojitet një validim nga jashtë që të mund ta shohim e ta njohim edhe vetë suksesin tonë. Viti 2021 dhe 2020 kanë qenë të jashtëzakonshëm për skenën tonë të filmit, kanë shënu një kthesë radikale në këtë skenë. Të mirat e këtij shpërthimi të përnjëhershëm do t’i shohim vite e vite më vonë. Kjo është një dëshmi që ne kemi kapacitet, talent, dëshirë e vullnet të krijojmë e prodhojmë filma, paçka se kemi telashe plot. Kosova po shndërrohet në një referencë relevante të kohës për filmin, dhe po trasohet rruga për gjeneratat e reja, për djemtë dhe vajzat e reja që do të kenë dëshirë të bëjnë filma në të ardhmen.

Nuk është e rastësishme që ky shpërthim kinematografik po ndodh nga grate regjisore. Duhet pasë parasysh që në fillet e filmit në Kosovë, në kohën e Kosovafilmit, gratë nuk kanë bërë filma. Mungesën e traditës, mungesën e modeleve regjisore, mungesën e tregimeve të treguara në vetën e parë të grave, mungesën e personazheve serioze të grave në filma, gratë e sotshme regjisore, në vend se ta shohin si mangësi, si dobësi, kanë vendosur ta përqafojnë si liri dhe, kështu, krejt lirshëm, krejt të papenguara, të nisin një narrativë të re, një tregimtari të re, të shkathët, interesante, dinamike, dhe krejtësisht autentike, që po e dokumenton më së miri se çka domethënë të jesh grua apo vajzë e re, sot në Kosovë.

Momentalisht, çka po e ngacmon më shumë botën tënde, pa dashur të të pyes për planet tua artistike?

Në nivel personal, do t`i finalizoj disa projekte sa më shpejtë, në mënyrë që krejt energjinë ta kanalizoj në projektin e ri filmik. Po i kthehem disa projekteve teatrore të cilat kanë mbetur të papërfunduara shkaku i angazhimit me ‘Vera andrron detin’. Normalsiht, si nënë, si krijuese, do të përpiqem edhe sivjet ta gjej atë formulën që e balanson më së miri këtë dinamike gati të cmendur të të jetuarit sot në Kosovë.

Është interesant dhe poetik titulli i filmit – ‘Vera andrron detin’….

Historikisht e estetikisht, detit i janë mveshur simbolika të shumta. Ajo që e bën të veçantë detin në titullin e “Vera andrron detin” është fakti që deti është personazh në këtë tregim Kosovë, të këtij vendi pa det. Edhe titulli ka lindë spontanisht, njëjtë si ideja. Vera nuk merr pjesë e as “hise” në të mirat e jetës së saj, dhe për to, diku thellë në vete, ëndrron njëjtë sikur për detin, këtë botë të madhe, të panjohur, të mistershme, sa qetësuese, ngushëlluese, po aq edhe të frikshme. / KultPlus.com

Punoi shtatë vite në filmin ‘Vera Andrron Detin’, regjisorja Krasniqi: Historia e Verës, e ngjashme me atë të nënës sime

Flonja Haxhaj

Tashmë nuk është çudi që Kosova po prodhon filma që po korrin suksese të mëdha në festivale prestigjioze në botë pavarësisht pengesave që e përcjellin.

Një ndër filmat që bëri bujë qysh në fillim është edhe ‘Vera Andrron Detin’ me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar nga Doruntina Basha.

Ky film ka si personazh kryesor Verën, përditshmëria e qetë e e së cilës, çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

‘Vera Andrron Detin’ pati premierën botërore në Festivalin e Venecias, ku u bë filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që u paraqit në këtë festival, e ku rrëmbeu dy çmime.

E fillet e këtij filmi dhe rrugëtimin e deritanishëm, regjisorja Krasniqi i ka shpalosur në një intervistë për KultPlus.

KultPlus: Si erdhi deri tek ideja për krijimin e filmit ‘Vera andrron Detin’?

Kaltrina Krasniqi: “Vera Andrron Detin” është skenar i Doruntina Bashës. Ne vitin 2014, ajo më ofroi të lexoj një draft të hershem i cili më la shumë përshtypje. Personazhi kryesor, Vera, një grua në të 60-tat e hershme e barte rrëfimin. Qasje e pazakonztë, sespe grate e ketij brezi rrallë janë në role kryesore por edhe dytësore, jo vetëm në film por edhe letërsi, teatër e jetë.  Vëzhgimi i detajshëm dhe shume i shtresuar i një gruaje të kësaj gjenerate më ka bërë të vendos të punoj këtë film. Sepse permes saj, shihej një Kosovë tmerrësisht komplekse dhe e pashqyrtuar.

KultPlus: Filmi ‘Vera Andrron Detin” shfaq një grua që lufton një realitet të vrazhdë të pabarazisë gjinore të rrënjosura thellë në shoqëri edhe në ditët e sotme, e gjithë kjo histori a është e bazuar në një ngjarje të vërtetë apo është e gjitha e imagjinuar?

Kaltrina Krasniqi: Siç thashë edhe më herët, ky është një skenar origjinal i Doruntina Bashës. Sidoqoftë, të gjithë ne kemi edhe motivet tona personale të cilat na shtyjnë të hulumtojmë dhe krijojmë. Lufta e Verës për pronën e saj familjare është e ngjashme me atë te nënes sime, të shumicës së grave në shoqërinë tonë, por edhe grave globalisht. Në hulumtimet e mia gjatë kohës që punoja në film kam lexuar shumë raporte e libra të cilat trajtojne gratë dhe ekonominë dhe tregojne dinamikat e trashëgimisë ne nivel global. Gratë globalisht trashëgojne shumë me pak, është vetëm rreth 8% e pasurisë planetare që u takon atyre. Andaj jemi të varfëra, sepse vetëm varfërinë e trashëgojmë.

KultPlus: Cilat janë sfidat që keni hasur gjatë realizimit të këtij filmi?

KultPlus: Më janë dashur rreth shtatë vite ta përfundoj këtë film dhe sfida kryesore ka qenë financat por gjithashtu edhe pengesat që Kosova vazhdon t’i ketë në arenën ndërkombëtare, e sidomos atë evropiane, në vjeljen e fondeve. Ne ende nuk njihemi dhe nuk jemi antarë të shumë organizatave evropiane që mbështesin kineastët, kjo ka të bëjë kryesisht me statusin fragjil politik qe Kosova vazhdon ta ketë ndërkombëtarisht.

KultPlus: Sa ka qenë e vështirë gjetja e emrave që do të luajnë në filmin ‘Vera andrrron Detin”?

KultPlus: Gjenerata e re dhe e mesme e aktorëve në Kosovë është shumë diverse dhe vibrante. Andaj, gjetja e Alketa Sylaj (vajzës së Verës) nuk ka qenë e veshtirë por definitivisht një nga gjetjet e mia më të veçanta në këtë projekt. Në anën tjetër, gjetja e aktores për rolin kryesor, ka qenë shumë sfiduese, sepse ne viset shqipfolëse, gratë e brezit të Verës nuk janë stimuluar të merren me arte dhe sidomos jo me aktrim. Pas nje viti te gjate ne casting e njoftova Teuta Ajdini Jegenin dhe perveç se profili i saj profesional dhe personal rezononte me kryepersonazhen time, ajo gjithashtu kishte gatishmërinë të mesojë gjuhën e shenjave, gjuhë kjo amëtare e Verës. Teuta ka bërë një punë të jashtëzakonshme me të cilën krenohem çdo ditë.

KultPlus: ‘Vera Andrron Detin’ është filmi i parë nga Kosova i metrazhit të gjatë që mori pjesë në Festivalin e Venedikutit dhe duke marrë dy çmime në këtë festival prestigjioz, si e përshkruani gjithë këtë ekperiencë?

Kaltrina Krasniqi: Po, “Vera Andrron Detin” është filmi i parë i metrazhit të gjatë që ka garuar në festivalin e Venedikut. Dy çmimet e kritikëve ‘Edipo Re’ dhe “Authors under 40” me kanë nderuar tej mase. Prej premierës në shtator kanë kaluar vetëm tre muaj dhe filmi në ndërkohë ka qenë në rreth dymbëdhjetë festivale duke pranuar edhe dy cmime tjera, ‘Grand Prix’ në Tokyo International Film Festival dhe ‘Silver Alexander’ në Festivalin e Selanikut.

KultPlus: Çfarë feedback-u morët nga publiku atje?

Kaltrina Krasniqi: Pavarësisht se Vera vjen nga një kontekst specifik politik e kulturor, sfidat e saj janë universale, andaj gratë dhe grupet e tjera të margjinalizuara, nuk kanë vështirësi të identifikohen me këtë rrëfim. Gjatë muajit tetor dhe nëntor kam udhëtuar intensivisht me filmin dhe kam takuar audienca gjithandej, të cilat kanë treguar mbështetje dhe simpati pa rezervë për personazhen dhe filmin.

KultPlus: Në filmin ‘Vera andrron Detin’ keni bashkëpunuar më aktorë të njohur kosovarë, si e përshkruani punën me aktorin Astrit Kabashi?

Kaltrina Krasniqi: Astritin e njoh për rreth dy dekada dhe puna me të gjithnjë është shumë e këndshme. Astriti është aktor kërkues, gjithnjë ka pyetje inteligjente dhe zgjedhje të mira për personazhet e tij. Pastaj, ai u frikësohet përsëritjeve dhe si rezultat në gjitsecilin projekt që e kam parë në vitet e fundit ai shihet qartë duke e rizbuluar veten dhe fuqinë e tij prej performuesi.

KultPlus: Kosova po shënon suksese të mëdha me film sidomos në këto vitet e fundit, si e cilësoni ju këtë sukses të kinematografisë kosovare?

Kaltrina Krasniqi: Kosovës sa herë i është dhënë mundësia, në çfarëdo fushe, ka shkelqyer. Andaj nuk jam e befasuar, përkundrazi, pres edhe më shumë.

KultPlus: E dimë që tani po e shijoni rrugëtimin e filmit ‘Vera Andrron Detin’, por a jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri?

Kaltrina Krasniqi: Doruntina Basha dhe unë jemi në zhvillim të skenarit për filmin e dytë “Zbardhje”. Në nëntor të këtij viti projekti ynë është shpërblyer si më i miri në Arras Film Festival/ Arras Days.

KultPlus: Si e vlerësoni ligjin e ri për kinematografinë e Kosovës e i cili është në shqyrtim?

Kaltrina Krasniqi: Kosova ka nevojë për një ligj të ri për kinematografi, një ligj i cili i përgjigjet sfidave me të cilat ballafaqohen kineastët në bërjen e punës së tyre të përditshme. Draft ligji aktual ka një qasje mjaft progresive, natyrisht i ka problemet e veta të cilat duhet te zgjidhen me dialogje dhe punë konstruktive ndërmjet MKRS-së dhe komunitetit. Ky është një sektor që po zhvillohet, pavarësisht prej mbështetjes apo sabotimeve. Andaj, shpresoj se këtë herë institucionet do të na qëndrojnë pranë për të na ndihmuar të krijojmë nje ambient komod të zhvillimit.

KultPlus: Kur pritet që filmi të shfaqet edhe në Kosovë dhe si i vlerësoni kinematë që janë aktualisht duke vepruar këtu?

Kaltrina Krasniqi: Filmi do të shfaqet në fund të janarit ose shkurt të vitit 2022, varësisht nga zhvillimet me covid-19. Sa i përket kinemave, kemi nevojë për një shtrirje më të gjerë të tyre dhe sidomos rikthimin e godinave që kanë shërbyer si kinema para luftes./KultPlus.com

Kaltrina Krasniqi (Photo by John Phillips/Getty Images)

Dikur viktimë e luftës, sot nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Bogujevci: Kur u kandidova për deputete, vendosa vathët e mamit

Është e ulur në ulësen e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, ka vetëm 36 vjet, me 7 vjet e ka përjetuar ndjenjën e të qenit nga vendet e treta, duke u strehuar si azilante në Suedi, me 13 vjet, trupin e saj e shpuan 16 plumba, me sy pa vdekjen familjarëve, po me 13 vjet e përjetoi statusin e refugjates në Angli, ka gjashtë operacione, krahun e majtë nuk e ka plotësisht funksional, deri sa mbërthen kopsat e një këmishe apo të një fustani i merr më shumë kohë se sa grave të tjera, i rekomandohet edhe një operacion i radhës, dhe përderisa udhëheqë seancat e Kuvendit të Kosovës, fshehtas merr një jastëk me vete, që të pushojë dorën, sepse nëse nuk e praktikon një metodë të tillë, trupi i saj nuk e përballon një lodhje nga dhimbja që ia shkakton krahu, dhimbje që ia kujton luftën, serbet, vdekjet e më të dashurve dhe sfidat që ia sollën po ata serb, që i gjuajtën me mitralozë në shtëpinë ku ishte rritur Saranda Bogujevci, shtëpi që e kishte si një idil të fëmijërisë, e që tenton ta ruaj me atë dashuri, sikurse para luftës.

Ardianë Pajaziti

Përderisa më pret në takim, sytë e saj janë plot buzëqeshje, qëndrimi i saj është plot forcë, dhe mënyra se si ulet tregon shumë për këtë grua, një mënyrë e uljes sikurse forcon kontaktin me tokën, me rrënjët, tokë në të cilin prehet nëna, dy vëllezërit e saj, gjyshja e familjarë të tjerë, por që nëpërmjet këtij kontakti, ajo sikur lëvizë edhe njëherë prej karriges, për të treguar se sa e gatshme është që të punojë për këtë vend.

Më lutë që ta kursejë me pyetjet, është kohë e fundvitit, dhe sipas saj nuk dëshiron që të ngarkohet edhe më shumë. I premtova që do të jem e kujdesshme, por më pas e kuptova se nuk më duheshin edhe aq shumë pyetjet. Saranda nuk po ndalej, sikur kishte pas nevojë që këtë rrëfim me shumë dhimbje, ta tregojë edhe një herë, edhe dhjetë herë, edhe 1000 herë, edhe… Është rrëfim që edhe nëse nuk e flet, e ka brenda saj, brenda takimeve me miq, brenda takimeve të punës, brenda ëndrrave.

Fëmijërinë e vlerëson si pjesën më të bukur të jetës së saj, periudhë që kur flet, i shkëlqejnë edhe sytë. Kur flet për atë periudhë, sikurse ngjallet shpirti fëmijëror brenda saj, dhe energjia e saj është dukshëm më e theksuar.

“Si fëmijë kam qenë shumë e lumtur. Jam rritë në bashkësi familjare, unë si fëmijë mbaj mend që ka jetuar me ne edhe stërgjyshi, gjyshi, gjyshja, babi, mami, unë me dy vëllezërit e mi, axha me gruan dhe fëmijët e tyre, dhe një axhë tjetër që ishte më i ri. Ishte një familje që na ofronin shumë dashuri, dhe na plotësonin kushtet me aq sa mundin për atë kohë”, tregon Saranda, e cila për të treguar se sa ishin të lidhur si familje, tregon edhe detajin se vetëm për të qenë me një klasë me vajzën e axhës, vajzën e dajës, djalin e hallës, ajo kishte hyrë në shkollë një vit më herët, dhe klasën e parë e kishte nisur me vetëm gjashtë vjet.

Por lumturia e shkollës për këta fëmijë, sikurse për shumë nxënës të asaj periudhe sikur po zbehej. Saranda bashkë me nxënësit e tjerë, qysh në klasën e parë patën fatin që hyrjen në objekt shkollor ta përjetojnë vetëm sa për tu njoftuar me njëri tjetrin, por më pas, ata u detyruan të vazhdojnë shkollimin në një kopsht të fëmijëve, që Saranda edhe sot e quan foshnjore, për shkak se serbet në atë kohë nxorën nga objektet shkollore të gjithë fëmijët shqiptarë.


Saranda Bogujevci dhe një pjesë e familjes Bogujevci, foto nga fëmijëria

Si fëmijë shkuam të jetonim në Suedi, ishim pa fat, nuk na dhanë leje qëndrimin

E vogël fare, menjëherë pas gjysmëvjetorit të parë, babai i saj i nxjerrë nga puna, në atë kohë inxhinier në Obiliq, kishte marrë vendim që bashkë me familjen të migronin në Suedi.

Saranda Bogujevci, si e vogël nuk e kishte të qartë se pse po i bënin ato lëvizje, veç mban mend se atje qëndruan një vit e gjysmë, dhe përgjatë kësaj kohe kishte shkuar edhe në shkollë.

“Nuk e kam kuptuar pse jemi në Suedi, nuk e kam kuptuar as pse u kthyem prapë në Kosovë. Isha e vogël dhe nuk i kuptoja këto lëvizje”, rrëfen Saranda për KultPlus, por se ajo dhe familja e saj janë trajtuar si një familje nga vendet e treta, e ka të freskët edhe sot.

“Shkonim në shkollë, por në fakt nuk ishte shkollë e rregullt. Na mësonin në kampin e azilantëve, dhe më kujtohet se si na patën dërguar njëherë në një shkollë të rregullt, na dërguan që të shohim se si funksionon një shkollë e rregullt”, kujton Saranda atë periudhë, ku krejt familja ishte e izoluar brenda një kampi të azilantëve, prindërit pa të drejtë pune, dhe pas një viti e gjysmë, kujton Saranda që i kthyen sërish në Kosovë, duke mos ia dhënë lejen e qëndrimit.

“Fatkeqësisht ishim të pa fat” fshan Saranda, e cila me këtë fshamë, sikur e thotë me zë, se gjithçka do të ishte ndryshe, nëse shteti suedez do ti lejonte qëndrimin.

Saranda më pas tregon se si janë kthyer sërish në Podujevë, se si ka vazhduar shkollën po në të njëjtën klasë, dhe për përpjekjet e familjes që ta bënin sa më të lehtë situatën e vështirë që po krijohej në Kosovë, përpjekje që e vlerëson edhe sot kjo grua, që përgjatë karrierës politike ka udhëheqë me Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, për një mandat ka qenë deputete, dhe tash ka pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës.

Dhe përderisa biseda shkonte e ofrohej në datën 28 mars të vitit 1989, datë që edhe ka ndryshuar gjithçka brenda kësaj familje, Saranda sikur e ndjen se po vjen një moment më i vështirë për të mbledhë forcat për këtë pjesë të rrëfimit. Përvjelë mëngët e këmishës, një këmishë ngjyrë hiri, e ku zbulohen shenjat e plagëve të luftës, që i ka mjaftë të dukshme në dorën e majtë.

Ishte vetëm 13 vjeçe, dhe në shtëpinë e Bogujevcëve nuk ishte vetëm familja e saj, por edhe familje të tjera që kishin ardhë për tu strehuar, me idenë se janë më të sigurte brenda qytetit.

Bombardimet kishin filluar më datën 24 mars, dhe pas asaj date edhe lëvizjet e policëve dhe ushtarëve serb ishin më të shpeshta dhe më agresive.

“Pas fillimit të bombardimeve, situata kishte fillu me ndryshu, ishte shumë më e tensionuar. Edhe pse, në ishim shumë të entuziazmuar që kishin filluar bombardimet”, kujton Saranda.

Përpos entuziazmit të fillimit të bombardimeve, Saranda e kujton edhe periudhën e vështirë të asaj kohe, ku kujdesi duhej të ishte shumë më i shtuar.

Kujton kohën se si kanë fjete me tesha, në tokë, ku nuk ka pas drita, ku nuk kanë guxuar të lëshonin ujin, dhe se kur ka pas rrymë, me një shpejtësi të madhe kanë përgatitë ushqim për krejt ata anëtarë, për të vazhduar drejt një të nesërme enigmë.

Ndalesa e një autoblinde para dyerve të shtëpisë së familjes Bogujevci, ku ishte strehuar edhe familja Duriqi, por edhe të tjerë, kishte vënë në alarm gratë dhe fëmijët, dhe nga shtëpia që ishte buzë rrugës, ishin tërheqë në shtëpinë që gjendej në fund të oborrit të kësaj familje. Saranda thotë se lëvizjet e serbeve i shihnin edhe në shtëpitë e fqinjëve, pasi që oborret nuk kishin mure, dhe se mund të shihnin se si policët nxirrnin familjet shqiptare nga shtëpitë e tyre.   


E plagosur me gjashtëmbëdhjetë plumba

Jam shtirë si e vdekur, po trupat që kam pas përpara, i kam pa krejt, bashkë me Gencin, djalin e axhës

“Ushtria hyri në shtëpi, na gjetën në shtëpinë e fundit. Ata nuk patën hy prej derës kryesore, po prej oborreve të kojshive. Po nëpër oborre na kanë nxjerrë në rrugë, dhe prej aty na kanë dërgu në drejtim të stacionit të policisë. Na kanë lëvizë ashtu si turmë, përderisa lëviznim, herë e kam pas afër mamin, e herë gjyshen, dhe ashtu duke na lëvizë prapë na kanë kthy në shtëpi, aty ka ndodhë”, tregon Saranda, e cila për një moment heshtë.

Me 16 plumba në trup, dhe me vetëm 13 vjet, Saranda Bogujevci pa gjithçka nga afër. Gjyshen dhe njërin nga vëllezërit e kishte parë se janë të vrarë, e mamin dhe vëllain tjetër i kishte pas prapa, dhe nuk e kishte kuptuar menjëherë se çfarë kishte ndodhë me ta. Bashkë me djalin e axhës, Gencin, që në atë kohë ishte vetëm gjashtë vjeç, kishin parë gjithçka.

“Jam shtirë si e vdekur, po trupat që kam pas përpara, i kam pa krejt, bashkë me Gencin, djalin e axhës. E kemi pa gjyshen, e kam pa vëllain e vogël, vajzën e axhës, renë e hallës së babit, djalin e madh të Enver Duriqit,  kurse mami dhe vëllai i madh kanë qenë prapa meje, për ata nuk e kam ditë nëse kanë vdekë, apo kanë shpëtu. Pasi ka përfundu lufta e kam mësu që edhe mami edhe vëllai i madh nuk kanë shpëtu” tregon Saranda Bogujevci, e cila përderisa kujton këto pamje, shtrëngon duart me njëra tjetrën dhe vazhdon rrëfimin se tek në korrik të vitit 1999, kanë arrite me e gjete varrin se ku ishte varrosur nëna dhe vëllai i madh. Në mbrëmjen e 28 marsit, në shtëpinë e familjes Bogujevci u vranë 16 persona, prej foshnjave e deri në 70 vjeç, po vuajtja fizike dhe shpirtërore për të mbijetuarit veç sa kishte filluar.

Vetëm vajza e axhës Liria ishte dërguar për shërim në Beograd, kurse të tjerët në Prishtinë. Përgjatë krejt periudhës së bombardimeve, fëmijët e mbijetuar të familjes Bogujevci: Saranda, Fatosi, Jehona dhe Genci po trajtoheshin në spitalin me personel serb, me ndonjë infermiere të paktë shqiptare, e me ndonjë rom, ku këta të fundit shërbenin në sanitari.

Përderisa e kujton qëndrimin në spital të Prishtinës, Saranda rrëfen për një porosi të një infermiereje shqiptare, që më vonë e ka kuptuar mesazhin e saj. Ajo i kishte thënë që mos të fliste asgjë, sepse të gjithë e kuptojnë gjuhën shqipe.

“Ishim të rrezikuar, sepse si personel, para medieve na paraqitnin si fëmijë që kemi pësuar nga bombardimet e NATO-s, është edhe një video ndërkombëtare se si na raportojnë se jemi fëmijë të lënduar nga bombardimet e NATO-s. Por duke refuzuar që të deklarojmë ashtu, por në anën tjetër ishim shumë në rrezik, ne zgjodhëm të thoshim se, ‘kemi dëgjuar një zhurmë, dhe më nuk mbajmë në mend asgjë’”, tregon Saranda.

Fëmijët e mbijetuar të familjes Bogujevci, të gjithë me plagë të rënda, deri në përfundim të luftës kanë qëndruar në spitalin e Prishtinës, në shumicën e kohës me kujdes jo adekuat, e ku sipas Sarandës, ka pas një numër të vogël të personelit që kanë pas kujdes profesional.

