Njëra nga Kosova e tjetra nga Shqipëria, janë këto dy pilotet shqiptare që po lavdërohen nga Shtetet e Bashkuara, transmeton KultPlus.
Ato quhen, Valdeta Mehanja dhe Armela Murati, janë dy pilotet që po konsiderohen storie sukesi në fushën e tyre ushtarake.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka publikuar një shkrim për suksesin e tyre, duke i cilësuara si të parat në punën që bëjnë.
Postimi i plotë:
“Njihuni me të “parat” të cilat po bëjnë hapa përpara drejt barazisë. Togerja e 2-të Valdeta Mehanja (majtas), pilote helikopteri me Regjimentin e Aviacionit 1-131 nga Garda Kombëtare e Alabamës dhe shqiptare e lindur në Kosovë, bisedoi mbi ngjashmëritë midis tyre me piloten e helikopterit të parë shqiptare femër, Togeren e 2-të Armela Murati, në aerodromin e Farkës në Shqipëri, ndërsa marrin pjesë së bashku në #DefenderEurope 21. DEFENDER-Europe 21 nxit ndërveprimin midis aleatëve të NATO-s dhe vendeve partnere”, thuhet në shkrimin e ambasadës. / KultPlus.com
Në Festivalin e 29-të te Këngës në RTSH, në dhjetor të vitit 1990, Anita Bitri vlerësohet me çmimin e parë, me këngën ”Askush s’do ta besoj”, kompozim i Flamur Shehut dhe teksti Jorgo Papingji.
Dashurinë e parë kush nuk e provoi Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi, E këndoi, e këndoi…
Ku shkuan fjalët që mi thoshe me aq zjarr, Ku shkuan lulet që m’i sillje plot me vesë Ku fluturoi dashuria jonë e parë, Ku shkoi motivi që më zgjonte çdo mëngjes? Një këngë e vetme jo nuk është rinia Por veç një dhimbje kam e do ta them, Se një prej këngëve është dhe dashuria Dhe këngë e saj ushton si një refren.
Jo nuk e besoj nuk është e lehte që ta mohoj Kur dashurinë e parë, jo nuk e harroj Mos me thuaj s’ më ndihmon, Asnjëri s’do ta besojë. Kur t’vijë nata do të vije vet’ të takoj. Të takoj,të takoj..
Dashurinë e parë kush nuk e provoi Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi, E këndoi, e këndoi…/ KultPlus.com
Portreti i Ferdinand Mainzerit, i bërë nga Lovis Corinthi, është marrë nga shteti në vend të një fature të trashëguar takse
Një portret i një mjeku gjermano-hebre që u bë aktiv në një qerthull intelektualësh që fshehtazi po u bënin qëndresë nazistëve është pranuar nga shteti në vend të një takse.
Portreti i vitit 1899 i bërë nga Lovis Corinthi për Ferdinand Mainzerin do të bashkëndahet në koleksionet e Galerisë Kombëtare në Londër si dhe nga “Barber Institute of Fine Arts” në Birmingham.
Piktura është ofruar si pjesë e skemës së quajtur Acceptance in Lieu (AiL), e krijuar me “buxhetin e popullit” nga David Lloyd George më 1910, që mundëson që objekte kulturore t’i lihen shtetit si një mënyrë shlyerjeje apo rregullim i faturave të trashëguara të taksave.
Kjo është hera e parë që një objekt u është dhënë hise dy koleksioneve, dhe kjo vepër do të shpërfaqet me rotacion mes Londrës dhe Birminghamit.
Piktura e Mainzerit – me mustaqet e tij të kullandrisura deri në përsosuri vetulla të ngritura dhe një vështrim dyshimtar mes syzeve “pince-nez” – rrezaton dritë në një burrë që pati një storie mbresëlënëse.
Mainzeri ishte gjinekolog dhe figurë aktive në rrethet avangarde në Berlinin e fillimshekullit të kaluar. Në pamundësi për të kryer operacion pas lëndimit të kokë, Mainzeri iu kthye shkrimit të historisë.
Ai pati sukses ndërkombëtar me jetëshkrimin e Jul Çezarit, që u përkthye prej anglishtes në frëngjisht dhe thuhet të ketë frymëzuar edhe librin e vitit 1948 të dramaturgut dhe romansierit amerikan, Thornton Wilder, “The Ides of March”.
Në vitet ‘30, Mainzeri u bë aktiv në qarkun Solf, një grup intelektualësh që me kokën në torbë grumbulloheshin për të diskutuar se si t’u bënin ballë më mirë nazistëve. Ishte themeluar nga Johanna Solf, gruaja e ambasadorit gjerman dhe e bija e saj, Lagi, që e ndihmoi Mainzerin dhe familjen e tij të arratisej në Angli.
Shumica e njerëzve të qarkut u ekzekutuan më 1944 pas tradhtisë së bërë nga një i infiltruar prej Gestapos. Mainzeri dhe e shoqja e tij u larguan për në Los Angeles, duke u bërë pjesë e komunitetit të mërguar gjerman që po mëkëmbej e që përfshinte edhe shkrimtarin Thomas Mann dhe regjisorin Max Reinhardt.
Ai vdiq më 1943 dhe portreti i tij u trashëgua nga stërmbesa, Gisela Stone. Ndodhej me të në Londër derisa ajo vdiq më 2016.
Corinth është larg të qenit një emër i zakonshëm, por ai ishte një artist domethënës. Deri më tani, ai ishte i nënpërfaqësuar në Galerinë Kombëtare, dhe në këtë institucion kanë thënë se marrja e këtij aseti do të ndihmojë për të shpalosur ndikimin e artit bashkëkohor të lëvizjeve të kohës në Berlin e Vjenë.
Fillimisht piktura do të paraqitet në Birmingham.
Nicola Kalinsky, drejtoreshë e Barberit, e ka vlerësuar panelin e AiL për “një vendim të peshuar e kreativ që do të lejojë këtë portret dinamik e ngacmues të shihet si në Londër ashtu edhe Birmingham”.
Ajo ka shtuar: “Në Barber, do t’u shpalosë vizitorëve tanë për cilësitë e shqueshme të Corinthit si piktor, ashtu sikurse edhe ca thjerrëza të veçanta për të parë një periudhë të trazuar të historisë evropiane”.
Pranimi i pikturës e ka zgjidhur çështjen e taksës prej 87,600 funtesh./koha/ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot revoltën e Qafë Barit të ndodhur 37 vite më parë, më 22 maj 1984.
Burgu i Qafë Barit ndodhej 18 km larg qytetit të Pukës. Në këtë burg ndodheshin 500 të burgosur politikë të dënuar mbi 25 vite burg dhe si pasojë e kushteve të këqija dhe dhunës së ushtruar, të dënuarit shpërthyen në revolta më 22 maj 1984.
