Ministria e Shëndetësisë po vazhdon aksionin e saj që të përçojë mesazhe pozitive dhe kësisoj të inkurajojë vaksinimin e personave me dozën anti-COVID, transmeton KultPlus.
Marrja e vaksinës kundër COVID-19 është e shpejtë, e lehtë dhe falas, ka thënë MSH, duke bërë me dije gjithmonë se vetëm rruga e vaksinimit dërgon në shpëtim nga virusi.
“Mbroni veten dhe të dashurit tuaj në këtë sezon festash me një vaksinë të sigurt dhe efektive kundër COVID. Të gjithë qytetarët 12 vjeç e lart mund të vaksinohen”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Përndryshe, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në Kosovë deri tani janë administruar më shumë se 1,6 milionë doza të vaksinës. /KultPlus.com
Më 13 dhjetor, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë një ceremoni të veçantë për të graduar Gjeneralmajor Bashkim Jasharin, shkruan KultPlus.
Përmes një njoftimi nga zyra e Presidencës, është bërë e ditur edhe agjenda mediale e presidentës për ditën e nesërme.
“Në orën 10:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani duke u mbështetur në kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore, në një ceremoni të veçantë gradon Gjeneralmajor Bashkim Jashari në gradën Gjenerallejtënant”, thuhet mes tjerash në njoftim.
E gjithë kjo ceremoni do të gjej vend në zyrën e Presidencës.
Komandati i Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Jashari, pati një takim para disa ditëve edhe me kryeministrin Albin Kurti. /KultPlus.com
Sopranoja kosovare, Elbenita Kajatazi ka performuar me sukses shfaqjen e saj “Hansel und Gretel”, pas aventurës së saj në teatrin ‘Erfurt’, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kajtazi është shprehur shumë e lumtur për përfundimin e kësaj shfaqje.
Postimi i saj i plotë:
“Shfaqja e parë e Hänsel und Gretel përfundoi me shumë sukses! Kënaqësi e jashtëzakonshme të këndosh për një sallë të mbushur plotë prindër e fëmijë, publikë shumë entuziast që shijon çdo gjë që ndodhë në skenë , fëmijë që reagojn pas çdo gjëje që shtriga bënë në skenë, me të vërtetë emocionuese. Sahere këndoj Gretel mendoj me vetën time se sa shumë dëshirë do kisha ta këndoj këtë rol edhe për fëmijët në Kosovë, do të ishte me të vërtetë diq e bukur dhe emocionuese për mua. Po tani meqenëse është formuar Opera e Kosovës ka shpresë besoj që ndoshta do të ndodhë kjo gjë ndonjeherë”, shkroi Kajtazi.
Elbenita ka treguar rezultate shumë të mira në performancat e saj të fundit që ka zhvilluar këtë vit. /KultPlus.com
Në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut thonë se janë disa kritere që duhet të përmbushin dhuruesit e gjakut.
Në këtë hapësirë, vullnetarisht vijnë çdo ditë dhjetra dhurues të gjakut.
Pavarësisht pandemisë dhe masave në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut vijnë çdo ditë mesatarisht 100 qytetarë.
Krejt këta me një qëllim shumë njerëzor, dhurimin e gjakut.
E vullnet të mirë në këtë aspekt tregoi edhe Amir Tusumi që njëkohësisht është dhurues i rregullt i gjakut.
Thirrje për të gjithë personat që ndjehen mirë me shendet ka edhe një doktor.
Duke pasur parasysh interesimin e madh të qytetarëve që të dhurojnë gjakun e tyre doktoresha e transfuzionit, Safete Maliqi Qormemeti tregon se ka disa kritere që duhen përmbushur nga vullnetarët.
Më e rëndësishmja është gjendja stabile shëndetësore.
Qormemeti tha që infeksioni me Covid-19 vetëm se ka shtuar numrin e dhuruesve të gjakut, duke përmendur edhe vullnetin nga ana e Policisë se Kosovës për bashkepunim.
Mirëpo kujt i lejohet të jetë dhurues mund të shihet edhe përmes formularit i cili duhet të plotësohet para marrjes së gjakut.
Kjo për shkak se gjaku duhet të jetë i sigurt për pacientet të cilet trajtohen duke pasur parasysh ndikimin në shëndet.
Gjithashtu tash e një kohë obligim për dhuruesit e gjakut është që të jenë plotësisht të vaksinuar kundër infeksionit Covid-19./GazetaExpress /KultPlus.com
Fund nëntori i vitit 2021 në prag të festës se madhe të 28 nëntorit të ditës se Pavarsisë së Shqipërisë u hap lajmi e mori dhenë se në moshën 87 vjeçare vdiq një trim i urtë e atdhetar i mirëfilltë Zef Prekë Kaqinari.Si në legjendat e lashta kur mbrohet diniteti i shqiptarit dhe nuk lejohet që të shahet nëna shqiptare që u sakrifikua me shekuj për lindjen dhe rritjen e familjes e as Zoti që na ka krijuar, Zef Kaqinari nuk lejoi që të poshtërohet në atë mënyrë por e mbrojti dinitetin e shqiptarit.Ishte një rrugë jo e lehtë mbrojtja e këtij diniteti ku dy shqiptar nga Mirdita, Zef Prekë Kaqinari e Mark Allaku u deshtë që të përballen me qindra përsona të tjerë në tramvajën numër 11 në 21 qershorin e vitit 1965.
Zefi sipas traditës kishte ruajtur revolën që e mbante me vete kurse Mark Allaku në këtë ditë kishte pas me vete vetëm një qadër të re, që sillte me ta si me qenë shpatë duke u pre,sepse kishte ardhur mysafir nga Kosova në Zagreb.Dy mirditor të edukuar më traditat shqiptare njëri nga Velezha e Prizrenit e tjetri nga Moglica e Gjakovës u përballën me një furi përsonash por nuk u dorëzuan.Më në fund revolja belgiane i ndau punët ku mbeti i vrarë shoferi i tramvajit,por edhe Zefi e Marku u lënduan.Si në legjenda të lashta kur dy të rinj të dalë jashtë trojeve të tyre për një jetë më të mirë u përballën për një moment me vdekjën vetëm e vetëm se ishin edukuar në frymën kombëtare për mbrojtjen e dinitetit kombëtar.Familja e Zef Kaqinarit është me prejardhje nga Kaqinari i Mirditës e cila para disa kohesh ishte shpërngulur në Velezhë të Prizrenit ku në vitin 1934 kishte lindur Zef Kaqinari.Veshtirësitë jetësore dhe presioni i aksionit të armëve qe ishte shumë i vrazhdë në famullinë e Velezhës bëri që familja Kaqinari të kërkoj një jetë të re dhe u vendos në Zagreb.Zefi ishte një burrë i urtë dhe puntor.
Ai asnjëherë nuk e deshi që të lavdërohej me veprën e kryer por e konsideronte vetëm si një rastësi ku nuk ka mundur ta duron shamjen e nënës shqiptare por ka vepruar në vetmbrojtje.Zef Kaqinari asnjëherë gjatë tërë jetës se ti nuk e vrau këngën e ti siç po ndodh sot me disa luftëtar që po i vrasin këngët e tyre me vepra jo të mira.Familja Kaqinari në Zagreb dhe rrethinë kishte ndihmuar shumë shqiptar në hall dhe shumë student që studionin në Kroaci dhe që kishin kushte të rënda në familje.