Dhe pas përfundimit të luftës, këta fëmijë, jo të kuruar dhe me shumë probleme fizike, kthehen në shtëpinë e tyre në Podujevë, pikërisht në shtëpinë ku ndodhi edhe tmerri i 28 marsit. Saranda kujton se para se të shkojnë në shtëpi, familjarët e tyre nga rrethi i gjerë, kanë shkuar dhe e kanë ambientuar shtëpinë, sikurse që janë kujdes për këta fëmijë, për ti ushqyer e larë.

“Në familjen tonë, shkuan gratë dhe fëmijët, ne që mbijetuam mbetëm me baballarët, dhe në gjendjen që ishim, me shumë plagë, na duhej kujdes intensiv, por që nuk na mungoi, sepse na ndihmoi familja”, thotë Saranda, e cila kujton se si pasojë e plumbave të shumtë, me vite të tëra nuk ka qenë e aftë që të pastrohet, e edhe kur ka filluar, pastrimin mund ta bënte vetëm me një dorë.

“Më është dashtë shumë kohë se si të mësohem që të pastrohem me një dorë, si të mësohem të funksionoj me një dorë. Por me kohë e kam kriju pavarësinë, dhe shumë punë jam mësuar ti kryej vetëm me dorën e djathtë”, vazhdon rrëfimin Saranda, e cila është falënderuese për shtetin anglez, shtet që e strehoi në shtator të vitit 1999.  

Nuk mund të mbërthej kopsat dhe nuk mund të pastrohem me dorën e majtë

“Në shtator të vitit 1999 kemi shku në Angli, unë me babin dhe axha me fëmijët. Mua dhe Jehonën, vajzën e axhës, na kanë dërgu drejt në spital, dy muaj nuk kemi dalë hiq nga spitali, sepse gjendja jonë nuk ishte e mirë. Deri më tani i kam gjashtë operacione në pjesën e dorës, ku operacioni i parë ka zgjatë për 13 orë”, vazhdon rrëfimin Saranda, e cila kujton se edhe pse kanë dalë prej spitalit, jeta e tyre ishte bërë imune me personel mjekësor. Kishin filluar shkollimin, po orari i tyre i shkollës ishte i përshtatur edhe me disa orë fizioterapi, e kthim të herëpashershëm të intervenimeve. 

“Deri në vitin 2003 ka vazhduar kjo rutinë e intervenimeve, pastaj edhe në vitin 2008 e kam pas një operim, kemi takime me mjekët në baza vjetore, dhe së fundi më është propozuar edhe një operim tjetër, por jam duke e mendu, proces shumë i mundimshëm, dhe nuk di a ti nënshtrohem apo jo”, thotë Saranda, e cila nga të gjithë fëmijët e familjes Bogujevci, ajo e specifikon Lirinë, si më të lënduarën. E plagosur në fyt, për tetë muaj është dashur të ushqehej direkt prej stomakut, por që sipas Sarandës, tashmë e ka kaluar. Kurse ato që vuajnë edhe më tej problemet shëndetësore, janë Saranda me Jehonën, dhe që të dyja nuk i kanë në funksion të plotë duart e majta.

“Ka plot gjëra që nuk mund ti bëj, po nuk e kam kufizuar vetën për këtë shkak, nuk hezitoj as të kërkoj ndihmë”, thotë Saranda, e cila kujton edhe për vonesat që i shkaktojnë kopsat e kamishave dhe fustaneve, por edhe udhëheqja e seancës, e që ka gjetë një metodë, ajo merr me vete një jastëk, që ta çlodhë dorën, përderisa seancat e Kuvendit të Kosovës janë të gjata.

Ekspozita e fëmijëve të familjes Bogujevci në Beograd, ishte i pranishëm edhe kryeministri i atëhershëm Ivica Daciq

Nuk jemi aty ku kemi pas mundësi me qenë, por unë luftoj për fuqizimin e këtij vendi

Dhe fëmijët e familjes Bogujevci, që panë vdekjen me sy, përpos që u përballën në gjykatë me vrasësit, edhe pse të vegjël në moshë, ata, mbi supet e tyre morën edhe një mision tjetër. Masakrën në shtëpinë e familjes Bogujevci vendosën ta prezantojnë edhe nëpërmjet një ekspozite, ekspozitë që fillimisht ishte hapë në Prishtinë, e më pas është prezantuar në Tiranë dhe në Beograd.

Saranda thotë se kjo ide ishte e krejt familjes, po ka rastisë që vetë Saranda të prezantohet në emër të familjes.

Në vitin 2011, fëmijët e familjes Bogujevci këtë ekspozitë e kanë prezantuar në Prishtinë, në vitin 2012 në Tiranë, në vitin 2013 në Beograd, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i atëhershëm Ivica Daciq. “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, është ekspozitë që i ka katër pjesë: dhomën e ndejës, trungun familjar, spitalin dhe gjykimin.

“Është një tregim për ne, se si kemi jetu si familje, çka ka ndodhë gjatë luftës, përjetimet që i kemi pas në spital, dhe pjesëmarrja jonë nëpër disa gjykime”, thotë Saranda Bogujevci, e cila këtë ekspozitë e ka bërë sa ishte duke jetuar në Angli, dhe kjo ekspozitë kishte bërë që vizitat ti bënte më të shpeshta dhe më të gjata në Kosovë.

“Për shkak të ekspozitës, më shpesh vija në Kosovë, edhe pse, edhe para ekspozitës, bashkë me familjen kemi ardhë çdo verë. Por pas këtyre qëndrimeve më të gjata, pata fillu me mendu, se nëse është e mundshme me u rikthy në Kosovë. Megjithatë u ktheva pa plan, në fund të vitit 2013, i kisha disa projekte që edhe ishin arsye pse isha në Kosovë. Lëviza Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet lokale në Prishtinë, dhe në atë kohë, Blerta Zeqiri u pat emru drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, më pyeti nëse mund ta ndihmoj, dhe pranova me idenë se do të rri prej katër deri në gjashtë muaj, e në fakt, në maj të këtij viti që po hyjmë, më bëhen tetë vjet”, tregon Saranda Bogujevci, e cila prej atëherë është aktive në shoqërinë kosovare, por edhe me një mision më të veçantë, që ta bëj Kosovën ashtu si do të dëshironin të rënët e familjes së saj, por edhe të gjithë të rënët e Kosovës.

“Nuk jemi aty ku kemi pas mundësi me qenë, por unë luftoj për fuqizimin e këtij vendi, për një shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë, drejtësi, sepse, ne si popull më së miri e dimë se si është të bëhet e padrejtë”, porositë Saranda.

Sot udhëheqëse e seancave të Kuvendit të Kosovës, e dje viktimë e luftës e me shumë vdekje brenda familjes, për të kujtuar më të dashurit e tyre, ajo shpesh vesh rrobet e mamit të saj, sidomos në raste më solemne.


Kandidate për deputetet në vitin 2017, me vathët e mamit dhe këmishën e saj

“Kam vathët dhe unazën e mamit, që i ka pas në trup po atë ditë kur e kanë vra. Vathët dhe këmishën e mamit, i kam edhe në fotografinë kur jam kandidu për herë të parë si deputete, në vitin 2017, edhe në seancën e fundit e pata një shall të mamit. I përdori gjësendet e mamit, sepse më ka inkuraju shumë. Për të, shkollimi ka qenë me shumë prioritet, sepse e ka ditë se çfarë do me thënë vajzë në shoqërinë tonë, dhe jo rastësisht unë sot e kuptoj dhe mundohem me avoku për çështje të barazisë gjinore, për shkak se unë jam rritë me një familje, ku roli i vajzave dhe grave ka qenë shumë i rëndësishëm”, përfundon Saranda Bogujevci, e cila insiston që krejt kjo cka ka ndodhë me shqiptarët, asesi nuk duhet harruar, por insiston edhe në faktin tjetër se duhet të punohet shumë, për të ardhmen ë të rinjve të këtij vendi.


Gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës

Duke e bërë jetën e vetme në Prishtinë, përderisa pjesa tjetër e familjes vazhdon të jetoj në Angli, Saranda Bogujevci vazhdon punën e saj si nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, por e njëjta është edhe shumë aktive në shumë organizime kulturore në vend. Historinë e familjes së saj e mban vath në vesh, dhe përpos medieve vendore, përjetimin e saj shumë shpesh e dërgon edhe në mediet më prestigjioze. Saranda Bogujevci vazhdon të jetë zëri i vuajtjeve të popullit shqiptar, por më shumë zëri i të sotmes, ashtu sikurse janë edhe dy duart e saj, e majta me të shkuarën, dhe e djathta me të sotmen. / KultPlus.com

Kur suksesi ndahet përgjysmë me dhimbjen, Yllka Gashi: Humbja e babait më ka bërë t’i përjetoj sukseset me modesti

Intervistoi: Jeta Zymberi
Fotografia: Artan Korenica

Rreth dy dekada më parë bëri hapin fillestar drejt aktrimit. Ishte vetëm 17 vjeçare ku u bë pjesë e një audicioni që ishte një shkëndijë së artit shqiptar po i shtohej një artiste krejt e veçantë. Dhe nuk u desh shumë kohë që ajo të dëshmonte diçka të tillë, pasi shumë shpejt bëri debutimin e saj të parë televiziv në serialin “Familja Moderne”. Tutje jetësoi edhe disa role në film e teatër, por viti 2015 e gjeti me një vendim të ri. Ajo bashkë me familje u larguan drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku jeton edhe sot. As atje nuk qëndroi larg aktrimit, por shkëlqimin e saj të merituar e arriti pas gati një dekade ku me artin e saj shpërthej kufijtë.

Yllka Gashi e cila është e njohur për mbështjelljen e plotë të personazheve të saj, duke kapur nuancat, modelet e të folurit dhe personalitetet e tyre, është shumë e kujdesshme edhe në përzgjedhjen e roleve. Në rolet e saj në teatër, film e seriale, ajo është transformuar në njerëz kaq të ndryshëm duke fituar kështu dashurinë e publikut gjatë rrugës. Ndërsa një nga cilësitë më mbresëlënëse të aktores është aftësia e saj për të mbajtur vëmendjen tuaj pa sforcim, për t’u dukur sikur aktrimi në një film është gjëja më e natyrshme që një person mund të bëjë.

E thjeshtë e modeste që suksesi vetëm sa e ka bërë më falënderuese e më të përkushtuar, Yllka këtë vit ka pushtuar zemrat e publikut e kritikëve me nam botërorë me rolin e saj në filmin “Zgjoi”.

Tek “Zgjoi”, ajo banon plotësisht në një figurë të botës reale – këtë herë në atë të zonjës Fahrije Hoti. Bazuar në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, gruas luftarake që ngriti biznesin e ajvarit në Krushë të Madhe, për Yllkën, siç potencon ajo, ky rol ishte nder jetësorë.

Performanca e saj në këtë film tashmë i ka dhënë asaj çmime dhe ka marrë vlerësime të mira nga kritikët.  Madje gazeta amerikane ‘The Austin Chronicle’ shkroi se “performanca e Yllka Gashit është një nderim për një grua që ndryshoi jetën në heshtje, pa u bërë kurrë një shenjtore”.

Yllka bëri një kërkim të gjerë rreth jetës së zonjës Hoti përpara se të fillonin xhirimet. Ajo takoi personalisht atë e ëndërroi përreth një dekade jetësimin e këtij roli. Por, kur “Zgjoi” erdhi në jetë, ai erdhi për të bërë histori për kinematografinë kosovare. Në “Sundance Film Festival” u shpall fitues i trefishtë. Rrugës deri më sot ku filmi mori vëmendjen botërore si filmi i parë i gjatë nga Kosova që ka hyrë në listë të ngushtë për çmimin “Oscar”, ai ka marrë edhe dhjetëra çmime të tjera, duke u bërë pothuajse çdo muaj lajm në mediat botërore.

Por gjithë këtë sukses Yllka nuk e gëzoi me shumë entuziazëm. Ishte dhimbja për humbjen e babait që asaj i krijoi një zbrastësi të madhe dhe sikur balancoi emocionet. Por ajo është e lumtur që të paktën babai arriti të shoh suksesin e filmit në Sundance çka e bëri edhe shumë krenarë.

Për rrugëtimin e saj, gjithë këtë sukses të filmit “Zgjoi” ku ajo bart në supe rolin kryesorë, për ndjesinë, sfidat, triumfet e gjithçka tjetër, ajo përgjigjet plot përkushtim e sinqeritet në një intervistë për KultPlus.

Fotografia: Fadil Berisha

KultPlus: Një prej aktoreve më të dashura për publikun shqiptar, sot ka marrë dashurinë e botës, si ndihet Yllka pas gjithë këtij suksesi me filmin “Zgjoi”?

Yllka: Faleminderit për fjalët e bukura e për vlerësimin së pari! Ndjehem e lumtur dhe shumë e nderuar!   

KultPlus: Ka kohë që nuk ishit pjesë e skenës kosovare, pasi që prej vitesh jetoni në Amerikë. Por duket se u kthyet në kohën e duhur dhe me projektin e duhur. Si e pritet ftesën e regjisores Blerta Basholli për të qenë pjesë e filmit “Zgjoi”?

Yllka: Ideja për ta bërë “Zgjoi-n” daton që nga viti 2011. Atë kohë ishim duke punuar bashkë me Blertën në një projekt tjetër, derisa ajo bëhej gati për filmin e diplomës në NYU. Kur e pat ndarë me mua idenë për ta takuar znj. Fahrije e nëse ajo pajtohet, atëherë edhe për të bërë një film për të dhe unë ta luaj atë, përgjigjja ime e menjëhershme ka qenë PO! Shumë gjëra kanë ndodhur ndërmjet vitesh prej 2011 deri në 2019 kur e kemi xhiruar filmin, mirëpo ne të dyja- i kemi qëndruar besnike njëra tjetrës dhe idesë fillestare duke e ushqyer ëndrrën e njëjtë që së bashku ta bëjmë këtë film.

KultPlus: Nga momenti që të është propozuar roli e deri te takimi me zonjën Fahrije Hotin, çka të sillej nëpër mendje?

Yllka: Të dyja kanë ndodhur në të njëjtën kohë pothuaj. Së pari ka qenë ideja ta takojmë zonjën Fahrije e të flasim me të, pastaj brenda asaj jave e kemi kontaktuar  dhe kemi shkuar në Krushë. Kam qenë shumë kureshtare ta takoj personalisht znj. Fahrije sepse duke e ditur tragjedinë që e kane kaluar gratë e Krushës dhe duke qenë konsumatore e produkteve të tyre disa vite radhazi, gjithmonë kam pasur respekt, simpati, e dhembshuri për to. E pas takimit me to, ato më kanë inspiruar tej mase.

KultPlus: Po pas takimit, sa besoje që do ta portretizoje këtë grua në mënyrën e duhur dhe në fund pasi përfunduan xhirimet, cili ishte komenti që ia bëre vetes?

Yllka: Në takimin e parë, ne jemi mahnitur me znj. Fahrije. Me karakterin e saj, me dinjitetin e stoicizmin që e karakterizon, por edhe me ngrohtësinë e mikpritjen e saj. Ka qenë takim i gjatë dhe mbaj mend që u patëm emocionuar shumë nga rrëfimi i saj dhe sakrificat e sprovat nëpër të cilat ajo e gratë e Krushës kanë kaluar. Që nga atëherë, për mua u bë ëndërr ta luaj këtë grua të jashtëzakonshme në film e mision të nderoj figurën e saj. E kam ëndërruar e pritur këtë rol për gati 10 vite, kam menduar për të, për jetën e saj, për sfidat me të cilat është përballur dhe mënyrën se si i ka kaluar ato, prandaj kur filluan xhirimet nuk ka pasur as pengesë e as vështirësi që më është dukur e pakalueshme ose e pamundur. Ajo energji më ka përcjellë gjatë gjithë xhirimeve dhe është reflektuar në punë, por edhe ka ndikuar te pjesa tjetër e ekipit si shtysë e motiv. Përgjegjësia për ta bartur në supe personazhin e dramën e jetës së znj. Fahrije padyshim që ka qenë e madhe, mirëpo e kam pasur besimin e plotë në vendimet e Blertës dhe bashkërisht jemi munduar që ta bëjmë më të mirën. Pas xhirimeve, ishte ndjenjë e plotësimit, se një mision u krye me sukses edhe pse e dija që Blertën e producentët i pret një fazë e re e punës në postproduksion të filmit.

KultPlus: “Zgjoi” është filmi i parë kosovar që ka arritur një sukses të tillë, por njëkohësisht përmes këtij filmi ju shpalosët para botës talentin dhe shpirtin tuaj artistik, a e keni menduar që një ditë do ta përjetoni gjithë këtë sukses?

Yllka: Po e them me modesti por me bindje të plotë po. Sepse thellësisht besoj që secilit artist që punon me përkushtim i vjen koha e vet, i vjen koha e shkëlqimit dhe mundësia ta marr vëmendjen e duhur. Ky sukses nuk ka ndodhur brenda natës, është punuar e investuar në të për një kohë shumë të gjatë. Dhe gjithsesi është edhe fat i madh! Edhe më parë sa kam jetuar e punuar në Prishtinë, jam angazhuar në projekte – seriale televizive, filma apo shfaqje teatrale- që kanë pasur sukses, shikueshmëri e disa prej tyre edhe janë shpërblyer ndërkombëtarisht. Natyrisht, “Zgjoi” ka bërë histori dhe nuk krahasohet, mirëpo sukseset, çmimet e popullariteti nuk janë ndonjë risi për mua dhe nuk më kanë ndikuar ndonjëherë në ndryshim të karakterit apo etikes së punës. Sukseset janë stimulues e motivues i mirë, por nuk janë gjithçka e as nuk të përkufizojnë si njeri, si artist ndoshta po, por jo edhe si njeri! Për “Zgjoin” nga fillimi e kam pasur një parandjenjë të fortë që do të jetë film i mirë sepse rrëfimi është i tillë dhe Blerta ka punuar me pasion e këmbëngulësi të jashtëzakonshme disa vite me radhë, pastaj producentët Ylli, Valoni e Agoni janë angazhuar me përkushtim në çdo aspekt të organizmit e të parapërgatitjeve për xhirim e për postproduksion. Kameramanin Alex Bloom e kemi pasur shumë të mirë, montazherin Enis Saraçin gjithashtu, ekipin e aktorëve të jashtëzakonshëm, ekipi i filmit kanë punuar me shumë vullnet e pa përtesë, xhirimet na kanë shkuar mbarë e me lehtësi, pra të gjithë kanë investuar që puna të kryhet mirë. Kështu që e kam ditur se nga gjithë ajo punë e ai përkushtim, rezultati do të jetë i mirë patjetër. Jam e gëzuar që kam pasur fat e mundësi të jap kontribut në këtë film e ta gëzojmë bashkërisht këtë sukses!

KultPlus: Filmi po vazhdon të shfaqet nëpër kinema, si në Kosovë, Evropë e Amerikë, madje në Kosovë ka thyer rekord shikueshmërie, jeni mësuar tashmë me këtë sukses apo ende po ju përcjellin emocione të forta?

Yllka: Secili prezantim që e kemi bërë ka ardhur  me emocione të veçanta sepse jemi takuar me njerëz të ri të cilët e shihnin filmin për herë të parë dhe emocionet e përshtypjet e tyre ishin të sinqerta. Është ndjenjë shumë e veçantë kur i dëgjon komentet  pas shfaqjes së filmit ose e sheh publikun të përlotur duke dalur nga salla dhe e kupton që kanë bashkëndjerë me personazhin e filmin.

KultPlus: Me rolin tuaj në filmin “Zgjoi” ju keni fituar tri çmime si aktorja më e mirë në tre festivale të mëdha botërore, sa janë të rëndësishme çmimet për ju?

Yllka: Çmimet janë të mirëseardhura padyshim, posaçërisht kur vijnë nga festivale prestigjioze e me traditë sepse aty konkurrenca është e madhe dhe nuk ka kompromis. Është nder kur të çmohet puna e sakrifica që e ke bërë për një projekt të caktuar. Disi të duket që po vuloset merita jote dhe që ja ka vlejtur barra qiranë për krejt mundin e bërë, mirëpo çmimet nuk janë gjithçka dhe nuk janë gjithmonë synim. Për mua është shumë me rëndësi që puna të bëhet mirë dhe pos punës, edhe procesi të shkojë mbarë sepse mund të bësh një rol të mirë e të kesh fat të marrësh çmime, mirëpo nëse nuk ke kaluar mirë gjatë kohës sa e ke punuar atë rol dhe nuk ke krijuar miqësi e raporte të shëndosha të punës, të cilat do të sjellin punë e bashkëpunime të reja apo nuk kë mësuar diçka nga ajo përvojë, disi edhe shpërblimet që mund të vinë janë më të zbehta. Mirëpo, kur puna bëhet mirë e procesi shkon mbarë dhe pastaj ajo shpërblehet edhe me çmime, kënaqësia është e plotë e më domethënëse!

KultPlus: Ambasadorët më të mirë shteti i Kosovës i ka artistët, së fundmi këtë e dëshmuat edhe ju pasi përdorët zërin tuaj për të kërkuar nga Spanja njohjen e Kosovës shtet, si u prit kërkesa juaj, kishte reagime?

Yllka: Thënë të drejtën, unë nuk e kam menduar aspak çfarë pasojash apo reagimesh mund të ketë ajo kërkesë dhe nuk e kam bërë si deklaratë pompoze politike. Artistët ndoshta edhe duhet të qëndrojnë larg politikës, mirëpo artistët poashtu janë ata që kanë zë e ndikim e platforma më të fuqishme se sa diplomatët e politikanët. Për mua ajo kërkesë ka qenë organike dhe e sinqertë dhe më është dukur moment i përshtatshëm që ta shpreh një dëshirë e ëndërr të përbashkët tonën. Të gjitha gazetat në Spanjë por edhe këto vendoret pastaj e bënë lajm atë deklaratë. Për mua ai moment ka qenë i veçantë në karrierën time padyshim, mirëpo nga zemra e shumë sinqerisht  kam dashur që atë çast gëzimi personal t’ia kushtoj popullit e vendit tim!

KultPlus: Në premierën e filmit në Amerikë nuk mungoi as Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe Dua Lipa e cila edhe përkrahi filmin duke e shpërndarë para mijëra ndjekësve të saj në rrjete sociale, si e vlerësuat këtë veprim të Duas?

Yllka: Oh Dua!!! Dua është dashuri e madhe si emri që ka! Mua më pëlqen shumë muzika e saj dhe jam fanse e Dua-s nga dita e parë. Ajo është shumë inspiruese! Dua Lipa është shembull i shkëlqyeshëm se si është një yll i vërtetë, që para së gjithash mbetet njeri modest e me këmbë në tokë. E lindur e e rritur në Londër, me karrierë shumë të suksesshme, sensacion ndërkombëtar që i ka arritur majat e suksesit me punë e talent, Dua para së gjithash mbetet  një vajzë e dashur, e bukur brenda e jashtë, e ëmbël, e afërt e modeste dhe shumë e lidhur me familjen e saj. Jemi me fat që ajo është e jona dhe me krenari këtë fakt e tregon para miliona fansave të saj në botë. Ajo na ka nderuar pa masë bashkë me prindërit e saj dhe jemi shumë mirënjohës e falënderues për përkrahjen e tyre! Gjithashtu presidentja e Kosovës – Vjosa Osmani na ka nderuar me përkrahjen e saj që nga suksesi në Sundance për çfarë e falënderojmë e jemi mirënjohës!

KultPlus: Fotografia ku shiheni bashkë, ju, presidentja Vjosa Osmani, këngëtarja Dua Lipa dhe regjisorja Blerta Basholli, është përcjellë me reagime të shumta nga publiku të cilët janë shprehur shumë krenarë për sukseset e vajzave shqiptare, po ju si e shihni rrugëtimin e tyre duke përfshirë edhe vetën këtu, jeni krenare? 

Yllka: Krenare dhe shumë e lumtur, por edhe tejet mirënjohëse për dashurinë e respektin dhe për përkrahjen e jashtëzakonshme që na e kanë dhënë publiku! Kur gratë bëhen bashkë duke e përkrahur njëra tjetrën, bota bëhet vend më i mirë e jeta më e bukur!