Ishte mëngjes, të burgosurit u grupuan në shesh duke mos pranuar të shkonin në punë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori! I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake të ardhura nga Tirana. Snajperët zunë pozicionet kryesore.
Qindra forca të armatosura, morën urdhërin për të qëlluar mbi të burgosurit. U përdor dhunë mbi të dënuarit: Hajredin Fratari, Dalip Zhabolli, Nuredin Skrapari, Sandër Sokoli, Bajram Vuthi, Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Martin Leka, Vllasi Koçi, Lazër Shkëmbi, Haxhi Baxhinovski, Kostandin Gjordeni, Hysen Tabakut. I dënuari Sandër Sokoli, vdiq nga torturat ende pa mbërritur në Degën e Brendshme të Pukës, ku të dënuarve të tjerë iu bë dhe hetuesia e gjyqi po aty. Si përfundim, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të tjerët u ridënuan me vite të gjata burgu.
Pas revoltës në kampit të Spaçit, në vitin 1973, do të shënohej një tjetër revoltë në burgun e të burgosurve politikë, ai i Qafës së Barit në maj të vitit 1984.
Më 22 maj të vitit 1984, të burgosurit politikë në kampin e tmerrshëm të Qafë-Barit u ngritën në revoltë duke përsëritur atë që kishte ndodhur më shumë se një dekadë më parë në burgun e Spaçit, në të njëjtën datë, në të njëjtin muaj, ku u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak.
Kampi i Qafë Barit, ndodhej rreth 18 km nga qytetit i Fushë-Arrëzit të Pukës, ndërtuar midis grykave të maleve.
Kampi ishte i rrethuar me tre rreshta telash me gjemba, me lartësi mbi 4 metra, rreshti i mesit ishte i gjithi me rrymë elektrike dhe pjesa në mes telave ishte e minuar. Rrethimi kishte rreth 20 kulla vrojtimi në lartësi mbi 8 metra ku ushtarët ishin të pajisur me të gjithë llojet e armatimit.
Afër kampit ndodhej dhe një repart ushtarak përveç repartit zyrtar që kishte detyrë ruajtjen e të burgosurve politikë, dëshmojnë të burgosurit politik që kanë vuajtur në burgun e Qafë-Barit.
Pas shumë vitesh torturash çnjerëzore të dënuarit shpërthyen në revoltë më 20 maj 1984. Fatkeqësisht kjo revoltë përfundoi në tragjedi njerëzore.
Ky ishte bilanci i shtypjes së revoltës së Qafë-Barit të 22 majit 1984. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u dënuan me pushkatim si organizatorë, madje dhe vetë kampi u dënua me prerje korespondence të të burgosurve.
Çdo vit të burgosurit politikë organizojnë ceremoni në kujtim të vuajtjes se të ekzekutuarve, si një dëshmi për të treguar se regjime të tilla, mizore të mos kthehen më. /atsh/ KultPlus.com
Një letër e shkruar me dorë nga Albert Einstein, që përmban ekuacionin më të famshëm në botë “E = mc2”, është shitur në ankand në SH.B.A. për 1.2 milion dollarë, trefishi i çmimit të pritur, transmeton KultPlus.
Sipas Arkivave të Ajnshtajnit në Institutin e Teknologjisë të Kalifornisë dhe Universitetin Hebre të Jeruzalemit, ekzistojnë vetëm katër letra të shkruara me dorë të Ajnshtajnit që përmbajnë ekuacionin emblematik, i cili u prezantua për herë të parë në një botim shkencor në 1905.
Kjo letër me një faqe, e datës 26 tetor 1946, drejtuar fizikantit polako-amerikan Ludwik Silberstein, i cili kishte sfiduar disa nga teoritë e Ajnshtajnit, është e vetmja nga katër me ekuacionin në duart e një koleksionisti privat.
Letra ishte në dosjen personale të Silberstein, e cila ishte shitur nga trashëgimtarët e tij.
Vlera e letrës çoi në një luftë ofertash gjatë ankandit midis pesë blerësve të mundshëm, e cila u zvogëlua në dy kur çmimi kaloi 700,000 dollarë.
Fituesi i ankandit dhe blerësi i letrës mbetën anonim. / KultPlus.com
Sot në 22 vjetorin e Masakrës së Dubravës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se nga sot në oborrin e Burgut të Dubravës, pikërisht tek vendi i pushkatimit do të vendoset një lapidar në kujtim të të burgosurve të vrarë, të plagosur dhe të mbijetuar të kësaj masakre, përcjell KultPlus.
Kurti ndër të tjera ka theksuar se Masakra e Dubravës vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë së popullit tonë.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Kurtit.
“Duhej të qëndronim në një rresht në një fushë betoni të futbollit rrethuar me roje. Rreth 100 njerëz ishin në një rresht. Qëndruam aty për dhjetë minuta, derisa ishim renditur të gjithë në një rresht. Pastaj, një burrë u ngjit në njërën nga kullat dhe dha urdhër për gjuajtje. Ne pamë gjithçka. Ishte një gjuajtje e njëtrajtshme njëzetminutëshe nga muret e larta 5 metra. Dhe gjithçka ishte e parapërgatitur. Mbanin në duar armë të llojeve të ndryshme. Gjuanin nga muret. Ranë bomba mbi secilin dhe njerëzit fluturonin. Kaosi ndodhi ndërsa të burgosurit iknin për t’u fshehur në ndërtesat e ndryshme të burgut, bodrumet e tyre ose sistemin e kanalizimeve të burgut.”
Kjo është vetëm një nga dëshmitë e shumta nga Burgu i Dubravës. Masakra e Dubravës vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë sonë. 22 vjet më parë, më 22 maj 1999, forcat serbe për disa ditë ushtruan dhunë fizike dhe psikike mbi të burgosurit, para se t’i ekzekutonin më shumë se 100 prej tyre.
Të mbijetuarit nëpër vite kanë treguar tmerrin që kanë përjetuar në ato ditë, kur të gjithë janë mbledhur në fushë afër pavijonit të fundit dhe kanë kaluar orët të trembur, bashkë me të vdekurit.
Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, proces ky i cili ka mbetur i papërfunduar.
Sot nuk shihet asnjë gjurmë nga kjo masakër, meqë pavijonet e Burgut të Dubravës kanë qenë ndër të parat që janë rindërtuar menjëherë pas luftës, duke pamundësuar kështu ruajtjen e gjurmëve dhe ngjarjeve që do të na shërbenin për kujtesën kolektive.
