“Luaneshat e Kodrës” u shpërblye me Zemrën e Sarajevës, Latifi, Balaj e Shabani morën çmimin aktorja më e mirë

Festivali i Filmit të Sarajevës është duke shkuar drejt mbylljes së këtij edicioni, dhe suksesi i filmave shqiptarë ishte i pashmangshëm edhe në këtë festival, shkruan KultPlus.

Në kategorinë aktorja më e mirë, juria e këtij festivali këtë çmim i ka ndarë tri aktoreve të filmit “Luaneshat e Kodrës”, me regji të Luana Bajramit, dhe aktoret që u vlerësuan në këtë festival janë: Flaka Haliti, Era Balaj dhe Uratë Shabani.

Ky ka qenë vlerësimi i jurisë së kryesuar nga aktorja Jasna Gjuriçiq e në përbërje të së cilës ishin edhe Mike Cahill (regjisor dhe skenarist), Lili Horvát (regjisore dhe skenariste), Eva Sangiorgi (drejtoreshë artistike e Viennales), si dhe Martin Schweighofer (drejtor ekzekutiv i Austrian Film Comission).

Ky film është xhiruar në Kosovë dhe flet për tri shoqe të pandashme të cilat janë në pritje të rezultateve për Universitet. Të ulura në një kodër, Qe (Flaka Latifi), Li (Era Balaj) and Jeta (Uratë Shabani) ëndërrojnë të shkojnë në një qytet më të madh për t’u pavarësuar e për t’i lënë prapa thashethemet dhe pengesat e tjera në fshatin e tyre.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luàna Bajrami./ KultPlus.com

Ed Sheeran paralajmëron albumin e ri

Kantautori i njohur britanik, Ed Sheeran, ka paralajmëruar se albumi i tij i pestë “=” do të publikohet më 29 tetor. Ai ka postuar pamjet e albumit të ri, në të cilin shfaqen përplot flutura.

Duke folur në rrjetin social Instagram gjatë pushimeve me familjen e tij, ai ka thënë se fotografitë përfaqësojnë një jetë të re.

“Unë kam përjetuar, gjatë katër vjetëve të fundit, gjëra të ndryshme në jetë, përfshirë martesën, lindjen e një fëmije, humbjen e një shoku”, ka thënë Sheeran.

Ai ka performuar këngën e re “Visiting Hours” gjatë paraqitjes së drejtpërdrejtë në Instagram, e cila është publikuar së bashku me njoftimin.

Albumi përmban 14 këngë, të cilat Sheeran ka thënë se i ndau nga një listë shumë më e gjatë e këngëve në atë që e quajti si proces të mundimshëm.

“Të gjitha e kanë vendin e vet – i dua, mendoj se është puna më e mirë që kam bërë, është kohezive dhe më bën të ndihem mire”, ka thënë ai.

Në korrik, kënga kryesore “Bad Habits” u bë hiti i 10-të në Mbretërinë e Bashkuar dhe i ka kaluar shtatë javët e fundit në pozitën numrin 1 të toplistave.

Kënga tjetër nga albumi “=” do të publikohet më 10 shtator. Në një deklaratë të shkruar së bashku me albumin, Sheeran tha se “=” është hit i ardhshëm.

Pas publikimit të albumit të tij të tretë më 2017, “÷”, Sheeran nisi një turne botëror që zgjati dy vjet e gjysmë dhe u bë turneu me fitimin më të madh dhe më të ndjekur të të gjitha kohërave, duke gjeneruar 567 milion funte nga 260 koncerte dhe 8.5 milionë nga biletat e shitura.

Gjatë turneut ai përfundoi një album bashkëpunues me yje, duke përfshirë Justin Bieber, Eminem dhe Stormzy, “No 6 Collaborations Project”, i publikuar në vitin 2019.

Ashtu si të gjitha albumet e tij ai zuri vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu krijoi pesë single në Mbretërinë e Bashkuar, tri prej të cilave arritën vendin e parë në lista muzikore. / KultPlus.com

Anulohet festivali “Rock & Metal United 2021”

Festivali tre-ditor “Rock and Metal United 2021” është anuluar për shkak të masave të reja të marra nga Qeveria, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit COVID-19.

Festivali ishte paraparë të mbahej në datat 27, 28 dhe 29 gusht.

“Me hyrjen në fuqi të masave të reja shtesë kundër përhapjes së Covid, me qëllimin e vetëm të ruajtjes së shëndetit publik, dhe duke i pasur parasysh kufizimet në orar, kufizimet në numrin e audiencës, distancën e detyrueshme, dhe gjithashtu numrin e vogël të personave të vaksinuar, na është pamundësuar mbajtja e festivalit”, thuhet në njoftimin në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, paratë e biletave që tashmë janë blerë mund t’iu rikthehen personave në pikat e blerjes. / KultPlus.com

Kur mjekja e parë shqiptare u kthye në atdhe

Më 19 gusht 1937, Xhanfize Frashëri-Basha u kthye në atdhe pas studimeve në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Filadelfias.

Ajo ishte e specializuar në pediatri dhe ishte mjekja e parë që punonte për shëndetin e fëmijëve shqiptarë.

Doktoresha Xhanfize Frashëri, e diplomuar për mjekësi në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara, më 27 Shtator 1937 hapi klinikën e parë private për sëmundjet gjinekologjike dhe pediatrike.

Ajo ishte mjekja e parë në vëndin tonë. / KultPlus.com

Simbolika e valles tipike arbëreshe

“Vallja” është një kërcim me motive popullore, ritmike që shoqërohet nga një kor duke kënduar një këngë të vjetër tradicionale arbëreshe, me origjinë ballkanike.

Vallja popullore arbëreshe gjatë viteve është një event popullor që luhet të martën e Pashkëve për vendet me ritin bizantin dhe Karnavaleve për vendet e ritit latin.

Me kalimin e shekujve në disa zona, vallja ka marrë edhe pak nga motivet e valles kalabreze “Tarantella”. Vallja luhet në rreth, ku grupe grash të veshura me kostume madhështore ku të gjitha hedhin të njëjta hapa, ose në gjysëm rrethi që tërhiqet nga një valltar i parë në radhë me funksion guide. Vallja luhet kryesisht nga grupe prej 6 apo 12 personash duke u lidhur mes tyre me anë të një shamie.

Vallja përfundon kur valltari i parë në radhë mbyll rrethin për të kapur një person që nuk i përket komunitetit arbëreshe, të cilit i vendoset një shenjë me blozë në fytyrën e tij, në mënyrë të tillë që është i detyruar të paguajë për të pirë për të gjithë grupin.

