Këtë fundjavë, në Cineplexx mund t’i shikoni disa nga premierat më të fundit botërore.
Vikendi është kohë që më së miri kalohet duke shikuar filma, dhe ku t’i shikosh filmat më të rinjë dhe më mirë se në Cineplexx. Këtë vikend, në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren mund t’i shikoni 10 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 11:00 deri në ora 19:00 në kinemanë në Prishtinë, ndërsa në Prizren, kinemaja nis punën në 11:00 dhe qëndron hapur deri në ora 21:45. Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni këtë fundjavë në Cineplexx janë:
1) The Marksman Ylli i njohur Hollywood-ian Liam Nesson rikthehet në ekranet e mëdha me filmin The Marksman, që këtë të enjte arrin në Cineplexx si premierë e javës. Filmi nën regjinë e Robert Lorenz, dhe me aktorë të njohur si Liam Nesson dhe Kathryn Winnick, Theresa Luiz, flet për një një fermer në kufirin e Arizonës i cili bëhet mbrojtësi i një djali të ri meksikan i cili arratiset me dëshpërim nga vrasësit e kartelit që e kanë ndjekur atë në SH.B.A.
2) Wonder Woman 1984 Në vitet 1980 aventura e rradhës e Wonder Woman e gjen atë përballë dy armiqve të rinj: Max Lord dhe Cheetah. Në film, rikthehet në rolin e saj aktorja e njohur Gal Gadot, ndërsa përveç saj, në film luajnë aktorët e famshëm si Kristen Wiig, Robin Wright, Pedro Pascal, ndërsa si regjisore e filmit rikthehet Patty Jenkins, të cilën po e ndjek suksesi që kur filmi i parë i Wonder Woman entuziazmoi fansat.
3) 10 Days without Mom Antoine është shefi i burimeve njerëzore të një kompanie të madhe. Kur gruaja e tij vendos të shkojë në pushime dhe ta lërë atë me përgjegjësinë e katër fëmijëve të tyre, ai mendon se do të jetë e lehtë. Por Antoine e ka nënvlerësuar rrëmujën që mund të bëhet gjatë përkujdesjes së fëmijëve.
Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen edhe komeditë The Stand In, The War with Grandpa, drama Come Away, aksioni The Doorman ndërsa nga filmat familjarë po shfaqen ende The Elfkins, Trolls World Tour si dhe Yakari, A Spectacular Journey.
Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren nis punën nga ora 11:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu (e lidhni me këtë link: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/)
Një vajzë, e cila është shpallur si më e bukura në botë nga “TC Candler”, është shprehur se ka shumë persona, të cilët e kanë tallur për pamjen e saj të jashtme.
19-vjeçarja Yael Shelbia, fitoi konkursin që u bë i famshëm kur u fitua nga Thylane Blondeau, e cila ishte vetëm 6 vjeç kur u konsiderua si më e bukur në planet.
Në deklarata për “The Sun”, Yael tha se ka plot njerëz që nuk e pëlqejnë aspak.
“Më vijnë shumë mesazhe që më vlerësojnë, por ka plot edhe nga ata që tallen me pamjen time. Thonë gjërat e zakonshme që thotë një “hater”, nuk ia vlen të shpenzosh kohën me këta persona. Unë u habita kur më thanë që fitova sepse as nuk e dija që po merrja pjesë në konkurs”, u shpreh e reja nga Izraeli. / KultPlus.com
Shkrimtari i njohur Jusuf Buxhovi ka kujtuar sot poetin, gazetarin dhe studiuesin Ramadan Musliun, njëherit edhe redaktorin e veprës së tij, shkruan KultPlus.
Duke pirë një kafe me Danin, pa Danin, Buxhovi kujton mikun e tij me fjalë prekëse e të ndjera.
Sipas Buxhovit, Dani ishte një mik i ideve intelektuale dhe idealeve për shoqërinë e më të mirës si model politik gjithëpërfshirës i të gjitha kohëve. Si i tillë, Dani ishte një “aristokrat” i vetmuar midis krijuesve.
Po ju sjellim fjalët e Buxhovit për mikun e tij, Raman Musliun:
KAFJA PËR DANIN, PA DANIN…
Në ditën e njëzet e dytë të tetorit të vitit të kaluar, kur ia bëra nderimet e fundit Danit, me të cilin miqësinë e kishim peng, ktheva aty, ku për herë të fundit, më 25 shtator, pas promovimit të “Dardanisë”, pimë kafe.
Porosita dy kafe. Ekspreson e shkurtër, për Danin, siç e pinte për vite të tëra, dhe një makiato për vete.
Kamarieri, nuk priti t’i thoja se ajo kafe do të mbetej e paprekur.
Nga ajo vetmi e trishtë, më nxori ndjenja e një falënderimi adhurues ndaj një miku të ideve intelektuale dhe idealeve për shoqërinë e më të mirës si model politik gjithëpërfshirës i të gjitha kohëve. Si i tillë, Dani ishte një “aristokrat” i vetmuar midis krijuesve, siç ishte Lasgushi, apo A. Pashku. Dani, megjithatë, ishte edhe redaktor dhe mentor i veprës sime. E ndihmoi dhe e ndikoi aq shumë saqë mund të merret edhe bashkautor i pjesës së saj më të konsoliduar,
Kur po largohesha dhe lash filxhanin e kafes në tavolinë, si diçka që humbjen e kthen në kujtim të përhershëm, ndjeva sikur Dani po më përcillte dhe po më ngushëllonte me miqësinë që e kishim peng jete.