Mirëpo nga sot në oborrin e burgut të Dubravës, te vendi i pushkatimit, do të jetë një lapidar në kujtim të të burgosurve të vrarë, të plagosur dhe të mbijetuar të kësaj masakre që shënon një tjetër dëshmi të gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar në pranverën e vitit 1999. / KultPlus.com
S’kam qenë asnjëherë në Shqipëri, në tokën e ashpër, plot dashuri, peisazheve bjeshkatare me barinj trima. S’kam qenë, po ja që sot kam shpresë të vij ashtu si festat apo dasmat popullore, për të pare i etur diellin e madh që praron fuqishëm muskujt viganë të vargmaleve të saj epikë! Si zambaku i ri dhe i freskët që shpërthen mes shkrepave shpërthen nga gjiri i saj kultura, arti, librat, ndërsa përpara bujkut e punëtorit ngrihet nderimi i epokës, përmendorja e dashurisë e virtuti lulëzon viset e lashta! O Shqipëri e vogël, por sa e fortë! E vendosur e patundur e fjalëmbël. Tingulli i kitarës tënde është i gjallë e i çeliktë e vjen e i shtohet me dinjitet melodive të historisë, këngës së epokës që s’ka të heshtur! Është një zë malesh, ndërtimesh të pafundme e të bardha, kjo është kënga e njerëzve dhe bjeshkëve e zogjve të pranverës dhe drurëve të mollëve plot lule të porsaçelura e erërave e valëve të detit. Qëndresa, pamposhtmëria dhe lulet e tua Shqipëri janë dhurata që po i sjell vetë ndërtimit të jetës së re mbi botë.
Sot 136 vite më parë, më 22 maj 1885 ndali trokun e vet të drobitur nga vitet dhe dhimbjet, zemra 83-vjeçare, e Viktor Hygoit, babait të romantizmit dhe atit të kombit francez, dalëzotësit të paepur të të nëpërkëmburve, të varfërve, të gjithë atyre që i kishte ndëshkuar më shumë se fati, koha.
Bota e humanizmit me vdekjen e Viktor Hygo, ndahet me një emblem, me një shëmbëlltyrë të pashembullt dhe vetanake në udhëprirjen e njerëzimit përnga barazia, toleranca, drejtësia dhe besimi.
Karroca e të varfërve me kurmin e tretur së gjalli të Hygoi u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Dy milion persona asistuan në ceremoninë e lamtumirës. Franca dhe bota mbarë do të ishte dëshmitare e një prej akteve më solemne të mirënjohjes, e denjë për zotër dhe etër. Ai ishte ati i shpirtrave të shërbyer prej njerëzores. Nga çdo cep i Francës kishin ardhur atë ditë për tu ndarë me zërin e zemrave të tyre. Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë një nga ceremonitë e lamtumirës më madhështorja që njerëzimi kishte parë.
Viktor Hygoi iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i gjithkohëshëm.
Të 50.000 frangat që kishte kapital ai e la me amanet për të varfëritë. I tillë ishte ai. E tillë, pikëlluese dhe e pazëvendësueshme ishte humbja e tij. Me ikjen ai la kryeveprën monumentale, la personazhet, Zhan Valzhanin, Anzholrasin, Gavroshin, Mirielin, Guinplenin, Kazimodon, Esmeraldën, të cilët gjallojnë në frymimin e përgjithmonshëm të penës së tij humaniste, shpirtit të tij të madh, zemrës që troket atëditë e sot në kalldrëmet e fateve të krisura, që zvarget hekakeqe edhe tash mbas 135 vitesh në baltën që përlyen ndërgjegjen e kohërave, për të qenë përherë një zë denoncues, një ndëshkim, një fshikull, një akuzë. /albertvataj / KultPlus.com
Shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport ka vizituar Manastirin e Deçanit dhe ka thënë se pret që toka ngjitur të regjistrohet si pronë e Manastirit, përcjell KultPlus.
Në një postim në Twitter të llogarisë së OSBE-së, thuhet se misioni pret që toka të regjistrohet si pronë e Manastirit në përputhje me sundimin e ligjit.
“Ambasadori Michael Davenport vizitoi Manastirin e bukur të Deçanit me Igumenin Sava Janjic. Misioni i OSBE-së në Kosovë do të mbështesë Kishën Ortodokse Serbe për të ruajtur trashëgiminë e saj kulturore dhe fetare në Kosovë ndërsa ne presim që toka ngjitur të regjistrohet si pronë e Manastirit në përputhje me sundimin e ligjit”, thuhet në postim. / KultPlus.com
Amb @DavenportOSCE visited beautiful Dečani Monastery w/ Abbot @SavaJanjic – @OSCEKosovo will support the Serbian Orthodox Church to preserve its cultural & religious heritage in #Kosovo while we expect adjacent land to be registered as Monastery property in line with rule of law pic.twitter.com/Sh7bZCu06z
Shteti i Kosovës riktheu barasphën e rrënuar të historisë shqiptare që vendosi Konferenca e Londrës.
Promovimi i librit “Kosova – histori e shkurtër” u prit me interesim në Podujevë. Në bibliotekën e qytetit ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit Shpëtim Bulliqi, të cilit, autori ia dhuroi librin bashkë me “Kosovën” në tre vëllime në anglisht. Pjesë e këtij promovimi ishte edhe prezantimi i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” (botimi i plotësuar), që këto ditë doli nga shtypi, me ç’rast, nga donatori, farmacisti Milaim Abdullahu, iu dhura një pjesë e tirazhit Bibliotekës së qytetit dhe të pranishmëve.
Redaktori dhe botuesi i librit Nazmi Rrahmani, veprën “Kosova – histori e shkurtër” e quajti sintezë të Kosovës në tetë vëllime, e cila në aspektin praktik dhe shkencor, paraqet vazhdimësinë e punës së tij për shkrimin e një historie autoriale jashtë koncepteve ideologjike dhe limiteve që historiografisë shqiptare i vinë nga historiogrefia e Beogradit. Vepra e Buxhovit, theksoi Rrahmani, është e një rëndësie të veçantë, meqë ka vendosur disa standarde të natyrës shqyrtuese dhe rishqyrtuese, veçmas që lidhen me lashtësinë pellazge, rolin e mbretërisë së Dardanisë dhe të Maqedonisë në antikitet si shtylla të saj dhe të tjera të anashkaluara ose të injoruara për interesa të ndryshme politike, që doemos historiografia shqiptare duhet t’i përfill, pa marrë parasysh sjelljen e pakuptueshme “inerte” ndaj saj. Këtë e bën të domosdoshme edhe fakti se, në saje të kësaj vepre dhe depërtimit në qendra të rëndësishme shkencore dhe universitare botërore, tashmë kanë filluar të përfillen nga jashtë dhe të thyejnë gënjeshtrat dhe falsifikimet tjera për shqiptarët nga historiogrfia serbe.