Në të kaluarën, ky ritual simbolizonte konfliktin historik mes shqiptarëve dhe atyre lokalë. Ndoshta është rit i pasionuar poetik i Pashkëve ndoshta dëshironte të kujtonte një fitore të rëndësishme të heroit shqiptar kombëtar Skëndërbe mbi turqit më 27 prill 1467.

Në Valle e kërcyer nga gratë këndojnë rapsodi të ndryshme shqiptare, të tilla si “Konstandini dhe Doruntina “, ndërsa në atë të kërcyer nga burrat, këndohet “Skënderbeu një mëngjes.”

Vallja për banorët arbëreshë përfaqëson diçka më shumë se vetëm folklorike apo historike, e cila merr kuptimin e pretendimit kulturor, identitetin etnik, ku gratë veçanërisht janë protagonistët e saj. Sot, në disa vende Vallja arbëreshe është një rast kur gratë, sidomos të rejat veshin rroba të bukura dhe burrat veshin pelerinë prej leshi në formë koni.

PËRKTHIMI NË GJUHËN ARBËRESHE

DËNXA TIPIKE E POPULLIT ARBËRESH

Vallja është nj’dënx popullore, ritmike, çi bëhet tue kënduar gjith bashk nj’këng arbëreshe e vjeter dhe popullore, çi ka origjinë në Ballkanet. “Valle” arbërisht do t’thor dënx. Vallja popullore arbëreshe ësht një manifestim çi bëhet t’marren e Pashkvet në katundet çi kan ritin greko-bizantin e karnuvallit në katundet me ritin llatin. Pas dica shekulve tek dica katunde Vallja ndënj në kontakt me elementet e dënxes popullore kalabreze, tarandelja.

Tek Vallja (dënx rrethore) jan grupe grash, me kostume t’bukur dhe madhështore, çi vëhen në një gjimsrreth e n’fund di burra, çi kan funksionin ti guidharrnjen. Luanjen belu belu dhe dridhen si gjarper, jan grupe me gjasht o dimbdhjet vet, t’lidhur njeri jetrin me skëmandile.

Dënxa rritet kur i lurtmi mbllin rrethin e merr ndonjë çi nik ë arbëresh, atij i bënjen faqet me kamné, kshtu kat i paguanj t’pirit gjith grupit. Nj’her, ki shurbes kujtoni konfliktin mes arbëreshvet dhe ata çi rrin tek aì llok. Mund t’jet se Vallja do t’kujtonj një fitore e Skanderbegut, hero shqiptar, mbi Turkevet në 27 Prill 1467.

Tek Vallja grat kndonjen rapsodit arbëreshe, si “Konstandini e Jurendina “, sikundra burrat kndonjen rapsodin e ” Skanderbegu nj’menat ” Vallja ësht më se nj’dënx folklorike o storike, ajò merr kuptimin e pretendimit kulturor, identitetit etnik, ku grat jan protagonistet. Sot, në dica katunde arbëreshë Vallet jan nj’mundësi për grat kupile, t’veshnjen liveret e bukura e për burrat t’vën kapjel picutin. / KultPlus.com

Gjeniu më kureshtar që ka parë bota

Albert Ajnshtajni, i cili na fton të reflektojmë për aftësinë tonë për t’u përshtatur ndaj ndryshimit. Një reflektim që na prek thellësisht. Sidomos në këtë moment, në të cilin jemi thirrur për të ndryshuar dëshirat dhe lirinë tonë për një ndryshim të thellë që është e pamundur të kundërshtosh. Por është këtu, thotë Ajnshtajni, që inteligjenca jonë matet.

Masa e inteligjencës jepet nga aftësia për të ndryshuar kur është e nevojshme.

Edhe pse Albert Ajnshtajni kujtohet dhe njihet për kontributin e tij themelor në fizikën moderne, nuk ka dyshim se ai kishte një interes të sinqertë për filozofinë. Qysh kur lexoi një libër të Kantit për herë të parë, Ajnshtajni filloi t’i vendoste reflektimet e tij bardh e zi, duke iu përkushtuar veçanërisht shkrimit të teksteve filozofike. Nuk e konsideroi asnjëherë veten filozof në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, megjithatë në ditët e sotme mbështetemi në maksimumet e tij, pasi mbështetemi në mendimin e një urtësie të madhe të antikitetit.

Albert Ajnshtajni lindi më 14 mars 1879, në Ulm të Gjermanisë nga një familje hebreje. Ishte fëmijë i mbyllur, filloi të fliste me vonesë dhe e kishte të vështirë të lexonte. Metodat e prera mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje, e bënte atë të ndjehej i burgosur. Me kalimin e viteve fizikani i ardhshëm zhvilloi një dashuri për matematikën. Në Institutin Politeknik të Cyrihut studioi fizikë dhe matematikë. Pas diplomimit, punoi për qeverinë zvicerane si inspektor patentash për shpikjet e reja… dhe më vonë punoi si pedagog në Zvicër dhe Gjermani. Studentët e tij tregojnë, se kishte aftësinë t’i ilustronte idetë e vështira me figura dhe krahasime që i bënin ato shumë të kuptueshme. Gjatë kësaj periudhe, ai filloi punën për teoritë e tij të ardhshme shkencore. Ajnshtaini ishte njeri i thjeshtë, i veshur me rroba të vjetra dhe me flokë që dukeshin të pakrehur…

Ajnshtajni u largua nga Evropa, kur erdhi në pushtet Adolf Hitleri dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara, ku vazhdoi punën e tij shkencore në Institutin e Studimeve të Avancuara në Prinston Nju Xhersi. Në vitin 1921, Ajnshtajni fitoi çmimin “Nobel” në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Zbulimi çoi në zhvillimin e elektroteknikës, përfshi edhe radion dhe televizionin. Zbatimi në teknologjinë moderne të zbulimit të efektit fotoelektrik të këtyre viteve çoi në prodhimin e aparatit fotografik digjital, telefonit mobil, satelitët më modernë etj. Ajnshtajni konsiderohet si fizikani me ndikimin më të madh i shekullit të 20-të. Një njeri i shkëlqyer, tmerrësisht i pasionuar pas mistereve të shkencës, zhvilloi teorinë e përgjithshme të relativitetit (e = mc2), që tani konsiderohet si gurthemeli i fizikës moderne.

“Gjëja më e bukur që mund të përjetojmë është misteriozja, nëna e artit dhe e shkencës së vërtetë. Ai, i cili nuk i ka shijuar këto emocione, ai njeri që nuk mund të qëndrojë dy minuta të ëndërrojë apo të pushtohet nga frika, më mirë të vdesë, sepse i ka sytë e mbyllura”, – shprehet Albert Ajnshtajn.