Kjo ma largoi ndjenjën e humbjes, dhe ma ktheu atë të pavdekshmërisë së frymës së ideve, për të cilën Seneka thoshte se është një si zhdëmtim kënaqësie, që përcjell ata që jetës i japin kuptim me vepra, që edhe aktin e fundit – vdekjen e kthejnë në një çast të pritshëm, madje në një përjetim solemn!
Këtë ndjenjë e përcjell edhe vepra e fundit e Danit “Gjendje neutrale”, e botuar para një viti, që kur lexohet me vëmendje, nxjerr në pah atë që Platoni e quan “shpirt superior universal”, frymë kjo që poezisë sonë i jep një vlerë të veçantë… / KultPlus.com
Mustafa Arapi ishte artist i cili davarinte mjegullën që shpërfaqte krijimin dhe i jepte kuptim efekteve të dritës me ngjyra që përplaseshin në krejt arkitekturën e në objekte lokale tjera.
Ky ishte njëri prej efektve që përpilonte ballafaqimin e ngjyrave dhe përfitimin e thellë shpirtëror. Hija e ngjyrës që shpërfaqej nga qielli veçanërisht rretë ishin gri dhe nuk shqetësohej fare a kapte atë realitetin objektiv siç ishte, por më tepër ashtu siç e ndjente në një formë subjektive. Zëri i tij i brendshëm refelktonte në krejt pikturën dhe rrezet e diellit binin në çdo pjesë të saj dhe hija që krijohej merrte ngjyrën gri, okër dhe blu. Peizazhet e Arapit ishin të veçanta dhe krejt ajo ngjyrë dukej si meteor dhe rreze drite e ti sapo kuadron dhe soditë njërin nga peizazhet e tij ndjen shumë emocion, dëlirë, ekstazë, metafizikë, të rritet ritmi i zemrës dhe nga pulsimi i madh përjeton atë ekstazën e dehjes greke. Sapo vështron lëvizjet e brushës që jep atë lëvizjen dhe luhatjen ose përplasjen qoftë të lehtë qoftë të ngadaltë, gjithmonë endesh matanë kodrave drejt horizontint pafund dhe ndjehesh shumë mirë, i relaksuar dhe i qetë e krejt kjo qetësi dhe mrekulli ndodhej në shpirtin e artistit.
Peneli i tij ishte simfoni dhe këto tinguj shkundnin gjethet nga pemët duke krijuar melodi dhe ritëm nëpër fusha të pikturuara ose peizazhe afër qyteteve që binte një arkitekturë e shtrirë në një kompozicionon sa horizontal aq edhe vertikal. Brusha e tij ishte filozofi e brendshme e shpirtit me plot tregime. Janë tregime të ngjeshura me ngjyrë u bën pjalm, ndjesi dhe pikturë e në këtë pikturë që pak kush ka vënë re forma çudake nga infiniti, mistike, lojë nga agnostikja drejt një labirinthi të realiteteve nga ëndrrat e në esencë eshtrat dhe tuli i tyre dukej real. Këto forma janë tej konkretes, reales, aspak të rëndomta, poetike që i bashkon surealja.
Mustafa Arapi dje iku nga kjo botë për t’u përjetësuara krijimtaria e tij. I lehtë të qoftë dheu!
Mustafa Arapi ka lindur më 23 korrik 1950 në Tiranë. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1979 për pikturë. Pas studimeve ai filloi të punonte si restaurues i veprave të artit bizantin në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë.
Ka punuar si profesor në Akademinë e Arteve nga viti 1985 deri më 1991. Pastaj, gjatë viteve 1993-2006 ishte shef i Departamentit të Punëve të Artit në Institutin e Monumenteve të Kulturës. / KultPlus.com
Përkujtohet sot 99 vjetori i lindjes së aktores së mirënjohur, Antoneta Fishta.
Artistja ka lindur më 22 janar të vitit 1922 në Vjenë të Austrisë. Për shkak të humbjes së prindërve të saj, ajo kthehet në Shqipëri ku rritet nga murgeshat dhe ndjek studimet në shkollën normale “Donika Kastrioti” dhe diplomohet për mësuesi, profesion të cilin ajo e ushtroi në rininë e saj.
Me vendosjen e saj përfundimisht në Shkodër dhe mëqënëse pasioni që ajo kishte që në fëmijëri nuk i ishte zbehur, aktorja Fishta si fillim bëhet pjesë e grupeve artistike në Shkodër.
Ajo u bë pjesë e teatrit “Migjeni” të Shkodrës duke interpretuar si fillim në shfaqjet “Çështja Ruse”, “Portreti” dhe “Ishulli i paqes”, shfaqje këto që nxorën në pah talentin e madh të artistes dhe që më pas do t’i besoheshin role të rëndësishme në vepra të tjera të vëna në skenën e teatrit “Migjeni”.