Në fjalën e rastit, autori, pos tjerash u ndal edhe te viti 1913 si dhe mosmarrëveshjet shqiptare të natyrës politike dhe diplomatike me shtetin për afër një shekull që në njëfarë formë vazhdojnë edhe në kohën tonë në raport me dy shtetet shqiptare. Natyrisht se kjo (mos)marrëveshje me shtetin ose së voni edhe me dy shtetet shqiptare lidhet me raportet antihistorike që krijoi Konferenca e Londrës kur krijimi i shtetit të përgjysmuar shqiptarë dhe lënia e trungut të saj jashtë, qendrën historike (Kosovën dhe Maqedoninë bashkë me Epirin) e kthyen në periferi, ndërsa mbetjen tjetër e kthyen në qendër. Këtë realitet me pasoja tragjike për popullatën etnike shqiptare që u shkëput nga tërësia, e cila iu nënshtrua programeve të njohura hegjemoniste nga Beogradi dhe Athina për asimilimin ose rrënimin e strukturës etnike nëpërmes shpronësimeve, shpërnguljeve dhe masave të tjera të etnocideve, kulturocideve e deri te gjenocidet, megjithatë e ndërpreu krijimi i shtetit të Kosovës në vitin 2008, i pranuar ndërkombëtarisht, që njëherësh riktheu baraspeshën e rrënuar të historisë shqiptare që vendosi konferenca e Londrës, zhvillim ky që sipas autorit paraqet të arriturën më të madhe të këtij shekulli. Kështu që, sot dy shtete shqiptare në Ballkan (Shqipëria dhe Kosovë), në njëfarë mënyre korrigjuan padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve nga Kriza Lindore e këndej kur hapësira etnike e tyre nën Perandorinë Osmane zuri të bëhet pre e vendeve fqinje (Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë).
Sipas autorit, vendosja e baraspeshës historike shqiptare me krijimin e dy shteteve shqiptare, nuk ka zhvendosur sa duhet dhe si duhet pasojat e mentaliteteve midis “periferisë si qendër dhe qendrës si periferi”, ngaqë logjika e bashkimit kombëtar, si kundërpërgjigje Shqipërisë londineze, mbetet në kornizat ideologjike të shekullit të kaluar, pra te fokusimi te një shtet i përbashkët shqiptar,jashtë realiteteve politike, diplomatike në kuadër të rrethanave gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Natyrisht se diskursi i historiografisë institucionale nga Shqipëria, i vendosur mbi kornizat e njohura ideologjike të shtetit komunist si dhe diktati i historiografisë serbo-ruse që ushtrohet sot e gjithëditën te një pjesë e historianëve shqiptarë, ka ndikuar që realitetet londineze të përkthehen “në fakte historike” mbi logjikën shtetërore, me ç’rast, nga historia shqiptare është përjashtuar pjesa më e madhe e trungut (Maqedonia antike, Epiri), ndërsa është minimizuar deri në absurditet Dardania si qendër e antikitetit. Ky shtrembërim antihistorik ka ushqyer edhe reaksionin në formën e parullës “Kosova është Shqipëri”, që si kundër reaksion do të duhej të kishte paradigmën “Shqipëria është Kosovës”, me çka jo vetëm që do të neutralizohej anatema e të ashtuquajturës “Shqipëri e madhe” me konotacione të dëmshme politike, por do të krijohej edhe pamja e drejtë dhe e plotë e historisë shqiptare nga lashtësia si një tërësi, ku Dardania, Maqedonia, Epiri dhe pjesët tjera të Ilirikut, krijojnë trungun etnik, shoqëror-politik dhe kulturor, në vend se të amputohen prej saj pjesët kryesore, siç është vepruar nga historiografia institucionale e shtetit shqiptar, së cilës autori thekson, se i është kundërpërgjigjur me “Kosovën” në tetë vëllime dhe si e tillë, e përkthyer në anglisht në SHBA, e futur si literaturë në universitetet amerikane dhe të shumë vendeve të botës, paraqet pamjen e një Shqipërie të natyrshme, ku Kosova (Dardania) shfaqen si epiqendër e saj.
Por, sipas, autorit, krijimi i shtetit të Kosovës si projekt perëndimor, që njëherësh riktheu baraspeshën e rrënuar shqiptare nga Konferenca e Londrës, nuk ia ka dalë sa duhet të korrigjojë edhe pikëpamjet antihistorike midis realiteteve të reja shtetërore shqiptare. Kështu që, këtu zë fill edhe ai moskuptimi tjetër absurd i shqiptarëve me shtetin shqiptar në dëm të shteteve shqiptare, gjë që viteve të fundit, u pasqyrua këtyre me prapaskenat kundër shtetit të Kosovës, që u zhvilluan në trekëndëshin Beograd-Tiranë-Prishtinë, nga elita të caktuara politike te të tri vendeve, që për moto kishin gjoja “normalizimin e raporteve historike shqiptaro-serbe”, e që në të vërtetë hapnin një pazar në dëm të shtetit të Kosovës, ku arnimet dhe çarrnimet e territoreve (si shkëmbime, korrigjime e të ndryshme), hapnin mundësi për krijimin e Serbisë së Madhe! / KultPlus.com
Më 22 maj të vitit 1910, në Sevastopol të Rusisë në një familje emigrantësh shqiptarë me origjinë nga Korça, lindi Lola Gjoka, pianistja e parë shqiptare, shkruan KultPlus.
Gjoka kishte marrë çmimin “Artiste e Merituar” për merita si artiste e veprimtare artistike më 1966 dhe titullin “Artiste e Popullit” në vitin 1978, për veprimtari të shquara si pedagoge pianiste dhe përpunuese e këngës popullore.
Pianistja Lola Gjoka është një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor shqiptar, sepse ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve të para artistike, duke punuar me përkushtim paralelisht edhe në formimin e artistëve të rinj.
Ka dhënë ndihmesë të vyer edhe në përkthimin e dy operave të para, “Rusalka” dhe “Ivani Susanjin”.
Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues. Me elegancën dhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e majit 1978.
Por sigurisht që thesari më i çmuar që na ka lënë është libri “50 këngë të përpunuara”, botuar pas vdekjes. Vdiq më 6 tetor të vitit 1985 në Tiranë. / KultPlus.com
Billie Eilish ka zbuluar planet për turneun me albumin e radhës “Happier Than Ever”.
Ylli i pop-muzikës do të fillojë rrugëtimin më 2022 në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlanda, nëpër qytetet si, Londër, Mançester, Birmingham, Glasgow, Belfast dhe Dublin, në qershor.
Biletat për turneun në botë të saj do të dalin në shitje më 28 maj, shkruan NME, transmeton KultPlus.
Billie e pati anuluar turneun e dhjetorit 2020 për shkak të pandemisë me koronavirus. / KultPlus.com
Si çdo gjeni tjetër i artit, edhe jeta e Ludwig van Beethoven është e mbushur me sekrete, të panjohura, të vërteta të aluduara dhe mite, të cilat nuk e komprometojnë krijimtarinë e tij, as nuk e zbehin shkëlqimin e yjësisë ku ata shndrisin përgjithmonshmërinë.