Ata student kanë gjetur strehim dhe ushqim pa pagesë shumëherë tek familja e Zef Kaqinarit.Vlenë ta theksoj një fakt të një atdhetari të Shqipërisë Etnike bacës Emin Fazlia alias Emil Kastrioti që ma ka rrëfyer sa ishte gjallë.Pas lirimit nga burgu dhe mosmundësisë se gjetjes se një pune në Kosovë baca Emin kishte shkuar të jetonte në Kroaci.Meqenëse edhe atje bënte një aktivitet kombëtar ishte rrezikuar që të burgosej ose të vritej.Falë humanizmit të Zef Kaqinarit i cili i jep hua një sasi të mjeteve dhe i siguron një dokument udhëtimi.Ai arratiset nga Kroacia dhe vendosët në Gjermani.Gjatë bisedës me Emin Fazliun shpeshherë më ka folur për këtë rast dhe ju ishte mirënjohës për jetë të jetëve Zef Kaqinarit për faktin se i ka shpëtuar jetën dhe ka ruajtur një miqësi me të.Kur filloj lufta në mes të Kroacisë dhe Serbisë familja Kaqinari ishin rreshtuar në ushtrinë kroate.
Një luftëtar i shquar kundër serbëve ishte edhe djali i Zefit, Tomë Kaqinari që e udhëheq shoqatën e veteranve të luftës në Kroaci dhe është mjaft aktiv në komunitetin shqiptar në Kroaci.Për herë të fundit me bacën Zef kemi biseduar në festën e Pavarsisë së Kosovës më, 17 janar 2019, se bashku me Tunë Noc Topallin kemi biseduar disa orë duke evokuar kujtimet në Kosovë e sidomos bisedat gërshetoheshin rreth bisedave të hershme që kishin me babain tim Markun.
Kur vransirat e kohës dhe të ftoftit e dhjetorit më sjellin kujtimet si në balada të lashta më mbesin në mendje trimëria dhe gjeturia e këtyre dy të rinjëve te rrethuar në një vend të huaj nga dhjetra udhtëar që sillnin panderprerë.Duke e kujtuar po ashtu edhe këngën e Zagrebit të këngëtarit legjendar Augustin Ukajt: “moj allti moj belgiane-nam të madh në Zagreb na bane” dhe pastaj duke e përfunduar me fjalët:”Nuk luftuam për mendje t´madhe-as s´luftum se spatëm pare-na nxu puna e spatëm qare-se shqiptart kurr s´kan vdekë me marre”. /KultPlus.com
Jo vetëm jeta e Gjergj Kastriotit ishte shembull për të gjithë ,por edhe qeverisja e tij, më saktësisht mbretërimi i tij.Në kohën e tij të qeverisjes së Arbërisë ,atdheu që ai udhëhiqte kishte bërë bujë të madhe në të gjitha vendet dhe mbretëritë e principatat e Europës dhe Botës. Se në yllin e famës së tij që ngritej çdo ditë lartë e më lartë në qiellin europian e botërore ,atdheu i tij Arbëria si dhe flamuri i tij arbëror qëndronin në dy krahët e këtij ylli famëmadh të këtij kontinenti të lashtë.
Nga kjo mund të thuet se qeversija mbretërore e Arbërisë e udhëhequr nga Mbreti Gjergj Kastrioti që nga fillimi e deri në fund të jetës së tij nuk kishte pas asnjë skandal, as egoizëm,as lakmi,as korrupsion etj.
Natyrishëm sikur që dëshmohet nga dokumentet historike,kronikat,ashtu edhe nga Barleti,në Ushtrinë e tij nuk kishte lakmi dhe prostituta, por kishte disciplinë.
Kështu që nën komandën e Gjergj Kastriotit,morali dhe ndërgjegja identitare arbërore ishin të rrënjosura thellë në secilin që merrte përgjegjësinë për fushat drejtuese në institucionet e asaj kohe.
Ndërsa, kudo ku ai shkonte në vendet e ndryshme për vizita zyrtare, nga admirimi dhe simpatia e madhe dilnin rrugëve dhe oborreve perandorake e të kryeqendrave për ta pritur.
Sikur që shkruante një kronist europian:“Si hyri në Romë ,të cilën e kish mbuluar me bujën e emrit dhe të trimërive të tij dhe sa u morë vesh kjo punë nga ata ,prej të gjitha anëve ishte një lëvizje dhe një rendje e pabesueshme njerëzish për ta parë dhe për ta nderuar.”
Pokështu edhe albanologu i njohur kroat dr.Milan Shuflaj, duke qenë një studiues i zellshëm dhe i thellë ,ai kishte njohur cilësit ,famën dhe veprat e pavdekshme të Gjergj Kastriotit nëpërmjet leximeve e dokumenteve të lashta historike, dhe kështu erdhë në përfundim duke nënvizuar se:“ Skënderbeu është fryti më i përsosur i racës arbërore”.
Këngëtarja e njohur, Dua Lipa, përmes sukseseve në industrinë muzikore, ka ngritur emrin e saj në majat më të larta të botës, transmeton KultPlus.
Albumi i fundit “Future Nostalgia” ka ndikuar që emri i Duas të jetë i pranishëm në gazetat dhe lajmet botërore, por kjo nuk është e gjitha.
Dua Lipa së bashku me Ed Sheeran dhe Post Malone janë të vetmit artistë me 2 albume në Top 10 albumet më të transmetuara të të gjitha kohërave në Spotify.
Spotify është një platformë muzikore, e cila përmbanë statistika të ndryshme dhe të dhëna për artistët e njohur ndërkombëtar dhe jo vetëm
26 vjeçarja ka anuluar së fundmi dy konerte të fundvitit, kjo për shkak të problemeve që ajo ka pasur me laringun e saj. /KultPlus.com
Artisti Shkodran Tolaj është vlerësuar si artisti më i sukesshëm në kulturë në RMV për vitin 2021 nga “Grand Prix IV”, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshortja e tij, Besiana Mehmedi, e cila ka uruar Tolajn përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook.
Derisa artisti Shkodran Tolaj ka shkruar: “Punë, punë natë e ditë, që të shohim DRITË”
“Si fitues i edicionit të IV-të “Grand prix” me çmimin “Best of the best” për punën në vitin 2021 dëshiroj të falemnderoj RTV21 dhe bashkëpunëtorët e sinqertë! Ky çmim më bën që të punoj akoma më shumë për të trasuar rrugën brezave të rinjë! Falemnderit vendlindjes sime të dytë Shkupit Dardan!”, shkroi ai. /KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar “RITU”, i cili zhvillohet çdo vjet në Belgjikë do ta shoh edhe shtetin e Kosovës të pranishëm, shkruan KultPlus.
Shfaqja teatrale “Mbretëreshat pa kurorë” është pjesë e studimit shkencor i cili është bërë për herë të parë në Kosovë por edhe në botë, “Teatri edukativ si formë për tejkalimin e traumës te gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë”.
Kjo shfaqje është e realizuar mbi rrëfimet e vërteta të katër grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Shfaqja përbëhet nga dy skena; Skena e parë që paraqet dhunimet, malltretimet, rrahjet, sharjet që i janë bërë këtyre grave nga ushtria dhe policia serbe! Skena e dytë përbëhet vetëm nga rrëfimet që paraqet kronoligjinë e dhunimit, jetën e tyre pas luftës dhe jetën e tyre sot.
Në festivalin ndërkombëtar “RITU” edicioni i 38-të, Kosova paraqitet për herë të dytë, gjithashtu edhe vitin 2018 prezantuam Kosovën me komedinë “Sundimi i Gruas” e që u prit jashtëzakonishtë mirë, ndërsa këtë vit në mesin e qindra aplikimeve, Kosova prezantohet me shfaqjen “Mbretëreshat pa kurorë” përkrahë shteteve të mëdha si : SHBA, Spanja, Gjermania dhe Belgjika.