Në këtë teatër, artistja ka interpretuar më tepër se 70 personazhe nga më të ndryshmet. Por përveç teatrit, ajo u bë shumë shpejtë pjesë edhe e kinematografisë shqiptare duke interpretuar edhe këtu rreth 12 role të cilat kanë ngelur gjatë në memorien e publikut.
Ndër shfaqjet dhe filmat që ajo ka interpretuar dhe ka lënë gjurmë janë “Shtrëngata e Ostrovskit”, “Tirani i Padovës”, “Toka Jonë”, “7 shaljanet”, “Këshilli i ndrikullave”, “Detyrë e posaçme”, “Shtigje lufte”, “Çifti i lumtur”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Radiostacioni”, “Flaka e maleve”, “Rruga e lirisë” dhe shumë e shumë role të tjera.
Artistja është vlerësuar shumë herë me çmime dhe medalje të mara në festivale të ndryshme teatrorë dhe kinematografikë.
Antoneta Fishta ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar dhe për shumë breza me radhë do të ngelet një figurë dhe model i rëndësishme në artit shqiptar.
Ajo u nda nga jeta më 26 tetor 2016 në Itali në moshën 84 vjeçare./ atsh/ KultPlus.com
Sot, kujtojmë 233-vjetorin e lindjes së Xhorxh Gordon Bajron.
Poeti romantik anglez, Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë.
Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.
Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.
Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”
Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka licencuar Federatën e Golfit.
Ministrja Vlora Dumoshi gjatë takimit me kryetarin e kësaj federate, Blerim Sejdiu diskutoi për aktivitetet sportive që organizon kjo federatë.
“Licencimi i Federatës së Golfit është bërë me qëllim të një organizimi më të mirë të jetës sportive në vend. Me anë të këtij licencimi besojmë që do të ketë aktivitete dhe gara të strukturuara duke pasur parasysh interesimin që keni shprehur ju federata e Golfit. Ministria do ta përkrahë këtë federatë në kuadër të politikave prioritete që ka për sportin”- tha ministrja Dumoshi.
Dumoshi e Sejdiu diskutuan gjithashtu për hapat konkretë që duhen ndërmarrë në të ardhmen.
Ndërkaq, Kryetari i Federatës së Golfit e informoi ministren lidhur me gjendjen aktuale, planet e federatës dhe aktivitetet të cilat do të mbahen gjatë këtij viti. / KultPlus.com
– Vëllai e rrah vëllain, motra kërcënohet nga vëllai e ish-gruaja e kërcënon burrin.
Në rajonin e Prishtinës gjatë 24-orëve të fundit janë raportuar 4 raste të dhunës në familje.
Derisa në orët e mbrëmjes në kryeqytet, vëllai ka sulmuar fizikisht vëllain, në një tjetër rast në Fushë-Kosovë, vëllai ka kërcënuar motrën, për çka ka përfunduar në mbajtje.
Nga ana tjetër një grua nga Prishtina ka raportuar në polici se ndaj saj bashkëshorti ka ushtruar dhunë psikike dhe policia njofton se aktualisht rasti është nën hetime.
Ndërsa në Podujevë një burrë ka raportuar se nga ish-bashkëshortja e dyshuara femër kosovare, tashmë një kohë në mënyrë sistematike ka shantazhuar, kërcënuar dhe shqetësuar. E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. / indeksonline / KultPlus.com
Dy ikona të Krishtit dhe Virgjëreshës Maria, pikturuar përkatësisht në 1735 dhe 1785, u dorëzuan në ambasadën greke në Bejrut për t’u dërguar më pas në Greqi.
Ministria greke e Kulturës, në një njoftim, theksoi se të dy ikonat u vodhën në vitin 2006, së bashku me objekte të tjera, nga kisha e ”Aghia Triada”, në Oksia, Karditsa, ku ishin kataloguar.
Ikonat ishin futur në bazën e të dhënave të veprave artistike të kërkuara nga Interpol.
Në tetor 2020, dy ikonat u gjetën nga një arkeolog gjatë verifikimit të një liste ankandi që do të mbahej në Dyseldorf./ atsh/ KultPlus.com
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka njoftuar se sot do të nënshkruhet kontrata kolektive në fushën e arsimit.
Hoti ka thënë se janë marrë vesh me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës që të paguhet edhe paga e 13’të për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, duke filluar nga viti 2023.
“Jemi pajtuar që të paguhet paga e 13’të duke filluar nga viti 2023 E kemi saktësu pagesën për shujtën dhe transportin. Sot do të nënshkruhet kjo kontratë me disa ndryshime teknike që do të bëhen gjatë ditës. Mendoj që është një momenti i mirë në fushën e arsimit që e rregullon mënyrën e funksionimit të arsimit në vend”, ka deklaruar Hoti.
Ndërkohë, Ministri i Arsimit, Ramë Likaj tha se çështja e pagës së 13’të lidhet ngushë me performancën e mësimdhënësve.
“Paga e 13’të, është e lidhur ngushtë me performancën dhe nëse tregojnë performancë të mirë, mësimdhënësit do ta marrin një pagë të tillë”, ka deklaruar Likaj./Gazeta Express / KultPlus.com
Sot, kujtojmë lindjen e Elena Gjikës (Dora D’Istria, 1829-1888).