Por thjeshtë, na japin mundësi të kuptojmë se çdonjëri nga ne, veçanërisht, të zgjedhurit të lindin të “pavdekshëm”, janë tokësor aq sa janë edhe qiellor. Shpesh fama dhe gjenialiteti i tyre ka shërbyer si një koracë mbrojtëse e padepërtueshme dhe kjo i ka lënë ata të qetë në gjumin e përjetësisë. Por vjen koha kur njeriu i zakonshëm kërkon të ngjashmen e tyre edhe tek njerëzit e jashtëzakonshëm, qofshin këta artistë, borrështetas, ushtarakë, eksploratorë apo edhe pretendues të froneve hyjnore.
Por kur lindi ai, Ludwig van Beethoven?
Ludwig van Beethoven ka lindur në Bon më 15, 16 apo 17 Dhjetor? Burime të ndryshme nuk ofrojnë sigurinë e datës së saktë, kur u lind kompozitori i madh. Por bien dakord për 17 dhjetorin 1770, datën e pagëzimit. Fëmija çudibërës, i’u nënshtrua një disipline të rreptë, e cila, siç ndodh shpesh me mrekullitë e fëmijëve, i kushtëzoi moshën dhe tërë jetën.
Përbindësh i talentit … dhe jo vetëm .
Ludwig van Beethoven arriti të vendoste veten si një nga artistët më të mëdhenj të kohërave, pavarësisht të metave të tij të karakterit. Ai kurrë nuk kishte qenë një bukurosh. Në fëmijëri atë e quanin Der Spagnol (Spanjisht), për shkak të fytyrës së tij të ullinjtë. Ishte shtatshkurtër, jo më shumë se një e gjashtëdhjetë e pesë metra i gjatë, i gjerë në shpatulla, me kokë të madhe dhe flokë të rrëmujshëm, dhëmbë të dalë, një hundë të vogël të rrumbullakosur, gjithashtu pështynte kudo. I ngathët në lëvizjet e tij, ai vazhdimisht rrëzohej dhe thyente objektet që prekte. Kurrë nuk mësoi të kërcejë, dhe gjithmonë e priste veten gjatë rruajtjes.
Kalitja
Ai ishte i zymtë dhe i dyshimtë, i ndjeshëm, mizantrop dhe i fiksuar në atë se të gjithë donin ta mashtronin. Shquhej për një sjellje jo të mirë dhe ishte aspak tërheqës. Ai gjithmonë harronte gjithçka. Kishte zemërime të pakuptimta dhe nganjëherë kishte marrëdhënie korrektësie të dyshimtë me botuesit. Një beqar i përjetshëm. Jetoi në një konfuzion të papërshkrueshëm, veçanërisht pasi nuk kishte asnjë shërbëtor të gatshëm të toleronte nervozizmin e tij.
Muzika i dilte nga zemra
Gjithmonë është spekuluar për sëmundjet e shumta që kompozitori kishte vuajtur që në rini, nga astma në sindromën e zorrëve të irrituar, nga sëmundja e veshkave deri te ciroza e mëlçisë. Dhe historianët kanë pyetur gjithashtu se si sëmundjet fizike të muzikantit, mund të kishin ndikuar në artin e tij. Hipoteza e 3 studiuesve është se ritmet e disa prej kompozimeve të tij më të famshme dhe prekëse, do të ndikoheshin thellësisht nga aritmitë kardiake, nga të cilat ndoshta vuante kompozitori.
Ai ishte vërtet i shurdhër?
Tashmë në të tridhjetat, ai deklaroi se kishte vështirësi të kuptonte fjalët e një personi që fliste me zë të ulët. Për të dëgjuar aktorët në teatër, ai u detyrua të afrohej me orkestrën. Megjithatë, shurdhimi në rritje, e degdisi atë në një gjendje të thellë depresive, e cila në vitin 1802 e çoi në një tentativë për vetëvrasje. Për shkak të problemeve të dëgjimit, Beethoven u izolua në mënyrë progresive nga njerëzit përreth tij, duke kompromentuar shumë marrëdhënie shoqërore dhe emocionale. Në vitin 1819, tetë vjet para vdekjes së tij, ai ishte plotësisht i shurdhër. Pavarësisht kësaj, Beethoven vazhdoi të kompozonte: E famshja Simfonia e Nëntë me Odën e Gëzimit, u shkruan në vitin 1824, duke sjellë jo një muzikë dëgjimi se sa një shpërthim shpirti.
Gjeniu dhe rregullsia
Gazetari amerikan, Mason Midnight Currey mblodhi detaje biografike të 168 artistëve, duke treguar se të gjithë, madje edhe ata që konsideroheshin të pabindur dhe instiktivë, ndoqën një program specifik. Stili i jetës së Ludwig van Beethoven, veçanërisht vitet e fundit, ishte shumë i rregullt. Por në periudha të tjera, Beethoven kompozonte madje deri në dy të mëngjesit. Gjithmonë duke ndjekur një orar të rreptë.
Gjeni falë sifilizit?
Sipas studiuesit, Deborah Hayden, sifiliz, prej të cilit shumë personazhe në histori ishin prekur ndoshta, nga Abraham Lincoln te Friedrich Nietzsche dhe Oscar Wilde, mund të shpjegonte gjenialitetin ose çmendurinë e tyre. Euforia sifilitike mund të ketë amplifikuar gjenialitetin krijues të Ludwig van Beethoven dhe të shumë personazheve të tjerë të cilët, si ai, ishin prekur nga e ashtuquajtura sëmundje franceze. Teza, e përfshirë në një libër nga Hayden, nuk është konfirmuar kurrë. Sidoqoftë, studime të tjera tregojnë se Beethoven vuante nga çrregullimi bipolar .
Ai nuk është një romantik
Beethoven ishte mendimtari më i frikshëm muzikor. Shumë kanë dashur të shohin tek ai urën midis periudhave klasike dhe romantike, por është vetëm një etiketë e përshtatshme, dhe jo shumë e saktë. Në realitet, ka shumë pak romantik në muzikën e tij. “Beethoven nuk fliste gjuhën e romantikëve”, shkroi Harold C. Schonberg . “Ai filloi të kompozonte në traditën klasike dhe më pas shkoi përtej kohës dhe hapësirës, duke përdorur një gjuhë që ai vetë e kishte falsifikuar. Një gjuhë e ngjeshur, enigmatike dhe shpërthyese, e shprehur në forma të sajuara prej tij”.