Koncepti dhe Regjia:Marigona Bekteshi Ferati Dramatizimi: Albana Muja Psikologe Klinike: Fatime Sahiti Koreografia: Sinan Kajtazi Muzika: Gëzim Hasani
Luajnë: Rabije Kryeziu, Dora Xhemajli, Blerina Veseli, Labinot Rraci, Mirsad Ferati, Fatmir Haliti, Artan Hetemi. /KultPlus.com
Gjatë ditës së sotme, Shqipëria është përfshirë nga disa përmbysje në zonë e Fierit dhe në disa zona të tjera, shkruan KultPlus.
Ministri i Mbrojtës në Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” se janë në gatishmëri të plotë për t’iu ofruar ndihmë.
Postimi i tij i plotë:
“Në ditë të mira e ditë të vështira jemi bashkë me vëllezërit tanë në Shqipëri. Pas përmbytjeve në zonën e Fierit dhe zona të tjera të Shqipërisë, i kam telefonuar Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, të cilit i kam shprehur gatishmërinë tonë të plotë për mbështetje me aftësitë dhe kapacitetet tona të kërkim-shpëtimit për reagim, menaxhim dhe sanim të pasojave. Së bashku jemi më të fortë në secilën sfidë!”
Situatë problematike për shkak të reshjeve që vazhdojnë prej disa ditësh paraqitet dhe në Himarë. Lumi Shushica ka shkatërruar tërësisht urën e fshatit Kallarat. / KultPlus.com
Çmimi i sivjetshëm “Cineuropa” nga Festivali i Filmit Mesdhetar në Bruksel është ndarë në mënyrë “ex-aequo” apo të barabartë për dy filma, konkretisht për “Zgjoi” tëBlerta Bashollit dhe “Murina” të Antoneta Alamat Kusijanovic, shkruan KultPlus.
Hive është një film i parë artistik që tregon historinë e një zonje në një qytet të vogël, e cila përballet me paragjykime dhe pasiguri, ndërsa frymëzon gratë në komunitetin e saj që të marrin kontrollin e fatit të tyre.
Ky çmim jepet për mjeshtërinë me të cilën regjisorja tregon aftësinë e saj në formimin e personazheve dhe punën me aktorët.
Murina arrin të tregojë bindshëm dhunën e përditshme brenda një familjeje të izoluar fizikisht. Kur nuk mund ta krahasoni situatën tuaj me asgjë tjetër, mësoheni me dhunën dhe nuk jeni në gjendje ta ndaloni atë. Është vetëm një pjesë e përditshmërisë suaj. Abuzimi bëhet i dukshëm kur vjen një i huaj dhe ai ofron kontrastin, pasqyrën.
Ky çmim jepet për delikatesën me të cilën trajtohet tema, për interpretimet e aktorëve dhe për tensionin gjithmonë të pranishëm. /KultPlus.com
Duhet të ketë hyrë në studion e Kolë Idromenos, me shaminë e bardhë, napë në kokë, me hapin e lehtë. Rrudhat i dalin në pah dhe tregojnë një grua mbi të 70-at, me nofulla të futura brenda, me gjasë nga dhëmbët e rënë. Është kapur në profil. Në kokë mban një kapele tip ‘hikers’ dhe një palë syze ‘vintage’ në formë rrethore (që mbase janë edhe syze piloti). Nëse nuk do dije emrin e fotografit që ka fiksuar këtë çast, do mund të mendoje shumëçka. Plaka me rrudha, me napën mbi krye ku shquhet edhe qëndisma e lehtë, me syze e kapelë është shndërruar në një zonjë shumë ‘stil’. Prapë do të mbeteshim të paqartë mbi statusin e saj social, nëse shpatullave të imta nuk do të kishte hedhur kapotën e vjetër. Nga supet i shquhet qartë qepja e shkujdesshme me dorë. Gjithë imazhi për të ndryshon. Zonja me kapelë, me shumë gjasa është një grua krejt e zakonshme të cilës Kolë Idromeno, i kërkoi një ditë të pozonte për të. Me dy aksesorë, e moshuara ka marrë pamje tjetër, që tradhtohet vetëm prej qepjeve të palltos. Fotografi Idromeno i ka dhënë një jetë tjetër të përjetshme gruas që në rrethana të paqarta ka hyrë në studion e tij. Ironikisht, jeta që ajo pati një çast të vetëm për ne, është përjetësia e saj, fiksuar vetëm nga ky imazh. Kjo fotografi është në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku u çel dje ekspozita “Kolë Idromeno. Retrospektivë” me piktura, kostume, skica dhe fotografi të mjeshtrit poliedrik të artit shqiptar, vëllain e “Motres Tone” e babain e pikturës së parë realiste shqiptare.
Nikollë Idromeno u lind në Shkodër më 15 gusht të vitit 1860. I ati, Arsen Idromeno, një shqiptar nga Parga, ishte vendosur në Shkodër në vitin 1856. Arseni u martua me një vajzë shkodrane, Roza Saraçin në vitin 1858. Nikolla, ose Kola si e njohim ne më shumë, ishte fëmija i dytë i çiftit Idromeno, pas vajzës Antonia, e lindur më 1859. Pa asnjë dyshim në shfaqjen e prirjeve të Kolës për vizatimin ka ndikuar puna e të atit si projektues shtëpish. Ai u rrit në një familje, ku babai punonte pas një tryeze të mbushur me skica, libra e projekte arkitekturore. Një fëmijëri e tillë patjetër do ngjallte dëshirë t’i prekte e t’i shfletonte librat, të provonte edhe ai magjinë e vizatimit mbi letër. Veprat e tij janë ekspozuar në ekspozitën e parë kombëtare në Tiranë, në vitin 1931, ekspozitë e organizuar nga shoqata “Miqtë e Artit”, si dhe në ekspozitat ndërkombëtare në Budapest (1898), në Romë (1925), në Bari (1931), në Romë (1936) dhe në Nju Jork (1939). Nikollë Idromeno u nda nga jeta në 12 dhjetor të vitit 1939.
PIKTURA DHE DETAJET QË FSHEH Një analizë më e hollësishme e Eleni Laperit, studiuese e artit pamor, ndalet më gjatë te vlerat e “Motres Tone”, portretit të Mati Kodhelit, kostumet “Dasmës shkodrane”, “Autoportretit” të autorit që e shfaq atë rreth moshës 70-vjeçare apo një portreti të panjohur më parë të Imzot Çobës kur ishte veçse fëmijë. Por, ajo që vlen të marrë më shumë vëmendje është vepra e tij me bazë religjioze, jo aq prej tematikës, se sa prej trajtimit. Më 1890, kur ishte diku te të 30-at, Idromeno pati një porosi për pikturë nga një frat. Kishës i duheshin pikturat e tij për t’u shpjeguar malësorëve Biblën dhe për t’u treguar se cilat ishin mëkatet që nuk duhej të bënin. Për këtë seri, “Idromeno ka punuar me kënaqësi të madhe sepse ka bërë skica për to, por edhe ka bërë fotografi për skena të ndryshme, ka marrë shokët të pozojnë të veshur ose gjysmë të zhveshur”, thotë Laperi.
Tabloja “Dy rrugët” tregon se si Idromeno e ka pasqyruar në pikturë, parajsën e ferrin. Ai e ka ndarë në gjysmë tablonë, parajsën në pjesën e sipërme dhe ferrin në pjesën e poshtme. Peizazhi i parajsës është marrë nga Kodra e Tepesë, që është në vendin ku është ngritur kalaja e Rozafës. Nëse pjesa e parajsës mbahet në ato tonet e kaltra e të qeta, një gjallëri e jashtëzakonshme e pothuaj festë është në pjesën e ferrit. Ka disa hipoteza për devocionin e tij: Mikel Prenushi thotë që Idromeno ishte ateist, Mark Zadeja thotë se ishte shumë besimtar, ndërsa Odise Paskali që e ka takuar më 1931 e mban mend si ateist. Por, për Laperin, përtej besimit, Idromeno ishte artist ndaj kur sheh këtë tablo beson se ai është kënaqur gjatë procesit të punës.