Edhe pse Ajnshtajni dhe teoria e tij e relativitetit ishin shkaktarë të zbulimit të bombës atomike dhe energjisë nukleare me përmasa të papara shkatërruese, gjatë gjithë jetës së tij qe një humanist i vërtetë dhe kundërshtar i rreptë i zbatimit të këtij zbulimi në forcat ushtarake. Po ashtu Ajnshtajni ishte një rebel plot me kontradikta. Ja çfarë mësoi njeriu që u shndërrua në legjendë: “Heretik për disa dhe reaksionar për disa të tjerë, një njeri si të thuash, i mbijetoi vetvetes: “Ju imagjinoni, – këmbëngul ai me autoironi, – se unë shoh me kënaqësi veprën e jetës sime. Por, i parë nga afër, realiteti është shumë ndryshe. Nuk ka as edhe një ide të vetme, për të cilën unë jam i bindur se do t’i qëndrojë kohës”.

E megjithatë, 100 vjet pas zbulimit të të famshmes formulë të relativitetit të përgjithshëm, shkencëtari gjenial vazhdon të kujtohet si një prej mendimtarëve më të mëdhenj të historisë së njerëzimit. Në vitin 1999, në një sondazh të kryer nga revista “Bota e Fizikës”, njëqind fizikanët më të rëndësishëm të botës e kishin zgjedhur në vendin e parë në historinë e kësaj disipline, përpara Njutonit dhe Maksuellit. Mbas marrjes së çmimit “Nobel” në vitin 1921, miti i Ajshtajnit fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e kulturës: nga muzika (Beatles, Dylon, Clarkson, De Andre), tek kinemaja (Ajnshtajni i Liliana Cavanit), letërsia (“Vajza dhe profesori” i Jean Carriere, “Ëndrrat e Ajnshtajnit” i Alan Lightman), – nga opera (“Ajnshtajni në plazh” i Philip Glass), deri tek piktura (mendoni për sasinë e portreteve të realizuara nga Andy Warhol).

Ajnshtajni, mistik dhe laik, pacifist dhe ideues i bombës atomike, konservator dhe progresist, realist dhe ëndërrimtar, vetmitar dhe njeri i shoqërueshëm, egoist dhe altruist, krenaria e Shteteve të Bashkuara dhe njeri i vëzhguar nga FBI-ja, Ajnshtajni ia ka dalë gjithsesi që të heqë nga vetja çdo lloj etiketimi të ngurtë. Po ashtu bëhet një “mbështetës shumë i flaktë i mendimit të lirë, me përshtypjen se të rinjtë gënjehen qëllimisht nga shteti me mësime të gënjeshtërta”. Në fakt, “një qasje dyshuese kundër çdo lloj autoriteti”.

Mbi këto baza solide, të karakterizuara nga lufta kundër çdo lloj dogme dhe autoriteti, i riu Ajnshtajn hedh bazat e pasionit për studimin e të vërtetës, që do të jetë shenja dalluese e gjithë jetës së tij. Kur mbërriti në SHBA, Ajnshtajnit, si të gjithë emigrantëve të tjerë, i dhanë një pyetësor për të plotësuar. Ndër të gjitha pyetjet të cilave i duhej dhënë përgjigje, njëra pyeste: “Cilës racë i përkisni?”. Dhe ai iu përgjigj: “Racës njerëzore”.

Thënie:

– Eksperienca më e bukur që mund të kalojmë është misteri. Është emocioni themelor që qëndron në djepin e artit dhe shkencës së vërtetë.

– U jam falënderues atyre që më thanë jo. Për shkak të tyre, po e bëj vetë.

– Pa pasur njohuri nuk mund të shpikësh, ashtu si nuk mund të thurësh vargje pa ditur gjuhën.

– Ashtu siç zgjerohet rrethi i diturisë sonë, ashtu zgjerohet edhe perimetri i errësirës që rrethon atë.

– Dhurata e fantazisë ka pasur më shumë domethënie për mua se sa talenti im për të thithur dituri pozitive.

– Është arti suprem i mësuesit, të ngjallë kënaqësi në shprehjen kreative dhe dituri.

– Imagjinata është më e rëndësishme se dituria. Dituria është e kufizuar. Imagjinata rrethon botën, duke nxitur përparimin dhe duke i dhënë jetë zhvillimit.

– Në qoftë se Teoria ime e Relativitetit do të jetë e vërtetë, Gjermania do të thotë se jam gjerman, ndërsa Franca do të thotë se jam qytetar i botës. Nëse teoria nuk do të jetë e vërtetë, Franca do të thotë se jam gjerman, ndërsa Gjermania do të thotë se jam hebre.

– Është më e lehtë të thyesh një atom, sesa një paragjykim.

– Derisa të ketë njerëz do të ketë luftëra.

– Çmenduri është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme.

– Sëmundje shumë e keqe racizmi.

– Kompjuterët janë shumë të shpejtë, precizë dhe budallenj. Njerëzit janë shumë të ngadaltë, shumë pak precizë dhe inteligjentë. Së bashku, përbëjnë një fuqi që e kalon imagjinatën.

– Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që shikojnë, nuk thonë e nuk bëjnë asgjë për këtë gjë.

– Nuk e di se me çfarë lloj armësh do të luftohet në Luftën e Tretë Botërore, por di që në të Katërtën do të luftohet me gurë dhe me shkopinj.

– Ndryshimi midis gjenialitetit dhe budallallëkut është se gjenialiteti ka limit.

– Paqja nuk mund të mbahet me forcë, por mund të arrihet vetëm duke kuptuar njëri-tjetrin.

– Jeta është si të ecësh me biçikletë: në qoftë se do të jesh në ekuilibër, duhet të lëvizësh.

– Nuk e ke kuptuar me të vërtetë një gjë, nëse nuk je në gjendje t’ia shpjegosh gjyshes tënde. / Konica.al / KultPlus.com

Filmi ‘Zgjoi’ i Blerta Bashollit edhe në Karlovy Vary Film Festival

Filmi ‘Hive’ është përzgjedhur për të marrë pjesë në festivalin “Karlovy vary “Horizons” – (një përzgjedhje e filmave më të shquar bashkëkohorë), përcjellë KultPlus.

Datat e shfaqjes:

a) Kinema Pupp – Salla 1P3 – 20/08 E Premte 16:00,
b) Salla e Kongreseve 436 23/08 E Hënë 22:00,
c) Kinema B, Salla 651 25/08 E Mërkurë 09:00,
d) Teatri Husovka – Salla7H3 26/08 E Enjte, 16:30).