Elena Gjika lindi në Bukuresht të Rumanisë më 22 janar të vitit 1829. Ndonëse vendlindja e saj ishte Bukureshti, ajo përmend në letrat e saj origjinën e familjes së saj nga qyteti i Pargës.
Elena Gjika me aktivitetin e saj si shkrimtare dhe publiciste, përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, si dhe lëvizjen kulturore përparimtare të Europës. Ajo mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar siç ishin: De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko, etj.
Disa nga studimet e saj, vlejnë të përmenden: “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalite albanaisi d’apres les chants populaires), 1866, “Shkrimtarët shqiptar të Italisë jugore” (Gli scrittori albanesi dell’Italia meridionale), 1867, “Shqiptarët në Rumani” (Gli albanesi in Rumenia), 1873 etj. Në këto studime Elena Gjika nxirrte në pah traditat, doket, kulturën dhe historinë e shqiptarëve e luftën e popullit shqiptar kundër sundimit osman. Ajo shfaqi interesa të shumanshme në shumë fusha si: sociologji, folkloristikë, letërsi e kritikë letrare.
Në shenjë mirënjohje për ndihmesën e dhënë ndaj çështjes shqiptare në botë, patriotët rilindës e arbëreshë të Italisë e Greqisë i kushtuan librin me titull: “A Dora D’Istria- Gli albanesi” ( Dora D’Istrias- Shqiptarët) më 1870. Elena Gjika vdiq në Firence në vitin 1888. / KultPlus.com
Pikërisht më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.
Atë natë të trishtë Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, por rezistencë sulmit i bënë Hamza dhe Shabani, bashkë me anëtarët e tjerë.
Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 ku pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.
Me këtë rast Komuna e Skenderajt së bashku me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të bëjnë̈ homazhe në shenjë nderimi për heroizmin e jashtëzakonshëm të familjes Jashari. (Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ora, 10:00. / KultPlus.com
BB Poqi ka hyrë në historinë e muzikës rok në trojet shqiptare nëpërmjet krijimtarisë së tyre të pasur, shkruan KultPlus.
Këngët me tekstet me vlerë artistike dhe kryesisht lirike, të kombinuara me interpretime fantastike vazhdojnë ende të dëgjohen pavarësisht viteve.
Në mesin e shumë veprave të tyre muzikore, “Kthehu” mbetet një thirrje artistike për dashuri.
KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Kthehu” të BB Poqi:
Thellë në veten time je ti, blen kujtimet për ty, pa ty unë ndjej shprazëti, si nje vullkan qe fle jam unë, kur t’vi dita do t’i them, tregimet që nuk vdesin kurrë.
Në qjell lart shikoj, rrugëdalje kërkoj, unë dua të ik nga ti përgjithmonë, provoj ta harroj, fytyren e njomë dua ta kem.
Harrove, dënove, sikur një hije shkove, të lutem kthehu pergjithmonë
Nëse ty të imagjinoj, si një engjëll më shikon, sikur don t’më thuash jo, në rrugë të shoh sikur atëherë,
ti shndërrit si një diell
dua që unë ty të ndjej
Në qjell lart shikoj, rrugëdalje kërkoj, unë dua të ik nga ti përgjithmonë, provoj ta harroj, fytyrën e njomë dua ta kem. / KultPlus.com
Aktorja, Nathalie Delon, e cila ka luajtur në filmin “The Samuraï” të Jean-Pierre Melville me bashkëshortin e asaj kohe, Alain Delon, vdiq sot në Paris në moshën 79 vjeçare, njoftoi djali i saj Anthony Delon.
“Mamaja ime vdiq e rrethuar nga të afërmit e saj. Ajo vdiq nga tumori”, deklaroi djali i Nathalie dhe Alain Delon, Anthony.
Në sytë e publikut të gjerë, ajo mbetet Jane, partnerja e Alain Delon në “The Samurai” (1967), nga romani “The Ronin”, i Goan McLeod.
Ajo xhiroi gjithsej 30 filma në role dytësore deri në fillim të viteve 1980, duke përfshirë “Army of Shadows” (1969), gjithashtu nga Jean-Pierre Melville, “Docteur Justice” (1975), nga Christian -Jaque, dhe “Game of Seduction” (1976), nga Roger Vadim.
Nathalie Delon do të kalonte menjëherë pas kamerave duke realizuar filmin “They Call It an Accident” (1982) dhe “Sweet Lies” (1986), me Treat Williams. Ajo do të publikonte kujtimet e saj në 2006.
Me origjinë spanjolle, ajo lindi në Francine Canovas më 1 gusht 1941 në Oujda, në Maroc, në atë kohë nën protektoratin francez. Ajo mbërriti në Paris në vitin 1962 pasi u nda nga bashkëshorti i parë, Guy Barthelemy. /ata/ KultPlus.com
Në fund të muajit do të kuptohet nëse Festivali i filmit në Cannes do mbahet në maj apo do të shtyhet për në verë. Megjithatë, festivali po mendohet të mbahet në mes të 5-25 korrik, mëson Variety.
Sindikata e hoteleve të Cannes ka thënë se festivali me shumë gjasë do të shtyhet për në korrik.