Idromeno ka vënë në vepër edhe veten e tij. Në një prej grupeve që janë të destinuar për në ferr, madje kanë kaluar dhe portën e tij, ai mban në duar një violinë e veçantë me 8 tela që e kishte modifikuar vetë. E përdorte në festat që organizonte. Kjo violinë, vëren Laperi, e përdorur shumë në kulturën e folklorin nordik, ishte një violinë që nuk pranohej nga kisha sepse thuhej që atë violinë muzikantëve ua kishte mësuar djalli. E gjithë skena e poshtme e veprës përcjell të gjitha mëkatet që të çojnë në ferr. Piktori vë në të gjakmarrjen, vrasjet, vë betimet e rreme, vë fëmijët që keqtrajtojnë nënën, vë fallxhorët, kurnacët.
Një detaj interesant që studiuesja vëren nga kjo vepër, janë dy portat. Porta e parajsës të kujton fundin e gjilpërës ku futet peri. Ilustrimi evokon frazën e njohur se, “mëkatari do hyjë në paraja aq sa ç’hyn deveja në vrimën e gjilpërës”. Ndërsa Portën e Ferrit, Idromeno e bën të madhe. Ajo ngjan me Portën e Top Kapisë, me Portën e Lartë të Stambollit. “Flamujt e kuq mbi të, nuk janë të rastësishëm. Janë flamujt e kuq otomanë. Ai gjen mënyrën për të thënë se ferri i shqiptarëve ishte Porta e Lartë”, shënon studiuesja. Por, vepra nuk ndalet vetëm te këto detaje që dalin në dritë nga studimet. “Këtë tablo Idromeno e ka marrë në dorë edhe pas 1910-ës. Krejt pranë portës së ferrit, shquan Edit Durhamin dhe konsullin francez në Shkodër, Aleksandër Degrand, i cili më 1901 botoi një libër ku ka 4 fotografi të veprave të Idromenos”, thotë Laperi. Duke vërejtur se kjo është tabloja ku ai shfaqet si piktor profesionist, kujton se Aleksandër Degrand kur e përshkruan në librin e tij, thotë se Idromeno kishte pikturuar një liqen të rrethuar me pemë në ferr. Siç duket, ai në fillim ka dashur të vërë liqenin për ta bërë sa më real e për ta lidhur me Shkodrën, por më vonë e ka kthyer në një lulishte. Në pjesën e sipërme të veprës, nga porta e parajsës e deri në qiell, duket se shquhen dy shqiptarët që çuan Zojën e Shkodrës në Gjenacano, pas pushtimit otoman të Shkodrës, ku legjenda thotë se Zoja iku nga Shkodra.
“Dy burrat ndodhen në afreskun e kishës së Zojës në Gjenacano në Romë, ku ka shkuar figura e Zojës së Shkodrës. Në atë tablo, ku piktori italian tregon arritjen e Zojës në Gjenacano, janë edhe ata dy burra: supozoj se mund të jenë Giorgio dhe De Sclavis, dy shkodranët që çuan ikonën atje”, thotë studiuesja.
Para të gjitha veprave me temë fetare si “Dy rrugët” apo “Kur hin dreqi mrena”, gjenden skica dhe fotografi, që janë veçse skena të vogla të kompozime e të mëdha të piktorit. Kjo nxjerr në pah jo vetëm procesin e tij të punës, por edhe përgatitjen e madhe që ai bënte para një vepre të tillë. “Këto seri tregojnë se Idromeno punonte para për veprat. Ai ka bërë një seri skicash e fotografish. Ka marrë shokët e tij dhe i ka vënë të pozojnë në pozicionet që do duheshin për kompozimet e mëpasshme. Janë shokët e tij, humoristë të qytetit”, thotë Laperi.
FOTOGRAFIA Në pamje të parë janë vetëm dy burra, jo më shumë se në të 30-at e tyre që po pozojnë. Duhet pak vëmendje për të parë, se ndërsa njëri është tejet serioz, tjetri si në foto, e çlirëta që bëjmë ne sot, ka nxjerrë gjuhën për të përqeshur me shaka mikun e tij. Fotografi nuk është përpjekur ta fshehë këtë detaj.
Në një tjetër, një oficer është ulur në karrige dhe pozon. Ka në krahë dy fëmijët e tij, të dy, pa të brendshme. Hija e rëndë e ushtarakut që pozon me mustaqet përdredhur ‘zhbëhet’ nga lakuriqësia e fëmijëve që del në pah qartazi, qoftë edhe prej pakujdesisë së t’et që e mban shikimin të mbërthyer nga objektivi. Një zotni me kapele republike që teksa kalon lumin me gomar duket si ku bie, një fëmijë që pozon në këmbë ndonëse duket nga pas një burrë që e ndihmon të mbajë ekuilibrin. Fotografitë e Idromenos, bartin dhe ngërthejnë sa prekjen e kuruar të artistit, po aq edhe ‘gabimet’ njerëzore që duket se janë lënë aty qëllimisht. Dyzimi oficer i kuruar dhe fëmijë të zhveshur mundet të haset në secilin imazh që ka lënë ai.
Studiuesi Zef Paci thotë se si figurë poliedrike, ai ndërron habitatin e Shkodrës, duke sjellë nga arkitektura orientale në një arkitekturë neoklasike e baroke. Realizon piktura, portretin e parë laik, kompozimin e “Dasmës Shkodrane”, piktura me motive religjioze, portretin e Mosinjor Çobës. Është edhe muzikant që ka luajtur me violinë e trombon nëpër orkestrat e bandat e qytetit, që asokohe quheshin “Daulla e qytetit”. Zef Zorba ka treguar se kur ishte fëmijë kishte ndërtuar një elektroshok për vetitë kurative. Ai ishte i joshur ndaj alkimisë e këtë joshje e kishte edhe ndaj fotografisë. “Ka marrë mësimet e para te Marubi e mandej ka shkuar në Venecia. Kur kthehet në Shkodër, ka ndjerë potencialin e mediumit të ri, siç është fotografia.
Studioja e tij është e dyta që hapet në Shkodër. Ajo që është e rëndësishme për personin e tij, është se eklektizmi dhe poliedriticiteti i tij i bën t’i ndajë artet nga njëri-tjetri. “Te piktura ndjen procesin në punën e tij, ndërsa te fotografia, me mjeshtërinë që ka e kompozimin – ajo ruan fragrancën e tharmin e jetës. Kur e bën fotografinë, ndjen dozën e vërtetësisë dhe sheh njerëzit e rrugës”, thotë Paci. Pranon se përzgjedhja është bërë duke pasur parasysh Idromenon poliedrik dhe eklektik. Fenomen i ushqyer prej kureshtjes si dhe inteligjencës së tij për të përzgjedhur e dalluar ndërmjet kërkesave të kohës, mungesave, ndërmjet mundësive ekskluzive të mediumit që përdorte. “E veçanta është se ai sa arrin të inskenojë në studio dhe rivënien në skenë të fotografisë, aq edhe ai del në rrugë dhe fotografon duke kapur çastin. Mbase s’janë foto të përsosura, por kjo e bën artistike e të veçantë. Fotot ndërkaq, prej se vijnë nga Akademia e Studimeve Albanologjike, nuk kanë pas asnjë sqarim që të tregojnë për të”, thotë ai, ndërsa vëren se në njërën prej tyre, “fëmija që mban librin, mund të jetë Simon Rrota”. / KultPlus.com
Selena Gomez, këngëtarja e cila filloi në këtë industri në moshën 7-vjeçare, para se të bëhej e famshme si adoleshente në Disney Channel ‘Wizards of Waverly Place’, ka folur për mënyrën sesi grimi në industri kaq e re e la atë në “pikëpyetje” për bukurinë e saj.