‘Zgjoi’, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Kujtojmë se bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA./ KultPlus.com

Kalaja e Borshit i nënshtrohet mirëmbajtjes

Borshi është një nga zonat turistike më të bukura të Rivierës Shqiptare, me ullishte që shtrihen deri afër detit e me një panoramë mbresëlënëse.

Por kjo zonë nuk është vetëm për turizëm bregdetar por dhe historik e kulturor. Në majë të fshatit të Borshit ndodhet Kalaja e Borshit apo siç njihet në histori si kalaja e Sopotit, prej nga mund të shohësh bukurinë e peizazhit nga lart.

Së fundi, Kalaja së Borshit i është nënshtruar pastrimit e punëve të tjera të mirëmbajtjes nga punonjësit e DRTK Vlorë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, theksoi sot se, “punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë ( DRTK Vlorë ) kujdesen për çdo monument kudo që ato ndodhen”.

“Ishte radha e Kalasë së Borshit për t’iu nënshtruar pastrimit e punëve të tjera të mirëmbajtjes”, theksoi ajo.

Kalaja e Borshit ndodhet 500 m mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III p.k. Kodra e Sopotit, mbi të cilën ngrihet kalaja, ndodhet në veri të fshatit Borsh dhe në perëndim të Fterrës. Nga ana Perëndimore mali formon disa tarraca natyrale, ku duken një sërë tepricash të godinave mesjetare.

Borshi është një paketë e mrekullueshme turistike ku ndërthuret, natyra, plazhi, historia dhe legjenda. Borshi është vetëm 17 km larg Himarës dhe ka vijën bregdetare më të gjatë të Jonit. / KultPlus.com

Kënga e Ava Max bëhet kënga e 11-të solo më e dëgjuar e një femre në historinë e ‘Spotify’

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Ava Max, u bë shumë e njohur në vitin 2018 kur publikoi hitin “Sweet but Psycho”.

Ishte kjo këngë ajo e cila i dha nismën e saj të mbarë drejt tregut ndërkombëtar, duke e shndërruar në një divë botërore.

Kjo këngë e cila është dëgjuar mbi një miliardë herë në Spotify dhe mbi 700 milionë në YouTube, është pa diskutim një nga këngët solo më të suksesshme të një artisteje femër.

“Sweet but Psycho” është aktualisht kënga e 11-të më e dëgjuar solo e një artisteje femër në historinë e Spotify.

Lajmi ne ka bërë të ditur një nga faqet e fansave të këngëtares, e cila përcjell më të rejat në arritjet muzikore të saj.

E lumtur për këtë sukses, artistja shqiptare, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Koçi, e ndau këtë fakt me ndjekësit e saj në InstaStory. / KultPlus.com

Sot nis panairi kombëtar i suvenireve turistike në Sarandë

Mbrëmjen e sotme në Sarandë, çel siparin Paniri IX Kombëtar i Suvenireve Turistike, miqësore me mjedisin, një event i përvitshëm dhe tradicional tashmë, i cili do të shtrihet në tri ditë nga 19-21 gusht.

Panairi organizohet nga Qendra AJMMI, në Sarandë (Agjencia Joniane e Mjedisit, Medias dhe Informacionit) me mbështetjen e Bashkisë Sarandë. Eventi përfshihet çdo vit në kalendarin e aksioneve kulturore jo vetëm të Bashkisë po edhe të Ministrisë së Kulturës dhe të Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Sipas burimeve të AJMMI-t dhe atyre te drejtorisë së Turizmit në Bashki, në këtë edicion marrin pjesë rreth 70 subjekte artizanë nga territore  etnokulturore të ndryshme të bashkive në vend si dhe nga trevat etnike të  Kosovës, Malit të Zi, etj.

Panairi i 9-të Kombëtar “Saranda, 2021″ synon të promovojë  resurset e pamata të  traditës së artizaneve shqiptare në fushën e punimeve te dorës, me realizime të artikujve ne lloje te ndryshme materiali si: punime ne qëndisje, në material leshi, druri, guri, lekure, qeramike, guacka, aplikacione  artistike nga mbetje të ndryshme të lëndëve të para, etj,.

Drejtuesi i AJMMI-t Shkëlqim Hajno tha se “gjatë këtij edicioni  i cili përfshin edhe përmasën e një festivali të etnokulturës shqiptare që përcillet nga duart dhe mendimi artistik i artizanëve; në rreth 70 minipavione  me artikuj sipas kritereve strikte të paravendosura; mëtohet të sillet tradita burimore dhe prurjet bashkëkohore, përmes së bukurës dhe gjetjeve të saj si koncept estetik që evoluon në kohëra”.

Pritet që artizanet të sjellin pranë njeri-tjetrit traditën e punëve të dorës nga treva të ndryshme si Saranda dhe Gjirokastra, Shkodra dhe Prizreni, Prishtina dhe Kruja,  Berati, Korça, Tepelena, etj,.

Sipas AJMMI-t, në pikëpamje të lëvrimit dhe teknikave të punës  së dorës, eventi i 9-t Kombëtar përfshin qëndistarinë e dorës dhe punët në tezgjah, punime arti në gjilpërë dhe endje, mjeshtërinë e filigramit dhe delikatesën e prodhimit të bizhuterive  shqiptare, krahas veshjeve kombëtare që përbëjnë gjithmonë një magji më vete.

Qasja mjedisore në lëndën e parë dhe tradita autentike shqiptare sipas trevave, kanë qenë evidente në rrugëtimin e këtij aktiviteti kombëtar, në Sarandë një nga kryeqendrat turistike të hapësirës mbarëshqiptare, e preferuar përherë e më tepër si një destinacion.

President i Panairit të 9-të Kombëtar është kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma.

I planifikuar të organizohet ne 100-vjetorin e Bashkisë Sarandë, në zemrën e shëtitores së re të qytetit bregdetar që mban emrin e poetit kombëtar “Naim Frashëri”; eventi konfirmon edhe një herë, dimensionin dhe promovimin e kësaj infrastrukture publike, si shëtitorja e panaireve dhe ngjarjeve kulturore të larmishme gjithëvjetore, krahas vendstartimit të turizmit blu të trageteve, në një magnet atraktiv për mijëra turistë vendas dhe të huaj. / KultPlus.com

Rikthehet Festivali i Këngës Arbëreshe në Kalabri

Pas një ndërpreje thuajse dy vjeçare, në Horën e Arbëreshëve do të jehojë kënga dhe vallja shqiptare.