Revolucionar
Karakteristikë që e dallonte Beethoven nga të gjithë muzikantët e tjerë që i paraprinë, përveç gjenialitetit dhe forcës së tij të pakonkurrueshme, ishte ajo që ai e konsideronte veten artist dhe mbronte të drejtat e tij si artist. Ai ishte një artist, një krijues, dhe për këtë arsye ishte superior ndaj mbretërve dhe fisnikëve. Ai kishte një konceptim revolucionar të shoqërisë dhe ide romantike rreth muzikës. “Ajo që kam në zemrën time duhet të dalë dhe kështu e shkruaj”, i tha ai dishepullit Carl Czerny. Mozart nuk do ta kishte ëndërruar kurrë të thoshte një gjë të tillë, as Haydn apo Bach.
Vdiq nga plumbi?
Në të vërtetë jo. Për disa ishte faji i një vaji të njomur, pas një operacioni kirurgjikal. Për të tjerët, nga një kupë prej së cilës piu kompozitori. Cilado qoftë, përqendrimi i lartë i plumbit që gjendet në trupin e Beethoven shpesh është përmendur si shkaku kryesor i vdekjes së tij në moshën 56-vjeçare. Për të ushqyer edhe më shumë teorinë e vdekjes nga plumbi në gjak, u aludua se përqindja e lartë e këtij vrasësi i shkaktoi atij nervozizëm. Për studiuesit nuk ishte as e re as e panjohur, nervozizmi dhe temperamenti shpërthyes i kompozitorit, bllokimi i veshkave dhe mëlçisë, simptoma që iu shfaqën gjithnjë e më agresive, duke i dëmtuar cilësinë e jetës muzikantit në fundin e jetës. Sidoqoftë, kërkimet nga shkolla e mjekësisë, Mount Sinai në New York, i kanë hedhur poshtë këto hipoteza. Analiza e niveleve të plumbit në kockat e kompozitorit, gjeti një përqendrim shumë të ulët, që të ishte shkaktari i helmimt me pasojë vdekjeje të gjeniut të muzikës. /focus/ KultPlus.com
Heinrich Christian Wilhelm Busch ka qenë humorist, poet, ilustrator dhe piktor gjerman.
Busch ishte një persona me ndikim në botën e poezisë dhe ilustrimit, dhe u bë burim për brezat e ardhshëm të artistëve komik. Çmimi Wilhelm Busch dhe Muzeu Wilhelm Busch ndihmojnë në ruajtjen e trashëgimisë së tij. 175 vjetori i tij në vitin 2007 u festua në të gjithë Gjermaninë. Busch mbetet një nga poetët dhe artistët më me ndikim në Evropën Perëndimore.
Thënia e tij e njohur të cilën se po e sjellim sonte për ju është: E vështirë nuk është të bëhesh prind, por të jesh i tillë.
Por, ai njihet edhe për shumë të tilla, një tjetër thënie e njohur nga Busch mbetet edhe: “E vërteta është tepër dinake për tu kapur”
Ai ka lindur më 15 prill të vitit 1832 dhe ka vdekur më 9 janar 1908. / KultPlus.com
Sot u bë inaugurimi solemn i Pavionit të Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut.
Në këtë edicion Republika e Kosovës përfaqësohet nga artisti dhe arkitekti i mirënjohur Maksut Vezgishi, me projektin “Conteinporary”, ideuar dhe kuruar bazuar në temën e përgjithshme të Bienales “How will we live together”. Sipas autorit të veprës ‘CONTAINER’ është një ‘objekt’ i madh i hapur, i destinuar për ngarkimin e ‘PËRMBAJTJEVE’ të ndryshme.
Ka formë, funksion dhe dizajn të jashtëzakonshëm. Ndodhet në çdo komunë. Rreth këtij kontejneri mbetet i hapur peizazhi i ndërtesave të ndërtuara për të qenë të përjetshme.
Specifikat që ofrojnë ‘MUNDËSITË E REJA’ të përdorimit, hapësirat për eksperimentimin, socializimin, reflektimin, aktivizmin, shpresën, idetë e reja, fantazitë dhe qëllimet…
Kuratori dhe autori i ekspozitës, Maksut Vezgishi vë theksin në emërtimin e instalacionit të titulluar “Containporary”, duke e ndarë në togfjalshin “container” dhe “contemporary” me aludimin në të përditshmen bashkëkohore.
Në ceremoninë e inagurimit ishin prezent Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku, i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, si dhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë, znj. Lendita Haxhitasim.
Ata vlerësuan lartë përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në skenën kulturore ndërkombëtare dhe theksuan se Institucionet e Republikes së Kosovës mbeten të përkushtuara në përkrahjen e punës së artistëve në promovimin e kulturës dhe artit kosovar në rrafshin global.
Pavijoni i Kosovës për publikun do të qëndrojë i hapur nga 22 maj 2021 deri më 21 Nëntor 2021.
Më poshtë gjeni linkun e Pavijonit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Sopranoja e njohur Marie Kraja, mbetet ndër më të preferuarat për të gjithë ata që e dëgjuan për vite me radhë zërin e saj magjik, zë ky i cili edhe sot mbetet ndër më të komentuarit e dëgjohet me shumë nostalgji.
Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithçka që ndodhi në muzikën shqiptare.
Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,
Ajo interpretoi në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.
Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë,
Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari,
Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.
Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966. / KultPlus.com
21 maji shënon Ditën Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim. Pikërisht në këtë ditë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se sipas rëndësisë që ka kjo ditë, ai, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca i janë drejtuar UNESCO-S me një letër në të cilën janë sqaruar veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e të drejtave kulturore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, përcjell KultPlus.
Më poshtë gjeni letrën e plotë, të publikuar nga Kurti.
Sot është 21 Maji, Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s (Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë). Duke marr shkas nga rëndësia e kësaj dite, sot i jemi drejtuar UNESCO-s përmes një letre që e kemi nënshkruar bashkë me Presidenten znj. Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konjufca. Në letrën tonë kemi shpjeguar veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e të drejtave kulturore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në shtetin tonë. Gjithashtu, në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës kemi artikuluar disa kërkesa konkrete.
Së pari, kemi kërkuar që katër monumentet e Kosovës që janë të listuara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s (Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren) të largohen nga kategoria “në rrezik” pasi që rrethanat e sigurisë në Kosovë kanë ndryshuar tërësisht nga viti i largët 2006 kur këto monumente janë vlerësuar si të rrezikuara.
Së dyti, i kemi ftuar që të rishikojnë terminologjinë e vjetruar, pasi që në raportet dhe dokumentet e UNESCO-s edhe më tutje përmendet “Provinca Autonome e Kosovës” (tanimë Republika e Kosovës) dhe “Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë” (tanimë Institucionet Shtetërore të Republikës së Kosovës).