“Do të preferonim që festivali të mbahet në maj, sigurisht, por do të jemi të lumtur të përgatitemi për ta hapur festivalin edhe në korrik; datat për të cilat jemi pajtuar janë në mes të 5-25 korrik. Kështu që, festivali mund të fillojë diku më 5 korrik, ose disa ditë më vonë”, ka thënë pronari i një prej hoteleve.
Në një vit normal, shtyrja e këtij festivali do të nxiste protesta nga pronarët e hoteleve, sepse Cannes është një zonë e nxehtë në Francë për turistët dhe korriku ashtu si edhe gushti është sezonë që zakonisht mbushet me turistë që kalojnë pushimet atje. /Koha/ KultPlus.com
Këngëtarja e njohur, Billie Eilish ka gëzuar fansat e saj nëpërmjet publikimit të këngës së saj më të re, shkruan KultPlus.
“Lo Vas A Olvida” mban emrin krijimtaria më e re e Eilish, e cila vie në një bashkëpunim me Rosalia.
Me gërshetimin e një teksti në gjuhën angleze dhe spanjolle, kënga që në shqip përkthehet si “Do ta harroni” ka karakter lirik për një dashuri të humbur.
Rosalia e kishte paralajmëruar këtë këngë në mars të 2019-s duke thënë se mezi priste të bashkëpunonte me Billie. / KultPlus.com
Shumica e festivaleve botërore të artit janë anuluar për shkak të Covid-19 vitin e kaluar, teksa ende po diskutohet nëse do të ketë organizime në vitin 2021, shkruan KultPlus.
Një festival tejet i njohur që ka nam edhe përtej kufinjve shqiptarë është Festivali “Sunny Hill” për të cilën organizatori, Dukagjin Lipa ka jepur detaje për organizimin e tij në këtë vit.
I ftuar së fundmi në emisionin e mëngjesit “Ora shtatë” në Klan Kosova, Dukagjin Lipa tregoi se planet për realizimin e festivalit do të plotësohen në varësi të situatës së pandemisë.
“Planet e saj varen shumë prej situatës me pandeminë. Ne mezi presim të fillojë përsëri Festivali Sunny Hill. Shpresojmë shumë që pandemia të qetësohet sepse duhet ta dimë që duhet të jemi të kujdesshëm me festivale. Duhet t’iu përmbahemi rregullave të COVID”, shprehet ai.
Më tej shton se i gjithë ekipi është i gatshëm për organizimin e edicionit të sivjetshëm dhe po presin për dritën jeshile nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Jemi të gatshëm për festivalin por jemi duke e prit vendimin e Kryetarit të Komunës, Shpend Ahmetit, për hapësirën e re të këtij festivali. Do të kemi një lajm të ri për 3-4 ditë për sajtin e festivalit. Veç pandemia mundet me na ndalë, asgjë tjetër”, tha Dukagjin Lipa.
Festivali “Sunny Hill”, festival ky disa ditorë, ka sjellë në Kosovë disa nga emrat më të shquar të muzikës si Miley Cyrus dhe Gashi. / KultPlus.com
Edlira Luca bashkë me dy shkencëtare të tjera kanë marrë Çmimin Vontobel për hulumtimet e tyre mbi moshën, rigjenerimin e muskujve, parkinsonin, mirëqenien në pleqëri.
Bashkëpunëtorja shkencore 40-vjeçare, në cilësinë e postdoktorantes punon në Klinikën për Endokrinologji, Diabetologji dhe Ushqim Klinik në Spitalin Universitar të Cyrihut.
“Nga fëmijët e lindur në Zvicër vitin e kaluar, 1 në 4 vajza dhe 1 në 7 djem ndoshta do të jenë në gjendje të festojnë 100 vjetorin e lindjes”, thotë Luca, transmeton albinfo.ch. Por me kalimin e moshës të gjithë ne humbim muskujt e skeletit, midis muskujve formohen qeliza dhjamore.
“Nga mosha rreth 40 vjeçare, ne humbasim tetë për qind të muskujve skeletorë çdo dhjetë vjet”. Ky fakt shkakton probleme në lëvizje dhe çon në aksidente që përfundojnë në qëndrim në spital.
Ruajtja e pavarësisë në pleqëri
“Me kalimin e moshës ne e humbasim lirinë tonë për të lëvizur dhe për të qenë të pavarur. Për më tepër, humbja e muskujve rrit rrezikun e diabetit të tipit II tek personat mbi 65 vjeç. “Unë jam e interesuar të zbuloj arsyen përse qelizat dhjamore depërtojnë në muskuj ose nëse ka ndonjë lidhje midis shfaqjes së qelizave dhjamore dhe humbjes së muskujve në kohën që plakemi”, shprehet Luca.
Ajo shpreson të japë një kontribut në mënyrën se si mund të ruhet forca e muskujve dhe kështu të sigurohet pavarësia në pleqëri.
Edlira Luca ka marrë Çmimin Vontobel së bashku me dy shkencëtare të tjera për punën e tyre kërkimore. Në laboratorin e saj në Schlieren (Kantoni Cyrih), Luca ka shftrytëzuar metodat e fundit molekulare biologjike për të kuptuar rolin e një familje gjenesh në rigjenerimin e muskujve, përcjell albinfo.ch.