Kësaj radhe Festivali i XXXIX- të, do të zhvillohet përmes një koncerti me grupe dhe solistë eminentë arbëresh, kësaj të shtune, më 21 gusht 2021, në orën 20:30.

Festivali do të zhvillohet në Shën Mitër, siç njihet San Demetrio Corone nga shqiptarët, në këtë qytezë me peshë sa kulturore e arsimore aq edhe e historike, jo vetëm për arbëreshët, por edhe për mbarë shqiptarinë, me që aty veproi me shumë sukses kolegji i mirënjohur Shën Adriano (1794) e ku ligjëroi edhe poeti ynë i madh rilindës Jeronim De Rada. Po aty pati nxënës edhe nga Shqipëria, që do të bëheshin më vonë emra të njohur të lëvizjeve kulturore e atdhetare.

Shën Mitri apo San Demetrio Corone është një ndër qendrat më të rëndësishme të komunitetit arbëresh, edhe nga fakti se ka ruajtur gjuhën, zakonet, kulturën, ritet fetare dhe identitetin etnik të tij. / KultPlus.com

Presidentja Osmani me përfaqësues të tri organizatave të OKB-së diskutoi për strehimin e qytetarëve nga Afganistani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të përbërë nga Ulrika Richardson, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për zhvillim, Erol Arduc nga UNHCR-ja dhe Anna Rostocka nga IOM me të cilët është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani në kuadër të Programit të Posaçëm të Vizave për Migrim të SHBA-ve.

Përfaqësuesit e të tri organizatave kanë falënderuar Presidenten Osmani për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për strehimin e qytetarëve nga Afganistani dhe në të njëjtën kohë kanë ofruar mbështetje ndaj institucioneve të Kosovës për t`u dalë në ndihmë të strehuarve.

Presidentja Osmani nga ana tjetër ka përsëritur se Kosova është e hapur për qytetarët nga Afganistani.

“Ne jemi të hapur për t`i mirëpritur qytetarët nga Afganistani, sepse askush më mirë se ne nuk e njeh dhimbjen e tyre. Për më tepër këtë po e bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik- SHBA-në ”, ka theksuar Presidentja Osmani.  / KultPlus.com

Ndërron jetë Shefqet Hoxha, muzicienti i njohur kosovar

Ka ndërruar jetë muzicienti i njohur Shefqet Hoxha.

I ndjeri është babai i këngëtares dhe deputetes, Eliza Hoxha.

Lajmin e ka dhënë vëllai i Elizës, Fatos Hoxha, përmes një fotografie të babait të tyre tashmë të ndjerë, të publikuar në Facebook.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se sot me datë 19.08.2021 ndërroi jetë Babai, Gjyshi dhe i dashuri ynë Shefqet Hoxha. Njoftojmë familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë dashamirët se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në varrezat e Prishtinës në Arbëri (Dragodan) me ikindi në ora 16:30”, ka shkruar Fatos Hoxha në Facebook.

Eliza ka treguar në disa intervista se frymëzimin për t’u marrë me muzikë e kishte marrë nga babai i saj.

Ai madje ka qenë kompozitor dhe tekstshkrues i shumë këngëve të saj si fëmijë, kur Hoxha sapo kishte nisur rrugëtimin e saj muzikor./KultPlus.com

Nga 19 gushti në Cineplexx do të fillojnë të shfaqen si premierë 3 super-filma të rinj

Nga 19 gushti, në Cineplexx do të fillojnë të shfaqen 3 premiera të ndryshme botërore.

Nga data 19 gusht, në Cineplexx do të keni mundësi t’i shihni disa nga premierat më të fundit botërore. Filmi më i pritur i kësaj jave është super-trilleri Escape Room 2, që është vazhdim i filmit me të njejtin titull, që kishte sukses të jashtëzakonshëm gjatë shfaqjes së tij në kinemanë Cineplexx gjatë 2019.

Tre filmat që do të fillojnë të shfaqen këtë javë janë:


1) Escape Room 2

Gjashtë njerëz padashur e gjejnë veten të mbyllur në një seri tjetër dhomash arratisjeje, duke zbuluar ngadalë atë që kanë të përbashkët për të mbijetuar. Duke bashkuar forcat me dy nga të mbijetuarit origjinal, ata së shpejti zbulojnë se të gjithë kanë luajtur lojën më parë.

REMINISCENCE, from left: Rebecca Ferguson, Hugh Jackman, 2021. © Warner Bros. /Courtesy Everett Collection


2) Reminiscence

Një shkencëtar zbulon një mënyrë për të rijetuar të kaluarën dhe përdor teknologjinë për të kërkuar dashurinë e tij të humbur prej kohësh.


3) Paw Patrol: The Movie

Ryder dhe këlyshët thirren në Adventure City për të ndaluar Kryetarin Humdinger të kthejë metropolin e zhurmshëm në një gjendje kaosi.

Për filmin Paw Patrol, kinemaja Cineplexx do të organizojë eventin “Dita e Familjes” më 21 dhe 22 gusht në të dy kinematë, duke filluar nga ora 12:00, ku do të ketë shpërblime nga Entertainer, dhe do të ketë aktivitete me Facepainting, Maskota si dhe me pije falas për fëmijë nga Frutti.

Biletat për këta filma mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx. Më shumë informata rreth filmave mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx.

Vetëvendosje në Shqipëri proteston kundër Bregoviqit: “Dajre” gjenocidi

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Shqipëri ka realizuar sot një aksion simbolik kundër pjesëmarrjes së muzikantit serb, Goran Bregoviq, në Festivalin e Birrës në Korçë.

“Bregoviç ‘dajre’ gjenocidi”, ishte simbolika e këtij aksioni që u mbajt në Bulevardin “Republika”, në Korçë.

Në njoftimin e kësaj partie thuhet se aksioni u organizua në solidaritet me 20 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë.

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka organizuar sot një aksion simbolik ndërgjegjësues në qendër të qytetit të Korçës, duke vendosën një banderolë të gjatë me fjalët “Bregoviç dajre gjenocidi”, në Bulevardin “Republika”. Aksioni u organizua në solidaritet me 20 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë, të cilat kanë kërkuar nga Bashkia e Korçës anulimin e ftesës në “Festën e Birrës” të muzikantit të shumëkontestuar, Goran Bregoviç. Aksioni u zhvillua githashtu në mbështetje të bojkotit që shumë artistë shqiptarë nga të gjitha trevat i kanë bërë kësaj feste, pasi Bashkia e Korçës ka refuzuar të anulojë ftesën për Bregoviçin”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Bregoviç “dajre” gjenocidi

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka organizuar sot një aksion simbolik ndërgjegjësues në qendër të qytetit të Korçës, duke vendosën një banderolë të gjatë me fjalët “Bregoviç dajre gjenocidi”, në Bulevardin “Republika”. Aksioni u organizua në solidaritet me 20 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë, të cilat kanë kërkuar nga Bashkia e Korçës anulimin e ftesës në “Festën e Birrës” të muzikantit të shumëkontestuar, Goran Bregoviç. Aksioni u zhvillua githashtu në mbështetje të bojkotit që shumë artistë shqiptarë nga të gjitha trevat i kanë bërë kësaj feste, pasi Bashkia e Korçës ka refuzuar të anulojë ftesën për Bregoviçin.