KultPlus: Me filmin “Zgjoi” ju jeni shprehur që keni realizuar ëndrrën e fëmijërisë, cila është ëndrra e radhës që prisni ta realizoni?

Yllka: Ah, ka shumë!

KultPlus: Cila ka qenë kritika më e mirë dhe ajo më pak e mirë që keni marrë për rolin tuaj në filmin “Zgjoi”?

Yllka: Ajo që po më kujtohet tash sepse ka ndodhur rishtazi është komenti shumë dashamirës i Kongresmenit Elliot Engel i cili ishte i pranishëm në New York në premierën e filmit në Film Forum dhe kur e mori fjalën të na uroj për punën tonë, në fund tha “You deserve the Academy Award for your acting!”.

KultPlus: ‘Zgjoi’ është filmi që Kosova ka përzgjedhur për Oscars, tashmë të gjithë bashkë me ju jemi në pritje të publikimit të nominimeve ‘Oscars’, e ku përfundimisht do të kuptohet nëse ky film do ta përfaqësojë Kosovën në akademinë e çmimeve më të njohur në gjithë botën. Por duke qenë pjesë e filmit, kuptohet qe emocionet më të forta i bartni ju. Çfarë prisni realisht nga kjo garë?

Yllka: Është fat i madh që kemi hyrë në listën e ngushtë dhe tash jemi në konkurrencë me 14 filma të tjerë, disa prej tyre shumë të suksesshëm e me regjisorë që tashmë janë të shpërblyer me Oscar në karrierën e tyre. Është luftë e ashpër dhe shumë e vështirë. Është edhe punë fati se ka shumë anëtarë të Akademisë të cilët do të votojnë dhe shijet janë të ndryshme. Më afër nominimit Kosova nuk ka qenë kurrë, kjo është e sigurtë. Do të ishte nder i jashtëzakonshëm nëse nominohemi sepse për ne ky tashmë nuk është qëllim personal por ka kaluar në qëllim më të madh, posaçërisht duke e parë gëzimin e krenarinë, motivimin e shpresën që këto suksese po lënë tek njerëzit tanë. Mendoj që e meritojmë të paktën të nominohemi sepse filmi është shpërblyer dhjetëra herë deri tash në festivale të ndryshme nëpër botë e nga juri të ndryshme. Gjithashtu edhe kritikat kanë qenë pozitive si nga kritikët e filmit e njerëzit e industrisë, poashtu edhe nga publiku i thjeshtë por, prapë po e them ka shumë konkurrencë dhe lufta tash bëhet e pamëshirshme sepse vetëm pesë filma arrijnë të nominohen. Çka më gëzon e nderon është fakti që me e pa nominim në Oscars, “Zgjoi” ka bërë histori në Sundance si filmi i parë më i shpërblyer në kategorinë e filmave ndërkombëtar dhe për të kanë shkruar gazetat më prestigjioze në botë si New York Times, Vogue, Variety, Deadline, Indiewire, LA Times, Screendaily, Cineuropa, Austin Chronicles e shumë të tjera duke e përmendur Kosovën, luftën e fundit, masakrat në Krushë dhe suksesin e znj. Fahrije Hoti. E në dashtë Zoti e paçim fat, nominimi në Oscars do të ishte një tjetër sukses e nder i madh për të gjithë!

KultPlus: A keni pasur oferta për projekte të reja, nëse po a mund të zbuloni diçka?

Yllka: Po, ofertat nuk kanë munguar asnjëherë fatbardhësisht. Kam qenë unë ajo që është dashur t’u them jo disa projekteve për shkaqe të ndryshme, të largësisë, kohës së papërshtatshme të xhirimeve etj. Por tash ofertat janë shtuar edhe më shumë dhe kjo më gëzon pa dyshim. Jam në bisedime për dy projekte, por ende në fazë të hershme dhe nuk guxoj të bëjë asgjë publike.

KultPlus: Si ka ndikuar në jetën tuaj suksesi që po përjetoni kohëve të fundit?

Yllka: Më ka gëzuar padyshim, mua, familjen e të afërmit e mi. Ka hapur dyer të reja e mundësi të reja. Mirëpo, unë këtë vit kam humbur babain tim kështu që, edhe sukseset e gëzimet i kam përjetuar disi më me rezervë pas asaj. Gëzohem që ai e ka parë filmin e ka qenë shumë krenar për çmimet në Sundance dhe përkrahës e motivues i madh i imi gjatë tërë jetës… mirëpo humbja e tij, ka lënë zbrazëti në jetën time dhe në të njëjtën kohë më ka shërbyer edhe si barometër që t’i përjetoj gjërat me modesti e pa ndonjë ekzaltim të tepruar. Pos kësaj jeta ime është e thjeshtë dhe modeste. Suksesi nuk ma ka ndryshuar fokusin e as përkushtimin ndaj asaj që për mua është e shenjtë e kjo është familja ime. Unë ende merrem ekskluzivisht me vajzën time Ninen, me punët e obligimet e nënës e të gruas, pastroj, gatuaj e planifikoj çfarë do të bëjmë në vikend. Natyrisht krejt këto, duke pasur shumë takime e intervista online me angazhime extra për punë. Kam pasur edhe udhëtime të shpeshta që nga shtatori, të cilat kanë qenë të mirëseardhura si mini aventura, mirëpo në cep të mendjes gjithmonë e kam familjen time, posaçërisht Ninen sepse jemi të lidhura dhe e kam të vështirë të jem larg saj dhe nuk ka gjë në botë që më përmbushë më shumë se koha e kaluar me të!

KultPlus: Kujt ja dedikon Yllka gjithë këtë sukses?

Yllka: Shumë njerëz janë meritor për sukseset e mija dhe u jam mirënjohëse përgjithmonë për ndihmën, dashurinë, kontributin, këshillat e durimin. Familjes time -prindërve, motrave, vëllait, burrit tim Albianit e vajzës sime Nines- së pari e më së shumti sepse ata më kanë përkrahur e motivuar në çdo hap të jetës dhe jam mirënjohëse përjetësisht! Pastaj edhe atyre të cilët janë meritor në këtë sukses e me të cilët e kemi bërë krejt këtë punë – ekipit të filmit, në veçanti Blerta Bashollit e Yll Ukës! Por, pa e harruar gruan që na ka inspiruar e vazhdon të na inspirojë znj. Fahrije Hoti dhe gratë heroina të Krushës! Edhe publikut, publikut të mrekullueshëm që pa kushte na ka përkrahur, i ka mbushur sallat e kinemave kudo dhe është gëzuar bashkë me ne!

KultPlus: Krejt për fund, po flasim për mirënjohjen që e more së fundi nga qyteti i Stamfordit ne Connecticut, dhe ju deklaruat se para gjashtë viteve, nëpër ato rrugë, ju me vajzën tuaj keni bërë vetëm shëtitje, pa menduar se pas gjashtë viteve do të nderoheni nga ajo komunë, pasi jemi edhe në fund vit, këtë pjesë e ndërlidhim me dëshirat e të rinjve, Yllka, thjeshtë na trego, sa guxojmë të ëndërrojmë?

Yllka: Sa të kemi qejf e imagjinatë! Ëndrrat e shpresat janë ato që na e mbajnë shpirtin gjallë e të ri gjithmonë! Janë motivuesi më i mirë për punë! Ëndërroni çka t’ua do loçka e zemrës e punoni me vullnet që ato ëndrra të jetësohen e të bëhen realitet edhe mos u dorëzoni para sfidave sepse sa më shumë sfida që tejkaloni me dinjitet aq më i kënaqshëm e domethënës bëhet suksesi!

Distria Krasniqi: Jam e gëzuar që jam bërë kampione olimpike me Kosovën, por edhe me Shqipërinë do të ishte e njëjta krenari

Uranik Emini

Disa njerëz veçohen në shoqëri se janë të lindur për të qenë të suksesshëm dhe si të tillë, me gjithë atë presion mbi supe, rezultojnë të arrijnë majat e botës dhe rrjedhimisht të bëjnë krenar një popull të tërë, shkruan KultPlus.

Rast i tillë është edhe ai i Kampiones Olimpike, Distria Krasniqi, e cila ka punuar me sportin e xhudos që kur ishte një fëmijë i vogël.

Me këmbënguljen e madhe të vëllait të saj, Krasniqi filloi që të merrej me sportin e xhudos, duke mos menduar asnjëherë që një ditë do të bëhej më e mira e botës.

“Kur vëllai im ka këmbëngulë që unë me u marrë me këtë sport, më ka njoftuar se ka shumë vajza që kanë filluar xhudon, dhe realisht unë fillova duke e marrë fillimisht si lojë, me njohjen e shoqeve të reja, por me kalimin e kohës e kam pa se është një diçka më shumë se lojë dhe kam vazhduar me u marrë seriozisht me të”, thotë Krasniqi në një intervistë për KultPlus.

JudoInside - News - Distria Krasniqi full of confidence after Budapest gold

Puna e jashtëzakonshme ekipore dhe vullneti i madh i trajnerit Driton Kuka për të nxjerrë kampionë nga vendi më i ri në kontinentin e vjetër, rezultoi të ishte aq i suksesshëm edhe pse dukej e pamundur në fillim.

Takimi i parë me Tonin dhe njohja me të filloi shumë më herët përpara se Krasniqi të merrej me këtë sport.

“Toni ka qenë mik me babin tim edhe para se të filloja xhudon. Ai ka insistuar që vëllai të fillojë me xhudo dhe pastaj edhe unë, por njohja me të ka filluar përpara se të merrem me xhudo”, e shpjegon 26 vjeçarja.

Edhe pse e angazhuar me shkollën, kjo e fundit nuk e pengoi asnjëherë që të angazhohej në të gjitha aktivitetet e xhudos që ka zhvilluar ndër vite Krasniqi.

“Xhudo nuk është se ka pasur një ndikim shumë të madh në jetën time të shkollës, mirëpo gjatë shkollës së mesme në klasën e 12-të kam pasur udhëtime të shumta dhe profesorët dhe shkollat kanë pasur tolerancë ndaj meje edhe ndaj gjithë xhudistëve tjerë”, thotë tutje ajo.

Suksesi për të kishte ardhur më vonë, derisa Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kishin shënuar të parat suksese mbarëkombëtare për të ngritur në piedestalet më të larta të botës emrin e Kosovës.

“Unë jam ma e re se Nora dhe Majlinda, dhe natyrisht që këto kanë pasur rezultate përpara meje. Pas këtyre kam ardhë unë, dhe çdo herë kur këto dyja janë lënduar mund të them se e kam nxjerrë ekipin nga momenti. Gjithmonë e kam dëshmuar vetën kur më është dhënë mundësia, por padyshim që mbështetja e Tonit ka qenë e vazhdueshme dhe unë gëzohem që në fund ia kam vërtetu ato se çfarë ka deklaruar”, shprehet xhudistja.

Gjatë kalimit të viteve dhe përmirësimit të jashtëzakonshëm që kishte shënuar Kosova, trajneri, Driton Kuka shprehej i gatshëm që të dhuronte një kampione për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatet Evropiane dhe Lojërat Olimpike.

“Unë kam qenë shumë e re në moshën kur Toni ka deklaruar se është i gatshëm që t’ia japë një kampione olimpike për përfaqësim shtetit të Shqipërisë, por prapë unë do të kisha pasë dëshirë që ta përfaqësoja Shqipërinë edhe Kosovën. Jam e gëzuar që jam bërë kampione olimpike me Kosovën, por edhe me Shqipërinë do të ishte njëjtë”, thotë Krasniqi, duke dëshmuar se lidhja e madhe që kemi me Shqipërinë vazhdon të burojë gjithmonë në trupin tonë.

Vështirësitë e jashtëzakonshme nëpër të cilat Kosova ka kaluar ndër vite, kanë ndikuar patjetërsisht në zhvillimet e të gjitha sferave.

“Është shumë e vështirë, infrastruktura dhe gjitha gjërat që i kanë shtetet tjera ne nuk i kemi, ata kanë miliona xhudistë dhe e kanë më të lehtë që të bëjnë nxjerrjen e numrave të xhudistëve, ne kemi 20 ose një numër të ngjashëm. Mendoj që më e vështirë është që të jesh trajner sesa xhudist. Toni shpesh herë ka qenë edhe një doktor, edhe një psikolog edhe ka bërë punë shumë të tjera. Një gjë të tillë nuk e kanë vendet e tjera, pasi 5 trajnerë kryejnë punë të ndryshme”, tregon ajo, duke veçuar edhe një herë tjetër punën e madhe që bën trajner Kuka.

E pyetur mbi pjesën e të ardhmes së Kosovës dhe gjeneratave të reja që po vijnë, ajo shpreson se Majlinda mund t’i afrohet sukseseve të trajnerit më të suksesshëm që ka pasur ndonjëherë Kosova.

“Shpresoj që do të kemi sukses edhe në të ardhmen. Gjeneratat e reja janë duke ardhur tani dhe duken të jenë shumë të suksesshëm. Unë shpresoj që do të dalin edhe trajnerë të ndryshëm sikurse Toni, besoj shumë që Majlinda do t’i afrohet shumë sukseseve të Tonit”.

Medaljet e pafundme në Grand Slam-et dhe Grand Prix-et e zhvilluara, Krasniqi i konsideron vetëm teste për të parë se sa e përgatitur është ajo në Lojërat Olimpike dhe Kampionatet Evropiane.

“Të jesh kampione olimpike është një ndjenjë shumë e mirë. Të shohësh veten pas testimeve të ndryshme që ndodhin dhe të arrish rezultate është diçka e madhe. Grand Slam dhe Grand Prix për mua janë si teste ose mësime që të përmirësoj gabimet e mia, që të jem super e gatshme për garat e mëdha siç janë Kampionet Evropiane dhe Lojërat Olimpike. Kur fiton në këto gara e sheh se je në formë të mirë, sidomos është një gëzim i madh kur e sheh edhe emocionet e popullit të Kosovës”, thotë kampionja e Kosovës.

“Sakrifikimi” për të mos marrë pjesë fare në Lojërat Olimpike dhe ta lë gjithë fatin e Kosovës dhe shpresat në duart e Majlindës, në fund rezultuan të sakta.

“Arsyeja kryesore e mungesës sime në Lojërat Olimpike “Rio 2016” ka qenë për arsye se në këto gara një xhudist përfaqëson vetëm një kategori. Atëherë ka qenë Majlinda duke marrë pjesë, edhe pse unë e kam pasur normën olimpike të siguruar, por nuk mund të merrnim pjesë dy xhudistë në një kategori”.

JudoInside - Distria Krasniqi Judoka

Suksesi i madh i xhudistëve nëpër gara të ndryshme, shpesh herë rezultoi që në fund të garave të ketë një finale kosovare, e me ç‘rast Kelmendi dhe Distria janë përballur dy herë kundër njëra tjetrës në finale të garave.

“Kemi qenë dy herë së bashku në finale, Lisbonë dhe Budapest, ka qenë gjithmonë e vështirë me u përballë me të. Nuk kemi se çfarë të flasim për të, i ka arritë të gjitha. Gjithmonë ka qenë e vështirë me u mposhtë. Unë besoj që kur Majlinda ka qenë në formë të mirë, ajo ka qenë 20 për qind më e fortë se të gjithë kundërshtaret e saj”, – e përsëritë edhe një herë 26 vjeçarja, e cila tregon modestinë e saj të madhe.

Të punosh me dikë dhe ta njohësh atë që nga fëmijëria mund edhe të nxisë inate mes vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në kampin ku Toni ka qenë trajner.

“Nuk është vështirë me punu bashkë, ne jemi rritur të gjithë bashkë dhe kemi kaluar më shumë se 20 vite së bashku. Kalojmë më shumë kohë së bashku sesa me familjen ndoshta. Jemi mësuar me njëri-tjetrin dhe nuk punojmë vetëm për vete, i njohim kundërshtarët e secilit dhe e ndihmojnë për gjithçka njëri-tjetrin”.

Kosova në Lojërat e fundit Olimpike, pra ‘Tokio 2022’, u rendit si vendi më i suksesshëm në botë pas Japonisë në xhudo, e për këtë tregojnë më së miri kundërshtarët e xhudistëve nga Kosova.

“Gjithmonë në xhudo, kundërshtarët më të vështirë janë nga Japonia, ata e kanë sportin kryesor xhudon dhe synojnë gjithnjë medaljen e artë. Japonezet kanë qenë kundërshtarët më të vështira, sidomos në Lojërat Olimpike.”

Kosovo celebrates 2nd-ever Olympic medal at Tokyo Games | CBC Sports

Në garat e zhvilluara në Masters të Kinës, Krasniqi arriti që të fitojë të gjitha duelet në më pak se 30 sekonda, duke vendosur kështu një rekord.

“Kam qenë e përgatitur në gara, por në sport varet shumë në qoftë se është “dita jote”. Mundesh me qenë në disponim të madh, por gjithçka mundet me ra poshtë në qoftë se nuk është dita jote. Në një garë të cilën e kam zhvilluar në Masters në Kinë, ka qenë momenti kur asnjë luftë nuk më ka zgjatë më shumë se 30 sekonda, e këtu pikërisht është pjesa e një dite të mirë”, shpjegon tutje ajo.

Pjesa më e vështirë dhe më problematike në sport janë padyshim lëndimet, të cilat mund të ndikojnë që shpesh herë edhe të tërhiqeni nga sporti, megjithatë një fat i tillë nuk e ka ndjekur aspak Krasniqin.

“Lëndime kam pasur në gjurin e majtë por nuk kam pasur ndërhyrje kirurgjike. Kam pushuar vetëm pak dhe përsëri jam rikthyer e gatshme. Shpresoj që mos t’i kem këto lëndime”.

Pjesa që e bën një popull më së shumti krenar, është atëherë kur flamuri ngritet në vende të zhvilluara dhe të njohura të botës. Për Kosovën, një gjë e tillë është më ndryshe, kjo për faktin se disa vende ku zhvillohen gara të rëndësishme, nuk e njohin shtetin më të ri në Evropë dhe rrjedhimisht ngritja e flamurit në këto vende shpreh një krenari më të madhe.

“Në vende të cilat nuk na kanë pranuar ende, është një ndjenjë e veçantë. Në një moment në Spanjë është diskutuar shumë në qoftë se duhet të ngritet flamuri ynë apo jo, po ka qenë një ndjenjë e mirë që e kam marrë medaljen e artë dhe në fund e kemi ngritur Kosovën. Kemi pasur momente të tjera kur Majlinda e Nora kanë shënuar suksese edhe në Rusi e vende të tjera”.

NOC KOSOVO 🥇🥇🥇 a Twitter: "PROUD🙋‍♂️🇽🇰 5⃣ years ago today Russian  soldiers saluted #Kosovo flag🇽🇰 and anthem during judo medal ceremony,  thanks to our pride Majlinda Kelmendi🥇🥋 #JudoKazan2016 #KosovaFlag  https://t.co/p7tVIxAjkz" / Twitter

Një pjesë të veçantë dhe padyshim një mësim për të gjithë njerëzit, Krasniqi e ndau me të gjithë, duke treguar se sa shumë ndikojnë rrjetet sociale dhe komentimi nëpër të ashtuquajtura “dështime” te të gjithë sportistët. Fakti që Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe shumë sportistë të tjerë qëndrojnë larg rrjeteve sociale është pikërisht për faktin se komentet negative mund të dërgojnë edhe deri në “depresion”.

“Rrjetet sociale dhe largësia ndaj tyre. Nuk i përdorim shumë rrjetet sociale, i kemi pasur kur kemi qenë më të reja por ka ndodhë një rast kur Majlinda ka humbë në Lojërat Olimpike në Londër, dhe pothuajse shumica e popullit kanë dhënë komente negative dhe sharje të ndryshme. Kjo gjë ka ndikuar shumë tek ajo, e pothuajse Majlinda ka rënë në depresion. Kemi shembuj edhe nga xhudistë të tjerë nga vende të ndryshme të cilat nuk i përdorin gjithashtu rrjetet sociale, kjo pasi ndikon shumë tek ne dhe puna jonë. Kur humbim edhe nuk kemi performancë të mirë, vijnë shumë komente negative, për këtë jemi distancuar tani për tani”.

Kur bëhet fjalë për komplimentin më të mirë që Krasniqi ka pranuar ndonjëherë, kishte të bënte gjithmonë me pjesën që ajo ishte më e mira në botë.

“Kam marrë shumë komplimente, por më së shumti më pëlqente kur thoshin që jam xhudistja më e mirë në botë, edhe pse tani e kam marrë edhe këtë çmim. Ka qenë ndjenjë e veçantë kur trajnerët dhe xhudistët e shteteve tjera kanë thënë se jam më e mira dhe patjetër që e kam konsideruar gjithnjë si një motivim shtesë”.

JudoInside - Daria Bilodid Judoka

Prindërit, si shtylla kryesore e shtëpisë, ndikojnë detyrimisht në zhvillimin tënd dhe sigurisht edhe në jetën tënde profesionale. Mbështetja e vazhdueshme e tyre ka rezultuar që në fund të nxjerrin një kampione të artë olimpike.

“Ndoshta edhe në momentet e mia më të vështira kur kam menduar se duhet me u tërheqë nga xhudo, janë mbështetësit e mi kryesorë, prindërit, që gjithmonë më kanë mbështetur. Çdo herë më kanë mbështetur për të vazhduar përpara, edhe kur nuk jam ndjerë mirë. Janë shtysa ime më e madhe”.

Ëndrra më e madhe e Krasniqit është që të rijetësojë edhe një herë tjetër sukseset që i ka arritur deri më sot.

Ndërkaq, kur bëhet fjalë për mesazhin e saj te të rinjtë, Krasniqi shprehet se nuk duhet të dorëzohen asnjëherë.

“Vetëm me vazhdu me punu. Nuk ka lidhje nëse humb shpesh ose nëse je i ri. Vetëm nëse nuk ndalesh dhe punon me seriozitet gjithmonë ka me t’u shpërbly puna që e ke bërë”.

Kosova mund të jetë një vend shumë i vogël dhe jo shumë i zhvilluar në aspektin ekonomik, megjithatë kur bëhet fjalë për kampione olimpike dhe sukses në gara ndërkombëtare, atëherë sporti i xhudos mund të “kollitet” dhe patjetër që të dëshmojë se Kosova është një fuqi e gjithashtu edhe një prodhuese e kampioneve olimpike. Sukseset e Majlindës, Norës dhe Krasniqit kanë bërë krenar një popull të tërë, e ndërkohë e ardhmja po duket të jetë me optimizëm e shpresë të madhe. /KultPlus.com

Distria pas triumfit telefonon prindërit: Po ndjehen shumë krenarë me mua -  KosovaPress

Gruaja që u sfidua me arkeologjinë dhe politikën, Edi Shukriu: Më anashkaluan, nuk më pyetën për Ukshin Hotin

Gjithçka është e pazakontë te kjo grua, emri i saj përfundon me prapashtesën i, që nuk është i zakonshëm te emrat e vajzave shqiptare, si vajzë e re është sfiduar edhe në boks, dhe në vitet e 60-ta, kur shumica e vajzave ëndërronin të bëheshin mësuese, ajo guxoi të ëndërronte për arkeologjinë. Është gruaja që kaloi rreth dhjetë vjet me Ukshin Hotin, dhe gruaja që qëndroi politikisht afër Ibrahim Rugovës. Edhe sot vazhdon të jetojë në të njëjtën banesë ku kishte jetuar me Ukshin Hotin, në lagjen Ulpiana, dhe pikë të dobët ka Parkun Arkeologjik “Ulpiana”. Edi Shukriu, në një intervistë për KultPlus ka dhënë detaje për krejt këto zhvillime, për studimet në Beograd, për jetën me Ukshin Hotin, divorcin, angazhimin politik përkrah Ibrahim Rugovës. Në këtë intervistë, ajo shpalosë edhe karakteristikat për këto dy figura të popullit shqiptarë.

Ardianë Pajaziti

Hapat e saj të vegjël nëpër kalldrëmin e Prizrenit, kureshtja e saj për ata gurë që shtronin rrugicat ku shëtitej me prindërit dhe vëllain e saj, ngjitja e shpeshtë deri të Kalaja e këtij qyteti, në shpirtin e saj kishin zgjuar një dëshirë të pazakontë për kohën në të cilën jetonte. Përderisa, shumë prej moshatareve të saj dëshironin të bëheshin mësuese, infermiere, e ndonjë edhe mjeke, Edi Shukriu ishte mes dilemës së arkitekturës dhe arkeologjisë. Dy profesione jo të shpeshta, as për djemtë e asaj kohe, e lëre më për vajzat.