Ajo përmes këtij eksperimenti arriti të tregonte se në ç`mënyrë një rrjet i sofistikuar prej pesë mikro-ARN-ve të ndryshëm rregullon komunikimin midis qelizës muskulore dhe botës së jashtme duke ndikuar kështu në formimin e indit të ri muskulor pas një dëmtimi.
Kështu, studimi i saj jep një kontribut të rëndësishëm për të kuptuar humbjen e muskujve me kalimin e viteve.
Tek njerëzit e moshuar, qelizat muskulore rigjenerohen më dobët, gjë që mund të rezultojë në forcë më të pakët muskulore dhe kufizime funksionale. Luca dhe ekipi i saj treguan se shprehja e gjenit ka përmirësuar ndjeshëm rigjenerimin e muskujve tek minjtë e moshuar. Rezultatet u konfirmuan gjithashtu në qelizat e muskujve të njeriut.
“Është një nder i madh për mua të marr këtë çmim”, thotë Luca e gëzuar. “Ne kemi punuar në këtë ide për kaq shumë kohë dhe na është dashur të kapërcejmë kaq shumë pengesa.”
“Unë e dua punën time”
Luca ka lindur në Shqipëri dhe është rritur në New York. Si fëmijë ajo ishte e interesuar për biologjinë. E sfidonte çështja se si funksionojnë qelizat dhe si komunikojnë organet me njëri-tjetrin. “Ndoshta kjo ndodhte për shkak se nëna ime është mjek edhe gjithmonë fliste me pasion për punën e saj”.
Luca ka dy djem të vegjël dhe jeton me burrin e saj – i cili është po ashtu mjek – në Cyrih, përcjell albinfo.ch. Dy fëmijët shkojnë në çerdhe fëmijësh.
Si ja del ajo që të kujdeset për fëmijët dhe të punojë njëkohësisht? “Është e vështirë, por unë e dua punën time”, thotë Edlira, e menduar.
Ajo shprehet se gëzon shumë mbështetje dhe inkurajim nga kolegët dhe eprorët e saj në kërkime. “Asnjëherë nuk jam ndjerë e diskriminuar për faktin sepse jam grua”.
“Qëkur Fondi Kombëtar Zviceran ka filluar mbështetjen e grave që duan të ecin përpara në punë shkencore, është bërë më mirë edhe nga ana financiare. Madje edhe kostoja e kujdesit për fëmijët merret parasysh në këtë mbështetje. Përndryshe, kostoja e çerdhes mund të paraqiste problem”.
Ndërkaq, siç thotë ajo, “më problematik duket të jetë opinioni shoqëror. Shumë veta akoma besojnë se rritja e fëmijëve është përgjegjësi vetëm e gruas. Është e rëndësishme t’u mësojmë të rinjve se ëndrrat dhe pasioni për punën u përkasin si burrave ashtu dhe grave, dhe se partneriteti nënkupton ndarjen e punëve të shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët”, thotë Luca.
Ajo është me fat që gëzon mbështetjen e partnerit, edhe në rastet kur ajo kalon më shumë kohë në laborator sesa ishte planifikuar, transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane. “Puna kërkimore është më shumë se një punë 100 për qind,” thotë Luca.
Ajo dhe burri i saj fillimisht kishin dashur të punonin vetëm përkohësisht në Zvicër. Por ata mbetën këtu. “Ne na pëlqen të jetojmë këtu, gjithashtu për shkak të maleve që i kemi pranë.”
Çfarë është Çmimi Vontobel për Hulumtimin e Moshës
Qendra për Gerontologji në Universitetin e Cyrihut jep çdo vit Çmimin për Studimet rreth Plakjes të ndarë nga Fondacioni Vontobel. Qëllimi është të promovohet kërkimi gjerontologjik në Zvicër në një larmi fushash shkencore dhe të rritet ndërgjegjësimi i publikut për çështjet që lidhen me plakjen në shoqëri.
Shpërblimi që arrin në 30,000 CHF u jepet talenteve të rinj të shquar shkencorë. Tri studiuese kanë marrë çmimin vitin e kaluar për punën e tyre në fushat e rigjenerimit të muskujve, Parkinsonit dhe mirëqenies në pleqëri: Edlira Luca nga Spitali Universitar i Cyrihut, Anne-Laure Mahul-Mellier nga EPFL Lausanne dhe Jenna Wünsche nga Universiteti i Bazelit. /albinfo/ KultPlus.com
Paulo Coelho, autori brazilian i shumë librave të përkthyer në të gjithë botën, është një ndër shkrimtarët më të mirë të kësaj epoke, i nderuar me çmime shumë të rëndësishme, shkruan KultPlus.
Mes shumë sukseseve të tij, janë edhe shprehjet e librave, të cilat kanë mbetur gjatë në memorien e çdo lexuesi që është takuar me penën e tij.
KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të bukura të Paulo Coelhos:
1. Dashuria mund të na dërgojë në ferr apo në parajsë, por gjithmonë ajo na çon diku.
2. Të mençurit janë të mençur vetëm për shkak se dashurojnë. Budallenjtë janë budallenj vetëm për shkak se mendojnë që mund ta kuptojnë dashurinë.