Kujtojmë se muzikanti i shumëkontestuar Bregoviç nuk e ngriti kurrë zërin gjatë aparteidit të Milosheviçit në Kosovë, por e gjeti kohën të organizonte një koncert kundër ndërhyrjës së NATO-s në krah të UÇK-së. Për më tepër, shqiptarët e Kosovës, që ishin viktima të gjenocidit të Serbisë, ende e mbajnë mend mirë se si ushtria dhe paramilitarët e Serbisë i kryenin masakrat e tyre ndaj shqiptarëve duke u frymëzuar me këngë të Bregoviçit. Koncerte të tij janë anuluar nga organizatorë edhe në shtete të tjera të botës, pas qëndrimeve të tij lavdëruese për Rusinë në koncertin e mbajtur në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Bregoviçi, përmes muzikës dhe qëndrimeve të tij, ka shërbyer e shërben si lëkuara e deles me të cilën mbulohet nacionalizmi shoven serb. Serbia nuk është penduar për krimet e saj, drejtohet nga kriminelë lufte dhe vazhdon të ketë për qëllim ekspansionin e mëtejshëm në rajon me projekte si “Ballkani i Hapur”. Për më keq, Serbia kryen sot e kësaj dite spastrim etnik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.   

Nuk mund të jetë rastësi që datat e Festës së Birrës në Beograd përputhen me datat e Festës së Birrës në Korçë (18-22 gusht). Ajo në Beograd u hap mbrëmë nga Bregoviç, ajo në Korçë pritet të mbyllet po nga Bregoviç. Është e vërtetë se jugonostalgjiku Bregoviç ka mbajtur edhe më herët koncert në Shqipëri në vitin 2006, dhe është nderuar nga kryeministri Edi Rama, në atë kohë kryebashkiak, me “Çelsin e Tiranës”. Bregoviç është nderuar me medalje këtë vit edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Mirëpo, prej vitit 2006, vetëdija kombëtare shqiptare është rritur më shumë në popull sesa te pushtetarët e korruptuar të Shqipërisë. Shqiptarët janë shumë më të informuar e të lidhur me njëri-tjetrin.

Si komb, do të ishte hipokrite nëse ndajmë vetëm gëzimet, medalje dhe mirënjohje ndërkombëtare, pa u solidarizuar duke ndarë edhe vuajtjet. Bashkë i ndamë vuajtjet dhe iu gjendëm njëri-tjetrit gjatë luftës në Kosovë, por edhe më vonë pas tërmetit në Shqipëri e tani gjatë zjarreve që shkrumbuan me mijëra hektarë. Ne kërkojmë ndërgjegjësim e bashkëpunim kombëtar në të gjitha fushat, drejt bashkimit.

Korçë, 19 gusht 2021

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri./KultPlus.com

Filmat që do të lansohen në pjesën e mbetur të 2021-tës

Kanë kaluar më shumë se një vit që kur pandemia e koronavirusit mbylli kinematë e para dhe hodhi trazira në datat e filmave të suksesshëm, por teatrot janë rihapur me kujdes në SHBA dhe gjetkë.

Më poshtë mund të gjeni listën e filmave që pritet të lansohen deri në fund të vitit 2021.

Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings [Cinema] – 3 shtator

Cinderella [Amazon Prime] – 3 shtator

Malignant (UK) [Cinema] – 3 shtator.

Malignant [Cinema/HBO Max] – 10 shtator

Respect (UK) [Cinema] – 10 shtator

Dune (UK) [Cinema] – 17 shtator

The Many Saints of Newark – 24 shtator

No Time To Die (UK) [Cinema] – 8 tetor

Halloween Kills – 15 tetor

Dune – 21 tetor

French Dispatch – 22 tetor./KultPlus.com

Burrat emigruan, gratë u morën me kujdesin e fëmijëve, “Paper House” me thirrje për këto rrëfime

“Në Duart e Tona” është projekt i “Prishtina Biennale”, në bashkëpunim me “Paper House”, i cili do të jetë mjaft i veçantë dhe kuptimplotë, pasi që përfshin një grup mjaft të sfiduar të shoqërisë.

Projekti “Në Duart e Tona”, ka temë gratë të cilat kishin jetuar pa burrat e tyre në vitet 70-ta, 80-ta dhe fillimin e viteve të 90-ta, për shkak se ata kishin emigruar, të detyruar nga situata e pafavorshme ekonomike.

Si rezultat i emigrimit të burrave të tyre, këto gra kosovare u detyruan që të rrisin familjet e tyre të vetme dhe të luajnë edhe rolin e babait për fëmijët e tyre. Por, jeta e tyre gjatë këtyre viteve ishte mjaft e vështirë, pasi që u përballen me punë mjaft sfiduese dhe paragjykime shoqërore.

Andaj, për nder të këtyre grave në mënyra mjaft kreative pritet të sjellin historitë e tyre, të cilat edhe janë “mbinjerëzore”, për faktin se sfiduan çdo standard shoqërorë që ju është shkaktuar atyre.

Jo vetëm histori por përjetim dhe emocion, “Në Duart e Tona”.

““Paper House” i’u bën thirrje të gjitha grave të cilat i kanë rritur familjet të vetme për shkak të emigrimit të burrave gjatë viteve 70-ta, 80-ta dhe 90-ta, e që dëshirojnë të ndajnë me të tjerët përjetimet nga ajo kohë, me anë të tregimeve apo materialeve që mund t’i posedojnë të na kontaktoni përmes emailit: [email protected], përmes Viber në numrin +38343911911 apo përmes Facebook në “Paper Radio 91.1””, thuhet në njoftimin e “Paper Houese”. / KultPlus.com

BBC do t’i paguajë 1.5 milionë funta Familjes Mbretërore dëmshpërblim për intervistën e Princeshës Diana

BBC shpreson të bëjë ndryshime për skandalin e prezantuesit Martin Bashir duke paguar rreth 1.5 milion funte “dëmshpërblim” për një organizatë bamirëse të zgjedhur nga Familja Mbretërore.