“Unë jam grimosur që kur isha shtatë vjeç. Ndjehem si e ngatërruar me veten. Ti je shumë e re dhe më pas punon. Unë kam profesionistë që bëjnë grimin tim dhe papritmas mund të dukem si 25 vjeç kur isha vetëm 16 vjeç, dhe kjo ishte çmenduri. Kjo thjesht më bëri të vë në dyshim bukurinë time për atë që ishte.”
Krijuesja e hitit “Good For You” vazhdoi të etiketonte veten si “viktimë” e dëshirës për të ndryshuar fytyrën e saj për shkak të tendencave të bukurisë, duke zbuluar se krijimi i linjës së saj të grimit Rare Beauty është bërë për të inkurajuar të tjerët që të “përqafojnë” veten për atë që janë.
“Kam qenë viktimë e dëshirës për të ndryshuar fytyrën time dhe për të bërë gjëra sepse shoh tendenca të tilla intensive. Mendoj se pjesa më e dobishme e krijimit të kësaj linje është se ne krijojmë një vend për njerëzit që nuk e bëjnë këtë. Domosdoshmërisht duan të kryejnë punën ose të ndryshojnë fytyrën e tyre. Ata thjesht duan të përqafojnë atë që janë dhe atë që kanë. Edhe nëse ju pëlqen të bëni më shumë grim, edhe kjo do të funksionojë me atë që ofron marka ime. Kjo është arsyeja pse unë doja markë të jetë aty për vajzat dhe djemtë dhe kushdo që të ndihet se është në rregull të mos duket si të gjithë të tjerët”, ka thënë këngëtarja dhe aktorja 29-vjeçare. / KultPlus.com
“Dasma shkodrane” 1924, vaj mbi kanavacë, 94,5×133,5 cm
“Dasma shkodrane” është jo vetëm një emblemë e galerisë së piktorit, Kolë Idromeno, kjo tablo është ajo puhizë e tamëlt e këndimit të vlerave përfaqësuese të Shkodrës. Përmes kësaj tabloje Idromeno piktor, por po kaq i famshëm edhe si fotograf, skenograf, arkitekt, skulptor dhe muzikant, i gjithëshkëlqyeshmi i spovave arriti të përcjellë përmes kësaj pikture një etapë sa gazmimi aq dhe përfaqësimi të kryeqendrës shqiptare, në ç’farë më vezullimshmëm se sa në atë të dasmës, këtij solemniteti, të cilit ju dha gjithë ajo madhështi, gjithë ai ceremonialitet, gjithë ai sharm dhe finesë që Shkodra e mëkoi ndër qindravjeçarë për ta trashëguar në vitet që do të vinin si një kreshtë e lartë e qytetërimit. Për veprën e artit antropologjisti amerikan Clifford James Geertz (1926-2006) shkruan se është një mekanizëm i zhvilluar për të përcaktuar marrëdhëniet shoqërore, për të mbështetur rregullat dhe për të forcuar vlerat shoqërore. Sipas tij, kur studiojmë një formë të artit, ne eksplorojmë një ndjeshmëri, e cila në thelb është një formacion kolektiv, pasi themelet e një formacioni të tillë janë aq të gjëra e aq të thella sa është qënësia shoqërore. Ndjeshmërinë jo vetëm të piktorit, po të një bashkësie të tërë ne mund ta eksplorojmë duke admiruar tablonë ‘Dasma shkodrane’. Nga ajo tablo mësojmë si vepronin rregullat në bashkësinë katolike të qytetit të Shkodrës, marrëdhëniet ekonomike e shoqërore midis fiseve, familjeve, gjinive, shtresave të popullsisë së asaj kohe. Sot ne nuk shohim në tablo atë që shihnin bashkëkohësit e Idromenos, as atë që vetë Idromeno paraqiste në tablonë e tij. Kur admironin një ceremoni dasme, e cila ishte e lidhur me mënyrën e tyre të jetesës, me marrëdhëniet gjinore, me formën e komunikimit midis fiseve, me qëndrimin ndaj vajzës, ndaj djalit, ndaj familjes, ndaj veshjes, emocionet e asaj kohe ishin të ndryshme nga ato që provojmë ne sot. / KultPlus.com
Eventi i përvjetshëm “Vrapo Babadimër” u organizua edhe këtë vit dhe me gjithëpërfshirje të plotë u shënua edicioni i gjashtë, që pritet të ndihmojë më shumë se 700 familje, shkruan KultPlus.
Pjesë e maratonës ishte edhe Presidentja Vjosa Osmani.
Ndërsa kujtojmë se organizatori i maratonës “Vrapo Babadimer” të Organizatës Jo-Qeveritare “Projekti 5 cent”, Jusuf Islami, ka thënë në një prononcim për KultPlus se gjithëpërfshirja dhe ndihma për njerëzit në nevojë është pikërisht synimi i tyre.
“Evente të tilla dhe maratona të ngjashme ka nëpër vende të ndryshme të botës. Qëllimi kryesor i tyre është bamirësia për njerëzit në nevojë. Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq do të ndihmojmë më shumë se 700 familje, përzgjedhjen të cilëve e kanë bërë ata”, pati thënë Islami.
Ata kanë dhuruar edhe për shoqatën “Down Syndrome Kosova”, pasi që synim kryesor e kanë gjithëpërfshirjen.
Programi i kësaj maratone filloi në ora 11:00 me ç ‘rast pati edhe një program muzikor derisa me fillim nga ora 13:00 u zhvillua starti dhe finishi në sheshin “Nëna Terezë”. / KultPlus.com
Hipoteza e ngritur dhe e kryer nëpërmjet vëzhgimit me sy të lirë nga restauratori, piktori e studiuesi i artit bizantin Mustafa Arapi para disa kohësh, duke shprehur se tabloja “Motra Tone” nuk është punim i të njëjtit piktor që ka punuar “Dasmën shkodrane” shqetësoi disa profanë, ku gjuha e tyre e ulët foli më shumë se mendja e tyre. Mendimi i Mustafa Arapit vlen të merret në konsideratë. Kjo jo vetëm për aq sa përmendëm më sipër, por dhe sepse Arapi ka evidentuar punime të Onufrit, Qipriotit e shumë ikonografëve të tjerë. Kontributi i tij në këto fusha është mëse i njohur në botën akademike. Duke folur me subjektivizëm janë thjeshtë diskutime kafenesh. Shkenca nuk bën kompromis me sentimentalizma, lokalizma apo patriotizma të kotë që nuk i shërbejnë asgjëje, përveçse ideologjive fanatike e vetanake të individëve të caktuar. Shkenca lufton për dritën e të vërtetës. Të flasësh për pikturën është çështje komplekse, dhe jo thurje barsoletash nën hijen e pemës.
Në këtë artikull nuk synohet të lihet mënjanë figura e Kolë Idromenos. Por përkundrazi synohet të analizohen problematika, të cilat deri më tani i kanë shpëtuar syrit të dikujt. Unë do të trajtoj vetëm dy aspekte të punës së Kolës, të cilat mund të analizohen me metodën e vëzhgimit me sy të lirë: teknika e velaturës dhe firma e Kolë Idromenos.