3. Kur një person dëshiron me të vërtetë diçka, i gjithë universi “bën plane” për ta ndihmuar që të realizojë ëndrrën e tij.
4. Nëse unë jam me të vërtetë pjesë e ëndrrës tënde, ti do të kthehesh një ditë.
5. Ëndrrat janë gjuha e Perëndisë.
6. Bota ku po jetojmë do të jetë ose më mirë, ose më keq, në varësi të faktit nëse ne bëhemi të mirë ose të këqinj.
7. Ne bëjmë shumë shmangie, por jemi gjithmonë të drejtuar për tek i njëjti destinacion.
8. Ka vetëm një mënyrë për të mësuar, dhe kjo është me anë të veprimit.
9. Çdo gjë mbi faqen e tokës ka një shpirt: mineralet, perimet, kafshët, apo edhe vetëm një mendim i thjeshtë.
10. Nëse ju filloni duke premtuar atë që nuk e keni ende, do të humbni dëshirën tuaj për të punuar në drejtim të realizimit të saj.
11. Asgjë nuk mund ta zëvendësojnë përvojën.
12. Kur dikush merr një vendim, ai po zhytet në një rrymë të fortë që do e marrë me vete.
13. Për shkak se ekziston një forcë e cila dëshiron që ju të realizoni Legjendën tuaj Personale; ajo “lag” oreksin tuaj me një shije të suksesit.
14. Njerëzit mësojnë herët në jetën e tyre se cila është arsyeja e tyre e të qenit. Ndoshta kjo është arsyeja pse ata heqin dorë kaq herët prej saj.
15. Njerëzit janë të aftë në çdo kohë në jetën e tyre, të bëjnë atë që ëndërrojnë.
16. Janë disa çaste gjatë jetës kur dikush të mungon aq fort, saqë do të doje ta nxirrje nga ëndrrat, për ta përqafuar. / KultPlus.com
Këngëtarja e famshme shqiptare, Bebe Rexha ka publikuar në Twitter disa postime në lidhje me fitoren e Joe Biden si President dhe Kamala Harris si Zëvendëspresidente, shkruan KultPlus.
Ajo shfrytëzoi përpjekjet e Biden përgjatë karrierës së tij politike dhe fitoren e tij, për ta kthyer në një motivim për fansat e saj.
“Vetëm desha t’ua rikujtoj se kurrë nuk është vonë për t’i arritur ëndrrat tuaja. Joe Biden është 78 vjeçar dhe sot është President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mos u dorëzoni!”, ka shkruar këngëtarja me origjinë shqiptare.
Just wanna let you know. It’s never too late to chase your dreams. Joe Biden is 78 and is becoming the president of the United States today. Don’t give up.
Ndër të tjera ajo përmendi në restrospektivë vështirësitë e grave përgjatë historisë, teksa ka komentuar edhe për të arriturat e deritanishme gjinore.
“Kamala Harris u bë sot zëvendëspresidentja e parë në Amerikë përgjatë historisë. Janë vetëm 100 vite prej kur ne u lejuam të votonim. Kanë kaluar 49 vjet që kur na janë dhënë të drejta të barabarta. Dhe në vitet e fundit gratë kanë thënë të vërtetat e tyre dhe duke qëndruar të forta së bashku”, ka shkruar Rexha.
Kamala Harris becomes the first female VP in US history today. It’s only been 100 years since we’ve been allowed to vote. It’s been 49 years since we have been granted equal rights. And just in the last years women have been telling their truths and standing strong together.
Dje u organizua inaugurimi i Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, teksa Kamala Harris hyri në histori si zëvendëspresidentja e parë në këtë superfuqi botërore. / KultPlus.com
Mbi 110 artistë të skenës muzikore po protestojnë për pasojat që po i vuajnë pas largimit të Britanisë së Madhe nga Europa, apo e njohur si fenomeni “Brexit”, shkruan KultPlus.
Janë Sting, Elton John, Ed Sheeran, Liam Gallagher, Radiohead, Bob Geldof, Queen’s Brian May, Robert Plant i ”Led Zeppelin”, Peter Gabriel dhe Kim Wilde, por edhe autorë këngësh si Judith Weir, dirigjenti Simon Rattle dhe violonçelisti Nicola Benedetti, ndjehen të zhgënjyer nga qeveria britanike.
Këtë e kanë shprehur në një letër të botuar në “Times”, teksa denoncojnë daljen e Britanisë së Madhe nga Europa, e që kjo e fundit është shndërruar në një zonë të ndaluar për muzikantët.
Pas përfundimit të lëvizjes së lirë midis kontinentit dhe Britanisë së Madhe, vizat individuale duhet të merren para se të udhëtohet në ndonjë vend të BE, duke rezultuar në kosto shtesë, përfshirë lejet për 350 sterlina për instrumente muzikorë dhe pajisje të tjera, pa harruar mosmarrëveshjet dhe zvarritjet burokratike.
Londra dhe Brukseli fajësojnë njëri-tjetrin për këtë situatë, por do të jenë muzikantët ata që do të paguajnë çmimin./ KultPlus.com
Italia ka stampuar një monedhë 2-euroshe të enjten për të nderuar punëtorët shëndetësorë gjatë pandemisë Covid-19.