Donacioni i pashembullt përfshin 1.15 milion funte (1.34 milion euro) – shuma që Korporata e bëri nga shitja e të drejtave globale për intervistën e famshme të Princeshës Diana – plus dëmshpërblimet, shkruan DailyMail.

Një hetim nga Lord Dyson në maj zbuloi se Bashir kishte gënjyer për të marrë intervistën e vitit 1995, duke përdorur metoda “mashtruese” të mbuluara më vonë nga një hetim i brendshëm “mjerisht joefektiv” nga Tony Hall, i cili më vonë u bë drejtor i përgjithshëm i BBC-së.

Ndërsa kushtet e sakta ende nuk janë përfunduar dhe nuk ka një datë të caktuar për paratë e paguara, kuptohet se do të vijnë nga BBC Studios, krahu tregtar i Korporatës – një operacion tregtar i pa financuar nga tarifa e licencës.

Burimet mbretërore thonë se Princat William dhe Harry ka të ngjarë të përfshihen në vendosjen se si duhet të përdoren paratë e dëmshpërblimit.

Mbrëmë shoqja e ngushtë e Dianës, Rosa Monckton, tha: “Ky është një vendim i admirueshëm, edhe pse padyshim që nuk mund të zhbëjë dëmin që është bërë ose të fshijë fajin e BBC–së”.

Edhe pse skandali u zbulua nga kjo gazetë 25 vjet më parë, BBC-së iu desh deri në fillim të këtij viti të pranonte keqbërjen e Bashirit, pasi e kishte shfajësuar atë më parë.

Pas publikimit të raportit të Lord Dyson, William dënoi Korporatën për mashtrimin e nënës së tij, shkatërrimin e jetës së saj dhe ndihmën për të shpejtuar divorcin e saj.

Ai tha se dështimet e BBC-së kishin kontribuar në ‘frikën, paranojën dhe izolimin’ e Dianës në vitet e saj të fundit, dhe se intervista dha një “kontribut të madh në përkeqësimin e marrëdhënies së prindërve të tij”.

Kuptohet që ideja e dhurimit u sugjerua për herë të parë nga vëllai i Dianës, Earl Spencer, i cili tha se disa nga paratë e fituara nga BBC duhet të shkojnë për organizatat bamirëse të Dianës.

Është gjithashtu e kuptueshme që zyrtarët e Pallatit nuk i kërkuan një donacion BBC-së dhe ende nuk janë informuar për detajet.

Lëvizja vjen në sfondin e diskutimeve të vazhdueshme, të filluara nga William, midis transmetuesit televiziv dhe oborrtarëve të Pallatit.

Thuhet se William beson se ka prova të tjera për të zbuluar dhe shprehu interes për të vazhduar bisedat private me BBC-në “për të parë se çfarë del”.

Sidoqoftë, drejtori i përgjithshëm aktual, Tim Davie, tani ka të ngjarë t’i shikojë dëmshpërblimet si një mënyrë për të tërhequr një vijë nën çështjen. Ai tashmë i ka dërguar letra falje pa kushte Mbretëreshës, Princit Charles, Princit William, Princit Harry dhe vëllait të princeshës së ndjerë, Earl Spencer.

Ato thuhet se përfshinin rrëfimet poshtëruese se si ‘Martin Bashir përdori gënjeshtra dhe dokumente të rreme për të fituar qasje tek princesha’ dhe se ai ‘bëri një seri pretendimesh të turpshme dhe të pavërteta’.

Davie gjithashtu kërkoi falje nga Matt Wiessler, sinjalizuesi që zbuloi mashtrimin e Bashir, dhe i cili tani është vendosur të marrë nga 750,000 deri në një milion funte kompensim.

Artisti grafik i vlerësuar me çmime doli para një çerek shekulli më parë për të ekspozuar reporterin e Panoramës për udhëzimin e tij për të prodhuar deklarata bankare të rreme që thuhet se janë të rëndësishme për të siguruar intervistën e Dianës.

Wiessler besonte se ato ishin riprodhime besnike të dokumenteve të mirëfillta, por kur më vonë zbuloi se çfarë kishte bërë Bashir, ai u rendit në listën e zezë nga BBC.

Ai më në fund u shfajësua nga pyetja e Lord Dyson.

Dy muaj më parë u raportua se Davie kishte rënë dakord të mos transmetonte përsëri intervistën e vitit 1995, por tha se përdorimi i klipeve të shkurtra në kontekst duhet të ishte i hapur për diskutime të mëtejshme.

Pretendohej se refuzimi për të dhënë një premtim më të gjerë për të mos treguar fragmente zemëroi Pallatin – oborrtarët kërkuan një angazhim nga BBC për të vendosur kufij të fortë në përdorimin e tij.

Princi Charles u tha se ishte zemëruar për “gënjeshtrat e turpshme” në intervistë, përfshirë pretendimin se ai nuk ishte i përshtatshëm për të qenë monark.

Ai besohet të jetë thellësisht i shqetësuar se ky klip nuk do të transmetohet kurrë për shkak të ndikimit që mund të ketë në perceptimin publik të entuziazmit të tij për trashëgimin e fronit.

Bashir u punësua nga BBC si redaktor i fesë në vitin 2016, por papritmas dha dorëheqjen më 14 maj, duke cituar shëndetin e dobët.

BBC dhe Pallati Kensington nuk pranuan të përgjigjen lidhur me ngjarjen./KultPlus.com

75 vjet pas zhdukjes gjenden mijëra faqe të dorëshkrimeve të pabotuara të Celine

Më shumë se 75 vjet pas zhdukjes së tyre, rreth 6,000 faqe të pabotuara të dorëshkrimeve të Louis-Ferdinand Céline janë rishfaqur, pasi ato ishin vjedhur nga apartamenti parizian i shkrimtarit të mirënjohur francez, Eseisti Henri Godard, specialist në romanet franceze të shekullit të 20 –të e cilësoi këtë moment sa befasues aq edhe të pritshëm.

“Ky zbulim është i papritur dhe njëkohësisht i pritshëm. 20 vjet më parë, kur po redaktoja Pléiadën, pyeta zonjën Destouches, vejushën e Celine: Ku janë dorëshkrimet? Dhe ajo më tha, mos u shqetëso, ditën që do të vdes, këto dorëshkrime do të shfaqen përsëri. Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh”.

Ndërsa, avokati François Gibault u shpreh i emocionuar për këtë zbulim

“Kur mban në duar këto dorëshkrime, të duket sikur një pjesë e Celinë është e gjallë. Ky kontakt manual me dorëshkrime që janë fshehur për 75 vjet dhe me të cilat Céline jetoi, është shumë emocionues”.