Edi Shukriu si fëmijë.

“Dëshira për të studiuar arkeologjinë, mendoj se lindi nga ngjitjet e mia të shpeshta deri të Kalaja e Prizrenit. E mendoja si qendrën e botës, dhe njësoj e vlerësova deri në kohën kur udhëtova në shumë anë të botës, dhe pashë shumë e shumë kala, dhe atëherë e kuptova se Kalaja e Prizrenit, që e mendoja aq madhështore, në fakt nuk ishte kala, por një rrënojë, por një rrënojë që zgjoi te unë shumë dashuri për arkeologjinë”, kujton fillimet e saj Edi Shukriu, e cila për KultPlus tregon se po mos të ishte kjo pikë e Prizrenit, dhe vizitat e saj nëpër vende të ndryshme, nuk do të lindte dëshira për krahasime, pikë vendimtare e arkeologëve për gjetjet nëpër periudha të ndryshme kohore.

Po aq sa e inspiroi Prizreni për arkeologji, një pjesë të ‘fajit’ e ka edhe Shkupi, vend në të cilën Edi e kalonte një pjesë të madhe të kohës, pasi që në atë qytet i jetonte gjyshja.

Kurse guximi për të ëndërruar drejt një profesioni kaq të rrallë në Kosovë, ishte guxim që ishte ndërtuar në familjen ku edhe rritej Edi Shukriu. Ajo kujton për lexuesit e KultPlus, se edhe babai i saj kishte punuar shumë për trashëgiminë kulturore, se mamaja kishte një shkollë shumë të veçantë, atë të jetës, dhe këto dy elemente kishin bërë që në këtë familje guxonin të ëndërronin. Njëri mysliman, e tjetra katolike po mundoheshin të hapnin portat për dy fëmijët e tyre, e që Edi kujton se mamaja, babit të saj ia mësoi gjuhën shqipe, pasi që, Edi kujton se familjet e Prizrenit flisnin një gjuhë shqipe të çaluar, por se nëna Margaritë ia mësoi gjuhën e rrjedhshme shqipe.

Edi Shukri, studente në Beograd.

Në Beograd nisa studimet në vitin 1968, vit kur në Kosovë kishin nisur shkundjet e para shqiptare nëpërmjet protestave

Dhe përderisa ëndrra e saj për një arkeologe të ardhshme po merrte formë, tashmë kishte dilemën tjetër, se nëse do të duhej të studionte në Zagreb, që aq shumë e dëshironte, apo në Beograd, ku për shkak të rrethanave, u detyrua të zgjedhë këtë të dytën.

“Udhëtimi për Zagreb ishte shumë i gjatë, kurse në Beograd ishte më afër. Udhëtoja tërë natën, dhe në mëngjes isha në Beograd, kurse në Zagreb, më duheshin edhe 12 orë shtesë”, kujton Edi Shukriu, e cila studimet e arkeologjisë i nisi në vitin 1968, vit kur në Kosovë kishin nisur shkundjet e para shqiptare nëpërmjet protestave, e shkundje që e vështirësonin stabilitetin e studentëve shqiptarë në Beograd, të cilët nuk ishin të paktë dhe studionin në drejtime të ndryshme.

Edi Shukriu kujton edhe dallimet që kishte nuhatë edhe nga ana e profesorëve, kur shpesh herë ishin shumë më kërkues ndaj saj si studente shqiptare, se sa te studentët vendës, padrejtësi në nota dhe në shumë ngufatje të tjera, por që Edi Shukriu i vlerëson edhe si  pozitive.

“Kisha një profesoreshë të frëngjishtes, që ishte serbe por që vinte nga Kroacia, aq kërkuese ishte ndaj meje, sa detyrohesha të mësoja aq shumë, vetëm që të mos më zinte ngushtë. Por si rezultat i kërkesave të saj, unë më vonë isha falënderuese, sepse, gjuha frënge është gjuha që e zotëroj më së miri, pas gjuhës shqipe”, kujton Edi Shukriu.

Viti i parë dhe i dytë i studimeve, në kryeqytetin e Serbisë nuk ishte i lehtë për Edi Shukriun edhe sa i përket anës së financave. Nuk i ishte siguruar ndonjë bursë, dhe studimet kishin rënë mbi barrën e familjes së saj.

“Më ka ndodhë që ndonjë ditë të mos ha ushqim, shumë shpesh më duheshin paratë edhe për blerje të librave, dhe detyrohesha që të rrija pa ushqim. Por këtë gjë nuk ia kam thënë asnjëherë prindërve, tash po e them, sepse të dy më nuk janë në mesin e të gjallëve”, rrëfen Edi Shukriu, e cila më pas detajon se pas vitit të dytë, bursa i ishte siguruar nga Universiteti i Prishtinës, dhe studimet ishin pak më të lehta. Dhe pas përfundimit të fakultetit, Edi Shukriu vazhdoi edhe magjistraturën, dhe paralelisht punonte edhe në Muzeun e Kosovës, për të vazhduar më pas edhe doktoraturën në Universitetin e Prishtinës, ku edhe mbrojti tezën mbi qeramikën e helenizuar të epokës së Hekurit në Kosovë (shek. VI-IV p.K) “Dardanët janë ilirë”, tezë që u mbrojt edhe para mentorëve serb, në vitin 1990.

Në Gradinën e Gadimes së Epërme po bëja kërkime arkeologjike, aty erdhi të më takojë Ukshin Hoti

Përderisa jeta e saj prej arkeologe po pasurohej edhe me hulumtime të herë pas hershme brenda lokacioneve arkeologjike të Kosovës, Edi po synonte edhe mësimin e gjuhës angleze, e që po shikonte ndonjë alternativë që të shkonte në Angli, për të mësuar gjuhën angleze.

Ishte viti 1972, koha edhe kur kishte përfunduar studimet në Beograd, dhe bashkë me mamin e saj ishin drejtuar në një zyrë, që të bënin kërkesën që ta mbështesnin për udhëtimin në Angli.

“Në atë takim na priti Ukshin Hoti, atëherë ishte në një pozitë që nuk e kishte titullin e ministrit të punëve të jashtme, por që në ato kompetenca ishte. Nuk u mbështeta për këtë udhëtim, por ky udhëtim ishte shkas që të njihem me Ukshin Hotin”, tregon Edi Shukriu.

Dhe, përderisa i kishte dështuar udhëtimi në Angli, Edi bashkë me një grup të arkeologëve po bënin hulumtime në Gadime të Epërme. Dhe në kodrën e Gadimës, Ukshin Hoti ishte ngjitur për ta takuar Edin, ku sipas saj, pas disa takimeve të shpeshta, ata edhe u lidhën, lidhje që solli edhe vendimin për martesë, në vitin 1974, ku nga ajo martesë kanë vajzën Erletën.

E kujton si njeriun që ka njohur më së miri marrëdhëniet ndërkombëtare, si një njeri që ka ditur shumë gjuhë të huaja, e që shumicën prej tyre, sipas Edit, i ka mësuar vet, si një njeri me një dashuri të paparë për kombin, e që sipas saj, nuk sheh aq shumë të tillë me këto karakteristika.

Edi Shukriu dhe Ukshin Hoti

Edi me fjalë të pakta kujton jetën me Ukshin Hotin, jetë që e kishin bërë në banesën e vogël në Ulpianë, ardhjen në jetë të Erletës, rënien e tij në burg në vitin 1981, por edhe lirimin e tij nga burgu në vitin 1985, e që nuk doli të jetë me fat për familjen tre anëtarëshe, pasi që, ashtu sikur edhe kujton Edi Shukriu, Ukshini kërkoi divorcin, dhe familjes së re i iku fija e lumturisë.

Kur e pyes se çfarë dokumenti, letër apo ndonjë gjë personale të Ukshin Hotit e posedon edhe sot, Edi refuzon të flas. Ajo thotë se ka gjësende të Ukshin Hotit, por nuk dëshiron ti bëj publike, për faktin se, shumë të tjerë e kanë keqpërdorë emrin e tij.

Erleta Hoti

“Unë dhe vajza ime jemi kujdesur shumë që ta ruajmë imazhin e tij, e kanë keqpërdorë shumë emrin e tij. Kanë shkruar shumë për Ukshinin, kanë bërë filma dokumentarë, kurrë askush nuk erdhi të më pyes rreth Ukshinit. Asnjë film nuk vlen, sepse mungon shumëçka në ato realizime. Kam qenë kundër edhe për Muzeun e Ukshin Hotit në Krushë të Madhe, ky kundërshtim erdhi si rezultat i asaj, sepse me atë muze ata e grimcuan Ukshinin, e ulën në nivele lokale, e Ukshin Hoti ishte i krejt Kosovës, nuk ishte vetëm i Krushës së Madhe”, shprehet Edi Shukriu, e cila vazhdon të jetojë edhe më tutje në banesën ku kishte jetuar me Ukshin Hotin, e që së fundi, kishte gjetur edhe një fletë dërgesë të burgut, kur i kishte dërguar ushqim e cigare. “Ishte data dhe përshkrimi, i dërgoja ushqim e cigare, në atë kohë pinte “Kent”, tregon Edi, për ato kujtime, e që vajzës i thoshte atëherë se babi po punonte, e asnjëherë si kishte treguar se ai ishte në burg.

Se kanë humbur shumë dokumente, materiale të rëndësishme, Edi Shukriu kujton edhe hyrjet e shpeshta të policisë serbe, e që sipas saj, sa herë që kanë hyrë në banesën e tyre, ata kanë marrë gjësende të ndryshme.

Edi Shukriu me nënën dhe vajzën.

Jam arkeologia e parë që kam iniciuar hulumtime të nivelit ndërkombëtar në Ulpianë, bashkë me një koleg timin futëm edhe para tona, sepse nuk patëm mbështetje

Profesoreshë e UP-së, akademike, publiciste, poete dhe një grua aktiviste, Edi Shukriu konsiderohet si arkeologia e parë që ka iniciuar hulumtime të nivelit ndërkombëtar në lokacionin e Ulpianës, e që sipas saj, para luftës ishin bërë nga arkeologë serb dhe ekipe prej Beogradit.

“Hulumtimin në nivel ndërkombëtar e realizova me një profesor francez, e që ishte prej vitit 2006 e deri në vitin 2010, po sikurse në çdo fushë tjetër, edhe në këtë pikë patëm probleme financiare. Më vinte keq që ti tregoja profesorit francez se kemi probleme me financa, unë dhe një ish student i imi futëm mjetet vetanake, kolegu im që i dha paratë për hulumtim, ato mjete i kishte të ndara për blerjen e një banese, por i futi bashkë me mua në hulumtim”, tregon Edi, e cila shprehet të jetë e lumtur se hulumtimet po ecin edhe sot, por, sipas saj jo në tempo të duhur.

Edi Shukriu, e cila në rininë e saj u sfidua edhe në skijim, boks, pingpong e hendboll, duket se nuk mjaftohej me angazhimet. Duke anashkaluar krejt titujt shkencor, angazhimin institucional dhe atij prindëror, bashkë me shumë gra të tjera, shumë shpesh dolën rrugëve të Prishtinës, për të kundërshtuar terrorin serb, e që shumë shpesh ishin të rrethuara nga forcat serbe.

Edi Shukriu dhe Ibrahim Rugova

“Nuk mendonim për vete në atë kohë, ishte një proces i përgjithshëm. U pata propozuar që të jem edhe në kryesi të LDK-së, po nuk pata pranuar. Vajza më rritej pa baba, kisha frikë se mund të më burgosnin edhe mua, edhe nuk ishte e lehtë ta lija vajzën pa asnjërin prind”, tregon Edi, e cila, pos që kishte fatin të kishte për bashkëshort njërin prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare, ajo në të njëjtën kohë punonte afër një njeriu shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar, Ibrahim Rugovës.

Rugovën e kujton si një njeri që e ka njohur më së miri mentalitetin shqiptar, një njeri që ka pas shumë guxim për rrethanat më të vështira të shqiptarëve.

“Por unë mendoj që një njeri duhet të shihet në krejt kompleksitetin e tij, shumë herë më është kërkuar që të shkruaj rreth Rugovës, por kam refuzuar. Refuzoj të shkruaj në superlativ për njerëzit, sepse kështu po krijojmë mite, e duke krijuar mite, jemi aty ku edhe jemi”, ka thënë Edi.

Vazhdon të jetojë edhe më tej në banesën e njëjtë ku edhe e kurorëzoi martesën e saj me Ukshin Hotin. “Shumica e interierit është e njëjtë, sikurse ai i viteve të 70-ta. Edhe muret janë kujtesë”

Kjo grua që në lëkurën e saj ka përjetuar rëniet dhe ngritjet, momentet kur njerëzit bëheshin se nuk po e shihnin në rrugë, vetëm për faktin se Ukshini ishte në burg, momentet kur duhej të ishte vetë nënë e vetë baba, kohën kur dilte me një bukë në dorë, për të kundërshtuar regjimin e Millosheviqit, kurrë asnjëherë nuk e kishte menduar që të ikte e ta linte Kosovën.

“Edhe si fëmijë patëm pas një krizë, kur babi ngeli pa punë për një vit, dhe menduam të shkonim në Zarë të Kroacisë, falë të afërmeve të mamit. Babi na përgatiste për këtë udhëtim, duke na treguar rrëfime për detin, lundrat e shumëçka rreth jetës në bregdet. Ishim në pikën e fundit për udhëtim, nëna ime refuzoi. ‘Nuk mund të lë kalldrëmin e Prizrenit’, pati thënë nëna, fjali që vendosi përfundimisht jetesën tonë në Kosovë. Si duket edhe unë kam trashëguar këtë element nga nëna ime. Kam pas mundësi të udhëtoj në shumë vende të botës, por asnjëherë se kam menduar të lë Kosovën”, shprehet Edi.

Edi Shukriu me familjen e saj.

Me titullin akademike, me një emër të çuditshëm për emrat e vajzave shqiptare, pasi merr prapashtesën i, Edi Shukriu që ka publikuar shumë punime shkencore, ka shkuar deri në Harvard dhe ka publikuar edhe poezi. Krejt këtë angazhim shkencor, human e letrar e vlerëson si një punë që e ka bërë pse është dashur ta bëj, pa i menduar asnjëherë pasojat. 

Me gratë e Forumit të Gruas

Deputete, themeluese e Forumit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, themeluese e partisë Alternativa Demokratike e Kosovës, anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve në Salzburg, 71 vjeçja, vazhdon të jetë edhe sot aktive, e që vazhdon të jetojë edhe më tej në banesën e njëjtë ku edhe e kurorëzoi martesën e saj me Ukshin Hotin. “Shumica e interierit është e njëjtë, sikurse ai i viteve të 70-ta. Edhe muret janë kujtesë”, tregon Edi, e cila përkundër shumë peripecive, ka një humor shumë të theksuar.

Dhe në momentin kur po mendoja se po mbyllej kjo intervistë, Edi Shukriu më zbuloi diçka nga thesari i përbashkët me Ukshin Hotin. “Kam një shigjetë nga Ukshini, e solli prej Afrikës”, ishte pjesa që zbuloi, pa dhënë më shumë detaje se edhe çfarë gjësende apo dokumente zotëron kjo grua, që hulumton në lokacionin Ulpiana, dhe vazhdon të jetojë në lagjen Ulpiana./ KultPlus.com

Edi Shukriu me mbesën Nia

Humbi peshë e hoqi flokët vetëm për serialin ‘Rrushe’, Rexha: Është ndër projektet më të rëndësishme në jetën time

Flonja Haxhaj

‘Rrushe’ është serial i zhanrit dramë – krim, me një tematikë që nuk është trajtuar më parë në Kosovë, e me kthesa të paimagjinuara, që mbajti publikun shqiptar nën emocione të papërsëritshme përgjatë 20 episodave.

Ky serial ka familjen Pirulli si protagonistë kryesorë. Familja Pirulli janë një familje e zakonshme nga Prishtina, apo të paktën kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, e bija e familjes, punon si një gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që fillin e kishte në bujari e në mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetën atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarjeje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe i dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë.

Me regji nga Valter Lucaj, skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, ‘Rrushe’ shfaqi për herë të parë në rolin e producentes, aktoren Doresa Rexha e cila gjithashtu portretizon edhe personazhin kryesor, atë të Vesa Pirullit apo siç njihet në serial, Rrushja.

E idenë, rrugëtimin dhe planet për sezonin e ri, producentja Rexha i ka shpalosur në një intervisë për KultPlus:

KultPlus: “Rrushe”, seriali më i përfolur kosovar i vitit 2021, e ku ju portretizoni personazhin krysor, çfarë  ndjesie ju dha i gjithë ky projekt?

Doresa Rexha: “Rrushe” besoj që ka pasur një rezultat të tillë për shkak të formulës së saj se si është krijuar e që është mbledhja e vlerave të secilit artist pjesëmarrës e shumëzuar me dashni, përkushtim, pasion, konsistencë e pergjëgjesi. ‘Rrushe-s’ i kam dhuruar gjithçka nga vetja, jo vetëm unë por i gjithë ekipi, e këtu po më bie ndërmend thënia “aq sa jep edhe merr” prandaj ky projekt është një ndër projektet më të rëndësishme në jetën time.
Ky serial më ka dhuruar çdo ndjesi në çdo kohë, në fillim ka qenë ‘uria’ per të krijuar një projekt me vlerë dhe të veçantë, pastaj frikë, besim, sfidë, vështirësi të panumërta, sakrificë, mund e rritje.
Une besoj qe nuk ka proces qe të përmbush më shumë se të krijuarit me shumë dashni e pasion.

KultPlus: Si jeni duke qëndruar me emërtimin Rrushe, apo më saktë, tashmë po ju thërrasin  më shumë Doresa apo Rrushe?

Doresa Rexha: Më i bukur sesa emri se si po me drejtohen është reagimi i njerëzve që i takoj rastësisht, komplimentet dhe urimet e tyre e sidomos mesazhet nga njerëz që e kanë gjetë veten në storie të serialit e ndikimi që ka pasur tek ta. Ky është shpërblimi më i madh i gjithë punës së deritanishme.

KultPlus: Në fakt, si ishte të jesh një Rrushe?

Doresa Rexha: Para se ta pranoj rolin kam pasur shumë frikë, nuk besoja që mund t’ia dal, nuk besoja qe isha e duhura e nuk guxoja as ta mendoj se çka ndodhë nëse nuk arrij me e jetësu personazhin e Vesës, mirepo jam me fat qe kam njerëz rreth vetes të cilët besojnë në mua më shumë se unë në vete.

Kur i kam lexu skenaret e para dhe pastaj  gjatë diskutimit me skenaristin për linjen e Vesa Pirullit dhe linjen e krejt serialit, ka qenë shumë e frikshme por kjo e bënte edhe më emocionues dhe entuziazmues të gjithë procesin.

Për mu aka qenë shumë sfidë pasi që dihet se barra më e madhe bie mbi personazhin kryesor por në anën tjetër duke e ditur se sa shume ngjarje tragjike do te ndodhnin në jetën e Vesës, e kam pasur shumë të veshtirë ndërtimin e linjës së emocioneve të saj në mënyre që mos ta perseris veten.
Por pavarësisht sfidave në ndërtimin e personazhit, lehtësia dhe e bukura ka qenë tek bashkëpunimi me gjithë aktorët e serialit.

KultPlus: Na trego për fillimet, e kujt ishte ideja, apo si guxuat të besonit në një serial kaq të madh, duke marrë parasysh se për herë të parë është realizuar një serial i tillë edhe jashtë një platforme televizive, nga një kompani e jashtme siç është “Gjirafa”?

Doresa Rexha: Gjithmonë e theksoj faktin se te punuarit ne Gjirafe te ndryshon mendesine se si i sheh gjërat dhe se si duhet me i tejkalu limitet tona gjithsecili për të arritur atë që dëshirojme dhe e kemi qëllim. Guximi për të nisur një projekt të tillë është ndërtim i të gjitha eksperiencave në Gjirafë, ku nga hiçi mundohemi me ndërtu kështjella të larta, nuk po flas vetëm në fushen artistike por në secilën fushë.  Ne në Gjirafë nuk jemi rehat asnjëherë , asnjëherë nuk kemi nje ‘comfort zone’, e kjo normalisht që është stresuese dhe ka presion por në të njëjtën kohë ka progres dhe rritje të madhe ku nuk mungojnë sukseset. Mos  të harrojmë se “nga presioni i madh formohen diamantet”.

Me gjirafaVideo funksionojmë që pesë vite e duke e parë rritjen e platformes dhe potencialin e produksionit tebrendsheme, menduam që ka ardhë momenti të provojmë diçka tjetër nga ajo që kemi prodhuar deri më tani.
U takuam me skenaristin Jeton Kulinxha, i treguam se cili është qëllimi i serialit, cilat janë temat qe po deshirojmë me i shtjellu dhe pasi ka perfunduar sezoni i parë e konsiderojmë veten me fat që kemi krijuar diçka me një artist si Jetoni.
Më pas, ka qenë sfida që me i bind edhe të tjerët me besu në serial dhe me besu në atë që po dëshirojmë me arritë.
Ne fund te fundit është diçka që na ka bashku të gjithëve, fakti që shikuesit tanë e kanë merituar një projekt të tillë.

KultPlus: 20 episoda të serialit ‘Rrushe’ kanë sjellë dramë, dashuri e krim të ndërlidhura në dy periudha kohore e që për bazë kanë pasur zhvillimet në Kosovë, sa ishte vështirë të shtjellohej një temë kaq e ndjeshme?

Doresa Rexha: Përgjatë një viti kemi hulumtuar rreth seciles temë, kemi marrë informata për ngjarje të ndryshme, disa i kemi edhe te prekshme pasi janë tema aktuale që na rrethojnë. Vështirësia më e madhe ka qenë shtjellimi i tyre pasi ‘Rrushe’ ka pasë një sezon me vetëm 20 episoda dhe jemi munduar qe secilës temë t’ia kushtojmë kohën dhe mesazhin e duhur.
Po ashtu sfidë në vete ka qenë edhe ndërtimi i reagimeve të personazheve ndaj ketyre temave, duke e pasur informatën qe shikuesit do e gjenin veten tek temat apo ngjarjet perkatëse, atëhere ka qenë përgjegjësi e madhe qe edhe reagimet e personazheve të jenë të duhurat. E për këtë në fillim kemi pasur konsultime edhe me psikologë.
Pasi e kemi xhiruar episodin e parë dhe para se të fillonim me shkrimin e skenareve për episodet tjera, kemi bërë fokus grupe ku kemi mbledhur persona të vendeve, moshave dhe profesioneve të ndryshme të cilët e kanë parë episodin dhe kanë dhënë mendimin e tyre, e kjo përveç që na ka ndihmuar, ka qenë përvojë në vete si dhe ka shtuar vlerë n vazhdimësi të shkrimit të skenareve.

KultPlus: E konsideroni veten me fat që luajtët me Xhevat Qorraj, një artist që pati një karrierë të bujshme në rininë e tij, e me rolin e Faruk Pirullit tek ‘Rrushe’ ishte një prej aktorëve më të pëlqyer

Doresa Rexha: Së pari e konsideroj veten shumë me fat qe kam njohur një njeri, i cili ka një energji fantastike dhe që të bën të mësosh shume nga ai dhe është privilegj për mua të punoj përkrah një aktori si Xhevat Qorraj.

Më duhet të them edhe këtu dhe e di që axhi Xhevat do të qeshë me mua kur do ta lexojë këtë intervistë, unë kam qenë e para që jam takuar me të dhe ia kam propozuar rolin e Faruk Pirullit. E në takimet e para, meqë nuk njiheshim personalisht, e kam pasur shumë të vështirë, nuk dija sit i qasem, nuk ia kuptoja humorin, friksohesha kur kujtoja se po flas me një actor me gjithë atë karrierë. Mirëpo përveç që kemi ndarë skenën së bashku, gjë që më ka rritë profesionalisht, tani jemi edhe shokë shumë të mirë,

Po ashtu, dua të theksoj se jam shumë me fat që në këtë projekt kam punuar edhe me aktorë të tjerë shumë të suksesshëm siç janë Çun Lajçi, Enver Petrovci dhe Bislim Muçaj.