Teknika e velaturës është një teknikë artistike, e cila konsiston në vendosjen e një shtrese shumë të hollë me një ngjyrë, mbi shtresën pastoze ose më pak pastoze në një pjesë të tablosë. Pikërisht se është shumë e hollë dhe transparente, ajo njihet si teknika me velaturë. Teknika e punimit me pastë ose ndryshe pastoze është trajtimi i pikturës, me një shtrese ngjyre të bardhë të plotë. Velatura vendoset mbi pastën që pjesa e punimit të marrë transparencë, thellësi, duke krijuar efekte gjysmë transparente, për të krijuar një efekt të tejdukshëm, për të ndryshuar ngjyrën bazë, për të krijuar fraktura, si dhe mbi të gjitha materializon teksturat e materies. Velatura është përdorur që në fillimet e pikturës. Ajo shkëlqeu si teknikë në Rilindjen italiane e atë të Europës veriore e gjithashtu në periudhën të artit Barok. Një shembull i mjeshtërisë së teknikës është piktori flamand Rembrandt van Rijn. I pari që e përdor në artin laik e realist shqiptar është piktori i tablosë “Motra Tone”. Dhe tekstualisht kjo teknikë është përdorur në disa tablo të ekspozuar në ekspon e hapur te Galeria e Arteve Tiranë “Kolë Idromeno”, si tek: “Motra Tone”, “Plaku”, Portreti i Mati Kodhelit, e deri tek trajtimi i disa bizhuterive e teksturave të veshjeve, të degërmive, marhamave e të pëlhurës së perkalinës.
Nëse një artist zotëron këtë teknikë, përveçse dhe çështjeve të tjera themelore të pikturës, ose ndryshe e thëne, të ABC-së së pikturës, si kompozimi, raporti i ngjyrave, proporcionet, perspektivën, vizatimin e mbi të gjitha karakterin e personazhit, mund të themi se ka artisti ka arritur një pjekuri artistike. Këtu i shtojmë sigurisht dhe konceptin, apo ndryshe idenë e trajtuar. Duhet të themi se tablotë e realizuara nga Kola kanë një ndasi radikale në dy periudha, ku periudha e parë dallohet fill pas mbarimit të shkollës, që mund të themi se i përket të dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit XIX, dmth 1880-1900, pavarësisht se dhe këtu ka ulje e ngritje në punët e tij. Madje unë do ta limitoja deri në 1890. Në dhjetëvjeçarin e tetë të shekullit XIX (1880-1890), Kolë Idromeno realizon disa punime: Portreti i “Mati Kodhelit” (1881), Motra Tone (1883), “Betimi në rrenë” në vitin 1892 dhe “Dy rrugët” 1896. Pas këtyre dekadave, arti i piktorit shfaq një dekadencë artistike, që shkon në nivelet e një pune të dobët e amatore.
Periudha e dytë është periudha pas këtyre viteve, pra nga 1900 e deri në vitet e fundit të krijimtarisë artistike të piktorit. Kohërat e artit kanë treguar e dëshmuar se qëndron një linjë artistike e një piktori, e cila fillon me bazat e pikturës, vazhdon me njohjen e vizatimit dhe teknikave, e për të avancuar më tej me krijimtarinë e tij si profesionist. Kur arrin pjekurinë artistike një piktor, do të thotë që ai ka zotëruar të gjitha këto është çliruar nga rregullat akademike e shkollore: nuk është më një student, por një artist i mirëfilltë.
Ajo që ndodh me krijimtarinë e Kolës është e kundërta: ai zotëron e trajton mjeshtërisht parimet e çështjet e artit, si dhe shfaq një pjekuri artistike veçanërisht në dhjetëvjeçarin 1880-1890. Më pas fillon të shënojë një rënie, ku dallohet se artisti mohon të gjitha kriteret e mëparshme dhe bie në dekadencë artistike. Piktori X (po e quajmë atë piktor të dytë të panjohur të periudhës së dytë) le të themi se mohon teknikën e velaturës e bie në ato tone që në gjuhën e pikturës quhet “bjak”, dmth., e bardha “mbyt” çdo ngjyrë tjetër, sepse bëhet pjesë e çdo trajtimi me ngjyrë. Madje dhe hijen nuk e trajton me ngjyrë, por me tonet e së bardhës apo të zezës. Dhe kjo nuk ndodh në një vepër, por në disa prej tyre e veçanërisht tek portretet. Por kjo gjë nuk ndodh vetëm me teknikën. Artisti X mohon proporcionin, për shembull në rastin e pikturës së dytë të motrës së artistit e veshur me veshje qytetare europiane. Ajo paraqitet me një bust të gjerë në disproporcion me tërësinë e figurës dhe një mungesë e anatomisë së trupit. Dhe kjo është e dukshme që nuk është e qëllimshme, por është një mosnjohje e vizatimit nga autori. Nëse do të ishte e qëllimshme, atëherë piktori ka kaluar në atë fazë që njihet si pjekuria artistike ku ai interpreton realitetin.
Këtu dhe në shumë portrete të tjera, piktori X shfaq mungesë në perspektivën tonale të planeve. Kjo dallohet tek “Dasma Shkodrane” apo “Oborr shtëpie shkodrane”, ku tonet e shurdhëta dominojnë në këto tablo. Një artist në një pjekuri artistike, i cili ka realizuar “Motrën Tone”, nuk bie në nivele të atilla që të mos dijë të trajtojë planet në perspektivë. Në këtë mënyrë, një artist do të binte ndesh me parimet e pikturës, ku forma dhe volumi janë aspekte bazë për krijimin e realitetit tredimensional në një plan dy dimensional, siç është telajo. Kur ndryshe nga këto tabllo të fundit, piktori tek “Motra Tone” flet me një gjuhë pothuajse bashkëkohore duke trajtuar sfondin me ngjyrë të errët, që të kujton “Damën me kunadhe” të L. da Vinçit. Përveç trajtimit, dora e damës tek Vinçi, si dhe tek Tonia janë personazhe më vete. Ato flasin më shumë se portretet. Sfondi ndonëse është i errët ka shumë më shumë thellësi siç ka peizazhi apo sfondi i “Dasmës shkodrane”. Tablloja Motra Tone ka një ngjashmëri në dorë me portretin e Mati Kodhelit dhe portretit të Plakut, ku ky i fundit nuk ka të shënuar as vitin e realizimit e as nënshkrimin e piktorit. Të tria këto tablo dallojnë nga të gjitha tablotë e ekspozitës. Një piktor që realizon këto tablo si këto të lartpërmendurat, nuk ndodh të realizojë një tablo të një niveli të dobët pas dy vjetësh siç është ”Betimi në rrenë”, apo peizazhin “Pamje nga Ulqini” (1897 – 1898). Mungesa e perspektivës, trajtimi me të njëjtin intensitetit të planeve apo më dukshëm mungesa e teknikës, na bën të mendojmë se diçka nuk shkon. Piktori X bie në nivele akoma më të dobëta në disa tablo të tjera si tek “Portreti i burrit (portreti nr.4 në linjën ekspozuese). Aty dallohet një sfond e një trajtim i dobët si në ngjyra, por veçanërisht në teknikë. Ndoshta mos duhet konsideruar se gabimisht i është përveshur autorësia e kolës këtyre tablove, ose mund të flitet për autorë të ndryshëm të cilët dallojnë nga njëri tjetri?