Italia është vendi i parë i Perëndimit që është goditur nga koronavirusi dhe punëtorët shëndetësorë e kanë mbajtur barrën e sëmundjes, duke punuar pa u lodhur qëkur virusi nisi përhapjen e madhe në shkurtin e kaluar.
Për ta shprehur mirënjohjen, në dizajnin e monedhës shihen dy punëtorë shëndetësorë me maska: një grua dhe një burrë, ku mbi ta është e gravuar fjala italiane “grazie”, që do të thotë faleminderit.
“Këtë vit u goditëm nga kjo tragjedi e Covid-19, kështu që Ministria e Ekonomisë mendoi që ta krijojë një monedhë përkujtimore, për t’i falënderuar të gjithë punëtorët shëndetësorë, të cilët kanë punuar dhe po punojnë fort për shëndetin tonë dhe për ne”, ka thënë dizajnerja e monedhës Claudia Momoni në Romë.
Tre milionë monedha të tilla do t’i shpërndahen publikut në maj apo qershor. Disa mijëra kopje të monedhës origjinale do të jenë në dispozicion për t’u blerë për koleksionim.
Italia ka regjistruar 83,681 vdekje nga COVID-19, shifra e dytë më e lartë në Evropë dhe e gjashta në botë. Vendi ka raportuar gjithashtu 2.41 milionë raste deri më tani. /Koha/ KultPlus.com
Balona me ajër, e gjatë 6 metra, u bë simbol i protestave britanike kundër presidentit amerikan në largim.
Balona me ajër, karikatura që personifikon Donald Trumpin e që u bë simbol i Britanisë së Madhe kundër presidentit amerikan ka siguruar vendin e vet në histori brenda një muzeu me rëndësi.
Balona e mbushur me helium, e paguar me fonde të grumbulluara, e shfaq Trumpin si një bebe të zhurmshme të portokalltë që mban pelene, me duart e tij të vogla, që shtrëngojnë një telefon. Fillimisht ajo qe shfaqur mbi sheshin e Parlamentit gjatë protestave për vizitën e parë presidenciale të Trumpit në Britani, në vitin 2018. U rishfaq për vizitën e tij shtetërore në vitin 2019 dhe gjithashtu u shfaq në Francë, Argjentinë, Irlandë, Danimarkë dhe vende të tjera në SHBA.
Tani, pas turneut global, balona e Trumpit si bebe, e dizajnuar nga Matt Bonner dhe e konstruktuar nga “Imagine Inflatables of Leicester”, është marrë nga Muzeu i Londrës. Do të ruhet dhe do të shfaqet si pjesë e koleksionit që ka nën mbrojtje muzeu.
Kreatoret e portretit kanë thënë se po shpresojnë që të shërbejë si një rikujtim për luftën kundër “politikave të urrejtjes”.
“Përderisa ne jemi të kënaqur që balonën e Trumpit si bebe, tani ka hyrë në histori së bashku me vetë Trumpin, ne nuk jemi nëniluzion që ky është fundi i historisë”, kanë thënë ata në një deklaratë për media.
“Ne shpresojmë që vendi i bebes në Muze do të jetë si një rikujtim për kohën kur Londra ishte kundër Trumpit dhe do t’i nxisë ata që e shohin, që ta kuptojnë se si mund të vazhdojnë luftën kundër politikave të urrejtjes. Mbi të gjitha, ne shpresojmë që bebja Trump shërben si rikujtim i politikave të rezistencës që kanë ndodhur gjatë mandatit të Trumpit”.
Me shfaqjen e balonës në vitin 2018, Nigel Farage e ka quajtur “ofendimi më i madh që i është bërë një presidenti amerikan”. Trumpi pati thënë: “Hamendësoj se e kanë vendosur balonën që të mos ndihem i mirëpritur e që nuk kam arsye të shkoj në Londër”.
Sharon Ament, drejtoresha e Muzeut të Londrës, ka thënë: “Sigurisht që muzeu nuk është politik dhe se nuk ka një qëndrim në lidhje me politika në Amerikë”. Por balona prek një përgjigje tipike britanike – satirën. “Ne e përdorim shakanë shumë. Dhe ne i ngacmojmë politikanët. Ky është një shembull i madh i kësaj”.
Balona tashmë ka arritur në Muze, ka thënë ajo, e palosur në një valixhe. “Është në kohë pasi që po vjen te ne në ditët e fundit të presidentit Trump si president… gjëra më ikonike është për momentin në karantinën e muzeut. Të gjitha objektet duhet që të vendosen në karantinë, para se ato të bëhen pjesë e koleksionit pasi që mund të kenë insekte”.
Muzeu është një strehë për shëmbëlltyra, që është “një përgjigje nga londinezët”, ka thënë ajo. “Kjo ide ka lindur në Londër…ishte e jashtëzakonshme dhe kreative”.
“Kjo balonë ishte vetëm një copëz e vogël e një lëvizjeje globale”, ka thënë realizuesi. “Një lëvizje që është udhëhequr nga njerëzit e margjinalizuar, të cilët janë prekur më së shumti nga politikat e Trumpit – roli i të cilit në këto momente nuk duhet nënvlerësuar”. /Koha/ KultPlus.com