KultPlus: Të flasim për aktorët e rinj që kanë luajtur në këtë serial, për cilin aktor/aktore ndiheni mirë që me serialin “Rrushe” e keni bërë të famshëm, duke marrë parasysh që në këtë serial keni edhe rolin e producentes

Doresa Rexha: Ndjehem mirë që secili aktor ka shtuar vlerë në ‘Rrushe’ dhe duke u bazuar ne punën, përkushtimin, pasionin e tyre kanë arritur të pëlqehen nga publiku.

E kam lexuar me vëmendje çdo kritikë per secilin aktor qe kanë dhënë shikuesit dhe secila ka qenë më e mirë se tjetra. Por mbi të gjitha jam e lumtur që “Rrushe” ka qenë mundësi shumë e mirë per ne aktorët e rinj qe të dhurojmë 100 për qind nga vetja jonë dhe të tregojmë potencialin që kemi arritur deri më tani.

KultPlus: Cilin nga 20 episodat e keni shikuar më shumë se një herë?

Doresa Rexha: Secilin episod e kam shikuar më shumë se një here, kam qene prezentr ne 80 për qind të xhirimeve, i kam percjellur në montazhe, para transmetimit si dhe në transmetim. Kurse tash, gjatë pushimeve të Vitit të Ri do të mblidhemi me disa nga pjesëtarët e ekipit dhe do t’i shikojmë të gjithë episodat në mënyrë që t’i analizojmë dhe të mendojmë për përmirësime në të ardhmen.

KultPlus: Ndërkohë, flasim pak për skenarin, sa jeni befasuar edhe ju si kastë e serialit nga kthesat dhe prurjet e skenaristëve?

Doresa Resha: Sa i perket skenarit, kam përshtypjen që në atë kohë gjatë shkrimit, përveç Jetonit dhe Patrikut qe jane skenaristët, edhe ne kemi jetuar bashkë me secilin personazh.
Përveç që kemi xhiruar, në të njëjtën kohë kemi mbajtur edhe takime të shumta me skenaristët dhe regjisorin se si t’ia bëjmë, nga me e drejtu ngjarjen. Edhe pse qysh në fillim i kemi bërë linjat e secilit personazh, për disa na kanë ndryshuar rrugës. Besoj që ngjarjet, mëyra se si janë trajtuar temat dhe kthesat dramatike, e kanë bërë skenarin më të veçantë dhe më origjinal.

Aktorët e kanë mirëpritur secilën ngjarje, por me disa kthesa edhe janë befasuar siç ëstë rasti i Arsimit, Dinora Lahut, Faruk Pirullit etj.

KultPlus: Kur jemi te skenari, mund të zbulojmë më shumë për lexuesit, janë shkruar apo janë duke u shkruar episodet e reja të sezonit të dytë, nëse po, kur do të fillojnë xhirimet e sezonit të dytë?

Doresa Rexha: Sa i perket sezonit të dytë, jemi duke planifikuar që të fillojmë sa më parë me konceptim dhe shkrim të skenarëve, mirëpo për xhirime na pret shume pune dhe kërkon kohë, e sidomos në këtë projemkt ku jemi duke u munduar që sezoni i dytë me e tejkalu të parin në çdo aspekt. Por lexuesve të KultPlus ju premtojëe se në momentin që do të kemi një datë, do të jenë të parët qe do të informohen.

KultPlus: Përtej serialit “Rrushe”, kompania Gjirafa tashmë dëshmoi se mund të jetë një institucion alternativ për realizimin e projekteve filmike, a mund të pritet ndonjë serial i ri apo edhe ndonjë film artistik?

Doresa Rexha: Nga momenti i parë që është menduar krijimi i platformës GjirafaVideo, ka qenë idea që të jetë një hapësirë për të gjithë krijuesit, ku do të mund t’i shfaqin online veprat e tyre dhe kështu funksionon edhe tani. Në këtë platformë mund të shihni prodhime të produksioneve të ndryshme.

Ndërsa me produksionin GjirafaStudios kemi plane të mëdha të cilat besojmë shumë që do të kenë ndikim pozitiv në tregun tonë. Kemi në plan shumë seriale, reality shoë, emisione dhe në një të ardhme të afërt pse jo edhe film artistik.

KultPlus: A ka ndonjë angazhim tjetër artistik, që mund ta shfaqë Doresa Rexhën në një format ndryshe?

Doresa Rexha: Jam në pritje të disa projekteve, e gjatë kësaj pritjeje jam duke punuar edhe vetë në një projekt interesant, po e them publikisht qe me ia vënë vetes kusht per vitin 2022.
Po ashtu shumë shpejt do jetë edhe premiera e filmit “Stork” nga Isa Qosja ku aty e kam një personazh shumë të dashur e që është krejt ndryshe nga kjo qe jeni mësuar të më shihni këtë vit.

KultPlus: Në sezonin e parë keni hequr flokët vetëm për shkak të karakterit të Rrushes, deri ku kishit sakrifikuar për këtë serial?

Doresa Rexha: Rrushes ia kam dhuruar komplet veten si nga ana fizike ku i kam humbur 6 kilogramë për një kohë shumë të shkurtër, kam hequr tërësisht flokët, ashtu edhe nga ana emocionale.  Për këtë serial nuk kam kursyer asgjë nga vetja./KultPlus.com

Rrushe’ përfshin aktorët si: Doresa Rexha, Shkumbin Istrefi, Aurita Agushi, Andi Bajgora, Lum Veseli, Ema Koxha, Xhevat Qorraj, Armend Smajli, Eshref Durmishi, Qëndresa Jashari, Bislim Muçaj, Arta Muçaj, Agron Shala, Labinot Raci, Enver Petrovci, Ernest Malazogu, Adriana Matoshi, Çun Lajçi, Ermal Sadiku, Adrian Morina, Basri Lushtaku, Semira Latifi, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, Allmir Suhodolli, Adelina Halitjaha, Eden Kastrati, Lurni Krasniqi, Donikë Ahmeti, Berat Pllana, Xhelal Haliti, Artiola Hamdia, Erta Leci, Vjosa Abazi, Shkëlqim Islami, Nexhat Xhokli, Mikel Markaj, Kastriot Saqipi, Gojrat Kqiku dhe Dashuri Rexhepi.

Më poshtë gjeni intervista të thelluara të kastës së serialit ‘Rrushe’, realizuar nga GjirafaVideo:

Nora Gjakova: Dua ta fitoj edhe një medalje për Kosovën, pensionohem pas Lojërave Olimpike në Paris

Flonja Haxhaj

E lindur në Pejë, Nora Gjakova është një prej emrave që po bën histori në sportin e xhudos në Kosovë duke shënuar suksese të mëdha nëpër botë.

Në moshën 10-vjeçare ajo dhe vëllai i saj u bënë pjesë e klubit të xhudos, e po të njëjtit klub ku ushtrojnë edhe tani. E ai që i shtyri që të inkuadrohen në këtë sport, ishte babai i tyre, i cili më herët është marrë me sporte luftarake, përkatësisht me karate.

E për një 10-vjeçare e cila është dashur ta balancojë jetën e saj mes xhudos dhe shkollës, xhudistja Gjakova thotë se fillimi ishte i vështirë edhe duke e ditur faktin se ky sport kërkon shumë disiplinë, punë dhe përkushtim.

Nora Gjakova

“Fillimi ka qenë goxha i vështirë sepse kur kam ardhë unë, këtu ka pasë vajza që kishin fillu më heret me u marrë me xhudo, e normal që është një sport luftarak e ku është dashtë me u ndeshë me to. E dihet që askush nuk ka dëshirë me humb e sidomos kur je fëmijë, por mendoj që kjo më ka bërë më të fortë sepse gjatë gjithë kohës është deshtë me u mundu më tepër për me i mbërri ato, e në anën tjetër ka qenë edhe e vështirë me i ndjek stërvitjet sepse nuk kemi guxu asnjëherë të bëjmë mungesa. Me një mungesë, Dritoni na thoshte që s’kemi përgatitje, s’kemi gara. Domethënë qysh në fillmin ne ju kemi nënshtru një disipline 100 për qind pavarësisht pse kemi qenë fëmijë.”- thotë Gjakova.

Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova

Në vitin 2021, në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi ia siguruan Kosovës dy medalje të arta olimpike. E pavarësisht punës disa-vjeçare e triumfit në shumë gara të rëndësishme evropiane, Gjakova thotë se asnjëherë nuk e ka imagjinuar se do të marrë pjesë e do të arrijë një sukses kaq të madh në Lojërat Olimpike, duke marrë parasysh faktin që Kosova nuk ka qenë e anëtarësuar në shumë organizata sportive.

“Gjithçka ka shku me kohë, t’u fitu diçka ma të vogël e t’u kërku ma shumë. T’u e sfidu veten edhe kemi mbërri në këtë nivel.” – shton më tutje ajo.

Xhudistja Gjakova ka komentuar paraqitjen e gjithë ekipit në këto lojëra, duke e konsideruar si një paraqitje shumë të mirë, ku të gjithë përfaqësuesit e Kosovës kanë qenë pretendentë për medalje dhe kanë punuar me atë frymë duke e ndihmuar njëri-tjetrin.

“Kemi qenë të gjithë të përgatitur dhe nuk do të ishte çudi nëse secili ishim bërë kampion olimpik, kjo u tregua edhe në këto Lojëra Olimpike. Në përfundim, dy medalje të arta olimpike është diçka që ka me mbetë gjatë në histori dhe shpresoj shumë që ta rrisim këtë numër.”- shton ajo.

Ashtu sikurse kanë thënë më parë Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e sportistë të tjerë, edhe Nora Gjakova suksesin e saj ia atribuon trajnerit Driton Kuka i cili së fundi edhe është shpallur trajneri më i mirë në botë për vitin 2021 në sportin e xhudos.

Driton Kuka dhe Nora Gjakova

“Sa herë shkojmë në shtete të tjera, na e kanë lakmi për mënyrën se si ushtrojmë na, mënyrën qysh ne kemi bashkëpunim me Tonin edhe jam shumë e lumtur që edhe zyrtarisht ai është tash trajneri më i mirë në botë.” – vazhdon Gjakova.

Po ashtu, për KultPlus, Nora Gjakova ndan momentin më emocionues për të, atë kur mori medaljen e artë në Lojërat Olimpike.

”Ka qenë një moment shumë i lumtur, momenti kur jam shpallë kampione olimpike, kurse kur jam ngjitur në podium ka qenë një prej momenteve që më ka bërë të ndihem më krenare se kurrë më parë, sepse gjithmonë të kujtohen të gjitha sfidat që i ke kalu edhe gëzohesh qe ke qëndru kaq e fortë dhe ke mbërri deri këtu pavarësisht se është diçka që nganjëherë edhe frikësohesh edhe me ëndërru, por unë kam punu shumë për atë medalje dhe jam shumë e lumtur që e kam shiju atë moment.” – thotë Gjakova, e cila e konsideron ktë fitore si më të rëndësishmen në karrierën e saj.

E me synimin që të shënojë suksese si në ‘Tokio 2020’, Nora Gjakova thotë se do të vazhdojë karrierën e saj edhe për një cikël olimpik.

“Mendoj të marr pjesë edhe në Lojërat Olimpike në Paris, ndërkohë kemi me pasë edhe gara të tjera, kampionate evropiane e botërore, por qëllimi kryesor do të jenë Lojërat Olimpike në Paris. Kam dëshirë me e fitu edhe një medalje për Kosovën. Këto kanë me qenë edhe lojërat e fundit për mu.” – deklaron Gjakova për KultPlus.

Për të përmbyllur këtë vit në mënyrën më të mirë të mundshme, Federata Botërore e Xhudos, renditi Nora Gjakovën të parën në ranglistën e garuesve për vitin 2021, në kategorinë nën 57 kilogramë.

“Është një ndjenjë shumë e mirë, si e pashë lajmin u gëzova shumë sepse gjithmonë kam qenë aty e dyta apo e treta. Por e para me qenë në ranglistë është kënaqësi e madhe” – theksoi Gjakova duke shtuar se për të ky vit ka qenë i papërsëritshëm, ku i fitoi krejt ato çka një sportist mund t’i fitojë, si medalje në kampionatet evropiane, ashtu edhe të botës dhe medalje olimpike.

Ndërkaq, në pyetjen se a i inkurajojnë të tjerët e sidomos vajzat të inkuadrohen në këtë sport, Gjakova thotë se nëse ekziston vullneti për me arritë rezultat, atëherë në sportin e xhudos, dyert janë të hapura, e gjitha mbetet tek individët edhe pse sipas saj rruga është e vështirë, kërkon shumë përkushtim, sakrifica të mëdhaja, mirëpo nëse dëshiron me i arrit majat, atëherë duhet sakrificë e madhe.

E përgjatë gjithë këtij rrugëtimi, Nora Gjakova dhe xhudistet e tjera patën një mbështetje të madhe nga publiku shqiptar, i cili iu gëzua çdo arritjeje të tyre. E kjo mbështetje, Gjakova thotë se i jep më shumë vlerë suksesit, u jep motivim për të punuar më shumë e për të pasur gjithmonë paraqitje të mira./KultPlus.com

Nora Gjakova (Photo: Harry How/Getty Images)

”Unlocked: the power of you”, libri inspirues i Gëzim Gashit, një jetë prej refugjati e deri te themelimi i Institutit të Arteve në Los Angeles

Epitetin e refugjatit e kishte përjetuar qysh i vogël, i cili bashkë me familjen e tij kishin shkuar për Suedi, por ky rrugëtim për Gëzim Gashin ka shërbyer në anën e duhur të medaljes, pasi që, përvojat e tij, sukseset dhe realizimi i ëndrrave mes Suedisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë përmbledhë me një libër, libër ky që po konsiderohet si një ndër librat më të shitur në Amazon.

Ardianë Pajaziti

”Unlocked: the power of you”  është libri debutues i Gashit që është botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, libër që futet në grupin e librave inspirues. Sipas tij, edhe pse i botuar pothuajse në pjesën e fundit të vitit që po lëmë pas, doli të jetë si libri që po zgjon interesim te lexuesit.

Jeta prej refugjati, shkollimi i tij në Suedi, lëvizja e tij e më vonshme prej Suedisë drejt SHBA-ve, masterclass të ndryshëm nëpër institucione të rëndësishme, duke përfshirë edhe Harvard, udhëheqja e Fondacionit të Mbretëreshës Silvia të Suedisë, themelimi i Institutit të Inovacionit dhe Arteve, me qendër në Los Angeles, urë lidhëse mes producentëve të famshëm në nivel botërorë dhe Festivalit „Sunny Hill“ në Kosovë, janë copëza inspiruese që kanë ndikuar te Gëzim Gashi, që në një periudhë relativisht të gjatë,  ti shkruaj në letër, e krejt këto letra të rrumbullakojnë librin, libër që tashmë ka përmbushë ëndrrën e vetë Gezim Gashit.

Gëzim Gashi shprehet të jetë i befasuar me këtë sukses të madh, ku sipas tij, mbi të gjitha nuk e priste gjithë këtë sukses. „Mbi një vit e gjysmë isha i thelluar në guacën e këtij libri, deri sa e kam përfunduar“, kujton Gashi përkushtimin mbi këtë libër, por, sipas tij, gjithçka mori tjetër dimension, pas suksesit të madh në Amazon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ranguar si libri më i shitur. „Ishte një moment kaq i veçantë për mua dhe familjen time, një ditë që nuk do ta harroj kurrë“, ka thënë Gashi.

Suksesi i këtij libri të Gashit është inspirim i jetës së tij prej refugjati, ku lëvizjet e tij prej Kosovës në Suedi, më pas në SHBA, ishin shtysë që përvojën e tij jetësore ta ndajë edhe me të tjerët, me qëllim që të inspirojë dhe të ndihmojë edhe të tjerët.

„Duke qenë një refugjat nga Kosova, dhe i rritur në Suedi, e më pas edhe zhvendosja drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më bëri që këtë përvojë dhe këtë njohuri ta ndaja me gjithë të tjerët“, tregon Gëzim Gashi, i cili shpjegon më titje se libri ”Unlocked: the power of you”  është një libër për të ndihmuar vetveten, për gjetjen e qëllimeve, që sipas Gashit, kur njeriu gjen qëllimin e tij, atëherë edhe suksesi është më i madh.

Libri i referohet 12 hapave për gjetjen e çelësit për vetveten, dhe se si të nxirret potenciali më i madh, e që libri padyshim është bazuar në sukseset e mëhershme të Gëzim Gashit edhe në fusha të tjera, suksese që më pas kanë reflektuar në këtë libër.

Si themelues i Institutit të Inovacionit dhe Arteve OSC, që është i vendosur në Los Angeles, për Gëzim Gashin ishte baza kryesore në këtë libër, e që vetë Gëzimi këtë arritje e vlerëson si arritjen më të madhe të deritanishme. “U emocionova shumë kur e mësova një fakt, sepse isha shqiptaro-suedezi i parë që bëja një gjë të tillë në SHBA. Jam krenar për këtë, sepse dua ti dëshmoj brezit të ri, se kur kemi ëndrra, mund të shkojmë aq larg sa edhe duam”, ka thënë Gashi.

Libri ”Unlocked: the power of you”  është libër që nuk i dedikohet moshave, por të gjithë atyre që duan të provojnë ëndrrën e tyre, e sidomos për ata që e ndjenjë se nuk janë duke e bërë punën e duhur, sipas Gashit mund të jetë një libër orientues që mund të ndezë shkëndija të së ardhmes.

Libri i Gëzim Gashit së shpejti do të ofrohet për shitje edhe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, por fillimisht do të ofrohet në treg vetëm në gjuhën angleze. Kurse sipas autorit, ky libër pritet të vjen edhe në gjuhën shqipe, përgjatë vitit 2022.


Mbretëresha Silvia e Suedisë e ka zgjedhur Gëzim Gashin si udhëheqës të Fondacionit të saj me ShBA

Duke përfshirë jetën e Gëzim Gashit dhe familjes së tij, se si përfunduan si refugjat nga Kosova në Suedi, dhe se krejt kjo histori ka bërë që Gëzim Gashi të jetë ai që është sot, ai  tregon edhe për rolin tjetër që së fundi i është besuar, drejtimi i Fondacionit të Mbretëreshës Silvia nga Suedia, fondacion që e udhëheqë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Gashi tregon se një besim i tillë është nder për të, pasi që me punëtoritë e tij që i zhvillon me të rinjtë në SHBA, bën aktivitete të ndryshme për ti parandaluar të rinjtë nga droga dhe përfundimi i tyre në rrugë.

https://www.instagram.com/p/B9jhN84hmzf/?utm_source=ig_embed&ig_rid=1e77774a-1650-4a32-83bb-ee60b66e90fc

Gëzim Gashi ka edhe një sukses tjetër, atë të paraqitjes para studentëve të Harvard, i cili me një masterclass, ai ka folur për rrugëtimin e tij si sipërmarrës. “Ishte Erza Muqolli që është bashkëngjitë në këtë paraqitje, e cila është paraqitur me zoom. Ishte një arritje e madhe të prezantojë Erza Muqollin, si një prurje të madhe për tregun muzikor amerikan”, ka shpjeguar Gëzim Gashi, i cili ka treguar se pas këtij prezantimi në Harvard, ai është duke bashkëpunuar ngushtë me Erzën dhe babin e saj, punë që ka për synim përfshirjen e Erzës në tregun amerikan.  “Por nuk mund të them asgjë për momentin, për shkak të kontratave ligjore, por premtoj se KultPlus,  do të jetë mediumi i parë që do të ketë ekskluzivitetin e këtij bashkëpunimi”, ka thënë më tej Gashi.  


Gëzim Gashi dhe Erza Muqolli me prezantimin e tyre në Harvard

Dhe, jo vetëm Erza Muqolli po përgatitet për bashkëpunime të mëdha. Po nëpërmjet Gëzim Gashit dhe Sunny Hill Festival, festival ky i Dua Lipës në Kosovë, tashmë janë përzgjedhë disa talentë nga Kosova, që do të shkojnë për shkollim në Institutin e Inovacionit dhe Arteve në Los Angeles. “Mezi po pres që të sjellim këta talentë në Los Angeles, situata pandemike ka ndikuar që të vonohemi”, ka thënë ai, i cili për fund ka treguar se në vitin 2022 do të fokusohet te libri i tij, ku tashmë ka vazhduar takimet me lexuesit nëpërmjet turneve nëpër Amerikë, kurse ai bashkë me ekipin e tij, po planifikojnë që të vijnë edhe në Kosovë e Shqipëri./ KultPlus.com

Dirigjenti Memli Kelmendi: Ne prekëm magjinë me “World Choir Games”, por kemi edhe një ëndërr

Era Berisha

Mjeshtëria dhe karizma, këto dy elemente unike të ndërlidhura në mes vete kanë futur thellë rrënjët e tyre në dhënësin e përjetshëm të ritmit, dirigjentin Memli Kelmendi, i cili me energjinë, intensitetin e befasitë drithëruese, ka bërë shumë më tepër sesa thjesht tundjen e duarve në ajër. Pulsi i muzikës klasike frymon brenda stilit të pakrahasueshëm të tij, i cili nëpërmjet lëvizjeve koreografike që çdo herë përvijojnë rrahjet e pakontrolluara të publikut, ai ka arritur të krijoj vepra që përherë do të jetojnë në kujtesë, dekadë pas dekade. E me një përkushtim e dashuri aq të madhe ndaj punës, ai me Korin Siparantum, përfaqësoi Kosovën për herë të parë në historinë e shtetit tonë, dhe jo vetëm. Në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës, ishte pikërisht ky kor i drejtuar nga dirigjenti Kelmendi, ai i cili doli triumfues në Olimpiadën e Koreve Botërore “World Choir Games”, e që bëri krenarë një popull të tërë për një sukses që tundi nivelin e muzikës klasike në vend, me ç’rast në një intervistë ekskluzive për KultPlus ai ka rrëfyer për rrugëtimin e tij drejt kësaj ëndrre, një ëndërr që përgjatë realizimit të saj, ka ngjallur edhe ëndrra tjera, shkruan KultPlus.

Njëfarë lloj çudie mistike ende vazhdon ta rrethojë natyrën e krijimtarisë së këtij dirigjenti teksa ai qetësisht qëndron në podium. Figura e tij misterioze me vetëm një copë druri në dorë ose dhe ndonjëherë vetëm me duart e tij që herë portretizojnë flatrat e dallëndysheve që nën ritmin e veçantë njëherazi krijojnë melodi të papërshkruara e herë tjera krahët e tij që dukshëm i ngjasojnë një shqiponje, krahët e së cilës vrullshëm thyejnë ajrin me shpejtësinë e precizitetin e tyre. Njëjtë është edhe prezenca e tij në skenë që arrin të armatos prodhimin e zërit të dhjetëra e qindrave njerëzve që përdorin instrumente apo thjesht telat e zërit, për të sjell kështu një performancë artistike e krejtësisht autentike të veprave të njohura botërore e deri tek ato shqipe, përpara një publiku i cili gjithmonë kthehet në shtëpi me një përvojë që askush nuk do të mund ta harronte dot.

Audienca e cila shpeshherë është e bindur se e di saktësisht atë se çfarë do të mund të përcaktonte një dirigjent përgjatë një koncerti me një repertor të planifikuar, në rastin e dirigjentit Kelmendi, ndodh ndryshe. Pothuajse çdo herë pikasim fytyra të habitura të cilat para tyre shohin pasionin e zjarrtë në dy sy, djersët që vazhdimisht pikojnë, lëvizjet e pandalshme e pozicionin e trupit të tij si dhe gjërat e panumërta të cilat atë e vendosin në hapësirën ku ai fut tërë Korin nën një komandë, fuqia e së cilës luhatet mes nivelit të skajshëm të çmendurisë melodike e herë të tjera sjell tërbimin e qetësisë absolute të tingujve magjik.