Së treti, kemi kërkuar nisjen e procesit për ndryshimin e palës shtetërore përgjegjëse për këto katër monumente, duke e larguar Serbinë dhe vendosur Kosovën në këtë përgjegjësi. Ndonëse në Listën e Trashëgimisë Botërore palë shtetërore për katër monumentet në fjalë është Serbia, ajo nuk ka asnjë kontroll real apo juridik mbi to, dhe rrjedhimisht nuk mund të përmbushë detyrimet e saj karshi UNESCO-s. Zyrtarët e UNESCO-s i kemi siguruar që sikurse deri tani, edhe në të ardhmen do të jemi të përkushtuar për të mbrojtur, promovuar dhe zhvilluar të gjitha kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë.
Së katërti, në emër të institucioneve të cilat i përfaqësojmë, kemi garantuar që Kosova është plotësisht e gatshme për anëtarësim në UNESCO, një e drejtë e mohuar para disa vitesh. Ne bësojmë që pamundësia për t’u anëtarësuar në vitin 2015 në mungesë të një numri shumë të vogël votash nuk duhet të shndërrohet në penalizim afatgjatë për Kosovën.
Ne jemi të vullnetshëm të bëhemi pjesë e familjes së madhe të UNESCO-s për t’i sjellë vlerë të shtuar njerëzimit përmes pasurisë sonë kulturore dhe për t’u bërë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për paqe të qëndrueshme në botë. Ne besojmë në universalitetin e trashëgimisë kulturore, dhe si të tillë në potencialin përbashkues të saj. / KultPlus.com
Kemi luajtur në rrugë pa frikë, dhe kishim shumë pak: disa kanaçe bosh, disa gurë, një copë litar!
Dhe ishim të lumtur brenda, nuk kishte rëndësi pasuria.
Fjalë që duket se janë marrë nga një roman nga kush e di sa vite më parë, por nëse mendojmë, ishte jeta deri disa dekada më parë, për shumë prej nesh.
Jo në disa periferi të izoluara, siç ndoshta, edhe sot disa lajme na sjellin para syve, por në fëmijërinë tonë.
Bërja e krahasimeve mund të duket të jetë një ushtrim i thjeshtë nostalgjie, ndërsa nëse u thuhet fëmijëve dhe nipërve tanë, mund t’i bëjë ata të hapin sytë për një kohë të varfër në gjëra materiale, por të pasur me imagjinatë, krijueshmëri, gëzim të zbulimit dhe jetës.
Disa përvoja të caktuara, sidomos ato që janë jetuar në fëmijërinë dhe në adoleshencën tonë, nuk harrohen lehtësisht.
Ato përbëjnë dyert përmes të cilave kemi filluar të kuptojmë jetën, botën.
Dhe si të tilla nuk munden të harrohen. Mësuesit, shokët e klasës, shokët e rrugës, një univers që dukej një hap larg, diçka që mund të linte shenja të pashlyeshme.
Qendra e vëmendjes sonë, thelbi i mendimeve që na shoqëroi çdo natë para se të binim në gjumë.
Vende, shtëpi, mjedise që mbushën jetët tona, shumë prej të cilave u skalitën në shpirtrat tanë.
Kush e ka harruar erën e barit të lagur nga stuhia e verës para se dielli të kthehej për të ngrohur imagjinatën tonë, ose shkëlqimin e llambave të rrugëve që na kujtonin, gjatë periudhës së shkollës, se ishte koha për të shkuar në shtëpi, për darkën e përgatitur nga gjyshja?
Disa momente ikën me nxitim, dhe jo gjithmonë mendonim që t’i jetonim me intensitetin që meritonin, sepse donim të rriteshim sa më shpejt, që të hynim në atë botë të të rriturve që na dukej të ishte skena që të gjithë e dëshironim.
Por duke u kthyer me mendje në ato ditë, dhe duke shikuar mënyrën se si sot shumë fëmijë kalojnë kohën e tyre, nuk mund të mos arrijnë të ndjejmë një formë nostalgjie.
Kemi luajtur në rrugë pa frikë, nuk ekzistonin rreziqet dhe kërcënimet e pranishme sot, kishim shumë pak, disa kanaçe bosh, disa gurë, një copë litare, por kjo ishte bota që na bënte të lumtur brenda, pavarësisht pasurisë.
Nuk shihnim koston e gjërave, ndoshta nuk i përballonim dot, por ishim fëmijë dhe të rinj të mbushur me jetë.
Kjo ka qenë fëmijëria jonë, dhe na vjen pak keq që sot nuk është më kështu.
U urojmë të rinjve të sotëm të kenë të njëjtën fantazi dhe të njëjtën dëshirë për të zbuluar, ajo që lind nga zemra dhe nga askund tjetër./bota.al/ KultPlus.com
Sharon Stone nuk është e kënaqur me daljen e versionit të ri të restauruar të filmit “Basic Instinct”, deklaroi aktorja në një intervistë.
“Basic Instinct” kthehet në kinema me një version të ndryshuar. Në kuadër të 30-vjetorit të tij, filmi kult i vitit 1992 realizuar nga Paul Verhoeven dhe me protagonistë Michael Douglas dhe Sharon Stone, është digjitalizuar plotësisht.
Versioni i ri do të jetë së shpejti në sallat e kinemave në Francë, pasi firma franceze ”Studiocanal” u kujdes për restaurimin, pasuar nga Australia, Zelanda e Re dhe SHBA-ja.
Gjatë kësaj kohe, dokumentari “Basic Instinct, Sex, Death & Stone” me intervista ekskluzive dhe anekdota me Verhoeven, Stone, Douglas. Filmi do të jepet premierë në Ultra HD, Blu-Ray, DVD në vende të ndryshme europiane dhe në botë.
Filmi e bëri Stone një prej aktoreve më të njohura të Hollywood-it veçanërisht për një nga skenat më të njohura në të cilat, gjatë marrjes në pyetje nga policia, ajo kryqëzon këmbët.
Për sa i përket kësaj skene, aktorja shpjegoi se ishte mashtruar, duke zbuluar pse-në në librin e saj “Bukuria e të jetuarit dy herë”, publikuar në Itali nga ”Rizzoli”. / KultPlus.com
Ditën e djeshme, këngëtarja amerikane Cher ka festuar ditëlindjen e saj të 75-të duke u konfirmuar një lajm të shumëpritur adhuruesëve të saj, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Cher ka bërë të ditur se karriera e saj shumëvjeçare do të shfaqet në një film.
Prapa këtij filmi qëndrojnë producentët Judy Craymer dhe Gary Goetzman, të njohur për mjuziklin ‘Mamma Mia’, ndërsa skenari do të realizohet nga Eric Roth.
Cher ka karrierë 60-vjeçare në muzikë, flm, teatër dhe television, ku gjatë këtyre viteve ajo ka fituar çmime të mëdha si Emmy, Grammt dhe Oscar. / KultPlus.com
Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollim e Sëmundjeve kanë rekomanduar gjatë javës së shkuar se personat që janë vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë që të bartin më maska as në ambientet e mbyllura e as në ato të hapura, dhe se mund të mos mbajnë as distancë sociale në shumicën e vendeve. Por kjo gjë ka prodhuar edhe dilema.