Së dyti dua të ndalem tek firma e Kolë Idromenos. Tabloja “Motra Tone” (1883) u realizua nga artisti në moshën 23 vjeçare. Kola e nënshkruan tablonë në pjesën e sipërme majtas të tabllosë mbi sfondin e errët duke nënshkruar me një kaligrafi dore elegante e të rafinuar. Ai e shkruan emrin e tij në gjuhën italiane: Nicolo. A. (Arsen emrin e babait) dhe mbiemri “Idromeno”. Poshtë tyre është shënuar “fece li 2 febbraio 1883”, pra “e realizuar më 2 shkurt 1883”. Ndërsa në tablonë e parë të tij pasi kthehet nga Italia, në portretin e Mati Kodhelit, piktori shënon në italisht, në të njëjtën kaligrafi e në gjuhën italiane: Nicolo Arsenio 15 marzo 1881. Këtu firmos duke vendosur si mbiemër emrin e të atit. Ajo që vihet re në punët e Idromenos është një paqendrueshmëri në kaligrafi, e njëjta gjë që vërehet dhe tek trajtimi i tablove. Shumë vepra të tij janë pa firmë e pa datë realizimi, gjë që e vështirëson akoma më shumë analizën e punëve të tij. Rëndësia e firmës e nënvlerësuar nga studiuesit, në rastin e artit të Kolë Idromenos, ose e marrë si mirëqenë, tregon se një studim i thelluar i artistit në fjalë ka munguar. Nënshkrimi i artistit është në të vërtetë një pjesë e rëndësishme e veprës dhe mbi të gjitha i vendit të artistit në historinë e artit. Në kohërat e artit, artistët nuk kanë mundur të shesin punimet e tyre, vetëm sepse firma e tyre ka munguar në tablo. Nënshkrimi është gjithmonë një vlerë më vete pasi firma mund ti japë ose mund të prish vlefshmërinë e një vepre arti. Ka raste kur artistë kanë firmosur në anën e pasme të tablosë, zakonisht kur kanë shënuar dedikime, por për ta është një domosdoshmëri të lënë firmën e tyre në krijimet e tyre. Madje shumë piktorë njihen për firmën e kaligrafinë e tyre të bukur dhe estetike. Nga tradita bizantine, siç ishte dhe në Shqipëri, ikonat nuk nënshkruheshin dhe vetëm rreth në shekullin e trembëdhjetë hasen emra të ikonografëve ku mënyra për t’u nënshkruar ishte “nga dora e …”. Kjo për të treguar se ishte dora e piktorit që e kishte materializuar fizikisht imazhin, por ishte Fryma e Shenjtë që e krijoi atë. Artisti është vetëm një medium i shprehjes hyjnore dhe jo krijues ashtu siç e kuptojnë ne sot. Vetëm pas rënies së Bizantit, ikonografë si Onufri apo Qiprioti do të firmosnin artin e tyre.
Koha ka treguar se mjeshtrat kanë punuar me ndihmës e ndjekësit e tyre. Gjatë Rilindjes italiane zotërimi i një zanati erdhi përmes praktikës së mësimit tek një mjeshtër, nga babai tek djali, ku në atelietë apo punishtet e arteve ndiqeshin udhëzimet dhe shembulli i mjeshtrit. Gjatë kohërave artisti përkufizohej si dikush me një aftësi të caktuar dhe një imitues i mirë i natyrës. Vetëm me Rilindjen italiane, artisti arriti të sigurojë një status më të lartë dhe në rangun e dijetarit. Piktorë si Giotto ishin ndër të parët të cilët vendosën emrat e tyre në punime, por pjesa më e madhe e veprave të artit botëror para shekullit XIV mbeten anonime. Ashtu siç studime tregojnë deri në shekujt e vonë mësojmë se shpesh në tablo vendosej emri i mjeshtrit, kur në të vërtetë punën e kishin realizuar ndjekësit apo ndihmësit e tij.
Firma ishte përmbyllja e veprës dhe finalizimi i saj. Përmes saj ndërtohet historia e jetës artistike e mbi të ndërtohet historia e artit, më pas autenticiteti i veprës, e si rrjedhojë marrëdhënia e veprës me tregun e artit e porositësin e veprës. Kur në Bizant e më vonë, artisti mbeti në rolin e një “zanatçiu” dhe firma e tij nuk kishte një rëndësi, në shekullin XIX akti i nënshkrimit të një vepre merr një rëndësi të konsiderueshme, pasi kjo lidhej me statusin e tij në skenën artistike, ku në sallonet e ekspozitat e mëdha ndërkombëtare të artit të kohës ekspozoheshin punët e tyre. Gjatë Mesjetës në përgjithësi krijimtaria e piktorit ishte e lidhur me porositësin e tablosë, siç ishin të shtresa e lartë, mbreti apo kisha. Detyrimisht puna e tij ishte e lidhur me nevojën e kërkesat e tyre. Ndërsa në shekullin XIX, po të vërejmë piktorët realistë e impresionistët më vonë thyhen rregullat akademike, kështu arti nuk ishte më një art i diktuar, por i çliruar nga bindjet e kohës: autorësia e veprës merr një dimension akoma më të lartë. Ndërkohë që në Europë ishte ky fenomen, Kolë Idromeno, pas një studim të një periudhe të shkurtër në Venecia e përkrah mbështetjes së tij të përhershëm të Marubit u formua dhe realizoi tablotë e para realiste në Shqipëri. Por ajo që ndodh tek ky piktor është pikërisht neglizhenca e tij në firmosjen e tablove. Një piktor me një kaligrafi elegante e të rafinuar bie në një kaligrafi të neglizhuar tek tabloja “Betimi në rrenë”. Dhe kjo nuk është shumë larg, por vetëm dy vjet më pas tablosë së Motrës Tone. Ai kalon nga kaligrafi të lartë estetike, të shkruar me shkrim dore, në një kaligrafi me germa shtypi e pothuajse më një vertikalitet në strukturë, gjë që është e kundërt në kaligrafitë e tjera, pasi ato kanë një pjerrtësi dhe elegancë, e mbi të gjitha autori kupton rëndësinë e nënshkrimit si një vlerë e shtuar dhe e domosdoshme e artit të tij. Piktori kalon nga detaje të mëdha të autorësisë dhe datimit, në eliminim të autorësisë së tij dhe datimit të punëve mbi veprat e tij, nga “shenja, gjurma” e tij në historinë e artit shqiptar drejt një anonimati; nga një elegancë e kaligrafisë në një vrazhdësi estetike. Finesa e firmave, si dhe datimi i tyre i saktë, tek portreti i Mat Kodhelit e portretit të motrës Tone, nuk arrin të përsëritet në veprat pasardhëse. Nuk ka më Nicolo, Arsen, por thjeshtë firma e tij nënshkruhet me një germë N dhe mbiemrin e tij. Diku mbiemri i tij trajtohet disi më një lloj finese, por përsëri nuk arrin trajtën e firmës të viteve të para të krijimtarisë. Ndryshimi drastik që dëshmon nënshkrimi tek “Betimi në rrenë” (përveç trajtimit të tablosë me penelata që s’të kujtojnë aspak penelatën në tablonë e motrës Tone) krijon dyshime në autorësinë e veprës dhe në linjën e krijimtarisë artistike të piktorit.
Hulumtimet mbi punën e krijimtarinë e tij duhet të avancojnë, pasi në këto punime shfaqen disa mospërputhje, të cilat krijojnë terren për hipoteza të ndryshme. Dhe hipoteza të ndryshme sjellin interpretime të ndryshme. Ndoshta duhet të flasim për disa autorë? Apo ndoshta është e drejtë të themi se kjo x punë “i atribuohet x piktori”. Mos duhet të hulumtojmë për ndonjë atelie ose punishte arti të periudhës. Në këtë rast studimi i detajuar i krijimtarisë së tij mund të zbulojnë histori të tjera, problematika të fushës së artit gjatë asaj periudhe, ndoshta atelie të cilat në formën e një punishteje arti kanë nxjerrë figura artistësh ende të pastudiuar, apo analiza na orientohen në autorësi të ndryshme të punimeve. / KultPlus.com
Ekipi turk, Galatasaray ka arritur të fitojë Champions League në sportin e xhudos. Pjesë e skuadrës turke në xhudo janë edhe dy xhudistët kosovare Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu.