Në anën tjetër, ajo që bie më së shumti në sy në vazhdën e performancave të tij, është stili i tij unik që gjithmonë inkuadron mënyra të veçanta të interpretimit duke sjell në jetë një partiturë muzikore e njëkohësisht duke komunikuar ndjenjat më të rafinuara që veprat përmbajnë brenda tyre, nëpërmjet një gjuhe individuale gjestesh, e cila thekson në çdo sekondë, nuancat e elementeve muzikore që vazhdimisht ripërtërihen në vetvete dhe fusin kthetrat e tyre përbrenda shpirtit të pranishëm. Ndërkohë, elementet koreografike të cilat ëmbëlsisht ndërlidhen me praninë e publikut, sjellin para publikut një skulpturë lëvizëse që skalit natën e një koncerti thellë brenda një kujtimi të paharrueshëm. E këtë veçanti të posaçme të dirigjentit, ne e marrim dhe e gdhendim në copëzat e qosheve të zemrave tona.

Ekzistenca e një dirigjenti të tillë në podium është shumë më shumë sesa vetëm prezenca e tij me shkop në dorë e veshjeje prej bishti. Detyra e pandalshme e tij vjen nga brendësia shpirtërore për të dirigjuar gjithmonë ritmin e duhur, të vendosë tempon e të vazhdojë ta kontrollojë atë dhe më pas, e jo vetëm. Përpos elementeve komponentë për një performancë të mirë, për të vënë vulë në secilën mbrëmje, dirigjenti Kelmendi shndërrohet në një metronom, prezenca e të cilit mban së bashku një Kor, si një zinxhir transparent e i pashkëputshëm mes tyre.

Ndërkohë, kemi një Kor individësh të cilët duan të ndihen plotësisht të realizuar, e ky plotësim vie pikërisht nga fokusi kolektiv i dirigjentit i cili në fakt është dëgjuesi më i mirë i rezultatit të punës së tyre. I njëjtë është edhe dirigjenti Kelmendi, i cili bënë që zëri hyjnor i pjesëtarëve në Kor të jehojë përtej mureve, aty ku ekziston prania e diçkaje më të madhe e ndoshta edhe më e madhe se vetë ne. E janë pikërisht zërat e Korit që dirigjohen saktë nga timoni i Kelmendit, e sytë e tyre që nguliten vazhdimisht tek ai, në mënyrë që tingëllima të jetë e njëjtë me atë së çfarë kërkohet. Pra, ura virtuale mes syve të tërë Korit dhe dirigjimit të Kelmendit, është ajo urë muzikore që përçon tek publiku emocionet më diversive të paramenduara ndonjëherë e që njëkohësisht shndrit tërë sallën porsi një univers, aty ku pafundësia e yjeve shndërrohet në nota muzikore që dirigjenti Kelmendi projekton para nesh.

I lindur në Pejë, pasioni për muzikën klasike ka ardhur qysh herët, me ç’rast dirigjenti Kelmendi kësaj radhe ka shpalosur pak për fëmijërinë e tij, frymëzimet e para në nisjen e karrierës së tij e për të mbërritur deri tek shpalosja e suksesit të Korit Siparantum, një sukses ky i cili si çdo nisje tjetër në jetë, fillet nuk i pati dhe aq të lehta, por që ende edhe sot zhurmshëm vazhdon rrugëtimin e tij drejt ambicieve të radhës që presin të trokiten nga ky Kor. Janë disa momente e çaste të ndryshme që dirigjenti ka vendosur ti tregoj përgjatë kësaj interviste që nisi me vendimin mbi përzgjedhjen e tij në karrierën e tij si dirigjent.

I rritur nga një baba kantautor e një familje ku muzika ishte burimi kryesor, interesimi i tij për meloditë e muzikës klasike fillimisht erdhi si një trashëgimi nga daja e tij, Refik Çakolli, por ky interesim vazhdoi të zgjohej akoma më shumë atëherë kur ai vazhdimisht ka pasur rastin ti shihte festivalet e ndryshme për fëmijë. Andaj, familja për të mbetet motivi kryesor me të cilin ai ende vazhdon ti synojë majat më të larta. Por që në fakt ishte babai, Xhevat Kelmendi, ai i cili e ka mbështetur atë më së shumti për të vazhduar interesimin për një karrierë në muzikë, duke e ndihmuar atë në çdo hap të jetës e duke qenë prezent aty me mbështetjen e tij e sakrificat e veta ndaj dirigjentit Kelmendi, i cili shprehet se për gjatë gjithë jetës do të jetë mirënjohës ndaj tij.

E kështu, kjo shtytje do të shënonte nisjen e një historie të jashtëzakonshme suksesi.

Udhëheqës i korit të shkollës së muzikës “Halti Kasapolli”, Korit të Fëmijëve “Siparantum Kids” dhe Korit “Siparantum”, me të cilin tashmë ka dëshmuar talentin e tij edhe jashtë Kosovës, dirigjenti Kelmendi posedon edhe një opus të gjerë e të pasur të kompozimeve të shumta të veprave të cilat janë luajtur para publikut në vende të ndryshme të botës. Por, duke qenë dirigjent i përhershëm i korit “Siparantum”, ai arriti suksesin e ëndërruar prej vitesh, e që i njëjti tani synon të arrijë edhe përtej kësaj, për të vazhduar ëndrrat e tjera të radhës.

Para së gjithash, ishin sfidat e ndryshme të cilat ndonjëherë shndërrohen në pengesa të mëdha që këto suksese të mos gjejnë vend në karrierën e një dirigjenti, me ç’rast disa prej tyre u konsideruan normale e disa prej tyre edhe banale. Por, sigurisht që gjatë procesit të punës për një rrugëtim kaq të gjatë e unik, janë pikërisht këto sfida e pengesa që do duhej të ndodhnin, në mënyrë që ai të forcohej edhe më shumë e ti bënte ballë gjithçkaje që potencialisht do të mund ta fuste kokën brenda rrugëtimit të tij artistik e plotësisht të veçantë.

“Kam shumë vepra të veçanta me të cilat ndjej një lidhje të fortë e prej të cilave sot ndihem shumë i lumtur. Jam krenar që kemi arritur të formojmë një Kor që tashmë ka marrë rrugëtimin botëror. Konsideroj që kjo është njëra prej veprave më të bukura që kam bërë deri më tani. Me këtë ne do t‘lëmi gjurmë ta pashlyeshme në muzikën tonë. Ka qenë dhe mbetet misioni im që rininë tonë, vullnetin dhe energjinë që kemi, ta shfrytëzojmë për të promovuar kulturën tonë në botë. Jemi në një rrugë të drejtë”, thekson ai.

Ndërsa, kur flasim për një përzgjedhje të një repertori perfekt për koncertin e tij, atëherë është pikërisht eksperimentalizmi, ai elementi që është konsideruar i domosdoshëm në çdo moment. Me një repertor asnjëherë të përsëritur në asnjë koncert, monotonia nuk ka pasur rastin që të futet përbrenda magjisë së vijës melodike në koncertet e dirigjentit Kelmendi, koncerte këto që ngërthejnë në vete një laramani stilesh, duke e bërë të veçantë punën e tij. Kurse, varësisht nga vendi, të pranishmit dhe rrethanave tjera, ai vendos vetë programin e koncertit por në një mënyrë të tillë që asnjëherë ai të mos tentojë të iu përshtatet rrethanave të tilla.

Është ëndrra e çdo dirigjenti që të prek vendet performuese më të mahnitshme në botë, e së bashku me prekjen, të përjetojë përhumbjen në këto vende magjike ku sytë e njeriut nuk do mund të kapnin të gjitha detajet e mundshme që krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme për të pranishmit që adhurojnë muzikën klasike. Por, se cili është vendi i preferuar ku ai ëndërron të performojë, e tregon vetë Kelmendi.

“Ne kemi prekur deri më tani njërën prej vendeve më të mëdha në botë, “World Choir Games”, për arsye se ëndrrat realizohen me punë. Por, në fakt, po, është edhe një vend të cilin ne e kemi ëndërr ta prekim, e që kjo do të ndodhë së shpejti”, shpalos Kelmendi.

Sipas tij, muzika dhe audienca, janë ato dy elementet me të cilat ai kryesisht punon. Qëndrimi indiferent ndaj artit që ai e krijon, asnjëherë nuk ndodh. Pra, nëse vepra është ‘atraktive’, ai nuk mund të qëndroj ‘statik’, por thjesht duhet që ai të inkuadrohet përbrenda muzikës që ai e krijon në ato momente.

“Dua që audienca të jetë sa më afër skenës dhe jo më larg saj. Jam dirigjent që ndërtoj stilin tim, prandaj unë inkuadrohem brenda lëvizjeve koreografike. Pra, luftoj të kem stilin tim”, thotë ai.

Për Kelmendin, të qënurit dirigjent i pavarur në Kosovë është jashtëzakonisht e vështirë për arsye se ky vend nuk jap mundësi, prandaj edhe pas studimeve të tij ai kishte vendosur mes dy zgjedhjeve; të ndenjurit në shtëpi e gëzimit se ai është një dirigjent i diplomuar apo të vazhdonte punën e tij e mendimin e tij të pavarur.

“Kjo është sfidë, prandaj e sfidova vetën time, zgjodha opsionin e dytë. Jam shumë i lumtur që puna ime vlerësohet kudo, pak ka rëndësi sa vlerësohemi këtu. Thjesht unë po e përmbushi misionin për të cilin jam betuar si artist – promovimi i të rinjve, muzikës, kompozitorëve dhe kulturës sonë në botë. Këtë edhe e kemi dëshmuar. Por, përgjatë këtij rrugëtimi tim, ndoshta disa prej punëve që sot i bëj, është dashur ti bëj më herët. Mund të jem edhe në gabim sepse faktori kohë ndikon shumë, ndoshta këto kanë funksionuar më shumë në këtë kohë tani. Për këtë rrugëtim nuk kam qenë edhe shumë i informuar, nuk kam pasur këshilla që dikush të më orientonte për punën që bëj sot. Prandaj, duke u nisur nga ky fakt unë shpesh hapi tema me studentët dhe nxënësit në lidhje më këtë sepse mendoj që kjo gjuhë do të ishte shumë e nevojshme edhe për mua kur unë isha student i tillë”, thotë Kelmendi.

Në mesin e rrëfimit, ai tregon se varësisht nga vepra, stili dhe përmbajtja e veprës, ai posedon një dëshirë të madhe që artistët të shohin një vepër “sikur një film”. Ekzistojnë shumë raste kur ai një vepër e ka trajtuar në atë mënyrë, e kjo vjen edhe si pasojë nga puna të cilën ai e bënë me filmin dhe teatrin, me ç’rast domosdo ka ndikuar që të kuptohet më shumë rëndësia e muzikës. Ai tutje konsideroi se secila vepër ka dhe karakterin e saj, prandaj ai dëshiron që të jetë brenda karaktereve të ndryshme, e që sipas tij, kjo është vlerësuar kudo që Kori ka qenë pjesë e festivaleve të ndryshme në botë.

“Disa nga muzikantët/kompozitorët e mi të preferuar janë: Arvo Pärt, Henryk Górecki, Dmitri Shostakovich, Eric Whitacre, Gustav Mahler e shumë të tjerë. Gjithashtu, është e vërtetë që ka shumë vepra të bukura në botë dhe është shumë e vështirë të zgjedhësh njërën prej tyre dhe të thuash se “kjo është më e mira”. Unë hulumtoj shumë në këtë aspekt, andaj dhe programet për koncerte i punoj pothuajse dy vite përpara. Nëse gjatë hulumtimit gjej një vepër të bukur, nuk ia lë kohës, atë e vendosi në repertorin tim menjëherë”, tregon Kelmendi.

Tutje, kur flasim për përkufizimin e tij rreth suksesit, ai konsideron se: puna, puna dhe vetëm puna, dërgon tek ky sukses i deritanishëm.

Duke pasur parasysh suksesin e Korit Siparantum, i cili morri pjesë në ngjarjen më të madhe korale në botë, në Olimpiadën e Koreve Botërore “World Choir Games”, ku në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës, ishte pikërisht Kori i drejtuar nga dirigjenti Kelmendi, ai i cili doli triumfues në vendin e parë, me ç’rast vetë ai shpalos fillimisht fillet e para të themelimit të këtij Kori në Pejë.

“Unë doja që të krijoja në kor më ndryshe, krejtësisht ndryshe. Në fillim jam ballafaquar nga komentet më të ndryshme; pozitive si dhe ato negative. Unë doja të krijoja një rrugëtim krejtësisht tjetër, një gjuhë tjetër të artit përmes tingullit. Ne jemi të gjithë vullnetarë, funksionojmë në baza vullnetare me një qëllim të vetëm – promovimin e artistëve dhe të kulturës në botë. Korin e kemi formuar në Pejë por sot në ‘Siparantum’ janë anëtarë që vijnë pothuajse nga e gjithë Kosova. Ka qenë dhe është një rrugëtim i vështirë por vullneti është ajo që na mban për të vazhduar këtë rrugëtim. Energjia që kemi brenda nesh është e jashtëzakonshme. Ne funksionojmë sikur një familje e madhe. Kemi qenë pjesë e shumë festivaleve të ndryshme në: Gjermani, Francë, Belgjikë, Itali, Kroaci, Maqedoni Veriore, Shqipëri dhe Kosovë. Jemi pjesë e dy publikimeve, CD-ve ndërkombëtare dhe shumë bashkëpunimeve të ndryshme me dirigjentë dhe kompozitorë të cilët janë të njohur sot në botë. Deri më sot kemi realizuar më shumë se 100 vepra korale dhe kemi mbi 90 paraqitje me korin, 30 prej tyre janë ndërkombëtare (ndonëse vetëm 4 vite themelim)”, tregon Kelmendi.

Kurse, kur u pyet se si është pritur fitorja e çmimit të fundit në “Lojërat Botërore të Korit”, dhe se sa ekziston mundësia që kjo fitore të hapë rrugë drejt sukseseve për koret e tjera në Kosovë, dirigjenti Kelmendi tregon se ka shumë përvoja të paharrueshme në një koncert, por që momentet më emocionale do të ishin çastet e pakrahasueshme ku Kosova u përfaqësua me Korin Siparantum për herë të parë në historinë e shtetit tonë në sallën më të njohur në Antwerp, ‘Queen Elisabeth Hall’, e cila ndryshe njihet si shtëpia e Filharmonisë Fllamane.

“Pjesëmarrja e korit në Olimpiadën e Koreve Botërore “Wolrd Choir Games” është një histori në vete për muzikën tone korale në vend. Ky sukses erdhi pasi që unë jam tash e tre vite anëtar në ‘World Choir Council’ dhe për të qenë pjesë e “World Choir Games” ne është dashur t’i plotësojmë disa kushte. Fatkeqësisht ne nuk mundëm të plotësonim asnjë kusht përpos pikës së fundit; që unë isha anëtari i këshillit të koreve botërore, ‘World Choir Council’. Por, ne aplikuam dhe pasi që u përzgjodhëm, ne aplikuam me fazën e dytë, pra me programin me të cilin do të paraqitemi (nga këshilli artistik). Kështu u bëmë pjesë e ngjarjes më të madhe korale në botë, ‘World Choir Games 2021’. Të jesh në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës dhe në fund të dalësh triumfues, është sukses. Ne këtë e deshëm dhe e morëm. Kur jemi të bashkuar, jemi pjesë e suksesit, kjo është dëshmi suksesi. Ne prezantuam muzikën tone korale, paraqitëm kulturën dhe rininë tonë në mënyrën më të mirë dhe sigurisht që kjo do të jetë shumë më e lehtë për koret tona në vend. Pjesëmarrja në ‘World Choir Games’ hapi një kapitull të ri për muzikën tonë profesionale. Momenti më emocional erdhi kur puna jonë u vlerësua, ne morëm vendin e parë, pra fitues të kategorisë “Musica Contemporanea” në ‘Open Competition’. Kështu ne morëm dy të arta. Sot dhe përherë ky do t’mbetet njëri prej momenteve më të veçanta të jetës time”, shpalos Kelmendi.

Kështu, krejt në fund duke pasur parasysh kushtet në aspektin e muzikës klasike në Kosovë, ai tregon edhe disa ndryshime drastike që do të duhej të ndodhnin menjëherë, ku sipas tij, më së shumti ekziston nevoja që të kemi më shumë kuadro të reja në shkollat e muzikës, përkushtim më të madh në edukimin e brezave të rinj si dhe orkestra e kore në çdo qytet të Kosovës.

“Kjo është shumë e nevojshme për rrugëtimin tonë të përbashkët kulturor. Ne duhet të fillojmë nga shkolla e ulët e muzikës sepse edukimi fillon këtu dhe “nuk duhet të fillojmë nga e kundërta”. E di, jemi shtet i ri dhe jemi pjesë e zhvillimit dhe tranzicionit, por duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në edukimin e brezave të rinj. Mendoj që duhet të punojmë më shumë si shoqëri”, tregon tutje Kelmendi.

Ndërkohë, krejt në fund të intervistës, nëse do të ekzistonte vetëm një mesazh që të pasionuarit pas muzikës klasike duhej ta dëgjonin, atëherë sipas dirigjentit Kelmendi, ajo mendohet të jetë: Punë, vullnet, energji, sakrificë dhe përkushtim. Suksesi vie vet. / KultPlus.com

Ish-basketbollisti Ferit Zekolli: Natën e 28 nëntorit më 1977, e festuam në heshtje deri në mëngjes kur të gjithë menduan se po festonim fitoren e lojës në Beograd

Era Berisha

I krahasuar me gjermanin Dirk Nowitzki, preciziteti, energjia e pakrahasueshme dhe shtatgjatësia e legjendës së basketbollit të Kosovës, Ferit Zekolli, ka bërë që emri i tij të vuloset jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe përtej saj. Ish qendra dominuese e disa skuadrave kosovare e kroate, me përvojën e tij të madhe si basketbollist, kulmi i karrierës së tij ishte viti 1977/78, duke qenë anëtar i kampionit të pesëfishtë, KB “Zara”, e njëkohësisht duke shënuar kështu një rrugëtim i cili ngërtheu në vete jo vetëm krahasime të nivelit botëror por edhe sfida, çmime, kritika e lëvdata nga më të ndryshmet. I konsideruar si kosh-shënuesi më i mirë, Zekolli me një teknikë të rrallë e një ëndërr të nisur vonë, ai arriti të kapte majat më të larta të mundshme, me ç’rast për këtë rrugëtim tejet të veçantë të kësaj figure të shquar të sportit kosovar, që papritmas u ndërpre për shkak të një lëndimi në këmbë, do ta keni rastin ta lexoni në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus.

KultPlus: A mund të na tregoni se kush ose çfarë ju frymëzoi për të ndjekur një karrierë si basketbollist?

Ferit Zekolli: Në fakt, krejt rastësisht e kam vërejtur që kisha qenë i lindur për basketboll, pa marrë parasysh që me vonesë kam filluar por i kam arritur majat e botës në basketboll, andaj edhe sot jam më se i kënaqur.

KultPlus: Çfarë ju lidh juve personalisht më së shumti me këtë sport?

Ferit Zekolli: Po personalisht ajo se çka më lidh më së shumti është se kam pasur fatin të jem i vetmi shqiptar në botë i cili ka luajtur në ligën më të fortë e të rëndësishme në atë kohë. Pra, në një ekip i cili ishte i ish-Jugosllavisë dhe luante në ligën më të fortë në botë, duke përjashtuar ‘NBA’, për arsye se sot ka ndryshuar edhe Evropa, Azia, Afrika, duke i marrë lojtarët nga vende të ndryshme. Kurse, në kohën tonë ka pasur vetëm lojtarë vendorë e prej shqiptarëve i vetmi unë kam qenë që kam luajtur në atë ligën e parë për klubin më të fortë e më të organizuar atëbotë, që quhej Zara, një ekip i cili ishte pesë herë kampion i atij shteti dhe shtatë herë ishte fitues i kupës së shtetit.

KultPlus: Kush ka qenë një nga ndikimet më të rëndësishme në jetën dhe karrierën tuaj në sport?

Ferit Zekolli: Kur kam filluar ta përcjell shumë vonë lojën në basket, një ndër ndikimet më të rëndësishme ka qenë i ndjeri Krešimir Ćosić, i cili në atë kohë ishte qendra më e mirë në botë, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Kështu që, unë pata fatin që të ushtroja edhe me të mjaft shumë, pasi që atë vit, ai e pati ndërprerë rrugëtimin me klubin e Zarës në vitin 1977, duke kaluar në Lubjanë. Por, rreth tre apo katër ditë, ai qëndronte në Zarë dhe ushtronte me neve, ndërsa unë dy herë në ditë, ushtroja me të. E ai me të vërtetë ishte një fenomen i papërshkrueshëm.

KultPlus: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha të karrierës suaj deri më tani?

Ferit Zekolli: Sikurse çdo sportist, sfidat janë gjithmonë aty për arsye se ti pretendon për tu bërë një lojtar profesional. Unë i kam pasur sfidat e mia gjithmonë në kokën time por çdo herë kam ëndërruar me i arrit majat e atij sporti me të cilën merrem. Kurse, sot jam më se i lumtur e i kënaqur që i kam arritur, sepse thjesht në një ligë më të fortën në botë, unë isha pjesëmarrës, si dhe një ndër realizuesit më të mirë në Evropë. Është kënaqësi dhe mburrje, jo vetëm për veten por dhe për të gjithë popullin anembanë. Por, ndodhitë në ish-Jugosllavi bënë që ne të ngecim mbrapa si Kosovë.

KultPlus: Nga të gjitha fitoret e mundshme në karrierën e juaj, cilën do e veçonit dhe pse?

Ferit Zekolli: Sigurisht, ka shumë fitore të cilat do të doja ti veçoja por ndoshta do veçoja njërën. Fitoren e parë në vitin 1973/74, në reputacionet e ish Jugosllavisë të Republikave dhe krahinave, ka qenë ai turneu ‘Bashkim-Vllaznim’. Kështu që, i pari turne na pati rënë me luajt në Bosnje, gjegjësisht në Sarajevë. Lojën e parë e luajtëm me Malin e Zi, andaj do e veçoja për arsye se aty unë u shpalla lojtari më i mirë i ndeshjes dhe isha realizatori më i mirë, duke thyer rekordin e pikëve të shënuara nga ana ime. Në total ishin 76 pikë midis palestrës ‘Skënderi’ të Sarajevës.

KultPlus: Cilat janë parimet kryesore në mësimin e këtij sporti?

Ferit Zekolli: Sikurse edhe në çdo sport tjetër, parimet kryesore janë disa. Duhet stërvitur shumë, duhet dëgjuar shumë, duhet të iu përmbahesh rregullave të sportit, të kesh jetë sportive. E unë i kam pasur këto të gjitha, por basketbolli në njëfarë mënyre është rast më specifik sepse është një lojë me të cilën arrihet kulminacioni, vetëm atëherë kur ke precizitet dhe je i zgjuar në fushë. Andaj, të gjitha kishin zënë vend në karrierën time sportive, gjë që është një rast i rrallë tek njerëzit e gjatë që të posedojnë këtë precizitet sepse zakonisht lojtarët në basketboll janë më preciz, ndërsa unë si qendër isha qendra më precize me një mesatare me mbi 40 pikë për ndeshje.

KultPlus: Cili lloj i teknikës në basket është i preferuari juaj?

Ferit Zekolli: Në atë kohë ka qenë një teknikë e titulluar ‘Horog’, të cilën e kam përdorur mjaft shumë. Për të shënuar nga krahu, kthehesh me krah të majtë nga koshi dhe me dorë të djathtë gjuan ose dhe anasjelltas. Unë me të dy duart kam qenë shumë preciz dhe jo vetëm nga afërsia por edhe nga distanca. Në bazë të rregullave të lojës, në kohën time nuk kanë ekzistuar këto treshet sikurse janë sot, me ç’rast nëse do të ekzistonte, atëherë unë minimum do ti kisha dhënë gjithmonë përmbi dhjetë treshe në lojë. Dhe atë vetëm se do t’ia kisha munguar dy ose tre, maksimumi. Por, kjo arrihet vetëm me punë për arsye se talenti nuk zë vend as edhe 5 përqind. Unë gjithmonë parim e kam pasur punën dhe qasjen nga ajo pika vështruese, duke pretenduar gjithmonë kah profesionalizmi. Është me të vërtetë një sfidë e madhe. Nëse e ke pikën vështruese dhe e ke të caktuar qëllimin përbrenda, atëherë do të arrish deri ku synon por nëse shikon gjithmonë poshtë, atëherë aty do të ngelesh. Unë gjithmonë kam pretenduar lartë dhe aty kam arritur.