Udhëzimet e reja të Qeverisë amerikane lidhur me maskat mbrojtëse kundër koronavirusit për personat e vaksinuar plotësisht i kanë lënë amerikanët të hutuar teksa çështja ka ndikuar edhe që bizneset dhe shtetet federale të mos arrijnë t’i përshtatin masat me rekomandimin.
“Target” dhe “CVS” u bënë kompanitë më të fundit që ua kanë hequr blerësve dhe punëtorëve të tyre domosdoshmërinë për të bartur maska në dyqanet e tyre. Zyrtarët në New York kanë specifikuar se do ta zbatojnë masën që nga kjo javë, përderisa në California është vendosur që të pritet edhe një muaj.
Rreth 123 milionë amerikanë – 37 për qind e gjithë popullsisë – janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, kurse më shumë se 157 milionë të tjerë, apo 47 për qind, e kanë marrë vetëm njërën prej dy dozave të nevojshme për imunizim.
Cila është këshilla e re?
Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollim e Sëmundjeve kanë rekomanduar gjatë javës së shkuar se personat që janë vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë që të bartin më maska as në ambientet e mbyllura e as në ato të hapura, dhe se mund të mos mbajnë as distancë sociale në shumicën e vendeve.
Vaksinimi i plotë arrihet dy javë pas administrimit të dozës së dytë të ndonjërës prej vaksinave të aprovuara kundër COVID-19, “Pfizer” apo “Moderna”, apo dy javë pas dozës së parë të vaksinës njëdozëshe “Johnson & Johnson”.
“Nëse jeni vaksinuar, po themi se jeni të sigurt, mund ta hiqni maskën dhe nuk jeni në rrezik për t’u sëmurë rëndë apo për t’u hospitalizuar për shkak të COVID-19”, ka thënë drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky në “Fox News Sunday”. “Nëse nuk jeni të vaksinuar, nuk jeni të sigurt. Ju lutemi që të shkoni e të vaksinoheni ose të vazhdoni me bartjen e maskës”.
A ka përjashtime?
Po. CDC-ja ka specifikuar se të gjithë – të vaksinuarit dhe të jovaksinuarit – duhet që të vazhdojnë të bartin maska në vende të caktuara. Maskat ende janë të obligueshme në mjetet e transportit publik – autobusët, trena dhe aeroplanë – dhe në hapësirat e tjera, si në spitale, burgje dhe në vendet për të pastrehët.
Disa shtete, biznese dhe dyqane po e heqin tanimë masën e vendosjes së maskës për personat plotësisht të vaksinuar, për shkak të ndryshimeve të bëra nga CDC-ja, kurse të tjerët jo. California ka vendosur që të presë deri muajin e ardhshëm për t’u dhënë kohë bizneseve dhe publikut për përgatitje.
Pse është bërë ky ndryshim?
Drejtoresha e CDC-së ka thënë se udhëzimet e reja shkencore të javëve të fundit e kanë mbështetur heqjen e masave për bartje të maskave dhe mbajtje të distancës sociale. Ajo ka shtuar se tanimë ka prova të reja që vaksinat kundër COVID-19 funksionojnë vërtet, se janë efektive kundër varianteve të virusit dhe e parandalojnë shpërndarjen e tij.
Kur ka njoftuar për këshillat e reja, ajo i ka theksuar rënien e infektimeve në SHBA, shpërndarjen e gjerë të vaksinave dhe fillimin e vaksinimit të personave mbi 12-vjeçar.
“Dua të specifikoj qartë se i kemi punuar masat sipas udhëzimeve shkencore”, ka thënë ajo.
Cilat janë vendimet për fëmijët?
Fëmijët, të cilët nuk janë vaksinuar duhet që të bartin maska dhe ta mbajnë distancën. CDC-ja ka rekomanduar se maskat duhet t’i bartin të gjithë fëmijët, duke nisur nga mosha 2-vjeçare. Fjala është për hapësira publike dhe atëherë kur ka njerëz të tjerë në shtëpinë e tyre.
Maskat këshillohen që të barten edhe në shkolla. Kjo gjë nuk do të ndryshojë gjatë këtij viti shkollor dhe “do të punojmë për udhëzime në shkollë për vjeshtë”, ka thënë Walensky.
Ajo ka theksuar se disa fëmijë mund të mos e kuptojnë pse duhet të bartin maska, kur pjesa tjetër e familjes jo.
“Mendoj se ky vendim duhet të merret brenda familjeve”, ka thënë ajo.
Por, a mund të vazhdohet me bartjen e maskës?
Sigurisht që po. Me gjithë udhëzimet e ndryshuara, “nuk ka nevojë që të gjithë t’i heqin maskat menjëherë”, ka thënë Walensky, duke folur së fundi për “NBC News”. “Është vështirë që t’i ndryshojmë shprehitë dhe nuk ka ndonjë ligj që nuk duhet ta mbani maskën më”, ka thënë ajo.
Në përgjithësi, ende nuk ekziston ndonjë sistem që i kontrollon të dhënat e vaksinimit të atyre që nuk bartin maska. Shkollat, bizneset dhe vendet e tjera mund të kërkojnë dëshmi të vaksinimit. Qeveria federale ende nuk ka plane për “pasaportë të vaksinës”.
“Ajo që po kërkojmë nga amerikanët është që të jenë të sinqertë me veten dhe të mos i heqin maskat derisa të jenë të sigurt”, ka thënë Walensky. /ap/ KultPlus.com
Mbrëmë, në natën e dytë të gjysmëfinales të Festivalit Evropian të Këngës “Eurovision”, Anxhela Peristeri u kualifikua e para për finale.
Në konferencën për shtyp, që u mbajt pas përfundimit të gjysmëfinales së dytë, Anxhela u shpreh e lumtur për suksesin.
E pyetur se si ndjehet pasi doli vet në skenë dhe arriti që të sigurojë votat e Evropës për finalen e madhe, Anxhela tha “Nuk kam fjalë të përshkruaj ndjenjat e mia tani. Ishte mahnitëse, sepse isha e para dhe nuk e prisja këtë. I dua të gjithë shqiptarët që më votuan, të gjithë shtetet europiane, jam shumë mirënjohëse. Ndihem shumë e lumtur tani. Faleminderit”, transmeton KultPlus.
Ndërsa, e pyetur nga gazetarët se si ndihet pasi Shqipëria për herë të tretë radhazi futet në finalen e madhe të “Eurovision”, këngëtarja kishte disa fjalë edhe për artistët e tjerë.
“Ndihem e lumtur, sepse Shqipëria e meriton, jemi një vend i vogël, por kemi artistë shumë të mirë. Të gjithë duhet ta njohin vendin tonë dhe muzikën tonë”, u shpreh ajo. / KultPlus.com