Dorëshkrimet ishin vjedhur që nga viti 1944 nga një luftëtar i rremë i rezistencës i quajtur z. Rosembly, i cili kishte qenë në shtëpinë e tij. Pas vdekjes, dorëshkrimet I kishte vajza e tij, derisa u rigjetën sërish.

Louis-Ferdinand Céline konsiderohet gjerësisht si një nga romancierët më të mëdhenj francezë të shekullit të njëzetë, por mbetet një figurë e diskutueshme në Francë për shkak të antisemitizmit dhe aktiviteteve të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Romani i tij i parë “Udhëtimi deri në Fund të Natës” (1932) fitoi Çmimin Renaudot, por i ndau kritikët për shkak të përshkrimit pesimist të autorit të gjendjes njerëzore. Nga viti 1937 Céline shkroi një seri veprash polemike antisemitike në të cilat ai mbronte një aleancë ushtarake me Gjermaninë naziste./OraNews.tv/KultPlus.com

Dashamirët e artit mblidhen për të parë mjeshtrin Antonio Lopez duke pikturuar në sheshin e Madridit

Jo shpesh ju jepet mundësia për të parë një mjeshtër arti duke punuar, por banorët e Madridit kanë pasur mundësti të shohin një nga artistët më të mëdhenj të Spanjës duke pikturuar në sheshin e famshëm Puerta del Sol, transmeton KultPlus.

Çdo ditë nga ora 18:30 deri në 21:00 që nga fillimi i korrikut, piktori dhe skulptori Antonio Lopez, 85 vjeç, ka pozicionuar këmbalecin dhe kanavacën e tij të madhe dhe ka filluar të përziejë bojërat e tij, ndërsa një turmë blerësish, shëtitës qensh dhe artdashës mblidhen rreth tij.

Duke parë një fytyrë kaq të famshme të pozicionuar në mesin e dyqaneve turistike dhe tezgave të lotarisë në Puerta del Sol ka emocionuar shumë vendas.

“Është një moment që ndodh një herë në jetë sepse Antonio Lopez është një legjendë e gjallë e artit spanjoll,” tha mësuesi i artit Javier Mateo, 33 vjeç, i cili u frymëzua nga Lopez për të studiuar artin vetë.

Lopez, i cili ka gëzuar një karrierë të gjatë në Spanjë, veprat e të cilit shfaqen në koleksionet e përhershme të muzeve në të gjithë botën, është i njohur për përshkrimet e tij të gjalla të temave nga jeta e përditshme, nga skenat e qytetit deri tek portretet./KultPlus.com

Fillon restaurimi i shtëpisë së familjes në kompleksin e banimit Emingjiku

Ndërtesa kryesore në kompleksin e banimit Emingjiku, ka filluar të restaurohet gjatë vitit 2017. Pas një ndërprerjeje gati 4 vjeçare, kanë filluar ndërhyrjet restauruese në këtë ndërtesë, bëhet e ditur nga MKRS.

Gjatë muajit Maj të këtij viti, pas vlerësimit të bërë nga Inspektorati i Trashëgimisë kulturore rreth gjendjes dhe integritetit të vlerave të trashëgimisë kulturore të kësaj ndërtese, Plani i ndërhyrjeve restauruese është plotësuar me masat e sigurisë teknike.

Ky plan i kompletuar do të fillojë të zbatohet nën mbikëqyrjen e rregullt të institucioneve të trashëgimisë kulturore.Sigurimi i mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, dhe monitorimi sistematik paraqet njërin nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, prandaj jemi të përkushtuar në përmirësimin e gjendjes së kësaj trashëgimie.Punimet do të kryhen nga kompania “Pleqja”, nën mbikëqyrjen e stafit profesional nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve./ KultPlus.com

Teatri ‘Istref Begolli’ bëhet me staf profesionistësh

Teatri Profesionist i Qytetit ‘Istref Begolli’ është bërë me staf profesionistësh që do të përkushtohen në realizimin e organizimeve artistike, shkruan KultPlus.

“Pas një kohe të gjatë, më në fund Teatri Profesionist i Qytetit Istref Begolli është kompletuar me një staf profesionistësh që nga Drejtoresha e deri tek punonjësit e rinjë te cilët do të përkushtohen maksimalisht në realizimin e të gjitha organizimeve artstike në skenën e Teatrit.”- thuhet në një njoftim në Facebook.

Teatri “Istref Begolli”, është një qendër e artistëve profesionistë, i cili vepron për më tepër se 60 vite në Pejë./KultPlus.com

MPJ: Katër kosovarët me të cilët kemi qenë në kontakt janë evakuuar nga Afganistani

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se katër shtetas të Kosovës janë evakuuar nga Afganistani.

MPJD përmes një komunikate për media ka thënë se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejt me shtetasit kosovarë atje.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), bënë të ditur se katër shtetasit e Kosovës me të cilët ka qenë në kontakt të drejtpërdrejt dhe ju është ofruar ndihmë pas përshkallëzimit të situatës në Afganistan, janë evakuuar.Që nga përshkallëzimi i situatës atje, MPJD-ja ka qenë e angazhuar për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës me qëllim të largimit sa më të shpejt nga Afganistani.MPJD-ja vazhdon ta mbaj të hapur linjën emergjente me numër +383 45 492 316, dhe është në dispozicion tu ofroj ndihmë të gjitha rasteve të reja që eventualisht mund të lajmërohen në periudhën në vijim”, thuhet në komunikatë.

Institucionet e Kosovës janë deklaruar se janë duke bërë përgatitjet e duhura logjistike e teknike, por edhe të sigurisë dhe sociale për strehimin dhe mbrojtjen e qytetarëve nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

Deri më tani ende nuk dihet se sa do të jetë numri i afganëve që do të qëndrojnë në Kosovë, derisa t’iu përfundojnë procedurat e vizave amerikane.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Kryeministri Albin Kurti tha të martën se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara.

Ekipi nga Kosova, i përbërë ne krye me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe shefin e kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi, tha Kurti, janë në diskutime me partnerët dhe aleatët amerikanë lidhur me çështjen e strehimit të afganëve.

“Kosova ka SHBA-në aleaten kryesore dhe partneren strategjike të pazëvendësueshme. Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani, përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu dimensionin e aleancës dhe partneriteti me SHBA-në. SHBA-ja na kanë mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë përkundër ndihmës dhe mbështetjes së madhe për popullin tonë”, ka thënë Kurti./KultPlus.com