KultPlus: A keni një vend të preferuar të një salle basketi, të cilën ëndërroni ta prekni përsëri?

Ferit Zekolli: Unë sallën e basketit të cilën e kam dashur më së shumti, veçse e kam prekur. Por ajo nuk është thuajse sallë e madhe. Me një kapacitet prej 400 ulëse, sot ende vepron salla e Fakultetit të Edukatës Fizike këtu. Gjatë karrierës time, unë përparimin më të madh dhe zhvillimin tim si basketbollist, e kam arritur pikërisht në atë sallë, të cilën kisha mundësi ta përdorja sa herë të kisha dëshirë, falë mbështetjes së profesorëve të mi. Më kujtohet, duke qenë edhe shoqëri e pandashme, kemi qenë si të ri e kemi pasur dëshirë të shkojmë nëpër vende ku muzika ishte e lëshuar deri në fund, së bashku me ish futbollistët dhe boksierët e tjerë, ku deri në ora dymbëdhjetë apo një të natës, qëndronim nëpër lokale me muzikë live. Pas muzikës, gjithmonë me dy studentë, shkonim pikërisht në sallën e Fakultetit, për të ushtruar dy orë, maksimumi. E në shumicën e rasteve, ne kemi pritur edhe mëngjesin së bashku në sallë.

KultPlus: Cilat ishin ato karakteristika që ju bënë juve më të veçantë në stilin tuaj?

Ferit Zekolli: Unë kam luajtur me shpinë kah koshi dhe kam shkuar jo një hap mbrapa, por dy. Kështu që, ka qenë e pamundur dhe e paarritshme që dikush të më bllokojë. Natyrisht, vetëm nëse do të ishte personi tre metra i gjatë për të më bllokuar mua. Menjëherë duke u larguar nga kundërshtari, gjithmonë kam gjuajtur afër vijës fundore të fushës. E kjo arrihet vetëm me përvojë e ushtrime të mëdha përgjatë rrugëtimit. Ndërsa, e mbaj mend se për mua më së lehti ishte që unë vetëm të gjuaja.

KultPlus: A mund të na tregoni momentin më të paharrueshëm për ju si basketbollist?

Ferit Zekolli: Momenti më i paharrueshëm për mua vazhdon të mbetet ai në vitin 1977 më 28 nëntor me ekipin e Zarës. Ishim në ligën e parë të ish-Jugosllavisë, mysafir në Beograd me Radničkin, ku luanim në kampionat. Radnički kishte qenë një vit më parë kampion i ish-Jugosllavisë. Gjithmonë para ndeshjes, është një ndjenjë që e dimë kur shkojmë për të fituar apo humbur me pesë deri në dhjetë pikë. Ne kishim shkuar të humbnim me dhjetë pikë për arsye se atë vit ‘Zara’ ka qenë e hendikepuar për faktin se Josip Gjergja, lojtari më i mirë në Evropë dhe Ćosić, qendra më e mirë, patën lëshuar klubin e Zarës. Gjergja u bë trajner kurse Ćosić shkoi në ekipin e Lubjanës. Andaj, ne shkuam atje por në fakt jo që humbëm por fituam, dhe atë diku rreth trembëdhjetë pikë diferencë. E ishte 28 nëntor, unë dhe Gjergja e dinim se është festë mbarëkombëtare e shqiptarëve por atëherë festohej në heshtje. Kështu që, të gjithë mendonin se po festonim fitoren e lojës por ne e kemi pasur edhe një shkak më të rëndësishëm se fitorja. Ne festuam deri në mëngjes, dikur rreth orës gjashtë, atëherë kur edhe ishte vija ajrore në Beograd-Zarë. Në kujtesën time, kjo lojë përgjithmonë do të mbetet më e paharrueshmja.

KultPlus: Cili do të ishte përkufizimi juaj për suksesin?

Ferit Zekolli: Së pari vullneti, dashuria për sportin, punën dhe dëshira për të dëgjuar atë se çfarë thuhet. Plus, edhe jeta sportive. Fatkeqësisht, unë pata një lëndim ku theva këmbën e majtë, gjë që më ka ndikuar në karrierën time. Por, jam tejet i kënaqur me arritjet të cilat i kam pasur në karrierën time.

KultPlus: Cila ishte pjesa më sfiduese e të qënurit basketbollist? Dhe aspekti më përmbushës?

Ferit Zekolli: Pjesa më sfiduese ka qenë gjithmonë përgatitjet të cilat ne rregullisht i kemi pasur dy deri në tre përgatitje në vit. I ndjeri, Bardhyl Nushi, ka qenë një trajner shumë i mirë dhe profesor i cili gjithmonë na ka munduar për hir tonin, në mënyrë që ne të kaliteshim sa më tepër. Për mua, edhe më e vështirë, ka qenë ai ‘footing’ i mëngjesit kur duhej të ndodhnin vrapimet. E ato vrapime pa top, në të thatë, gjithmonë ishin të mërzitshme. Por, nëse do të më kishte dhuruar tre topa, vetëm do të udhëheqja pa ndalur e do të shënoja kosha sa më shumë. Por, pa këto ushtrime, nuk do të mund të kisha qëndrueshmërinë e shpejtësinë e nevojshme. Ndërsa, aspekti më përmbushës ka qenë se tani jam kthyer në një fytyrë e njohur për arsye se kam lënë gjurmë pozitive kudo që kam shkuar, si në Kosovë ashtu edhe në Evropë.

KultPlus: Nëse do të ishte vetëm një teknikë që do t’ia mësonit basketbollistëve të rinj për pjesën tjetër të jetës, cila do të ishte ajo?

Ferit Zekolli: Teknika ime e vetmja që do ta sugjeroja sot do të ishte: shot, driblim, shot. Për arsye se vrapimet janë tashmë të detyrueshme e çdo lojtar i çdo kalibri mund ti bëjë ato, por duhet të tentosh të shënosh sa më shumë. Ai i cili shënon sa më shumë dhe harxhon topa më së paku, ai është më i miri. P.sh shohim ‘NBA’ dhe lojtarët më të mirë atje janë: Michael Jordan, i ndjeri Kobe Bryant, LeBron James, Stephen Curry. Të gjithë janë më të mirët sepse shënojnë më së tepërmi pikë. Andaj, kryesorja është që të jesh sa më i përgatitur për sa i përket gjuajtjeve në çdo pozicion.

KultPlus: Cilët ishin basketbollistët e juaj të preferuar kur ju filluat të mësoni për basketin?

Ferit Zekolli: Basketbollisti më i preferuar i imi, gjithmonë do të mbetet, i ndjeri Krešimir Ćosić. E kam dashur shumë dhe po njëjtë edhe e kam adhuruar. Ka qenë shumë lojtar më i mirë se unë. Atëherë, lojën e parë kur e kemi filluar në ‘Zarë’, mua trajneri im më thoshte se pata një lojë të zbehtë, kur njëri nga ekipi i Zarës, i përgjigjet: ‘Qysh lojë të zbehtë? Sillma proçesin’. Kur në proçes shkruante se 33 kosha i kisha shënuar vetëm unë, e ai i njëjti vazhdonte i befasuar: ’33 kosha ndaj Ćosić? Më të mirit në botë?’.

KultPlus: Nëse do të ktheheshit në kohë, çfarë do të ndryshonit nga rrugëtimi juaj?

Ferit Zekolli: Të vetmin ndryshim do ta bëja ndoshta në lidhje me fillimin tim në sportin e basketit. Pra, do të nisja jo në moshën njëzet vjeçare por në moshën 10 vjeçare. Sigurisht me punën e vullnetin tim, ndoshta edhe do të arrija ende më larg në Evropë.

KultPlus: Duke pasur parasysh kushtet në aspektin e sportit në Kosovë, cilat do të ishin disa ndryshime kyçe që do të duhej të ndodhnin menjëherë?

Ferit Zekolli: Disa ndryshime do të duhej të ndodhnin menjëherë në udhëheqjen e federatave dhe klubeve. Duhet që njerëz kompetentë ta marrin e të udhëheqin sportin e basketbollit. Basketbolli është një lloj shkence. Nuk mundet çdokush, as ta luaj e as ta udhëheqë. Andaj, ka mjaft trajnerë të cilët do të mund të kontribuonin por në fakt janë të anashkaluar, jo vetëm ata por edhe ish lojtarët. Sot akoma nuk është asnjë shqiptar nga Kosova që është shitur diku. Në atë kohë, unë shumë shtrenjtë jam shitur, duke qenë kështu lojtari më i paguar në krejt ligën e ish-Jugosllavisë. Tani, është shumë problem të kemi një lojtar të kalibrit 2.10.

KultPlus: A mund të na tregoni ndjesitë që kanë për ju, sukseset e juaja përgjatë viteve?

Ferit Zekolli: Aso lige si në atë kohë, më nuk ekziston. Nuk janë kushtet. Sot, për fat të keq, aso ndjesish asnjëherë nuk mund ti ketë asnjë shqiptar basketbollist. Por, unë jam shumë optimist që do të vijë edhe ajo kohë e ai moment që të përjetohet ndjenja e të qënurit një lojtar i kalibrit evropian e botëror.

KultPlus: A mendoni se një punë e kryer me pasion e vullnet, është shumë më e vlefshme se sa një punë e kryer pa ato ndjenja?

Ferit Zekolli: Gjithsesi. Ajo nuk do diskutim. Gjithmonë duhet t’ia shtrosh vetit, ato konditat me të cilat duhet të jesh gati të përballesh për të arritur majat më të larta. E nëse arrin të mbërrish, atëherë ti veçse i ke kaluar të gjitha barrierat e mundshme.

KultPlus: Për fund, cili do të ishte mesazhi juaj për basketbollistët që dëshirojnë të ndjekin këtë rrugëtim të njëjtë?

Ferit Zekolli: Në fillim kanë për të menduar se është e paarritshme por unë ju premtoj atyre se do të arrijnë atje lart vetëm me punë, përkushtim, dëgjim, jetë sportive dhe disa komponentë tjera. / KultPlus.com

Filmi në rolin e ambasadorit, regjisori Zgjim Terziqi: Viteve të fundit të gjithë kanë dëgjuar për Kosovën dhe kinematografinë e saj

Uranik Emini

Edhe pse i ri në moshë, sukseset e shënuara nga regjisori kosovar, Zgjim Terziqi, flasin shumë për karrierën e tij. Duke debutuar fillimsht me filma të metrazhit të shkurtër, Terziqi ishte gati profesionalisht sa për të realizuar edhe një film të metrazhit të gjatë siç është ai “2000: A post-war Odyssey”, shkruan KultPlus.

Vështirësitë që janë paraqitur dhe që pritet të paraqiten në inçizimet e këtij filmi, regjisori Terziqi i ndanë në një intervistë ekskluzive për KultPlus, duke shpalosur detaje të ndryshme nga jeta e tij profesionale.

KultPlus: Realisht dy vitet e fundit kanë qenë të suksesshme, jo vetëm për kinematografinë e Kosovës, por sidomos për juve. Sa është e vështirë puna e një regjisori në Kosovë?

Zgjim Terziqi: Për fushën e filmbërjes unë jam shumë i ri dhe çfarëdo suksesi që mund të kem pasur që nga 2017 ka vetëm hapësirë për rritje. Gjithçka është e vështirë kur mundësia për ta kryer atë proces është shumë e limituar. Në sport duhet të ushtrosh çdo ditë për të krijuar aftësitë për sukses, njëjtë vlen edhe për filmin, duhet të krijoni sa më shumë për të rafinuar aftësitë e juaja. Mirëpo, duke pasur parasysh se filmbërja është proces që kërkon buxhet dhe ekip, bëhet e ndërlikuar në Kosovë për t’u bërë rregullisht,

KultPlus: Filmi juaj “2000: A post-war Odyssey” ka arritur që të marr çmime akoma pa u publikuar, pa u realizuar plotësisht? A mund ta shpjegoni shkurtimisht?

Zgjim Terziqi:“2000: A post-war Odyssey” është subvencionuar vitin e kaluar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për prodhimpor për momentin jemi duke kompletuar buxhetin me co-produksione në shtetet bashkëprodhuese që i kemi: Francën dhe Turqinë. Çmimet që i kemi marrë kanë qenë për skenarin, projektin dhe prezantimin në tërësi të projektit.

KultPlus: Cila po mendon se do të jetë sfida kryesore në realizimin e këtij filmi?

Zgjim Terziqi: Rrëfimi zhvillohet në vitin 2000, pak muaj pas luftës dhe është një “road movie”, pra, nuk do të jetë e lehtë që të ndryshojmë gjithçka përreth që të duket si fillim i mileniumit në Kosovë, mirëpo kur e kompletojmë buxhetin dhe ekipin, beosj se do minimizohet edhe kjo sfidë.

KultPlus: Në Kosovë, ka aktorë të jashtëzakonshëm, por sa është e vështirë zgjedhja e një “cast-u” të suksesshëm?

Nuk është e vështirë. Lehtësimi i procesit të punës me aktorë behet gjatë përzgjedhjes. Kur e bëni një “castin” të përshtatshëm, gjithçka është më e lehtë në set.

KultPlus Keni qenë pjesëmarrës në festivale të ndryshme këtë vit, si është kjo eksperiencë. A mund të llogaritet filmi edhe si një lloj “ambasadori” i shtetit të Kosovës?

Zgjim Terziqi: Këtë vit kemi marrë pjesë në disa festivale fizikisht, ndërsa në disa edhe online me filma të shkurtër. Kisha mall të udhëtoja në një festival, pasi kishte gati 2 vjet që nuk merrja pjesë në Berlinale. Vitet e fundit, në çdo festival filmi që shkon, kupton se të gjithë së paku kanë dëgjuar për Kosovën dhe kinematografinë e saj.

KultPlus: Dua të ndani me gjithë publikun se ku frymëzohesh më shumë? Si e gjen frymëzimin një regjisor? Gjithashtu, cili/a është regjisori/ja juaj e preferuar?

Zgjim Terziqi: Në pjesën e parë të pyetjes nuk kam përgjigje. Nëse kisha pas përgjigje, kish me qenë e lehtë me u frymëzu, do të shkoja gjithmonë aty për të marrë frymëzim, mirëpo kreativiteti është shumë më kompleks sesa një vend, send, apo edhe koncept metafizik.

Regjisor të preferuar kam shumë, por ndoshta do t’i veçoja disa influencë ndër vite, si: R.W Fassbinder, John Cassavetes, Robert Bresson, Fritz Lang dhe Jean-Pierre Melville.

KultPlus: Cila ka qenë eksperienca më e mirë që e keni përjetuar në punën tuaj?

Zgjim Terziqi: Eksperienca më e mirë është kur je në kinema dhe dallon që publiku qesh, qan, frikësohet ose shpreh çfarëdo emocione që ti ke pas në qëllim që ata ta ndjenjë përmes filmit. Fatkeqësisht këtë e shoh shumë pak për arsye që pas premierës nuk qëndroj më në sallë kur shfaqet filmi im. Nuk mund t’i përballoj emocionalisht reprizat e filmit tim.

KultPlus: Si pyetje të fundit po konsideroj pjesën ndoshta klishe, por patjetër më duhet si informacion. Cila është ëndrra juaj më e madhe në pjesën profesionale të punës?

Zgjim Terziqi: Ëndrrat le të mbesin ëndrra, ashtu si të paarritshme janë më interesant, më magjike është ndjekja e tyre. / KultPlus.com

Berlinale Talents Project - 2000: A post-war odyssey | Berlinale Talents
2000: A post-war Odyssey' nga Zgjim Terziqi, pjesë e Festivalit  Ndërkombëtar të Filmit në Selanik

‘Arushi’ i cili e ndihmoi të shkruajë histori, Arona Zyberi ëndërron dyert e mëdha të botës së kinematografisë

Uranik Emini

Të realizoni ëndrrën e juaj të madhe duke qenë vetëm një fëmijë i vogël është diçka e jashtëzakonshme, e këtë fat dhe arritje të madhe ka realizuar vajza e vogël me emrin Arona Zyberi, e cila u bë shumë e dashur për publikun në ekspeditën e saj në Itali me kastën e aktorëve të filmit “Vera Andrron Detin”, shkruan KultPlus.

Aktorja më e re në moshë në këtë film, tregon në një intervistë për KultPlus se fillimisht ka qenë pjesë e një projekti së bashku me Teuta Krasniqin, e nga aty ka dëgjuar që po kërkohet një fëmijë i vogël për të luajtur në një film me regji të Kaltrina Krasniqit.

“Mami kishte dëgjuar për audiconin dhe më ka njoftuar mua, e më pas edhe kemi vazhduar aty”, thotë Zyberi.

Kur ishte në moshën shtatë-vjeçare, Arona filloi aventurën e saj për të qenë pjesë e një filmi të madh dhe kësisoj aplikoi e u pranua të bëhej pjesë e kastës së këtij projekti.

Arona Zyberi, the girl who stepped on the red carpet of Vencia

“Fillimisht regjisorja më ka pyet që ta bind mamin me ma ble një arush, e unë i kam thënë që nuk e kam arushin e bardhë dhe duhet me ma ble një të tillë”.

Ka mjaftuar pjesa e një arushi që Arona të jetë pjesë e një filmi me suksese ndërkombëtare tanimë, “Vera Andrron Detin”.

“Ata e kanë lajmëru mamin në telefon dhe më ka njoftu mami që e kom fitu rolin. Kam qenë duke i bërë detyrat dhe e kam marrë lajmin si në befasi. Kam dashtë me ia bo befasi, por në fund nuk doli”, e thotë ajo me shumë ngazëllim në fytyrë.

Mirëpo, përpara se ta fitonte rolin, Arona ndau një vlerë të jashtëzakonshme që ajo posedon në karakterin e saj.

 “Aty ka pasur edhe fëmijë të tjerë e unë nuk kom besu që kam me marrë rolin. Kur kam dalë prej audicionit unë i kam tregu edhe fëmijëve të tjerë për ato se çfarë më pyetën pasi nuk besoja se mund ta fitoja rolin, e kur kam fituar më kanë uruar”.

Pasi ka arritur të fitojë këtë audicion dhe është bërë pjesë e kastës së filmit, Arona tregon se kishte filluar xhirimet në moshën tetë-vjeçare, por për arsye se disa skena kërkonin qëndrimin në një vend, ishin pak të mërzitshme për të.

May be an image of 1 person, sitting, airplane and indoor

 “Në moshën tetë -vjeçare e kam filluar aktrimin, xhirimet kanë ndodhur në disa vende e jo vetëm në një lokacion. E kemi filluar në shtëpi e më pas kemi lëvizë, përveç Kosovës edhe në Shqipëri. Për pjesën time kanë qenë 11 ditë xhirime, e për të tjerët më shumë. Kanë zgjatë më shumë se që e kam pritë, e pak të lodhshme. E kam pasë një rol me qëndru shtritë duke fjetur dhe është dukë vetëm një këmbë, nuk më ka pëlqy edhe shumë kur kam qëndruar veç në një vend”.

Vajza me një karrierë në aktrim tanimë, pohon se bashkëpunimi me një regjisore siç është Kaltrina Krasniqi ka qenë shumë i mirë dhe madje është gëzuar shumë kur e ka përzgjedhur në film.

Marrëdhëniet e krijuara në film kanë ndikuar që Arona të bëjë disa shoqe të reja në jetën e saj.

 “Me Teutën e kam një marrëdhënie më të mirë në film sesa me nënën edhe pse në film kam dashuri për të dyja, por me gjyshen kam bërë më shumë skena dhe është kujdesur më shumë për mua”.

Përshtatja e jetesës për një film është paksa e vështirë, kjo për shkak që një fëmijë ka edhe angazhime të tjera në jetë, por shkolla e ka mirëkuptuar një gjë të tillë.

“Ka pasur disa ditë kur nuk kam qenë në shkollë për shkak të filmit, por në fund filmi ka qenë shumë i mirë. Kur e kam përfunduar filmin, në shkollë dhe në klasë isha njeri i famshëm”.

Derisa nëna e saj shpjegonte nga afër se si ishte pjesa e shkollimit të Aronës, aty ishte e përfshirë edhe pjesa e vizitës në Venecia, si një gjë e jashtëzakonshme e që ndodhë shumë rrallë nëpër Festivale të Filmit.

Prezantimi dhe pjesëmarrja e Aronës në festival ishte magjike për vetë faktin që presidenti i festivalit ishte në emocion dhe ngazëllim kur e pa atë.

“Çdo aktorë ka qenë në lot pas përfundimit të filmit në Venecia, duke më përfshirë edhe mua. Eksperienca në Itali shumë e mirë, njerëzit në rrugë na ndalnin dhe gjithnjë po na komplimentonin për filmin, ndjenjë e veçantë”.

Ajo gjithashtu tregon se gjatë ekspeditës në Itali ka marrë edhe komplimentin që është aktorja më e mirë, gjë për të cilën është ndjerë shumë mirë.

“Kam qef me shku edhe në festivalet e tjera dhe shpresoj që më ftojnë edhe atje i gjithë ekipi”.

Hera e parë kur Kosova dërgoi dy fëmijë të vegjël për të bërë paraqitje në tapetin e kuq në një festival të madh të filmit ishte në edicionin e 88-të të Oscar, kur aktorët Andi Bajgora dhe Lum Veseli bënë paraqitjen e tyre në tapetin magjik.

E rrethuar nga një numër i madh i aktorëve eminent të skenës shqiptare, Arona shihet e buzëqeshur dhe në disponim të mirë në disa fotografi që u publikuan gjatë ecjes në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Venecia.

 “Regjisorja më ka tregu që ka ndodhë shumë rrallë një përfaqësim i tillë. Jam ndje krenare që kemi përfaqësu Kosovën, jam ndje krenare përveç me filmin por edhe me veten. Jam ndje shumë mirë kur është përfundu filmi dhe eksperienca në Venecia, shumë persona na kanë uru për filmin. Shpresoj që edhe personat e tjerë kanë me marrë pjesën e këshillës që me bo çka të dëshirojnë dhe me arritë gjithçka”, ka thënë në vazhdim dhjetë vjeçarja.

Rreth karrierës dhe të ardhmes së saj, Zyberi thotë se do të vazhdojë tutje të merret me film në qoftë se ka role për fëmijë, por tani ajo thotë se ka më shumë filma të dhimbshëm sesa për fëmijët.

E pyetur se ku e gjen veten më mirë, në aktrim apo balet, Arona thotë se këto dyja dallojnë shumë mes veti.

“Aktrimi shumë më i vështirë pasi duhet të kesh talent, edhe baleti është i vështirë por unë mendoj që në aktrim është më vështirë”.

Dëshira e madhe e Aronës për vitin 2022 është që filmi ku ajo merr pjesë të vijë në Kosovë dhe klasa e saj ta shohë këtë pjesë.

 “Po pres me padurim që të shfaqet filmi, dua t’i bëj ftesë të gjithë klasës me ardhë e me e pa e gjithë filmin, është dëshirë e imja”.

Përveç aktrimit, ajo ka marrë pjesë edhe në disa reklama të ndryshme, derisa me KultPlus, Arona ndan edhe ëndrrën e saj më të madhe.

“Ëndrra ime është të bëhem e famshme, por jo ta lavdëroj shumë vetën. Kam dëshirë të bëhem një aktore e famshme, ose këngëtare ose edhe një mjeke”.

Mesazhi i Aronës për fund ishte që gjithmonë të ndjekni ëndrrat e juaja dhe të mos i leni diku tjetër, sepse në fund ato realizohen.

Mbështetja e vazhdueshme e prindërve ka ndikuar që një fëmijë i vogël siç është Arona të arrijë diçka të jashtëzakonshme dhe të marrë pjesë në një festival kaq prestigjioz.