Të dyja xhudistet kosovare me paraqitjet e tyre kanë qenë protagoniste dhe kanë ndihmuar skuadrën e Galatasarayt të fitonte komepticionin më të rëndësishëm për xhudon.
Kjo u bë e ditur nga trajneri Driton Kuka.
“Xhudistet e klubit tonë i huazuam për Ligën e Kampionëve për ekipin Galatasaray! Disi dhe Laura protagonistet kryesore në titullin e fituar në Champions League mbajtur në Paris! Fituan në të tri luftërat e tyre! Kjo edhe zyrtarisht ishte gara e fundit në sportin e xhudos për sivjet”, ka deklaruar trajneri Kuka. / KultPlus.com
Pushimi dimëror për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës do të nis në fund të këtij muaji.
Sipas zëdhënëses së MASHTI, Iliriana Pylla procesi mësimor do të përfundoj më 30 dhjetor, dhe pushimi do të nis nga data 31 dhjetor.
“Sipas vendimit të fundit të MASHTI, procesi mësimor do të përfundoj më 30 dhjetor, dhe pushimi dimëror do të zgjasë deri më 10 janar në rast se nuk ndryshon ky vendim gjatë ditëve të ardhshme”, ka thënë Pylla.
Kujtojmë se viti shkollor kishte nisur me një muaj vonesë shkaku i situatës me pandeminë COVID-19.
MASHTI në konsultim me gjithë akterët e tjerë të arsimit kishin marrë vendim për kompensimin e ditëve të humbura për vitin shkollor 2021-2022. Kompensimi i ditëve të humbura është vendosur të mbahet të shtunave, dhe ka nisur që nga data 9 tetor 2021, kur edhe do të përfundoj më 24 qershor 2022.
Më poshtë mund të njoftoheni për oraret e orëve mësimore të cilat do të zëvendësohen:
– Në muajin dhjetor, 2021 me datat: 4.12.2021, 18.12.2021, 28.12.2021, 29.12.2021 dhe 30.12.2021 (ditë të pushimit dimëror);
– Në muajin janar, 2022 zëvendësimi të bëhet me datat: 15.01.2022 dhe 29.01.2022;
– Në muajin shkurt, 2022 me datat: 12.02.2022 dhe 26.02.2022.
– Në fund të periudhës së tretë, për nxënësit të cilët e përfundojnë shkollën e mesme të lartë klasën e 12-të (maturantët), zëvendësimi të bëhet me datat: 16.05.2022, 17.05.2022, 18.05.2022, 19.05.2022, 20.05.2022.
Për nxënësit e klasave 9, 10 dhe 11-të, zëvendësimi bëhet me datat: 06.06.2022, 07.06.2022, 08.06.2022, 09.06.2022, 10.06.2022.Për nxënësit e klasave 1-8 dhe fëmijët parafillor, zëvendësimi do të bëhet me datat: 20.06.2022, 21.06.2022, 22.06.2022, 23.06.2022 dhe 24.06.2022. / KultPlus.com
I riu shqiptar Klaudio Findiku ka komunikuar ditën e shtunë më datë 11 dhjetor se prezantimi i ditës së shtunë ishte i fundit për vitin 2021.
Një vit ky shumë i suksesshëm për të riun Findiku i cili në 2021 është vlerësuar me mbi 20 çmime në fushën letrare nëpërmjet konkurseve të ndryshme të poezisë në Itali dhe jo vetëm.
Poezia e Klaudios që flet për dashurinë dhe për Shqipërinë, dy tema të cilat e kanë shoqëruar kudo Klaudion në jetën e tij. 2021 ka qenë nje vit i suksesshëm prodhimi dhe në fushën e pikturës. Disa prej tyre janë vlerësuar nga kritikë arti dhe shumë të tjera kanë marrë çmime të dyta e të treta.
Klaudio ndihet shumë i realizuar mbas marrjes së çmimeve të tilla, sepse jep kontributin e tij përtë ngritur lart vlerat e një populli që ndër vite është parë në një këndvështrim të gabuar.
Në nëntor 2021 doli libri IL PANE (Buka) një libër shumë i “përqafuar” nga lexuesi italian dhe jo vetëm. Një libër i cili ka fituar disa konkurse letrare në një kohë të shkurtër. Një libër i cili ka shëtitur në disa bibloteka të Trentios, rreth 12 prezantime në 3 muajt e fundit në Trentino dhe me mbi 25 prezantime të programuara për vitin 2022.
Së shpejti Klaudio Findiku do të jetë pjesë e përgatitjes së një projekti të ri në fushën e letërsisë, një konkursi ndërkombëtarë i titulluar “AQUILA D’ORO” (Shqiponja e artë) konkurs i hapur në veçanti për të rinj e të reja për t’i afruar me krijimtarinë letrare si poezi, shkrim kreativ, pikturë e fotografi.
Gjithashtu në vitin 2022 Findiku do të përfundojë librin mbi të cilin po punon, një libër që do ta rikthejë në Shqipëri dhe Kosovë. / KultPlus.com
Ka vdekur në moshën 80-vjeçare, Anne Rice, autorja e romanit gotik “Intervistë me vampirin”.
Shkrimtarja amerikane, e cila shiti më shumë se 150 milionë libra, vdiq e rrethuar nga familja e saj mbrëmjen e së shtunës.
Ajo vdiq për shkak të komplikimeve të shkaktuara nga një goditje në tru, njoftoi djali i saj Christopher Rice në faqen e saj në Facebook.
“Në orët e saj të fundit, unë u ula pranë shtratit të saj në spital me frikë nga arritjet dhe guximi i saj”, ka shkruar ai.
“Intervista me Vampirin” u botua në vitin 1976 dhe vazhdoi të jetë një “best seller”. Më vonë, libri u përshtat edhe në një film me Tom Cruise dhe Brad Pitt, në vitin 1994.
Ajo vazhdoi të shkruante vazhdime të librit, duke formuar një seri të quajtur “Kronikat e Vampirit”. Një tjetër libër nga seria e librave të saj “Queen of the Damned”, u bë gjithashtu film në vitin 2002. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot artistin Nikoll Idromeno në 82 vjetorin e vdekjes.
Si sot, më 12 dhjetor të vitit 1939 u nda nga jeta artisti Nikoll Idromeno.
U lind më 15 gusht 1860 në Shkodër. Nikoll Idromeno i njohur ndryshe me emrin Kolë Idromeno ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor këngësh shkodrane. Mban titullin “Piktor i Popullit”. Ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, 1919.
Është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX-XX. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi një fotografi e një autoportret të tij dhe një fotografi të pikturës së Kolë Idromenos e titulluar “Dasma Shkodrane”. / KultPlus.com
Reshjet e dendura të shiut kanë tejfryrë lumin Vjosa, duke shkaktuar daljen e tij nga shtrati.
Raportohet se rreth orës 03:00 të mëngjesit, lumi ka çarë argjinaturën, duke përmbytur shtëpitë në fshatin Fitore.
Prurjet e mëdha kanë krijuar një situatë të pazakontë në Vlorë. Në terren ndodhet shtabi i emergjencave dhe kryetari i bashkisë, ndërsa banorët janë njoftuar të marrin masa për evakuuim.
Deri më tani janë larguar 11 familje, ndërkohë që vijon të ketë rritje të prurjeve në lum.
Situatë problematike për shkak të reshjeve që vazhdojnë prej disa ditësh paraqitet dhe në Himarë. Lumi Shushica ka shkatërruar tërësisht urën e fshatit Kallarat. / KultPlus.com