Ndërkaëq, filmi “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë të pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’. Ky film pritet që gjatë janarit të vitit 2022 të fillojë të shfaqet edhe në Kosovë. /KultPlus.com

Vera Andrron Detin”, me çmimin “Grand Prix” në festivalin e Tokios - Kultura

Puna e palodhoshme rezultoi në karrierë të bujshme – Lumnije Kqiku model i një gruaje të suksesshme

Mendjet e ndritura e bëjnë edhe kombin e ndritur. Prof. Lumnije Kqiku-Biblekaj është një nga autoritetet botërore me prestigj të lart / model i një gruaje të suksesshme. Ajo pothuajse i ka arritur të gjitha nivelet akademike në moshën e saj të re shkencore. Mbetet motiv edhe për shumë gra të tjera anekënd botës. Nuk ka qenë e lehtë sepse ndoshta kam humbur shumë nga jeta ime private, larg familjes dhe kënaqësive tjera, por për mua është e bujshme sepse jam këtu ku jam. Suksesi im është i prekshëm dhe jam krenare që përfaqësoj edhe kombin tim dhe jam e pranishme në Konferencat më të avancuara të nivelit ndërkombëtar.

Por kush është Prof. Lumnije Kqiku-Biblekaj që me punën e saj të palodhshme dhe guximin bëri karrierë të bujshme?
Kqiku është nënë e tre fëmijëve, gruaja e parë nga Kosova dhe Shqipëria që me 2011 hyn në librin enciklopedik më prestigjioz në botë “Who´s Who in the World” është ky libër që boton biografit e personave të cilët shquhen për të arriturat e tyre dhe karrierën e jashtëzakonshme.

Ajo është profesoreshë në Universitetin e Gracit / Austri udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare në Grac të Austrisë. Në vitin 2018 fiton titullin e profesorit – autore dhe bashkautorë e punimeve të shumta profesionale dhe shkencore.

Është anëtare e shumë shoqatave dentare vendore dhe ndërkombëtare, njëherit edhe recensente e shumë revistave shkencore dentare që me punën e saj të palodhshme, guximin dhe diturin e bën një zonjë të dalluar, karriera e së cilës është frymëzuese për rrugën e suksesit.

Çfarë punon dhe për çfarë njihet Dr. Kqiku?
Ka lindur në Gjilan, Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Kosovë, ku edhe i vazhdoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë, në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 2003 nostrifikoi diplomën e Fakultetit në Universitetin Mjekësor të Gracit, Austri ku edhe mbrojti magjistraturën.

Në vitin 2006 përfundoi doktoratën, dhe u promovua në specialiste të endodoncisë. Gjatë viti 2007 ishte në vizitë studimore në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Zagrebit, si dhe në vitin 2010 në Universitetin Mjekësor të Tübingen-it, Gjermani.

Poashtu, udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë
Dentare në kliniken Universitare Grac të Austrisë, si dhe udhëheq rrjetin Ceepus ( Central European Exchange Program for University Studies) për Kliniken Universitare Stomatologjike të Gracit.

Ju keni një prestigj të madh global në shkencat mjekësore, si mund të arrihet ky vizion?

Kqiku: Jam stomatologe modeste, e dua shumë profesionin tim dhe jam aktive në ketë lëmi shumë të ngarkuar duke realizuar shumë intervenime komplekse të traumave dentare!

Gjithmonë shoh anët pozitive dhe kjo më jep guximin, vendosmërinë dhe motivin që të jem në trend!

A ka vështirësi të qenit grua udhëheqëse?
Natyrisht që po, por mendoj të jesh një grua udhëheqëse ka më shumë përparësi sepse gruaja është arkitekte e çdo gjëje të bukur që e shohim, e kjo pikërisht vlen edhe për menaxhimin në profesion!
A keni sakrifikuar për të arritur në karrierë?
Pa asnjë mëdyshje them : Po. Kam sakrifikuar shumë nga jeta ime private për karrierën që kam në mua! Periudha më e vështir ka qen fëmijët e vegjël dhe përgatitja e doktoraturës në një Universitet prestigjioz siç është ai i Gracit, ku edhe kam lën anash shumë kënaqësi të jetës, familjen dhe shoqërinë, por kjo është tejkaluar shpejt.
E gjithë fuqia dhe suksesi ishte nga familja ime që gjithnjë më kanë përkrahur.

Si grua, a mendoni se është vështirë që të keni sukses aq të madh?
Natyrisht që Po, por esenciale dhe më e bukura është harmonizimi karrierë – jetë private andaj suksesi i takon punës që bëjmë dhe synimeve që ia kemi caktuar vetës. Çelësi i suksesit është të pëlqesh atë që bën.

Cilat janë dëshirat tuaja, çka ju bën të fuqishme kur gjendeni në situata të pa lakmuara?
Dëshira ime është të jem gjithmonë ajo që jam autentike!
Të fuqishme me bën: vetëbesimi dhe dashuria ndaj vendit tim.
Çdo gjë që unë e bëj për Kosovën dhe Shqipërinë me bën shumë të lumtur.
Ju jeni model i një gruaje të suksesshme, çfarë mesazhi keni për gratë dhe për të rinjët të cilët synojnë rrugët e suksesit
Besoni në veten Tuaj, një shoqëri e shëndoshë ka nevojë për gra intelektuale dhe të guximshme!
Dëgjoni njerëzit e suksesshëm, mësoni nga përvojat e tyre, sfidat ju bëjnë të pathyeshëm.
Mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja.

Dhe krejt në fund Lumnije Kqiku e ka edhe një falënderim dhe urim të veçantë për bashkëshortin e saj Dr.med.univ. Robert Biblekaj gjithashtu një kuadër i mrekullueshëm dhe me autoritet në Grac. “Roberti është principiel dhe korrekt edhe me mua edhe me punën e tij. E ndihmojmë njëri tjetrin në profesionet tona dhe me të drejtë austriakët këtu na quajnë “Familja me storie suksesi nga Kosova”, shprehet Kqiku./rajonipress/ /KultPlus.com

KultPlus në shtëpinë e çdo lexuesi, në ditët festive me intervista ekskluzive

KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.

Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 31 dhjetor, 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2022.

Arona Zyberi, Zgjim Terziqi, Ferit Zekolli, Memli Kelmendi, Nora Gjakova, Doresa Rexha, Edi Shukriu, Distria Krasniqi, Yllka Gashi, Saranda Bogujevci, Hajrulla Çeku, Kaltrina Krasniqi, Dori Basha e Gzim Gashi vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre, të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.

Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.

Urime festat! /KultPlus.com

Kosova përmes xhudos shfaqi fytyrën e saj të vërtetë – ‘Vajzat e Arta’ krenuan një popull

Shteti i Kosovës ka shënuar suksese dhe ka shkruar histori me shkronja të arta përgjatë viteve të fundit në sportin e xhudos, shkruan KultPlus.

Këtë vit, në Lojërat Olimpike të zhvilluara në Tokio, Kosova arriti që të marrë dy medalje të tjera olimpike.

Të udhëhequra nga trajneri më i suksesshëm në histori të Kosovës, Driton Kuka, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova ngritën flamurin e Kosovës në piedestalin më të lartë, duke triumfuar me medalje të artë në këto lojëra olimpike.

Suksesi i tyre i madh ka ndikuar që emri i Kosovës të përmendet në të gjithë botën dhe të marr njohje e ndoshat edhe “xhelozi” prej shumë vendeve.

Vajzat e Arta të Kosovës u pritën me ceremoni shtetërore me të arritur nga Lojërat Olimpike dhe patën një fjalim përpara qytetarëve në sheshet e Prishtinës.

Në anën tjetër, Toni është shpallur trajneri më i mirë në sportin e xhudos për vitin 2021, derisa edhe Krasniqi u shpallë xhudistja femër më e mirë për këtë vit që po lëmë pas.

KultPlus gjatë ditës së sotme do të bëjë publikimin e intervistave ekskluzive me vajzat e arta Distria Krasniqi dhe Nora Gjakovën. /KultPlus.com

Kosova ‘lulëzoi’ me shumë sukses në fushën e kinematografisë në vitin 2021

Përkundër faktit se Kosova është një vend shumë i vogël dhe konsiderohet si pak i zhvilluar, sukseset nuk munguan aspak në arenën ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Kinematografia e Kosovës mund të thuhet se ka shënuar suksesin më të madh ndonjëherë, duke arritur që përmes filmit “Zgjoi” edhe të shkruhet historia.

Fillimisht duke fituar tre çmime, për herë të parë, në një festival të madh siç është ai i Sundance, rrugëtimi i “Zgjoi” e përmbylli vitin duke hyrë në listën e ngushtë të nominimeve “Oscar”.

Në anën tjetër, edhe filmi “Vera Andrron Detin” shënoi suksese prestigjioze në arenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në Festivalin e Venecias.

Tutje, filmi me regji të Kaltrina Krasniqit mori edhe çmimin special të jurisë në Festivalin e Selanikut.

Çmimet e tjera nuk munguan aspak dhe raportohet se ky film do të vijë edhe në Kosovë vitin që po vjen.

Kinematografia kosovare përjetoi edhe një lajm gëzimi. ‘Luaneshat e Kodrës’, hyri në histori, duke u bërë filmi i parë i gjatë kosovar që shfaqi premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës.

Përveç këtyre filmave, janë realizuar edhe disa filma të tjerë të cilët, përpos çmimeve në Kosovë, u nderuan edhe në arenën mbarëkombëtare. /KultPlus.com

Ngjarje e jashtëzakonshme e vitit 2021 – Dua Lipa dhe fjalimi i saj në Këshillin Atlantik

Këngëtarja shqiptare e cila ka prekur majat e botës, Dua Lipa, ka mbajtur këtë vit një mbrëmje gala të organizuar nga Këshilli Atlantik dhe përfaqësoi Kosovën në nivelet më të larta diplomatike, sikurse të ishte në rolin e një ambasadoreje, shkruan KultPlus.

“Ne e kemi në gjene të lulëzojmë”, – ishte njëri prej mesazheve që Lipa u mundua të shpërndajë te të gjithë të pranishmit e famshëm që ishin në atë mbrëmje.

E shoqëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Dua Lipa, pati një fjalim shumë emocionues, ku edhe pranoi një çmim “Artistja e shquar e vitit 2021”.

“Unë qëndroj përpara jush si një fëmijë i Kosovës, e lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe jam sot si mysafire e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë vij nga një vend për të cilin shumica prej jush e keni dëgjuar, por ndoshta jo në mënyrën se si do ta përshkruaj. Dua të ndaj me ju pak për Kosovën time”, ka thënë ajo.

Duke kujtuar edhe një herë problemet e jashtëzakonshme që Kosova ka me viza, Lipa rikujton që shteti i prejardhjes së saj është më i riu në Evropë, por nuk gëzon të drejta demokratike.

“Kosova është shteti më i ri në Evropë. Kemi vetëm 13 vite në rrugëtimin e tonë të pavarësisë. Dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë ekonomikisht dhe kulturalisht. Është në gjenet tona. A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte lëndimin e konfliktit të fundit?”, tha më tej 26-vjeçarja.

Duke mbështetur gjithnjë të rinjtë dhe duke përcjellur mesazhe shumë pozitive, Lipa përmbylli fjalimin e saj, me ç ‘rast bëri krenar një popull të tërë. /KultPlus.com

Kur Fishta detyroi shkrimtarin serb të dalë jashtë një konference ndërkombëtare Letërsie në Romë

A e dini?
Që Fishta ka detyruar një shkrimtar serb të dalë jashtë një Konference ndërkombëtare Letërsie në Romë?

Viti dhe emri i serbit nuk saktësohen,por bëhet fjalë për një shkrimtar që kish shkruar në një libër që shqiptarët janë njerëz me bisht. Dhe në ditën e parë të Konferencës, para hapjes së saj,i vetmi i ftuar në këmbë ishte poeti ynë, Gjergj Fishta.

-Pse nuk zini vend, ju lutem? – e pyet drejtuesi i Konferencës – nuk keni karrige.
-Jo,jo,karrige kam, por s’kam ku të vë bishtin – ia kthen Fishta.
-Çfarë !!! – habitet ai.

Po, po – vijon Fishta – ai zotëria atje – shenjon me emër dhe gisht në sallë – ka shkruar në librat e tij,që ne shqiptarët jemi njerëz me bisht. Ndaj,për këtë gjë të ulët ndaj bashkëkombasve të mi,ose ai të gjejë ku e kam unë bishtin, ose unë nuk ulem nëse ai nuk le sallën.

Dhe sipas burimeve nga të pranishmit, shkrimtari serb është detyruar të dalë dhe të largohet krejtësisht nga Konferenca e Romës.
/H. Z. / KultPlus.com

Parashikimi i shkencëtarëve: Pandemia mund të përfundojë në 2022

Shkencëtarët kanë filluar të flasin për fundin e pandemisë duke monitoruar rrjedhën e virusit. U bënë dy vite me shpërthimin e krizës shëndetësore që vuri njerëzimin përballë të dhënave, masave dhe kufizimeve të rrepta.

Shkencëtarët pohojnë se në vitin 2022, virusi do të humbasë formën e tij pandemike dhe do të bëhet më sezonal siç është rasti me virusin e gripit.

Rritja e nivelit kolektiv të imunitetit, shpërndarja e pritshme e barnave dhe vaksinat janë rruga e daljes nga tuneli i errët i pandemisë.

Shitja e barnave për koronavirusin, që do të ndodhë pas disa muajsh, përkthehet si një shenjë shprese.

Njerëzit, siç kanë thënë shkencëtarët në të kaluarën, do të mësojnë të jetojnë me koronavirusin pasi sëmundja nuk do të zhduket.

Pyetja është se si do të ekzistojë koronavirusi në të ardhmen pa ngritur alarmin e komunitetit botëror?

“Përdorimi i maskës në transport, madje edhe në zyra, mund të aplikohet në vitet e ardhshme”, tha epidemiologu i Universitetit Johns Hopkins Sean Trulov.

Ai shton se në të ardhmen mund të rekomandohet larja e shpeshtë e duarve, mbajtja e distancës në vendet ku grumbullohen shumë njerëz.

Epidemiologu vlerëson gjithashtu se testet e zbulimit të koronavirusit do të bëhen edhe më të aksesueshme.

Një hap i rëndësishëm tashmë është hedhur në vaksinat, ku programi po zgjerohet për të përfshirë fëmijët e moshës 5-11 vjeç. Komuniteti shkencor po shqyrton dozën e nevojshme për moshat më të reja.

Në kuadër të ridizajnimit të preparateve injektuese, parashikohet dozimi vjetor i popullatës, i cili do të synojë trajtimin e mutacionit që zhvillohet dhe përhapet në të gjithë botën. / KultPlus.com

“Kurr Shqypni s’kam me t’harrue, edhe n’vorr me t’përmend kam”

Poezi nga Gjergj Fishta

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshem këndon
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh andërr,
Veç se ty të kam në mendim
Ndër t’ vështira ti m’je qandërr,
Për ty leht më vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha, zalle,
Unë kam pa larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle
N’tjera lule syu mu rrek.

Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluem nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni por si i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon prilli,
Jan ma t’kandshme stin e mot,
N’ty bylbyli pa le Dielli
Këndon ma ambël t’ Madhit Zot.

Pa ty lules s’mi vje era,
Pa ty pema frut nuk m’bjen:
Mue pa ty s’më del prandvera.
Pa ty Dielli nuk m’shkëlzen.

Derisa mundem me ligjërue,
E sa gjall me frymë un jam
Kurr Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’përmend kam./ KultPlus.com

Teatri Adriana: Brenda vitit 2021, janë realizuar plot 5 premiera dhe janë dhënë dhjetra repriza të shfaqjeve të sivjetshme apo produksioneve të viteve të kaluara

Teatri Adriana në Ferizaj, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se viti 2021 për Teatrin Adriana ka qenë një vit sa i vështirë në aspektet që lidhen me pandeminë Covid -19, e po ashtu ka qenë një vit jashtëzakonisht produktiv e i suksseshëm në të gjitha sferat prodhuese e reprezentative, përcjell KultPlus.

“Brenda vitit 2021, në Teatrin Adriana janë realizuar plot 5 premiera dhe janë dhënë dhjetra repriza të shfaqjeve të sivjetshme apo produksioneve të viteve të kaluara”, thuhet në njoftim.

KultPlus ju sjell postimin e plotë:

Viti 2021 në Teatrin Adriana.
Të dashur spektatorë, artdashës, bashkëpunëtorë, mbështetës e ju shumë të dashur aktorë e staf kreativ e teknik të Teatrit Adriana.
Viti 2021 për Teatrin Adriana ka qenë nje vit sa i vështirë në aspektet që lidhen me pandeminë Covid -19, poashtu ka qenë një vit jashtëzakonisht produktiv e i suksseshëm në të gjitha sferat prodhuese e reprezentative.
Brenda vitit 2021, në Teatrin Adriana janë realizuar plot 5 premiera dhe janë dhënë dhjetra repriza të shfaqjeve të sivjetshme apo produksioneve të viteve të kaluara.
Në gjysmëvjetorin e vitit 2021, kemi filluar me shfaqjen “Gratë në Parlament” me regjisore Elmaze Nura, pastaj me shfaqjen “Mblesëri në Malësi” me regjisor Ekrem Sopi. Ndërsa në pjesën e dytë të ktij vitit ne kemi sjellur shfaqjen “Fuego” nga Fadil Hysaj, shfaqjen “Ndeja për Borisin” në bashkëpunim me Enkeleda Simitxhiun, për të përfunduar vitin me premierën e fundit për këtë vit, “Marksistët e Lelinistët e Zvicrës” nga Blerta Neziraj. Nga 5 premierat e këtij viti, dy prej tyre kanë qenë nga dramaturgjia kosovare (“Fuego” nga Shpëtim Selmani dhe “Marksistët e Lelinistët e Zvicrës” nga Jeton Neziraj), ndërsa dy të tjera adaptime për skenë (“Gratë në Parlament” nga Elmaze Nura dhe “Mblesëri në Malësi” nga Ekrem Sopi).
Të gjitha produksionet në Teatrin Adriana kanë rezultuar suksesshëm dhe si të tilla kanë prezentuar rregullisht në repertorin e përmuajshëm të teatrit tonë.
Gjatë këtij viti shfaqja e vitit të kaluar “Kontrolli dhe Makina e Dashurisë”, në festivalin “Flaka e Janarit” në Gjilan, është shpërblyer me çmimin “Pruarje e re Teatrore”, me shfaqjen “Vizita e Zonjës Plakë”, kemi prezentuar në festivalin tradicional në Dibër, ndërsa me shfaqjën “Gratë në Parlament” kemi marrë pjesë në festivalin e komedisë në Korçë – KOKO Fest.
Teatri Adriana si nikoqir edhe sivjet ka organizuar shumë suksesshëm Festivalin e Teatrove – Ferizaj 2021 (edicioni 50/51), ku me shfaqjen pjesmarrëse “Vizita e Zonjës Plakë” është shpërblyer me Rolin Kryesor Grua – Vjosë Abazi.
Teatri Adriana, gjithëashtu ka qenë nikoqir edhe për disa nga shfaqjet – pjesë të SHOWCASE KOSOVA, ku ka prezentuar me shfaqjen “Fuego”.
Teatri Adriana, gjithëashtu ka aktivizuar edhe aktivitetin e rëndësishëm kinematografik -KINO KLUB – Ismail Rama, ku të gjithë adhuruesit e filmit mund të shohin filma të ndryshëm autorial në kuratimin e Sovran Nrecajt.
Në të gjithë këtë vit të suksesshmëm, nuk kemi se si të mos i falënderojmë shumë shikuesit e jashtëzakonshëm që janë gjithmonë në numër të konsiderueshëm në ulëset e Teatrit Adriana, ndërsa merita kryesore për gjithë prodhimin dhe perfomacën tonë në këtë vit, shkon tek aktorët që kanë dhënë kontributin më të madh këtë vit, për stafin kreativ e teknik të teatrit tone dhe padyshim për bashkëpunëtorët e Teatrit Adriana.
Një falenderim të veçant për DKRS- Ferizaj dhe MKRS duke kërkur një angazhim edhe më të madh nga secili institucion në mbështetjen e të gjitha teatrove në Kosovë.
Ju faleminderit shumë e mirëupafshim vitin 2022.
Gëzuar Viti I Ri. / KultPlus.com

Qindra afganëve u është refuzuar kërkesa për të hyrë në SHBA për arsye humanitare

Zyrtarët federalë të imigracionit kanë refuzuar kërkesat e qindra afganëve për hyrje të përkohëshme në Shtetet e Bashkuara për arsye humanitare. Aktivistët e imigracionit thonë se administrata e Presidentit Biden nuk e ka mbajtur premtimin për të ndihmuar afganët e lënë mbrapa pas tërheqjes së trupave amerikane dhe rënies së vendit në duart e talebanëve.

Që nga tërheqja e trupave amerikane, zyrtarët e imigracionit thonë se kanë pranuar mbi 35 mijë aplikacione bazuar në rregullin e pranimit të emigrantëve për arsye humanitare. Prej tyre, rreth 470 aplikime janë refuzuar dhe më pak se 150 janë miratuar. Ky rregull pak i njohur është rezervuar për emergjenca ekstreme, kur shqyrtimi i aplikimeve për viza të rregullta nuk është një alternativë dhe kur të huajt kanë nevojë të hyjnë shpejtë në vend.

Haseena Niazi i kishte varur shpresat e saj për ta tërhequr të fejuarin e saj nga Afganistani përmes kësaj dispozite të imigracionit.

24-vjeçarja që banon në Masaçusets ishte pothuajse e sigurt se kërkesa e për emigrim në bazë humanitare do të miratohej nga qeveria amerikane, duke marrë parasysh provat që ajo ofroi mbi kërcënimet nga talebanët që mori ndërsa punonte për çështjet e shëndetit të grave në një spital afër Kabulit.

Por këtë muaj, kërkesa e saj u refuzua, duke e lënë çiftin të tronditur pas muajsh ankthi.

“Ai kishte gjithçka që ata dëshironin”, tha zonja Niazi me origjinë nga Afganistani, e cila është e pajisur me kartën jeshile. “Refuzimi i kërkesës nuk është i logjikshëm. Kjo është si një ëndërr e keqe. Ende nuk mund ta besoj.”

“Ky është një zhgënjim i madh”, thotë Caitlin Rowe, avokate nga Teksasi, e cila tha se kohët e fundit kishte marrë pesë refuzime për klientët e saj, duke përfshirë kërkesën e një oficeri afgan policie që ndihmoi në trajnimin e trupave amerikane dhe u rrah nga talebanët. “Këta janë njerëz të pambrojtur, që me të vërtetë menduan se kishte shpresë. Unë nuk mendoj se ka shpresë për ata.”

Që nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani, Agjencia Amerikane e Imigracionit ka marrë më shumë se 35 mijë aplikime të bazuara në dispozitën për emigrim në SHBA për arsye humanitare, nga të cilat ka refuzuar rreth 470 dhe ka miratuar me kusht më shumë se 140, tha këtë javë Victoria Palmer, një zëdhënëse e agjencisë.

Programi pak i njohur, i cili nuk ofron një rrugë drejt qëndrimit të përhershëm në vend, zakonisht merr më pak se 2,000 kërkesa çdo vit nga të gjitha kombësitë, nga të cilat Agjencia amerikane e Imigracionit miraton mesatarisht rreth 500, tha ajo.

Zonja Palmer theksoi gjithashtu se pranimi i njerëzve bazuar në dispozitën humanitare është përgjithësisht i rezervuar për emergjencat ekstreme dhe nuk synon të zëvendësojë procesin e pranimit të refugjatëve, “që është rruga tipike për individët jashtë Shteteve të Bashkuara që kanë ikur nga vendi i tyre i origjinës dhe kërkojnë mbrojtje”.

Ndërkohë, qeveria amerikane vazhdon të ndihmojë afganët e pambrojtur, duke evakuuar më shumë se 900 shtetas amerikanë dhe 2200 afganë të tjerë që nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani, shkruan voa. Departamenti i Shtetit tha se pret të ndihmojë në sistemimin e rreth 95,000 njerëzve nga Afganistani këtë vit fiskal, një proces që përfshin kontrolle rigoroze të biografisë dhe gjendjes shëndetësore. / KultPlus.com